• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2016

Kosova në pritje të liberalizimit të vizave

January 11, 2016 by dgreca

-Progres maksimal në përmbushjen e shtatë nga tetë pikat e rekomanduara nga Komisioni Evropian/
PRISHTINË, 11 Janar 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka mbledhur sot përfaqësuesit e institucioneve të ngarkuara për finalizimin e përmbushjes së rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Gjatë takimit, përfaqësuesit i raportuan kryeministrit lidhur me progresin e arritur për përmbushjen e këtyre rekomandimeve dhe u konstatua njëzëri se është shënuar progres maksimal në përmbushjen e shtatë nga tetë pikat e rekomanduara nga Komisioni Evropian.
Në takim u konstatua se ka mbetur ende e pazgjidhur çështja e objektit të Avokatit të Popullit, si rezultat i mos zhvendosjes së Gjykatës Kushtetuese në Pallatin e Drejtësisë, ashtu siç ishte paraparë me vendim të Qeverisë dhe të konfirmuar me letërkëmbimin e ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
Përfaqësuesit e institucioneve u dakorduan që deri më 15 janar do të përgatitet raporti final lidhur me përmbushjen e rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, në mënyrë që më pas rezultatet konkrete t’i raportohen institucioneve relevante të BE-së.
Të gjithë përfaqësuesit u zotuan për angazhim edhe më të fuqishëm për të përmbushur secilin rekomandim, në mënyrë që qytetarëve të Republikës së Kosovës, me meritë të plotë, t’iu mundësohet lëvizja e lirë në vendet e Bashkimit Evropian.
Kryeministri Isa Mustafa vlerësoi përkushtimin dhe falënderoi institucionet përkatëse si dhe të gjithë qytetarët e vendit, për kontributin e tyre në avancimin e rrugës integruese evropiane, duke rikonfirmuar angazhimin e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të punuar maksimalisht në realizimin e plotë dhe sa më të shpejtë të aspiratave eurointegruese./b.j

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, liberalizimi i vizave, Në pritje

Vërshimet, sëmundja jonë kronike

January 11, 2016 by dgreca

“As zoti nuk të ndihmon nëse ti se respekton vetveten”- Fjalë e vjetër popullore-/
Shkruan: arch. Ylber Vokshi -Ylli-Prishtinë/
Me vite me radhë po apeloi,tek organet shtetërore të nivelit lokal (Komunat) dhe ati qendror(MMPH),për të punuar dhe ndërmarrë masa adekuate në teren, që të mos kemi vërshime të shumta pothuaj në të gjitha anët e Kosovës dhe Shqipërisë. Si nuk u mbush mend kjo shoqëri,të cilës për çdo vjet po iu përsëritën vërshimet, nuk po ndërmerr masa adekuate preventive që sado pak të parandalohen dëmet të mëdha që po i shkaktohen? Si duket kjo është kthye në sëmundje kronike e cila po na përsëritet çdo vit,varësisht se në cilat zona ka të reshura ma të shumta,e disa zona këtë dukuri e kanë të garantuar sa herë bien shi ma gjatë se një ditë.
Është çështje tjetër nëse vërshimet janë si pasojë e disa dukurive apo fenomeneve natyrore,ato ndodhin rrallë dhe trajtohen si fatkeqësi natyrore të dimensioneve të mëdha, në ato raste faktori njeri është i pa fuqishëm dhe vepron vetëm si preventivë,ku kërkohet edhe ndihma e bashkësisë ndërkombëtare. Por vërshimet e viteve të fundit në Kosovë dhe Shqipëri janë pasojë ekskluzive e faktorit njeri që rezulton me dëme të mëdha materiale në pronat private dhe shoqërore,të cilat gati asnjë organ shtetëror nuk i kompenson. Që të jetë ironia ma e madhe asnjë shtab komunal i emergjencave nuk posedon fonde materiale për raste të tilla, dëmet materiale nëpër disa komuna janë të rëndomta për çdo vit.
Janë brengosëse raportet nga tereni këtyre ditëve kur pati të reshura të pa ndërprera dy ditore të shiut,me pasojat të mëdha në rrethet dhe vendbanimet e Malishevës,Shtimes,Lipjanit,Drenasit, Suharekë dhe disa rretheve tjera në Kosovë dhe në shumë rrethe në Shqipëri. Ishte tregues interesant prononcimi i një banori të Babushit të Muhaxhirëve të Lipjanit i cili tregoi se këto përmbytje në fshatin e tyre janë si rezultat i hedhjes së dheut të tepërt nga punimet në autostradën në ndërtim për Shkup. Zyrtari i shtabit emergjencave të Lipjanit konfirmoi se ketë vit dëmet ishin ma të vogla se vitin e kaluar,pasi është punuar diçka në pastrimi e shtratit të lumenjve.
Kjo e tregon një të vërtetë të hidhët se me Planifikim Hapësinor dhe Urban profesional të territorit të komunave apo rretheve, me rregullimin e shtretërve të lumenjve,prrockave apo kanaleve kulluese, ne mundemi me e parandaluar rrjedhën e pakontrolluar të ujërave,daljen e ujit nga shtrati që rezulton me vërshime, duke shkaktuar dëme të mëdha në tokat me të mbjella,depo,objekte pune dhe banimi,auto rrugë etj. MMPH kur detyrohet del në opinion me të dhëna se për vitin 2016 ka ndarë 1.2 milion euro,sa janë të mjaftueshme këto mjete në situatën e krijuar që 17 vite ?
Një dukuri shqetësuese është eksploatimi i pa kontrolluar i zhavorrit,ndërtimi i kapaciteteve për përpunimin e tij (seperacioneve) mu në shtratin e lumenjve ,shtrati i tyre degradohet skajshmërisht dhe ndikon direkt në mjedisin jetësor,gjegjësisht në rrjedhën normale të ujit i cili është i detyruar të del nga shtrati dhe të vërshoi. Hedhja e mbeturinave në lumenjtë tonë,që i trajtojmë si kosh plehrash, ku mundesh të hedhësh gjithçka, është dukuri normale,kjo ngjet edhe në zonat urbane të qyteteve tona e askush nuk reagon,edhe se ngushtimi i shtratit të lumenjve tona është një prej shkaktarëve kryesor të përmbytjeve. Erozioni natyror, si dhe ai i shkaktuar me veprimet tona të pa përgjegjshme me prerjen e drunjve në brigjet e tyre,askënd nga organet shtetërore nuk i brengos.
Një çështje është shumë e qartë,nuk është fjala vetëm për reshje të mëdha shiu,edhe përpara ka pasur të reshura shiu dhe bore, por edhe për pasojat e abuzimit dhe ndërtimit pa kritere mbi shtretërit e lumenjve,tokë që është në pronësi të lumenjve e jo të atyre ndërtimeve që gjithsesi duhet larguar pasi ato paraqesin raste klasike të ndërtimeve pa leje gjegjësisht të uzurpimit të tokës shtetërore. Me fjalë tjera ne duhet të ballafaqohemi me të gjitha veprimet tona të pa ligjshme,pa rregulla teknike dhe urbane me këso ndërtime, pasi që një pjesë e dëmeve të sotme janë pasojat që i paguajmë dhe do vazhdojmë t’i paguajmë ende për disa kohë .
Ajo çka është shqetësuese janë ndërtimet e reja me leje ndërtimi. Se si neve ndërtojmë dhe i kontrollojmë (mbikëqyrim) ato në fazën e eksploatimit,kemi edhe raste konkrete ku janë investuar,shpenzuar mjete të mëdha materiale me vlera milionëshe,si janë rastet e autostradave nga Prishtina në drejtim të Shkupit dhe Pejës,të cilat në disa pika bllokohen për komunikacion gjatë përmbytjeve rregullisht.
Të vetmen punë që dimë të bëjmë ne janë vizitat e udhëheqësëve politik në zonat e vërshuara,formimet e “Komisioneve për vlerësim”,për të kërkuar mjete nga niveli Qendror. I tërë ky ritual mbet zakonisht vetëm me kërkesa në letër,e të dëmtuarit detyrohen që me mjetet e veta apo të huazuara të bëjnë sanimin e gjendjes në pronat e tyre.
Shtrohet pyetja e logjikshme deri kur kështu,edhe sa do vazhdoj indiferenca e institucioneve përgjegjëse, natyra rregullisht po na ndëshkon. Dëmet e shkaktuara nga vërshimet janë shumë ma të mëdha se sa masat e nevojshme për parandalimin e vërshimeve. Prapë më duhet të përsërisë për të satën herë një veti të “trashëguar”që moti,se të gjithë ne dimë të ankohemi kur ngjajnë vërshimet,rrëshqitjet e dheut,sa herë që bien shi,borë apo fryn ndonjë erë ma e fortë. Këso rastesh kemi pa numër pasi nuk është duke u punuar ashtu si e kërkojnë rregullat teknike dhe ato të Planifikimit Hapësinor dhe Urban-Rural.
Dashtë zoti mos të kemi ndonjë katastrofë ma të madhe se atëherë do të “vetëdijesohemi” se si jemi duke punuar dhe vepruar.

Prishtinë arch. Ylber Vokshi -Ylli
11.01.2016 arkitekt i pavarur
ylberv@gmail.com

Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK),

Filed Under: Analiza Tagged With: semundja jone, vershimet, Ylber Vokshi-Ylli

FARËN QË S’ ËSHTË JONA TOKA JONË S’E RRIT…

January 11, 2016 by dgreca

Kënga labe, gjerdan i artë i folklorit shqiptar/
Nga Albert HABAZAJ, studiues*/
Etnokutura shqiptare na mbush me frymë kombëtare dhe ka mozaikë ylberorë e shirita të artë të pashtershëm ndër shqiptarë, nga Kosova në Çamëri, nga Shqiptarët e Malit të Zi në Shqiptarët në Maqedoni, nga Arbëreshët e Italisë në Arnautët e Turqisë e kudo nëpër botë, ku ka mbirë fara ilirike e Shqiptarëve. Si pjesë e së tërës sonë shpirtërore, kënga labe është një gjerdan i artë në thesarin e folklorit shqiptar.
Kënga labe ka lindur qysh me labin e parë mbi këtë dhè, me banorin e parë, që u shfaq, që është rritur, ka jetuar dhe ka ndërtuar jetën në këto troje e hapësira të Shqipërisë Jugperëndimore e Jugore , që i thonë Labëri. Kënga labe është sa mosha e maleve tona, e lumenjve tanë, është sa mosha e kësaj toke. Por, këndohet një këngë ndër viset tona labërore: “Farën që s’ ësht’ jona/ toka jonë s’e rrit…”. Kjo njësi folkorike, kjo mrekulli e kulturës shpirtërore të banorëve të krahinës etnografike të Labërisë na thërret kujtesën vetiake e atë sociale, kujtesën e shkruar dhe atë të transmentuar brezash gojë më gojë, si stafetë identiteti dhe dinjiteti, krahasuar me të tjerët. Nuk kemi dëgjuar asnjë banor të Labërisë deri më sot të thotë: “Hajt t’ja marrim një isopolifoniçe!”, por “Hajt t’ja marrim një zë/ të na bëhen dy zë…, labçe, vënçe, himarioçe”. Ia merr njëri; ia kthen tjetri, ai që thyen këngën, ia hedh i treti dhe të tjerët mbushin këngën (apo bëjnë iso, siç është futur në qarkullim edhe ky term). Asnjëherë nuk nis kënga labe me iso. As dje, as sot, as nesër, sepse “Farën që s’ ësht’ jona/ toka jonë s’e rrit…”.
Ja një variant i një njësie folkorike nga Lumi i Vlorës, regjistruar në Mesaplik, më 20. 01. 2009: “Hajt, t’ja marrim lapçes – o,/ vënçes – o, braçes – o;/ për ca halle, për ca derte/ kënga jonë gjym po vete!…” ( po e shqiptojmë siç e kemi dëgjuar dhe shkruar këtë këngë labe, sepse folkori e ka specifikë parimin fonetik). Në Forumin për debat “Polifonia jonë popullore, krijimtaria e hershme e këtij populli të lashtë”, organizuar nga ASHASH (Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencës) me kryetar kompozitorin e shquar Limoz Dizdari, ish – kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë), vij si bir i këngës, si bartës i saj e përhapës i bukurive shpirtërore të labçes tonë fisnike, hijerëndë e tërë dritë. Këndoj pak labçe, por nuk mund të klasifikohem këngëtar i saj, se këngëtarët labë janë princa në Mbretërinë e Polifonisë Popullore Shqiptare. Karakteri sinkretik i folkorit nuk realizohet me ansamble të përziera pa vlera përbashkuese, me grupime laramane, pa identitet, pa dinjitet, pa hierarki vlerash specifike artistike, pa atë magjinë e të harmonishmes si shprehje e të bukurës estetike në folkorin e krahinës etnografike të Labërisë e më gjerë. Identiteti ka të bëjë me të qenët i veçantë nga të tjerët dhe i njëjtë vetëm me vetveten në disa veçori e tipare që shërbejnë për t’u njohur pa vështirësi si i tillë, të qenët po ai; shprehje e individualitetit; vetvetja e pranueshme dhe e pëlqyer nga të tutë dhe nga të tjerët. Dinjiteti është tërësia e vlerave morale të njeriut a të një grupi njerëzish (nderi, krenaria etj.); vetëdija që ka njeriu a një grup njerëzish për këto vlera e për të drejtat e veta në shoqëri dhe nderimi i tij për vetveten; shfaqja e jashtme e kësaj vetëdije dhe e këtij nderimi. Fjala vjen: dinjiteti kombëtar, dinjiteti artistik, dinjiteti folkorik, dinjiteti i këngës labe si cilësia e mirë a vlera e lartë e kësaj pasurie shpirtërore të labëve që e bën atë të çmohet. Dhe kënga labe, polifonia popullore është pjesë identitare e së tërës dinjitoze të folkorit shqiptar.
Ndërsa termi “isopolifoni” nuk është shkencor dhe as i praktikueshëm në ato hapësira, ku banorët këndojnë labçe, në variantet e tyre, me shumë zëra e pa vegla muzikore (apo dhe me fyell e me culë). Nuk e bën dot pis këngën polifonike popullore shqiptare, atë këngë labe që për ne është “ilaç e shërim”, se ajo rrjedh e kulluar, se ajo ka gurrën popullore, që nuk shteron kurrë. Me polifoni ne kuptojmë të kënduarit shumëzërësh harmonik, ndërsa me iso kuptojmë barazi, njëtrajtshmëri në këngën tonë, gjë që nuk i shkon për shtat natyrës këngëtore pa vegla muzikore (apo dhe me dyjare e fyell) në Labëri e në trevat e tjera që i përkasin këtij Atlasi folkorik shqiptar. Termi “isopolifoni” bezdis folkordashëshit, dashamirësit e këngës labe, i bezdis siç bezdis mushkonja banorët te veshi, në shtëpi të tyre. Do të na falni, por këngës tonë labe, polifonisë tonë popullore i shkoka për shtat fjala e urtë: “Qentë le të lehin, karvani shkon përpara…”. Lodrat “isopolifonike” nuk janë të këndshme, nuk janë argëtuese. Ato vetëm sa na shkaktojnë bezdi, mërzi, mëri,shqetësime e zbrazëti shpirtërore të panevojshme. Si deri më sot, sa të jetë jeta e labëve mbi këtë dhè, kënga labe shpërndan e do të përcjellë vetëm dashuri e mirësi, madhështi e bukuri të shëndetshme dhe të freskët ; në asnjë rast nuk ushqen se s’mund të ushqejë urrejtje. Ky është një parim moral i këngës labe, qysh në gjenezën e saj. Kënga labe, polifonia jonë këndohet edhe pa iso, por iso pa polifoni nuk ka, as ka patur dhe as mund të ketë, siç e pohon dhe krijuesi popullor dhe studiuesi njohur i këngës labe Llambro Hysi. Polifonia është e tëra, isua është pjesa. Në Labëri këngëtarëve të isos u thonë mbushësa: “Mbusheee!”- bën kërkesën me këngë marrësi, pasi e kthen thyesi, që do të thotë se u kërkon pjesëmarësve që ta mbushin këngën, që të vejë sa më bukur, sa më mirë, që të kënaqen ata që e këndojnë, por të kënaqin dhe të tjerët me harmonizimin tingëllues artistik dhe estetik të këngës. Apo : “Iso, djemaaa!” “udhëron” me këngë i pari i këngës, korifeu. Nga përvoja gjysmë shekullore me këngën labe të Tërbaçit dhe mbi 35 vjet me këngën labe në tërësi, gjykoj se disiplina artistike është më e fortë dhe më e rreptë se disiplina ushtarake ( në kontekst). Mbushe këngën do të thotë bëj iso, bëj atë zërin e njëtrajtshëm, sinkronik, të qëruar, jo të çjerrë, por të kthjellët dhe të pastër që zgjatet pa u ndryshuar dhe që shoqëron e mbështet zërat kryesorë në një këngë me shumë zëra, siç është kënga popullore polifonike labe. Isua është llaçi që mbush boshllëqet midis gurëve të rëndë të fortesës së lashtë që quhet këngë labe, apo me emërtimin e gjuhës standarte shqipe – polifoni. Asnjë kështjellë nuk e ka marrë emrin nga llaçi apo nga gurët, por nga vendi, pronari, ideatori, nderimtari, kapedani: Kalaja e Gjirokastrës, Kalaja e Kaninës, Kalaja e Ali Pashës, Kalaja e Teutës, Kulla e Devish Aliut… Ndërsa kënga: Kënga Kaninjote, Kënga Himariote, Kënga Qazimademçe, Kënga e Neço Muçës, Kënga Tërbaçiote e Kujtim Micit, Kënga Pilurjote e Lefter Çipës, Vallja e Vranishtit, etj. “Shërbimi i vërtetë, jetësor dhe shkencor ndaj polifonisë shqiptare, – thotë prof. dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh, – është shërbim ndaj kulturës sonë qytetare, për etnologjinë e shqiptarëve’.
Ndërkohë, dëshirojmë të kujtojmë një tjetër thënie popullore: “Jo të gjitha mizat fluturake bëjnë mjalt”. Marrim shkas nga kjo fjalë e urtë për të theksuar se, edhe në trojet labe, në hapësirat e krahinës së madhe etnografike të Labërisë, jo të gjithë banorët labë apo jo labër, që jetojnë në këto vise, na shkaktojnë emocione pozitive; jo të gjithë na japin kënaqësi artistike, estetike, etiko – morale dhe humane. Jo të gjithë ata që mblidhen e këndojnë labçe kanë nivel të lartë artistik dhe cilësi në traditë apo me prurjet folkorike. Deformimet çojnë në rënie. Kënga labe u deformua nga “turbofolkët”, “u zbërdhyl”, por nuk ra. Qe fat. Gjykojmë se nuk vlen ta trajtojmë fare folkorin e turbulluar, apo siç i flasin me pekule me cilësorin “turbofolk”. Megjithëse edhe folkori i turbulluar e pati një element për ta vlerësuar. Mbas rënies së sistemit monist, u duk se u shua labçja. “Tallavaistët” u munduan për përfitime ta rrëmbenin bran dhe e rrëmbyen ca kohë “zonjën e rëndë”, labçen tonë, që një jetë të tërë ka qenë “ballëlart e mal në këmbë”. Por, fatmirësisht, nuk u zhduk dot kënga jonë. Ky qe fat për ne. Por fatin njerëzit e bëjnë, e mbajnë, e ruajnë dhe e përcjellin në shoqëri për mirësi. “Zonja e rëndë” e përballoi me sukses edhe këtë “operacion kirurgjik”. Se kënga labe është gurrë e kulluar e nuk është matarà, aq më keq s’ mund të jetë kurrë një matarà e ndryshkur, e shpuar… Jemi të mendimit që detyra dhe misioni ynë është që ta nderojmë zonjën e rëndë me thesare etnokulturore, Këngën polifonike popullore shqiptare, gurrën popullore të kulluar si ujë bore, me dritë të ngrohtë si diell, që qëndron lart si shqiponjat në qiell. Nxisim, paraqesim, përurojmë vlerat folkorike dhe risitë e pranuara, të përdorura dhe të përhapura në komunitetet (bashkësitë) me labër, sepse pëlqehen nga banorët përkatës. Kujtoj nga babai im i paharruar Rexhep Abazi, (1935 – 2009, me universitet, mësues dhe këngëtar, ndër krijuesit e grupit të madh të Tërbaçit dhe kthyesi i parë me grykë i këngës së madhe: “Nëna shqipëtare mbesë e ilireshës”, me marrës Sinan Hoxhën dhe hedhës Mejdi Skëndon), që në vitin 1966 ka ardhur në Tërbaç dhe në Vranisht, në tokën e duhur për t’i shërbyer farës së duhur labërishte vetë prof. Zihni Sako, që njihet si babai i folklorit shqiptar dhe themelues i të parit Institut Folklorik në Shqipëri.
Kur ishim të vegjël, shikonim më të rriturit që mblidheshin grupe – grupe dhe i dëgjonim si këndonin aq mirë, aq bukur, aq natyrshëm. Na dukej se konkuronin me biblibat e malit. M’u kujtua një burrë i asaj kohe. Pa sy qe. Po Zoti, në vend të gurmazit, i kishte vënë një bilbil në fyt, thoshnin pleqtë. Prënjo Xhaka quhej. Ishte biblbil gjyzar, siç thoshnin lisat e moçëm në vitet ’65 -‘70 të shekullit XX për këtë banor të Tërbaçit, që s’ kishte sy, po zë kënge si ai s’kam dëgjuar deri më sot. Ata burra, kur bëheshin tok, sidomos pasdarkeve apo nëpër dasma e festa tradicionale, këndonin këngë të shtruara, në shtrat, këngë tabani, këngë burimi, që të kënaqnin shpirtin me atë karakterin e tyre sinkretik, që e bën folkorin krijimtari artistike specifike. Me ato fjalë që ngjitnin, që zinin vend e mbaheshin mend, që i krijonin në moment, si të zgjedhura me dorë, si bleta zgjedh nektarin nëpër lule, vargje të atypëratyshme, sa të thjeshta aq sublime, me bukuri estetike, me melodi të pëlqyeshme, me një akustikë magjike, me veshjen karakteristike, që u kishte hije, në atë mjedis, në atë kohë dhe hapësirë praktikmi, kënga e atyre burrave të lartë e hijerëndë më dukej se vinte tek ne e kulluar nga një burim hyjnor. Me të drejtë gjeniu Kadare (vetëm burokratikisht ende i pashpallur si Nobelist nga Akademia Suedeze) e cilëson folkorin shqiptar “Autobiografia e popullit në vargje” (1971, 1980, 2002). Kur ishim të vegjël e të rriturit na merrnin pas, dëgjonim që flisnin për Këngën Himarioçe, për Këngën Smokthinjoçe dhe për këngën Tërbaçioçe. Kuptuam më vonë që, në vijë kronologjike, se këto tre variante, melodi, apo avaze, si flitej nëpër lokalitetet përkatës, ishin tre stilet muzikore që e pasuruan dhe e ngritën artistikisht këngën labe në veçanti dhe shtuan një shufër floriri në minierën e artë të Folkorit Shqiptar. Në atë kohë, (ende pa dalë televizioni) Radio Tirana kishte një program, Radio Posta quhej dhe jepte këngë që të zbukuronin botën e brendshme, të mbushnin shpirtin me dashuri, me ndjenja të larta se ishin kënëg të ngrohta, të bukura si thëllëza, jo si ca laraska e sorra që dalin fatkeqësisht sot (edhe ndër këto vise), kishte një emision me këngë popullore, i cili realizohej dhe me një nënndarje të titullura: Këngë labçe, vënçe, himarioçe, që më vonë nga studiuesit e folkorit u emërtuan këngë polifonike labe (Spiro Shituni, Agron Xhagolli, 1986: ndër figurat më të spikatura të folkoristikës shqiptare, me që kënga labe këndohet nga shumë zëra – shën im: A. H). Këngët labe himariote të Neço Mukës deri te Dhimitër Varfi, ato smokthinjote të Qazim Ademit deri te Hysen Ruka dhe Këngët labe tërbaçiote të Kujtim Micit me Sinan Hoxhën e Syrjat Hodon, janë tre maja malesh me trëndelinë në diell e suferinë, në Vargmalin Folkorik Madhështor të Folklorit Shqiptar, që shkëlqen në Etnokulturën Kombëtare. Shkëlqyen në ato vite stile e variante, si një mozaik ylberor, që e ngritën në nivele artistike të larta këngën labe me grupe të mëdha nga pesha specifike, si grupi i famshëm i Pilurit, i polifonëve magjikë të “Fosforinës shqiptare” të të madhit Lefter Çipa, me Ermioni e Katina Mërkurin, me Vangjel Gjiçalin e Qirjako Balën; grupi i Bënçës së Maliq Lilës së paharruar, me Golik Jaupin e papërmbajtshëm e Paro Zilfon – amazonë kënge; grupi i Vranishtit të Muhamet Tartarin të papërtuar, me Arap Çeloleskën e hekurt, Leonora Shkurtin buronjë vranishnjote; grupi i Tragjasit të Hamdi Pulos vargbrilant, me Beqir Laçen, Aranit Daupin dhe Tartar Avdulin e pashoq; grupi i “Violinave” të Lapardhasë me ustain e labërishtes Feti Brahimi e me bilbila si Nazif Çelën me Golik Likën e me thëllëza si Bardha Brahimin; grupi i Armenit të “Cinxërfiles” së Lefter Haxhirajt e pavdekshëm me burra kënge si Rrahmën Nuredini; apo gurin e çmuar folkorik Zeqo Hoxha me të tejlashtën monofoni të Kallaratit të Llambro Hysit. Po ninullat e dhembshura e të ëmbla të Bardha Hosit të Bolenës së Nertesi Asllanit?! Njerëzit dhe sot e kësaj dite pyesin: “Vasil Serës së Bratit, kush ia ka vendusur atë biblib në grykë, baba e nëna apo Zoti vetë”?! Nuk mund të mos kujtojmë me nderim, se nuk mund të mos udhëtojmë me këtë trajtesë sado të shkurtër nëpër visaret folkorike të këngës labe në Gjirokastrën e monumentit Folkorik Xhevat Avdalli, që ia la stafetën denjësisht Arjan Shehut e Mehmet Vishes me shokë. Po Tepelena, diamant me këngë e histori?! Po Saranda e Delvina, si “nuse bregdeti” e këngës labe ?! Idajet Duka me “Kaonët” ndez detin, jo më tokën e malin me këngët e tij mbushur zjarr atdhetar. Kalo Bregu i Vezhdanishtit vjen si gjëmim me zërin shpellë e, pas tij, na befason Vendim Zykaj. Po ky, Alush Milori i Progonatit, çfarë ka qenë – njeri apo shqiponjë labe që printe vallen burrërore?! Mallakastra që flakëron labërisht në stilin e saj, po Trebeshina e Rilinda Velajt që e bën këngë labe të bjerë era manushaqe, duke tejkaluar trojet tradicionalë të këngës labe?!…A e keni dëgjuar Yzeir Llanaj që kur këndon ndez Mallakastër e Labëri?! Po Piro Latifaj, Piro Hekali, me ato këngë epiko – lirike, që i krijon vetë dhe i merr aq bukur, aq ëmbël, aq me ndjenjë, saqë dhe gurin e drurin bën t’i qasen t’ia mbajnë këngës së tij?! Po korifeu i sotëm i valles së Vranishtit, kthyesi historik, Sinan Gjoleka që nuk luajti një ditë nga “vatani”, që është një spaletë morale e polifonisë labe?! Në krahë të korifejve Kujtim Mici, Lefter Çipa, Maliq Lila e Hamdi Pulo ecën Llambro Hysi, Muhamet Tartari e Feti Brahimi, profile të skalitur të krijimit poetik popullor, të zilishëm dhe nga poetët e letërsisë moderne, siç nënvizon Kadareja i madh. Në gjurmët e krijimeve të këtyre burrave labërues, që përbëjnë lartësi, ecën denjësisht Zaho Balili, Nertesi, Asllani, Kristo Çipa, Felek Bleta dhe Nexhip Sera, i veçanti e “i padukshmi” me ato vargje jo të krijuara, por të pikuara me filigran shpirti e arti. Është nder për ne të përmendim emrin e fenomenit Vendim Kapaj që i bie fyellit e culës përsosmërisht, si ai?! Vendimi është monumenti i labërishtes në lëvizje. Po plaku Selman Pazaj nga Vranishti që prodhon e gdhend cula guri dhe i bie culës së gurtë si të na vinte nga një legjendë e gjallë?! Në sotshmëri, në vijim të traditës së treshes së famshme Sulo Bozhani, Leko Gjoleka, Bego Vangjeli, (që nga kohë e Dule Havarit) është grupi i Dukatit me Fatosh Likën e Bajram Hundën etnopërbashkues që është ngjitur në majë të Malit Folklorik. Dhe të tjerët ecin, fushave, brinjave, kodrave të shpirtit të gjerë të Folkorit Shqiptar, që kemi si visar ne labët, si pjesë e së tërës etnokulturore. Po këngëtaret virtuoze të Vranishtit Leonora Shkurtaj, Asime Skëndaj e Fiqirete Aliaj, në gjurmët e Sadihanë Brahimes e nënave të tjera të këngës?! Po Nazo Dautaj, Shpresa Kapo, Shaze Hoxha të Tërbaçit në gjurmët e traditës që solli Hadixhe Hodo, Natasha Hoxha, Bardha Kapo e Dashuri Mehmeti me ato kapedane të këngës grarishte tërbaçiote?! Po Bejushe Demaj Barjami e krojeve të Velçës? Po legjenda e Dukatit Pika Feruni, pasuar denjësisht në shtratin e këngës nga Taire Bozhani?! Po të spikaturat Nasije Merkaj dhe Eli Belaj të Kaninës?! Po Angjelina Islami e Mavrovës? Po Leni Çali e Himarës sot?! Po vajzat e Dhërmiut?! Po kthyes si viganin Nebi Xhaka apo vijuesin e tij Viron Laci ku gjen?! Kështu është në viset tona. Edhe në këngë edhe në valle. I pari ia merr këngës, këndon poezinë popullore me një melodi, në një variant që vetë ata, komuniteti e kanë pranuar e kanë pëlqyer, e praktikojnë dhe e përhapin. Më përpara, në odat e burrave a ku mblidheshin trimat e këngës (se dhe kënga paska trima!) këngë merrnin të gjithë burrat që ishin mbledhur në shoqërinë e këngës, me radhë, përndryshe nuk mund të ishe pjesëtar në atë grup. Kishte nivel, kritere e standarte kënga. Dhe duhet të ketë. Mujo Gjondeda, Mejdi Skëndaj, Kujtim Mici e Rexhep Abazi me shokë, kur hidhnin e kërcenin vallen e kënduar tërbaçiote, atë të sertën e të rëndën, atë të madhërishmen e papërsëritshme të viteve ’70 – të të shek. XX, këndonin si malet në këmbë, lartë, qartë e shqip: “More, di, more di, more diell e moj hënë!…”, apo : “Shqipëri, Shqipëri, Shqipëri, koshere blete!…” dhe tundnin shaminë në erë krenarisht në valle burrash e mateshin me retë e rrufetë mbi Çikë, në Malet e Vetëtimave. Ashtu kishte ardhur stafeta folkorike nga të parët, qysh nga lashtësia. Asnjëherë nuk na kanë thënë dhe në asnjë rast nuk kemi dëgjuar që të nis me iso: “Eee, aaa, ooo, e more diell e moj hënë,eee, ooo!”. Po kështu, memorja sociale më e afërt (viti 1978 e më tëhu) apo regjistrimet në bobina, në kaseta apo video e mban mend e ka dëgjuar, e ka parë Hetem Shkurtin, Arap Çeloleskën, Selman Alinë e Sinan Gjolekën me vallëtarët e vetëtimave labe të Vranishtit ta nisnin vallen e kënduar: “Lidhur si fishek gjerdani” apo vallen e Ismail Qemalit, atë për Labët me 300 pala fustanella, apo “Shpata jonë gris fermanë”, duke i deklaruar, duke i kënduar me melodi, sipas ritmikës së valles fjalët e tekstit poetik popullor: “…Lidhur si, lidhur si, lidhur si fyshek gjerdani…”, apo “Cili je, cili je, cili je ti more burrë?!…”, si dhe “Labëri, Labëri, Labëri, dyzet kështjella”, apo “Shpata jò, shpata jò, shpata jon’ grisi fermanë” dhe në asnjë rast ta nisnin me iso: “eee, ooo, aaa lidhur si…ooo, eee…”. [Absolutisht, kurrë nuk fyej ata njerëz apo ato komunitete që këndojnë me të tilla variante. Marrëdhëniet ndërkulturore, shkëmbimet shpirtëtrore janë vlerat e traditave ndërkomunitare dhe e takimeve të kulturave jomateriale me grupet e tjera, me kraninat apo dhe me popujt mesdhetarë, ballkanikë apo europianë. Foklori është konsulli i miqësisë midis popujve, kënga është ambasadorja shpirtërore e dashurisë dhe e miqësisë midis popujve tanë. I respektoj ata që e nisin këngë me iso, se ajo është bota e tyre shpirtërore, ashtu u pëlqen, ashtu këndojnë, por nuk është natyra jonë ajo mënyrë të kënduari, nuk është stili ynë ky model që na sajohet e na paraqitet]. E pra, e ka thënë shqip Bujku i këngës labe, mësuesi, poeti, këngëtari, drejtuesi dhe Dragoi i këngës së Tërbaçit, Kujtim Mici: “Farën që s’ ësht’ jona/ toka jonë s’e rrit…”. Një jetë të gjallë folkorike bëjnë këngët lirike të të paharruarit Lefter Haxhiraj në Armen me Rramën Nuredinin dhe këngët e epikës historike të Meleq Kapllanit në Kaninë me Piro Bregun, grupet e reja zinxhir të Pilurit me shpirtin e Kristo Çipës, grupi i djemve të Tërbaçit me Endri Hodon, grupi i mrekullueshëm i Bedro Berdos nga Dukati apo grupi i sotëm i Himarës me Katina Belerin e pakapshme, etj. Shkëlqimi i grupit të djemve të Bratit është shpresëdhënës se stafeta e këngës labe do të vijojë brezave, sa të jetë jetë mbi këtë dhè. Valltarët e rinj të Drashovicës janë një prurje e re dhe vlerë e shtuar në folkorin e sotëm të Labërisë së Vlorës dhe të Labërisë në tërësi. Me ta krenohet foklori ynë i sotëm. Të gjithë e duan majën, por jo të gjithë arrijnë. E rëndësishme është që rrjedh e nuk shteron kurrë ujët e kulluar nga Gurra Popullore.
*) “Master i Shkencave në Etnologji – Folkor”, në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, Qendra Ndëruniversitare e Studimeve Albanologjike, Tiranë; drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi” të Unversitetit “Ismail Qemali”, Vlorë; kryetar i Shoqatës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë; sekretar i Shoqatës Kulturore – Atdhetare “Labëria”, Vlorë.(Ne foto:Nga e majta Lefter Cipa, Muhamet Tartari, Albert Habazaj)

Filed Under: ESSE Tagged With: Albert Habazaj, Kenga labe, Lefter Cipa

Kangjelja e Damastionit, një alegori që të le pa fjalë

January 11, 2016 by dgreca

Nga Sulejman Dida/
Romani “Kangjelja e Damastionit” i autorit Rushit Ramabaja duhet të ket tërhequr vëmendjen e kritikës qysh kur është botuar në vitin 2009, por unë shpreh mangësinë që nuk më ka ra në dorë më herët. Sepse në morinë e librave që shkruhen sot, shumica e të cilëve të rëndomtë, ky roman përbën një vepër elitë të letrave shqipe pasi është shkruar me elegancë dhe mjeshtëri për tu patur zili. Për më tepër përmes çasjes diakronke të fatit tonë, jep një mesazh të qartë për mbijetesën në të ardhmen. Romani ka si nëntitull ndajshtimin: Apokrife për mbretëritë shqiptare. Me apokrife kuptojmë të vërtetat biblike që u ruajtën për një kohë të gjatë si mistere dhe asnjëherë nuk u bënë publike, janë letra me të vërteta që dhembin ose shkaktojnë ndryshim orjentimi e përmbysje venerimesh. Po sidoqoftë kjo është përdorur si një metaforë për krejt tregimin e ‘prrallës’ së jetës tonë në mijëra vite ku shpalos pretendimin e një djaloshi të soçëm për të ngritur, ose më mirë për të shpallur, një mbretëri në fshatin e vet, me dëshirën që ti bashkohet edhe ndonjë fshat i afërt, pikërisht në momentumin e një vakumi të presionit të sheklësve. Për mbretin pretendues nuk ka fare rëndësi tërësia si komb, për të luan rrol mbretëria në fshatin e vet, sepse prej nja dymijë apo tremijë vitesh, atij i vjen shumë tërheqëse jehona e mbetërive të dikurshme pellazge dhe ilire.
Vepruesit e romanit janë Djali i Kryeplakut dhe Çun Maloku, por edhe shumë të tjerë. I pari i hypur në një kal, ‘në shpinën e kalit brymës’ e i dyti në një gomar. Këta nisin aksionin e ‘shenjtë’ të shpalljes së mbetërisë së Damastinoit duke diskutuar edhe lementët që duhet të ket një mbretëri, me të gjitha takëmet, deri edhe te lufta me konkurrentët për vajzën më magjepse dhe harlistare që ndodhej në ato anë. Jehona rrëmujtare e pellazgëve të famshëm i vjen djaloshit krejt nëpër terr vetëm si energji e trashëguar, si një amanet i harruar në ‘adn’ e tij, por nga ana tjetër, mos na lashtë zoti pa njerëz të ditur, gjendet Mësuesi që shpalos krejt apokrifet e mbretërive pellazge dhe më vonë ato ilire, e më vonë akoma principatat e arbërve, e më vonë akoma fiset e veçuara si dhe më në fund një komb të hallakutur në mënyrën më të pabesueshme. Një komb tek i cili është vrarë ose është zhdukur dukuria e programacionit që duhet të karakterizojë komunitetet, veçmas ato të rrezikuar, një komb tek i cili ka humbur një nga shqisat që kanë qeniet e gjalla që ëshët nuhatja, një komb i cili është mpirë në përgjumje.
Djali i Kryeplakut dhe Çun Maloku ngjajnë aq shumë me heronjë kalorsiakë Don Kishoti e Sanço Panço. Kanë kalin dhe gomarin, ku sipas hierarkisë Djali i Kryeplaku hypën në kalë e tjetri në gomar, kanë plane, ndonëse planet e tyre nuk ngjajnë me ato të Donit që ishte një idealist dhe misionar i madh i të drejtës në botë, të cilin armët e vjetra e bënin qesharak, por është edhe Angjalina, një simbiozë apo bocet i dylqinjës së Donit e kështu me rradhë. Ndonëse ngjajnë aq shumë, kanë edhe dallimet e tyre themelore. Kishoti kishte një kauzë, ai luftonte për të vendosur drejtësi dhe rend në botë, ndërsa këta luftojnë kundër njëri-tjetrit në udhën e ngritjes së ‘mbretërisë’, e, as u shkon në mendje të luftojnë kundër pushtuesit, thjesht gjuajnë një dobësi të armikut për me ba hygjym e me ngritë mbretërinë në katund. Janë ndoshta porterti më real i shqiptarëve të soçëm, e ndoshta të gjithkohshëm. Eshtë mbreslënëse por edhe mjaft brengosëse thirrja, ah, burra bre, ulni hunjt. Sepse fiset shqiptaee desh po dalin fare duke luftuar kundër njëri-tjetrit me hunj. A nuk po dallohemi sot, ndër të tjera edhe si hunjtarë të zot?! Në një farë mënyrë i bie që të lëshojmë thirrjen: ah paralamentarë në Tiranë, Prishtinë e Shkup, pash njat Zot si u ka falë, ulni hunjt!
Vetëm kundër njëri-tjetrit shqiptarët kanë qenë të famshëm në ndeshjen me hunj, kundër huajit jo, sepse ose nuk ka pasë armë të mjaftueshme, ose paria kanë qenë të hamgjitur nëpër mejhane në net fajnore, ose kanë ba si gomari andërr, sepse kur po e hante ujku, gomari siç thonë mbylli sytë duke u lutur, ishalla jam në andërr, ose… Me një kulturë të habitshme Ramabaja shpalos ‘apokrifet’ e cubave të vjetër dhe perandorëve Emathiotë, të Hyllit dhe të zanave, të Hektorit dhe Akilit, të Filipit dhe Olimbisë, të Akesandrit dhe Roksanës e deri te Gjergji. Qysh në kohët e vjetra rraca jonë mori një ftohmë e asnjëherë nuk qemë në gjendje për udhë as deri te pragu etnik, te Molla e Kuqe që i tërheq gati gjithnjë vepruesit si një mirazh, por fisi jonë nuk ka gjunj me shkue te Molla.
Përpos historisë tonë të vjetër, imperatorive të Evropës, invazionit sllav etj. me një ironi të lakmueshme Ramabaja tregon se sa lehtësisht e kanë humbur davanë të parët tonë, siç po e humbim ne sot. E nga ana tjetër shpalos dukurinë gjermane të dominimit, dhe, admirimin e ndërsjelltë po ashtu.
Viktimizimi, masakrimi i pashembullt për faktin se nuk arrijmë më u ba bashkë, amatorizmi dhe mabicia për pushtet si dhe mungesa e dritës e çojnë një komb në shpërbërje të sigurtë. Emblemat e dikurshme, shenjat mbretërore dhe flaka e gjenisë krijuese e kanë humbur kuptimin simbolik e janë shndërruar tashmë në alegori. Herë-herë autori e ngre zërin në dhimbje, e lexuesi, si një fëmijë i bindet plakut që rrëfen. Sepse autori e ka të qartë faktin se lexuesi është mashtruar tej mase nga letërsia e mbulesës dhe mirazhit, autori e di që krejt letrat shqipe glorifikojnë trimërinë e shqiptarëve në shekuj, çka përbën një mashtrim gjigant, madje flagrant, edhe pse e ka humbë flagrancën me kohë. Sepse në të vërtetë shqiptarët janë aktualisht më të dobëtit në Evropë. Derisa ende nuk e pranojmë këtë gjendje, asnjëherë nuk nisim kah rimkëmbja. Të lexosh se shqiptarët janë të fortë dhe trima, ke lexuar një rrenë të hatashme. Ata as janë trima e as janë solidarë me familjen. Ata kanë heshtur ose kanë ba sikur nuk po ndodh asgja, kur në pjesë të ndryshme të territorit etnik bashkëkombasit janë masakruar nga serbët dhe më herët nga kush ka mundur. Dhe gabimisht në histori dhe letra të tjera është glorifikuar trimëria në vend që të glorifikohej mendja si fuqia e kombit. Sepse, siç e vumë në dukje, në roman është Mësuesi që ‘ndriçon’ me dritë të fortë tunelin e vetëdijës shqiptare. Dhe ja si bërtet ai duke portretizuar shqiptarin, e pra jo vetëm shqiptarin e soçëm: “A lufoti ai gjithnjë kur pa batrdinë e shkelësit mbi atdheun dhe kur dëgjoi klithmat e fëmijëve majë syngjisë tij? Ndonjëherë po, s’mund ta fshehim, veç jo rrallë ai, në vend se ta fsidonte barbarin te dera e shtëpisë, ia dha vrapit dhe vetëm kur kapërceu kufirin e mënzyrës u shtrua shesh e ia mori të qarës”. (f.41). Kështu pra, edhe lotët i kemi të shpifur, thotë më tej. Ne nuk mundëm kurrë të provojmë takatin tonë me të tjetët, por veç me njëni-tjetrin, ashtu si Haktori dhe Akli, të cilët ‘ndonëse ishin gjak mesvete, luftuan që ti hanin kokën shoqi-shoqit’.
Kangjelja e Damastionit është një roman që do të udhëtojë gjatë në kohë dhe hapësirë sepse është shkruar me një stil të lartë, me gjuhë lakonike dhe mjaft të pasur. Madje me një gjuhë të cilën Ramabaja e përdor me virtuozitet në sintakstë dhe fjalformim. Duke mos marrë përsipër ti caktoj vendin në letërsi, e konsideroj romanin e Ramabajës si një poemë me plot situata groteske dhe paradokse, me përshkrime mbreslënëse dhe me një ndërthurje të miteve, legjendave dhe brengës aktuale. Në shumë episode në duket se ndodhemi në një orë historie, por, me mënyrën se si e tregon atë, nxënsi ashtu si mësuesi, ‘mbetet pezull mbi akthin e vet’. Në fund dua të nënvozoj edhe këtë pasazh:
Mbas Hektorit dhe Akilit, si stërgjyshër që vijnë nga legjenda, “disa nga ata të mëvonshmit, ata që erdhën pasi kërcyem kohën mitike, i lëvizën epokat përsëmbari vertetë, që nga Leka i madh e deri te Gjergji. Shumica, megjithatë u bënë të famshëm vetëm kur qëlloi tu prijnë të huajve. Të vetët nuk ua kanë duruar lavdinë. Madje kur kanë luftuar për ta, në të shumtën o i kanë vrarë vetë, o i kanë lënë të digjen filli vetëm në zjarrin e betejës. Pse psh, Gjergj Elez Alisë iu desh të ngrihej nga shtrati mortor e me dhimbjet nëntëvjeçare të plagëve, fillikat vetëm të sfidonte Bajlozin? Ku ishin kryezotët e tjerë të Arbrit? … Apo shpresonin se Bajlozi do nginjej me motrën e Gjergjit e me shtrimin e krahinës së tij dhe se ata do ti linte të qetë?”. (f.42).
Ky roman të kënaq me bukurinë e gjuhës dhe fantazinë, po nga ana tjetër etnisë tonë të përgjumur i jep një thupër të fortë për ta sjellë në vete.
Kukës, 11.01.2016

Filed Under: LETERSI Tagged With: Kangjelja e Damastionit, Rushit Ramabaja, Sulejman Dida

Kosovë-Shqipëri, qeveritë mbledhje të përbashkëta

January 11, 2016 by dgreca

-Kalendar: Dy vjet nga mbledhja e parë historike e dy qeverive, Shqipërisë dhe Kosovës, e zhvilluar në Prizren në 11 janar 2014/
-“Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’” e përshkruaja në një reportazh para 20 viteve kufirin e hekurt Kosovë-Shqipëri, që sot dhe në përditshmërinë e tashme është me porta të hapura plot fluks, e në 2016-tën do jetë edhe me “autostradën” energjetike/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 11 Janar 2016/ Para dy vitesh, në 11 janarin e 2014-ës, u mbajt në qytetin e Prizrenit mbledhja e përbashkët e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, e vlerësuar historike, e para pas më shumë se 100 vjetëve të shtetit të parë e pas 6 vjetëve të shtetit të dytë të shqiptarëve.
“Modestish mendoj se ajo që na ka bërë bashkë sot, në një tryezë të bashkëqeverisjes strategjike, Qeverinë e Shqipërisë dhe Qeverisë e Kosovës, është një nismë që ka të bëjë pikë së pari, me kontributin tonë për integrimin shqiptar dhe rajonal në Evropën e bashkuar, si shprehje e vendosmërisë sonë të përbashkuar për ta jetësuar këtë integrim si hapësirë evropiane të tejkufijve”, theksonte në mbledhje Kryeministri shqiptar Edi Rama.
“Është e vërtetë se ne jemi më shumë se qytetarë të dy shteteve fqinje, sepse shumica dërrmuese e qytetarëve tanë i takojnë një kombi që megjithë diferencat e brendshme, kanë një gjuhë, një kulture dhe një traditë të përbashkët”, shtonte ai.
“Por, nëse mbledhja e përbashkët e dy qeverive, një kombi të shtrirë në dy shtete, bëhet arsye trembjeje, apo nga ana tjetër inkurajimi, për këdo që ka shqetësime në lidhje me vijat kufitare, dua ta them kryekreje, kthjellët dhe fort, se kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës është për ne shumë i qartë dhe i patjetërsueshëm, si një vijë që na kujton, qoftë pamundësinë e historisë nga njëra anë, apo përpjekjen heroike që solli krijimin e shtetit të dytë shqiptar nga ana tjetër, dhe qoftë edhe detyrimin tonë për t’i qëndruar besës së dhënë atyre, pa të cilët Kosova e lirë dhe pavarur do të kishte mbetur një ëndërr e përgjakur, SHBA-ve dhe BE-së”, shprehej, mes tjerash, Kryeministri Rama.
Kryeministri i atëherëshëm i Kosovës, Hashim Thaçi theksonte se “qëllimi i këtij takimi mes dy qeverive, dhe i atyre të ardhshme, ka për të qenë pikërisht përshpejtimi apo përmirësimi i zbatimit të marrëveshjeve të mëhershme dhe njëherazi zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit bilateral nëpërmjet hartimit të marrëveshjeve të reja”.
“Adoptimi i praktikës së mbledhjeve të përbashkëta nga dy qeveritë, nga Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë është relativisht e vonuar, duke patur parasysh se sa shumë herë janë organizuar këto mbledhje të përbashkëta qeveritare në rajon. Për këtë arsye lindë nevoja që mbledhjet ardhshme të përbashkëta duhet të jenë edhe më të ngjeshura e të ngarkuara me punë, për të kompensuar kohën e humbur dhe për të kapur ritmin e vendeve të tjera të rajonit”, shprehej Thaçi.
Ai deklaronte gjithashtu se, “nëpërmjet mbledhjes zotohemi jo vetëm që të bëjmë çmos për përmirësimin e marrëdhënieve mes qytetarëve të shteteve respektive, por edhe që të marrim përsipër përgjegjësinë historike për t’u kujdesur për bashkombasit që gjenden pakicë në rajon si dhe për të forcuar lidhjet me mbarë diasporën”.
Në mbledhjen historike, të hapur me fjalimin e Kryeministrit (të atëhershëm) të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, janë shqyrtuar:
Dokumenti për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë; Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunim në Lehtësimin e Tregtisë; Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunim në fushat e Transportit dhe Infrastrukturës; Propozimi për Bashkëfinancim të pajisjeve mjekësore të Maternitetit të Preshevës; Propozimi për përfaqësimin e përbashkët konsullor midis Republikës se Kosovës dhe Republikës se Shqipërisë; Marrëveshja për Bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e sigurisë; Marrëveshja për Bashkëpunim në fushën e zhvillimit ekonomik dhe të energjisë; Themelimi i iniciativës për Fondin Zhvillimor për Luginën e Preshevës; Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e kulturës dhe aktivitetet për ndërtimin e kalendarit të përbashkët kulturor; Propozimi për bashkëfinancimin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokufest në Prizren; Propozimi për heqjen e taksës së TVSH-së apo taksës tjetër doganore për importin e librit nga Shqipëria; Dorëzimi i legjislacionit të BE-së të përkthyer në gjuhën shqipe nga Ministria e Integrimit Evropian e Republikës së Shqipërisë te Ministria e Integrimit Evropian e Republikës së Kosovës; Themelimi i Komisionit të Përbashkët Teknik për përkthimin e legjislacionit të BE-së, si dhe bashkëpunimin në sferën e përafrimit të legjislacionit ndërmjet Ministrisë së Integrimit Evropian të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë Integrimit Evropian të Republikës së Kosovës.
Pas mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë në 11 janar 2014, në ceremoninë e organizuar te Shtëpia e Lidhjes Shqiptare në Prizren, u bë nënshkrimi zyrtar i Dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet dy shteteve dhe marrëveshjeve tjera mes dy qeverive.
Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës janë takuar sërish, në një mbledhje tjetër, të dytë, në 23 mars 2015 në Tiranë, nën moton “Një tokë, një popull, një ëndërr”, ku u firmosën 5 marrëveshje, 4 memorandume, 2 protokolle dhe një deklaratë e përbashkët për zonat e lira ndërkufitare, ndërsa mbledhja e tretë pritet në 2016-tën.
Për Kosovën e Shqipërinë në vitin 2016, një nga ngjarjet e rëndësishme është paralajmëruar të jetë inaugurimi i “autostradës” energjetike – linjës interkonektive 400 kV, ndërtimi i së cilës në pjesën kosovare, me investim rreth 34 milionë euro, përfundoi para festës së Vitit të Ri, në 17 dhjetor 2015.
Viti 2015 në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri ka shënuar rritje të fluksit të njerëzve në hyrje-dalje gjithësej 26.75% – në hyrje 30.2% e në dalje 23.3%, si dhe të automjeteve 14.1% gjithësej në hyrje-dalje – 22.1% në hyrje e 6.2% në dalje, krahasuar me 2014-tën. Ishin gjithësej 5412238 hyrje-dalje të personave dhe 1849987 hyrje-dalje të automjeteve, ka bërë të ditur për Gazetën Dielli Policia e Kosovës.
Në tre portat kufitare, Vërmicë-Morinë, Qafë Prush dhe Qafë Morinë, në 2015-tën kishte 2955026 hyrje dhe 2457212 dalje të personave, si dhe 961827 hyrje e 888160 dalje të automjeteve.
Mes Shqipërisë e Kosovës, më shumë se 2.7 milionë (2732089) hyrje dalje të personave kishte vetëm gjatë tre muajve të verës 2015 – në qershor, korrik e gusht.
Në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri, viti 2014 kishte shënuar rritje të fluksit të njerëzve për 19.312 % dhe të automjeteve për 21.883 %, krahasuar me 2013-ën.
Ndërsa, sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar të Kosovës, në kufirin Kosovë-Shqipëri, në vendkalimin kryesor nëpër autostradën e kombit, në Vërmicë-Morinë, në këto momente sot në fillimjavë në hyrje kalohet për 3-5 minuta e në dalje për 5-10 minuta. Në dy vendkalimet tjera, Qafë të Prushit dhe Qafë të Morinës, kalohet për më së shumti 3 minuta.
Kjo është sot e përditshmëria Kosovë-Shqipëri në kufirin me porta të hapura e plot fluks, e që para 20 viteve në një reportazh të botuar edhe në Prishtinë edhe në Tiranë, në 19 mars 1996, e përshkruaja si ishte i ndarjes dhe i hekurt – “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”.
“Udhëtimi për në Prizren”, ishte reportazhi që kam shkruar në fundvitin 1996, në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave. Personazhi, e nisura nga Arta, jugu i trojeve ku flitet shqip, në kërkimet e saj drejt “Mollës së Kuqe”, ku tregohet se dikur ishte kufiri verior, shkoi edhe në qytetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku ndodhte diç e ngjashme me takimin e parë historik të qeverive të Shqipërisë e Kosovës në 11 janar 2014 pikërisht në Prizren. Edhe ai reportazh është botuar edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, në 31 dhjetor 1996, duke thyer e kaluar me shkrimet shqip kufirin e ndaluar.

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, Kosovë-Shqipëri, mbledhje, qeverite, TË PËRBASHKËTA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • …
  • 87
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT