• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2016

A duhet protestuesit t’iu japin përkrahje milionerëve

April 21, 2016 by dgreca

Derisa politikanët tanë kanë pasuri multi- milionëshe, mijëra familja i kanë sofrat e zbrazura, në të cilat nuk kanë çka të shtrojnë e çka të drekojnë./

Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/

E kishin pas pyetur fukaran: Allahile apo na tregon se a ish zor mos me pas, me demek me kanë fukura. Ai iu kishte përgjigjur: po nja dy- tre vjet ish bukur zor e më pastaj njeriu po mësojke. Ndërkaq, kur është fjala për politikanët tanë pasanik është diçka krejt tjetër, është një muhabet krejt tjetër, është një vlerësim krejt tjetër. Këta politikan që nga pas lufta kurrë nuk e pushuan vrapin pas shtimit të pasurisë, apo më mirë më thënë kurrë nuk u ngopën. Pra, deri sa fukaraja mësohet me gjendjen e rëndë që e ka, politikanët tanë pasanik kurrë nuk ditën të thonë mjaft. Ndoshta pasuria njeriun e bënë të verbër e të shurdhër, por populli këtë po e sheh dhe po merr informacione gjithnjë e më shumë se sa janë bërë milioner këta politikan që sot rrëfehen se punojnë e angazhohen për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Përralla që si ha hiq pazari. Apo si@ thotë një fjalë popullore: katundi që shihet kallauz nuk do.

                                          Si i shohin të politikanët pasanik të varfëritë

Shumica e qytetarëve të Kosovës e kanë gjendjen e vështirë ekonomike. A ka gjë më të turpshme se sa në këtë gjendje politikanët tanë të krijojnë aso pasurie, të cilën para lufte as ëndërr nuk e kanë parë e as që e kanë poseduar. Athua si e shohin këtë gjendje këta politikan, këtë fukarallëk, i cili në një masë është krijuar pikërisht duke keqpërdorë e abuzuar me paranë e taksapaguesve kosovar dhe formave tjera kriminale. Athua a ndihen keq kur shohin mijëra familje që mëzi e kalojnë ditën me sofër të zbrazët, duke mos pas çka të shtrojnë e çka të drekojnë. Flasin ata shumë e shumë se janë për ndryshime, janë në funksion të luftimit të se keqës, janë për të përmirësuar standardin e qytetarëve, po besa flasin edhe për gjendjen sociale të tyre. Pa dyshim kjo është një hipokrizi. Me fjalë nuk mund të fshihen ato të bëra pikërisht në dëm të qytetarëve. Po të ndiheshin aq keq këta politikan do të duhej në forma konkrete që të ndihmojnë familjet e varfëra me gjithë atë pasuri milionëshe që kanë. Ende nuk ka ndonjë shembull që këta politikan e kanë bërë një gjë të tillë. Me një fjalë, fukaraja me sy të përlotur i sheh këta politikan që kanë shtëpi të bukura e luksoze, vetura, tokë qindra hektarësh, para në banka e çka jo tjetër. Lakmojnë shumë e ankohen shumë për gjendjen e tyre. Por ndihma është e vogël, fare e vogël. Inshalla vijnë ditë më të mira për Kosovën dhe qytetarët e saj, por nuk besoj se ndryshimet do të vijnë me këta politikan. Rruga e tyre është e mbrapsht, shumë e mbrapsht.

                                                                   Hapeni sytë qytetarë!

Arsyetimet e politikanëve pasanik as që duhet të peremendën. Si mund të arsyetohet një politikan kur thotë se ka shitë një banesë dhe ka krijuar gjithë atë pasuri kur me ato para as ato vetura që i ka në posedim nuk do të mund t’i blente. Prapë, po themi përralla. E keqja më e madhe është se këta politikan po thirren në kontributin e dhënë gjatë luftës, thuase ai kontribut do të duhet që shpaguhet më këtë pasuri që kanë krijuar. Askush deri me tash nuk ka mohuar kontributin e askujt për atë që ka bërë. Mirëpo, kritika të mëdha po bëhen se si arriti në këtë shkallë kaq të lartë pasuria e tyre multi- milionëshe, aq më parë kur dihet se çfarë gjendje kishin para lufte. Duke parë këtë situatë ,përkatësisht këtë pangopshmeri të politikanëve tanë shtrohet nevojë e domosdoshmëri që qytetarët tanë t’i hapin sytë dhe të mos e përkrahin të keqen, të mos i përkrahin këta politikan që deri me tash dëshmuan qartë se interesi i tyre personal është mbi atë shoqëror.

                                                               Më të përfolurit ftojnë për protesta

Dikush nuk e sheh vehtën apo i pëlqen vetja dhe krejt ajo çka ka bërë, edhe pse ajo është në sy për të keq nga të tjerët. Kështu është edhe me disa politikan tanë që ftojnë për protesta, ndërsa në anën tjetër janë njerëzit më të përfolur për dyshimet rreth pasurisë së tyre. Sa është kjo e logjikshme të veprojnë kësisoj kur i gjithë opinioni ka drejtuar gishtin drejt tyre, flasin e çka nuk flasin për ta, me arsye sigurisht. Ndaj, marrja pjesë në këto protesta do të ishte barazi me përkrahjen e gjithë asaj që kanë bërë këta politikan, me të keqën që kanë bërë. Të kuptohemi. Jam për ndryshime. Për ndryshime rrënjësore. Për ndryshime që do të përmirësojnë gjendjen ekonomike në përgjithësi, posaçërisht të qytetarëve që as një euro në ditë nuk kanë për të siguruar bukën për familjet e tyre. Ndryshime po, por jo me këta njerëz që Kosovën e kanë sjell buzë greminës.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: A duhet, përkrahje milionerëve, protestuesit t’iu japin, Xhavit Citaku

VALENTIN VEIZI: JU TREGOJ PSE LASHE SHQIPERINE PER AMERIKEN

April 21, 2016 by dgreca

Flet kompozitori dhe instrumentisti Valentin Veizi: Cesk Zadeja vinte në Konservator me një biçikletë të prishur, në kohën e demokracisë/

-Kurse politikanët shqiptarë, që “të pa brekë i gjeti dreka dhe milionere i gjeti darka” shëtisin me makina luksoze

* “Pyes lotin” dhe “Larg urrejtjes”, dy këngët që kanë zënë çmime të para në 1996­-97, kënduar nga Elsa Lila

 -Në vitin 1999 mu dha qytetaria amerikane me motivacionin: “I huaj me aftësi të jashtëzakonshme”

-Poemën muzikore “Triumfi i Lavdisë” e kam bërë në shenjë respekti për të vrarët e sulmit terrorist, më 15 prill 2013 në Boston

-Vepra u luajt për herë të parë nga orkestra simfonike e RTV shqiptar, nën drejtimin e dirigjentit italian Leonardo Quadrini, më 8 prill 2016

– Pjesëmarrja ime e parë në festival i përket vitit 1987 me këngën “I ri gjithmonë”, kënduar nga Telemak Papapano

– Kam bashkëpunuar me Petrit Lulon, Ludmilla Baballëkun, Alma Hyskja, Irma Libohovën, Robert Aliaj, Nertila Koka, Kozma Dushi

-Për sa i përket poetëve janë, Xhevair Spahiu, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Rudolf Marku, Jorgo Papingji, Lasgush Poradeci, por më shumë me Arben Dukën ­

– Në Shkurt të vitit 1998 në Varna të Bullgarisë organizohet festivali “Discover 98”, ku në (d. m. th Elsa Lila) me tre këngë të kompozuara nga unë morëm çmimin e parë

Nga Albert Z. ZHOLI/

­Fillimi i krijimtarisë së tij s’ka ditë apo muaj të veçantë. Krijimet e para (këngët e para) i përkasin adoleshencës në qytetin e lindjes, Kuçovë (Qyteti Stalin në atë kohë), ku me kitarën e tij jo vetëm merrte pjesë si instrumentist në aktivitet e shumta të asaj kohe, por edhe shkruante këngë për ato aktivitete si festivale fëmijësh, anketa muzikore apo koncerte të ndryshme. Pra këto janë këngët e para të Valentinit. Kuçova ka pasur një jetë shumë të gjallë artistike me muzikantë shumë të talentuar dhe të përkushtuar. Ishte fëmijë i vogël atëherë dhe dëgjonte Zef Leken që luante piano, Gaqo Terpinin kitare, Luto Hasanin e Nito Lalen fizarmonikë dhe ëndërronte e thoshte me vete:- “A do të arrij unë një ditë të bëhem muzikantë si këta”? Ishin modeli dhe frymëzimi më i mirë për të. Ka punuar deri vonë me muzikantin e talentuar Dhimitër Druga, pra kanë qenë pikërisht këta artistë, të cilët nxitën dëshirën e tij për tu bërë muzikantë.

Kur e keni kompozuar poemën simfonike “The Triumph of Glory”. Ku është luajtur për herë të parë dhe çfarë të nxiti për këtë vepër? Kush është mesazhi i saj? Si do ta përkthenit në shqip atë?

Për Poemën muzikore kam punuar me shumë dëshirë dhe përkushtim për shume vite. Vepra u luajt për herë të parë nga orkestra simfonike e RTV shqiptar, nën drejtimin e dirigjentit Italian Leonardo Quadrini, më 8 prill 2016. Ishte pikërisht ngjarja e rëndë që tronditi jo vetëm qytetin e Bostonit dhe Amerikën, ishte sulmi terrorist në 15 prill 2013 në ditën e një evenimenti shumë të rëndësishëm në Maratonën e Bostonit që me nxiti mua të ulem ta shkruaj e t’ia dedikoje këtë vepër heronjve dhe viktimave të kësaj tragjedie. E thënë thjesht mesazhi i veprës është lufta midis jetës e vdekjes, heronjtë e veprës sime janë njerëzit e thjeshtë që përpiqen e luftojnë çdo dite përkrah të mirës dhe kundra se ligës. Vepra titullohet “The Triumph of Glory” që unë do ta shqipëroja “Triumfi i Lavdisë” ­

Pse erdhe në Shqipëri pikërisht për këtë vepër dhe me këtë vepër?

Unë jam e do të mbetem kompozitor shqiptar, është një kompleks ndjenjash tek unë midis gëzimit të madh që krijimtaria ime luhet në atdheun tim dhe detyrimi shpirtëror që unë ndjej për njerëzit e mi (nuk dua ti quaj publikun apo dashamirësit e muzikës sime.) Pse erdha me këtë vepër? E para për vet mesazhin aktual që ka vepra dhe tjetra, publiku këtu më shumë mua më njeh si kompozitor të këngës, pra vendosa kësaj radhe të paraqitem me një vepër simfonike. Në një bisedë vëren e kaluar me miqtë e mi Shpëtim Saraçin e David Tukicin po i flisja për projektin tim simfonik dhe krahas dëshirës sime ishte pikërisht këmbëngulja dhe impenjimi i tyre që unë të sillja një vepër simfonike. Ata i propozuan dhe i dërguan partiturën dirigjentin Italian, ai zgjodhi dhe vendosi ta luajë premierë Poemën time simfonike me orkestrën e RTVSH. ­

Si vazhdoi shkollimi juaj dhe cilët janë pedagogët që ju kujtoni me respekt?

Sa për shkollimin tim do ta shtrija në vite të tëra… duke filluar që nga fëmijëria ime në Kuçovë me mësuesin tim të parë të muzikës Luto Hasanin, do të vazhdoja me kompozitorin dhe mësuesin e talentuar Vangjo Nova, në shkollën e mesme, e me pas në Konservator si student i Aleksandër Peçit, që përveçse një pedagog e kompozitor i shkëlqyer unë do të thosha që është edhe një personalitet i muzikës Shqiptare.

Në Akademi cilat janë krijimet tuaja që kanë lënë gjurmë?

Në Akademi natyrisht krijimtaria ime (edhe unë bashkë me të) u bë me serioze, më profesionale. Unë kam shkruar shumë gjëra, por ajo që duhet të veçoja janë disa romanca vokale kryesisht për soprano, krijime të ndryshme instrumentale, do të veçoja variacione për violonçel e piano të luajtura në atë kohë nga i talentuari Renato Ripo. Orkestra simfonike e Institutit të Lartë të Arteve ka luajtur 2 kohë nga Suita Simfonike “Dasmë në Gjirokastër” e shumë materiale të tjera. ­

Festivalet e RTSH, festa të mëdha të muzikës, kur keni marrë pjesë për herë të parë në Festivalet e RTSH dhe çfarë çmimi morët?

Marrja pjesë në Festivalin e RTSH ishte ëndrra e çdo kompozitori në ato kohë, mos të harrojmë që ishte i vetmi festival i këngës që në kishim e s’ishte kollaj të bëheshe pjesë e asaj gare. . . Me gjithë censurën e vështirësitë e shumta të asaj kohe ja kam dale mbanë me disa këngë. Pjesëmarrja ime e parë në Festival i përket vitit 1987 me këngën “ I ri gjithmonë” kënduar nga Telemak Papapano këngë tëcilës i ndryshuan tekstin origjinal dhe i ngjitën një tekst tematik. Në mos gaboj ka qenë 1989, kënga e dytë pjesëmarrëse “Trashëgimi”, poezia e Lasgush Poradecit pasohet më vonë 1991 me këngën “Ne të dy”, kënduar nga Foell Grillo e Pirro Duka. Sa për çmime nuk bëhej fjalë në atë kohë. Ndryshimi i tekstit të këngës bënte të humbiste dhe melodia apo karakteri i këngës e deri të pamundësia për të bashkëpunuar me këngëtaret më të mirë të asaj kohe. ­

Me cilët këngëtarë keni bashkëpunuar para viteve 1990 dhe me cilët poetë?

Unë kam bashkëpunuar me shume këngëtarë; filloj me Miga Hysin, Petrit Lulon, Ludmilla Baballëkun, Dhimiter Dushin, Alma Hyskja, Foel Grillon, Irma Libohoven e Vasil Markun, Rubin Matin e Robert Aliaj, Nertila Koka, Gëzim Cela e më shumë me patriotin tim, Kozma Dushi. ( më falni nëse kam harruar dikë). Për sa i përket poeteve edhe ata kanë qenë të shumtë, filloj me autorin beratas Manol Teta, Xhevair Spahiu, Ismail Kadare, Dritero Agolli, Rudolf Marku, Jorgo Papingji, Lasgush Poradeci, kam muzikuar mbi poete të huaj si Robert Berns e Johan Fogl, por me shume e me shume sukses kam bashkëpunuar me mjeshtrin e lirikes Shqiptare poetin Arben Duka. ­

“Pyes lotin” dhe “Larg urrejtjes”, dy këngët tuaja që kanë zënë çmime të para në 1996­-97, si erdhën këto bashkëpunime me Elsa Lilën? Si jeni ndjerë me këto çmime?

Pas viteve ’90, i mërzitur dhe i zemëruar nga censurimi i këngëve të mia në heshtje kisha vendosur mos të sillja më këngë në radio, njëkohësisht ishte koha kur unë shërbeja në Kishën Rilindja në Tiranë, si drejtues i grupit muzikor. Mbi vargjet biblike pikërisht nga 1 Korintasve 13 (epërsia e pashoqe e Dashurisë) shkruaj melodinë e këngës “Pyes Lotin”, me ndihmën e një shokut tim dhe poetes Enerjeta Sinja shkruhet dhe përshtatet teksti i këngës. Ishte viti1996, i ftuar në një aktivitet artistik nga një mësuesja ime në një shkolle 8- vjeçare në Tiranë, më bën përshtypje një vajzë e ndrojtur, por me një zë të veçantë, pa më të voglin hezitim thashë ky është zëri që unë dua dhe i propozoj ambicien time për të marrë pjesë në Festivalin Kombëtar të RTVSH, një propozim “shok” për një fëmije 15vjec, por unë isha i sigurt në ambicien time. Punuan bashkë dhe interpretimi brilant i Elsa Lilës bëri që kënga “Pyes Lotin”, si asnjëherë tjetër në historinë e festivaleve, të radios të fitojë bujshëm të gjitha çmimet e jurive të ngritura. Dhe përsëri një vit më vonë 1997, viti më i mbrapshtë në historinë e vendit tonë, ku njerëzit rrëmbyen armët kundra njeri-tjetrit, mbi moton “Urreni të keqen e dashuroni të mirën”, i propozoj poetit Alqi Boshnjaku këtë ide dhe ai mjeshtërisht shkruan tekstin e këngës “Larg Urrejtjes”, mesazh të cilin e përcjell mrekullisht po Elsa Lila, ku në vlerësohemi edhe kësaj here me çmimin e parë. ­

Pse dhe si u larguat në SHBA? Ishte një ikje ndryshe, as klandestin, por as me loto, mund ta dinë lexuesit?

Më lër ta sqaroj pak pyetjen tuaj, e kam thënë edhe diku tjetër, në nuk kemi ikur, në na kanëlarguar nga Shqipëria, por ti do thuash si ka mundësi s’ka forcë njeri të largojë nga Atdheu, po ka shumë mënyra për të larguar një artist apo intelektual nga një vend dhe unë s’jam i vetmi, në edhe ju jemi dëshmitarë të trajtimit që i behet një artisti apo intelektuali në Shqipëri, më lër të sjell një shembull, që më ka mbetur në mendje dhe s’e harroj kurrë, kur unë fitova në ‘96 çmimin e par me “Pyes Lotin”, kryetar jurie ishte Cesk Zadeja, i cili pa më të voglin dyshim mbetet një personalitet i fuqishëm në fushën e artit, e thënë ndryshe është “babai i muzikës Shqiptare”, e shikoj profesorin hipur me të njëjtën biçiklete që vinte në Konservator kur jepte mësim, ku në të njëjtën kohë vampirët e politikes shqiptare ata që “të pa brekë i gjeti dreka, e milionere i gjeti darka” shëtisin me makina luksoze, e u bënë ministra e rektorë universitetesh, ku do shkollohej im bir. . . Prandaj i thashë vetes ik, ik! Kështu u largova me dhimbje, por është vendimi me i mirë që kam marrë në jetën time. Unë s’kam ikur as si klandestin e as me loto, unë erdha në nëntor 1998, në Los Angelos si finalist në një festival të kompozitorëve, ku nga 500 pjesëmarrës nga e gjithë bota u zgjodhën vetëm 13 këngë finaliste, e një nga ato ishte kënga ime “Mall”. Pas një viti 1999, mua mu dha qytetaria amerikane me motivacionin: “Alian of extraordinary ability”, që në shqip do të thotë “I huaj me aftësi të jashtëzakonshme”. ­

Cili është edukimi arsimor i fëmijëve tuaj në SHBA? A jeni kënaqur me ecurinë e tyre?

Jam shume i kënaqur dhe shume krenar për ecurinë shkollore të fëmijëve, Erli (djali) shkollë të mesme ka mbaruar “The Rivers Music School” në Ëeston, Massachusetts një shkolle private me kërkesa shume të larta e serioze dhe është diplomuar në “Duquesne University” Pittsburgh Pennsylvania, si pianist dhe producer me rezultate të shkëlqyera. Ndërsa vajza, Deborah vazhdon vitin e dytë shkollë e mesme, është për 8 vite resht High Honor student, që do të thotë student i shkëlqyer.

Aktualisht, çfarë profesioni ushtroni në SHBA? Si i mbani lidhjet me atdheun dhe aktivitetet muzikore në atdhe?

Profesioni im në Amerike është muzikant, kam studion time ku jap mësime private piano, kitare, shkruaj muzike, orkestroj shoqëroj këngëtare në aktivitete të ndryshme luaj vete piano kitare. Unë jam shume i lidhur me atdheun, familja jone udhëton pothuajse çdo vit në Shqipëri, për sa i përket lidhjeve artistike ato janë pak me të rralla, por fakti që unë kthehem me një vepër simfonike do të thotë që lidhja vazhdon. ­

Si e gjetët Shqipërinë këtë radhë? A i takove miqtë?

Ne na pëlqen dhe udhëtojmë shumë si familje, Shqipëria është pa dyshim një nder vendet më të bukura që unë kam parë (nuk e them këtë nga patetizmi nacional, kjo është e vërtete). Unë kam shume miq e shoke që mezi presim të takohemi së bashku, koha qëunë kaloj në Shqipëri me njerëzit dhe miqtë e mijë është e paharrueshme.

Cilët janë kompozitorët shqiptarë, që ju keni respekt dhe që shkëmbeni eksperienca?

Shqipëria ka shume kompozitore që duhen respektuar do të ishte listë e gjatë ti rendisje, do të nisja nga Zadeja, Harapi, Gaqi, Gaci, Dizdari, Zoraqi Nova, Peci e shume e shume të tjerë. . ­

Shkolla shqiptare e muzikës, a është e niveleve botërore?

Nuk me takon mua ta bëjë këtë vlerësim, por përgjigja është pak komplekse e do duhej analizuar gjatë, por në do mendimin tim unë do thosha që në kemi patur fatin (flas për brezin tim të paktën) që kemi patur pedagogë jo vetëm të zotë, por edhe të përkushtuar dhe nga shkolla shqiptare kanë dale muzikante shume të mire shume nga ata kane një karriere artistike dinjitoze në botë. ­

Aktualisht, si do ta cilësonit nivelin e festivaleve në RTSH?

Më ler ti përgjigjem ndryshe pyetjes suaj. Cilësia e një festivali varet nga cilësia e këngëve pjesëmarrëse që do bëjnë festivalin, varet nga niveli i këngëtareve pjesëmarrës. Mos prit cilësi artistike nga një krijimtari e këngëtare pa cilësi, mediokër, afro kompozitore e këngëtare cilësor të kesh mundësi të besh një festival cilësor. ­

Çfarë roli ka luajtur bashkëshortja juaj në ecurinë si kompozitor?

Vera është gjysma ime me e mire, nuk e teproj po të them se gëzohet me shume se unë për sukseset e mia. Jo vetëm që erdhi vete në koncertin e premierës se Poemës simfonik në Tirane, por pa me njoftuar mua i kishte mare bileta avioni edhe fëmijëve që të bëheshin pjese e gëzimit tim.

****

Si morëm çmim të parë me Elsa Lilën në Varna të Bullgarisë

Në Shkurt të vitit 1998 në Varna të Bullgarisë organizohet festivali “Discover 98″( Zbulimi i 98-ës) midis 14 shteteve të Evropës, për herë të parë Shqipëria përfaqësohej në një festival të këngës ku ne, (pra Elsa Lila) me tre këngë të kompozuara nga unë morëm çmimin e parë, s’kishte bërë vaki ndonjëherë, direkt nga aeroporti kemi dalë live në lajme. Edhe një fakt tjetër, kësaj radhe në një festival tjetër “Voise of Asia”(Zeri i Azise) në Kazakistan 22 shtete pjesëmarrëse Shqipëria përfaqësohet po nga unë edhe Elsa. Kësaj radhe me katër këngë të kompozuara nga unë dhe në kthehemi me çmimin e dytë.

Filed Under: Interviste Tagged With: Albert Z. Zholi, ju tregoj, PER AMERIKEN, PSE LASHE SHQIPERINE, VALENTIN VEIZI

Kosova-Ulqini, lidhje të fuqishme dhe të hershme

April 21, 2016 by dgreca

Presidenti i Kosovës dhe Kryeparlamentari takuan kryetarin e Ulqinit/

-Presidenti Thaçi: Marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi gjithnjë e më shumë janë duke u përmirësuar dhe popullsia shqiptare në Mal të Zi është një urë e rëndësishme komunikimi dhe lidhjeje mes dy shteteve/

 PRISHTINË, 21 Prill 2016/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim kryetarin e Ulqinit, Nazif Cungu, i cili është edhe kryetar i partisë kryesore të shqiptarëve në Mal të Zi, Forca e Re Demokratike.Presidenti Thaçi e siguroi kryetarin e Ulqinit se shqiptarët e Malit të Zi do të kenë vazhdimisht mbështetjen e tij personale dhe të Republikës së Kosovës, duke e uruar atë për rimarrjen e detyrës së kryetarit të komunës, si dhe për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO të Malit të Zi.

“Marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi gjithnjë e më shumë janë duke u përmirësuar dhe popullsia shqiptare në Mal të Zi është një urë e rëndësishme komunikimi dhe lidhjeje mes dy shteteve”, ka thënë presidenti Thaçi.Ndërsa, kryetari i Ulqinit, Nazif Cungu, pasi uroi presidentin Thaçi për marrjen e detyrës së re, mirëpriti qetësimin e situatës politike në Kosovë. “Kur Kosova është qetë, edhe shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në shtetet e tjera qetësohen, mirëpo kur Kosova është e tensionuar, ata ndihen shumëfish të shqetësuar”, tha kryetari i Ulqinit, Nazif Cungu.Kryetari i Ulqinit e njoftoi presidentin Thaçi edhe për gjendjen sociale dhe ekonomike të komunitetit shqiptar dhe për zhvillimet e fundit politike në Mal të Zi.Ai, gjithashtu, kërkoi ndihmën e presidentit Thaçi për të lobuar pranë Tiranës dhe Podgoricës, që të lehtësohet kalimi i pushuesve dhe mërgimtarëve kosovarë në pikën kufitare të Muriqanit, ku radha e makinave gjatë sezonit veror është shumë e gjatë dhe qytetarët qëndrojnë me orë të tëra në pritje të kalimit të kufirit.Presidenti Thaçi e siguroi kryetarin e Ulqinit, se do ta trajtojë këtë çështje me vëmendje dhe do ta diskutojë me përfaqësuesit e vendeve fqinje, në rastet më të afërta që do të takohet me ta.

Gjithashtu, presidenti Thaçi e njoftoi kryetarin e komunës së Ulqinit, që në të ardhmen e afërt do të ketë vizitë zyrtare në Mal të Zi dhe si qytetar nderi i Ulqinit, padyshim që do të vizitojë sërish edhe Ulqinin./b.j/

****

-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli priti në takim kryetarin e Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu/

 PRISHTINË, 21 Prill 2016/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim kryetarin e Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, me të cilin bisedoi për situatën aktuale në Kosovë dhe zhvillimet që përcollën skenën politike të Ulqinit në muajt e fundit.Duke i uruar mirëseardhje në Kosovë dhe në Kuvendin e saj, kryeparlamentari Veseli e uroi kryetarin Cungu për detyrën e re në krye të Komunës së Ulqinit dhe i dëshiroi suksese në punën e tij të mëtutjeshme.Kreu i Kuvendit të Kosovës dhe ai i Komunës së Ulqinit biseduan për lidhjet e fuqishme dhe të hershme që ekzistojnë midis Kosovës dhe qytetit të Ulqinit, përkatësisht qytetarëve respektivë, duke shtruar nevojën që këto raporte të forcohen edhe më tej.

Kryeparlamentari Veseli theksoi se bregdeti i Ulqinit vazhdon të mbetet një nga preferencat kryesore të turistëve nga Kosova, që lidhet edhe me pritjen bujare të ulqinakëve.Në takim u bisedua edhe për të drejtat e shqiptarëve në shtetin malazez, duke e konsideruar këtë komunitet si një urë të rëndësishme bashkëpunimi midis dy shteteve.Veseli dhe Cungu potencuan aspiratat e përbashkëta të Kosovës dhe Malit të Zi për vazhdimin e rrugës së integrimeve euro-atlantike./b.j/

Filed Under: Rajon Tagged With: dhe të hershme, Kosova-Ulqini, lidhje të fuqishme, Presidenti Thaçi

JU QOFTË I LEHTË DHE`U I KOSOVËS!

April 21, 2016 by dgreca

Përkujtim i përvjetorit të martirit Sali  Mujaj/
NGA RAMIZ MUJAJ/ New York/

 Në vitin 1999, në muajt e dimrit në acarin më të madh, forcat  paramilitare serbo çetnike dhe pjestarë Cerrno Gor, e fshinë përpara popullatën e komunës së Pejës.  Në atë golgotë ishin edhe babai, nëna ime, familjarët si dhe farefisi im,që shkuan duarthatë nga qyteti i Pejës.Të gjithë pa përjashtim, pleqtë, gratë, e fëmijët, dhe të sëmurëve ju desh që ti lëshonin shtëpitë dhe të dilnin nxitimthi sipas urdhrit të paramilitarëve.Dikush përpiqej që të merrte në shpejtësi ndonjë ndonjë veshje, dikush diç tjetër, pa e ditur ose pa e menduar fare se përsëri do të kontrolloheshin apo do të plaçkiteshin e keqtrajtoheshin, i madh e i vogël.Ishte një tmerr i vërtetë. Deri në tentim vrasje e vrasje, paramilitarët kanë vendosur tytat e automatikve tek kokat e popullatës për të dhënë detyrueshëm çdo metelik e bizhuteri  që kishin.  Paramilitarët Serbë me paramendim terrorizonin qytetarët në atë acar.Rrugës së gjatë dhe në borë të madhe ja mësynin kufirit të Malit të zi nëpër bjeshkët më të rrepishme të kufirit në marsin e acartë  të vitit 1999; të gjithë në këmbë dhe të pa paisur fare me rrobat e dimrit. Ndër ata ishte dhe axha im i moshuar dhe i sëmurë rëndë, Sali Rrustem Mujaj me gjithë familje.

Sali Mujaj Salihi, gati thuaj i palëvizshëm, i sëmurë rëndë, duhej ta merrte atë rrugë të golgotës shqiptare mu në mes të acarit të tmerrshëm dhe grykëve të pushkëve e britmat deri në ulurimë të paramilitarëve. Falë familjarëvë të vet, dhe posaçërisht djalit të tij Binak Mujaj, meqenëse edhe ai ishte hall lig, me vuajtje të mbijetesës, që në gjendje që babain e vet ta mbarte mbi supet e veta në atë acar dhe borë të madhe  gati për më shumë se 50 kilometra rrugëtim. Binaku ishte moshatari im, kushëriri im, dhe kolegu im, me të cilin jam rritur bashkë si të ishim vëllezër .
Mbëritën në Rozhajë dhe aty shumica e refugjatve gjetën strehim tek të afërmit, vëllezër në qytet dhe nëpër fshatra si Buxhov, Dacaj e qytet. Pastaj disa nga refugjatët shkuan për në Shkodër në Shqipëri, mirëpo familja e Salihut u vendos në Ulqin. Këtu nuk shkuan shumë ditë dhe axha im, Salihu i sëmurë, vdiq nga mundimi i udhëtimit aty dhe qe vorrosur.

Në vitin 2004, unë isha i kthyer nga Amerika në vendin tim (vendëlindje),duke menduar se ishte koha  të kthehesha përgjithmon.Pasi që kishte mbaruar lufta mendova se çdo gjë do ishte në rregull dhe jeta do të vazhdonte normalisht, popullata do të mjekonte plagët e trupit dhe të shpirtit, do të bashkoheshin me të humburit e luftës, do te rindërtoheshin shtëpitë e djegura dhe gjithçka do të ecte normalisht. U ktheva me familje dhe me mjete, por nuk më doli ashtu.Kishte qenë zhgënjim total kësaj rradhe (no koment). Një ditë më takoi Binaku, që kishte qen’ si vëllau im, dhe më tha: – Si tja bëj, kushëri? Më jep një mendim; eshtrate e babait kam frikë se do të mbesin në Ulqin.

Unë e këshillova siç ma tha shpirti:-Binak vëlla, ti duhesh të bësh ç’është e mundur që eshtrat e babës ti bartësh në Kosovë dhe ti varrosësh në vendlindje,në Rugovë.Unë do të ndihmoj me të gjithë mundësitë e mia.

Ashtu dhe u bë.

Binaku me shumë vuajtje dhe keqtrajtime, me shumë mundime nëpër burokracitë Malazeze, mundi ti sjellë eshtrat e babait të vet në vendlindje dhe i varrosëm me dinjitet në vendlindje, duke pasur pranë solidaritetin  e  vendasve dhe fshatarëve të katundit Dukaj, ish Dukaive e Rugovë.

Tani unë e ndjej një obligim më pak në shpirtin tim që pata një mundësi ndihmese për martirin bashkë me Binakun dhe farefisin tim. Eshtrat e axhës tim u prehën në tokën e Kosovës, në Rugovë, pranë varreve të të parëve tanë.  Unë me këtë rast përkujtimi, shpreh ndjenjat e dhimbjet për Axhën tim martir po dhe për Binakun, që kishte qenë pothuajse vëlla imi dhe ai, tani i ndjerë .

Ju jetuat me nder dhe vdiqët me nder. Ju qoftë i lehtë dheu i Kosovës martire, që aq shumë e deshët, babë e bir, Sali dhe Binak Mujaj.

 

Filed Under: Histori Tagged With: i përvjetorit të martirit, perkujtim, Ramiz Mujaj, Sali Mujaj

Kosovë-Çmime për Dramë Origjinale Shqipe

April 21, 2016 by dgreca

PRISHTINË, 21 Prill 2016/ Në një ceremoni të organizuar sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Qeverisë së Kosovës, ku ishin të pranishëm ministri Kujtim Shala, juria dhe laureatët e çmimeve, u dhanë çmimet për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi”.Ministri Kujtim përgëzoi fituesit e këtyre çmimeve dhe jurinë profesionale për punën e bërë. Ai më tej u shpreh se me këto çmime kanë për qëllim të nxisin dhe të motivojnë krijimtarinë artistike shqiptar.Në bazë të vlerësimit të jurisë, në përbërje të Besim Rexhaj, kryetari, Agim Selmi, Bislim Muçaj, Agon Miftari, Zethane Bahtiri, çmimi i parë iu dha autorit Bashkim Hoxha për dramën “Askushi”. Çmimi i dytë autorit Ardian-Christian Kyçyku për dramën “Një botë më tutje”. Ndërsa, çmimi i tretë ia dha autorit Pashtrik Brahaj për dramën “Shtrati me gozhda”.Çmimet kanë vlerë financiare, i pari fiton 3600 euro, i dyti 2400 euro, ndërsa i tretë ka vlerën e 1200 eurove./b.j/

Filed Under: Kulture Tagged With: Dramë Origjinale, Kosovë-Çmime për, shqipe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT