• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2016

Misioni i Jashtëzakonshëm Shkollor-75 vjet më parë në Kosovë

June 23, 2016 by dgreca

NGA  ILIR HASHORVA/*

“Kudo që vajtëm na pritën me gëzim e entuziazmë sikurse po u zbriste Perëndia nga qielltë,” – me këto fjalë fillon raporti i parë që Kryetari i Misionit të Jashtëzakonshëm për hapjen e shkollave dhe kurseve të gjuhës shqipe në Kosovë, Ali Hashorva, i dërgonte shtetit shqiptar më 25.7.1941 –  “Na turreshin nga prapa si të dehur duke na pyetur: ‘Kur po na vjen Shqipnia, kur po na vijnë mësuesët e Shqipnisë?’, ose ‘Kur po na vjen Albania?’ e na luteshin që të mos i ‘mashtrojshim’, d.m.th., të mos i gënjenim, t’u thoshim të vërtetën. Kemi shkuar me ta çaste të paharrueshme mallëngjimi. Kudo që vajtëm, sa dhe në skajet më të largëta, njerëzinë e gjetëm të gjallë, trime e të flakët në ndjenjat kombëtare. Fryma shqiptare po buçet në të gjitha anët e Kosovës. Sundimi i rëndë serb jo vetëm nuk e ka përulur shqiptarësinë e krenarinë e këtij populli, por e ka forcuar dhe ca më tepër. Burrat e mëdhenj e trimat legjendarë të luftërave të Skënderbeut këtu i kemi të gjallë përpara syve, të hedhur nga shtati, të drejtë nga trupi, të lehtë në lëvizje. Tirania serbe nuk ka mundur ta prekë fort as gjuhën shqipe, e cila flitet kudo e bukur dhe e virgjër, sikundër ka qenë folur që në kohët e para”.

Në një mbledhje të Ministrisë së Arsimit të asaj kohe u vendos të dërgohej një Mision Shkollor për të hapur kurse e shkolla shqipe në Kosovë e në vise të tjera të Jugosllavisë të banuara nga shqiptarë. Në mbledhje, Ali Hashorva kërkoi të ishte anëtar i misionit. Ministria e pranoi kërkesën e tij dhe e caktoi kryetar të misionit. Ajo caktoi dhe 70-80 arsimtarë të tjerë për t’iu bashkuar atij misioni, shumica kosovarë, që kishin studiuar në Shqipëri ose jashtë saj me bursë shqiptare.

Në shkresën që Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, i dërgonte Ali Hashorvës, shkruhej:

            Zotni Ali Hashorvës,

            Antarit t’Inspektoris s’Epërt

            Për me studjue gjendjen arsimore simbas programës qi përshkruhet ma poshtë në Kosovën e lirueme, kam vendosë me dërgue atje nji mision shkolluer te jashtëzakonshëm.

            Si kryetar të këtij misioni kam caktue zotnin t’Uej, mbasi, mbështetun në provat qi keni dhanë në të kryemit e detyrave të ndryshme, qi ju kam ngarkue herë pas here, kam besim të plotë se do t’ja dilni në krye si ma mirë edhe kësaj pune kaq të randësishme nga çdo pikpamje.

            Veprimtaria e Juej qi do të zhvillohet në Kosovën e lirë përmbledh studimin e gjendjes s’Arsimit Filluer e të Mesëm si dhe rregullimin e kurseve verore për gjuhën shqipe për të mëdhej e të vegjël.

            Antarët qi kanë me bashkëpunue me  Zotnin t’Uej janë:

  1. Jonuz Blakçori, Profesor i Shkollës së Punës, Tiranë.
  2. Abdurrahim Buza, Profesor në Liceun e Tiranës.

            Zoj.   Flora Pali, mësuese n’Institutin Donika Kastrioti.

  1. Shaban Arra, Inspektor’i Arsimit t’ Kosovës.     
  2. Zef Pali, mësues i gjuhës shqipe në Liceun e Shkodrës.
  3. Xhavid Nimani, mësues në qarkun e Kosovës.
  4. Fadil Haxhihoxha, mësues në qarkun e Kosovës.

            Të gjithë këta Zotni mvaren dhe do të drejtohen prej jush në të kryemit e punëve të ndryshme qi do t’u ngarkoni.

             Po kështu, varen prej jush edhe mësuesit, qi do të dërgojmë s’afërmi për kurse verore të gjuhës shqipe për të mëdhej e të vegjël. Zotni mësuesve keni me u a caktue po ju vendet e shërbimit.

            Ju uroj të gjithëve punë të mbarë në të kryemit e kësaj detyre të shenjtë kombëtare e me randësi historike.

                                                                 Ministri ERNEST KOLIQI

                                                                 Tiranë 23.6.1941

    Deri në këtë kohë, Ali Hashorva kishte pasur këtë karrierë profesionale: Pasi kishte mbaruar studimet në Firence për filozofi-pedagogji, në vitin 1933 u caktua të jepte mësim në shkollën normale të Gjirokastrës. Më pas – inspektor arsimi në atë prefekturë dhe, pas saj, inspektor arsimi në prefekturën e Korçës. Pas tre vjetësh në Korçë dhe me largimin e Aleksandër Xhuvanit prej shkollës normale të Elbasanit,  në vitin 1938, Aliun e caktuan drejtor të asaj shkolle. Me ardhjen e italianëve, Aliun e pushuan nga ajo detyrë, por nga fundi i vitit 1939, e caktuan të punonte në Komisionin Teknik të Ministrisë së Arsimit së bashku me Aleksanër Xhuvanin, Kostaq Cipon, Anton Deden, Kolë Kamësin, Sterio Spasen etj.

Ali Hashorva së bashku me familjen e tij dhe me anëtarët e misionit u nisën menjëherë për në Kosovë. Në hyrje të Raportit të parë që ai dërgon nga Kosova, shkruan:

“Sapo arritëm këtu, bëmë një udhëtim nëpër të gjithë Kosovën, si në pjesën e pushtuar prej trupave italo-shqiptare, ashtu dhe në atë të pushtuar prej gjermanëve, për t’ardhur në përpjekje të drejt për drejt me autoritetet lokale e me popullin…

“Fushën e veprimit të Misionit e kemi ndarë në dy sektorë me qendra në Prizren e në Prishtinë. Në të parën qendër punën e drejtojmë ne vetë; në të dytën kemi ngarkuar Z. Shaban Arra. Ne të Prizrenit jemi ndarë në dy pjesë: njëra pjesë studion gjendjen e Prizrenit, të Suharekës e të Dragaçit e pjesa tjetër atë të Gjakovës e të Rahovecit. Si të kryejmë këtë rajon, do të hidhemi nga ana e Pejës.

“Në Plavë e Guci nuk u shkua dot. Ato zona ishin të rrezikuara nga çetat e Mihailoviçit. U shkua gjer në fshatin Kuçishtë në Rugovë, por u kthyen mbrapsht. As në Tetovë, Gostivar e Shkup nuk u shkua dot, se do të duhej të kalohej nga Kaçaniku të cilin e kishin bllokuar bullgarët.

Po në atë raport, pasi flitet për ndarjen e mësuesve në shkolla të ndryshme dhe jepet gjendja e ndërtesave shkollore, thuhet:

“Numri i nxënësve, sidomos i shqiptarëve është shumë i madh, pra, për vitin e ardhshëm për Kosovën e çliruar do të nevojitën shumë mësues, sa vetëm me ata që kemi tani nuk është e mundur kurrsesi të plotësohen nevojat, pra Ministria duhet ta studiojë që tani këtë çështje që është nga më jetësoret për kombin tonë”.

Më 9 Shtator 1941, Ali Hashorva dërgon raportin tjetër mbi Gjendjen Arsimore të Kosovës. Sipas tij në atë kohë kishte 202 shkolla fillore me 30000 nxënës dhe 491 mësues. Kishte tre gjimnaze:  i Prizrenit me 579 nxënës, prej të cilëve 82 shqiptarë; i Pejës në 998 nxënës, prej të cilëve 71 shqiptarë; i Prishtinës me 871 nxënës, prej të cilëve 25 shqiptarë. Në të gjitha shkollat e mesme të Kosovës mësonin vetëm 276 nxënës shqiptarë.

Më pas jepen mendime për rregullimin e shkollave për vitin 1941-1942. Këtu thuhet:

“Të çelen shkolla fillore e foshnjore në 39 qendra. Shkollat të jenë krejt e vetëm në gjuhën shqipe…Të mos lejohet kurrsesi hapja e shkollave minoritare për arsye se serbët e vendit nuk janë veçse shqiptarë e vllehë të semisllavizuar nga shkaku i fesë së përbashkët me serbët; shumë syresh, sidomos në katundet e përzier, e pikërisht në rrethin e Rohovecit, bash ata që e quajnë vetën serbë, flasin shqipen fare mirë, si dhe ne”.

Si qendër arsimore, ndërmjet Gjakovës, që ishte më e pastër si shqiptare, dhe Prishtinës, Ali Hashorva dhe Misioni i tij caktoi Prishtinën. Qëllimi: t’u bëhej ballë rrymave sllave nga veri-lindja. Caktimi i Prishtinës si qendër arsimore në atë kohë, me siguri bëri që, më pas, ajo të bëhej edhe qendër kulturore, politike e administrative, pra kryeqendër e Kosovës.

Në atë raport, jepen dhe këto hollësi për caktimin e Prishtinës si qendër arsimore e Kosovës:

“Në Kosovë është e domosdoshme çelja e një shkolle normale me internat…. Vendi më i përshtatshëm për të na duket Prishtina, mbasi gjendet në qendër të Kosovës e mund të arrihet me lehtësi si nga Veriu (Mitrovica, Jeni-Pazari, Vuçiterna, Podujeva), si nga Lindja (Gilani, Medvegja, Presheva, Kumanova), si nga Jugu (Ferizoku, Kaçaniku e Shkupi), ashtu dhe nga Perëndimi (Peja Gjakova e Prizreni). Prishtina në të ardhmen duhet të bëhet qendër drite e bashkimi shpirtëror si për Kosovën e çliruar, ashtu dhe për pjesën e mbetur jashtë kufijve, që neve, me sa patëm rasë ta shihnim e ta dëgjonim, na u paraqit plot jetë e gjallëri dhe e vendosur të mbetët shqiptare e të çlirohet me çdo mënyrë sapo t ‘i paraqitët rasa e volitshme… Normalja ka për të rrënjosur mirë në qytet edhe gjuhën shqipe që ka pësuar mjaft nga robëria sheku1lore”.

Në Raportin mbi Kurset e Kosovës, Ali Hashorva, më 19.9.1941, thotë:

“Çelja e kurseve verore në Kosovë ka qenë një nga veprat e pakta e më të bukura që ka kryer Shteti Shqiptar në atë vend që nga data e çlirimit të tij e gjer tani. Mundimet e shpenzimet jo vetëm nuk shkuan kot, por u kurorëzuan me fitime shumë të shkëlqyera”.

Dhe, më poshtë, tregon për rol të shumanshëm të mësuesve misionarë:

“Fryma shqiptare në Kosovë kishte mbetur e paprekur dhe e fortë; por, me gjithë këtë, sundimi i rëndë serb dhe ngjarjet e papritshme e të rrufeshme kishin tronditur shpirtin e kosovarit sa që ai s’dinte nga t’ia mbante e si ta fillonte punën për të realizuar ëndrrën e tij të pareshtur: bashkimin e tij të njëmendtë me shqiptarët e tjerë të Shqipërisë së Lirë; në shpirtin e tij mbretëronte shqetësim e nervozizëm. Kishte nevojë për dikë që t’i fliste zëmrës së tij, që ta udhëzonte në rrugën e mbarë të lirisë së vërtetë e të përparimit. Këtë “dikë” kosovari e gjeti te mësuesi shqiptar që i vajti pikërisht në kohën kur ai ndodhesh në gjendjen shpirtërore që treguam. Mësuesi u bashkua shpirtërisht ngushtë me të, duke i ndarë me të të mirat e të ligat, duke i qetësuar shpirtin e duke e drejtuar nga rruga e drejtë e mbarësisë.

“Arsimtarët, si të dehur nga gëzimi, … që posa arritnë në tokën e bekuar të Kosovës, për një herë, sapo që muarrën urdhërin, u shpërndanë gjer në çipat më të largëta e të vetmuar të Kosovës, të parët përfaqësues të Shtetit Shqiptar.

“Kosovarët në këtë mënyrë erdhën në përpjekje të drejt për drejtë me frymën e shqiptarisë së vërtetë, me atë diçka që dëshironin e që s’dinin si t’ia arrinin, për të cilën e kishin intuitën, por nuk e kishin të kthjellët idenë. Te mësuesi kosovarët gjetën vet-vetën”…

Pastaj flitet për nivelin profesional të misionarëve:

“Të gjithë këtë punë arsimtarët e bënë jo vetëm me zellin që treguan, por dhe me zotësinë e tyre. Ne mund të dëshirojmë që shkollat tona të mesme të jenë edhe më të përsosura, dhe është e arsyeshme. Por, e vërteta është se nuk jemi dhe aq shumë prapa. Nga puna që pamë në Kosovë, mësuesit shqiptarë na u duknë në një shkallë më të lartë se mësuesit e ish-Jugosllavisë. Arsimtarët shqiptarë në Kosovë u treguan përgjithësisht në lartësinë e misionit që shteti u ka besuar”.

Më poshtë tregohet për një ngjarje interesante:

“Arsimtari ka të mburret dhe për një punë tjetër që, posa të mos e përmendim ne këtu, mund të mbetët në harresë, ndonëse është me rëndësi shumë të madhe.

“Ja se si :

“Jeni-Pazari, krahina që e ruan me fanatizmë kujtimin e origjinës së saj shqiptare e karakteristikat shpirtërore e fizike, por që, fatkeqësisht ka humbur gjuhën amtare, kishte mbetur pezull, nuk dihesh kujt do t ‘i takonte. Ishte frikë se mos i ngjitësh Malit të Zi. Populli, duke mos dashur në asnjë mënyrë të bashkohesh me Malin e Zi, ishte ndarë në dy pjesë. Njëra pjesë, me nacionalistin e shquar shqiptar në krye, Zotin Aqif Bluta, donte ta lidhtë fatin e krahinës me atë të Mitrovicës, e cila shpresohesh se do t ‘i lihesh Shqipërisë; kurse pjesa tjetër, për të shpëtuar nga Mali i Zi, kishte vendosur të përpiqesh për t’u bashkuar me Kroacinë. Në kohën kur vajtëm ne në Jeni-Pazar për të shikuar në kishte mundësi për të çelur ndonjë kurs, qytetin e gjetëm të stolisur me flamurë kombëtarë, kafenë e madhe të qytetit të emëruar “Kafe Skënderbeg”, gjindarmerinë me shkabë dykrenore, me kurorën e Skënderbeut mbi festën e kuqe, gjithë shenja që na mbushnë zemrat me gëzim; por, me gjithë këto, një komision 5-6 veta ishte nisur për Kroaci, për tu marrë vesh që Jeni-Pazari të bashkohej më të. Mirëpo vajtja e jonë atje, dërgimi i shpejtë i mësuesve dhe entuziazmi që ngjalli çelja e kursit në atë vend, e lartësoi shpirtërisht dhe e forcoi aq tepër pjesën që donte të mbetesh e lidhur me Mitrovicën, sa që kjo pjesë mori krejt fuqinë në dorë duke e mposhtur përfundimisht pjesën tjetër. Dhe kështu Jeni-Pazari, ky qytet i djegur për Shqipërinë, mbeti i lidhur me Mitrovicën dhe po gëzon të drejtat minoritare që i janë dhënë Mitrovicës, Vuçitërnës e Podujevës… Kështu, mund të themi se këtë qytet shqiptar e shpëtoi vepra e mësuesve”.

Shumë shpejt puna filloi të jepte frute.

Më 8 Prill 1942, në një raport mbi inspektimin e arsimit në Kosovë, ndërmjet të tjerave, Ali Hashorva, thotë:

“Në Prishtinë si Normalja, ashtu dhe Internati janë rregulluar për bukuri, ndonëse mungesat i kanë pasur të shumta e, ndonëse, të themi të drejtën, nuk e kanë pasur përkrahjen e duhur nga ana e kësaj Ministrie… Edhe për sa i përket përfitimit të nxënësve në mësime ne, duke marrë parasysh rrethanat e vështira nën të cilat u krijua ky Institut, mbetëm mjaft të kënaqur. Shkolla nuk duket sikur është krijuar sot e me elementë shumë heterogjenë, por sikur të ketë qenë prej shumë kohësh. Vumë re me kënaqësi se nxënësit mësimet përgjithësisht i kuptonin mirë dhe kishin fituar aftësi të shpreheshin në shqipe pa vështirësi. Z.Z. Rexhep Krasniqi e Vasil Andoni së pari, e pastaj të gjithë profesorët që vajtën që në fillim, meritojnë çdo lëvdatë për punën që kanë kryer. Puna e tyre është një përmendore që na jep nder ,,,”.

Një vit Ali Hashorva punoi dhe jetoi familjarisht në Kosovë. Ajo punë njëvjeçare hodhi themele të shëndosha për një veprimtari gjithnjë e më premtuese për ata që do të shkonin më pas. Pas grupeve të para të mësuesve, shkuan në Kosovë dhe grupe të tjera. Deri në fund të vitit shkollor 1943-1944, atje kishin shkuar rreth 300 mësues. Nuk ishte pak për kohën.

Pas një viti pune në Kosovë, Ali Hashorva u thirr në Tiranë dhe u emërua Inspektor Epror në Ministrinë e Arsimit. Më pas, u vendos në postin e rëndësishëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit. Nga ai post, ai u largua më 8.2.1944, ditë në të cilën u arrestua në zyrë dhe u burgos në burgun e Tiranës së bashku me funksionarin tjetër të lartë të asaj ministrie, Ahmet Duhanxhiun, të akuzuar si përkrahës dhe ndihmues të luftës kundër pushtuesit. Mbasi doli nga burgu, Ali Hashorva u caktua në Inspektorinë Eprore ku qëndroi deri sa mbaroi lufta, në 28 nëntor, 1944.

Kjo, pra, ishte ajo punë e madhe, aq e rëndësishme për arsimin dhe kulturën shqiptare, por edhe për çështjen kombëtare në përgjithësi (çështje që në atë kohë shihej krejt ndryshe nga ç’shihet sot), e bërë në një kohë aq të shkurtër, në një periudhë aq të vështirë, nga aq pak njerëz, por aq shumë të përkushtuar dhe, megjithatë, kjo njihet pak ose aspak nga shqiptarët. Deri sot nuk është bërë asnjë studim për të, nga asnjë historian. Kjo ngjarje është lënë në harrese, sepse politika shqiptare që pas vitit 1944 ka mbuluar apo luftuar çdo përpjekje të bërë në të mirë të Kosovës dhe të bashkimit të saj me Shqipërinë, sidomos përpjekjet që u bënë në kohën e fashizmit. Po ashtu, duheshin lënë në harresë persona protagonistë që punuan me shumë zell për Kosovën.

Midis atyre që punuan për ngritjen e arsimit shqip në Kosovë, që nuk u panë me sy të mirë nga regjimi komunist në fillim, por edhe nga regjimet që erdhën më pas, ishin: Ernest Koliqi, Ministri i Arsimit, ai që urdhëroi nisjen e Misionit; Ali Hashorva, ai që e drejtoi Misionin, i pa dëshiruar dhe i mënjanuar krejtësisht nga regjimi komunist; Jonuz Blakçori, anëtar i misionit, i padëshiruar nga regjimi komunist, i internuar në moshë të thyer e vdekur në internim; Vasil Andoni, më pas eksponent i Ballit, i pa dëshiruar nga regjimi komunist; Haki Taha, i pa dëshiruar nga regjimi komunist, ekzekutuesi i kryeagjentit serbokomunist, i antishqiptarit, Miladin Popoviç, mikut të ngushtë të Enver Hoxhës.

    Qershor 2016      

*Fotografia është marrë më 13 korrik, 1941, në Prizren. Në të janë një pjesë e anëtarëve të misionit shkollor. Në rreshtin e parë në këmbë, i katërti nga e majta, me duar të kryqëzuara, është kryetari i misionit, Ali Hashorva.

Pjesët e dhëna në këtë shkrim janë marrë nga arkivi personal i Ali Hashorvës.

 

                           

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Ilir Hashorva, Misioni i Jashtëzakonshëm Shkollor-75 vjet më parë, ne Kosove

Kosovë-Mbështetje nga Laboratori Sandia në SHBA

June 23, 2016 by dgreca

PRISHTINË, 23 Qershor 2016-Gazeta DIELLI/ Përfaqësuesit e Departamentit të Energjisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Matthew Thompson dhe Robert Martinez nga Laboratori Kombëtar Sandia në SHBA, kanë mbërritur në Prishtinë. Ata u pritën nga kryeshefi i Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe për Siguri Bërthamore, Beqir Mezelxhiu.Ai, duke i falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme që Laboratori Sandia i ka ofruar Kosovës, njoftoi për situatën aktuale radiologjike në Kosovë me theks të veçantë në objektet të cilat shërbejnë si deponi të përkohshme për mbetjet radioaktive.

 Sot, Thompson dhe Martinez të shoqëruar nga stafi i Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe për Siguri Bërthamore, takojnë Drejtorin për Shërbime të Korporatës Energjetike të Kosovës, Edmond Nulleshi, dhe do të vazhdojnë me aktivitete të tjera gjatë ditës./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Kosovë-Mbështetje nga Laboratori, Sandia në SHBA

DERVISH HIMA,MENDIMTAR DHE PROTAGONIST I RILINDJES SONË KOMBËTARE

June 23, 2016 by dgreca

(foto ekskluzive nga K.M.SH.)Nxënësit e shkollës „Idadije“ në Selanik.Në rreshtin e dytë nga e majta në të djathtë i treti Mit‘hat Frashëri dhe pranë tij Ibrahim Temo dhe kryemyftiu i shkollës.e.sh.

 Shkruan:Eugen SHEHU/

 Kur kombit i kërcënohet shenjtëria e pavarsisë,ai e ndjen së brendshmi.Dhe nuk qan në heshtje,nuk trishtohet duke pritur vdekjen e sigurtë.Kombi thërret prej zemre dhe prej zemre i përgjigjet trimërisht ata që e duan.Këta burra,në kushtrimin e tyre për atdheun nuk kanë peshuar asesi as jetën e tyre dhe as vdekjen e tyre.Ata kanë thirrur : përpara, duke u vënë vetë në krye të dallgëve,duke bashkuar,gjokset e tyre për të mos lënë të mbytet varka e shpresës shqiptare.Vetëm kështu nën këtë dritë,mund të vështrohet ndershmërisht vepra e atdhetarit Dervish Hima.

Ibrahim Mehmet Naxhiu (Dervish Hima) lindi në Ohër më 1872.Qyteti i bukur buzë liqenit Ohër , do të ngacmonte shpesh imagjinatën e Ibrahimit të vogël.Kur mjergulla binte në ujërat e kaltra të mëndafshta të liqenit,atëherë pamje fantazmagorike shfaqeshin në horizont.Por kur mjergulla fashitej pas rrezeve të dritës,përtej liqenit,në bregun tjetër,dukeshin malet dhe shtëpitë e vogla e të pastra të Pogradecit.Në fëmijërinë e Dervish Himës, e vërteta është se Ohri do të kishte lidhje të ngushta tregëtare e shpirtërore me qytetet e jugut të Shqipërisë,veçmas me Korçën,Kolonjën, Pogradecin dhe Elbasanin.

Rrjedhën normale të shkollarit Ibrahim Naxhiu e ndërpret papritmas,vdekja e parakohe e të jatit.Anipse familja e tyre në Ohër,dikur kish qenë e madhe dhe e begatë,tani gjendja ekonomike kish ndryshuar gati rrënjësisht.Kështu Ibrahim Naxhiu,shkon të mbarojë shkollën e mesme,tek i vëllai,Abdullahu i cili aso kohe jetonte në Selanik.Por meqë shkolla Ruzhdije e Selanikut nuk mund të quhej e plotë,më 1888,djaloshi i vogël nga Ohri merr rrugën e Stambollit duke u përballuar kështu me metropolin nga më të mëdhenjtë e kohës.Pas mbarimit të shkollës së mesme,po me ndihmën e të vëllait,Abdullahut,ai regjistrohet në shkollën e lartë mjeksore-ushtarake “Gjylhane”. Tashmë,përpara Ibrahim Naxhiut,ndodheshin krjtësisht të hapura dyert e shkencës mjeksore si edhe të karierës në Stambollin e lakmuar.Por ai,do të studionte në mënyrë të ftohtë këto për t’iu dhënë veprimtarive të frymëzuara prej shqiptarizmës.Kontaktet e para të tij me Murat Toptanin dhe Ibrahim Temon, e shpërngulën kureshtjen dhe vëmendjen e djaloshit të Ohrit,prej mjeksisë ushtarake,në hallet dhe shqetsimet e mëdha që kalonte atdheu i vet.Më pas Ibrahim Naxhiu u njoh me Sami Frashërin dhe veprën e tij në dobi të ardhmërisë kombëtare.Mendohet se pikërisht ka qenë ky moment që të përcaktohet njëherë e përgjithmonë qëndrimi i guximshëm dhe i prerë i Ibrahim Naxhiut,në dobi të zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare.Në lëvizjen kundër regjimit despotik të Sulltan Hamitit II,Ibrahim Naxhiu përfshihet vendosmërisht,së bashku me mjaft atdhetarë,të inspiruar prej alternativave demokratike e përparimtare,së bashku me Ismail Qemalin,Kadri Hoxhën dhe Ibrahim Temon,biri i Ohrit,mbështeti këtë lëvizje duke parë më larg,ngase në zhvillimet e Perandorisë,ai parashihte fatin e atdheut të vet.Dilemat ishin të shumta por sidoqoftë shpresat e shqiptarëve në fillesat e lëvizjes së Turqve të Rinj,ishin të mëdha. Ka qenë pikërisht pjesmarja aktive e Ibrahim Naxhiut në këtë lëvizje,ajo që çoi në arrestimin e tij,ndërsa ishte student i mjeksisë ushtarake në “gjylhane”.Autoritetet e larta të gjyqësorit turk (ashtu si edhe kundër shqiptarëve të tjerë) u përpoqën të fajësonin rëndë studentin shqiptar.Por pikërisht në këto momente,Ibrahim Temo kërkon përkrahjen e disa miqve të vet,të cilët falë guximit,ndikuan drejtëpërsëdrejti në arratisjen e tij prej burgu.Kësisoj,në moshën 23 vjeçare,në vjeshtën e vitit 1895,përpara Dervish Himës,mbyllen të gjitha rrugët e karierës ushtarake dhe mjeksore.Ai detyrohet të arratiset fshehurazi nga Stambolli,vjen në atdheun e vet,duke i falur krejt çka kish,vrullin,mençurinë,guximin,vullnetin dhe gjithë jetën e tij,çështjes së madhe kombëtare. Duke qenë se në Ohër, Naxhiut i kanë mbetur vetëm kujtimet e fëmijërisë,ai fillimisht vendoset në Pogradec e më pas në Elbasan.Janë vitet e fundit të shekullit,përndryshe vitet e zgjimit të vetëdijes kombëtare.Lidhja e famshme e Prizërenit pat lënë ende gjurmë të thella sidomos në rrafsh të përpjekjeve për mësimin e gjuhës shqipe,Ibrahim Naxhiu,me ato sy zhbirues,e flokëzi,lë mjekër e veshet si dervish dhe nën pamjen prej fetari merr rrugët e Shqipërisë për të kryer deri në fund misionin e vet prej atdhetari.Fshatrat e Pogradecit,Elbasanit,Tiranës por edhe ato të Prespës,Dibrës e Tetovës,do të ndjejnë hapat e tij,zërin e tij  dhe do të shohin të nxjerrë prej uniformës së dërvishit librat shqip,ato shkëndija të atij zjarri të madh çka do të godiste në zemër natën osmane.Prej asaj kohe,Ibrahim Naxhiu do të hynte në zemrat e shqiptarëve duke e thirrur me respekt si Dervish Hima.Pas shtëpive të fshatarëve patriotë,teqetë e bektashinjëve do të mbeteshin të hapura për te nga Kolonja deri në Dibër. Në vitet e fundit të shekullit të kaluar,disa patriotë shqiptarë krijun shoqërinë “Bashkim e Përparim”,qëllimi i së cilës ishte zgjimi dhe përhapja e ideve për autonomi të Shqipërisë dhe prosperitetit të saj.Vlen të thuhet se disa prej këtyre komiteteve,si ato të Ohrit,Manastirit,Shkupit dhe Korçës,u krijuan në ndikimin e drejtëpërsëdrejti të Dervish Himës.Në të njejtën kohë,në verën e vitit 1896,Dervishi i indinjuar prej gjendjes së mjerueshme të Shqipërisë,i dërgon një promemorje Komisionit të Reformave të Rumelisë në të cilën flitej hapur mbi rrezikun e coptimit të vendit të vet prej shteteve ballkanike.”Me hartimin e saj,i dha Lëvizjes Kombëtare Shqiptare një dokument programatik,tepër të rëndësishëm,ku shprehej qëndrimi i Shqiptarëve ndaj reformave turke të prillit 1896.Përmbajtja e saj dëshmon se Dervish Hima ishte formuar tanimë si atdhetar i vendosur dhe mendimtar revolucionar,se ai,sikurse pohonte edhe vetë,kishte zgjedhur pa mëdyshje rrugën e tij :ate të luftës për bashkimin kombëtar të shqiptarëve dhe për çlirimin nga zgjedha osmane”.(K.Prifti , Dervish Hima , faqe 34 ).

Në këtë promemorje,Dervish Hima rreket të nxjerre sjellësit e fatkeqsive në Shqipëri duke ndriçuar ndërkaq disa prej virtyteve më të larta e të trashëgueshme të popullit tonë.Të këqijat dhe rreziqet që i rrinin mbi krye Shqipërisë,sipas tij ishin aq të mëdha saqë nëse përshkrueshin të gjitha,me to mund të mbusheshin vëllime të tëra librash.Duke mbyllur mjaft mirë situatat e turbullta ballkanike, ambicijet e fqinjëve tanë si edhe mbështetjen tradicionale të tyre prej Fuqive të Mëdha,në këtë promemorje denoncon gjithashtu edhe ndërgjegjen e ulët të këtyre fqinjëve që kërkojnë coptimin e atdheut të lashtë të shqiptarëve vetëm e vetëm për hir të pozicionit të favorshëm gjeografik të tij.Dhe në këto momente tepër të rrënda: „Qeveria jonë na shtyp na pi gjakun dhe pak nga pak po na shkatron populli shqiptar që shquhet në dashurinë e zjjarrtë të atdheut,për ndjenjat fisnike,për guximin dhe trimërinë me të cilat ka luftuar në shekuj,,është lënë pa asnjë të drejtë politike,në mjerim e skamje të plotë.Kjo gjendje e këto dhunime që i bëhen atij,kalojnë para syve tanë si faqja më e rrezikshme e historisë sonë“.(Dervihs Hima, Promemorje, Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 19,dosja 12 ).

 

Udhëheqës i Lëvizjes Studentore dhe pendë e mprehtë

 

Në verën e vitit 1897,mbas një ndjenje të rreptë,spiunët e Portës së Lartë,ranë në gjurmët e Dervish Himës i cili propagandonte idetë autonomiste në shtëpitë Elbasanase.Por falë trimërisë së miqve të tij,biri i Ohrit nuk bie në dorë të qeverisë.Ai fshehurazi shkon në Durrës dhe prej aty pas disa ditësh,në fshehtësi të plotë merr udhën e detit duke qendruar më pas në Rumani.Këtu,lidhet menjëherë me miqtë e ngushtë të idealit të tij : Ibrahim Temon,Jashar Erebara,Kristo Luarasi dhe Nikolla Naço.Brenda kësaj lidhje,do të gjallonte jo vetëm dashuria  për dijen shqiptare,por edhe privacionet e përpjekjeve madhore për lëvizjen e madhe kulturore dhe kombëtare.Duke ndjekur kurdoherë nga afër përpjekjet atdhetare të Dervish Himës,spiunët dhe nëpunësit të tjerë të Portës së Lartë,nuk rreshtin së dërguari informacion tek Sulltani.Ka qenë ky shkaku (por duke patur parasysh edhe aratisjen e tij nga burgu) që Stambolli e ka dënuar Dervish Himën me vdekje,në mungesë. Tashmë për kapjen e tij,janë autorizuar krejt aparati policor i Stambollit,madje jo vetëm në Shqipëri Kur e pa se po ndiqej edhe në Rumani,këmba-këmbës,Dervish Hima në një çast rrëmbimi shkon tek ambasadori turk në Bukuresht dhe me zë të rreptë deklaron ;“Nëqoftëse do tmë ndiqni nga Bukuresht mos kujtoni se do të shkoj në Evropë.Jo! Do t’i kushtohem kryengritjes dhe do të hyjë në Shqipëri,për të ngritur popullin në luftë kundër Stambollit“.( A.Q.SH, fondi 19,dosja 33, fleta17 ).

Në Bukuresht (vendqëndrimi më i shpesht i tij) Dervish Hima iu vu një pune të madhe sidomos me propagandimin e lëvizjes autonomiste shqiptare.Këtë lëvizje ai e shihte në rradhë të parë si një betejë të vazhdueshme të krejt forcave intelektuale shqiptare për përhapjen e diturisë,gjuhës dhe shkollës shqipe.Ndër ideatorët dhe kryesuesit e kongresit shqiptar që u mbajt në Bukuresht më 1898,së bashku me Murat Toptanin dhe Faik Konicën,Dervish Hima shtron përpara dy mijë kolonistëve shqiptarë,nevojën e arësimit kombëtar.Rruga e qytetërimit,potencoi në këtë kongres Dervishi,është ajo e çeljes së shkollave në gjuhën shqipe.Inisiator edhe i një telegrami dërguar Sulltanit,Dervishi me argumenta parashtroi rëndësinë e sistemit arsimor çka do ta ruante kombin shqiptar prej zhdukjes fatale të tij.Falë eruducioit të tij,Dervish Hima,shkruante dhe fliste në disa gjuhë.Këtë vlerë të madhe,ai nuk mund ta mbante peng të komplekseve të ndryshme.Pra lidhjet e tij me gazetat e kohës ishin mjaft të mëdha.Ai nisi të botojë analiza e publiçistikë të mirëfilltë në Bukuresht por edhe në disa  gazeta në zë të Evropës së atyre viteve.Replikat me antarë të ndryshëm që përpiqeshin të hidhnin baltë mbi qëllimet e lëvizjes kombëtare shqiptare,do të ishin gjithashtu, natura e dytë e punës.Kështu,ndërsa “Revue d’orient” parapëlqente të çuante lëvizjen tonë si lëvizje të krishterëve shqiptarë,Dervish Hima,në “Shqipëria” të Bukureshtit shprehej ; “Sot shqiptarët,të krishterë dhe muhamedanë,si vëllezër që janë u përqafuan vllazërisht dhe punojnë tok për të drejtat e tyre,për lirinë e tyre,për të këputur ato të këqijat zinxhire të robërisë së turkut”.(“Shqipëria” Bukuresht , nr. 13, datë 2 gusht 1897 ).Ngase pena  e tij shkruan pa ju trembur dënimit me vdekje,ngase kultura e gjërë e tij viret plotësisht në kahje të zgjimit kombëtar,ngase fjala e tij fton për bashkim të shqiptarëve,në fundjanarin e vitit 1899,studentët shqiptarë në Rumani e zgjedhin njëzëri Dervish Himën si kryetar të “Rethit të studentëve shqiptarë”

Me një stil të hollë gazetaresk,por edhe me mendime të qarta dhe emocione të mëdha,Dervish Hima,në muajin prill 1899,nxjer të qarkullojë dorë më dorë,broshura e titulluar  “Të zgjohemi !”. Në faqen e parë të saj,biri i Ohrit nuk ka munguar të shënojë se këtë broshurë ja dedikon shpirtit të shenjtë të Abdyl bej Frashërit.Në këtë ese politike (nëse mund të quhej kështu) Dervish Hima i bënë një analizë të thellë Shqipërisë në fundin e shekullit të kaluar.Haptaz ai demaskon politikën antishqiptare të Turqisë si edhe qëndrimin armiqsor të monarkive ballkanike të cilët bashkarisht “po përgadisnin shkatërimin e plotë të Shqipërisë”.Shqipërisë,këtij vendi të lashtë po i vidheshin jo vetëm prodhimet e tokës por edhe pasuritë nëntoksore të saj,po i vidheshin gjithashtu mjete e relika të lashtësisë çka synonin në humbjen e vet identitetit kombëtar.Përpara kësaj drame të mynxyrshme, biri i Ohrit , thërriste të mblidheshin energjitë,të bashkoheshin shqiptarët e krejt trojeve etnie dhe të marshonin me guxim përpara drejt autonomisë dhe lirisë së tyre.Unë mendoj se më tepër moral se thirrje politike,fjalët e tij në disa rreshta janë sentencë e zgjimit të vetëdijes sonë kombëtare; “Nuk ka marrëzi më të madhe se sa të besosh se,veç nesh,shqiptarëve,mendon ndonjë tjetër për shpëtimin e atdheut tonë dhe për luftën që duhet të bajmë ne…” ( “Të zgjohemi” fq.2 ).

 

Ideator dhe zëri i fuqishëm i ndërgjegjes kombëtare

 

Më 1900-1902,Dervish Himën e shohim të punojë në Romë.Ai u lutet disa miqve të vet të cilët e ndihmojnë financiarisht dhe boton në Itali gazetën “Albania”.Që në numrin e parë të saj,biri i Ohrit shpalos idenë e bashkimit të shqiptarëve dhe kundërtshtimit që ata duhet t’i bëjnë politikës shtypëse të Portës së Lartë.Pos të tjerave,në shkrimet e “Albanias” Dervish Hima kërkonte të zgjonte vetëdijen kombëtare shqiptare,kërkonte të ndriçonte ndjenjat mëmëdhetare të bashkëkombasve të vet në ag të shekullit.Tashmë ai mban lidhje të drejtpërsëdrejta me Ismail Qemalin si edhe shqiptarë të tjerë që jetonin prej shekujsh në Italinë e jugut.Madje në një kongres të arbëreshëve për gjuhën shqipe përfaqson me dinjitet shqiptarët e trevave të Kosovës e Maqedonisë. Ka qenë pikërisht ajo frymë thellësisht kombëtare,ai patos i ngrohtë i dëshirave për zgjim të shqiptarëve dëshmuar në “Albania” të cilët bënë të thirrej disa herë në policinë e Romës.Ndërhyrjet e ambasadës osmane këtu ishin shumë të mëdha ndaj disa herë Dervish Hima është kërcënuar prej utoriteteve policore për mbylljen e gazetës.Veçmas,telashe të mëdha do të hapte artikulli i shkruar prej tij me titull ; “Një krahasim midis Sulltan Hamitit dhe katilave të tmerrshëm të shekujve të kaluar”.Në te duke marrë shkas nga e kaluara,Dervish Hima,nuk nguron të nxjerrë në shesh krejt mizoritë e Portës së lartë dhe Sulltan Hamitit duke thënë paskëtej se e vetmja rrugë që u mbetet shqiptarëve është pikërisht revullucioni i përgjakur.Tashmë urdhëri i autoriteteve policore të Romës është i prerë.Gazetari dhe atdhetari ,Dervish Hima,nuk mund të qendrojë në Itali dhe merr rrugën në fundmajin e vitit 1902 për në Zvicër.Në Zvicër fillimisht jeton në Lucern.Për të siguruar bukën e gojës është i detyruar të punojë disa kohë si përkthyes.Falë dhuntive të tij,Dervishi fliste e shkruante në turqisht,frengjisht dhe italisht.Natyrisht për një atdhetar si ai,përkthimet do të përbënin pjesën më të rëndomtë të kohës së vet.Edhe këtu përpiqet të hape sërish gazetën “Albania”.Por ngase të dy vëllezërit ja kanë internuar në Anadoll,atë s’ka se kush ta ndihmojë.I drejtohet Ibrahim Temos dhe disa miqve të tjerë të cilët duke parë tek Dervishi atdhetarin e paepur e ndihmojnë financiarisht me sa mundin.Pas disa muajve të qëndrimit në Lucern,i drejtohet Gjenevës e cila natyrisht do të shëndrohej në një tribunë të mendimit të guximshëm e demokrat të Dervish Himës. Fillon të botojë në shqip,turqisht, e frengjisht « Albaninë” e dashur të tij ! Është e njohur sidomos dashuria e deri në dhimbje e tij për këtë gazetë ngase shpesh herë mbetej pa ngrënë po askurrë nuk e ndali botimin e saj.Dervishi mbante kontakte të vazhdueshme me atdhetarë të tjerë në Shqipëri e Kosovë duke përpjekur kësisoj që “Albania” e  tij të pasqyronte në vërtetsi gjithshka që ndodhte në atdheun e vet.

Viti 1903 do të sillte re dhe bubullima në qiejt shqiptarë.Tashmë,përballë mizorive të Shemsi Pashës,do të vireshin gjokset e burrave të Mitrovicës e Pejës.Në këtë qëndresë madhore,konturohej qartë jo vetëm lufta për kullat por edhe për një autonomi të zgjeruar të shqiptarëve.Dervish Hima ndiqte me vëmendje të madhe këtë situatë tronditëse dhe përpiqej të pasqyronte me vërtetësi,heroizmin masiv të bashkëkombasve të vet.Tek e mbramja,gjaku i derdhur në Mitrovicë e Pejë,nuk duhej humbiste rrëmbave e damarëve të tokës sonë të lashtë.Ai duhej t’u dëftohej të tjerëve se nuk rridhte prej një hakmarrje të verbër. Në “Albanië” e datës 15 prill 1903,pos të tjerave,Dervish Hima deklaronte ; “Shqiptarët duhet t’i deklarojnë Evropës se edhe ata duan reforma,pra do të kundërshtojnë ata që nuk janë të përgjithshme,që nuk përfshijnë gjithë atdheun tonë dhe u japin mundësi sllavëve të coptojnë trojet tona,të na dëmtojnë të ardhmen tonë”. Nga kjo tribunë e mendimit të lirë,Dervishi njëherazi demaskon edhe intrigat e bullgarëve e të maqedonasve të cilët punonin në mënyrë të fshehtë për coptimin e trojeve shqiptare.Ndërkaq,gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij në Zvicër e Belgjikë,Dervish Hima bashkëpunon me shumë gazetarë të kohës e sidomos lidhja e fortë me Mit’hat Frashërin duke u përpjekur të ndërkombëtarizojnë çështjen shqiptare.Metropoli evropian nuk mund t’ia zvetnojë aspak dashurinë për vendlindjen.Mban lidhje me anë letrash,me Shahin Kolonjën,Bajo Topullin,Ibrahim Temon,Mit’hat Frashërin dhe atdhetarë të tjerë të njohur nga krejt vilajetet shqiptare.Ka qenë pikërisht vera e vitit 1908,kur Dervish Hima,pranon të kthehet në Shqipëri.Malli për Ohrin e ka zhuritur ndërkohë që,nga fëmijëria e tij shumë pak gjëra kanë mbetur pa u rrënuar.Por ka mbetur e kristaltë si ajo bora në majëmale,dashuria e madhe e tij për lirinë e kombit të vet.Vjen së pari në Shkodër ku takon miqtë e vjetër të tij.Ndërsa lëvizja e turqve të rinj,pat hedhur një vello të lehtë besimi në mjaftë shqiptarë.Ata shihnin tek kjo lëvizje një shpresë për të ardhmen e tyre.Por ndryshe mendonte Hima.Tejpamës si gjithmonë,këtë lëvizje ai e pat përcaktuar si një hap të parë.Dhe vetëm kaq.Më pas,vet shqiptarët duhej të merrnin në duar fatin e tyre ngase lirinë nuk ta dhuron askush.

Porta e Lartë,gjithsesi ndjek me anë të spiunëve,veprimtarinë e Dervish Himës.Dhe u desh vetëm një fjalim i vetëm i tij,disa minuatash mes përkrahësve të turqve të rinj,që pas disa orësh,të arestohej në dhomen e vogël të hotelit në Shkodër.Duke e mbajtur të mbyllur në burgun e qytetit,autoritetet e turqve të rinj,kërkonin të mbullnin një zë,një shteg prej nga gjeneronte çdo moment dashuria e madhe për liri.Por asesi burgu nuk do t’ua falte këtë kënaqsi autoriteteve të larta pro turke.Pikërisht, në një prej letrave të burgut të tij,Devish Hima shkruante ; “Xhonturqit,të cilët prej vitesh kanë hedhur mbi mua zjarrin e urrejtjes e të zemërimit,po derdhin tashti si vullkan llava mbi kokën time.Nazimi,Rizaj dhe shokët e tyre kanë shkuar shumë përpara.Pandehin se duke më burgosur mua,do të shuajnë një ide,do të shuajnë një ideal.Jo! Tash Shqipëria shpëtoi.Liria nuk mund të fitohet pa njerëz që flijohen.Edhe unë dergjem në burg për atdheun tonë.Rroftë Atdheu !”. (Arkivi Qendror i Shtetit , fondi 19 dosja 32 , faqe 431 ).

Ndërkaq atdhetarët brenda dhe jashtë Shqipërisë u përpoqën me çdo mjet të ndikojnë në organet policore dhe gjyqsore osmane për të nxjerë nga burgu Dervish Himën.Mjaft gazeta të fundvitit 1908 shkruan lidhur me këtë fakt madje pati edhe gazetarë të huaj që muarrën në mbrojtje shokun e tyre të penës.Madje Zhorzh Lorand,kryetar i “Lidhjes Belge për mbrojtjen e të drejtave të njeriut” i dërgoi telegram Komitetit Qendror të “Bashkim e Përparim “ të Selanikut (vend ku ishte çuar për t’u gjykuar Dervishi).Por edhe klubet shqiptare kudo ku ishin,deri ato të Amerikës nuk mbetën prapa në këtë drejtim.Ata i ishin drejtuar hapur autoritetit të turqve të rinj duke thënë se burgosja e Dervish Himës,ishte tek e mbramja,burgosja e mendimit dhe fjalës së lirë.Është pikërisht kjo luftë e pandërprerë e atdhetarëve shqiptarë dhe shtypit progresist evropian që në fundvitin 1908,pas 6 muajsh burg,gjykata e Selanikut i dha lirinë Dervishit.Se çfar gëzimi u ndje ato ditë mund të mësohet nëpërmjet gazetës “Korça”.”Me të hedhur këmbën jashtë gjykatores,gjithë shqiptarët dhe atdhetarët e vërtetë u ngritën në krah dhe ecën nëpër të gjitha rrugët e Selanikut.S’meti njeri,si të mëdhenj e të vegjël,si burrat dhe gratë,duke derdhur lotë gëzimi,thirrën e bërtitën :Rroftë Dervish Hima!”(Gazeta “Korça”-Korçë 7 janar 1909,numër 3 , “Letër nga Selaniku “).

  Pesë muajt e burgut,ia patën ligur shëndetin Dervish Himës.Ai u gjend krejt papritur në qelitë e ftohta e pa dritë.Por askurrë shpirti i tij i madh nuk u dha,askurrë nuk u ligështua.Është tepër domethënës fakti që gjatë kësaj periudhe biri i Ohrit,shkroi shumë letra domethënës,fakti që gjatë kësaj periudhe biri i Ohrit,shkroi shumë letra dhe duke njohur fukarallëkun e xhandarëve,mundi të komprometojë njërin prej tyre të cilin më pas e pati korier të sigurtë.Kësisoj letrat dhe mendimet e të burgosurit të fjalës së lirë,merrnin udhët për tek miqtë e tij.Liria e tij,ajo çka deshi më tepër Dervishi në jetën e vet,egzistonte tashmë e paprangosur në ato letra dërguar miqve.Një shpres endej në qiell si një zog që e kanë plagosur në krah.Por ato ç’ka mundi ti thotë në letrat prej qelive të errëta,ato fjalë shpirti që s’mund t’i pëshpëriste në sytë e xhandarëve mjeranë,Dervish Hima i tha zëplotë,në marsin e vitit 1909.Në Selanik ai boton një broshurë-hymn me rreth 15 faqe,të titulluar “Një zë nga burgu në periudhën e lirisë”.Në fakt kjo broshurë,u shërbeu shqiptarëve të asaj kohe si një traktat madhor për vetëdijësim kombëtar të tyre.Në këtë traktat,Dervish Hima,demaskon me fakte dhe forcë të papërmbeajtshme monarkinë absolute të sulltanit,të këqijat e mëdha të kësaj monarkie që shfaqeshin në mohimin e plotë të lirisë njerzore,në shtypjen e çdo lloji dinjiteti,në egzistencën e krimit përbindësh ndaj çdo vlere kombëtare.Revullucioni i korrikut i vitit 1908,i udhëhequr prej turqve të rinj,natyrisht e goditi rëndë këtë absollutizmin .Por kurrsesi ky revullucion nuk mundi të shembte mentalitetet dhe praktikat e Portës së Lartë.Këtë e dëshmuan udhëheqësit e turqve të rinj që në fillimet e përpjekjeve të tyre.Pra për Dervish Himën kishin të bënin me një absollutizëm të ri i cili (natyrisht në forma më të stërholluara) shfaqej tanimë nën një emër të bukur e gjëmimtar siç ishte “Hyrrjeti”(liria).Këtë ai e parashihte sidomos në pengimin që iu bë prej turve të rinj,çdo mendimi dhe ligjërimi të lirë,çdo vullneti të zgjuar të popujve ballkanik që lidhej me prosperitetin e tyre. Në “Një zë nga burgu në periudhën e lirisë”,Dervish Hima flet me tone të ashpra ndaj despotëve të Hyrrijetit të cilët nën demagogjinë e lirisë u vërsulën me zjarr e hekur për të ndëshkuar patriotët e vërtetë,kudo ku ato ndodheshin,në çdo kënd të përandorisë.Dhe ndërsa burgjet e Portës së Lartë,mbusheshin me këta kasnece të ardhmërive kombëtare,zyrat e shtetit të gjysëmhënës ishin plot e përplot me spiunë gjithfaresh,me rryshfetxhinj e gjakatarë gjithfarësh. Përballë këtij zhgënjimi të madh ndaj politikës së turqve të rinj biri i Ohrit,natyrisht nuk mund të kapitullonte.Edhe pse në horizontet e venitura të atyre viteve,ai parapa të ardhmen e Shqipërisë,fatin e saj.Dhe mendimi potencial e largpamës i Dervish Himës,ishte se ky fat nuk duhej pritur me sytë nga qielli.Ai ishte në duart e bashkëkombasve të tij e veçmas në duart e gjeneratës më të re në moshë,të shqiptarëve.Duke ju drejtuar pikërisht këtyre të rinjëve,Dervishi shpallte në traktatin e tij, kredon e popullit tonë,ate ndjenjë atdhetare që për mbijetesën e vet u mbështet në gjokset e njoma të bijve.Me penën që i dridhej në duar,Dervish Hima shkroi : “ O ju shqiptarë të rinj ! o bij të atdheut të dashur ! Jo të prekeni por të zgjoheni nga këto veprime despotike që po kryhen në këtë periudhë të lirisë… O ju të rinj shqiptarë të zgjuar ! Marrshoni pa u ndalur e me guxim në rrugën e gjërë që i keni caktuar vetes me vullnetin tuaj të lirisë.Të gjithë përpara ! E ardhmja e atyre që përpiqen e luftojnë pa e përfillur fare jetën,është fitorja. Përpara ! Ata që i kushtohen tërësisht së vërtetës, më në fund do të fitojnë.Përpara ! Njeriu me vullnet kapërcen majat e maleve më të larta!”.( Dervish Hima,”Një zë nga burgu në periudhën e lirisë “ faqe 15 ).

Kongresi i Dibrës i fundkorrikut të vitit 1909,do të nxirte në pah edhe një herë mençurinë dhe guximin e Dervish Himës.Ai përpara këtij Kongresi ka punuar më së shumti në Manastir, Ohër,Pogradec dhe Korçë për të ngritur komitetet e fshehta shqiptare të cilat punuan për të vënë në jetë vendimet kulmore të kongresit të manastirit.Në bashkëpunim të ngushtë me patriotë të tjerë dibran si Vehbi Dibra,Fehmi Zavallani,ky bir e trim i Ohrit e kthen kongresin nga një manipulim të turqve të rinj,në një zjarr të madh të problemit kombëtar.Gjersa  turqit e rinj nëpërmjet përkrahësve të tyre ,patën  përgaditur një program që pritej të miratohej në këtë kongres.Ideja e këtij programmi,në thleb kishte të bënte me besnikërinë që krejt popujt ballkanik të tregonin ndaj perandorisë së gjysëmhënës.Por edhe pse kongresi i Dibrës,u manipulua prej turqve të rinj,këto lodra e pazare në dëm të ardhmërisë shqiptare u demsakuan prej atyrre burrave që nuk u dridhej qerpiku kur ishte fjala për të vërtetën.ishte pikërisht ky grup,kjo plejadë atdhetarësh, (në mes të cilëve edhe Dervish Hima) të cilët demaskuan qëllimet absollutiste të Turqve të Rinj dhe parashtruan e miratuan një program me kërkesa dhe ide thellësisht kombëtare që kishin të bënin sidomos me çeljen e shkollave dhe gjuhën shqipe.Është njohur oratoria e Dervish Himës në këtë kongres.Kaq therëse ishte kjo oratori,saqë në një moment,në sallën ku zhvillohej kuvendi,një oficer xhonturk (por i veshur si civil) i vuri grykën e revoles në gjoks,birit të Ohrit.Kaq u desh që burra të tjerë trima të ngiheshin e të mbronin Dervish Himën jo vetëm fizikisht por sidomos moralisht ngase e dinin se kauza e tij,ish shpresa e një kombi që donte të dilte përgjithmon në dritëlirie.Lidhur me qëndrimin burrëror të Dervish Himës,shtypi i asaj kohe shkruante ; “Në krye të atyre që patën kurajon të thonë se s’duan të nënshkruajnë verbërisht,çfar tu nxirret përpara… ishte atdhetari ynë zemërluan,Dervish Hima “.(Gazeta “Dielli” , Boston, 3 shtator 1909 ).

Edhe pas kongresit të Dibrës,veprimtaria atdhetare e Dervishit nuk u shterr askurrë.Ai ndërmerr në vitin 1909 një udhëtim për në Anadollin e largët ku rronin të internuar dy vëllezërit e tij.Dihet se ka qenë pikërisht veprimtaria atdhetare e Dervish Himës,sidomos ajo kundër turqve të rinj,që i mbante peng vëllezërit me gjithë familjet e tyre.Sidoqoftë,shihet se këto takime nuk ja fashitën aspak guximin e hapur dhe veprues,Dervishit i cili rimerrte forca pas çdo brenge e dhimbjeje.Kjo u duk më së paku në Kongresin e dytë të Manastirit.Ky Kongres,i inicuar prej atdhetarëve shqiptarë,u parapa si një përpjekje e domosdoshme për përhapjen e diturisë.Tashmë premtimeve të turqve të rinj se do të çelnin shkolla shqipe,u kishte dalë boja.Jo vetëm kaq,por duhet pranuar se ata pengonin këtë prosperitet kombëtar ndërsa nuk pengonin përhapjen e diturive në viset e tjera perandorake siç ishin ato të Greqisë,Bullgarisë,dhe Serbisë.Duke dalë përballë dhe hapur,kundër këtij qëndrimi regresiv,patriotët e mbledhur në Manastir dëshmuan pos të tjerave vendosmërinë e tyre për gjuhën,alfabetin dhe shkollat shqipe,deri në sakrificën më sublime.Megjithatë duhet thënë se ky kongres,do të ngrihej në nivele të larta të ndjenjave kombëtare,jo vetëm kundër mashtrimeve të turqve të rinj.Parë në një rrafsh më të gjërë,aty jepej ideja e  madhe se shqipja do të luftonte për mbijetesë dhe kundra reprezaljeve ogurzeza të obskuratizmit ortodoks serbo-greko-bullgar.Në këtë kuvend,ku pos të tjerave muarrën pjes Qazim Dibra,Dervish Hima,Petro Nini Luarasi,Gjergj Qiriazi dhe Qamil Shkupi,u gjykua se e vetmja rrugë e autonomisë dhe pavarsisë kombëtare shqiptare,ishte ajo e diturisë.Shqipërisë askurrë si patën munguar trimat.Tani lipsej mençuria e fshehur diku në periferitë e zgjimit tonë kombëtar.

Dervihs Hima erdhi në Kongresin e dytë të Manastirit që u mbajt në 2-3 prill 1910,si delegat i klubit shqiptar të Stambollit.Në këtë kuvend madhorë,duke patur parasysh veprimtarinë e palodhur të tij,atdhetarët vendosën që Dervish Hima ta çelte Kongersin.Me ate sinqeritet dhe pjekuri që karakterizohej,ky burrë trim,anipse i ndjekur vazhdimisht prej portës së lartë,nuk mungoi të bënte një analizë të thellë të gjendjes së arsimit dhe krejt lëvizjes kombëtare shqiptare të asaj kohe.Por fjala e tij e mençur i kaloi caqet e shkollave e të shkronjave shqipe.Gjendja e vajtueshme në Shqipëri,nuk mund të kalohej në heshtje prej tij ndërsa fqinjët tanë ishin hedhur në sulme të fshehura për të  pregaditur coptimin (siç ndodhi në fakt).Serbët,grekët dhe bullgarët,nuk do të mund të ndaleshin përpara asnjë pengese që të realizonin qëllimet e veta.Duke u ndalur në rrugët e afirmimit të lëvizjes kombëtare shqiptare,Dervish Hima,nga tribuna e kongresit të dytë të Manastirit ngriti fort zërin për një bashkim imediat të shqiptarëve.”Që sot e tutje nuk ja vlen të përmendim aspak fjalët gegë,toskë,çamër,labër e të tjera,por vetëm shqiptarë…Ne duhet të punojmë siç kanë punue në kohën e tiranisë,vëllezërit tanë,Jani Vreto,Vaso Pashë Shkodrani,Kostandin Kistoforidhi,Ismail Qemali,më i madhi diplomat i Turqisë dhe shumë të tjerë,të cilët të gjithë së bashku,ortodoks,katolikë e myslimanë punuan si atdhetarë e patriotë të vërtetë”.(“ Mendimi politik e shoqëror i Rilindjes “ vëllimi i dytë , faqe 417 ).

Ndërkaq në vitet 1910-1912,Dervish Himën do ta shohim të pandarë prej mallit dhe dëshirës të parë të tij publicistikës.Ai sërish kërkon ndihma ndër miq dhe boton në Stamboll gazetën “Shqiptari” në gjuhën turqisht dhe shqip.Tashmë ç’prej kryeqytetit të perandorisë,ai shpalos mendimet e veta,atdhetare duke u bërë karshillëk mjaft gazetave servile të turqve të rinj.Për të ardhur kësisoj në vitin e madh të historisë shqiptare 1912. Tashmë jetën e birit të Ohrit,ideali i lirisë është kthyer njëlloj si frymarrja.Asgjë ska kuptim pa liri,madje jeta ndjehet fajtore pa egzistencën e lirisë njerzore.Në mars të vitit 1912,takohet në Bukuresht me Luigj Gurakuqin.Bashkohen të dy jo vetëm në shpresa e mesazhe por sidomos në ate frymë luftarake vepruese që vlen të karakterizojë çdo shqiptar të ndershëm.Paskëtej vjen në Shqipëri.Intuitivisht,Dervish Hima e ka parandjerë se qendra e ciklonit të pavarsisë,ishte Kosova.Por nëse kjo qendër do të mbetej vetëm aty,nëse cikloni nuk do të përhapej në krejt vilajetet shqiptare,atëherë pavarsia aq shumë e ëndëruar mund të kishte një fund të dështuar,ose më mirë një dështim që në djep.Së bashku  me Hill Mosin dhe një grusht atdhetarësh të tjerë,Dervish Hima mer rrugën për në jug të Shqipërisë.Ai nis menjëherë,me krijimin e komiteteve shqiptare në Korçë,Elbasan dhe Vlorë të cilët duhej menjëherë të përkrahnin pa rezerva kryengritjen e prillit 1912 në Kosovë.

Kryengritja e armatosur ishte në prag.Por ajo duhej ideuar,ngritur dhe mbrojtur trimërisht ngase rreziqet e Shqipërisë ishin kaq të mëdhenj e të paparashikueshme.Pas tërë asaj veprimtarie të lodhshme në jug Dervish Hima niset edhe në trevat shqiptare të çamërisë.Aty pritej me dashuri prej vendasve të cilët anipse se kanë njohur për fytyre,e kanë lexuar me dhjetra herë,në dhjetra gazeta duke ia njohur shpirtin e madh dhe guximin e patreguar.Në Gumenice e Filat,atdhetarët çam organizojnë edhe tubime ku qindra trima mblidhen të dëgjojnë zërin e bashkëkombasit trim të tyre.Dhe ndërsa me një shpresë,Valiu i Janinës,i ndalon Dervishit hyrjen në Shqipëri,ky i vendosur i shkruan mikut të tij deri në vdekje,Ibrahim Temos : “Me ç’shoh,këtë herë nuk mjafton vetëm pena për t’u përleshur me këta rezila  ndaj do t’i drejtohemi edhe mjeteve të tjera”.(Arkivi Qendror i Shtetit , fondi 19 , dosja 32 , faqe 449 ).

Në qëndrimin e tij në Korfuz,në majin e vitit 1912,Dervish Hima takohet me Luigj Gurakuqin.Të njohur prej kohësh,dy burrat e Shqipërisë janë në të njejtën ide.Lufta diplomatike e udhëheqësve shqiptarë të kombit tonë,doemos duhej të bashkërendohej me përgaditjen e formacioneve luftarake për të arritur ate çka thosh Sami Frashëri që edhe kur bisedojmë me armiqtë tanë,pushkën duhet ta kemi plot.Mandej me porosi të Gurakuqit,biri i Ohrit vazhdon të rrije në Korfuz duke agjituar e propaganduar idenë fatlume të kryengritjes së armatosur në jug të shqipërisë.Që këtu lidhet me letra me Sali Gjukën i cili në Selanik kishte ngritur në këmbë rininë studentore shqiptare.Duke qenë se Gjuka kish punuar disa kohë në gjimnazin e Shkupit,mjaft nxënës të tij i shkonin prapa duke adhuruar sidomos atdhetarinë e këtij burri të madh.Duhet thënë se çeta e studentëve shqiptarë në Selanik,u ndihmua prej konsullit grek në Selanik por me qëllim që të luftojë në Kosovë dhe jo të vejë në jugun e Shqipërisë ku pretendimet greke ishin bërë të njohura.Por këmbënguljen e Dervishit,çeta e studentëve kalon në Korfuz dhe aty studentët bëjnë kontakt të dretëpërsëdrejti me idetë dhe vetë Dervish Himën.Bisedat e vazhdueshme e të hapura të Dervishit në Korfuz,si edhe një Manifest i shtypur dhe i shperndarë në krejt jugun në emër të “shoqërisë së studentëve shqiptarë”, bënë që autoritetet policore të Korfuzit të merrnin masa ekstreme.Në një mëngjez të korrikut të vitit 1912,ata thërasin në zyrat e tyre Sali Gjukën duke i deklaruar që së bashku me Dervishin dhe krejt çetën e studentëve,të largoheshin sa ma shpejtë për në Stamboll.Dervish Hima i pafriguar askurrë,së bashku me Gjukën dhe krejt çetën e armatosur të studentëve,në kundërshtim me urdhërat e policisë,me një kaike të thejshtë,fshehurazi zbarkojnë një natë korriku në brigjet e Ksamilit shqiptar.Aty natyrisht i dinin se edhe këtu,policia turke do t’i ndiqte këmba – këmbës,do t’i arestonte e mund t’i vriste por nuk mund të ktheheshin pas.Nderi dhe besa e  dhënë, e donin që në orën e madhe të lirisë që po binte,ata të ishin aty në fushën e luftës.Së thelli ata e ndjenin se në këtë orë të historisë shqiptare,vlente trimëria e krejt etnisë përpara dallgëve që rezervonte trilli i fatit. Dy muaj çeta e Dervish Himës dhe Sali Gjukës, u end në Sarandë,Gjirokastër e Vlorë.Rradhët e kësaj çete u mbushën me patriotë të tjerë djem të rinj që duke marrë bekimin e baballarëve të tyre u rreshtuan në radhët e luftëtarëve të lirisë.Natyrisht,veprimtaria e çetës së studentëve do të binte në sy të autoriteteve osmane të jugut.Këta mobilizojnë një batalion të tërë në Gjirokastër dhe i bëjnë çetës djaloshare një pritë në rrethinat e saj.Falë mençurisë së popullit,dhe dashurisë së tij për bijtë e vet studentë,çeta del prej rrethimit duke  vazhduar më pas misionin e vet fisnik.Lidhur me këtë veprimtari të kësaj çete,Bilinski,konsulli Austriak në Janinë njoftonte Vienën se :

“Gjendja po keqësohet së tepërmi për shka se Dervish Hima me shoqëruesit e ardhur nga Korfuzi po zhvillojnë një veprimtari agjitative të gjallë në Sanxhakun e Gjirokastrës.Rebelët që janë nën udhëheqjen e Dervish Himës,sot për sot ndodhen afër lokalitetit të Kardhiqit në perëndim të Gjirokastrës”.(Arkivi i Institutit të Historisë sipas H.H.S A.PA.janinë 21 korrik 1912 ).

  Në ditën e shenjtë të 28 nëntorit 1912,edhe pse i zgjedhur si përfaqsues i Ohrit,Dervish Hima nuk mund të ishte në Vlorë.Prej Stambolli (ku gjnedej në fillim të nëntorit) ai shkoi në Triestë duke pritur ndonjë vapor që mund të shkonte në Vlorë a në Durrës. Por pritja ishte e gjatë dhe e lodhshme.Ngritja e flamurit të lirisë,përfaqsuesi legjitim i kazasë së Ohrit, e ndjek me emocione përtej detit.Ai do të dëshironte me zjarr të kishte krahë pëllumbi e të fluturonte mbi dallgët e Adriatikut por dëshira,në kufijtë pa skaj të fantazisë. Anipse nuk mundi të vije në Shqipëri,në dimërin e vitit 1912-1913.Dervish Hima lufton me penën e tij duke u angazhuar në disa prej gazetave të mëdha të Austrisë e Italisë.Jehona e këtyre shkrimeve polemizuese është e madhe.Duke iu kundërvënë sulmeve të hapura të fqinjëve ballkanik,ky si  edhe plotë atdhetarë të shquar shqiptarë,morri përsipër barrën e ndërgjegjsimit të opinjonit evropian se pa respektim të kufijve të Shqipërisë natyrore nuk mund të ketë të ardhme të qetë për ballkanin në tërësi e mandej për krejt Evropën juglindore.Në mesin e marsit 1913,duke parandjerë rrezikun e madh të coptimit të trojeve shqiptare,në rrafsh të përpjekjeve të atdhetarëve tanë,është edhe mbajtaja e një kongresi shqiptar në Trieste.Në këtë kuvend madhor,ku përfaqsoheshin trevat më të shumta shqiptare,biri i Ohrit u radhit në krahë të Fuad Toptanit,Abdulla Strugës,Faik Konicës,Hil Mosit,Ahmet Gjilanit dhe dhjetra mendimtarëve të tjerë  shqiptarë.Në fjalën e tij të zjarrtë,Dervish Hima u ndal në tokën e bekuar të Kosovës.Duke dënuar pushtimin serb të kësaj toke,ai nuk harroi të kujtoi se ishte pikërisht Prizëreni,ai djep shqiptarizme “ku u hodhën themelitë e shtetit shqiptar dhe u bënë dy kryengritje të mëdha”.Shqipërinë,pa troje të tjera në verilindje dhe jug,ai do ta përcaktonte si një trup pa kok e këmbë.Në bashkim të krejt trojeve etnike shqiptare,ky burr i shquar parashihte të ardhmen e sigurt të kombit të vet.Në fund,ky kongres i konceptuar si një thirje ndaj rrezikut kombëtar,i dërgoi edhe një rezulutë Konferencës së Ambasadorëve në Londër duke kërkuar krejt rikthimin e territoreve shqiptare të okupuar,bazuar në principiet universale të botës së qytetëruar.Kongresi ndërkohë,pat zgjedhur si kryetar Hil Mosin,ndërsa nënkryetar Faik Konicën dhe Dervish Himën.

Në vitet që rrodhën më pas,Dervish Himën e shohim kurdoherë në rradhët e atyre burrave që jetuan çdo sekondë të jetës së tyre me shqetsimet e mëdha të kombit.Shqipëria në vitet 1912-1915 u lëkund disa herë pothuaj në buzë të varrit por vetëm bijtë e saj të shqipes mundën ta mbronin nga humnera. E sulmuar nga Mal i Zi e Kosovë,në Shkup e Dibër,në Korçë e Gjirokastër,prej fqinjëve të saj,kjo Shqipëri nuk mundete t’u bënte ballë.Kufijtë e saj sa vinin e rudheshin duke shkuar kësisoj në coptimin e mëtejmë,a thua nuk mjaftonte Londra e vitit 1913.

Në verën  evitit 1916,Dervish Hima shkon në Elbasan.Qëllimi i tij imediat,është çelja e shkollave shqipe,duke kuptuar së thelli rëndësinë e diturisë për shqiptarët.Këtu bashkëpunon ngushtë me Luigj Gurakuqin,Bajram Currin,Aqif Pashë Elbasanin dhe Hil Mosin.Madje pas disa muaj veprimtari,emërohet në detyrën e zëvendës prefektit të Elbasanit,ndërkohë që prefekt ishte një tjetër atdhetar i madh demokrat Aqif Pashë Elbasani.

I paharuar do të mbetet për popullin arsimdashës dhe me kulturë të Elbasanit veçmas,fjala e Dervish Himës në tubimin madhështor me rastin e 28 nëndotit të vitit 1917.Duke parë situatat e turbullta dhe gjendjen e mjeruar të Shqipërisë,ky bir i Ohrit iu drejtua elbasanasve me thirrjen për të mos harruar Lidhjen Shqiptare të Prizërenit dhe burrat e saj.Me të dëgjuar emrin e Abdyl Frashërit,turma shpërtheu në duartrokitje dhe sheshin e mbuloi kënga patriotike.Më pas në vitin 1922,në saj të veprimtarisë së madhe e të gjithanshme,në rrafsh të çështjes kombëtare,Dervish Hima,ky publiçist i ndershëm,caktohet në detyrën e drejtorit të shtypit pranë Ministrisë së Punëve të Jahstme.Anipse,në kontakt dhe detyra ndaj të huajve,sjellja e tij është korrekte,ndryshon qëndrimi i tij në situatat e turbullta që kalonte shqipëria e asaj kohe.Lidhjet e tij me atdhetarët shqiptarë janë të mëdha.Ai ndjek me vëmendje zhvillimet dhe nuk i shkëput këto lidhje si me Luigj Gurakuqin,Bajram Currin dhe Avni Rustemin,megjithëse jo një herë këta i ishin vënë hapur regjimit. Ka qenë kjo arsyeja,veçmas dalja e hapur e tij pro lëvizjes së marsit të vitit 1922,çka shkatoi zemërimin e madh të qeverisë.Kështu ,me vendim të Gjykatës Ushtarake,të datës 21 prill 1922,Dervish Hima “dënohet me 5 vjet burg”.(Arkivi Qendror i Shtetit, fondi 258 , dosja 30,fleta 14 , data 22-4-1922).

Por ngase presioni i atdhetarëve shqiptarë ishte i madh,pas pak kohe lirohet dhe shkon në gjirin e familjes së sapokrijuar.Për Dervish Himën dhe familjen e tij,fillon tani pos të tjerave,një jetë e vështirë ekonomike.Në administratën e shtetit nuk gjen përkrahje ai që sakrifikoi gati katër decenie të jetës së vet,për diturinë,pavarsinë dhe lirinë e Shqipërisë.Mbeten prapa ato decenie lodhje,rreziku,ku herë ngrënë e herë pa ngrënë,zjarri i shqiptarizmës nuk u shua askurrë prej gjoksit të patriotit.Po heshtete ajo pemë e cila për vite me radhë ishte ngjyer jo me bojën e shkrimit por në dhimbjen e madhe të shqipërisë. Kur Ibrahim Temo erdhi në Tiranë më 20 maj 1928, e pa këtë burrë të dergjej prej sëmundjes së rëndë në shtrat,ai s’mund të fliste.Po sytë,ato sy që dikur shëndrisnin me aq dashuri,nuk e kishin më dritën brenda tyre.Diçka ishte shuar përfundimisht në atë dritë të mekur.Dervish Hima,vdiq në Tiranë më 21 maj 1928.

Pikëllimi në radhët e atdhetarëve të krejt shqipërisë,ishte i madh.Dhimbja e thellë u lexohej në sy.Mijëra vetë erdhën të përcjellin birin e Ohrit për në varrin e tij të thjeshtë në kryeqytet.Madje dhimja ishte e madhe kudo ku kish shqiptarë.Gazeta “Shqipëria e Re” që dilte ato ditë në Konstance të Rumunisë,shkruante ; “E kemi dashur si vëllanë tonë,patriotin e ndershëm,trim,luftëtarin e penës dhe diplomatin e shkëlqyer.Nuk do t’a harrojmë asnjëhrë.Mirënjohja jonë dhe e popullit shqiptar do të mbetet për jetë”.Dhe brezat e kujtojnë,birin e Ohrit,

Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: Dervish Hima, Eugen Shehu, mendimtar, protagonist i Rilindjes

DITËLINDJA E 80–të E AKADEMIKUT REXHEP QOSJA

June 23, 2016 by dgreca

Më 25 qershor të këtij viti Rexhep Qosja mbush plot 80 vjet/

Shtëpia Botuese “Toena”, si botuese e veprës së tij dhe Instituti i Librit dhe i Promocionit, që ka nderin ta ketë një prej 5 anëtarëve të Bordit Drejtues të tij, i urojnë jetë të gjatë e të shëndetshme, mendje të ftohtë e penë të fortë për krijimin e veprave të reja për lexuesin, kulturën dhe shkencën shqiptare!

Të skicosh profilin e një personaliteti të shumanshëm si Ai  është një punë e vështirë, aq më tepër brenda caqeve të kufizuara të një shkrimi në një rast jubilar si ky.

Me jetën dhe veprën e tij prof. Rexhep Qosja dëshmohet si një personalitet i shquar, një nga figurat më të shquara të shkencës dhe të kulturës bashkëkohore shqiptare, si njëri prej protagonistëve të realitetit të sotëm historik e kulturor shqiptar, figurë poliedrike e shkencëtarit, prozatorit, dramaturgut dhe kritikut letrar, eseistit dhe publicistit, mendimtarit dhe pedagogut, intelektualit atdhetar dhe qytetar, që e ka lidhur jetën dhe krijimtarinë e tij me fatet e vendit dhe të kombit të tij, të kombit tonë një dhe të pandarë.

Vepra e shumanshme e Rexhep Qosjes është një pasqyrë e kontributit të tij për zhvillimin e shkencës, të arsimit dhe letërsisë shqipe; ajo ka luajtur një rol themelor në proceset e emancipimit dhe të ngritjes së ndërgjegjes atdhetare, qytetare e morale të popullit të vet, e afirmimit të aspiratave të tij, për rritjen e prestigjit të shkencës dhe të kulturës kombëtare të shqiptarëve në mbarë botën shqiptare dhe përtej saj.

Studimet për procesin historik të zhvillimit të letërsisë shqipe të shekujve të shkuar, gjykimet për zhvillimet e saj aktuale dhe shkrimet polemike të ngjeshura me argumente historike, për çështjen kombëtare të shqiptarëve, përbëjnë fondin kryesor të veprës shkencore të krijuara në një hark kohor pesëdhjetëvjeçar.

Ajo është shprehje e ndërgjegjes intelektuale të epokës kur për këtë popull proceset e njësisë dhe të lirisë, të zhvillimit mendor e shpirtëror, janë pjesë dhe kusht i qenies sonë dhe i ardhmërisë sonë, në vorbullat e kohëve të trazuara që kemi kaluar e kalojmë, ende të kërcënuar prej rreziqesh që vijnë nga anë të ndryshme, por jo rrallë edhe prej vetvetes. Në këtë mes Rexhep Qosja, me veprën e tij voluminoze ka kryer rolin e një institucioni.

Në gamën e gjerë të veprimtarisë intelektuale të R. Qosjes, vendin kryesor e zë shkenca, studimet në fushën e historisë së letërsisë sonë kombëtare, që i vënë vulën profilit të tij shkencor. Letërsia jonë kombëtare, në prerjen e saj diakronike dhe sinkronike, në truallin mëmë të Shqipërisë gjuhësore dhe në diasporë, problemet dhe proceset bashkëkohore të jetës letrare, kulturore dhe intelektuale të shqiptarëve, të zhvillimit të gjuhës shqipe dhe të rolit të shkrimtarit në këtë mes, albanologjia dhe në mënyrë të veçantë një nga degët më të reja të saj, historiografia letrare, probleme dhe aspekte metodologjike të zhvillimit të saj dhe të kulturës, gjithçka që ka të bëjë me progresin shpirtëror, mendor e shoqëror të popullit të vet dhe u shërben përpjekjeve për të mbrojtur identitetin etno-kulturor të kombit, nuk është e huaj për interesat intelektuale, për ndërgjegjen shkencore dhe qytetare të R. Qosjes.

Letërsia artistike, një nga monumentet e mëdha të gjalla të kulturës së kombit, dëshmi e gjenisë së tij krijuese, është për prof. Qosjen edhe “dëshmi e dinjitetit sovran të kulturës shqiptare”. Në kushtet e një politike të egër shoviniste dhe të një gjenocidi edhe kulturor që ushtrohej ndaj shqiptarëve në shtetin tashmë të shpërbërë jugosllav, puna e albanologut e sidomos e historianit të kulturës shqiptare, nuk ishte thjesht një profesion, por një mision, për të mbrojtur dhe afirmuar vlerat identitare të kombit. Me vetëdijen e këtij misioni, R. Qosja, si shumë intelektualë të tjerë të brezit të vet, iu kushtua kësaj fushe të dijes. Ai, midis të tjerave, i hyri projektit për një histori të letërsisë kombëtare duke shkrirë në studimet e tij talentin e rrallë, erudicionin dhe pasionin shkencor e qytetar, duke i dhënë jetë një biblioteke të pasur veprash shkencore. Midis tyre mjafton të përmendim veprën madhore “Historia e letërsisë shqipe”, të projektuar në shumë vëllime prej të cilëve deri më sot janë botuar tri vëllimet e para për romantizmin (1984, 1986), monografinë me titull “Porosia e madhe” (1986) kushtuar veprës së poetit kombëtar, Naim Frashërit, monografitë “Asdreni dhe vepra e tij” (1972), “Prej tipologjisë deri te periodizimi” (1979) dhe “Tri mënyra të shkrimit shqip” (2004), përmbledhjet me studime e kritika “Dialogje me shkrimtarët” (1968), “Kontinuitete” (1971), “Panteoni i rralluar” (1973), “Shkrimtarë dhe periudha” (1975, 2005) etj.

Kontributi që sjell R. Qosja me këto vepra është një kontribut themelor për historinë e letërsisë dhe të kulturës kombëtare, sidomos për institucionalizimin e historiografisë letrare si disiplinë e mirëfilltë e pavarur shkencore, për ngritjen e prestigjit të saj dhe për konstituimin e shkollës shqiptare historiko-letrare.

Tipar i profilit shkencor të R. Qosjes është fusha e gjerë e pamjes së tij si historian i letërsisë dhe i kulturës shqiptare. Me vizionin e tij të hapur historik ai ka rrokur universin letrar shqiptar në ato përmasa që rrallë ka mundur ta bëjë studiues tjetër, madje dhe në një kontekst më të gjerë ballkanik dhe evropian. Por rëndësia e kontributit të R. Qosjes në studimet letrare nuk qëndron thjesht në rrethin e gjerë të çështjeve që ka bërë objekt studimi, por në radhë të parë në thellësinë dhe në metodën e trajtimit të tyre, në risinë metodologjike dhe në mjeshtërinë e analizave të formës e të poetikës së zhanreve letrare, në pasurinë e ideve dhe të zgjidhjeve shkencore që jep ose të tezave të reja që shtron, të cilat i hapin rrugë zhvillimit të mëtejshëm të mendimit shkencor.

  1. Qosja, duke iu përmbajtur një koncepti shkencor historicist, e sheh letërsinë si një proces të kushtëzuar nga faktorë të brendshëm e të jashtëm. I gjendur midis dy skajeve: trajtimit të letërsisë “si pasqyrë e realitetit shoqëror, si shprehje besnike e tij, si strukturë e drejtuar kryekëput prej rrjedhave shoqërore, domethënë prej makrostrukturës historike”, nga njëra anë, dhe trajtimit të letërsisë “si një strukturë plotësisht e pavarur prej rrjedhave shoqërore dhe historike”, nga ana tjetër, ai parapëlqen ta shohë veprën artistike “si një tërësi, si një totalitet të strukturuar sipas ligjësive të veta specifike, të kushtëzuara prej natyrës së saj specifike dhe, njëkohësisht heton edhe lidhjet e ndryshme që ka me strukturat jashtëletrare, prej të cilave asnjë formë e aktivitetit intelektual dhe imagjinar nuk mund të jetë plotësisht e pavarur”. Me këtë synim të qartë studiuesi i hyn labirintit të procesit letrar duke propozuar dhe një skemë të re periodizimi që merr në konsideratë të gjithë faktorët, tekstin dhe kontekstin, evolucionin e stileve, ndryshimet në sistemin e zhanreve dhe këmbimin e rrymave e të shkollave letrare.

Koherenca e metodës shkencore që ndjek R. Qosja në studimet e veta fiton një vlerë e rëndësi të veçantë në kushtet e eklektizmit metodologjik, ose të krizës metodologjike, që mundon sot e kësaj dite historiografinë dhe kritikën letrare. R. Qosja nuk ndjek modat dhe studimet e tij mund të mos jenë “në modë”, por janë moderne.

Studimet e R. Qosjes, të realizuara mbi bazën e një njohjeje të thellë të objektit, të një erudicioni dhe informacioni shkencor bashkëkohor, të frymëzuara nga ndjenja e thellë e kulturës shqiptare dhe e gjallërisë së saj, janë rezultat i kërkimit këmbëngulës të së vërtetës shkencore, të çliruar nga idealizimet romantike nacionaliste dhe nga komplekset e inferioritetit, në mos të nihilizmit, që ndjekin shpesh kulturat e popujve të vegjël.

Një shkencëtar që ia ka kushtuar jetën artit të fjalës njerëzore nuk mund të jetë indiferent ndaj magjisë së gjuhës. R. Qosja e ndien thellë forcën dhe bukurinë e fjalës dhe çmon krijimtarinë gjuhësore të shkrimtarëve që në kohën e tyre i japin jetë të re fjalës, duke pasuruar e lëvruar gjuhën e kombit. Me këtë lidhet vëmendja që u kushton ai, në studimet e tij, zhvillimit të gjuhës së letërsisë artistike të Rilindjes, aspektit gjuhësor të stilit të shkrimtarit, formave të ligjërimit dhe funksionit të tyre artistik. Po me këtë lidhet edhe përkushtimi ndaj çështjeve të zhvillimit të gjuhës letrare të njësuar e të kulturës së gjuhës, preokupimi për përgjegjësinë gjuhësore të shkrimtarit dhe të çdo punëtori të letrave, të kritikut, të publicistit dhe të shkencëtarit.

Rexhep Qosja e kërkon fjalën e bukur, shprehjen e çlirët dhe të përpiktë edhe në shkrimet e tij. Me kujdesin e mjeshtrit që skalit gurin ai punon të skalisë gjuhën e shkrimeve të veta të cilat shpesh të rrëmbejnë me forcën dhe bukurinë e stilit. Për veprën e tij është karakteristike edhe stili i rreptë shkencor dhe stili polemit i pasionuar, fryma objektive dhe patosi ironik; ana racionale dhe emocionale janë shpesh të shkrira në një të vetme në studimet, kritikat dhe esetë e tij.

Përmasa e vërtetë e personalitetit të Rexhep Qosjes nuk mund të kuptohet pa angazhimin e tij për çështjen kombëtare. Studimet, artikujt dhe polemikat e tij kushtuar problemit kombëtar dhe pozitës së shqiptarëve në Jugosllavinë e djeshme, me argumente historike, politike e kulturore, e kanë trajtuar zgjidhjen e çështjes kombëtare të shqiptarëve si një të drejtë legjitime dhe si një synim historik ende të parealizuar. Koherent në bindjen e vet se rruga drejt lirisë dhe njësisë kombëtare kalon përmes aksionit të vetëdijshëm kombëtar, me shkrimet dhe studimet e veta të përmbledhura në librat “Çështja shqiptare – historia dhe politika”, “Paqja e përgjakshme”, “Tronditja e shekullit”, “Strategjia e bashkimit kombëtar” dhe të tjera, pjesë integrale e veprës së tij shumëvëllimëshe, Rexhep Qosja e shtron problemin edhe në perspektivë historike, duke përvijuar një program për zgjidhjen e tij, dhe duke përcjellë një mesazh historik. Ky mesazh që përshkon tejendanë këtë pjesë të veprës së Qosjes, i ka dhënë lexuesit kohën të provojë se mendësia e nënshtrimit dhe e pritjes pafund mund të çojë në zhburrërimin e substancës njerëzore kombëtare, dhe ka ndihmuar të ndërgjegjësohet jo vetëm faktori kombëtar, por edhe faktori ndërkombëtar, për drejtësinë e aksionit çlirimtar të një populli që kërkon të jetojë i lirë në truallin e vet.

Por Rexhep Qosja nuk mund të kuptohet as pa angazhimin e tij intelektual dhe qytetar për çështjen kombëtare dhe për pozitën e shqiptarëve që kanë mbetur jashtë kufijve politikë të shtetit të sotëm shqiptar. Ai me argumente historike, politike e kulturore e trajton zgjidhjen e çështjes kombëtare të shqiptarëve si një të drejtë legjitime dhe si një synim historik ende të parealizuar. Koherent në bindjen e vet se rruga drejt lirisë kombëtare kalon përmes qëndresës dhe aksionit të vetëdijshëm kombëtar, me shkrimet dhe studimet e tij të përmbledhura në librat “Populli i ndaluar” (1990) dhe “Ligjërime paravajtëse” (1996), R. Qosja e shtron problemin në perspektivë historike, duke përcjellë mesazhin e moralit të kurajës, të dinjitetit dhe të qëndresës.

Vepra e krijuar prej Rexhep Qosjes është para së gjithash rezultat i një përkushtimi e mundi mbinjerëzor dhe i një disipline pune e organizimi të admirueshëm të kohës. Ai nuk ka kaluar asnjë ditë të jetës së tij të ndërgjegjshme pa bërë asgjë, ndërsa gjithë jetën ka bërë pikërisht atë që duhet të bënte, i është kushtuar kulturës, studimit shkencor dhe çështjes së kombit të vet.

Në profilin shkencor të R. Qosjes kanë lënë gjurmën e tyre parimet e moralit të tij njerëzor. Njeriu, siç shkruan ai, në çdo punë të vetën vë dhe një pjesë të nderit të tij. Ky parim i etikës shkencore është një nga veçoritë e punës së këtij dijetari me mendim të pavarur, me temperament e shpirt antikonformist, të këtij shkencëtari dhe intelektuali të shquar, ndërgjegjja morale e të cilit nuk mund të pranojë asnjë kompromis e diktat që i bën dhunë të vërtetës dhe vë në pikëpyetje objektivitetin, nderin dhe ndershmërinë shkencore e njerëzore.

Profili i Rexhep Qosjes si krijues bashkon në një shkencëtarin dhe artistin, shkrimtarin që me veprën e tij letrare, spikat si një zë i veçantë në zhvillimet e letërsisë shqipe, me ndikim të veçantë në proceset e zhvillimit të letërsisë shqipe në Kosovë e në Shqipëri, të emancipimit të saj prej trysnisë që bënin mbi të faktorët jashtëletrarë politikë e ideologjikë.

Është e njohur ndjeshmëria dhe angazhimi i tij intelektual dhe qytetar ndaj dukurive negative që pengojnë funksionimin normal të një shteti normal të së drejtës në Shqipëri dhe Kosovë, ose angazhimin e prof. Qosjes për mbrojtjen e një prej vlerave më të mëdha të kulturës sonë shpirtërore, gjuhës letrare të njësuar, të gjendur kohët e fundit para një përpjekjeje sistematike për të fabrikuar një të ashtuquajtur “neostandard”, përkrahur fatkeqësisht, jo për arsye të brendshme gjuhësore, por si shprehje të një mendësie të ngushtë regjionaliste të bartësve të saj, që nuk arrijnë të shohin përtej rrezes së katundit të tyre, ose të minares së xhamisë të bajrakut të tyre.

Koherent në bindjen e vet se rruga drejt lirisë, njësisë kombëtare dhe demokracisë, kalon përmes aksionit të vetëdijshëm kombëtar e shoqëror, Rexhep Qosja e shtron problemin edhe në perspektivë historike, duke përvijuar një program për zgjidhjen e tij, dhe duke përcjellë një mesazh qytetar. Ky mesazh, që përshkon tejendanë veprën e Rexhep Qosjes, i ka dhënë kohë lexuesit të provojë se mendësia e nënshtrimit, e pritjes pa fund, e indiferencës dhe e heshtjes, mund të çojë në zhburrërimin e substancës njerëzore e kombëtare.

Parimi i etikës shkencore, është një nga tiparet e punës së këtij intelektuali me mendim të pavarur, me temperament dhe shpirt antikonformist, të këtij shkencëtari të shquar, ndërgjegjja morale e të cilit nuk mund të pranojë asnjë kompromis e diktat që i bën dhunë të vërtetës dhe vë në dyshim objektivitetin, nderin dhe ndershmërinë intelektuale e njerëzore.

Një vend të veçantë në veprën e prof. Qosjes zë angazhimi i tij intelektual dhe qytetar për çështjen kombëtare. Duke mos qenë një soditës i rrjedhave historike që mund ta çonin fatin e kësaj çështjeje ose drejt zgjidhjes ose drejt humbjes së shansit historik, por një protagonist aktiv në përpjekjet për zgjidhjen e saj, Rexhep Qosja, jo vetëm me librat e tij për çështjen kombëtare, por edhe me ditarët e tij, hedh dritë në anë të njohura dhe të panjohura të këtij procesi, duke mbajtur gjithmonë anën e atyre forcave dhe zhvillimeve që shprehnin tendencën historike, si një të drejtë legjitime të një populli për të cilin, sipas pikëpamjes së Rexhep Qosjes, bashkimi kombëtar është një synim historik ende i parealizuar, por absolutisht jo i dënuar si ireal për shkak të mendimit politik konjuktural.

Vepra e shumanshme e prof. Qosjes është shprehje e ndërgjegjes intelektuale dhe qytetare të kësaj kohe, kur për shqiptarët, proceset e lirisë, të njësimit kombëtar, të emancipimit të përgjithshëm dhe të ndërtimit të një shoqërie demokratike, janë pjesë dhe kusht i qenies sonë dhe i ardhmërisë sonë, në vorbullat e kohëve të trazuara që kemi kaluar e kalojmë, ende të kërcënuar prej rreziqesh që vijnë nga anë të ndryshme, por jo rrallë dhe prej vetvetes.

(Ky material është përgatitur nga Botimet Toena dhe ILP, bazuar në studimet e prof. Jorgo Bulo (1939 – 2015), akademik, ish kryetar i Bordit Drejtues të Institutit të Librit dhe Promocionit mbi veprën e Akademikut Rexhep Qosja).

Irena Toçi

Drejtore e Përgjithshme

Botimet Toena

dhe Drejtore ekzekutive

Instituti i Librit dhe i Promocionit

Filed Under: ESSE Tagged With: DITËLINDJA E 80–të, E AKADEMIKUT, Irena, rexhep qosja

Deputetet kosovare në Preshevë

June 23, 2016 by dgreca

-Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës nesër viziton Luginën e Preshevës/

PRISHTINË, 23 Qershor 2016/ Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës nesër do ta vizitojë  Luginën e  Preshevës, ku do të realizohen takime me udhëheqës komunalë, të partive politike dhe të Këshillit Nacional  Shqiptar.

“Do të ketë takime me kryetaren e Kuvendit Komunal të Preshevës Ardita Sinani, kryetarin e  Preshevës Shqiprim Arifi, kryetarin e  Bujanocit Shaip Kamberi, kryetarin e Këshillit Nacional Shqiptar Jonuz Musliu, kryetarin e Partisë  Demokratike Nagip Arifi dhe kryetarin Partisë Demokratike Shqiptare Ragmi Mustafa”, bëhet e ditur në axhendën e dërguar. Lugina e Preshevës, të cilën e quajnë edhe Kosova Lindore, është një rajon i banuar me shumicë shqiptare, në jug të Serbisë.

Filed Under: Rajon Tagged With: Deputetet kosovare, NE PRESHEVE....

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT