(foto ekskluzive nga K.M.SH.)Nxënësit e shkollës „Idadije“ në Selanik.Në rreshtin e dytë nga e majta në të djathtë i treti Mit‘hat Frashëri dhe pranë tij Ibrahim Temo dhe kryemyftiu i shkollës.e.sh.
Shkruan:Eugen SHEHU/
Kur kombit i kërcënohet shenjtëria e pavarsisë,ai e ndjen së brendshmi.Dhe nuk qan në heshtje,nuk trishtohet duke pritur vdekjen e sigurtë.Kombi thërret prej zemre dhe prej zemre i përgjigjet trimërisht ata që e duan.Këta burra,në kushtrimin e tyre për atdheun nuk kanë peshuar asesi as jetën e tyre dhe as vdekjen e tyre.Ata kanë thirrur : përpara, duke u vënë vetë në krye të dallgëve,duke bashkuar,gjokset e tyre për të mos lënë të mbytet varka e shpresës shqiptare.Vetëm kështu nën këtë dritë,mund të vështrohet ndershmërisht vepra e atdhetarit Dervish Hima.
Ibrahim Mehmet Naxhiu (Dervish Hima) lindi në Ohër më 1872.Qyteti i bukur buzë liqenit Ohër , do të ngacmonte shpesh imagjinatën e Ibrahimit të vogël.Kur mjergulla binte në ujërat e kaltra të mëndafshta të liqenit,atëherë pamje fantazmagorike shfaqeshin në horizont.Por kur mjergulla fashitej pas rrezeve të dritës,përtej liqenit,në bregun tjetër,dukeshin malet dhe shtëpitë e vogla e të pastra të Pogradecit.Në fëmijërinë e Dervish Himës, e vërteta është se Ohri do të kishte lidhje të ngushta tregëtare e shpirtërore me qytetet e jugut të Shqipërisë,veçmas me Korçën,Kolonjën, Pogradecin dhe Elbasanin.
Rrjedhën normale të shkollarit Ibrahim Naxhiu e ndërpret papritmas,vdekja e parakohe e të jatit.Anipse familja e tyre në Ohër,dikur kish qenë e madhe dhe e begatë,tani gjendja ekonomike kish ndryshuar gati rrënjësisht.Kështu Ibrahim Naxhiu,shkon të mbarojë shkollën e mesme,tek i vëllai,Abdullahu i cili aso kohe jetonte në Selanik.Por meqë shkolla Ruzhdije e Selanikut nuk mund të quhej e plotë,më 1888,djaloshi i vogël nga Ohri merr rrugën e Stambollit duke u përballuar kështu me metropolin nga më të mëdhenjtë e kohës.Pas mbarimit të shkollës së mesme,po me ndihmën e të vëllait,Abdullahut,ai regjistrohet në shkollën e lartë mjeksore-ushtarake “Gjylhane”. Tashmë,përpara Ibrahim Naxhiut,ndodheshin krjtësisht të hapura dyert e shkencës mjeksore si edhe të karierës në Stambollin e lakmuar.Por ai,do të studionte në mënyrë të ftohtë këto për t’iu dhënë veprimtarive të frymëzuara prej shqiptarizmës.Kontaktet e para të tij me Murat Toptanin dhe Ibrahim Temon, e shpërngulën kureshtjen dhe vëmendjen e djaloshit të Ohrit,prej mjeksisë ushtarake,në hallet dhe shqetsimet e mëdha që kalonte atdheu i vet.Më pas Ibrahim Naxhiu u njoh me Sami Frashërin dhe veprën e tij në dobi të ardhmërisë kombëtare.Mendohet se pikërisht ka qenë ky moment që të përcaktohet njëherë e përgjithmonë qëndrimi i guximshëm dhe i prerë i Ibrahim Naxhiut,në dobi të zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare.Në lëvizjen kundër regjimit despotik të Sulltan Hamitit II,Ibrahim Naxhiu përfshihet vendosmërisht,së bashku me mjaft atdhetarë,të inspiruar prej alternativave demokratike e përparimtare,së bashku me Ismail Qemalin,Kadri Hoxhën dhe Ibrahim Temon,biri i Ohrit,mbështeti këtë lëvizje duke parë më larg,ngase në zhvillimet e Perandorisë,ai parashihte fatin e atdheut të vet.Dilemat ishin të shumta por sidoqoftë shpresat e shqiptarëve në fillesat e lëvizjes së Turqve të Rinj,ishin të mëdha. Ka qenë pikërisht pjesmarja aktive e Ibrahim Naxhiut në këtë lëvizje,ajo që çoi në arrestimin e tij,ndërsa ishte student i mjeksisë ushtarake në “gjylhane”.Autoritetet e larta të gjyqësorit turk (ashtu si edhe kundër shqiptarëve të tjerë) u përpoqën të fajësonin rëndë studentin shqiptar.Por pikërisht në këto momente,Ibrahim Temo kërkon përkrahjen e disa miqve të vet,të cilët falë guximit,ndikuan drejtëpërsëdrejti në arratisjen e tij prej burgu.Kësisoj,në moshën 23 vjeçare,në vjeshtën e vitit 1895,përpara Dervish Himës,mbyllen të gjitha rrugët e karierës ushtarake dhe mjeksore.Ai detyrohet të arratiset fshehurazi nga Stambolli,vjen në atdheun e vet,duke i falur krejt çka kish,vrullin,mençurinë,guximin,vullnetin dhe gjithë jetën e tij,çështjes së madhe kombëtare. Duke qenë se në Ohër, Naxhiut i kanë mbetur vetëm kujtimet e fëmijërisë,ai fillimisht vendoset në Pogradec e më pas në Elbasan.Janë vitet e fundit të shekullit,përndryshe vitet e zgjimit të vetëdijes kombëtare.Lidhja e famshme e Prizërenit pat lënë ende gjurmë të thella sidomos në rrafsh të përpjekjeve për mësimin e gjuhës shqipe,Ibrahim Naxhiu,me ato sy zhbirues,e flokëzi,lë mjekër e veshet si dervish dhe nën pamjen prej fetari merr rrugët e Shqipërisë për të kryer deri në fund misionin e vet prej atdhetari.Fshatrat e Pogradecit,Elbasanit,Tiranës por edhe ato të Prespës,Dibrës e Tetovës,do të ndjejnë hapat e tij,zërin e tij dhe do të shohin të nxjerrë prej uniformës së dërvishit librat shqip,ato shkëndija të atij zjarri të madh çka do të godiste në zemër natën osmane.Prej asaj kohe,Ibrahim Naxhiu do të hynte në zemrat e shqiptarëve duke e thirrur me respekt si Dervish Hima.Pas shtëpive të fshatarëve patriotë,teqetë e bektashinjëve do të mbeteshin të hapura për te nga Kolonja deri në Dibër. Në vitet e fundit të shekullit të kaluar,disa patriotë shqiptarë krijun shoqërinë “Bashkim e Përparim”,qëllimi i së cilës ishte zgjimi dhe përhapja e ideve për autonomi të Shqipërisë dhe prosperitetit të saj.Vlen të thuhet se disa prej këtyre komiteteve,si ato të Ohrit,Manastirit,Shkupit dhe Korçës,u krijuan në ndikimin e drejtëpërsëdrejti të Dervish Himës.Në të njejtën kohë,në verën e vitit 1896,Dervishi i indinjuar prej gjendjes së mjerueshme të Shqipërisë,i dërgon një promemorje Komisionit të Reformave të Rumelisë në të cilën flitej hapur mbi rrezikun e coptimit të vendit të vet prej shteteve ballkanike.”Me hartimin e saj,i dha Lëvizjes Kombëtare Shqiptare një dokument programatik,tepër të rëndësishëm,ku shprehej qëndrimi i Shqiptarëve ndaj reformave turke të prillit 1896.Përmbajtja e saj dëshmon se Dervish Hima ishte formuar tanimë si atdhetar i vendosur dhe mendimtar revolucionar,se ai,sikurse pohonte edhe vetë,kishte zgjedhur pa mëdyshje rrugën e tij :ate të luftës për bashkimin kombëtar të shqiptarëve dhe për çlirimin nga zgjedha osmane”.(K.Prifti , Dervish Hima , faqe 34 ).
Në këtë promemorje,Dervish Hima rreket të nxjerre sjellësit e fatkeqsive në Shqipëri duke ndriçuar ndërkaq disa prej virtyteve më të larta e të trashëgueshme të popullit tonë.Të këqijat dhe rreziqet që i rrinin mbi krye Shqipërisë,sipas tij ishin aq të mëdha saqë nëse përshkrueshin të gjitha,me to mund të mbusheshin vëllime të tëra librash.Duke mbyllur mjaft mirë situatat e turbullta ballkanike, ambicijet e fqinjëve tanë si edhe mbështetjen tradicionale të tyre prej Fuqive të Mëdha,në këtë promemorje denoncon gjithashtu edhe ndërgjegjen e ulët të këtyre fqinjëve që kërkojnë coptimin e atdheut të lashtë të shqiptarëve vetëm e vetëm për hir të pozicionit të favorshëm gjeografik të tij.Dhe në këto momente tepër të rrënda: „Qeveria jonë na shtyp na pi gjakun dhe pak nga pak po na shkatron populli shqiptar që shquhet në dashurinë e zjjarrtë të atdheut,për ndjenjat fisnike,për guximin dhe trimërinë me të cilat ka luftuar në shekuj,,është lënë pa asnjë të drejtë politike,në mjerim e skamje të plotë.Kjo gjendje e këto dhunime që i bëhen atij,kalojnë para syve tanë si faqja më e rrezikshme e historisë sonë“.(Dervihs Hima, Promemorje, Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 19,dosja 12 ).
Udhëheqës i Lëvizjes Studentore dhe pendë e mprehtë
Në verën e vitit 1897,mbas një ndjenje të rreptë,spiunët e Portës së Lartë,ranë në gjurmët e Dervish Himës i cili propagandonte idetë autonomiste në shtëpitë Elbasanase.Por falë trimërisë së miqve të tij,biri i Ohrit nuk bie në dorë të qeverisë.Ai fshehurazi shkon në Durrës dhe prej aty pas disa ditësh,në fshehtësi të plotë merr udhën e detit duke qendruar më pas në Rumani.Këtu,lidhet menjëherë me miqtë e ngushtë të idealit të tij : Ibrahim Temon,Jashar Erebara,Kristo Luarasi dhe Nikolla Naço.Brenda kësaj lidhje,do të gjallonte jo vetëm dashuria për dijen shqiptare,por edhe privacionet e përpjekjeve madhore për lëvizjen e madhe kulturore dhe kombëtare.Duke ndjekur kurdoherë nga afër përpjekjet atdhetare të Dervish Himës,spiunët dhe nëpunësit të tjerë të Portës së Lartë,nuk rreshtin së dërguari informacion tek Sulltani.Ka qenë ky shkaku (por duke patur parasysh edhe aratisjen e tij nga burgu) që Stambolli e ka dënuar Dervish Himën me vdekje,në mungesë. Tashmë për kapjen e tij,janë autorizuar krejt aparati policor i Stambollit,madje jo vetëm në Shqipëri Kur e pa se po ndiqej edhe në Rumani,këmba-këmbës,Dervish Hima në një çast rrëmbimi shkon tek ambasadori turk në Bukuresht dhe me zë të rreptë deklaron ;“Nëqoftëse do tmë ndiqni nga Bukuresht mos kujtoni se do të shkoj në Evropë.Jo! Do t’i kushtohem kryengritjes dhe do të hyjë në Shqipëri,për të ngritur popullin në luftë kundër Stambollit“.( A.Q.SH, fondi 19,dosja 33, fleta17 ).
Në Bukuresht (vendqëndrimi më i shpesht i tij) Dervish Hima iu vu një pune të madhe sidomos me propagandimin e lëvizjes autonomiste shqiptare.Këtë lëvizje ai e shihte në rradhë të parë si një betejë të vazhdueshme të krejt forcave intelektuale shqiptare për përhapjen e diturisë,gjuhës dhe shkollës shqipe.Ndër ideatorët dhe kryesuesit e kongresit shqiptar që u mbajt në Bukuresht më 1898,së bashku me Murat Toptanin dhe Faik Konicën,Dervish Hima shtron përpara dy mijë kolonistëve shqiptarë,nevojën e arësimit kombëtar.Rruga e qytetërimit,potencoi në këtë kongres Dervishi,është ajo e çeljes së shkollave në gjuhën shqipe.Inisiator edhe i një telegrami dërguar Sulltanit,Dervishi me argumenta parashtroi rëndësinë e sistemit arsimor çka do ta ruante kombin shqiptar prej zhdukjes fatale të tij.Falë eruducioit të tij,Dervish Hima,shkruante dhe fliste në disa gjuhë.Këtë vlerë të madhe,ai nuk mund ta mbante peng të komplekseve të ndryshme.Pra lidhjet e tij me gazetat e kohës ishin mjaft të mëdha.Ai nisi të botojë analiza e publiçistikë të mirëfilltë në Bukuresht por edhe në disa gazeta në zë të Evropës së atyre viteve.Replikat me antarë të ndryshëm që përpiqeshin të hidhnin baltë mbi qëllimet e lëvizjes kombëtare shqiptare,do të ishin gjithashtu, natura e dytë e punës.Kështu,ndërsa “Revue d’orient” parapëlqente të çuante lëvizjen tonë si lëvizje të krishterëve shqiptarë,Dervish Hima,në “Shqipëria” të Bukureshtit shprehej ; “Sot shqiptarët,të krishterë dhe muhamedanë,si vëllezër që janë u përqafuan vllazërisht dhe punojnë tok për të drejtat e tyre,për lirinë e tyre,për të këputur ato të këqijat zinxhire të robërisë së turkut”.(“Shqipëria” Bukuresht , nr. 13, datë 2 gusht 1897 ).Ngase pena e tij shkruan pa ju trembur dënimit me vdekje,ngase kultura e gjërë e tij viret plotësisht në kahje të zgjimit kombëtar,ngase fjala e tij fton për bashkim të shqiptarëve,në fundjanarin e vitit 1899,studentët shqiptarë në Rumani e zgjedhin njëzëri Dervish Himën si kryetar të “Rethit të studentëve shqiptarë”
Me një stil të hollë gazetaresk,por edhe me mendime të qarta dhe emocione të mëdha,Dervish Hima,në muajin prill 1899,nxjer të qarkullojë dorë më dorë,broshura e titulluar “Të zgjohemi !”. Në faqen e parë të saj,biri i Ohrit nuk ka munguar të shënojë se këtë broshurë ja dedikon shpirtit të shenjtë të Abdyl bej Frashërit.Në këtë ese politike (nëse mund të quhej kështu) Dervish Hima i bënë një analizë të thellë Shqipërisë në fundin e shekullit të kaluar.Haptaz ai demaskon politikën antishqiptare të Turqisë si edhe qëndrimin armiqsor të monarkive ballkanike të cilët bashkarisht “po përgadisnin shkatërimin e plotë të Shqipërisë”.Shqipërisë,këtij vendi të lashtë po i vidheshin jo vetëm prodhimet e tokës por edhe pasuritë nëntoksore të saj,po i vidheshin gjithashtu mjete e relika të lashtësisë çka synonin në humbjen e vet identitetit kombëtar.Përpara kësaj drame të mynxyrshme, biri i Ohrit , thërriste të mblidheshin energjitë,të bashkoheshin shqiptarët e krejt trojeve etnie dhe të marshonin me guxim përpara drejt autonomisë dhe lirisë së tyre.Unë mendoj se më tepër moral se thirrje politike,fjalët e tij në disa rreshta janë sentencë e zgjimit të vetëdijes sonë kombëtare; “Nuk ka marrëzi më të madhe se sa të besosh se,veç nesh,shqiptarëve,mendon ndonjë tjetër për shpëtimin e atdheut tonë dhe për luftën që duhet të bajmë ne…” ( “Të zgjohemi” fq.2 ).
Ideator dhe zëri i fuqishëm i ndërgjegjes kombëtare
Më 1900-1902,Dervish Himën e shohim të punojë në Romë.Ai u lutet disa miqve të vet të cilët e ndihmojnë financiarisht dhe boton në Itali gazetën “Albania”.Që në numrin e parë të saj,biri i Ohrit shpalos idenë e bashkimit të shqiptarëve dhe kundërtshtimit që ata duhet t’i bëjnë politikës shtypëse të Portës së Lartë.Pos të tjerave,në shkrimet e “Albanias” Dervish Hima kërkonte të zgjonte vetëdijen kombëtare shqiptare,kërkonte të ndriçonte ndjenjat mëmëdhetare të bashkëkombasve të vet në ag të shekullit.Tashmë ai mban lidhje të drejtpërsëdrejta me Ismail Qemalin si edhe shqiptarë të tjerë që jetonin prej shekujsh në Italinë e jugut.Madje në një kongres të arbëreshëve për gjuhën shqipe përfaqson me dinjitet shqiptarët e trevave të Kosovës e Maqedonisë. Ka qenë pikërisht ajo frymë thellësisht kombëtare,ai patos i ngrohtë i dëshirave për zgjim të shqiptarëve dëshmuar në “Albania” të cilët bënë të thirrej disa herë në policinë e Romës.Ndërhyrjet e ambasadës osmane këtu ishin shumë të mëdha ndaj disa herë Dervish Hima është kërcënuar prej utoriteteve policore për mbylljen e gazetës.Veçmas,telashe të mëdha do të hapte artikulli i shkruar prej tij me titull ; “Një krahasim midis Sulltan Hamitit dhe katilave të tmerrshëm të shekujve të kaluar”.Në te duke marrë shkas nga e kaluara,Dervish Hima,nuk nguron të nxjerrë në shesh krejt mizoritë e Portës së lartë dhe Sulltan Hamitit duke thënë paskëtej se e vetmja rrugë që u mbetet shqiptarëve është pikërisht revullucioni i përgjakur.Tashmë urdhëri i autoriteteve policore të Romës është i prerë.Gazetari dhe atdhetari ,Dervish Hima,nuk mund të qendrojë në Itali dhe merr rrugën në fundmajin e vitit 1902 për në Zvicër.Në Zvicër fillimisht jeton në Lucern.Për të siguruar bukën e gojës është i detyruar të punojë disa kohë si përkthyes.Falë dhuntive të tij,Dervishi fliste e shkruante në turqisht,frengjisht dhe italisht.Natyrisht për një atdhetar si ai,përkthimet do të përbënin pjesën më të rëndomtë të kohës së vet.Edhe këtu përpiqet të hape sërish gazetën “Albania”.Por ngase të dy vëllezërit ja kanë internuar në Anadoll,atë s’ka se kush ta ndihmojë.I drejtohet Ibrahim Temos dhe disa miqve të tjerë të cilët duke parë tek Dervishi atdhetarin e paepur e ndihmojnë financiarisht me sa mundin.Pas disa muajve të qëndrimit në Lucern,i drejtohet Gjenevës e cila natyrisht do të shëndrohej në një tribunë të mendimit të guximshëm e demokrat të Dervish Himës. Fillon të botojë në shqip,turqisht, e frengjisht « Albaninë” e dashur të tij ! Është e njohur sidomos dashuria e deri në dhimbje e tij për këtë gazetë ngase shpesh herë mbetej pa ngrënë po askurrë nuk e ndali botimin e saj.Dervishi mbante kontakte të vazhdueshme me atdhetarë të tjerë në Shqipëri e Kosovë duke përpjekur kësisoj që “Albania” e tij të pasqyronte në vërtetsi gjithshka që ndodhte në atdheun e vet.
Viti 1903 do të sillte re dhe bubullima në qiejt shqiptarë.Tashmë,përballë mizorive të Shemsi Pashës,do të vireshin gjokset e burrave të Mitrovicës e Pejës.Në këtë qëndresë madhore,konturohej qartë jo vetëm lufta për kullat por edhe për një autonomi të zgjeruar të shqiptarëve.Dervish Hima ndiqte me vëmendje të madhe këtë situatë tronditëse dhe përpiqej të pasqyronte me vërtetësi,heroizmin masiv të bashkëkombasve të vet.Tek e mbramja,gjaku i derdhur në Mitrovicë e Pejë,nuk duhej humbiste rrëmbave e damarëve të tokës sonë të lashtë.Ai duhej t’u dëftohej të tjerëve se nuk rridhte prej një hakmarrje të verbër. Në “Albanië” e datës 15 prill 1903,pos të tjerave,Dervish Hima deklaronte ; “Shqiptarët duhet t’i deklarojnë Evropës se edhe ata duan reforma,pra do të kundërshtojnë ata që nuk janë të përgjithshme,që nuk përfshijnë gjithë atdheun tonë dhe u japin mundësi sllavëve të coptojnë trojet tona,të na dëmtojnë të ardhmen tonë”. Nga kjo tribunë e mendimit të lirë,Dervishi njëherazi demaskon edhe intrigat e bullgarëve e të maqedonasve të cilët punonin në mënyrë të fshehtë për coptimin e trojeve shqiptare.Ndërkaq,gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij në Zvicër e Belgjikë,Dervish Hima bashkëpunon me shumë gazetarë të kohës e sidomos lidhja e fortë me Mit’hat Frashërin duke u përpjekur të ndërkombëtarizojnë çështjen shqiptare.Metropoli evropian nuk mund t’ia zvetnojë aspak dashurinë për vendlindjen.Mban lidhje me anë letrash,me Shahin Kolonjën,Bajo Topullin,Ibrahim Temon,Mit’hat Frashërin dhe atdhetarë të tjerë të njohur nga krejt vilajetet shqiptare.Ka qenë pikërisht vera e vitit 1908,kur Dervish Hima,pranon të kthehet në Shqipëri.Malli për Ohrin e ka zhuritur ndërkohë që,nga fëmijëria e tij shumë pak gjëra kanë mbetur pa u rrënuar.Por ka mbetur e kristaltë si ajo bora në majëmale,dashuria e madhe e tij për lirinë e kombit të vet.Vjen së pari në Shkodër ku takon miqtë e vjetër të tij.Ndërsa lëvizja e turqve të rinj,pat hedhur një vello të lehtë besimi në mjaftë shqiptarë.Ata shihnin tek kjo lëvizje një shpresë për të ardhmen e tyre.Por ndryshe mendonte Hima.Tejpamës si gjithmonë,këtë lëvizje ai e pat përcaktuar si një hap të parë.Dhe vetëm kaq.Më pas,vet shqiptarët duhej të merrnin në duar fatin e tyre ngase lirinë nuk ta dhuron askush.
Porta e Lartë,gjithsesi ndjek me anë të spiunëve,veprimtarinë e Dervish Himës.Dhe u desh vetëm një fjalim i vetëm i tij,disa minuatash mes përkrahësve të turqve të rinj,që pas disa orësh,të arestohej në dhomen e vogël të hotelit në Shkodër.Duke e mbajtur të mbyllur në burgun e qytetit,autoritetet e turqve të rinj,kërkonin të mbullnin një zë,një shteg prej nga gjeneronte çdo moment dashuria e madhe për liri.Por asesi burgu nuk do t’ua falte këtë kënaqsi autoriteteve të larta pro turke.Pikërisht, në një prej letrave të burgut të tij,Devish Hima shkruante ; “Xhonturqit,të cilët prej vitesh kanë hedhur mbi mua zjarrin e urrejtjes e të zemërimit,po derdhin tashti si vullkan llava mbi kokën time.Nazimi,Rizaj dhe shokët e tyre kanë shkuar shumë përpara.Pandehin se duke më burgosur mua,do të shuajnë një ide,do të shuajnë një ideal.Jo! Tash Shqipëria shpëtoi.Liria nuk mund të fitohet pa njerëz që flijohen.Edhe unë dergjem në burg për atdheun tonë.Rroftë Atdheu !”. (Arkivi Qendror i Shtetit , fondi 19 dosja 32 , faqe 431 ).
Ndërkaq atdhetarët brenda dhe jashtë Shqipërisë u përpoqën me çdo mjet të ndikojnë në organet policore dhe gjyqsore osmane për të nxjerë nga burgu Dervish Himën.Mjaft gazeta të fundvitit 1908 shkruan lidhur me këtë fakt madje pati edhe gazetarë të huaj që muarrën në mbrojtje shokun e tyre të penës.Madje Zhorzh Lorand,kryetar i “Lidhjes Belge për mbrojtjen e të drejtave të njeriut” i dërgoi telegram Komitetit Qendror të “Bashkim e Përparim “ të Selanikut (vend ku ishte çuar për t’u gjykuar Dervishi).Por edhe klubet shqiptare kudo ku ishin,deri ato të Amerikës nuk mbetën prapa në këtë drejtim.Ata i ishin drejtuar hapur autoritetit të turqve të rinj duke thënë se burgosja e Dervish Himës,ishte tek e mbramja,burgosja e mendimit dhe fjalës së lirë.Është pikërisht kjo luftë e pandërprerë e atdhetarëve shqiptarë dhe shtypit progresist evropian që në fundvitin 1908,pas 6 muajsh burg,gjykata e Selanikut i dha lirinë Dervishit.Se çfar gëzimi u ndje ato ditë mund të mësohet nëpërmjet gazetës “Korça”.”Me të hedhur këmbën jashtë gjykatores,gjithë shqiptarët dhe atdhetarët e vërtetë u ngritën në krah dhe ecën nëpër të gjitha rrugët e Selanikut.S’meti njeri,si të mëdhenj e të vegjël,si burrat dhe gratë,duke derdhur lotë gëzimi,thirrën e bërtitën :Rroftë Dervish Hima!”(Gazeta “Korça”-Korçë 7 janar 1909,numër 3 , “Letër nga Selaniku “).
Pesë muajt e burgut,ia patën ligur shëndetin Dervish Himës.Ai u gjend krejt papritur në qelitë e ftohta e pa dritë.Por askurrë shpirti i tij i madh nuk u dha,askurrë nuk u ligështua.Është tepër domethënës fakti që gjatë kësaj periudhe biri i Ohrit,shkroi shumë letra domethënës,fakti që gjatë kësaj periudhe biri i Ohrit,shkroi shumë letra dhe duke njohur fukarallëkun e xhandarëve,mundi të komprometojë njërin prej tyre të cilin më pas e pati korier të sigurtë.Kësisoj letrat dhe mendimet e të burgosurit të fjalës së lirë,merrnin udhët për tek miqtë e tij.Liria e tij,ajo çka deshi më tepër Dervishi në jetën e vet,egzistonte tashmë e paprangosur në ato letra dërguar miqve.Një shpres endej në qiell si një zog që e kanë plagosur në krah.Por ato ç’ka mundi ti thotë në letrat prej qelive të errëta,ato fjalë shpirti që s’mund t’i pëshpëriste në sytë e xhandarëve mjeranë,Dervish Hima i tha zëplotë,në marsin e vitit 1909.Në Selanik ai boton një broshurë-hymn me rreth 15 faqe,të titulluar “Një zë nga burgu në periudhën e lirisë”.Në fakt kjo broshurë,u shërbeu shqiptarëve të asaj kohe si një traktat madhor për vetëdijësim kombëtar të tyre.Në këtë traktat,Dervish Hima,demaskon me fakte dhe forcë të papërmbeajtshme monarkinë absolute të sulltanit,të këqijat e mëdha të kësaj monarkie që shfaqeshin në mohimin e plotë të lirisë njerzore,në shtypjen e çdo lloji dinjiteti,në egzistencën e krimit përbindësh ndaj çdo vlere kombëtare.Revullucioni i korrikut i vitit 1908,i udhëhequr prej turqve të rinj,natyrisht e goditi rëndë këtë absollutizmin .Por kurrsesi ky revullucion nuk mundi të shembte mentalitetet dhe praktikat e Portës së Lartë.Këtë e dëshmuan udhëheqësit e turqve të rinj që në fillimet e përpjekjeve të tyre.Pra për Dervish Himën kishin të bënin me një absollutizëm të ri i cili (natyrisht në forma më të stërholluara) shfaqej tanimë nën një emër të bukur e gjëmimtar siç ishte “Hyrrjeti”(liria).Këtë ai e parashihte sidomos në pengimin që iu bë prej turve të rinj,çdo mendimi dhe ligjërimi të lirë,çdo vullneti të zgjuar të popujve ballkanik që lidhej me prosperitetin e tyre. Në “Një zë nga burgu në periudhën e lirisë”,Dervish Hima flet me tone të ashpra ndaj despotëve të Hyrrijetit të cilët nën demagogjinë e lirisë u vërsulën me zjarr e hekur për të ndëshkuar patriotët e vërtetë,kudo ku ato ndodheshin,në çdo kënd të përandorisë.Dhe ndërsa burgjet e Portës së Lartë,mbusheshin me këta kasnece të ardhmërive kombëtare,zyrat e shtetit të gjysëmhënës ishin plot e përplot me spiunë gjithfaresh,me rryshfetxhinj e gjakatarë gjithfarësh. Përballë këtij zhgënjimi të madh ndaj politikës së turqve të rinj biri i Ohrit,natyrisht nuk mund të kapitullonte.Edhe pse në horizontet e venitura të atyre viteve,ai parapa të ardhmen e Shqipërisë,fatin e saj.Dhe mendimi potencial e largpamës i Dervish Himës,ishte se ky fat nuk duhej pritur me sytë nga qielli.Ai ishte në duart e bashkëkombasve të tij e veçmas në duart e gjeneratës më të re në moshë,të shqiptarëve.Duke ju drejtuar pikërisht këtyre të rinjëve,Dervishi shpallte në traktatin e tij, kredon e popullit tonë,ate ndjenjë atdhetare që për mbijetesën e vet u mbështet në gjokset e njoma të bijve.Me penën që i dridhej në duar,Dervish Hima shkroi : “ O ju shqiptarë të rinj ! o bij të atdheut të dashur ! Jo të prekeni por të zgjoheni nga këto veprime despotike që po kryhen në këtë periudhë të lirisë… O ju të rinj shqiptarë të zgjuar ! Marrshoni pa u ndalur e me guxim në rrugën e gjërë që i keni caktuar vetes me vullnetin tuaj të lirisë.Të gjithë përpara ! E ardhmja e atyre që përpiqen e luftojnë pa e përfillur fare jetën,është fitorja. Përpara ! Ata që i kushtohen tërësisht së vërtetës, më në fund do të fitojnë.Përpara ! Njeriu me vullnet kapërcen majat e maleve më të larta!”.( Dervish Hima,”Një zë nga burgu në periudhën e lirisë “ faqe 15 ).
Kongresi i Dibrës i fundkorrikut të vitit 1909,do të nxirte në pah edhe një herë mençurinë dhe guximin e Dervish Himës.Ai përpara këtij Kongresi ka punuar më së shumti në Manastir, Ohër,Pogradec dhe Korçë për të ngritur komitetet e fshehta shqiptare të cilat punuan për të vënë në jetë vendimet kulmore të kongresit të manastirit.Në bashkëpunim të ngushtë me patriotë të tjerë dibran si Vehbi Dibra,Fehmi Zavallani,ky bir e trim i Ohrit e kthen kongresin nga një manipulim të turqve të rinj,në një zjarr të madh të problemit kombëtar.Gjersa turqit e rinj nëpërmjet përkrahësve të tyre ,patën përgaditur një program që pritej të miratohej në këtë kongres.Ideja e këtij programmi,në thleb kishte të bënte me besnikërinë që krejt popujt ballkanik të tregonin ndaj perandorisë së gjysëmhënës.Por edhe pse kongresi i Dibrës,u manipulua prej turqve të rinj,këto lodra e pazare në dëm të ardhmërisë shqiptare u demsakuan prej atyrre burrave që nuk u dridhej qerpiku kur ishte fjala për të vërtetën.ishte pikërisht ky grup,kjo plejadë atdhetarësh, (në mes të cilëve edhe Dervish Hima) të cilët demaskuan qëllimet absollutiste të Turqve të Rinj dhe parashtruan e miratuan një program me kërkesa dhe ide thellësisht kombëtare që kishin të bënin sidomos me çeljen e shkollave dhe gjuhën shqipe.Është njohur oratoria e Dervish Himës në këtë kongres.Kaq therëse ishte kjo oratori,saqë në një moment,në sallën ku zhvillohej kuvendi,një oficer xhonturk (por i veshur si civil) i vuri grykën e revoles në gjoks,birit të Ohrit.Kaq u desh që burra të tjerë trima të ngiheshin e të mbronin Dervish Himën jo vetëm fizikisht por sidomos moralisht ngase e dinin se kauza e tij,ish shpresa e një kombi që donte të dilte përgjithmon në dritëlirie.Lidhur me qëndrimin burrëror të Dervish Himës,shtypi i asaj kohe shkruante ; “Në krye të atyre që patën kurajon të thonë se s’duan të nënshkruajnë verbërisht,çfar tu nxirret përpara… ishte atdhetari ynë zemërluan,Dervish Hima “.(Gazeta “Dielli” , Boston, 3 shtator 1909 ).
Edhe pas kongresit të Dibrës,veprimtaria atdhetare e Dervishit nuk u shterr askurrë.Ai ndërmerr në vitin 1909 një udhëtim për në Anadollin e largët ku rronin të internuar dy vëllezërit e tij.Dihet se ka qenë pikërisht veprimtaria atdhetare e Dervish Himës,sidomos ajo kundër turqve të rinj,që i mbante peng vëllezërit me gjithë familjet e tyre.Sidoqoftë,shihet se këto takime nuk ja fashitën aspak guximin e hapur dhe veprues,Dervishit i cili rimerrte forca pas çdo brenge e dhimbjeje.Kjo u duk më së paku në Kongresin e dytë të Manastirit.Ky Kongres,i inicuar prej atdhetarëve shqiptarë,u parapa si një përpjekje e domosdoshme për përhapjen e diturisë.Tashmë premtimeve të turqve të rinj se do të çelnin shkolla shqipe,u kishte dalë boja.Jo vetëm kaq,por duhet pranuar se ata pengonin këtë prosperitet kombëtar ndërsa nuk pengonin përhapjen e diturive në viset e tjera perandorake siç ishin ato të Greqisë,Bullgarisë,dhe Serbisë.Duke dalë përballë dhe hapur,kundër këtij qëndrimi regresiv,patriotët e mbledhur në Manastir dëshmuan pos të tjerave vendosmërinë e tyre për gjuhën,alfabetin dhe shkollat shqipe,deri në sakrificën më sublime.Megjithatë duhet thënë se ky kongres,do të ngrihej në nivele të larta të ndjenjave kombëtare,jo vetëm kundër mashtrimeve të turqve të rinj.Parë në një rrafsh më të gjërë,aty jepej ideja e madhe se shqipja do të luftonte për mbijetesë dhe kundra reprezaljeve ogurzeza të obskuratizmit ortodoks serbo-greko-bullgar.Në këtë kuvend,ku pos të tjerave muarrën pjes Qazim Dibra,Dervish Hima,Petro Nini Luarasi,Gjergj Qiriazi dhe Qamil Shkupi,u gjykua se e vetmja rrugë e autonomisë dhe pavarsisë kombëtare shqiptare,ishte ajo e diturisë.Shqipërisë askurrë si patën munguar trimat.Tani lipsej mençuria e fshehur diku në periferitë e zgjimit tonë kombëtar.
Dervihs Hima erdhi në Kongresin e dytë të Manastirit që u mbajt në 2-3 prill 1910,si delegat i klubit shqiptar të Stambollit.Në këtë kuvend madhorë,duke patur parasysh veprimtarinë e palodhur të tij,atdhetarët vendosën që Dervish Hima ta çelte Kongersin.Me ate sinqeritet dhe pjekuri që karakterizohej,ky burrë trim,anipse i ndjekur vazhdimisht prej portës së lartë,nuk mungoi të bënte një analizë të thellë të gjendjes së arsimit dhe krejt lëvizjes kombëtare shqiptare të asaj kohe.Por fjala e tij e mençur i kaloi caqet e shkollave e të shkronjave shqipe.Gjendja e vajtueshme në Shqipëri,nuk mund të kalohej në heshtje prej tij ndërsa fqinjët tanë ishin hedhur në sulme të fshehura për të pregaditur coptimin (siç ndodhi në fakt).Serbët,grekët dhe bullgarët,nuk do të mund të ndaleshin përpara asnjë pengese që të realizonin qëllimet e veta.Duke u ndalur në rrugët e afirmimit të lëvizjes kombëtare shqiptare,Dervish Hima,nga tribuna e kongresit të dytë të Manastirit ngriti fort zërin për një bashkim imediat të shqiptarëve.”Që sot e tutje nuk ja vlen të përmendim aspak fjalët gegë,toskë,çamër,labër e të tjera,por vetëm shqiptarë…Ne duhet të punojmë siç kanë punue në kohën e tiranisë,vëllezërit tanë,Jani Vreto,Vaso Pashë Shkodrani,Kostandin Kistoforidhi,Ismail Qemali,më i madhi diplomat i Turqisë dhe shumë të tjerë,të cilët të gjithë së bashku,ortodoks,katolikë e myslimanë punuan si atdhetarë e patriotë të vërtetë”.(“ Mendimi politik e shoqëror i Rilindjes “ vëllimi i dytë , faqe 417 ).
Ndërkaq në vitet 1910-1912,Dervish Himën do ta shohim të pandarë prej mallit dhe dëshirës të parë të tij publicistikës.Ai sërish kërkon ndihma ndër miq dhe boton në Stamboll gazetën “Shqiptari” në gjuhën turqisht dhe shqip.Tashmë ç’prej kryeqytetit të perandorisë,ai shpalos mendimet e veta,atdhetare duke u bërë karshillëk mjaft gazetave servile të turqve të rinj.Për të ardhur kësisoj në vitin e madh të historisë shqiptare 1912. Tashmë jetën e birit të Ohrit,ideali i lirisë është kthyer njëlloj si frymarrja.Asgjë ska kuptim pa liri,madje jeta ndjehet fajtore pa egzistencën e lirisë njerzore.Në mars të vitit 1912,takohet në Bukuresht me Luigj Gurakuqin.Bashkohen të dy jo vetëm në shpresa e mesazhe por sidomos në ate frymë luftarake vepruese që vlen të karakterizojë çdo shqiptar të ndershëm.Paskëtej vjen në Shqipëri.Intuitivisht,Dervish Hima e ka parandjerë se qendra e ciklonit të pavarsisë,ishte Kosova.Por nëse kjo qendër do të mbetej vetëm aty,nëse cikloni nuk do të përhapej në krejt vilajetet shqiptare,atëherë pavarsia aq shumë e ëndëruar mund të kishte një fund të dështuar,ose më mirë një dështim që në djep.Së bashku me Hill Mosin dhe një grusht atdhetarësh të tjerë,Dervish Hima mer rrugën për në jug të Shqipërisë.Ai nis menjëherë,me krijimin e komiteteve shqiptare në Korçë,Elbasan dhe Vlorë të cilët duhej menjëherë të përkrahnin pa rezerva kryengritjen e prillit 1912 në Kosovë.
Kryengritja e armatosur ishte në prag.Por ajo duhej ideuar,ngritur dhe mbrojtur trimërisht ngase rreziqet e Shqipërisë ishin kaq të mëdhenj e të paparashikueshme.Pas tërë asaj veprimtarie të lodhshme në jug Dervish Hima niset edhe në trevat shqiptare të çamërisë.Aty pritej me dashuri prej vendasve të cilët anipse se kanë njohur për fytyre,e kanë lexuar me dhjetra herë,në dhjetra gazeta duke ia njohur shpirtin e madh dhe guximin e patreguar.Në Gumenice e Filat,atdhetarët çam organizojnë edhe tubime ku qindra trima mblidhen të dëgjojnë zërin e bashkëkombasit trim të tyre.Dhe ndërsa me një shpresë,Valiu i Janinës,i ndalon Dervishit hyrjen në Shqipëri,ky i vendosur i shkruan mikut të tij deri në vdekje,Ibrahim Temos : “Me ç’shoh,këtë herë nuk mjafton vetëm pena për t’u përleshur me këta rezila ndaj do t’i drejtohemi edhe mjeteve të tjera”.(Arkivi Qendror i Shtetit , fondi 19 , dosja 32 , faqe 449 ).
Në qëndrimin e tij në Korfuz,në majin e vitit 1912,Dervish Hima takohet me Luigj Gurakuqin.Të njohur prej kohësh,dy burrat e Shqipërisë janë në të njejtën ide.Lufta diplomatike e udhëheqësve shqiptarë të kombit tonë,doemos duhej të bashkërendohej me përgaditjen e formacioneve luftarake për të arritur ate çka thosh Sami Frashëri që edhe kur bisedojmë me armiqtë tanë,pushkën duhet ta kemi plot.Mandej me porosi të Gurakuqit,biri i Ohrit vazhdon të rrije në Korfuz duke agjituar e propaganduar idenë fatlume të kryengritjes së armatosur në jug të shqipërisë.Që këtu lidhet me letra me Sali Gjukën i cili në Selanik kishte ngritur në këmbë rininë studentore shqiptare.Duke qenë se Gjuka kish punuar disa kohë në gjimnazin e Shkupit,mjaft nxënës të tij i shkonin prapa duke adhuruar sidomos atdhetarinë e këtij burri të madh.Duhet thënë se çeta e studentëve shqiptarë në Selanik,u ndihmua prej konsullit grek në Selanik por me qëllim që të luftojë në Kosovë dhe jo të vejë në jugun e Shqipërisë ku pretendimet greke ishin bërë të njohura.Por këmbënguljen e Dervishit,çeta e studentëve kalon në Korfuz dhe aty studentët bëjnë kontakt të dretëpërsëdrejti me idetë dhe vetë Dervish Himën.Bisedat e vazhdueshme e të hapura të Dervishit në Korfuz,si edhe një Manifest i shtypur dhe i shperndarë në krejt jugun në emër të “shoqërisë së studentëve shqiptarë”, bënë që autoritetet policore të Korfuzit të merrnin masa ekstreme.Në një mëngjez të korrikut të vitit 1912,ata thërasin në zyrat e tyre Sali Gjukën duke i deklaruar që së bashku me Dervishin dhe krejt çetën e studentëve,të largoheshin sa ma shpejtë për në Stamboll.Dervish Hima i pafriguar askurrë,së bashku me Gjukën dhe krejt çetën e armatosur të studentëve,në kundërshtim me urdhërat e policisë,me një kaike të thejshtë,fshehurazi zbarkojnë një natë korriku në brigjet e Ksamilit shqiptar.Aty natyrisht i dinin se edhe këtu,policia turke do t’i ndiqte këmba – këmbës,do t’i arestonte e mund t’i vriste por nuk mund të ktheheshin pas.Nderi dhe besa e dhënë, e donin që në orën e madhe të lirisë që po binte,ata të ishin aty në fushën e luftës.Së thelli ata e ndjenin se në këtë orë të historisë shqiptare,vlente trimëria e krejt etnisë përpara dallgëve që rezervonte trilli i fatit. Dy muaj çeta e Dervish Himës dhe Sali Gjukës, u end në Sarandë,Gjirokastër e Vlorë.Rradhët e kësaj çete u mbushën me patriotë të tjerë djem të rinj që duke marrë bekimin e baballarëve të tyre u rreshtuan në radhët e luftëtarëve të lirisë.Natyrisht,veprimtaria e çetës së studentëve do të binte në sy të autoriteteve osmane të jugut.Këta mobilizojnë një batalion të tërë në Gjirokastër dhe i bëjnë çetës djaloshare një pritë në rrethinat e saj.Falë mençurisë së popullit,dhe dashurisë së tij për bijtë e vet studentë,çeta del prej rrethimit duke vazhduar më pas misionin e vet fisnik.Lidhur me këtë veprimtari të kësaj çete,Bilinski,konsulli Austriak në Janinë njoftonte Vienën se :
“Gjendja po keqësohet së tepërmi për shka se Dervish Hima me shoqëruesit e ardhur nga Korfuzi po zhvillojnë një veprimtari agjitative të gjallë në Sanxhakun e Gjirokastrës.Rebelët që janë nën udhëheqjen e Dervish Himës,sot për sot ndodhen afër lokalitetit të Kardhiqit në perëndim të Gjirokastrës”.(Arkivi i Institutit të Historisë sipas H.H.S A.PA.janinë 21 korrik 1912 ).
Në ditën e shenjtë të 28 nëntorit 1912,edhe pse i zgjedhur si përfaqsues i Ohrit,Dervish Hima nuk mund të ishte në Vlorë.Prej Stambolli (ku gjnedej në fillim të nëntorit) ai shkoi në Triestë duke pritur ndonjë vapor që mund të shkonte në Vlorë a në Durrës. Por pritja ishte e gjatë dhe e lodhshme.Ngritja e flamurit të lirisë,përfaqsuesi legjitim i kazasë së Ohrit, e ndjek me emocione përtej detit.Ai do të dëshironte me zjarr të kishte krahë pëllumbi e të fluturonte mbi dallgët e Adriatikut por dëshira,në kufijtë pa skaj të fantazisë. Anipse nuk mundi të vije në Shqipëri,në dimërin e vitit 1912-1913.Dervish Hima lufton me penën e tij duke u angazhuar në disa prej gazetave të mëdha të Austrisë e Italisë.Jehona e këtyre shkrimeve polemizuese është e madhe.Duke iu kundërvënë sulmeve të hapura të fqinjëve ballkanik,ky si edhe plotë atdhetarë të shquar shqiptarë,morri përsipër barrën e ndërgjegjsimit të opinjonit evropian se pa respektim të kufijve të Shqipërisë natyrore nuk mund të ketë të ardhme të qetë për ballkanin në tërësi e mandej për krejt Evropën juglindore.Në mesin e marsit 1913,duke parandjerë rrezikun e madh të coptimit të trojeve shqiptare,në rrafsh të përpjekjeve të atdhetarëve tanë,është edhe mbajtaja e një kongresi shqiptar në Trieste.Në këtë kuvend madhor,ku përfaqsoheshin trevat më të shumta shqiptare,biri i Ohrit u radhit në krahë të Fuad Toptanit,Abdulla Strugës,Faik Konicës,Hil Mosit,Ahmet Gjilanit dhe dhjetra mendimtarëve të tjerë shqiptarë.Në fjalën e tij të zjarrtë,Dervish Hima u ndal në tokën e bekuar të Kosovës.Duke dënuar pushtimin serb të kësaj toke,ai nuk harroi të kujtoi se ishte pikërisht Prizëreni,ai djep shqiptarizme “ku u hodhën themelitë e shtetit shqiptar dhe u bënë dy kryengritje të mëdha”.Shqipërinë,pa troje të tjera në verilindje dhe jug,ai do ta përcaktonte si një trup pa kok e këmbë.Në bashkim të krejt trojeve etnike shqiptare,ky burr i shquar parashihte të ardhmen e sigurt të kombit të vet.Në fund,ky kongres i konceptuar si një thirje ndaj rrezikut kombëtar,i dërgoi edhe një rezulutë Konferencës së Ambasadorëve në Londër duke kërkuar krejt rikthimin e territoreve shqiptare të okupuar,bazuar në principiet universale të botës së qytetëruar.Kongresi ndërkohë,pat zgjedhur si kryetar Hil Mosin,ndërsa nënkryetar Faik Konicën dhe Dervish Himën.
Në vitet që rrodhën më pas,Dervish Himën e shohim kurdoherë në rradhët e atyre burrave që jetuan çdo sekondë të jetës së tyre me shqetsimet e mëdha të kombit.Shqipëria në vitet 1912-1915 u lëkund disa herë pothuaj në buzë të varrit por vetëm bijtë e saj të shqipes mundën ta mbronin nga humnera. E sulmuar nga Mal i Zi e Kosovë,në Shkup e Dibër,në Korçë e Gjirokastër,prej fqinjëve të saj,kjo Shqipëri nuk mundete t’u bënte ballë.Kufijtë e saj sa vinin e rudheshin duke shkuar kësisoj në coptimin e mëtejmë,a thua nuk mjaftonte Londra e vitit 1913.
Në verën evitit 1916,Dervish Hima shkon në Elbasan.Qëllimi i tij imediat,është çelja e shkollave shqipe,duke kuptuar së thelli rëndësinë e diturisë për shqiptarët.Këtu bashkëpunon ngushtë me Luigj Gurakuqin,Bajram Currin,Aqif Pashë Elbasanin dhe Hil Mosin.Madje pas disa muaj veprimtari,emërohet në detyrën e zëvendës prefektit të Elbasanit,ndërkohë që prefekt ishte një tjetër atdhetar i madh demokrat Aqif Pashë Elbasani.
I paharuar do të mbetet për popullin arsimdashës dhe me kulturë të Elbasanit veçmas,fjala e Dervish Himës në tubimin madhështor me rastin e 28 nëndotit të vitit 1917.Duke parë situatat e turbullta dhe gjendjen e mjeruar të Shqipërisë,ky bir i Ohrit iu drejtua elbasanasve me thirrjen për të mos harruar Lidhjen Shqiptare të Prizërenit dhe burrat e saj.Me të dëgjuar emrin e Abdyl Frashërit,turma shpërtheu në duartrokitje dhe sheshin e mbuloi kënga patriotike.Më pas në vitin 1922,në saj të veprimtarisë së madhe e të gjithanshme,në rrafsh të çështjes kombëtare,Dervish Hima,ky publiçist i ndershëm,caktohet në detyrën e drejtorit të shtypit pranë Ministrisë së Punëve të Jahstme.Anipse,në kontakt dhe detyra ndaj të huajve,sjellja e tij është korrekte,ndryshon qëndrimi i tij në situatat e turbullta që kalonte shqipëria e asaj kohe.Lidhjet e tij me atdhetarët shqiptarë janë të mëdha.Ai ndjek me vëmendje zhvillimet dhe nuk i shkëput këto lidhje si me Luigj Gurakuqin,Bajram Currin dhe Avni Rustemin,megjithëse jo një herë këta i ishin vënë hapur regjimit. Ka qenë kjo arsyeja,veçmas dalja e hapur e tij pro lëvizjes së marsit të vitit 1922,çka shkatoi zemërimin e madh të qeverisë.Kështu ,me vendim të Gjykatës Ushtarake,të datës 21 prill 1922,Dervish Hima “dënohet me 5 vjet burg”.(Arkivi Qendror i Shtetit, fondi 258 , dosja 30,fleta 14 , data 22-4-1922).
Por ngase presioni i atdhetarëve shqiptarë ishte i madh,pas pak kohe lirohet dhe shkon në gjirin e familjes së sapokrijuar.Për Dervish Himën dhe familjen e tij,fillon tani pos të tjerave,një jetë e vështirë ekonomike.Në administratën e shtetit nuk gjen përkrahje ai që sakrifikoi gati katër decenie të jetës së vet,për diturinë,pavarsinë dhe lirinë e Shqipërisë.Mbeten prapa ato decenie lodhje,rreziku,ku herë ngrënë e herë pa ngrënë,zjarri i shqiptarizmës nuk u shua askurrë prej gjoksit të patriotit.Po heshtete ajo pemë e cila për vite me radhë ishte ngjyer jo me bojën e shkrimit por në dhimbjen e madhe të shqipërisë. Kur Ibrahim Temo erdhi në Tiranë më 20 maj 1928, e pa këtë burrë të dergjej prej sëmundjes së rëndë në shtrat,ai s’mund të fliste.Po sytë,ato sy që dikur shëndrisnin me aq dashuri,nuk e kishin më dritën brenda tyre.Diçka ishte shuar përfundimisht në atë dritë të mekur.Dervish Hima,vdiq në Tiranë më 21 maj 1928.
Pikëllimi në radhët e atdhetarëve të krejt shqipërisë,ishte i madh.Dhimbja e thellë u lexohej në sy.Mijëra vetë erdhën të përcjellin birin e Ohrit për në varrin e tij të thjeshtë në kryeqytet.Madje dhimja ishte e madhe kudo ku kish shqiptarë.Gazeta “Shqipëria e Re” që dilte ato ditë në Konstance të Rumunisë,shkruante ; “E kemi dashur si vëllanë tonë,patriotin e ndershëm,trim,luftëtarin e penës dhe diplomatin e shkëlqyer.Nuk do t’a harrojmë asnjëhrë.Mirënjohja jonë dhe e popullit shqiptar do të mbetet për jetë”.Dhe brezat e kujtojnë,birin e Ohrit,
Bern-Zvicër