• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2016

HOMAZH PËR MËSUESIN TIM TË SHKOLLËS FILLOERE ABAZ SINANI

September 11, 2016 by dgreca

 

1-abaz-sinani

1-abaz-sinani-1937Esse Nga Faslli Haliti/

 Kur mësova se mësuesi im i klasës katër fillore do të ishte Abaz Sinani, s’di pse u bëra vetiu krenar; mbase nga që ishte nga kodrat të cilat mua atëherë më dukeshin mal Tomori dhe ai, vinte të na jepte mësim duke zbritur prej tyre përherë kokëlartë, por pa krijuar asnjëherë përshtypjen e fodullit.

Ç’ishte e vërteta ai kishte një pamje krenare, krenari me burim lartësish. I ri, i bukur, shtatlartë, (kështu më dukej mua atëherë), me flokë të trazuar nga erërat e grykave kodrinore të cilët ai i shtronte me gishtat e duarve, sapo i afrohej oborrit të shkollës. Gjithnjë me cigare në buzë. Autoritar.

Flitej se ishte i fortë në matematikë. Mbase kjo ia rriste edhe më shumë autoritetin, pasi ishte lënda më e vështirë dhe më e vlerësuara nga ministria e arsimit, mësuesit, prindërit, nxënësi

Pastaj ai kishte mbaruar Zosimean e Janinës. Kështu flitej. Edhe po të mos ishte e vërtetë ne nxënësve të tij na pëlqente të ishte kështu dhe mburreshim para nxënësve të klasave të tjera me mësuesin tonë zosimeist. Kishte dhe një arsye tjetër më shumë që e bënte mësues Abazin të dukej krenar e të binte sy para ne nxënësve, para kolegëve të tij, prindërve tanë: ai ishte djali i patriotit Tallah Sinani, i njohur e i respektuar, jo vetëm nga zona e Karbunarës së Vogël, por edhe në mbarë trevën e Myzeqesë.

Nuk më pritej deri sa të fillonte shkolla, ta shihja nga afër, pasi e kisha parë gjithmonë nga larg në oborrin e shkollës; t’i thosha mirëmëngjesi, me leje mësues, ta them unë,kur ai të na pyeste që t’i përgjigjeshim në mësim.

Ditën e parë ai na pyeti se të kujt ishim, si i kishim kaluar pushimet duke mos lënë pa pyetur asnjë nxënës, po thuaj. Me përjashtim të Elpiza Pjetrit, Afrim Çeços, Mitat Topolës që i kishin kaluar pushimet tek të afërmit e tyre në qytete të ndryshme, të gjithë ne të tjerët kishim ruajtur lopët apo dhentë ose kishim, rralluar e prashitur apo korrur misër.

Edhe ju që keni punuar, keni bërë pushime aktive, na tha mësues Abazi, duke përkëdhelur tre- katër nga ne. Atë ditë unë mësova fjalën «aktiv» dhe s’lija rast pa e përdorur me vend e pa vend.

Ditët, javët e para u dalluan në matematikë dy nxënësit çamë të klasës sonë: Afrim Çeço që do të diplomohej me rezultate të shkëlqyera e do të kishte një bagazh shkencor mjekësor që i kalonte caqet e dijeve të universitetit, siç do t’i shënohej në dokumentin përcjellës të fakultetit, kur ai u dërgua të fillonte punën si mjek në Berat, në të njëjtin spital me mjekun e famshëm Maksut Dërrasa; kurse nxënësi i dytë çam i dalluar në matematikë Qani Xhevizi

( Sheme) gjithashtu do të diplomohej shkëlqyeshëm në agronomi e do të emërohej në Institutin e Kërkimeve Bujqësore «Ivan Miçurin».

Kur mësuesi na dha notat e semestrit të parë të klasës së katër, tha, ja, këta do të na nderojnë dhe, mësues Abaz Sinanit do t’i dilte fjala për të dy: si për mjekun Çeço dhe agronomin Qani Xhevizin e talentuar në matematikë që meritonte të ndiqte studimet e larta për matematikë, por që për arsye bixarre të asaj kohe, studioi për agronomi.

Mësues Abazi, kishte një zakon që kur klasa fillonte punën e pavarur, ai vente e vinte midis rreshtave të bangave, shikonte se cilin nxënës duke punuar dhe thoshte, ja disa do na nderojnë me shkrimin e tyre, disa me vizatimin, disa në histori…Çdo vlerësim i mësuesit i adresohej dikujt, secili e kuptonte dhe lumturohej, nxitej, ngulitej në mësim.

Mbaj mend, edhe pse kanë kaluar 61 vjet, se kur mësues Abaz Sinani filloi të na shpjegonte mësimin mbi shumëzimin, shkroi në dërrasë të zezë: 2+2+2+2+2= 10, dhe pastaj 5 x 2 = 10, e shihni, pra, na tha, se, shumëzimi nuk qenka tjetër veçse shkurtimi i mbledhjes. Kjo më mbeti gjithë jetën në kokë.

Karakteristikë e mësues Abazit ishte entuziazmi. Atij i gufonte gjoksi kur dëgjonte nxënësit të përgjigjeshin me mençuri e rrjedhshëm në gjeografi e lëndë të tjera, ende pa mbaruar përgjigjen nxënësi, thoshte: ja një gjeograf i ri, një historian, matematikan, muzikant, recitues, këngëtar, poet, fizkulturist, sportist…dhe, ishte tepër kujdesshëm në çaste, kur nxënësi gabonte apo bënte gafë. Më ka mbetur në mend e s’e kam harruar as sot pas gjashtëdhjetë vjetësh gafa që bëri një nxënëse thënies përmendësh të një poezie të një poeti sovjetik për luftën në të cilën glorifikohej Stalini:

 «Me plumba, me hekur

Me flak’ e me zjarr,

Ushtari Stalinin e hodhi në varr».

Uuuu, ia bëri klasa dhe shpërtheu në të qeshura. Jo ushtari Stalinin e hodhi në varr, moj, nuk është ashtu, por ushtari i Stalinit e hodhi në varr, thanë nxënësit njëzëri.

E di ajo e di që ushtari i Stalinit e varrosi, e hodhi nazizmin në varr, por meqë fjala «ushtari» është me apostrof, u duk sikur ajo tha «ushtari Stalinin e hodhi në varr», Ju e dini që Nadirja reciton bukur, apo jo?

Pooo, u përgjigjën nxënësit e klasës dhe gafa e Nadires që recitonte bukur me ton dramatik, u harrua në çast. Vura re që mësuesi u qetësua. E keqja ishte kaluar me finesë…

Mësuesi im fliste ngadalë, por vepronte shpejt, nuk linte asnjë nxënës të përhumbej, por e zgjonte, të mefshtin e aktivizonte, i vinte në provë kujtesën, dikë që s’u linte radhë të tjerëve të përgjigjeshin e frenonte butë, pa e prekur, të pasigurtit i mundësonte sigurinë, i forconte guximin.

Duke qen tepër autoritar e serioz, mësues Abazi, nuk bënte humor veçse shumë rrallë. Një të diel, klasa ( kompania) jonë bëri një ekskursion në korën e qytetit. Të gjithë nxënësit paguan lekë dhe komandanti i kompanisë tonë Azis Manka, bleu një arkë me marmelatë. Kur komandanti i kompanisë që ishte nxënës i klasës së shtatë, hapi arkën prej dërrase dhe u duk marmelata, Çeliku i Danes, thirri me gëzim, doli mur-mu la-ta ! Të gjithë ne qeshëm.

Të nesërmen, ditën e hënë, mësues Abazi, çuditërisht u fut në klasë i qeshur, gjithë humor the na pyeti me buzë në gaz: hë, ju pëlqeu mur-mu-la-ta?

Pooo, mësues, na pëlqeu.

Po ty Çelik të pëlqeu?

Dhe Çeliku e kuptoi që mësuesi e kishte marrë vesh që fjalën mur-mu-la-të, e kishte thënë ai dhe duke vënë i ndrojtur buzën në gaz.

iu përgjigj, po mësues, më pëlqeu…

Atë ditë ora e parë e mësimit u përshkua me një humor të gëzuar.

Po ju them edhe diçka që nuk do të ma besoni. Unë nuk mbaj mend që mësues Abazi t’i ketë bërtitur qoftë edhe një nxënësi, pa le pastaj t’i ketë hequr dikujt ndonjë pëllëmbë. Me zë të lartë, madje, gati me britmë, ai na thoshte vetëm vlerësimet. Gjithashtu ai nuk na qortonte, por vetëm na sqaronte. Vetëm sqarimi i shtruar, i butë, ishte qortimi i tij. Si ai mekaniku i mirë që nuk e thyen vidën e ndryshkur, por e vais e pastaj e zbërthen butë-butë.

Abaz Sinani, pinte shumë duhan. Qëllova pranë tij një mëngjes, kur ai po bisedonte me një kolegun e vet në oborrin e shkollës, para se të binte zilja për mësim. Unë pi shumë duhan Andon, i tha ai kolegut të tij, sidomos në mëngjes pi edhe më shumë. Pi aq sa e deh trurin e pastaj qetësohem e jam gjithë energji gjatë orëve të mësimit. Ky rrëfim i mësuesit më mbeti në mendje. Truri i fëmijës regjistron gjithë mençuritë dhe çuditë e jetës, ndaj dhe unë nuk e harrova këtë rrëfim e vetëqortim të sinqertë, këtë përpjekje për vetëpërsosje të mësuesit tim të fillores.

Thashë se mësuesi im Abaz Sinani ishte serioz, shtatlartë, autoritar, me karakter të fortë pozitiv, i bukur, ai zbriste nga kodrat që mua si fëmijë më dukeshin mal Tomori dhe ecte kokëlartë, jo me fodullëk, por me krenari e fisnikëri. Nuk vinte kurrë në shkollë me këpucë me baltë. Sapo i afrohej xhadesë, hiqte çizmet, i lante në Lunjën e Karbunarës dhe i linte në shtëpinë e një miku të tij.

Më kujtohet se kur mësuesi im ecte me kokën lart sikur të shikonte pëllumba në fluturim, në çaste të tilla e përqas tani me Ettoren, aktorin e filmit italian serial që shoh të shfaqet sot e prej gati pesë viteve, Cento vitrine, ose e gjej të ngjashëm me Agimin, djalin e tij të madh, ndërsa kur ai ecte i menduar, me kokën pak të ulur si të kërkonte diçka në thellësirat e tokës e gjej të ngjashëm me djalin e tij të dytë, Petritin. Bëmë baba të të ngjaj, thotë populli, dhe vërtet dy djemtë i ngjanë babait të tyre, jo vetëm në aparencë, por edhe në karakter, dinjitet, fisnikëri, si intelektualë me performacë të çmuar në fushën e arsimit; urtan si babai, e të vlerësuar si ai në qytetin e tyre e më gjerë.

Unë ruaj edhe sot librin Aleksandri i madh, shishen me bojë të jeshile, penën dhe një fletore shkrimi që m’u dhanë nga mësuesi në mbarim të vitit të katër të shkollës fillore, së bashku me dëftesën e lirimit, të shoqëruar me një fletëlavdërimi.

Por ajo që nuk do të harroja kurë ishte çasti i ndarjes, kur në dallim nga disa kolegë mësues, në mbarim të shkollës ndaheshin me nxënësit duke iu thënë me cinizëm: hajt tani shkoni, të ruani lopët, dhentë, kurse mësues Abazi urtan e diellor u nda me ne, nxënësit e tij duke na thënë:

Suksese tani e tutje, në shkollën shtatëvjeçare e, na nderofshi si ç’na nderuat në fillore.

Pastaj duke qeshur më tha mua: besoj se ti, “piktori” i klasës, do t’i zmadhosh një fotografi mësuesit tënd e t’ia dhurosh, apo jo? dhe më përqafoi me mall.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Abas Sinani, Faslli Haliti, mesuesi im

KA GJITHMONË DRITË NË FUND TË TUNELIT

September 11, 2016 by dgreca

NGA PËLLUMB GORICA*/

Jeta e njeriut është një labirinth të fshehtash e të panjohurash, fantazish e meditimesh, ndjenjash dhe ndërlikimesh, në të cilat njeriu mundohet vazhdimisht të depërtojë në to, por të vërtetën e madhe e kupton vetëm në fund, kur i soset gjithçka dhe ai e mbyll me një skepticizëm të pashpjegueshëm: “Ikën vitet sikur s’qenë”. Duke pranuar se njeriu në vetvete është një labirinth dhe se jeta që jetojmë  është gjithmonë një “Tunel”, që here – herë nuk ka dritë në fundin e tij, shkrimtari  nga Kumanova, Burhanedin Xhemaili në librin me tregime “Në fund të tunelit”, nuk  e pranon psikologjinë e atyre që i vret mendimi se “kjo jetë është e kotë”.

Libri është një përplasje e fortë dhe e përhershme midis jetës dhe ireales, fantazisë dhe imagjinares, paragjykimeve dhe logjikës së shëndoshë njerëzore. Aty ku imagjinata kërkon të marrë pushtet e të sundojë fort logjikën e zhvillimit të gjërave, autori shpejt fut në punë inteligjencën, punën dhe përvojën njerëzore, hallet dhe brengat e përditshme që njerëzit i kapërcejnë me kulturën, mendimet, përvojën dhe vullnetin e tyre. Çdo tregim e mban në këmbë e papritura. Autori e nis thjesht tregimin, herë si përrallë për të vënë fëmijën në gjumë dhe herë si një bisedë që ka mbetur përgjysmë dikur, herë si ofshamë shpirti dhe herë si sprovë logjike, dhe vetëm kur shikon shpërthimin që kërkon të tresë qëllimin kryesor të fabulës së zgjedhur, me një ndriçim që të ngacmon arsyen, e zbret zgjidhjen e krijimit të tij në hullitë natyrore të së kuptueshmes dhe njerëzores jetë.

Autori për çdo fenomen e zhvillim ka mendësinë e tij, por ai kurrë nuk i robëron mendimet e ndjenjat e veta, nuk i ndrydh në kafazin e dëshirave të të tjerëve apo t’ia nënshtrojë presionit të pushtetit të më të mëdhenjve. Ai shkruan në një nga tregimet e tij, thjesht pa bërë deklamime mburravecësh se “… nuk e kisha ndërmend ti robëroj parimet e mia, edhe pse koha e mbrapshtë kërkonte heshtjen totale”. Edhe kur ndonjë mundohet të përfitojë nga injoranca e njerëzve të thjeshtë e hallexhinj, duke i trembur me një “Buf me katër sy” apo me “Magjistaren e trentë”, ata më shumë vulosin dështimin dhe turpin e tyre, se sa përfitojnë ndonjë vlerë morale e materiale e nuk lënë emër të mirë pas.

Në tregimin “Bufi me katër sy“ autori me mjeshtëri përcjell një mesazh të madh se njerëz të mirë e të pafajshëm, miqësia dhe bukuria njerëzore, “bien viktimë e bestytnive dhe injorancës,” të cilat po nuk u luftuan, bëhen rrezik për tërë zhvillimin. Siç bën përqasjen e veseve të mira njerëzore me hove shpërthyese të jetës së përditshme, dhe këtë me një arsyeshmëri edhe një paralelizëm të goditur e domethënës, midis mashtrimit e presionit të injorancës dhe bestytnive të vjetra nga njera anë, me dhunën e reprezaljet të regjimit serb nga ana tjetër, i cili nuk është gjë tjetër veçse pjellë e kësaj psikologjie dhe këtij nacionalizmi mesjetar, i cili fatkeqësisht është ende aktual.

Në tregimet e bukura të Burhanedin Xhemailit, që herë- herë marrin karakterin e një rrëfimi të mirëfilltë, e herë karakter minidramash hamletiane, mendja e mprehtë e lexuesit të vëmendshëm gjen gjithçka, edhe Kalin e Trojës, edhe Santiagon e librit “Plaku dhe deti”, gjen edhe Bajronin romantik me lamtumirën e tij të pashuar, por edhe rilindasit e kombit që kontribuan për iluminimin e atdheut të tyre. Në gojë të miqëve dhe shokëve ka vënë shprehje të tilla si :”Bota është ndërtuar rreth interesit dhe njerëzit jetojnë për interes.” ; “E çmendi dhe varrosi vetmia” ; “Mjeshtëria nuk ka kufinj siç nuk ka kufinj  e mira dhe e keqja’’ ; “Njeriu pa memorie të zhvilluar është gjysëm i vdekur e gjysëm i gjallë”; autori jo vetëm vë në qarkullim mesazhe, por edhe bëhet sigurisht një përçues i filozofisë dhe mençurisë popullore, e cila përcillet tek lexuesi me një gjuhë shpirti, natyrshëm si mësim me vlerë për gjithë brezat që vijnë pas nesh.

Nëpër tregimet bindesh se autori jeton e shkruan jo vetëm për veten e të afërmit e tij, por edhe për të tjerët, për ata që e duan zhvillimin, të mirën, të drejtën, të bukurën, vlerën e shpresën, për njerëz që i japin jetë jetës, dhe jo për ata që jeta i merr zvarrë. Kur përfundon së lexuari këtë libër me vlerë sikur bindesh deri në fund se autori ka një qëllim, një mision, një lajtmotiv të shpallur, që bashkë me të ndershmit dhe të vullnetshmit e kësaj bote, bashkë me synimet e shpresave të mëdha: “T’i heqim prangat e përditshmërisë për të ndërtuar ura të qëndrueshme, që njerëzit të lëvizin sikur rrjedha e lumit të shpresave“; sepse autori  bindjen e patundur që ka për vete, kërkon tua ngulisë edhe të tjerëve;  ‘‘se bota nuk është ziliqare për njerëzit e devotshëm që rrezatojnë urtësi e devotshmëri”; por i pranon ato kundrejt një haraçi që në gjuhën e letrave dhe të historisë quhet vetmohim.

* (Libri me tregime “Në fund të tunelit”, i shkrimtarit Burhanedin Xhemaili)

 

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Burhanedin Xhemaili, Drite ne Tunel, Pellumb Gorrica

Kosovë-Gjendja e sigurisë, e qetë dhe stabile

September 11, 2016 by dgreca

-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni: Policia kosovare ka kapacitetet e nevojshme për luftimin e kriminalitetit, duke përfshirë terrorizmin, krimin e organizuar, korrupsionin, krimet kibernetike, ekonominë informale dhe të gjitha dukuritë tjera negative në shoqëri/

2-policet1-poicia

-Policia e Kosovës 17 vjet, nga 176 në mbi 8900 pjesëtarë/PRISHTINË, 11 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Policia e Kosovës është profilizuar si strukturë e organizuar profesionale me të gjitha njësitet operative, është kompozuar me të gjitha njësitet funksionale, nga policia e lagjes e deri te njësitet elite të intervenimit të shpejtë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni ka thënë se gjatë 17 vjetëve të ekzistimit të saj Policia e Kosovës është zhvilluar dhe profesionalizuar aq sa tani është ndër institucionet më kredibile në vend. Maxhuni në një intervistë sot për gazetën kosovare “Zëri” ka thënë se me gjithë incidentet e shkaktuara kohëve të fundit, gjendja e sigurisë vlerësohet e qetë dhe stabile dhe se prioritet i Policisë është siguria dhe funksionimi i shtetit ligjor. Sipas tij, terrorizmi është një sfidë jo vetëm për Kosovën, por edhe për shtetet më të zhvilluara në rajon dhe në botë, megjithatë ai thotë se Policia kosovare ka kapacitetet e nevojshme për luftimin e kriminalitetit, duke përfshirë terrorizmin, krimin e organizuar, korrupsionin, krimet kibernetike, ekonominë informale dhe të gjitha dukuritë tjera negative në shoqëri.

Ai gjithashtu ka thënë se Policia e Kosovës i nënshtrohet vetëm kontrollit civil demokratik siç është e paraparë në Kushtetutë e ligje dhe se nuk është në shërbim të subjekteve apo individëve të caktuar.

Këtë javë, në 8 shtator, qeveria e  Kosovës ka aprovuar vendimin për t’i rekomanduar kryeministrit të Kosovës vazhdimin edhe për një mandat në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhunit. Kryeministri Isa Mustafa ka vlerësuar lartë punën e Policisë së Kosovës dhe menaxhimin e saj, jo vetëm gjatë kësaj periudhe sa është mandati i kësaj qeverie, por edhe në vazhdimësinë e punëve që ka kryer edhe Policia edhe Maxhuni, duke theksuar edhe pajtimin që të emërohet edhe për  një mandat tjetër.

E themeluar 17 vjet më parë, Policia e Kosovës tani numëron mbi 8900 punonjës dhe vlerësohet si një ndër policitë më profesionale në rajon dhe vazhdon të jetë një ndër institucionet me besimin më të madh të qytetarëve në vendin e lirë prej 17 vitesh dhe të pavaur nga 17 shkurti 2008.

Në 6 shtator të vitit të lirisë 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ka hapur në qytetin e Vushtrrisë Shkollën e Policisë dhe ka filluar trajnimin për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Brezi i parë i kandidatëve kishte 176 pjesëtarë, të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës, një shërbim i ri i krijuar në bazat e një policie demokratike dhe profesionale, i hapur dhe i barabartë për të gjithë të interesuarit që dëshrirojnë të bëhen pjesëtarë. Trajnimi në Shkollën e Policisë së Kosovës vlerësohet me standarde të larta.

Filed Under: Komente Tagged With: kosova, qetesia, rendi

Kosova, përherë përkrah SHBA-së

September 11, 2016 by dgreca

 

1-kosova-amerik-Akademi përkujtimore në nderim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës/

-Miqësia mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara do të jetë e përhershme, ndërsa bashkëpunimi bilateral do të vazhdojë të thellohet/

*PRESIDENTI THAÇI: NE JEMI PRANË POPULLIT MIK AMERIKAN/

*KRYEMINISTRI MUSTAFA PËRKUJTOI VIKTIMAT E SULMEVE TERRORISTE TË 11 SHTATORIT/

PRISHTINË, 11 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot në Prishtinë, në Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë, u mbajt Akademi përkujtimore në nderim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

KRYEPARLAMENTARI VESELI: KRENARË PËRKRAH SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS

Kryeparlamentari Veseli tha gjatë fjalës së tij se 15 vite më parë bota pa me sy dhe ndjeu me zemër një nga momentet më dramatike të historisë bashkëkohore – sulmin e pashembullt terrorist mbi kullat binjake në New York.

“Atë ditë, anë e kënd botës, u tronditën zemrat njerëzve nga të gjitha kombet e racat, kulturat dhe religjionet. U tronditën zemrat e njerëzve që besojnë në lirinë njerëzore, në të drejtat e njeriut, në demokracinë dhe paqen mes popujve. Janë këto

vlera supreme, të cilat, sot, tek Shtetete Bashkuara të Amerikës gjejnë garantuesin kryesor”, tha kryeparlamentari Veseli.

Kreu i legjislativit theksoi se qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës ndihen krenarë që janë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër terrorizmit.“Ne ndihemi krenarë se liria jonë, shteti ynë i pavarur dhe sovran, janë të lidhura në mënyrë të pandashme me emrin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne ndihemi krenarë duke qenë populli më proamerikan në botë. Kjo nuk është as oportunizëm, as servilizëm. Përkundrazi, është mirënjohje morale për përkrahjen vendimtare që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë popullit tonë në momentet më të rënda të tij”, tha Veseli.Kryetari Veseli po ashtu tha se qytetarët dhe institucionet kosovare asnjëherë nuk kanë pasur dhe nuk do të kenë dilema rreth partneritetit me SHBA-të.“Zërat individualë që vënë dyshime mbi këtë partneritet, e që lansojnë ide të mjera  për aleanca të reja, janë zëra kundër Kosovës dhe të adhmes së saj. Ne nuk mund  t’i definojmë interesat tona nacionale strategjike duke mbyllur veshët apo injoruar qëndrimin amerikan mbi zhvillimet në vendin tonë”, tha Veseli.

Kryeparlamentari Veseli tha në ceremoni se miqësia mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara do të jetë e përhershme, ndërsa bashkëpunimi bilateral do të vazhdojë të thellohet.

PRESIDENTI THAÇI: NE JEMI PRANË POPULLIT MIK AMERIKAN

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkruar në ‘facebook’: Në përvjetorin e 15-të të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, ne jemi pranë popullit mik amerikan për të ndarë me të dhimbjen për humbjen e mbi 3 mijë qytetarëve të pafajshëm, si dhe për të shprehur angazhimin tonë të palëkundur përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën kundër terrorizmit.Po ashtu, shprehim respektin tonë për fuqinë e madhe shpirtërore të këtij kombi madhështor, i cili e përballoi këtë tragjedi me kurajë e fisnikëri, dhe dhimbjen e ktheu në forcë për të luftuar terrorizmin.Ato akte mizore terroriste ishin sulm ndaj mbarë botës së lirë e demokratike që synonin të shkelnin mbi parimet dhe vlerat humane universale, të cilat ne i konsiderojmë të shenjta e të paprekshme, prandaj ne i jemi mirënjohës shtetit amerikan për udhëheqjen e luftës kundër terrorizmit botëror.

Në ato sulme humbën jetën edhe tre bashkëkombës tanë, Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj, gjë që tregon se terrorizmi na kërcënon të gjithë e nuk njeh fe, racë apo komb. Prandaj, kjo ditë përkujtuese duhet të shërbejë gjithashtu edhe si një thirrje kundër dhunës, jotolerancës, gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit.

KRYEMINISTRI MUSTAFA PËRKUJTOI VIKTIMAT E SULMEVE TERRORISTE TË 11 SHTATORIT

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në përvjetorin e 15-të, ka përkujtuar viktimat e sulmeve terroriste në SHBA, të cilat morën jetën e mijëra njerëzve dhe shkaktuan pasoja të tjera të mëdha.

Kryeministri Mustafa tha se më 11 shtator 2001 në Nju Jork, në objektin e Pentagonit dhe në Pensilvani, u sulmua bota demokratike dhe vlerat më kulmore të saj.

“Nga atëherë, vende të ndryshme të botës ishin cak i sulmeve terroriste dhe viktima të shumta të pafajshme pësuan nga këto akte barbare. Por, koha po e dëshmon se bota demokratike në krye me SHBA-të, e prirë nga vlerat më të larta humane, është sot më e fortë dhe më e vendosur në përballje me këtë të keqe globale. SHBA-të, populli i saj dhe të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë në mbarë botën, përkundër dhimbjes së pamasë, nuk u gjunjëzuan më 11 shtator dhe janë sot më të përkushtuar se kurrë në fuqizimin e vlerave të lirisë, të demokracisë e të mirëqenies, anekënd globit”, ka thënë kryeministri.

Duke shprehur nderimin dhe duke përkujtuar të gjithë viktimat e 11 shtatorit, kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, theksoi përkushtimin e plotë të Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për të qenë pjesë e angazhimeve të përbashkëta globale, të udhëhequra nga SHBA-të, në luftën kundër terrorizmit dhe të gjitha formave të ekstremizmit të dhunshëm.

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: kosova, Mustafa, perkrah SHBA, Thaci, Veseli

“LOGU I BJESHKËVE” I MALËSISË SË MADHE DHE AT GJERGJ FISHTA

September 11, 2016 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

Disa javë më parë, ashtu si edhe çdo verë tjetër gjatë 17-viteve të fundit, në Kelmend të Malësisë së Madhe, u organizua një aktivitet kulturor me veshje, muzikë dhe valle tradicionale të Malësisë së Madhe.  Në përgjithësi, kjo është një ngjarje për të venë në dukje trashëgiminë historike të kombit shqiptar, si dhe bukurinë natyrore të Alpeve shqiptare, por edhe për të pasqyruar vlerat, traditat dhe bukurinë karakteristike të  grave dhe vajzave malësore të asaj treve.  Historikisht, kjo traditë mund të rrjedhë qyshë prej kohës së Ilirëve, por në të vërtetë, ky “log” e ka zanafillën në kishat katolike të famullive kryesore anë e mbanë  Malësisë së Madhe.  E mbaj mend se edhe ndër malësorët e rrethit të Ulqinit, kjo traditë kishte mbijetuar deri aty nga mesi i shekullit të kaluar.  Pas meshës, zakonisht Ditën e Pashkëve, organizohej një manifestim ku merrrnin pjesë të gjitha nuset e asaj zone që ishin martuar gjatë vitit, ndërkohë që banorët vendas mblidheshin për të përzgjedhur më të bukurën.  Duket se tashti, “logu” i nuseve është shëndërruar në logun e vajzave të reja të moshës 16-25 vjeç, që marrin pjesë në këtë konkurim vjetor, për tu përzgjedhur si më e bukura e Logut të Bjeshkëve.

      Organizatorët, me të vërtetë meritojnë lavdërime për këtë nismë vjetore, pasi kur të merren parasyshë rrethanat ekonomike dhe kulturore të asaj zone të shtypur egërsisht gjatë komunizmit dhe të lënë pas dore në periudhën post-komuniste — nuk është lehtë të organizohet një aktivitet i tillë për çdo vit.  Si nip i Vermoshit, mua më bëhet zemra mal kur shoh një manifestim të tillë të trashëgimisë historike dhe të kulturës dhe traditave të lashta të Malësisë së Madhe.  Është kënaqsi për të parë se “logu” tashti është shumë më i sofistikuar se dikurë dhe se vlera kombëtare e një aktiviteti të tillë në ato treva të harruara ka filluar të tërheq edhe vëmendjen e Tiranës zyrtare, diasporës dhe madje edhe vizitorëve të huaj.

      Fatbardhësisht, këtë vit organizuesit kishin gjetur mbështetjen e Ministrisë së Kulturës në realizimin e sivjetëm të këtij spektakli. Vihej re se e pranishme për herë të parë në këtë manifestim kulturor krahinor dhe kombëtar sivjet ishte edhe Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës, e cila pohoi se vizitonte për herë të parë ato zona të Shqipërisë së Veriut.  Dhe shtoi se “ndjehem me fat që Ministria e Kulturës e mbështeti këtë ngjarje të jashtzakonshme që mbahet tani për shumë vite me rradhë në ato troje”.

      Ajo u shpreh gjithashtu para të pranishëmve në log, se nga ajo vizitë mbeti e befasuar sepse nuk kishte pritur të shikonte një bukuri aq madhështore të natyrës dhe të ishte njëkohsisht dëshmitare e një kulture “përrallore dhe legjendash”, por aq të dinjitetshme të malësorëve dhe malësoreve vendase.  Në fjalën e mbajtur me këtë rast,  Ministrja Kumbaro përshëndeti me ngrohtësi pjesëmarrësit dhe pjesëmarrset që ajo i cilësoi si, “Zanat e Malësisë së Madhe dhe malësorët”.

      “Tek shikoja dhe i dëgjoja, më kujtuan që gjithky vend, gjithkjo trevë e jashtzakonshme e Shqipërisë është shumë e mbarsur me legjenda, me gojëdhana, me përralla me të cilat edhe ne që nuk kemi pasur fatin të lindim në Malësi të Madhe, jemi rritë.   Dhe gjithmonë kur flasim për legjenda i mendojmë si të pavërteta”, u shpreh Ministrja Shqiptare e Kulturës.  “Pohoj që është hera e parë që vi këtu.  Por sot që erdha e kuptova që ato që unë i  kam ditë si legjenda në fakt qenkan të vërteta.  Sepse këto vajza, këto çika të Malësisë janë ato zanat e vërteta me të cilat është ushqyer gjithë imagjinata jonë.”    Ministrja Kumbaro shtoi se vizita e saj në Malësi i krijoi asaj një emocion të veçantë dhe se ndihej me të vërtetë me fat se ajo zgjodhi për të vizituar Malësinë.   

Për nga natyra, preferoj që në gjithçka të shikoj më së pari anën pozitive.  Në këtë frymë edhe e vlersova vizitën e Ministres së Kulturës në aktivitetin në fjalë.  Si rrjedhim, më erdhi shumë mirë për pjesëmarrjen e Zonjës Kumbaro në logun e Bjeshkëve të Malësisë së Madhe por edhe për faktin siç pohoi ajo vetë, se gjatë qendrimit atje, ajo zbuloi se “ato që unë kam ditë si legjenda, në fakt qenkan të vërteta.”   

      Pas zbulimit të këtyre të vërtetave vjen mbrojtja e këtyre vlerave.   Por,  mbrojtja e këtyre të vërtetave kombëtare – të përdhunuara dhe të harruara për një gjysëm shekulli — nevojitë më shumë se një ushtar dhe më tepër se një vizitë në Logun e Bjeshkëve.  Por, sidoqoftë ky është një hap i parë dhe si i tillë duhet të konsiderohet pozitiv.  

       Por, nëqoftse Ministrja Kumbaro dhe qeveria që ajo përfaqëson me të vërtetë janë serioz që të pasqyrojnë këto vlera arbërore të Malësisë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, atëherë ata duhet të bëjnë më shumë se veç të vizitojnë njëherë në 17 vjetë, Logun e Bjeshkëve. Në formë sugjerimi,  në këthim e sipër nga Malësia për në Tiranë, Ministrja Kumbaro duhej tu kërkonte shoqëruesve që të ndaloheshin tek “shtëpia” rrënojë e At Gjergj Fishtës — e harruar nga të gjitha qeveritë post-komuniste — në fshatin Fishtë, në Zadrimë të Lezhës.  “Shtëpinë” në rënim e sipër të atijj Fishte i cili në veprat e tija interpretoi, si askush tjetër, vlerat dhe traditat stërgjyshore të cilat Ministrja Kumbaro pohoi se i “zbuloi” në logun e Bjeshkëve, vlera këto që me shekuj kanë pasqyruar fisnikërinë dhe tiparet e pavdekshme të malësorit dhe të shqiptarit.  Por njëkohsisht të vizitonte “shtëpinë” e atij Fishte i cili gjithnjë edhe sot përndiqet dhe përdhunohet nga vetë institucionet e kombi i tij, atij kombi të cilit ai vetëm nam e lavdi u mundua t’i sillte.  Emëri i At Gjergj Fishtës është sinonim me Malësinë e Madhe, një emër që lartëson vlerat, trimëritë dhe traditat shekullore të shqiptarit, një emër i cili me veprat e tija, si Lahuta e Malësisë, edhe sot jep shpresën, ringjallë heroizmin dhe shton dashurinë ndaj Atdheut, veti këto që fatkeqsisht mungojnë sot në radhët e shqiptarëve.

       Rasti i “shtëpisë” së At Gjergj Fishtës.  Megjithë deklaratat retorike të përfaqsuesve të ndryshëm të qeverive shqiptare post-komuniste se shtëpia   e At Gjergj Fishtës do të rindërtohej dhe do të shëndërrohej një një muze, në përputhje me lartësinë e këtij personaliteti të kulturës dhe të politikës kombëtare, deri më sot asgjë nuk është bërë në këtë drejtim megjithë ofertat nga individë privat për të marrë përsipër shpenzimet e projektit.  As autoritetet qendrore as ato vendore nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim se pse nuk autorizohet rikonstrukturimi i banesës së dikurshme të poetit.   “Shtëpia” e këtij Gjergj Fishte i cili si askush tjetër — me jetën dhe veprat e tija — gjithë jetën kultivoi dhe përjetësoi vlerat e Malësisë së Madhe dhe mbrojti si rrallë kush të drejtat e mbarë kombit shqiptar, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.  Ato “legjenda dhe përralla” për të cilat kishte dëgjuar më heret në jetën e saj e të cilat Ministrja Kumbaro tha se më fund i zbuloi në Logun e Malësisë së Madhe, se “në fakt qenkan të vërteta”, At Gjergj Fishta në epopenë kombëtare, Lahuta e Malësisë i pasqyron me protagonistë të vërtetë shqiptarë, si luftëtarë të lirisë, si mbrojtës të vlerave dhe të vërtetave historike iliro-trake dhe trashëgimtarë të vërtetë të traditave stërgjyshore.  Veç duhet të lexohet!  Siç ka shkruar edhe At Daniel Gjeçaj, Lahuta e Malësisë e Gjergj Fishtës, “Është kanga që të bën të thithish ajrin e kulluet të maleve arbënore, gjithmonë të lira.  Ashtë gurra që dikon nga dejtë e tokës sonë e që kurrë nuk shterret sado tërmeti të trondisë në themel alpet e mbjelluna me kulla-shkamb të Shqiptarit.”  Ai vazhdon duke thënë se, Lahuta e Gjergj Fishtës, “Ashtë shkolla e votrës stërgjyshore, ku rreth zjarmit mikëpritës u ruajt deri më sot ndera, burrnija, virtyti, besa, trimnija, dashunija ….me një fjalë bërthama e thalbi i nji kombi që nuk vdes derisa Lahuta të këndohet”, dhe për derisa të ndiqet dhe të mësohet për heroizmin dhe urtësinë e protagonistëve të saj.

     Fatkeqsisht, sot Lahuta e Malësisë nuk këndohet dhe as i madhi Gjergj Fishtë nuk njihet as nuk respektohet për meritat e tija si një zë i pashoqtë i ndjenjave dhe vlerave të shqiptarit.  Sot Lahuta nuk është e tija, pasi Gjergj Fishta nuk është më.  Por duhet të jetë e të gjithë shqiptarëve kudo, për vlerat kombëtare që përmban për brezat e tashëm dhe të ardhëshëm.  Këto vlera nuk janë vetëm të Malësisë së Madhe por të mbarë kombit shqiptar. Si i tillë, At Gjergj Fishta duhet të nderohet dhe të respektohet si i YNI.  Duhet t’i jepet fund, njëherë e mirë, përdhunimit historik të kësaj figure kombëtare dhe përjashtimit të tij nga letërsia dhe historia e kombit shqiptar! 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: At Fishta, Frank shkreli, Logu i Bjeshkeve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 64
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT