• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2017

Akademi Përkujtimore ne kujtim te Komandantit Legjendar Adem Jashari

March 6, 2017 by dgreca

2Perkujtim

Akademi Përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari/
2 Salle akademi

Prishtinë, 6 mars 2017- Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të manifestimit për shënimin e 19 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u mbajt Akademi Përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.1 Demolli 1Për të përkujtuar luftën e lavdishme dhe rënien e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari, në këtë akademi ishin të pranishëm kryetari  i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, familjarë dhe bashkëluftëtarë të Komandantit Legjendar Adem Jashari, deputetë, dhe përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale.
Para të pranishmëve të shumtë, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli përkujtoi luftën dhe heroizmin e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të Familjes Jashari.Ndërkaq, në emër të familjes Jashari, të pranishmit i përshëndeti Lulzim Jashari, djali i Komandantit Legjendar Adem Jashari. 

*** 

 Fjala e ministrit Haki Demolli në Akademinë Përkujtimore:

 Ne sot, 19 vjet pas, po përkujtojmë ngjarjet heroike të marsit të vitit 1998, ngjarjet e një marsi të zymtë, kur Kosovën dhe popullin e saj e kishte kapluar pushtimi i egër i okupatorit serb, e që njëherë njihet edhe si marsi i lavdisë kombëtare.

 E bëri këtë periudhën më të lavdishme të vendit tonë, vepra e Komandantit Legjendar Adem Jashari, i cili kishte vlerësuar se liria e vendit është më e shtrenjtë se jeta e tij, se jeta e familjarëve të tij dhe më të dashurve të tij, duke ia bërë me dije popullit, se tani e tutje do të kishte ushtrinë e cila përfundimisht do ta çlironte Kosovën nga okupimi shekullor.

Lufta, rezistenca dhe rënia heroike e familjes Jashari, ishte një ngjarje, respektivisht një sakrificë dhe flijim i pashembullt për lirinë e kombit dhe të atdheut, çfarë  historia jonë kombëtare por as ajo botërore, as nuk kishte parë e as dëgjuar kurrë më parë.Kjo luftë, shërbeu si një frymëzim i jashtëzakonshëm për mobilizimin e tërë popullit të Kosovës dhe të diasporës tonë, në angazhimin përfundimtar për çlirimin e vendit. Si rezultat i këtij mobilizimi gjithëpopullor, pas Epopesë së marsit ‘98,  ushtria e Komandantit Adem Jashari me shpejtësi të meteorit, u rrit dhe u strukturuar në formacione ushtarake, duke çliruar dhe vënë nën kontroll zona të tëra të vendit tonë.Sukseset e shumta në fushëbeteja, të ushtrisë së komandantit legjendar dhe  formacioneve të tjera ushtarake në Kosovë,  ndikuan që të aktivizohet edhe diplomacia ndërkombëtare, e cila duke e vlerësuar si të drejtë luftën për çlirimin e Kosovës, fillojë të gjykonte dhe dënonte krimin dhe gjenocidin shtetërorë serb të kryer ndaj  popullit tonë liridashës.Të gjitha këto zhvillime, rezultuan me organizimin e Konferencës së Rambujesë, e cila u pasua  me bombardimin e caqeve policore-ushtarake të Serbisë nga forcat aleate të NATO-së, e që për epilog përfundimtar, pati kapitullimin e Serbisë dhe çlirimin përfundimtar  të Kosovës.Andaj, në këtë akademi përkujtimore, duhet thënë se shteti ynë dhe kombi ynë përjetësisht do të jenë mirënjohës për të gjithë dëshmorët e rënë, për të gjithë ata që sakrifikuan gjakun dhe mundin për pavarësinë dhe lirinë të cilën është duke e gëzuar populli ynë.Jemi dëshmitarë se para tri ditëve, një gjykatë franceze ia shtyu edhe për një muaj ndalimin në shtetin e Francës, njërit prej komandantëve më të lavdishëm të UÇK-së, ish kryeministrit të Kosovës, z.Ramush Haradinaj.Reagimi i organeve shtetërore dhe qytetarëve të Kosovës, ndaj një vendimi të tillë të gjykatës franceze ka qenë i menjëhershëm dhe i zëshëm.Kjo dëshmon se, populli dhe shteti ynë i çmojnë jashtëzakonisht shumë, luftën çlirimtare dhe sakrificën për liri, dëshmon se i çmojnë çlirimtarët dhe luftën e tyre çlirimtare të UÇK-së.Respektin dhe nderimin e popullit për luftën e UÇK-së, për lavdinë e luftëtarëve të lirisë, nuk mund ta zbehin as Gjykatat Ndërkombëtare e as Gjykatat Speciale, sepse UÇK-ja dhe luftëtarët e saj, kanë zhvilluar në përgjithësi një luftë të drejtë çlirimtare kundër makinerisë ushtarako-policore e vrastare të pushtuesit shumëshekullor, pra të Serbisë.Pasur parasysh situatat e këtilla si dhe sfidat politike me të cilat është duke u ballafaquar vendi ynë, në këtë periudhë të tranzicionit dhe të integrimeve, kërkojmë nga të gjithë akterët politikë, që të lënë anash interesat parciale politike, interesat e grupeve apo partive vetanake dhe të kenë parasysh vetëm interesin e përgjithshëm të popullit dhe shtetit të Kosovës, ashtu siç e kishte edhe Komandanti Legjendar me bashkëveprimtarët e tij, dhe të angazhohen në gjetjen e zgjidhjes së çështjeve politike të cilat janë tejet të rëndësishme për jetën e popullatës tonë dhe funksionalitetin e shtetit tonë të ri.Në shkurt të viti 2008  mbi sakrificën e dëshmorëve, mbi gjakun e derdhur për liri, mbi mundin dhe angazhimin shumë shekullor të gjithë popullit tonë,  Republika e Kosovës u shpall shtet i pavarur dhe sovran, i cili duhej të krijonte edhe organet dhe institucionet e saj. Në kuadër të krijimit të institucioneve të reja të shtetit tonë, u themelua edhe  Forca e Sigurisë së Kosovës, , që sot paraqet Forcën e Sigurisë të Kosovës së pavarur. Tash në përvjetorin e 19-të të Epopesë  së lavdishme të UÇK-së,  shteti i Kosovës, pra Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, në vazhdën  e angazhimit për konsolidimin e organeve të veta më vitale shtetërore, do të ndërmerr të gjitha  veprimet ligjore dhe kushtetuese për transformimin e Forcës së Sigurisë.Që ky transformim është detyrë mbi detyrat e klasës tonë politike e dëshmon edhe votimi unanim kohë më parë, i Rezolutës për  FSK-në, nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, i cili votim u bë pas debatit disa orësh lidhur me mandatin e ri të FSK-së.Forcat e Armatosura të Kosovës, përveç mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit të vendit tonë, objektivë tjetër madhore do të kenë edhe  anëtarësimin në NATO, si dhe gatishmërinë për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse dhe humanitare në vende të ndryshme jo vetëm të Evropës, por edhe më gjerë.

Ngritja e shtyllës kryesore të shtetësisë së Kosovës, pra themelimi i Forcave të Armatosura,  paraqet plotësimin e një dëshire tjetër  të popullit të Kosovës, dëshire të Komandantit Legjendar Adem Jashari si dhe të presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës.Shteti dhe Qeveria e Kosovës, përmes krijimit të Forcave të Armatosura dhe akterëve tjerë të sigurisë, do të ngritin shkallën e sigurisë së vendit, në nivel të tillë, ku të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të ndihen të lirë dhe të barabartë, pa dallim të përkatësisë etnike, religjionit, racës apo bindjeve politike, sepse ne jemi duke ndërtuar një shtet demokratik, me vlera civilizuese perëndimore. Pra thjesht Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë të të gjithëve dhe për të mirën e të gjithëve.Mirëpo, Qeveria e Kosovës dhe klasa e saj politike do të përmbush edhe obligime të tjera për popullin dhe shtetin e Kosovës.Konkretisht do të angazhohemi për ndërtimin dhe sforcimin e shtetit bashkëkohor të Kosovës, pra për ndërtimin e një shteti ku sundon ligji, shtet i cili iu ofron  të gjithë qytetarëve, e në veçanti të rinjve, një perspektivë të ndritshme ekonomike, sociale, arsimore, kulturore si dhe mirëqenie të tërësishme.Pra do të punojmë për të ndërtuar shtetin që do të plotësojë kriteret dhe standardet për anëtarësim në NATO dhe integrime të tjera euroatlantike, ku do të  bashkëveprojë me SHBA-të dhe aleatët tjerë që përkrahën çlirimin dhe ndërtimin e shtetit tonë.Në fund duhet thënë, se ndërtimi i shtetit të tillë të Kosovës, si një shtet i lirë i pavarur dhe demokratik, paraqet realizimin më të mirë të ëndrrës së Komandantit tonë Legjendar Adem Jashari, të gjithë dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe luftëtarëve të lirisë.Lavdi Komandantit legjendar Adem Jashari dhe bashkëluftëtarëve  të tij.              

Lavdi familjes së madhe Jashari.        

Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit. 

Ju faleminderit.

Filed Under: Histori Tagged With: Adem Jashari, Akademi Perkujtimore, ne kujtim, te Komandantit Legjendar

MIRËNJOHJE PËR MËSUESIN

March 6, 2017 by dgreca

2normalja-e-elbasanit-1909-300x177Një kontribut 100 – vjeçar i mësuesëve elbasanas në krahinën e Sulovës/1 Pellumb-Gorica-250x293

NGA PËLLUMB GORICA/Ndodh që njerëzit të çfarëdo kategorie qofshin këta, të impenjuar për të ecur me ritmin e kohës, e kthejnë kokën herë pas here prapa për të nderuar e kujtuar me respekt, ata që kanë treguar përkushtim. Sidomos ata që kanë derdhur mund dhe dashuri me profesionin e tyre. Vitet ikin, por në kujtesë mbetet respekti për mësuesit që mbollën dijen. Është një profesion ku mirënjohja e kontributi për shoqërinë dhe edukatën është e pakrahasueshme. Banorët e fshatrave të Sulovës së Elbasanit kujtojnë me mirënjohje të thellë mësuesit që punuan aty në shkollat nga qyteti i Elbasanit. Është një kontribut 100 – vjeçar.

Në fillim të shekullit të kaluar, si në mbarë Shqipërinë e pushtuar dhe të mbushur me varfëri, mjerim e padituri, ishte e madhe dëshira për dije e arsimim. Për këtë shumë herët edhe në krahinën e Sulovës u hap shkolla shqipe. Për hapjen e shkollës së parë kontribuan patriotët e Elbasanit, sidomos Aqif Pashë Elbasani, Lef Nosi, Ahmet Dakli e Emin Matraxhiu. Shkolla u hap në Mollas në vitin 1916. Si mësues i parë ishte Dhimitër Deliana (Konomi) nga lagjia Kala e Elbasanit. Mësimin e zhvilloi në xhaminë e Mollasit me kushte të vështira. Nxënës të ulur në dysheme, por me dashuri për dije. Ishin 24 nxënës nga disa fshatra të Sulovës. Nga kujtimet e familjes Deliana në Elbasan ruhet një dokument thuhet se Dhimitër (Taq) Deliana dha mësim në shkollën e parë të Mollasit gjatë Luftës së Parë Botërore, ku shërbeu për një vit. Këtë e vërteton një dokument i përpiluar nga pleqësia e fshatit Mollas në këtë periudhë, e firmosur dhe e vulosur me pulla takes, ku thuhej se të ardhurat i shkonin Kryqit të Kuq. Në librin e Ilir Kaninës “Arsimi në Shqipëri në vitet e Luftës I Botërore“, faqe 58 është shkruar: “Më pas në shkollën e Mollasit në vitin 1918 erdhi mësuesi nga Elbasani Qamil Xhani, i cili punoi deri në vitin 1920’’.

Me historikun e shkollës së Mollasit lidhet pazgjidhshmërisht emri, përkushtimi dhe veprimtaria e gjatë e mësuesit nga Elbasani Musa Kongoli. Ai punoi si mësues në Mollas në vitet 1920-1924. Historitë gojore kanë arritur tek brezi i ri nga ish nxënësit e tij, që në tregimet e tyre e kanë dhënë shumë bukur madhështinë e këtij njeriu. “Ishte i ri kur erdhi në Mollas, një djalë i burrëruar para kohe nga hallet.” E kujtojnë me respekt për disiplinën, taktin pedagogjik dhe dëshirën e zjarrtë për t’u mësuar fëmijëve sulovarë shkrim e këndim. Ai nuk ishte vetëm një mësues i mirë, por edhe një patriot i vendosur, që luftoi deri në fund të jetës, për përparimin e vendit.

Në gjysmën e parë të shekullit XX, historia e arsimit në Shqipëri ka ecje e ngecje, vështirësi. Shkolla e Mollasit, si e vetmja në Sulovën e Poshtme, kishte probleme me ambientet, kushtet, largësinë e mësuesve, por edhe të nxënësve. Këto i dëshmojnë tërthorazi të dhënat arkivore kujtimet e mësuesve elbasanas që punuan këtu. Kjo i detyronte herë pas here autoritetet e kohës që ta mbyllnin. Sipas dokumenteve, në vitin 1924 numri i shkollave në gjithë vendin erdhi duke u pakësuar ashtu si mësuesit që jepnin mësim. Në vitin 1925 regjimi i Zogut e mbylli shkollën në Mollas me mësues Musa Kongolin. Kur askush nuk interesohej për shkollën dhe as për mësues patriotët sulovarë protestuan. Ata e ndjenin nevojën e arsimimit të fëmijëve dhe nuk mund të linin ata pa dituri, prandaj kërkuan me çdo kusht vazhdimësinë. “Historiku i zonës së Mollasit” shkruan:“ Një grup patriotët sulovarë shkoi te prefekti i Elbasanit dhe kundërshtuan këtë vendim të qeverisë, duke kërkuan me insistim rihapjen e shkollës. Qeveria nga presioni u detyrua që të rihapë atë”. Për shkak të vështirësive që dolën nga kriza ekonomike në vitin 1931, shkolla e Mollasit u mbyll përsëri dhe nxënësit mbetën pa mësim disa muaj. Qeveria e Zogut kërkoi, që mësuesit t’i paguajnë vetë populli siç paguan hoxhën e fshatit, sepse nuk është parashikuar në buxhet. Për shkak të kushteve të vështira, por edhe të largësisë, mësuesit ndërroheshin herë pas here, duke punuar në periudha të shkurta. Përmendet puna e palodhur e mësuesit Hysen Pajenga. Ai edukoi breza nxënësish sulovarë, midis të cilëve edhe mësuesin e parë sulovar, Riza Cërrikun i cili nuk do të harronte gjithë jetën: “E kam ende të freskët në kujtesë mësuesin e klasës së parë. Ishte njeri i mirë, që përpiqej për të na mësuar, megjithëse ishte i rreptë ’’. Mësues të tjerë elbasanas që në këto vite ushtruan profesionin në Mollas ishin “Llaz Topalli, Spiro Gjirazi, Maliq Mullaholli, Musa Shehu etj”.(“Historiku i zonës së Mollasit”) Sipas mundësive punuan pa u kursyer dhe e deshën profesionin e mësuesit, i deshën fëmijët, banorët e natyrën e krahinës. Ata shpesh u përplasën me opinione negative për arsimin e fëmijëve prej banorëve, se nuk u duhet shkolla, kush do t’i ndihmojnë të ruajnë bagëtitë. Shumica e mësuesve ishin diplomuar në Normalen e Elbasanit, e cila ishte në atë kohë institucioni më i lartë dhe më i kualififikuar arsimor i vendit, ku jepnin mësim një plejadë e tërë pedagogësh të spikatur e patriotë të flaktë. Është periudha kur familjet elbasanase do të sakrifikonin për arsimin dhe kulturën dhe pavarësisht mundësive të pakta ekonomike, vepronte një frymë e përbashkët në Elbasan për arsimimin, që vinte si rezultat i një tradite të hershme. Një kohë tepër e vështirë kur Shqipëria së pari vuante nga varfëria e tejskajshme dhe arsimit aspak i kushtohej vëmëndje. Ndoshta sot nuk e besojnë, por ja që kjo është e vërteta e jetës së këtyre mësuesve për të shpërndarë dijen e mësuar fëmijët edhe në Sulovë. Mësuesi nderohej nga të gjithë në Sulovë. Shumë prej tyre në këto vite e më vonë banonin në familjet e sulovare. Midis tyre kishte edhe nga ata që vepronin me metoda antipetagogjike, ndëshkime fizike ndaj nxënësve. Shkolla e Mollasit prej mësuesve elbasanas që në fillimet e saj ishte një fidanishte e patriotizmit dhe e formimit kulturor për brezat e ardhshëm në Sulovë.

Përpjekja për zhdukjen e analfabetizmit pas Luftës së Dytë Botërore ishte e madhe. Kudo kishte skamje, por dëshira për të përhapur dije më e madhe. Janë fakte që bëjnë të njohur kontributin e të tjerë mësues elbasanas. Është me interes të tregonim se kujtimet për këto vite, vlerësojnë sakrificat e mësuesve, seriozitetin e dëshirën për punë të mira, dashurinë për profesionin fisnik. Vitet kalojnë, por nuk do të harrohet durimi, këmbëngulja, vështirësitë me shqetësimin e vazhdueshëm për ambiente të përshtatshme, mungesat e mjeteve, frekuentimin i nxënësve e mbarvajtjen e mësimeve. Ishte koha kur nevojat për arsimtarë ishte e madhe me hapjen e shkollave në çdo fshat. Mjaftonte të kishin arsimin e mesëm. Jo pak prej tyre patën në fillim vështirësi të përballonin jetën e fshatit. Një sërë pyetjesh zinin vend në mëndjen e tyre, se si do të ishte vendbanimi, si do të ishin njerëzit e mbi të gjitha si do të përballonin kohën aty. Ishin vite që mungonin shumë gjëra. Mungonte komunikacioni. Nga Elbasani në Sulovë në ato vite të para të pas çlirimit të vendit vinin më shumë në këmbë se sa me makinë. Deri në Gostimë mund të gjeje mjet, që edhe kur kalonte ndonjë kamion shpresa mbetej vetëm te zemra e shoferit, që duhej të paguaje përndryshe duhej të ecje, por mandej në fshatrat e Sulovës ecnin në këmbë, mes rrugës së shkretë, të ftohtit, baltës në dimër, me vështirësi kalonin lumin Devoll e përrenjtë dhe në verë nuk i shpëtonin vapës përvëluese e pluhurit. Mësuesi Astrit Bishqemi kujton: “Nga Dumreja, vitin tjetër arsimor më hodhën në krahinën e Sulovës, tre vjet në Selvijas dhe një vit në Mollas. Luftë me padijen, me baltrat, me ujët e lumit Devoll.” Në fshatrat e Sulovës u emëruan dhjetra mësues. Kujtohen me nderim: Mehmet Dardha, Itarik Peshtani, Mithat Leka, Nazif Baholli, Mustafa Shupaku, Galetana Çaushi, Astrit Bishqemi, Loni Duda, Faik Pleshti, Xhaferr Guriçi, Nuri Dushku, Sami Domni, Dilaver Shkodra, Zeliha Shkodra, Ethem Mullajonuzi, Rruzhdi Belegu, Mustafa Pajenga, Albert Stoja, Hysen Pobrati, Sabaudin Pobrati, Liri Arapi, Ismail Kafexhiu, Sami Paralloi, Bexhet Belegu, Nafie Çaushi, Ollga Zhupa, Esat Gjevori, Hysen Saraçi, e sa a sa të tjerë që punuan pak vite. Përshkrimi i punës së çdo njërit prej tyre tregon se ishte i vështirë. Sulovarë të ndryshëm e midis tyre edhe Xhevit Çela, Ramiz Nasufi, Hekur Braushi, Alush Xheria flasin me respekt për mësuesit e kësaj periudhe. Mosha ka bërë të vetën, flokët u janë zbardhur e diku u kanë rënë, por nuk harrohet Astrit Bishqemi, aftësia e tij profesionale dhe zelli për punë, të cilin ai e tregoi edhe ndërmjet kolegëve me paraqitjen, ngrohtësinë shpirtërore dhe pasionin studiues. Kujtohet Sami Domni, si një ndër mësuesit që punonte shumë në organizimin e orës së mësimit dhe me pasionin e tij ngjallte tek nxënësit për ta bërë shkollën më të dashur. Të shkruash për Dilaver Shkodrën, do të thotë të shkruash për një intelektual, një njeri të kompletuar dhe, mbi të gjitha, që e donte profesionin, dijen, zhvillimin. Bashkë me shumë kolegë të tjerë, për çdo ditë ai ndërtonte një vizion të qartë të arsimimit të sulovarëve.
  Në fund të viteve ‘60 edhe në fshatrat e Sulovës u kalua në arsimin 8-vjeçar dhe në fillim të viteve ‘70 u hap shkolla e mesme bujqësore me dhe pa shkëputje nga puna në Mollas. Hapja e këtyre kategorive të shkollave dhe shtrirjes kërkonte edhe mësues më shumë, por dhe të kualifikuar. U emëruan mësues të tjerë nga Elbasani si: Vilson Karanxha, Rifat Xhina, Marjeta Osmani, Kujtim Spahiu, Arben Haxhiymeri, Eva Kajanaku, Abedin Stringa, Flora Vyshka, Ardjan Papajani, Fitnet Struga, Natasha Ballta, Mimoza Gremi, Agim Tarba, Avni Isai, Vladimir Ganjolli, Spiro Kallajxhiu, Shefki Ruda, etj, të cilët janë vetëm disa nga shumë e shumë emra, që nuk kanë qenë vetëm mësimdhënës, por, duke u përfshirë në jetën e fshatrave, u shquan si aktivistë shoqëror, pjesëmarrës e drejtues në veprimtaritë kulturore -sportive. Ishte koha e një masivizimi të madh të aktiviteteve kulturore-sportive. Me kulturën e tyre në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale e ndërtuan hapësirën e punës, miqësisë në interes të këtij zhvillimi shoqëror të fshatrave dhe pas shumë vitesh u kthyen në Elbasan, falë vlerave që shfaqën si mësues me perspektivë. Përhapën në Sulovë kulturën e qytetit dhe po shumë morën nga traditat e Sulovës. Meritojnë mirënjohje për kontributin që kanë dhënë në formimin cilësor të brezave të tjerë. Nuk harrohen lidhjet e tyre me sulovarët dhe fëmijët e tyre, dashurinë e ndërsjelltë që ekzistonte, një dashuri e pastër si vetë jeta, e cila mposhte varfërinë e brengat. Mjafton të shtojmë se ashpërsia e kësaj kohe, krijoi edhe ndaj mësuesve dënime dhe persekutime. Pushtetarë të pazotë që me prirjet e tyre të paaftësisë e fodullëkut e si të padenjë për pozita të tilla, luftonin me intriga vlerat, kontributet. Mësuesit, në sajë të kapacitetit mendor e kulturës që i karakterizonte, por edhe të mbështetjes, dashurisë nga mjedisi i ngrohtë e mikpritës i sulovarëve, i anashkalonin këto me punë përkushtuese me nxënësit. Thuajse shumica e mësuesëve në këto vite ishin të rinj. Me përkushtim për zhvillimin e arsimit dhe kulturës, rininë e kaluan fshatrave të Sulovës, në Selitë, Linas, Mollas, Dragot, Selvijas, Floq. Kjo ishte edhe koha më e bukur e jetës së tyre. Ishte praktikë e sistemit të kaluar qeverisës, që të emëroheshin nëpër fshatra mësues, mjekë, ekonomistë të sapodiplomuar. Kjo periudhë e rëndësishme do të linte gjurmë në formimin e karakterit të tyre. Profesioni i mësuesit u jepte gëzim dhe vrulli i moshës i bënte të kapërcenin vështirësitë. Ndaj shumica nuk ranë në limonti, veçse lexonin shumë, studionin gjuhë të huaja. Bëhen përpjekje për përgatitjen e mësuesve nga Sulova, për të cilët kishte nevoje ajo. Emri i mirë dhe puna që bënë kujtohet edhe sot, se asnjëherë nuk ka munguar kujdesi, zemërgjërësia, mikpritja e respekti. Duke u kthyer në retrospektivën e asaj kohe ata ndjejnë nostalgji për këtë respekt vlerësues. Përmendim një fakt kuptimplot, që banorët i respektonin dhe ishin bujarë me ta, i ftonin në gëzime. Ky nderim një vlerësim i punës së tyre, për thjeshtësinë, sjelljen e kulturuar,për t’u hapur sytë fëmijëve. Interesante është që për vite me radhë jo pak mësues jetuan dhe punuan familjarisht. Nuk mund të harrohen çiftet e mësuesve: Sulejman e Dafina Haxhihasani, Eqerem e Vjollca Isai, Pandi e Marica Strati, Albert e Myzejen Palloi, Pëllumb e Marjana Dedja, duke lënë gjurëm përjetsisht të pashlyera në mëndjen e sulovarëve. Jo pak prej tyre ruajnë momente të bukura, por edhe vështirësi si jehona kujtimesh në thellësi të shpirtit, të cilat, i kanë shoqëruar gjatë gjithë viteve të jetës. Dikush ishte me cene në biografi dhe ai shtet në themel të tij kishte ndëshkimin. Në secilin prej tyre shikoje të materializuar përkushtimin dhe dashurinë për profesionin e mjaft cilësi të humanizmit, mirësisë, që sot kujtohen me një lloj respekti të veçantë nga banorët. Pa harruar të shkruajmë se edhe për shkak të karakterit të tyre të ftohtë apo edhe disnivelit kulturor të banorëve, një pjesë qëndruan larg miqësisë dhe virtyteve. Ndoshta, edhe të demoralizuar nga që nuk e kishin pritur mirë emërimin në Sulovë, por e përgjithshmja është se shumica e tyre e ndjenin veten të lidhur me shkollën, nxënësit, banorët. Nuk harrohen vështirësitë dhe ajo punë kolosale që u bë. Natyrisht ka qenë vitaliteti me impulse të shumta, i cili ishte i domosdoshëm për të përballuar mundin e vështirësitë e krijuara në vitet më të mira të jetës së tyre. Në shkollën e mesme të Mollasit punuan vite me radhë një grup profesionistësh të zotë, që më vonë u bënë petagogë në Institutin e Lartë “Aleksandër Xhuvani”, sot Universiteti i Elbasanit, si Arben Haxhiymeri,Ardjan Papajani, Abedin Stringa, por edhe profesionistë të tjerë në gazetari e institucione shtetërore si Sulejman Haxhihasani, Pëllumb Dedja. Niveli i lartë teorik dhe pedagogjik ishte i lavdërueshëm në përgatitjen e brezave. Nxënësit të zellshëm edhe pse të veshur e mbathur keq, nuk mungonin, duke ardhur në mësim të lagur e të mardhur në dimër, pasi bënin përditë 3-5 kilometra rrugë. Mësuesit elbasanas ishin krenarë kur nxënësit e tyre të cilët vijonin formimin intelektual në shkollat e larta brenda e jashtë vendit me rezultate të shkëlqyera.
    Sot në shkollat 9-vjeçare të Linasit, Selitës, Selvijasit, Floqit dhe të mesmen e Mollasit vazhdojnë të tjerë mësues elbasanas, të cilët ecin në gjurmët e traditës së mirë si misionarë të dijes në Sulovë. Përherë për këtë kontribut mbetet diçka pa u thënë e pa u shkruar. Puna shpesh anonime e mësuesve e bën të vështirë atë kronikë jetësore të kësaj armate. Në një ditë të shënuar si 7 Marsi ata formojnë lulen më të freskët të mirënjohjes së kësaj zone.

Filed Under: ESSE Tagged With: Mirenjohje, Pellumb Gorica, PËR MËSUESIN

Idrizi, homazhe në memorialin“Adem Jashari”

March 6, 2017 by dgreca

Nënkryetari i Parlamentit Shqiptar, homazhe në  memorialin“Adem Jashari”/2 Prekaz Idrizi

Idrizi: Jam i mikpritur si një bir çamërie, sepse zemra na rreh njëlloj, si mbarë shqiptarëve në të gjithë trevat shqiptare/1 Idrizi Komlesin e Jashreve

Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, njëherësh nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, ndodhet sot në Prekaz për të bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari”, me rastin e 19-vjetorit të rënies së komandatit legjendar dhe familjes së tij.

Në krye të një delegacioni nga Shqipëria, i shoqëruar nga Abaz Hado, kryetar i shoqatës “Çamëria”, Shpëtim Idrizi është bashkuar me Nexhmi Muqiqin, kryetar i Shoqatës “Çamëria” në Kosovë dhe bashkë me kryetarët e degëve nga të gjitha trojet shqptare, për të bërë homazhe në memorialin e familjes Jashari. Më pas delegacioni shkoi për vizitë në kullën e Jasharëve.

“Kam ardhur dhe do të vi gjithmonë në respekt të veprës madhështore të heronjve të gjithë kombit shqiptar. Ndjehem mirë që gjithmonë jam i mikpritur si një bir çamërie, sepse zemra na rreh njëlloj, si mbarë shqiptarëve në të gjithë trevat shqiptare”, – tha z.Idrizi.

Pëfaqësuesi i Familjes Jashari falenderoi Kryetarin e PDIU-së duke shprehur kënaqësinë që sot kishte një pjesë të çamërisë. Ai shprehu mirënjohjen dhe theksoi se shqiptarët më shumë se kurrë duhet të jenë bashkë.

Përfaqësuesit të familjes Jashari iu dorëzua kostumi i trevave të çamërisë si edhe madalioni i mirënjohjes për familjen Jashari nga Shoqata “Çamëria”.

Filed Under: Politike Tagged With: Adem Jashari, homazhe, në memorialin, Shpetim Idrizi

Cfare u tha Presidenti Trump marinareve në bordin e “The USS Gerald R. Ford”

March 6, 2017 by dgreca

Ja cfarë u tha marinarëve amerikanë Presidenti Trump në bordin e “The USS Gerald R. Ford”/

170302-N-PW494-0438 NEWPORT NEWS, Va. (March 02, 2017)  President Donald J. Trump speaks with Sailors in the hangar bay aboard Pre-Commissioning Unit Gerald R. Ford (CVN 78). Trump visited March 2 to meet with Sailors and shipbuilders of the Navy's first-in-class aircraft carrier during an all-hands call inside the ship's hangar bay. (U.S. Navy photo by Mass Communication 1st Class Joshua Sheppard/Released)
Një fjalim historik për të ardhmen e Flotës së SHBA-ve, që garanton supremacinë e saj, përgjatë shekullit të XXI-të/

 Një nga fjalimet më të bukura që kam dëgjuar për marinarët kudo në botë/

170302-N-YW238-0494 NEWPORT NEWS, Va. (March 2, 2017) President Donald J. Trump gives a thumbs-up to the audience after his tour of Pre-Commissioning Unit Gerald R. Ford (CVN 78). Trump visited March 2 to meet with Sailors and shipbuilders of the Navy’s first-in-class aircraft carrier during an all-hands call inside the ship’s hangar bay. (U.S. Navy photo by Mass Communication Specialist Seaman Connor Loessin/Released)
Të nderuar marinarë të USS Gerald R.Ford!/

 Faleminderit! Faleminderit shumë! Cfarë nderi!

Ju thjesht më dhatë këtë xhaketë të bukur, duke më thënë: Zoti President, ju lutem merreni këtë në shtëpi. Ndërsa unë thashë, lermëni ta vesh. Dhe pastaj më dhatë kapelen e bukur, të cilën e vura në kokë. Ne, kemi një kapele të madhe “Bëje Amerikën të madhe përsëri!”, por unë thashë, kjo është një ditë speciale, ndaj po e vesh këtë. E drejtë? (Duartrokitje). Unë nuk kam nonjë  ide se si duket, por mendoj që duket mirë. Eshtë një kapele që duket e madhe,- thjesht, si kjo anije që është kaq e madhe. Faleminderit!

Ndjehem i privilegjuar që po qëndroj sot këtu me burra dhe gra të jashtëzakonshëm të Marinës së Shteteve të Bashkuara. (Duartrokitje). Marinarët Amerikanë janë marinarët më luftarakë kudo në botë. Këtu afër kam znj. Susan,{vajza e zotit Ford}. Unë jam i gëzuar që ajo tani është me ne. Unë e di sa shumë punon ajo, vetëm vizita, plot 17 në ditë. Unë e di që ju i bëni gjërat drejtësisht, këtë unë do ta tregoj. Ata më thanë që ju, i keni bërë gjërat drejt, në nderim dhe të dy prindërve të tu, që ishin njerëz të mëdhenj, të mëdhenj. Dhe ne duam ta prezantojme këtë anije të bukur, tek populli Amerikan. Unë doja të isha këtu, unë doja të isha me ty. Në këtë mënyrë, Susan, unë përmbush respektin ndaj familjes tënde që ka bërë një punë të pabesueshme. (Duartrokitje).

USS Gerald R. Ford ka një vend të vecantë. Në të vertetë ajo ndjehet si një vend. Ti qëndron mbi kuvertë dhe ndjehesh sikur po qëndron mbi një copë të madhe toke. Por, kjo është më e mirë sesa toka. Anija nuk do të jetë thjesht një simbol i madh i Forcës Amerikane, por një trashëgimi e madhe për babain tuaj, Presidentin tonë të mëparshëm, Gerald  Ford.

Presidenti Ford ishte një burrë i Marinës së SHBA. Meqë ra fjala, ai ishte gjithashtu një atlet i madh dhe ka mjaft prej jush që nuk e dinë këtë. Gerald R. Ford ishte në aksionet që Flota Amerikane zhvilloi në Paqësorin e Jugut gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai i shërbeu këtij vendi me nder, si ushtarak, në Kongres dhe në Shtëpinë e Bardhë. Dinjiteti dhe krenaria e kësaj anije i atribohet dhe përshtatet Gerald R. Fordit, këtij burri të madh dhe Presidenti të SHBA. Përgëzime për të gjithë burrat dhe gratë që kontribuan në ndërtimin e saj. Kjo anije është kulm i anijendërtuesve e mjeshtrave amerikane, më e madhja, më e mira, më e duhura. Anijendërtuesit amerikane janë më të të aftët kudo në botë. Kjo luftanije, dhe të gjithë që shërbejnë në të, duhet të jenë një burim i krenarisë për kombin tonë. Ne jemi të bashkuar sot,(duartrokitje), më mirë beso, kjo është e drejtë? Më mirë beso! (Duratrokitje). Dhe, me që ra fjala, ne do të kemi së shpejti më shumë vizitorë. Ne do të kemi më të ardhur. (Duartrokitje).

Ne jemi bashkuar sot, nga Gjenerali Mattis, tani Sekretari Mattis. (duartrokitje). Ku është ai? Mattis u vu në këtë detyrë për menaxhimin e kësaj ringritje të Forcës sonë Ushtarake. Ne, do t’i japim burrave dhe grave të shërbimeve të armatosura të Amerikës, burimet që ju duhen atyre për të mbajtur të sigurtë SHBA.  Ne do të kemi pajisjet me të sofistikuara në botë, aeroplanë, anije dhe cdo gjë tjetër. Ne do të kemi, së shpejti, pajisjet më të mira në botë. (Duartrokitje).

Ne do tu japim ushtarakëve tanë mjetet që i duhen për të parandaluar  cdo lloj lufte dhe, nëse kërkohet, ta bëjnë atë luftë dhe ta fitojnë? Të fitosh! Të fitosh! (Duartrokitje). Ne, do të fitojmë përsëri.

Admirali John Richardson, Shefi i Operacioneve të Marinës, Ky zotëri i madh është me ne sot gjithashtu. Admiral, ne do ti sigurojmë Marinës sonë që të ketë burimet, trajnimin e personelit dhe pajisjet e nevojëshme. Kështu, përgëzime, Admiral! Më shumë do vijnë. (Duartrokitje).

Më lejoni të përgëzoj Kapitenin Richard MCCormack, Komandantin e Aeroplanmbajtëses, Gerald R. Ford. Kjo anije do të bëjë përmirësime të jashtëzakonshme tek Flota jonë si askush tjetër.  Nuk do ketë në asnjë vend të botës si kjo anije. Ajo përfaqëson të ardhmen e Aeroflotës amerikane. Unë kam privilegjin më të madh që të shërbej si Kryekomandanti juaj dhe Krykomandanti i burrave dhe grave të ushtarakëve të Shteteve te Bashkuara. Jeni njerëz të mëdhenj. (Duartrokitje). Njerëz të mëdhenj, të mëdhenj!

Ju përshëndes ju dhe marinarët tanë kudo në botë. Gjithmonë do mbështes misionin tuaj.Nuk do t’ju zhgënjej kurrë ju. Gjithashtu prezantoj Mike Petters, President dhe Drejtuesi i Industrive “Huntington Ingalls” së bashku me Matt Mulherin, Presidenti i Kompanisë së Ndërtimit të anijeve të NewPort. (Duartrokitje).{Kjo kompani ka ndihmuar me anije falas Flotën shqiptare, bashkë me riparimin e tyre, Shënimi im, Sh.K}. As ata nuk do t’ju zhgënjejnë. (Duartrokitje).  Për ata që i shërbejnë kombit tonë në uniformë dhe për ata që ndërtojnë instrumentat e mbrotjes sonë, unë ju falenderoj në emër të kombit tim. ANËTAR i AUDIENCËS: SH-B-A!

Jam dakort, jam dakort. (Të qeshura).

Anijet e transportit janë pjesa kryesore e inevntarit të Forcës ushtarake Amerikane jashtë vendit. Ato kanë mbi 4.5 akra paisje e forcë luftuese të territorit sovran të Shteteve të Bashkuara, të cilat nuk mund ti konkurojë askush. Nuk ka konkurrent për këtë anije. Ajo është një amfib i jashtëzakonshëm për Forcën Amerikane që do të furnizojë trupat amerikane për të siguruar paqen kudo në botë. Kjo anije, do ketë rreth 4,500 trupa personel dhe 70 avionë, ndaj do përbëjë një komponent jetik të mbrotjes sonë. Ky transportues gjigand dhe anijet e reja të klasës “Ford” do të zgjerojnë mundësinë që kombi ynë të zbatojë misionet jetike mbi cdo det e oqean sado të largët. Me shpresë, mbase është forcë që nuk na duhet ta përdorim, por nëse na duhet, kundërshtarët tanë do jenë në telashe të mëdha, të mëdha. (Duartrokitje).

Kjo aeroplanmbajtese e madhe rrit aftësitë tona për të luftuar terrorizmin dhe të kemi iniciativën ndaj kundërshtarëve për shumë vite në të ardhmen. Admirali i madh Nimitz, që komandoi Fllotën e Paqësorit të Shteteve të Bashkuara gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka thënë, “është misioni i Marinës që të mbajë sa më larg luftën ndaj armikut në mënyrë që ajo mos zhvillohet në tokën e Shteteve të Bashkuara”. E vërtetë. (Duartrokitje). Dhe pikërisht 75 vjet më parë, marina jonë e bëri këtë në betejën e Midway, pikërisht nën Komandën e Admiralit Nimitz. Ju të gjithë keni dëgjuar për betejën e Midëay, ku marinarët e Marinës së Shteteve të Bashkuara luftuan me trimëri, e cila do të mbahet mend përmes kohërave. Ishte një trimëri që do jetojë gjatë.

Shtylla kurrizore e Fllotës Amerikane në Midway ishin tre aeroplanmbajtëse të bukura: Yorktown, Enterprise dhe Hornet. Te treja ishin ndërtuar me duart e mjeshtrave amerikanë, pikërisht këtu tek kantieri detar i Newsport. (Duartrokitje). Në betejën e Midway, Fllota pësoi humbje dhe u dëmtua. Por, guximi dhe veprat heroike të marinarëve ndryshuan kursin e historise. Shumë amerikanë trima vdiqën atë ditë, dhe, përmes sakrificës së tyre, ata kthyen rrymën e Luftës së Paqësorit. Ishte një rrymë e rreptë, një rrymë e madhe, rrymë e ligë, dhe marinarët e kthyen atë në favor të popullit amerikan..

Amerikanë të panumërt, pjesmarrës në atë luftë, disa prej tyre prindër ose gjyshër të njerëzve në këtë bord, u kthyen shëndoshë e mirë në shtëpi, falë veprave heroike të marinarëve. Marinarët në Midway janë pjesë e historisë të heronjve Amerikanë, një zinxhir i pathyer i patriotëve nga cdo brez në tjetrin, që u ngrit për të mbrojtur flamurin dhe lirinë tonë.

Kjo trashëgimi vazhdon sot tek luftëtarët amerikanë që mbrojnë popullin tonë nga kërcënimi i terrorizmit. Të Martën, unë i kërkova Kongresit një sesion të përbashkët, ku të shtohet buxheti i mbrojtjes dhe të mbështesë kërkesen time për një rindërtim të madh të Ushtrisë dhe Marinës së Shteteve të Bashkuara. (Duartrokitje).

Pas disa viteve të shkurtimit të buxhetit që ka dobësuar mbrojtjen tonë, unë po kërkoj një nga rritjet më të mëdha të buxhetit për mbrotjen në historinë e SHBA. Duke eleminuar vecoritë dhe pasigurinë që krijon, ne do ta bëjmë më të lehtë planifikimin e fondit për marinën në të ardhmen dhe kështu të kontrollohen kostot dhe të arihen marrëveshjet me të mira për taksapaguesin, i cili, sigurisht, është shumë i rëndesishëm. E drejtë? Arritëm të marim një marrëveshje të mirë. Nëse ne nuk kemi një marrëveshje të mirë, ne nuk bëjmë detyren tone. E njëjta varkë për më pak para. E njëjta anije për më pak para. Të njëjtët aeroplanë për më pak para. Kjo është cfarë ne po bëjmë. Që do të thotë se, ne do të marrim më shumë prej tyre, dhe ne mund ti përdorim ata. Ushtria jone kërkon financim të qëndrueshëm, stabël që të përshtatet me nevojat për të siguruar mbrotjen tonë. Tani, kërkesa jonë parësore është mirmbajtja e avionëve, shumë aeroplanë kanë më shumë mundësi që të rrëzohen për mirëmbatjen, sesa atë që janë duke bërë në qiell. Marina jonë momentalisht është më e vogla që nga Lufta e I-rë Botërore.  Mos u merakosni, së shpejti do jetë më e madhja që ka qenë. Mos u merakosni. (Duartrokitje). Mendohuni për këtë. Në këto kohë plot sfida, Marina jonë është më e vogla që prej Luftës së Parë Botërore. Tashmë, ajo i takon kohës së kaluar. Në fakt, Unë sapo fola me drejtuesit e Marinës dhe liderat e industrisë, të cilët kanë diskutuar planet e mija që të marrin përsipër zgjerimin e gjithë Flotës sonë Detare, duke përfshirë Aeroplanmbajtësen e 12-të që na duhet. (Duartrokitje). Ne gjithashtu na duhen më shumë aeroplanë, më moderne dhe me kapacitete të fuqishme. Gjithashtu, ne duhet të përmirësojmë më shumë aftësitë tona kibernetike. Kjo përpjekje  madhështore rindërtimi sigurisht që do të krijojë më shumë vende pune në Virginia, dhe në gjithë Amerikën, duke inciuar teknologji dhe shpikje të reja. SHBA-të kanë qenë dhe janë vendi, që gjithmonë kanë udhëhequr botën me guxim drejt së ardhmes. Ndaj buxheti im do të sigurojë që ne të bëjmë kështu dhe do të vazhdojmë të bëjmë pikërisht këtë. Anijet Amerikane do të lundrojnë në dete dhe oqeane. Aeroplanët Amerikanë do të ngrihen lart në qiej. Mjeshtrat Amerikanë do të ndërtojnë anijet tona. (Duartrokitje). Dhe Ushtria e Amerikës do të sigurojë që një diell i ndritshëm dhe me ngjyra të ndezura të shkëlqejë gjithmonë mbi kombin dhe popullin tonë. Marina jonë është e madhe. Marina jonë është e madhe. Populli ynë është i madh. I madh! (Duartrokitje).

Republika jonë do të mposhtë cdo sfidë, cdo rrezik. Do ti paraprijë cdo kërcënimi, dhe gjithmonë do të kërkojë paqen e vërtetë dhe të përhershme.

Zoti e bekoftë Ushtrinë tonë! Zoti e bekoftë Marinën tonë! Zoti e bekoftë familjen e mrekullueshme Gerald Ford. Zoti vazhdoftë të bekojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Faleminderit shumë. (Duartrokitje).

 

Një fjalim i natyrshëm, brilant, i Presidentit dhe Komandantit të Përgjithshëm Donald Trump para marinarëve, që përvijon strategjinë e zhvillimit të Flotës së SHBA, gjatë këtij shekulli. Ndërkohë programi i Presidentit Trump e garanton Flotën e SHBA si mbretëreshë të deteve dhe oqeaneve në të ardhmen, duke i hequr cdo hije dyshimi cilido skeptiku. {Shënimi ynë}.

 

Për “Diell-in” Shefqet&Herion Kërcelli

Filed Under: Politike Tagged With: “The USS Gerald R. Ford”, Cfare u tha Presidenti, Trump marinareve në bordin e

Vangjel Simaku, historiani erudit, artist dhe vizionar

March 6, 2017 by dgreca

1Miku i MondesShkruar nga Raimonda MOISIU/

Lajmi  i dhimbshëm dhe  i pabesueshëm, pikëllim i thellë tronditi në dt.4 Mars 2017, qytetin e dijes, kulturës, historisë dhe serenatave, Korcën, bashkëqytetarët korcarë dhe voskopojarë: Shuhet krejt papritur, profesori i letërsisë, historiani erudit dhe enciklopedik, njeriu i përkryer, Vangjel Simaku.

Arësimi në Korcë e ndjen thellë këtë dhimbje e pikëllim për  humbjen e  mësonjësit, dijetarit  dhe arësimdashësit shëmbullor, Vangjush Simaku sikundër e thërrisnin korcarët.  Është dhimbje  e pallogaritshme, humbja e një  kolegu të përkushtuar, miku të  mirë, familjari shembullor. I diplomuar për Gjuhë-Letërsi, Vangjushi ishte i pranishëm në shtypin shqiptar me shkrime historike për Voskopojën dhe njerëzit e shquar voskopojarë ndër kohëra e vite, për  kontributin dhe veprat e tyre që ata lanë pas, letërsi, esse, kritika letrare, poezi, editorialë dhe opinione sociale – politike dhe historike. Në ngushëllimin e tij, një nga bashkëpunëtorët dhe kushëriri i tij, shkrimtari Nikolla Simaku shprehet:

“Kishim shumë punë për të bërë së bashku dhe më duket  sikur më le në  mes të rrugës. Dhimbja  është  e madhe për këdo, por  jo në  moshën tënde, kur kishe kaq vrull, kaq guxim për atë që doje, si dhe kaq projekte në  kokën tënde. Kisha nevojë për  ty, për dijen tënde të gjithanëshme, për intelektin tënd dhe guximin për të foluar atë që të këshillonte ndërgjegja e jote. Në  thelb ti ishe artist, ishe vizionar. Mund të rreshtoj shumë cilësi të tuat, ti ke lënë  trashëgimi kulturore, të spikatura nga ana intelektuale, por, më në fund shumë dhimbje tek familja, tek të afërmit e tu, tek bashkëpunëtorët  e tu, tek njerëzit, që janë  në gjendje të  vlerësojnë njeriun per bukurinë e mendjes, pasionin dhe vrullin jetësor që të  karakterizonte. Ike pa na ” pyetur” duke na lënë tepër të  zhgënjyer në rrugën që të gjithë do ta ndjekim: Vdekjen. Po pse kaq shpejt? I dashur dhe i respektuar nga gjithë fisi i Simakëve, kudo që  janë kudo që jetojnë: Lamtumirë!  Të qoftë dheu i lehtë.” Ndër të  tjera Vangjushi ishte edhe kryeredaktor i Revistës Kulturore-Shkencore “TEMPULLI” qysh prej themelimit, intelektual aktiv dhe një  prej  bashkëpunëtorëve të përkushtuar dhe profesionalë  për  vijimësinë dhe rritjen e cilësisë së Revistës. Por vdekja  e papritur   e rrëmbeu Vangjushin, duke lënë në  mes shumë pasione e angazhime  intelektuale, studimore, letrare, historike,  por mbi të gjitha, i ndërpreu jetën atij në një moshë relativisht të re. Me profesorin e letërsisë dhe enciklopedikun vizionar historik , me lidhte miqësia  jo vetëm si kolegë që vinim të dy nga arësimi dhe vendlindja jonë Korca, por ne ishim në kontakt të vazhdueshëm  duke shkëmbyer  shpesh mendime për temat historike,  vecmas të Korcës dhe Voskopojës, nga ku ai kishte edhe rrënjët e inteligjencës vllahe, duke i botuar ato në gazeta Dielli, SHBA, Tirana Observer dhe gazeta DITA. Një miqësi prej dekadash që kishte në thelb promovimin e vlerave të elitës,inteligjencës  dhe qytetarisë korcare. Fjalët janë  pak dhe  nuk mund të  përshkruajnë dhimbjen dhe trishtimin që la pas ikja e Vangjushit, njeriu i dashuruar me fjalën letërsinë, historinë, mirësinë, progresin për  jetën. Vangjush Simaku ky dijetar enciklopedik historik, artist dhe vizionar shkroi me shumë dashuri e saktësi për qytetin e tij të bukur Korcën, për Voskopojën  e lashtë evidentuar me mjeshtëri. Ikja e tij u përcoll me shumë dhimbje e  trishtim në  gjithë qytetin e Korcës e kudo ku ai kish miq e kolegë, edhe te  patriotët e tij korcarë kudo ku ndodhen që nga Amerika, Tirana , Kosova, Maqedonia, Vjena e tërë Europa dhe deri në Australinë e largët. Dhimbje  e madhe për  humbjen e  profesorit të nderuar të letërsisë, drejtorit të gjimnazit historik “Themistokli Gërmenji”, të historianit dinjitoz dhe poetit të dhimbjes e traditës. Vangjel Simaku do të kujtohet  gjithmonë me shumë  respekt dhe vlerësime pa fund, për dritën që la pas me veprat dhe shkrimet e tij,

 

Filed Under: ESSE Tagged With: artist dhe vizionar, historiani erudit, Raimonda Moisiu, Vangjel SIMAKU

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT