• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2017

Supozimet me skenarët e dhunës

May 6, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/Demokratë, webet hilanjose të së majtës sot pështyjnë e ulërijnë, kërcënojnë, mallkojnë. Vrasin me grusht, sjellin me shqelma. Çfarë nuk po thonë. Skenare dhune, djegiesh, rrahjesh. Ekzekutimesh. Janë një shpurë fytyrash të parruara të cilat ndërkohë i kërcënohen edhe shenjtërisë së tyre Edi Ramës. Ose kryeministrit në ikje të Shqipërisë së shqyer nga lufta e klasave. Për atë se çfarë mund të ndodhte nesër në Kavajë. Lloje me hamendësime guerrilësh pasi i dine mire. Eshtë përvoja e tyre në kësi vulgaritete të njëriut karshi njeriut.

Terrori është arma e suksesit. Sepse pas tij vjen bindja civile.

Në këto vite tranzicioni stërkala të këtij mëkati kanë kapur edhe të djathtën. Aq sa kur mendon se si humb jetën një njeri, për shkak të një vote. Në një ditë votimi, mund të themi me plot gojën të dhjefsha demokracinë. Pastaj të tjerat normale që i përkasin një anarshie totale. Kohë e bukur për progres të atyre që vijnë në pushtet përmes terrorit.

Megjithatë më e keqja bëhet kur terrorit i përgjigjesh me terror.

E sidomos brenda gjakut. Kjo është jo fatkeqësi, por zilanosje kombëtare. Një lloj çmendurie sociale e cila pjell e mbarshton dhunë të shkallëzuar. Deri brenda familjes. Të bindesh është urdhër. Rregull, zakon, kanun etj. Çfarë nuk themi ne shqiptarët. Aq sa të vjen të plasësh kokën kur një burrë vret të renë, gruan e të birit, vetëm pse nuk ia bëri me shkumë kafenë. Një barbarizëm kolektiv që ta shpif jetën që bëjmë.

Nuk i çoj dot nëpër skenarët nga gojët plot pështymë. Veç kaq gjë mundem tua u kujtoj. Përplasja e këmbëve, shkordhja e gurëve në këmbët tona është mosbidja jonë civile. Qëndrimi pa asnjë kompromis në kërkesat. Për një qeveri teknike dhe asgjë tjetër. Nëse Edi Rama u tërhoq nga zgjedhjet në Kavajë. Mirë bëri. Po nuk është fitorja jonë, por e çështjes.

Nuk ka fitore grupesh, bindjesh apo partish. Ka fitore të çështjes për qytetarët e vendit tend. Fitore të demokracisë.

Kur themi nuk duam pushtet në këtë qeveri teknike të ofruar. Kur refuzojmë postet etj. Jemi normal në kërkesat tona. Jemi për çështjen. Vendi ynë ka nevojë për standarte dhe sistemin e votes, jo të emërimit. Vetëm në Shqipëri ndodh të emërohesh me urra. Me flamuj, edhe pse nominojmë votën.

Edhe pse flitet orë e çast për demokraci. Kjo vetëm e tillë nuk është. Eshtë mutokraci. Pikërisht kulti i individit ka hedhur sot tek ne farën e një mosbesimi masiv. Aq sa, sot përshembull, më shumë se armikun real të një populli, ne urrejmë shoqi-shoqin. Kjo urrejtje shqiptare, tipike. A tipar dallues i joni. Na mban sot si ata manekinat në vitrinat e demokracisë. Jo njerëz të gëzueshëm të së përditshmes.

A nuk i keni bërë pyetjen vetes, se e përditshmja, gëzimet, e saj…, jeta vet…, me nipër e mbesa, me dasma. Me pritje e përcjellje, portesh e aeroportesh. Hollet e shkollave, zyrat e punës. Parqet, kafenetë, pikëpjekjet etj. Dëshirat dhe prirjet, teatrot, stadiumet, galeritë e artit dhe të nëntokës. Çfarë t’ju them tjetër. E përditshmja pra, na është shuar nga zelli i urrejtjes politike.

Sot ka shumë aludime, shumë skenarë ogurzinj. Demokratët do të bënin gjëmën në Kavajë etj. Ndaj Edi Rama u tërhoq.

Tërheqja nuk është në stilin e Ramës. Eshtë në stilin e shtetarëve bashkëkohor kudo në botë. Por jo në stilin e Ramës. Megjithatë ta quajnë një pjekuri. Dhe do të bëj mirë të tërhiqet edhe nga 18 qershori. se të gjitha janë të mundshme. Mjafton vullneti politik. Ndaj më e rëndësishmja është çështja.

Dhe rruga se si e arrin atë është vetëm një… protesta jo me dhunë,djegie si i di mirë soji i revolucioneve, i Edi Ramës, por me dinjitet demokracie. Shkurt, të gjitha janë aludime të cilat ata ua servirin që tu hipi gjaku në kokë. Ndaj kujdes, mos bini në atë grackë hafijesh.

Filed Under: Opinion Tagged With: e dhunës, Ilir Levonja, me skenarët, Supozimet

Kosovë-MPJ përgënjeshtron lajmet e mediave serbe

May 6, 2017 by dgreca

-Shkrimet e ditëve të fundit në mediat serbe për gjoja futjen e grupeve të armatosura nga Kosova në Maqedoni janë pjesë e fushatës qëllimkeqe për dëmtimin e imazhit të Kosovës/

1 Ministria e jasht KosPRISHTINË, 6 Maj 2017-Gazeta DIELLI/ Ministria e Punëve të Jashtme përgënjeshtron shkrimet e ditëve të fundit në mediat serbe, për gjoja futjen e grupeve të armatosura nga Kosova në Maqedoni.

MPJ mbështetur në informatat e siguruara nga institucionet e sigurisë, informon se shkrimet e disa ditëve të fundit janë të pavërteta, qëllimkëqija dhe tendecioze që kanë për qëllim destabilizimin e rajonit. Ato janë pjesë e një fushate të lajmeve të rrejshme që kanë për qëllim dëmtimin e imazhit të Kosovës.Çdo tentativë, e kujdoqoftë, për të paraqitur Kosovën si gjenerator të destabilitetit dhe pasigurisë, është tendencioze dhe me prapavijë për të realizuar agjendat të cilat kanë për synim destabilizimin e rajonit dhe pengimin e proceseve euro-atlantike, për të cilat Kosova dhe qytetarët e saj janë të orientuar.Këto tendenca, për ta paraqitur Kosovën vend jo stabil dhe të pasigurtë, kanë për qëllim krijimin e një pamje negative për shtetin tonë jo vetëm në aspektin e sigurisë, por edhe përpjekje për të goditur interest vitale sikurse janë zhvillimi ekonomik, investimet e huaja, partneriteti rajonal, njohjet e reja dhe karakterin demokratik dhe shumëetnik të Kosovës.

MPJ siguron qytetarët dhe partnerët e saj se Policia e Kosovës dhe institucionet e sigurisë, vazhdimisht janë proaktive me masa dhe veprime konkrete në tërë territorin e vendit me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe të garantimin e stabilitetit të vendit.

Falë këtyre angazhimeve dhe profesionalizmit të treguar të institucioneve të sigurisë ndër vite, sot Kosova nuk është vetëm konsumues i sigurisë dhe stabiitetit por edhe një aktor i përfshirë rajonal dhe ndërkombëtar.

Krahas shumë aktiviteteve operative, Policia e Kosovës në kuadër të procesit të Menaxhimit të Integruar të Kufijve, ka një bashkëpunim të shkëlqyer ditor me autoritetet përgjegjëse të Maqedonisë përgjatë brezit kufitar dhe realizon takime të rregullta edhe me prezencën e trupave të KFOR-it. Si rrjedhojë, asnjëherë nuk janë ngritur shqetësime të tilla përkitazi me shkrimet e rrejshme të mediave serbe pas të cilave qëndron politika zyrtare e shtetit serb.Qeveria e Kosovës dhe institucionet e sigurisë vazhdojnë të jenë të përkushtuara në përmbushjen e misionit të tyre për siguri dhe stabilitet në Kosovë, si dhe janë në partneritet të vazhdueshëm me shtetet e rajonit e më gjerë për adresimin e rreziqeve të mundshme në Kosovë apo në rajon./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Kosove, media serbe, Ministry e Puneve te Jashtme, Pergenjeshtrim

Origjina hasiane (kosovare) e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut

May 6, 2017 by dgreca

1 SkenderbeuHistoriani Drançolli: Origjina hasiane (kosovare) e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut/

Historiani i njohur Jahja Drançolli ka postuar një artikull të gjatë sot në rastin e ditës së lindjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Ka thënë se në shtypin ditor të sotëm në gjuhën shqipe me të drejtë shënohet 6 maji, ditëlindja e Heroit, por për çudi në çdo artikull përsëritet në trajtë shablloni origjina dibrane e tij, çështje kjo që, sipas tij, nuk mund t’i bëjë ballë kritikës shkencore.

“Në të vërtetë zulma e Heroit ka qenë e fuqishme në shekullin e XV jo vetëm në Arbëri, por edhe në gjithë Europën. Së këtejmi, janë të njohura edhe luhatjet e historiografisë tonë për ta caktuar vendlindjen, si dhe përpjekjet e vendeve fqinjë për ta përvetësuar Skënderbeun”, ka thënë Drançolli.

Më poshtë është i plotë artikulli që grumbullon argumentet e historianit Drançolli:

Sipas burimeve më të verifikuara, familje bujare e princërore e origjinës arbërore e dokumentuar për herë të parë në vitin 1368. Në mungesë të burimeve relevante zyrtare, edhe sot diskutohet për vendlindjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Nga një pasazh i librit të Jak Lukari, “Analet e Raguzës” (1605), dëshmohet origjina hasiane e Haroit: “Gjon Kastrioti zotërues i Krujës, të cilit familja i rrjedh nga fshati Kastrat nën jurisdkisionin e Hasit të Arbërisë, jo fortë larg nga lumi Dri”. Kjo dëshmi për origjinën hasiane të familjës Kastrioti provohet tërësisht edhe nga Frang Bardhi në veprën e tij kushtuar Skënderbeut (1636), si dhe në një manuskript shek. XVI thuhet se, “[…] Kastriotët ishin nga provinca HAS-i në Epir” (“[…] Castrioti in provincia Az in Epiro”). Në favor të kësaj shkon edhe njoftimi se emri i tyre vjetër ka dalë nga fshati Mazrek i Hasit, ku përveç këtij fshati në këtë regjion zotëronin edhe fshatra të tjera, si Kostur dhe Ujmishte (Vumestje). Sipas kryeveprës së Marin Barlecit, kushtuar jetës dhe veprave të Skënderbeut, origjinën e Kastriotëve duhet kërkuar në regjionin e Matit (“krerët re fisit të Kastriotëve kanë rrjedhur nga Emati”). Janë ruajtur edhe burime të tjera që e kundërshtojnë tezën e prejardhjes Hasianë të Kastriotëve. Ndonjë historian, duke u mbështetur në burime dytësore, origjinën e Kastriotëve e kërkon në DIBËR, KANINË ose në MIRDITË.

Burimet historike hedhin dritë se, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu (1405-1468), është shquar për burrështeti të Arbërisë, strateg ushtarak, si dhe Hero Kombëtar e Ndërkombëtar. Për veprën dhe jetën e tij edhe sot ruhen mijëra dokument zyrtare, vëllime historike e letrare-artistike të shkruara në më se 20 gjuhë; u realizuan gjithashtu edhe vepra nga artet figurative, muzika, teatri, filmi, etj. Të pakta janë figurat mesjetare që kanë gjetur një pasqyrim kaq të gjërë e jetëgjërë në letërsinë botërore, siç ka gjetur Skënderbeu. Pothuaj i tërë opusi historiko-letrar dhe artistik kushtuar atij, ushqehet para se gjithash nga veprat e humanistëve arbërorë. Së pari nga Novobërdasi Martin Segoni (1480), dhe më pastaj nga Barleci, Beçikemi, Frëngu, Bardhi, e ndonjë tjetër. Në këtë frymë, që nga fillimet e shek. XVI e deri në ditët e sotme kanë shkruar shumë historianë, italianë, gjermanë, anglezë, frëngë, sllavë, etj. Ndërsa, iluministi madh frëng, Voltaire (1694-1778), në veprën e tij filozofike-historiko, “Sprovë për doket dhe shpirtin e kombeve” (1756), shkruante: “Sikur perandorët bizantinë të ishin si Skënderbeu, Perandoria e Bizantit, do të kishte qëndruar në këmb”. Po ashtu, janë realizuar qindëra vepra nga artet, si, portreti i Heroit nga Gentile Bellini (1466); nga muzika, libreta e operës me titull, “Scanderbeg” të kompozitorit, Antonio Vivaldi (1718); nga poezia, poeti Henry Longfellow (SHBA, 1807-1882), ia kushton 173 vargje në, “Përrallat e bujtinës anës rrugës” (“Tales of an Innside Inn”, 1863), etj.

Vitet e para të fëmijërisë së Skënderbeut shoqëroheshin me lulëzimit e principatës së Kastriotëve. Mirëpo, pas rënies së Krujës nën osmanët (1415), ai qe detyruar të shkonte peng në oborrin e sulltanit. Çështja se kur u mor peng Skënderbeu, në historiografi përgjithësishtë ka disa pasaktësi; 9 vjeçar ose 18 vjeçar; dorëzimi ka mundur të ndodhë në vitin 1415 ose 1423. Atje, Gjergji ishte konvertuar në musliman dhe mori emrin Skënder (nga Aleksandër), si dhe u edukua në shkollën e iç-ogllanëve. Në kushte të reja, ai qe i detyruar të merrte pjesë në fushata ushtarake kundër të krishterëve, për ç’arsye babai tij ishte detyruar të kërkonte falje nga Senatit i Venedikut (1428). Për veprat e tij ushtarake, ai qe nderuar me titullin bej, dhe kështu emri Skënderbej (Scanderbeg), do të bëhej i njohur në gjithë botën.

Në vitin 1438, pasi që kishte fituar besimin e Muratit II (1421-1451), Skënderbeu qe emëruar për komandant ushtarak i kështjellës së Krujës, si dhe kishte vendosur kontakte me Venedikun (1438) dhe Raguzën (1439); Raguza më 1439 e kishte shpallur Skënderbeun për qytetar nderi, ndërsa një vit më parë këtë e kishte bërë edhe Venediku. Në një dokument osman nga vitet 1438-1443 ruhet ky njoftim: “Iskënderi [i biri Gjonit] kishte hyrë në [kuadrot] e timareve, duke dalë nga Porta e lartë”. Brenda viteve në fjalë e ndeshim për sanxhakbej në Dibër (1440). Pas Betejës së Nishit (nëntor 1443), kur trupat osmane kishin pësuar me rastin e një ofensive hungareze të Janosh Huniadit, Skënderbeu, dhe nipi i tij Hamza, si dhe 300 kalorës kishin braktisur forcat osmane, për tu drejtuar në Krujë, dhe atje më 28 nëntor 1443 u ngritë përsëri flamuri i Kastriotëve, që më pastaj do të ruante simbolikën historike në luftëra të popullit shqiptar për liri: “Lirinë nuk jua solla unë, por e gjeta këtu në mes tuaj, armët nuk jua ngjesha unë, por ju gjeta të armatosur, lirinë e kishit kudo, në krahnor, në ballë, në shpatë, në ushtat!”. Për të konsoliduar pushtetin e tij, Skënderbeu kishte formuar aleanca përmes martesës me pjesëtarët familjeve kryesore. Ai, u martua me Donikën, bijën e Gjergj Arianitit, ndërsa motra tij, Mamica, ndërkaq u martua me Karl Muzak Topinë, etj.

Ishte meritë e Skënderbeut, që mori përsipër për të themeluar Lidhjen e princave arbërorë në Lezhë më 2 mars 1444 (njoftimin për datën e ndeshim te, G. Biemmi, një biograf italian i Skënderbeut). Qyteti në fjalë, dikur ishte kryeqendra e Dukagjinëve; në kohën e Kuvendit ajo ishte nën Venedikun. Po nga kjo qendër, është zgjatur rruga e njohur që lidhte bregdetin me qendra të Kosovës. Kuvendi i Lezhës u mbajt mbi bazën e traditave më të hershme arbërore. Sipas Barlecit, morën pjesë shumë princër nga pjesë të ndryshme të Arbërisë. Kuvendi i Lezhës mori një sërë vendimesh të rëndësishme, të cilat përcaktuan edhe natyrën juridike të këtij organi. Me gjithë diversitetet që vinin si shprehje e interesave të ngushta, kryezotërinjtë pjesëmarrës në Kuvend u shprehën për bashkimin e tyre në luftë kundër pushtimit osman. Barleci theksonte se Kuvendi, “vendosi para së gjithash, se duhet hyrë në një aleancë dhe në njëfarë besëlidhje të përhershme me princërit dhe sundimtarët fqinjë […]”. Gjithashtu, u vendos për formimin e një ushtrie të përbashkët (federale); sipas traditave të lashta qe themeluar Besëlidhja, që është konsideruar si një lloj federate me një kryetarë të vetëm, që ishte Skënderbeu i quajtur, “Primus inter pares” (“i pari ndër të barabartit”). Krahas politikës së brendshme, rëndësi të madhe Skënderbeu i ka kushtuar edhe politikës së jashtme. Në skënën europiane Skënderbeu kishte hyrë kur ajo ishte e përçarë, sikurse edhe Arbëria. Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, Skënderbeun do të zëvendësonin një sërë diplomatësh, kryesisht nga radhët e klerit katolik, siç ishte arqipeshkvi, Pal Engjëlli, abati Lazar, abati Gjergj Pelini i Novobërdës, e ndonjë tjetër. Rol kyç në diplomacinë skënderbejane kanë luajtur vëllezërit Gazulli (Gjini e Pali), të cilët kishin specializuar për çështje të marrëdhënieve të Skënderbeut me Raguzën, Shtetin e Papës dhe Mbretërinë e Hungarisë, që gjatë viteve 1443-1444, si dhe 1448-1456, Skënderbeu e kishte bërë shok Janosh Huniadin për të luftuar në Fushë Kosovë, si dhe në Beograd.

Rezultatet e para do të shprehen me rekrutimin e luftëtarëve; Skënderbeu ishte i zoti t’u vinte për ballë fuqive të sulltanit me një ushtri prej 15000-20000 vetash. Me këtë ushtri, vetëm në vitet 1444-1446 Skënderbeu i përmbysi 13 sulme osmane (Beteja e Torviollit, 1444). Gjatë viteve 1446-1448, 1450-1457, 1462-1465, u arritën suksese, në Dibër, Pollog, fushën e Domosdove, Fushë Kosovë, grykat e luginat e Drinit e Shkumbinit, Livadhi të Ohrit (1462), fusha e Vajkalit (1465), etj. Ka mbetur e pashlyeshme në dokumente relevante të kohës, disfata e Muratit II, të cilin e shoqëruan rreth 100.000 ushtarë, për t’i rrethuar fortifikatat e Dibrës, Sfetigradit (1448) dhe të Krujës (1450), por pasi që rrethimet nuk rezultuan me sukses, sulltani u detyrua të tërhiqej. Nga vargu i gjatë i fitoreve duhet veçuar, sidomos atë në Ujëbardhë (1457), ku sulltani për ta mundur Skënderbeun i kishte dërguar 20.000 kalorës. Përveç dhjetëra dokumenteve zyrtare për këtë ngjarje, është i njohur edhe vlerësimi i kalorësit anglez, John Newport, një pjesëmarrës vullnetar i betejës. Gjatë qëndrimit të tij në Romë (1458), ai kishte deklaruar: “Po të bjerë kështjella arbërore, pushtimi i Europës nga osmanët është i sigurt, pasi nuk ka fuqi tjetër që ta bejë këtë rezistencë”.

Rezistenca e madhe në Krujë (1450), si dhe fitorët e mëparshe (1443-1450), mundësuan Arbërinë të rifillonte procesin historik, krijimin e shtetit të njësuar të Arbërit, që ishte ndërprerë nga pushtimet osmane. Pas Krujës, më 1451, Skënderbeu, zuri të quhet zyrtarisht “zot i Arbërisë” (“dominus Albaniae”). Në ndërkohë, marrëdhëniet e Skënderbeut me Venedikun ishin përkeqësuar për shkak të aspiratave venedikase ndaj krahinës së Dejës. Konflikti mes tyre është zgjedhur më një traktat paqeje (1448).

Në luftërat e tij, Skënderbeu kishte pasur mbështetjen e Shtetit të Papës, Republikës së Venedikut e të Raguzës, Mbretërisë së Napolit, si dhe të Mbretërisë së Hungarisë. Mbështetje, më të madhe e gjente te mbreti aragonez, Alfonsi V i Napolit, i cili sipas Traktatit të Gaetës (1451), Skënderbeun do ta kthente për vasal në ato toka, që do të çliroheshin me forca të përbashkëta. Pavarësisht nga kjo, osmanët arritën të ngadhnjejnë në Berat (1455), për ta detyruar më pastaj që Skënderbeu të transferohet në Napoli me 2.500 trupa për të përbushur detyrimin e tij sipas Traktatit. Ferdinand I (1458-1494), pasuesi i Alfonsit V (1458), kërkonte ndihmë për të mposhtur rivalin e tij, Dukën Anzhu, që aspironte ta sundonte Napolin. Në Barletta dhe Trani, ai arriti të mposhtë rivalin kryesor të Ferdinantit, Gian Antonio Orsini, princin e Tarantos. Pas fushatës, një pjesë e ushtrisë së Skënderbeut mbeti në Itali për ta themeluar koloninë e parë arbreshe në Kalabri. Më 1462, Skënderbeu u kthye në Arbëri. Në ndërkohë janë bërë përpjekje që të funksionalizohën luftërat e Skënderbeut edhe në planin europian. Së pari, në konferencën në Mantova (1458), si dhe më pastaj (1464), nga Papa Pius II.

Pas mbrojtjes heroike të Krujës gjatë rrethimeve II dhe III (1466/7), ku sulltani kishte angazhuar më se 150.000 ushtarë, Mehmeti II iu kishte drejtuar viseve tjera të lira arbërore për qëllime të shkatërrimit sistematik të vendit. Këtej, nuk u kursye askush. Për ta përballuar gjendjen, Skënderbeu u kishte kërkuar ndihmë shteve mike. Në Romë, popullata e të gjitha shtresave kishte vërshuar qytetin për ta parë Heroin e lavdishëm. Ndërsa, sipas një akti të Senatit të Republikës së Venedikut (1467), bëhet e njohur: “Nëse pushtohet bregdeti i Arbërisë, Ruajna o Zot!, armikut nuk i mbetet gjë tjetër veçse të hidhet kur të dojë në Itali”. Skënderbeu, vdiq në Lezhë më 17 janar 1468.

Fëmijtë e Skënderbeut ishin Gjoni II (1454 – pas 1502) dhe Vojsava. Gjoni II, pas vdekjës së Skënderbeut (1468), qytetin e Krujës, iu kishte dhënë venedikasëve, dhe së bashku me nënën, Donika Kastrioti, bijë e Gjergj Arianit Komnenit (e martuar më Skënderbeun, 1451), ishin vendosur në feudet e Kastriotëve në Gargano të mbretërisë së Napolit (1474). Kishte tre fëmijë: Kostantini, Ferrante dhe Gjergji II Kastrioti i quajtur, Skënderbeu i Ri (1476-?), i cili doli në skenën historike gjatë kryengritjejës së vitit 1499, që kishte rezultuar me sukses. Pasardhësit e Gjonit II Kastrioti u shuan në brezin e dytë. E fundit, që i përkiste kësaj dinastie me siguri ishte princesha e Shën Pjetrit, Irena, bija e princ Ferrantit, e martuar me Pietrantonio Sanseverino (1539), princ nga Bisignano.(Kortezi:Koha)

Filed Under: Histori Tagged With: Decolli, Gjergj Kastrioti, Origin Hasiane, Skenderbeu

Studiuesi Engjëll Zerdelia në shkollën“Alba Life” në Queens

May 6, 2017 by dgreca

1 Engjell Edi KezjaNga Keze Kozeta Zylo/

Mësuesi veteran z.Engjëll Zerdelia si dhe autori i disa librave të rëndësishem historik si: “Kongresi arsimor I Lushnjës/ Kongresi Kombëtar i Lushnjës/ 50 Vjetori i gjimnazit të parë të Lushnjës, vizitoi ditën e premte shkollën Shqipe “Alba Life” në Queens e cila zhvillon mësimin Shqip në shkollën publike amerikane.  

Mësuesi i nderuar dhe nga qyteti i Lushnjës pa nga afër punën e mësuesëve dhe të nxënësve për të mësuar në Diasporë Gjuhën Shqipe.

Z.Zerdelia ishte i shoqëruar nga z.Eduard Dilo anëtar i stafit të Shkollës Shqipe “Alba Life” dhe pinjolli I familjes së Ilia Dilo Sheperit “Nderi I Kombit”.  

Z.Zerdelia u mirëprit nga z.Qemal Zylo themelues dhe drejtor i Shkollës Shqipe si dhe nga mësueset Blerta Gjevori dhe Ardita Miloti ne klasat e të cilave ndaloi dhe dëgjoi se si nxënësit flisnin dhe përgjigjeshin shqip.  

Mësuesi veteran ndoqi nga afër përgatitjet për Festivalin e katërt të Shkollave Shqipe, ndërsa nxënës të ndryshëm e përshëndeten z.Zerdelia me poezi nga Rilindasit e shquar shqiptarë.  Emocionet e tij si një mësues veteran ishin te papërshkrueshme, sespe veçanërisht në Diasporë ato bëhen dhe më të fuqishme, pasi të gjithë nxënësit janë lindur dhe rritur në Amerikë dhe si gjuhë të parë kanë anglishten.  Z.Zerdelia falënderoi nga thellësia e zemrës themeluesin e shkollave shqipe z.Qemal Zylo si dhe të gjithë mësuesit që punojnë me kaq përkushtim.  Vazhdojeni këtë punë të bukur iu tha mesuesi veteran të gjithë nxënësve të shkollës shqipe dhe jam i sigurtë se duke ardhur ju këtu në këtë shkollë publike amerikane, përcillni në breza mesazhin hyjnor që: “Gjuha Shqipe të mos harrohet kurrë”!

Në emër të stafit të Shkollës Shqipe “Alba Life” ne i shprehim mirënjohjen e pakufishme z.Zerdelia për vizitën pranë klasave shqip, sepse esenca e artit të bukur do të thotë Nietzce është mirënjohja…

Ne ju jemi mirënjohës kujtdo që ka ardhur pranë nxënësve të Shkollës Shqipe “Alba Life” sepse çdo vizitë e konsiderojmë inkurajim dhe respekt për këtë mision fisnik në Diasporë.  

5 Maj, 2017

Ridgewood, Queens, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Alba-Life, Engjell Zerdeli, Shkolla shqipe

Gandisti i madh Ibrahim Rugova

May 6, 2017 by dgreca

1-anton-cefa
Nga Anton Cefa/
Në atë kohë kur në Evropën Lindore, komunizmin nuk e mbanin më këmbët dhe në Berlin po shembej Muri i turpshëm i ndarjes dhe i krimit dhe kur të gjithë popujt e Evropës po synonin të rindërtonin fatet e tyre; kur në Evropë, popuj të ndarë prej vitesh bashkoheshin me vullnetin e tyre dhe popuj të tjerë të bashkuar prej vitesh, ndaheshin po me vullnetin e tyre, kur në Ballkan po luheshin drama tejet tragjike, dhe kur populli shqiptar i Kosovës rrezikohej të humbte si lunatik shansin e vet historik, u shfaq në histori njeriu me idenë e madhe të shpëtimit dhe me një vullnet e këmbëngulje të çuditshme për ta realizuar atë, Ibrahim Rugova. Koha lindi njeriun e saj, Kosova birin e vet, populli i saj shpëtimtarin.

I dobët fizikisht, serioz dhe disi i sertë e me sy gjurmues me reflekse mendimtari, me profilin plot hije e drita të një intelektuali, në gropën e gjoksit të të cilit peshon një dhimbje e rëndë prej plumbi, e cila konkretizohej së jashtmi me një shall rreth qafës-shënjëzimin e robërisë së Kosovës së tij të dashur dhe lakun e mjerimit shekullor të popullit të tij.
Kishte punuar prej vitesh në frontin e letrave, gjithnjë i ndriçuar nga kjo dhimbje; tani i duhej t’i braktiste letrat dhe të hidhej në frontin e veprimit politik. Kosova e tij e shumëvuajtur kishte nevojë për ndriçim dhe drejtim. Ai e kishte ravijëzuar në ndërgjegjen e tij idenë e madhe të ndriçimit dhe drejtimit. Tani e tutje, mbi supet e tij të brishta do të mbante peshën e halleve të një populli, të një shteti që kërkonte të lindte që prej një shekulli. Tani e tutje, ai do ta organizonte popullin e tij dhe do ta drejtonte në rrugën e shpëtimit, duke shpallur dhe mbrojtur para gjithë botës idenë e tij të madhe. Tani e tutje, ai do të bënte luftë në krye të popullit të tij me armët e një shenjti.
Në rrethanat e dhunës më të përgjakshme e më shnjerëzore të armikut shekullor serb, Ai, me një mprehtësi të rrallë mendimi, me një zemër të madhe humane, me një transparencë të ndritur vizioni dhe me predispozitat shpirtërore të përballimit dhe mposhtjes së dhunës me mjete paqësore, orientoi popullin në rrugën e mbrojtjes së ekzistencës nacionale, që armiku synonte ta zhbënte, të ruajtjes së vlerave njerëzore e qytetëruese, që armiku kërkonte t’i zhdukte, në rrugën e ndritur të lirisë, pavarësisë, demokracisë dhe begatisë. Lëvizjes së fuqishme të popullit për liri e pavarësi, ai i dha zemrën dhe mendjen drejtuese – LDK- në, të parën parti demokratike në botën shqiptare dhe me një ndikim të fuqishëm në Ballkan dhe Evropë.
Simbas strategjisë së tij dhe nën drejtimin e tij, mori formë struktura shtetërore e Kosovës së lirë, duke filluar me shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë, në korrik të 1990-ës, me miratimin e Kushtetutës, po në atë vit, me Referendumin Popullor, një vit më vonë dhe me organizimin e zgjedhjeve të para të lira presidenciale dhe parlamentare, në vitin 1992. Kështu, nën dhunën e përgjakshme serbe, lindi shteti i shqiptarëve të Kosovës, një shtet i ri që nuk e kishte dashur kurrë dhe e kishte sakrifikuar bota e madhe. “Shteti paralel” – siç e quajti dikush – erdhi gjithnjë duke u përsosur dhe forcuar.
Me një këmbëngulje të paparë, ai shpalli para mbarë botës: në Washington, në Bruksel, në Londër, në Romë, në New York, në Berlin e kudo, të drejtën dhe vullnetin politik të popullit të tij: “Kosova e pavarur, demokratike e paqësore, e integruar në Bashkimin Evropian dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”
Ai, një figurë minore që nuk e njihte askush, nuk e përfillte askush dhe që shumëkush e kundërshtonte dhe çuditej me të, arriti të njihet e të vlerësohet, të respektohet dhe të dëgjohet, të miratohet dhe të përkrahet nga bota e madhe. Kështu, ai e bëri Kosovën problem të botës së madhe.
Rugova i ofroi Evropës rrugën gandiane të popullit të Kosovës, që do ta çlironte atë dhe do ta bashkonte me Evropën, së cilës i takonte fizikisht dhe shpirtërisht. Kosova, vendi i tij, ishte Dardania ilire e dikurshme me rrënjë të një qytetërimi të lashtë “që qëndron në themelet e civilizimit modern evropian”, siç ia pati kujtuar ai vetë Senatit Evropian. Vërtet, Perandori i Bizantit, Justiniani, i cili i pati dhënë Evropës që në shek. VI ligjët qytetare -“Corpus Juris Civilis”-, që patën shërbyer si bazë e sistemeve ligjore për pjesën më të madhe të shteteve evropiane, qe bir i tokës dardane.
Përmes rezistencës paqësore, përsëri, Dardania e ditëve të sotme po i reflektonte Evropës dritë qytetëruese. Me trupëzimin në praktikë të idesë së tij të madhe, ai po i jepte Evropës çelësin magjik të paqes së Ballkanit, – gadishullit të mbrujtur me barot e gjak, – çelësin e vëllazërimit e të tolerancës së popujve ballkanas, çelësin e stabilitetit dhe të integrimit në Evropën e Bashkuar.
Evropa dhe bota e kuptoi dhe e përkrahu. Dhe kur pushtuesi serb, armiku i përjetshëm i popullit shqiptar, në figurën udhëheqëse të satrapit që tani jep llogari në gjyqin e Hagës, u lëshua si ulkonja e etur për gjak mbi popullin e pambrojtur, Evropa vendosi ta korregjojë gabimin e vet të dikurshëm dhe, me nxitjen e përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndëshkuan kriminelin. Me sakrifica të mëdha dhe me flijimin e bijve të saj më të mirë që i dolën në mbrojtje me armë në dorë, Kosova fitoi lirinë dhe u fut në rrugën e pavarësisë dhe të demokracisë.

* * *
Ai vdiq, pa e gëzuar shpalljen formale të pavarësisë, së cilës i kushtoi jetën; por mermeri i kujtesës, në të cilin ndërgjegjja popullore gjithshqiptare ka gdhendur madhështinë e tij, është i pavdekshëm. I renditur krah figurave më të larta që ka nxjerrë kombi shqiptar, si Presidenti i parë i Kosovës martire, në shërbim të lirisë dhe pavarësisë të së cilës vuri veten me një përkushtim flijues dhe me zotësi të pashoqe, ai do të jetojë përjetësinë e lavdisë historike.
Rugova nuk qe dhe nuk do të mbetet thjesht vetëm një personalitet shqiptar a ballkanik. Vlerat e tij shtrihen më përtej në Evropë dhe në të gjithë botën, sepse ai, me idetë e praktikën e tij, e sidomos me krijimin e strukturave shtetërore paralele në Kosovë, dha një ndihmesë të re me vlera të veçanta origjinale në luftën paqësore për çlirim dhe të drejta njerëzore të të gjithë popujve të robëruar, ndihmesë që i pasuroi dhe i zhvilloi më tej idetë dhe praktikën e rezistencës paqësore të Gandit , “satyagraha-n” gandiste.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Anton Cefa, Gandisti i madh, Ibrahim Rugova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT