• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2018

SHBA në prag të stuhive të Atlantikut

May 28, 2018 by dgreca

-Prej të hënës në mëngjes Alberto vazhdon të jetë një stuhi nëntropikale, me erëra të forta e të qëndrueshme me shpejtësi deri në 100 kilometra në orë./1 Stuhia

Popullata që jeton përgjatë bregut në gjirin verior të Floridës deri në kufirin mes Misisipit dhe Alabamës po përgatiten për stuhinë Alberto, e para për vitin 2018 që godet Atlantikun.

Prej të hënës në mëngjes Alberto vazhdon të jetë një stuhi nëntropikale, me erëra të forta e të qëndrueshme me shpejtësi deri në 100 kilometra në orë.

Sipas parashikuesve të motit Alberto pritet të sjellë më shumë se 63 centimetra shi në disa pjesë të Kubës dhe 30 centimetra në pjesën veri-perëndimore të Floridës dhe Alabamës. Disa pjesë pritet të goditen edhe nga tornadot.

Parashikuesit thonë se Alberto do të dobësohet pasi të godasë në tokë dhe t’i drejtohet luginës së Tenesit.

Sezoni i stuhive të Atlantikut tradicionalisht zgjat nga 1 qershor deri në fund të muajit nëntor.

Ekspertët parashikojnë 10 deri 16 stuhi këtë vit, nëntë nga të cilat pritet të fitojnë fuqinë e një uragani, përfshirë të paktën katër uraganë të mëdhenj.(Kortezi:Zeri i Amerikes)

Filed Under: Kronike Tagged With: nga e hena, Stuhia Alberto

Haradinaj: Rruga Deçan – Plavë nuk është brenda zonës së mbrojtur

May 28, 2018 by dgreca

Tri Kronika -Kosova dhe Mali i Zi dakordohen për heqjen e taksës kufitare/

3 haradinaj

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me punimet që po zhvillohen në rrugën Deçan – Plavë, e cila lidh Kosovën me Malin e Zi.

Reagimi i tij pasoi “denoncimin” e Kishës Ortodokse e cila pretendonte se punimet po zhvillohen në zonën e mbrojtur që i takon Manasitirit të Deçanit dhe solidarizimeve që kishin shprehur OSBE dhe disa diplomatë ndërkombëtar, duke kërkuar ndërprerjen e punimeve.

Haradinaj ka thënë se ekziston një keqinformim lidhur me këto punime.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka ftuar diplomatët që të shkojnë në vend të ngjarjes, të shohin situatën, dhe të binden se rruga që po renovohet ka ekzistuar edhe më parë, për t’iu shmangur kështu deklarimeve të ngutshme.

***

Kosova dhe Mali i Zi dakordohen për heqjen e taksës kufitare

Qeveroa e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi janë duke rishikuar disa politika të rritjes së bashkëpunimit. Ndërkaq po shqyrtohet edhe mundësia e heqjes së takës kufitare.

Ministri i Transportit dhe Çështjeve Detare të Malit të Zi, Osman Nurkoviq dhe ministri i Transportit dhe Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Pal Lekaj janë takuar sot në Prishtinë ku kanë diskutuar për disa projekte bashkëpunimi në infrastrukturën rrugore, ajrore dhe hekurudhore, thuhet në një komunikatë të lëshuar për media. Aty është premtuar se shumë shpejtë do hiqet taksa kufitare në mes këtyre dy shteteve.

“Ajo që është dakorduar në këtë takim, është që të zhvillojmë infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe heqjen e taksës kufitare”, citon komunikata ministrin Pal Lekaj

Edhe ministri i Malit të Zi, Nurkoviq beson se shumë shpejtë do mënjanohet taksa kufitare ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës.

“Këtë e kemi identifikuar si një barrierë e cila i pengon bizneset dhe besoj që shumë shpejtë do ta mënjanojmë, ku edhe për këtë çështje kemi përkrahjen e të dy kryeministrave tanë”, ka thënë Nurkoviq.Të dy ministrat janë pajtuar se mënjanimi i kësaj takse, do ta rriste qarkullimin e qytetarëve në të dy anët e kufirit dhe do të ndikonte në thellimin e marrëdhënieve reciproke.

Shqiptarët protestojnë kundër pelegrinëve serbë në Poterq të Klinës

Disa banorë të fshatit Poterq i Epërm të komunës së Klinës, janë duke protestuar kundër ardhjes së disa pelegrinëve të komunitetit serb, për të kremtuar në kishën e këtij fshati.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, tha për Radion Evropa e Lirë, se banorët nuk dëshirojnë ardhjen e serbëve në fshatin e tyre.

“Sot komuniteti serb shënon një festë që e mbanë në kishën e rrënuar në këtë fshat. Por, në shenjë proteste në vendin ku është paraparë të mbahet tubimi janë tubuar rreth 60 qytetarë shqiptarë me rreth 50 makina”, tha Rugova duke shtuar se protesta është duke u zhvilluar e qetë.

Arsyeja e qytetarëve shqiptar për mos lejimin e ardhjes se qytetarëve serb, është se në këtë fshat ka të vrarë nga forcat e armatosura serbe, gjatë luftës së fundit në Kosovë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Haeadinaj, kosova, Mali i Zi

PROTESTAT SHQIPTARE DHE ÇLIRIMI PREJ VETES

May 28, 2018 by dgreca

NGA SADIK ELSHANI*/

1 Proteste2 proteste

Dje ne Tirane u organizuan protestat e partive opozitare te Shqiperise per te shprehur pakenaqesine, zemraten e tyre kunder qeverise shqiptare per disa zhvillime te koheve te fundit ne Shqiperi dhe per punen jo te lakmueshme te qeverise se Shqiperise ne pergjithesi. Kerkesa kryesore ishte rrezimi i qeverise. Per fat te mire keto protesta ne pergjithesi ishin te qeta, pr policia ushtroi dhune ndaj kryeredaktorit te gazetes Rilindja Demokratike, duke i shkaktuar atij lendime trupore. Protestat ne nje shoqeri te lire e domokratike jane krejt normale, te garantuara me ligj dhe mundesojne shprehjen e lire te pakenaqesive, shqetesimeve te qytetareve, e zgjojne qeverine nga gjumi, e ngacmojne ndjeshmerine e pushtetareve per çeshtjet e caktuara per te cilat protestohet dhe jane pjese e proceseve demokratike, e mozaikut te demokracise. Protestat, demonstratat nuk jane diçka e re ne hapesiren shqiptare, posaçerisht ate kosovare dhe trojet tjera shqiptare ne ish Jugosllavi. Demonstrata te fuqishme jane zhvilluar me 1968, 1981, 1988 – 1999 dhe keto demonsrata u zhvilluan kunder regjimit jugosllav e me vone atij serb, per te kerkuar te drejtat tona te ligjshme. Por edhe me heret, shqiptaret gjithmone e kane ngre koken dhe kurre nuk u jane nenshtruar pushtuesve tane te shumte. Vete jeta jone, vete te qenit tone (ekzistenca jone) eshte nje proteste. Keto demonstrata, keto perpjekje jane shuar me dhune: me perndjekje, burgosje, vrasje te pjesemarresve dhe organizatoreve te tyre.Sot, fatmiresisht Kosova eshte e lire dhe shtet i pavarur, ndersa Shqiperia qe nga 28 nentori i vitit 1912. Demonstrata te qeta e paqesore, po, te dhunshme, jo. Dhuna nga asnjera pale nuk eshte e pranueshme. Po, protesta paqesore, dinjitoze e me qytetari, por jo, protesta me rrugaceri e huliganizem. Jo, protesta ku demtohet prona private dhe ajo shteterore, sulmohen protestuesit, sulmohet policia.

Eshte bere norme ne tere hapesiren shqiptare qe pas zgjedhjeve, rezultatet te mos pranohen nga pala humbese, ose ne çdo menyre te pengohet pala fituese per te qeverisur. Ne Shqiperi, partia qe sot eshte ne pushtet, kur ishte ne opozite, per dy vite e bojkotoi punen e Kuvendit (Parlamentit) dhe vazhdimisht e therriste popullin ne demonstrata, njera perfundoi edhe me vrasjen e kater qytetareve. Ndersa tani, partia qe dje ishte ne pushtet, dhe sot eshte ne opozite, e ben te njejten gje. Kuptohet, secila parti mendon se eshte me e suksesshme se tjetra, por fjalen e kane votuesit me voten e tyre te lire. Secila parti, me punen, perkushtimin dhe  angazhimin e saj t’i binde votuesit per ta votuar heren tjeter dhe kur te zgjidhen t’i permbushin premtimet e dhena. Partite politike i shohin problemet nga kendveshtrime te ndryshme, ofrojne qasje te ndryshme per zgjidhjen e tyre, por qellimi duhet te jete i perbashket, duhet te jete i njejti qellim: ndertimi i shtetit ligjor, institucioneve demokratike dhe mireqenja e popullit. Ineresat madhore te Shqiperise te jene preokupimi kryesor dhe i perhershem i pozites, opozites dhe çdo qytetari. Te saktesohet qarte ne kushtetute se kur dhe si bie qeveria dhe jo kur e kujt t’i teket.

Jemi ata qe jemi, dhe si jemi, ashtu edhe punet i kemi. Asnjeri udheheqes, asnjera parti politike ne Shqiperi e Kosove, as ata qe jane ne pushtet dhe as ata qe jane ne opozite, ne kete çast nuk jane ne nivelin e duhur per te qeverisur me kompetence. Ajo qe po na mungon ne skenen politike e publike te Shqiperise e Kosoves, si dhe ne gjithe hapesiren shqiptare, jane njerezit e ndershem qe kane ndjenja kombetare, udhehiqen ne jete nga parime e qellime te larta, rrezatojne vlera kombetare e njerezore. Nuk do te thote se nuk kemi njerez te tille, por ja qe nuk jane te angazhuar ne rrjedhat, proceset, jeten politike te vendit. Por derisa ta gjejme ate shkop magjik, qe me nje levizje do t’i zgjidhte problemet e Shqiperise, Kosoves, le t’i pervishemi punes. Ndoshta duke punuar me perkushtim, duke e ndihmuar njeri – tjetrin do te kemi me shume suksese – ndoshta ky eshte ai shkopi yne magjik qe te gjithe e endrrojme.

Shqiperia po ballafaqohet me shume probleme, me shume sfida: varferia, papunesia, korrupsioni i larte qe ka perfshire çdo sfere te shoqerise, imigrimi i popullsise, kanabizimi I vendit e shume probleme tjera. Po çka te habit me shume, eshte se, asnjera parti, asnjeri politikan ne Shqiperi nuk eshte i angazhuar per zgjidhjen e ketyre problemeve jetike per Shqiperine. Madje nuk paraqesin asnje propozim konkret, por vetem e akuzojne njeri – tjetrin.  Per keto probleme me heret i kam botuar dy shkrime: “Shkelqimi i kryeministrise dhe mjerimi i popullsise – qeverisje kozmetike” (Dielli, 27 gusht, 2015) dhe “Zhgenjimi i Lulzim Bashes” (Illyria, 6 gusht, 2017). Pra, shihet qarte se une nuk jam as me njerin dhe as me tjetrin, por do ta perkrahe edhe njerin edhe tjetrin kur bejne vepra te mira, kur punojne per interesat e Shqiperise dhe te kombit tone. Çdo qeverie shqiptare i deshiroj vetem suksese, sepse kur deshton qeverisja e mire, deshton Shqiperia, vuan populli. Perkrahjen e verber nuk e meriton asnje qeveri. Ne Shqiperi dallimet ne mes te parise ne pushtet, Parties Socialiste, dhe asaj ne opozite, Partise Demokratike, jane te dukshme. E para eshte duke u munduar qe ta mbaje gjalle trashegimine e baballareve te tyre komuniste dhe e dyta eshte duke u munduar qe te largohet nga kjo trashegimi shkaterruese. Ne Shqiperi ka per çka te protestohet çdo dite, por vetem me protesta nuk mund te zgjidhen problemet e Shqiperise. Atehere, perse mbajme zgjedhje, kur problemet po u gjidhkan ne rruge?! Prandaj, siç duket partite politike shqiptare nuk e çajne fare koken qe te organizohen, profilizohen mire, te paraqesin nje program pune te arritshem, nje platforme te qarte kombetare, te punojne me zgjedhesit dhe t’I bindin ata se perse duhet ta gezojne voten, besimin e tyre. Udheheqesit e tyre mendojne se qeveria nderrohet ne rruge dhe jo ne kutite e votimit. Revolucionet Demokratike, Bolshevike e te Vonuara Demokratike i kane dalur per hunde popullit tone. “Shqiptaret do t’i fitojne te gjitha lufterat sapo te kene perfunduar betejen e fundit ndermjet tyre” –  ka thene Mit’hat Frasheri. Per fat te keq, shqiptaret ende jane duke u kacafytur, duke luftuar me njeri – tjetrin.

Ne nje shtet demokratik, siç eshte deri diku sot Shqiperia, betejat le te zhvillohen ne Kuvendin e Shqiperise dhe jo ne rruge. Partite politike t’i paraqesin planet e tyre dhe te angazhohen per zgjidhjen e problemeve te Shqiperise, dhe jo vetem te gjuhen me njeri – tjetrin duke u munduar t’ia zene vendin, karriken njeri – tjetrit. Dukurite negative qe po manifestohen ne jeten shoqerore –  politike, sjellja e papergjegjshme dhe joserioze e udheheqesve shqiptare, zyrtare te korruptuare, ministra te lidhur me krimin e organizuar, mosfunksionimi i ligjit, mungesa e rendit, nuk paraqsin pamjen e nje shteti te qendrueshem. Kur jam duke i shkruar keto radhe po me vjen ndermend edhe nje thenie tjeter e Mit’hat Frasherit per shqiptaret, e thene para shpalljes se pavaresise se Shqiperise, por qe vlen edhe sot: “Shqiptari, duke mos qene i mesuar me jete politike, dua te them, duke mos patur gjer me sot shtet, qeveri dhe independence, s’ka kuptuar dot akoma barren, detyrat dhe pergjegjesite qe rrjedhin nga nje jete indipendente”. Ka 106 vite qe Shqiperia eshte çliruar, eshte shtet iI pavarur. Tani te clirohemi edhe nga vetja jone, nga smira, xhelozia, joshjet, lakmite dhe interesat e ngushta vetjake. Shqiperine mund ta ndertojme vetem ne. Te ndertojme nje Shqiperi te vizionit, endrrave te Rilindesve tane mendjendritur. Ne Vitin E Skenderbeut, ne !40 Vjetorin e Lidhjes Shqiptare te Prizrenit, te ndjekim nje qasje tjeter, nje qasje kombetare:Te angazhohemi e te perpiqemi me mish e me shpirt qe te ndertojme nje shtet modern demokratik, me institucione demokratike funkcionale e te inkuadruar ne familjen e madhe te vendeve demokratike, ku gjithmone ne qender te vemendjes eshte mireqenja e qytetarit. Po, te ndertojme nje shtet ku qytetaret jane te lire te protestojne te qete, me dinjitet e qytetari. Pune te mbare!

Philadelphia, 27 maj,2018

Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Protestat shqiptare, Sadik Elshani

TËRBIM NË LUMIN ZAMBEZI

May 27, 2018 by dgreca

Letersi-Tregim nga Letërsia amerikane nga  J. Xhons. Solli në shqip për Diellin: AGIM XH. DESHNICA/Boston/

1 agim deshnica

– Mirëse erdhët në Zambez! – i përshëndeti Pol Templeri gjashtë turistët, që do të shoqëronte me kanoe e kajak nëpër lumin e madh afrikan. Teksa lundrat bënin përpara drejt Ujëvarës së zhurmshme Viktoria, grupi shpresonte të shihte nga afër elefantët, krokodilët dhe hipopotamët. Qe një ditë e bukur marsi me qiell të kaltër. Puhiza e freskët e erës frynte lehtë e lehtë. Në vozitje e sipër, drejtuesi 27 -vjeçar i lundrave Templer, i argëtonte udhëtarët me ndodhi gazmore, por edhe tronditëse nëpër lumenj, dhe më në fund shtonte këshilla e njoftime.

– Zambezin zakonisht e quajnë “Rrjedha mbretërore”. Puna jonë është të vozisim, kurse ju të rrini ndenjur e të pushoni rehat.

Ndërsa vendoste revolverin e fishekët në brez, ai u foli shkurt edhe për rreziqet e mundshme gjatë lundrimit:

– Lumi është plot me krokodilë, ndaj mos e zgjatni dorën në ujë! Krokodili ngjan si peshk, ose si lulja e kroksit, që janë dy nga ushqimet e tij më të kërkuara. Rreziku tjetër vjen nga hipopotami! Ai, kryesisht, jeton në brigjet e lumenjve, zona që ne i njohim mirë dhe mund t’i mënjanojmë, por nganjëherë atij i kërcet damari i lig, dhe papritur sulet dhe përplaset me lundrën.

Tek fliste, Templeri buzëqeshte me turistët, që dihasnin me dridhmë nga ato rrëfime të frikshme.

– Përplasja mund t’ju vërvisë drejt e në ujë! Dëgjoni ç’ju them? Nëse ndodh kështu, mos u rrëmbeni nga paniku dhe mos e humbni toruan nëpër valë! Hipopotamit mund t’i shmangesh më lehtë se kreokodilit!

Në ekuipazh, përveç tij, bënin pjesë MakNamara, 31 vjeç, që shoqëronte grupin në Kajak. Ben Sinbadi, 24 vjeç, vozitësi i kanoes së dytë dhe Evans Namasango, vozitës në kanoen e tretë, një tip gazmor, 22 – vjeçar, i cili pak kohë më parë kishte dhënë provimet për ndihmësudhërrëfyes. Templeri qysh në fillim ia çmoi vetitë e mira dhe punën, ndaj kujdesej për të, thuajse, çdo ditë.

Ai i ndau turistët dy nga dy. Në lundrën e vet mbajti Johem Shtahmanin me bashkëshorten Gundi nga rrethinat e Bremenit të Gjermanisë. Në kanoen e Sinbadit la Muriel Fisherin me të fejuarën, Pierre Langarde. Ndërsa Natali Grasota dhe Mark Skorupka, lundruan me Namasangon. Katër nga turistët ishin punonjës të kompanisë Air France.

*     *     *

Templerit i qeshën sytë, kur flotilja e vogël hyri në rrjedhën e shtruar të Zambezit. Ai qe rritur në savane e, sidomos, në bazat e largëta ushtarake. I ati kishte shërbyer me gradën e kapitenit në ishkoloninë Britanike në Rodezinë e jugut, e njohur tashmë me emrin Zimbabve.

Me ato shpatulla të fuqishme prej notari a mbrojtësi të regbisë, Templeri ishte i pajisur me dhuntitë e një atleti të shkathët. Në kohën kur punonte në Izrael, iu shkrep të kalonte me traktor përmes një fushe të minuar në Jordani, për të blerë birrë. Por, kjo shaka i kushtoi shtrenjtë, e dëbuan nga Izreli.

I kthyer në Zimbabve, tek pushonte me shokët e vet në breg të liqenit Kariba, atypari kaluan disa lundra ekspedite. “Kjo është udha, që duhet të ndjek!” – tha ai me vete.

Me vullnet e vendosmëri për tre muaj, kreu me sukses kursin njëvjeçar për drejtësi, qitje dhe histori natyre. Pas provimeve të vështira, mori dëshminë e udhërrëfyesit për në lumenj.

Mbi tetëmbëdhjetë muaj ai punoi si mbikqyrës në lundrimet e largëta me kanoe, duke udhëhequr turistët në afërsi të zonave me kafshë të egra. Ndërkohë, kujdesej edhe për jetën e tyre. Njëherë i ktheu mbrapsht disa vizitorë japonezë, që po shkonin si pa të keq drejt luanëve, duke shkrepur aparatet fotografikë. Në ato vise gjallon edhe hipopotami, një nga kafshët më të rrezikshme të Afrikës. Dy dhëmbët e poshtëm të hipopotamit mashkull, mbi njëzet centimetra të gjatë, shtrihen jashtë, si shufrat e pirunit të ngarkim-shkarkimit, ndërsa dy dhëmbët e qenit ulen nga lart – poshtë në nofull, përkundrejt dy të tjerëve, që çohen përpjetë si thikat e makinës grirëse të ushqimeve.

Shpesh herë hipopotami përplaset me kanoet dhe i hedh në lumë udhëtarët. Para dy vitesh nga kafshimi i tij një udhërrëfyes humbi njërën këmbë. Gjashtë muaj më parë nga përplasja në fundin e kanoes, Templeri dhe dy udhëtarët fluturuan në lumë. Po i njëjti hipopotam, iu qep lundrave të tjera e i goditi.

Nga lundërtarët, që vinin përkundrejt, merrte njoftime për zona të rrezikshme, të cilave duhej t’u rrinte larg. Ndërsa tani Templeri me flotiljen po kalonte përmes ishujve shkëmborë të një zone të re, të panjohur ndonjëherë. Në kohën, kur kanoeja e Templerit po rrëshqiste ngadalë në rrjedhën e lumit, në largësi nga bregu sa gjatësia e lopatës, tridhjetë metra më tej u duk kopeja e hipopotamëve. Mbi lëkurën e errët një lëng i kuqëremtë që i mbron nga rrezet e diellit, jep përshtypjen, sikur kafshëve u kullojnë shtatë palë djersë.

Me zë të ulët Templeri shpjegoi se hipopotami nga toka në shpatulla është mbi një metër e gjysmë i lartë, kurse nga noçka në bisht, mbi katër metër i gjatë. “Aq sa BMV-ja ime!”, – mendoi Shtahmani.

– Nisemi! – tha Templeri dhe voziti më tutje. Tek po kalonte një hipopotam femër, që prehej mbi ujë me dymbëdhjetë viça pas, dielli po varej pas majave të drurëve.

Templeri tha se pas dyzet minutash, tërë grupi, duhej të zbriste menjëherë në breg, prej nga turistët do të ktheheshin mbrapsht, me kamion për në hotele.

Fundi i kajakut të MakNamarës takoi buzën e shkëmbit, ku një prej rrjedhave të lumit derdhej te një pellg i gjerë afro gjashtëdhjetë metra. Sinbadi me Templerin vozisnin në rrjedhë tjetër, të ndjekur nga Namasango. Templeri u jepte zemër e i udhëzonte t’u shmangeshin hipopotamëve të fshehur nën ujë. Papritur, u dëgjua diçka e ngjashme me bubullimën. Bam! Një hipopotam mashkull u përplas me kanoen e Namasangos. Pupa e saj u ngrit në ajër, thuajse një metër lart, ndërsa drejtuesi u rrotullua e u flak jashtë. Templeri ktheu kokën dhe e pa pjesën e pasme të kanoes mbi shpatullat e hipopotamit të tërbuar, që hapi gojën e llahtarshme dhe u zhyt befas nën ujë. Teksa udhëtarët, Grasota e Skorupka, po bënin çmos të nivelonin kanoen, Namasango, duke gulçuar, mezi po mbushej me frymë.

Templeri voziti mbrapsht drejt tij.

– Prit! – bërtiti ai.

Të mbetur pa rema, Grasota e Skorupka, punonin çmendurisht, duke rrahur me duar ujin, për ta larguar kanoen nga zona e hipopotamit. Në atë kohë Sinbadi i dha kanoes drejt ujërave të cekta. Disa metra më tej, udhëtarët e tij, Fisher dhe Langarde, u hodhën mbi sipërfaqen e një toke shkëmbore.

Ndërkaq, Namasango u kap me duar në njërin krah te kanoeja e Templerit. Ky vuri re se ajo po anohej e mund të përmbysej.

– Shko prapa! – i tha dhe voziti dalëngadalë afër tij.

“Hipopotami nuk kthehet më këtu!”, – tha me vete. Shtahmani u përkul në krahun e djathtë, për të ruajtur ekuilibrin e kanoes, ndërsa Templeri në të majtë, i nderur jashtë, i zgjati dorën Namasangos për ta rrokur. Në çastin kur gishtat e tyre ishin fare afër, papritur hipopotami me gojën hapur, brofi mbi ujë ndërmjet tyre si kamionçinë me motor pa kapak. Stërkala uji dhe ulërima si krisma topi shpërthyen nga gryka e frikshme ngjyrë rozë e portokalli e bishës. Për një hop ajo ia përfshiu me gojë duart Templerit dhe e tërhoqi pas vetes. Me dhëmbët mizorë e kafshoi në sup, në bel e në shpinë, pastaj u zhduk sërish nën ujë. Aq shpejt ndodhi ajo përplasje e beftë, saqë kanoeja për disa çaste qëndroi drejt, para se të humbiste drejtpeshimin, të binte ngadalë, dhe Shtahmanin ta hidhte në lumë.

Hipopotami, duke e tërhequr Templerin me peshë nëntëdhjetë kile, tre pashë nën ujë, nisi të luante me të, si macja me miun. Me fytyrën përmbys në gojën e hipopotamit, ai s’po merrte vesh se në ç’vend ndodhej. “Ku jam këtu!?” – habitej Templeri. Pas pak, gjoksi i tij u çlirua nga shtrëngimi. Sapo hipopotami hapi nofullat, Templerit iu lirua njëri krah dhe lëvizi përqark. Duke i dhënë trupit mbrapsht, u përpoq të shkëputej dhe të mbahej diku. Zgjati gishtat dhe kapi bishtin e ashpër e të fortë të hipopotamit. U pushtua nga njëfarë shprese. Iu bë sikur po e shihte veten si në film. Kur iu lirua edhe krahu tjetër, iu shtuan shpresat për shpëtim. Hipopotami, që e kishte gërvishtur me dhëmbë në faqe dhe në zverk, papritur e lëshoi. Në çast Templeri u sul përpjetë dritës dhe doli në sipërfaqen e lumit. Të parën gjë që vuri re, ishte gjendja e Namasangos, i cili duke gulçuar, mbahej me vështirësi mbi ujë.

– Noto, Evans! – i thirri. – Hë, edhe pak, se ja, arritëm!

Por ai, me sa shihej, e kishte humbur gjykimin, ndaj Templeri e tërhoqi prej jake drejt bregut. Befas ndjeu të therura në këmbë nga një peshë e rëndë. “Mos u kthye hipopotami prapë?” – tha me vete në çast. Dhe ndjeu se ai kësaj here ishte tërbuar. E mbërtheu me dhëmbët e mprehtë nga poshtë. Templeri hoqi dorën nga jaka e Namasangos, me shpresë se ai do të dilte vetë në breg. Në ato çaste i ra ndër mend se hipopotamët mbajnë frymë nën ujë gjashtë minuta, kurse njeriu tre ose katër. Në kulmin e dëshpërimit, e grushtoi dhe ia tërhoqi bishtin. Këmbët iu liruan, por njëra dorë i ngeci në gojën e hipopotamit. Megjithatë, nuk u ndal. Mblodhi tërë fuqitë dhe e goditi me shqelma ku mundi, në kokë, në sy, nën bark e në vithe. Ndërkohë, shfrynte: “Hiqmu qafe, shtazë e mallkuar!” Befas iu shkëput, e kur MakNamara e pa mbi ujë, e ngau kajakun drejt tij.

– Noto në krahun tim! – i thirri.

Por hipopotami mbërriti i pari dhe u preu udhën. Me nofullat e llahtarshme e mbërtheu Templerin dhe e mbajti përgjysmë mbi ujë, kokën e shpatullat në një anë, këmbët në anën tjetër. Krahu i majtë i Templerit mori të çara si me gërshërë nga dy dhëmbët e mprehtë të hipopotamit, teksa dy të tjerët e shpuan në gjoks. Sakaq ndjeu dhimbje të forta në brinjë. Në furi e sipër bisha e vërviste sipër ujit sa andej – këtej. Herë e zhyste dhe herë e nxirrte jashtë. Templeri vërtitej djathtas e majtas, poshtë e lart. Me dorën e lirë u përpoq të kapte revolverin, por më kot! Ai i kishte humbur. S’merrte dot frymë. Mendja po i turbullohej. “Nuk mundem më!” – pëshpëriti si në jerm. Megjithatë, vazhdoi të luftonte, duke e grushtuar lëkurën e fortë të shtazës.

Befas hipopotami u dorëzua para atij njeriu të paepur. E shtyu nën ujë dhe u largua duke shfryrë. Templeri brofi lart për në kajakun e MakNamarës.

– Më nxirr këtej! – i foli me gjysmë zëri dhe u kap në litarin e kajakut.

Sapo hynë në ujërat e cekta, e para gjë që i shkoi ndër mend Templerit, ishte shpëtimi njerëzve.

– Duhet t’i nxjerrim të gjithë në breg! – tha me pak zë. – Ku është Evansi?

Fisheri dhe Langarderi e kishin parë në rrjedhën e poshtme të lumit, teksa lëvizi duart mbi kokë dhe pastaj u zhduk në thellësi.

Templerin e mposhtën dhimbjet.

– Ah, ç’e papritur e tmerrshme! S’gjej fjalë ta tregoj! – tha duke rënkuar dhe u kërrus mbi ujë.

MakNamara pa tmerrin nën veshjen e shqyer të Templerit. Krahu i djathtë i qe ndarë në dy pjesë. Nga gjoksi, shpina e pulpa e këmbës së majtë i rridhte gjak. Përmes një vrime i dukej cipa e mushkërive.

Çanta e ndihmës së shpejtë dhe radiomarrësja ishin zhdukur në lumë, kur kanoeja u përmbys pas mësymjes së hipopotamit. Pra, jeta e Templerit ishte në rrezik. MakNamara grisi menjëherë qesen e ushqimeve dhe sajoi disa rripa. Me to ia mbuloi vrimën në kraharor dhe ia lidhi plagët nga rridhte gjak. Në atë gjendje MakNamara dhe Sinbadi e mbartën me kajak. Për gjashtë minuta dolën në breg. Në qytezën më të afërt nuk gjetën asnjë kirurg. Së andejmi, me një furgon të ndihmës së shpejtë, brenda tri orësh, në mes të natës, mbërritën në Balauej. Kirurgu ortoped Bekitheba Nkabe, rreth të dyzetave, i njoftuar qysh më parë, priste në spital. Përveç mjekimeve në kokë, në gjoks e në shpinë, doktor Nkabe ia preu krahun e djathtë. Operacioni zgjati shtatë orë.

Pas dy ditë kërkimesh, trupin e Evans Namasangos e gjetën në fund të ujërave.

Deri më sot, në tërë lumin e madh Zambezi, askush s’është përballur me aq guxim e vendosmëri me hipopotamin e tërbuar, si Pol Templeri. Pas dorëheqjes nga puna e udhërrëfyesit, ai i la lundrat e lumenjtë dhe u kthye në Savane. Atje shërbeu në ekspeditat, që përshkonin Zimbaven, Namibinë e Bostvanën.

Sado që u përpoqën gjahtarët profesionistë ta bindnin administratën e Parkut kombëtar dhe të kafshëve të egra, që ta vrisnin hipopotamin e tërbuar, nuk ia arritën. Ai ndodhet ende atje, në lumë, dhe pret të tjera viktima!

 

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Xh Deshnica, J. Xhons, perkthim, TËRBIM NË LUMIN ZAMBEZI

MBI ORIGJINËN PELLAZGE TË SHQIPTARËVE

May 27, 2018 by dgreca

LIBRI I 1829 / RRËFIMI I ETNOLOGUT WILLIAM FREDERIC EDWARDS MBI ORIGJINËN PELLAZGE TË SHQIPTARËVE/1 Libri

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 27 Maj 2018/

Në librin me titull “Caractères physiologiques des Races humaines considérés dans leurs rapports avec l’histoire, lettre a M. Amédée Thierry”, të etnologut William Frederic Edwards (1777-1842), botuar në Paris në vitin 1829, gjejmë një përshkrim të veçantë të autorit në lidhje me origjinën pellazge të shqiptarëve, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :“…Nga dy tipet (pellazgë dhe helenë) që kemi folur, është e sigurt se i pari është i pastër; ndërsa për të dytin, jo. Ky mund të jetë rezultat i një përzierjeje të të parit me një tjetër, i panjohur për ne, sepse nuk më duket mjaft elegant (uniform) apo origjinal. Duhet të kërkohet në të gjithë Greqinë duke i dhënë këtij emri kuptim më të gjerë.

Një popull gjendet aty (në Greqi) që nuk është studiuar mjaftueshëm. Ai flet gjuhën e tij; ne nuk e dimë prej nga erdhi, as kur u vendos aty; të paktën unë nuk kam qenë në gjendje të mësoj asgjë nga ata që ishin më të arsimuar.Në disa aspekte, shqiptarët janë në Greqi ashtu siç janë baskët në të dyja anët e Pirenejeve, bretonët në Francë, galët (uellsianët) në Angli, dhe ata që flasin gjuhën « erse » në Skoci dhe Irlandë, një ‘mbetje’ banorësh të lashtë.Pse të mos i konsiderojmë si të tillë, nëse është e vërtetë që nuk gjejmë asnjë gjurmë të origjinës së tyre të huaj qoftë në traditat e tyre, në histori, apo në krahasimin e gjuhëve ?

Pse të mos jenë pasardhësit e Pellazgëve ? Kam parë shqiptarë në Venedik, madje edhe i kam pikturuar (vizatuar) ; por unë nuk do të përpiqem të vë në dukje idetë që më kanë sugjeruar, se unë nuk e di nëse kam parë tipin karakteristik të këtij populli, dhe nëse informacionet e origjinës së tyre që unë sapo kam sjellë janë të vërteta apo iluzione.

Le të shpresojmë që shkencëtarët e dërguar në të dy vendet, që kanë qenë vatrat e para të rilindjes në Evropë, do të ndërrmarin nisma të reja ekspeditash shkencore, të cilat do të rivalizojnë me ato të lundruesve, në lidhje me përcaktimin e saktë të llojeve të racave njerëzore…”

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, Edwards, Origjina Pellazge, shqiptaret

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT