• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2018

Terrori dhe dhuna shtetërore kundër lëvizjes shqiptare në Kosovë e Sanxhak(3)

October 30, 2018 by dgreca

Duke jetuar nën psikozën e frikës, në kushte të pasigurisë së përgjithshme dhe skamja të plotë, pjesa më e madhe e popullsisë myslimane nuk ka pasur asnjë perspektivë të qartë. Sforcimi zyrtar i tezes për “pakicën e kulturuar dhe të pa kulturuar” në Jugosllavi gjë që në të parën radhiteshin gjermanët, hungarezët dhe italianët, ndërsa në të dytën shqiptarët dhe boshnjakët, nuk premtonte asgjë të mirë.

1 Ismet Hazizi

Nga Ismet Azizi/

Kolonizimi i trojeve shqiptare ishte një proces që kishte filluar që në vitin 1912. Ai mori hov gjatë viteve ‘30, kur qëndresa e armatosur ishte më e dobët. Duke bazuar planin e kolonizimit të viseve etnike shqiptare, kolonët vendoseshin në radhë të parë në pikat strategjike të këtyre trojeve, siç ishte brezi kufitar me shtetin shqiptar. Kolonët sllavë vendoseshin gjithashtu gjatë nyejve të komunikacionit rrugor dhe hekurudhor, si dhe në luginat e fushata pjellore. Gjatë periudhës ndërmjet dy luftërave botërore, në tokat shqiptare janë vendosur rreth 15 000 familje kolonësh me rreth 75 000 frymë. Sipas disa të dhënave, gjatë periudhës 1918-1941, në viset etnike shqiptare janë ngritur 1000 koloni sllave. Si rrjedhojë e zbatimit të politikës agrare-kolonizuese, u ashpërsuan marrëdhëniet ndëretnike ndërmjet shqiptarëve dhe serbo malazezëve.

Deri në fillim të vitit 1941, nga reformat agrare kolonizuese u prek rreth gjysma e tokave bujqësore dhe u godit gjysma e popullsisë fshatare shqiptare. Statistikat e marrjes së tokave të kaçakëve dhe e tokës së braktisur nga familjet shqiptare që kishin filialet agrare ishte kjo gjendje: në filialin e Mitrovicës, në të cilën bënin pjesë  këto rrethe administrative: Mitrovicë, Dezheva (Pazar të Ri) Senica, Shtavica (Tutini) Vuçitërna, Llapi, dhe Drenica, u morën tokë të kaçakëve 170, 86 ha, e tokë e lënë shkretë 4090,40 ha, tokë e punueshme 3900 ha.

Përveç këtyre, si rrjedhojë e shpronësimit të fshatarësisë shqiptare dhe e kolonizim të tokave të tyre, ndryshime të dukshme pësoi edhe struktura etnike. Më 1912 shqiptarët përbënin 90% të popullsisë, kurse në vitin 1941, përqindja e tyre ra më rreth 70 %. megjithatë, falë qëndresës së organizuar të popullit shqiptarë, nuk u arrit objektivi i Mbretërisë Jugosllave për ndryshimin rrënjësor të strukturës etnike në favor të minoritetit sllav.

Në Kosovë është vendosur regjimi i terrorit dhe i eksploatimit. Nëpunësit fundërrina të Mbretërisë Jugosllave u futën në Kosovë për t’u pasuruar. Gjuha shqipe është larguar nga jeta publike, ndërsa shkollat nuk u hapën.

Për shkak se në alfabetin serb cirilik dhe latin, nuk ka shkronja për të gjithë tingujt e shqipes, shpesh ka ndodhur që gjatë regjistrimeve, emrat dhe mbiemrat të ndryshohen.

Çubrilloviq, para se gjithash, ia sheh për të madhe qeverisë mbretërore se në Ballkanin e trazuar dhe të përgjakur… kanë aplikuar metoda perëndimore për zgjidhjen e problemeve të mëdha etnike!…” “Arnautët janë i vetmi popull i cili pati sukses që në mijëvjeçarin e fundit jo vetëm të mbijetoj afër bërthamës së shtetit tonë, Rashkës dhe Zetës, por edhe në dëm tonin të shtyp kufijtë tanë etnikë në drejtim të veriut dhe lindjes…”.

Prof. Branko Horvat, në librin e tij “Çështja e Kosovës”, lidhur me elaboratin e Çubrillovqit shkruan: “Po të ishte realizuar ky plan, ai pa dyshim, do të kishte fashisoidizuar Jugosllavinë, ndërsa popullit serb do t’ia kishte vënë një njollë, të cilën brezat e tëra nuk do të kishin munduar ta lanin. Profesori Horvat, kur e shkroi librin e tij, kishte kaluar një vit nga dalja në skenë të S. Milosheviqit, andaj edhe nuk mund ta paramendonte se çka do të ndodhë në vitet në vijim.

Për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, asimilimin e shqiptarëve të fesë katolike, si dhe në copëtimin e shtetit shqiptar, është angazhuar edhe Ivo Andriq (1892-1975), i cili në vitin 1961, mori çmimin “Nobel” për letërsi. Andriqi, me kërkesën e Stojadinoviqit, në vitin 1939, hartoi elaboratin special në të cilin, midis tjerash, thuhet: “Me ndarjen e Shqipërisë nuk do të ekzistonte qendra atraktive për pakicën shqiptare në Kosovë, e cila, në një situatë të re, më lehtë do të ishte asimiluar, ne do të kishim marrë eventualisht edhe 200 000 – 300 000 shqiptarë, por ata janë më tepër katolikë raporti i të cilëve me shqiptarët myslimanë kurrë nuk ka qenë i mirë. Çështjen e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi gjithashtu do të ishte realizuar në rrethanat reja, sepse nuk do të ishte asnjë aksion i fortë që të pengohet kjo”.

Rezistenca e shqiptarëve kundër shpërnguljes nuk ka pushuar asnjëherë. Kjo rezistencë zhvillohej gjithandej, si në parlament, në masën e gjerë popullore, nëpërmes shkrimeve dhe raporteve të ndryshme në gazeta etj. Krerët shqiptarë, si Ferhat Draga, Aqif Blyta  Sherif Voca , Hafiz Guta, Asim Luzha e shumë të tjerë ishin  agjitatorë aktivë kundër shpërnguljes.

Sherif Voca në parlamentin jugosllav vuri në dukje se edhe interesat e përgjithshme të shtetit kërkojnë që çështja agrare mos ta rrezikojë ekzistencën e masave popullore shqiptare. Ai gjithashtu kërkoi nga qeveria jugosllave ta përmirësojë gjendjen në jug të vendit që nënkuptonte Sanxhakun, Kosovën e Maqedoninë. “Shqiptarët nuk kërkojnë rrugë të asfaltuara, …as që kërkojnë detyra nëpunësi,… nuk presin pension, as toka nga dikush, por duan t’i punojnë tokat e veta”.

Prof. Hakif Bajrami në librin e tij bazuar në dokumentet e kohës, sjell një kujtim interesant të një studenti përparimtar, i cili shkruan: “Prej viti 1931-1941, ka qenë zbatuar një terror i përhershëm për t’i shpërngulur shqiptarët në Turqi. Presioni qe rritur sidomos pas ardhjes së Milan Stojanoviqit në pushtet. Rinia studentore që shkollohej në Beograd, e më parë pjesërisht në Medrese të Shkupit, e pjesërisht në Gjimnaze, si Rifat Burxheviq1  nga Novi Pazari, Zenel Hajdini, Meto Bajraktari, Esad Mekuli, Hivzi Sylejmani 2 nga Mojstiri i Tutinit, e shumë të tjerë, protestuan kundër shpërnguljes së shqiptarëve.

Bajrami, H.(1981). Rrethana shoqërore politike në Kosovë 1918-1944,. fq. 177, në lidhje me shpërnguljen shkruan: Kur pushteti vërejti se paria shqiptare ishte lidhur nëpërmjet  “Ilmisë islame” në Shkup, dhe se kjo ishte bërë qendër propagandistike kundër shpërnguljes, angazhoi drejtpërdrejt shërbimin informativ për mënjanimin nga skena politike të Ferat Dragës dhe përkrahësve të tij. Në raportin zyrtar theksohet se shumica e krerëve i kanë mbetur besnikë Ferhat Dragës, si Aqif Blyta nga Novi Pazari, Shaban Mustafa nga Mitrovica, Jusuf Imeri nga Drenica, Adem Marmullaku nga Istogu, Rrustem Arlani nga Mitrovica, vëllezërit Boletini, Asim Luzha, hoxhë nga Gjakova dhe deputet i Drenicës, Haxhi Xhemajl Agushi nga Prishtina, Sali Aga nga Llapi etj. Sa i takon anës tjetër, Sherif Voca dhe Sadik Zeneli, këshilltar i banit për rrethin e Drenicës, ata ishin në kundërshtim me Feratin, gjë që e kanë vërejtur zgjedhjet fetare të viti 1937, por atëherë për t’i përçarë shqiptarët vepronte posaçërisht Fevzi Haxhihamza, avokat nga Shkupi.

Duke shkruar për kohën pas okupimit nga Serbia dhe Mali i Zi, e cila ishte kohë e pasigurisë Ilias Dobarxhiq, në shtator të viti 1940, shkruan në “Gajret”: ”Koha e njëzet viteve të kaluara, ishin vite të dhimbjeve të mëdha, të mërzitshme, të varfërisë monotonisë dhe zymtësisë. në dheun e dhimbshëm të Sanxhakut ranë sikurse bari i kositur qindra koka të prera dhe të vrara”.

Për interesa të veta dhe për përvetësimin e Sanxhakut dhe të myslimanëve të Sanxhakut treguan edhe ideologët e lëvizjes ustashe.

Mladen Lorkoviq, në shkrimin e tij të viti 1935, për kroatët myslimanë dhe për shtrirjen e tyre shkruan: “I madh është grumbulli i etnisë autoktone kroate e populluar në ish Sanxhakun e Novi Pazarit dhe në tërë Serbinë. Bëhet fjalë për myslimanët pjesa më e madhe fshatarësia, i cili në truallin e vet autokton. Kroatët myslimanë të trevës së Novi Pazarit, shtrihen si shumicë kompakte në mes katërkëndëshit ndërmjet Novi Pazarit, Rozhajës, BjelloPoles dhe Senicës, duke përfshirë edhe këto katër lokalitete. Sipas regjistrimit të popullsisë së viti 1931, “kroato-myslimanët” e Serbisë dhe Malit të Zi numëronin 226. 000 krerë. Shumica prej tyre ishin në Senicë (44.812) dhe Shtavicë (Tutin) ( 29.192)etj., mandej në numër më i madh në rrethin e Dezhevës ( N. Pazarit) 18. 200, Milleshevë 10. 943, Plevle, 9.093, Priboj, 5.915, Pejë, 11.501, Bjelo Polje, 11.916, Mitrovicë 7,738, Beranë, 11.936.

Duke jetuar nën psikozën e frikës, në kushte të pasigurisë së përgjithshme dhe skamja të plotë, pjesa më e madhe e popullsisë myslimane nuk ka pasur asnjë perspektivë të qartë. Sforcimi zyrtar i tezes për “pakicën e kulturuar dhe të pa kulturuar” në Jugosllavi gjë që në të parën radhiteshin gjermanët, hungarezët dhe italianët, ndërsa në të dytën shqiptarët dhe boshnjakët, nuk premtonte asgjë të mirë.

Qytetet e vjetra të Sanxhakut ngadalë janë lodhur, të shtypura nga depopullimi, varfëria ekonomike e monotonia. Në viti 1921, në Novi Pazar jetonin 11 885 boshnjakë, më 1927, 10 682, dhe më 1931 – 10 361 banorë..

Nga 126. 968 myslimanë sa kishte në vitin 1911, njëzet vite më vonë, sipas Gajretit, ishin 99. 208, ortodoksë në vitin 1911, ishin 90. 461, ndërsa 1931, ishin 124. 938.

[1] Rifat Burxheviq u lind më 11 shkurt të viti 1913, në Bijelo Pole. Rrjedh nga një familje e varfër. N moshën dyvjeçare mbete pa prindër. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Nga viti  1925 deri në vitin 1933, u shkollua në medresenë e Madhe “Mbreti Aleksandër I” në Shkup. Në vitin1933, u regjistra në Fakultetin Juridik në Beograd ku edhe u inkuadrua në lëvizjen revolucionare studentore. Së bashku me Vladimir Knezheviq, Tomash Zhizhiqin, në fshatin Trnovë, në afërsi të Mrkonjiq Grad, në natën ndërmjet 2 dhe 3 tetor 1942, në tradhti u sulmuan nga çetnikët dhe  egërsisht është vrarë.

2 Hivzi Sulejmani (1910-1975) ishte një ndër shkrimtarët e parë të rëndësishëm të Kosovës, që vuri ë bazat e kësaj letërsie në prozë. Lindi dhe e u rrit në Mojstir (Sanxhak), por jetoi e punoi në Kosovë, ku edhe e mbylli  jetën, duke e lidhur pazgjidhshmërisht fatin e tij me fatin e saj. U shkollua në Beograd, para Luftës së Dytë Botërore (jo për letërsi, për degë të tjetër), por ia kushtoi jetën letërsisë. Punoi dhe kontribuoi shumë në fushën e prozës, të publicistikës, të përkthimeve etj. Veprat e tij janë: “Njerëzit” (roman), Fëmijët e lumit tim” (roman), “Era dhe kolona” (tregime), “Ëndrra e korbit” etj.

( Vijon me:  Qëndresa e shqiptarëve ndaj dhunës dhe terrorit serb)

Filed Under: Histori Tagged With: Ismet Azizi, Kosove-Sanxhak, Levizja shqiptare, Terrori

Gjeneral Sandër Lleshi dhe komentet e ish President Nishanit

October 30, 2018 by dgreca

-Rreth komenteve të Bujar Nishanit për Sandër Lleshin!/

-E kam parasysh këtë Bujar Nishanin, që ka firmosur dekretet presidenciale për ambasadorë të dhëndërrit të Lenka Çukos e të tjerëve të kësaj kategorie nga nomenklatura ish-komuniste dhe këtë Bujar Nishanin që nuk firmosi dekretin për Ambasador të Visar Zhitit, një personaliteti të shquar të kulturës shqiptare dhe një të burgosuri politik në burgjet e diktaturës!/

1 elida Bucpapaj

Nga Elida Buçpapaj/

Kur pashë reagimin e Bujar Nishanit për Sandër Lleshin, kandidatin për Ministër të Brendshëm, ndjeva nauzea!

Nuk e marr në mbrojtje Sandër Lleshin, sepse ai do ta tregojë veten se cili është.

Uroj që të mos ketë vëlla a të afërm, fis e farë si pararendësit.

Nuk mund të ndyhet individi nga veprat e ndyra të njerëzve të afërm,por individi nuk mund të mbajë pozita shtetërore sepse edhe sikur ta kryejë detyrën me devotshmëri, opinioni ngre dyshime për konflikt interesi.

Por reagimi i Bujar Nishanit ishte gërditës!

E kam parasysh Bujar Nishanin që të gjithë karierën e tij ia dedikon vetëm Sali Berishës! Për servilizëm shterrues.Nuk e zgjidhte askush president me votë popullore as deputet me garë të ndershme vlerash Bujar Nishanin.

E kam parasysh këtë Bujar Nishanin, që ka firmosur dekretet presidenciale për ambasadorë të dhëndërrit të Lenka Çukos e të tjerëve të kësaj kategorie nga nomenklatura ish-komuniste dhe këtë Bujar Nishanin që nuk firmosi dekretin për Ambasador të Visar Zhitit, një personaliteti të shquar të kulturës shqiptare dhe një të burgosuri politik në burgjet e diktaturës!

S’ka moral Bujar Nishani të bëjë moral lartë e poshtë, i ftuar në studio televizive ! As moral s’ka, as kapacitete dhe as merita!I ftuar tek News24, Nishani u shpreh se “ministri i ri i Brendshëm, gjeneral Sandër Lleshi, është një ekstremist politik që ka fyer kushtetutën”.

Do të qe skandaloze nëse do të ishte e vërtetë!

Por si fakt dihet se në 28 majin e vitit 2013, një muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2013, presidenti i Republikës asaj kohe Bujar Nishani nënshkroi shkarkimin e ardhur nga Ministri i Mbrojtjes Arben Imami të tre gjeneralëve të FA, midis tyre gjeneral brigate Sandër Lleshi, i cili ishte edhe zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë!Gjeneralët e FA dhe zvshefi i shtabit shkarkohen vetëm për arsye madhore, për grusht shteti, tradhëti apo shkelje të Kushtetutës!

Nuk ekziston asnjë fakt i tillë për të lartpërmendurit, aq më tepër kur dihet se Sandër Lleshi e fitoi gjyqin. Kështu shkelësa të kushtetuetshmërisë dalin Arben Imami dhe Bujar Nishani, dy të emëruar politikë nga njëshi, që i janë falur njëshit sikur të jetë Atdheu dhe Kushtetuta.

Për arritjet personale si ushtarak s’kam se çfarë të them, por sa i përket karierës, majat më të larta Sandër Lleshi i arriti kryesisht kur ka qenë PD në pushtet, ndërkohë që opinioni publik nuk ka asnjë veprim të tij evidentues të ekstremistit apo të shkelësit të Kushtetutës. Ndërsa shkarkimi i tre gjeneralëve të FA një muaj përpara zgjedhjeve parlamentare është një akt i paprecedent!

Prandaj komentet e Bujar Nishanit janë të pështira.

Sepse opinioni publik ka para sysh puthadorjen e llojit të Bujar Nishanit ndaj eprorit politik, pa të cilin puthadorësit e llojit të Bujar Nishanit nuk do të përfitonin asgjë nga ato që kanë përfituar. Populli nuk do t’i zgjidhte as presidentë, as nuk do t’i votonte dhe televizionet nuk do t’i intervistonin. Kategori si e Bujar Nushanit, nuk kanë kredite besueshmërie, pasi karierën dhe pushtetin e kanë të dhuruar jo të fituar me merita!

Prandaj Shqipëria ka nevojë për reformë zgjedhore, por kjo është temë tjetër!

Sa për Sandër Lleshin, ky e ka me merita gradën e gjeneralit të FA të Shqipërisë, partnere e Aleancës Verio-Atlantike.

Tani pritet të provohet si MB.

Përpara ka një detyrë shumë të vështirë!

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, Gjeneral Sandër Lleshi, komentet

Presidenti Trump do t’i japë fund shtetësisë amerikane në lindje

October 30, 2018 by dgreca

Presidenti amerikan, Donald Trump thotë se do që t’u mohojë shtetësinë fëmijëve të lindur në Shtetet e Bashkuara nga prindër që nuk janë shtetas amerikanë, apo që janë imigrantë paligjshëm.

Zoti Trump tha në një intervistë për emisionin Axios në kanalin HBO se ka në plan të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për t’i dhënë fund politikës aktuale, që parashikon të drejtën e shtetësisë në lindje. “Është në proces e sipër. Do të bëhet”, tha ai.

“Ne jemi i vetmi vend në botë ku një person mund të vijë, të lindë një fëmijë dhe fëmija bëhet automatikisht qytetar amerikan … me gjithë përfitimet e këtij statusi. Është qesharake. Duhet të marrë fund”, shtoi ai.

Ndalimi i kësaj politike ka shumë gjasa që të përballet me sfida ligjore në gjykatë.

Presidenti Trump tha se e kishte diskutuar këtë ide me këshilltarin e tij ligjor, i cili siç tha ai e informoi se nuk ka nevojë për një amendament kushtetues për t’i dhënë fund të drejtës për shtetësi në lindje.

Një sfidë ligjore do të thoshte se gjykatat duhet të marrin një vendim për një debat lifhur me Amendamentin e 14-të të Kushtetutës, ku thuhet:

“Të gjithë personat që lindin ose që marrin shtetësinë në Shtetet e Bashkuara, dhe subjekt të këtij lloj juridiksioni, janë qytetarë të Shteteve të Bashkuara dhe të shtetit ku banojnë”.

Megjithatë disa konservatorë këmbëngulin se amendamenti kishte si synim vetëm t’u siguronte shtetësinë foshnjave të lindura në Shtetet e Bashkuara nga prindër që janë ligjërisht banorë të përhershëm.

Plani i Presidentit Trump për t’i dhënë fund kësaj politike, i përshkallëzon edhe më tej përpjekjet e administratës së tij për ta bërë imigracionin një çështhe madhore të fushatës para zgjedhjeve të 6 nëntorit për Kongresin.

Dy javët e fundit, zoti Trump dhe aleatët e tij konservatorë kanë bërë paralajmërime për karvanin e imigrantëve nga Amerika Qendrore që është disa qindra kilometra lag kufirit jugor të Amerikës.

Të hënën presidenti Trump e përshkroi karvanin si “një pushtim të vendit tonë”, ndërsa administrata e tij deklaroi planet për të dërguar të paktën 5 mijë e 200 trupa në kufi deri në fund të kësaj jave.(VOA)

Filed Under: Emigracion

Kompromiset, mundësi të vetme për konsensus për dialogun

October 30, 2018 by dgreca

1 THaci VucicÇështja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka polarizuar skajshëm pozicionet e partive politike në Kosovë dhe ajo ende mbetet “mollë sherri” ndërmjet partive në pushtet dhe opozitë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Sipas tyre, arritja e një konsensusi të spektrit politik lidhur me këtë temë është mjaft e vështirë, ndonëse jo e pamundur. Përderisa ditëve të fundit, liderët institucional dhe të partive politike, kryesisht të atyre në pushtet, kanë bërë thirrje për arritjen e një uniteti lidhur me qasjen ndaj dialogut Kosovë-Serbi, Kryesia e Kuvendit të Kosovës tashmë ka vendosur që të mërkurën, më 31 tetor, të mbahet një seancë e jashtëzakonshme, me kërkesën e partive opozitare.

Temë e debatit të kësaj seance, siç është thënë, do të jetë “angazhimi i presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjimit të kufijve’ në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Artan Murati, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë që, për të ndryshuar situatën në të cilën partitë politike janë pozicionuar skajshëm, është i domosdoshëm vullneti politik dhe veprimet konkrete, të cilat kanë munguar deri më tash. Ai thekson që lidhur me dialogun kanë qenë dy tema për të cilat është diskutuar, përfaqësimi apo kush do ta udhëheqë dialogun dhe “vijat e kuqe” apo çështja e moscenimit të territorit.

“Nëse do të shkohet me idenë që nuk ka ndarje të Kosovës, nuk ka shkëmbim të territoreve, besoj që në këtë pikë do të mund të merreshin vesh pak më lehtë. Mirëpo, kur vjen puna te përfaqësimi, ekziston ajo ‘molla e sherrit’ që quhet president i Republikës së Kosovës, sepse Partia Demokratike e Kosovës është në përkrahje të asaj që presidenti të udhëheqë me dialogun. AAK-ja dhe Nisma nuk është se kanë ndonjë pozicionim shumë të prerë, sepse varësisht se si po zhvillohen ngjarjet politike, janë për ose kundër”.

“Ka pasur lëvizje të vazhdueshme në këtë pozicionim. Ndërkaq, e dimë qëndrimin e subjekteve opozitare, të cilat janë duke kundërshtuar fuqishëm dhe konsensusi është pak sa më i vështirë të arrihet për çështjen e përfaqësimit”, theksoi Murati.(Kortezi:Bekim Bislimi RFL)

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: dialogu, Kompromiset, konsensus

SHBA-KOSOVË, MUNDËSI TË REJA BIZNESEVE

October 30, 2018 by dgreca

-Mundësi për partneritete të reja ndërmjet bizneseve kosovare dhe amerikane. Delegacioni i bizneseve kosovare i cili qëndroi në Shtetet e Bashkuara të  Amerikës me organizim  në Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë vizitoi edhe shtetin e Nju Jorkut/1 TeutaNJU JORK, 30 Tetor 2018-Gazeta DIELLI/  Delegacioni i bizneseve kosovare i cili qëndroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën organizimin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë vizitoi edhe shtetin e Nju Jorkut me ç’rast zhvilloi takime me përfaqësues të asociacioneve të biznesit, organizata të inovacionit dhe ndërmarrësisë, si dhe biznese individuale në këtë shtet amerikan.

Delegacioni i bizneseve nga Kosova i udhëhequr nga Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane dhe në shoqërim të Konsulles së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork Teuta Sahatqija u takua me Yvonne Bendinger-Rothschild, Drejtore Ekzekutive e Odës Ekonomike Evropiano Amerikane me seli në Nju Jork. Në takim u diskutua për progresin e shënuar në Kosovë në aspektin e të bërit biznes, por edhe lidhur me kërkesat që kompanitë kosovare kanë për investitorët amerikanë, ndërsa Bendinger-Rothschild u zotua për mbështetje të kompanive kosovare, përfshirë edhe gjetjen e partnerëve afaristë.

Me mbështetje të Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës, delegacioni pati mundësi të vizitoj edhe organizatën SAP Next Generation në Nju Jork e cila drejton programin e inovacionit dhe ndërmarrësisë që mes tjerash angazhohet edhe për implementimin e Synimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara. Aty u pritën nga zëvendëspresidentja Ann Rosenberg, e cila sqaroi për punën e jashtëzakonshme që bëhet në atë qendër për nxitjen e inovacioneve. Ajo premtoi edhe përkrahjen e saj për zhvillimin e një programi të ngjashëm edhe në Kosovë.

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës organizoi edhe një pritje për bizneset nga Kosova të cilët përfaqësonin sektorë si prodhimi, tregtia, shërbimet konsulentë të biznesit, shërbimet e teknologjisë së informacionit, por edhe profesionistët dhe ndërmarrësit shqiptarë, anëtarë të Rrjetit të Profesionistëve dhe Ndërmarrësve Shqiptarë me seli në Nju Jork. Aktiviteti ishte një mundësi e mirë për rrjetëzim dhe shkëmbim të përvojave ndërmjet ndërmarrësve nga Kosova dhe të rinjve profesionistë shqiptarë në Amerikë.

Delegacioni qëndroi edhe në Bronx ku u pritën nga Dren Deva, pronar i kompanisë TV Alb e cila merret me ofrimin e shërbimeve televizive në SHBA. Deva i njoftoi bizneset kosovare për planet e ardhshme të biznesit të cilat përfshijnë ngritjen e një kompanie të distribuimit dhe shitjes, që do të ketë në fokus importimin e produkteve nga Kosova./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, MUNDËSI, SHBA- KOSOVE:, TË REJA BIZNESEVE

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT