• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2023

Një emër i lavdishëm në historinë tonë – Përkujtojmë Bejtë Rexhepin

April 14, 2023 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Sot kujtojmë me krenari veprën e heroit të Kosovës. Bejtë Rexhepi në ditën e përjetësisë së emrit të tij në historinë tonë të lavdisë dhe krenarisë së Kosovës. Vështirë është të flitet për virtytet, trimërinë dhe meritat e luftëtarëve të palodhshëm të UÇK-së, e njëri nga ta ishte edhe heroi Bejtë Rexhepi. Bejtë Rexhepi i takon brezit të lirisë së Kosovës, kjo gjeneratë, mund të quhet lirisht gjeneratë e artë, trima që ndryshuan epokën historike, sepse guxuan t’ia thonë pa frikë pushtuesit se kishte përfunduar njëherë e përgjithmonë koha e pushtimit dhe shqiptarët kishin zgjedhur rrugën e vështirë, por të sigurtë të sakrificës për çlirimin e Kosovës. Ndihem më fat që pata rastin, që nga shkolla e mesme, t’i njoh nga afër gjeneratën që u bënë historia më e lavdishme dhe gurthemel i shtetit të Kosovës: Bedri Shalën, Rasim Kiçinën, Bejtë Rexhepin dhe Besim Malën e shumë të tjerë, që i dhanë vulën e sakrificës lirisë së së Kosovës.

Sot, emri i Bejtë Rexhepit është i shënuar në historinë e lavdishme dhe krenare të popullit shqiptar, ku falë sakrificës së Bejte Rexhepit dhe shumë dëshmorëve tjerë, gëzojmë Republikën e Kosovës. Pas luftimeve të rrepta gjatë ofensivës serbe të ndërmarrë gjatë marsit dhe prillit 1999, kundër pozicioneve të UÇK-së në gjithë rajonin e Drenicës, kohë kjo, kur UÇK-ja që po ballafaqohej jo vetëm me makinerinë serbe, por duhej që të përkujdesej edhe për popullatën civile, duke u munduar që t’i mbrojë përballë sulmeve të egra të ushtrisë e policies serbe.

Aksionet UÇK-së nga njësitet elitare të saj, filluan edhe jashtë territorit të Drenicës për t’i sulmuar forcat serbe, e në këto aksione nuk mungoi heroi Bejte Rexhepi, që forcave të pushtuesit t’u krijohet pasiguri në të gjithë territorin e Kosovës dhe të mos kenë përqendrimin vetëm në zonën e Drenicës. Falë ushtarëve të guximshëm të UÇK-së siç ishte Bejta, aksionet kundër forcave kriminale serbe nuk munguan, por u intensifikuan edhe më shumë gjatë marsit dhe prillit të vitit 1999. Falë aftësive të tij, njësiti i UÇK-së bëri shumë aksione të sukseshme kundër armikut,

Bejtë Rexhepi ra në altarin e lirisë, për të mos vdekur kurrë, gjatë aksionit dhe misionin që kishte, duke përjetësuar kështu betimin e ushtarit të UÇK-së se vetëm vdekja mund të ndalë luftën e tij dhe shumë shokëve të tij për lirinë e Kosovës.

Ëndrra, dëshira, guximi dhe përpjekja e idealistëve që besonin ne lirinë e Kosovës, dhe e të gjithë atyre që sakrifikuan jetën dhe derdhën gjakun e tyre për ta bërë Kosovën një vend të lirë, qëndrojnë në themelet e ndërtimit të shtetit Kosovës, të cilin kemi ende shumë punë për ta ndërtuar. 24 vite më pas, emrat e këtij brezi janë historia më e lavdishme, e shkruar me shkronja të arta në ndërtimin e lirisë së Kosovës.

Përulem përpara veprës e kujtimit të përjetshëm të heronjve e martirëve të Kosovës!

Lavdi heronjve të 14 Prillit: Bejtë Rexhepi, Hajzer Rexhepi, Fazli Qerkini, Agron Berisha, Mehdi Hoxha dhe Naim Tiku!

Filed Under: Histori

LAJMI I IKJES DHE VEPRA QË JETON…

April 14, 2023 by s p

Nga Visar Zhiti/

NEBIL ÇIKA, gazetari i njohur, veprimtari i palodhur i çështjes së të përndjekurve politikë, idealisti i së djathtës shqiptare, autor librash, mik i denjë, papritur ka ndërruar jetë. Ky lajm dëshpërues, i dalë nga familja e tij, është përhapur sot gjithandej në media dhe rrjetet sociale në atdhe dhe në diasporën shqiptare kudo në botë duke pikëlluar të gjithë ata që e kanë njohur dhe dashur, që e kanë lexuar e dëgjuar si një zë i veçantë, guximtar, i drejtë dhe i mençur. Ndërkaq ai mbetet siç ishte, dhe një familjar i përkushtuar, një prind i dashur dhe i përkujdesur, mik besnik, aq sa i thjeshtë dhe dinjitoz, që luftonte dhe për dinjitetin e tjetrit…Mbartëte emrin e paraardhësit të tij, gazetarit të shquar të viteve 20-30 të shekullit të kaluar, Nebil Çika i Vjetri, përndjekjen e familjes nga diktatura komuniste, patriotizmin shqiptar, konservatorizmin tradicional, vazhdimin si një premtim të Nebil Çikës së Ri, dashurinë për vendin dhe vendlindjen e tij të bukur, Borshin e Sarandës, virtytet e Jugut, mirësinë dhe besnikërinë, etj. Ikja e parakohëshme e tij mbushet veç me bëmat dhe shëmbëlltyrën e tij, emblemë e qëndresës dhe e ëndrrës për një Shqipëri demokratike, të lirë dhe euroatlantike. Ai tashmë hapi një rrugë dhe do të vazhdojë të prijë me idealin…

DËSHMI DHE AKUZË NJËHERËSH, KUJTESË DHE DREJTËSI…

– parathënia e Visar Zhitit –

Libri me biseda, që ka për qëllim të zbulojë nga krimet e komunizmit në Shqipëri, i gazetarit të njohur Nebil Çika, është dyfish drithërues, por mbi të gjitha i rëndësishëm, ai është krejt i veçantë në kolanën e librave të kujtesës, që po mbushin mungesën e rëndë të bibliotekave tona duke dëshmuar fate të njeriut shqiptar dhe si rrjedhojë dhe të vëndit nën diktaturë. Ndërkaq ai (ri)sjell dhe dukuri të qëndresës njerëzore, forcën morale, diçka nga udhëtimi shpirtëror i Shqipërisë nga terret e frikshme humnerore drejt agut të lirisë. Të jetosh për të treguar, por dhe të tregosh për të jetuar.

1. ZBARDHJA E KRIMIT

Fjala “zbardhje” të kujton të bardhën, të pastrën dhe disi harresën, pse jo dhe zbardhëllimin e pafajshëm të ditës. Por duke i vënë pas fjalën “krim” ajo menjëherë errësohet si në një mbyllje sysh dhe spërkatet me gjak. Kurse kompozita “zbardhja e krimit” tregon se ka nisur misioni i një dite tjetër, i kohës për t’i ditur krimet si dukuri, por edhe kriminelin si përgjegjës. Autori si mjet shpalosjeje zgjodhi bisedën, këtë institucionin të lashtë të njeriut, të pa zëvëndësueshëm, që teksa i rrëfehesh tjetrit, që s’është gjithmonë i sotshëm, i rrëfehesh dhe vetes, ke bërë një lloj çlirimi, katarsis, gjykohesh dhe ke gjykuar. Gjyq. Autori ka thirrur nga at që kanë qënë gjyqeve të diktaturës, që janë dënuar dhe kanë vuajtur në ferr, vijnë prej andej, nga burgjet dhe internimet, të afërm të tyre apo të njohur, nga ata që kanë kundërshtuar e kanë sakrifikuar.

Rrëfimi ushqen kujtesën dhe me të nisin jo vetëm historitë, por edhe historia. Biseda të drejtpërdrejta, me guxim, pa asnjë pengesë, përveç atyre të psherëtimave të dhëmbjes shpesh e më shpesh. Të nxjerra nga një emision televiziv, si të fantazmëta, i ideuar po prej autorit të këtij libri, që tërhoqi dhe shokoi mijëra shikues. Por, që të mos mungonin personazhet e vrarë nga diktatura, Nebil Çika hyn më thellë, me ndërgjegjen e gazetarit, hulumton, pyet për ta, heton të vërtetat, pse ndodhi krimi, ku i vranë, si, në ç’përmasa ishte ploja, vetanake, shtetërore, kombëtare, e fshehtë, e doktrinuar, banditeske, por gjithsesi krimi mbetet përherë krim dhe s’ka justifikime, as doktina nuk të ndihmon. Po ku janë varret e të pavarrëve, në ç’harresa të dëmshme? Po vrasësit çfarë bëjnë? Janë penduar apo përgatiten për vrasjen e radhës, me forma të tjera?

Shqipëria tashmë e ka nisur rrugën e ringritjes, si rrjedhojë dhe e zbulimit të të vërteva, e mbrojteve të tyre. Njeriu i saj po aftësohet të gjykojë në kushte lirie, të ndëshkojë të keqen me drejtësi, që sa më parë të bëhet paqe me historinë, në emër të ardhmërisë.

Libri i ngjan një hetuesie tjetërlloj, një kundërhetuesie, që kërkon të çojë moralisht në bankën e të akuzuarve ata që bënë hetuesira kriminale dhe ushtruan me tepri dhunën, ashpërsuesit e luftës së klasave, që do të thoshte mosndërprerje e luftës civile në kohën e sundimit totalitar të të vetëshpallurve komunistë. Ky proçes shkon deri tek diktatori, me të cilin duhej të fillonte. Dhe vrasës dhe buzëqeshur, thoshte Shekspiri.

Duke patur personazhe realë, të dënuar, ish të internuar, të burgosur, kryengritësa, studiues, historianë, dëshmitarë, por dhe ata që s’mund të vinë dot, personazhe në mungesë, të pushkatuar, të varur, të varrosur për së gjalli, me dialogë të rëndë, të beftë, me vende dënimesh, torturash, të rrethuar me tela me gjëmba, Spaçi, Burreli, Tepelena, Qafë-Bari, me emra vrasësish, vepra i ngjan një drame, një tragjedie, sa mesjetare, po aq dhe e tanishme, e shumë zërave, një kor lemerisës.

I duhet kujtesës kombëtare, sado përzishëm qoftë. Është dëshmi dhe akuzë njëherësh. Ndihmon në të kuptuarin e së shkuarës, pavarësisht se të tashmen nuk e lë të qetë, me qëllim që ajo të ketë tagrin e duhur, përgjegjësitë, njohjen e së vërtetës, pa të cilën nuk mund të ketë përvojë historike dhe ndjellje të njëmëndët të së ardhmes.

Vazhdon apeli për drejtësinë e nisur në ndërgjegjësimin e mëtejshëm kolektiv në kërkimin e zanafillës të së keqes për të krijuar sa më shumë kulturë qytetare, nga ajo që ka munguar, që e copërluan në diktaturë, po, po kulturë për të qënë të aftë të qortojmë e të ndreqim e të qetësojmë shpirtrat. Ndërgjegjëson për të veçantën dhe të përgjithshmen, të cilat duket se i lidh e njëjta prangë. Libri, ashtu si shoqëria shqiptare sot, ka për qëllim çprangimin.

NJË EMËR, DY GAZETARË…

Kur marrim ndër duar këtë libër, na vjen vetvetiu të pyesim me habi: kush është autori, Nebil Çika? Po atë e kanë pushkatuar? Si, janë dy? Po kush e ka shkruar, i Vjetri apo i Riu, i vdekuri apo i gjalli, i vrari në diktaturë apo i ringjalluri në demokraci?

Nebil Çika i Vjetri ishte publicist dhe filozof, gazetar i njohur i vitieve ’30 të shekullit të kaluar, drejtues i disa mediave, i gazetës “Arbëria”, “Minerva”, etj. Ishte gjithashtu korrespondent i Retrues dhe New York Times në Tiranë. Demokrat, nacionalist. Bashke me Branko Merxhanin, Ismet Toton, Vangjel Koçën, etj, njihen si themeluesit e “Neoshqiptarizmës ”.

Më 17 Nëntor 1944, kur në histori shkruhet se po çlirohej kryeqyteti, ikte pushtuesi duke shkatërruar ç’linte nga pas, fitimtarët vinin me mizori duke goditur ç’gjenin përpara. Pa gjyq fare ata pushkatuan, mes intelektualëve të tjerë të lartë dhe Nebil Çikën.

Por kjo s’do të ishte e fundit për familjen Çika nga Borshi i Sarandës, pronarë tokash e tregtarë, veprimtarë të njohur të patriotizmës dhe të demokracisë.

Pasardhësi Sorkadh Çika, mësues në Konispol, 5 vjet më vonë arrestohet dhe dënohet me 15 vjet burg si kundërshtar i diktaturës komuniste. Por duhej ruajtur nderi, ideali, emri. Shqiptarët besojnë se emri mbart dëshirat tona dhe fatin. Fëmija, të cilit do t’i vihej emri i paraardhësit Nebil Çika, do të shikohej me çudi në shkollë, me inat nga komunistët, me admirim të druajtur nga të tjerë për guximin e prindërve që e pagëzuan me një emër të vrarë nga sundimtarët e kuq. Ata, emërvënësit, e kishin tejkaluar zakonin, ky ishte qëndrim dhe kundërshti dhe shpresë e fshehtë për ndryshim. Po thirrej një epokë e rrëzuar, misioni i pa përfunduar. Kjo i tmerronte bishat e diktaturës.

Nebil Çika i Riu, që edhe gjyshin nga nëna, Hysni Merkaj, ia kishin pushkatuar si një nga komandantët e njohur të Ballit Kombëtar, do të rritej duke u përndjekur dhe prej Emrit, pra. Emri i tij ishte i rëndë si ato pajimet e hekurta të një gladiatori mbi trupin e një njomëzaku, shpata e thyer ndhe brena në mishin e tij, mburoja e përgjysmuar, përkrenarja e çarë.

Ai nuk duhej të shkollohej, nuk…

Por ora e kohës së vjetër ndali, teksa binin pika gjaku prej saj si në pikturat ankthëruese të Dalisë. Ra Muri i Berlinit, ra perandoria komuniste dhe, edhe Shqipëria e vogël, mori rrugën e lirisë së madhe, të Europës.

Në gazetat e reja dhe të çliruara po trokiste një burrë i ri, serioz. Sapo kishte kryer studimet universitare për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe kishte vendosur të bëhej gazetar. Kur thoshte emrin Nebil Çika, ata që dinin diçka, për një çast hutoheshin, hapnin sytë, rrëqetheshin. Nebil Çika… ai i pushkatuari… Erdhi fantazmë…?! Është pasardhësi… Kanë ngjallur emrin e tij. Ashtu…? Po, po, është Nebil Çika i demokracisë. Se siç vdesin, emrat dhe ringjallen.

Artikujt, kronikat, raportet, reportazhet, komentet, analizat, opinionet editoriale, intervistat e tij do të ishin me mijëra. Por gjithmonë me një qëndrim të palëkundur, i drejtë dhe patriot, i angazhuar si qytetar.

Të dy Çikët me të njëjtin emër, Nebil, kanë një pikë takimi në përplasjen e kohëve. I Vjetri shqetësohej për të ardhmen, por e lanë pa atë. Ja, një nga porositë e tij në vitin 1942: “Unë nuk dua veçse t’i ftoj këndonjësit të mendohemi së bashku mbi problemin themelor të së ardhmes sonë si qenie kombëtare pa marrë parasysh kontigjencat e jashtme…”.

Kurse i Riu është i detyruar t’i kthehet së shkuarës, në emër të së ardhmes. 80 vjet më vonë ai thotë: “…misioni është zbardhja e krimeve të komunizmit dhe prurja e vlerave të këtyre figurave të historisë së Shqipërisë, pra është dhe një rishikim i historisë shqiptare nga rrëfimet e protagonisteve…”

E ardhmja ngjante e penguar. Sikur nuk e linin të vinte. E shkuara pas një muri, që nuk e linin të ikte. Por duhet shkruar dhe pas vrasjes. Me mitin e ringjalljes. Frymë të tillë ka dhe ky libër i Nebil Çikës. Është i pari, le ta hapim…

Tiranë, 21 maj 2013

***

Kaluan 10 vjet. Nebil Çika iku sot në amëshim, fjala e tij, porositë mbeten pas si një udhërrëfim me rëndësi…

Fotot:

Nebil Çika i Riu

Në një emision televiziv…

Nebil Çika, “Zërat e mbijetesës”…

Nebil Çika e Visar Zhiti në burgun e rrënuar të Spaçit, në përkujtim të revoltës…

Filed Under: Reportazh Tagged With: Visar Zhiti

Mbi të gjitha Nebil Çika ishte një njeri i lirë!

April 14, 2023 by s p

Luçiano Boçi/

Dua të ngushëlloj sot familjen, miqtë dhe të gjithë bashkëpunëtorët e Nebil Çikës (I Riu). Vdekja e tij e papritur në fakt vjen si një këmbanë për shumë zemra, që diku prej ngutit të rrethanave, e diku prej stresit, e humbin orientimin dhe aftësinë për të gjykuar përparësitë e jetës.

Unë dua të përkujtoj me respektin më të madh përkushtimin e tij në mbështetje të shtresës së përndjekurve, frymëzimin dhe përkrahjen që ai ju dha antikomunistëve dhe gjithë atyre që luftuan për të drejtat themelore të njeriut edhe atëherë kur regjimi e kishte shpallur lirinë e mendimit një vijë demarkacioni mes jetës dhe vdekjes.

Mbi të gjitha Nebil Çika ishte një njeri i lirë!

Rikthimi prej tij i Minervës, revistës historike të elitës së mendimit shqiptar ishte një kontribut i çmuar për ringjalljen e një tradite të humbur të shoqërisë shqiptare.

Vlerësova shumë lart nënvizimin që miq të përbashkët i bënë atij si një idealist që nuk kishte “lopë të shenjta” në kokë, si një mendimtar i lirë që besonte se çdo udhëheqës i suksesshëm është automatikisht subjekt dyshimi dhe rivlerësimi.

Ndaj plotësisht bindjen se Nebil Çika ishte një i djathtë real, konservator me themel, që nënvizonte faktin se adhurimi i liderit, krijimi i idhujve politikë është tipar dallues i së majtës.

E djathta dallohet për mënyrën sesi përkulet përpara vlerave.

Kontributi i tij në kulturën e debatit ishte po ashtu i çmuar.

Edhe pse shkurt, ai e drejtoi me vizion Shoqatën e të Persekutuarve Politikë duke mbetur një mik i shtrenjtë i korifenjve të kësaj shtrese – me në krye Uran Kostrecin e paharrueshëm.

Ikja e tij e parakohshme ringjall tek unë si edhe tek shumë miq të tij bindjen e patundur se ajo që lemë pas vlen më shumë se ajo që kemi apo që marrim me vete.

Të qoftë i lehtë dheu i kujtesës sonë, mik i dashur! Zoti të pastë prej më të dashurve…

Filed Under: ESSE

Atdhetari zemërzjarr Zef Balaj na bashkon dhe pas vdekjes

April 14, 2023 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Natyrshëm ritet dhe zakonet shqiptare vazhdojnë me atë ritëm si në Mëmëdhe dhe këtu ne Diasporë në shtetet ku na hodhën fatet si të larguar nga trojet tona. E enjtja e 13 prillit ishte një vjetori që Zef Balaj, ky filantropist i madh shkoi në amshim.

Familja e nderuar Balaj, Vatranët, Diaspora Shqiptaro-Amerikane nderuan me një ceremoni përkujtimore birin e Shqipërisë, Zefin.

Në hyrje na mirëprisnin e shoqja e tij fisnike Lina, djali Davidi dhe gjithë familja Balaj. Buqeta me lule u vendosën pranë memorialit ku prehet Zef Balaj në varrezën “Gate of Heaven”, një varrezë e besimit katolik. Zef Balaj prehet në një memorial madhështor me një ëngjëll me flatra pranë që qetëson çdo njeri që shkon atje.

Sa herë hyj në varreza ku prehen mijëra vetë shpesh e imagjinoj si bibliotekën më të madhe me histori normale, të çuditshme dhe të famshme, si psh Zef Balaj eshte një libër i hapur për çfarë i la Federatës Panshqiptare “Vatra”, Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane, Kishës Katolike dhe gjithë Komunitetit shqiptar.

Në këtë varrezë prehet dhe Federico García Rodríguez (1859–1945), babai i shkrimtarit të famshëm të Spanjës dhe botës Federico García Lorca. Kur u arratis nga Spanja nga krimet, vrasjet që po bëheshin ai tha: “Nuk dua ta shoh më kurrë këtë vend të ndyrë në jetën time”, ishte fraza që nipërit e tij e kujtojnë se e dëgjuan të thoshte në kuvertën e anijes.

Sa çudi! Janë shumë emigrantë që janë larguar dhe nga vendi ynë, sidomos ata të luftës të persekutimeve dhe që ishin në këtë varrezë, si psh Zef Balaj dhe të afërm nga familja e tij. Historitë ngjajnë shpesh, familja Balaj me gjashtë anëtarë morën arratinë, të perndjekur nga forca e sigurimit dhe diktatura komuniste, më 30 qershor të vitit 1951. Midis babait të shkrimtarit të famshëm Lorka dhe Zefit ka një ndryshim të madh se Zefi nuk u betua qe të mos kthehej më në vendlindjen e tij, përkundrazi ai u kthye, kur erdhi demokracia dhe ndihmoi si një humanist i madh.

Ceremoninë përkujtimore e udhëhoqi Dom Nikolin Përgjini në procesin solemn të Rruzarës së Shenjtë. Në emër të familjes Balaj nderoi dhe respektoi z.Lush Binaku.

I biri i Zef Balaj, djali fisnik David Balaj falënderoi të pranishmit duke përkujtuar me dhimbje dhe dashuri të Atin, ndërkohë i ftoi sipas zakonit pë drekën përkujtimore në “Royal Regency” Hotel.

Drekën përkujtimore e moderoi plot kulturë, respekt dhe mirënjohje për Zef Balaj editori i gazetes “Dielli” z. Sokol Paja. Kumbara i tij Prel Ademi solli kujtime nga miqësia që kishin pasur një jetë të tërë.

Në këtë ceremoni përkujtimore folën fjalë miradie Dr. Elmi Berisha kryetar i Federatës Pan Shqiptare “Vatra”, nënkryetari i Vatrës z.Alfons Grishaj i cili kishte udhëtuar nga Michigani, presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj, ish kryetari i Vatrës dhe Konsull i Përgjithshëm i Shqipëisë në NY, z. Dritan Mishto, z.Sergio Bitici, biznesmeni i sukeseshëm, Gjeneral Asllan Bushati ish n/kryetar i Vatrës, z. Adem Belliu themelues i TV “Kultura Shqiptare”.

Z. Qemal Zylo themelues dhe president i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në emër të bordit i dhanë çmimin e mirënjohjes për bashkepunimin me TV dhe shkollat Alba Life. Pas përkujtimit nga këto personalitete për të pranishmit u shfaq dokumentari rreth jetës dhe kontributit të madh të Zef Balaj ideuar nga z. Dritan Haxhia i cili ndau dhe kujtimet e çmuara personale me të ndjerin Zef Balaj.

Ishte nje ditë përkujtimore në nderim të atdhetarit, patriotit të madh Zef Balaj që luftoi me gjithë shpirt për Kosovën e pavarur, Shqipërinë e lirë nga diktatura, Diasporën e bashkuar, ishte një ditë e paqtë ku emërues të përbashkët gjatë diskutimeve të ndryshme kishin që Zef Balaj ishte NJERI.

Atdhetari zemërzjarr Zef Balaj na bashkon paqësisht dhe pas vdekjes

13 prill, 2023

Staten Island, New York

Filed Under: Komunitet

FAMILJA, MIQTË DHE KOMUNITETI SHQIPTAR NË NEW YORK PËRKUJTUAN PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 1 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM

April 14, 2023 by s p

Sokol Paja/

New York, 13 Prill 2023- Familja Balaj, kumbarët Perpepaj, miqtë, veprimtarët, bashkëpunëtorët e ngushtë përkujtuan në New York patriotin e madh Zef Balaj në 1 vjetorin e kalimit në amshim. Zef Balaj ishte shqiptar i veçantë, fisnik, zemërbardhë e shpirtmadh, një mik, shok, vatran, patriot, familjar e veprimtar i pa shoq në mërgatën shqiptare të Amerikës. Gjatë jetës së tij, Zef Balaj mori pjesë aktive në proceset patriotike, demonstratat, protestat, lëvizjet, ndihmat për komunitetin e kombin për 60 vite nga Washingtoni, Bostoni, New York e Institucionet e Shtetit Amerikan, te Liga Shqiptaro-Amerikane e deri te Federata Vatra. Në ceremoninë përkujtimore, në varrezat ku pushon përjetë Zef Balaj “Gate of Heaven”, Dom Nikolin Përgjini udhëhoqi procesin solemn të Rruzarës së Shenjtë, uratë e lutje për pushim të pasosur, në dritën e pambaruar të Perëndisë. Z.Lush Binaku kushëriri i Zef Balës, foli në emër të familjes Balaj dhe falenderoi për respektin e përkujtimin e paharruar. David Balaj djali i Zef Balës nderoi kujtimin e miqve ndaj të atit duke i vlerësuar për pjesëmarrjen. Në Royal Regency Hotel ku familja zhvilloi drekën e përkujtimit, pas fjalës falënderuese të David Balajt, kumbara Prel Ademi- Perpepaj solli kujtime nga fëmijëria me Zef Balajn dhe familjen e tij. Ai gjithashtu drejtoi një pjesë rruzare dhe uratë për shpirtin e patriotit Zef Balaj. Kryetari Vatrës z.Elmi Berisha në fjalën e tij u ndal te 28 vite të miqësisë e bashkëpunimit me Zef Balaj sidomos në luftën e Kosovës, demonstratat e protestat për Kosovën e shqiptarinë. Nënkryetari i Vatrës z.Alfons Grishaj theksoi përkushtimin e Zef Balës për Dardaninë e krejt viset shqiptare. Zefi ishte diamant i çmuar, ishte një krenari e veçantë për miqtë e kombin. Ai luftoi pa u ndalur për idealet e tij, theksoi z.Grishaj. Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj në fjalën e tij veçoi njohjen prej dekadash me Zef Balajn, sakrificën e jetës së Zef Balaj, kapacitetin, vullnetin dhe pjesëmarrjen e Zef Balajt në të gjitha demonstratat e protestat që janë bërë për çështjen kombëtare. Sergio Bitici solli në memorie kujtime me Zef Balajn që nga Kosova e që prej vitit 1959, bashkëpunimin dhe organizimet patriotike, pritjen e Doktor Berishës më 1992 bashkë me Zef Balën, veprimtaritë në dobi të aktiviteteve për komunitetin dhe çështjen kombëtare. Qemal Zylo themelues i Shkollës Shqipe dhe Tv

Alba Live në emër të bordit të shkollës i akorduan Zef Balës çmimin e mirënjohjes për mbështetjen e pakursyer në dobi të mësimit shqip. Ish – kryetari i Vatrës Dritan Mishto theksoi mençurinë e Zef Balës, aftësinë për të mbetur në kujtimet e secilit prej nesh. “Zefi ishte i veçantë, mbaj mend shtrëngimin e fundit të dorës së tij. Do ta kujtojmë gjithmonë me respekt dhe nderim” kujtoi ndër të tjera z.Mishto. Adem Belliu nga Televizioni Kultura Shqiptare foli për amerikanizmin dhe patriotizmin e Zef Balaj. Dritan Haxhia organizatori dhe ideatori i dokumentarit për jetën e Zef Balaj, u tregoi të pranishmëve episode dhe veprimtari në dobi të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Asllan Bushati solli në fjalën e tij veprimtari specifike të Zef Balajt, rolin dhe kontributin e tij në

vendime deçizive ku ka kaluar komuniteti dhe Vatra. Në drekën e lamtumirës, familja e miqtë e përkujtuan me lutje e heshtje Zef Balën, për shpirtin e tij fisnik dhe trashëgiminë e shkëlqyer patriotike që trashëgoi tek të gjithë ne.

Filed Under: Opinion Tagged With: david balaj, Sokol Paja, Zef Balaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë
  • “Rrobat e mbretit”…
  • Kosova midis kujtesës, rezistencës dhe diasporës në veprën e profesor doktor Roland Gjinit” Pavarësia e Kosovës, Federata Panshqiptare ‘Vatra’ dhe gazeta ‘Dielli’ (1981–2008)”
  • Mitrush Kuteli, një nga intelektualët më të shquar shqiptarë të shekullit XX
  • We are proud to announce the election of the MAASBESA Board of Directors for the 2026-2028 term
  • Letër e Lumo Skëndos viti 1908 drejtuar Jani Vretos dhe botuar te gazeta “Rrufeja” (1909)
  • KUFIRI SHENDETIT DHE SËMUNDJES
  • GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU BASHKOI SHQIPTARËT E AMERIKËS NË BRONX, NEW YORK
  • Në ditën ndërkombëtare të shtypit…
  • Në ditën e lindjes kujtojmë baron Franz Nopcsa, paleontologun dhe gjeologun e shquar, një nga figurat më të mëdha të albanologjisë
  • Gazetaria si ndëshkim publik…
  • Disa qasje hermeneutike dhe fenomenologjike ndaj tekstit poetit të Martin Camajt
  • Kongresmenët Amerikanë Paraqesin Rezolutë për Vazhdimin e Pranisë Ushtarake të SHBA-ve në Kosovë
  • Helmi virtual
  • Vatra u prit në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT