• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2023

Historia si një udhëtim dhe reflektim

April 11, 2023 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Çfarë mund të afrojë historia e revolucionit francez nëse atë nuk e studion në lidhje me efektet dhe impaktet që pati në Evropë, në krijimin e shteteve-komb apo deri në rrezatimet e tij këtu në Gadishullin Ballkanik. Lexime të tilla historish bëjnë të mundur që të krijojnë dhe ndihmojnë nxënësit në arsyetimin dhe analizën logjike të ngjarjeve dhe të kuptojnë më mirë dukuritë shoqërore që ndodhën në atë kohë.

Këto lloj leximesh dhe shkrimesh të historisë i tejkalojnë historitë panegjerike të shkruara në mesjetë përreth herojve dhe ngjarjeve historike, të tipit alla Plutarkian, pasi janë një kombinim i mirë multidisiplinar i dijeve shoqërore. Gjithësesi lexuesi i ri apo dhe i maturuar edhe në këtë lloj librash historikë mund të bëjë zgjedhjen e vet.

P.sh historianët prej kohësh kanë gjetur egzagjerime apo pasaktësi në veprën e Marin Barletit, “Historia e Skënderbeut”, por vëmendjes së tyre nuk i ka shpëtuar “Kronika e Muzakajve”, e Princit arbër Gjon Muzakës, botuar në Napoli në 1510, një kryevepër historike e shkruar me stil lakonik por gjithë informacion për botën mesjetare arbëre dhe Motin e Madh.

Për fat të keq ky është një libër që nuk ka fituar ende vëmendjen e duhur, edhe pse i botuar në mënyrë që lexuesit e rinj të mos hallakaten në folklorizma rreth mesjetës shqiptare por të arrijnë të lexojnë dhe rrokin thelbin e saj: marrëdheniet e arbërëve me Sinjorinë dhe Osmanët, rëndësia e zotërimit të pronës, shpërndarja e gjakur arbër sa në Lindje në Perëndim, konvertimet në Islam të klasës feudale, krushqitë dhe gjenealogjitë e familjeve fisnike arbëre.

Një variant i mirë i historisë sociale të kësaj epoke është dhe libri i Oliver Shmid “Arbëria Venedikase”, një përmbledhje e gjithë burimeve për qytetet shqiptare që ishin nën Venedikun duke përshkruar jo vetëm historinë administrative por edhe ekonominë, rrugët, ndërtesat, kishat etj.

Filed Under: Politike

Ashpërsi dhe hire të eposit të burrave malësorë

April 11, 2023 by s p

Albert Vataj/

Antropologët gjejë përputhshmëri përcaktuese të një identiteti, referuar vendbanimit dhe gjithëgjasshmërisë së tij të origjinës. Qasjet për ta shkëputur individin nga vendorigjina, janë një tentativë për ta zhbërë thelbësoren e tij, janë kërcënim me metamorfozë. Por ai nuk ka guxuar dhe nuk ka lejuar, deri vonë, kur ai u zhvendos për shkaqe demografike.

Dhe ata gjithqysh, janë…

Ata i sheh me një vëmendje shastisëse siç shohin eksploratorët shenjat e deshifrimit të një harte të vjetër thesari. Jepesh dorëzënë para këtij rebusi, si përpara një përfshirje në zgjidhje. Ndoshta ata nuk mund të thonë asgjë, por gjithçka që ti përpiqesh të perceptosh përtej këtyre portreteve është koha, është jeta, janë gjithëato ngulmime që i thirrën këto burra si në një betejë.

Pamja e burrave malësor është epike. Bukuria e tyre e ashpër. Ajo është një hir që ngjeth, është një ëndje që drithëron, është një prehje që i blatohet asaj krenarie që imponon. Mosha, vitet, pesha e rëndë e të përditshmes, mund të lexohen në portretin e këtyre burrave, ndoshta më qartë se çdo ligjërim fjalësh dhe shpengim endës tregimtarie. Rëndonte heshtja e tyre më shumë se çdo fjalë e mendim. Tek ata zëri është më i thellë se honet që kanë kapërcyer për të sfiduar jetën. Sytë janë groposur thellë, por vështrimi i tyre shigjeton si vështrimi i shqiponjës. Rrudhat ua kanë pluguar deri në tjetërsim fytyrën, por pa mundur t’ia zbehin atë hir të ashpër që shkëlqen në shprehinë e tij. Të duket se ata nuk kanë patur kurrë rini. Ata, sikur kanë dalë nga legjendat për të rrëfyer histori që kurrë nuk i kemi dëgjuar, për të dëshmuar gjëra që ata panë dhe jetuan, për të lënë një gjurmë në kujtesën e një gjenerate, një prej atyre shenjave tregues të një galaksie prejnga ato erdhën.

Nuk ka piktor që guxon ta vërë në provë mjeshtërinë e tij për të realizuar portrete të tillë, që vetë natyra në kohëpaskohje i ka mbrujtur me thëngjij e barut. S’ka skulptor që të sfidojë virtuozitetin e natyrës në deshifrimin e këtyre linjave të garrametshme, e profilesh të thadruara nga erërat e cergëta e flaka e oxhakut. Ata i ka marrë koha në memuarin e vet, dhe tek ne kanë mbetur këto realitete fotografike, si një cak prejnga ne të mund të ngremë përmendoren e njeriut vigan, e burrit malsor që më shumë se fjala e tij e matur e zëri i tij buçitës, i flet shprehia e fytyrës, një zë i ngërthyer në kodin e fshehtë të kohës dhe ashpërsisë ku ata ishin të zakontët e një realiteti që ka ende diçka për të thënë.

Ata ishin të varfër, por pasuria që lanë është ajo që na detyron t’i jemi mirënjohës, krenaria, nderi, vatani, gjaku. Ata janë pararendësit tanë, të urtë e fisnik, etërit e një amaneti që nxjerr dheu nga gjoksi i vet. Ata janë, çfarë ne jemi, shqiptar.

Filed Under: Histori

Presidentja Vjosa Osmani: Liria jonë mbanë vulën e Agim Ramadanit dhe heronjve të tjerë

April 11, 2023 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar heroin Agim Ramadani, në 24 vjetorin e rënies.

Deklarata e plotë e Presidentes Osmani:

24-vjet më parë Agim Ramadani u përjetësua në hero, u bë lajmëtar i lirisë bashkë me luftëtarët e UÇK-së, vullneti dhe guximi i të cilëve theu kufirin ndërmjet Kosovës e Shqipërisë.

Njeriu i penës, brushës e pushkës, është personifikim i lirisë, rrugës deri te ajo, por edhe lavdisë së përhershme.

Liria jonë mbanë vulën e Agim Ramadanit dhe heronjve të tjerë, të cilët e përmbushën idealin e brezave, mbrojtën dinjitetin, kthyen shpresën dhe përcaktuan rrugëtimin e shtetit të Kosovës.

Përkulemi me respekt para heroizmit të Agimit me bashkëluftëtarë, do t`i kujtojmë përherë dhe do ta përmbushim çdo ditë testamentin e tyre për Republikën!

Filed Under: Opinion

Kosova shtet 15 vjet me Kushtetutë

April 10, 2023 by s p

-Pesëmbëdhjetëvjetori i Kushtetutës së shtetit të pavarur të Kosovës të shpallur në 17 Shkurtin histotik 2008 festohet në 24 vjetorin e lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës filluan të hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria, pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe të goditjes së caqeve të forcave serbe që bënin masakra e spastrim etnik duke vrarë më shumë se 12 mijë shqiptarë, zhdukur mëse 6 mijë e dëbuar rreth një milion, shumicën drejt Shqipërisë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 9 Prill 2023/ Kosova në 24 vjet Liri e 15 vjet Pavarësi feston Ditën e Kushtetutës, 9 Prillin.

“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, thuhet në nenin 1 të Kushtetutës së miratur para 15 viteve, e cila, sipas nenit të fundit – 162 – “hyn në fuqi në 15 Qershor 2008”.

Ishte viti 2008 kur u miratua nga Kuvendi i Kosovës akti më i lartë juridik i shtetit në ditën e 9 Prillit, më pak se dy muaj pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik.

“Duke u bazuar në votimin njëzëri të të gjithë deputetëve në sallë, sot në orën 10:45 u shpall solemnisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e miratuar nga 107 deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha atëherë Kryeparlamentari Jakup Krasniqi pas votimit, cituar në raportimin që kam bërë për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare /ATSH/ në 9 Prill 2008.

Raportimi theksonte se kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuçi, prezantoi përmbajtjen e Kushtetutës, e cila, siç bëri të ditur, ka 14 kapituj dhe 162 nene.

“Kemi synuar të kemi një Kushtetutë moderne, të shkurtër, të qartë dhe të kuptueshme, që garanton vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe zotimet ndërkombëtare dhe që është funksionale”, tha ai.

Për Projektkushtetutën e hartuar nga Komisioni Kushtetues, i cili ishte ngritur nga Ekipi i Unitetit, është zhvilluar debat publik që nga 28 Janari 2008, në fazën e parë, dhe që nga 19 Shkurti – dy ditë pas shpalljes së pavarësië, në fazën e dytë.

Gjatë debatit publik u është bërë e ditur qyetarëve se “Kushtetuta është hartuar mbështetur në dy vullnete, i pari që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur dhe i dyti që me Deklaratën e Pavarësisë të 17 Shkurtit Kosova si shtet ka marrë obligime ndërkombëtare për zbatimin e Paketës së Ahtisaarit”.

Dita e Kushtetutës, 9 Prilli, është festë shtetërore, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.

Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të dala nga Paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e bëri Presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar Shefi i UNMIK-ut, Misionit të Organizatës së Kombëve të Bashkuara.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti “shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”. Poashtu, “ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj”.

Zhvillimet më të rëndësishme brenda 15 viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator, ka miratuar amendamentimin e Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 Shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.

Deri në 15 vjetorin e Ditës së Kushtetutës pavarësia e Kosovës është e njohur nga 117 shtete të botës anëtare të OKB-së.

Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.

Kosova prej vitit 1974 ka pasur Kushtetutën e vet, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – Kosova, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona.

Para 34 viteve, në 28 Mars të vitit 1989, Serbia në Kuvendin e saj miratoi “Kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, në rrethana tragjike terrori, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova.

Kundërshtimi i fuqishëm rrënimit të autonomisë në Kosovë ishin demonstratat gjithëpopullore, në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Podujevë, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Demonstratat pasonin grevën e urisë të 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28 Shkurt 1989, e cila ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë kundër Kosovës e mëvetësisë së saj, rezistencë e fuqishme e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët.

Në vijimësi të kundërshtimeve të fuqishme gjithëpopullore dhe institucionale të “Kushtetutës së tankeve” serbe, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese për pavarësi në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator u organizua edhe Referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, kur President i parë u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.

Republika e Kosovës me Kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Kosova e lirë, pas përfundimit të luftës në Qershor 1999, prej vitit 2001 deri në shpalljen e pavarësisë në 17 Shkurt 2008 ka pasur një Kornizë Kushtetuese, të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Para pesë viteve, me rastin e 10 vjetorit të Ditës së Kushtetutës, 9 Prillit, hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës janë dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë nga atëherë Presidenti Hashim Thaçi.

Pesëmbëdhjetëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur të Kosovës do shënohet në kohën kur nëpër qytetet e fshatrat kosovare do festohet 24 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës filluan të hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria, pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe të goditjes së caqeve të forcave serbe që bënin masakra e spastrim etnik duke vrarë më shumë se 12 mijë shqiptarë, zhdukur mëse 6 mijë e dëbuar rreth një milion, shumicën drejt Shqipërisë.

***

Raportim që bëja për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë para 15 viteve-9 Prill 2008:

PËRMBLEDHJE – KUSHTETUTA FUQIZON SHTETIN E PAVARUR, SOVRAN, DEMOKRATIK, UNIK DHE TË PANDASHËM TË KOSOVËS

PRISHTINË, 9 prill /ATSH-B.Jashari/ – Kuvendi i Kosovës i mbledhur sot në një seancë solemne të jashtëzakonshme, ashtu si kur shpalli pavarësinë para më pak se dy muajsh, miratoi njëzëri Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që, siç u tha, fuqizon shtetin më të ri në botë si të pavarur, sovran, demokratik, unik dhe të pandashëm.

“Duke u bazuar në votimin njëzëri të të gjithë deputetëve në sallë, sot në orën 10:45 u shpall solemnisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e miratuar nga 107 deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha kryeparlamentari Jakup Krasniqi pas votimit.

Gjithçka ishte unanime në këtë seancë, që nga fillimi i saj, kur ishin të pranishëm në sallë 103 deputetë, të cilët aprovuan të vetmen pikë të rendit të ditës: Miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Seanca e Kuvendit të Kosovës, ku merrnin pjesë udhëheqësit më të lartë të vendit, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, trupi diplomatik në Kosovë, si dhe përfaqësues të arsimit, shkencës, artit e të fesë, hapi punimet pak pas orës 10:00, nën drejtimin e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi.

“Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë të hap punimet e kësaj seance të jashtëzakonshme dhe solemne të Kuvendit për miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha ai.

“Kushtetuta jonë sanksionon shkallë të lartë të idealizmit të një shoqërie të lirë, të hapur, demokratike dhe sovrane. Ajo promovon dhe u garanton të drejta të standardeve të larta komuniteteve pakicë në Kosovë. Që nga sot, të drejtat e komuniteteve nuk janë më thjesht vetëm vullnet i mirë dhe i deklaruar i shumicës, por kategori e përcaktuar kushtetuese dhe partneritet solemn e publik. Ato janë të mbrojtura dhe të pacenueshme”, theksoi kryeparlamentari Krasniqi.

Më pas, Kuvendit iu drejtuan presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, e kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuçi, të cilët nxjerrjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës e vlerësuan një moment tjetër historik pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008.

“Në vazhdën e zhvillimeve jashtëzakonisht të rëndësishme dhe historike për Kosovën, pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare nga një numër i madh vendesh të botës demokratike, dita e sotme po kështu shënon një moment të veçantë në përmbylljen e ciklit të shtetndërtimit të Kosovës”, tha presidenti Sejdiu.

”Kushtetuta, me peshën e saj të veçantë, sa mund të quhet me të drejtë përmbyllje e procesit shtetndërtues të Kosovës, po kaq, në të njëjtën kohë, në bazament të qëndrueshëm formal dhe juridik dhe esencial e fut Kosovën në rrafsh të ri të zhvillimeve shtetërore, politike dhe juridike”, shtoi ai.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës në të njëjtën kohë hap horizontin dhe mundësinë tonë për përballje me sfidat e shumta që do të kapërcehen duke e dëshmuar fuqishëm qëndrueshmërinë e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovë, të cilat edhe në rrugën e deritanishme kanë dëshmuar seriozitetin dhe këmbëngulësinë për veprim të sukseshëm në realizimin e interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës ”, theksoi presidenti Sejdiu.

Ai u shpreh optimist se mbi bazën e parimeve të Kushtetutës dhe duke pasur parasysh ndërtimin e gjithë strukturës institucionale përgjegjëse për zbatimin e tyre, “Republika e Kosovës do të kapërcejë më shpejt edhe rrugën drejt integrimit të saj në Bashkimin Evropian dhe në NATO”.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është evoluim i historisë së përbashkët të kosovarëve dhe garanton liriëtë dhe të drejtat e të gjithëve.

“Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet e tjera. Vlerat fondamentale dhe liritë e të gjitha kombeve demokratike janë të mbrojtura me anë të kushtetutës. Prandaj, edhe ne sot kemi vendosur që ta ndjekim rrugën e shteteve të lira dhe demokratike”, u shpreh ai.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës, është vullneti ynë, është legjitimiteti dhe vula e shtetit të Kosovës”, theksoi kryeministri Thaçi.

Kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuqi, prezantoi përmbajtjen e Kushtetutës, e cila, siç bëri të ditur, ka 14 kapituj dhe 162 nene.

“Kemi synuar të kemi një Kushtetutë moderne, te shkurtër, të qartë dhe të kuptueshme, që garanton vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe zotimet ndërkombëtare dhe që është funksionale”, tha ai.

”Sot, në duart tuaja është drafti i Kushtetutës së Republikës se Kosovës si bazë e ndërtimit te sistemit politik, ekonomik dhe shoqëror në shtetin tonë në të cilën kemi shprehur synimet tona, në emër të popullit të Kosovës, për të ardhmen e vendit tonë të lirë, demokratik dhe paqedashës si shtet i të barabartëve”, është shprehur Kuqi.

“Sovranitetin e Republikës sonë Kushtetuta e përcakton se buron nga populli dhe i takon atij. Ajo garanton integritetin territorial të Kosovës si të pacenueshëm,të patjetërsueshëm dhe të pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e lejuara”, siguroi ai.

”Republika e Kosovës është e ndërtuar mbi bazën e konceptit të barazisë qytetare dhe e përcaktuar si shoqëri shumetnike, e përbëre nga shqiptarët dhe nga komunitetet e tjera ku qeveriset në mënyre demokratike dhe respektohet plotësisht sundimi i ligjit dhe barazia e qytetarëve para tij”, theksoi Kuqi.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës është nënshkruar të hënen pasdite nga Komisioni Kushtetues në një ceremoni zyrtare në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, e ku morën pjesë udhëheqësit më të lartë të vendit e të komunave dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare.

Në dy ditët e para të prillit Komisioni Kushtetues i Kosovës e miratoi me konsenmsus të plotë tekstin final të Projektkushtetuës, ndërsa Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Feith, e certifikoi atë duke vlerësauar se është në përputhje me Paketën Ahtisaari.

Për Projektkushtetutën e hartuar nga Komisioni Kushtetues, i cili është ngritur nga Ekipi i Unitetit, është zhvilluar debat publik që nga 28 janari 2008, në fazën e parë, dhe që nga 19 shkurti, dy ditë pas shpalljes së pavarësië, në fazën e dytë.

Gjatë debatit publik u është bërë e ditur qyetarëve se “Kushtetuta është hartuar mbështetur në dy vullnete, i pari që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur dhe i dyti që me Deklaratën e Pavarësisë të 17 shkurtit Kosova si shtet ka marrë obligime ndërkombëtare për zbatimin e Paketës së Ahtisaarit”.

“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, thuhet në nenin 1 të Kushtetutës, e cila, sipas nenit të fundit – 162 – “hyn në fuqi më 15 qershor 2008”./

a.jor.

Filed Under: Rajon

Irlandezët e Parë në Shqipëri që në Vitin 1322

April 10, 2023 by s p

– Rrugetimi nga Irlanda drejt Tokës Shenjte

Nga NDREK GJINI

Në vitin 1322, dy pelegrinë anglofonë irlandezë, Simon Fitzsimons dhe Hugh the Illuminator, mbeten të impresionuar nga qëndrimi i tyre i shkurtër në Shqipëri.

 Simon Fitzsimons shkroi me shumë dashuri e pasion rreth atyre gjërave që pa. 

Në përgjithësi rrëfimet e pelegrinëve që udhëtuan për në Tokën e Shenjtë ofrojnë burime të rëndësishme informacioni për pjesën më të madhe të Mesdheut Lindor në gjysmën e parë të mijëvjeçarit të dytë. 

Shumica e pelegrinëve treguan pak interes për vendet që vizituan gjatë udhëtimeve të tyre, por dy pelegrinët irlandezë u mahnitën me atë që panë  gjatë atij udhetimi të rrallë në bregdetin shqiptar në gjysmën e parë të shekullit XIV.

“Itinerarium Symonis Semeonis ab Hybernia ad Terram Sanctam” (Udhëtimi i Simon Fitzsimmons nga Irlanda në Tokën e Shenjtë) përmban informacione për gjithçka, nga kontrollet dhe procedurat doganore te veshjet, monedhat, materialet dhe produktet në vendet që ai vizitoi. Përmban informacione dhe sigurisht, përshkrime për kishat dhe vendet e shenjta.

Duket se nga rrëfimi I tij del qartë se në vitin 1322, porti i Durrësit nuk ishte rikuperuar plotësisht nga tërmeti i rëndë që e kishte goditur gjysmë shekulli më parë. Popullsia fillestare e qytetit, thotë ai, ishte zëvendësuar në një masë nga një valë nomadësh shqiptarë nga fshati. Mund të konkludohet se në atë kohë shqipja duhet të flitej nga një shumicë e njerëzve në rrafshnaltën bregdetare dhe në zonat malore. Kjo bazuar në vëzhgimet e Simonit, kur shkruante se krahina kishte gjuhën e saj, d.m.th. shqipen. Megjithatë, brenda qytetit të Durrësit, ‘shqiptarët’ përmenden vetëm si kategoria e katërt, pas latinëve urbanë, grekëve dhe hebrenjve, një tregues se ata nuk ishin ende shumicë.

Është interesant fakti që Simoni iu referohet edhe “barbarëve shqiptarë” në Dubrovnik, duke vënë në dukje: “In eadem Dominentur Veneti, et ad eam confluunt Sclavi, Barbari, Paterini et alii scismatici negotiatores qui sunt in gestu, habusu et lingua dibus Latinis in omni”. Dubrovniku, thotë ai, dominohej nga venecianët dhe shpesh ka sllavë, barbarë, paterinë dhe tregtarë të tjerë që janë krejtësisht të ndryshëm nga latinët në zakone, veshje dhe gjuhë).

Pasi kaluam disa ditë në Ulqin, thotë ai, kaluam qytetin e Rashkës, i cili është në pronësi të mbretit të Rashkës, dhe u nisëm për në Durrës, qytet dikur i famshëm dhe i fuqishëm në për tokën dhe detin. Kjo në kohën kur qyteti ishte nën sundimin e perandorit të grekëve, thotë ai. Duhet theksuar, thotë ai, se Shqipëria është një krahinë midis Sllovenisë dhe Rumelisë, dhe ka gjuhën e saj. Mbreti i Rashkës e ka nën kontroll Durrësin tani, nënvizon ai në shënimet e tij.

Shqiptarët janë të ngjashëm me grekët në veshje dhe sjellje, pasi rrallëherë mbajnë kapuç, thotë ai. Ata janë shumë krenarë dhe tërheqës për sytë e udhëtarëve. Kapelet e tyre janë të ngjashme me ato të grekëve. Sllovenët, nga ana tjetër,thotë ai mbajnë një kapele të bardhë ovale dhe një gëzof të gjatë, për të rënë në sy të fshatarëve. Kjo për t’i bërë ata më të identifikueshëm nga pjesa tjetër. Qyteti I Durrësit është i madh jashtë mureve të tij, por i vogël dhe i dobët Brenda mureve të tij. Kjo pasi ai pasi u shkatërrua nga një tërmet i disa dekadave më parë. 24,000 njerëz raportohet të kenë vdekur si pasojë e këtij tërmeti, shkruan ai.

Qyteti i Durrësit tani është më pak i populluar dhe i ndarë në fe, zakone dhe gjuhë të ndryshme. Monedhat e përdorura në treg, thotë ai, janë të vogla dhe secila vlen një dukat venecian. Këto monedha janë në përdorim në të gjithë qytetin. Ky qytet është dyqind milje nga Dubrovniku. Më pas, duke përdorur erërat e favorshme, ne vazhduam për në Vlorë, thotë ai, një kala e perandorit të grekëve, dhe më pas ne shkuam në ishullin e Korfuzit, i cili është i banuar nga latinë, grekë, hebrenj dhe shqiptarë.

Filed Under: Reportazh Tagged With: ndrek gjini

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë
  • “Rrobat e mbretit”…
  • Kosova midis kujtesës, rezistencës dhe diasporës në veprën e profesor doktor Roland Gjinit” Pavarësia e Kosovës, Federata Panshqiptare ‘Vatra’ dhe gazeta ‘Dielli’ (1981–2008)”
  • Mitrush Kuteli, një nga intelektualët më të shquar shqiptarë të shekullit XX
  • We are proud to announce the election of the MAASBESA Board of Directors for the 2026-2028 term
  • Letër e Lumo Skëndos viti 1908 drejtuar Jani Vretos dhe botuar te gazeta “Rrufeja” (1909)
  • KUFIRI SHENDETIT DHE SËMUNDJES
  • GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU BASHKOI SHQIPTARËT E AMERIKËS NË BRONX, NEW YORK
  • Në ditën ndërkombëtare të shtypit…
  • Në ditën e lindjes kujtojmë baron Franz Nopcsa, paleontologun dhe gjeologun e shquar, një nga figurat më të mëdha të albanologjisë
  • Gazetaria si ndëshkim publik…
  • Disa qasje hermeneutike dhe fenomenologjike ndaj tekstit poetit të Martin Camajt
  • Kongresmenët Amerikanë Paraqesin Rezolutë për Vazhdimin e Pranisë Ushtarake të SHBA-ve në Kosovë
  • Helmi virtual
  • Vatra u prit në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT