• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2026

Roli i SHBA‑së në ruajtjen e rendit global

March 5, 2026 by s p

Prend Ndoja/

Shtetet e Bashkuara mbeten një nga garantët kryesorë të sigurisë ndërkombëtare! Sot është dita e pestë që kur forcat amerikano‑izraelite ndërmorën një ofensivë të gjerë kundër regjimit të Republikës Islamike të Iranit. Ato forca goditën një strukturë që prej dekadash është perceptuar si burim de stabilizimi, represioni dhe kërcënimi global. Në këtë çast vendimtar për fatin e rendit botëror, bota duhet të qëndrojë e bashkuar përkrah Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, në çdo përpjekje që mbron të mirën, progresin dhe dinjiteti njerëzor. Historia na mëson se e mira nuk mbijeton vetë; ajo kërkon vullnet, sakrificë dhe aleanca që besojnë te liria dhe të vlerat që e ngrenë njeriun mbi frikën dhe tiraninë. Në një kohë kur rendi ndërkombëtar përballet me sfida të mëdha dhe kërcënime që prekin sigurinë e çdo kombi, Shtetet e Bashkuara dhe bota e qytetëruar u gjendën përballë një zgjedhje të vështirë: të veprojnë sot për të shmangur një rrezik në rritje, ose të përballen nesër me pasojat shkatërrimtare të një regjimi që synon armatim bërthamor.

Ambiciet bërthamore të Republikës Islamike të Iranit ka shum kohë që kanë tronditur komunitetin ndërkombëtar dhe kanë ngritur shqetësime të thella për stabilitetin global. Përballe këtij realiteti, ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara është parë nga shumë vende si një veprim i kryer në momentin e fundit të mundshëm, Ndërhyrja ishte një përpjekje për të parandaluar një katastrofë që do të prekte jo vetëm Lindjen e Mesme, por gjithë njerëzimin. Falë vendosmërisë së aleancës dhe falë Zotit, ky hap u ndërmor përpara se rreziku të merrte përmasa të pakontrollueshme. Qëllimi i Aleancës Amerikane-Izraelite nuk është lufta, por parandalimi i një kërcënimi që ka shqetësuar prej kohësh komunitetin ndërkombëtar.

Në këtë kuadër, Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se synimi i tyre është të godasin strukturat e një diktature, të hapin rrugën për lirinë e popullit iranian, të çmontojnë kapacitetet bërthamore që paraqesin rrezik global dhe, pasi të jetë garantuar siguria, të largohen nga territori Iranian. Ky është një vizion që lidhet me parimin se ndërhyrja nuk është synim pushtimi.

Thotë populli ynë; ”Ujku mbetet Ujk…” Sipas vlerësimeve të shumë analistëve ndërkombëtarë dhe deklaratave të tyre, qeveria e mbetur e Republikës Islamike të Iranit po ndjek një strategji të rrezikshme për të zgjeruar krizën përtej kufijve të saj. Këto synime lidhen me përpjekjen për të krijuar presion ekonomik dhe gjeopolitik ndaj vendeve të Gjirit Persik dhe komunitetit ndërkombëtar. Si, dëmtimin e infrastrukturës së naftës dhe gazit në vendet fqinje, me qëllim goditjen e ekonomive të tyre dhe krijimin e pasigurisë energjetike në rajon, mbylljen ose bllokimin e ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit detar në botë, nga i cili kalon një pjesë e madhe e furnizimit global me naftë, ndërprerjen e trafikut ajror rajonal, për të krijuar kaos logjistik dhe ekonomik në vendet e Gjirit, rritjen e çmimeve globale të energjisë dhe nxitjen e inflacionit ndërkombëtar, duke përdorur krizën si mjet presioni ndaj ekonomive të mëdha botërore. ”Ali Vaez; Ai vëren se strategjia e Teheranit nuk synon vetëm mbrojtjen e regjimit, por edhe shtrirjen e dhimbjes dhe destabilitetit në rajon, pa marrë parasysh koston e rëndë për popullin iranian apo dëmtimin e marrëdhënieve me fqinjët.”

Nga kjo strategji e dalur nga mbeturinat e një shteti diktatorial, Presidenti,Donald Trump, ka deklaruar se operacionet ushtarake kundër Iranit pritet të zgjasin 4 deri në 5 javë, por se SHBA ka “kapacitetin të vazhdojë shumë më gjatë” nëse është e nevojshme. Këtë e tha gjatë një ceremonie të Medaljes së Nderit, duke nënvizuar se fushata nuk ka kufizime të paracaktuara nëse situata kërkon zgjerim.”

Për ne shqiptarët në diasporë dhe të mbarë botën e kemi obligim moral, të jemi lidhur ngushtë me vlerat e lirisë, demokracisë dhe aleancës historike me Shtetet e Bashkuara, kjo çështje nuk është vetëm si një një debat gjeopolitik për ne. Është një kujtesë nga e kaluara e jonë se paqja dhe siguria nuk janë të dhuruara, por kërkojnë vigjilencë, përgjegjësi dhe veprim të përbashkët. Historia jonë na ka mësuar se kur tirania avancon, heshtja është bashkëfajësi, kur rreziku rritet, veprimi i drejtë është detyrim moral.

Filed Under: Rajon

BRANKO MANOILOVSKI E THA NË ÇIKAGO: JAM SHQIPTAR!

March 4, 2026 by s p

Skender Karaqica/

Qyteti i Çikagos, me frymën e jetës urbane dhe të njerëzve të lirë, me tiparet e demokracisë në shtetin e Ilinoisit, është vendi ku jetojnë, punojnë dhe integrohen shqiptarë nga të gjitha trevat etnike, të mirëpritur nga institucionet e shtetit amerikan. Nëpër vite, në këtë qytet pati shumë veprimtari politike dhe kombëtare në kërkim të lirisë së Kosovës, të ndryshimit të sistemit totalitar komunist në Shqipëri, si dhe për avancimin e barazisë së shqiptarëve në hapësirën etnike të shpërndarë në vendet fqinje ballkanike.

Gjatë këtyre viteve, në Çikago u kultivua një frymë e fortë kombëtare përmes shumë organizatave dhe veprimtarëve, të cilët tashmë kanë hyrë në historinë e diasporës shqiptare në Amerikë, në krah të çështjes shqiptare në Ballkan. Ata punuan për të mbajtur gjallë kujtesën e historisë së dhimbshme të marrëveshjeve të fshehta të regjimeve serbe, përmes krijesës ogurzezë për shqiptarët – Jugosllavisë – të papranuar si shtet i tyre, si dhe përballë skenarëve të shpërnguljeve drejt Anadollit dhe planeve të tjera shfarosëse të kohëve vrastare.

Në shumë ngjarje në Çikago, veprimtarët nuk e ndalën rrugën kombëtare, sepse ata nuk kishin tjetër atdhe veç tokës së shqiptarizmës. Përmes protestave, takimeve me kongresmenë e senatorë, si dhe me përfaqësues të Departamentit të Shtetit në Uashington, në qendër të vëmendjes ishte fati i Kosovës, pozita kushtetuese e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në Preshevë e Medvegjë, në Ulqin, në Çamëri, si dhe synimi për forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri.

Në qarqet kombëtare të shqiptarëve në Çikago kishte dalë fjala se në hapësirën etnike të Rekës së Epërme, në rrethin e Gostivarit, po rilindte si lule shpirti shqiptar, dikur i ndaluar dhe i fshehur përmes “ligjeve të regjimeve” dhe përmes kishës ortodokse nën etiketimin “popull maqedonas”. Kjo odise nisi të shpalosej në Çikago nga veprimtarët e vijës së parë kombëtare: Ilaz Kadriu, Faik Hajro, Azem Begzadi, Xhevat Prespa, Mahmut Skenderi, Qazim Ismaili, Skënder Karaçica, Tefik Avdullahu, Vllaznim Sherifi, Fanol Cami e të tjerë, në takimet e shpeshta me Branko Manoilovskin.

“Thuaje të vërtetën, vëllai ynë shqiptar, Branko Manoilovski nga Reka e Epërme…!”

Në takimet tona me veprimtarët shqiptarë në Çikago, tema me frymë kombëtare ishte atdheu dhe kombi shqiptar, si dhe padrejtësitë historike të regjimeve pushtuese të shekullit të kaluar. Sa herë që vinte nëntori, mërgimtarët shqiptarë shpalosnin historinë e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (1912), fatin e kombit dhe pjesën më të dhimbshme të pushtimit serb të Kosovës, si dhe plagën e përgjakur të Çamërisë.

Prisnim festën e Flamurit të Pavarësisë së Shqipërisë, tashmë traditë festimi në Çikago, kur në mesin tonë erdhi vëllai ynë Branko Manoilovski nga Reka e Epërme shqiptare në Maqedoninë e Veriut. U zhvillua një bisedë e ngrohtë për historinë shqiptare të Rekës së Epërme, për kohën e regjimeve dhe hijet e harresës, të veshura me petkun fetar të kishës ortodokse, për ta shndërruar një popull shqiptar në një “popull ortodoks” brenda kornizave të një shteti të krijuar si balancë nga boshti serbo-rus dhe trashëgimia e Jugosllavisë.

“Nëna ime nuk dinte dhe nuk fliste maqedonisht”, nisi bisedën Branko Manoilovski me veprimtarët në Çikago.

Kjo fjali na erdhi si dritë dielli; nuk e kishim dëgjuar më parë. Fjala e tij nuk kishte të mbaruar. Koha për ne u bë si ora e historisë, që mbante brenda vetes brengën e viteve të regjimit, në dilemën shekspiriane: “Të jesh apo të mos jesh!”

Dhe ai e tha të vërtetën në Çikago:

“UNË JAM SHQIPTAR!”

U hap perdja, ranë përdhe maskat dhe u thye koha e harresës.

Fjala e Branko Manoilovskit hapi një kapitull, shpalosi një histori, riktheu kujtesën te rrënja shqiptare e Rekës së Epërme. Shpirti i Arbërit (sipas termit të De Radës) po kthehej në tokë, në gjak, në gjuhën shqipe të një populli të ndaluar e të paharruar në historinë e regjimeve me skenarë të fshehtë. Fjala e vëllait Branko na mbushi zemrat dhe na dha forcë për të ecur më tej.

I thamë me zë të lartë: dil në shtyp, fol në radio e televizion, sepse Branko Manoilovski dhe Reka e Epërme janë shqiptare!

Në Çikago u hap perdja, ranë maskat e sajuara nga regjimet e kohës. Në Rekën e Epërme të rrethit të Gostivarit ka frymë, jetë dhe besim të një populli jo maqedonas, por shqiptar, me tipare të gjuhës shqipe, të kulturës, të traditës, të flamurit, të familjes dhe të mikpritjes: bukë, kripë e zemër shqiptare.

Në Çikago, Reka e Epërme nisi të flasë shqip dhe e bëri lajm të kohës se është SHQIPTARE!

Filed Under: Analiza

Plisi i Bardhë si Simbol i Identitetit dhe Vazhdueshmërisë Kulturore Shqiptare

March 4, 2026 by s p

Mihal Ciko

Gazetar/

Plisi i bardhë, i njohur në traditën shqiptare edhe me emrin qeleshe, përfaqëson një nga elementët më të veçantë dhe më të qëndrueshëm të kulturës materiale dhe identitare të shqiptarëve. Ai nuk është thjesht një pjesë e veshjes tradicionale, por një simbol i trashëgimisë historike dhe i vazhdimësisë kulturore të një populli që ka ruajtur shumë elementë të kulturës së tij përmes shekujve. Në historinë e veshjes në Ballkan, plisi është një ndër objektet që dëshmon për një traditë shumë të hershme të përdorimit të mbulesave të kokës prej leshi, një traditë që lidhet me mënyrën e jetesës së popullsive blegtorale të rajonit dhe me kulturën e tyre materiale.

Në studimet mbi historinë e veshjes në botën e lashtë, shpesh përmendet mbulesa e kokës e quajtur pileus, një kapelë prej leshi që përdorej gjerësisht në rajonin e Mesdheut dhe në botën greko-romake. Forma dhe materiali i pileus-it paraqesin ngjashmëri të dukshme me plisin shqiptar. Në shumë reliefe dhe paraqitje artistike të antikitetit, figura të ndryshme historike dhe mitologjike shfaqen me një mbulesë koke të bardhë prej leshi, e cila në aspektin formal është shumë e ngjashme me plisin. Këto paraqitje sugjerojnë se përdorimi i këtij lloji mbulese ishte një praktikë e përhapur në rajonin e Ballkanit dhe të Egjeut që në periudhat e lashta.

Në disa interpretime historike dhe antropologjike, kjo traditë lidhet me kulturat parahelenike të rajonit, të cilat në literaturën e autorëve antikë përmenden shpesh me emrin pellazgë. Autorë të lashtë si Herodoti, Straboni dhe Thukididi përmendin praninë e pellazgëve në shumë pjesë të Ballkanit dhe të Egjeut para konsolidimit të qytetërimit helen. Edhe pse identiteti i saktë i këtyre popullsive mbetet objekt debatesh në historiografinë moderne, është e qartë se në rajon kanë ekzistuar kultura të zhvilluara para greke që kanë ndikuar në formimin e traditave të mëvonshme. Në këtë kontekst, disa studiues shqiptarë e konsiderojnë plisin si një element që mund të ketë rrënjë në këto tradita të hershme kulturore.

Në periudhën ilire, dëshmitë historike dhe arkeologjike tregojnë për një kulturë të zhvilluar të veshjes dhe të përdorimit të materialeve natyrore si leshi dhe lëkura. Ilirët, të cilët përbënin një nga popullsitë kryesore të Ballkanit perëndimor në antikitet, kishin një ekonomi të bazuar në blegtori dhe në përdorimin e produkteve të saj. Leshi i deles ishte një nga materialet më të rëndësishme për prodhimin e veshjeve dhe të objekteve të tjera të përditshme. Në këtë kuptim, përdorimi i mbulesave të kokës prej leshi ishte një element i natyrshëm i kulturës së tyre materiale.

Shumë studiues të historisë shqiptare e shohin vazhdimësinë e disa elementeve të kulturës ilire në traditat e mëvonshme arbërore dhe shqiptare. Edhe pse procesi i transformimit kulturor në Ballkan gjatë mesjetës ishte kompleks, disa elementë të kulturës materiale duket se kanë mbijetuar në formë të traditave popullore. Plisi i bardhë është një nga këta elementë që duket se ka ruajtur një vazhdimësi të gjatë historike.

Në periudhën mesjetare dhe në epokën osmane, plisi u bë një element i rëndësishëm i identitetit të shqiptarëve. Udhëtarë dhe kronikanë të huaj që vizituan trojet shqiptare shpesh përshkruajnë shqiptarët si një popull që dallohej nga mbulesa e bardhë e kokës. Në shumë ilustrime dhe gravura të shekujve XVIII dhe XIX, shqiptarët paraqiten me kostume tradicionale në të cilat plisi është një element qendror. Kjo tregon se ai ishte një simbol i njohur i identitetit të tyre edhe në sytë e vëzhguesve të huaj.

Përveç funksionit të tij praktik, plisi ka pasur edhe një dimension të rëndësishëm simbolik. Në kulturën shqiptare, ngjyra e bardhë lidhet shpesh me pastërtinë, nderin dhe dinjitetin. Për këtë arsye plisi nuk ishte vetëm një pjesë e veshjes, por edhe një shenjë e respektit dhe e identitetit personal. Në shumë zona shqiptare, një burrë konsiderohej i plotë në paraqitjen e tij tradicionale vetëm kur mbante plisin në kokë.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i kësaj tradite është mjeshtëria artizanale e prodhimit të plisit. Procesi i krijimit të tij kërkon njohuri të veçanta për përpunimin e leshit dhe për formimin e strukturës karakteristike të qeleshes. Ky proces përfshin pastrimin e leshit, ngjeshjen e tij përmes teknikave tradicionale dhe formësimin e kapelës në mënyrë që të ruajë qëndrueshmërinë dhe formën e saj. Për shumë shekuj, ky zanat është transmetuar nga një brez tek tjetri dhe ka qenë pjesë e rëndësishme e ekonomisë tradicionale të disa komuniteteve shqiptare.

Megjithatë, në kohët moderne, përdorimi i plisit në jetën e përditshme është zvogëluar ndjeshëm. Ndryshimet në mënyrën e jetesës, urbanizimi dhe ndikimi i kulturës globale kanë bërë që shumë elementë të veshjes tradicionale të humbasin funksionin e tyre të përditshëm. Si rezultat, plisi sot përdoret kryesisht në kontekste ceremoniale, në aktivitete folklorike dhe në manifestime kulturore që synojnë ruajtjen e traditave.

Kjo situatë ka nxitur shqetësime për ruajtjen e kësaj tradite. Nëse zanati i prodhimit të plisit dhe përdorimi i tij në kontekstin kulturor nuk mbështeten nga institucionet kulturore dhe akademike, ekziston rreziku që kjo traditë të zbehet gradualisht dhe të mbetet vetëm një element simbolik i së kaluarës. Për këtë arsye, shumë studiues dhe aktivistë të trashëgimisë kulturore kanë propozuar që plisi i bardhë të njihet si një element i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore shqiptare dhe të mbrohet në mënyrë institucionale.

Një nga mënyrat më efektive për ruajtjen e kësaj tradite do të ishte përfshirja e saj në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s. Një njohje e tillë do të kontribuonte në ruajtjen e zanatit tradicional të prodhimit të plisit, në promovimin e kulturës shqiptare në nivel ndërkombëtar dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë historike dhe simbolike të këtij objekti. Përfshirja në këtë listë do të krijonte gjithashtu mundësi për programe edukative, projekte kërkimore dhe iniciativa kulturore që synojnë ruajtjen dhe transmetimin e kësaj tradite tek brezat e rinj.

Në këtë mënyrë, plisi i bardhë mund të shihet jo vetëm si një element i veshjes tradicionale, por si një simbol i vazhdimësisë historike dhe kulturore të shqiptarëve. Ai përfaqëson një lidhje të gjallë mes së kaluarës dhe së tashmes dhe një dëshmi të qëndrueshmërisë së identitetit kulturor shqiptar në një rajon që ka përjetuar ndryshime të shumta historike. Ruajtja dhe promovimi i këtij simboli përbën një detyrë të rëndësishme për institucionet kulturore, për komunitetin akademik dhe për shoqërinë shqiptare në tërësi.

Filed Under: Kulture

“Narhelmi – Fshati piktoresk i bashkëjetesës”

March 4, 2026 by s p

Shoqata Malësia e Madhe – NY ka kënaqësinë t’ju ftojë më 8 Mars, ora 7:00 PM, në restorantin Ciao, në Eastchester, në një mbrëmje të veçantë kulturore me shfaqjen e filmit dokumentar:

🎬 “Narhelmi – Fshati piktoresk i bashkëjetesës”

Nga autori Mark Pashku Lucgjonaj

Ky dokumentar na rikthen te rrënjët, te vlerat njerëzore dhe te bashkëjetesa që na ka mbajtur gjithmonë të fort. Një histori që prek shpirtin, zgjon kujtime dhe na bashkon përmes kulturës, historisë dhe identitetit tonë.

🎟 Hyrja: $80

(përfshin ushqim dhe pije)

Ejani ta ndajmë së bashku këtë mbrëmje plot emocion, reflektim dhe krenari.

Të gjithë jeni të mirëseardhur!

Filed Under: Kulture

EDITORI I DIELLIT BAHRI OMARI, PJESË E HISTORISË SË VATRËS DHE SHQIPTARËVE TË AMERIKËS

March 4, 2026 by s p

Sokol Paja/

Editorët e gazetës Dielli janë kronikanët më të besueshëm të shkrimit të historisë së Federatës Vatra dhe të mërgatës shqiptare në Amerikë. Me qëndrimet e tyre, analizat, raportimet, kritikat, reportazhet dhe shënimet e publikuara në gazetën e Vatrës, janë dëshmitarët më të vërtetë jo vetëm se si u zhvillua Vatra dhe emigracioni te shqiptarët e Amerikës, por edhe për ndikimin që patën në mëmëdhe, si dhe për lidhjet e pashmangshme e të përjetshme me atdheun. Ndër drejtuesit e Diellit e të Vatrës në dekadën e saj të parë, pa dyshim Bahri Omari zë një vend të veçantë. Ai ishte editor i Diellit nga korriku i vitit 1916 deri në nëntor 1919, duke drejtuar 1074 numra të Diellit. Këto vite ishin të mbushura me ngjarje e histori të rëndësishme, ku Vatra ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe shumë specifik në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe trajtimin e problemit të brendshëm shqiptar në raport me fqinjët dhe mërgatën e Amerikës.

Në fokus ishte njohja e pavarësisë së Shqipërisë dhe mos cenimi i territorialitetit, si dhe funksionimi i shtetit në një periudhë delikate historike. Veprimtaria publicistike dhe atdhetare e Bahri Omarit si editor i gazetës Dielli, si zëri më kurajoz, dinjitoz e i fuqishëm në Amerikë, u kthye për shqiptarët në vetëdije politike dhe kombëtare në kohë të vështira për Shqipërinë. Si editor i Diellit, Bahri Omari me shkrimet e tij forcoi vijën kombëtare dhe formësoi ndërgjegjen patriotike te shqiptarët e mërguar, duke analizuar thellë rreziqet që kërcënonin Shqipërinë dhe raportin e saj ndërkombëtarisht.

Nën drejtimin e Bahri Omarit, gazeta Dielli dha kontribut të fuqishëm për mbrojtjen e pavarësisë dhe tërësisë territoriale të Shqipërisë, denoncimin e pretendimeve territoriale të fqinjëve armiq të kombit tonë, informimin e opinionit publik amerikan mbi padrejtësitë ndaj shqiptarëve në Ballkan, duke qenë zë i fuqishëm denoncues e kundërshtues ndaj çdo të keqeje që kërcënonte shqiptarët. Editorialet e Bahri Omarit kishin një ton e vizion të qartë jo vetëm se si duhej të mbrohej e zhvillohej Shqipëria, si të lulëzonte e përparonte kombi ynë, por ai e ktheu Diellin në një instrument të fuqishëm diplomatik, kulturor e patriotik për mbarë shqiptarët e diasporës. Bahri Omari jo vetëm e informoi, por e frymëzoi dhe mobilizoi diasporën shqiptare të Amerikës, sidomos rreth fateve të Shqipërisë.

Përgjatë kohës që drejtoi Diellin, Bahri Omari ishte institucional, duke kërkuar që shqiptarët e Amerikës të bashkoheshin rreth Vatrës e Diellit si institucione patriotike në diasporën e Amerikës; ndikoi në bashkimin e shqiptarëve të Amerikës dhe kontribuoi duke nxitur ndërgjegjen kombëtare te patriotët për të ndihmuar Shqipërinë në fushatat kombëtare financiare dhe politike që Vatra zhvilloi për shtetin shqiptar.

Bahri Omari, më 28 gusht 1916, shkroi editorialin “Përse kemi nevojë më shumë?”, teksa shprehet se: “Çdo atdhetar sot, pas diturisë që të ketë në çdo degë, të përpiqet të na përgatitë libra. Kjo është mënyra më e mirë për ndihmën e atdheut. Na lipsen libra nga çdo farë dege, se nga të gjitha jemi të varfër. Vërtet është një fakt i pamohuar që sot e kemi gjuhën të parrahur dhe për të shkruar libra në çdo farë shkence lipset mundim i madh”. Ruajtja e zhvillimi i gjuhës shqipe dhe përparimi kulturor kombëtar që vjen prej arsimit ishin baza të zhvillimit të kombit sipas Bahri Omarit.

Më 21 mars 1917, Bahri Omari shkroi editorialin “Arsimi në Shqipëri”, teksa shprehet se: “Një nga nevojat që të na ngacmojë mendjen, kudo që jemi e nga do që vemi, duhet të jetë arsimi. Gjithë lumturia, gjithë pasuria që shohim në popujt e qytetëruar, i detyrohet arsimit të tyre. E para detyrë e Qeverisë Shqiptare duhet të jetë të mbrojë me çdo mënyrë detyrën e domosdoshme për mësimin e çupave dhe të djemve. Shqiptarët duhet me çdo mënyrë ta tregojnë që janë një element përparimtar; kësisoj do t’i kalbëzojmë gjykimet e dobëta që janë në Evropë. Një komb, që të mund të rrojë dhe të përparojë, duhet të mbështetet në favorin e më të mëdhenjve”.

Më 24 shtator 1917, Bahri Omari shkroi editorialin “Shqipëria dhe fqinjët e saj”, teksa shprehej se: “Fqinjët dhe sidomos Serbia është një rrezik i madh, se asnjëherë nuk është përfillur Kosova e mjerë, që iu dha peshqesh serbëve. A ka zemër shqiptari që të kujtojë Kosovën dhe të mos tronditet nga mjerimet e saj? Kosova ishte ajo që e gjëmojti zërin e kushtrimit për vetëqeverimin e Shqipërisë, ajo ishte e para që ngriti flamurin e kryengritjes dhe qëndroi e patundur përpara ushtrive turke. Jo! Kosova është e Shqipërisë, për të cilën derdhi gjakun. Nuk do të ketë padrejtësi më të madhe se sa ndarja e Kosovës trime nga gjiri i mëmës së saj. Kosova është mëmë e atyre luanëve që luftuan besnikërisht për Shqipërinë gjer në orët e fundit”.

Bahri Omari e shihte gazetarinë si mision kombëtar e kulturor. Në historinë e shtypit shqiptar jashtë atdheut, në historinë e Federatës Vatra e të gazetës Dielli, Bahri Omari do të mbetet përjetësisht si një ndër penat më të nderuara, më të vlerësuara e më të respektuara falë mençurisë së tij, mprehtësisë, stilit, vizionit, shpirtit krijues dhe forcës së argumentit.

Foto: wikipedia.org

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ROBERT LULGJURAJ – NJË KANDIDATURË QË ZGJOI, BASHKOI DHE KRENAROI KOMUNITETIN SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Presidenti Wilson, Konferenca e Paqes, Çështja Adriatike dhe fati i Shqipërisë
  • Arbëreshët e Italisë, një histori italiane që kërkon të njihet
  • Republika në udhëkryq, kur ndryshimi i sistemit bëhet detyrim kombëtar
  • Pullat e taksës shqiptare dhe kontributi i Mirgen Shamllit në studimin e tyre
  • Kapitalizmi shqiptar dhe urrejtja komuniste…
  • At Leonard de Martino, Ati françeskan që mëkoi me dije dhe dritë, At Gjergj Fishtën, shpirtin dhe penën e shërbesës së shqiptarisë
  • ANSAMBLI I HASIT “PJETËR BOGDANI”– AMBASADOR I FOLKLORIT HASJAN DHE I KULTURËS KOMBËTARE
  • Gala Koncerti në Ohër – Festë e artit dhe bukurisë
  • Shkrimtari Arben Rogova vizitoi Vatrën
  • Rilindasi At Shtjefën Gjeçovi
  • Pse duhet ta lexojmë Andon Zako Çajupin?
  • Kujtojmë në ditën e tij të lindjes atdhetarin e shquar Sotir Peci
  • Albanian americans support the protests in Tirana
  • NJË DITË “AMBASADOR” I LIBRAVE TË MI…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT