• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2026

PA U DISTANCUAR NGA E KALUARA, NUK FITOHET BESIMI I SË ARDHMES

March 3, 2026 by s p

Nga Frank Shkreli/

Më duket sikur Shqipëria ka “arritur” kulmin e krizave ciklike politiko-ekonomike të këtyre 35-viteve tranzicion, si pasojë e skandaleve, korrupcionit dhe polarizimit politik, duke rezultuar në një mungesë besueshmërie të thellë të shqiptarëve ndaj klasës politike të periudhës së tranzicionit të pafund.

Mungesa e besimit të shqiptarëve ndaj politikës aktuale nuk është thjesht pasojë e skandaleve të fundit apo e krizave ciklike. Ajo i ka rrënjët më të thella, në shekullin e kaluar. Një pjesë e kësaj krize lidhet me faktin se Shqipëria nuk u përball kurrë plotësisht me trashëgiminë e hidhur të krimeve të regjimit të Enver Hoxha. Për pothuaj 20-vjetë tani jam përpjekur që me dyzina shkrimesh modeste, herë pas here, të sjellë në vëmendjen e publikut, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë, rrezikun — e mos-distancimit zyrtar të Shqipërisë nga e kaluara komuniste — ndaj lirisë dhe demokracisë së vërtetë në vend, duke paralajmëruar se Demokracia nuk pret! Me ndihmën e (ai), po sjell, shkurtimisht, në vija të përgjithshme, një përmbledhje të mendimeve të mia modeste dhe paralajmërimet e hershme në lidhje me këtë çeshtje, përball krizës aktuale politike në vend.

Rënia e sistemit zyrtar komunist në Shqipëri, në vitin 1991 shënoi fundin formal të diktaturës, por jo fundin e kulturës së saj politike. Nuk pati një proces të mirëfilltë lustracioni. Nuk pati një gjykim të gjërë moral dhe institucional të së kaluarës. Dosjet u hapën pjesërisht dhe me vonesë. Për shumë vite, tranzicioni u fokusua më shumë në stabilitet politik, pjellë e një autoritarizmi individual qeverisë dhe jo në drejtësi historike dhe në të drejtat të njeriut, të lirisë e demokracisë. Me shembjen e Murit të Berlinit, 1989, shqiptarët besuan se edhe në Shqipëri do shembej kultura e pushtetit të pakontrolluar diktatorial komunist prej pothuaj një gjyësm shekulli. U premtua demokraci, treg i lirë, shtet ligjor. Parulla ishte, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa.” Por tre dekada më pas, një pjesë e brezit të ri politik – të pakën ai që mendohet se nuk mban mbi supe përgjegjësinë direkte të krimeve të diktaturës komuniste – ndonëse nën rrethana të reja politike, duket se ka rënë në të njëjtin pus të errët: korrupsionin e thellë dhe kapjen e shtetit. Propozimi i fundit RAMA-VUÇIQ, botuar ditët e fundit në gazetën gjermane Frankfurter Allgemaine Zeitung, duket se varros përgjithmonë këtë ëndërrë të vjetër të shqiptarëve: Shqipërinë si gjithë Evropa. E kam thenë vazhdimisht besimin tim se tranzicioni shqiptar nuk ishte as nuk është një shkëputje radikale nga e kaluara e ish-regjimit dhe as nga mentaliteti komunist, por ka provuar gjatë viteve se në të vërtetë, ishte një riciklim i asaj kulture të flliqt politike konfliktuale, por në forma të reja. Përfshir, mentalitetin e pushtetit komunist si pronë private që nuk u zhduk por thjesht ndërroi gjuhë dhe kostum.

Kjo krijoi një paradoks: ndryshoi sistemi, por jo plotësisht mentaliteti politik. Edhe nga klasa e re politike që e quan veten “jo komuniste”, pushteti vazhdoi të perceptohej si privilegj, jo si përgjegjësi e shërbim për qytetarët. Besnikëria partiake, ashtu si në kohën e diktatorit komunist Enver Hoxha, vazhdoi të mbetej jo mbi meritën individuale, as mbi interesat dhe mirëqenjen ekonomike të shqiptarëve duke lënë pas dore dukshëm interesat e shënjta madhore afat-gjata kombëtare. Ndërkohë që transparenca publike, pjesë e pandarë e një shoqërie të lirë e demokratike është zëvendësuar nga kontrolli i informacionit nga entet mediatike të pushtetit në fuqi. Në këtë terren politik dhe atmosferë të dështuar të tranzicionit politik “post-komunist”, korrupsioni, në të gjitha nivelet e qeverisë, të shtetit dhe të shoqërisë, (“kap ç’a të kapësh”), në Shqipërinë “post-komuniste”, nuk është, në kuptimin e vërtetë të fjalës, një devijim nga e kaluara, jo. Por, ishte dhe mbetet një vazhdimësi e një kulture komuniste ku shteti shihet dhe përdoret si pronë e atyre që e zotërojnë, përkohësisht, ose për periudha më të gjata qeverisjeje. Si rrjedhim, shpesh herë në shkrimet e mia modeste gjatë viteve ia kam “lënë të dera”, fajin për pothuaj të gjitha dështimet politike, ekonomike dhe shoqërore dhe krimet barbare, regjimit të Enver Hoxhës. Megjithëkëtë, bazuar në përvojën politike të tranzicionit “post-komunist” të tre dekadave të fundit “pluralizëm” politik, ndoshta do të ishte e padrejtë dhe e pasaktë të fajësohej vetëm e kaluara komuniste për dështimet e politikës së sotme, po të merret parasysh niveli dhe përmasat e krizës aktuale politiko-ekonomike e shoqërore, në pëgjithsi.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se tre dekada “pluralizëm”, brezi i ri politik — ai që u formua pas viteve ’90 — ka pasur kohën e nevojshme dhe mundësinë të ndërtojë institucione të forta dhe standarde të reja etike. Në shumë raste, kjo mundësi, jo vetëm, është shpërdoruar, për të mos thënë ka dështuar, krejtsisht dhe mizorisht, nga një klasë që tani mund të quhet e dështuar politikisht dhe ekonomikisht. Ndërkohë që mungesa e ndëshkueshmërisë ka krijuar bindjen e vazhueshme se politika aktuale është zonë imuniteti. Por për këtë gjëndje të krijuar, nuk është krejt faji as i politikës. Shoqëria shqiptare, e lodhur nga tranzicioni i pafund dhe i pa shpresë, shpesh ka relativizuar korrupsionin duke justifikuar me fjalët se “të gjithë politikanët vjedhin”, “edhe ata të mëparshmit bënin njësoj”, e tjera. Kjo filozofi e barazimit të fajit është armiku më i madh i ndryshimit të pritur për aq shumë kohë nga shqiptarët e vuajtur, por që, fatkeqsisht, një ndryshimi të pritshëm, por që nuk po ndodh.

Sot, ndërsa reforma në drejtësi dhe veprimet e Struktuës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) duket se ka krijuar deri diku një klimë të re llogaridhënieje dhe ndëshkueshmërie. të pakën tani për tani, por mbetet përtu parë. Ndërkohë që përplasja mes kulturës së vjetër politike komuniste, përfshir drejtësinë dhe kërkesës për standarde moderne qeverisëse, është më e dukshme dhe më e egër se kurrë më parë. Kjo përplasje shpjegon tensionet, rezistencën, polarizimin ekstrem politik dhe mbi të gjitha largimin masiv të shqiptarëve thellësisht të shqetësuar për të ardhmen e vet dhe të familjeve të tyre në një vend të qeverisur nga klasë politike që për 35-vjet refupon me kryeneçsi t’i përshtatet rrethanave politike vendore, rajonale dhe botërore të shekullit XXI.

Mosbesimi dhe zhgënjimi i thellë qytetar nuk lind vetëm nga korrupsioni faktik ose nga polarizimi politik. Për më tepër, mos-besimi dhe zhgënjimi shumicës së shqiptarëve ndaj pushtetit të shfrenuar dhe të pa kontrolluar, ushqehet edhe nga mungesa e një narrative të qartë morale e kombëtare. Kur e kaluara relativizohet, zyrtarisht, patjetër që edhe e tashmja do të relativizohet. Kur krimet e djeshme të komunizmit nuk dënohen, ndërkohë që trajtohen me ambiguitet me qëllim që të hidhen në harresë, atëherë edhe shkeljet e sotme flagrante — përfshir korrupsionin zyrtar në të gjitha nivelet e shoqërisë — minimizohen me justifikimin se, “këto ndodhin kudo”, edhe në Amerikë.

Prandaj besoj se problemet e sotëme ndër shqiptarët janë, thelbësisht, jo vetëm politike, por edhe të një natyre morale të dështuar shoqërore. Sepse një shoqëri që nuk e ndan qartë vijën e kuqe midis autoritarizmit të pa kontrolluar dhe demokracisë, e gënjeshtres nga e vërteta, ajo shoqëri rrezikon ta mbajë atë vijë të paqartë në vazhdimsi, sidomos në praktikën e përditshme të pushtetit qendror e lokal, duke i dhënë një goditje të rëndë besueshmërisë së shumicës së shqiptarëve ndaj atyre që janë në krye të qeverisë e të shtetit, e nga të cilët populli pret ndershmëri, llogaridhënie dhe ndëshkueshmëri.

Prandaj, më duhet të them me keqardhje sa u përket ndryshimeve të fundit në qeverinë shqiptare, mos të pritet ndonjë ndryshim i madh, përsa i përket ndikimit të tyre në jetën e përditshme të shqiptarëve. Sepse besimi ndaj qeverisë dhe ndaj politikës në përgjithsi, përfshir opozitën, nuk vendoset me ndryshime të herë-pas-hershme emrash të rinj as të vjetër. Pas 35-vjetësh të kësaj politike dështuese, shqiptarët kanë nevojë për një shkundje të fortë të kësaj kulture politike dhe shoqërore në Shqipërinë, “post-komuniste” si vend anëtar i NATO-s. me ambicje për antarësim të plotë edhe në Bashkimin Evropian, nëse zgjedhim t’i besojmë propagandës së kësaj klase politike ndër vite, pa asnjë prove a rezultati konkret deri më tani. Sepse besimi i qytetarëve ndaj pushtetit, qoftë edhe ai shqiptar, kërkon standarde të qëndrueshme demokratike, me ndarje reale pushtetesh, me drejtësi të pavarur dhe me një kulturë ku dorëheqja dhe përgjegjësia, por edhe ndëshkueshmëria janë norma dhe jo përjashtime. Prandaj, pa një ndarje të qartë njëherë e mirë — jo vetëm një distancim politik, por edhe moral nga e kaluara komuniste, Shqipëria do ta ketë të vështirë të ndërtojë një të ardhme me institucione të besueshme me standard demokratike. Sepse besimi, krydesisht, është produkt i kujtesës së ndershme, ndëshkueshmërisë dhe i përgjegjësisë së vazhdueshme të pushtetit në shërbim të qytetarve.

Për të përmbyllur — këtë përmbledhje të mendimeve të mia të shprehura gjatë viteve në shkrimet e mia modeste mbi zhvillimet politike në Shqipëri — me një notë shprese se kurrë nuk është vonë për një shkundje të vërtetë politike duke u distancuar njëherë e mirë nga e kaluara, në përputhje me kërkesat e kohës të këtij brezi të shqiptarëve. Megjithë horizontin e errët politik, unë gjithnjë jam i besimit se çdo periudhë i qet njerzit e vet të nevojshëm për ndryshimet e duhura të një shoqërie. Besoj pra se edhe brezi i ri politik i shqiptarëve ka ende mundësi të zgjedhë një të ardhme më të mirë, më shpresëdhënse, për të gjithë shqiptarët, pa dallim: Që jetë një vazhdimësi e një tranzicioni të korruptuar e autoritar, apo themel i një republike funksionale, vërtetë të lirë e demokratike. Koha e justifikimeve ka mbaruar. Koha e përgjegjësisë së vërtetë morale dhe kombëtare, sapo ka filluar!

Filed Under: Mergata

ADEM JASHARI – KOMANDANTI I PËRJETSHËM I LIRISË SË KOSOVËS

March 3, 2026 by s p

Vlera e qëndresës së Jasharajve dhe të UÇK-së në tërësi, duhet të mbrohet si argumenti më i fuqishëm për të ardhmen e Kosovës. Është një testament i dëshmorëve që na obligon të punojmë për lulëzimin e atdheut. Është një dashuri që na e kanë lënë amanet, që ta duam më shumë njëri-tjetrin, që të ndërtojmë një shoqëri të njerëzve të lirë, ku jeta do të ketë kuptimin më të thellë të mundshëm, në pajtim me misionin që i ka dhënë njeriut Krijuesi i tij.

————

Milazim KRASNIQI

Kaq vite pas qëndresës dhe rënies heroike të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit dhe të më të dashurve të tij, vendi për të cilin ata luftuan dhe ranë me nder, ka rastin që të reflektojë më shumë se kurrë më parë për atë epokë, e cila asnjëherë nuk do të mund të rrëfehet e plotë me fjalë, në tërë përmasat e saj. Tash më shumë është momenti për ta shprehur nderimin, duke gjetur brenda vetes atë ndjenjë që na bën të ndiejmë dashuri njerëzore për vlerat e lirisë dhe që na ndihmon të identifikohemi me idealet e saj.

Heronjtë janë të përtejkohshëm

Vërtet, lufta heroike e Adem Jasharit dhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në ballë të së cilës ai ishte, më duket se duhet të përjetohen si dashuri e tyre për jetën dhe për ne. Por, jo për çfarëdo jete. Ata e deshën një jetë të lirë dhe deshën të na shohin si njerëz të lirë. Pa atë dashuri të pakufishme për lirinë dhe dinjitetin njerëzor, pa atë ideal dhe guxim të parrëfyeshëm, nuk mund të mirret me mend hyrja në luftë me pushtuesin, i cili ishte shumëfish më i armatosur dhe i motivuar me një egërsi shfarosëse. Sot është më e qartë se kurrë se Adem Jashari dhe më të dashurit e tij, e deshën atdheun dhe lirinë tonë më shumë se gjithçka tjetër, dhe atë dashuri na e kanë lënë testament. Rrjedhimisht, Adem Jashari dhe bashkëluftëtarët e tij, përveç që ishin idealistë dhe humanistë, ata ishin edhe ishin vizionarë, sepse e ndien se dashuria e tyre për lirinë e atdheut, ishte më e fortë se urrejtja dhe armët e pushtuesit. Dashuria e tyre për atdheun dhe për lirinë e tij, e manifestuar edhe gjatë luftimeve me këngën, i kalon përmasat që të jetë e kapshme nga logjika e zakonshme njerëzore. Prandaj, heronjtë edhe janë të përtejkohshëm.

Pas një lufte heroike, trupat e pajetë të Ademit, Hamzës, Shabanit dhe të më të dashurve të tyre, pushtuesi i egër serb, i pati “ekspozuar” në një depo në dalje të Skënderajt, për të tmerruar shqiptarët, që ende u duhej të prisnin radhën e masakrave të kriminelëve serbë. Ai veprim morbid ishte bërë për të shkaktuar paralizë të plotë mentale dhe vepruese të shqiptarëve. Të gjithë duhej ta kuptonin se Serbia do t’i vriste egërsisht, me gra e me fëmijë, deri në zhbërje totale të familjeve, nëse do të guxonin të kundërshtonin robërinë. Më tutje, masakra kundër Jasharajve ishte menduar për të shërbyer si mjet për thyerjen e rezistencës së armatosur dhe për të ngritur kundër UÇK-së akuzën se “ajo ishte shkaktare” e kasaphanës. Ajo ishte një djallëzi sllavo-bizantine, e injektuar me anën e propaganës, thashethemeve, intrigave dhe shpifjeve, që pati dhënë jo edhe pak pemë të egra. E mbaj mend me dhimbje se më 5 mars 1998, deri sa në Prekaz Serbia po bënte një gjenocid kundër shqiptarëve, në Prishtinë shërbëtorët e regjimit terrorist serb, përhapën një atmosferë paniku të jashtëzakonshëm. Në orët e pasditës, Prishtina praktikisht ishte e tëra e ngujuar në shtëpi. Ishte një elektro-shok i propagandës serbe, për të mbytur reagimin e shqiptarëve, ende pa lindur mirë i plotë. Por, përveç goditjes së parë trullosëse, nuk ndodhi paraliza, që e kërkonin vrasësit serbë. Filloi të ndodhte e kundërta.

Historia e vërtetë e shqiptarëve të Kosovës

Fillimisht, ndodhi shpërthimi i një vullkani të urrejtjes ndaj pushtuesit. Pamjet e trupave të pajetë të Jasharajve të masakruar, pamjet e shtëpive të djegura, mblidhnin pikë-pikë urrejtjen e njeriut shqiptar ndaj egërsisë së pushtuesit. Pastaj filloi të vdiste frika. Radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës filluan të zgjerohen me një shpejtësi të habitshme. Dashuria dhe sakrifica e Jasharajve për lirinë e atdheut, ishte shndërruar në një ortek të fuqishëm, i cili do të përlante para vetes frikën, hamendjen, dykuptimësinë, hilenë, tradhtinë. Dashuria për atdheun dhe lirinë e tij, e Adem Jasharit dhe e bashkëluftëtarëve të tij, kishte mundur ftohtësinë e vdekjes. Heroizmi i tij ishte i përtejkohshëm. Edhe kur ne na është dukur se e kemi parë trupin e tij të pajetë, ai ka qenë me fuqi vepruese mbi ndërgjegjen e bashkëkombasve më shumë se çdo i gjallë tjetër.

Sot, në shtetin tonë të pavarur, çdo njeri që mendon, që jeton dhe që vepron shqip, e di se Adem Jashari dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, janë bërë shtyllat më të forta të historisë dhe të lirisë së këtij vendi. Pa atë qëndresë heroike, kush mund të thotë se Kosova do të mund të ishte e çliruar nga thika çetnike? Nuk ka qenë e thënë dhe as e domosdoshme që të gjithë shqiptarët ta dinin përnjeherë këtë të vërtetë. Por, pas kaq vitesh, vërtet kush mund të argumentojë se pa atë qëndresë, pa atë sakrificë, pa tërë atë luftë, do të ndodhte intervenimi ndërkombëtar, dëbimi i Serbisë, rindërtimi i Kosovës dhe pavarësia e saj? Pra, tashmë dihet se lufta e Adem Jasharit dhe ushtria e tij, është historia fitimtare e shqiptarëve të Kosovës. Mirëpo, kjo histori duhet të shndërrohet në vlerë zotëruese në jetën e këtij vendi dhe të këtij kombi. Vlera e qëndresës së Jasharajve dhe e UÇK-së në tërësi, duhet të mbrohet si argumenti më i fuqishëm për të ardhmen e Kosovës. Është një lumë gjaku që na ka ndarë për jetë të jetëve nga vrasësit tanë. Është një testament i dëshmorëve që na obligon të punojmë për lulëzimin e atdheut. Është një dashuri që na e kanë lënë amanet, që të duam më shumë njëri-tjetrin, që të ndërtojmë një shoqëri të njerëzve të lirë, ku jeta do të ketë kuptimin më të thellë të mundshëm, në pajtim me misionin që i ka dhënë njeriut Krijuesi i tij.

Shndërrimi në vlerë të parevokueshme kombëtare, i qëndresës së Jasharajve dhe të UÇK-së në tërësi, është një proces që po vazhdon. I shoqëruar nganjëherë me elemente të moskuptimit të dimensionit historik, i shoqëruar edhe më tutje nga intrigat dhe inskenimet e mbeturinave të pushtuesit. I shoqëruar edhe nga ndjenja të turbullta, të paartikuluara të njerëzve të painformuar, të atyre që kujtojnë se mund të deklarohen me fjalë për heronjtë dhe ushtrinë e lavdishme çlirimtare, ndërsa nga ana tjetër të rreshtohen në radhët e sabotuese ndaj atyre vlerave. Por, procesi i akceptimit dhe i vlerësimit, është i pakthyeshëm. Adem Jashari edhe ushtria që e vazhdoi amanetin e tij, janë pragu nën të cilin më kurrë nuk do të mund të ulet liria e Kosovës.

ÇKA SHIHNIN ATA BURRA PËRTEJ TERRIT

(Ademit e Hamzës))

Çka shihnin ata burra përtej territ

Që të nxirrte sytë me verbëri robërie

Përtej tymit që shpërthente

nga themelet e shtëpive të tyre

ku fëmijët po i bënin detyrat e fundit

duke rënë pranë nënave të vdekura

Ne nuk do ta dimë kurrë

Çka shihnin Ademi e Hamza

Përtej vdekjes

Por teksa shohim lirinë tonë

Mund ta marrim me mend

Se ata na shihnin ne

Këtu ku jemi tash e atje për ku jemi nisur

Sepse ashtu janë heronjtë

Shohin të ardhmen që larg

Nga lartësia ku i shpie trimëria

Filed Under: Politike

80 VJET NGA PUSHKATIMI I ATË ANTON HARAPIT, NJË GJYQ MES DREJTËSISË DHE PROPAGANDËS

March 3, 2026 by s p

Prof. Dr. Nertila Haxhia Ljarja/

Tetëdhjetë vjet më parë, në shkurt të vitit 1946, Atë Anton Harapi u dënua me vdekje nga Gjykata Ushtarake e Tiranës dhe u pushkatua pak ditë më pas. Sot, pas tetë dekadash, figura e tij rikthehet jo vetëm si pjesë e historisë së klerit katolik shqiptar, por edhe si simbol i një prej proceseve më domethënëse të drejtësisë së pasluftës në Shqipëri. Gjyqi ndaj tij nuk ishte thjesht një çështje individuale penale. por ai u kthye në një moment kyç të konsolidimit të regjimit të ri komunist dhe në një akt me peshë të fortë politike e simbolike.

Atë Anton Harapiu lind në Shkodër më 5 janar 1888 dhe u formua në Austri për teologji e filozofi. Pas kthimit në atdhe, ai u bë një nga figurat më të njohura të françeskanëve shqiptarë, duke shërbyer si meshtar, mësues, drejtues shkolle dhe publicist. Për vite me radhë dha mësim në Kolegjin Françeskan dhe në gjimnazin “Illyricum”, ndërsa në vitet 1930 drejtoi revistën “Hylli i Dritës”, një nga tribunat më të rëndësishme të mendimit kulturor e fetar në Shqipëri. Ai ishte pjesë e atij brezi klerikësh që e lidhën misionin fetar me angazhimin kulturor dhe kombëtar.

Por zhvillimet dramatike të Luftës së Dytë Botërore e vendosën përballë një zgjedhjeje të vështirë. Në vitin 1943, në kushtet e okupacionit gjerman, ai pranoi të ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës, organi që zëvendësonte formalisht kreun e shtetit. Për pushtetin komunist që mori kontrollin e vendit në fund të vitit 1944, pjesëmarrja në këtë strukturë u konsiderua bashkëpunim me pushtuesin dhe, si e tillë, provë e mjaftueshme për ta shpallur fajtor politikisht.

Pas çlirimit, Harapi nuk u largua nga Shqipëria, ndonëse kishte mundësi ta bënte një gjë të tillë. Ai u arrestua në qershor 1945 dhe u përfshi në procesin gjyqësor të zhvilluar në janar–shkurt 1946, së bashku me LefNosin dhe Maliq Bushatin, po ashtu ish-anëtarë të strukturave drejtuese gjatë okupacionit. Gjyqi u zhvillua në sallën e Kino-Teatrit “Kosova” në Tiranë, në një atmosferë të ngarkuar politikisht dhe në prani të një publiku të organizuar.

Akuza e ngritur ndaj tij ishte e rëndë: “kriminel lufte”, “armik i popullit” dhe “sabotator i pushtetit”. Procesi u mbështet në ligjet e miratuara menjëherë pas çlirimit, të cilat i jepnin gjykatave ushtarake kompetenca të gjera për të ndëshkuar bashkëpunëtorët e pushtuesit. Në seanca u paraqitën dokumente, dëshmi dhe argumente që synonin të provonin se, përmes rolit të tij në Regjencë, Harapi kishte legjitimuar strukturat e ngritura gjatë okupacionit dhe, rrjedhimisht, mbante përgjegjësi për pasojat e asaj periudhe.

Megjithatë, përtej sallës së gjyqit, procesi zhvillohej paralelisht edhe në faqet e shtypit zyrtar. Gazeta “Bashkimi” dhe organe të tjera të kohës përdorën një gjuhë të ashpër, duke e portretizuar Harapin si simbol të “reaksionit” dhe si përfaqësues të një pjese të klerit të lidhur me fashizmin. Që në artikujt paralajmërues, opinioni publik orientohej drejt një përfundimi të paracaktuar. Gjyqi nuk paraqitej si debat juridik mbi përgjegjësinë individuale, por si akt i domosdoshëm ndëshkimi ndaj “tradhtarëve”. Në këtë mënyrë, procesi merrte një dimension të dyfishtë: juridik në formë, politik në përmbajtje.

Në fjalën e tij të fundit, Atë Anton Harapi mbajti një qëndrim që shumëkush e ka cilësuar si testament moral. Ai deklaroi se Shqipëria nuk rrënohej as nga dënimi i tij, as nga falja e tij, duke sugjeruar se forca e një shteti qëndron edhe te maturia dhe drejtësia. Ai e paraqiti hyrjen në Regjencë si përpjekje për të zbutur dhunën dhe për të shpëtuar jetë në një kohë të egër, jo si akt tradhtie ndaj atdheut. Fjalimi i tij u mbyll me thirrjen “RrnoftëShqipnija”, një shprehje që përforconte identifikimin e tij me fatin e vendit, pavarësisht vendimit që do të jepej.

Më 12 shkurt 1946, Gjykata Ushtarake shpalli vendimin: dënim me vdekje, humbje të të drejtave qytetare dhe politike, si dhe konfiskim të pasurisë. Vendimi u konfirmua dhe u ekzekutua. Me këtë akt, regjimi i ri jo vetëm dënoi tre figura të larta të periudhës së okupacionit, por dha edhe një mesazh të qartë për mënyrën se si do të trajtoheshin elitat e vjetra dhe institucionet që konsideroheshin pengesë për rendin e ri.

Sot, në 80-vjetorin e vdekjes së tij, rasti i Atë Anton Harapit shihet nga studiuesit si shembull i ndërthurjes së drejtësisë me propagandën në vitet e para të pushtetit komunist. Gjyqi ndaj tij shërbeu për të ndërtuar një narrativë zyrtare mbi të kaluarën, për të përcaktuar figurën e “armikut” dhe për të legjitimuar politikisht sistemin e ri. Ai ishte një proces që shënoi jo vetëm fundin tragjik të një kleriku dhe intelektuali, por edhe fillimin e një periudhe të gjatë përplasjesh mes shtetit komunist dhe institucioneve fetare.

Tetë dekada më pas, figura e Atë Anton Harapit mbetet pjesë e debatit historik shqiptar. Për disa ai është bashkëpunëtor i një regjimi okupator; për të tjerë, një klerik që veproi në rrethana të jashtëzakonshme dhe u përball me një drejtësi të politizuar. Por përtej këtyre interpretimeve, mbetet e padiskutueshme se gjyqi dhe dënimi i tij janë pjesë e historisë sonë kolektive dhe një moment që kërkon reflektim të qetë, të dokumentuar dhe të ndershëm mbi raportin mes drejtësisë, politikës dhe kujtesës.

Shkodër, më 28 shkurt 2026

Filed Under: Histori

Hapet shkolla shqipe “7 Marsi” në Calcinato, Brescia të Italisë

March 2, 2026 by s p

Lidhja e shkollave shqipe në Itali/

Me 28.02.2026, në një mjedis të vënë në dispozicion nga imprendtorët Cekrezi, u rihap Shkolla Shqipe “7 Marsi” në Calcinato, Brescia.

Falënderojmë prindërit e nxënësit që iu bashkuan këtij projekti të mbështetur nga Shoqata Alba dhe Centro Culturale ODA.

Përgëzojmë mësueset Landa Gjoni e Xhuliiana Bardhi për angazhimet e tyre.

Falënderojmë zonjën Luljeta Cobanaj, e cila, me interesimin direkt të saj, siguroi tekstet mësimore në kohë rekord, të cilat i solli Ardit Aliaj!

Falënderojmë për aktivizimin dhe ngulmimin e aktivistit Petrit Aliaj, i cili ndoqi dhe punoi çdo hap për realizimin e këtij projekti të bukur.

Diçka vërtet i bukur mbetet fakti që nga Parma erdhi të na nderojë në ceremoninë e rifillimit të mësimit, Presidentja e Lidhjes së Shkollave shqipe në Itali, prof. Anila Berberi!

Akoma më i mirë është lajmi, sepse u regjishtruan 24 nxënës. Kjo na vë para një përgjegjësie që t’i përgjigjemi misionit tonë më me përkushtim e më me profesionalizëm!

Oggi 28.02.2026, in uno spazio messo a disposizione dagli imprenditori Cekrezi, è stata riaperta la Scuola Albanese “7 Marsi” a Calcinato, Brescia.

Ringraziamo i genitori degli alunni che si sono uniti a questo progetto, sostenuto dall’Associazione Alba e dal Centro Culturale ODA.

Ci congratuliamo con le insegnanti Landa Gjoni e Xhuliiana Bardhi per il loro impegno.

Ringraziamo la signora Luljeta Cobanaj, che grazie al suo diretto interessamento ha assicurato in tempi record i testi scolastici, consegnati da Ardit Aliaj.

Ringraziamo per l’attivazione e la determinazione dell’attivista Petrit Aliaj, che ha seguito e lavorato su ogni fase per la realizzazione di questo bel progetto.

Un fatto davvero significativo è che da Parma è venuta a onorarci con la sua presenza alla cerimonia di ripresa delle lezioni la Presidente della Lega delle Scuole Albanesi in Italia, prof.ssa Anila Berberi.

La notizia è ancora migliore perché sono stati iscritti 24 alunni. Questo ci pone di fronte alla responsabilità di rispondere alla nostra missione con ancora maggiore dedizione e professionalità!

Filed Under: Kronike

Një mundësi e shkëlqyer për dashamirësit e librit dhe mbarë komunitetin shqiptar në Chicago

March 2, 2026 by s p

Një mundësi e shkëlqyer për dashamirësit e librit dhe mbarë komunitetin shqiptar në Chicago.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Rilindasi At Shtjefën Gjeçovi
  • Pse duhet ta lexojmë Andon Zako Çajupin?
  • Kujtojmë në ditën e tij të lindjes atdhetarin e shquar Sotir Peci
  • Albanian americans support the protests in Tirana
  • NJË DITË “AMBASADOR” I LIBRAVE TË MI…
  • Takim lamtumirës me Sekretarin e Shtetit të Iowas, Paul Pate dhe Zv. Sekretaren Christy Johnson
  • Diplomacia shqiptare si instrument i stabilitetit euroatlantik në Ballkan
  • Kur gjeografia bëhet gjeostrategji…
  • KUR GURRA SHQIPTARE PUSHTON SANREMON
  • HISTORIA NUK ËSHTË PRIVILEGJ – ËSHTË E DREJTË!
  • Mërgata dhe Atdheu si destinacioni i zemrës
  • It was an honor to organize and host a roundtable discussion with Congressman Mike Lawler and members of the Albanian-American community
  • Kujtojmë në ditën e ndarjes nga jeta poetin, dramaturgun dhe rilindësin Andon Zako Çajupi
  • Israeli kurrë nuk ka qenë e nuk është armiku i shqiptarëve!
  • Historia që Evropa nuk deshi ta tregonte

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT