• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTESE- NJË VIT PA TY SALI ASLLAN SELIMAJ

February 20, 2019 by dgreca

Me rastin 20 Shkurtit, një vjetorit të ndarjes nga jeta të Sali Asllan Selimaj/1 Salih AsllaniNGA ISUF S. SELIMAJ/

2 Sali Asllani

Sali Asllan Selimaj 3 Shkurt 1940 dhe u nda nga jeta me 20 Shkurt 2018/

U mbush një vit që ndërrove jetë dhe u ndave nga ne, Sali Asllani. Ishte ditë dhimbjeje për të gjithë, veçanërisht për mua, familjen tënde, dhe për të gjithë farefisin SELIMAJ. Të gjithë e ndjejmë mungesën tënde.

Prej Sali Asllanit kam pasë shumë mirësi. Kam ndjerë ndihmën e tij në ditë të vështira. Jo vetëm unë, por ai ndihmonte këdo në nevojë, këdo qëi lypej ndihma e tij. Njeri me zemër të mirë, bujar në shpirt. Bamirësitë e tij janë të njohura në komunitetin shqiptar.

I dashur njeri i mirë, Sali Asllani; jeta nuk ka qenë e lehtë për ju, as e drejtë, madje ka qenë tepër e vështirë, por e ndritshme.Ti nuk u përule, por e ruajte moralin dhe karakterin e forte të malsorit.Veçanërisht në rininë tënde ti kalove të papritura dhe kurthe që të ngritën shërbimet sekrete me spiunë të shitur tek UDB-ja. Ishe vetëm 16 vjeçar kur UDB-ja e atëhershme malazeze nisi përndjekjet ndaj teje vetëm pse ti nuk pranove që të viheshe në shërbim të saj. Gjithçka ndodhi pse ti ishe i padëgjueshmi i UDB-së.

Strategjia dhe politika e UDB ishte që të largonte sa më shumë shqiptarë nga trojet e tyre të vendlindjes, veçanërisht malësorëtë Plavës dhe të Gucisë. Ata që nuk bindeshin keqtrajtoheshin.

Sali Asllani ishte në shënjestër të shërbimeve sekrete malazeze dhe ata prisnin momentin që ta fusnin në kurthin e tyre që t’i vinin prangat. Për të realizuar qëllimin e tyre ata vendosin ta fusin në kurth: I dërgojnë një spiun që e njihte Salihin. Spiuni i thotë : Ti Salih je në rrezik të madh, mund të arrestojnë shumë shpejt, prandaj duhet të ikësh.

Po ku të shkoj, ia ktheu Salihu.

Spiuni i propozon që të arratisej në vendin amë, në Shqipëri. Unë,i thotë spiuni, do të ndihmoj, do të udhëheq rrugën deri në kufi, që të shpëtosh nga UDB-ja. Unë e di rrugën mirë se kam ndihmuar dhe të tjerë. Ke besim se do të shpëtoj një here e mire nga këta. Salihu i beson dhe i thotë: Po mire, jam në dorë tënde, në besën tënde. Më drejto rrugën!

Caktuan ditën dhe u nisën.Për habinë e Salihut ai po e drejtonte në kah të kundërt, në drejtim të gabuar. Pasi ecën një copë rrugë, Salihu po e pyet:Pse po na çon në këtë drejtim? Kjo rrugë të çon në Plavë, jo në kufi me Shqipërinë. Spiuni ia kthen përgjigjen aty për aty:- Jo jo, e ke gabim, kjo është rruga më e shkurtër, e njoh mirë unë.

Spiuni e kishte lidhë fjalën me UDB-ën që të kalonte pikërisht në atë rrugë ku ata kishin ngritë pritën e tyre për ta arrestuar. Nuk kaluan veç pak minuta pas kësaj bisede kur u shfaq para tyre makina me policët UDB-ashëdhe u kërkoi që të ndaleshin në vend.

  • Ku po shkoni ju me kaq ngut?-kanë pyet policët, edhe pse e dinin mire nga bashkëpunëtori i tyre se ku po shkonin.

Përgjigjet spiuni:- Nuk du me ju rrejt, unë i kam dhanë fjalën Salihut me e përcjellë në Shqipëri sepse këtu nuk ka kërkënd , është fare i vetëm.

  • Ç’ka po thoni, a nuk e dini ju se është rreptësisht e ndaluar që kaloni kufirin dhe të shkoni në Shqipëri?

Në vend ia shtërnguan në duar prangat Salihut dhe drejt e në burg. Kur kanë shkuar në zyrat e policisë Salihu ka parë me sytë e tij se si qeshej spiuni me policët. E kuptoi se “bamirësi” i tij,ishte në shërbim të UDB-ës, por tash ishte tepër vonë për ta shmangë kurthin. Nuk ka më keq kur e kupton se të ka shitur ai që të hiqet si mik. Pas shumë torturash që i bënë në burgjet e Malit të Zi, destinacioni i fundit i tij ishte Gerova, një emër i njohur për vuajtje i shqiptarëve dhe i ballkanasve të tjerë. Duhet të kaloje aty pa të fitoje të drejtën për të kaluar në Perëndim, fshehurazi ose me leje. Salihu ishte me fat që vuajtjet i la pikërisht në atë kamp-burg dhe kaloi në Itali, në kampet e emigrantëve. Vuajtjet kishin sosur për Salih Asllanin sepse aty i buzëqeshi fati për të marrë rrugën drejt Amerikës, ëndrra e të gjithë atyre që kanë vuajtur dhe u ka munguar liria.

Këtu në Shtetet e Bashkuara ai u bë një aktivist i papërtuari komunitetit duke i shërbyer idealit Kombëtar duke u anëtarësuar në Klubin Patriotik”Jusuf Gërvalla”. Aktivist i papërtuar për çështjen shqiptare punoi me të gjitha forcat e mundësitë financiare për çështjen shqiptare.

Në luftën e Kosovës për liri Salihi ishte kontribues i Fondit Vendlindja Thërret. Në të gjitha fushatat ai nuk priste ta thërrisnin por ishte aty ku kërkohej ndihma e tij, për Kosovë  e Shqipëri.

I paharruari Salih Asllani, gjithëmonëdo të ndjehem krenar dhe do të mburrem me ty e me veprat e tua.Pushofsh në Paqë!

Kushëriri yt

Isuf S. Selimaj

Nju Jork, 20 Shkurt 2019

Në Foto: Sali Asllan Selimaj u lind me 3 Shkurt 1940 dhe u nda nga jeta me 20 Shkurt 2018

 

Filed Under: Histori Tagged With: Isuf Selimaj, Kujtese, nje vit pa Ty, Sali Asllan Selimaj

PROTESTE PARA KONSULLATES SHQIPTARE NE NEW YORK

February 20, 2019 by dgreca

TE RINJET SHQIPTARO-AMERIKANE PROTESTOJNE TE ENJTEN/

1 Rinia

  • 21 Shkurt 2019, Ora 5.00-7.00 PM PARA KONSULLATES SE SHQIPERISE-

Nje grup te rinjesh shqiptaro-amerikane kane njoftuar se te Enjten me 21 Shkurt 2019, ne Oren 5.00 PM-7.00 PM do te protestojne kunder Qeverise Shqiptare . Ata u kane bere thirrje shqiptareve te Amerikes , organizatave dhe individeve, qe te dalin ne proteste jo per te treguar solidaritet me ndonje parti politike, por thjeshte per te protestuar per keqeverisjen e Kryeministrit Edi Rama, kriminalizimin e politikes, shtetit dhe shoqerise, rritjen e varferise dhe vrasjen e shpresave per te jetuar ne vend.Adresa:320 EAST,79 Street, NY

Filed Under: Politike Tagged With: New York, PARA KONSULLATES, proteste, Të rinjtë

‘‘Opinionistët’’ e diasporës

February 19, 2019 by dgreca

4. Anton Marku

NGA ANTON MARKU/

Të jetosh në diasporë nuk do të thotë të shkëputësh kontaktin me zhvillimet politike dhe shoqërore në vendlindje. Një pjesë e konsiderueshme e njerëzve tanë në perëndim vazhdojnë të informohen, kryesisht nga portalet, të cilat viteve të fundit janë shtuar dukshëm. Një pjesë e tyre tenton që përmes shkrimeve të inkuadrohen në debatet për temat aktuale duke dashur që të japin kontributin e tyre në këto procese. Se cili është kualiteti i tyre është çështje tjetër.

Të shkruash me çdo kusht

Është e drejtë e pamohueshme e secilit që të shprehet lirshëm. Por para se ta bëjnë këtë duhet kujdesur që mendimet e tyre, sidomos ato që botohen të ju përshtaten një standardi së paku minimal. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Ajo nis në çastin kur këto shkrime botohen dhe si të tilla qëndrojnë nërubrikat e portaleve, nganjëherë edhe me ditë të tëra.

Dhe këtu nis problemi. Që nga titulli i cili përzgjidhet pa ndonjë analizë të duhur, shpesh nuk ka të bëj me fenomenin i cili trajtohet, madje ka dhe raste kur është dhe fyes ndaj një personi apo një grupi social. Disa artikullshkruesve, posaçërisht atyre që jetojnë në diasporë, duket se ju mungojnënjohuritë themelore të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Nuk janë të rralla rastet kur në fund të titullit qëndron pika, ai rimohet si në këngë lahutash apo kur fjalia ndahet në mes me një presje e cila më së paku ka vendin aty.

Në disa nga gazetat tona ‘‘opinionistë’’ me deficite të theksuara intelektuale që fshihen pas titujve akademikë (Mr., Dr,, Prof. Dr,) e të cilët nuk harrojnë asesi t’i vendosin para emrit, ende nuk e dijnë rregullat elementare të përdorimit dhe vendosjes së thonjëzave: ca i hapin nga poshtë me dy presje dhe i mbyllin lartë, ca nisin me shenjën e mbylljes e i mbyllin me atë të hapjes, të tjerët, veçanërisht ata që shkruajnë lidhur me mbajtjen e ndonjë aktiviteti nuk hezitojnë që të shkruajnë emrat e të gjithë atyre që thanë ndonjë fjalë rasti, duke i titulluar të gjithë me … zotëri apo zonja X tha këtë apo atë …. Dallimet mes emrave në njëjës dhe shumës njihen shumë pak. Po të tillë, sidomos nga vendet gjermanofolëse fillojnë me shkronjë të madhe jo vetëm emrat e vendeve dhe njerëzve por edhe të ditëve, muajve e gjesëndeve materiale (Automjeti, Ndërtesa, etj) ashtu si në gjuhën gjermane.

Një fenomen në vete janë ata që pothuajse çdo ditë botojnë nga një shkrim. Njëri prej tyre nuk ja ndan së shkruari ‘‘letra të hapura’’ pothuajse të gjitha personaliteve të botës, përfshirë dhe Angela Merkel dhe Donald Trump. Një tjetër, ish-aktivist partiak në perëndim në artikujt e tij çirret deri nëhisteri në drejtim të kundërshtarëve politikë saqë ndjen kokëdhembje sapo lexon pesë rreshtat e parë të shkruar nga ai. Një bashkëmendimtar i tij madje kërkon me ngulm organizimin e referendumit për bashkimin e trojeve shqiptare me Amerikën.

Këta të ashtëquajtur ‘‘opinionistë’’ të bezdidshëm të diasporës uzurpojnë vend nëpër mediumet shqiptare duke i ‘‘bombarduar’’ redaksitë e tyre me shkrime të njëpasnjëshme, e të cilave ju mungon pikë se pari parashtrimi i çështjes dhe përmbatjes si dhe ballafaqimi i argumenteve dhe harmonia e ideve duke mos pasur rrjedhë logjike të artikulimit të tezave. Ato kryesisht janë konfuze, të mbushura me paragjykime dhe të njëanshme. Konkluzionet (nëse mund të quhen kështu) që nxirren në fund të shkrimeve as për së afërmi nuk ngjajnë me ato që mund të jenë thënë më lartë.

‘‘Opinionistët’’ e tillë nuk i bëjnë nder diasporës sonë. Për më tepër ata janë, mu si në muzikë, tallavaja e gazetarisë së mirë dhe, me apo pa vetëdije, bastardhuesit e gjuhës shqipe në mërgim. Pjesa më e madhe e tyre do të ishte mirë që para se të dërgojnë artikuj për botim, të vizitojnë kurse bazike të shkrimit të gjuhës amtare.

Sigurisht se në diasporë ka dhe njerëz të profilizuar, shkrimet e të cilëve lexohen dhe komentohen me interesim të madh. Të tillë krijues të opinionit publik, si E. Robelli, Xh. Ahmeti, B. Hiseni, J. Kelmendi, F. Shkreli e ca të tjerë si këta përbëjnë elitën e pendës shqiptare në perëndim.

Përfundim

Mund të kuptohet nevoja e njeriut, deri në mani, për të thënë diçka, për të fituar vëmendje e qenë në epiqendër. Madje mund të admirohet ky entuziazëm. Por në asnjë formë nuk mund të arsyetohet tendenca për të dominuar në jetën që zhvillohet në mërgatë me shkrime të një kualiteti aq të ulët. Duke insistuar në atë se edhe ata kanë diçka për të thënë po ua zënë këndin  atyre që janë në gjendje që së paku të përpilojnë artikuj me përmbajte logjike. 

Mbase apeli më i duhur për ta do të ishte që të vazhdojnë të shprehin qëndrimet e tyre, nëse duan edhe në baza ditore, por në faqet personale në facebook apo platforma tjera alternative dhe jo në portale dhe mediume serioze, e të cilat do të duhej që, së paku për hir të lexuesve të tyre të rregullt, tëmos botojnë çfarëdo që të ju dërgohet, por të kenë parime dhe kritere të cilësisë së artikujve si në formë ashtu dhe në përmbajtje.

Njëra ndër shkathtësitë e të shkruarit vazhdon të jetë ajo që thotë që mes rreshtash duhet të lihet hapësirë e jo zbrazëtirë. Sa më shpejt që ‘‘opinionistët’’ e diasporës ta kuptojnë këtë do të bëhet më mirë për ta. Për ne po ashtu. 

Filed Under: Analiza Tagged With: "Opinionistet" e Diaspores, Anton Marku

QYTETET SHQIPTARE NË FOTOGRAFITË E VJETRA 1863-1916

February 19, 2019 by dgreca

-Qytetet shqiptare në fotografitë e vjetra 1863-1916, ekspozitë në Prishtinë. Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj, tha se profesor Eqrem Zenelaj është një hulumtues i madh i arkivave, fama profesionale e shkencore e të cilit ka tejkaluar hapësirën kombëtare/

1 a ekspozita2 qytet3 qytet fot1 qytetet

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 18 Shkurt 2019/ Ekspozita “Qytetet shqiptare në fotografitë e vjetra,1863-1916” është një nga aktivitetet e festimeve të 17 Shkurtit – 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, e cila vijon të jetë e hapur në Muzeun Kombëtar në Prishtinë.

Ekspozitën e hapi Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës nën përkujdesjen e Zyrës së Kryeministrit dhe në bashkëpunim me Eqrem Zenelajn, i cili  “pamjet e kohës në fotografi” të qyteteve shqiptare i solli në Kosovë nga Vjena – Austria.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj, tha se profesor Zenelaj është një hulumtues i madh i arkivave, fama profesionale e shkencore e të cilit ka tejkaluar hapësirën kombëtare.

“Fotografitë janë pamje edhe të infrastrukturës edhe të urbanizmit të kohës, flasin shumë edhe për zhvillimin krahasuar me të sotmen”, u shpreh ai.

Mes shumë pjesëmarrësve në hapje të ekspozitës ishte edhe ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Fotografitë e qyteteve shqiptare të viteve 1863-1916 edhe pas mbylljes së ekspozitës do jenë në dispozicion për të interesuarit pasi i janë dhuruar Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.(me shume fotografi gjeni ne fb dielli vatra

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, qytetet shqiptare

GJENERATA E TRETË

February 19, 2019 by dgreca

3Kostreci hasan

NGA HASAN KOSTRECI /DIELLI

Berta është një vajzë rreth njëzet e tetë, nëntë vjeçe, simpatike, me trup mezatar, por pak e shëndoshë. Flokët e zinj dhe të lidhur gërshet i shkojnë mjaft fytyrës së saj të mbushur dhe bardhoshe. Punon për një kompani të madhe në New York dhe jeton uptown sëbashku me një shoqe nga Amerika Latine. Ka ardhur në Amerikë qysh në nëntëdhjet e shtatën dhe fillimisht jetoi  tek i vëllaji i gjyshit të saj, xha Safeti, të cilin kur i ati i saj e mori atë në telefon nga Shqipëria dhe i tha, se dëshirëronte që ta binte vajzën për t’u shkolluar aty, ai u tregua jo vetëm i gatshëm, por i doli e priti, bile edhe në Itali dhe tek ai ajo qëndroi deri para pak vitesh, kur mbas një sëmundje të rëndë e të gjatë, ndërroi jetë.

Por historia e xha Safetit, të cilën më saktë e mori vesh mbas disa vitesh të ardhjes së saj këtu, pati qëne pak e çuditëshme ; Gjatë Revolucionit në Hungari në pesëdhjet e gjashtën ai u ndodh atje si student dhe në atë rrëmujë e sipër arratiset e shkon në Gjermaninë Perëndimore dhe pastaj prej andej në Amerikë. Dha disa provime plotësuese të lëna përgjysëm në Europë dhe pranohet më mbas si pedagog në La Guardia University, ku qëndroi atje deri sa doli në pension. Gruan, e cila i kish vdekur një vit para ardhjes së saj  këtu, kishte me origjine irlandeze dhe  me të pati vetëm një djalë, por që jetonte në Kaliforni.

– Kam dhënë shkenca politike – i thoshte ai kur Berta e pyeste për jetën që ai kish bërë këtu, por amerikanët në përgjithësi dhe sidomos rinia, s’e njohin edhe aq mire komunizmin.

– Kurse ti xha Safet, po, sepse siç më ke thënë, e gjithë familja e juaj, komunistë keni qënë.

– Vëllaji ynë i madh, kryesisht, Rakipi, pra gjyshi yt, meqënëse pati dalë gjatë luftës ca kohë partizan dhe punonte në Ministrinë e Brendëshme dhe prej tij tij, sigurisht, u infektua edhe babaji yt.

– Po ti pse jo ?

–  Isha ende i ri në atë kohë dhe vazhdoja vitin e të fundit të gjimnazit. Po atje u dashurova me një vajzë, por nga që prejardhjen e kishte nga një familje tregtarësh dhe prej regjimit nuk shihej me sy të mirë, të dy vëllezërit, po më shumë i madhi, u alarmuan, sa e morën vesh dhe nisën të më bënin presion që të ndahesha, por unë e doja dhe fshehurazi jo vetëm që takoheshim, por i pata shkuar disa herë, bile edhe në shtëpi dhe të them të drejtën, kur krahasoja nivelin e prindërve të saj me të mitë, më bënte mjaft përshtypje.

– Pse, ishin të ngritur ?

– Po, mjaft të ngritur dhe të edukuar gjithashtu, por me ngjarjen e bombës në Ambasadën Sovjetike, asaj i arrestojnë të atin dhe meqënëse im vëlla, siç të thashë, qe me pozitë, iu luta që ta shpëtonte, të paktën, nga pushkatimi, por ai nuk pranoi dhe qysh nga ai moment, m’u krijua një urrejtje e madhe për atë regjim, për diktatorin, por dhe për klasën tonë dhe kur mbas një viti shkova për studime në Budapest, vendosa që të mos kthehesha më në Shqipëri.

– Por ata a patën ndonjë pasojë nga veprimi yt?

–  Ndonjë gjë të madhe, jo, sepse më mohuan dhe lëshuan deklaratë që nuk isha më vëllaji i tyre.

– Po mbas nëntëdhjetës ?

– Si dhe shumë të tjerë nga sëra jonë, u bënë demokratë dhe yt vëlla arriti të bëhet, bile edhe deputet.

– Ua…si ka mundësi? – e pyeti Berta, por xha Safeti u ngrit të ndezi një cigare dhe nuk i ktheu pëegjigje.

– Dua një djalë, shqiptar nga Vlora – i tha ajo një ditë, kur i vajti për ta takuar në spital, sepse qe i sëmurë –  punojmë sëbashku në « Goldman Sachs », por… na ndan një mur i madh, që është biografia. Ç’mund të më thuash?

– Kjo është një plagë e madhe për shoqërinë tonë dhe nëqoftëse ende nuk është kuruar, fajin e ka përsëri politika – iu përgjigj ai – sepse vetëm me disa deklarata që të gjithë jemi fajtorë dhe të gjithë bashkëvuejtës, ky problem nuk zgjidhej. Ndërsa sa për  rastin tënd – vazhdoi ai, kur pa që Berta po priste – varet nga ju të dy.

Këto pikërisht ajo ishte duke menduar edhe këtë mbrëmje, kur sëbashku me shokun e vet, Edin hynë që të hanin darkë në një lokal në Tre Avenu, por si e djelë, kishte mjaft njerëz, prandaj ata vajtën e u ulën në një tavolinë andej nga fundi dhe pranë pianistit me syze të errta, që në atë moment po luante një tango të bukur spanjolle.

–Duhet të kishte ardhur, po pse u vonua? – pyeti ajo, që fjalën e kishte për të vëllanë, i cili si pjesë e një ekipi parlamentar, pati ardhur fillimisht në Washington dhe sot e priste që të vinte këtu.

– Ndofta nuk e di mirë lokalin ku ne jemi ulur? – iu përgjigj djali, por ajo në atë moment e pa që ai hyri tek dera, prandaj u ngrit, i doli përpara dhe mbasi u përqafuan, erdhën sëbashku me të në tavolinë.

– Ky është një shoku im, Edi – ia prezantoi ajo të vëllajit, dhe ndërsa ata i dhanë dorën njëri tjetrit, ajo e pyeti – si i kalove këto ditë në Washington?

– Është fat për ne shqiptarët që na u dha mundësia të lidhemi me një mik të madh siç është Amerika. Po juve djalë nga jeni? – iu drejtua ai Edit.

– Me origjinë jam nga Vlora, por kam pesëmbëdhjet vjet që sëbashku me nënën, jetojmë  këtu në Queens  – iu përgjegj ai dhe nga vera e kuqe “Kalifornia” që ua pruri kamarjeri, e zbrazi nëpër gota.

– Mirsejugjeta dhe gëzohem, që u njohëm! – i tha atij deputeti dhe për një moment vështrimin e hodhi nga pianisti që kishte në krah.

– Ju pëlqen interpretimi i tij? – u bë kurioz Edi.

– Artist me talent duket, por ja që ndonjëherë fati apo rrethanat të pengojnë dhe jo të gjitha dëshirat që mund të kesh, realizohen.

–  Dhe sidomos, kur ato dëshira të pengohen nga shteti dhe qeveria – e plotësoi thënien e tij, Berta, e cila deri në atë moment kishte qëndruar në heshtje, por Ruzhdiu vetëm e vështroi dhe nga që kamarjeri u pruri në atë moment gjellët që ata kishin porositur, s’e pa të arësyeshme që ta pyeste me shumë.

– Enjoy! – u tha djali me përparse të bardhë dhe u largua.

Berta, duke ngrënë, hidhte herë pas here vështrimin edhe nga i vëllaji, i cili kish filluar jo vetëm të shëndoshej, por marë gjithashtu edhe pamjen e një zyrtari të lartë.

– Sikur deshët të thoshit diçka në lidhje me qeverinë dhe unë si deputet, ndjej, sigurisht, detyrën që t’u përgjigjem – u drejtua ai nga e motra.

– E kisha fjalën për shokun tim, Edin, i cili nga ai regjim ka qënë i diskriminuar dhe mohuar gjithashtu gjithçka.

– Po më vjen keq, që si dhe shumë familje të tjera të persekutuara, e paskeni ndjerë egërsinë e atij sistemi – u kthye ai nga i riu dhe deshi të vazhdonte akoma, por Edi e ndërpreu.

– Por as dënimi i krimeve të komunizmit nuk është bërë, as dosjet s’janë hapur dhe as pronarëve s’u është dhënë akoma prona e tyre dhe për të gjitha këto, juve politikanët u akuzojnë që pengoni, bile edhe futjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Si i shpjegoni ju këto?

– Sot – iu përgjigj ai mbas një heshtje dhe fshiu njëkohësisht buzët me pecetë –  gazetat,  televizioni dhe mediat janë të lira që mund të denoncojnë gjithçka dhe qeveria jonë është e detyruar që jo vetëm t’i marë ato denoncime parasysh, por dhe t’u përgjigjet. por kjo temë do kohë që të shtjellohet,  prandaj e lemë për në një rast tjetër.

– Dhe këtë rastin tjetër shqiptarët kanë njëzet e ca vjet që po e presin – ndërhyri Berta – por një denoncim është bërë edhe për gjyshin tonë, Rakipni, i cili në kohën që ka qënë në  ministrinë e brendëshme, ka torturuar një person aq shumë, sa ai ka pësuar demtime të rënda psiqike dhe në këtë gjëndje, vazhdon që të jetë akoma edhe sot. Besoj që këtë informacion duhet që ta kesh parë apo lexuar edhe ti në internet – u drejtua ajo nga i vëllaji, i cili kish mbaruar së ngrëni dhe po bëhej gati që të ngrihej.

– Gjyshi ynë, sipas teje, paska bërë krim !? – e pyeti ai dhe vetulla e djathtë nisi që t’i lëvizë.

–  Për fat të keq, po! – I tha Berta e vendosur.

Ambienti në tavolinë u tensionua dhe dora e djathtë e Ruzhdiut, nisi që t’i dridhej aq shumë, sa edhe gotën e verës, mezi po e mbante.

– Edhe mundet, edhe mundet – bëlbëzoi ai mbas një heshtje – po tani gjyshi ynë ka kohë që ka vdekur dhe ç’interes do kishte që të hapeshin edhe njëherë ato plagë.

– Më falni, po pikërisht për këto plagë folëm edhe pak më parë – I tha Edi, i cili ishte në dijeni që familja e Bertës patën qënë komunistë, por jo të përlyer edhe në krime.

-Meqënëse nesër kam një takim me komunitetin shqiptar në Bronx, dhe më duhet që të pergatitem pak, më falni, por duhet të ngrihem – u tha atyre Ruzhdiu dhe mbasi vajti e mori pallton që e kishte lënë në garderobë, u drejtua nga dera.

– Ndofta shihemi përsëri – i tha ai Edit dhe i zgjati dorën.

– Mundet – iu përgjigj djali dhe u largua, , ndërsa ata motër e vëlla nisën të ngjiten në tre Avenu, por nga që qe prag Viti i Ri dhe kishte mjaft lëvizje, mezi po çanin. Vitrinat e dyqaneve e sidomos ato të  ‘Bloomingdales’, në krahun tjetër shëndrisnin nga dritat shumngjyrësh të neonëve, por ata po ecnin në heshtje dhe asnjëri s’po fliste.

“Edhe dikush tjetër e pati ngacmuar atë për të kaluarën familjes së tij, por sot qe e motra, që po e akuzonte”, po mendonte Ruzhdiu me vete.

– Vëlla i dashur! – e prishi atë heshtje, së fundi, Berta dhe i futi atij krahun – mendon që ti, apo dikush tjetër si ti, nuk jeni të denjë, për të përfaqësuar vullnetin e shqiptarëve në atë parlament? Dhe nëqoftëse jo, merre të lutem i pari ti këtë inisiativë dhe largohu. Më beso që kam për të dashur akoma edhe më shumë.

– Ç’farë? – e pyeti ai dhe zëri që i doli, nuk iu duk si i tija – po më kërkon që të largohem nga politika? Jemi në demokraci, motër e dashur, dhe unë nuk mbaj përgjigjësi për çka mund të ketë bërë gjyshi ynë para një gjysëm shekulli, sepse në këtë mënyrë veprohej vetëm në komunizëm.

– Po moralisht a mban? – e pyeti përsëri Berta – sepse ashtu siç trashëgohen veset, edukata e mirë apo e keqe, trashëgohen edhe bindjet politike dhe lindur e rritur në një familje komunistësh fanatikë, siç kanë qënë prindërit tanë dhe i gjithë rrethi ynë familjar, mendon se ti pasardhës i tyre, je demokrat?

Kishin mbërritur në 70 St, ku Ruzhdiu do merrte autobuzin për tek hoteli, ku ai sëbashku me ekipin e tij patën zënë dhe duke pritur për dritën jeshile që të kalonin në krahun tjetër, ai me bisht të syrit vështroi nga e motra, e cila këtë herë iu duk jo vetëm më ndryshe nga herët e tjera, por edhe sikur po i ndruhej vështrimit të saj.

– A do takohemi nesër përsëri? – e pyeti ajo, por ftohtë dhe jo me atë ngrohtësinë, që ajo shprehte ndaj tij zakonisht.

– Patjetër – iu përgjigj i vëllaji, por me ç’kuptoi ajo kishte akoma të tjera gjëra për t’i thënë……!

Hipi në autobuzin e linjës që erdhi mbas pak, por mendja i rrinte akoma tek diskutimi që bënë në tavolinë. Nxorri nga xhepi celularin dhe i ra numurit të saj, por nga që nuk mori përgjigje, i la mesazh; “Berta, dua që nesër të takohemi medoemos”. Zbriti në ndalesën e fundit dhe i qetë për vendimin që mori, për ç’ka do t’i thoshte të motrës nesër, fut në hollin e hotelit, përshëndeti djalin që rrinte në desk dhe u drejtua për nga ashensori….

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Gjenerata e Trete, Hasan Kostreci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1095
  • 1096
  • 1097
  • 1098
  • 1099
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT