• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Miti i katastrofës

January 2, 2019 by dgreca

…Rilindësit duhen lexuar e rilexuar gjithmonë,  sidomos në kohëra të vështira. Duke i shfletuar tani,  shikojmë se,  përveç shqetësimit të tyre themelor: çlirimit të Shqipërisë e pavarësisë së saj,  ishte një ankth tjetër,  i vazhdueshëm,  i lidhur ngushtë me të parin: Rizgjimi i atdhedashurisë./

kadare11

Nga Ismail KADARE*/

Popujt,  ashtu si qeniet njerëzore, kanë dëshirë të kujtojnë fatkeqësitë e kaluara. Me kalimin e viteve,  shpesh qëllon që këto fatkeqësi të skajuara në ndërgjegjen e tyre,  ndryshojnë trajtë,  rrallë herë zbehen ose harrohen,  së shumti zmadhohen ose nxihen më fort. Në ndryshim me qenien njerëzore,  që e ka jetën të shkurtër,  jetëgjatësia e kombeve krijon kushte për tjetërsimin e fatkeqësive,  të cilat disa herë shndërrohen në mite të vërteta. Në këto mite mbështetet shpesh kujtesa historike,  prej tyre ushqehen letërsia dhe artet ose krijohen psikoza fataliste që ngjyrojnë për një kohë të gjatë atë që quhet shpirtësi e një populli. Ndërkaq,  kaq raste që prej këtyre miteve ushqehen propagandat shoviniste e doktrinat hakmarrëse kundër popujve të tjerë.

Një nga mitet tipike që gjendet në historinë e shumë popujve është ai i katastrofës së dikurshme. Është një thyerje ose një humbje e dhembshme ose disa gjëma të njëpasnjëshme,  kujtimi i të cilave nuk ka asgjë të keqe,  përkundrazi,  shërben për fisnikërimin e një populli,  kur selitet në një kah të mbarë.  Për fat të keq,  koha ka treguar se mund të shërbejë edhe për të kundërtën: për ta egërsuar një popull kundër të tjerëve.

Fatkeqësitë e kaluara të popullit shqiptar,  pushtimi osman në shekullin XV,  copëtimi i Shqipërisë në fillim të shekullit XX dhe izolimi e saj nga bota,  për faj të diktaturës komuniste në gjysmën e dytë të këtij shekulli,  nuk krijuan të shqiptarët as doktrina shfarosëse,  as urrejtje kundër të tjerëve dhe kjo është një cilësi e admirueshme e tij. Nderimi dhe mbrojtja e tjetrit,  e atij që është i ardhur,  i huaj,  mik ose bujtës,  një mendësi që vjen qysh nga kohërat antike,  ka qenë një nga gurët  themelore  të qytetërimit shqiptar.

Që ky nderim nuk është një shpikje poetësh  e as një cilësi e elitës shqiptare,  u rivërtetua  gjatë Luftës së Dytë Botërorë. Dhjetëra – mijëra ushtarë italianë të mbetur në Shqipëri nën mëshirën e popullsisë së armatosur  shqiptare,  pas kapitullimit të Italisë,  nuk u prekën aspak prej kësaj popullsie,  përkundrazi u morën në mbrojtje prej saj. Nga ana tjetër,  është një fakt i njohur tashmë se  Shqipëria ishte një nga vendet e rralla në botë,  në mos i vetmi,  ku  asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve.

Diktatura komuniste me politikën e saj veçuese u përpoq ta armiqësonte popullin  shqiptar me të gjithë botën,  kryesisht me Evropën Perëndimore,  por nuk ia doli dot.  Pas rënies së komunizmit,  populli shqiptar dëshmoi ndaj të huajve evropianë dhe amerikanë po atë ndjenjë miqësore të dikurshme.

Kjo tolerancë e gjerë e këtij populli,  e shoqëruar me tolerancën fetare,  gjithashtu të vërtetuar gjatë shekujve,  nuk u vu në dukje e nuk u çmua asnjëherë sa duhet. E ishte e nevojshme,  për të mos thënë e detyrueshme,  të çmohej,  sepse kishim të bënim me një shembull të shkëlqyer ballkanik,  në kohën që gadishulli i madh u përfshi tej e mbanë nga furtunat shoviniste,  nga intoleranca e urrejtja etnike e nga krimet e rënda të ushqyera prej saj.

Për t’u kthyer të miti i katastrofës,  ky mit te shqiptarët,  ndërsa nuk shkaktoi acarimin kundër të tjerëve,  mori,  për fat të keq,  një zhvillim të papritur: revoltim kundër vetvetes. (f9-11)

Psikoza mohuese

Rilindësit duhen lexuar e rilexuar gjithmonë,  sidomos në kohëra të vështira. Duke i shfletuar tani,  shikojmë se,  përveç shqetësimit të tyre themelor: çlirimit të Shqipërisë e pavarësisë së saj,  ishte një ankth tjetër,  i vazhdueshëm,  i lidhur ngushtë me të parin: Rizgjimi i atdhedashurisë.

Këmbëngulja e tyre për këtë rizgjim,  kambanat e tyre,  thirrjet e zjarrta,  shpeshherë të dëshpëruara  «Ti Shqipëri më jep nder,  më jep emrin shqiptar ! » dëshmojnë një të vërtetë tepër dëshpëruese: një pjesë e shqiptarëve ishte ftohur prej atdheut të tyre . Turqizimi i qindra-mijëra shqiptarëve,  greqizimi i një pjese tjetër,  ngatërimi i përkatësisë shqiptare me atë fetare,  dëshmonin se ndjenja patriotike te një pjesë e shqiptarëve ka qenë jo aq e fortë siç paraqitej. Një pjesë e tyre me lehtësi ishin gati ta këmbenin atdheun e tyre me një tjetër atdhe.

Injoranca e thellë ku u zhyt për shumë shekuj populli shqiptar,  mungesa e shkollave,  e universiteteve,  e akademive,  e institucioneve kulturore e,  natyrisht, mungesa e strukturave shtetërore,  e zbehu fort shqiptarizmin  ose,  në rastin më të mirë,  e la atë në një nivel parak (primitiv),  që me vështirësi e kapërcente folklorizmin. Në kushte të tilla,  takimi me një kulturë të huaj  ishte tronditëse për shqiptarët.

Ajo krijonte dy rrjedhime: ose i shtynte ata,  që në shembullin e kësaj kulture të ringjallnin kulturën e vendit të vet,  ose e kundërta, i largonte përfundimisht prej atdheut. Kështu,  në agimin e çlirimit të Shqipërisë,  i kemi pasur të dyja prirjet: atdhedashurinë e disave dhe anti shqiptarizmin e,  disa herë,  kundër shqiptarizmin  e të tjerëve. Rilindësit u përpoqën si titanët t’i bindin  shqiptarët se nuk duhej të turpëroheshin nga vendi i tyre,   se ata kishin një atdhe të bukur,  se kishin një gjuhë madhështore,  një nga 5-6 gjuhët themelore të botës,  së ishin një racë e bukur trupërisht dhe tepër e aftë mendërisht,  së kishin një histori të shkëlqyer,  se gjëmat kombëtare nuk ishin arsye për t’u ftohur me atdheun,  por përkundrazi,  për t’u afruar më fort me të.

Aksioni i rilindësve për zgjimin e Shqipërisë ishte më i madhi e më i gjëri aksion kulturor e patriotik në krejt historinë shqiptare. Rrallëherë emërtimi i një lëvizjeje përkonte me qëllimin e saj,  ashtu si në rastin e Rilindjes shqiptare.  Në të vërtetë,  ishte ajo që e rilindi Shqipërinë,  ose për të qenë më të saktë,  ishte ajo që e lindi Shqipërinë moderne.

Që kjo lëvizje e ky vrull të ishin të suksesshëm,  rilindësit e himnizuan dhe e sublimuan historinë e shqiptarëve. Ata qëmtuan në të kryesisht kulmet e ndritura,  duke mos u ndalur në njollat e saj.  Po me këmbëngulje ata vunë në pah vlerat morale e fizike të shqiptarëve,  kryesisht virtytet,  pa dashur të ndalen në cenet e tyre,  që nuk ishin më të pakta se virtytet.  Kjo ishte rrjedhojë logjike e qëllimit të lëvizjes: rifitimin e besimit të humbur.

Një arsye tjetër që e përligjte plotësisht optikën e tyre pozitive ishte propaganda  kundër shqiptare,  që kishte nisur ndërkaq të kultivohej nga fqinjët e Shqipërisë: kryesisht nga rrethet shoviniste serbe e greke.  Ishte një propagandë e egër dhe shtazarake që rrallëherë ishte parë në faqe të dheut.  Përballë kësaj furtune të sëmurë,  rilindësit shqiptarë mbajtën një qëndrim fisnik e të admirueshëm .

Në vend që të binin në nivelin e saj,  duke u përdhosur edhe vetë nga balta  e kundërshtarëve,  ata zgjodhën përgjigjen e tërthortë: lartësimin e vlerave shqiptare.

Ky vizion optimist i rilindësve, i përfaqësuar në radhë të parë prej Naim Frashërit e më vonë prej Gjergj Fishtës,  u bë objekt vërejtjesh e kritikash më pas e vazhdon ende sot,  në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë.  Në ngjarjet e fundit tragjike të Shqipërisë ishte pikërisht ky vizion  rilindës që u sulmua në mënyrën më barbare.  Një grusht intelektualësh renegatë e një grusht politikanësh të papërgjegjshëm,  të bashkuar me turmat e vulgut (llumit) shqiptar,  u përpoqën dhe arritën t’ia vinin zjarrin Shqipërisë. Qëllimi i tyre ishte zhbërja e Shqipërisë,  çka ata e treguan me shkatërrimet e vlerave kombëtare,  të atyre që nuk ishin prekur as nga pushtuesi otoman e as nga ai nazist.

Nga këto ngjarje Shqipëria,  e ndoshta jo vetëm Shqipëria,  por Evropa e tërë,  nxori një mësim që asnjëherë nuk ka qenë kaq i qartë: në kushtet e demokracisë,  turmat vulgare të fshehura prapa fjalës « popull » mund të kthehen në varrmihës të demokracisë,  po aq sa tiranët,  në mos më keq.  Kjo është edhe arsyeja që grekët e vjetër, kur diskutonin për demokracinë,  për të mirat e të këqijat e saj,  ishin tepër gjakftohtë,  pa paragjykime,  rrjedhimisht pa entuziazëm. Nën trysninë e populizmit të  majtë,  bota e sotme,  ashtu siç ka harruar mjaft mësime të historisë,  e ka harruar,  me sa duket,  edhe këtë mençuri antike.  Shqipëria,  që e provoi në mish të saj ç’do të thotë kjo karikaturë e demokracisë shpresojmë të mos e harrojë.

Mësimi,  pra,  është i qartë: demokracia e pashoqëruar nga një strukturë ligjesh e një strukturë e fortë shtetërore që të sigurojë funksionimin e saj,  mund të kthehet lehtë në të kundërtën e vet.

Për sa i përket kritikës ndaj vizionit të rilindësve shqiptarë,  ajo,  gjithashtu,  duhet parë në rrethanat kur është bërë e në zhvillimin e dramës shqiptare. Ai këndvështrim inkurajues lindi në kushte të caktuara,  për një qëllim të caktuar. Në kushte të mëvonshme, kur kombi shqiptar,  ose së paku një pjesë ë tij që e kishte shtetin e vet të pavarur,  ndeshej me probleme të tjera,   me probleme të së drejtës,  të demokracisë,  të emancipimit shoqëror etj. ai këndvështrim  optimist nuk ishte i mjaftueshëm .  Ndaj edhe bota shqiptare kërkoi dhe gjeti shtigje të reja të mendimit e të veprimit.

Ndërkaq duhet thënë se,  sipas një tradite të keqe ballkanase e sidomos shqiptare,  tradita e të hedhurit nga një skaj në tjetrin,  shumë shqiptarë u treguan të paaftë të pranonin zhvillimin e mendimit e të kulturës politike.

Duke mos e kuptuar pasurimin e traditës ata nuk njihnin veç shkëputje të dhembshme,  shkëputje të pasuara me rrënim,  paroksizmi i të cilave arriti kulmin në mars të vitit 1997.

Në botën e egër ku jetojmë,  në kushtet kur Shqipëria është ende e brishtë,  kur ajo është realisht e jo mitikisht e kërcënuar,  në  kushtet  sidomos kur kombi shqiptar vazhdon të jetë i prerë më dysh,  vizioni rilindës mbetet vizioni bazë për botën shqiptare. Kritika kundër veseve e ceneve tona,  ashtu siç bën gjithë bota për vetveten,  nuk është veçse një plotësim i këtij vizioni e jo një përmbysje e tij.

Për të parë më  qartësisht si funksionon një bashkëjetesë këndvështrimesh,  që në shikimin e parë,  duket e pamundur,  le të kujtojmë Faik Konicën dhe qëndrimin e tij ndaj Naim Frashërit.  Konica,  personalitet brilant  i botës dhe kulturës shqiptare,  ishte i pari që u përpoq të hidhte një dush të ftohtë mbi zjarrminë rilindëse.  Me të drejtë,  ai u përpoq t’u kujtonte shqiptarëve jo vetëm cenet e tyre,  por edhe mbrapshtitë dhe marrëzitë e tyre të herë pas hershme.

Ndërkaq,  e parë nga largësia e kohës,  këndvështrimi i tij është kundërthënës. Ai është vetë rilindës e po vetë kthehet kundër rilindësve. Punon e digjet për Shqipërinë  e,  aty për aty,   i pëlqen të tallet me të tjerët që bëjnë të njëjtën gjë. E adhuron dhe e lavdëron Naim Frashërin e më pas kthehet e  s’i lë gjë pa thënë.  Përgjërohet për atdheun që e ka larg,  e mbron ku mundet,  i del për zot kundër shpifësve e racistëve,  pastaj kthehet e shan,  e quan Zululand ai vetë,  më keq se racist. Mund të thuhet kështu se është ai,  vetë Konica,  që ngrihet kundër Konicës.

Nuk do të ishte me vend t’i kujtoheshin këto këtij kolosi të kulturës shqiptare ( në fund të fundit kolosëve u çmohen kryesisht lartësitë),  sikur kjo anë e tij kundërthënëse të mos shfrytëzohej me qëllime të mbrapshta ende sot. Vitet e fundit,  kur në prag të hyrjes së Shqipërisë në familjen evropiane,  kundër saj e kundër kombit shqiptar shpërtheu një fushatë e tërbuar raciste,  me emrin e Konicës dhe me veprën e tij u bënë spekulime nga më monstruozet.

Një zhgan intelektualësh antishqiptar,  së bashku me një pjesë të medias botërore,  që iu sulën me një urrejtje shtazarake popullit të vogël shqiptar,  për të përbaltur,  për ta mallkuar,  për ta ndarë përjetë nga familja e popujve evropianë,  u rrekën ta bënin Konicën flamur të tyre. Ky do të ishte gabimi më i lemerishëm për Konicën e madh. Ndaj,  për ta mbrojtur jo vetëm kombin shqiptar,  por atë vetë,  birin e tij të madh,  jemi të detyruar të kujtojmë kundërthëniet ë tij.  Në fund të fundit,  përçmimi dhe balta që do t’i hidhej këtij kombi do të përbalte,  në radhë të parë,  fytyrën e kolosit (f 13-21)

Antishqiptarizmi  si  profesion  fitimprurës

Rasti i Konicës,  më mirë ndoshta së çdo tjetër,  na kujton cilësitë e shqiptarit: edhe kur ngjitet në lartësitë sublime,  herë pas here,  që nga thellësitë e racës,  i vijnë vrullet zemërake. Por më shumë se kjo,  rasti i Konicës shtron një pyetje madhore në këtë fund mijëvjeçari: ç’imazh kanë për vetveten shqiptarët ?

Është një çështje themelore që kapërcen dukshëm anën kulturore e etikë. Ky çmim i vetvetes lidhet me vlerësimin  që ata i bëjnë kombit të tyre në përgjithësi,  ai lidhet me  vlerësimin e atdheut,  së fundi ai lidhet me çështjen themelore se sa janë ata të vendosur të mbrojnë ekzistencën e tyre si komb në rruzullin  e shqetësuar botëror.

Nuk është as shpikje poetesh,  as propaganda nacionaliste,  e aq më pak komuniste,  të thuhet se vendi ynë,  Shqipëria,  ka qenë disa herë në buzë të humnerës. Traktatet për ta ndarë atë midis fqinjëve,  programet e doktrinat për ta shpërbërë kombin shqiptar janë aty,  në arkivat e shumë shteteve,  me data,  me vula,   me emra.  Dhe shumë prej tyre nuk janë aspak të vjetra. Ato kanë në fund vitet 1913,  1918,  1938,  e disa janë fare të reja.

Në këto kushte,  në kushtet kur tërbimi nacionalist antishqiptar merr përmasa të tilla,  saqë në mars të vitit 1997,  në demonstratat e Shkupit njerëzit kanë guxim të ulërijnë « shqiptarët në krematorium !» kuptohet që të jesh antishqiptar është fare e lehtë,  madje është shpesh fitimprurëse.  Kështu,  dhe kurrsesi ndryshe,  mund të kuptohet vala antishqiptare që shpërtheu rrotull Shqipërisë  dhe brenda në Shqipëri kohët e fundit. Kështu shpjegohet përse një grusht intelektualësh renegatë shqiptarë u bënë befas të përkëdhelurit e disa forumeve ndërkombëtare dhe,  ç’është më e keqja,  zëdhënësit për problemet shqiptare.

Shkurt,  antishqiptarizmi u kthye në profesion. Është kjo frymë e sëmurë që ndihmoi për rrëzimin e strukturave të shtetit shqiptar brenda dy-tri javësh,  e cila bëri që gjeneralë dhe oficerë shqiptarë,  në mënyrë të turpshme,  të braktisin postet e tyre,  për të përfituar një azil politik në Itali,  që vulgu shqiptar t’u vërë zjarrin tempujve të kulturës shqiptare.

Në kushte të tilla,  të ulërish ende se në Shqipëri ka patriotizëm të tepruar,  se letërsia shqipe është nacionaliste etj. është me të vërtetë thirrje e hapur për tradhti të hapur tashmë ndaj atdheut.

E gjithë kjo lidhet me një sërë pyetjesh themelore: a janë shqiptarët patriotë më shumë se ç’duhet,  apo përkundrazi,  janë ftohur me vendin e vet ?  A mos po e mbiçmojmë pa të drejtë veten dhe vendin e tyre,  a mos përkundrazi e përçmojnë pa të drejtë veten dhe atdheun,  me fjalë të tjera: a e duan këtë vend që u ka dhënë emrin qysh prej dy mijë vjetësh,  apo ëndërrojnë ta këmbejnë me një tjetër vend,  ëndërr e mbrapsht kjo që ka ngritur krye aty-këtu në kohën tonë ? Në prag të mijëvjeçarit të tretë,  shqiptarët janë të detyruar të nxjerrin ende mësime nga drama e tyre,  që ndodhet ende në zhvillim.

Në kushtet e një klime të ashpër ndërkombëtare,  kur ata,  i vetmi komb i ndarë tragjikisht në Evropë janë të detyruar të durojnë mospërfilljen botërore për gjëmën që u ka rënë në kokë, në kushtet e vetmisë së tyre,  të trysnisë së një propagande dashakeqe që e ka përbaltur imazhin e tyre në botë,  duke e paraqitur herë si popull të dhunshëm,  herë fondamentalist,  herë barbar e herë të lajthitur,  shqiptarët janë të detyruar,  midis të tjerash,  të bëjnë një zgjidhje e sqarim themelor në ndërgjegjen e tyre lidhur me patriotizmin.

Mendimit të mbrapshtë që e ngatërron patriotizmin me nacionalizmin,  që e paraqet antipatriotizmin si balsam kundër nacionalizmit,  ata duhet t’i përgjigjen me një JO të prerë.  Patriotizmi nuk është nacionalizëm dhe antipatriotizmi është po aq i rrezikshëm sa shovinizmi.

Ata që i japin shpesh këshillat kundër patriotizmit,  e kanë siguruar ndërkaq patriotizmin në vendet e tyre,  dhe si gjithë të velurit i lejojnë vetes luksin të nazetohen më të. Ndërkaq,  sovranitetin për vendin e tyre e kanë siguruar gjatë shekujve,  pa kursyer asgjë,  madje as forcën e armëve. Askush nuk shqetësohet në Francë kur presidenti e mbaron çdo fjalim me fjalët  « Rroftë Franca !»,  dhe askush nuk acarohet në ShBA kur në të gjitha meshat bekohen shteti amerikan,  presidenti i vendit dhe ushtria amerikane.

Le të pranojmë me trishtim se në krejt Gadishullin Ballkanik,  në kohën kur shumica e vendeve u përfshinë nga valët e egra nacionaliste,  te shqiptarët ndodhi e kundërta. Kjo ishte një rënie në kurth nga më të turpshmet për një komb. Ishte thënë që,  pasi u përpoqën t’i japin botës shembullin grotesk të popullit të parë pa fe në botë,  majmunët e vendit tonë u joshën nga mbrapshtia tjetër: të japin shembullin e popullit PA ATDHE.

Thyerja morale e popullsisë shqiptarë në këtë fund shekulli ishte një nga humbjet më të rënda të tij. Ajo ishte,  me sa duket,  rrjedhoja më tragjike e diktaturës cfilitëse komuniste në Shqipëri dhe e terrorit shtazarak serb në Kosovë e vise të tjera të Jugosllavisë.

Thyerjet morale janë të njohura në jetën e popujve. Ashtu siç janë të njohura ringritjet. Për t’u ringritur,  kombit shqiptar i duhet të tendoset e të nxjerrë nga thellësitë gjithë rezervat që ka skajuar aty,  ato rezerva,  që popujt,  sipas një teknologjie të lashtë,  i ruajnë për ditë të zeza e i nxjerrin në stinë fatkeqësish.

Raportet me atdheun zënë në këtë rast vendin kryesor. Shqipëria s’ka nevojë për ekzaltimë vulgare,  por aq më pak ka nevojë për përçmim. Mendimi se Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë tepër të himnizuar nga kultura shqiptare,  ndaj tani duhet t’i rrëzojmë në baltë për t’i sjellë në vete,  është doktrinë e antishqiptarizmit.

Kultura dhe mendimi i një populli qëndron gjithmonë në një lashtësi të shquar për ku përpiqet të tërheqë e ta ngrejë gjithë kombin. Dy shekuj më parë,  Gjermania e Gëtes dhe e Shilerit ishte shumë larg Gjermanisë së prapambetur e fshatarake e,  megjithatë,  askush nuk e cilëson mendimin gjerman si elitist ose ekzaltues.

Nisur nga kjo,  mund të thuhet pa droje se mendimi rilindës shqiptar,  ndonëse tepër i lartë në krahasim me gjendjen reale të popullsisë shqiptare,  ishte plotësisht i përligjur. Nga ana tjetër,  duke e pranuar nevojën e plotësimit të këtij mendimi me një vizion kritik e qortues (korrigjues),  duke e pranuar,  pra,  si të drejtë në thelb prirjen kritike të Konicës,  megjithatë në emër të një të vërtete madhore,  duhet thënë se kritika e tij kundërthënëse ishte në përgjithësi  e tepruar dhe e parakohshme.

Vetë ai e dëshmon këtë,  jo vetëm me atë pjesë të veprës së tij që është mbrujtur plot dashuri e përgjërim për Shqipërinë,  por edhe me veprimtarinë si ambasador i vendit të vet në ShBA,  detyrë që ai e kreu shkëlqyeshëm për një kohë të gjatë. Ambasadori me i kulturuar e më brilant i kohës në Uashington,  ai bëri çmos të paraqiste Shqipërinë e qytetërimin shqiptar në dritën më të mirë të tij,  duke e mbrojtur nga keqkuptimet e nga përçmimi,  që ajmé,  ishte ngritur disa herë vetë t’ia shprehte vendit e popullit që e kishte lindur. (f23-28)

Mbi  drejtpeshimin

Kombi shqiptar në këtë fund shekulli vazhdon  të përjetojë orën e ligë të tij. Ai është i goditur rëndë në trupin e vet,  ngaqë është i ndarë e i shpërndarë në tri shtete. Por ai ka marrë goditje psikike po aq të rënda,  në mos më tepër: ai është i thyer moralisht .

Ri ngritia morale e popullit shqiptar është aksioni më i ngutshëm në këtë kohë të rëndë. Ai është çelësi,  pa të cilin nuk mund të ndërmerret asnjë veprim tjetër shpëtues. Në qoftë se populli shqiptar do të vazhdojë ta përçmojë e ta përbaltë vetveten,  në qoftë se ai,  në mënyrë iracionale,  do të synojë drejt shpërnguljes,  qoftë nga trojet e tij në Kosovë,  qoftë nga trojet e shtetit shqiptar,  në qoftë së ai do të vazhdojë të ngrejë dorën kundër strukturave shtetërore të tij,  të çfarëdolloj ngjyre politike të jenë ato,  ai do të ecë drejt greminës.

Kahu i mbarë i një kombi nis nga ai vetë,  ashtu siç nis zezona e tij. Mendimi që kombi shqiptar do të ketë për vetveten,  në një mënyrë ose një tjetër do të rrezatojë e do të kthehet në një realitet. Imazhin e mirë ose të keq për një popull nuk mund ta krijojnë për një kohë të gjatë as zyrtarët e tij,  por as renegatët e tij;  atë s’mund ta krijojnë as nacionalistët e ekzaltuar,  por as vulgu i egër e i verbër. Aq më pak mund ta krijojnë atë diplomatët mëndje lehtë,  gazetarët e pabesë,  denoncuesit,  psikopatët dhe paranojakët e dehur për lavdi.

Njeriu shqiptar,  i lodhur nga kalimet e befta prej vetëmbrojtjes drejt vetë përbaltjes,  dhe e kundërta,  ka nevojë më tepër se kurrë për rifitimin e drejtpeshimit shpirtëror. Drejtpeshimi nuk ri gjendet duke përdorur përndezjen nacionaliste si kundërhelm ndaj vet përçmimin,  e aq më pak duke e përdorur këtë të fundit si balsam kundër kapardisjes. Për të shmangur kalimin  nga një dush i nxehtë në një dush të ftohtë,  njeriu shqiptar ka nevojë sot për orientim të saktë. Disa pyetje të thjeshta,  por themelore e bazë,  çohen sot përpara tij: ç’popull jemi ? Domethënë,  a jemi si të tjerët ?

A kemi mëkate për të larë,  a kemi borxhe për të  paguar ?

A jemi vërtetë fatkeq apo ashtu na duket,  apo ashtu na pëlqen të shfaqemi përpara vetes dhe botës ?

Të gjitha këto pyetje mund të formulohen në një motërzim edhe më të thjeshtë: ne shqiptarët,  pas dymijë vjetësh ekzistencë,  tani në prag të mijëvjeçarit të tretë a i kemi ende aftësitë trupore e shpirtërore për të vazhduar të jetojmë si komb,  apo koha jonë ka kaluar ?

Pa rënë në kurrfarë optimizmi të kotë,  mund të thuhet pa droje se,  pikërisht sot,  shqiptarët,  pavarësisht nga lëngata që u ka rënë e përpiqet t’i vërë poshtë,  kanë shanset më të mëdha për të zënë përfundimisht vendin që prej kohësh e kanë merituar në familjen e popujve. Madje,  kjo lëngatë e kjo krusmë e tmerrshme është ndoshta shenja më e sigurt për një të ardhme plot shpresë. Në jetën e shumë popujve janë të njohura këto gremina,  pas të cilave kanë ardhur ngritjet,  disa herë marra mëndëse. 

Le të kthehemi te pyetjet e thjeshta themelore. Fati,  ndonëse na është bërë zakon ta mallkojmë,  na ka caktuar ne shqiptarëve të jetojmë në një nga zonat më të bukura të Evropës. Evropa vetë,   ndërkaq së bashku me ShBA-në,  është tani për tani lagja më luksoze e botës. Ne harrojmë shpesh këtë,  harrojmë që ky vend,  sharjet ndaj të cilit i kemi në maj të gjuhës,  ky vend  pra,  i vendosur midis Venedikut,  Romës e Athinës ka një përbërje  gjeografike të mrekullueshme,  se ai ka një klimë të admirueshme,  se ka pasuri natyrore të shumta,  se ka ndoshta plazhet më të bukura të kontinentit. Ne harrojmë ç’do të thotë ankthi shekullor i vendeve që nuk kanë dalje në det,  pa përmëndur vendet e izoluara në thellësi të kontinenteve,  pa përmëndur trojet e gjëra të kësaj bote të mbushura me shkurre,  shkretëtirat e trishtim,  e që mbulojnë tri të katërtat e rruzullit tokësor. Në i harrojmë këto dhe,  me qënëse jemi midis një kopshti plot me shtete pasanike,  na pëlqen të qahemi që nuk jemi si ata.

Ne vuajmë nga kompleksi i vogëlsisë dhe harrojmë se shtati i popullit shqiptar,  pavarësisht nga prerja e trojeve të tij,  nuk është aspak i vogël në këtë gadishull,  se ai është përafërsisht i barabartë me shtatin e grekëve,  të serbëve e të bullgarëve. Përsëritja gjer në lodhje e shprehjes « Shqipëri e vockël »,  « popull i vogël »,  s’është veçse shprehje e një dëshire për të fshehur për tkurrjen e më tejshme të këtij populli.

Ndërkaq,  porsa diku del në pah ndonjë mendim,  ndonjë program ose ndonjë pyetje:  përse shqiptarët,  ndryshe nga popujt e tjerë,  duhet të jetojnë të ndarë,  aty për aty harrohet përçmimi për vogëlsinë dhe kumbon shprehja « Shqipëria e madhe » . Kjo shprehje përsëritet më një farë tmerri,  si diçka e rrezikshme,  thua se në këtë botë vetëm 8 osë 9 milionë shqiptarët po të jetojnë bashkë bëhen të rrezikshëm për botën !

E ndërkaq,  askush nuk thotë,  sipas kësaj logjike,  se 90 milion gjermanët e bashkuar janë të rrezikshëm,  e aq më pak askush nuk thotë se 250 milion rusët,  bashkë me bombat e tyre bërthamore janë kërcënim për të tjerët.

Në qoftë se s’duhet të vuajnë as nga kompleks i «vendit të mallkuar »,  as nga ai i vogëlsisë numerike,  shqiptarët aq më pak kanë njohur kompleksin e racës.  Jo vetëm që në botën e sotme të çliruar nga paragjykimet raciste ata paraqiten një popull i shëndetshëm,  si gjithë të tjerët,  por edhe në kushtet e dallimeve e doktrinave raciste,  duke qenë ndër të rrallët popuj të Evropës që nuk u prekën,  përkundrazi u lajkatuan prej këtyre doktrinave,  shqiptarët,  vetvetiu mbetën  jashtë këtij trazimi.

Merita e tyre është se ndërkaq ata nuk u dehen nga lajkat raciste dhe përveç theksimit ndoshta të kapardisjes,  teoria e racave s’pati pasoje në Shqipëri. Në sferën shpirtërore,  në zotërimin apo krijimin e vlerave,  shqiptarët s’kanë pasur kurrë arsye t’i kenë lakmi apo smirë të tjerët,  aq më pak kanë arsye sot për një gjë të tillë.

Shqiptarët janë krijuesit e bartësit e një prej gjuhëve themelore të njerëzimit,  një gjuhë që ka vendin e saj të paluajtshëm midis dhjetë-dymbëdhjetë gjuhëve kryesore të botës. Një nga vendet e para të krishtera të Evropës,  Shqipëria ka qenë rrjedhimisht truall fillestar i qytetërimit perëndimor evropian. Nga himni i madh i krishtërimit « Te Deum »,  i shkruar nga një peshkop shqiptar mbi një mijë e pesëqind vjet më parë,  të mbrojtësit te qytetërimit perëndimor,  Gjergj Kastrioti,  personazhi më sublim e më i njohur në botë,  jo vetëm i shqiptarëve,  por i krejt popujve të Ballkanit,  i cilësuar si « atlet i Krishtit »,  e gjer te murgesha shqiptare Nënë Tereza,  gruaja shqiptare më e famshme e botës së sotme,  kalon si një fill i ndritur dëshmia e këtij qytetërimi,  kaq shumë e kaq me këmbëngulje të mohuar nga dashakeqët e kombit shqiptar.

Dhe kjo është e kuptueshme: duhej fshirë kjo dëshmi për t’iu hapur rruga shpifjeve e shtrembërimeve të përbindshme,  për të ardhur gjer të teza e mbrapshtë se shqiptarët,  jo vetëm s’kanë të bëjnë me qytetërimin evropian,  por janë varrmihës të tij. Gjithashtu në këtë logjikë të mbrapshtë shpjegohen sulmet që iu bëhen vitet e fundit,  prej vetë renegatëve shqiptarë tashmë,  pikërisht gjuhës shqipe,  figurës sublime të Gjergj Kastriotit,  i cili u quajt « hajdut kuajsh dhe agjent i italianëve »,  si dhe krejt traditës kulturore shqiptare të djeshme e të sotme.

Paroksizmi i këtyre sulmeve ishte  pranvera e vitit 1997,  kur turmat e vulgut shqipetar,  të nxitura,  veç të tjerash edhe nga këta intelektualë renegatë,  u vunë  kazmën dëshmive të çmuara të qytetërimit shqiptar,  arkivave,  teatrove antike,  muzeut Gjergj Kastriotit !

Për të vazhduar me vlerat shpirtërore të krijuara nga ky popull,  le të kujtojmë poezinë orale shumëshekullore,  kodet zakonore,  ritet antike,  muzikën,  koreografinë,  kostumet e mahnitshme,  për të ardhur gjer të letërsia shqipe.  Kjo e fundit,  duke u futur në klubin e zgjedhur të letrave të mëdha të botës,  u bë veçanërisht e bezdisshme për ithtarët e tezës së shqiptarët janë të paaftë për kulturë. Ndaj,  ashtu si krejt qytetërimi shqiptar,  ajo do të pësonte sulmet e dëshpëruara e vulgare të anti shqiptarizmit. Në këtë rast do të ndodhin veprime të turpshme,  që asnjë vend,  sadopak dinjitoz,  nuk do t’i lejonte kurë sesi. Endacakë të huaj,  ata që s’i njeh kush e nuk i pyet kush në vend të vet,  mësues fshati nga Kalabria apo nga Gjermania e jugut ftohen në Shqipëri për të hedhur baltë mbi letërsinë shqipe e kulturën shqiptare.

Ky racizëm kulturor antishqipetar,  i pa shembullt  në botën e sotme,  u bë i mundur për shkak të kundër patriotizmit shqiptar. Të dy ishin ndër faktorët themelor që mundësuan rrënimin në mënyrë të turpshme të shtetit shqiptar,  të ushtrisë,  të policisë e të krejt ngrehinës shtetërore.

Racizmi kulturor antishqipetar merr pamje edhe më të shëmtuar e të papranueshme,  kur kujtojmë se vetë shqiptarët s’kanë kurrfarë përçmimi ndaj kulturës së të tjerëve. Mungesa e racizmit dhe e shovinizmit të shqiptarët,  pjellë e natyrshme e mendësisë së tyre të hapur e miqësore ndaj të huajve,  ndaj mikut,  bashkë me tolerancën fetare,  tolerancë e thellë,  e vërtetë,  e pa pudrosur nga kurrfarë  konformizmi,  janë,  ashtu siç u tha më lart,  cilësi të tjera themelore,  që dëshmojnë për një nivel qytetërimi të këtij populli  kaq të sulmuar për të kundërtën.

Për fat të keq,  ashtu si të gjithë popujt,  shqiptarët kanë cenet dhe veset e tyre,  po aq të forta,  ndoshta sa virtytet,  po ajmé,  me spektakolare se ato.

Ndryshe nga hebrejtë e disa popuj të tjerë,  që janë solidarë e të lidhur me njeri-tjetrin,  shqiptarët mezi ç’presin rastin për t’u përçarë. Natyra e tyre tejet individualiste është  xehë e pafundme për të pjellë egoizmin,  ambicien,  smirën dhe etjen për karrierë. Këndej rrjedh vaniteti,  kapardisja e neveritshme e sedra e sëmurë.

Këto cilësi të natyrës njerëzore që ndeshen kudo,  bëhen veçanërisht të rrezikshme  të shqiptarët,  për shkak të traditës së shkurtër të jetës nën një shtet shqiptar.  Prej tyre rrjedh  një keqkuptim tragjik për lirinë dhe për shtetin . Pa u pajtuar dot me atë ligj themelor që lirinë e njeriut të veçuar e vë detyrimisht në raport me lirinë e të tjerëve,  shqiptari shpesh  e ka të vështirë të kuptojë se liria njerëzore,  ndryshe nga liria absolute e kafshëve,  është madhështore pikërisht ngaqë është e vështirë,  domethënë e kufizuar nga ligji.  Këtej vijnë keq kuptimet  për demokracinë,  për vetë shtetin dhe ngrehinat e tij.

Koncepti  i gjymtë për shtetin,  zbehja e tij përpara tërheqjes fisnore apo klanore e çon disa herë në konceptin po aq të gjymtë për kombin,  kur krahinorizmi kthehet në rival të kombit.  Kjo është kushtëzuar,  me sa duket,  nga jetesa shumëshekullore nën Perandorinë Osmane,  pra,  nën një shtet që nuk ishte i tyre,  rrjedhimisht ndaj të cilit s’mund të kishin as nderim e as dhembshuri,  Periudha e Pavarësisë,  ajo e Republikës në fillim e pastaj ajo e Mbretërisë,  ishte relativisht e shkurtër,  kurse gjatë sundimit të egër komunist,  koncepti i shtetit  u zbeh përsëri nën peshën e diçkaje të parrokshme,  të huaj e,  në fund të fundit,  të shpëlarë prej çdo ngjyrimi kombëtar,  që  ishte Partia Komuniste. (f38)

Shqipëria drejt ri ngritjes

Poetika shqiptare,  qoftë ajo e lashta,  popullorja,  qoftë ajo e poetëve të mëvonshëm,  ka krijuar dy klishe bazë për cilësimin e Shqipërisë. Në poezinë gojore,  Shqipëria quhet zakonisht « nuse ». Për poetët shqiptare ajo është më tepër « zonjë ».

Është me interes të hetohet se ç’fshihet prapa këtij emërtimi të ndryshëm. Me sa duket,  për këndvështrimin popullor Shqipëria është ende e re,  pra « nuse » dhe si e tillë ajo e ka jetën kryesisht përpara. Për poetët,  duke qenë « zonjë e rëndë »,  ajo e ka jetuar shkëlqimin e saj. Madje Fan Noli shkon edhe më larg kur e quan « vejushë »,  « e ve,  e gjorë mbretëreshë pa kurorë ».

Kemi të bëjmë me dy trajtime,  njeri drejt së ardhmes,  tjetri drejt së shkuarës. Naimi në vjershën « Shpreh » u përpoq t’i bashkonte të dyja në vargjet:

« Lum kush të rrojë,  ta shohë zonjë ».

Ndërkaq,  duhet thënë se të gjithë poetët që e përfytyruan Shqipërinë si zonjë,  e bënë këtë me qëllim fare të hapur: t’i nxisin shqiptarët t’i kthejnë dinjitetin e nderin e humbur,  pra ta ribëjnë « zonjë »,  siç ka qenë dikur.

Po a ka qenë ndonjëherë Shqipëria «zonjë ? E bërë ndryshe,  pyetja do të tingëllonte kështu: Kush ka të drejtë,  populli apo poetët ?

Me fjalë të tjera,  ka qenë nuse apo zonjë Shqipëria ? Apo,  edhe nuse edhe zonjë ? Me sa duket,  është kjo e fundit që do të mbetet. Edhe nëse nuk ka qenë zonjë në realitet,  ajo ka qenë e tillë në trurin e poetëve të saj. Pra,  në një realitet po aq të fortë,  sa edhe ai që shpaloset trupërisht përpara nesh .

Poetët shqiptarë,  në të vërtetë,  duke e quajtur Shqipërinë zonje,  u nisën nga një shestim,  nga një projekt i së ardhmes. Ata krijuan imazhin e saj,  atë që duhej të vinte dhe,  për ta bërë sa më të besueshëm atë imazh,  për t’u dhënë shpresë bashkëkombësve të vet,  ngulnin këmbë që kjo nuk është një shajni,  një fantazmë,  por përsëritje e një të kaluare.  Me imazhin e « zonjës » ata luftuan një portretizim të tretë të Shqipërisë,  një pamje të përbaltur,  të pjellë nga vulgu shqiptar: atë të « Shqipërisë së mallkuar »,  të « Shqipërisë kuçkë »,  të Shqipërisë së sëmurë. Ishte ky imazh që u shfaq si një ethe e keqe vitet e fundit,  sidomos në marsin e zi të vitit 1997.

Poetët shqiptarë,  sidomos rilindësit,  e njihnin mirë këtë cen të njeriut shqiptar: kalimi nga përndezja e entuziazmi në ligështim shpirtëror.  Ndaj ata,  me të gjitha kambanat,  donin të mbanin lart moralin shqiptar.

Thyerja e këtij morali në vitet 90,  ishte kambana e zezë që paralajmëroi rrezikun e thyerjes në mes të krejt kombit shqiptar. Ri ngritja e Shqipërisë nuk mund të fillojë veçse nga ngritja e moralit,  pra nga shëndoshja shpirtërore e saj. Populli shqiptar duhet të bëjë që të heshtin qyqet,  që tash ca kohë po i para ndjellin veç fatkeqësi dhe vdekje. Ato qyqe duhet të heshtin,  në radhë të parë,  brenda tij e pastaj,  natyrisht,  rreth e rrotull. Shëndoshja shpirtërore do ta qetësojë nervozizmin e tij të skajshëm,  që nuk është veçse një shenjë lodhjeje. Kjo do të bëjë që mendësia e tij të kthjellohet e të jetë e aftë të shestojë strategjinë e tij themelore: Jetën e përbashkët në atdhe.

Ky qëllim madhor është aspirata më e ligjshme për një popull. Asnjë,  asnjë manipulim apo tregti politike,  asnjë trysni shtetesh,  lobesh,  apo organizmash ndërkombëtarë nuk mund ta pengojë kombin shqiptar të kryejë atë që të gjitha kombet e tjera të Evropës,  plotësisht apo gati plotësisht,  e kanë kryer: bashkimin e tyre.

Me këtë akt,  populli shqiptar nuk synon asgjë të pazakontë e nuk kërkon asgjë të veçantë: ai kërkon veç normalitetin e vet. Ky normalitet është dhunuar pa mëshirë e ai duhet të qortohet.

Në familjen e popujve evropian kombi shqiptar është i vetmi sot që është shënjuar për të keq. Ndërsa të gjithë ecin në një mënyrë normale,  ai,  i prerë mizorisht,  është i detyruar të bëjë rrugën si një i gjymtuar. Një njeri i vetëm,  që lëçitet (ndahet) kështu nga të tjerët,  egërsohet,  e jo,  madje,  një popull i tërë. Populli shqiptar as ka kryer krime e as ka faje për të larë përpara botës. Ndonëse ka dymijë vjet që ekziston në këtë botë,  ai as ka sulmuar kënd,  as ka pjellë doktrina për zhdukjen e të tjerëve.

Shprehje të tilla si “Shqipëria e madhe” janë një tallje e një cinizëm i pashembullt në botën e sotme. Shqipëria e tkurur në 28 000 kilometrat e saj,  është e kërcënuar të fajësohet si « e madhe »,  në qoftë se do të arrijë 45000 ose 50000 kilometra,  e shteteve të tjera,  me shtrirje të përbindshme prej miliona kilometrash katrorë,  shtete që kanë bërë krime të frikshme ndaj botës,  që kanë pjellë teori të zeza si murtaja,  që kërcënojnë njerëzimin më  armë bërthamore,  nuk quhen « të mëdha ».

Si organizmi që kërkon jetën e vet natyrale,  kombi shqiptar kërkon normalizimin e vet trupor e shpirtëror. Pengimi i tij është thjesht një krim. Ndihma që mund t’i jepet është detyrë humane dhe historike.

Kombi shqiptar,  pavarësisht nga imazhi i shfytyruar që jep,  ka shumë rezerva dashurie e sinqeriteti në brendësinë e vet. Evropa e sotme,  sado e kompletuar të duket,  ka gjithmonë nevojë për dashurinë e popujve të vegjël,  shpesh të harruar.

Mijëvjeçari i dytë ka qenë për shqiptarët tepër i rëndë. Në këtë mijëvjeçar dy shekuj kanë qenë vazhdimisht tronditës për të: i pesëmbëdhjeti dhe i njëzeti. Në të pesëmbëdhjetin ata humbën lirinë,  e rifituan,  për ta humbur përsëri. E megjithatë,  ata dolën nga ky shekull me një ngarkesë shpirtërore heroike që do t’i ushqente gjatë pesë shekujve pushtimi të Perandorisë Osmane. Në shekullin e njëzetë,  historia e tyre ishte edhe më e trazuar dhe aspak fatlume. Janë të gjitha gjasat që mijëvjeçari i tretë,  pavarësisht nga tronditja e sotme e Shqipërisë,  të fillojë mbarë. I mbarë për ata që,  ndonëse e kanë quajtur vetën « bij të shqipes »,  gjer më sot nuk janë ngjitur dot kurrë në lartësinë e dëshiruar,  veç në ëndrrat e tyre. E megjithatë,  ndonëse krahët disa herë u janë thyer,  ata ende vazhdojnë ta quajnë veten njëlloj si më parë. Kjo këmbëngulje dëshmon,  në fund të fundit,  besnikëri ndaj kodit të moçëm dhe dëshirë për t’iu bindur urdhrit të tij.  (f 41- 46)

* Kortezi: “Kombi Shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë “-Ismail KADARE. Botoi: Onufri 2013

Filed Under: ESSE Tagged With: Ismail Kadare, Miti i katastrofës

E shuan zërin që kundërshtonte robërinë

January 2, 2019 by dgreca

Rreth gjysmë shekulli pas vrasjes së poetit Alush Canaj/

Alush Canaj

E shuan zërin që kundërshtonte robërinë/

– Alushi e kishte guximin që Beogradin ta quante “qytet i zi”, ashtu siç ishte në të vërtetë Beogradi për shqiptarët në çdo kohë./

1 Ilmi Muslia

Shkruan: Ilmi MUSLIU/

Para shumë vitesh, në një tubim poetik për Alush Canajn, pata dëgjuar shkrimtarin Beqir Musliu të thoshte se poetin e vrau pushteti për shkak të zërit të tij të fuqishëm kundër padrejtësive që po i bëheshin popullit të tij dhe për shkak të dashurisë që ai ndjente dhe shprehte për Shqipërinë, për shkak se po bëhej një zë i fuqishëm kundër robërisë dhe një zë që kërkonte liri për popullin dhe tokën e tij. Poltronët e pushtetit të kohës kishin trumbetuar se poeti ishte vetëvrarë për një dashuri të dështuar, siç dinin të inskenonin ata, duke dashur ta komprometojë jo vetëm autorin, po edhe krijimtarinë e tij. Por gabuan, sepse poetët nuk vriten, aq më pak një poet si Alushi, i cili edhe tani, gati gjysmë shekulli më vonë, frymon aq fuqishëm përmes poezive të tij, që falë vëllait Avdushit, që ishte një vazhdimësi e këtij zëri, u botuan të përmbledhura në librin “Mbrëmë putha lirinë”. Alushin e vranë për shkak të krenarisë së tij dhe guximit intelektual për t`i thënë gjerat ashtu siç ishin dhe jo ashtu siç dëshironin të tjerët. Ai nuk pranonte të ishte me “të tjerët” për asnjë çmim, nuk bënte pazare dhe as kompromise me krenarinë e tij si njeri dhe as me krijimtarinë e tij si poet.

 Pse nuk flet ish-sigurimsi?

Alushi e kishte guximin që Beogradin ta quante “qytet i zi”, ashtu siç ishte në të vërtetë Beogradi për shqiptarët në çdo kohë. Po kush në të vërtetë e helmoi poetin, këtë mund ta dijë ish-sigurimci Muharrem Halili, i cili, siç thotë i vëllai Avdushi, është kontaktuar për të mësuar të vërtetën, por nuk ka pranuar të flasë, sepse ende i qëndron besnik “betimit për ruajtjen e sekretit shtetëror” të një shteti që nuk ekziston më në Kosovë, të një shteti që ka vrarë poetë e popullatë. Për letrën e Alushit, ku ai quante Beogradin “qytet të zi”, e cila kishte përfunduar në duart e UDB-së, e kam pyetur njëherë ish-profesorin e gjuhës, i cili përmendet nga shokët e poetit, si fajtor kryesor, por çuditërisht nuk ka pranuar të flasë. “Nuk di gjë unë për atë letër”, më pat thënë shkurt. (Hetova tek ai një frikë për të folur për këtë temë – I.M.). Halili mund ta dekonspiroj edhe këtë fakt, meqë tani nuk jeton as ky person. Dihet që sigurimcat hezitojnë të flasin për ndonjë rast kur bashkëpunëtorët e tyre ose dëshmitarët janë ende gjallë. Sidoqoftë, sigurimi e ka vrarë Alushin në gotën e helmit, por jo edhe frymën e tij. Mesazhet e tij poetik kanë frymëzuar jo vetëm brezin e tij, por edhe pasardhësit, për ta parë Beogradin ashtu siç ishte në të vërtetë, i zi futë, nën ambalazhin e bardhë. Poetika e Alush Canajt, një djalosh shumë i ri për nga mosha, është e bazuar në elementë kombëtar, që autori është i mëshiruar aq fort, pavarësisht se sistemi i kohës i urrente dhe përbuztte gjithandej. Ky realitet do ta bënte Alushin edhe më të zëshëm, përballë një tragjike personale, që ai edhe pse e ndjente, nuk tërhiqej.

Alushi iku i panënshtruar  

Në veprën “Mbrëmë putha lirinë”, Alush Canaj na shpërfaq gjithë ndjeshmërinë e tij ndaj një realiteti të hidhur për shqiptarët, në një shtet që ata i donte të varfër, të paditur e të pashkolluar, i donte robër e shërbëtorë të përjetshëm. Alushi filloi ta demaskoj këtë realitet dhe kjo e revoltoi “qytetin e zi”, i cili përmes njerëzve të tij, ia përgatiti vdekjen portit në mënyrën më të pabesë. E vranë në vitin 1972 dhe e heshtën për njëzet vjet vargun e Alushit. E heshtën, por nuk arritën ta mbysin poezinë e tij. Në vitin 1992, nën përgatitjen e vëllait Avdushit, u botua një pjesë e opusit të tij letrar, i përmbledhur në librin me titull “Vals veror”, për të botuar më vonë të plotë krijimtarinë e tij në përmbledhjen “Mbrëmë putha lirinë”. Libri “Mbrëmë putha lirinë” është një përmbledhje prej gjashtë ciklesh dhe përbëhet prej 71 vjershave, disa fletëza ditari si dhe dy përkthime e disa fotografi nga jeta shkollore dhe familjare e autorit, ku dëshmohet një talent i rrallë duke marrë parasysh moshën e re të poetit, i cili u vra në të 19-tat e tij. Iku i panënshtruar në gjakimin e tij për lirinë, përballë atyre që e torturuan dhe e helmuan në fund, sepse i tillë ishte Alush Canaj. Iku i pathyer për një dashuri të madhe, hyjnore, për dashurinë ndaj popullit dhe kombit të tij.

Filed Under: Histori Tagged With: ALUSH CANAJ, e shuan zerin, Ilmi Musliu, qe kundershtoi roberine

Diaspora shqiptare në Amerikë nuk e harron atdheun

January 2, 2019 by dgreca

Diaspora shqiptare në Amerikë nuk e harron atdheun,SHSHA numëron aktivitetet/
Skender-Karaçica-autor
Nga Skënder Karaçica/
 Executive Director- Albanian-American Association  of Intellectuals Businessmen and Activists/
Në ndërrim të motmoteve,koha dhe ngjarjet sikur marrin trajtën e shenjës se çfarë aktivitetesh kombëtare ka zhvilluar SHSHA në Çikago.Nëpër vite dhe tash e një shekull,diaspora shqiptare në Amerikë u bë një zë i fuqishëm karshi çështjes shqiptare në hapësirën etnike në Ballkan.Sikundër dihet pjesa më e dhimbshme kombëtare për dy shekuj robërie dhe të orëve vrastare të regjimeve të Serbisë (1844-1999)ishte Kosova dhe shqiptarët.
Për shkak padrejtësive historike dhe të regjimit të dhunës nëpër vite të Serbisë,të Maqedonisë dhe të Malit të Zi,shqiptarët e pambrojtur ia mësyen rrugëve të mërgimit në Evrpopë dhe Amerikë e deri të Australia e Zelanda e Re.Për këtë kohë të zbrazjes së tokës shqiptare dhe të regjimit vrastar,SHSHA në Çikago në programin e vet kombëtar e kishte në plan të parë pas lirisë dhe pavarësisë së Kosovës,
konsolidimin me kodet e reja demokratike të shtetit ligjor me përmasën se si me jetua me lirinë dhe pavarësinë e brezave nëpër vite.
Në ndërrim të orës së motmoteve,SHSHA i bën një rezyme aktiviteteve kombëtare gjithnjë në krah të kombit dhe atdheut shqiptar.Me angazhimin e saj programor dhe të aktivitetit ka arritur që të thellojë bashkëpunimin me Odën Ekonomike Amerikë-Izrael dhe shpalimet historike të kohës (1940-1945)që hedhin dritë për praninë dhe shpëtimin e hebrenjve në Kosovë dhe Shqipëri nga asgjësimi Nazi-fashist,
përmes dy filmave ,,Besa,, dhe ,,Pagëzimi,,që janë shfaqur në praninë e miqëve tanë hebrejë e amerikanë në Çikago si dhe nisma që në Muzeun Holokaust në Skokie do të vëhet Pllaka e orëve historike shqiptaro-hebreje,kështu thuhet për aktivitetet e SHSHA-së në Çikago.
 
Në vargun e aktiviteteve të kësaj Shoqate kombëtare në Çiakgo ka nisë bashkëpunimi i institucioneve qeveritare të shtetit të Kosovës me Odën Ekonomike Amerikë-Izrael,ku kohë më parë për vizitë pune ishte zv.ministri për punë të jashtme Besnik Fahredin Hoti,i cili në emër të qeverisë së Kosovës ua ka dorëzuar ftesën këshilltarit të lartë të këtij institucioni amerikano-hebrejë në Çikago që një delegacion i botës së biznesit dhe të fushës së investimeve amerikane të vizitojnë Kosovën dhe nga afër të njihen me resurset e saj të pasura njerëzore,
nentëtokësore të projekteve zhvillimore si dhe me infrastsrukturën ligjore që ka shteti i Kosovës për investimet e huaja,që me dashamirësi e ka pritur 
Daniel Shure si mik i respektuar i shqiptarëve në Ballkan.
Në aktivitetin shumëpalësh të SHSHA-së duhet theksuar se para do dite edhe Oda Ekonomike e Kosovës me kryetarin e saj Berat Rukiqi përmes shkëmbimit të letrave zyrtare me institucionin ekonomik të hebrenjve në Çikago kanë nisur bashkëpunimin dhe vitin e ardhshëm në një kohë të duhur një delegacion nga Prishtina do të vizitojë Çikagon.
Në numrimin e aktiviteve kombëtare të SHSHA-së një vend të veçantë zënë paraqitjet e saj publike përmes reagimeve dhe opinioneve karshi çështjes shqiptare në hapësirën etnike si dhe shtetndërtimi i Kosovës dhe propaganda antsihqiptare që vjen pa rreshtur nga regjimi i Serbisë,ku në këtë front politik e kombëtar kjo shoqatë shqiptaro-amerikane në Çikago ishte e zëshme karshi opinionit në BE si dhe në Kongres e Senat të shtetit amerikan në Washington,në bashkëpunim të ngushtë me LQSHA Joe DioGuardi në Nju Jork.
Për përmbylljen me suksese të angazhimeve programore të SHSHA-së në Çikago në fund të këtij Motmoti 2018,duhet përmendur bashkëpunim me Organizatën e Grave Shqiptaro-Amerikane (OGSHA)dhe udhëheqja e saj Lirie Mehmeti,Ria Ismajli dhe Arjana Jaupi kanë dhënë kontributin e tyre si pjesë e sukseve të përbashkëta kombëtare në porjektet e njohura (Atdheu dhe Diaspora Shqiptare në Amerikë)si bartëse me projekt bosht të SHSHA-së në Çikago.
Për fund po theksojmë se bartës të aktiviteve kombëtare në projektet e shoqatës shqiptaro-amerikane në Çikago janë veprimtarët e dalluar të saj Mahmut Skenderi,Destan Aliu dhe Nazim Alimi që tashmë janë bërë krah i fortë në këto vite për çështjen shqiptare në hapësirën etnike në Ballkan,me synimet e tyre kombëtare që ajo të zgjidhet me përkrahjen dhe diplomacinë e shtetit mik të përjetshëm të Amerikës.
Skënder Karaçica

Filed Under: Emigracion Tagged With: Atdheu, Diaspora shqiptare në Amerikë, Skender Karacica

Ermal Mamaqi si kamerdarja e fundit e Edi Ramës

January 2, 2019 by dgreca

Ilir-Levonja-300x298

Nga Ilir Levonja/Dielli

2 ermal

Më bëri përshtypje një spot publicitar i këtij Ermal Mamaqit që fatkeqësisht Shqipëria e mban për një showman. Një spot nga ato me porosi nga lart me ca britma karagjozësh se kur do të flas a kur do të flasim. Ku në ‘të e sipër ndërfutej edhe Edi Rama. Nuk është e vështirë të kuptohet se e gjitha është një aludim flagrant me refuzimin e studentëve për të negociuar për ato nëntë pika a nëntë kërkesa që ata kërkojnë tu plotësohen. Edi Rama çfarë nuk bëri, çfarë nuk sajoi, gjithfarësoj skenarësh me studentë freshistë, marksista të Bashës dhe Fahrisë, a pedagogë të gazhdares shto edhe makinerinë mediatike të tij për bisedime. Jemi deshmitarë të gjithë, të këtyre ngjarjeve të fundvitit, dhejtorit a pranverës së hershme shqiptare për ndryshime të mëdha, por nuk ia arriti.

Tani që studentët janë pranë familjeve të tyre, në këtë ndërthyrje vitesh, në këto ditë bulevardesh pa trafik të rënduar, për shkak të relaksit nga ushqimet e rënduara dhe me bollëk nitrati. Me shtypistat që promovojnë suksesin e tyre të dështuar të 2018-ës, si fasadat me modele xheli a çmimet e pafundme etj., del në skenë me vishtullëk fytyra e shtrembëruar e Ermalit dhe Edit të parruar me britmat se kur do të flasin dhe se na çmeni ky Mamaqi. Janë nga ato raste kur abuzimi me lirinë e kohës së shqiptarëve është një pushtim i dhunshëm, pasi gjatë gjithë një viti kalendarik shtëpitë e tyre janë plot me pështyma kuvendi, a personazhesh politike. Dhe tani në këtë vegjetim dy javor, me surretërit që shtrembërohen si e si të kanalizojnë gjithçka në jetën e tyre rozë me gjoja skupe sikur aty të jetë zhvendosur Hollywoody i viteve pesëdhjetë. Dhe me thënë të drejtën, ka një degradim kaq total sa na ka mbytur malli për estradat e kohës, pasi kishin personazhe në skenë, kishin burra e zonja të rënda, kishin karaktere, dekor, kurse sot ngërdheshje dhe xhel, zhargon e banalitet.

Por më e keqja është kur penetrojnë deri nën sqetullat e politikanëve, në strategjitë e tyre për të thyer deri protestat e studentëve. Dhe ky spot publiçitar që transmetohet gjithë këto ditë, me diçiturën se kur do të flasim, për të shtunën në orën 21 në Xing me Ermalin nuk është asgjë tjetër po një nga stërkëmbëshat që Edi Rama u përpoq t’ua vinte studentëve ndër këmbë në protestat e dhjetorit të kaluar. Vetëm në Shqipërinë postdiktaturë ka ndodhur që ca valixhedrunja nga Macukulla a ndonjë skaj tjetër, të bëhen milionerë a showman as, në më pak se dy vjet. Pastaj të flasin për vaskat a masazhet në Karaibe duke harruar opingat dhe rrugët plot baltë të rrethinës nga ata vijnë. Madje flasin a pozojnë me presidentin për kura ecjesh në male, sikur ta ketë shok lagjeje dhe se mund të ndërhyjnë kur të duan. Kjo është në vazhdën e atij degradimi me përdorimin e lirisë dhe të të kuptuarit të misionit tënd. Pa e ditur asnjëherë se arti në përgjithësi është një opozitarizëm i fortë. Jo një bashkëpunim me pushtetin… Edhe pse koha ka njohur plot raste që figura të njohura kanëbashkëpunuar deri me diktarorë, si rasti i Gabriele D’Annunzios…, por ai ishte një hero lufte, një politikan, aristokrat etj. Megjithatë një pakicë në totalitetin ajkës që për dreq frymëzuan deri koka si Mussolini etj. Dhe me që i përmenda emrin, i kërkoi ndjesë universit italian të kulturës duke e sjellur këtu, në këtë katrahurë karagjozësh të artit aktual shqiptar. Të atij soji që pasi e kanë lënë vendin pa një strukturë kombëtare artorë e kulture, që nuk kanë lexuar një libër janë sot ”ajka” e degradimit tonë. Unë e kam përsëritur me dhjetra herë që liria e shqiptarëve sot është e pushtuar nga këta ngërdhëshist e fytyrës, nga ERTV-ja, lali Eri dhe politika me studiot, telenovelat e Turqisë etj., duke zëruar pa mëshirë realitetin e vërtetë shqiptar. Sikur ato para që investohen për blerjen e telenovelave, ose e gjysma e tyre, kushedi se sa skenarë nga sirtarët e shqiptarëve do të bulëronin. Kushedi se sa emisione do bëheshin për katër qoshet e kombit. Histori shqiptare apo Marin Mema nuk do ishin të vetmit. Vijeni re se si ka gjashtë muaj që një kryeministër i përdor në mënyrë brutale idetë a inisiativat e grupeve si një e shtunë ndryshe, a unë jam një lule dielli, duke bërë shtëpi për të varfrit, pa u dhënë asnjëherë llogari shqiptarëve se me çfarë parash, si e qysh. Me çfarë mjetesh ligjore etj. Megjithatë jemi tek këta showmenët, që çfarë nuk bëjnë të fshehin të ardhurat e tyre, deri zbythje kuvendi, pa e vrarë mendjen asnjëherë se 80% e atyre që punojnë me ta janë pa siguracione dhe statut nënpunësi. Mjafton xhepat e tyre, mjafton të flasin studiove për fëmijët e tyre, për shoqërinë e qokave, përqindjet dhe honorarët, pa të tjerat kush po pyet. Sidoqoftë ata studentë e kanë parë, po e shohin dhe nuk asnjë diskutim që këtë intrigë çunash Tirone po e përtypin në vend të çamçakëzit. Ato pankarta dhjetori, kanë qënë trëndafilët a luleborët e pranverës së vërtetë shqiptare. Kanë qënë bizhuteritë më të bukura stinore dhe nuk ka asnjë diskutim që do lulëzojnë rishtas. Sado të përpiqen grafomanë të tillë, sado të kërkojnë ta mbajnë me dhëmbë shtrënguar shakaxhiun e tyre, theqafja ka nisur.

Filed Under: Politike Tagged With: e Edi Rames, Ermal Mamaqi, Ilir Levonja, si kamerdarja e fundit

Mustafa Kruja si studjues

January 2, 2019 by dgreca

60 vjet mё parё ndёrroi jetё MUSTAFA MERLIKA – KRUJA/

1 Mustafa Kruja

(1887, Krujё – 1958, Niagara Falls)/

AtZefValentiniSJ

Nga Zef Valentini/

Besoj se edhe pёr ndonji qi, si un, ka pasё fatin me njoftё nji shumicё tё madhe njerzish tё letrave e shkencёtarё tё kombёsive, kulturave e vlerave tё ndryshme, me pasё njoftё kaq prej s’afri Mustafa Krujёn ka qênё nji fat i pashoq.

Kam njoftё tё tjerё, mâ tё talentuem si letrarё; tё tjerё mâ tё pajisun, pёr merita tё tyne apo jo, me nji formim tё rregulltё nё metodёn shkencore; asnjânin qi tё ketё mbёrrîmё nё rendimentin e tij nё pёrpjestim me mundsít qi jeta i lejonte.

Thjeshtёsia e familjes mezi i dha mundsí tё kryente studimet pёr karrierё administrative nё Perandorinё Osmane. Qysh nga fillimet e vetё karierёs u zhyt nё nji jetё politike vepruese, tepёr tё ngarkueme e luftarake pёr Rilindjen kombёtare; dy herё, nё vjete tё gjata i u desht me jetue nё mёrgim, nё kushte nё tё cilёt ndjente bukur shpesh mungesёn e mjeteve, çvendosjet, shpresat,  iluzionet  e mallin ligёshtues, gjithmonё tё gjallё e gjithmonё zhgёnjyes qi i kthejshin tё mёrguemit e shkretё n’andrratarё pёr inerci, madje nё vesakeqё. I shtojmё kёsaj se lloji i studimeve tё tij – gjuhёsia – kёrkonte ndihmёn e vazhdueshme tё nji biblioteke dhe bisedёn e gjallё me popullin, ndёrsa biblioteka e vet, aq e pasun sa âsht shumё e vёshtirё tё gjindet nji e tillё nё mbarёshtim tё nji privati, mbeti gjithmonё e ruejtun ke miqtё n’atdhe e ai tjetёr bisedё nuk mund tё bânte veçse rastёsisht me tё tjerё t’ikun.

Duhet tё pёrfundojmё se , i pajisun me nji mprehtёsí tё jashtzakonshme e nji kujtesё tё fuqishme, ai ishte i nxitun prej nji dashunie gjithmonё tё gjallё pёr kulturёn e, pёr mâ tepёr nga nji pasjon i vёrtetё vetiak, jo thjesht nji pasjon puntori, por nga nji pasjon i madh.

Mund tё mos ishe nё nji mêndje me konceptet e metodat e tij politike, por âsht absolutisht e pamundun, jo me mohue, por edhe vetёm me dyshue se pasjoni epruer, madje i vetmi qi bashkёrendonte e urdhnonte tё gjithё tё tjerёt e tё gjithё veprimtaritё e tij, ishte dashunia pёr atdheun; nji dashuni aspak retorike, por e gjitha vepruese, qi lёvizte ndёrmjet dy skajeve tё ruejtjes apo rivendosjes sё vlerave tё vёrteta tё kombit dhe ngritjes sё nderit tё tij , mbi tё gjitha moral e kulturor.

Cilido qi ka pasё rastin tё kёndojё edhe vetёm njenin prej artikujve tё tij tё filologjisё, nuk ka mundun mos me vёrejtё sasinё e pamasё tё lândёs sё mbledhun prej tij, pёrherё e pranishme nё kujtesёn e vet. Prej dyzet vjetёsh nuk ka pasё asnji fjalor tё botuem, madje edhe çdo glosar i thjeshtё qi tё mos jetё shqyrtue prej tij nёpёrmjet mijra vёrejtjesh, shtesash, ndreqjesh, tё gjitha tё dokumentueme bollshёm e me saktёsi. Miqtё e tij dhe ata qi qênё kolegё tё tij nё Institutin e Studimeve Shqiptare tё Tiranёs kanё pasё mundёí me marrё nёpёr dorё 12 vёllimet e trasha tё dorёshkrimit nё formё protokolli, tё cilёt, sikur tё mos kishin mbetun tё pabotuem, sigurisht do tё pёrbâjshin fjalorin e parё tё madh e tё vёrtetё tё gjuhёs shqipe. Sa herё nё diskutimin e çfarёdo hollёsie gjuhsore, nё selinё e komisionit filologjik apo atij letrar, nji grup i shёndoshё kompetentёsh gjîndej nё mёdyshje, po aq herё pёrdorimi i atij fjalori, qi ai e vente nё dispozicionin tonё, zgjidhte problemin nё mёnyrёn mâ tё kёnaqёshme.

Kjo i kushtohej dhuntive tё tij prej puntori qi u cekёn mâ sipёr, pa dyshim; por jo mâ pak, e ndoshta mâ shum nji ndîje tё gjashtё tё gjykimit nё gjendje me kuptue, tё matun e tё barazpeshuem qi pak vetё do t’a kishin pёrfytyrue ke ai po tё mos e kishin njoftё pёr s’afёrmi.

Pjerremi me besue se dhuntí tё tilla si kёto qi pёrmêndёm janё vetí tё njerёzve qi nё jetёn publike kanё nji shestim demokratik tё cilin e bâjnё me rrjedhё mandej edhe nё jetёn vetiake, deri edhe n’atê tё studimit. Mustafa Kruja qi nuk rridhte nga nji fis tё parёsh dhe as nga nji rod feudalёsh, prej tё cilit pritej me u pa nё qёndrime demokratike tё programueme, nuk tregoi kurrё nji tё tillё; e vetmja demokraci e tij qёndronte nё çmimin e vlerave, ngado qi ato tё vijshin tё shqueme e tё vёrteta, pёr tё vёrteta ai kuptonte ato qi ndershmёnisht e me zell tё madh i shёrbejshin nji çâshtjeje tё drejtё; pёrballё tyne, me sjelljen e nji zotnilliku tё hollё e tё matun, qi ishte vetí e personalitetit tё tij gjithmonё i nёnёshtruem  idealit, dinte me dhânё ato shênja tё miqёsisё sё vёrtetё qi qёndrojshin nё vlerёsimin e nё pranimin e ndershёm e tё arsyeshёm n’intimitetin e idealeve tё tij.

Prandêj edhe nё jetёn e vet tё studjuesit ai dinte me mbajtё nё bashkёpunimin e nё rrahjen e mundёshme tё mendimeve nji vijё tё qartё e tё sinqertё, tё mbёshtetun jo nga mёnyrat e tij mjaft tё prême tё drejtuesit tё vetёdijshёm e tё njohun, por mâ shum nga qёndrimet e barazpeshat e arsyeve tё tij.

Ndoshta do t’ishte e tepёrt me mёtue nga filologu apo gjuhtari nji ndîje gaztorije qi i âsht kaq e dobishme e herё herё e domosdoshme filozofit moralist apo politikanit; ndёrsa duhet tё pranojmё se nёse ka qênё ndonji gjâ qi e ka damtue Mustafa Krujёn nё jetёn publike, ka qênё pikёrisht ndîja e tij e pakёt e gaztorís n’at’ ânё, ndoshta e rrjedhun nga ndershmёnía e vet qi e bânte me e provue shumё tё rândё pёrshtypjen e pёrgjegjsís. Ndёrsa nё republikёn letrare ai kishte nji gaztorí tё bâme simbas traditave mâ tё mira shqiptare, mâ shumё prej fabulash e episodesh tё mbledhuna e tё kallzueme me atê vetёpёrmbajtje tё hollё  qi i bânte mâ tё lezetshme. Ai dinte me pёrdorё nё kritikёn nji tё tillё ndîje gaztore; ; shum mâ mirё nё bisedё, nё tё cilёn urtia e sjelljes dhe njerzia e buzёqeshjes e bâjshin tё pranueshёm; nё mёnyrёn e tij tё shkrimit, nё tё cilin gjithshka ishte qênёsore, jo gjithmonё ai dinte me dhânё atê pёrshtypje tё butsís qi duhej t’ishte e veçanta e humorizmit tё pёrqindjes sё nâltё: mungonte si portreti i fytyrёs sё tij anash apo poshtё shkrimit tё fjalёve. Por ato qi gjithmonё tejqyreshin  ishin dý dhuntít e mёdha qênsore tё personalitetit tё tij: ndershmёnia e tij e thellё dhe e sinqertё, pasjoni i tij pёr atê qi e mbante si thesarin mâ tё madh kulturuer t’atdheut, gjuhёn e tij.

Nuk âsht se ai nuk çmonte edhe tё tjerё thesarё kulturuer kombёtarё. Mё pёlqen mes tё tjerash me thânё se ai, i lindun mysliman, kishte vlera shpirtnore tё krishtênimit, gjithё atê vlerёsim qi mund t’a quejmё tradicional tё atdhetarёve mâ tё mirё e mâ tё kulturuem shqiptarё myslimanё. Po ashtu mё pёlqen me dёshmue kёtu qi, tue qênё se m’âsht dashtё m’u marrё me studime  mbi traditёn juridike shqiptare, kam gjetun ke ai nji nga kumtuesit mâ tё dijtun e mâ tё mprehtё, jo vetёm sa i pёrkitte krahinёs Kurbin – Krujё – Arbёn, por edhe pёr tё tjera krahina qi ndryshojshin prej saj; po e njâjta dashuní pёr kёta thesarё kombёtarё sikurse edhe pёr ata tё lâmёs gjuhsore, ndёrsa mprehtёsia e fitueme nё selinё filologjike ishte gjithmonё e pranishme nё mbarёshtimin e koncepteve juridike.

Tё gjithё duhet tё mёsojnё prej tё gjithёve, pavarёsisht çfarёdo kundёrshtíe tё tyne; duhet tё shpresojmё qi kur tё jenё fashitё fanatizmat e ngeluna nga ndodhí tё dhimbshme qi kanё fshî prej shpirtnave aq tradita tё vlerta, mâ shumё se sa mjetet e luftёs kanё shkatrrue monumentet, edhe ata qi nuk do tё mund tё kuptojshin mendimin dhe veprimtarinё politike tё kёtij personaliteti tё jashtzakonshёm, tё dijnё se kudo qi tё lypet  dashuní e madhe pёr nji idé kulturore, zelltarí e ndershmёní, t’a vlerёsojnё e t’i ndjekin shembullin.

 

Marrё nga “Shêjzat”, Vjeti i III, N° 1- 2, Kallnduer-Fruer 1959

Pronar Ernest Koliqi  Kryeredaktor Martin Camaj

 

Shkrimi ёshtё pёrkthyer nga origjinali italisht prej Eugjen Merlikёs

Filed Under: Opinion Tagged With: Mustafa Kruja, si studjues, Zef Valentini

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1155
  • 1156
  • 1157
  • 1158
  • 1159
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT