• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MURET E LIRISË

May 11, 2018 by dgreca

Nga Anton Marku -Vjenë/

Në vend se të jenë dyer drite, muret e lirisë po trashen çdo ditë e më tepër. Por, a ka nevojë liria për to dhe a është liri ajo që rrethohet me mure.

Politikanët

Kur i dëgjon politikanët e Kosovës duke folur e kupton pse jemi aty ku jemi, në bisht të botës. Ata janë bërë pjesë e pashmangshme e problemit dhe nuk janë doemos pa alternativë. Në relacion me masat janë shndërruar në një zemër që rrahë jashtëgjoksit. Të paktë janë ata që nuk u takojnë këtyre ujërave. Për më tepër, për fat të keq, një pjesë e tyre sot identifikohen si çlirmitarët e djeshëm që u bënë okupatorë të lirisë së sotme. Mbase është koha e fundit që ata të shkojnë tek varrezat. Jo për të vdekur, por për tu gjunjëzuar përultësisht para varreve të ish-bashkëluftëtarëve të rënë dhe kërkuar falje për katandisjen e atdheut.

Majën e ke arritur jo kur të ngjitesh por kur të zbresësh sigurtë prej saj.

Perspektiva evropiane

Në kohën kur Ballkani, vrima e fundit e BE, në vend se të mbyllet ka gjasë që të hapet edhe më dhe kur Serbia është duke gjuajtur përtej shënjestrës, reagimet e pozitës kosovare lidhur me raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian, më të dobëtin në këto vitet e fundit, pa asnjë analizë serioze dhe reflektim, mund të përmbledhen në formulën ‘‘Gjendja nuk është dhe aq e keqe sa thotë opozita. Dita kur do të marrim liberalizimin e vizave nuk është e largët.’’ Por, jo aq keq nuk do të thotë mirë. Jo aq larg nuk do të thotë afër.

 Revolucioni

Ajo për çka ka nevojë Kosova është një revolucion demokratik i udhëhequr nga vet qytetarët e saj. Por, a ka realisht forca të cilat do e realizonin njëprojekt të tillë dhe nëse po cilat do të ishin ato. Partitë aktuale politike edhe mund të kenë kapacitetete, nëse jo të duhura atëherë së paku të mjaftueshme, por atyre u mungon vullneti për reforma gjithpërfshirëse dhe ardhja në pushtet është karremi që i mban peng dhe largon nga ky synim. Shoqëria civile është e pakordinuar, sindikatat e kontolluara nga qeveria, mediat, me disa përjashtime, u shërbejnë klasave politike dhe klientelës ekonomike, ndërsa elita intelektuale sillet inferiore dhe nuk po ia del të artikulojë bindjet e saj.

Nëse populli nuk po arrin që për njëzet vite të heq nga skena këtë klasë politike, atëherë duket se problemi qëndron tek vet populli.

Megjithatë, për këmbët e lidhura të gjitha rrugët janë të gjata.

Lideri

Për të ardhur deri tek ndyshimi substancial Kosova duhet që, në një të ardhme të afërt, të prodhojë një lider të ri të tipit të Dr. Rugovës, i cili do të arrinte që të krijojë autoritet si burrështetas, së pari të pastrojë e pastaj të unifkojë spektrin politik dhe tu prij procesve të cilat do ta nxirrnin shoqërinë nga balta ku e kanë katandisur ‘‘heronjtë’’ e luftës dhe kriminelët e pasluftës, dhe atë të të gjitha ngjyrave dhe ideologjive.

Për fat të keq, një figurë e tillë ende nuk është shfaqur edhe pse disa personalitete publike do të mund të arrinin përmasat e përafërta, nëse jo të njëjta.

Deri atëherë muret e lirisë do vazhdojnë të trashen dhe atë me pëlqimin tonë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Marku, MURET E LIRISË

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në 613-vjetorin e Lindjes

May 11, 2018 by dgreca

Nga Prof. Gjon Frani Ivezaj/*

Arbëria, ishte e ndarë midis shumë familjeve fisnike apo principatave të pavarura, të cilat ndodheshin vazhdimisht në gjendje lufte mes tyre, me qëllim për të mbizotëruar Arbërinë.

Gjatë kohës që u shfaq familja e Kastriotëve nga krahina e Matit në Shqipërinë e Mesme, bëri që të ndryshojnë ngjarjet dhe situatat historike të kohës si në Arbëri dhe Europë, gjatë gjysmës së dytë të shek. XV.

 Ai është i vetmi në të gjithë historinë e popullit tonë, që mban titullin Hero Kombëtar, që nga viti 1965, titulli më i lartë dhe i vetëm që mban një shqiptar për vlerat e larta të figurës së tij.Kryetrimi Gjergj, konsiderohet nga historianët dhe ekspertët ushtarakë si një udhëheqës i përsosur betejash ushtarake, mjeshtër taktikash dhe ushtarak i lartë i shquar në beteja të vogla në terren të thyer malorë, sikurse është Shqipëria, në një pjesë të mirë të saj.Në këtë mënyrë Gjergji shfrytëzoi natyrën malore të vendit dhe njohu me hollësi terrenin fushor të betejës. Ai diti gjithnjë t’i impononte armikut planet e tij luftarake, të cilat i kryente me shpejtësi ose i ndryshonte sipas rrethanave që i krijoheshin, duke pasur kështu gjithnjë sukses në çdo betejë.

Gjergj Kastrioti i përkiste fesë së krishterë.U konvertua nga osmanët në mysliman, pasi e morën peng në ushtrinë turke dhe më pas u rikthye përsëri në fenë e të parëve të tij të krishterë.  

Gjergji lindi rreth vitit 1405. Ishte djali më i vogël, dhe fëmia i parafundit i familjes me shumë fëmijë të Gjonit dhe të Vojsavës, familja e së cilës banonte në krahinën e Pollogut. Ata kishin katër djem (Stanishin, Reposhin, Kostandinin dhe Gjergjin) dhe pesë vajza (Marën, Jellën, Angjelinën, Vllajkën e Mamicën).

Gjergji lindi në një kohë kur Principata e Kastriotëve ishte e fuqizuar. Osmanët barbarë morën Krujën (1414-1415), që ishte në kufi me Principatën e Kastriotëve. Gjoni, i cili më 1410 u kishte dhënë një djalë peng osmanëve (Stanishin), u detyrua edhe tani t’u jepte atyre peng djalin e vogël, Gjergjin.

Për një periudhë rreth 10-vjeçare, Gjergji vazhdoi shkollën e içogllanëve të Edrenesë, ku përgjithësisht futeshin djemtë e sundimtarëve të porsa të nënshtruar e vasalë (të cilët vareshin direkt nga Perandoria Osmane), për t’i përgatitur e edukuar me frymën osmane dhe islame, si komandantë të zotë, islamik të përkushtuar dhe pushtetarë apo feudalë të bindur.

 Natyra e kishte pajisur Gjergj Kastriotin më dhunti të veçanta, shumë të çmuara. Ai ishte shtatlartë e shumë i fuqishem, mendjemprehtë dhe mësoi disa gjuhë të huaja. Gjatë viteve të shkollimit Gjergji u dallua nga të tjerët. Atij iu vu emri mysliman Skënder dhe mori pjesë në fushata të ndryshme ushtarake në Ballkan dhe në Azinë e vogël.

Burimi kryesor dhe më i rëndësishëm, për Gjergj Kastriotin, është vepra e Marin Barletit, ku të dhënat kanë ardhur duke u vërtetuar, plotësuar dhe korigjuar në një varg rastesh edhe nga shumë burime të tjera osmane.

Më 1430, pas një deshtimi shkatërrimtar në luftë me otomanët pushtues, Kastriotët humbën thuajse gjithë zotërimet, dhe iu nënshtruan tani regjimit të timarëve, kurse edhe Gjoni vetë u detyrua me dhunë të konvertohej në islam.

Situata në ish zotërimet e tyre mbeti e turbullt.  Perandoria Osmane menjëherë ia hoqi të drejtën e trashëgimisë së të atit dhe si masë ndeshkuese osmanët e larguan më 1438 nga posti i qeveritarit të vilajetit të Krujës, të cilën e gëzonte më parë.  Kësaj situate jo të mirë Kastriotët u përpoqën t’i përgjigjen me revolt, duke kërkuar mbështetje tek Venediku e Raguza dhe menjëherë fillojnë kontaktet e para të lidhjes me mbretërinë e Napolit.  

Në tetor të vitit 1443 trupat e bashkuara polake e hungareze, të komanduara nga kryetrimi hungarez Janosh Huniadi, pasi kaluan Danubin iu drejtuan viseve verilindore shqiptare, dhe, siç shkruante ai, ushtria e tij “…rritej nga dita në ditë me shumë bullgarë, shqiptarë, serbë e boshnjakë.” Beteja u zhvillua më 3 nëntor 1443, në afërsi të Nishit, ku ishte i pranishëm edhe heroi kombëtar shqiptar Gjergj Gjon Kastrioti.  

Shpartallimin e forcave osmane në këtë betejë, Gjergj Kastrioti e gjykoi si çastin më të përshtatshëm për çlirimin e tokave shqiptare. Pasi grumbulloi rreth vetes disa qindra bashkëluftëtarë, pjesmarrës në betejën e Nishit dhe i shoqëruar nga i nipi, Hamza Kastrioti, Gjergji u nis në drejtim të Principatës së Kastrioteve.  Aksioni i tij për tu rikthyer në vendlindje ishte paramenduar shumë mirë, qysh herët.

Në Dibër filloi grumbullimi i forcave antiosmane shqiptare e cila erdhi duke u zgjeruar dora dorës në gjithë vendin. Kjo ishte prova se shqiptarët ishin gati për një kryengritje të përgjithshme.  

Në kështjellën e Krujës së çliruar, më 28 nëntor 1443, u ngrit krenar përsëri flamuri i Kastriotëve me shqiponjën e zezë dykrenore me fushë të kuqe, që u bë tani e tutje flamuri historik i luftëtarëve për liri të popullit shqipëtar.  Pas fitoreve të para të viteve 1443-1444, filluan gjithnjë e më të forta kundërgoditjet e ushtrive osmane, në të cilat niseshin nga bazat e tyre të mëdha në portat e trojeve shqiptare, në Ohër, Manastir, Kostur e Shkup me forca gjithnjë e më të mëdha, me ekspedita të organizuara vit për vit me një rregullsi të paramenduar.  

Vetëm në Shqipëri dështoi politika osmane islame e frikësimit, e mbështetur në epërsinë numerike dhe armatimit. Duke shfrytëzuar veçoritë e terrenit shqiptar, luftën tradicionale popullore dhe duke e kombinuar si mjeshtër i artit luftarak me operacione të mëdha strategjike-taktike dhe ndeshje frontale, Gjergj Kastrioti kundërshtarin otoman të lodhur me pusi e kurthe, alarme e shqetësime të vazhdueshme, e godiste me sulme të fuqishme e të befasishme dhe e shkatërronte përfundimisht.

Gjergji e kuptoi se për zhvillimin e luftës antiosmane në Shqipëri ishte i shumë nevojshëm edhe bashkëpunimi me forcat e jashtme europiane, të interesuara për t’iu kundërvënë vërshimit barbar islam osman.

Që më 1443-1444 e më tej 1448-1456 Gjergj Kastrioti krijoi lidhje me udhëheqësin hungarez Janosh Huniadin, për të arritur një front të përbashkët në Kosovë, dhe për t’i ndihmuar forcat hungareze që luftonin në Belgrad.  

Ai e zgjeroi bashkëpunimin me sundimtarët e fundit ballkanas, mbretin e Bosnjës, despotët e Sërbisë dhe të Artës, me kryepeshkopin e Ohrit, të cilët qenë në fakt më të interesuar të përfitonin nga lufta që zhvillohej në Shqipëri.  

E rëndësishme gjatë kësaj kohe ishte edhe zgjerimi i bashkëpunimit me shtetet perëndimore më të afërta Republikën e Venedikut, Mbretërinë e Napolit, papatin e Romës, duke llogaritur se ishte vetë interesi i këtyre shteteve që të ndihmonin aktivisht, materialisht e ushtarakisht luftën në Shqipëri për të siguruar krahët nga sulmet osmane prej Ballkanit.  

Titulli Atleti i Krishtërimit, që iu dha udhëheqësit shqiptar prej papa Nikollës V, u konfirmua më vonë nga pasardhësit e tij Kalisti III, Pius II dhe Pali II.   Kështu papa Kalisti III, e vlerëson shumë figurën e heroit tonë, kur shkruan: “Gjergj Kastrioti ishte si një digë e patundur. Ai ndaloi vërshimet e furishme të baticës islame otomane dhe i vuri fre shpërthimit të saj mbi Europën kristiane.”  Sot, në botë emrin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut e mbajnë sheshe të shumta në kryeqytetet më të rëndësishëm të botës, duke filluar në Tiranë, Shkodër, Prishtinë, Zyrihu, Paris, Romë, Chicago, Shkup, etj. Buste dhe shtatore të Gjergj Kastriotit ndodhen në Londër, Spanjë, Buones Aires, Detroit, New York, Milano, Kalabri, Kanada, Kosovë, Tiranë.  

Varri i tij, që ndodhej në kishën e shën Nikollës në Lezhë, u dhunua nga pushtuesit dhe eshtrat u morën si hajmali nga ushtarët turq.  Dy herë, papa Piu II, kërkoi të vinte në Shqipëri, me qëllim kurorëzimin si mbret të Gjergj Kastriotit.

Figura e Skënderbeut bëhet një nga temat qendrore të arteve figurative shqiptare, qysh nga epoka e Rilindjes Kombëtare. Nga plejada e piktorëve që punuan mbi bazë modelesh, më tej shkoi Spiro Xega, autor i një cikli romantik-heroik prej më se tetë veprash. Edhe ikonografi V. Zengo e ka pikturuar Skënderbeun në një kompozim (1937) sipas një gravure evropiane.

Për figurën e Gjergj Kastriotit në Letërsinë botërore

Krijimet e para kushtuar Skënderbeut janë dy vjersha latinisht prej autorësh italianë, miq të M. Barletit, i cili i vuri në krye të botimit të parë të veprës së tij për heroin.

Këto u pasuan në shek. XVI nga një radhë krijimesh poetike, ndër të cilat më të njohura janë sonetat e poetëve të Rilindjes, si francezi P. Ronsar (1576), që ngre lart bëmat e Skënderbeut dhe anglezi E. Spenser (1596), i cili e krahason Skënderbeun me njerëzit e mëdhenj të lashtësisë. Në prozën artistike të kësaj kohe Skënderbeu u shfaq në romanin -Tmerri i turqve – (1548) i italianit Antonio Posenti.

Kujtimi i luftërave heroike të Skënderbeut vijoi të gjente jehonë në veprat letrare edhe të shek. XVII. E kësaj kohe është poema – Skënderbeida (botuar në Romë më 1623) e poeteshës së njohur ilaliane Margerita Sarroki, që e vizatoi Skënderbeun si hero të vërtetë dhe kalorës fisnik.

Cilësitë morale të Skënderbeut si luftëtar i pamposhtur i lartësuan në veprat e tyre edhe: gjermani Jakob Kokert (Kengë mburrëse, 1643) dhe francezi Zhan Bysier (poema – Skënderbeu – 1658).   Autori i njohur anglez K. Marlou shkroi veprën – Historia e vërtetë e Gjergj Kastriotit. Rrugën e tij e ndoqën edhe dramaturgë të shumtë nga disa vende të Evropës, si Spanja, Italia, Franca, Suedia, Polonia, Greqia etj.

U hartuan një varg dramash, tragjedish dhe librete për opera dhe balete. Shkrimtari i madh spanjoll Lopes de Vega shkroi veprën Princi Skënderbeg, që i takon llojit të komedive të famshme. Për personazhin e tij janë shkruar në të gjithë botën mbi 600 libra, mes tyre romane, libra historikë dhe tregime, madje edhe legjenda, duke e ngritur në piedestal figurën e Heroit Kombëtar Gjergj Gjon Kastriotit. 

Të huajt për Gjergj Kastriotin

Shumë autorë e kanë parë figurën e Gjergj Kastriotit si një hero, strateg dhe vizionar të madh dhe të papërsëritshëm.

“Heroi ma i madh i të gjitha kohërave, për veprat faktike që ka bërë.” – Julius Pisko, 1894.

Napoleoni I, në kujtimet e tij të treguara në Sh. Helenë, heroin tonë e vë në radhën e katër gjeneralëve më të mëdhenj të botës (Memoiren Napoleons, herausgegeben von F.M. Kircheisen).

“Gjergj Kastrioti… ua kalon të gjithë strategëve të vjetër e modernë, në udhëheqjen e një ushtrie të vogël mbrojtëse.“ – J. Wolfe.

“Gjergj Kastrioti ishte një ndër gjeneralët më të mëdhenj, që kishte jetuar ndonjëherë.“ – Ludwig Holberg, 1739.  

“Gjergj Kastrioti kishte aftësi të rralla, i shpejtë dhe i qartë me intelekt të rrallë, i fuqishëm dhe me një guxim të pathyeshëm, prandaj ai me forcat e tij prej trimi ndali furinë e Perandorisë Osmane.” – Alberto Guglielmotti, 1871.

James Wolfe, heroi i Quebekut, në një letër të tij thotë midis tjerash se “Ai (Skënderbeu) ua kalon gjithë oficerëve, të vjetër dhe modernë, në prija ushtrishtë të vogla.

Ndërsa filosofi i madh freng, Voltaire, shpreh mendimin se sikur Perandorët bizantinë të kishin qenë si Skënderbeu, Perandoria e Lindjes mund të kishte shpëtuar.

*Mbajte me 6 Maj 2018 ne Akademine Perkujtimore organizuar nga Kisha Katolike Shqiptare Zoja e Shkodres dhe Federata Panshqiptare e Amerikes VATRA me rastin e 613 vetorit te Lindjes se Heroit Kombetar Gjergj Kastrioti Skenderbeu.

Filed Under: Opinion Tagged With: 613 vjetori i Lindjes, Gjergj Kastrioti, Prof. Gjon Frani Ivezaj

Qoftë bekue emni i Gjergj Kastriotit, Skenderbeu, për jetë të jetëve!

May 11, 2018 by dgreca

Nga Sami Repishti, Ph.D./*

Graduate Center,  C.U.N.Y- 6 maj 2018/ E ndiej vehten të privilegjuem me përshëndetë këte Tubim për lavdinë e Herojt tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, me rastin e ditëlindjes. Më lejoni të kujtoj nji shkrim, afër dy shekuj ma parë, nga Princesha shqiptare Elena Gjika, e njohun si Dora D’Istria, me banim në Rumani:

  “ Mund të dukej se shqiptarët të vendosun prej nji kohe shumë të gjatë në bregun tjetër të Adriatikut (ashtë fjala për Arbëreshët tonë në Itali) nuk do të kishin ruajtur veçse një kujtim të vagëlluar për bëmat e Herojt të Krujës. Po s’është kështu, dhe fjalët që thuhen mbi mosmirënjohjen e popujve nuk mund t’u zbatohen këtyre shqiptarëve. Në qoftë se pushtuesët e huaj nuk lejojnë të ngrihet një monument Kastriotit të Madh në vendin e tij të lindjes…. emrin e Herojt vazhdojnë ta bekojnë dhe kujtimin e tij do ta lavdërojnë për sa kohë të rrahë edhe një zemër shqiptare në të dy gadishujt” (e Ballkanit dhe Italik)(1)

  Në këte pozitë dhe në këte moment historik jemi na sot në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, dhe emnin e tij do ta bekojmë dhe  do ta lavdërojmë deri sa te rrahë edhe nji zemër e vetme shqiptare në këte vend.

   Qoftë bekue emni i Gjergj Kastriotit, Skenderbeu, për jetë të jetëve!

   Sot, tekstet e historisë sonë kombëtare na përforcojnë se “kujtimi i Skenderbeut jetoi jo vetëm në zemrën e popullit që e lindi. Ai pati nji shtrirje që kalonte kufijtë e Gadishullit të Ballkanit, kishte nji rendësi europiane. Skenderbeu i bëri të gjitha kohërat të flisnin për te”.(2)

   Homeri, poeti i Greqisë antike, e përcaktoi fjalën “hero” nji njeri që ka nji forcë të mbinatyrëshme, guxim të jashtëzakonshëm, dhe nji aftësi që favorizohet nga perenditë; dhe ky epitet e ban atë të përjetëshëm. Në këte sallë që mban emnin e shenjtores “Nana Tereza” na bekojmë dhe lavdërojmë sot emnin e Skenderbeut, siç ban nji komb i qytetnuem, të krishtenë e myslimanë, pa dallim. Sot, Shqipëria ashtë i vetmi vend në botë me popullsinë në shumicë myslimane që respekton nji hero kombëtar të krishtenë. (Prof. Stavro Skendi). Kështu vepron nji komb i qytetnuem!

   Por “heroj” duhet të jap nji kuptim emnit tij, duhet të luftojë për nji kauzë ose nji ide. “Ka shumë pak vend për herojt e luftave që kërkojnë pushtet, që ndryshojnë kufijtë, etj …” (3)  Heroj Skenderbeu luftoi të huejin e paftuem, dhe mbrojti lirinë e jetën e nji popullsie që dëshironte nji jetë në paqë. Luftëtari i madh ishte mik i paqës. Dhe për këte ai admirohet dhe adhurohet nga të gjithë shqiptarët pa dallim!. Kështu tregon historia!

    Pyetja themelore: “ç’ashtë historia”? duhet të shoqënohet me pyetje konsekutive: ashtë nji kronikë, nji “tregim interpretues”, përshkrim ngjarjesh të thjeshta apo evenimente që kërkojnë analiza politike, studimin e orientimeve ekonomike, traditave kulturore, ideologjive konfliktuoze dhe ndryshimeve të institucioneve të vendit. Kështu duhet qasë edhe studimi i epokës kastriotiane. Kjo ashtë edhe përshtypja e ime sa herë që lexoj shkrime në shtypin e botime shqiptare, kur ashtë fjala per ri-interpretim të ngjarjeve historike të së kaluemes sonë, akoma të pazbulueme. Vendi i jonë ka nevojë për “dritë”, me ndriçue sa ma shumë të jetë e mundun botën e errësinës që e ka mbulue shekuj me rradhë.

   “Nga kaosi, drita krijon nji botë!” (Thomas Carlyle) Ka mjaft kaos në fushën e historiografëve shqiptarë sot në vendin tonë. Dhe kjo për arsye të “vlerave” të historianëve tonë: perspektivat e tyne të ndryshme për arsye të ndryshimeve, mosha sidomos për ata që kënduen bashkë me Neronin shqiptar kur Shqipëria digjej flakë, dhe vrulli rinor për ata që vuejtën, u lindën dhe u rritën në vuejtje dhe dëshmuen përfundimin tragjik të prindëve në atë Shqipëri të mjerë që, unë pa dëshirë, e quej “republika e vuejtjes”.

   Klasa shoqënore që ndau vendin tonë në dy kategori me zjarrin përvlues të “luftës së klasave”, shprehja ma barbare e sistemit ma anti-njerëzor të shekullit njizet: -“diktatura e proletaratit”, dhe efektet e së cilës, e konceptet ideologjike të saj ndiehen akoma sot në vendin tonë të indoktrinuem pa sherim:

– botëkuptimi personal i “historianëve” që përqafojnë orientimin pro-perendimor si nji paevitueshmëni historike për Shqipërinë, dhe të tjerëve që shohin në këte orientim vazhdimin e përherëshëm të diktaturës së kuqe.

– logjika e “historianit”, përzgjedhjet, përjashtimet, sistemimi, tregon prirjen e gjykimit të tij me paraqitë si “të vertetë” atë që i pëlqen.

***

Pak kohë ma parë, unë shkruejshe sa vijon:“…Mbas vdekjes së Skenderbeut, Traktati i vitit 1479 në mes të Venedikut dhe Turqisë njohu pushtimin e Shqipërisë. Dritarja e “Botës së Perendimit’ u mbyll për Shqipërinë pikërisht në nji kohë kur fryma jetëdhanëse e Renesances dhe idetë fisnike të Humanizmit po krijojshin nji Europë të re me nji etje gargantueske për njohuni të  reja, për hapësina dhe nji botë të re, me nji zhvillim të lirë, të pakufizuem të shpirtit kërkues, e thellësisht njerëzor. Pavarësisht nga faktori fetar – që mbetet gjithmonë nji çeshtje krejtësisht intime për çdo ndërgjegje personale- okupacioni otoman ka nxjerrë Shqipërinë nga historia e kontinentit europian, dhe e ka denue atë të jetë nji krahinë e harrueme mbrenda nji perandorie të mbyllun, me kulturë të kundërt nga ajo e Europës, që po rilindte në Perendim…”

  Ajo që deshta me thanë ashtë se epoka e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastritoti-Skenderbeu, bashkë me lavdinë e rezistencës heroike kundër agresionit otoman ka përmbajtë në vehte edhe nji dëshirë, nxitje e mbrendshme, e papërmbajtun, logjike ose instinktive, me u orientue plotësisht, qoftë edhe me sakrificën e jetës, kah bota perendimore – natyrisht, në atë kohë Krishtenimi Perendimor, me epiqendër Vatikanin. Ky orientim i ndjemë thellësisht nga luftarët shqiptarë, që nga Skenderbeu deri tek ushtari i thjeshtë që e ndoqi udhëheqsin për 25 vjet me rradhë, parashikonte triumfin e luftës së ndërmarrun si nji kryqëzatë që luftonte jo vetëm për mbrojtjen e Shqipërisë, por edhe kundër “besimit të ri”, kundër orientimit kah shoqënia otomane, rivale e Perendimit.

    Shqipëria nuk ka njohë atë kohë entuziasmin e Renaissance-s dhe frymën e Humanizmit që transformuen Europën Mesjetare. Por Shqipëria, përmes përvojës tragjike që solli invazioni otoman, mori nji qendrim kambëngulës kundër tij, dhe interpretoi ardhjen e Perendimorëve në vendin tonë si nji dorë shpëtimtare. Krishtënimi Perendimor ka qenë, në ato kohëna, zemra e muskujt e Europës, me pozitën superiore të Papës së Romës. Në Shqipëri krishtënimi perendimor ka qenë nji agjent historik thelbësor, sidomos mbas ardhjes së Anzhuinëve në vendin tonë, në vitin 1272. Ashtë shumë e vështirë, ndoshta e pamundun, me përfundue se nji ndermarrje e këtill epike, si ajo e herojt tonë kombëtar, Skenderbeu, mund të fillonte e të mbahej nga nji udhëheqës jo-katolik.

  Ashtë nji detyrë e historianit të sotëm në Shqipëri, që për arsye objektiviteti duhet të përqendrohet në shkrimin e “monografive”, tue lanë punën e hartimit të historisë sonë për ditë ma të vona, dhe nga grupe ekspertësh të çdo epoke, të shliruem nga “elementët infektues”. Shpresa e jonë mbetet në sallat e Instituteteve të Historisë së Shqipërisë, Kosovës dhe Tetovës, dhe qendrave të jashtëme të studimeve shqiptare, si dhe degëve të tyne sekondare, të dedikuemë në profesionin e nderuem të historisë.

***

Shenime:

1)Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë. Historia e Popullit Shqiptar, v. I (Botimet Toena: Tiranë, 2000) f. 492

2) REVISTA SATURDAY REVIEW,  New York, datë: 13.IX.1862

3) Trollope – Cleaverings XXIII – 1866. Quoted by The Oxford English Dictionary, 1989,   2nd Edition, v. VII, f. 171

4) “Parathanje”. Ardian Ndreca. Kur Skenderbeu nuk ashtë “Historia e Skenderbeut”(Onufri:Tiranë, 2009)  

  • Pershendetja qe Prof. Sami Repishti dergoi me 6 maj 2018 ne Akademine perkujtimore me rastin e 613 vetorit te Lindjes se Heroit Kombetar Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Pershendetja u lexua nga Tonin Mirakaj.

 

Filed Under: Politike Tagged With: 613 Vjetori, Lindja e Skenderbeut, pershendetje, Sami repishti

…humbasim privilegjin për të qenë të lirë

May 10, 2018 by dgreca

Kur humbasim të drejtën për të qenë ndryshe, humbasim privilegjin për të qenë të lirë/

Gladiola Jorbus

Nga Gladiola Jorbus/

Udhëtimi i vërtetë i zbulimit nuk konsiston në gjetjen e territoreve të reja, por në zotërimin e syve të tjerë, duke parë universin me sytë e një tjetri, qindra të tjerëve: duke vëzhguar qindra universet që secili prej tyre vëren, që secili prej tyre është. (M. Prust)

Dita e Diversitetit kulturor që përkujtohet çdo 21 Maj është një shkas për të lidhur çështje të kalibrit të tillë si identiteti kombëtar, të drejtat e minoriteteve apo komuniteteve të caktuara, por që ndonjëherë në vorbullën e mbijetesës kulturore paraqiten veçmas.

Pikësëpari duhet të fokusohemi te dialogu, sepse shumica e konflikteve janë shkaktuar pikërisht nga përplasja midis kulturave të ndryshme.

Dialogu me të tjerët dhe përqasja ndaj zakoneve dhe traditave të ndryshme nga tonat, na lejon të kuptojmë nevojat e të tjerëve, të mësojmë t’i respektojmë ato dhe të zvogëlojmë rrezikun e konflikteve të reja.

Për më tepër, larmishmëria e popujve dhe kulturave është një trashëgimi që nuk duhet humbur.

Mbështetur në Deklaratën e UNESKO-s mbi Diversitetin Kulturor të vitit 2001 mund ta definojmë diversitetin kulturor si një trashëgimi të përbashkët të njerëzimit, po aq të domosdoshme për këtë të fundit, sa ç’është dhe diversiteti biologjik në natyrë për organizmat e gjallë. Mbrojtja e tij (diversitetit) është një  nevojë etike, e pandashme nga respekti për dinjitetin e njeriut.

 “Të drejtat kulturore janë pjesë integrale e të drejtave të njeriut, të cilat janë universale, të pandashme dhe të ndërvarura…”, thuhet në Nenin 5 të Deklaratës Universale të UNECSO-s mbi Diversitetin Kulturor.

Në këtë mënyrë krijohet një përqasje pozitive ndaj  vlerave thelbësore të njohjes dhe të të kuptuarit midis gjeneratave, të rinjve me të moshuarit, midis personave me preferenca të ndryshme seksuale, me prejardhje nga zona rurale apo urbane, të racave të ndryshme, të vendasve me të migruarit ose emigrantët, meshkujve me femrat, të krishterëve me myslimanët, shumicës me pakicat kombëtare etj.

Ky dialog ndërkulturor në rrugën drejt kohezionit social prek aspekte të ndryshme të historisë së përbashkët, çon në bashkëveprime të bazuara në respektin reciprok, shtyllë kjo e bashkëjetesës paqësore dhe thelbësore për zhvillim.

Pluralizmi kulturor, qoftë ai paraardhës apo aktual mbetet një aspekt i çmuar i Trashëgimisë Botërore, prandaj i përket secilit prej nesh. Njohja dhe vlerësimi i trashëgimisë së çdo vendi fokuson datat e rëndësishme, figurat kombëtare, kulturën materiale dhe jomateriale; është një mundësi e pakrahasueshme për t’u ushqyer me rrënjët tona dhe me shprehjet e tanishme të diversitetit të shumëfishtë kulturor që ushqen identitetin tonë, përmes historisë që zbulon vazhdimisht, se kush jemi ne që jetojmë në këto hapësira multikulturore.

Por, shoqëria është shumë më tepër nga sa shfaq. Ajo vazhdimisht duhet të jetë e orientuar nga konceptet demokratike të bazuara në vlera e qytetari. Sfida shoqërore është avancimi drejt të jetuarit në hapësira që vërtet janë ndërkulturore.

Baza e kësaj bashkëjetese është toleranca – dhe njohja e përbashkët. Një kontakt shumëgjuhësor qëmtohet në sedimentin e brendshëm të origjinës, i cili është gjithashtu heterogjen dhe i larmishëm.

Të jetosh në diversitet është të mirëkuptosh e të perceptosh kontributet e grupeve të ndryshme dhe trashëgiminë e tyre jomateriale. Ky koncept i vërtetuar nga UNESCO-ja ofron një kuadër frytdhënës mundësish për reflektim dhe ndërveprim, i cili nuk duhet të shfaqet mungues, në planet e studimit dhe në veprimet e politikave ndërkulturore, lokale apo globale.

Pavarësisht momenteve të errëta në historinë tonë ia vlen të përmendim një vlerë të rëndësishme që kemi trashëguar nga paraardhësit: atë të tolerancës dhe bashkekzistencës sonë fetare; fakt identifikues dhe vlerë e evidentuar nga mbarë opinioni botëror për ne shqiptarët.

Dita Botërore e Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim thellon kuptimin e vlerave të tij, ndërkohë që ndër pikat kyçe renditen: respektimi i të drejtave të njeriut, promovimi i dialogut ndërkulturor, qasja kulturore ndaj komuniteteve të ndryshme etj.

 Si mund të arrihet kjo? Gjithçka nis nga familja; është detyrë e prindërve të mos e ushejnë fëmijën me paragjykime e tabu; më pas shkolla e zhvillon dhe e pasuron këtë trend me aktivitete të ndryshme, kurse shoqëria e mbështet duke e promovuar diversitetin si një mozaik plot larmishmëri bindjesh kulturore, politike, filozofike, fetare, seksuale, mjekësore etj.

Ashtu si qielli ka vend për të gjithë yjet, ashtu dhe toka ka vend për të gjithë njerëzit.

 E si mund të luftosh përqasjen e gabuar ndaj një shtrese të margjinalizuar mund të pyesë dikush. Kjo në arsim mund të arrihet përmes metodave empirike si: dramatizime, projekte, vizita të karakterit humanitar e gjithfarë teknikash e lidhjesh ndërkurrikulare që kanë në qendër nxënësin.

Ne vetëm mund të argumentojmë mbi rëndësinë e lidhjes dhe njohjes globale në kuadrin kulturor sepse kultura, si mënyra më efikase që u shërben njerëzve për t’u përshtatur me njëri-tjetrin, përfshin krijimin dhe zhvillimin e trashëgimisë në përgjithësi, si materiale dhe jomateriale; ama jemi ne ata që zgjedhim në fund se ç’qëndrim duhet të mbajmë.

Sa s’është vonë, duhet reflektuar mbi nevojën për të inkorporuar në mënyrë të vendosur, konceptet dhe përmbajtjet në veprimet edukative të qytetarëve për të rindërtuar skenarët e bashkëjetesës, nga e cila do të riformësohet trashëgimia e ardhshme, që për hir të së vërtetës do të jetë ndërkulturore. Askush nuk mund të apelojë ndaj shumëllojshmërisë së diversitetit dhe as ta kufizojë atë, përkundrazi duhet të shfaqet plot bonsens, kureshtar dhe mendjehapur ndaj tij.

Dita Botërore e Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim është një mundësi për të reflektuar mbi vlerën e dallimeve, midis realiteteve kulturore të planetit dhe për të kuptuar se si të ndërtohen kushtet për “të jetuar së bashku”, në një mënyrë më konstruktive përmes dialogut dhe respektit reciprok.

Me të drejtë shprehej ish- guvernatori i Nju Jorkut, Charles Evans Hughes Sr. se: “Kur humbasim të drejtën për të qenë ndryshe, humbasim privilegjin për të qenë të lirë’.

Filed Under: Opinion Tagged With: Gladiola Jorbus, humbasim privilegjin, për të qenë të lirë

Të dehurit e mahallës ballkanike

May 10, 2018 by dgreca

1 skender_mulliqi-1

Nga Skënder MULLIQI/

Thonë së budallenjët mburrën më atë që të menqurit turpërohen. Dhe, ajo më çka po lavdërohen dhe mburren kjo elitë politike në pushtet, e cila ia ka falë dreqit, e vërteton edhe këtë thënje të popullit. Ju zonja dhe zotëri në pushtet, mos jeni aq shumë të “mençur” sa po mendoni së ne qytetarët jemi budallë ?! Qeveritë e deri tashme na proklamuan dhe po na proklamojnë në media dhe rrjete sociale më mburrje, së Kosova ka bërë të arritura të larta, në këtë kontekst edhe kur bëhët fjalë gjoja për shkallën e ulët të atyre të cilët po kërkojnë një vend të punës. Po e rreni dhe po e manipuloni opinionin gjithë ditën më të dhëna sipas deshirës tuaj duke e shtrembëruar realitetin.

Sigurisht së kemi edhe “ulje” të shkallës të atyre të cilët po kërkojnë punë së çdo ditë po zbrazët Kosova. Po të kishit hapur vende të reja të punës sigurisht së shumë më pak do të ishte bërë fjalë për këtë temë. E dini ju zotëri pushtetarë, së shumë kush edhe unë e dojmë këtë vend dhe nuk do të dëshironim në asnjë mënyre të flasim pa argumente. Nese e shetisim Kosovën mund të shohim gjithnjë e më shumë qytete dhe katunde të cilat po zbrazën, fusha të pa punuara …Kjo është e dhembshme. Ju zotëri atje lartë që jeni ngjitur në pushtet, ju po voziteni më vetura të shtetit shumë të kushtueshme, dhe kur po doni edhe po fluturoni jashtë vendit më aeroplanë po ashtu të klasit të pare.

Rinia jonë po largohen ku t’u shohin syte për një jetë më të mirë …Në shumë vende po shohim vëtem njerëz të vjetër të ulur para shtëpive duke shikuar rrugën… A keni zbritur ndonjë herë ju pushtetarë në vende të ndryshme të Kosovës për të pa nga afër së si po jeton njeriu ynë ? Nuk po zbrisni së vetja po ju duket Zot mbi këtë tokë. Nuk e shkelni këmbë Kosovën e varfër së nuk keni dëshirë të pluhëroseni, nuk keni dëshirë dhe nuk ua don syri të shikoni gjera të keqija. Jeni mësuar të jetoni në stilin e lartë e deri dje nuk keni pasur brekë në b… Kosova po zhbehet. Po largohen nga ky vend të cilën e keni shëndrruar sikur të ishte shkretinë…

Si nuk keni pakë moral politikë të na folni për statistika, të na mbani nasihat së Kosova po përparon, së edhe shumë pak kohë ka mbetur kur do të bëhëmi pjesë e Evropës së Bashkuar, e jemi vendi i vëtem i izoluar si në geto për fajin Tuaj… Çdo ditë e më shumë njerëzit po largohen më autobusa, trena, vetura të ndryshme më lotë në sy për në Gjermani e shumë vende tjera të botës Perëndimore. Po i shesin pronat e baballarëve, gjysherëve të tyre siq thuhet për një grusht grosh. A nuk ka gjë më e dhembshme dhe tragjike së ta mbyllesh shtëpinë më dry. E ju, zotëri dhe zonja në pushtet nuk po ju intereson dhe nuk po e shihni ekzodin më të madh ndoshta në historinë e shqiptarëve të Kosovës, duke mos llogaritur këtu edhe shumë qka tjetër…

Po dukeni si një turmë e të dehurëve te mahallës së ndotur ballkanike. Ju po flisni vetem sipa dëshirës tuaj duke e shtremberuar realitetin e hidhur të jetës së keqe të shumicës në Kosovë. E vërteta është një, dhe nuk bahët tjetër. Kosova jo vëtem që ka banorë shumë më pak, por shumë më pak është duke mbetur fuqi punëtore. Duket ashiqare së nuk keni shumë dije në politikë, së jeni më shumë lakmitarë te të mirave materjale, së nuk punoni asgjë. Po proklamoni parrulla të rreme së jeni duke punuar ndershem dhe pa hile për Kosovën.

Me rroba kat, këpucë të zeza të lustrueme dhe më bluza të bardha po na flisni neper televizone dhe gazeta për fitore të pa qena. Nga Kosova po largohen, jo më nga okupatori serb, por nga “okupimi” juaj ekonomik dhe social. Do të duhet të kishit dijeni politike, mos të ishit lakmitarë për poste e për të mira matetrjale, do të kishit pasur mundësi për ta udhëhequr Kosovën. Jo, ju keni vëtem shkëlqim të rremë, ju nuk kuptoni gjë nga shtetndërtimi dhe mirëqenja, ju po lavdëroheni më atë që duhet të turperoheni…

Filed Under: Analiza Tagged With: e mahallës ballkanike ?!, Skender Mulliqi, Të dehurit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1426
  • 1427
  • 1428
  • 1429
  • 1430
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT