• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shkup-Presidenti i Kosovës: Anëtarësimi në BE, siguron paqe afatgjate në rajon

April 28, 2018 by dgreca

-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në takimin e liderëve rajonalë në Shkup: Ky Samit dërgon mesazh te të gjithë se rajoni ynë ka ndryshuar dhe se është shembull i zhvillimeve pozitive, duke përmendur organizimin e shumë takimeve rajonale në këta muajt e fundit/

SHKUP, 27 Prill 2018-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë sot në takimin e liderëve rajonalë,  i cili u mbajt në Shkup, në kuadër të procesit të “Bërdo-Brione”. Në këtë Samit kanë marr pjesë edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Donalt Tusk dhe kryeministri bullgar, Boyko Borissov, shteti i së cilit kryeson me presidencës e BE-së.

Në fjalën e tij, presidenti Thaçi ka thënë se ky Samit dërgon mesazh te të gjithë se rajoni ynë ka ndryshuar dhe se është shembull i zhvillimeve pozitive, duke përmendur organizimin e shumë takimeve rajonale në këta muajt e fundit.“Të gjitha këto takime kanë bërë të qartë për të gjithë që sot, vendet e Ballkanit, komunikojnë, bisedojnë, dialogojnë, me njëra-tjetrën si mjet për të zgjedhur çështjet e hapura që kemi. Por edhe si mjet për të artikuluar qartë aspiratat tona për të ardhmen tonë”, ka theksuar ai.

Kreu i shtetit ka thënë se “Bërdo-Brione” ka shërbyer si një inkubator nga i cili kanë dalë shumë ide e nisma që pastaj kanë marrë forma të bashkëpunimit rajonal e më gjerë.“Mbi të gjitha, këtu është konfirmuar nga të gjithë se aspiratë e jona e përbashkët është anëtarësimi i vendeve tona në Bashkimin Evropian. Ky anëtarësim do të thotë përcaktim për paqe të qëndrueshme, për stabilitet, për zhvillim, për prosperitet për të gjithë qytetarët tonë”, ka shtuar presidenti Thaçi.

Sipas tij, të gjithë e kanë mirëpritur Strategjinë e Komisionit Evropian, e cila 15 vite pas Samitit të Selanikut, përsëri ri-konfirmon qartë që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë derën e hapur për t’u anëtarësuar në BE.“Samiti i Sofjes, i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ka karakter historik dhe është një mundësi e jashtëzakonshme për të gjithë ne” ka theksuar ai.Presidenti Thaçi ka shtuar se nga ky samit duhet të nxjerrim maksimumin e mundshëm, si në çështjet që ndërlidhen me përmirësimin e infrastrukturës, energjisë, ndërlidhshmërisë, digjitalizimit, bashkëpunimit të të rinjve, në arsim, etj.“Mbi të gjitha, ne duhet t’ua bëjmë të qartë shteteve anëtare të BE-së se ne si shtete kandidate dhe aspirantë për anëtarësim në BE, jemi të gatshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka theksuar presidenti Thaçi, duke shtuar se tani duhet shfrytëzuar me kujdes dhe pa humbur kohë këtë momentum pozitiv të krijuar.Sipas tij, nëse ne dhe BE vonohemi, atëherë të tjerë të cilët nuk kanë agjenda pozitive për rajonin, do të shtojnë ndikimin në rajonin tonë.Presidenti Thaçi ka theksuar se në Kosovë jemi të përkushtuar që t’i kryejmë detyrat tona. “Më lejoni të theksoj se ndër sukseset e fundit tona ka qenë ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. E arritura kryesore e kësaj marrëveshjeje është se zgjidhjen e kemi gjetur Kosova dhe Mali i Zi në mes nesh, pa ndërmjetësim të ndonjë pale të tretë”, ka shtuar Presidenti.Kreu i shtetit ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe në kërkim të një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme për të dyja palët.Presidenti Thaçi ka ripërsëritur se nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut. “Ne jemi të gatshëm ta mbyllim kapitullin e mosmarrëveshjeve, armiqësive, konfliktit, dhe të hapim kapitullin e bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe pajtimit”, ka shtuar i pari i vendit. Duke folur për Asocacionin e komunave me shumicë serbe, presidenti Thaçi ka thënë se javë më parë, institucionet e Republikës së Kosovës kanë funksionalizuar Ekipin Menaxhues, i cili është kompetent për draftimin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.“Hartimi i statutit pritet të përfundojë brenda 4 muajve, siç është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit. Themelimi i Asociacionit nënkupton zbatim nga ana e Kosovës të të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Ne shpresojmë që një gjë e tillë do të inkurajojë edhe Serbinë që të zbatojë në praktikë të gjitha marrëveshjet”, ka shtuar ai.Presidenti ka mirëpritur deklaratën e përbashkët që do të lëshohet nga ky samit, e që sipas tij, Deklarata përmbledh më së miri vendosmërinë dhe aspiratën tonë.“Për më tepër, deklarata e bën të qartë se kemi bërë hapa të mëdhenj përpara, si shtete dhe si rajon. Kërkojmë që këta hapa të marrin mirënjohjen tonë por edhe të botës, në veçanti të Bashkimit Europian dhe shteteve anëtare të BE-së”, ka thënë ai.Në fund, presidenti Thaçi ka thënë se e mirëpret gatishmërinë e Brukselit që të pranojë atë që e kemi thënë sa herë në këtë forum, se Bashkimi Europian do të jetë i plotë vetëm kur tërë shtetet e Europës Juglindore të jenë pjesë e këtij komuniteti.Në kuadër të këtij Samiti, presidenti Thaçi ka zhvilluar takime me homolog të tij nga rajoni dhe shtetet të BE-së./b.j/

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, Presidenti Thaçi, Shkup

E KUQJA E BORËS-ILIR LEVONJA

April 28, 2018 by dgreca

1 kujtim Hajdari“E KUQJA E BORES”- Pasqyrimi i një gjëndje kaotike të vendit/

Nga Kujtim Hajdari/

Duke lexuar romanin e shkrimtarit Ilir Levonja “ E KUQJA E BORËS” nuk ka si të mos vesh re bukurinë e një vepre të punuar me kujdes e me art. Është ndërtuar me një subjekt të rrjedhshëm pa shumë linja e ndërthurje të ndërlikuara, që e bën romanin të lexohet me ëndje e të ndiqen ngjarjet e personazhet e veprës me një kënaqësi gjatë gjithë faqeve të tij.

Të lë përshtypje të thellë zgjedhja e materialit jetësor të kohës  dhe përshtatja e tij në këtë vepër letrare-artistike me një forcë të madhe përgjithësuese. Kjo mjeshtëri është skalitur tek autori nga përvoja e tij e gjatë në fushën e letërsise. Ai vjen në këtë roman pas disa vëllimeve poetike, pas disa vëllimeve me tregime, pas vëllimit me ese  dhe pas dy romaneve  të tjerë para këtij. Kjo sigurisht i ka dhënë aftësinë të punojë çdo skenë, çdo situatë, çdo ambient të romanit me daltë në dorë dhe me kujdesin e një artisti të afirmuar. Veç kësaj shumë ngjarje, ka shumë mundësi të jenë përjetuar nga vet autori i cili në atë kohë ka kaluar rininë  e tij dhe ka qënë personazh aktiv i asaj shoqërie  dhe kjo e ka bërë të qëmtojë nga jeta ato materiale të nevojsheme e të mjaftuesheme për të paraqitur sa më mirë problemet e asaj kohe e për të realizuar idetë dhe mesazhet e bukura që na ka dhënë në roman.

Të josh me bukurinë e saj në veper  gjuha e zgjedhur, frazat e përpunuara me kujdes, ndërtimet e bukura sintaksore, përshkrimet me plot gjallëri të ambienteve të ndryshme, analiza psikologjike që u bën personazheve duke gdhendur figura që të mbesin në kujtesë.  Përshkrimet janë të shumta, plot ngjyra e figuracion të bukur letrar.  Dialogjet i gjen herë të shkurtër e herë të gjatë në roman, sipas situatave që ka dhënë, por gjithnjë janë shumë shprehës e  me një leksik të zgjedhur e herë-herë të hijeshuar me zhargonin popullor që  ja rrisin akoma më shumë vlerat veprës se e bëjnë atë më tërheqëse e më të këndshme për lexuesin

Në roman të mahnit ndërthurja e bukur dhe e natyrshme e linjave kryesore të tij: ajo e dashurisë midis të rinjve. Midis Markos dhe vajzat që ai dashuron, Andia, Lura dhe Genta me të cilën përfundon. Linjë që ndërthuret bukur me linjën tjetër atë të jetës së tij sociale dhe ekonomike të kohës, dy linja që shkojnë në harmoni e plotësojnë njëra –tjetrën.

Romani trajton një periudhë të vështirë të kohës, periudha e kaosit të madh politik pas viteve 90,  sidomos jetën e viteve 96 – 97e cila u degradua ndër të tjera edhe nga krijimi e pastaj falimentimi i fondacioneve  që praktikonin depozita me interesa të larta, lojëra që u krijuan nga qarqe politike në atë periudhë në fuqi për të mbledhur paranë  e si pasojë  çuan në rrënim akoma më tej të qytetarëve, një pjesë prej të cilëve mbeti pa shtëpi, pa një qindarkë, dhe herë –herë të mbytur në borxhe.

Në një arenë të tillë historike  shpalosen me një bukuri dhe zhdërvjelltësi artistike ngjarjet e romanit. Në këtë mjedis lindin, lëvizin e krijohen nga një penë e stërvitur në vite personazhe të shumtë me nje individualitet të veçantë e të skalitur, duke shpalosur ngjarje, histori dhe gjithë jetën e asaj kohe me një  realizëm aq të besueshëm saqë ne, që e kemi jetuar atë periudhe na duket  sikur jemi kthyer prapa në histori e po jetojmë sërish ato vite të tmerrshme, kur nuk funksiononte më ligji i qeverisjes, nuk funksiononte shteti. Dhe siç ndodh gati në çdo histori në raste të tilla kaosi, në shoqëri  fillon të veprojë ligji i xhunglës, ligji më i tmerrshëm, më denigrues i figurës së njeriut, ligji më çnjerëzor e më barbar në marrëdhëniet midis njerëzve.

Me ngjarjet e sidomos me kronikat që fut natyrshëm në subjektin e romanit, autori na argumenton qartë fenomenin shkak pasojë. Si rrjedhim i këtij kaosi krijohen banda të ndryshme terroriste që masakrojnë e terrorizojnë qytetin. Arrijne deri atje me mizorine e tyre sa të futen nëpër shtëpi. Të marrin vajzën e ta përdhunojnë  në prani të familjarëve, për inate personale i marrin gruan me forcë e s’i dihet se ç’fat pati,  vrasin në prani të fëmijëve e të gruas burrin,  vrasin për zbavitje Ermirin e guguftuve e plot e plot krime të tjera që solli ajo kohë e ato banda.

Na përshkuan me një realizëm të dhimbshëm,  therës vuajtjet e emigrantve për të mbrritur në Greqi nëpër male e në palcë të dimrit në këmbë. Do të shikojmë të rinj që ecin gjysëm të ngrirë e që mbajnë në krahë, si në legjenda makabre, shokët e vdekur nga ftohti  e vështirësitë e rrugës.

Të bëjnë përshtypje e të lënë mbresa  dy qendrimet e Greqisë me emigrantët tanë, nga njëra anë ushtarët e kufirit dhe policia që silleshin si barbar, si me Markon kur shkon te posta kufitare me shokun e tij Armandin e vdekur e të ngrirë në krahë. Jo vetëm e trajtojnë keq por e rrahin mizorisht saqë kur permendet në spital, në alluçinacionet e zgjimit nga agonia e humbjes së ndjenjave edhe bora i duket e kuqe në gjysëm ëndrrat e përmendjes, edhe ajo kishte marrë ngjyrën e gjakut që derdhën e lanë emigrantët fatkeq në ato rrugë shprese për një të ardhme më të mirë. Skena nga të cilat merr edhe titullin e bukur dhe intrigues romani.

Dhe nga ana tjetër populli i thjeshtë grek ku dukeshin shenjat e mirëkuptimit e të një ndjenje njerëzore që shpesh e shprehnin në marrëdhëniet me emigrantët.

Shkrimtari jep qartë në veprën e tij mungesën e një niveli të lartë, të qualifikuar politik të partive të vendit tonë, sëmundje që vazhdon akoma, e si pasojë sa herë fitonte një parti, në gjithë institucionet social-kulturore të vendit do të kishte shkarkime nga puna dhe vendosja e simpatizantëve të partisë që fitoi. Nuk shikohej kualifikimi dhe pregatitja e kuadrit nga ana profesionale, siç ndodh me personazhin kryesor të romanit, Markon.

Marko është bosht i gjithë romanit, një djalë i ri, intelektual, simpatizant i një partie që aktualisht është në fuqi deri nga fundi i romanit. Nëpërmjet figurës së Markos shkrimtari do t’na çojë në ambiente të ndryshme të atij qyteti ku zhvillohen ngjarjet dhe do t’na vëjë në kontakt me shumë personazhe të tjerë që përfaqesojnë shtresa dhe interesa të ndryshme të shoqërisë.

Marko përfaqëson ate shtresë të rinisë që ëndërronin dhe shpresonin se me ardhjen e demokracisë ngjarjet dhe gjithë jeta e vendit do të merrnin në drejtimin e duhur: të zhvillimit  politik, ekonomik, të forcimit të rendit, të respektimit të dinjitetit të njeriut, të lirisë së tij. Është pikërisht ky brez me këto ëndrra që merr zhgënjimet e para. Shkrimtari shkallë-shkallë na jep deluzionin e të rinjve, që edhe pse kishin dëshirën edhe pse kërkonin t’i impononin vullnetin vetes për të bërë diçka të mirë, për t’i shërbyer mirë shoqërisë detyrohen, nga rrethanat e krijuara, të braktisin çdo gjë; vendin,  prindërit e shumica të mërgojë jashtë.

Rreth Markos paraqiten një sërë personazhezh të tjerë si Leci, kolegu i tij i zyrës, simpatizant i së njëjtës parti por në ndryshim me Markon, Leci nuk lufton për ideale, por kërkon që situatat e krijuara dhe pozitën që ka arritur t’i shfrytëzojë për përfitime  të ngushta personale. Arrin deri atje sa të shes disa herë, me qëllime përfitimi,  pashaportën me vizë të Enjanit, kolegut të zyrës që kishte vdekur. Me Zaken, drejtorin e komunales rregullojnë preventiva të fryrë për punë të ndryshme, për të vjedhur dhe atje. Përfaqëson atë shtresë të re të korrupsionit që fillon të lind në anarshinë e krijuar.

Profesor Enjani dhe profesor Berzati dy figura me karaktere të kundërta; i pari i drejtë e i ndershëm dhe i dyti me sjellje që lënë për të dëshiruar.

Bandat e terrorit  me perfaqësuesit e tyre janë një grup tjetër personazhezh negativ të  krijuara  nga  të rinj me probleme nga e kaluara dhe të trembur nga kaosi apo të shtyrë dhe nga ndjenja për t’u hakmarrë si dhe të rinj me  makutërinë për t’u pasuruar shpejt e shpejt duke vjedhur apo marrë me forcë të tjerëve, japin shenjat e para të një krimi që kërkon të organizohet, ndonëse edhe shpesh bien preh të rivalitetit me njëra –tjetrën.

Në  roman do të gjejmë një galeri të tërë personazhezh që unë nuk po zgjatem, të cilët shkrimtari i ka dhënë me vitalitetin e penës së tij, të gjallë, jetësor e të prekshëm. Nuk ka asgjë ireale, të pakapshme të këtij romani; ata janë njerëzit e përditshëm. Janë kolegët e punës, shokët e lagjes, të afërmit, miqtë, kundërshtarët, ata me të cilët jemi rritur e kemi jetuar.

I bëj pergëzimet e mia të përzemërta shkrimtarit duke i uruar suksese në vepra të reja.

Filed Under: LETERSI Tagged With: E kuala e Bores, Ilir Levonja, Kujtim Hajdari

KUJTESE-NDODHI ME 29 PRILL NE INSTITUTIN PEDAGOGJIK….

April 28, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

INSTITUTI  PEDAGOGJIK SHKODER ME  29 PRILL 1967, ORA 17.00…/

AI  FITOI !

Ditë e paharrueshme në historinë e qytetit të Rozafës së thinjun…Ashtu ndodhi, si kishte parashikue At Mëshkalla. Atë ditë u organizue një mbledhje e Frontit të Lagjës “Tre Heronjë”, në Institutin Pedagogjik Shkoder, për “demaskimin” e veprimtarisë fetare të klerikut At Pjetër Mëshkalla. Kishte tri a katër ditë që binte në sy një grup rojesh, që silleshin rreth shtëpisë së Tij. Mbasdite Ai doli nga shtëpia rreth orës 16.45’, me mërrijtë në mbledhje në orën e caktueme qysh në mëngjez. Dy civilë të Sigurimit e pyesin: “Në mbledhje je nisur?” dhe, Ai i përgjegjet –“Po!”-. Bashkë me disa të tjerë Ai hyni në Institut, ku përgjithësisht të gjithë ishin me ftesa. Në sallë nuk hyhej lirisht, aty zakonisht hynin të zgjedhunit dhe të “porositurit” që do të flisnin si dhe duertrokitësit e njohun ndër këto mbledhje të Gjenocidit të vertetë.

Hymja e At Mëshkallës në sallë u kuptue nga heshtja që ra aty, po edhe nga ata që ishin jashtë në rrugë, mbasi në altoparlant u dëgjuen fjalët: “Qetësi, shokë, …qetësi!”. Foli drejtuesi formal i asaj mbledhje Luigj Shala, sigurisht, i zgjedhun nga Partia, dhe mbas tij vazhduen diskutantët e përzgjedhun në të gjithë Shkodrën, me lexue diskutimet e fyemjet e përgatituna nga mendjet e “ndritura” të pseudointelektualëve, që punonin me ditë të tana për këto mbledhje. Mbledhja drejtohej nga një presidium i përbamë nga Luigji, Vat Deda, Arif Gashi dhe Palok Kraja, që mbajti edhe referatin e hymjes. Filluen mbas tij diskutimet e zjarrta kundër Zotit, Fesë, klerit dhe në veçansi kundër jezuitëve, mbasi atij Urdhni i përkiste edhe At Mëshkalla. Dufin ma të madh kundër jezuitëve e shfreu Jup Kastrati. Ky ishte i porsazgjedhuni “Kryetar i Komisionit të Përzgjedhjes së Leteraturës Fetare (Kishtare)”. Ai foli për rolin reaksionar që kanë luejtë jezuitët në Shqipni tue përfshi këtu krejt klerin katolik, madje edhe ata prej të cilëve kishte vjedhë e përvetësue edhe librat e artikujt që ka kopjue e botue në emnin e vet.

Mbas tij e mori fjalën mjeku Ramiz Hafizi që u mundue me shpjegue disa “pakjartësi” të Biblës, por At Mëshkalla i tha: “Shko e lexoi mirë, se nuk janë të shkrueme kërkund tek Bibla këto që thue ti!..”. Foli edhe “shoqja” Angjelina Uli, së cilës në fund të diskutimit i shtërngoi dorën dhe e përgëzoi Shefik Osmani, për fjalët e “bukra” që shprehi në drejtim të At Mëshkallës. U “duartrokitën” edhe diskutimet e Luçije Gerës, Dedë Kullës, Mandica Jovani  etj. Nga salla u ndigjue zani i Vasil Kafesë dhe Xhemal Dinit, që pyeti At Mëshkallën: “Ti i ke shkrue Kryeministrit për Inkuizicionin, çka ke dashtë me thanë?” – At Mëshkalla, me qetësinë e Tij, iu përgjegj: “Shif fjalorin se ka shumë kuptime, ti merr cilin të duesh!”…

Asht kërkue me folë aty edhe mjeku KolëPepa dhe mësuesi Mark Temali, të cilët nuk kanëpranue. Mark Temali, kur asht kërkue me i dorëzue diskutimin Halit Isufi (drejtor i Gjimnazit), ai nuk e ka marrë se: “E kam pasë mësues At Mëshkallën dhe nuk mund të flas kundër Tij, sepse, nuk nderoj figurën e mësuesit me folë në këte moshë kundër mësuesit tem”. Për të dy Xhemal Dini, sekretar i Komitetit tëPartisë, ka njoftue Degën e Mbrendshme: “Me pasë në kujdes qendrimine tyre…”.

Për me formulue akuzën ndër këto mbledhje u jepej fjala edhe klerikëve, që nesër me thanë: “E dëgjuat se çfarë tha kundër Pushtetit? Ne nuk arrëstojmë njeri pa fakte!”, dhe kështu u veprue aty edhe me At Mëshkallën. Kryetari i dha të drejtën e fjalës.

Ai doli para auditorit dhe porsa iu afrue podit të konferencierit, tha këto fjalë:

  • “Ah, sa mirë që po më jepet rasa me folë njëherë para popullit me altoparlanta!

Unë jam Katolik dhe besoj në Zotin! Po më vjen mirë, që po flas prej një vendi ku kam mundësi me iu drejtue popullit tem, që më ka nderue, me ka respektue, me ka ndigjue fjalën teme dhe, më ka pritë e përcjellë në shtëpijat e veta, me dashni të madhe. Qellimi em ka kenë gjithmonë i mirë…me predikue fjalën e Krishtit dhe dashninë ndërmjet të të gjithë njerëzve, të të gjithë njerëzve pa dallim Feje!… Këte kam folë në të gjitha shtëpijat ku kam shkue, ndër Katolikë e Muslimanë, mbasi jemi vëllazën dhe besojmë në një ZOT, jemi të një gjaku sepse, jemi të gjithë Shqiptarë… Ka shumë njerzë që kërkojnë me na shkatrrue, me na përça e nda, me zhdukë traditën, me prishë besimin, me mohue Krijuesin tonë, me rritë një rini servile e hipokrite, që nesër nuk do t’ju durojnë ma as ju, do të ju shporrin qafët, e një ditë ka me ju hangër kryet… Ka këtu në sallë që nuk lanë gja pa shpifë kundër nesh edhe pse me të gjitha forcat kemi punue për Shqipni…

Unë e kuptoj mirë që ata sot ashtu do të flasin, mbasi ba mos me folë ashtu si ua kanë dhanë të shkrueme në letër, nesër pushohen nga puna e në darkë nuk kanë shka me u vu fëmijëve para me hangër, sepse të gjithë njerëzit janë të lidhunpër kafshatën e gojës…Kjo asht arësyeja për të cilën i kam shkrue udhëheqësit të shtetit, kjo më ka detyrue, mbasi Populli Shqiptar asht popull besimtar dhe nuk asht vullneti i tij me prishë atë që ka ndërtue ai vetë me ndërgjegjën e tij… Kurrë nuk asht Populli shkatrrues i Kishës e i Xhamisë, kurrë nuk ka nxjerrë jashtë populli priftin e hoxhën nga katundi…

Ju i përgjithësoni veprimet, ju flitni për Inkuizicionin e Shek. XV, por ju harroni se shka jeni tue ba në Shek.XX… Njerëzit i dinë të gjitha, por nuk guxojnë me folë se nuk ka liri fjale e tashti nuk ka as liri Feje e ndërgjegje….Unë po ju them këtu se Populli nuk asht dakord me shka jeni tue ba ju, ai ka besue dhe do të vazhdojë me besue në Zotin edhe pa Kisha e Xhamija… Ky veprim që bani ju sot asht vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi juej para gjithë vendeve të Europës, mbasi kjo që bani ju sot  këtu bahet në pragun e 500 vjetorit të vdekjës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit! Vetëm këte mendoni, shka ka me thanë Europa për ju! Ajo e njeh Popullin Shqiptar dhe e di se ka 2000 vjet që Populli ka ndjekë e do ta ruej në zemër Fenë e Krishtit!” (Teksti asht marrë nga z. Nikolin Muzhani 1991).

U ndigjue një za nga salla, ishte “shoku” Xhemal Dini: “Që sonte populli do të djegin Ungjillin!” – At Mëshkalla Ju përgjegj: “Digjeni edhe ju që sonte, se ka dymijë vjet që thërrasin shokët tuej me djegë Ungjillin e Feja e Krishtit veç sa vjen e forcohet!

Shqiptarët nuk e djegin Ungjillin, këte e them si Shqiptar që jam, mbasi kur kam le kam pasë vetëm një emën, ky ishte emni SHQIPTAR, se linda nga prind Shqiptarë. Mbasi u pagëzova me emnin Pjetër, më quejtën edhe Katolik, pra, ma parë jam kenë Shqiptar, mandej kam marrë Sakramendet tjera dhe u bana Ushtar i Krishtit dhe i Papës, Mëkamësit të Krishtit në tokë. Emni i parë që kam marrë në këte tokë dhe e kam mbajtë me nder, asht kenë emni Shqiptar dhe derisa të vdes do të jem SHQIPTAR!

Unë i përkas Popullin tem, se ai me njeh mirë dhe e di sa kam ba unë për té, por ai  mos harroni se ju njeh mirë edhe ju!”…

Nga vendët e para u çue në kambë xhelati i njohtun i Sigurimit Xhevdet Miloti (që ishte edhe Shef i Seksionit Katolik në Degën e Punve të Mbrendëshme të Shkodrës), e tue u ngërdheshë i vuni prangat. Parase të hynte At Mëshkalla në gjips të Sigurimit që priste tek dera, Xheudet krimineli e shtyni me shqelm…

Mbas Gjetsemanit përsëri Kalvar,…. Kalvar i pafund ishte për Klerin Katolik Shqiptar rregjimi komunist! Çohej e rrëzohej, gjakosej, dërmishej e pështyhej, rrahej e torturohej, varrosej për sëgjalli, mbytej e pushkatohej, tretej nëpër zallishta e shkurre me coftina. Fluturonin në qiellin e zymtë korba e sorra me copa mishi, zhguni e veladoni në skjep, e askush në Botë nuk mori një “leckë” me Ua fshi fëtyrën e pastër këtyne Martirëve kaq të mëdhaj, të këtij Populli kaq të “vogël”!

Shikonte Europa… e bante sehir! Ndokush… edhe zgërdhihej!..

Pak ditë para se të arrëstohej At Mëshkalla, shkoi në një familje dhe porsa hyni në atë shtëpi, plaka që po mbante një nip të vogël (L.K.L.) në dhomë, i tha: “Qyqja, mor Padër, nuk di si flet kështu kundër këtyne, sa mirënuk ke frikë… Sa trim je !?…”

– Ai ju përgjegj: “Unë nuk jam trim, po unë po të pyes dishka, ba me ardhë dikush e me të thye shtëpinë dhe me kërkue me të marrë djalin e vogël, shka ban ti?” –“Prite Zot!…”-tha plaka- “as unë nuk e di shka baj për këtëdjalë!…”

 –“E pra, kështu asht edhe puna eme, komunistët duen me më marrë Krishtin, që unë e kam në shpirt e në zemër, unë nuk do t’ ua lëshoj për sëgjalli!”.

Kësaj fjalë Ai i qëndroi deri në fund…

***

30 prill 1967, ora 08.00. Oficeri pyetës asht Llambi Jegeni, asistues Skënder Myftafaraj. Në kontrollin që u ba në shtëpinë e tij asistoi oficeri kriminel Dhimitër Shkodrani. Arrestimi dhe kontrolli i shtëpisë u ba me urdhën të prokuror Faik Minarollit.

19 korrik 1967. Ditë e nxehtë si ditët e korrikut në Shkodër, që me gojën e popullit thirrëshin “djegagurë”, pra me plasë edhe guri nga nxehtësia. Hapet gjyqi dhe jepet vendimi me 10 vjet heqje lirije, punëtëdetyrueshme dhe konfiskim të pasunisë…

At Mëshkalla iu afrue mikrofonit, rregulloi koletin e këmishës dhe tha fjalën e fundit:

“Ju më dënoni sa të doni mbasi mue nuk keni shka më bani. Unë prapseprap do të dal sepse ju, shpejtë keni me mbarue mbasi shoshojnë keni me hanger e aty, asht fundi i juej. Feja e Krishtit nuk mbaron kurr!” (Dosja 4191|1 Arkivi M. M. Tiranë, 1998).

Prof. Arshi Pipa shkruan për At Mëshkallën: “…Por, 25 vjet burg ndër burgjët staliniste, peshojnë ndoshta edhe ma randë në kandarin e martirizimit, se pushkatimi”. 

At Pjeter Mëshkalla ia mbërrijti asaj ditë që pat profetizue ma parë.

Ai  pa me sy shka paralajmëroi. Diktatorët me të vërtetë hangrën kokat e njeni tjetrit dhe Atij nuk patën shka me i ba.

Ai dhe Ideali i Tij FITOI !

            Melbourne, Prill 2018

Ne Foto:AT PJETER MESHKALLA S.J.  (Grafikë nga F.RADOVANI)

 

Filed Under: Histori Tagged With: At Pjeter Meshkalla, Demaskimi, Fritz radovani, Instituti Pedagogjik Shkoder

“SHBA e shqetësuar me penetrimin rus dhe turk në Balkan”

April 27, 2018 by dgreca

Debat i ashpër në Columbia për Shqipërinë, rolin e Rusisë dhe Turqisë, problemet e Tiranës zyrtare…/

Ditmir Bushati Außenminister Albanien (Gent Shkullaku/AFP/Getty Images)

„Amerika nuk ka aleat më të mirë se Shqipëria dhe amerikanët nuk kanë miq më të mirë se shqiptarët,” thotë profesor David L. Phillips. Ky është thelbi i një takimi të mbajtur këto ditë në Universitetin Columbia, ku ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati foli për sfidat e Ballkanit Perëndimor. Sfida që prekin marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA. Penetrimi rus dhe penetrimi turk me ngjyrim islamik në Ballkan, janë shqetësimet aktuale të SHBA për këtë rajon, të cilin prof Phillips e quan “rajon të komplikuar me marrëdhënie të komplikuara”. Rajon që ai e njeh mirë, sepse ka gati 30 vjet që punon me të. Po ai njeh mirë dhe Shqipërinë ku ka qenë me delegacionin e parë amerikan të nivelit të lartë që vizitoi vendin pas hapjes, së bashku me James Baker.

Rusia në Shqipëri

Shqetësim ka SHBA për rritjen e penetrimit rus në Ballkanin Perëndimor, dhe atë që sipas Neë York Times, e ka kthyer rajonin në fushëbeteje që të kujton Luftën e Ftohtë, ku rusët kanë akses në infrastrukturë dhe jetën publike. Rusia është shumë prezente në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Bosnje dhe Serbi. Influenca ruse është e fortë në elitat politike, në biznes dhe në media. “Ne, si Shqipëri e kemi konsideruar veten të jemi imunë ndaj Rusisë. Duhet të them se vitet e fundit Rusia ka tentuar të penetrojë në jetën publike, për shembull në media,” thotë ministri Bushati.

Turqia në Ballkan

Prof. Phillips, pyet nga vijnë financimet…

David L. Phillips (privat)David L. Phillips

për ndërtimin e xhamisë së madhe në Tiranë. “Nga përvoja ime me Shqipërinë, nacionalizmi aty ka pasur vlera më të mëdha se sa islamizmi. A kanë zëvendësuar këto vlera njëra tjetrën?”, është pyetja që ai i drejton ministrit shqiptar, i cili e mbron kështu ndërtimin e xhamisë: “Xhamia është ndërtuar, nuk e di pse kjo duhet debatuar. Për një kohë të gjatë komuniteti mysliman në Tiranë nuk ka pasur xhami dhe klerikët shkonin në shkollat publike.” Ministri konfirmon marrëdhëniet e mira me Turqinë por shton “kjo nuk na ka penguar që të jemi vigjilentë për çështje të politikave ndërkombëtare. Në disa raste ne kemi qenë në drejtim tjetër nga Turqia.” Jo, thotë Prof. Phillips. “Kur Parlamenti Evropian ka mbajtur qëndrim ndaj Turqisë, ju keni mbajtur anën e Turqisë.”

Edhe nga publiku bëhen pyetje për investimet turke në rajon. Gazetarja nga Kosova, Jeta Xharra ndodhet në publik dhe shfrytëson rastin për të treguar qëndrimin e saj, që nuk përputhet me atë të ministrit shqiptar. Gazetarja thotë se në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë, Turqia e Erdoganit ka axhendë islamike. Gra dhe burra shqiptarë i janë bashkuar ISIS.

“Nuk ka politika për preferenca ndaj investimeve turke në Shqipëri. Turqia është vendi i pestë për investimet në Shqipëri. Shqiptarët po japin kontribut të madh në luftën kundër terrorizmit,” mbrohet ministri Bushati.

Një përfaqësuese e diasporës ka qëndrim më radikal kur thotë për politikën shqiptare: “Ju bëni biznes me Turqinë, flini me Serbinë dhe flirtoni me Rusinë”.

Prof. David Phillips këshillon krijimin e një akademije ku të jepen mësime për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, ku Universiteti Columbia mund të ndihmojë me kontributin e vet.

Greqia dhe Shqipëria

Të gjithë këto i dëgjon me vëmendje ambasadorja greke pranë OKB, Maria Theofili. Ajo është e para që e merr fjalën nga publiku për të dhënë një mesazh nga ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias. “Greqia mbështetet perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Secili nga vendet është një rast më vete. Me Shqipërinë, Greqia do i zgjidhë problemet ne një paketë më vete.”

“Dërgoji të fala ministrit, dhe thuaji aty ku ndodhet në Vjenë, që në bisedimet që janë duke u zhvilluar të gjejë një zgjidhje para takimit të ministrave të Nato-s, që pritet të mbahet në korrik,” thotë prof. Phillips i cili nuk e përmend emrin e Maqedonisë, por të gjithë e dinë për çfarë bëhet fjalë.

Paketa si zgjidhje për Shqipërinë përmban me siguri ligjin e luftë

Albanien Außenminister Ditmir Bushati in Tirana (G. Shkullaku/AFP/Getty Images)Ditmir Bushati

s, i cili është ende në fuqi midis Greqisë dhe Shqipërisë që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe Greqia nuk pranon ta shfuqizojë. Por jo vetëm kaq. Nga publiku ngrihet pyetja për atë që quhet “Çështja Çame”. Një përfaqësues i Oganizatës shqiptaro-amerikane “Çamëria”, pyet a është Çamëria temë e bisedimeve që Shqipëria zhvillon aktualisht me Greqinë dhe kërkon më shumë transparencë për këtë çështje, sepse informacionet nga politikanët e të dy vendeve janë të ndryshme.

Bushati nuk e përmendi Kosovën

Ministri Bushati thotë në tavolinën e bisedimeve flitet për çështje të së kaluarës, por edhe të jetës së përditshme të qytetarëve. Edhe këtu Prof. Phillips ofron ndihmën e shoqatës për dialogun historik të drejtuar prej tij. Ministri Bushati nuk e përmendi Kosovën më vete në pikat për të cilat foli. Ka disa kohë që Shqipëria nuk ka më nevojë të luajë rolin e avokatit mbrojtës për Kosovën. Kosova ka aktualisht avokatë mbrojtës më të mirë se Shqipëria. “Shqipëria mbështet përpjekjet e Kosovës për të mbyllur të gjitha çështjet e hapura me vendet fqinjë, dhe liberalizimin e vizave”, tha sidoqoftë ministri Bushati.(Kortezi- Aida Cama DW)

Filed Under: Featured Tagged With: Ballkan, e shqetësuar, penetrimi, ruso-turk, SHBA

NJOFTIM MORTOR- NDERROI JETE NE NJU JORK LEK GJERGJ NIKOLLA

April 27, 2018 by dgreca

Lek GjergjiFamilja NIKOLL në Nju Jork njofton se ditën e Mërkurë, me 26 Prill 2018, pas një sëmundje të rëndë, ndërroi jetë Lek Gjergj Nikolla, vëllai i Ndrec Gjergjit(Nikolla).
Nacionalisti Lek ishte një përfaqësues i denjë i Familjes atdhetare QYPI prej Malësisë së Krujës, një familje antikomuniste që u përball me armë në dorë me diktaturën komunste dhe kurrë nuk iu nënshtrua asaj, edhe pse u burgosën, u vranë përballë forcave të Ndjekjes, të Sigurimit dhe të Ushtrisë. Ai ishte Legalist i përkushtuar gjatë të gjithë jetës së tij, ashtu siç ishte e gjithë Familja Nikolla.
Njoftohet Komuniteti se Shërbimet Funerale për të ndjerin do të bëhen ditën e Dielë, 29 Prill prej Orës 2.00- 9 .00 PM në Shtëpinë Mortore”FARENGA BROTHERS INC”. ADRESA: 920 Allerton avenue, Bronx NY 10469.
Varrimi do të bëhet Ditën e Hënë, 30 Prill 2018. Mesha fillon në orën 10 e 30 në Kishën Katolike Shqiptare”Zoja e Shkodrës”- Our Lady of Shkodra – Albanian Church-
Adresa: 361 Ë Harstdale ave, Hartsdale NY 10530.
Federata VATRA dhe Gazeta e sak DIELLI ngushellojne vatranin e perkushtuar Ndrec GJERGJI dhe te gjithe Familjen Nikolla per humbjen e njeriut te tyre te dashur. Pushofte ne Paqe!
(Dielli)

Filed Under: Kronike Tagged With: - NDËRROI JETË NË NJU YORK, Lek Gjergj Nikolla, nderroi jete

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1438
  • 1439
  • 1440
  • 1441
  • 1442
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT