• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SFIDAT AKTUALE TË POLITIKËS SË JASHTME AMERIKANE

December 28, 2017 by dgreca

John_F_Kennedy-H

SFIDAT AKTUALE TË POLITIKËS SË JASHTME AMERIKANE, NË  100-VJETORIN E LINDJES SË PRESIDENTIT XHON F. KENEDI/

2 Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Viti 2017 shënoi 100-vjetorin e lindjes së ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Xhon F. Kenedi.  Xhon Kenedi lindur në vitin 1917 në Brukline të shtetit Masaçusets. Presidenti Kenedi, i cili është vrarë në gjysmën e mandatit të tij presidencial në vitin 1963 ishte presidenti i 35-të i Shteteve të Bashkuara, dhe mbetet njëri prej figurave më të njohura të politikës moderne amerikane  të politikës së jashtme si dhe asaj të mbrendëshme. Me rastin e këtij përvjetori të lindjes dhe në kujtim të trashëgimisë së tij politike, sidomos në fushën e politikës së jashtme amerikane të ish-presidentit Xhon Kenedi, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) lëshoi, pak kohë më parë, një deklaratë në emër të Sekretarit të Shtetit Reks Tillerson.  Në deklaratën e shpërndarë nga DASH, Presidenti Kenedi kujtohet në këtë 100-vjetor si një president i cili, “Ndoqi një politikë të jashtme bazuar në fuqinë amerikane, në angazhimin e tij ndaj mbrojtjes së lirisë, të drejtave të njeriut dhe të dinjitetit njerëzor, por edhe në përdorimin e vendosur të diplomacies, si mjet për të çuar përpara interesat kombëtare të këtij vendi dhe të kauzës së paqës, gjatë një periudhe plotë sfida të historisë tone kombëtare.”  Presidenti Kenedi, thuhet në deklaratën e Z. Tillerson, ishte një mbrojtës i vendosur i lirisë dhe të drejtave të njeriut në Berlinin e ndarë, në kulmin e Luftës së Ftoftë, ndërsa kishte deklaruar se   ai ishte një prej tyre se edhe ai ishte një berlinas.

Sekretari Amerikan i Shtetit Tillerson thekson se, në kohën e tij, Presidenti Kenedi, “Kishte deklaruar rëndësinë e integrimit të diplomacisë dhe të politikës së mbrojtjes, si mënyra më e sigurt për të mbrojtur vendin tonë kundër rreziqeve që i kanoseshin atij në fillim të 1960-ave.”  Në njoftimin e DASH citohet Xhon Kenedi të ketë thënë se, “Ne nuk duhet të negociojmë kurrë nga frika, por nuk duhet as të kemi frikë nga negociatat.

“Urtësia dhe guximi i tij na shpëtoi nga një luftë bërthamore gjatë krizës së raketave në Kubë”, thuhet në deklaratën e DASH dhe citohet Presidenti Kenedi se, “Njerëzimi duhet t’i japë fund luftës, para se lufta t’i japë fund njerëzimit.”  Sekretari Tillerson kujtoi këtë muaj ish-Presidentin Kenedi në 100-vjetorin e lindjes edhe si udhëheqës i shpresës për popujt e botës, duke përmendur themelimin e Korpusit të Paqës, Aleancës për Përparim dhe avancimit të zhvillimit ekonomik për vendet e Afrikës dhe të botës në përgjithësi, nga Presidenti Kenedi, ndërkohë që kolonializmi fatbardhësisht po merrte fund në atë kontinent.

Ndërkohë që vlersojmë presidencën e tij prej vetëm 1000-ditësh, u shpreh Kryediplomati Tillerson, “Ne nderojmë gjithashtu edhe ëndrrën për paqë të Xhon Kenedit, jo vetëm për Amerikanët por edhe për popujt kudo”.  Në deklaratë citohet një thënje nga fjalimi më vizionar i Kenedit, mbajtur në Universitetin Amerikan në Uashington DC qershorin e vitit 1963 se, “Unë jam i vetdijshëm se angazhimi për sigurimin e paqës nuk është aq dramatik sa angazhimi për luftë…por nuk kemi detyrë më urgjente” se të angazhohemi për paqë, ka thënë ish-Presidenti Kennedi me atë rast.  Në të njëjtin fjalim, theksohet në deklaratën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Reks Tillerson, shpërndarë pak më heret këtë muaj në kujtim të 100-vjetorit të lindjes së ish-Presidentit Kenedi, ai u bëri thirrje Amerikanëve dhe njerëzve vullnet mirë kudo, që të lënë mënjanë mosbesimin ndaj njëri tjetrit dhe kërcënimet e Luftës së Ftohtë dhe të bashkpunojnë për një të ardhme më të mirë globale.  “Sepse, në fund të fundit”, ka thënë Xhon Kenedi, “Lidhja jonë e përbashkët dhe më themelore, është se të gjithë ne jemi banorë të këtij planeti të vogël.  Të gjithë ne marrim frymë të njëjtin ajër dhe të gjithë ne dëshirojmë një të ardhme më të mirë për fëmijtë tanë.  Dhe të gjithë ne jemi të vdekëshëm”, citohet të ketë thënë Xhon Kenedi, sipas deklaratës së DASH me rastin e 100-vjetorit të lindjes së tij, deklaratë e cila përfundon duke theksuar se, “Të gjithë ne që punojmë në Departamentin Amerikan të Shtetit, kujtojmë dhe nderojmë shërbimin e jashtëzakonshëm që Presidenti Kennedi i ka bërë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sidomos në fushën e politikës së jashtëme.

Nuk besoj se është vetëm e rastësishme deklarata e DASH me rastin e një përvjetori të lindjes, në këtë rast të ish-presidentit Kenedi.  Besoj se pikërisht për trashëgiminë, vlerësimin dhe kujtimin që i bëhet gjithnjë politikës së jashtme të administratës afat-shkurtër të Xhon Kenedit, deklarata e DASH është jo vetëm me vend, por edhe frymëzuese edhe sot për diplomatët aktualë amerikanë, ndërkohë që përballen, ndoshta, me sfida ndryshe nga ato me të cilat përballej Xhon Kenedi në fillim të 1960-ave, por hiç më pak të rrezikshme për sigurinë e Amerikës dhe për stabilitetin dhe paqën në botë.

Ndërkaq, në një fjalim dy javë më parë në Këshillin e Atlantikut në Uashington, Kryediplomati aktual i Shteve të Bashkuara, Reks Tillerson foli mbi përballimin e sfidave të politikës së jashtme amerikane gjatë vitit 2017 dhe në të ardhmen.  Ai rreshtoi një numër sfidash dhe prioritetesh të politikës së jashtëme të administratës Trump anë e mbanë botës, duke filluar me krizën e armëve bërthamore të Koresë së Veriut dhe marrëdhëniet me Kinën, përpjekjet për të mposhtur organizatën terroriste ISIS, si dhe gjëndjen në Siri dhe Irak, përfshirë mbarë Lindjen e Mesme.  Z. Tillerson foli gjithashtu edhe për sfidat me të cilat përballet diplomacia amerikane në Azinë jugore, me theks politikën amerikane në Afganistan, Pakistan dhe Indi.  Nuk munguan komentet e Kryediplomatit amerikan edhe mbi politikën e jashtme amerikane sa i përket marrëdhënieve të Uashingtonit me Bashkimin Evropian dhe NATO-n dhe marrëdhëniet me Rusinë.  Përsa i përket marrëdhënieve me Evropën, Z. Tillerson foli për vizitat e tija të fundit në Evropë duke theksuar se kudo që vizitoi dhe në të gjitha takimet që ka zhvilluar me evropianët, vuri re se ekzistojnë gjithnjë lidhje të forta midis Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve dhe aleatëve amerikanë në Evropë. “Ekziston një bashkim i fortë rreth çështjeve me rëndësi për të gjithë ne, e të cilat janë çështje të sigurisë, çështje ekonomike dhe tregëtare”, ka thënë Tillerson në Këshillin e Atlantikut në Uashington, dy javë më parë.  “Kemi shumë për të bërë” ka theksuar ai, duke shtuar se “Mesazhi i Presidentit Trump për aleatët evropianë është se ne jemi me ju. Do të jemi me ju. Përsa i përket veçanërisht NATO-s dhe Nenit 5 për mbrojtjen e përbashkët, ne do t’i zbatojmë angazhimet tona”, tha ai, por duke iu drejtuar vendeve anëtare të NATO-s, Kryediplomati amerikan u shpreh se, “Ju nuk mund të vazhdoni të kërkoni nga populli amerikan që ai të kujdeset për sigurinë e qytetarëve tuaj më shumë se ç’kujdeseni ju vet.”

Në lidhje me Rusinë, Z. Tillerson theksoi se sot për sot nuk kemi marrëdhëine të mira me Moskën. “Okupimi i Ukrainës nga Rusia është diçka që ne nuk mund ta pranojmë”, u tha Z. Tillerson të pranishëmve.  Kjo është edhe arsyeja e vendosjes së sanksioneve të forta ekonomike kundër Rusisë, shtoi ai, dhe ato do të mbeten në fuqi për derisa Rusia nuk rivendosë integritetin territorial të Ukrainës.  Një pengesë tjetër në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, tha Z. Tillerson, janë përpjekjet e Moskës për të ndërhyrë në zgjedhjet e vendeve të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe një numër vendesh në Evropë.  Përderisa Moska nuk i ndalon këto ndërhyrje ilegale, nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve midis nesh, tha Kryediploamti amerikan Tillerson.  Zgjidhja e shumë prej këtyre problemeve do të marrë kohë dhe punë të rëndë.  Por kjo është natyra e vet diplomacisë në botën që jetojmë sot, në një botë plot sfida e konflikte, nënvijoi Z. Tillerson, në fjalimin e tij pranë Këshillit të Atlantikut në Uashington, mbi prioritetet dhe sfidat e politikës së jashtme amerikane gjatë vitit 2017 dhe në të ardhmen.  “Misioni ynë në këtë jetë është që t’u japim fund disa prej këtyre konflikteve”, përfundoi ai.

Në një kryeartikull botuar të ënjtën në gazetën amerikane “Nju Jork Tajms”, Kryediplomati i Shteteve të Bashkuara, Reks Tillerson shkruan se, “Pa marrë  marrë parasyshë sfidat serioze me të cilat përballemi, mbetem optimist rreth mundësisë së diplomacisë për zgjidhjen e konflikteve dhe njëkohësisht për të çuar përpara interesat amerikane.”  Ai tha se ky besim i tij bazohet në faktin se “Diplomacia jonë përpilohet dhe zbatohet nga diplomatë patriotë dhe të dedikuar të Departamentit Amerikan të Shtetit”, të cilët shkruan ai, “Shërbejnë me durim dhe këmbëngulje për të avancuar vlerat demokratike anë e mbanë botës dhe për të mbrojtur jetën, lirinë dhe vlerat e qytetarëve tanë”.

Duke lexuar deklaratën e më sipërme të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Z. Tillerson, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Xhon Kennedit, mbi trashëgiminë dhe influencën e këtij gjigandi në politikën e jashtme amerikane që ndihet edhe sot, është inkurajues fakti se ai dhe kolegët e tij — me të drejtë — gjejnë frymëzim nga “urtësia dhe guximi” i Presidentit Kenedi për të zgjidhur disa prej sfidave me të cilat përballet aktualisht politika e jashtme amerikane dhe bota, duke marrë shembull nga urtësia e diplomacisë së ish-Presidentit Xhon Kenedi.  Është shpresëdhënës fakti se në punën e tyre të përditëshme, diplomatët amerikanë duke filluar nga kryediplomati i SHBA-ave, kujtojnë, admirojnë dhe njëkohësisht shprehin guximin dhe vullnetin ndërsa tregojnë gatishmërinë e tyre dhe të ish-Presidentit Kenedi, ashtu siç kishte deklaruar ai, për të mos kursyer asgjë, në mbrojtje të lirisë dhe të drejtave të njeriut, kudoqë të kërcënohen ato në botë.  “Le t’a dijë çdo komb, nëse na e do të mirën ose të keqen, se ne do të paguajmë çdo çmim, do t’i bëjmë ball çdo vështirsie, do mbështesim çdo vend mik dhe do të kundërshtojmë çdo armik, për të siguruar lirinë, suksesin dhe përparimin e saj kudo.  Atyre aleatëve të vjetër me të cilët ndajmë vlerat kulturore dhe shpirtërore, ne u premtojmë besnikërinë e miqëve të besueshëm.” (Xhon Kenedi, 21 Janar, 1961.)

Besnikëria e miqëve të besueshëm ndaj Amerikës — siç ishte shprehur ish-Presidenti Kenedi më shumë se gjysëm shekulli më parë – është gjithnjë një vlerë dhe cilësi dalluese dhe me shumë rëndësi në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me vendet e tjera, sot dhe në të ardhmen, pa marrë parasysh se kush mund të jetë president i këtij vendi aktualisht, ose më vonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: 100 vjetori, amerikane, Frank shkreli, John F Kenedi, SË JASHTME, SFIDAT AKTUALE TË POLITIKËS

PERKUJTOHET NE PERMET 100 VJETORI I RENIES TE AT STAHI MELANI

December 28, 2017 by dgreca

VEPRIMTARI  PERKUJTIMORE PER 100-VJETORIN E RENIES SE AT STATH MELANIT 1858-1917 “NDER I KOMBIT”/

1 at Stathi1 at stathi22 Stahi4 Stahi salle

At Stahi Melani kishte lidhje me Vatren e Amerikes. Ai qeshprehur se:”Vatra është këtu, oxhaku është ne Shqipëri… do vete të jap shpirtin atje.”/

Në mbasditen e datës 23.12.2017 SHAK “Permeti” dhe “Lëvizja Foleja Kombetare Shqiptare”zhvilluan veprimtarinë perkujtimore, homazh per 100-vjetorin e renies se deshmorit te kombit At Stath Melanit ne sallën e koferencavete QKMF “OdhisePaskali”e cila qe zbukuruar me flamuj kombetar dhe tufa me lule, Salla ishte e mbushur plot me pjesmarres.

Ne keteveprimtari nderuan me pjesmarjen e tyre kryetari i Bashkise Permet z.Niko Shupuli,kryetarja e keshillit bashkiak Miranda Habili ,Nen/prefekti Anastas Naqe, kryetarja e “Levizjes Foleja Kombetare Shqiptare”znj.ElidaJorgoni përfaqesues te shoqatave te ndryshme atdhetare kulturore,qytetar te Përmetit dhe te afërm te familjes.

Veprimtarine e hapi kryetari i SHAK Përmeti z.Kastriot Bezati i cili falenderoi pjesemaresit dhe ia dhe fjalen përshëndetëse kryetarit te Bashkise ne Permet z.Niko Shupuli.

z.Niko Shupuli përshëndeti ne emër te Institucionit te bashkisë dhe u ndal te jeta dhe vepra atdhetare e At Stath Melanit.

Me pas z. Kastriot Bezati përshëndeti ne emër te SHAK “Përmeti”, falenderoi pjesëmaresit e shumte dhe mbajti kumtesën për aktivitetin e atdhetar te At Stath Melanit.

Ne emër te familjes nipi Arqile Lako falenderoi për ketë veprimtari te bukur dhe emocionuse kryetarin e Bashkise, ”SHKA Përmeti” pjesemaresit, dhe u shpreh se ne na duket sikur ngjarja ka ndodhur dje,salla eshte e mbushur plot. At Stahi Melani kishte lidhje em vatren e Amerikes. Ai qeshprehur se:”Vatra është këtu,oxhaku është ne Shqipëri… do vete të jap shpirtin atje.”

Edhe znj.Elida Jorgoni përshëndeti ne emër te Lëvizjes Foleja Kombëtare Shqiptare. Poeti Lumo Kolleshi recitoi nje poezi kushtuar At Stath Melanit nga libri poetik “Derdhen Vetëtima”.

Stermbesa Zana Mero lexoi përshëndetjen e historianit Dr.Apostol Kotani drejtuar pjesëmarësve në ketë veprimtari përkujtimore.

Aktori Pandi Duka recitoi vargjet e popullit kushtuar At. Stafh Melanit me nivel te lartë artistik. Përshëndeti përfaqësuesi i shoqates “Çameria” z.Ilir Iliazi, znj.Brunilda Lato përfaqësuese e komunitetit kalabrez bëri nje pershendetje te veçantë, e cila u prit me emocione te mëdha nga pjesëmarësit.

Jakup Reka për faqësues nga Kaçani ku falenderoi për mundësinë qe ju dha per te shprehur mendimet e tij për veprimtarinë e At Stath Melanit.

Mbesa e Petro Nini Luarasit znj. Sonja Skënder Luarasi përgezoi organizatortët ne menyre te veçantë përfaqësuesin e kalabërise dhe shoqatës Çameria. Ne fjalimin e saj ra ne sy keqardhja që ne takimin qe po organizohej nuk kishte përfaqësues te klerit orthodoks.

Grupi i sazeve te Përmetit dhe “muzapolifonike“ interpretuan këngë kushtuar At Stath Melanit.

Në datën 24 dhjetor 2017 te varrezat e dëshmorëve pranë varrit te At Stath Melanit u bëne homazhe dhe u vendosen kurora dhe tufa me lule.

Permet me 24.12.2017 Pergatit kroniken dhe fotot, MuharemKamani

KUSH ISHTE AT STATHI MELANI

Stathi Melani ishte një prift ortodoks shqiptar, pjesëmarrës i Kongresit të Manastirit, i cili vendimet e marrura në kongres për përhapje e gjuhës së njësuar letrare shqipe i zbatonte në fshatrat e Shqipërisë së jugut. Për veprimtarinë e tij patriotike ai u përndoq nga autoritetet turke që sundonin në atë kohë në Shqipëri. Edhe përkundër faktit që turqit ia dogjën tri herë shtëpinë, ai nuk e ndali veprimtarin e tij. Në të njëjtën kohë veprimtaria e tij përcillej edhe nga priftërinjtë ortodoksë grekë të cilët organizuan edhe vrasjen e tij. Kështu, më 24 dhjetor 1917 banda e kusarëve të Josif Suropullos i zuri pritën e vrau dhe i masakroi kufomën duke i prerë kokën për t’u tërhequr vërejtjen dhe frikësuar veprimtarët e tjerë shqiptarë ortodoksë. Megjithatë vrasja dhe masakrimi i tij te të rinjtë e Shqipërisë së jugut ishte vetëm një vërtetim për rendësinë e gjuhës shqipe. Veprimtaria patriotike e At Stath Melanit, që kap një periudhe rreth 35 vjeçare dhe që u zhvillua në Stamboll, në Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe mbi dhjete vjet në Shqipëri, është e njohur në brezat e moshuarte krahinave te Shqipërisë Jugore dhe me gjere. Për veprimtarinë atdhetar te tij hedhin drite një mori shkrimesh, në libra, gazeta e revista te kohës, që kur ishte gjalle dhe pas rënies dëshmor, nëpërmjet te cilave dhe burimeve te shumta gojore, është arritur te jepet një tablo pak a shumë e plote për veprimtarinë e këtij patriot! Ai as pasurinë e gjithë botes nuk e vinte përpara detyrës se shenjte ndaj Atdheut.

Vlerësimi që i ka bere patrioti i dëgjuar, Mihal Grameno, qysh në vitin 1907 si : “Atdhetar i flakte, i zgjuar dhe trim, si një nga te paktët patriote që përpiqeshin për te drejtat kombëtare në kohen e Sulltan Abdyl Hamitit”, tregon se ai ka zhvilluar një veprimtari te shquar qysh në dhjetëvjeçaret e fundit te shekullit XIX. Për te ka folur e shkruar me respekt Fan. S. Noli dhe shumë patriote e bashkëluftëtare te tij, shoqëri patriotike dhe redaksi gazetash. Veprimtaria e At Stath Melanit nuk kufizohet vetëm në fushën e propagandës e te organizimit. Ai ishte njëkohësisht edhe një luftëtar i pa epur, për me tepër një komandant çete i zoti, që paraprinte me shembullin e tij në çdo ndeshje me armiqtë. Qene bashkëluftëtar me me Riza Velçishtin, Mihal Gramenon, Çerçiz Topullin, Sali Butken, Hajredin Tremishtin, Kopi Tushemishtin, Pandeli Çeçon, Mihal Dhosin, etj.

At Stath Melani vritet në pusi nga andartët grekë më 24 dhjetor 1917. Vrasja e At Stathit shkaktoi një valë te madhe hidhërimi jo vetëm në popullsinë e krahinave te Përmetit, Leskovikut dhe Kolonjes, por edhe te Gjirokastrës, Tepelenës, Delvinës, Sarandës, Çamërisë dhe Vlorës, si dhe ndër shqiptaret jashtë atdheut në ShBA dhe gjetke. U bene shumë protesta tek autoritetet italiane te pushtimit, nëpërmjet te cilave kërkonin zbulimin dhe ndëshkimin e vrasësve.

Filed Under: Histori Tagged With: 100 vjet, Perkujtohet 100 vjetori, vdekja e At Stathi Melani

VATRA, STRATEGJI PËR DËNIMIN E KRIMEVE TË KOMUNIZMIT

December 28, 2017 by dgreca

1 Dritani leka1 Dine1 Pellumb Lamaj1 eqrem2 tryeza3 dina zef

VATRA, STRATEGJI PËR DËNIMIN E KRIMEVE TË KOMUNIZMIT DHE EDUKIMIN E INFORMIMIN E TË RINJËVE NË DIASPORË/

Kryesia e Vatres po diskuton një projekt dokument, i cili do t’u bëhet i ditur degëve për mendime e sugjerime, që do të përmbajë strategjinë ë Vatrës për vitet e ardhshme në drejtim të rëndësisë që ka për diasporën njohja e diktaturës dhe krimeve të komunizmit.Kryetari i Vatrës z. Dritan Mishto ka organizuar takime me ish të burgosur e të përndjekur politik të diktaturës komuniste. Të Mërkurën me 27 dhjetor 2017 Kryetrai Mishto u takua me ish të burogusrit pilitik Lek Mirakaj dhe Pëllumb Lamaj.

Të Enjten me 21 dhjetor, Kryetari i Vatrës, z. Dritan Mishto, u takua në Vatër me një grup vatranësh ish të përndjekur politik të diktaturës komuniste në Shqipëri: Dine Dine, vatran prej rreth 3 dekada, Eqerem Mujo, vatran, dhe Lek Mirakaj, anëtar i Këshillit të Vatrës. Z. Dine Dine, anëtariI Këshillit të Urtëve,  i dhuroi kryetarit të Vatrës kopjen e romanit të tij “Mbi Varkën e Kreontit”, të sapo botuar dhe të promovuar në Tiranë, ndërkohë që Eqrem Mujo dhuroi botimet “Kuvend Letrash me Miq” të Mustafa Krujës, dhuratë për bibliotekën e Vatrës nga Eugjen Merlika.

Takimi u kthye në një bashkëbisedim rreth krimeve të komunizmit dhe punën e pamjaftueshme të shtetit , politikës dhe shoqërisë shqiptare për zbardhjen e krimeve të komunizmit, për mekanizmat e funksionimit të diktaturës, për mosinformimin e brezit të ri me krimet e komunizmit etj. Kryetari i Vatrës tha se duhet të punojmë në mënyrë më të kualifikuar për edukimin antikomunist të brezit të ri.Edhe promovimi i afërm i këtij romani në Vatër do të kthehet në një debat konstruktiv për edukimin antikomunist të të rinjëve, të cilët janë pak ose aspak të informuar.

  1.    Dritan Mishto e përgëzoi autorin e romanit”Mbi Varkën e Karontit” Dine Dine, që ka sjellë një pjesë të realitetit, që ai vetë e ka përjetuar dhe premtoi se Vatra do ta përkthejë romanin në gjuhën angleze dhe do ta shpërndajë atë në komunitet për të informuar brezin e ri dhe do ta dërgojë në libraritë amerikane.

Biseda u filmua nga Robert Papa I TV Fokus.(korresp i Diellit)

 

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, KRIMEVE, STRATEGJI PËR DËNIMIN E, të komunizmit, Vatra

VATRA, SHTETSIA E KRYEPESHKOPIT,AUTOQEFALIA DHE VARREZAT GREKE

December 28, 2017 by dgreca

-Kryetari i Vatres:Vatra mbeshtet Autoqefaline e Kishes Ortodokse Shqiptare dhe nuk do te pushoje se kerkuari qe ne krye te saj te jete nje prift shqiptar/

shoqata-vatra-presidenti--c1200x600

I pyetur nga Gazeta Dielli lidhur me dhenien e shtetesise shqiptare, me kerkese te tij, Kryepeshkopit Anastas Janullatos, Kryetari I Federates Panshqiptare Vatra z. Dritan Mishto u shpreh se:

Qendrimi i Vatres mbetet i pandryshuar. Vatra mbeshtet Autoqefaline e Kishes Ortodokse Shqiptare dhe nuk do te pushoje se kerkuari qe ne krye te saj te jete nje prift shqiptar.

Ndersa lidhur me Vendimin me te fundit te qeverise Shqiptare per ngritjen e varrezave te ushtareve greke Federata Panshqiptare Vatra mbeshtet te gjitha reagimet e saj te meparshme nder vite dhe qendrimin e saj e ka shprehur me editorialin politik te botuar ne Dielli Online dhe Gazeten Dielli te muajit Dhjetor 2017.

Filed Under: Featured Tagged With: AUTOQEFALIA, DHE VARREZAT GREKE, dritan Mishto, SHTETSIA E KRYEPESHKOPIT, Vatra

Historia mbi fytyrën e Kosovës, Dhimbjet i ka vizatuar varg

December 27, 2017 by dgreca

Homazh nderimi……( kushtuar Shefki Dedinca dhe qindra e mijëra kosovarë që u vranë, u sakatuan dhe u zhdukën gjatë luftës së fundit.)  /

Violeta M.JPG

Nga Violeta MIRAKAJ/Në festat e fundvitit është shumë bukur të shkënbehen dhurata, dhurime urimesh të ndërsjellta dhe gjithandej krijohet një atmosferë festive….pra  dhe une po ju uroj : Për shumë vjet Gëzuar!…. Por këtë urim doja ta plotësoja me një shkrim homazh kushtuar atyre qindra apo mijëra shqiptarë kosovarë që u vranë, u zhdukën…u sakatuan…Është një homazh që kurrë të mos harrohet e kaluara, po në emër të saj të përpiqemi  për një jetë më të bukur, më të paqtë për brezat, për sot edhe për të ardhmen.

Për njeriun shtëpia është kështjella e tij, dhe për kosovarin Kosova ështe shtëpia e tij, kështjella e tij  …  Gjithë përpjekja e tij ka qenë një kalvar i gjatë mundimesh, ku si është shprehur dhe Akademiku  R. Qosja   se, Shqiptarëve në Kosovë u kishte mbetur vetëm ajri.

Nën dritën tragjike të historisë njerëzit zhvisheshin nga misteri i tyre shqetësues ; e gjithë bota ndihej pezull  në këtë pritje universale.  Në jetën  të këtij populli gjithçka mbetej pa të nesërme… dhe se gjithë uji i lumenjve nuk do të lante dot dorën  e vrasësit  të këtij kombi…

Në qershor të vitit 2000, Kryqi i kuq raportoi për 3,368 civilë ( 2,500 shqiptarë, 400 serbë, dhe 100 romë) ende të humbur, afërsisht një vit pas konfliktit…. Tablonë tragjike dhe rrënqethëse e plotësojnë varret masive, ku më 2001-in, 800 trupa ende të paidentifikuar u gjetën  në gropa në një terren të policisë jashtë Beogradit dhe në lindje të Serbisë. Skenat makabre  nuk kanë të sosur, të paktën 700 trupa u zbuluan në një varr masiv i gjendur në një kompleks të një njësie policore speciale anti- terroriste në periferi  të Batajnicës, e cila pasohet nga 77 trupa të gjetura në qytetin lindor të Serbisë, Petrovoselo, dhe në qytetin perëndimor të Serbisë, Perucac u gjendën 50 trupa….. E gjithë kjo tablo është një klithmë që s’duhet të fashitet….se ka të bëj me fatin e një kombi sa të lashtë dhe heroik.  Lufta e fundit çlirimtare në Kosovë ishte luftë e cila ia ktheu dinjitetin kombit shqiptar.

Nuk mund të harrohet operacioni më 27-të prill në 1999. Forcat serbe rrethuan “ Reken e keqe” e “Lugun e Carragojës”, në rrethinën e Gjakovës. U ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapur vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës. E gjithë kjo offensive barbare  filloi në orët e hershme të mëngjesit; njëherazi u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës,  grumbulluan  meshkujt në grupe nga mosha 15 deri 60 vjeç … duke i ekzekutuar të gjithë. Skena si në kohërat barbare dhe ato të nazizmit hitlerian. Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët si hijena ju turrën me barbarizëm njerëzve të paarmatosur ..Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës.….

Sot, aty është Qendra Përkujtimore – 27 prill në Lëndinën e Pikëllimit në fshatin Meje të Gjakovës, njëkohësisht dhe Dita e të pagjeturve në Kosovë që simbolizon po këtë datë të vitit 1999.  Ja si shprehet poetja R. Maleçka “ Ju o varre jeni si betimi/ në gjakun e të rënëve gjith’herët mbetë/ Pllakate varresh me gurë graniti,/do të gdhenden në këto troje përjetë….

Përvojë e hidhur për shqiptarët, për kosovarët që s’gëlltitet e s’gëlltitet;  thikat copëtonin shpirtrat e tyre, dhe ata ishin të mbërthyer nga zinxhirët e fatit. Dhe ky popull është me të vërtet i madh sepse vuajtjet, lodhja, padrejtësitë nuk e përulën. Dhimbjet janë vizatuar varg…këtu një varr, matanë një muranë, një varr e një muranë prapë, historia plagët e saj i ka lënë dhe  shprehur në fytyrën e Kosovës, si lulekuqet që lulojnë në arat me grurë.                                                                                              Lufta e Kosovës ishte një konflikt i armatosur e cila filloi në 28  Shkurt të vitit 1998 pas sulmit jugosllav në fshatrat Likoshan dhe Qirez në Drenicë të Kosovës deri në 11 Qershor 1999.  Në mesin e luftës  në 6 shkurt 1999, me Sekretarin e NATO-s arrihen negociatat e para midis palëve ndërluftuese, dhe në 18 mars 1999, delegacionet shqiptare, amerikane dhe britanike firmosën atë që u bë Marrëveshja e Rambujesë ndërkohë që delegacionet jugosllave dhe ruse nuk pranuan. Si gjithmonë në momente të vështira të fateve të kombit tone dhe këtë rradhë mbështetja e SHBA ishte jashtëzakonisht determinues, dhe ndihmës  deri sa erdhi momenti final i  kurorëzimit të kombit shqiptar, krijimi i shtetit të Kosovës.   R. M – “ Ta bëjmë Dardaninë/  si ka qenë qëmoti / Ta bëjmë Shqipërinë si në kohën e Kastriotit……

Në këtë luftë u dëbuan 800,000 shqiptarë, u ranë 15,000 persona nga të cilët 2,400 luftëtarë të UÇK-së e të tjerë civilë. Gjatë luftës janë zhdukur rreth 5,000 njerëz, fati shumicës prej tyre është zbardhur deri në vitin 2007, por i madh ka mbetur numri i rasteve të pasqaruara.    Vite me rradhë janë shkruar, janë skalitur momente nga tragjeditë dhe plagët e saj…Ku si është shprehur dhe poeti A. Podrimja te poezia “Kulla”  Prej lashtësisë, thonë kanë ardhur/ nëpër mure të pëlcitura të Kullës kanë hyrë,/ Gurë e m’gur atje janë ngjitur/ në majë të botës kanë mbetur sot e atë ditë/…….  E një kulle është ngritur një mijë vjet/ mbi një asht, mbi një emër ajo flet/ për shkak të dashurisë, për shkak të urrejtjes.”…pra historia përsëritet , Kosova , kulla shqiptare i ka mbijetuar stuhive dhe hordhive  . Edhe si e thamë më lart jemi në prag festash, por në traditën tone shqiptare shpesh here trokasin në memorjen tone për të kujtuar të munguarit… na trokasin për të bërë homazh…. Dhe kjo është  një traditë e bukur që të mos harrojmë… Jeta, vazhdimësia e saj shkon në gjurmët e saj dhe evidenton se, “Virtityti shkëlqen në fatkeqësi”

Bashkëbisedimi me të birin e Shefki Dedincës, ( i cili është një nga të shumtët që u zhdukën në periudhën e luftës pa lënë gjurmë), Zeqir Dedinca dhe me familjen e tij në njerën  nga këto ditë ishte shumë prekëse. Duke marrë shkas nga teksti i këngës “Brezi me kapuç të bardhë” teksti A.Kalaja, Muzika: Ylli Kalaja të cilën e kënduan në festivalin e fëmijëve organizuar këtu në New York, dy vajzat e vogla Enesa dhe Joana Dedinca interpretuan me ndjenjën e dashurisë dhe të respektit, për të mos harruar gjyshin dhe të gjithë  martirët e Kombit. Drama kosovare erdhi në këtë repertor si një histori, erdhi si një kujtim si një betim. “Me kapuç mbi kry’/ Përmbi maja e pamë gjyshin/  Është trim kosovar’/ Zemra e tij kishte dy krena/ FLAMURIN SHQIPTAR” Biseda në familje rrodhi shtruar , rrodhi ngadalë me drithërimë , me kujtime personale dhe meditim….

Shefki Dedinca ishte nga fshati Leskoshiq të komunës së Obiliqit. Vinte nga një familje e madhe, dhe punonte si udheheqës i pastrimit të shiritit në Rotorn 4 të kombinatit , Vështirësitë ishin të mëdha, me gjashtë fëmijë në shtëpi, sepse e shoqja i vdiq herët duke punuar si në shtëpi dhe jashtë saj por me dëshirën dhe dashurinë e madhe që fëmijët e tij të bëheshin të ndershëm , të arsimoheshin, dhe të kulturoheshin. Dhe këtë e shprehte shpesh se : – “Fati së pari ështe te mendja; shko në shkollë, të mësohesh  e të bëhesh i ditur. Libri është arma e të mençurit e nuk të lë kurrë të varfër… Ngjarjet e njëpasnjëshme që ndodhën pas vitit 1991 në Kosovë, vazhdon të rrëfej Zeqiri ishin shumë të rënda, ishte nje reprazalje e vërtetë për popullin. Filluan përjashtimi nga puna pothuaj i të gjithë shqiptarëve, u mbyll televizioni si dhe fakultetet ….kërkojnë të mos mësohet dhe të flitet gjuha shqipe, po ajo serbe. Në atë kohë ishte student në Fakultetin  Ekonomik, u veprua vetëm me dhunë e ushtruar nga policia, i larguan nga godina…por kurrë nuk mundën të shuajnë dëshirën për vazhdimin e leksioneve në ambjentet të tjera familjare. Një kurajo të madhe na jepte baba , i cili shprehej: “S’ka forcë dhe fuqi  që të bllokojë universitetin e Prishtinës, dhe se ju studentët jeni arma më e fortë e popullit Kosovar”. Në momente të vështira atë e kishim mbështetje me mençurinë , kurajon dhe guximin që u jepte deri sa një ditë …. 24 mars i vitit 1999, lëshojnë banesën si shumë e shumë banorë për tu strehuar atje ku këmba e serbit të mos shkelte, ku forcat ushtarake separatiste militariste të mos t’i gjenin. Që nga ajo ditë nuk u mor vesh kurrë se çfarë fati pati Shefki Dedinca….

Një nga dhimbjet më të mëdha të shqiptarëve, pra është ajo e lirisë, dhimbje që prodhoi akte heroike, humanizmi, dashurie për vendin dhe në emër të kombit me të cilën  po i thërret unitetit të botës së qytetëruar. Trevat shqiptare u bënë të njohura nga lufta, se ato u unifikuan me trimat e rënë për liri, dhe marrin funksionin e një “kumti” toponimik – historik, të cilat mbartin një epokë historike, realisht të nevojshme shqiptare. Këto treva mbartin në vetvete dhimbje, prelude, momentalitet dhe shqiptarizëm; të bëjnë krenar për vendin tënd , për njerëzit e tu, për viset e tua, për historinë dhe për atë që i duhet vendit dhe njerëzve të tu.

Te “Dhimbja Gjakovare” kombi lëngon… “…Kudo vajë, kudo piskamë,/ – Ku t’kam babe, o ku t’kam nanë!?/ – O ku je motër, o ku je vëlla!?/ Ma tmerrim, o për ne nuk ka!/ Disa trupa, o t’përgjysmuar,/ shumë pa k’am’ e shumë pa duer,/ Shumë u dogjën n’flakë e n’prush,/ s’ka shka ban, medet – kurkush!/ M’falni vëllazën, s’muj duroj ma!/ Këta shqiptarë në gjak janë la,/ asnjëherë për ne s’do t’vdesin,/ O n’zemra tona përjetë do t’mbesin!” Dhe sot e kësaj dite dëgjohen klithmat e përvuajtur të këtyre njerëzve. Skalpimi i historisë tregon se mbetet esenca e ngjarjeve, simboli i përsëritshëm i sfidës për të jetuar, një jetë më të drejtë, një jetë ku të mos lejuar kurrë të përsëritet e kaluara  dhe ky është një apel. Si shprehet dhe poetja R. Meleçka “ Liria dhe gjaku kanë lindur nga një nanë/ ushqyer e rritur nga njeri- tjetri mot pas moti,/rritur në djepat, në dru e lis mali,/ Rritur nga kënga, amaneti dhe loti.”

New York, 26 Dhjetor 2017

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: historia, mbi fytyrën e Kosovë, Violeta Mirakaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1618
  • 1619
  • 1620
  • 1621
  • 1622
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT