• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Një jetë… disa histori”- Dr.Mjaftime Brati Dushallari

March 6, 2021 by dgreca

Nga rubrika e gazetares Marjana Bulku”Një jetë disa histori” po sjellim intervistën me Dr. Mjaftime Brati Dushallari, e cila e ka ruajtur pasionin e profesionit edhe ne emigrim.Ndiqeni intervistën:

Marjana Bulku- Të ruash profesionin dhe pasionin në emigracion nuk është një sfidë dhe aq e lehtë. Juve ia keni dalë. A mundeni të na e rrëfeni këtë proces?

Mjaftime Brati Dushallari-Edukimi ka qenë pasioni i jetës time.  Punën e edukatorit e kam parë gjithmonë si përgjegjësi dhe jam munduar ta bëj me përkushtim.  Kam punuar në të gjitha nivelet e shkollave dhe kudo kam ndjerë kënaqësi. Puna me të rinjtë më ka mbajtur të re në shpirt.  Jam ndjerë gjithmonë e re mes të rinjve.

Doja shumë që ta vazhdoja karrierën time edhe në këtë vend të madh e të zhvilluar.  Kur e pashë realitetin, kjo dëshirë mbeti më shumë në planin e ëndrave që s’dija nëse do të realizoheshin ndonjëherë.  Ishin disa vështirësi.  Në radhë të parë, procesi për t’u licensuar nuk ishte i shpejtë duke konsideruar faktin se unë isha familjare, duhet të përballoja jetën dhe nuk isha shumë e re kur emigrova në Amerikë.  E dyta, mendoj se është shumë më e thjeshtë të ruash profesionin tënd kur je diplomuar në shkenca ekzakte, qoftë edhe në fushën e arsimit.  Për shkencat shoqërore është më e vështirë e sidomos kur bëhet fjalë për shkenca që këtu nuk aplikohen.  Së treti, duke menduar se në arsim gjuha është më e ekspozuar dhe duhet të jetë më perfekte se diku tjetër, e pashë si të vështirë realizimin e ëndrës time që mbeti gjithmonë brenda meje.

Gjithsesi, mendoj se ndoqa rrugën më të drejtë për t’u kompletuar dhe për të arritur synimin tim.  Përvec kurseve të pandërprera për të perfeksionuar gjuhën, m’u desh të kryej një kurs 6 mujor për t’u aftësuar në kompjuter dhe për të mësuar procedurën e zyrës.  Ishte një kurs që ndoshta nuk më dha punë menjëherë, por më mësoi shumë gjëra për kulturën e punës në Amerikë dhe më bëri ta ndjej veten konfidente në rrugën e përpjekjeve të mëtejshme.  

Gjetja e punës së parë më gëzoi, se fillova të punoj si asistente edukimi në shkollë, në mjedis të njohur për mua, pavarësisht ndryshimeve të mëdha që ekzistonin në përmbajtje.  E konsideroj veten me fat sepse aty mësova rrugën për të rimarrë statusin e mësuesit.  Për të plotësuar kërkesat e shtetit punova me vullnet e vendosmëri. Ia dola me sukses dhe u licensova si mësuese e Anglishtes si gjuhë e dytë (English as a Second Language – ESL) për të gjitha nivelet e shkollës.  Me kalimin e këtyre vështirësive të para, janë shumë gjëra që preka dhe më dhanë kënaqësi gjatë viteve që punova në sistemin arsimor amerikan.  

Marjana Bulku-Ju kujtoj si pedagoge në fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Tiranë.  A ju ka shërbyer ajo pervojë në punën tuaj në sistemin arsimor amerikan apo ishin dy gjëra krejt të ndryshme?

Mjaftime Brati Dushallari- Me gjithë ndryshimet e shumta dhe të thella të sistemit arsimor në Amerikë me atë në Shqipëri, unë e kam ndjerë veten në fushën time në të dy kontinentet.  Të dyja pervojat kanë ndihmuar e pasuruar njëra tjetrën.  

Kur aplikova për t’u certifikuar nga shteti i New York-ut, zgjodha licensën në ESL sepse ky program kishte më shumë ngjashmëri me programin e degës në të cilën unë isha diplomuar në Shqipëri, Gjuhë dhe Letërsi Shqiptare.  Pra dhe këtu do të isha në fushën e Gjuhësisë.  Pavarësisht së gjuhët ishin të ndryshme, ligjet e shkencave gjuhësore janë të afërta.  Madje, teknikisht kjo më ndihmoi edhe për faktin se disa lëndë bazë të programit, m’u njohën dhe nuk isha e detyruar t’i merrja në kolegjin që kreva këtu. Po ashtu m’u njohën edhe të gjitha kualifikimet pasuniversitare. Formimi im gjuhësor nga Shqipëria ma ka bërë gjithmonë më të lehtë shpjegimin e gjuhës anglisht.  Shkolla amerikane, nga ana e saj më ka pasuruar mendimin tim shkencor dhe profesional.  Të dyja bashkë më sollën në atë stad sa unë, sa herë shpjegoja elemente të ndryshme gjuhësore në anglisht, kujtoja dhe i krahasoja me korrespondueset në gjuhën shqipe. Aq sa ndjej kënaqësi nga gjuha jonë shqipe, nga bukuria e fjalorit, e shprehjeve plot kuptim, e fjalëve të figurshme; aq kam shijuar edhe pasurinë dhe thellësinë e gjuhës anglisht.

Po ashtu, formimi im letrar më ka dhënë dorë për ta bërë edhe më tërheqës procesin e përvetësimit të gjuhës nga studentët e mi.  Në shkollën amerikane, anglishtja nuk shpjegohet e izoluar, por përmes subjekteve të ndryshme, mbi të cilët unë gjithmonë preferoja të përdorja veprat letrare, pra letërsinë që ishte fusha dhe pasioni im.  Ishte një proçes i bukur e kënaqësidhënës. Në këtë kontekst kam përdorur edhe krijime shqiptare që i kam përkthyer për t’u dhënë studentëve të mi njohuri nga kultura e vendit tim.  

Nga ana tjetër, pervoja amerikane më ka ndihmuar në pasurimin e mendimit tim profesional në tërësi dhe të mësimit të gjuhës dhe letërsisë në vecanti. Metodat e mësimdhënies së anglishtes si gjuhë e dytë janë shumë të larmishme dhe frutdhënëse.  Aq sa ishin të ndryshme, aq dhe efikase më dukeshin ato metoda po të përdoreshin në mësimdhënien e gjuhës shqipe në shkollë.  


Marjana Bulku- Zhvendosja e intelektualëve nëpër botë për mua është një fenomen  sa i dhimbshëm po aq edhe produktiv. Po ju si e shikoni atë?


Mjaftime Brati Dushallari- Largimi i çdo njeriu nga vendi i lindjes është i vështirë dhe i dhimbshëm, pavarësisht nga arsyet që e diktojnë.  Dhe sa më i rritur të largohesh, aq më e dhimbshme bëhet sepse lë pas vendin që të lindi e të rriti, të afërmit, kujtimet, kulturën e vendit tënd, shoqërinë… etj. Unë personalisht jam ndjerë sikur lashë pas një pjesë të vetes time.

Por nga ana tjetër, zhvendosja e intelektualëve shqiptarë nëpër botë është pa dyshim edhe një fenomen produktiv.  Kjo, sipas mendimit tim, për dy arsye:  Së pari, Shqipëria një vend i vogël, i mbyllur për një kohë të gjatë dhe nën një sistem të egër totalitar, me këtë shpërndarje të intelektualëve, shumica të rinj, bëhet e njohur në botë përmes vlerave më të mira të saj, përmes njerëzve të shkolluar, të talentuar dhe të aftë.  Kur kemi ardhur ne në Amerikë, shumë njerëz këtu nuk kishin idenë ku ishte dhe kush ishte Shqipëria.  Sot ka shumë shqiptarë nëpër botë që shkëlqejnë dhe kanë bërë emër në profesione e fusha të ndryshme.  Ata i kanë siguruar vetes e familjes një jetë më të mirë, por nga ana tjetër, përfaqësojnë denjësisht vendin dhe kulturën shqiptare në botën e qytetëruar.

Së dyti, intelektualët shqiptarë të shkolluar në vende e shoqëri të zhvilluara, kanë fituar një formim profesional që mund të shtojë shumë vlera nëqoftëse aplikohet në Shqipëri. Ata mund të shkojnë atje me ide të reja dhe me këndvështrim të ri.  Një bashkëpunim efektiv i tyre me intelektualë të formuar që punojnë në Shqipëri, e forcon sistemin.  Prandaj të rinjtë shqiptarë që janë shkolluar jashtë vendit duhet të mbajnë lidhje me vendin e tyre, të kontribojnë dhe të ndihmojnë në fusha të ndryshme. Shkollimi, specializimi apo pervoja që marrin intelektualët nëpër botë, është një investim personal. Ajo ndihmon individin të përparojë nga ana profesionale.  Ndërsa bashkëpunimi i këtyre intelektualëve për aplikimin e njohurive në vendin e tyre, është një investim për vendin dhe përparimin e tij të mëtejshëm.

Marjana Bulku-.Si u shpalos Amerika në sytë tuaj? A mund të na e përshkruani momentin e parë të ballafaqimit me një botë të madhe, të panjohur, të re?

Mjaftime Brati Dushallari- Unë emigrova në Amerikë me familjen në vitet ’90-të.  Erdhëm në një vend gjigand nga një vend me shumë mangësi nga sistemi i kaluar.  Në këtë kuptim, çdo gjë që shikonim ishte e re dhe e panjohur.  Për ta nisur jetën kishte vështirësi të mëdha dhe kishim mungesa të shumta.  Po përballeshim me një kulturë të re, të pasur, të panjohur dhe shumë të ndryshme nga ajo e vendit tonë.  Erdhëm në një vend të fuqishëm ekonomik, me teknologji të zhvilluar, ndërkohë që ne nuk njihnim dhe nuk dinim ende si të përdornim kompjuterin.  Na duhej të aplikonim për punë kur nuk kishim idenë si formulohej një rezume apo një letër shoqëruese e saj.  Përpiqeshim të prezantoheshim mirë nëpër intervista pune, kur nuk dinim tamam se cila ishte mënyra se si duhet të përgjigjeshim për t’u bërë të pranueshëm për pozicionin që aplikonim. Të gjitha këto ishin të njohura dhe të formuluara diku për qytetarët e Amerikës, por problemi ishte se ne kishim nevojë për orientim. Komuniteti shqiptar në atë kohë nuk ishte kaq i gjerë sa është sot.  Prandaj ishte e vështirë të gjeje gjithcka vetë duke rendur bibliotekave dhe duke bërë kërkime.  

Përmes vështirësive, gjëja më pozitive që kam mësuar në këtë vend të fuqishëm qysh në ditët e para të ardhjes, ishte fakti se sistemi amerikan është ndërtuar i tillë që të ndihmojë këdo që shkel këtë tokë që të përballojë jetën dhe të përparojë.  Ndihmat ekonomike që për shqiptarët e ardhur në atë periudhë ishin të domosdoshme, mundësitë e panumurta për të mësuar anglisht, trainime, kurse e shkolla për kualifikim etj ,etj e vërtetojnë më së miri këtë gjë. Problemi ishte që mundësitë duheshin njohur e shfrytëzuar.  Pra rruga për t’u integruar në shoqërinë amerikane nuk ishte e lehtë, por jo dhe e pamundur.

Shqiptarët e sotëm që emigrojnë, të cilët zotërojnë  gjuhën anglisht, njohin më mirë teknologjinë, por dhe materialisht janë më të pajisur, janë më të gatshëm për t’u sistemuar në fushat e tyre.  Megjithatë, fillimi është gjithmonë i vështirë dhe vështirësitë janë të natyrave të ndryshme.  Mendoj se është detyra jonë si brez më i vjetër emigrantësh, të bëhemi burim për brezat që vijnë dhe t’i ndihmojmë, qoftë me gjërat më elementare si plotësim formash, aplikimesh etj.  Pra t’u tregojmë rrugën më të drejte e të përshtatshme për të gjetur veten dhe për t’u integruar sa më shpejt.  

Marjana Bulku- A kontaktoni me ish studentët tuaj? Cfarë shikoni te studentët e brezit të tanishëm, a mendoni se ka piktakime që mund të referohen si shembuj optimizmi e frymëzimi?


Mjaftime Brati Dushallari-Karriera ime në fushën e edukimit është gati e ballancuar midis kohës që punova në Shqipëri dhe në Amerikë.  Studenti im i parë me të cilin punova që kur fillova si asistente edukimi në shkollën publike 8 në New York, tani është 27 vjec.  Ishte një fëmijë i ndrojtur që nuk i pëlqente të komunikonte shumë me studentët e tjerë.  Punova me të për tre vjet dhe ai përparoi dhe u afrua shumë shpirtërisht me mua. Edhe sot e kësaj dite e kujtoj dhe e takoj më mall.  Si mësuese kalova disa breza studentësh. Midis tyre ishin dhe një pjesë e konsiderueshme shqiptarë.  Pasi gradoheshin shumica e tyre ktheheshin në shkollë dhe na takonin.  Me studentët e programit të ESL kam mbajtur lidhje edhe më të afërta.  Kam marrë pjesë edhe në gradime në nivele më të larta të shkollimit të tyre.  Ende marr mesazhe e kartolina urimi që më gëzojnë.  Disa prej tyre aplikojnë në kolegje të mira dhe kjo më kënaq pa masë.  

Për ato vite që punova si mësuese e ESL, kam mbuluar dhe programin e Anglishtës për të rritur që zhvillohej mbrëmjeve në shkollën tonë. Desha të përmend rastin e një vajzë të re nga Tropoja, emigrante e sapoardhur që vinte për të mësuar anglisht.  Ishte shumë serioze në punë dhe e etur për dije. Shumë herë rrinte pas mësimit dhe më bënte pyetje të ndryshme.  E ndihmoja me gjithcka dija. Vite më vonë, u takuam rastësisht në një ceremoni familjare te disa miq të përbashkët.  Kishte mbaruar kolegjin, ishte diplomuar në fushën e biznesit dhe vazhdonte një karrierë në fushën e saj, ndërkohë që kishte krijuar dhe një familje të bukur.  Ishte një takim i rastit që më gëzoi pa masë dhe më bëri të ndjehem shumë krenare për të.

Emigrimi na bëri bashkë edhe me disa ish studentët e mi nga Shqipëria.  Janë një numur i madh që jetojnë në New York.  Fillimisht na lidhën problemet e përbashkëta që duhet të përballonim si dhe disa aktivitete të komunitetit. Më vonë krijuam marrëdhënie të afërta që tanimë janë kthyer në marrëdhënie shoqërore e familjare.

Me studentët e tanishëm në Shqipëri, nuk kam lidhje direkte, por jam e interesuar dhe gjithmonë informohem për ecurinë e tyre qoftë nga shtypi, nga kontaktet me ish kolegët e mi në Shqipëri, si dhe disa të rinj studentë që janë nipërit dhe mbesat e mia. Ndryshimet në strukturën ekonomike, politike e shoqërore të vendit kanë sjellë pa dyshim edhe ndryshime në strukturën e shkollës së lartë.  Krahas disa arsyeve subjektive që kanë bërë që niveli i studentëve në disa fakultete të ulet, mendoj se janë bërë dhe ndryshime që i shërbejnë formimit më të mirë të tyre.  Përpjekjet për ristrukturimin dhe pasurimin e programeve, njohja dhe futja më e gjerë e teknologjisë në mësim, specializimet brenda e jashtë vendit të pedagogëve dhe studentëve, janë kushte për një të ardhme më premtuese. Avancimi dhe shtimi i disa degëve të reja në fakultete si dhe hapja e disa programeve për master pranë fakulteteve, mundëson një formim më të thellë të studentëve dhe specializim të mëtejshëm të tyre.  

Mundësia dhe interesimi më i madh i studentëve për përvetësimin e gjuhëve të huaja është një burim tjetër njohjeje që pasuron njohuritë e studentëve të motivuar.

Ka studentë që, me përgatitjen dhe aftësitë e tyre, janë vërtet shembuj optimizmi për të ardhmen.

Shumë prej studentëve që janë diplomuar në universitetet shqiptare, sot mbajnë pozicione në kompani prestigjioze me degë në Shqipëri që takojnë standartet e huaja.  Ka dhe nga këta studentë që largohen për në vendet perëndimore, konkurojnë me ato njohuri, fitojnë dhe i japin emër Shqipërisë me arritjet e tyre.

Marjana Bulku-Jeni modestisht aktive aq sa prezenca juaj në ngjarje ku përcillet edukimi është nostalgji për ata që ju njohin dhe frymëzim për ata që nuk ju njohin, cfarë do thonit ju profesoreshë Mjaftimja?


Mjaftime Brati Dushallari- Unë kam qenë dhe jam edukatore në zemër.   ​

Kur erdha në New York, mësova se ekzistonte një komunitet shqiptar, i cili po zgjerohet e po përparon për ditë.  Ndjej kënaqësi që kam lidhje me shqiptarë. Ndihem e lumtur e mezi pres të marr pjesë në aktivitete të ndryshme si ato të Organizatës së Grave Shqiptaro – Amerikane “Motrat Qiriazi”, Organizatës Panshqiptare “Vatra” apo edhe grupe shoqërore ku takoj shqiptarë.  Në këto takime flasim gjuhën tonë të bukur shqipe, festojmë sipas traditave tona, por herë pas here aty vlerësohen dhe nderohen edhe individë, pra evidentohen vlera të komunitetit dhe në këtë mënyrë njohim njëri tjetrin.  Në këtë kontekst, një rol të madh luan edhe media shqiptare në Amerikë dhe specifikisht në New York.  Dua të përmend me respekt gazetat Dielli dhe Ylliria që publikojnë e reklamojnë me korrektësi këto aktivitete të komunitetit dhe janë të hapura për këdo të shprehë mendimet e tij për probleme shoqërore, politike apo dhe profesionale.  Gjithashtu edhe kanalet televizive shqiptare që e kanë perfeksionuar dhe pasuruar punën që prej fillimit, luajnë një rol të madh në këtë drëjtim. Programi juaj serioz “Një jetë – disa histori” në kanalin Kultura shqiptare ka pikërisht këtë synim, evidentimin e vlerave shqiptare.  Pa punën e palodhur të drejtuesve të këtyre organeve të shtypit, të kanaleve televizive si dhe organizatave që mundësojnë takime me shqiptarë, cdo gjë do mbetej në errësirë dhe e panjohur. Ju uroj suksese të mëtejshme dhe ju jam mirënjohëse që na jepni mundësinë të shprehemi.

Marjana Bulku-Profesoresha, gjyshe…si e përjetoni këtë status?


Mjaftime Brati Dushallari-Është statusi më i bukur në botë. Ndjehem e mrekulluar.  

Për herë të parë jam bërë gjyshe 11 vjet më parë nga djali.  Vitin e kaluar e pata përsëri atë fat e atë ndjesi të rrallë nga fëmija i vajzës.  Të dy engjëjt ma bëjnë jetën time cdo ditë e më të bukur. Cdo ditë, cdo moment dua t’i përqafoj, të luaj me ta, dua të flas për ta dhe shumë herë dua t’i krahasoj me fëmijët e mi në moshën e tyre.  Të dy më bëjnë të ndjehem më e re dhe më energjike.  Më japin kënaqësi të vecantë.  Jam shumë e lumtur që, duke dhënë ndihmesën time në rritjen e tyre, po e kryej edhe këtë mision të bukur të jetës.

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Mjatime Brati, Marjana Bulku

Ditët kot të një kryeministri të lodhur

March 5, 2021 by dgreca

NGA GEZIM ZILJA/

Qysh se janë shpallur zgjedhjet e reja, kryeministri i Shqipërisë ka marrë “shkopin” si pleqtë e qëmotit e kontrollon çifligun rreth e qark. Sa herë ndërtohet apo rindërtohet një shtëpi e dëmtuar nga tërmeti, me çelësa në dorë, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, pasi i telendis me batuta e ironi të shplara, hallexhinjtë e pastrehë, duke u thënë se vetëm ai mund t’ua ndërtojë shtëpitë,  i detyron t’i thonë “faleminderit” dhe t’i përkulen deri në tokë, shpëtimtarit të tyre çorapekuq e këpucëgrisur. 

 Shkon pothuaj çdo ditë në stadiumin e Tiranës ( jo rrallë në Rinas për pritjen e vaksinave) e rri me orë sa të vaksinohen ca pleq trutharë, që i ka harruar edhe mortja vetë. Me psikologjinë e skllavit, kjo kategori pleqsh militant,  pa dinjitet, të zhveshur moralisht, deklarojnë atë, që nuk ua kanë thënë as fëmijëve të tyre: ” Març nga ditët tona! Tu bëftë dita njëmijë shoku kryeministër!” Më i turpshëm dhe i pandershëm është qëndrimi i udhëheqësit, që gjoja i keqardhur përgjigjet: Pupu! Mos e dhëntë zoti! E ku e dinë qyqarët skllevër se udhëhqësit as i kërcet fare për ta, por lutet  të jenë gjallë deri në 25 prill? Me këto shaqje të neveritshme Rama trysnon shqiptarët, që kanë nevojë për një vaksinë apo fatkeqët e tërmetit, duke u thënë  drejtpërdrejt: Po nuk u zgjodha unë sërish kryeministër ndërtimi i shtëpive dhe vaksinimi do të ndërpritet sepse jam unë ai, që ju ka siguruar paratë e tërmetit dhe po siguroj edhe vaksinat. Ai tall prapanicën me rregulloren KQZ-së dhe injoron faktin që kjo trysni e paturp, që u bëhet nevojtarëve ditën me diell, përbën vepër penale dhe si e tillë duhet trajtuar nga prokuroria speciale. 

 Nga dreka pasi ka marrë me vete dhe ditët shtesë të pleqve trutharë, tashmë të vaksinuar,  kryeministri fillon një nga pelgrinazhet e tij të pafundme në qytetin e Vlorës. Aty “shet” për të qindtën herë pedonalen ende të papërfunduar (vetëm ai e di sa ka kushtuar) si një sukses të Rilindjes. Pas kësaj shëtitorja anëdetit, nën britmat e daullet e militantëve, fotografohet  nga toka, ajri, deti ( gjiri i Vlorës është mrekulli e natyrës) e shpërndahet si një sukses i jashtëzakonshëm i Rilindjes.  Po çfarë ofron vërtetësisht kjo shëtitore, vepër e shekullit XXI? Në 3-4 km asfalt e beton, rrethuar me pallate, që zgjaten si xhungël betoni, nga anëdeti deri mbi kodrinat, me rreth 25 mijë banorë, dikur plot gjelbërim, sot bëjnë hije disa palma kokërjepura, me kurorë sa një qeleshe e lebërve tepelenas. Në të gjithë shtrirjen e saj nuk gjen asnjë bibliotekë, kinema, amfiteatër veror, muze të natyrës apo kujtesës, vepra arti ( kyeministri ka shpallur si të tillë një karburant) të paktën për ngjarjet e viteve 1991 apo 1997, galeri artesh, kopësht fëmijësh, shkollë, miniparqe të gjelbëruar për nëna me fëmijë apo të moshuar, pa folur për parkingje automjetesh. Nga Skela deri te Tuneli derdhen ujrat e zeza ( tetë kanale të tillë) dhe era e fekaleve pas orës njëzetë të mbrëmjes kutërbon dynjanë. Në verë nga ora 10.00 deri në orën 18.00 pedonalja është e papërdorshme. Ajo ndizet nga dielli përvëlues, betoni dhe asfalti, dhe nuk ka një hije, ku të futësh kokën apo një çezmë ku të freskohesh. Atëherë ku është këtu mrekullia tokësore e ndërtuar nga Rilindja, kur njerëzit, që vijnë me pushime nuk kanë çfarë të vizitojnë dhe me se të argëtohen?! Sa për ujë të kripur, rërë, mish të pjekur në hell dhe peshk importi, gjen kudo me bollëk. E keqja më e madhe është se  nuk  ka ndonjë cm2 bosh për të ndërtuar në të ardhmen vepra sociale. Ka të ngjarë me sa thuhet, që të mbillet me pallate dhe fusha para Shkollës së Marinës. Nga droni gjithçka duket bukur, por njerëzit nuk fluturojnë, ata jetojnë, ecin e argëtohen në tokë. Pas tetë vitesh ( shtatë vite ka që vazhdon pedonalja) kryeministri premton aeroport, rrugën Orikum-Llogora, tunelin Llogora-Palasë, dhënien me PPP të portit të Skelës, duke stërpërsëritur deri në pafundësi fjalët “ rregjimi i kaluar i PD-së, nuk bëri asgjë për Vlorën.” Zotëria haron ose bën sikur, sepse  Bashkia e Vlorës qysh nga viti 1997, drejtohet nga socialistët. 

Megjithatë Rama nuk po ndihet më i sigurt në Vlorë, ndaj la aty njërën këmbë e tjerën e zgjati deri në Durrës. Me vendosjen si drejtues politik nga PD-ja, të vlonjatit Bujar Leskaj, Rama e ka humbur qetësinë dhe sigurinë. Në Vlorë ka muaj, që është  ngritur fryma kundër Rilindjes, korrupsionit dhe demagogjisë. Me punën e mençur, eksperiencën organizative, këmbënguljen si drejtues politik dhe mbështetjen e gjerë të demokratëve, kryesia e PD-së së Vlorës po del nga gjumi i rëndë tetëvjeçar i pasigurisë dhe përtacisë. Burra, gra, vajza e djem po punojnë plot besim të bindin vlonjatët se 24 vjet drejtim i majtë, Vlora nuk është ajo që duan ata dhe nuk mund të trajtohet si pronë e  socialistëve. Në fshatrat e Vlorës, që Rama i ka quajtur si bastjone të sigurta, gjendja po ndryshon bindshëm në favor të PD-së. Nga këto ndryshime, kryeministrin po e lëshojnë nervat dhe si thashethemexhi i rëndomtë fshati, përgojon në mënyrë të përsëritur, drejtuesin politik të PD-së, për jetën e tij private, duke ironizuar, se është qejfli “rakie e qoftesh” dhe shtrembëron qëllimisht mbiemrin e tij…. Lufta politike është luftë programesh, arritjesh, dështimesh, suksesesh,  vizionesh, me fakte e vepra për zhvillimin e Shqipërisë.. Një gotë raki apo verë me miqtë në një ditë pushimi apo pas një pune të lodhshme është traditë shqiptare, nuk është mëkat dhe nuk dëmton as pozitën, as opozitën, as politikën e as familjen. Nëse flasim për politikanë përdorues hashashi e kokaine, këtu punët ndryshojnë. Por kjo është një histori me të cilën duhet të ishin marrë me kohë organet e specializuara. Lufta pa princip për marrjen e mbajtjen e pushtetit dhe mungesa e argumentit e ka shndërruar Ramën në njeri agresiv, arrogant, të padurueshëm, delirant, hakmarrës, dhe gënjeshtar. Të gjitha këto cilësi, si dhe lidhjet e dyshimta me biznesin e kanë transformuar përfundimisht despot të një shteti të varfër, ku skandalet ndjekin njëri -tjetrin. Pas vizitës në pedonalen e famshme, ku vazhdon të punohet, që prej vitit 2014, kryeministri kthehet në Fier dhe hedh një sy nga spitali në ndërtim i turqve edhe ky dhuratë për kryeministrin, nga shoku i vet Erdogan. Kapanonet njëkatëshe kilometrike, që ngjajnë si dikur kazermat e Ali Rizait në Fushën e Shallvareve, ka të ngjarë të jenë gati në afatin e caktuar. Një orë më vonë, shtatë makina të policisë, gardës dhe shërbimit informativ, shoqërojnë kryeministrin e Shqipërisë me sirena e borie drejt sarajeve të Surrelit, pas një dite të lodhshme, të harxhuar fare kot.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja, kryeministri

E vërteta e Mitit të Dekretet të Sulltan Abdul Hamidi I (1725-1789 që ndalonte gjuhën shqipe

March 5, 2021 by dgreca

“Njëra historiografi greke zbulon mitet historike, një tjetër herë pas here pranon zbulimet e të parës, por krijon të reja edhe sot”. (Vasilis Kremidhas/

Arben LLALLA*/

            Nuk mund të quhet histori shkencore një filmi artistik, as emisionet dokumentarë që pasqyrojnë një gjysmë të vërtetë të përzier me një gjysmë gënjeshtre. Nuk ka ekzistuar asnjë Dekret i Perandorisë Osmane i Sulltan Abdul Hamidi I (1725-1789), pasi mori një thes me flori nxori nxorri “Një ligj kundër gjuhës dhe kulturës shqipe. Ligji u lëshua nga sulltani i Perandorisë Osmane, më 31 Maj 1779, Abdul Hamid I (1725-1789). Në ligj përcaktohej saktë, marrja në mbrojtje nga ana e turqve, e kulturës dhe gjuhës greke dhe përkundër saj, lufta dhe shfarosja e gjuhës shqipe. Ky dokument është nxjerrë nga arkivat greke dhe është botuar në gazetën “Thessaloniki”, të vitit 1999. Dekretin e pasqyrojnë mediet greke më 1999-ën, bashkë dhe burimin e marrjes së floririt prej sulltanit Abdul Hamid I).

Kjo është një gënjeshtër, një Mit. Shkrimi për Dekretin e ndalimit të gjuhës shqipe ka dal nga sigurimi i Greqisë në bashkëpunim me sigurimin e serb gjatë luftës së Kosovës më 1999. Personi që ka botuar shkrimin sot është deputet i Kuvendit të Greqisë i grupit ekstremistë të djathtë. Historianët, gazetarët dhe studiuesit shqiptar ranë në kurthin e një shkrimi të botuar në një revistë greke, të përkthyer nga Arben Llalla dhe interpretuar si falsifikim, por që mediet shqiptare dhe historianët shqiptarë thonë gënjeshtrën greke dhe jo si është e vërteta. Përse asnjë historian apo studiues shqiptar nuk ka botuar kopje faksimile e këtij Dekreti? Përse studiuesit shqiptar s’kanë bërë kërkime ku gjendet ky dekret? Përse historiografia shqiptare deri në vitin 2000 nuk e dinte këtë Dekret të Sulltanit që ndalohej përdorimi i gjuhës shqipe? Përse Rilindasit tanë nga vëllezërit Frashëri asnjëherë nuk kanë shkruar se ekzistonte një Dekret që ndalonte gjuhën shqipe?

Për kohën që flitet se ka dal ky Dekret i Perandorisë Osmane shqiptarët ishin shtylla e kësaj Perandorie duke përmendur Ali Pash Tepelenën, dinastinë Bushatllinjve, në Pollog dinastinë e Koxha Rexhep Pashën i cili kishte autonomi qeverisëse nga Prizreni, Tetova etj. Për të vazhduar më tej me Mehmet Ali Pash Kavallën e Egjiptit. E si Sulltani në atë periudhë do nxirrte një dekret kundër gjuhës shqipe ku shumë institucione ushtarake e qeveritare drejtoheshin nga arnautët? 

Pa folur që Janina si qendër e shqiptarëve dhe si kryeqytet i Shqipërisë së Poshtme e fitojë statusin gjatë periudhës osmane, duke spostuar Artën si qendër Despotiate.

Duhet të jemi të kujdesshëm kur japim deklarata në emër të historisë shkencore sepse kështu dëmtojmë vetveten, historinë tonë. Ftoj çdo historian dhe studiues të ofrojë të kundërtën e pretendimeve të mia, përndryshe mos ta zënë më në gojë gënjeshtrën e madhe se ka ekzistuar një Dekret Osman që ndalonte gjuhën shqipe.

*Historian

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, Dekretet e Sulltanit, gjuha shqipe

Gojëdhëna dhe të vërteta

March 5, 2021 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Truri përbën rreth 2 përqind të peshës së trupit të një personi, dhe kërkon 25 përqind të të gjithë oksigjenit të përdorur nga trupi. Në një ditë, truri gjeneron më shumë impulse elektrike sesa të gjithë telefonat së bashku në të gjithë botën. Këto impulse nervore mund të udhëtojnë deri me shpejtësi në 200 km në orë. Sipas një studimi të ri, trurit nuk vdes menjëherë pasi zemra ndalon. Njerëzit mund të jenë të vetëdijshëm se kanë vdekur edhe pasi zemra e tyre ndalon së rrahuri. Kjo sugjeron që truri dhe vetëdija duket se funksionojnë edhe pasi trupi ka ndaluar së punuari. Truri i njeriut është organi më kompleks dhe më i rregulluar se çdo materie e njohur në univers. Truri e bën njeriun njeri, e dallon atë nga kafsha; pa tru ai i ngjan një roboti pa program, pa vetëdije, pa ndjenja, pa bateri. 
Truri nuk është i ndjeshëm ndaj dhimbjes. Dhimbja e kokës buron nga nervat, muskujt dhe indet që rrethojnë kafkën, por jo nga truri. Truri i burrave është më pak i formuar dhe tkurret më shpejtë sesa i grave.
Truri i njeriut vazhdon të dërgojë sinjale të valëve elektrike edhe 37 orë pas vdekjes së trupit. Jo rrallë, njerëz të konstatuar të vdekur janë përmendur pak para autopsisë ose në varreza. Legjenda thotë se një shkencëtar i dënuar me vdekje në gijotinë në vitet 1700 i tha ndihmësit të vet për të parë kokën e tij pasi t’i pritej, sepse ai do të shkelte syrin sa herë që të mundte për të provuar se koka mbetet e vetëdijshme edhe pas shkëputjes nga trupi. Ndihmësi raportoi se kishte numëruar deri në 20 hapje-mbyllje të shpejta të syve. Sipas një gojëdhëne tjetër, fytyra e Charlotte Cordays u skuq dhe dukej e indinjuar kur xhelati i ra me shuplakë në faqe pasi i kishte prerë kokën. Ndërsa, pasi dy rivalëve iu pre koka në gijotinë gjatë Revolucionit Francez dhe kokat e tyre u hodhën në të njëjtin thes, një kokë kafshoi tjetrën aq fort sa nuk mund të ndaheshin.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Gojëdhëna dhe të vërteta

PENDESA MUNGON…

March 5, 2021 by dgreca

Shkolla Shqipërisë ne Ulqin ne vitin shkollor -1941-1942/

Fjala e mbajtur nga drejtorit i shkollës shqipe në Ulqin 80 vjet të shkuara nga drejtori i parë i shkollës shqipe në Ulqin Jahja Damnori për vitin shkollor 1941-42/

Përgatiti për Diellin:Pertefe Leka

Zotni te ndershem dhe vllazen ulqinake,…

Ma pare ju kerkoj te falun qe keni pase miresine me marre mundimin e me urdhnue deri ktu. Arsyeja  e mbledhjes se sotme  s’asht tjeter vetem se dishroj  me pase nji marrdhanie me ju me qellim qi  t’u  apim edukaten e duhun femive tuaj.

 Andrra qi keni pase pame tash sa`kohe, sot u shfaq me ate gjuhe qi ju e ruejtet si prushi ne gji.Sot po ju flet nji vlla I perzemert I jueji. Me kujtohen fjalet e shkrimtarit Francez Builo I cili thote : se nji popull qi ruen gjuhen e vet aj ka ruejte cilsin e rruges se indipendences. Por kjo gjuhe e ruejtun prej jush si drita e syve duhet punue, e kete pune e ban shkolla.

Prandaj ma pare do t’ju flas per randesine e shkolles e mandej do te flas marrdhanien qi ka shkolla me ju, per me rrite  femite si duhet.

 Shkolla si dihet ka per qellim te mbrame  me mesue  e me zhvillue  inteligen e femis. Ajo deshiron me perpunue  pernjiheresh e armonikisht te gjitha vetite  shpirtnore te  femis. E aj nuk asht vetem nji shpirt, e as vetem nji trup qi do t’i jepet edukata, por asht nji njeri.

 Shkolla vegon me formue qenie te plotsueme d.m.th. burra e gra me trup te shendoshe, me zemer  trime,me vullnet te forte,me nji shpirt te drejte,por edhe njers qe te jene te zotet  me mprojte te drejtat e veta. Prandaj djelmve dhe varzave qe do t’u bahet teslime edukata  ne doren e tyne,do te jene  femit t’u,fmi shqiptaresh te shekullit XX.

 Shkolla perpiqet me pergadite qytetare e qytetare  te rrespektueshem ndaj ligjeve,me dashte  tek s’ban  atdheun e tyne e krejte te gadshem  me ba cdo sakrifice  per te.

 Nji njeri qi s’ka dashtni per atdhe  aj s’ka besimin e sigurte. Per kete arsye  shkolla duhet me siguru vemendjen e te gjithe shpirtnave te njome  per nji qellim: Atdheu mbi te gjitha.

 Shkolla e sotshme nuk do te  japi njohuri te thata, por do te mundohet qi me ane te punve te vogla me j’a pergadite  te gjithe ata cilesi shpirtnore qi ka prirje femija.

 Prej c’thame, se shkolla e jone pergadite  pernjiheresh njeriun  ne kuptim te vertete te fjales,qytetarin e metejshem.

Shkolla e sotme  jo vetem qi e mpron te drejten fetare  te sejcilit, por edhe I ep shkas 

  e zhvillim te perhapjes se cdo feje tue  e lane te lire mesimin e ushtrimin.

 Asht shume I gabueshem  ne qofte se ndokuj I pershkohet neper mend  se shkolla shqiptare  perbuz fete. Kjo  mund te jete vetem nji propagande e flliget e atyne  qi dishrojne  me ju ba varrin ju.

Me hi e me fole se c’randsi kane fenat, une nuk jam competent per kete pune, por di t’ju tham  se nji njeri qi hjek shpresen(uzdajen) prej zotit  aj nuk do te kete shtylle ku me u pshtete  ose shkop ku me u mbajte.Te tane jeta do t’i shkonte  si i mbytuni neper shkume.

Por faktoret qi perbajne shkollen jane  femit e mesuesit  e sic do mjeshter, per me e krye zanatin (mjeshtrine) e tij  I duhen veglat e brumi, ashtu edhe na, per me krye  misionin e nalte  t’tonin  duhet te kemi brumin,qi jane femite  te formuem si duhet.

 Ju bie si shembull nji zdukthatar, se sado  veglat e mira  me i pase, kur brumi asht I keq  nuk mund te krijoje  nji gja te persosun.

   Pra e para  e punes na dona me pase  femite  te gatuem  deri diku prej nanave  ulqinake e mandej na me I vu ne rruge te  mbare.

  Shkolla  pra kerkon qi m’i vue femit  ne marrdhanie me ju  ne kondita hygjenike  si  c’e    lype nevoja  trupore e shpirtnore e tyne.

  Duhet ta dini se ne pikepamje  te pastertise (temisllekut) fmija  asht nji pasqyre e nanes  dhe e babes.

 Prandaj  puna e pare  asht qi me ane te pastertise, femija munden me e pase trupin e shendoshe  e asht e dijtun  se latini kot s’ka thane: Mendja e shndoshe, ne trup te shndoshe.(Men sana in corpore sana).

 Nji fmi qi ka trupin e shendoshe,aj ka edhe mendte  e shndoshte e asht I gadshem me i rroke mesimet si duhen.Familja duhet te kete kujdes, qi femite  me I dergue te paster ne shkolle.

Tash do te flasi per (terbijen) edukaten e shpis e mandej te shkolles.

Ma pare se kerkushi, I takon nanes kujdesimi I femivet, per arsyet se:

1-Ndermjet prindve  e femive,gjindet lidhnije ma e ngushte,pse fmija  din me dashte  ma fort njate qi  I plotson  dishirat e nevojat e tij. Nji femis  po ju afrue nji I huej  menjihere nise me u ngervalle.

2-Ndermjet prindve e femive, ne mnyre te vecante, frymzimi I nanes ka fuqine  ma te madhe,pse nane e femi gjinden ma afer  se kerkushi,aq  afer sa gadi me u thane nji.

  Pestalozi, themelues I edukates ( I ilmi-terbijes) na msoj me I lshue nanes  vendin e pare.

Nanat e edukueme, lindin e rrisin fmi te edukuem. Kete fuqi te nanes e gjejme edhe te  fjala popullore: Ban nane se te gjas e dy kambe i rreshqas.

Vepra e prindve  ndaj femijve asht cmos e fuqishme  pse pak a shume  prind e femi  kane nji gjak e nji natyre. Femija pa dale mire prej djepit  mundohet  me I ndihmue  vllazenve te vet ma te dobet,ketu kuptohet edhe veprimi I perbashket.Aty ne shpi  mundohet me  u marre parasysh personaliteti I femis.

Tue kene se ne familje jane femi ma pak,munden me ju plotsue te gjitha nevojat secilit femi

Por ktyne te mirave u rrin perballe  edhe  keto te  kqija :

Jane disa prind qi  nuk dien a as nuk ju vjen  perdoresh edukata.  

Disa per shkak te punve  te shumta qi kane jashta shpijet,nuk  mund t’ u a barin  kujdesin e as nuk mund  t’u vien rreth femive.Disa te tjere, nuk i japin randsien qi i perket  edukates.Kto gjana ndodhin edhe neper  familje  ku nanes e babes i del koha me rrite femit.

Jane disa nana,zoja shpijash,te cilat  ja  japin vet tamlin e gjiut femive.Kjo asht  ndera e stolija  ma e madhe  per nji nane shqiptare.Ka disa nana te tjera,te cilat per me i dhane vedit randsi ose per me u duke se jane shpijash te mira  nuk merren aspak  me rritjen e femivet, edhe tamlin e gjiut nuk ja japin atyne.  E ktu vjen edhe rrenimi i familjeve te mdha. Femit e tyne   jane lane ne doren e disa te rejave,  qi jane ma fmi se fmija. 

Prandaj tue marre per baze  se shteti yne  te gjithe shpresen e ka pshtete  ne familje,te cilat sa ma nalt qi te jene,  aq ma nalt  qendron shteti.

Duhet ta dime se pasqyra e fmijve ne shkolle asht nana  e pasqyra  e konstruktorit te  shtetit  asht shkolla.

 Prej shka thame  deri ktu,kuptohet  se shkolla e pare e fmive asht familja,por edhe shkolla ka te mirat  e saj.

Femija ne shkolle  gjindet si nji gjymtyre  e nji shoqnije  e kjo gja asht  nder faktoret  ma kryesor  qi e bajne ate  me perfitue ndiesit  e rrelacionit shoqnuer. Aty shef  se si mundet  me I ndihmue  nji ma t’vobegtit, nji ma te dobtit fizikisht.

Ne shkolle e kqyrin edukaten njers competent (qi e kane per zanat) te cilet kane mesue po per njate pune  e jane te rrahun me cashtje feminore.

Mesuesi ne shkolle  I rrin femis pa paragjykime  e kjo pune I ndihmon fort  per me pru nji gjykim te madh mbi sjelljen  e mbi te metat e femis.

Ne shkolle tue punue nxansit krijohet nji fare zelli (calltije) me ja kalue njeni tjetrit. Kjo pune  ka nji njoftje te madhe  per fmi deri sa te ruhet  e te mos kalohet kufini.

 Ne shkolle, fmija din me njofte  fuqite e veta mendore e trupore  e mos me I besue vetes 

Ma teper se sa vjen, pra i zhduket madheshtija.

Ne shkolle, ku pa ndryshim rrin e meson si I vobegti si pasaniku, perpjeket e afrohet  ma teper gjaja  shoqnore. Ktu fillon pra, me ja diet pasaniku te vobegtit,zengjini fukarase.

Ktu meson fmija  c’asht zeqati, sadakaja, buka e shndandout. Sidomos ne kohe te sotshme, ku popujt nji pale kane rrezervue  kapitale  e nji pale te tjere  jane denue me  vdeke  uje, per kte shkak po perligjen me lufta  e gjaqe.

Dhima per te vobegtin e drejtsia per te gjithe jane bazat esenciale  te shkolles se sotshme.

Ketu do t’ju flas  pak per edukimin e perbashket ku do te mesojne pa ndryshim varzat  edhe  djelmte.

Ne statistiken qi kam ne dore,shof se jane  regjistruem  227 djelm e 97 varza.

Kjo gja me ban me dyshue mbi formimin e nanave shqiptare (ulqinake) prej te cilave  do te mvaret e ardhshmja  e femivet.

 Ndeja e pandame e djelmve  me varza  I ban te paret ma te  paqet ne fjale.

 Kur te dy palet do te edukohen ne shkolle do te kene respekt per njeri  tjetrin.

E keqja asht, kur  prindja i lane  femit, djelm e varza pa shkolle, ku asnji njeri s’merr mbi ta kurrfare pergjegjsije.  Prandaj  ju thrras, o vllazen  ulqinake qi te mos i leni  femit t’u  rrugve,  pse ktu ne shkolle  ecin zbashku  djale e vajze, si ne voter  vllau me moter.

Prej shka thame deri ktu, kuptohet  se shpija asht baza e edukates, ndersa  shkolla i con perpara me disiplinen e vet.Prandej shkolle e shpi  duhet te kene nji lidhni  e krahasueme  si njena dore lane tjetren e te dyja lajne  fytyren. 

Femija ne shkolle huen 6 vjetsh, e aj I ka kene shtrue edukates se prindve e vazhdon  gjithnji nen mbikqyrjen e tyne.

Ne qofte se nji femi kalon nji ore ne shkolle e shume ore ne ship c’do te ngjante  ne qofte se familja  asht ne kundershtim me shkollen.

 Po e xame se ne shkolle ndalohet kumbara,alkooli etj.c’do te ngjante  ne qofte se  familja i ep  letra me  luejt  per nate  ose pjek rakine vete .Puna e mesuesit ne kte mnyre shkon ne Buen. Pra nji gja qi e ndalon mesuesi duhet te jete e ndalueme edhe prej prindve.

Per kte asht e domosdoshme  me permbledhe  njohuni  mbi jeten e fmive tuej. Nji prind ankohet se djali s’kap liber me dore.

Mesuesi ankohet se djali vjen vone ne shkolle.

Ka fmi qe rrine te merzitshem ne shkolle, mesuesi duhet te dije ne qofte se ka ndonji hall apo ndonji smundje,e tue dijte shpirtin e nji femije ,din me gjete edhe dermanin per te.

 Ka fmi qi vuejne me smundje te ndryshme,prindi duhet te bisedoje me msuesin, e mesuesi  ka me kene  i gadshem  me u sjelle me te si i perket.

Shume femi qe   kane  probleme, vehen ne rruge te mbare  prej  nji mesuesi  specialist,kur prindi  e mesuesi punojne zbashku. Por  nji gja duhet me pase parasysh,mos me I msue femit vetem me urdhna.

Fmija e sahati nuk duhen me u ngrehe shpesh por duhen lane me ece edhe vetiut.Ne dac me e vu  femin ne rruge te mbare duhet me I kallxue ate c’ka do te bajne e jo kurre gjane e ndalueme . Ne qofte se mesojme  nji femi me punue vetem me urdhna, ka me mbete  gjalle e ngusht,e kur t’I bien ndonji gja mbi krye  s’ka me diet  me e plotsue .

 Fjala qi i thue femis  duhet  me kene nji mur celiku,nuk duhet te thyhesh e  te bajne  ate qi nuk e ke lejue ma pare.

Kurre mos i fol me gjak te nxete, e aty ku mundesh  me krye punen  me nji fjale t’ambel. Fmija bindet ma shpejt me  fjale te mira  se sa  me fjale te ashpra apo me rrahje.

Femija asht tue u formue dhe na duhet ta respektojme ate qi edhe ai  mandej te na respektoje ne.Pendesa: Mungon.

Përgatiti për Diellin:Pertefe Leka

Filed Under: Fejton Tagged With: Jahja Damneri, Pertefe Leka, Shkolla shqipe, Ulqin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 170
  • 171
  • 172
  • 173
  • 174
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT