• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Heshtja ndihmon shtypësin, asnjëherë viktimën

March 4, 2021 by dgreca

-Mbi librin e Visar Zhitit “Kartela të realizmit të dënuar”/

Minella Aleksi/Të dëshmosh me shkrim pavarësisht nëse je një vajzë e vogël e fshehur në papafingon e një shtëpie apo je një institucion si “Amnesty international” që shkruan letra në emër të të burgosurve politikë, fuqia e tregimit të ndodhive dhe e kontekstit historik të kohës kur ndodhën, është ajo që zakonisht trondit dhe që shkakton ndryshime. Libri “Kartela të realizmit të dënuar” i shkrimtarit Visar Zhiti identifikon dhe analizon argumenta, reflekton e godet fortë, drejtë në ndërgjegjen e lexuesit, si një kujtesë e zymtë, keqardhëse për vlerat e humbura historike kombëtare, për koston e rëndë njerëzore të inteligjencës shqiptare, raportin me të vërtetën gjatë dhe pas regjimit komunist. 

Përmban një bilanc tragjik të atyre që u quajtën “armik”, në një kohë që fjala “armik” nuk kishte një përcaktim të saktë, por përfaqësonte një diapazon abuziv akuzash të pa limit, të imponuara me dhunën e ligjit nga pushteti komunist. “Armik” mund të ishte kundërshtari politik, mund të ishte një gazetar, intelektualë “borgjezë”, artistë, profesorë, shkrimtar, muzikant, poet, shkencëtarë, ish pronar. Klasa dhe arsimi ishin shpesh kriteret kryesore për tu identifikuar si armik. Lexon tekstin dhe imagjinata të sjell përpara syve akuzatorët shqiptarë të stilit sovjetik, atyre të cilëve Partia u jepte porosinë: “Pyetjet e para duhet të jenë; cila është klasa e tij, cila është origjina, arsimi dhe edukimi i tij. Këto janë pyetjet që përcaktojnë fatin e të akuzuarit”. Instikti i shkrimtarit e ka motivuar autorin Visar Zhiti, ish i dënuar i ndërgjegjes që të trajtojë në një libër “konfliktin shoqëror post komunist, konflikt  për të cilin tre vite më parë, më 2017, dy studjues, Grigore Pop-Eleches (Princeton Univ.) dhe Joshua Tucker (Nevv York Univ.),  kishin botuar studimin e tyre me titull “Hija e komunizmit”. “Kartela të realizmit të dënuar” vjen si, apo përbën anën tjetër të medaljes e cila si një e vetme ndihmon për të kuptuar dhe thelluar arsyetimin mbi ecuritë post komuniste. Përgjatë tranzicionit shoqëria u ndesh me aspekte të dhimbëshme të karakterit kulturor të cilat përfshijnë qëndrime, besime, njohuri të ngulitura gjatë periudhës komuniste e që si kulturë shoqërore dhe kulturë politike shqiptare përbënin një “geto” të mjerimit shoqëror shqiptar. Analizohet fenomeni shoqëror në disa këndvështrime, e shtyn lexuesin drejt shtegut të meditimeve dhe gjykimeve individuale. Një libër që ngre më shumë pyetje sesa përgjigje të lehta.

P.sh., nuk mund të evitohet një pyetje: Përse ndodhën krimet mbi njerëz që kishin sakrifikuar dhe e kishin pasuruar kulturën shqiptare, çfarë krusje fatale pësoi shoqëria, tek e fundit ç’është kjo “dhimbje” e pashërueshme, përse atëhere, dhe akoma sot pas 30 vjetësh, kategoria e të persekutuarve politikë nuk u mirëseardhë në shoqërinë shqiptare?. Përse kur “armiku” i partisë binte në burg, siç bihet në një humnerë, edhe pse njerëzit ishin të vetëdijshëm për sa evazivë ishte termi “armik i partisë dhe i popullit” prapëseprapë, për fat të keq automatikisht te një pjesë e mirë e popullatës,  krijohej një ndjenjë urrejtjeje ndaj këtij “armiku”, e barazvlefshme në valencë me urrejtjen armiqësore që mbartëte etiketimi armik, sipas diktatorit dhe Partisë?. Nuk vihej në diskutim se për fajin që i ishte kundërvënë normave të partisë i dënuari jo vetëm konsiderohej armik, por familjarët dhe të afërmit e tij, në gjëndje ankthi dhe paniku bëlbëzonim me njëri tjetrin; mirë për vete që nuk mendoi por na mori në qafë edhe ne të tjerëve. Para rënies në burg këta intelektualë e artistë ishin të vlerësuar për punën që bënin, nderoheshin me “Çmim Republike”, “Hero i punës”, “Urdhëri Naim Frashëri”, etj., ndërsa pas pak ditësh ata ishin “leprozët” të cilëve njerëzit u qëndronin sa më larg. Kreu i komunistëve shqiptarë vrau mbështetësit e tij më besnikë sepse ata nuk arritën të kuptonin se revolucioni nuk kërkonte më revolucionarë, por shërbëtorë të bindur.
 
Kjo psikozë frike, ankthi, pasigurie, tmerri, paranoje dhe realiteti i përndjekjeve, keqkuptime dhe kontradikta klasore, ishte si një re e plumbtë mbi kokat e shqiptarëve. Parulla e ditës ishte: O me ne o me armikun.  Disa njerëz kishin keqardhje, dhimbje njerëzore, ndërsa shumë më shumë se këta ishin të tjerët, turma e indoktrinuar, ata që e mbajtën gjallë urrejtjen ndaj tyre. Edhe kur para vitit 1990 këta “armiq” dilnin nga burgu, te një pjesë e mirë e turmës së njerëzve vazhdonte të përjetohej urretja ndaj “armikut të partisë”. Koha vërtetoi se sa më e madhe injoranca aq më i thellë indoktrinimi. Për fat të keq nuk u arrit të shmangej urrejtja që vazhdoi edhe në post komunizëm.  Përse? Indoktrinimi komunist si strukturë edukate familjare dhe shoqërore nuk “pastrohet” me dekret, ashtu si me dekret mund të shpallet pluralizmi politik. Sa më i thellë indoktrinimi- injoranca, aq më tepër kërkon kohë emancipimi, çrrënjosja, dezintoksikimi ideologjik shtresë pas shtrese. Aksioma “Sapo të mësoni të lexoni, do të jeni përgjithmonë të lirë”, çuditërisht nuk e bën të lirë turmën. Si fara e mirë që mbillet në tokë kripore.

Lenini, udhëheqsi i bolshevikëve, ideatori i revolucionit të tetorit, deklaronte dhe u përmbahej dy parimeve shumë të rëndësishme të ideologjisë së pushtetit komunist: “Na jepni fëmijën për tetë vjet dhe ai do të jetë një bolshevik përgjithmonë”. Dhe parimi i dytë: “Ateizmi është pjesa e natyrshme dhe e pandashme e komunizmit”. Në librin “Kartela të realizmit të dënuar” dëshmohen pasojat shkatërruese të këtyre parimeve leniniste në shoqërinë shqiptare. Në vitin 1967, i cilësuar prej ish të dënuarit të ndërgjegjes Spartak Ngjela si viti “i hordhive të revolucionit kulturor”, u manifestuan qartësisht në shoqërinë shqiptare dy mësimet leniniste. Prej tridhjetë vjetësh shqiptarët në shumicë nën udhëheqjen e Partisë komuniste e kishin përqafuar bolshevizmin dhe e përjetonin përditë në formën e tij më të egër. Shkalla e indoktrinimit bolshevik ishte aq solide sa turmat e revolucionarizuara ateiste u gjëndën të gatëshme që menjëherë, pa asnjë hezitim, me thirrjen e Partisë u turrën dhe shkatërruan kultet fetare. Sa herë e mendoj atë periudhë aq më me vend më duket shprehja: “Një njeri i ndriçuar merr vendimet e tij; injorantët shkojnë me turmën”. Partia i përcaktonte artistët e intelektualët armiq, turma i urrente si të tillë. Njëlloj si në Gjermani, Hitleri u vinte hebrenjve Yllin e Davidit në gjoks, turma tru shpëlarë i masakronte në mënyrë të përbindëshme. Raporti midis misionarve predikues (priftërinj e hoxhallarë) dhe pushtetit komunist ishte një raport toksik që e kishte manifestuar shijen e helmët që në ditët e para të pushtetit të diktaturës komuniste, sidomos me çfarosjen në bllok të klerikëve katolik. Eksperienca bolshevike dëshmon se në shoqëritë komuniste shkalla e “shpirtit revolucionarizues proletar komunist” e pranishme në një individ të veçantë ose në të gjithë kombin është drejtpërdrejt proporcionale me shkallën e devijimit nga Feja. 

“Fryma e zjarrtë revolucionarizuese” si një infeksion shpirtëror, zë dhe e dëbon nga zemra e nga mendja e njeriut të thjeshtë shpirtin e besimit, dashurinë dhe dhëmbshurinë, i kundërvihet efektit amortizues që e ushqen dhe e çfaq feja. 

Ndodh ajo që edhe njerëzit më të ndershëm të cilët i përkushtohen idesë për t'i shërbyer “ shtetit të klasës punëtore” nën ideologjinë bolshevike e që janë gati të rrezikojnë vdekjen duke luftuar për idealet e komunizmit, pashmangshëm do të duhet dhe pranojnë në zemrat e tyre frymën e urrejtjes, bëhen të pamëshirshëm, të gatshëm për të zbuluar armikun brenda familjes, për të kërkuar armiq të brendshëm dhe të jashtëm, për të derdhur “gjakun në emër të interesave të Partisë”. 
U zhduk kisha dhe feja por turma ka nevojë për Kishën. I dorëzohet Kishës, Xhamisë, Teqesë, etj.. Turma s’ka vizion, nuk gjeneron ide, do udhëheqës. Turma i shkatërroi kishat e xhamitë nën udhëheqjen e Partisë. Individualitetet janë ata që e kapërcejnë Kishën, janë bartësit e ideve dhe vizioneve reformuese që shikojnë në thellësi të horizonteve. Rasti i Martin Lutherit brenda fesë është ilustrimi më i qartë. 

Në shoqërinë komuniste që përpiqet të standartizojë të menduarit, individualiteti nënçmohet. “Zilia” për pasurinë e të tjerëve, për qëndrimin vlerësues të individit në shoqëri, për suksesin dhe talentet e të tjerëve, etj., në masat revolucionare me vetëdijen e paqartë të tyre ngrihet në rangun e një virtyti. “Frika e krahasimit” si tipar njerëzor ka shërbyer gjithmonë si karburant i xhelozisë. Ka një pasazh në libër ku zilia, cinizmi dhe xhelozia përmblidhen në mënyrën se si shprehet një shkrimtari i njohur pas lirimit të të burgosurve politikë: “Tani erdhën këta që të na zëvendësojnë”. 

Në librin “Kartela të realizmit të dënuar” lexuesi njihet me listën e gjatë të intelektualëve dhe të artistëve të burgosur e të zhdukur gjatë regjimit komunist. Të vjen në mend thënia e historianit të njohur britanik Martin Gilbert, biografi zyrtar i VVinston Churchill kur thoshte: “Hitleri dhe Çurçilli i para shkruan fundet e tyre, të katastrofës dhe të triumfit. Në fillim të L2B Hitleri grumbulloi mëndjet më inteligjente të Gjermanisë dhe i zhduku në kampet e çfarosjes, ndërsa Çurçilli grumbulloi mëndjet më inteligjente të Anglisë dhe i vuri që të punonin për dekodimin e makinës “Enigma”. Njëlloj në Shqipëri. Diktatori E. Hoxha grumbulloi të arsimuarit dhe i mbylli nëpër burgje, ndërsa mjelëset dhe mekanikët i vuri në udhëheqje të turmave. Me fillimin e Tranzicionit shqiptar “Realizmi i dënuar” ishte e pamundur që të çlirohej. Lidershipi i Partisë që erdhi në pushtet e në vazhdim ishte dhe mbeti një strukturë partiake që zbatoi besnikërisht metoda që në dukje ishin demokratike por ne thelb bolshevike. Të kujtonte thënien e politikanit gjermanolindor VValter Ulbricht: “Duhet të duken demokratike, por ne duhet të kemi gjithëçka në duart tona”.

Mendoj se raporti Pushtet “demokratik “ / ish të dënuar politik ishte i intoksikuar me urrejtje deri në atë masë sa ish të burgosurit politikë nuk e gjetën asnjëherë veten realisht dhe natyrshëm të njehsuar në radhët e PDsë dhe as si përfaqësues të së Djathtës politike në të. Paradoksalisht më mendje hapur ndaj të dënuarve të ndërgjegjes qoftë në mbështetjen institucionale financiare ashtu edhe moralisht u tregua forca tjetër politike, PS, nga e cila pritej më pak. Roli përcaktues i udhëheqsit të turmës!!

 Kategoria e ish të burgosurve politikë u urryen kur u burgosën,  urreheshin pas daljes nga burgu dhe në post komunizëm institucionalisht u mbajt e gjallë mungesa e dëshirës për rikonsiderimin e tyre në shoqëri. Shërbimi sekret shtetëror pas viteve 90tëishte një shëmbëlltyrë e shëmtuar e policisë sekrete të E. Hoxhës. Në mënyrën më djallëzore imazhi i kategorisë së të burgosurve të ndërgjegjes u kompromentua dhe u dëmtua rëndë me të gjitha format shantazhuese, dezinformuese, shpifëse, diskredituese etiketuese si bashkëpunëtorë, përzierje të qëllimshme me ish të burgosurit ordinerë, etj, etj. Jo pa qëllim shprehja” i rekrutuar nga sigurimi” i nënkuptonte të gjithë si spiunë të Sigurimit pa u marrë në analizë elementi bazë i rekrutimit, “Tortura”. George Orvvell nënvizon se: “përballë dhimbjes në tortura nuk ka heronj”. Pas rënies së diktaturës, në liri është e lehtë të flasësh dhe të akuzosh. Umberto Echo vinte në dukje:“Nën tortura ju jeni si nën sundimin e atyre ilaçeve që prodhojnë vizione. Gjithçka që keni dëgjuar të tregohet, gjithçka që keni lexuar kthehet në mendjen tuaj, sikur të transportoheni, jo drejt parajsës, por drejt ferrit. Nën tortura ju thoni jo vetëm atë që dëshiron inkuizitori, por edhe atë që imagjinoni se mund ta kënaqë atë, sepse midis jush dhe tij krijohet një lidhje vërtet djallëzore” . Çfarë e bën lexuesin që të ndjekë leximin me interes dhe hap pas hapi të filloj që të identifikohet me mëndjen e autorit që e konceptoi dhe e kompozoi këtë libër. Subjekti i shkruar me stil, e drejton vëmëndjen e lexuesit në mënyrë të qëndrueshme. Dhe gjatë leximit ndjen sikur bashkëbisedon me mëndjet e holla të atyre individualiteteve të kohës së kaluar. Sikur edhe vetëm për këtë pasurim shpirtëror të lexuesit ia vlen që të lexohet. Gjuha figurative e kuptueshme, zgjedhja e fjalëve që përputhen me tonin dhe rëndësinë e subjektit të marrë në interpretim, struktura e fjalive të shkurtëra, teknika përshkruese, herë herë alegoria dhe ironia dramatike si shprehje e nënshtresës me deduksione filozofike, në tërësi shija e mirë artistike, krijojnë përmes tekstit “zërin autentik” të autorit, riafirmojnë stilin si vulën e origjinalitetit të tij. Stil letrar që e ka ngritur performancën artistike në nivelin admirues të një krijimi artistik të mirëfilltë që, “hyn” në mëndjen e lexuesit, e zgjeron vetëdijen e tij, e bën të kuptojë konfliktin shoqëror që e ka motivuar autorin. Mendoj se teksti është projektuar dhe inxhinjeruar si një mënyrë edukimi që stimulon te lexuesi vet studimin. Nëse e kaluara ishte një pengesë dhe një barrë, njohja e së kaluarës është emancipimi më i sigurtë. Me këtë libër shkrimtari vendos përballë lexuesit një pasqyrë. Lexuesi shikon në pasqyrë atë çka tashmë ai ka dhe ndjen brenda vetes së vet. Turma mund ta refuzojë e ta thyej pasqyrën. Shkrimtari i drejtohet pjesës së përgjegjëshme të shoqërisë, njerëzve të dijes, të kulturës dhe arteve. I drejtohet Individualiteteve jo Turmës. Jetojmë në sistem demokratik për të cilin Të Diturit na tërheqin vëmendjen se demokracia është një besim patetik në mençurinë kolektive të injorancës individuale. Autori nuk synon që “Ishët” të zëvendësojnë  apo që “të fitojnë” mbi krijimtarinë egzistuese të arteve dhe të kulturës në diktaturë. Qartësisht, vjen me vullnetin që të ftojë lexuesit për të konsideruar “realizmin e dënuar” në një hapsirë shoqërore të vëmendjes dhe eksplorimit reciprok. Ai e ka kapërcyer post komunizmin komunist duke e sfiduar atë, duke refuzuar të heqë dorë nga njerëzorja dhe e vërteta. Dëshmia e  tij për “Realizmin e dënuar”, ka thyer brenda tij mbytjen e dëshpërimit mbi të, duke  mbetur vet  njerëzor. Libri “Kartela të realizmit të dënuar” i shkrimtarit Visar Zhiti është një kujtesë kurajoze e artistit qytetar, protestë e qëndrueshme kundër indiferencës, jo thjesht e bukur por domethënëse në këndvështrimin etik.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Kartela e realizmit te denuar, Minella Aleksi, Visar Zhiti

Projekti amerikan: Marrëveshja epilog ka njohjen e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë

March 4, 2021 by dgreca

SONY DSC

Nga XHAVIT ÇITAKU/

Pa i mbushur një muaj prej se mori pushtetin, presidenti i SHBA Biden shpalosi në mënyrë të qartë e konkret qendrimin që ka adminstrata e tij karshi dialogut Kosovë- Serbi. Ç’është e vërteta, presidenti amerikan shfrytëzoi rastin që duke ia uruar Vuqiçit  ditën e shtetësisë serbe, t’ia bënë me dije se, pos tjerash, marrëveshja gjithëpërfshrëse e arritur ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës duhet të këtë epilogun e njohjes së shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Ky qendrim tash e tutje do të jetë i palekundur nga aleati ynë i përhershëm dhe kësisoj del përtej kornizës së deritashme të Bashkimit Evropian dhe të ndërmjetësuesit të këtij unioni, që mbështetëshin në një platformë shtërp që nuk do të mund të sjellte farë rezultati për shumë vite, gjë e cila më së shumti i konvenon Serbisë, sepse ajo në këtë mënyrë duke prolonguar me qëllim ndonjë rezultat eventual, ajo po vjel mjete bukur të mëdha financiare nga BE dhe institucione tjera financiare në emër të saj se ajo është për dialog dhe për arritje të një marrëveshje kompromisi me Kosovën. Pra, Bashkimi Evropian si ndërmjetëues i këtij dialogu niset nga parimet se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vedeve duhet të arrihet nga vetë palët gjatë dialogut të  të dyja delegaconeve.

                                          Serbia akoma e uritur për tokat shqiptare

Udhëheqja dhe populli serb janë të vetëdijshëm se e kanë humbur përgjithmonë Kosovën, mirëpo duke u nisur nga një politik gllabëruese që ka bërë me shekuj në dëm të trojeve etnike shqiptare, edhe kësaj radhe po mundohen që të përfitojnë diçka që nuk u takon. Vuqiç dhe regjimi i tij, por edhe BE e ndërmjetësuesi Lajçak sa e sa herë po e përserisin se duhet të arrihet një marrëveshje kompromisi, që në këtë rast i bie që të favorizohet pala serbe, e cila po kërkon me ngulm që të formohet asosacioni i komunave serbe me kompetenca ekzekutive, që do të thotë cenim  i integritetit dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës. Se BE është për një kompromis- marrëveshjeje u konstatua edhe në deklaratën e fundit të zëdhënësit të këtij institucioni, Peter Stano, i cili ndër të tjera tha se: “ Në fund, Beogradi e Prishtina do të gjejnë kompromisin e nevojshëm.” Derisa Stano përmend edhe qendrimin se marrëveshja e arritur do të jetë ligjërisht e obligueshme, jo vetëm tash por asnjëherë në të kaluarën nuk është thënë se Serbia duhet ta pranoj shtetësinë e Kosovës. Ky qendrim i padefinuar karshi shtetësisë së Kosovës, dorën në zemër vetëm sa po e dëmton rëndë vendin tonë dhe po transmeton sinjale të këqija në disa shtete të botës, që në disa raste edhe kanë tërhjekur njohjet.Në fakt, ky qendrim neutral vetëm sa po e trimëron Serbinë që të shton apetitet e saj, në mënyrë që në fund të fitoj atë që e ka synuar nga fillimi i dialogut. Pavarësisht se pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, kjo nuk është arsye për të vepruar kaq padrejtësisht ndaj vendit tonë, aq më tepër kur kihet parasysh fakti se shtetësia jonë njihet nga mbi 110 shtete të botës.  

Me të drejt shtrohet edhe pyetja tjetër se çfarë kompromisi të dhimbshëm duhet të bëj Kosova, që e ka përmend në disa raste Vuqië e Lajçak? Po a ka më të dhimbshme se sa vrasja e masakrimi i rreth 15 mijë shqiptarëve nga policia, ushtia e paramilitarët serb, po a ka më të dhimbshme se shkatërrimi i mbi 200 mijë shtëpive nga sodateska shoveniste serbe, po a ka më të shimbshme se dëbimi i rreth një milonë shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore, po a ka më të dhimbshme se dhunimi i rreth 20 mijë grave e vajzave shqiptare, po a ka ma tmerr e dhëmbshuri djegëja e kufomave të vrara nga fashistët serb, po a ka më të dhimbshme se sa vrasja e masakrimi i rreth 300 mijë shqiptarëve nga rajoni i Toplicës e rrethit të Nishit dhe dëbimi i të gjithë të tjerëve nga ato troje shqiptare. Dhe athua prapë shqiptarët duhet të bëjnë kompromis dhe të falin toka të tjera vetëm se kështu po don Serbia dhe disa aleat të saj. Jo, kjo nuk duhet të ndodh kurrë, sepse dhimbja është e madhe nga plagët e freskta që i ka shkatuar regjimi i Miloshviqit dhe krajlat tjerë antishqiptar në të kaluarën. Se nuk do të ndodh një gjë e tillë e tmerrshme na jep besim e shpresë letra e presidentit amerikan dërguar homolugut të tij serb, që është edhe një sinjal i qartë edhe për Bashkimin Evropian se SHBA përkrah dhe qendron pas një marrëveshjeje që epilog ka njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Serbia, pa u cenuar asnjë pëllëmb tokë e vendit tonë.

                Pjesëmarrës i gjencidit serb mbi shqiptarët ishte edhe presidenti aktual Vuçiq

Në krye të shtetit serb është Aleksandër Vuçiq, i cili ishte pjesë e qeverisë gjenocidale serbe, ndaj edhe është e kuptueshme se do ta qet “ kokën në cung” e nuk do ta njoh shtetin e Kosovës. Ai mendon e lufton me gjithë forcën që të vazhdoj politikën antishqiptare që ia ka lënë amanet Milosheviqi dhe, po ashtu, Shesheli, një antishqiptar i përbetuar. Është e pakuptueshme dhe shumë simptomatike se si është e mundur që me deklarata provokuese, që dëmtojnë rëndë vazhdimin e dialogut Serbi- Kosovë në asnjë rast nuk reagojnë  zyrarët e Bashkimit Evropian, ndërkaq po të bëjnë një gjë t tillë liderët tanë shqiptar, po të njëjtën ditë ka me dalë zëdhënësi e ka me e “ dënue” mendimin dhe synimin e tyre rreth një zgjidhjeje tjetërfare që ata mendojnë se është e drejt. Shembulli më i freskët është deklarata e Kryetarit të AAK, Ramush Haradinaj, i cili theksoi pos tjerash se “ nëse nuk përfundon dialogu me njohje reciproke dhe Kosova vazhdon të mbetët e izoluar, atëherë do të shpallet referendum për t’u përcaktuar populli për bashkim me Shqipërinë.” Reagimi i Stano ishte i mënjëhershëm dhe goxha i ashpër, ndërkaq, kur zyrtarët serb theksojnë në vazhdimësi se Kosova është pjesë e Serbisë dhe kur provokojë me mobilizim të ushtrisë serbe dhe blerje të armatimit modern, këtu mbretëron heshtje thuase asgjë nuk po ndodh.

Taktikat serbe se kinse e përkrahin dialogun?!

Presidenti serb Vuçiq përherë deklarohet se është i gatshëm për dialog dhe arritje të një marrëveshjeje, por kjo, në fakt, është një taktikë e tij e kahmotshe vetëm e vetëm që të përfitojnë nga fondet evropiane e ndërkombëtare mjete të mëdha financiare, ashtu siç po ndodh në të vërtetë. Vuqiçit dhe udhëheqjes aktuale serbe shumë m[ë tepër iu konvenon një status quo se sa të arrihet një marrëveshje përfundimtare, epilogu i së cilës do të ishte njohja reciproke. Për këtë epilog, kuptohet, nuk është i gatshëm të nënshkruaj presiodenti aktual serb, sepse dora e tij kriminale në shumë pjesë të ish- Jugosllavisë nuk ia lejon shpirtërisht ta bëj një gjë të tillë, dëshiron që këtë ta bëj tjetërkush, t’ia lë “ këmbët e ariut” dikujt tjetër.

Në deklaratën e tij të fundit pas takimit që pati me Lajçak, ndërmjetësuesin e BE-së, ndër të tjera tha se kurrë nuk do njoh shtetin e Kosovës dhe se për këtë arsye ai më nuk ka nevojë të shaj e të bërtas për këtë gjë. Bile ishte nervoz që Lajçak kishte pernmedur emrin Kosovë. Për me sha e me përdorë fjalor rrugaçësh Vuqiç dhe të tjerët që qendrojnë në poste të rëndësishme si dhe në institucione, bile edhe akademike, kush nuk mund t’ua kalon, për këtë iu njej e tërë bota. Të mos flasim për rrena e shpihje, që janë pjesë përbërëse e politikës serbe me shekuj. 

Filed Under: Analiza Tagged With: marreveshja, Projekti amerikan, Xhavit Çitaku

Kosovë, mos humb kohë… Thuaj “PO” ftesës së kryeministrit Netanjahu!

March 3, 2021 by dgreca

      DEKLARATË E FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS VATRA/

VATRA: KOSOVA NUK KA KOHË PËR HUMBUR PËR HAPJEN E AMBASADËS NË JERUZALEM/

Kosova nuk ka rrugë tjetër përveçse ta hapë sa më parë ambasadën pranë asaj Amerikane në Jeruzalem…./

New York, 3 Mars 2021- Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” po i ndjek me vëmendje dhe shqetësim presionet që po i bëhen kandidatit fitues  për Kryeministër të Kosovës z. Albin Kurti. Urimi dhe Thirrja e Kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu: Të pres në Izrael për të inauguruar Ambasadën në Jeruzalem; përballë kundërshtimeve të ashpra të Turqisë, Palestinës,si dhe të Lidhjes Arabe, apo dhe të Bashkimit Europian, nuk kanë pse e konfuzojnë as ta frikësojnë Kosovën, qeverinë e pritshme të saj, institucionet shtetërore apo klasën politike!

Shteti i ri Kosovës nuk ka më kohë të eksperimentojë tërheqjen pas marrëveshjes së 4 shtatorit 2020 në Washington nën kujdesin e Presidentit amerikan Donald Trump dhe të nënshkrimit të marrdhënieve diplomatike me Izraelin me 1 Shkurt 2021.

          Bashkimi Europian ka pasë mjaftushëm kohë për ta ndihmuar Kosovën në integrimin e saj, por ka zgjedhur izolimin e shtetit të ri, duke mos e lejuar as të udhëtojnë në Europë qytetarët e Kosovës, siç ka bërë me agresorin e Kosovës, Serbinë- e  përkëdhelura e Brukselit.

              “VATRA” e mirëkupton Kurtin në lëvizjet e  tij për të fituar kohë për t’u përballur me presionin e BE-së, por vonesa nuk është në favor të tij dhe qeverisë së pritshme, as të qytetarëve të Kosovës. Ishte pozitive deklarata e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës Kurti  se “… vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit është e rëndësishme dhe “mundësi e mirë për zhvillim”, ndërsa deklarata e 1 marsit 2021 gjatë takimit me ambasadorin turk në Prishtinë, Çağri Sakar, se :”.. do ta shqyrtoj çështjen se në cilin qytet do të vendoset Ambasada, në Tel Aviv apo Jerusalem…”, krijon dyshime e mëdyshje.Vendime të tilla, natyrisht që duan kohë për t’u peshuar, por dita e mirë duket që në mëngjes. Washingtoni ka kërkuar qartazi që ambasada duhet hapur në Jeruzalem. Atje është edhe ambasada e Shteteve të Bashkaura të Amerikës. Administrata e re amerikane e dha “vizën” dhe fondet për qëndrimin e ambasadës amerikane në Jeruzalem. Kaq mjafton.

  Në dilemën të dëgjojë Amerikën , që i kërkon ta hapë ambasadën në Jeruzalem, përballë Europës kërcënuse: Jo në Jeruzalem, por në Tel Aviv!- Kosova duhet ta peshojë me balancën e prakticitetit dhe diplomacisë se kujt do t’i thotë ”PO” dhe kujt’JO”, por logjika dhe praktika diplomatike ndërkombëtare e shkarkon Kurtin nga përgjegjësia e PO-së sepse vendimin e kanë marrë paraardhësit e tij dhe së dyti- vendin se ku do të vendoset ambasada e Kosovës në Izrael i takon shtetit pritës dhe jo Kosovës.

Kosovë, mos humb kohë! Thuaj “PO” ftesës së kryeministrit Netanjahu!

Për Krysinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës

KRYETARI

ELMI BERISHA

New York, 03/03/2021

Filed Under: Politike Tagged With: ambasada e Kosoves, ambasada ne Jeruzalem, Deklarate e vatres, Elmi Berisha, Jeruzalem

Ëndrra Amerikane nëpërmjet Korpësit të Paqes në Shqipëri….

March 3, 2021 by dgreca

ME AMBASADORIN JOSEPH EDWARD LAKE/

Nga Qemal Zylo-New York/

Duke jetuar me dekada nën diktaturë e cila i kishte të ndërprera marrëdhëniet diplomatike me shtetin më dashamirës dhe me vendime më të rendesishme për Kombin, ëndrra amerikane ishte e burgosur, por jo në shpirtrat e shqiptarëve.  Amerika e deshi që Shqipëria dhe bota e Lindjes të permbysnin njëherë e përgjithmonë diktaturat dhe të rivendoseshin marrëdhëniet diplomatike 30 vjet më parë.

Qemal Zylo, Shef i transportit dhe furnizimit teknik të Korpësit të Paqes në Shqipëri. me stafin e Korpesit te Paqes.

          Erërat e ndryshimit po frynin dhe në Shqipëri dhe pas demonstratash të njëspasnjëshme, grevave të urisë, dashurisë së popullit për demokracinë, bënë që në Shqipëri të rrëzohej regjimi diktatorial dhe të vendosej demokracia, ndonëse nevojitet shumë punë për të bërë.Gjatë përmbysjes së regjimit shumë intelektualë që e donin demokracinë nuk u përkrahen si duhet, veçanërisht ushtarakët, që kishte shumë prej tyre që megjithese e përkrahën ndryshimin u lanë pa punë, ku shumica përfunduan të shisnin banane në rrugë.  

Gjatë kohës së ndryshimit ishja Shef Katedre në Akadaminë Ushtarake në Tiranë ku jepja leksione për lëndët inxhinierike, më vonë më nxorrën në asistencë.Duke pasur fatin të ishja në proces të mbrojtjes të doktoraturës në fushën e inxhinierisë mekanike dhe kishja mbrojtur dy gjuhë anglishten dhe italishten, aplikova për punë në Korpësin e Paqes pasi kishin nxjerrë në gazetë reklamën për vend të lirë pune si shofer.  

         Më kujtohet mirë se inervista që realizova me drejtoreshën e Korpësit të Paqes, Amerikanen Patricia Xhonson, e cila pasi u njoh me përvojën time si inxhinier dhe Shef Transporti me detyra të larta në Ushtri u cudit që unë po aplikoja për shofer. I thashë se unë kam përvojë një jetë të tërë, por nevojat urgjente të familjes më detyruan të vi të aplikoj tek ju.  Pasi më dëgjoi me shumë vëmendje dhe mirësi amerikane më tha që do ju telefonojmë.  Nuk kaloi as një javë dhe më thirri në zyrë duke më emëruar si shef i transportit dhe furnizimit teknik të Korpësit të Paqes, detyrë të cilën e përfundova me nder dhe profesionalizëm deri në vitin e mbrapshtë të 97-ës, vit ku në muajin shkurt u detyrova të largohesha me familjen nga lufta civile që filloi.  

      Kam shumë kujtime dhe krenari që punova në këtë Institucion të Paqes dhe Miqësisë në Botë.  Përfitova shumë nga përvoja e punës krejt ndryshe nga ato që kishja mësuar dhe ushtruar gjatë jetës, por kurrësesi pa mohuar dijet dhe kulturën inxhinierike që mora në Universitetin Politeknik të Tiranës, me professor të nivelit të lartë.  Mënyra se si punonin, bashkëpunimi, metodat e punës, teknologjia e nivelit të fundit shkencor, më dhanë një përvojë dhe përgatitije të re për jetën time.  Sakrificat e shumta që bënin specialistët nëpër rrethe, të cilët ishin rreth 100 amerikanë, takimet për analiza pune si staff, si dhe mënyrën e organizimit të festave kombëtare amerikane ishin krejt ndryshe nga ato që kishja përjetuar më parë. Së bashku me kolegët e mi shqiptarë si inxh.Franc Marku, mësonim nga mirësia e tyre në komunikim dhe zgjidhjen e problemeve të ndryshme, të cilët bënin të ndiheshe i lirshëm për të punuar me shumë devocion.  Korpësi i Paqes me drejtoreshë Patricia Xhonson më dha mundësinë të dilja për herë të parë jashtë kufijve të Atdheut në vitin 1995 në Greqi, në Selanik për riparime të teknikës.  Më duhet të shtoj se gjithë makinat e Korpësit të Paqes, nuk riparoheshin në Shqipëri, pasi nuk kishte në atë kohë shërbim të specializuar.  Nuk do t’i harroj kurrë vizitat e shumta pranë Ambasadës Amerikane, sidomos takimin me Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe të Plotëfuqishëm të Amerikës në Tirane Z.Joseph E. Lake në zyrën e tij.

     Një kujtim i paharruar do të ngelet drekimi dhe qetësia shpirtërore me drejtoreshën e Korpësit të Paqes Patricia Xhonson, e cila na ftoi familjarisht në një lokal pranë Liqenit Artificial.  Ajo sot është një Ëngjëll në qiell dhe ne e kujtojmë me plot respekt dhe mall për cfarë i dha Kombit shqiptar dhe Korpësit të Paqes si një Lidere Amerikane e devotshme për Amerikën dhe botën.    

      Ndihem krenar që punova në këtë Institucion shumë të rëndësishëm botëror, në Korpësin e Paqes i cili mbush 60 vjet që nga dita e themelimit të tij, propozuar nga kandidati për President John F. Kennedy në vitin 1960.  Në vitin 1961 Kongresi Amerikan e miratoi si Korpësi i Paqes me një program vullnetar të drejtuar nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara që ofron ndihmë ndërkombëtare për zhvillimin social dhe ekonomik për vendet në zhvillim. 

      Punonjësit e Korpësit të Paqes e patën shansin të punonin si vullnetarë në Shqipëri vetëm pas fitores së demokracisë.  Ata sollën kulturë të re komunikimi, sollën vlerat e larta të humanizmit amerikan dhe sollën ndryshime në shumë sektorë të jetës.Nëpërmjet Korpësit të Paqes preka endrrën amerikane në Shqipëri që do të ngelet përjetësisht në kujtesën time dhe të familjes.

       *Autori i shkrimit ka qenë Shef i transportit dhe furnizimit teknik të Korpësit të Paqes në Shqipëri.

3 Mars, 2021

New York

Filed Under: Featured Tagged With: endrra amerikane, Korpesi i paqes, Qemal Zylo

DURDICA RAMQAJ, NJË CICERONE SHQIPTARE QË RRËFEN ZAGREBIN

March 3, 2021 by dgreca

Durdica Ramqaj, cicerone turistike e vetme e gjuhës shqipe në Kroaci, mësuesja me origjinë kroate, në një rrëfim ekskluziv për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York na tregon bashkëpunimin me shkollat shqipe në Kroaci, pasionin dhe punën e saj si cicerone turistike me fëmijët, integrimin e shqiptarëve e fëmijëve shqiptarë në Kroaci dhe lidhjen mes kulturave të dy popujve shqiptarë e kroatë. Me Durdica Ramqaj bisedoi gazetari i ‟Diellit” Sokol Paja.

NJË RRËFIM PËR MAGJITË E ZAGREBIT 

Zagrebi është një ndër qytetet më të bukura në Ballkan. Historia, kultura, arkitektura dhe turizmi në këtë vend janë mahnitëse. Përveç punës me grupe turistësh shqiptarë që vizitojnë Kroacinë, kënaqësinë më të madhe e ndjej me fëmijët shqiptarë kur ju rrëfej magjitë e Zagrebit. Së bashku me kolegen, nxënësit dhe prindërit caktojmë ditën dhe kohën (të shtunën) për të vizituar vendet më të rëndësishme të Zagrebit. Takohemi në një vend të caktuar më parë (sheshi kryesor Josip Ban Jelačić). Menjëherë bëjmë krahasimin mes Josip Ban Jelačić-it e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Flasim për historinë e qytetit, themelimin e tij, pozitën gjeografike, rregullimin shoqëror dhe politik, të drejtat dhe obligimet e garantuara me Kushtetutën e Kroacisë. Pastaj vizitojmë Katedralen e Zagrebit nga shekulli i 12, historikun e saj( ipeshket deri te i bekuari Alojzije Stepinac), pastaj tregu i njohur i Zagrebit Dolac( para 80-90 viteve Varrezat e Zagrebit), pastaj rrugën e njohur Tkalqiqeva me ndertesa tipike të shekullit 17,18 e 19, nën të cilën sot lëviz prroni i mbuluar. Medveshqaku vendi ku ishte zhvilluar manufaktura, vendi i quajtur Ura e pergjakur (Krvavi most), në të cilin kanë luftuar banorët e Kaptollit dhe të Gradecit ku jetonin njerëzit e rëndomte. Pastaj vizitojmë dyert e gurit, vendi i vetëm për të hyrë në qytet, i cili atëherë ishte i rrethuar me mure të larta. Aty gjendet statuja e Nënës së bekuar, mbrojtëse së Zagrebit. Bisedojmë për zjarret që kanë shkretuar Zagrebin. Vizitojmë Barnatoren e parë që njëri nder pronarët e parë ka qënë nipi i shkrimtarit të njohur italian Dante Alighieri. Pastaj vizitojmë sheshin e njohur të Shën Markut dhe kishën me të njëjtin emër, e mbuluar me tjegulla të ngjyrosura kuq e bardhë që njihen në tërë botën. Në këtë shesh behët inaugurimi i kryetarëve kroat, gjendet parlamenti (Sabor) kroat, Banski Dvori selia e qeverise, aty më poshtë edhe Kisha e Shën Katarinës, njëra prej kishave më të njohura e stilit barok. Pallaqa Dverce, Kulla Llotershqak gjatë historisë ishte vend mbrojtes kurse sot edhe muze. Kështu lëshohemi me Teleferik (Uspinjaqa) që edhe sot e kësaj dite funksionon. Në shëtitoren e ipeshkvit dhe kyeipeshkvit  Josip Jurja Shtrossmayer, duke kaluar afër mureve të vjetra dhe gjimnazit katolik të shekullit 17, edhe sot po ashtu në funksion. Në këtë mënyrë kthehemi në sheshin kryesor Josip Ban Jelačić duke bërë një gjiro në mes dy brigjeve. Kthehemi tek vendi ku është vrarë Millan fs Shufllaj, i cili shkroi shumë për shqiptarët dhe u vra për atë. Vizitojmë edhe sandallet e Nënë Terezes në kapelen e Shën Dizmes para se të shkonte për të marrë Nobelin, filigranistin e njohur Shqiptar Lazer Lumezi, permendoren e Andrija Kačić Miošić-it që ka shkruar po ashtu për shqiptarët. Vizitojmë edhe globin e madh Lulja e Erës në të cilin janë të shkruara fjalët e mirëseardhjes : Mirsevini. Në fund vizitojmë edhe parkun e njohur Zrinjevac. 

BASHKËPUNIMI ME SHKOLLAT SHQIPE SI CICERONE TURISTIKE

Si cicerone turistike i ndihmoj me shumë kënaqësi shkollat plotësuese shqipe në njohjen e bukurive historike, kulturore, gjeografike etj. Bashkëpunimi më i mirë është ai me shkollën Eugen Kumičić nga Velika Gorica. Eugeni është shkrimtari më i lexuar kroat i kohës. Ishte shkrimtar i realizmit dhe konsiderohet si paraardhes i letersisë origjinale kroate. Ishte edhe bashkkohës i shkrimtarës, poetes dhe luftëtares për të drejtat e femrave, Marije Jurić Zagorka. Krjjimtaria e tij perfshinë romane historike, drama, tregime, ese sociale si dhe vepra me temë dashurie), në kuadër të projektit “Njohim atdheun tonë të ri”. Në këtë shkollë mbahet mësimi plotësues në gjuhën shqipe, i lejuar nga Ministria e Arsimit e Republikës së Kroacisë, për nxënësit shqiptarë të lindur këtu që shkollohen sipas programit të arsimit në Kroaci. 

NJOHIM ATDHEUN TONË TË RI

Mësimin në gjuhën shqipe e mban arsimtarja Melita Oreskoviq, kryesisht çdo të shtunë. Ajo ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Numri i nxënësve varet nga interesimi i prindërve. Ata që regjitrohen nuk kanë mundësi ta lëshojnë mësimin gjatë vitit shkollor. Numri nuk është gjithnjë i njëjtë, ndonjëherë është më i madh apo më i vogël. Së bashku me mësuesen i njohim me atdheun e ri si nxënësit ashtu edhe prindërit e tyre 3-4 herë në vit, nga 2-3 orë (kryesisht nënat që po ashtu kanë nevojë të njoftohen me monumentet, historinë, kulturën, doket, institucionet në gjuhën e tyre). Në këtë mënyrë u ofrojmë mundësinë e integrimit të tyre në athdheun e ri, duke i lidhur me kulturat e dy popujve (kroat dhe shqiptar). Unë dhe kolega ime Melita punën e përbashkët e kemi prezantuar në 2018, në konferencën regjionale për mësimin plotësues në gjuhën shqipe, në Maribor të Slovenisë. Në Kroaci jam e vetmja cicerone turistike në gjuhën shqipe. Jemi të gatshëm t’i ndihmojmë edhe kolegët në shkollat e tjera( natyrisht pas pandemisë COVID 19).

SHQIPTARËT NË KROACI 

Shqiptarët në Republikën e Kroacisë janë të shpërndarë pothuajse nëpër të gjitha qytetet e saj. Numri më i madh është i koncentruar në Zagreb. Në Zare ka një vendbanim me prejardhje shqiptare (Arbanasi), të cilët kanë ardhur nga Shqipëria në shekullin e 16 dhe 17. Komuniteti shqiptar ka dhënë njerëz të mëdhenj nga të gjitha lemit (po përmend vetëm disa: gjeneralët Ramiz Avdyli, Tome Berisha, Rrahim Ademi, Agim Ceku, prof dr. Behlul Brestovci, Harun Miniri, Mensur Gjergjizi, Lazer Lumezi, dr. Lush Daka, dr. kardiolog Tahir Ramqaj e shumë intelektualë të tjerë, mjekë të specializimeve të ndryshme, afaristë të shumtë. E pamundur që t’i përmend të gjithë. 

KUSH ËSHTË DURDICA RAMQAJ

Ka lindur në një fshat të Podravines, Virje (Kroaci) me 14 Maj 1947. Aty ka kaluar edhe ditet më të mira të fëmijërisë së saj. Shkollën fillore e ka vijuar në Virje e pastaj në Zagreb, ku ka kryer edhe shkollën e mesme. Disa vite pastaj i ka kaluar në Londer. Atëherë vendosi të studiojë gjuhën angleze të cilën e kreu në Zagreb në vitin 1973. Që nga shkolla fillore ka ëndërruar profesionin e mësuesit, të cilin e ushtroi pas kryerjes së fakultetit deri në daljen në pension. Gjatë studimeve u njoh me studentin shqiptar të mjekësisë Tahir Ramqaj. Pas disa vitesh dashurie, pasi kryen fakultetin, u martuan në Kosovë. Punën si mësuese e anglishtes e filloi në Shkollën fillore ” Ismail Qemali” të fshatit Staradran dhe “Trepca” në Banjen e Pejës ( Kosovë), 16 vite me radhë. Pas fillimit të luftës Atdhetare në Kroaci, është kthyer dhe ka punuar në shkollën fillore “K.Š. Gjalski” e pastaj “Oton Ivekovic.” Ka nxjerrë 37 gjenerata me radhë. Pas pensionit ka kryer fakultetin VERN për ciceron turistik në gjuhën shqipe, kroate dhe angleze. Është cicerone e vetme turistike e licencuar në gjuhën shqipe. Gjithashtu është poete, shkrimtare, përkthyese dhe aktiviste në shumë shoqata të ndryshme: anëtare e kryesisë së shkrimtarëve dhe artistëve ” A.Shenoa”, “Kulturës së ëndrrave”, shoqatës DEA të shqiptarëve( shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë). Është anëtare e “Amës kroate”, anëtare e Forumit të intelektualëve shqiptarë në R.e Kroacisë, anëtare e ciceronëve turistikë të Zagrebit dhe shtatë prefekturave të tjera kroate. Gjithshtu është anëtare e Këshillit të arsimtarëve në gjuhën shqipe në mësimin plotësues në Republikën e Kroacisë. Ka përkthyer nga anglishtja në kroatishte veprën e H.Sarnerit Rescue in Albania (Shpëtimi në Shqipëri), veprën e Edmond Tupjes “Kur dhimbja premton dashuri” (Kad bol obećava ljubav) nga shqipja në kroatishte. Deri tani ka shkruar shtatë vëllime poezish në dialektin kajkavian ( “Prkači na dondači” – Ëmbëlsira në ylber, “Čanđavi rožđaki” – Kacabuni ngjyrë gështenjë, ”  Vetrovi svati na vožu ” – Dasmorët e erës në litar “Sjene u lancima”, – Hijet në litarë, “Leptiri slomljenih krila” – Fluturat me krahë të thyer, ”  – “Lice i nalićje iluzije”- Fytyra dhe e kundërta e saj iluzore, “Između jave i snova” – Në mes të realitetit dhe ëndrrës ). Adhuron shumë edhe trashegiminë kulturore, historike po ashtu tolerancën dhe paqen.

Filed Under: Featured Tagged With: Ciceronia shqiptare, DURDICA RAMQAJ, refer Zagrebin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 173
  • 174
  • 175
  • 176
  • 177
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT