• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BIJTË NUK PËRMBYSËN ETRIT, POR TRASHËGUAN PUSHTETIN E TYRE?!!!

December 20, 2016 by dgreca

Njeriu është i lirë vetëm atëher kur i shërben të vërtetës. – Sami Frashëri/                                 

2-besim-ndregjoni-300x200

Nga Besim Ndregjoni/Shumica e popullsisë shqiptare  nuk e ndien veten të qetë , qoftë nga kujtimet e frikës së madhe të së kaluemes , qoftë për arsye  se kanë  “përkrahë” regjimin e terrorit stalinjan enverist,  bashkëudhëtarë me dhunë ose me dëshirë,  dhe ndihen të turpëruar  që kan mbajtë heshtjen  gjatë ditëve  kur ishte moralisht  imperative  me ngritë zanin e protestës.  Rrëzimi i sistemit komunistë e gjeti shoqërinë shqiptare  pa ndonjë elitë intelektuale, për arsye se pjesa më e madhe e saj  qe bërë njësh  me ideologjinë staliniste  totalitare. Sigurisht sherbetorët e regjimit  nuk mund të kishin një ndërgjegje qytetare  dhe aftësi  për të qënë udhëheqësit  e refleksioneve të thella  të daljes së shqiptarve  nga qorrrsokaku gjysëmshekullor komunistë. Lëvizja e dhjetorit të viteve 90 ishte e pritshme nga ngjarjet që rrodhën në europën juglindore dhe me ramjen e Murit të Berlinit. Por përshpejtimi i kësaj lëvizje  tek ne  ndodhi me  vrasjen nga turmat të Causheskut liderit komunist rumun, që  pushteti politik diktatorial  në Shqipëri të  ndryshonte. I kam përjetuar ato ditë të dhjetorit 90 me një ndjesi të veçantë dhe me një besim të madh për ndryshimin e një sistemi diktatorial i  pa parë në të gjithë europën e pasluftës së dytë botërore,  por dhe si një dritë që do ndriçonte mendjet e turbullta dhe të indokriminuar të shoqërisë shqiptare.  E vërteta qëndron se ne shqiptarët nuk kishim regjim komunistë siç kishte në Ceki, Hungari, Poloni etj, por një regjim terroristë ,  çnjerzor, vrastarë e përçundues i vlerave njerzore. Por çfar ndodhi dhe  çfar solli kjo levizje!   Le të i referohemi të vërtetave të asaj periudhe  të vështirë e dramatike në një shoqëri që kishte arritur kulmin botëror me shkeljen dhe dhunimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.  Duke qënë nën një diktaturë shtypse barbare për 45 vite u ndoq një politikë indokrinimi mbi popullsinë, që të  mbeteshim nën fenomenin e”mitizmit,” edukimi i mitizmit ishte një ndër shtyllat e ideologjisë diktatoriale, ku mitizohej diktatori , partia, pushteti diktatorial, lufta civile interpretohej si luftë çlirimtare, komunistët vrasës shpalleshin heronj, pjesa e kundërshtarit antikomunist përbuzej anatemohi me vulgaritet etj.  A na ndjek sot mbas 26 vitesh pluralizëm  fenomeni i “mitizmit” si shoqëri?!!! Në bindjen time dhe të antikomunistëve shqiptare them PO. Po i rendis faktet: “Mitizimi” si fenomen negativ ka zënë rrënjë dhe përdoret mga politikbërja postkomuniste. Pushtetarët e tanishëm sillen me nje lloj fodullëku mitizues ndaj elektoratit që i kan marre votën. Dihet që ndryshimi i sistemit  në Shqipëri nuk denoi Partinë komuniste, ose Partinë e punës, por thjesht ndrroi emrin në Parti socialiste dhe u lejua të ishte bashkëudhtare në ndryshimin e sistemit, sikur kjo parti nuk mbante dhe nuk kishte përgjgjegjësi për krimet makabër që kishte kryer për 45 vite. Kjo forcë politike nuk denoi,  apo demostroi njëherë të vetme ndjesë për krimet që kishin kryer etrit e tyre ndaj popullit shqiptar. Lëvizja e dhjetorit 90 ishte shpërthim i një vrulli rinor e cila kërkoi të drejta dhe kushte për mizerabilitetin që kishin në konvikte, të shtyrë dhe nga ngjarjet ndërkombëtare kërkoi pluralizmin politik, dhe kjo lëvizje në heshtje miratohej nga pushteti diktatorial të cilit i kishte hyrë frika në palcë nga vrasjet që ndodhen në Rumani. Lëvizja e dhjetorit e pati jetgjatësinë katër ditë, kur me dymbdhjetë  dhjetor u krijua partia demokratike nga intelektualët konformistë. Si partia e parë opozitare  ajo nuk e kishte sensibilizimin dhe ndërgjegjesimin si parti  antikomuniste,  të kërkonte shkrirjen e partisë komuniste,  vrastarja e lirisë së shqiptarve. Dhe ky mosveprim ishte fatal për Shqipërinë, se nuk u denuan krimet komuniste. Por ajo u dakortësua më të në qeverisje. Përball këtij realiteti ndodhej pjesa tjetër e shoqërise, antikomunistët shqiptare,  që sundimin diktatorial e kishin përballuar me një stocizëm të paparë në historinë e popujve.

Antikomunistët shqiptarë gjatë gjithë periudhës diktoriale nuk reshtën së luftuari ndaj atij pushteti vrastarë e mizor. Ata u  përballën me vrasje e me burgime me internime e përçundime çnjerzore. Por nuk u dorzuan përpara mizorive të diktaturës. Aksionet e tyre kombëtare fillojnë me kryengritjet e Malsisë së Madhe, e Postribës në Veri, me lëvizjen antikomuniste të Zhabokikës në jug, me grupin e deputetve që nuk pranuan diktatin partiak komuniste në drejtimin e shtetit.. Thyrja e burgut të Burrelit 1967,  kryengritja dhe revolta e  Spaçit  kur i u hoq ylli bolshevik, kryengritja e Qafës –Barit,  Futja në ambasadë e familjes Popa, varja e poetit Havzi Nelës kur gjermanët shembnin murin udhëheqja komuniste shqiptare varte poetin duke treguar terrorizmin dhe absurditetin ndaj kundërshtarve të regjimit. Me 20 qershor 1990 ish i burgosuri politik Burhan Kalaja do të shembte murin e  Ambasadës italiane dhe do të i tregonte shqiptarve se muret duheshin prishur si Muri i Berlinit. Këto ishin aksionet e mëdha kombëtare të ish antikomunistëve shqiptar, apo siç e përdor sot politika të burgosur e të përndjekurve politikë, se rolin antikomunistë ka 26 vite që e përdorin ata që i shërbyen komunizmit stalinjan shqiptar. Përball këtyre fakteve, sot heshtet dhe flitet me pompozite e me mitizimin komunist për lëvizjen e dhjetorit dhe e mitizojnë duke e paraqitur se kjo lëvizje solli ndryshimin në Shqipëri.  E vërteta vonon , por nuk harron thotë një fjalë e moçme shqiptare.  Tani së fundi në media flitet nga politikan, analistë të lidhur me diktaturën në mendime, se bijtë përmbysën etrit, a qëndron kjo e vërtete?  Lëvizja e dhjetorit duhet analizuar me dy anët e medaljes. Mbrenda lëvizjes kishte edhe bijë komunistësh edhe bijë antikomunistësh të cilët mbas kësaj lëvizje i vranë siç ishte Arben Broxi. Ajo duhet respektuar për vullnetin dhe aksiomën që iu rreshtua europës për ndryshim, por nuk mund të pranojmë se kjo lëvizje përmbysi etrit, se etrit ishin dirigjentët, që inkurajuan bijtë të mernin pushtetin dhe të i shpëtonin etrit nga  krimet që kishin bërë. Faktet më mirë se në ato kohë, shifen sot mbas 26 viteve, a u denua krimineli Enver Hoxha, a dolën para drejtsisë të gjithë xhelatët (etrit) që vrane qytetare të pafajshëm, e kundërta ndodh, shtypi shqiptar çdo ditë publikon si heronj etrit e lëvizjes së dhjetorit, sot mbas 26 vitesh bijtë e etrve jo vetëm që nuk denuan krimin por po ndërtojnë një shtet oligarkik e korruptiv. Krahasoni lëvizjen e të bijve në 90 ,  me aksionet antikomuniste ndaj etërve që ka bërë klasa antikomuniste nga 44—90. Simbas këtyre politikanve konformiste apo dhjetoristë bijë të etërve , historia fillon në 90. Jo zotrinj bijtë nuk përmbysen etrit në 90, e vërteta e faktuar është se ata vazhduan të trashëgojnë pushtetin e tyre, pa i vrarë ndërgjegja për krimet komuniste. Sot krenohen me bëmat e  eterve  në biseda televizive. Ballafaqimi me të vertetën do të shkatroi totalishtë “Mitizimin” e ngjarjeve politike që përdoren për interesa ideologjike.

Nuk mund të shikojmë përpara nëse nuk hejdhim sytë mbi të kaluemen , për sa kohë që  nuk kemi  kuptue  si u bamë kështu, përderisa  të kuptojmë se kemi humbë  kuptimin e jetës , të qenies gjallë….

.

Filed Under: Opinion Tagged With: Besim Ndregjoni, BIJTË NUK PËRMBYSËN ETRIT, POR TRASHËGUAN, PUSHTETIN E TYRE?!!!

Kontribut për njohjen dhe vlerësimin e familjes Qiriazi

December 20, 2016 by dgreca

1ok-luarasi
”Nuk ka ves më të ndyrë se sa mosmirënjohja”/
1-petro-luarasi
Nga Petro Luarasi/*
Historia e popullit shqiptar përmban me shumicë visare që rrethanat tragjike ia kanë groposur e lënë në harresë dhe kjo begati na serviret e skamur, e prangosur dhe e sakatosur, në shtratin e Prokrustit. Por po shtohen edhe përpjekjet për ta çliruar nga vargonjtë, njohur dhe vlerësuar si e meriton. 
Një pjesëz e kësaj pasurie kombëtare është edhe familja Qiriazi, me veprimtarët e saj të shquar që ‘’u groposën’’ dhe ‘’u ringjallën’’, u çliruan nga prangat e prokrustëve dhe po njihen e nderohen gjithnjë e më tepër, në tempullin e vlerave shqiptare. 
Paraqet interes të njihen e të vlerësohen edhe faktorët dhe rrethanat penguese, edhe përpjekjet dhe rezultatet e studjuesve të familjes Qiriazi, në përballje me akuzat politike, me interesat klanore, apo edhe keqinformimit publik me shpikje e shpifje. *) (Ky shkrim publikohet me kërkesën e Institutit të Studimeve Shqiptare e Protestante që po jep një kontribut të vyer në botimin e veprave dhe propagandimin e vlerave të familjes Qiriazi. Ai synon të njohë dhe vlerësojë përpjekjen e studjuesve, mes tyre edhe Skënder Petro Luarasi, për të shpallur të vërtetën historike përkundër ‘’mosdijes’’, harresës, nënvlerësimit dhe tjetërsimit, që hasen në disa shkrime, libra dhe dokumentarë edhe në ditët e sotme.)
Bashkëpunimi i familjeve Qiriazi e Luarasi
Familjet Qiriazi dhe Luarasi i përbashkoi origjina dhe tradita kolonjare (nga Perasi dhe Luarasi), sakrifica dhe ndihma e ndërsjelltë për të realizuar idealin e përbashkët atdhetar: hapjen e shkollave, botimin dhe përhapjen e librave në gjuhën shqipe, përdorimin e shqipes në institucionet fetare, çlirimin e trojeve shqiptare, edukimin dhe civilizimin e popullit shqiptar. Qiriazër (Dhimitri me pasardhësit: Gjerasimi, Gjergji, Sevasti e Parashqevia, etj) dhe Luarasët (Petro Nini me pasardhësit Thomaidha, Dhimitri, Skënderi e Shega, etj) iu gjendën njëri-tjetrit kudo, në trojet shqiptare dhe në SHBA.
‘’Gjatë rilindjes sonë kombëtare shtëpia e Dhimitri dhe Maria Qiriazit u bë vatër kombëtare për të gjithë shqiptarët patriotë si Kostandin Kristoforidhi e Koto Hoxhi, Petro Nini Luarasi dhe Pandeli Sotiri, Halit Vreto Bërzhezhta dhe Orhan Pojani, Nuçi Naçi dhe Thanas Sina Postenani, të gjithë priteshin e përcilleshin situr t’ishin vëllezër prej një barku. Të gjithë anëtarët e kësaj familje, burra e gra, në vendlindje e në mërgim, kudo që i përplasën dallgët e jetës, kush më shumë e kush më pak, ia kushtuan jetën e veprën e tyre Shqipërisë duke lënë gjurmët e tyre të pashlyeshme në historinë e rilindjes sonë kombëtare… Në këtë shtëpi u njohën në vitin 1884, Gjerasim Qiriazi dhe Petro Nini Luarasi duke u lidhur me një miqësi të përjetshme. (1. S.Luarasi, Gjerasim Qiriazi. f.12, 27)
Në artikuj, libra, emisione radiofonike dhe dokumentarë dëshmohen fakte të këtij bashkëpunimi të gjerë: mbi korespondencën e Gjerasimit me Petron, si i pari lajmëron me gëzim çeljen e shkollave shqipe në Kolonjë e Vakëfe nga Petro N. Luarasi. Në një letër dërguar Nikolla Naços , 27 prill 1893, ai përshkruan punën e vyer dhe vështirësitë që has Petros, për mbajtjen e shkollave shqipe: ‘’Zoti Petro është me zemër të përvëluar dhe me shpirt e me mish përpiqet për të mirën e skolive…’’ (2. S.Luarasi, Gjerasim Qiriazi. f.40, 42, 44) 
Në kushtet kur armiqtë i përdornin institucionet fetare për qëllime shoviniste dhe për të përçarë popullin, patriotët u drejtuan për ndihmë nga shtete, forca e besime fetare dashamirëse. ‘’Një fakt domethënës është bashkëpunimi i P.N.Luarasit me protestantët e përfaqësuar nga Gjerasim Qiriazi dhe çifti amerikan Kenedi ëVioleta (Violett) dhe Fines (Phineas)ç për përhapjen e shkollave e librave shqip, pa u përzier në çështjet e interpretimeve fetare. ‘’
(3.Petro S.Luarasi. Kontribute shekullore. Familja Luarasi për marrëdhëniet shqiptaro-anglo-amerikane, “55”, 19-20-21-22 korrik, 2003) 
Përkundër mallkimit të dhespotërve grekë dhe trillimeve të tyre , kinse Petro Nini Luarasi qe kthyer në protestant, ai si besimtar i devotshëm ortodoks deklaronte: “Sa herë hasem me protestantë, flas me ta dhe bisedonj, siç e meriton me njerëz të kungajkës dhe të bashkërisë dhe të qytetërimit, me ndryshim që ata janë protestantë, dhe unë orthodhoksë. “
(4. Petro N. Luarasi, Mallkimi i shkronjave shqipe, Manastir, 1911, f.21)
Përmendim edhe faktin interesant se në Mësonjëtoren e Korçës mësonin djem e vajza , së bashku , po mbasi më 1891 e çeli shkollë shqipe për vajzat Gjerasim Qiriazi me të motrat, ato vanë në atë shkollë. 
Një nga nxënëset që mësoi në shkollën e vashave të Qiriazëve qe edhe vajza e madhe e P.N.Luarasit, Thomaidha. I biri i tij Skënderi kujton: ‘’‘’Të parën herë e pashë Parashqevi Qiriazin në Korçë më 1909. Në pranverë të atij viti im atë më mori edhe mua në shkollën shqipe të djemve. Një mesditë u nisa për në shkollën e vashave të piqesha me time motër që mësonte atje. Në fund të rrugës pashë pesë-gjashtë rrugaçë me gurë në dorë që qëllonin vajzat korçare që do të shkonin nga shkolla në shtëpi. Po qëndroja në anën e sipërme të rrugës kur prej portës së shkollës doli Parashqevia dhe pas saj një tog vajzash që do t’i përcillte në shtëpi. Me të parë mësuesen e shkollës shqipe, si ua mbathën këmbëve rrugaçët! Ç’personalitet të fortë kishte kjo grua shqiptare! Në Shtetet e Bashkuara e takoja më shpesh. Ne shkollarët shqiptarë , kur themeluam ‘’Lidhjen e Studentëve Shqiptarë‘’ në Springfield Mass. e ftuam Parashqevi Qiriazin e cila mbajti një fjalim interesant. Parrullën ‘’Jeta pa libra është vdekje’’ që e botova në kapakun e revistës sonë ‘’Studenti’’ na e propozoi Parashqevia.’’ ‘’
Kur kleri shovinist grek me veglat e tij helmuan mësuesin e shqipes Petro Nini Luarasi, dy motrat Qiriazi u përkujdesën për fëmijët e të ndjerit, Skënderin dhe Shegën dhe, përmes ndihmës së çiftit Kenedi, u dhanë bursë të studjonin në Robert Kolezh-Stamboll. 
 Dhimitri P. Nini-Luarasi, i cili ka jetuar mbi gjashtë dekada në ShBA, ka patur marrëdhënie të ngushta me motrat Qiriazi kur ato qenë atje, por dhe si drejtues i rëndësishëm i ‘’Vatrës’’ dhe më pas i ‘’Shqipërisë së Lirë‘’, ka ndihmuar për propagandimin e vlerave të tyre ndër shqiptarët e SHBA. Edhe Shega Luarasi-Uçi me të birin Alfredin, kanë dhënë kontributin përkatës në ruajtjen e kësaj miqësie tradicionale.
Kontributi i Skënder Luarasit 
Skënderi P. Luarasi, dëshmitar i shumë ngjarjeve të familjes Qiriazi dhe studiues i përgjegjshëm i historisë dhe letërsisë së popullit shqiptar, ka dhënë një ndihmesë thelbësore për ‘’ringjalljen’’, njohjen dhe vlerësimin e merituar të personaliteteve të shquara të familjes Qiriazi: Gjerasimit, Sevastisë dhe Parashqevisë.
Prof. Xhevat Lloshi ka theksuar: “Është meritë e Skënder Luarasit, publicistit dhe përkthyesit, që dy motrat Qiriazi u risollën në kujtesën e shqiptarëve. Ato kishin mbetur të harruara, në gjendje të mjeruar, të shpërfillura, sepse disa njerëz nga rrethi i tyre familjar ishin goditur nga lufta e klasave…. Ai e ngriti zërin me pasionin që e shquante dhe kërkoi vëmendje për të dy motrat, të cilat më pas u dekoruan me ‘’Urdhrin e Lirisë’’ e u njohën si ‘’Mësuese të Popullit’’. (5. Xhevat Lloshi, Yjet e mëngjesit shqiptar. Parashqevi Qiriazi, veprimtarja e shquar e kombit, Almakos, 21. 03. 2012)
Ndër historitë që qarkullonin vesh më vesh në mjedisin intelektual (por dhe vuloseshin në dosjet e përndjekjes) se si e sfidonte Skënder Luarasi ‘’shtratin e Prokrustit’’, citoj përshtypjen e arkitektit Petraq Kolevica, ‘’në një kujtim të paharuara që i ka mbetur i gjallë nga viti 1981. Besoj të ketë qenë muaji shtator. Si anëtar i grupit projektues të Muzeut Historik Kombëtar kryeja punimet e ekspozimit. Një ditë shoh profesor Skënder Luarasin, që diçka po fliste me dy punëtorë, iu afrova, e përshëndeta dhe hyra në bisedë:
– Kam ardhur, tha, sepse dëgjova që këtu në muze qenka bërë edhe një sallë për kohën e Rilindjes dhe desha ta shikonja.
Profesori, siç e dini të gjithë, ishte impulsiv dhe dinte të gjente motivin për të bërë një bisedë të këndëshme. Afër sallës së Rilindjes, qëlloi një historian i kësaj periudhe. Profesori qëndroi në ballë të sallës dhe po shihte me vëmendje disa fotografi. lu kthye historianit duke i treguar një fotografi me përmasa 25X25 cm.
– Kush është kjo? / -Po, profesor, ju e dini.. ./ -Kush ështëkjo? pyeti profesori me zë më të fortë e duke e parë në sy me rreptësi/ -Sevasti Qiriazi është/-Kjo, Sevasti Qiriazi? /-Po,profesor/- Po Greqia, ka Sevasti? klithi profesori. Po Serbia, Bullgaria…ka Sevasti?/Jo,profesor,belbezoi historiani/- Epo, kur tërë këto vende nuk kanë Sevasti, kaq e vogël u vendoska fotografia e saj në muze, sa një postalkë/-Po sa të madhe t’a vëmë? pyeti historiani/-Sa të madhe? Sa unë në kembë!Jo, jo, sa ti, se je më i gjatë!’’ (6. Myslim Islami. Lidhja shqiptare e Prizrenit. Prof.Skënder Luarasi Personifikim i problemit kombëtar shqiptar, f.385-386)
Këto rrethana e detyronin Skënder Luarasin, të kryente ‘’akte skandaloze’’ – të ngrinte zërin me klithma: ‘’Bota nga balta bën heronj, ne heronjtë tanë i bëjmë baltë!’’
Ai, nuk mund të qëndronte indiferent ndaj padrejtësive që u bëheshin, jetës dhe veprës së personaliteteve të shquara të familjes Qiriazi.. 
 Që kur u kthye në Shqipëri, në qershor të vitit 1945, mbasi vuajti si antifashist kampet e përqëndrimit në Francë, u përpoq mesa mundi për të ndihmuar familjen Qiriazi-Dako, e cila akuzohej ‘’borgjeze’’ dhe ‘’e lidhur me shërbimet anglo-amerikane’’. Ai i ndihmonte me sa mundej ekonomikisht, i vlerësonte publikisht, debatonte që të përfshiheshin në tekstet mësimore, botimet e ndryshme, në emisione radiofonike, dokumentarë e filma. Dhe kur iu lejua, botoi edhe artikuj e libra për jetën dhe veprën e tyre. Në vitin 1945, si deputet i popullit të Kolonjës, pas çlirimit, foli para ‘’Lapidarit të Rilindjes’’- vepër e skulptorit të mirënjohur Odhise Paskali, vendosur në mes të Ersekës, ‘’dhe me plot pathos numëronte figurat e shquara, të krishterë e myslimanë…Dhe vazhdoi tu numëronte të mëdhenjtë: Faik Konicën, Fan Nolin…Sevasti e Parashqevi, Gjergj e Gjerasim Qiriazin’’ 
Si anëtar i komisionit të përgatitjes së teksteve mësimore në vitin 1946 shkroi ‘’…mbi dhjetë faqe vërejtje e sugjerime për maketin e historisë së Shqipërisë’’ duke theksuar se: ‘’…Hartonjësit bëjnë një drejtësi të madhe historike kur rehabilitojnë Gjerasim Qiriazin me të motrat , Sevastinë e Parashqevinë. Po nga ana tjetër ata kanë harruar të përmendin patriotët si Haxhi Zeka, Isa Boletini, Tajar Tetova, Izet Zavalani etj…’’ (7. Myslim Islami. Lidhja shqiptare e Prizrenit. Prof.Skënder Luarasi Personifikim i problemit kombëtar shqiptar, f. 324-325, 369)
Në këtë përpjekje ai u përball me interesa lokaliste dhe politike të fuqishme. Për shembull një zyrtar, pasardhës i Kostandin Kristoforidhit, për interesa të verbëra, bënte gjithçka për të groposur Gjerasim Qiriazin. 
 ‘’’’Në Institutin e Lartë Pedagogjik herë pas herë mbrëmave bënim mbledhje, në të cilat bisedonim rreth çështjeve të ndryshme ku flisja mbi qëndrimin që duhej që mbahej ndaj jetës e veprës së Migjenit, familjes Qiriazi, Ismail Qemalit, Isa Boletinit etj.
Një mbrëmje u thirrëm të bisedonim rreth disa propozimeve që pati bërë me shkrim profesori i letërsisë Mark Gurakuqi i cili shprehej mbi mënyrën shablone me të cilën jepeshin leksionet e për diferencimet që duhej të bënim midis autorëve dhe temave që ata shtjellonin. Ai foli mbi nevojën e thellimit të leksioneve.
Drejtori (Dekani) Prof. Dh. Sh. tha se kjo qe një punë e vështirë dhe se tani për tani duhej të kënaqeshim me kaq pasi nuk qemë të zotët për më shumë. 
Prof. Eqerem Çabejt, i cili e quajti të paarsyeshme këtë pohim, ai iu përgjegj në mënyrë arrogante duke i thënë se vetë ai, Eqerem Çabej, përçmonte albanologët shqiptarë duke paraqitur Profesor Joklin si të vetmin autoritet mbi gjuhën shqipe. Pasi të gjithë dhanë mendimet e tyre se kush pyeti se ç’kisha për të thënë edhe unë. Thashë se propozimi i Prof. Gurakuqit është me vend dhe secili të mundohet të thellohet në leksionet sa më shumë që të mundet. ‘’Unë jam i mendimit që puna jonë duhet të zgjerohet dhe t’i shtohen programit edhe shkrimtarë që kanë vlerën e tyre, si për shembull Gjerasim Qiriazi…’’
Unë s’pata përmendur shkrimtarin e dytë dhe ca më pak të tjerët, kur Dekani, Prof.Dh. Sh. nervos në kulm, bërtiti: ”E di unë se ku e ka hallin Skënder Luarasi. Ai do që të shtiem në programin tonë edhe babanë e tij. Ç’farë shkrimtar është Petro Nini… A, po, paska qenë patriot. Po mirë, le të flasin ata të historisë për këtë. Sa për Gjerasim Qiriazin – pa nuk do të shtiem në programet e shkollës sonë atë spiun të anglezëvet!”
-Përse e quan spiun të të huajve Gjerasim Qiriazin?
-Përse e quan spiun të të huajve, ti, Kristoforidhin!’
-Ti do të më përgjigjesh në Ministri të Arsimit për këtë sharje që i bëre sonte Gjerasim Qiriazit dhe për këtë shpifje që më bëre mua, i thashë.
Dekani, si një i marrosur, doli nga mbledhja e asaj mbrëmjeje të ftohtë janari pa marrë kapellën dhe pallton e na la vetëm në zyrën e tij. Pas tij ikëm edhe ne të ftuarit.
Të nesërmen, kur do të jepja dy leksione njërin pas tjetrit mbi rilindjen europiane, pas pushimit të shkurtër, sa fillova të dytin, u hap dera dhe dekani më bërtiti: ”S’ka nevojë të vazhdosh! Je pushuar!” 
Unë vetëm sa e kqyra si do ta kishte kqyrur çdo njeri me dinjitet personal dhe vazhdova leksionin. 
Sipas lutjes që pata bërë më parë, të pasnesërmen na thirri në zyrë ministri, Manush Myftiu. Ai i tha Dh. Sh, dekanit, se unë pata kërkuar që ai të më provonte se kujt, ku dhe kur i pata thënë unë se Kristoforidhi paskish qenë spiun i englezëve dhe ndë ai kishte fakte që të provonte se Gjerasim Qiriazi ishte spiun i englezëvet.
”Shoku Ministër”, filloi të flasë drejtori i Institutit të Lartë Pedagogjik dhe tregoi sa e rëndë paskish qenë detyra e tij në atë zyrë.
Ndërhyra: ”Shoku Ministër, kur kërkova këtë ballafaqim mendova se nuk do t’ju humbisnim veç se nja pesë minuta prej kohës suaj të shtrenjtë…”
‘’Vërtet ti Dhimitri…?’’ e pyeti ministri.
Dhe ai pohoi se Skënder Luarasi nuk i shprehu këto fjalë sheshit por kur tha se Gjerasim Qiriazi qe i atillë mendoi se Skënder Luarasi do të përgjigjej po me ato fjalë për Kristoforidhin.
”Shoku ministër”, ndërhyra unë, ”lutem të na thotë Prof. Dh.Sh. ndë është i zoti të përcaktojë se ç’mendoni ju për mua dhe për atë, dhe unë për ju dhe për atë.”
Shoku Manush brofi dhe i tha: ”Ti Dhimitri…’’ Jo vetëm nga fjalët që i tha por edhe mënyra si ia tha e kuptova qëndrimin e ministrit.
”Kaq desha të di” thashë dhe dola me përçmim për atë që ma kishin bërë dekan në Institutin e Lartë Pedagogjik. Ndërkaq vazhdova të jap leksione atje.’’’’ 
(8. S.Luarasi, Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar’’, Kujtime të pabotuara, IV, 1945-1960. )
Studjuesi Xhon Kuanrud shkruan: ’’ Vetëm nga fundi i viteve ’50 u vu re një ndryshim në qëndrimin ndaj familjes Qiriazi. “Shkak për këtë ndryshim u bë intelektuali i dëgjuar shqiptar, Skënder Luarasi, biri i mikut dhe kolegut të ngushtë të Gjerasimit, Petro Nini Luarasit…kishte një adhurim të thellë për familjen Qiriazi dhe ndihmesën e saj në shërbim të popullit shqiptar. Në vitin 1962 Luarasi botoi një biografi të shkurtër me titull ‘’Gjerasim Qiriazi, Jeta dhe Vepra’’…Libri pati sukses të madh…Që nga kjo kohë Gjerasim Qiriazi dhe familja e tij filluan të zënë vendin që u takonte në historinë shqiptare. Botimi i Luarasit përbën bazën e studimeve të mëvonshme rreth Qiriazit.’’ (9. Xhon Kuanrud, Jeta e Gjerasim Qiriazit, f.19-20)
Mbas shumë përpjekjesh, në janar të vitit 1959, Skënder Luarasit iu mundësua botimi i artikullit të parë për Gjerasim Qiriazin, ku ndër të tjera shkroi: 
‘’ Gjerasim Qiriazi vlerësohet si përfaq ësuesi më i shquar i atdhetarëve shqiptarë të kolonisë së Manastirit. Ai lindi në Tërnov ë por prejardhja e familjes s ë tij qe nga fshati Peras i Kolonj ës. Mbasi mbaroi shkollën fillore ndoqi nj ë kolegj fetar dhe më pas bashk ëpunoi me lëvizjen protestante. Ai i dha nj ë ndihm ë t ë madhe çështjes komb ëtare duke botuar e shp ërndarë libra mësimore në shqip , ku nd ër më të rënd ësishmet përmendet ‘’Kristomacia” në dy pjesë. Ai ndihmoi në çeljen e shkollës shqipe për vajza, s ë bashku me motrat e tij Sevasti e Parashqevi. I përndjekur nga pushtuesi otoman dhe kleri shovinist grek ai u sëmur nga pleviti dhe u nda nga jeta në mosh ën 32-vjeçare duke lënë pas një em ër t ë nderuar.’’ (10. S.Luarasi, Gjerasim Qiriazi, Bashkimi.- Nr.15, 18 janar, 1959, f.2 Ky artikull u përfshi në përmbledhjen publicistike ‘’Fjala Shqipe’’, 1960) 
Në vitin 1962, me rastin e 50-vjetorit të pavarësisë, Skënder Luarasit iu lejua të botonte librat ‘’Gjerasim Qiriazi’’ dhe ‘’Motrat Qiriazi’’ (anglisht e frengjisht) ndërsa libri ‘’Sevasti Qiriazi u ndalua në shtypshkronjë.
Në librin ‘’Gjerasim Qiriazi’’ S.Luarasi shpalli publikisht : ‘’Gjerasim Qiriazi ka qenë patriot i rilindjes, që, besoj, më shumë nga kushdo tjetër, është mbuluar me pluhurin e harresës. Një profesor me moshë të kaluar më tha një ditë tek i lexoja shkrimet e këtij rilindasi të shquar: ‘’E kam kënduar ‘’Hristomathinë’’ që kur isha i ri, jam ushqyer me të; po nuk e kam ditur nga kush qe shkruar ky libër. Krah për krah me veprat e Naimit, më ka influencuar që në foshnjëri të nxë shqipen’’. Dhe shumë nga ne, duke dëgjuar radion, kënaqemi kur dëgjojmë, sidomos nga kori i pleqve të Korçës, këngën ‘’Lule e bukur posi djellë‘’, po nuk e dimë që jo vetëm kënga është shkruar prej këtij poeti delikat e gojëëmbël, po edhe melodia e saj e thjeshtë e mallëngjenjëse është kompozuar prej tij…Ka disa fakte që e venë Gjerasim Qiriazin në dritë të së vërtetës dhe fakti më me rëndësi është vepra e tij.’’ (11. S.Luarasi, Gjerasim Qiriazi. f.50)
Në këtë libër, me aq sa iu lejua nga censura, u shpallën mjaft fakte të rëndësishme: mbi origjinën e familjes Qiriazi nga fshati Peras i Kolonjës, mbi primarin e tyre ‘’gjysh Mëhillin’’ e pasardhësit, rrethin shoqëror, veprimtarinë me karakter atdhetar e fetar, dhe vepra e çmuar.
Një tjetër artikull interesant për Gjerasim Qiriazin do të shkruante në vitin 1982 (Drita.- Nr. 3, 1 janar, 1982, f.12) ku jep të dhëna mbi origjinën, përbërjen familjare dhe veprimtarinë. Thekson se të tre vëllezërit e tjerë Konstandini, Gjergji, Kristoja dhe dy motrat Sevastia dhe Parashqevia kanë dhënë ndihmesën e tyre për çështjen kombëtare. Përmend se me motrat organizoi edhe shoqërinë ‘’Vllaznia’’ e cila ndihmoi në edukimin e femrave korçare me punë shoqërore. Ndonëse u sëmur nga pleviti ai nuk e ndali veprimtarinë atdhetare deri në fund të jetës, në luftë të pandërprerë kundër atyre që donin ta mbanin Shqipërinë në errësirë e tirani. 
Skënder Luarasi arriti t’i shpallte (ndonëse mjaft i kufizuar nga censura) edhe jetën, aktivitetin dhe vlerat e motrave Qiriazi në librin ‘’Motrat Qiriazi’’(anglisht, frengjisht) dhe disa artikuj që iu lejuan të botohen: 
Në artikullin Sevasti Qiriazi- Dako (1870-1949) shkruan: ‘’Jam Shqiptare! Ky është fakti më i rëndësishëm i jetës sime, më i rëndësishëm se vetë familja, sepse vetëdija e këtij fakti më tregon udhën që duhet të ndjek, e më cakton qëllimin e jetës; ky fakt më përkufizon kuadrin si gjeografik, si historik, dhe më jep burimin kryesor të idealit tim që nga fëminija ime për të arsyer popullin tim me dashuri për kulturë e pavarësi… Këtë përgjërim të Sevasti Qiriazite e nxjerrim nga fjala e saj në festën e maturantëve të Kolezhit të Vajzave në Arnautqoj, Sramboll, ku u diplomua.Në mbarim të festës, Naim Frashëri e përgëzoi vajzën 20-vjeçare dhe i tha:
’’ Motra ime e vogël, nuk do të bëje gjë më të mirë e më të vyer për Shqipërinë nga ç’ke vendosur të bësh për arsimin e grave të vendit tonë‘’. Pastaj i kërkoi diplomën që t’ia regjistronte në Seksion të Arsimit dhe i siguroi Irade (lejë) për të çelur shkollën e parë shqipe për vajzat (më 15 tetor 1891) …Dhe është për t’u përmendur se ajo së bashku me motrën Parashqevi, me ndihmën e të vëllezërve Gjergji e Kristo dhe pionierëve që çelën shkolla shqipe dhe themeluan shtetin shqiptar, e mbajti lart e me nder Flamurin e Skënderbeut për 60 vjet me radhë, jo vetëm në klasë por në të gjitha përpjekjet e Rilindjes Shqiptare: arsimore, sociale, politike. Ndaj u quajt atëherë Zhan d’Arkë shqiptare. Për t’u vënë re është fakti që gjatë sundimit otoman shkolla shqipe e djemve u hap e u mbyll sa e sa herë, por drejtoresha e shkollës së vashave u qëndroi burrërisht rebesheve të armiqve të çështjes shqiptare.’’
Këtë artikull autori e përmbyll me fjalët ‘’Sevasti Qiriazi…Për të parën herë në jetën e saj e lodhur, mbylli sytë më 30 gusht 1949.’’ (12.S.Luarasi, Sevasti Qiriazi-Dako, Drita, 15 tetor 1981, f.8) 
Këto rradhë në gazetë, që i kushtuan më pas redaktorit të gazetës, shprehin qartë kritikën e S.Luarasit për persekutimin ndaj saj. 
Në artikullin Parashqevi Qiriazi (1880- 1970) shkruan: ”Parashqevi Qiriazi me të motrën , njëra pas tjetrës, pa asnjë ditë ndërprerje e drejtuan shkollën e Vashave në Korçë për 22 vjet rresht gjer më 1913 kur hordhitë e shovinistëve grekë zaptuan Korçën. Parashqevia më 1904 kreu studimet e larta në Umens Kolezh dhe më 1905 zëvendësoi Sevastinë kur ajo shkoi për studime të mëtejshme në universitetin e Çikagos.Më 1915 shkoi në Sh.B.A. ku themeloi të përkohshmen ‘’Ylli i Mëngjezit’’. Gjatë trevjetëve të botimit të saj me ‘’Fletët e Ditarit’’ përfshinin mbi 1100 faqe. Partia Politike Kombëtare e shqiptarëve në Sh.B.A, në janar 1919, dërgoi Parashqevinë si përfaqësuese në konferencën e Paqes në Paris. Ishte e vetmja grua delegate ndër të pranishmit në konferencë, që fliste 8 gjuhë të huaja dhe e diplomuar në dy fakultete, bijë e denjë e një populli që ishte paditur si barbar…
Në fillim të viteve ’20 Motrat Qiriazi u kthyen në Atdhe dhe më 1922 riçelën shkollën për vashat , kësaj radhe në Tiranë me emrin Instituti Qiriazi, nën drejtimin e Parashqevisë.”… Ndonëse të moshuara (Sevasti Qiriazi- Dako 73 vjeç dhe Parashqevi Qiriazi 63 vjeç) për veprimtarinë e tyre patriotike dhe antifashiste u denoncuan tek gestapoja gjermane. Më 1943 tok me pjesëtarë të tjerë të familjes u arrestuan nga gjermanët dhe u dërguan në kampin e përqëndrimit ‘’Anhaltlager- Banjica’’të Beogradit, Jugosllavisë.’’ (13. S.Luarasi, Parashqevi Qiriazi, Drita, 14 dhjetor 1980, f.12) 
Në librin Gjerasim Qiriazi (f.49) S.Luarasi përmend se ka përgatitur për botim edhe një libër për Sevasti Qiriazin. Rrethanat si e përse u ndalua botimi i këtij librit janë bërë objekt diskutimi publik Shkrimtarja Donika Omari kujton rrethanat se si e ka pësuar nga censura. Sipas saj:
“Ka qenë një rast kur u çua për shtypje një libër për Sevasti Qiriazin. Isha redaktore e librit. Autori i librit ishte Skënder Luarasi. Aty përmendej si patriot H. Mborja, i cili kishte qenë luftëtar për pavarësi kundër sulmeve greke, por më vonë ishte lidhur me Zogun. E pra, nuk duhej të përmendej në libër. Libri shkoi në shtypshkronjë dhe dikush e vuri re dhe u bë problem. Si rezultat mora dënim me vërejtje të rëndë me shënim në biografi, që e ruaj edhe sot… Skënder Luarasi erdhi dhe më tha se nuk ke faj se je e re dhe nuk mundet qe ta njihnje këtë emër, duhej të isha unë më i kujdesshëm.” 
(14. “Panorama” , suplementi “Unë gruaja”, Donika Omari, Si i përjetuam arrestimet në shtëpinë botuese “Naim Frashëri, 19.10.2014)http://www.panorama.com.al/perkthyesja-donika-omari-si-i-p…/
Këtë version e kundërshtoi pasardhësi Ilir Mborja që deklaron se ndalimi i librit ‘’Sevasti Qiriazi’’në vitin 1962 nuk u krye për shkakun se ‘’patrioti Haki Mborja ishte i lidhur me Zogun’’ (përkundrazi ai qe kundërshtar i vendosur i tij) por se ky atdhetar i shquar dikur qe dënuar me vdekje nga Haxhi Qamili, të cilin Enver Hoxha dëshironte ta publikonte si ‘’Pugaçovin shqiptar’’. Ai thekson se këtë Skënder Luarasi ‘’e dinte shumë mirë por nuk mund t’ia shpjegonte kujtdo’’ (Donika Omarit, bashkëshorte e Luan Bahri Omarit)… ‘’Ish redaktorja D. Omari, duke përmendur gjithë shkujdesje në intervistën e saj këtë rast, na ka ndihmuar të mësojmë një të vërtetë të hidhur: Paska qenë vënë dikush në shtypshkronjë që të kontrollonte librat (sidomos ato të Skënder Luarasit) dhe të fshinte emrin e dr.Haki Mborjes…Skënder Luarasi është i njëjti intelektual trim dhe parimor që nuk u përkul asnjëherë, por i qëndroi përballë Enver Hoxhës dhe “akademikëve” të tij servilë në historinë “e revolucionit fshatar” të Haxhi Qamilit… Edhe kjo është një arsye e vërtetë pse i dhanë “vërejtje të rëndë me shënim në biografi” redaktores. Edhe këtë nuk e dinte, si e re që ishte, zonja D.Omari.’’ 
 (15. Ilir Mborja, komente , “Panorama” , suplementi “Unë gruaja”, Si i përjetuam arrestimet në shtëpinë botuese “Naim Frashëri, 19.10.2014,http://arrestimet1.rssing.com/chan-33338949/all_p1.html…
Për ndalimin e librit ‘’Sevasti Qiriazi’’ në shtypshkronjë ndikoi edhe ‘’fati i keq’’.
Në vitin 1959 Enver Hoxha kishte servirur variantin fillestar të historisë ‘’mbi lëvizjen fshatare të Haxhi Qamilit’’ , të cilin e zhvilloi më tej dhe e raportoi në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të Partisë më 31 janar 1962, ku u shqyrtua maketi i Historisë së Shqipërisë.
‘’Ky ‘’studim’’ 47 faqesh që u kthye në tabu nga mjaft kalemxhinj të historisë e letërsisë, të detyruar për ta himnizuar Haxhi Qamilin si ’’ Pugaçovin shqiptar’’ dhe lëvizjen fshatare ‘’si pararendëse të Revolucionit të Tetorit’’ nuk mund të pranohej nga Profesor Luarasi, koshient për shtrembërimet dhe poshtërimin që iu bë historisë. Atij iu desh të konfrontohej direkt me Enver Hoxhën… Në faqen 144, udhëheqësi u drejtohej historianëve S. L e Q. (Skënder Luarasi e Qamii Çela -MI.): ”..Këta zotërinj “të zgjuar” dhe “të mësuar” mohojnë luftërat dhe kryengritjet e fshatarëve tanë‘’… Këta ‘’historianë borgezë, sipas “normave” të vendosura, sipas logjikës së “pa gabueshme” dhe “të ndritura” të S.L. e të ndonjë tjetri që vendosin “norma” false, jo historike, me të vërtetë antishqiptare. Por ajo që ka mbetur në mendjen e shume bashkëkohësve të prof.Luarasit është qëndrimi i tij mospërfillës ndaj kercënimeve dhe epiteteve të shumta që i vishte diktatori .’’
(16. Myslim Islami Prof.Skënder Luarasi Personifikim i problemit kombëtar shqiptar f.384- 385) 
 Kuptohet që në këto rrethana S.Luarasi , i cilësuar nga kreu i parties: ‘’arrivist’’ dhe ‘’historian borgjez’’, nuk mund të lejohej të botonte libra, aq më tepër ku të përmendte atdhetarë të mirënjohur (Haki Mborjen) të dënuar me vdekje nga ‘’prijësi i vegjëlisë‘’ Haxhi Qamili. Prandaj edhe redaktorja e librit Donika Omari, edhe përgjigjësi icensurës, apo ata të shtypshkronjës, shpëtuan paq nga dënimi i rëndë që do t’u jepejpo të botohej ky libër, që për atë moment mund të konsiderohej ‘’sfidë’’ ndaj direktivave të udhëheqësit të partisë. 
Skënder Luarasi mundi të botojë edhe një studim interesant mbi publicistikën dhe pedagogjinë e motrave Qiriazi ku paraqet teza që janë tepër aktuale edhe në ditët e sotme kur institucionet arsimore e kulturore përballen me mungesa dhe presione të shumta. Ndër të tjera thekson se Familja Qiriazi: Gjerasimi, Gjergji dhe dy motrat Sevastia dhe Parashqevia u shkolluan dhe bashkëpunouan ngushtë me protestantët amerikanë për të përhapur librat shqip dhe për të hapur shkollat shqipe në Korçë. Kontributi i tyre është veçanërisht i shquar në çeljen e shkollave shqipe për vajzat dhe emancipimin e tyre. 
S.Luarasi shkroi edhe për Kristo Dakon, të shoqin e Sevastisë (për të cilin në atë kohë mbahej një qëndrim i ftohtë nga ana politike). Përshkruhen ambjenti familjar, rrethanat e lindjes, arsimimi dhe veprimtaria e gjerë atdhetare, politike, arsimore, fetare e publicistike në bashkëpunim me personalitetet më të shquara shqiptare brenda e jashtë Shqipërisë. Ai pati lidhje të rëndësishme me politikanë e biznesmenë amerikanë që ndikuan pranë qeverive të SHBA për të ndihmuar vendin tonë të vogël e të varfër. Theksohet nga autori se një nga kulmet e veprimtarisë së Kristo Dakos qe edhe përfaqësimi i Kosovës dhe Çamërisë dhe firmosja në emër të tyre të ‘’Deklaratës së qëllimeve të përbashkëta të kombësive të robëruara’’ në qytetin Filadelfia, SHBA. Ai së bashku me të shoqen dhe kunatën, Sevastinë e Parashqevinë, themeluan dhe ngritën në një nivel të lartë arsimor Institutin “Qiriazi” në Kamëz. (17. S.Luarasi , Publicist dhe patriot i shquar. (Kristo Dako) , Tribuna e gazetarit, Nr.5, 1973, f.38-39)
Skënder Luarasi ka kontribuar edhe në realizimin e emisioneve radiofonike, bërjen e stendave në ekspozita, në filma dokumentarë dhe ka ndihmuar znj. Natasha Lako në skenarin e filmit ‘’Mësonjëtorja’’ ( për këtë film ka këmbëngulur që të publikohet se i dedikohet motrave Qiriazi)
Shkrimtari Naum Prifti kujton se në biseda Skënder Luarasi theksonte që motrat Qiriazi ‘’qenë dallëndyshet e para të lëvizjes së femrave shqiptare, që duhet të zinin vendin që meritonin në shoqëri, në një kohë kur sundonin paragjykimet dhe kur roli i femrës ndrydhej brenda mureve të shtëpisë. Skënder Luarasi përsëriste shpesh thënien e Gëtes se pa nëna të edukuara, nuk mund të kemi fëmijë të edukuar.’’ Nga bisedat me të ai përfitoi subjektin e dramës “Plumbat e shkronjave” ku flitej për Gjerasim Qiriazin që u vu në skenë nga dy trupa, teatri i Fierit dhe ai i Korçës në maj-qershor të vitit 1979. Në dramë theksohej e vërteta se shkollën shqipe e penguan tre faktorë: kleri shovinist grek greke, administrata turke dhe injoranca e shqiptarëve. ‘’Mirëpo kjo ide e re, se edhe injoranca jonë kishte pjesën e saj, e mishëruar te kapedan Nure Bataku, karakteri më i spikatur në atë dramë, nuk u pranua, madje ngjalli zemërim dhe si pasojë “Plumbat e shkronjave” u emetua vetëm njëherë nga TVSH, pastaj u arshivua dhe videokasetat u zhdukën.’ Për fat të mirë vepra u botua edhe si libër më vete në kolanën e dramave.’’
(18.Naum Prifti, I paepuri profesor Skënder Luarasi) http://www.voal-online.ch/index.php…
Nga disa përflitet që Skënder Luarasi e paskish ndihmuar familjen Qiriazi vetëm ‘’në fillim të viteve 60-të‘’, se ai u interesua dhe botoi sipas ‘’direktivave’’, ‘’sipas konjukturave politike’’, apo për t’iu kundërvënë ‘’ interesave të fqinjëve’’ etj. Për të sqaruar rrethanat dhe mbrojtur kontributin dhe nderin e Skënder Luarasit, detyrohemi që të publikojmë disa fakte që normalisht do të duhej të rezervoheshin.
‘’ I vetmi mik i familjes së tyre , studjuesi, historiani, përkthyesi, demokrati Skënder Luarasi, që njihte nga afër veprimtarinë e gjithanshme të tyre në shërbim të kombit shqiptar, dha një kontribut të ndjeshëm për rivlerësimin e figurave të motrave Qiriazi. (19. Dhimitër Dishnica, Motrat Qiriazi, f.192)
Periudha e viteve 1945-1949 ishte tepër e rëndë për familjen Qiriazi, që vuante persekutimin e egër politik. Burrit të Sevastisë, Kristo Dakos, ia prishën varrin, dy djemtë Aleksandrin dhe Gjergjin ia burgosën, i dyti vdiq në burg më 1949. (Disa muaj më pas vdiq edhe Sevastia, nga hidhërimi për humbjen e tė birit.) 
 Por kjo periudhë qe e vështirë edhe për Skënder Luarasi, i cili ndonëse u zgjodh deputet i Kolonjës për një mandat, survejohej dhe qe në rrezik të arrestohej. Në Konferencën e Tretë e përjashtuan edhe nga Lidhja e Shkrimtarëve. Megjithëse në këto situate ndihmoi me sa mundi.
Ai iu gjend familjes së Sevastisë dhe Parashqevisë dhe ia zbuti mesa mundi edhe mjerimin ekonomik. Bëjmë me dije, përkundër modestisë së mirënjohur të Skënder Luarasit , se zotërojmë një faturë ku dëshmohet se ai pagoi edhe shpenzimet e varrimit për Sevastinë (3) Dokument –Faturë
Kujdestaria e kishavet orthothokse ‘’Shën Evangjelizmos dhe Shën Prokop’’ të Tiranës
Faturë nr.129/z. Familjes Kristo Dakos. /Për sa shënohet më poshtë. /Për varrimin e së ndjerës Sevasti/Kisha, qirit e personeli Lek 500./3 llambadhe në shtëpi X40 lek 120/ 1 llambadhë 40 lek/shuma 660 lek. /Pagoi Skënder Luarasi /(Firma)
Skënder Luarasi në kujtimet e tij shënon: ‘’Pas ndarjes nga jeta të Sevastisë, me interesimin e disa dashamirëve, ndaj Parashqevisë filloi të tregohej interesim e përkujdesje por edhe ajo nuk i kurseu forcat për të dhënë kontributin e saj. Më 8 mars 1950, duke folur në mbledhjen e organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të gruas tha ndër të tjera: ‘’Sa e gëzuar jam të qëndroj midis jush në këtë sallë…Sot gruaja shkundi zinxhirët e skllavërisë dhe cila zemër shqiptare nuk gëzohet për këtë ditë të shenjtë që nuk e kishim shijuar për shumë shekuj’’
Në fakt ‘’i interesuari dashamirës kryesor’’ qe Skënder Luarasi, i cili përdori edhe prestigjin e mësuesit tek ish-nxënësit e tij të Shkollës Tregëtare të Vlorës, pushtetarët Hysni Kapo dhe Manush Myftiu, i vuri në sedër që të ndikonin tek bashkëshortet, Vito dhe Nefo me shoqe, të cilat kishin patur për mësuese motrat Qiriazi. Ai ndikoi që ato, si gra, e nxënëse të caktonin një doktor për të parë shëndetin e mësueseve të tyre të shquara dhe t’i sistemonin në banesa me kondita të mira. Parashqevisë iu dha pension special. Parashqevi Qiriazit u nda nga jeta në moshën 90-vjeçare, më 17 dhjetor 1970. Ndryshe nga motra e saj ajo u përcoll në banesën e fundit me dashurinë e popullit dhe nderim shtetëror.
‘’Populli i kryeqytetit i dha lamtumirën e fundit punëtores së shquar të arsimit shqiptar, drejtueses së talentuar të shkollës shqipe, veprimtares dhe organizatores së shoqërisë së parë të grave në Shqipëri, hartueses së abetares së parë me alfabetin e miratuar nga Kongresi i Manastirit, kryeredaktores së parë, diplomats së vendosur për mbrojtjen e të drejtave të kombit shqiptar në forumet ndërkombëtare.’’ (16)
(20. Dhimitër Dishnica, Motrat Qiriazi, f.194)
Po përmendim edhe një tjetër ndihmesë të çmuar, në fund të viteve70-të, sesi u përball me një pushtetar deri në instance të larta për t’u kthyer shtëpinë Qiriazëve në Tiranë. Në kujtimet e tij Skënder Luarasi ka shkruar: ”Dergjesha në shtrat nga dhimbjet e veshkave dhe poliartriti kur ime shoqe më lajmoi se kishte ardhur të më takonte Ing. Aleksandër Dako, djali i madh i Sevastisë. Një zyrtar i Kinostudios, me makinacione, i kishte rrëmbeu shtëpinë private (rruga Halim Xhelo, Nr.28, Tiranë) të birit të Sevastisë. (Në një anë të saj jetonte edhe vajza e tij, Diana Qiriazi-Hoxha, ish-studente e Luarasit në degën e anglishtes.) 
Mbas peripecish e këmbënguljes së Skënder Luarasit në instancat përkatëse, zyrtari u detyrua ta lirojë banesën. Drejtesia u vu ne vend dhe Aleksandër Dako me të bijat e mbylli jetën në vatrën e të parëve duke kujtuar me respekt mirësinë e mikut të vyer në ditët e zeza. 
 Por ky zyrtar kishte përgjegjësi edhe për një tjetër akt të rëndë
‘’Natasha Lako, bashkëpunëtore në Kinostudio, më kishte kërkuar dhe unë i dhashë ndihmën time për gatitjen e filmit ‘’Mësonjëtorja’’ me skenar rreth shkollës së parë shqipe për vajzat në Korçë, e themeluar më 1891 nga Sevasti e Parashqevi Qiriazi dhe gjithashtu ndihmova që të nderohen motrat Qiriazi me rastin e 35- vjetorit të çlirimit. Kur u interesova për mbarëvajtjen e xhirimeve të Kinostudios më thanë se dikush kishte ndikuar që emrat e dy motrave të zëvendësoheshin me pseudonime. Kësaj i thonë të falsifikosh historinë.’’(21. Petro Luarasi, Familja atdhetare Qiriazi dhe ‘’Mjeshtri i madh’’ i turpit) http://archive.is/o1CPs#selection-397.0-397.70)
Ndër vite personalitetet e shquara të familjes Qiriazi janë njohur, vlerësuar dhe nderuar gjithnjë e më tepër nga populli dhe shteti shqiptar dhe për këtë sukses meriton të kujtohet edhe kontributi i Skënder Luarasit.
Petro Luarasi
*(Ky shkrim mbrohet nga e drejta e autorit. Kushdo që përdor këtë material detyrohet të citojë burimin. E dergoi per Diellin, autori )

Referenca 
1. S.Luarasi, Gjerasim Qiriazi. f.12, 27
2. S.Luarasi, Gjerasim Qiriazi. f.40, 42, 44 
3.Petro S.Luarasi. Kontribute shekullore. Familja Luarasi për marrëdhëniet shqiptaro-anglo-amerikane, “55”, 19-20-21-22 korrik, 2003 
4. Petro N. Luarasi, Mallkimi i shkronjave shqipe, Manastir, 1911, f.21
5. Xhevat Lloshi, Yjet e mëngjesit shqiptar. Parashqevi Qiriazi, veprimtarja e shquar e kombit, Almakos, 21. 03. 2012
6. Myslim Islami. Lidhja shqiptare e Prizrenit. Prof.Skënder Luarasi Personifikim i problemit kombëtar shqiptar, f.385-386
7. Myslim Islami. Lidhja shqiptare e Prizrenit. Prof.Skënder Luarasi Personifikim i problemit kombëtar shqiptar, f. 324-325, 369)
8. S.Luarasi, ç’kam parë e ç’kam dëgjuar’’, Kujtime të pabotuara, IV, 1945-1960. 
9. Xhon Kuanrud, Jeta e Gjerasim Qiriazit, f.19-20 
10. S.Luarasi, Gjerasim Qiriazi, Bashkimi.- Nr.15, 18 janar, 1959, f.2 
Ky artikull u përfshi në përmbledhjen publicistike ‘’Fjala Shqipe’’, 1960
11. S.Luarasi, Gjerasim Qiriazi. f.50
12.S.Luarasi, Sevasti Qiriazi-Dako, Drita, 15 tetor 1981, f.8) (13.S.Luarasi, Parashqevi Qiriazi, Drita, 14 dhjetor 1980, f.12 
13. S.Luarasi, Parashqevi Qiriazi, Drita, 14 dhjetor 1980, f.12
14. “Panorama” , suplementi “Unë gruaja”, Donika Omari, Si i përjetuam arrestimet në shtëpinë botuese “Naim Frashëri, 19.10.2014)http://www.panorama.com.al/perkthyesja-donika-omari-si-i-p…/
15. Ilir Mborja, komente , “Panorama” , suplementi “Unë gruaja”, Si i përjetuam arrestimet në shtëpinë botuese “Naim Frashëri, 19.10.2014,http://arrestimet1.rssing.com/chan-33338949/all_p1.html…
16. Myslim Islami Prof.Skënder Luarasi Personifikim i problemit kombëtar shqiptar f.384- 385) 
 17. S.Luarasi , Publicist dhe patriot i shquar. (Kristo Dako) , Tribuna e gazetarit, Nr.5, 1973, f.38-39)
(18.Naum Prifti, I paepuri profesor Skënder Luarasi) http://www.voal-online.ch/index.php…
19. Dhimitër Dishnica, Motrat Qiriazi, f.192
20. Dhimitër Dishnica, Motrat Qiriazi, f.194
21. Petro Luarasi, Familja atdhetare Qiriazi dhe ‘’Mjeshtri i madh’’ i turpit http://archive.is/o1CPs#selection-397.0-397.70
Publikime të Skënder Luarasit për familjen Qiriazi: Gjerasi, Sevasti, Parashqevi dhe Kristo Dakon
Skënder Luarasi, Gjerasim Qiriazi : Jeta dhe vepra, Tiranë, 1962, 197 f.
Skënder Luarasi, Les soeuers Qiriasi , Tirana, 1962, 36f.
Skënder Luarasi , The Kyrias sisters ,Tirana, 1962, f.32
Skënder Luarasi , Gjerasim Qiriazi, Bashkimi, 18 janar 1959, f.2
Skënder Luarasi, Fjala Shqipe, Gjerasim Qiriazi, 1960, f.103-104
Skënder Luarasi , Publicistika e motrave Qirjazi, Tribuna e gazetarit, Nr.6, 1972, f.35-37
Skënder Luarasi , Publicist dhe patriot i shquar. (Kristo Dako), Tribuna e gazetarit, Nr.5, 1973, f.38-39
Skënder Luarasi , Parashqevi Qiriazi, Drita, 14 dhjetor, 1980, f.12.

Filed Under: Histori Tagged With: e familjes Qiriazi, kontribut, për njohjen dhe vlerësimin, Petro Luarasi

Qeveria kineze i kthen dronin nënujor SHBA-ve

December 20, 2016 by dgreca

1-droni-neujor-i-flotes-amerikaneKina i ka rikthyer dronin nën ujor Flotës Amerikane, të  konfiskuar javën e kaluar, nga një anije e marinës kineze në Detin e Kinës Jugore, pas bisedimeve “miqësore” në mes të dy vendeve, njofton Ministria e Mbrojtjes së Kinës më 20 dhjetor. Konfiskimi nga ana e Kinës e pajisjes pa ekuipazh, ka nxitur protestë diplomatike nga ana e SHBA-ve. Pentagoni ka thënë se, droni nënujor mbledh informacione oqeanografike, duke përdorur një teknologji moderne, e cila mund të blihet në treg. Konfiskimi ka shtuar shqetësimet amerikane rreth rritjes së pranisë ushtarake kineze, sjelljes së saj agresive në Detin e Kinës Jugore dhe sovranitetit detar që është pjesë e diskutimeve mes vendeve që lagen nga ky det. Marina amerikane ka rreth 130 dronë të tillë nënujorë, secili me peshë prej 60 kg, ndërsa ato mund të qëndrojnë nën ujë deri në pesë muaj. Ato përdoren për mbledhjen e informacioneve rreth oqeaneve, përfshirë matjen e temperaturës dhe thellësisë së tyre. {SH.K}

Filed Under: Kronike Tagged With: i kthen dronin, nënujor SHBA-ve, Qeveria kineze

POLITIKA SI ARTI I QEVERISJËS

December 20, 2016 by dgreca

kopertina-e-librit-naili-d

Nga Dr.Nail  Draga /*Viteve të fundit nga autor të ndryshëm shqiptar janë botuar studime dhe  botime të veçanta  nga fusha të ndryshme si nga aspekti shkencor, kulturor, artistik, publicistik etj., duke pasuruar fondin e botimeve të tilla në lëmitë përkatëse. Nga kjo gamë e gjerë  autorësh bën pjesë edhe Gjon Keka i cili dallohet në hapësirën etnogjeografike shqiptare, për cilësinë dhe sasinë e botimeve. Një nder botimet e tia të fundit është edhe libri “Antropologjia politike”, botuar në nga “Botart” në Tiranë në vitin 2015. Nga vet titulli i këtij libri por edhe lënda e trajtuar  del qartë se kemi të bëjmë me një përpjekje të guximshme të autorit, i cili trajton  një qasje të re te mendimit politik tek ne shqiptarët. Një kostatim të tillë e themi me faktin se në këtë periudhë posmoniste e cila njihet si koha e tranzicionit, botimet e kësaj natyre kanë qenë të pakta, nga fakti  se tek ne ende është i pranishëm mentaliteti i së shkauarës totalitare, për qasjet shoqërore dhe rrjedhat bashkëkohore të shoqërisë pluraliste.Pikërisht duke marrë parasysh të kaluarën tonë në kuadër të ish kampit të vendeve socialiste, termi “antropologji politike” është një term pothuaj i panjohur. Antropologjia apo shkenca mbi njeriun përbën po ashtu edhe fushën e lidhjës se njeriut me  shtetin, drejtimin  e shtetit nga njeriu dhe pushtetin shtetëror, shoqërinë, shkallët e zhvillimit, kulturën etj.

Ndërsa antropologjia politike e trajton njeriun  si personalitet , si individ dhe si qenie kulturore, përkatësisht  ka të bëjë me strukturën e sistemeve politike, proceset politike, zhvillimin  e shoqërisë, institucioneve, shtetit dhe të kulturës së popujve, duke iu qasur në mënyrë strukturale lidhjeve  formale dhe joformale të politikës, proceseve kulturore, sociale, ekonomike etj.

Në kuptimin më të gjërë antropologjia politike  është sinonim me politikën, ndërsa ne kuptimin më të ngushtë, ka të bëjë me aftësitë politike  të artit të qeverisjes, shtetit dhe politikës, të cilat mund të thuhet se janë edhe sferat  mbi njohuritë politike në përgjithësi.Me një fjalë antropologjia politike  është pjesë e filozofisë politike e cila hulumton mënyrën e organizimit politik të shoqërisë  në një mjedis të caktuar.

Autori në këtë botim më në detaje trajton frymën inspiruese të ideve dhe të teorive  të politikës, formimit të shtetëve, legjislacioneve, sistemeve dhe institucioneve politike, kulturës politike, gjuhës politike etj. Pra kemi të bëjmë me një përpjekje të autorit në fushën e shkencës politike, i cili është nder të parët që kësaj çështje i qaset në mënyrë profesionale.Pikërisht këtu qendron edhe vlera e këtij libri, se shumë çështje të pa trajtuara deri më tash nga autorë shqiptarë, me këtë libër vërehet përpjekja e parë profesionale, ne këtë drejtim.

Andaj duke lexuar këtë libër del qartë se shoqëritë tona  me të kaluar  moniste edhe tash  ne  pluralizëm  kanë sfida të mëdha  për të konsoliduar demokracinë liberale, kulturën politike,  të drejtën dhe lirive qytetare dhe nacionale  sipas standardëve bashkëkohore  të shteteve me përvojë demokratike. Ndërsa neglizhenca në ketë drejtim se ende jemi në periudhën e tranzicionit  nga koha e monizmit, nuk është fakt bindës, sepse koha prej një çerek shekulli ka qenë e mjaftueshme, për ndryshime cilësore dhe veprime praktike nga klasat politike të subjektëve udhëheqëse. Çdo refuzim për tu ballafaquar me realitetin paraqet dobësi organizative, kadrovike dhe mungesë e vullnetit politik, për avancim dhe zgjidhje të çështjeve kontestuese për shoqërinë në vendin përkatës.Pikërisht në këtë aspekt shumë çështje mund të njihën  me mirë nga antropologjia politike, se sa nga fushat e tjera si sociologjia apo shkencat politike.

Nuk ka dilemë se për të shkruar një libër të tillë autorit i është dashur shumë punë, duke konsultuar një literaturë profesionale në gjuhë të huaja, sepse në shqip ajo pothuaj mungon tërësisht.

Dhe në fund e them pa hezitim se si i tillë ky libër duhet të jetë referencë e domosdoshme për studime dhe hulumtime në fushën e  sociologjisë dhe të shkencave politike, sepse paraqet studimin me të kompletuar deri më tash në gjuhën shqipe.

*Gjon Keka, Antropologjia politike, Botoi:Botart, Tiranë, 2015
                                                              

Filed Under: Analiza Tagged With: DR. NAIL DRAGA, Gjon Keka, POLITIKA SI ARTI I QEVERISJËS

SKENA POLITIKE SHQIPTARE – TEATËR ABSURD BEKETIAN

December 20, 2016 by dgreca

Nga Xhelal Zejneli/

Në zgjedhjet e 11 dhjetorit të vitit 2016, BDI-ja doli humbëse. Prej 19 deputetëve që i kishte më parë, tani mori vetëm dhjetë.

Duhet konstatuar se:

  • pjesëmarrja në votim në njësinë zgjedhore 6, ishte jo më shumë se 50%;
  • oponentët e BDI–së – Lëvizja Besa (Rilindja me Besë), LR-PDSH-ja (Aleanca për Shqiptarët) dhe PDSH-ja kanë rreth 37.300 vota më tepër se BDI-ja;
  • sikur opozita politike shqiptare të ishte e bashkuar, BDI-ja do të kishte marrë shumë më pak se dhjetë deputetë;
  • opozita politike shqiptare, në qytetin e Tetovës ka marrë rreth 20 mijë vota, ndërsa BDI-ja rreth 11 mijë sosh;
  • në vendvotime të caktuara në të cilat votuesit kanë qenë kryesisht shqiptarë, BDI-ja ka marrë më pak vota se LSDM-ja;
  • thuhet se rreth 50 mijë shqiptarë kanë votuar për LSDM-në (sipas disa të dhënave, ky numër arrin madje deri në 70 mijë);
  • populli shqiptar në këto zgjedhje ka marrë 6-7 deputetë më pak se që i ka pasur dikur.

* * *

BDI-ja dhe PDSH-ja, por sidomos kjo e para, janë fajtorë dhe përgjegjës që një pjesë e elektoratit shqiptar kanë votuar për Zaevin. Dy partitë e vjetra shqiptare janë fajtore dhe përgjegjëse për defaktorizimin e faktorit politik shqiptar.  

Në hapësirën politike shqiptare, nuk çon peshë politike, as ideologjike asnjë subjekt politik shqiptar. Me fjalë të tjera, nuk çojnë peshë politike apo ideologjike, as partitë e vjetruara – BDI-ja dhe PDSH-ja, e as ato të rejat – Lëvizja Besa (Rilindja me Besë) apo LR-PDSH-ja (Aleanca për Shqiptarët).

Njehsimet matematikore që ndërlidhen me krijimin e qeverisë dhe me mundësinë që faktori politik shqiptar t’i kushtëzojë partitë sllavo-maqedonase, nuk dëshmojnë për vlerën politike apo ideologjike të faktorit politik shqiptar.

Me një fjalë, në hapësirën politike shqiptare në Maqedoni, nuk ka as pozitë politike e ideologjike dhe as opozitë politike dhe ideologjike. Nuk mund të kesh pesë deputetë, tre deputetë apo dy sish dhe të thuash: unë jam opozitë.

BDI-ja nuk mund të pretendojë të jetë në pozitë, për arsye se është e rrënuar,  e kompromentuar, e diskredituar dhe pa kredibilitet. Deri më tani, ajo i ka fituar zgjedhjet vetëm për shkak se nuk ka pasur oponent politik serioz.

PDSH-ja, përfundimisht shkon në histori. Ajo e përjetoi sindromën e PPD-së. Kreu i kësaj partie duhej të reformohej qysh në kongresin e partisë. Sikur të reformohej me kohë, nuk do të kishte lindur fraksioni LR-PDSH. Partitë politike nuk janë pronë private e individëve apo e liderit partiak. Partia politike që shndërrohet në pronë të liderit partiak apo të një grupi të ngushtë individësh, rënien e ka të pashmangshme.

Hapësira politike shqiptare në Maqedoni nuk ka nevojë për katër subjekte politike. Mjaftojnë vetëm dy të tillë.

* * *

BDI-ja dhe PDSH-ja, e sidomos kjo e para, duhet ta dinë se politika kombëtare moderne nuk bëhet me patriotizëm folklorik. Dikur mitingjet dhe tubime e partive të vjetra shqiptare shoqëroheshin me këngë patriotike. Por, çerek shekulli pluralizëm politik, kërkon veprim politik bashkëkohor. Rinia shqiptare kërkon vizion politik, platformë politike, projekte ekonomike dhe program social. Këngët e Ilir Shaqirit, të Shkurte Fejzës apo të Violeta Kukaj – ka ku këndohen. Në asnjë vend demokratik, fushata parazgjedhore nuk bëhet me retorikë të stilit: “Qerpiku nuk na dridhet; Kemi shembur perandori; kemi krijuar tri ushtri, UÇK, UÇK…”. Në fushata parazgjedhore promovohen dhe afirmohen programe politike, ekonomike dhe sociale konkrete dhe jo retorika e sipërthënë.

BDI-ja, dhe jo partitë e reja (Lëvizja Besa dhe LR-PDSH-ja), është fajtore:

  • për shkapërderdhjen e votës shqiptare; dhe
  • për votimin e LSDM-së nga një pjesë e elektoratit shqiptar;

Një pjesë e elektoratit shqiptar votuan për LSDM-në, për dy arsye:

  • e para, u zhgënjyen me politikën e deritashme të BDI-së dhe të PDSH-së, e sidomos të BDI-së;
  • e dyta, programi politik, ekonomik dhe social i LSDM-së, për një pjesë të elektoratit shqiptar ka qenë i pranueshëm.

BDI-ja mban përgjegjësi ngase:

  • që nga themelimi i saj, deri më sot, nuk u reformua;
  • në të mbizotërojnë individë me njohuri politike dhe ekonomike të kufizuara;
  • në të mungojnë njerëz me potencial intelektual të duhur;
  • në të mungojnë njerëz me njohuri të duhur nga historia;
  • në të sundojnë njerëz që nuk i njohin sa duhet problemet sociale të shoqërisë shqiptare;
  • në të nuk përfillen sa duhet individët që kanë ide dhe ideale;
  • në të mungojnë idealistët.

Faktori politik shqiptar, i mbyllur për inteligjencien dhe për të rinjtë e arsimuar, kaloi në vetizolim. I izoluar, ai e shpërfilli me arrogancë dhe megalomani kritikën politike, madje edhe atë konstruktive.

Injorantët dhe mendjet mediokre kanë synim vetëm pushtetin, për ta përdorur atë për interesa personalë dhe meskinë. Të tillët nuk kanë vizione politike, ekonomike, as sociale. Programet politike, ekonomike dhe sociale nuk krijohen dhjetë ditë para zgjedhjeve. Pa dituri dhe pa idealistë, nuk është zgjidhur asnjë çështje kombëtare në histori. Idealizëm nuk janë veturat e shtrenjta, udhëtimet nëpër botë, drekat dhe darkat, shtëpitë luksoze dhe ndërtesat shumëkatëshe – të gjitha këto, në kurriz të këtij populli.

Shqiptarët në Maqedoni kanë vetëdije kombëtare. Kanë dhe kulturë politike.

Atë që BDI-ja e premtoi gjatë fushatës parazgjedhore, duhej ta kishte realizuar qysh në vitin 2004. Që atëherë kanë kaluar 12 vjet. Kjo paraqet një vonim historik të pafalshëm. Shqiptarëve, edhe pas çerekshekulli u duhet të merren me zyrtarizimin e gjuhës. Kjo është absurde. PPD-ja, PDSH-ja dhe BDI-ja, e sidomos BDI-ja duke e shndërruar skenën politike shqiptare në teatër beketian, i kanë vënë shqiptarët në pritje të pafund të Godosë.

Ka qenë strategji e faktorit politik sllavo-maqedonas që të punojnë e të veprojnë për komprometimin dhe diskreditimin e faktorit politik shqiptar. Kësisoj veproi Gligorovi ndaj PPD-së dhe e nxori nga skena politike. Të njëjtën u përpoq ta bënte edhe VMRO-ja ndaj BDI-së, d.m.th. ta zhveshë nga ideologjia kombëtare, ta komprometojë dhe ta diskreditojë para shqiptarëve, për ta nxjerrë më në fund nga skena politike, madje edhe nga historia.

Rënia e BDI-së, është pozitive për të. Kjo i mundëson asaj të riorganizohet dhe të reformohet. Reformimin nuk mund ta bëjnë klanet e harxhuara të saj. Shkaktarët e krizës –  oportunistët, konformistët, poltronët, tregtarët e flamujve dhe demagogët, nuk mund të jenë pjesë e zgjidhjes së krizës.

BDI-ja nuk duhet të habitet me votimin e LSDM-së nga një pjesë e elektoratit shqiptar. Në kohën kur u themelua, ajo e promovonte konceptin qytetar të organizimit dhe të veprimit politik, duke themeluar degë dhe nëndegë partiake në pjesën lindore të Maqedonisë. Konceptin qytetar të shtetit, në dëm të konceptit etnik, e promovonin edhe disa nga funksionarët më të lartë të BDI-së.

Në vend të votës, partitë e vjetra duhej t’u kërkonin falje shqiptarëve. Dhe të mbanin përgjegjësi. Sot, pas çerekshekulli të pluralizmit politik, shqiptarët duhej të kishin industri, ekonomi, financa, infrastrukturë, rrugë moderne, perspektivë për të rinjtë.

Punësimet që i ka bërë BDI-ja nuk paraqesin zgjidhje të duhur për çështjen shqiptare. Çështja shqiptare, në radhë të parë është kauzë politike dhe jo çështje sociale. Dimensioni social i kësaj kauze është pasojë e moszgjidhjes së çështjes në dimensionin e saj politik. Partia që merret me punësime, shndërrohet në ent për punësim. Ajo atëherë zhvishet nga roli politik i saj. Të gjitha investimet e viteve të fundit, shkuan në Maqedoninë lindore, ndërkaq qytetet shqiptare u varfëruan.

Të kesh me vete 20 deputetë dhe të jesh inferiorë ndaj VMRO-së, është e pashpjegueshme. Kjo mbështetje pothuajse plebishitare e popullit shqiptar për BDI-në, nënkuptonte, jo privilegje, por përgjegjësi. Madje përgjegjësi historike.

Mëkati më i madh i BDI-së dhe i PDSH-së ka qenë koalicionimi i verbët me VMRO–në apo me VMRO-të. Kjo parti ka qenë dhe mbetet antishqiptare dhe ksenofobike, retrograde, anakronike dhe antihistorike, e vonuar dhe romantike, irracionale dhe destruktive. Janë këta që kërkonin vdekje për shqiptarët, dhoma gazi për shqiptarët. I quajtën edhe indianë. Edhe sot, në rrugët e Shkupit, përdorin ndaj shqiptarëve fjalë fyese, ofenduese dhe pezhorative. Çerek shekulli të pluralizmit politik dhe të demokracisë, VMRO-istët përdorin ndaj shqiptarëve gjuhën e urrejtjes, nuk njohin kurrfarë bashkëjetese me shqiptarët. Këta pandehin se ndodhemi në shekullin XIX.  

Çerek shekulli, Uashingtoni dhe Brukseli kanë investuar në Maqedoni për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike, për krijimin e një Maqedonie multietnike, por, ngjarjet e fundit flasin për të kundërtën. Antishqiptarizmi vjen nga nivelet më të larta të VMRO-së. Atëherë, për çfarë bashkëjetese mund të flitet në këtë mes?! Për çfarë bashkëqeverisjeje?! Populizmi i VMRO-së përjashton çdo bashkëjetesë me shqiptarët.

BDI-ja, duke e toleruar këtë vjellje vreri ndaj shqiptarëve, vë në dyshim:

 

  • luftën e 2001-shit;
  • Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare; dhe
  • Marrëveshjen e Ohrit.

Askush nuk ka të drejtë, e aq më pak BDI-ja, ta zhvlerësojë luftën e 2001-shit dhe Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare.

Maqedonia sot është në krizë të thellë politike, sa ishte dhe dje. Në thelbin e kësaj krize qëndrojnë:

  • shteti; dhe
  • çështja shqiptare.

Midis shtetit dhe çështjes shqiptare, Uashingtoni dhe Brukseli anojnë nga shteti. Me fjalë të tjera, faktori ndërkombëtar, në radhë të parë synon konsolidimin dhe stabilizimin e shtetit. Kjo s’bëhet dot me politikë të vjetruar. Politika e vjetruar vë në dyshim edhe sovranitetin e shtetit dhe shpie në destabilizimin e rajonit.

Zgjidhjen e kërkesave të shqiptarëve ndërkaq, Uashingtoni dhe Brukseli e shohin në këtë çast, jo si një agjendë e veçantë, por si pjesë përbërëse e konsolidimit dhe e stabilizimit të shtetit, të zhytur në krizë. Mostejkalimi i krizës shpie në hon, në humnerë, në greminë. Kjo paraqet vonim historik për Maqedoninë.

Çështja shqiptare në Maqedoni nuk është çështje e kushtëzimit të partive sllavo-maqedonase – VMRO-së apo LSDM-së. Kauza shqiptare është çështje e marrëveshjes historike parimore midis dy popujve – shqiptarëve dhe sllavo-maqedonasve, midis faktorit politik shqiptar, në një anë dhe faktorit politik sllavo-maqedonas, në anën tjetër.  

Forcat antihistorike në Maqedoni të kryesuara nga VMRO-ja dhe lideri i saj Nikolla Gruevski, trimërohen nga Moska dhe nga Putini.

Politika e BDI-së dhe e PDSH-së, sidomos e BDI-së, ka kohë që shënon devijim. Çështja shqiptare nuk është arritje interesash konjukturale, por sendërtim i interesit të përgjithshëm. Këtë devijim të faktorit politik shqiptar në Maqedoni, nuk janë angazhuar ta parandalojnë as qendrat politike shqiptare të vendosjes – Tirana dhe Prishtina.

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: BEKETIAN, SKENA POLITIKE SHQIPTARE –, TEATËR ABSURD, Xhelal Zejneli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2314
  • 2315
  • 2316
  • 2317
  • 2318
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT