• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ROMANI I TRAGJIKES SË KËRKIMIT TË FRYMËZUESIT JETËSOR

April 14, 2016 by dgreca

(Mikel Gojani: “Rrugëtim nën zë”, roman, botoi “Zef Serembe” Prishtinë 2015)/

 Nga Prend BUZHALA/

Po të lexohen përnjëherësh librat poetikë të Mikel Gojanit, si ata për fëmijë, ashtu edhe ata për të rritur, do të vëresh se këto vepra i përshkon si një fill i kuq gjepografia artistike ose gjeopoetika, sikundër thuhet në interpretimet moderne letrare.Problematika e veprimtarisë, jetës, angazhimit dhe idealeve të Mësuesit e të Frymëzuesit në ambientin shqiptar nën rrethana e kohë të ndryshme, kaq komplekse, përbën boshtin tematik të këtij romani, por autori bën dhe zhdrivillime të tjera në planin shumështresor të kompozicionit artistik, aty ku ndërkëmbehet kronologjia narrative e kohëve me rrëfimin refleksiv me anë të bartësve të shumët të rrëfimit e që e bën më komplekse veprën.

  1. Prologu i shkrimeve:gjeopoetika e krijuesit

Rrëfimi kryesor merr rrjedhë tragjike me vetëvrasjen e protagonistit në kushtet e lirisë. Repriza targjike ksihte ndodhur kund nja gjysëmëshekulli më parë, kur ishte vrarë mësuesi Marin Sh.Kurse tash ndodh repriza dyfish më tragjike: ai që u kishte qëndruar të gjitha furtunave të paraluftës, paslufta e vret me vorbullën e shtjellat e fatit! Nëse nëpërmes personazhit të Xha Lazrit, si bartës rrëfimi e kujtese, shpalohen histori, bëma, përshkime të bukura të jetës, të traditave, të solidarësisë  e të mikpritjes  në fshat, shpalohen mall e nostalgji; nëpërmes bartësve të tjerë të rrëfimit (Nini S) shpalosen dija e arsimi, idealizmi e sakrifica.

Cili ishte fati i arsimtarit idealist dhe cili i kërkuesve të gjurmëve të jetës së mësuesit, si Kërkues i Frymëzuesit historik, nacional, identitar e jetësor?

Hapësira shqiptare me historinë e saj, me frymën e aktualitetit dhe përgjithësisht qenia e identiteti nacional artikulohen, shkruhen e këndohen përqendrueshëm dhe pa u ndalur. Prandaj gjithë ajo toponomastikë poetike, kjo gjeografi e tillë shpirtërore, e shtrirë në disa forma letrare e joletrare,  takohet tek të gjithë librat e tij, mbi 30 tituj të botuar: tek pesë përmbledhjet poetike, tek romanet “Ai vjen me shirat e pranverës” dhe “Rrugëtim nën zë” (2014), tek tri përmbledhjet poetike për fëmijë, ashtu sikundër kjo gjeografi e kërkimeve shpirtërore haset përqendrueshëm edhe tek librat me kritika e studime letrare si “Tradita dhe bashkëkohësia”, “Mendësi krijuese” dhe “Bota e mendimit”. Ndërkaq, edhe te vëllimet e publicistikës historike, të monografive publicistike jetëshkrimore, apo të udhëpërshkrimet (gjithsej 11 të tillë, ku po i veçojmë librin “Mësonjëtorja e Zllakuqanit” me bashkautor Pal Canajn, “Kolë Mirdita edhe diellit i jep dritë” dhe “Nju Jorku, botë në miniaturë”). Tek një poezi “Dritarja e Dashurisë”, e hershme, poeti këndonte:

Shpeshherë –

Nga Dritarja e Dashurisë

Vjedh peizazhe Lure

Ndërtoj ura Bune

Ylberin mbi Tropojë, ndërtoj

 Një si prolog poetik i gjeopoetikës së poetit, ku krijuesi ka investuar dashurinë e tij jetësore dhe idealin e tij krijues-estetik. Dhe, që në fillim, krijuesit i dalin në ndihmë peizazhet e Atdheut e urat…

  1. Kërkimi i Frymëzuesit:ose Mësuesi idealist shqiptar

Nga ana tjetër, sikur e gjithë tematika e motivimi i shqetësimeve letrare e shkrimore,  ngushtohet e përqendrohet vetëm te një pikë: te poetika atdhetare dhe te fryma e amshueshme e rezistimit. Kjo poetikë bartet edhe te romani i fundit “Rrugëtim nën zë”, ku këtë gjeopoetikë ai e koncepton, prandaj, si ideologji të tijën romanore. Më saktë, do të thoshim se personazhet ideografike e autoideografike të këtij romani.

Fjala është për protagonistin mësues, Marin Shpati, dhe nuk është e vështirë për ta zbërthyer si prototip të Mësuesit Ndrecë Ndue Gjoka, për të cilin Mikeli ka shkruar dhe një libër të tërë (i botuar si fejton në vazhdime në “Rilindja”), ndërkohë që gjurmëve të tij jepet edhe protagonisti që kërkon këto gjurmë, Nini. E pra, mjediset e veprës janë këto afër nesh e pranë nesh, të fshatrave përreth, me etnopsikologjinë, etnografinë shpirtërore, me rrënjët e veta historike të identitetit kombëtar. Historia i riaktualizon imazhet e kujtesës e të tragjedive të jetuara; sfondi romanor mbulohet me metafora të trazimit shpirtëror. Madje vepra hapet me një prolog e me tekstin kërkues që në fjalitë e para:“Ndoshta nga zbrazësia e jetës, Njeriu kërkon gjurmët e humbura në errësirë pa mallkuar gjurmët e tij të jetës dhe miken kohë. Ka çaste kur Dega e Kujtimeve luhatet kur meditimet fluturojnë si zogj të ngrirë pas stinës plot lot e brenga.”

 Romani strukturohet nga tekstet e një prologu në fillim të veprës e një epilogu në fund, nga katër pjesë e ku secila pjesë ka kapitujt e këtij rrugëtim-kërkimi. Ndonëse tema qendrore e romanit është ajo e mësuesit, e arsimimit, e iluminizmit kombëtar dhe e atdhedashurisë; megjithatë, nëpërmes përshkrimeve, shtresave narrative, reminishencave historike apo të kronologjisë shpirtërore, jepen edhe një fokus i gjerë temash, si ajo e dashurisë mes Ninit dhe Siborës, ajo e kërkimit të gjurmëve të së kaluarës (si “Historia e pazbuluar e varreve”), ajo e vetëmohimit për kulturën, ndërsa shtresime më vete, përbëjnë pjesët, sidomos ato të fundit, për përplasjet e dilemat hamletiane mes jetës e vdekjes. Nëse mësuesi iluminist e revolucionar Marin Shpati, që i takon Luftës së Dytë Botërore dhe viteve të pas kësaj lufte, vritet i ri nga një dorë vrastare, po ashtu edhe mësuesi e krijuesi Nini S. e përfundon jetën tragjikisht, duke vrarë veten, në një spital në botën e jashtme.

Ç’është e vërteta, Mikel Gojani, që nga romani i parë bart temën e madhe të Kërkimit të Frymëzuesit që përfundon tragjikisht. Kështu ndodh edhe me idealistët e rinj te romani i parë, që nuk arrijnë t’i çojnë frytet e veprimtarisë vetëmohuese deri në fund dhe nuk e shohin dritën që vetë e kanë përhapë dhe mbjellë. Nëse mësuesi Marin Shpati që mbolli dritën e arsimit e të atdhedashurisë si në Kosovë, ashtu edhe në Mirditë, nuk i gëzon këto fryte për hir të kundërthënieve të ashpra të kohës, atëherë, cili është sistemi i motivacionit që e përligj vetëvrasjen e intelektualit të ri në rrethanat aktuale? Personazhi Nini S. ka katër kika a maja të përkushtimit të tij jetësor: arsimin, krijimtarinë, atdhedashurinë dhe dashurinë si emocion i bukur që i jep kuptim jetës. Është në karakterin e qenies krijuese njerëzore që të jetë i motivuar nga dëshira për të arritur rezultate, me përpjekjet që të jetë njeri i sukseseve dhe i vlerave. Njerëzit e tillë sigurisht që i dinë fytyrat e shëmbëlltyrën e jetës së hapur, mu ashtu si marinari që ia di fshehtësitë e lundrimit detit të hapur. Bob Marley, muzikant e kitarist legjendar xhamajkian, do të thoshte: “Madhështia e një njeriu nuk është në faktin se sa pasuri ai fiton, por në ndershmërinë e tij dhe në aftësinë e tij për të ndikuar tek njerëzit përreth tij pozitivisht.”

  1. Metafora e madhe e romanit:rubikoni i dashurisë së mohuar

Së këndejmi, integriteti i tërësishëm i personazhit, pasuria e njeriut të suksesshëm, do të jenë pikërisht ata gurë që të tjerët i hedhin mbi të. Dhe përfytyrojeni intelektualin që u qëndron këtyre sfidave nëpër kohë; shpirtmadhësinë e tij që i kapërcen këta kapituj të rëndë ekzistence. Dhe, mu aty, si nga burimet e pashtershme, do të vrujojnë forca të shumëfishuara jete, krijimtarie e iluminizmi shpirtëror e njerëzor.

Duke e dhënë rrugën jetësore të Nini S., fëmijërinë e rrugën e arsimimit të tij, rrugën e veprimtarisë së tij arsimore, kulturore, krijuese e atdhetare; duke u ballafaquar me pengesat që nga familja e deri te shoqëria, duke mos arritur ta kapërcejë rubikonin e dashurisë së mohuar e të jetës, dhe duke ia dhuruar përkushtimin e tij gjithçka jetës, arsimit, e artit, ai mbetet brenda këtij rubikoni psikosocial:

“I thanë se janë të detyruar që Nini t’i nënshtrohet një operacioni, i cili do të përcillet me komplikime, mirëpo shprehen optimizmin se do ta kalojnë edhe këtë rubikon jetësor me të cilin po përballej Nini.”

“Unë, do të ndjej se mbetem në gjysmë të rrugës. Jam i bindur se assesi nuk do të kem mundësi ta kaloj rubikonin. Dëbora e madhe ka vështirësuar çdo gjë”, tha me vete dhe vazhdoi: “ Edhe ëndrrat, të cilat më përfytyrohen pareshtur, po ma zënë boll frymën.”

 Fjala “rubikon” që përsëritet si procedim psiko-motivor i romanit, madje, shfaqet edhe tek kapitulli fundit “Në vend të epilogut ose prologut: Nini (s’)e kaloi rubikonin jetësor”. Ai nuk arrin ta kalojë këtë rubikon, edhe për shkak të dashurisë së refuzuar nga personazhja, edhe për shkak se vetë personazhi është sinonim i refuzimit të së keqes në jetë. Rrethanat janë të tilla, vrastare… Metafora e madhe e romanit qëndron pikërisht në faktin pse personazhi i zbulon vlerat e mëdha të jetës dhe pikërisht te kjo njohje e sprovë përjetimi ai e pëson! Prandaj, ka dhe një zhytje të personazhit në labirintet e misterit jetësor-ekzistencial, të përfundimit të tij në një spital psikiatrik jashtë. Filologu e orientalisti gjerman Max Muller, do të thoshte: “Një lule nuk mund të lulëzojë pa diell dhe njeriu nuk mund të jetojë pa dashuri.” Kështu, kapitujt e fundit të romanit, sikur përmbajnë një tjetër strukturim tekstor, që përshkohen nga situatat psiko-ekzitenciale.

4-Poetika e thellësisë:Kërkimi i Misterit e i Labirintit të Fatit

Sido që të jetë, romani “Rrugëtim nën zë” ka një poetikë sa ndërliqshme, aq edhe të thjeshtë. Të ndërliqshëm këtë strukturim e bëjnë procedimet moderne të rrëfimit, sikundër janë përfshirja e disa narratorëve, si një Unë që nis dhe përmbyll rrëfimin romanor e që na shfaqet si vetje e krijimit të iluzionit të vërtetësisë, që zë fill mu te vetja, te subjekti, te burimi krijues autorial; bartës rrëfimi është edhe Nini S. që jepet në kërkim të gjurmëve të Frymëzuesit dhe përfundon te Kërkimi i Misterit e i Labirintit të fatit. Ky rrugëtim “nën zë”, si thotë autori, përbën atë shtresën e fshehtë, të dytë, të gjallimit, pamjen tjetër të jetës e të dramatikes ekzistenciale. Kjo dramë shpirti zë të ajgëtohet, të endet e të shpaloset nga kapitulli në kapitull, dhe, në ata të fundit, e rëndomta e rrëfimit, merr kahe krejtësisht tjetër, të papritur, mu ashtu si ia dikton logjika e artit e jo ajo e zgjidhjeve me hepiend.

Bartës i rrëfimit është edhe Xha Lazri, që rrëfen për mësuesin Marin Shpati, për të kaluarën dhe për trashëgiminë këtij mjedisi. Është edhe Sibora, një mësuese e intelektuale që i gjendet krah, por që rrugët e labirintet e fatit e hedhin edhe atë në refuzim… Komplekse, në këtë drejtim, na paraqitet edhe poetika e kohës, ajo e Luftës së Dytë, kur mësuesi jep mësim në këto anë, dhe ajo e dekadave të fundit.

Këtë kompleksitet narrativ-kohor, autori e strukturon me sukses, nëpërmes bartësve të rrëfimit dhe zhdrivillimit kronologjik të ngjarjeve.

Nga një rrëfim i mirëfilltë për ngjarje e situata, autori kapërcen te një rrëfim refleksiv e që përbën një tjetër vlerë artistike. Përmasa e tillë narrative, vjen si një analizë e strategjisë së zgjidhjes së problemeve të botës së brendshme të personazheve, nga njëra anë, dhe shënjon depërtimin në thellësitë e kërkimit tematik, nga an tjetër. Shqiptohet si një poetikë e thellësisë.

Filed Under: ESSE Tagged With: “Rrugëtim nën zë”, Mikel Gojani, Prend Buzhala

AAK: Vlerësimi i DASH-it për korrupsionin endemik në Kosovë, tepër shqetësues

April 14, 2016 by dgreca

PRISHTINË, 14 Prill 2016/ Partia opozitare kosovare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, deklaroi sot se “Departamenti Amerikan i Shtetit, edhe një herë vlerësoi,  se kjo qeveri e korruptuar në Kosovë po shkel të drejtat e njeriut, përmes aferave të shumta korruptive të pandëshkuara”.

 “Korrupsioni endemik qeveritar dhe i sektorit privat, dhe mungesa e ndëshkimit të akteve korruptive mbetet një problem i rëndësishëm i të drejtave të njeriut”, ka shkruar qartësisht Raporti i DASH-it për të Drejtat e Njeriut, për Kosovën në vitin 2015, citon AAK.

Sipas kësaj partie, padyshim një cilësim kaq i ashpër nga SHBA-të, i nxjerr krejt të pakuptimta pohimet e zyrtarëve qeveritar, se qeveria e Kosovës nuk ka asnjë skandal korrupsioni.

 Sikurse ka shkruar DASH, “ligjet mundësojnë ndëshkimin e korrupsionit, por Qeveria nuk ka zbatuar efektivisht ligjin, dhe korrupsioni mbetet një problem serioz. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe, në përgjithësi, dobësitë në sundimin e ligjit, kanë kontribuar në këtë problem”.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shprehet se, është e përkushtuar që të zhbëjë korrupsionin në Kosovë, duke vendosur mekanizma institucionalë të specializuar për të luftuar këtë kancer në qeverinë e Kosovës.

“Aleanca, me programin e saj, synon të themelojë Byron Nacionale të Hetimeve, që do të jetë mekanizëm i sistemit të drejtësisë penale të Republikës së Kosovës, i vendosur te Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe të jetë i specializuar për të hetuar krimet; do të ketë homologun e vet në Departamentin e Hetimeve në Policinë e Kosovës, që do të të ketë emër të ngjashëm – Policia BNH; si dhe në sistemin gjyqësor – Departamenti Gjyqësor për Rastet Penale nën Juridiksionin e BNH-së. BNH do të jetë përgjegjëse për luftimin e terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë”, thekson AAK.

 Duke qenë të ballafaquar me një Qeveri të cilën Departamenti Amerikan i Shtetit e cilëson si të zhytur në “korrupsion endemik qeveritar”, Aleanca shprehet se e ka të qartë se zëri i qytetarëve do të dëgjohet përmes protestave masive dhe paqësore qytetare.

 “Korrupsioni endemik qeveritar është edhe një arsye e rëndësishme për protestën masive të 14 majit 2016, e cila do të mbahet në Prishtinë, duke filluar në orën 14:00”, përfundon deklarata e dërguar nga AAK./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: AAK, korrupsioni, Shqetësim, Vleresimi i DASH

LAMTUMIRË ANTHONY’S PIER FOUT RESTORANT

April 14, 2016 by dgreca

*I lutem kryesisë së Federatës Vatra që të interesohet pranë familjes Athanas për fatin e gjithë atyre objekteve me vlera historike e muzeale që të mos dëmtohen e shpërndahen, por të paketohen e t’i dërgohen drejtorisë së Arkivit Qendror të Shqipërisë./
Nga Thanas L. GJIKA/
Dje, më 12 prill me prishjen e restorantit historik ANTONY’S PIER FOUR qyteti Boston MA u varfërua duke humbur një godinë muzeale, që kishte shërbyer për më shumë se 50 vjet si restorant madhështor dhe si një institucion i shqiptarizmit.
I paharrueshmi Antony Athanas dhe djemtë e tij kishin pritur e përcjellë atje burra shteti dhe njerëz të shquar nga e gjithë bota. Me fotografitë e ekspozuara të pronarëve të rstorantit me vizitorët e shquar ky restorant ishte dhe një muze i gjallë, sidomos për komunintetin shqiptar të shtetit Massachusetts dhe më gjerë.
Në ambjentet e këtij restoranti mijëra shqiptarë të diasporës së vjetër e të re kishin festuar më 28 nëntor ditën e flamurit, aty kishin celebruar drekat e darkat e ditëlindjeve, të pagëzimeve të fëmijëve dhe të ngjarjeve të tjera të shënuara. Shumë prej tyre kishin bërë foto me pronarët e restorantit dhe sejcili prej tyre kishte kujtimet e veta.
Aty punoi regullisht çdo ditë atdhetari i shquar Antony Athanas. Legjenda shqiptare e Amerikës, deri në moshën 91-vjeçare, i cili bashkëpunoi gjatë me Hirësinë e Tij Peshkop Fan Nolin, me Qerim Panaritin (kryetari i shoqërisë Vatra për shumë vjet), me At Arthur Liolinin, si dhe me shumë veprimtarë të shquar të komunitetit shqiptar. Ai ruante në mendjen e vet kujtime për shumë ngjarje të rëndësishme për jetën e diasporës sonë të vjetër e të re.
Mirëpo vlerat muzeale e memuaristike të këtij institucioni dhe të pronarit të tij kryesor, qeveria shqiptare dhe komuniteti ynë nuk i vlerësoi si duhej. Kurrë nuk u interesua Arkivi Qendror i Shtetit e asnjë institucion tjetër ose individ për të mbledhur kujtimet e z-njve Athanas at e bij dhe as për të riprodhuar fotografitë historike të këtij institutcioni me vlera për historinë e komunitetit dhe të mbarë botës shqiptare. Madje pati persona të lidhur me fije të padukshme me agjenturën komuniste që guxuan ta luftonin duke shkaktuar ngjarje të shëmtuara, si grindje të ndryshme brenda e jashtë restorantit dhe më keq akoma një ndezje zjarri gjatë simpoziumit të organizuar me rastin e 600-vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. U punua që prestigji i këtij restoranti të ulej me qëllim që shqiptarët e riardhur të mos shkonin atje, por në restorantet e rinj që po hapnin disa simpatizantë e veprimtarë të PPSH-së / PS-së.
I lutem kryesisë së shoqërisë Vatra që të interesohet pranë familjes Athanas për fatin e gjithë atyre objekteve me vlera historike e muzeale që të mos dëmtohen e shpërndahen. Në rast se nuk ka mundësi të krijohet një muze i diasporës shqiptare në Boston, atëhere ato materiale të paketohen e t’i dërgohen drejtorisë së Arkivit Qendror të Shqipërisë.
Meqenëse këto ditë ndodhet për vizitë këtu z. Rama, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë do të ishte mirë që të kërkohej dhe ndërhyrja e tij për një nismë të tillë. 

Filed Under: Opinion Tagged With: LAMTUMIRË ANTHONY'S PIER FOUT RESTORANT, Thanas Gjika

Dhunë në Shkup, goditen institucionet

April 13, 2016 by dgreca

Protestuesit kanë thyer dritaret e zyrës së kryetarit të shtetit Ivanov, zyrës së Ministrisë së Drejtësisë, Parlamentit dhe kanë gjuajtur qeverinë e Maqedonisë.Policia ka provuar të ndalojë protestuesit, por pa sukses, pasi ata kanë thyer disa herë kordonin e policisë.Protestat u organizuan nga 85 OJQ, të cilët bërtasin ”Pa drejtësi, s’ka qetësi”.Ministria e Punëve të Brendshme thotë se janë arrestuar 12 persona dhe është lënduar 1 polic.

Para mesnate, protestuesit përfunduan protestën e organizuar në shenjë revolte kundër vendimit të presidentit maqedonas, Gjorgje Ivanv për faljen e plotë të të gjithë politikave dhe ndërprerjen e proceseve gjyqësore që janë pjesë e aferës së përgjimeve.Protestuesit nisën marshin nga Prokuroria Speciale, më pas drejt Qeverisë, duke u ndaluar para një zyre të presidentit Ivanov në qendër të qytetit, e cila u sulmua me vezë dhe sende të tjera.Pas kësaj, protestuesit e revoltuar iu afruan selisë së VMRO-DPMNE, por prania e shtuar policore nuk lejoi depërtimin e tyre.Ata për disa orë kanë qëndruar aty duke brohoritur kundër Ivanovit por edhe partisë VMRO-DPMNE, duke i konsideruar si fajtor për vendimin e sjellë për falje.Protestuesit thanë se nuk pranojnë një vendim të tillë dhe se ai duhet të anulohet, ndërsa Ivanov duhet të jap dorëheqje.Por një protestë tjetër nga përkrahës të VMRO-DPMNE u mbajt në afërsi të selisë së LSDM.Protestuesit kanë brohoritur kundër LSDM duke e akuzuar se ajo po krijon krizë të thellë në vend. Para mesnatë edhe turmat e këtyre protestuesve janë tërhequr.Opozita maqedonase ndërkohë ka bërë thirrje për protesta dhe mosndalimin e tyre, duke qenë kundër vendimit për zgjedhje më 5 qershor, pasi që nuk janë krijuar kushte për mbajtjen e tyre.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Dhunë në Shkup, goditen institucionet, maqedoni

Eugjen Merlika tregon atentatin që i bëri njësiti guerril i Tiranës gjyshit Mustafa KRUJA

April 13, 2016 by dgreca

Nga Roland QAFOKU- “Debati në Channel One”/

Eugjen Merlika, nipi i Mustafa Krujës, kryeministrit të 16-të të shtetit shqiptar, rrëfen pjesë nga historia. Ai jep versionin e tij se si u plagos Mustafa Kruja nga njesiti gueril i Tiranës, duke treguar edhe xhaketën e shpuar nga plumbi. Lexoni më poshtë intervistën dhënë për gazetarin Roland Qafoku në emisionin “Debati në Channel One”.

-Jeni larguar nga Shqipëria në vitin 1991 dhe prej 25 vjetësh jetoni në Itali. Gjyshi juaj Mustafa Kruja është cilësuar tradhëtar nga historiografia komuniste. Çfarë ka ndryshuar në këto 25 vjet në këtë cilësim në Shqipëri?

Ju falenderoj që më jepni mundësinë të flas për historinë  e gjyshit tim, një figurë kontradiktore, por besoj do të kem mundësinë të shpreh mendimin tim. Ndryshimi është shumë i madh sepse gjatë këtyre viteve është shprehur për të, për veprimtarinë e tij, janë bërë diskutime edhe në TV ka mendime të ndryshme, vazhdon historia ta konsiderojë si personazh negativ, më tepër sesa pozitiv, por kjo është pasojë e një mendësie të trashëguar nga komunizmi dhe është vështirë të ndryshohet. Por ka përpjekje që figura e tij të shihet në kompleks, të mos gjykohet vetëm për kohën kur ka qenë krysministër. Unë falënderoj një pjesë të medias që kanë shkruajtur mjaft për figurën e tij.

Unë e kam cilësuar Mustafa Krujën po aq tradhtar sa Ismail Qemali, Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha të cilët për një pjesë të shqiptarëve janë heronj dhe një pjesë janë tradhtar. Edhe Mustafa Kruja cilësohet për një pjesë hero dhe për një pjesë trëadhëtar. Do doja një koment për atë që mendojnë për gjyshin tuaj.

Mua më pëlqeu komenti juaj se ka trajtuar në dritë origjinale tradhtinë, me këtë akuzë është përballur edhe Ahmet Zogu edhe Ismail Qemali edhe Enver Hoxha. Ne si popull e kemi shumë të pakursyer këtë epitet. Tradhtar quhet dikush që tradhton një ideal për të fituar diçka për veten e tij, ndërsa në këto raste ëshët çështje konceptesh e mendësish politike. Ne jemi vend i vogël, në mes të dy popujve të tjerë që që kanë dashur gjithmoën të marrin tokat tona. Jemi të detryuar si popull të manovrojmë në këtë ambjent politik.

Përse Mustafa Kruja sipas jush nuk ishte tradhtar?

Vetë jeta e tij tregon se nuk ishte tradhtar. Që në rininë e tij ka punuar me pasion për atdheun. Qëkur ishte student në Stamboll është shquar për veprimtarinë atdhetare, për luftën për shkronjat shqipe, për të drejtat e komuniteteve, për të cilat ëshët përjashtuar nga universiteti, por më në fund u pranua pas një ndërhyrjeje nga deputetët e parlamentit. Gajtë gjithë jetës ai ka punuar për interesat e Shqipërisë. Akuza atij i bëhet për kohën që ka qenë kryeminsitër, pra gjatë kohës së pushtimit fashist. Ky është problemi më i diskutueshëm i jetës së tij. Ai e ka dhënë shumë mirë shpjegimin tek nëj dokument që i ka bërë qeverisë amerikane për të marrë strehim politik atje. Ai shpjegon motivet dhe rrethanat që e kanë shtyrë. Ai vetë thotë se kur ka ardhur në Shqipëri ishte i vendosur të mos pranonte asnjë funksion qeveritar në Shqipërinë e pushtuar. Nga 1939 deri në 1941 Mustafait i është propozuar 3 herë të bëhet mininistër i Brendshëm në qeverinë e Shefqet Vërlacit dhe Mustafai nuk ka pranuar. Është marrë me studime. Viti 1941 solli ndryshime të mëdha. I pari është bashkimi i trojeve shqiptare, Kosova, Dibra e madhe një pjesë e trojeve të Malit të Zi, ndërsa Çamëria sado që ishte në synimin e atdhetarëve shqiptarë nuk u realizua. Pra, bashkim solli një erë të re në historinë shqiptare sepse menjëherë pati entuziazëm të madh sidomos në Kosovë. Atje shkollat shqipe u hapën gjithandej. Më vonë filloi lufta mes BS dhe Gjermanisë, Hitleri vendoi të prishë paktin me Stalinin dhe e sulmoi. Sulmi i BS ndryshoi raportin e forcave në Evropë se në gjitha vendet e pushtuara u aktivizuan komunistët, të cilët deri atëherë kishin qenë pasive. Komunistët nuk ekzistonin deri në qershor të vitit 1941. E njëjta gë ndodhi dhe në Shqipëri. Në vjeshtën e vitit 1941 organizimi arriti majën me krijimin e Partisë Komunsite, që u krijua nga 2 jugosllavë si Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha se grupet komunsite shqiptare nuk qenë të aftë në 2 vjet e gjysëm të krijonin parti. Ky moment shpjegon faktin që Mustafa Kruja pranoi të marrë qeverinë me propozimin e Jakomonit. Ai parashikoi që ky bashkim vihej në rrezik, sepse nëse lëvizja që po krijohej do të kishte sukses, do të rrezikonte pikërisht fitorja që ishte arritur. Ai pranoi të behej kryeministër që komunsitët të mos vinin në pushtet, sepse rezultati i parë do të ishte braktisja e trojeve shqiptare dhe së dyti do të vendosej një diktatur staliniane.

Po cila ishte më e rrezikshme komunizmi që po lindte apo lufta ndaj pushtuesëve italianë?

Rreziku më i madh nuk ishte Italia se ajo ishte në gjendje lufte ndërsa komunizmi vërtetoi se qe shkatërrimtar për kombin, duke iu dorëzuar sllavëve tokat e Shqipërisë dhe vendosi diktaturë jo demokraci.

Por, i bie që Mustafa Kruja ka dështuar në këtë synim, pasi komunistët në këtë 1 vit, 1 muaj e 1 ditë që ai ishte kryeministër kanë kryer organizimin më të madh të tyre. U themelua Debatiku, u themelua gazeta “Zëri i Popullit” dhe Kushtrimi i Lirisë, u organizua konferenca e Pezës dhe u ngritën çetat e para bashkë me njësitete guerile.

Kjo është e vërtetë por ka arsyet e veta. Mustafa Kruja kur ka marrë qeverinë i ka vënë 3 kushte mëkëmbësit Jakomoni. Kushti i parë që Shqipëria të kthehej në vendimet e 12 prillit të 1939 të cilat ishin, bashkim kurorash, bashkim si shtetesh, por Shqipëria mbetej me të gjitha institucionet e saj, më vonë italianët i suprimuan këto institucionee dyta. E dyta të hiqeshin simbolet fashiste në flamurin e Shqipërisë. E treta Mustafa Kruja i kërkoi një forcë milicie prej 10 mijë vetash për të mbajtur rendin. Meqënëse këto kërkesa nuk u realizuan, ai nuk arriti të këtë sukses në projektin e tij, por kjo nuk do të thotë që ishte tradhtar dhe projekti ishte i gabuar.

Çfarë pasojash konkrete pati Shqipëria nga fakti që Mustafa Kruja ishte kryeministër. Sa shqiptarë vuajtën nga ky bashkëpunim i Mustafa Krujës? Kam parasysh këtu edhe një deklarim të Artan Shkrelit, këshilltarit të kryeministrit Rama sipas të cilit edhe ai po të jetonte gjatë Luftës së Dytë Botërore do bënte të njëjtën gjë që bëri Mustafa Kruja.

Unë e përshëndes këtë deklaratë të Artan Shjkrelit sio një studiues serioz dhe i saktë dhe e falenderoj për vlerësimin. Problemi është ky, cilat ishin interesat e Shqipërisë në atë periudhë. Bashkimi kombëtar dhe përballja me luftën në mënyrë sa më të mundur të padëmshme. Nuk ishte lufta ndaj fashistëve, ishte bashkimi kombëtar, qoftë dhe me përkrahjen e fashistëve.

Sipas jush, a bëri populli shqiptar rezistencë ndaj pushtuesve?

Qenë disa vatra rezistence të monarkistëve, por jo të komunsitëve, ata nuk kanë bërë asnëj rezistence. Deri në 42, Enver Hoxha rrinte te kafe Flora në mes të Tiranës, më pas nuk kanë bërë beteja të mëdha, kanë bërë luftë çetash në funksion të marrjes së pushtetit, jo në të mirë të vendit.

Ju po mohoni luftën që kanë bërë shqiptarët që morën armët për të shporrur fashistët dhe jo për tu bërë komunistë.

Shqiptarët e thjeshtë po u ngritën, por jo komunistët dhe Enver Hoxha. Ata synonin marrjen e pushtetit dhe gjithçka e drejtonin jugosllavët.

A pati një konkluzion për ato që bëri Mustafa Kruja, për gabimet dhe të mirat?

Konkluzioni varet nga këndvështrimi. Historiografia zyrtare e ka marrë si dicka negative. Mua nuk më duket se është ashtu jam i bindur që vlerësimi nga historiografia nuk është i saktë dhe historia e vërtetë që do të shkruhet në të ardhmen nuk do të lërë asgje nga kjo historigrafi që është tani. Unë kam disa thënie për Mustafa Krujën nga personalitete të poltikës. Karl Gurakuqi, Martin Camaj Eqerem bej Vlora, Kolë bej Miraka etj (vlerësime maksimale për Mustafa krujën). Fakti që Kosova sapo u bë e pavarur i vendosi 3 rrugëve emrin e Mustafa Krujës, tregon se për ta mbetet shumë i rëndësishëm.

Po në Shqipëri a ka emra institucionesh dhe sheshesh me emrin e Mustafa Krujës?

Në Shqipëri në një shesh në Krujë është emri i tij. i’u vendos me rastin e 100 vjetorit të pavarsisë. Ai punoi gjithë jetën as për famë as për pasuri por për të realizuar interesat e shqipërisë. Jam i bindur që ka bërë mirë që mori detyrën e kryeminsitrit.

Një ngjarje të bujshme që ka kaluar në jetën e tij ka qenë edhe atentati që komunistët dhe njësiti gueril i Tiranës i bëri Mustafa Krujës ku mbeti i plagosur. A mund të na tregoni dicka më shumë për atentatin që i është bërë gjyshit tuaj në tetor të vitit 1943?

Po. Kjo që po ju tregoj është xhaketa që Mustafai ka pasur kur i kanë bërë atentatin. E ka ruajtur që nga ajo ditë nusja e xhaxhait. Dallohet që ka marrë 4 plumba, por shpëtoi sepse plumbat e morrën në dorë. Duket se instikti i mbrojtjes ka bërë të ngrejë dorën dhe plumbat e kanë marrë të 4 në krah, ndërkohë që një tjetër i ka shpuar xhaketën në pjesën e poshtme. Ai sapo doli nga klinika dentare në oprën 11 paradite. Pjestarë të njësitit gueril i dolën përpara dhe qëlluan mbi të. Menjëherë mbërritën gjermanët dhe në të gjithë Tiranën u vendos shtetrrethimi. Nëna ime, pra nusja e djalit të Mustafait më ka treguar gjithçka nga ajo ditë dhe ajo natë e trazuar. Në mesnatën e asaj dite, ka rënë dera dhe dilte vetëm nëna ime, si gruaja e re, dhe mendohej se mbi grua nuk qëllohej. Ishte kapedan Markagjoni, Gjon Markagjoni kapedan i Mirdites, me dy djemtë, Mmarkun dhe Sandrin të shoqëruar me 500 mirditorë të armatosur që kishin udhëtuar për tërë ditën nga Mirdita në Tiranë. U futën në shtëpi dhe kanë diskutuar nja 2-3 orë me gjyshin sepse Marku dhe Sandri donin të merrnin hak për atentatin. Ata ishin gati për të bërë raprezalje në Tiranë ndaj komunistëve në shenjë hakmarrje. Mustafai u tha në asnjë mënyrë, këtë ma ka bërë partia komuniste, jo njerëz të vecante, prandaj sdo te derdhet asnjë pikë gjaku. Gjyshi im ishte paqësor dhe nuk lejonte gjëra të tilla. Të nesërmen ata ikën dhe e morën me vete në kullën e kapedanit. Mustafai qendroi tre muaj në kullën e tyre pas kësaj ngjarje.

Ka një arsye pse ai iku nga detyra e kryeministrit. Vrasja e mikut të tij Qazim Koculit, mikut me te afërt. A mund të na thoni arsyen ose ndonjë detaj për dorëheqjen?

Arsyeja është vrasja e Qazim Koculit. Ai ishte i dërguar i qeverisë në Vlorë me fuqi të plota nga Mustafai. Unë nuk kam dokumente, por mesa më ka treguar im atë, qëllimi ishte për të filluar dhe organizuar një rezistencë anti italiane që do të shpërthente në momentin e duhur, meqë nuk i plotësuan kërkesat e tij. Qazim Koculi çoi armë në disa shpella por italianët e kuptuan dhe e vranë. Mustafai kërkoi hetim dhe nxjerrje para gjyqit të personave përgjegjës, nuk ia pranuan dhe dha dorëheqjen. Këtu dua të tregoj edhe një detaj që Hysni Kapo bashkë me Qazim Koculin kanë ardhur në shtëpinë e gjyshit tim Mustafa Kruja kur ai ishte në detyrën e kryeministrit. Një gjë e habitshme po të mendosh se Hysni Kapo ishte sekretar i qarkut të Vlorës. Por lidhja është se si Kapo dhe Mustafa Kruja përgatiteshin për rezistencë dhe ky bashkëpunim do sillte rritjen e saj. Ata donin të bënin të njjëtën gjë si luftë si në 1920. Por gjërat nuk shkruan mirë pas vrasjes së Qazim Koculit dhe ky bashkëpunim nuk u arrit kurrë.

Sa e njihte Mustafa Kruja aktivitetin e Enver Hoxhës?

Hoxha në atë kohë nuk ishte shumë i njohur, rrinte më tepër tek shtëpia e të kunatit Bahri omarit. Më shumë se ai vetë njihej pseudonimi i tij.

Paska qenë i zoti ta fshihte identitetin dhe kryeministri të mos e njihte atë që do drejtonte Shqipërinë për 50 vjet.

Mesa di unë, Mustafai mund ta ketë njohur si emër, pro nuk ka pasur lidhje ose marrëdhënie me të. Ai ka një shkrim ku thotë pse Enver Hoxha u vendos në krye.

Pse u largua jashtë Shqipërisë Mustafa Kruja?

Sepse djali i tij 19 vjecar që ishte ne Vjene për studime u sëmur dhe ai u nis menjëherë. Djali vdiq në spital nga tuberkulozi, ai ndenji dhe pak kohë në Austri, më pas kaloi në Itali, prej aty ka shkuar në Egjipt. Ka pasur periudhe vështirësish ekonomike shumë të mëdha, nuk punonte se ishte klandestin. Këtë gjendje ia ka treguar Abaz Kupit që ishte me mbretin në Egjipt dhe mbreti e ka marrë në Egjipt. Mustafa Kruja kishte me vete 1 djalë, 2 të tjerë im atë dhe xhaxhai ishin ne Shqipëri, ndërsa Bashkimi mbeti në Itali, e ndërsa njëri vdiq. Ndërsa motra e tij, e shoqëroi në Egjipt e më pas në Amerikë. Ai shkoi në Egjipt deri në 1956, ndërsa në 1958 vdiq.

Ka dyshime që mund të ketë dorë Sigurimi i Shtetit në vdekjen e tij. Operacioni doli me sukses por menjëherë pas përmirësimit ai vdiq krejt papritur.

Nuk ka asnjë të dhënë të saktë, mund të ketë pasur dorë, mund të mos ketë pasur dorë. Halla më ka thënë që nuk beson të ketë pasur dorë sigurimi, sepse atë natë që ka vdekur 2 agjentë të CIAS amerikane i kanë thënë ne kemi qenë gjithmonë pranë jush.

Cilat ishin gabimet e Mustafa Krujës?

Siaps mendimit tim, gabimet e tij ishin në marrëdhënie me Zogun, ai ka qenë mik me të përpara se të bëhej armik politik. Ai është njohur me Zogun kur ishte në Stamboll. Në kohën e Haxhi Qamilit, ata kanë bashkëpunuar, pas ikjes së princ Vidit ai është kthyer e ka ndenjur disa muaj në Mat te Ahmet Zogu. Në Kongresin e Lushnjes, ai nuk shkoi sepse ishte minister i qeverisë së Durrësit. Kongresi i Lushnjes bëhej per të rrëzuar qeverinë e Durrësit dhe ai nuk e ndjente moralisht veten të aftë të tradhëtonte qeverine e Durrësit. Ai donte marrëveshje me shoket e tij gje që nuk mundi ta bënte. Lidhjet ishin nëpërmjet letrave.

Ka një histori ndryshe nga të tjerët Muastafa Kruja. Ai nuk ishte bej dhe nuk ka dalë nga bejlerët, por nga populli, që e thotë dhe Jakomoni si arsye përse e zgjodhi atë për kryeministër.

Kjo është e vërtete dhe është një meritë e tij, Esat Toptani ka thënë se më në fund edhe Kruja do të ketë një vezir. Ai nuk kishte ndërmend të bëhej vezir.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: atentati i njesitit Guerril, Eugjen Merlika, Gjyshit, Mustafa Kruja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2899
  • 2900
  • 2901
  • 2902
  • 2903
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT