• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Atdheu, partia dhe “patriotët” e portaleve

March 12, 2016 by dgreca

NGA ILVA TARE/

Prej së mërkurës kur u mbajt Asambleja e Partisë Socialiste, opinioni publik u përfshi në një debat në pamje të parë patriotik dhe në thelb krejtësisht artificial. Ndoshta ka qenë një gjetje e Blushit për të justifikuar kritikat ndaj partisë së tij, ose një mënyrë për t’u bërë të ditur kundërshtarëve se beteja e tij nuk ka qëllim final kreun e PS, por përmirësimin e Shqipërisë.

Pavarësisht qëllimit të deputetit Blushi dhe marrëdhënies së tij me pjesën më të madhe të kolegëve që i ka kundër qëndrimeve të tij, kryetitulli i lajmeve u kthye zgjedhja e partisë në vend të atdheut apo e anasjellta. Fjalimet e disa eksponentëve të lartë të socialistëve, që e cilësonin partinë si një mjet për të kontribuar për vendin u kthyen në subjekte sulmesh dhe statuesesh në rrjetet sociale nga ata që zakonisht tronditen më së shumti në raste të tilla, atdhetarët e mëdhenj të Facebook-ut dhe anonimët e portaleve.

Fyerje e madhe u konsiderua në mllefin virtual ridalja e partisë në plan të parë, në një kohë kur shqiptarët nuk i kanë shëruar ende plagët e komunizimit. Dhe në pamje të parë duket sikur bën herezi të flasësh për partinë përpara atdheut. Gjumëprishurit nga deklaratat që renditeshin në krahun e parties, gjetën rastin të akuzonin për tradhëti kombëtare, për mungesë atdhe dashurie në këmbim të favoreve që të jep rreshtimi pranë një partie.

Më mirë se shqiptarët nuk besoj se ka ndonjë popull tjetër në Ballkan që t’ja dijë vlerën të qenurit me apo kundër partisë. Sikundër nuk ka popull me probleme kaq të mprehta shtetformimi për shkak të përdorimit të partive, për interesa individuale dhe aspak kombëtare. Rizgjimi i atdhedashurisë pas më shumë se dy dekadash dështime, është i shpjegueshëm, por jo i pranueshëm edhe për ata eksponentë që kanë qenë pjesë dhe kanë përgjegjësi për Shqipërinë e sotme duke qenë në rreshtat e drejtuesve të partisë dhe qeverisë së djeshme.

Si cdo gjë, rrugët për ta bërë Shqipërinë janë të shumta dhe instrumentat për ta shprehur dashurinë ndaj vendit edhe më të shumta. Partitë janë një nga elementët me të cilët formësohet fytyra e shtetit. Elita e sotme politike është përgjegjegjëse për këtë fytyrë të Shqipërisë që kemi sot. Këtë drejtësi të korruptuar. Këtë administratë të paaftë dhe të politizuar. Këtë nivel të lartë korrupsioni dhe kompromentimi. Këtë kulturë njerëzish me dy fytyra që ndryshe flasin pas shpine dhe ndryshe kur të kanë përballë.

Të deklarohesh i përvëluar për Shqipërinë kur e ndjen se nuk të do më partia apo kur duhet të bësh sikur nuk e do më atë në kushtet e refuzimit, është më së paku një lojë dinake për të devijuar vëmendjen. Eshtë gjithashtu pabesi ndaj atdheut, sepse sërish ai do të keqpërdoret me vetëdije nëpër fjalime me synime elektorale. Atdheu nuk mund të jetë gjithmonë varka e shpëtimit të të mbyturve që në kërkim të busullës për të dalë në sipërfaqe, janë të gatshëm të kapen pas çdo fije që i risjell në vëmendjen e publikut apo militantëve.

Filed Under: Komente Tagged With: Atdheu, e portaleve, Ilva Tare, partia dhe “patriotët”

KRYETARI I OPOZITES LULZIM BASHA, VIZITE NE SHBA

March 12, 2016 by dgreca

-Takime në në Departamentin e Shtetit, Kongresin Amerikan, takim me grupin e miqësisë SHBA – Shqipëri…leksion në Universitetin e Kolumbias etj/

*“Vatra” e shqiptarëve në SHBA do të jetë një nga ndalesat e Bashës. Ai gjithashtu do zhvillojë një takim të veçantë edhe me studentët shqiptarë që jetojnë dhe studiojnë në SHBA/

Kreu demokrat, Lulzim Basha, pritet të zhvillojë një vizitë 5 ditore në SHBA, në datat 15-20 mars, duke filluar nga data 13 mars.

Bashën do e shoqërojnë deputetët Jorida Tabaku, Gent Strazimiri dhe Eduard Selami, këshilltari Mal Berisha, si dhe një pjesë e stafit të marrëdhënieve me publikun.

Axhenda e Bashës përfshin takime me zyrtarë të niveleve më të larta në Departamentin e Shtetit.

Kryetari i PD-së do zhvillojë takime edhe në Kongresin Amerikan. Ai ka në axhendë bisedime me kongresmenë amerikanë.

Kreu demokrat do të zhvillojë një takim me grupin e miqësisë SHBA – Shqipëri, e cila drejtohet nga kongresmeni amerikan Elliot Engel. Në këtë grup janë pjesëmarrës edhe shumë kongresmenë të tjerë amerikanë. Ky takim zhvillohet pikërisht në ditë e 25-vjetorit të rivendosjes se marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, raporton City News.

Një leksion në Universitetin e Kolumbias është pjesë e aktiviteteve të Bashës në SHBA. Gjithashtu, mësohet se do të ketë një dalje të tij edhe tek Zëri i Amerikës.

“Vatra” e shqiptarëve në SHBA do të jetë një nga ndalesat e Bashës. Ai gjithashtu do zhvillojë një takim të veçantë edhe me studentët shqiptarë që jetojnë dhe studiojnë në SHBA, si dhe Këshillin Shqiptaro-Amerikan.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Lulzim Basha, vizite ne SHBA

“Soprano, Arlinda Morava një mbrëmje shqiptare në Bukuresht

March 12, 2016 by dgreca

-Nuk do ta besoja që në Aeroportin e Bukureshtit dhe në ekranet e Avioanele Tarom posteri im me flamurin shqiptar ishte prezent kudo/

-Për herë të parë Bukureshti pati një mbrëmje madhështore shqiptare/

Nga Albert Z. Zholi/

Me sopranon shqiptare Arlinda Morava kam zhvilluar disa intervista. E qetë, e dashur, me një zë melodioz, ajo të befason me arritjet, por dhe me modestinë. Ajo ka krijuar familje në Bukuresht me një artist rumun, por ka një marrëdhënie të shkëlqyer me atdheun që ajo nuk e harron kurrë. Fëmijët e saj i sjell vazhdimisht në Shqipëri pasi ajo ftohet vazhdimisht në evente të rëndësishme në TOB, por edhe në raste festash apo pushimesh. Asnjëherë nuk mundohet ta fshehë origjinën përkundrazi e thotë me plot gojën që “jam shqiptare”. Më datën 3 mars në sallën e madhe të Teatrit Kombëtar “Ion Luca Caragiale” i Bukureshtit. Ajo zhvilloi mbrëmjen gala “Soprano, Arlinda Morava ju fton në një mbrëmje shqiptare” ku kishte të ftuar të luanin bashkë me të vetëm artistë shqiptarë. Në këtë aktivitet artdashësit e vlerësuan të magjishme interpretimin e sopranos së njohur Morava, e cila jeton prej vitesh në Bukuresht, Rumani, Protagonistët kryesorë të këtij aktiviteti ishin sopranoja Arlinda Morava dhe Orkestra me artistët shqiptar të drejtuar nga Maestro Lorec Radovani: Klejda Tare (soliste-piano), Nevila Kalaja (violinë), Arian Paço (violinë), Klara Bregu (violinçel) dhe Arben Basha (kontrabas). Për vetë rolet e saj ajo është quajtur “Sopranoja lozonjare” pasi rolet që ka luajtur, janë role shumë komike, lozonjare, si pjesët e Moxartit, operetat e Shtrausit, apo rumunë si Alexandru Petrescu që është më i miri apo tipik për pjesë lozonjaresh. Jo më shumë se tre vjet më parë, ajo mori në Rumani çmimin VIP me rolin e Papagenës tek “Flauti magjik” i Moxartit. Dhe pse të lindur dhe të rritur në Rumani dy djemtë e saj flasin shqip.

Ju ditët e fundit korrët një sukses, që nuk e imagjinonit as vetë me koncertin “Soprano, Arlinda Morava ju fton në një mbrëmje shqiptare”. Vetë si do ta komentonit këtë natë tepër mbresëlënëse, tërësisht shqiptare në Teatrin Kombëtar “Ion Luca Caragiale” të Bukureshtit?

Është e vërtetë që më datë 3 mars 2016 kam organizuar një event shumë të madh, ku edhe interpretova këtu disa pjesë. Ky event u zhvillua në Bukuresht me artistët shqiptare të drejtuar nga maestro Lorenc Radovani, soliste në piano Klejda Tare, Nevila Kalaja, Arian Paco, Klara Bregu dhe Arben Basha. Eventi titullohej “Soprano Arlinda Morava ju fton në një mbrëmje shqiptare”. Eventi u zhvillua në teatrin kombëtar të Bukureshtit ku u përkrah edhe nga ambasadori Ilir Tepelena. Të ftuar ne këtë event ishin trupat diplomatik, si edhe personalitete te elitës Rumune. Pati një sukses shumë të madh dhe jehona e këtij koncerti akoma vazhdon. Për herë të parë u ndjeva edhe më shumë krenare që jam shqiptare dhe artiste e vendit tim, pasi rrugët e Bukureshtit ishin mbushur me Posterin tim dhe flamuri Shqiptar zbukuronte ekranet dixhitale dhe rrugët e Bukureshtit po ashtu. Nuk do ta besoja që në aeroportin e Bukureshtit dhe në ekranet e avioanele Tarom posteri im me flamurin shqiptar ishte prezent në disa vende të dukshme dhe kjo më jepte kënaqësi pafund. Mediat rumune e theksuan si një event unik këtë mbrëmje. Për mua ishte kënaqësi e dyfishtë që arrita të bëja një event të tillë dhe të kisha një sukses kaq të madh, së bashku me miqtë e mi artist. I falënderoj pa masë për magjinë që krijuam. Për herë të parë Bukureshti pati një mbrëmje madhështore shqiptare.

Pra arti bashkoi shqiptarët dhe rumunët pa asnjë dallim, madje natyrshëm sikur të njihen prej vitesh…?!

Bota pa artin është si një kopsht pa lule, pasi përmes artit njeriu dhuron dhe përcjell emocione të fuqishme bashkimi, vëllazërimi, miqësie, harmonie. Është kënaqësi të dalësh në këtë skenë gjigante me pjesë nga Mozzarti, Shtrauss, Rossini, Puccini, Verdi, Lehar si dhe T. Bredicianu që janë kompozitorët e preferuar të mitë. Ky koncert u zhvillua në një sallë madhështore që më ka bërë të ndihem prej kohësh si pjesë integrale e Operës Rumune, opera me shumë tradita në kohë.

Kur keni dhënë shfaqje për herë të fundit në Shqipëri?

Kam qenë e ftuar vitin e kaluar në Tiranë nga maestro Fatos Qerimaj, drejtori artistik i festivalit “Flauti magjik”, ku u realizua një mbrëmje Gala. Në këtë festival, interpretova me tenorin e njohur Kastriot Tusha.

Ju organizoni dhe një projekt në Rumani, në lidhje me profesionin tuaj?

Po, në Rumani organizoj projektin “Shqipëria tokë legjende”, aktivitet që organizohet me institucionet të ndryshme rumune dhe që kam gjetur një mbështetje jo të pakët.

Rumania ka një traditë më të madhe se ne, në opera?

Rumania është një vend i madh me 6 opera… Rumania ka një traditë 200-vjeçare në drejtim të operës, pra është një nga vendet me histori. Po them atë çka njoh dhe lexoj, se rumunët janë muzikantët ndër më të mirët në botë pas rusëve. Ata kanë traditë shumë në opera mund të themi që është një ndër vendet më e dashuruar me operën sigurisht, pas Italisë, Anglisë apo Francës. Rumania të jep shumë shanse në fushën e muzikës. Janë artdashës, dashamirës që të vlerësojnë n.q.s ke merita. Kanë edukatë, me elegancë dinë të të respektojnë dhe nuk ka kurrfarë shenja racizmi.

Keni një bashkëshort rumun, ndiheni e realizuar?

Besoj se po. Kam një bashkëshort artist, i cili më kupton dhe më mbështet. Në shumë drejtime ai më del në krah. Ndihem një femër e respektuar që gjej mbështetje. Nuk e di si do të isha me një bashkëshort shqiptar…. (qesh).

Filed Under: Interviste Tagged With: Albert Z. Zholi, Arlinda Morava, mbremje madheshtore, ne Bukuresht

Molotov në ndërtesën e Kuvendit dhe në Presidencë-REAGOJNE Qeveria & PARTITE

March 12, 2016 by dgreca

-Rreth orës 04:00 është raportuar se disa persona të maskuar kanë hedhur koktej molotov/

PRISHTINË, 12 Mars 2016/ Në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, ku është edhe Presidenca e Republikës, një dritare pranë rrugës kryesore të Prishtinës në mëngjesin e sotëm duket e thyer dhe me nxirje të murit pranë.Policia e Kosovës në njoftimi e sapodërguar konfirmon hedhjen e molotovit në ndërtesën e Kuvendit – Zyrat e Presdiencës së Republikës së Kosovës, duke e cilësuar “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm-asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet:“Me datën 12.03.2016 rreth orës 04:00 është raportuar se disa persona te dyshuar të maskuar kanë hedhur koktej molotov në drejtim të ndërtesës Presidenciale. Personat e  dyshuar pas hedhjes së koktej molotovit  dyshohet se janë larguar në drejtim te rrugës Agim Ramadani me një veturë me ngjyrë të bardhë. Fillimisht dyshohet se me gurë e kanë thyer xhamin e dritares ku kanë tentuar që ta hedhin shishen e molotovit, çka nuk kanë arritur pasi që shishja ka goditur në mur ku shihet një sipërfaqe rreth një metër e nxirë me rastin e thyerjes së shishes, ku derivatet janë djegur në atë pjesë të murit. Njësia policore ka dalë menjëherë në vendngjarje, mirëpo nuk është arritur të hasen të dyshimtit.

 Në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitet policore relevante, duke përfshirë edhe njësinë e hetimeve dhe krimteknikën rajonale për të kryer ekzaminimin e vendit te ngjarjes, duke përfshirë dëshmitë në vendngjarje.

Nuk raportohet për persona të lënduar. Rasti është iniciuar dhe dedikuar njësisë së hetimeve për procedura të mëtutjeshme dhe kryerje te hetimeve intensive, për zbulimin dhe arrestimin e personave te dyshuar”, përfundon njoftimi zyrtar nga Policia e Kosovës.

Në fotografitë e publikuara nga media, siç raportohet, “shihen dëmtimet që janë bërë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, derisa burime nga ky institucion kanë thënë se pos thyerjes së xhamave është tentuar edhe djegia e këtyre zyrave me hedhjen e koktejve të molotovit”.

 “Një nga zyrat e Presidencës është sulmuar me molotov gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm”, raportonte media.

***

QEVERIA:AKTE TE RREZIKSHME

-Qeveria e Kosovës dënon ashpër sulmin me molotov ndaj zyrave të Presidentes së Republikës në ndërtesën e Kuvendit/

PRISHTINË, 12 Mars 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër sulmin me molotov ndaj zyrave të Presidentes së Kosovës në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.“Ky akt kriminal, i drejtuar kundër institucioneve të Kosovës, është vazhdimësi e sulmeve me bomba molotov mbi Policinë, ndërtesën e Qeverisë, djegies së makinave zyrtare dhe private, si dhe ndaj shtëpisë dhe familjes se Kryeministrit, përgjegjësit e të cilave jo që nuk u ndriçuan dhe nuk u vunë para ligjit, por nuk kishte as reagime publike”, thekson deklarata e bërë pak më parë. Aktet e tilla, vijon deklarata, Qeveria e Kosovës i konsideron të rrezikshme për rendin kushtetues dhe për stabilitetin e vendit, prandaj kërkon me ngulm që ato të zbardhen dhe kryesit të përgjigjen para ligjit.  Qeveria e Kosovës, po ashtu, “fton të gjithë përfaqësuesit politikë, të cilët në paraqitjet e tyre publike po përpiqen të arsyetojnë sulmet me molotov mbi shtëpitë private dhe institucionet publike, duke u thirrur në kauza krejt fiktive, që të heqin dorë nga një gjuhë e tillë”. 

 Veprimet e tilla, vijon deklarata, dëmtojnë interesat madhore të qytetarëve të Kosovës, proceset e intensifikuara eurointegruese, fuqizimin e shtetit ligjor dhe perspektivën ekonomike të vendit. 

 “Qeveria e Kosovës fton të gjithë përfaqësuesit politikë, të cilët duke u bazuar në kauza jo të qëndrueshme kanë nxitur dhe promovuar futjen e gjuhës së molotovit dhe mjeteve tjera joligjore në jetën politike dhe publike në Kosovë, që të distancohen nga këto akte dhe të bëhen pjesë e përpjekjeve të qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik, integrime euroatlantike dhe fuqizim të partneritetit strategjik me SHBA-të dhe vendet tjera mike”, përfundon deklarata e dërguar./b.j/ 

***

AAK: Dënojmë ashpër sulmin mbi ndërtesën e Presidencës

Partia opozitare kosovare, AAK e liderit Ramush Haradinaj dënon ashpër sulmin mbi ndërtesën e Presidencës së Kosovës. Në deklaratën e dërguar theksohet: 

Sulmi i sotëm mbi ndërtesën e Prësidencës, është një akt kriminal, i dënueshëm dhe kërkon ndërhyrjen urgjente të organeve të rendit për zbardhjen e tij. Është krejtësisht e papranueshme, se si sulmohet ndërtesa e një institucioni të lartë të vendit, që prezupozohet të jetë e vëzhguar me kamera dhe e ruajtur nga policia. Institucionet e rendit dhe të ligjit duhet ta bëjnë punën e tyre dhe ta zbardhin këtë akt kriminal, sa më shpejt të jetë e mundur, dhe t’i identifikojnë sulmuesit, dhe të njejtit t’i nxjerrin para drejtësisë dhe t’i bëjnë të njohur për opinionin publik.

Ndërkaq Qeveria e vendit, është mirë që të mos paragjykojë kryesit e mundshëm të këtij akti qyqar, dhe të mos provojë që këto sulme kriminale, t’i përdorë për të justifikuar dështimet e veta. Për më tepër ta akuzojë Opozitën për kauza fiktive. Kauza “fiktive|” e Opozitës ka rezultuar të jetë shkelje flagrante e Kushtetutës, nga kryeministri i vendit dhe partnerët e tij.

Prandaj sulmi i sotëm është një akt kriminal dhe duhet të trajtohet si i tillë. Përpjekjet për t’i dhënë këtij akti banditesk dimensione politike, pa u gjetur akterët dhe motivet e tij, i konisderojmë një tjetër sulm mbi stabilitetin e vendit.(AAK)

***

LDK: Sulm mbi të gjitha institucionet dhe shtetin e Kosovës

 Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër dhe shpreh shqetësimin e saj të thellë për sulmin kriminal me molotov kundër zyrave të Presidencës së Kosovës, në objektin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

LDK-ja, këtë vepër kriminale, e konsideron sulm mbi të gjitha institucionet dhe shtetin e Kosovës.

Duke pas parasysh aktet e ngjashme që kanë ndodhur në brenda dhe jashtë institucioneve muajt e fundit, duke përfshirë sulmet me molotov mbi organet e rendit dhe ndërtesat qeveritare, hedhjen e molotovëve mbi shtëpinë e Kryeministrit të Republikës dhe djegien e makinave private dhe zyrtare e sulmet mbi selitë e partive, LDK-ja vlerëson se kemi të bëjmë me akte të koordinuara të cilat kanë për synim zhytjen e vendit në kaos dhe anarki, për përfitime politike nga subjekte me agjenda antiperëndimore.

Duke ftuar organet kompetente të rendit dhe të drejtësisë që të zbardhin këto akte kriminale dhe që kryesit e nxitësit e tyre të ballafaqohen me drejtësinë, LDK-ja, po ashtu, thekson se askush nuk ka të drejtë të arsyetojë veprime e sulme të tilla në shtëpi private dhe në familje. 

 

Me këtë rast, Lidhja Demokratike e Kosovës, duke vlerësuar rolin e z. Ramush Haradinaj, reagon ndaj gjuhës së përdorur nga ai një natë më parë, në një debat televiziv. 

 

Z. Haradinaj, nuk mund ta konsideroj Kosovën vetëm të tije, duke justifikuar sulmet ne bomba molotovi në shtëpinë dhe familjen e Kryeministrit, duke u thirrur në kauza krejtësisht fiktive. Sulmet në familje dhe shtëpi private janë ligësi dhe vepra kriminale, nga të cilat duhet të hiqet dorë dhe të distancohen të gjithë. 

Z. Haradinaj nuk mund ta shfrytëzojë marrëveshjen për asociacionin si argument për të justifikuar atakimet e shtëpive private. Këtë marrëveshje e ka votuar AAK-ja dhe është bashkëshkruar nga nënkryetari i parë i AAK-së. Sa i përket demarkacionit, edhe kjo çështje do të zbardhet shpejt nga komisioni ndërkombëtar.

LB: Akte dhune kundër Republikës së Kosovës

    PRISHTINË, 12 Mars 2016/ Lëvizja për Bashkim  deklaroi sot se, dënon ashpër dhunën dhe terrorin mbi institucionet e Republikës së Kosovës. “Dhuna dhe terrori si mjete për realizimin e qëllimeve politike janë të papranueshme”, shprehet subjekti politik pjesë e koalicionit qeverisës, ku drejton Ministrinë e Diasporës.Deklarata fillimisht thekson se, sot, në orët e hershme të mëngjesit, me mjete shpërthyese është sulmuar ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, përkatësisht zyrat e Presidencës! 

Pas sulmeve mbi veturat e ministrave dhe deputetëve, vijon deklarata, është e padyshimtë se motivet e këtyre sulmeve janë politike dhe se sulmet janë të koordinuara dhe udhëhiqen nga një qendër.
“Lëvizja për Bashkim thërret organet kompetente që të marrin të gjitha masat për zbulimin sa më të shpejtë të aktorëve të këtyre veprave të drejtuara kundër Republikës së Kosovës dhe pavarësisë së saj! Përndryshe, përgjegjësit për ruajtjen e rendit dhe sigurisë së qytetarëve duhet menjëherë të ofrojnë dorëheqje për paaftësi në kryerjen e detyrave të besuara!”, përfundon deklarata.

***

Reagim i Partisë Demokratike të Kosovës ndaj sulmit të drejtuar ndaj zyrave të Presidencës

Partia Demokratike e Kosovës reagon ashpër ndaj sulmit me koktej molotovi ndaj zyrave të Presidencës së Republikës së Kosovës.Sulmet e tilla kriminale që po ndodhin në vazhdimësi, synojnë të krijojnë klimën e frikës dhe pasigurisë në shoqërinë tonë, si rrjedhojë janë të papranueshme dhe të dënueshme.

Partia Demokratike e Kosovës konsideron se veprimet e tilla, po cenojnë vlerat themelore të shtetit tonë dhe janë qartësisht anarkiste.Partia Demokratike e Kosovës, i bën thirrje organeve kompetente që ky akt të ndriçohet sa më shpejt dhe autorët e kësaj vepre të shëmtuar të vihen para drejtësisë. Zyra e Komunikimit-PDK

Filed Under: Komente, Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Molotov ne Kuvend, Presidence, Qeveria denon aktin

GABIMI I MAMASË, APO …!!!

March 12, 2016 by dgreca

Tregim Nga Pierre-Pandeli Simsia/
Unë dhe motra ime binjake jemi rritur në një nga pallatet që shtrihen në të dy anët e një ndër bulevardeve famozë në qytetin e madh ku jetojmë. Emri i bulevardit është i njohur, sepse atje jeton klasa më e lartë e shoqërisë amerikane.
Para disa javësh ne festuam 28 vjetorin e lindjes sonë.
Si çdo qytetar amerikan i moshës sonë edhe ne, unë dhe motra ime,  jetojmë në dy apartamente të ndryshme, të cilat ndodhen në zona të preferuara të qytetit. 
Vendimin për të jetuar më vete e morëm që kur ishim 21 vjeç. Qeranë e apartamentit tonë dhe të gjitha shpenzimet e tjera i pagon mamaja jonë, Beti.
Në fillim nuk ishte e lehtë të jetoje i vetmuar. Kjo ndikoi që motra ime pas një viti të rikthehej pranë mamasë e të jetonte bashkë me të. 
Unë dhe motra ime marrim një shumë 1200 dollarë në muaj, që na e la si trashëgimi me testament pas vdekjes, gjyshja jonë, mamaja e Betit. 
E ç’mund të bëjë një qytetar amerikan me 1200 dollarë në muaj kundrejt shtrenjtësisë së madhe të jetës në këtë qytet, nëse do kishte edhe shpenzimet e tjera të cilat unë i kam përmendur më sipër? Por, neve na mjaftojnë.
Mamaja jonë Beti, bashkë me dy vëllezërit e saj, gëzon një trashëgimi familjare si bashkëpronare e një kompanie të fuqishme me emër dhe fitimprurëse. Ajo, prej dy vjetësh ka dalë në pension, por, ka nënshkruar një deklaratë pasurie që, pas vdekjes, pjesa e saj na kalon neve, mua dhe motrës sime.
Me motrën time nuk takohem shpesh; më të shumtën e herës flasim në telefon. 
Herëpas’here mama Beti na telefonon për të shkuar në restorant për të ngrënë drekë ose darkën të tre së bashku.
Ndjej dhimbsuri të madhe për motrën time; ajo nuk është diplomuar në ndonjë universitet si të gjithë moshatarët tanë. 
Unë, me ndihmën, madje me këmbënguljen e një shoqe të mamasë që është edhe mikja e familjes sonë, kreva studimet në një universitet të vogël në një shtet tjetër, ku ajo edhe ishte drejtuese atje. 
E kam një diplomë universitare, e cila nuk besoj se më hyn në punë; jo se nuk gjej dot vend pune, por, e ndjej, që nuk jam i aftë të punoj për specialitetin që jam diplomuar.
Motra ime binjake, pjesën më të madhe të kohës e kalon në apartamentin e saj. Tymos shumë cigare të zakonshme dhe marijuanë. 
Tymosja e marijuanës u bë shkak që ajo të largohej edhe nga apartamenti, atëhere kur banonte me mamanë tonë, atje edhe ku jemi rritur.
Edhe pse në apartamentin e mamasë, motra marijuanën e tymoste në dritare dhe mundohej që tymin ta përcillte jashtë, tymi gjente hapësirë për t’u shpërndarë në pjesë të ndryshme në pallat.
Aroma maramendëse e marijuanës në pallat shqetësoi shumë banorët, veçanërisht familjen poshtë nesh që kishte edhe një vajzë të vogël 4 vjeçe.
Kur u vërtetua që motra tymoste marijuanë, madje edhe nga disa banorë që e kishin parë nga jashtë pallatit, bordi i pallatit në një mbledhje urgjente, urdhëroi mamanë tonë: ose të largoheshim ne si familje, pra mamaja ta shiste apartamentin, ose të largohej motra.
Jashtë dëshirës së saj, motra u largua nga mamaja dhe jeton në apartamentin me qera për të cilin kam shkruar më sipër.
Siç e kam shkruar, motra ime pothuajse, pjesën më të madhe të kohës e kalon e mbyllur në apartamentit të saj. Shumë rrallë frekuenton lokalet e natës. Është mbi peshën e moshës së saj dhe trupi i ka marrë një shëndet të deformuar i cili stonon shumë me fytyrën e saj të freskët dhe të shëndetshme. Në pamjen e jashtëme, motra tregon se është një grua mbi 40 vjeçe. Nuk i kushton fare rëndësi veshjes. Zakonisht në çdo stinë mban të veshura një palë pantallona të zeza që kush e di se kur janë blerë. E këshilloj shpesh se, duhet të ketë një shok, një të dashur, që t’i ndryshojë jetën e saj që ajo ka zgjedhur për të jetuar, apo ajo jetë ka hyrë padrejtësisht tek motra ime për t’u jetuar!
Këtë e kam edhe nga eksperienca ime tani që bashkjetoj me të dashurën time të tretë pavarësisht grindjeve të shpeshta që kemi me njëri tjetrin. Të bashkjetosh me një të dashur, jeta është shumë më ndryshe se jetesa vetëm.
Mamaja jonë është një grua që gëzon shëndet të plotë. Lexon shumë libra artistikë dhe shkencorë. I tregon kujdes trupit dhe shëndetit të saj. Është e mbajtur, e regullt në veshje, madje mosha e saj 70-të vjeçare e tregon më të re. 
I pëlqejnë shëtitjet në natyrë, aktivitetet e ndryshme kuturore artistike, madje edhe udhëtimet brenda dhe jashtë Amerikës. Gëzon respektin e miqve, shokëve dhe gjithë ata njerëz që e njohin. 
Mamaja jeton në apartamentin e saj bashkë me tre qentë që i do shumë, mënyrë jetese kjo më se normale për qytetarët njujorkezë. Frekuenton shumë edhe jetën e fshatit; shkon në shtëpinë që kemi në një fshat që ëshë tre orë larg qytetit ku banojmë.
Që nga dita, nga ai i vit i largët para 13 viteve, unë dhe motra ime nuk ndjehemi të qetë shpirtërisht. Madje, në shëndetin e motrës, mjekët kanë konstatuar depresion të thellë mendor. Nuk e mendonim kurrë, kurrë, që nga ajo ditë, ekuilibri i jetës sonë të ardhme të shpërqendrohej. 
Sapo kishim festuar 15-të vjetorin e lindjes sonë. 
Jetonim akoma me gëzimin e asaj çfarë kishim festuar. 
Një ditë, ishim të tre në shtëpi: mamaja, motra dhe unë.
     – Uluni pranë meje tani, – na tha mamaja e të bisedojmë, sepse, nuk jeni të vegjël më tani. 
Ne u ulëm pranë saj. Gjithmonë i bindeshim mamasë për ç’farë ajo na thoshte.
     – Tani dua të bisedoj me ju, bijtë e mi, siç ju thashë, dua të bisedoj me gjuhën e të rriturve. Dua t’ju them atë, që nuk ua kam thënë deri më sot. Kam vendosur, nuk do t’ua mbaj më sekret – e nisi bisedën mamaja.
Unë dhe motra që nuk dinim se për çfarë sekreti e kishte fjalën mamaja jonë, pamë njëri tjetrin në sy dhe instiktivisht qeshëm të dy.
Mamaja qendronte serioze dhe na priste neve sa të mbaronim të qeshurën.
     – Ju, – filloi prap mamaja të flasë, – nuk e njihni babain tuaj të ndjerë, atë burrë të respektuar, atë baba, që ju donte shumë juve. Por, fatkeqësisht, jeta e dënoi padrejtësisht dhe vdekja e pamëshirshme e mori në kulmin e gëzimit dhe kënaqësisë që po kalonte ai, që po kalonim ne dy bashkëshortët.
     – Na e ke thënë edhe herë tjetër, mama, që, babi ynë ka vdekur kur ne ishim tre vjeç- ndërhyri motra.
     – Po, bijtë e mi, ua kam thënë, por, nuk j’u kam thënë këtë tjetrën, që kam vendosur t’ua them tani.
Mamaja heshti pak si për të gjetur fjalët e përshtatshme; mori frymë thellë dhe nisi të flasë: –  Unë dhe burri im, pritëm shumë vite në jetën tonë bashkëshortore që të kishim edhe ne fëmijët tanë. Ndoshta fati nuk e donte që edhe ne të gëzonim fëmijët. E biseduam të dy ne bashkëshortët dhe vendosëm që të adoptojmë një fëmij. Bashkëshorti im, për vetë profilin e tij të punës, kishte shumë miq dhe shokë. E bisedon me një mikun e tij mjek gjinekolog atë çfarë ne të dy e kishim vendosur. Nuk vonoi shumë dhe, mjeku gjinekolog i dha lajmin e gëzuar dhe të shumëpritur bashkëshortit tim. “Një grua që banon në një shtet tjetër të Amerikës,  jashtë dëshirës së saj, kishte ngelur shtatzane dhe, për vetë kushtet e dobëta ekonomike, nuk dëshironte më fëmijë sepse kishte edhe të tjerë. Gjatë vizitës mjekësore, unë konstatova se ajo mbante në barkun e saj jo një, por dy bebe të shëndetshëm, një vajzë dhe një djalë. I thash, jo vetëm nuk duhet ta abortonte, as edhe ti braktiste bebet, por, kundrejt një pagese të mirë, dy bebet binjakë të porsalindur, do ti kalojnë nën kujdesin prindëror një çifti tjetër bashkëshortor që kërkojnë fëmijë…”
Në muajin e tretë pas lindjes suaj, pasi plotësuam të gjitha procedurat ligjore, ju ishit fëmijët tanë të ligjëruar dhe ne ishim prindërit tuaj duke ju patur nën kujdesin prindëror. Nuk kishte gëzim më të madh për ne, kur ju të dy motër e vëlla na erdhët në apartamentin tonë. Nuk dinim se si ta shprehnim atë kënaqësi të madhe shpirtërore kur dëgjonim zërat tuaj foshnjorë, cicërimat tuaja kur qanit, ato dy fytyrat tuaja foshnjore të pafajshme por që ishin fytyrat më të bukura që kishim parë ndonjëherë në jetën tonë…
Unë dhe motra ime krejt të hutuar nga ajo ç’farë po dëgjonim, nuk donin t’u besonim veshëve tanë. Pash nga motra që e kisha përballë; m’u duk shumë e zbehtë në fytyrë. Në ngjyrë dylli ia mbulonte fytyrën. Dukej e përhumbur, sytë i mbante përdhe. Unë nuk po ia ndaja shikimin asaj, derisa edhe ajo më pa në sy. Nuk po dinim ç’të flisnim. Po na dukej si një ëndërr e padëshiruar ato që po dëgjonim nga mamaja jonë, që për ne kishte qenë mamaja më e mirë, më e dashur, më e bukura ndër mamatë e shumë shokëve që ne kishim parë. 
Si mund të besonim ne ato që po na i thoshte vetë me gojën e saj mamaja jonë e dashur që ne nuk ishim fëmijët e saj dhe ajo nuk ishte mamaja jonë që na kishte mbajtur në barkun e saj, na kishte ushqyer me gjakun e saj…! 
Për një çast, m’u duk se çdo gjë përreth dhomës sonë filluan të lëviznin duke u rrotulluar. Mamaja fliste me seriozitet dhe herëpas’here na ledhatonte kokat.
     – Kur shkoja në punë…
     – Mama! Të lutem, mjaft! Mjaft, mama! – dëgjova zërin e motrës që ndërhyri menjëherë. Pash syt e saj të përlotur. – Mama, nuk kemi bërë ndonjëherë shaka të tillë! Të lutem! – dhe iu afrua, e përqafoi fort, fort, sa nuk donte të shkëputej nga kraharori i saj.
Kur pash syt e motrës të përlotur edhe mua m’u mbyshën syt menjëherë.
     – Mama! – fola unë me zërin tim që mezi më dilte dhe me sy të përlotur, iu afrova pranë. Ndjeva një drithërimë habie bashkë me trokitjet e forta të zemrës që kishte filluar shpejtimin e rrahjeve. – Mama! Të lutem, nuk duam shaka të tilla. – E përqafova fort, fort. Largova pak kokën, pash syt e saj që m’u dukën sikur më shikonin me dënesë. E përqafova prap, ndërsa motra vazhdonte të rinte ende e përqafuar. E putha në faqe. Ndjeva aromën më të këndshme që ndjen njeriu në jetën e tij, aromën e mamasë sime. Dhe atë aromë, vetë mamaja jonë sikur po na e largonte nga ato që po na fliste.
Mamaja e ndërpreu të folurën. Mbi kokat tona ndjemë dorën e saj të ngrohtë; po na ledhatonte.
Heshtjen e theu vetë mamaja. – Më dëgjoni me vëmendje bijtë e mi. Ju dua shumë, ashtu siç ju kam dashur dhe ashtu do t’ju dua derisa të jem gjallë në këtë jetë. Kjo që po ju them, nuk do të thotë se ju do jeni të braktisur nga unë, përkundrazi, jeni dhe gjithmonë do të jeni fëmijtë e mi të dashur, të pazëvendësueshmit…
Ishim në moshën tonë të adoleshencës, ajo moshë kur formohet shpirti dhe karakteri i njeriut. Edhe pse mamaja na e kishte thënë atë, që ajo e quante sekretin e jetës së saj dhe tonin bashkë, ne prap nuk donim t’u besonim atyre fjalëve që ajo na kishte thënë.
Atë natë bëra një gjumë të trazuar. Të tillë gjumë kishte bërë edhe motra ime siç më tha të nesërmen.
Që nga ajo ditë, jeta jonë kishte marrë drejtim tjetër. Çdo ditë ne na dukej se po gëlltisnim hidhërimin. Shpesh herë motra dëneste hidhur. Çdo ditë, kur shikoja motrën, syt e saj më tregonin shikimin pyetës: Përse duhet të na e thoshte ne mamaja që ne jemi të adoptuarit e saj? 
Kjo pyetje ndikonte tek unë që ta shihja motrën pikëllueshëm.
Në çdo bisedë që bënim ne të dy motër e vëlla rreth asaj çfarë na kishte thënë mamaja jonë, ndjeja vrunduj rrënqethës të ma përshkonin trupin. 
Motra më fliste dhe mundohej të më bindte për çdo bisedë apo sugjerim. Syt e saj tregonin dhimbje dhe ndrinin të pikëlluar. 
Nga bisedat e ndryshme që bënim, po kuptoja motrën se ishte rritur para kohe. Si mund ta besonim ne ato që kishim dëgjuar! 
A mund ta besonim ne, që mamaja jonë e dashur, nuk është mamaja jonë e vërtetë? 
Lidhja ime me motrën u shtua edhe më shumë. E vetmja dëshirë e jona e papërmbajtshme ishte të njihnim, të takonim mamanë tonë biologjike.
Në muajt, vitet në vazhdim, dallova ndryshimi tek motra ime. Nuk kishte fare interesim për të mësuar, madje edhe shkollën donte ta ndërpriste që në klasën e 10-të. Filloi të frekuentonte pijet alkoolike, madje të tymoste edhe cigaret. Cigaret më të preferuara për të ishin “Parlament” 
Mamaja vinte vonë nga puna, mbrëmjeve. Gjatë ditës, motra, më ftonte edhe mua në dhomën e saj të gjumit dhe të dy së bashku bisedonim gjatë dhe përhumbeshim rreth çështjes sonë nën shoqërinë e shijes së birrës dhe të cigareve. Ishim bërë që të dy përdorues të alkoolit, cigareve, madje  edhe të marijuanës.
Një ditë, motra më tha se kishte marrë vendimin e saj dhe prisnim të vinte mamaja nga puna. Edhe unë ia përkraha mendimin që ajo më shprehu. Atë kohë, unë, sapo isha njohur me një vajzë, që ishte edhe e dashura ime e parë.
 
– Mama – iu drejtua motra mamasë kur ajo erdhi në shtëpi dhe u rehatua. – Unë dhe vëllai dëshirojmë, madje e kemi vendosur, duam të njohim prindërit tanë biologjik, të paktën mamanë tonë që na ka lindur. 
Zëri i motrës u dëgjua i përvajshëm. Në fytyrë iu dallua një shenjë brenge. Rrënkoi dhimbshëm. Edhe pse u mundua të përmbajë veten, nuk mundi; u shkreh në ngashërim.
Mamaja nuk e priste atë  kërkesë të  motrës; I hodhi një shikim hetues, madje të dhimbshëm. Ngrysi ballin. Ndjeu një drithërimë habie.
 Ndërhyrja ime në mbështetje të kërkesës së motrës dhe këmbëngulja jonë, u duk se ne të dy motër e vëlla kishim bërë një marëveshje të heshtur. 
Mamanë, sikur e kapi një angështi. U përpoq të largonte mjegullën e habisë dhe të mblidhte veten. Në fytyrën e saj mua m’u duk se dallova një shprehje faji. M’u dhimbs shumë kur e pash në atë gjendje hutimi.
Pas një heshtje të shkurtër, na tha: – Kur ne ju adoptuam juve, kemi nënshkruar një kontratë që, kërkesa dhe dëshira juaj për të njohur dhe takuar  mamanë, prindërit tuaj biologjik, mund të realizohet pas moshës 18 vjeçare. Por, mundësia më e madhe është që nuk mund t’ju plotësohet dëshirë kërkesa juaj, sepse edhe bashkëshorti im edhe mjeku gjinekolog nuk jetojnë më. Madje, edhe mamaja juaj që ju lindi ka ndëruar shtet dhe nuk e di se ku ndodhet.
Rrënkova me vete. Ato fjalë të mamasë, ajo përgjigje e saj, na vrau shumë shpirtërisht, sikur na i shuajti edhe ato shpresa që kishim.
Motra kishte filluar të acarohej shumë. Kërkesën për të njohur dhe takuar mamanë tonë që na kishte lindur, ia përsëriste shpesh mama Betit, sa ato kërkesa u bënë edhe shumë të bezdisshme, sipas fjalëve të mamasë.
 
Një ditë, në nxehje e sipër, me një zemërim të papërmbajtur, me zë autoritar, motra i tha mamasë se do largohej nga shtëpia në gjetjen e mamasë biologjike.
     – Nëse ikën nga shtëpia, mendohu mirë; Ua kam thënë shpesh, do interesohemi bashkë dhe, një ditë, shpresoj që ta takoni… – iu përgjigj mamaja me një mirësjellje të stërholluar.
Dallova në fytyrën e motrës një shprehje mosbesimi. E pa mamanë me vrazhdësi. Qeshi hidhur. Ktheu krahët dhe u largua.
Shikimin e hodha nga mamaja; fytyra e saj tregonte sikur po përpiqej të kthjellonte mendimet.
Shpresa që një ditë do takojmë, do njohim mamanë tonë që na ka ushqyer me gjakun e saj, mamaja që na ka lindur, na ka ushqyer me qumështin e gjirit të saj tre muajt e parë të jetës sonë, na ka shoqëruar gjatë gjithë këtyre viteve që kur mama Beti na e tha të vërtetën.
Por, ajo shpresë, duket se është shuar njëherë e përgjithmonë.
Shpesh herë e bisedoj me motrën dhe nuk gjejmë dot përgjigjen e pyetjeve torturuese: Përse mama Beti duhet të na e thoshte neve të vërtetën e adoptimit dhe pikërisht në moshën tonë 15 vjeçare?! Ç’e shtyu të na e tregonte atë të vërtetë?! 
Oohh! Këto e shumë pyetje të tjera  torturuese që nuk na hiqen nga mendja i drejtonim njëri tjetrit unë dhe motra ime. Ishte gabimi i mamasë, apo sinqeriteti i saj që tregoi me ne?!
Unë dhe motra ime nuk dimë se kush jemi, kush janë prindërit tanë biologjik, kush është origjina jonë!
Edhe mama Beti e vuan shumë atë, që ajo e quan gabimin më të madh të jetës së saj që ka bërë. Këtë, na e ka thënë Xhina, ish dadoja jonë që na ka rritur dhe që tani punon tre herë në javë në mirëmbajtjen dhe pastrimin e apartamentit ku banon mamaja.
Unë dhe motra ime jemi të pasur materialisht; nuk na mungon asgjë. Edhe dashuria e mama Betit vazhdon të mos na mungojë. 
Jetën tonë të ardhme e kemi të siguruar me trashëgiminë e mamasë, por, ne nuk kemi atë pasuri që do na mungojë shumë gjatë gjithë jetës sonë, që na mungon, që po e kërkojmë dhe akoma nuk e kemi gjetur.
Është ajo brengë e madhe që po na e gërryen shpirtin tonë; të njohim e të takojmë një ditë mamanë tonë biologjike. 
Është ajo brengë, ai makth, ai çast i shumëpritur që ne po e ëndërojmë me shpresën e madhe, që një ditë dëshira jonë të realizohet.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Gabimi i mamase, Pierre-Pandeli Simsia, Tregim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3003
  • 3004
  • 3005
  • 3006
  • 3007
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT