• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një përgjigje për të ashtuquajturi shtyp i pavarur

October 18, 2015 by dgreca

Nga Reshat Kripa/
E kam zakon që çdo mëngjes dëgjoj pasqyrën e shtypit të përditshëm që disa organe të ndryshme e japin çdo mëngjes. Midis tyre më tërhoqi vëmendjen një lajm i publikuar në gazetën “e pavarur’ Shqiptarja.com ku shkruhej: “Hapja e dosjeve. 110 sigurimsat që janë aktivë në politikë” Më tërhoqi vëmendjen ky titull intrigues. Mendova se, më në fund, do të mësoja se kush ishin këta punonjës të ish-Sigurimit të Shtetit që qenkan ende në krye të shtetit shqiptar. Dola me vrap dhe bleva gazetën në fjalë. E hapa dhe lexova. Por, çuditërisht, aty pashë vetëm pseudonime të këtyre bashkëpunëtorëve të sigurimit. Nuk kuptova asgjë. Nuk kuptova edhe përse një gazetë që pretendon se është e pavarur nuk kishte shkruar emrat realë të këtyre bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit por vetëm pseudonimet e tyre. Cila ishte arsyeja? Mos vallë druhen se do të bëjnë armiq në sferat e larta të politikës shqiptare të të dy krahëve? Apo mos ndoshta, duke vënë një emërtim të tillë, do të tërheqin një numër më të madh lexuesish dhe, në këtë mënyrë do të kenë një fitim më të madh nga shitja e gazetave? Cilado që të ishte arsyeja e një gjëje të tillë, unë mendoj se kjo nuk duhet të ishte rruga që duhet të ndjekë një gazetë serioze. Detyra e një gazete serioze, që e quan veten të pavarur, është që të paraqes realitetin e ngjarjeve ashtu siç janë, pa u ndikuar nga influencat partiake të kujtdo krahu qofshin. Por, për fat të keq, një gjë e tillë nuk ndodh në Shqipëri. Në vendin tonë, për fat të keq, gjithshka është pleksur me pikpamjet politike të njerit apo tjetrit krah. Përse ndodh një gjë e tillë? Sepse Shqipëria ende nuk ka mundur të shkëputet nga sindroma e “njeriut të ri socialist”: Është pikërisht ky njeri që sot drejton median dhe politikën e shoqërisë shqiptare. Është pikërisht ky njeri që e përdor të ashtuquajturin shtyp të pavarur në interes të një klani të caktuar apo një tjetri. Një gjë e tillë sjell një çoroditje në opinionin publik shqiptar. Një çoroditje e tillë i shërben vetëm një klani të caktuar në shoqërinë shqiptare që kërkon t’i imponojë asaj mendimet e saj obskurantiste dhe mafioze. Ndaj duhet të ruhemi. Duhet të ruhemi nga këto mendime që e degradojnë shoqërinë shqiptare në limitet më të fundit të demokracisë së vërtetë. Duhet t’i dalim hapur së keqes që po kërcënon vendin tonë. Nuk e di nëse ky komb do të ketë kurajon t’i kundërvihet kësaj të keqeje të madhe. Lufta vazhdon. Kemi përballë një shtyp që na kundërvihet me të gjitha mjetet e tij që ka në dispozionin. Ne nuk kemi asgjë. Nuk kemi asnjë media që të marrë përsipër këtë luftë. Megjithatë duhet të luftojmë. A do të fitojmë? Koha do ta tregojë. Megjithatë unë kam besim. Shkrimin në fjalë nuk do ia dërgoj asnjë prej gazetave në Shqipëri pasi mendoj se asnjë prej tyre nuk do ta botojë. Këtë e kam provuar edhe në disa raste të tjera. Megjithatë sot ekziston shtypi elektronik, që, për mua, është shtypi më demokratik që mund të ekzistojë, Ndaj edhe unë po e botoj në këto organe. Lexojeni dhe më gjykoni në se kam të drejtë apo jo.

Filed Under: Opinion Tagged With: gjoja, reshat kripa, shtypi i pavaruar

Dion Ahmetaj po shkëlqen në futbollin e të rinjve në SHBA

October 18, 2015 by dgreca

Nga Esad GJONBALAJ/
Bota shqiptare po shkëlqen në çdo anë të globit me talentet e rinjë në disiplina të shumta sportive. Është ëndërr e çdo të riu që të arrij majat e suksesit ne hapërimet e tyre jetësore, arritjet e çdo të riu shqiptare përveç që mbart në vete ëndrrën personale të një te riu është edhe arritje dhe mburrje e tërë kombit.
Sot ambasadoret me të mirë të kombit shqiptare janë rinia e jonë që po lan gjurmë të pa shlyera në analet ma të larta të sportit botëror.
Ne New York nje yll i Ri që po shkëlqen me aftësitë e tija është Dion Ahmatj 12 vjeçar me origjine nga fshati Vuthaj i Plavë Gucisë .
Për Dionin kanë shfaqur interesimin e tyre edhe klube të fuqishme të ligës angleze ku para një viti ishte i ftuar në Akademinë e Futbollit anglez pran klubit të mirënjohur Sunderland.
Aktualisht Dioni është ne Akademinë e klubit ma të fuqishëm të futbollit në SHBA-ve Red Bull’s ku me aftësitë dhe prezantimet e tija po mahnit edhe profesionistet e kësaj fushe.
Historia e Dionit ne futboll fillon që nga mosha 5 vjeçare ku mori dhe hapat e parë në klubin e futbollit Brooklyn Italians dhe më pastaj në klubin Gatci ndërkaq aktualisht gjendët në Red Bull dhe luan për moshën e tijë U-12.
Ëndrra e Dionit është për të pushtuar majat e suksesit në futboll dhe me mburrje dhe krenari do të vishte ndërresat kuq e zi të kombëtares tonë thotë Dioni.
I riu vuthjan përveç sportit është edhe nxënës i dalluar në shkollë ku prirje të veçantë e ka pikturimin ku ka arritur të marr edhe shumë Mirënjohjeje edhe në këtë lëmi.

Filed Under: Sport Tagged With: Dion Ahmetaj, Esad Gjonbalaj, futboll, SHBA, shkelqen

Isa Mustafa de facto nuk është kryeministër i Kosovës

October 18, 2015 by dgreca

Isa Mustafa de facto nuk është kryeministër i Kosovës/
Nga Elida BUÇPAPAJ/
Titulli në dukje absurd tregon një realitet. Kosova nuk ka kryeministër dhe një qeveri pa kryeministër nuk qëndron dot në këmbë e nuk ka perspektivë. Prandaj parlamenti është kthyer në arenë të vezëve, bilbilëve e gazit lotsjellës. Isa Mustafa nuk gëzon autoritet tek asnjë palë. As tek LDK, as tek PDK dhe as tek opozita. Opozitën e tradhtoi, LDK-në e tradhtoi, ndërsa me PDK-në ka marrëveshje të interesit nëntokësor assesi kombëtar.
Aktualisht Isa Mustafa njihet si burri më gënjeshtar në Kosovë. Atij nuk i beson askush. As fëmija. Sepse çfarë thotë tani, e çthotë pastaj. Atë që thotë sot e përgënjeshtron nesër. De facto kryeministër i Kosovës – i paligjshëm – është Hashim Thaçi.
Isa Mustafa është bishti i Hashim Thaçit dhe nën diktatin e nëntokës së LDK-së.
Nëntoka e LDK-së është segmenti që ka uzurpuar LDK-në pas vdekjes së Rugovës, i dalë i humbur nga zgjedhjet e qershorit 2014, por që ka përfituar vende kyçe në bashëkqeverisje me PDK-në. Nëntoka e LDK-së është kapja e shtetit permes sistemit klientelist, nepotik, korruptiv, klanor e tarafor. Nëntoka e LDK-së janë një grusht njerëzish keqpërdorues të pushtetit në aleancë të fshehur e të hapur me PDK-në prej 2007. Ndajnë bashkë privilegjet, postet më të larta të shtetit dhe përfitimet si oligarkë.
Me një vështrim të shkurtër retrospektiv, në kohën e qeverisë në mërgim, Isa Mustafa ishte njeriu dhe bishti i Bujar Bukoshit. Ai mbante portofolin e ministrit të financave dhe kishte në dorë të gjithë milionat që rridhnin prej të ardhurave të 3%. Ne që jetojmë në Zvicër e dimë se sa vështirë e ka patur Rugova prej Bukoshit dhe njerëzve të tij që i krijonin shumë vështirësi dhe ishin në opozitë të hapur me Liderin Indipendentist që prej asaj kohe. Si qeveri në mërgim, ata përfitonin prej autoritetit të Rugovës, por përfitonin sidomos financiarisht. Deri sot askush nuk ka hetuar se çfarë është bërë me fondin e 3 %.
Pas konfliktit të 1998-1999 Isa Mustafa asnjëherë nuk ka shkëlqyer. Ka përfituar gjithmonë si pjestar i nëntokës së LDK-së. Edhe kreun e bashkisë të Prishtinës kështu e fitoi. Preferoi më mire të ishte kryetar i Bashkisë, sepse rolin e liderit të opozitës nuk e bënte dot më 2010, në kohën kur u zgjodh kryetari i LDK-së nga grupi i Llapit, ai afër Xhavit Halitit, që e bëri hara-kiri Fatmir Sejdiun, për të mashtruar elektoratin por edhe sepse Isa Mustafën si marionetë e përdorte më lehtë.
Prej këtyre marrëdhënieve okulte rrodhi edhe aleanca PDK-LDK në 19 nëntorin e 2014. Si deal midis padrinosh. Aleanca e tyre nuk është aleancë partiake, prandaj është e paqëndrueshme. Sepse aleancat dalin nga liderët në marrëveshje me partinë dhe elektoratin. Marrëveshjet në vetvete duhet të shprehin një konsensus të elektoratit.
Aq më tepër, në një demokraci politika nuk mund të jetë marrëveshje midis maskarenjve, por midis xhentëlmenësh (gentlemen agreement ) dhe përfaqësuesve më të denjë të popullit. Ndërsa Isa Mustafa është përfaqësues i interesave të një klani, atij më të urryeri prej vetë LDK-së dhe elektoratit të LDK-së. Prandaj Isa Mustafa nuk gëzon asnjë lloj autoriteti, as në Parlament, as tek PDK, as tek LDK dhe as tek opozita. Sepse është made in – prodhim i nëntokës.
Nëse faktori ndërkombëtar kishte vërtetë interes të mbante Hashim Thaçin dhe të krijonte një maxhorancë midis PDK-së dhe LDK-së, sepse në këtë parti ka vërtetë burime njerëzore me integritet, kjo aleancë do të duhej të ndërtohej mbi një themel të shëndoshë, që e përjashtonte kategorikisht përfshirjen në qeveri të Isa Mustafës dhe klanit të nëntokës, duke i hapur rrugën figurave të pastra të LDK-së dhe atyre më të votuarave, si Vjosa Osmani për shembull, që klani i Isa Mustafës nuk e lejoi as të kandidojë për kreun e LDK-së. Nëse në 19 nëntorin 2014 do të ishte vendosur që në krye të qeverisë të Kosovës të votohej Vjosa Osmani, dhe në rrang ministrash, LDK do të përfaqësohej nga emra me autoritet, padyshim që sot në Parlamentin e Kosovës nuk do të kishte as vezë, as domate të kalbura, as bilbila, as gaz lotsjellës.
Sepse de facto Kosova nuk ka kryeministër. Dhe qeveri pa kryeministër nuk mund të ekzistojë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Isa Mustafa, Kryeminister

Kosova sot, si Shqipëria më 1914-ën

October 17, 2015 by dgreca

Shkruan: Dr. Enver Bytyçi/
Kosova është në rrjedhat e një rënieje të lirë. Nga njëra anë një mazhorancë e përçarë që luan lojë shikas e një kryeministër inatçor, megaloman dhe i mësuar me modelin e drejtimi titist të shtetit, nga ana tjetër një opozitë po aq inatçore dhe e paskrupullt në zgjedhjen e mjeteve për arritjen e qëllimit të saj për pushtet. A ka më keq se kaq? Nuk besoj se Serbia do të donte të shihte në Kosovë një dështim më të madh sesa kjo që po ndodh tani. Të dy palët me ose pa dashje po bëjnë lojën e Serbisë, duke kujtuar se po punojnë për veten e tyre e duke na rrejtë se “po punojnë për Kosovën”. As njëra, as tjetra palë farë pune e farë lidhje nuk kanë me Kosovën. Kanë maksimumi punë me partinë ku bëjnë pjesë, por më së shumti nuk kanë punë as më partinë, janë vënë në mbrojtje të interesave të një grupi mafioz, të një klani të ngushtë.
Vetëvendosja e ka bllokuar funksionimin e institucioneve të Kosovës. Ajo e ka bërë këtë, sepse disa udhëheqës të saj i tremben Gjykatës Speciale, por jo vetëm për këtë. Janë bashkuar gjithashtu disa frikacakë të PDK-së, Nismës, AAK-së me Vetëvendosjen dhe të katër këto grupime luftojnë kundër Isa Mustafës në fakt për ta bllokuar ngritjen e Gjykatës speciale, e cila do të shqyrtojë jo vetëm krimet e disa individëve kundër shqiptarëve, serbëve e romëve në kohën e luftës, por edhe krimet politike mbas luftës. Isa Mustafën e kanë gjet në pritë, se nuk është Isa pengesë për këta derdemenë që për një hetim a një vit burg duan ta shkatërrojnë vendin e tyre. Isa, madje është njëriu më pak i interesuar për zbardhjen e krimeve politike kundër LDK-së së pasluftës. Atij nuk ia ka ndij ndonjëherë se çfarë ka ndodh me Ibrahim Rugovën, me Fehmi Aganin, Enver Malokun, Xhejmal Mustafën, ish-ministrin e Mbrojtjes Krasniqi, Tahir Zemën e shumë të tjerë. As Bujar Bukoshit nuk i ka shkuar ndërmend ndonjëherë të mërzitet për humbjen e këtyre burrave. Përkundrazi, me paratë e djersës dhe gjakut të qytetarëve të Kosovës kanë bërë pazare duke blerë e njollos disa herë edhe djalin e presidentit historik të Kosovës, Dr. Rugovës. Për këto “merita” ësthë aty ku është Isa Mustafa. Prandaj ai nuk ka lidhje me LDK-në e vërtetë.
Po pse atëherë Vetëvendosja, opozita dhe së paku gjysma e PDK-së e duan në pjatë kokën e Isa Mustafës? Pse vezët dhe atentatet i drejtohen vetëm kryeministrit të Kosovës? Sepse ai ka dalë në pritë vetë, madje duke mënjanuar me metoda staliniste garën për kryetarin e LDK-së. Ka mbjellë shiun tash korr furtunën. Në këtë lloj furtune që e ka mbërthyer ka filluar të çartet. Çfarë nuk u thotë kundërshtarëve të vet, çfarë nuk i thotë Albin Kurtit ose Ramush Hajredinit. Thjesht nxjerr dufin prej mushkrive. U përpoq ta nxjerrë këtë duf duke e arrestuar me urdhër verbal liderin e Vetëvendosjes. I çoi dhjetra policë në rrezik për shkak të dufit, inatit dhe interesave të tij, pastaj e liroi Albinin, sikur të mos kish ndodhur asgjë. E bëri këtë jo si kryeministër, që mban përgjegjësi për shtetin, por si një Isë i kohës së Rrahman Morinës, për të shfry inatin e vet. Që në këtë moment ai moralisht nuk është më kryeministër i Kosovës. Të parit të Kosovës, kushdoqoftë ai, nuk i lejohet t’i fyejë qytetarët e vet, nuk i lejohet t’i arrestojë për inat të vetin, nuk i lejohet të fshehë të vërteta, të cilat do t’i vuajë Kosova për dekada me radhë në të ardhmen.
Prandaj Isa Mustafa duhet të largohet. Sa më shpejt, aq më mirë për Kosovën. Ai duhej larguar që në momentin kur humbi Prishtinën e ia dha atë Albin Kurtit, i cili sot e gjuan me vezë kryeministrin dhe u hedh gaz deputetëve në parlament. Eshtë hera e parë në historinë parlamentare të botës kur në parlament ata që janë aty për t’i dhënë oksigjen tempullit të shtetit dhe demokracisë, i japin helm. Kjo është edhe më për turp, sesa ajo që bën kryeministri Mustafa. Eskili ka thënë se “Kur e drejta tejkalohet, ajo kthehet në të kundërtën e vet”. E drejta e Albin Kurtit është tejkaluar me dhjetra herë dhe ai nuk do apo nuk e kupton se me tejkalimin e të drejtës po dëmton rëndë interesat e Kosovës. Isa Mustafa është shndërruar në një rrezik për Kosovën, për shkak të paaftësisë dhe inatit që i buron nga natyra titiste e qeverisjes. Albin Kurti është shndërruar në një rrezik serioz për Kosovën dhe shqiptarët me vëtëdije të plotë, sepse tashmë ai duhet ta dijë se “ku ia çon mushka drutë”. Dhe jam i bindur se ai e di këtë, e përsëri nuk ndërron rrugë. U duk sikur u mënjanua kur dha dorëheqjen nga drejtimi i Vetëvendosjes. Por prapë është aty, ku e thërrasin të paudhët, antishqiptarët, ata që e duan Kosovën përgjithmonë në kaos. Unë i kam lexuar nja dy libra së paku, se çfarë është historia e doktrinës dhe filozofisë serbe për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi. Nikolla Pashiç në vitin 1913 thoshte se “Edhë pse po ngrihet një shtet shqiptar, ai duhet të jetë jofunksional, i paqëndrueshëm dhe i brishtë, me qëllim që ne serbët ta ruajmë epërsinë tonë morale shtetformuese mbi shqiptarët”. Dhe për ta arritur këtë ky Pashiqi pagoi Esat Pashën, Haxhi Qamilin e të tjerë. Këta të mallkuar e të paguar nga Beogradi e bënë Shqipërinë rrëmujë, iu kundërvunë me luftë Princ Vidit, shtetarit modern të kohës, i cili dëshironte ta rimëkëmbte Shqipërinë. Këta nuk lanë qeveri në këmbë, dhe vendi kaloi konflikt pas konflikti. E di Albin Kurti historinë e Shqipërisë së pas shpalljes së pavarësisë më 28 nëntor 1912. E megjithatë ai I ka shpallë luftë shtetit të Kosovës e pranisë ndërkombëtare në Kosovë, njësoj si Esat Pasha që kundërshtoi vendimet e Fuqive të Mëdha edhe për atë Shqipëri të cunguar që u ngrit në Londër.
Por më çudit fakti pse ai po luan të njëjtin rol me skenarë të njëjtë tani në Kosovë?! Për t’u heq si moderator e liberator, Albini thotë se është socialdemokrat, e ndërkohë ushtron metodat anarkiste e trockiste, në pamundësi për të ushtruar një pushtet stalinist dhe enverist në Kosovë. Njësoj si anarkistët, Albin Kurti thirret në emër të popullit, një spekullim ky propagandistik dhe i dëmshëm për mendjet e njerëzve. Albini bëhet kështu më i rrezikshëm se Isa Mustafa.
Por dhe Hashim Thaçi duket se në këtë rrëmujë fërkon duart. Edhe kjo është e rrezikshme. Një politikan si Hashim Thaçi, me gjithë ato kontribute nuk mund të bëjë sehir, nuk mund e nuk duhej ta linte Kosovën të rrëshqasë në gjendje të lirë drejt degradimit. Historia i mat burrat e shtetit me kontributet që japin në momentet dramtike të kombit. Kosova po e vuan këtë moment për faj të Albin Kurtit dhe megallomanisë së Isa Mustafës. Hashimi duhet të dëshmojë se i përket një rrace tjetër politikanësh. Dei më sot ai po e ndihëmon konfliktin dhe krizën institucionale në Kosovë.
Më në dilemë prej të gjithëve është Ramush Haradinaj. Ai e kupton se veprimet e Albinit janë të dëmshme për Kosovën. Por ende e sheh Isën si të keqen e vendit. Përpiqet të jetë me opozitën, e në fakt ka një paradigmë, paradigmën e konsumimit të tij e të AAK-së me një projekt, i cili nuk është i tij. Por edhe Ramushin e shtyjnë disa bashkëpartiakë të tij të hyjë në vallen e Albinit, se këta bashkëpartiakë të tij nuk janë aq trima sa Ramushi. Ata e kanë frikë Gjykatën speciale ndërkombëtare. Ramushit nuk ia ndjen më për të tilla gjykata, sepse dy herë provoi Hagën e nuk u dorëzua. Megjithatë ai vazhdon të vuajë paradigmën, të jetë alternativë më vete, apo të shkojë pas projektit shkatërrues të Albin Kurtit. Kësaj paradigme Haradinaj duhet t’i japë fund e duhet të rrjeshtohet në anën e Kosovës, jo në anën e anarkisë dhe rrëmujës që bën anarkisti i tipit Fidel Kastro, pra, Albin Kurti.
Duhet të ndalet gjithashtu projekti i Vetëvendosjes për të ashtuquajturin “Bashkim i Kosovës me Shqipërinë”, projekt për të cilin thotë ai ka mirëkuptimin e diplomatëve perendimorë. Jam i sigurt se në këtë moment këtë projekt do ta duartrokiste edhe Milosheviçi po të ishte gjallë, sepse nëpërmjet teorisë “së pajtimit të shqiptarëve e serbëve, duke përdorur Edi Ramën dhe të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë të inicuar nga Kurti” Milosheviçi, edhe pse përgjegjës për krime macabre në Kosovë, do ta kishte ndarë Kosovën e do ia kishte marrë asaj jo 11 apo 15 përqind të territorit, por së paku 30 përqind të këtij territori. Imagjino sot, kur diplomacia dhe politika serbe ka kapërcyer ngërçin e kohës së Milosheviçit, sa e aftë është ta realizojë ndarjen e Kosovës në vijat, në të cilat ajo dëshiron. Qeveria serbe për të përmirësuar imazhin ftoi në bashkëpunim Edi Ramën, me qëllim që t’I thoshte botës se “Ne serbët jemi tolerant e të gatshëm për pajtim”. Rama ia dha Beogradit këtë shans, sepse atij nuk ia ndjen sa viktima e dëme i shkaktoi Serbia Kosovës në luftën e fundit. Për fat të keq nuk ia ndjen as Isa Mustafës, i cili bën sehir ndaj politikës së “vllaznim-bashkimit” të Titos së ri, Vuçiç dhe Enverit të ri, Edi Rama. Albin Kurti bën demagogji kur thotë se “Serbia duhet të kërkojë falje për krimet në Kosovë”, sepse është pajtuar plotësisht me pajtimin shqiptaro-serb dhe bashkim-vëllazërimin të inicuar nga Rama dhe Vuçiç, projekt ky i shpallur në vitin 2011 nga ish-presidenti serb, Boris Tadiç. Serbia, për ta bërë reralitet ëndërrën e ndarjes së Kosovës ka ftuar kështu në bashkëpunim Albin Kurtin. “Thuaj ti që Kosova të bashkohet me Shqipërinë e pastaj ne, serbët, e kemi më lehtë ta shtyjmë njohjen e Kosovës si shtet, sepse u themi aleatëve tëp resin se ata në Kosovë e kanë një project tjetër kundër shtetësisë së Kosovës”. Kjo është formula, të cilën e zbaton Beogradi dhe Albini në Prishtinë.
Nëse Thaçi, Haradinaj, Limaj dhe LDK-ja nuk e kuptojnë këtë lojë misionare, atëherë Kosova do të vuajë më keq se Shqipëria në vitet 1913-1925. Lidhja Demokratike e Kosovës është shndërruar në një organizatë jo qeveritare, për të cilën askush nuk pyet më. Kjo falë makinacioneve të Isa Mustafës dhe diversionit të pandërprerë të Thaçit. Edhe ata burra të LDK-së që sot gjenden në krah të Isa Mustafës duhet ta lëshojnë anijen e tij, sepse bashkë me anijen e Isës po fundoset Kosova. Para Kosovës nuk vlen asnjë grosh kreu I LDK-së, Isa Mustafa. Konflikti, kriza, lufta për pushtet, lufta kundër institucioneve të Kosovës, lufta kundër integritetit territorial të vendit do të jetë parasëgjithash luftë e brendshme e paskrupullt, inatçore e jo vizionare midis grupeve e klaneve. Më shumë se kaq nuk do të dëshironte në Kosovë as Tomislav Nikoliçi, as Vladimir Putini. Shqiptarët duhet ta ndajnë tashmë të mirin nga i keqi dhe të dijnë se kush ia ka me të mirë dhe kush me hile shtetit të Kosovës.

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, Kosova sot, si Shqiperia me 1914

ARDIAN KRASNIQI, DO TË PËRKUJTOHET SOT, NESËR DHE GJITHMONË, SI FENIKS I LIRISË SË KOSOVËS

October 17, 2015 by dgreca

( Në përkujtim të 18 vjetorit të rënies heroike)/
Nga Harry Bajraktari/
Me rastin e 18 vjetorit të rënies së dëshmorit të kombit Ardian Krasniqi në një përballje të ashpër me policinë serbe ne Kliçinë të Pejës, sot përkujtohet me pietet të lartë vepra heroike dhe sakrifica e tij që dha për lirinë dhe pavarësisnë e Kosovës. Ardian Krasniqi qe ndër ushtarët e parët që u inkuadrua në radhët e UÇK-së.
U lind më 12 tetor 1972 në Vranoc, Lugu i Baranit. Rrjedh nga familja e Sylërexhëve e cila ka dhënë shumë për çështjen kombëtare-në luftërat e ndryshme për lirinë e Kosovës. Është kënaqësi e madhe kur sot sheh përmendoren e Haxhi Zekës, Bajram Currit dhe Adrian Krasniqit që lidhen me një histori të fshatit Vranoc.
Adriani mësimet e para i mori në Beran, gjimnazin e përfundoi në Pejë, ndërsa studimet i vazhdio në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Ky, qysh kur ishte nxënës i gjimnazit, vërejti format e vrazhda të nëpërkëmbjes së shqiptarëve nga regjimi kriminelit Millosheviq. I frymëzuar nga e kaluara historike, e sidomos nga skenat rrënqethëse që i shihte përditë në rrugët e Pejës, shqiptarë të keqtrajtuar nga policia serbe, krijoi bindjen se pa kryengritje të armatosur s’ mund të vinte liria e Kosovës. Ngaqë babai i tij Rexhepi, ishte mësues dhe pas një vizite që i bën Shqipërisë në vitin 1980, solli literaturë të llojllojshme nga e kaluara e shqiptarëve, ku Adriani frymëzohet nga ajo, ndonëse ende ishte i ri.
Kur në vitin 1987 u itensifikua shovenizmi serb, Adrian Krasniqi, filloi aktivitetin e tij kombëtar për ta kundërshtuar këtë politikë pushtuese. Ai si gjimnazist me disa shokë të tij organizoi demonstrata dhe protesta në shenjë solidarizimi me grevën e minatorëve të “Trepçës”, në vitin 1989. Dhe nga kjo kohë, për ditë e më shumë, bëhet më aktiv në çështjet kombëtare.
Në vitin 1990 me grupin e tij filloi grumbullimin e armëve për të nisur aksionet kundërshtuese. Armatimin e vendoste te xhaxhai i tij, Xhaferi në Vranoc. Ndërkohë, organet e sigurimit serb në vitin 1993 i bien në gjurmë, ku bastisin shtëpinë e tij në Vranoc dhe Pejë, me ç’ rast demolojnë e shkatërrojnë shumëçka brenda tyre. Nga ky moment, Adriani kalon në ilegalitet dhe vendoset në Shqipëri. Inkuadrimi i tij në radhët e UÇK-së daton qysh në pranverën e vitit 1992, si komandant i njësitit për Dukagjin. Veprimtarinë e tij e zhvillonte në relacionin Kosovë -Shqipëri. Në vitin 1995 sulmon stacionin e policisë në Çellopek, ku identifikohet emëri i tij, ndërkohë që pushtuesi serb shpall fletarrestin. Në Pejë policia bastis për së dyti herë, por s’e gjen askë nga familja. Krasniqi krahas aktivitetit organizativ, përqëndrohet më shumë në sektorin e furnizimit me armë. Meqenëse ai kishte lidhje me disa familje nga Shqipëria, më saktë nga Tropoja, shfrytëzon rastin që shtëpinë e Sulejman Berishës ta bëjë depo për furnizim me armatim. Kështu nga Shqipëria ai ka hyrë mbi 40 herë në Kosovë, duke sjellë armatim për UÇK-në. Merrej edhe me sulme të drejtpërdrejta.
Ai ishte në lidhje të ngushtë me Zahir Pajazitin, njëri ndër organizatorët kryesor të UÇK-së. Njeriu që e ka bindur atë se e vetmja rrugë për çlirimin e Kosovës është kryengritja e armatosur ka qenë Zahir Pajaziti, të cilin ai e ka pasur idol, e ka çmuar dhe vlerësuar si një strateg të madh të luftës.
Një aksion të armatosur, organizuar në vjeshtën e vitit 1997 kundër stacionit të policisë në Kliqinë, komuna e Pejës, merrnin pjesë Adrian Krasniqi, Ilir Konushevci, Mujë Krasniqi-Kapuçi dhe Qerim Kelmendi. Pas një përleshje të ashpër me policinë serbe të këtij stacioni, bie heroikisht Adriani, një feniks i lirisë së Kosovës. Më vonë, do të bien në luftë kundër ushtrisë serbe edhe dy shokët e tij, Mujë Krasniqi-Kapuçi dhe Ilir Konushevci.
Djali i axhës së Ardian Krasniqit, Florin Krasniqi, biznesmen dhe veprimtar në ShBA e mbështeti atë në idealin e tij për liri dhe pavarësi të Kosovës në çdo pikëpamje, duke i dërguar armë, rroba ushtarake dhe arsenal tjetër të luftës, në mënyrë që ai dhe bashkëluftëtarët e tij të kryenin akcione të armatosura në përballje me policinë dhe ushtrinë serbe, e cila në vitin 1997, e më vonë, bënte terror mbi popullatën shqiptare në Kosovë.
Florin Krasniqi e vizitoi Ardianin edhe në Shqipëri, ku ndodhej bashkë me Zahir Pajazitin në Durrës, në përgatitje të një luftë të organizuar kundër ushtrisë serbe. Florin Krasniqi, aq sa zgjati lufta në Kosovë, ishte në krahun e saj dhe pas përfundimit , kur Kosova fitoi pavarësin, ai për katër vjet ishte edhe deputet i Kuvendit të Kosovës.
Vranoci ka një traditë të hershme patriotike dhe, në këtë drejtim, veç Adrianit ka nxjerrë edhe shumë luftëtarë e veprimtarë për çështjen e atdheut.
Vepra e dëshmorit të kombit Ardian Krasniqit do të përkujtohet sot, nesër dhe gjithmonë nga brezat e ardhshëm, si finiks i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Ne Foto: Para përmendores së Adrian Krasniqit në Vranoc: nga e majta Ilir Krasniqi (vwllai i Ardian Krasniqit), Sherif Krasniqi, Harry Bajraktari, Florin Krasniqi, Florim Bajraktari dhe Agron Krasniqi, 2009./

Filed Under: ESSE Tagged With: ARDIAN KRASNIQI, E GJITHMONË, harry bajraktari, TË PËRKUJTOHET SOT

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3436
  • 3437
  • 3438
  • 3439
  • 3440
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT