• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova dhe Mali i Zi drejt marrëveshjes ndërshtetërore për kulturë

July 8, 2015 by dgreca

-Inicohet ideja që shqiptarët në Malin e Zi të organizojnë një konferencë donatorësh gjithëkombëtare
Nga Behlul Jashari/PRISHTINË, 8 Korrik 2015/-Kosova dhe Mali i Zi dakordohen që të finalizojnë sa më shpejtë një draft marrëveshje për bashkëpunim kulturor, e cila aktualisht ekziston.
Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Rexhep Hoti është takuar me homologen e tij nga Mali i Zi, Dragica Miliç, me të cilën janë dakorduar për thellimin e bashkëpunimit kulturor mes të dyja institucioneve.
“Jemi duke punuar në finalizimin e marrëveshjes për bashkëpunim kulturor për ta bërë formalizmin e saj nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme. Shpresojmë që sa më shpejtë të bëhet nënshkrimi i saj nëpërmjet të dy ministrave tanë”, tha Hoti.
Ai kërkoi bashkëpunim me Malin e Zi posaçërisht në fushën e mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore, bashkëpunimin e drejtpërdrejtë ndërmjet galerive, muzeve dhe institucioneve tjera, promovimin dhe respektimin e identitetit kulturor si dhe një sërë çështjes tjera të rëndësishme.
Edhe zëvendësministrja Miliç kërkoi formalizmin sa më të shpejtë të marrëveshjes për bashkëpunim kulturor në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Ajo shprehu mbështetje për shkëmbim përvojash edhe në fushat e tjera të rëndësishme kulturore.
Nga Ministria kosovare bëhet e ditur se, Hoti dhe Miliç gjithashtu ranë dakord që për vitin e ardhshëm, të dyja ministritë të hartojnë buxhete për fillimin e mbajtjes së javëve kulturore në mes të dyja shteteve, duke filluar nga parashikimi i vitit të ardhshëm buxhetor.
Zëvendësministri Hoti, në kuadër të vizitës së tij në Mal të Zi, u takua edhe me përfaqësuesen e Drejtorisë së Diasporës në Ministrinë e Jashtme dhe të Integrimit të Malit të Zi, Elvina Bektesi, me të cilin diskutuan mundësinë e një bashkëpunimi të përafërt mes tyre, dhe Ministrisë në Diasporës të Kosovës.
Hoti u takua edhe me Zoran Gjukanoviç, shef i Departamentit për Monitorim, Kërkim, Informim dhe Publikim të Informacioneve në kuadër të Ministrisë së Jashtme dhe të Integrimit të Malit të Zi. Të dy ranë dakord për thellimin e mëtutjeshëm të raporteve bashkëpunuese.
Zëvendësministri Hoti është takuar edhe Genc Nimanbegun, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Malit të Zi dhe deputet në Parlamentin malazez.
Hoti dha mbështetjen e Ministrisë për të ofruar ndihmë në përmirësimin e jetës kulturore dhe zhvillimin e aktiviteteve kulturore të shqiptarëve të Malit të Zi.
Nimanbegun kërkoi nga zëvendësministri Hoti që Republika e Kosovës të ofrojë mbështetje shtetërore financiare dhe konkrete ndaj shqiptarëve në Mal të Zi duke marrë parasysh se gjendja e shqiptarëve në Mal të Zi është duke u tkurrë gjithnjë e më shumë në të gjitha drejtimet.
Gjithashtu, gjatë bisedës u iniciua ideja që shqiptarët në Malin e Zi të organizojnë një konferencë donatorësh gjithëkombëtare, prej ku do të mund të mbuloheshin nevojat emergjente që kanë shqiptarët në Matë zi, qofshin ato arsimore, shëndetësore, kulturore, ekonomike.
Gjatë vizitës në Mal të Zi zëvendësministri Hoti është shoqëruar edhe nga Lazar Raduloviç, kryetar i Partisë Malazeze të Kosovës.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, kosova, Mali i Zi, marreveshje kulture

MJAFT MË ME “TË SHTUNA KOMUNISTE” !

July 8, 2015 by dgreca

*KA ARDHUR KOHA PËR NJË LIGJ PËR MËSIMIN E GJUHËS SHQIPE NË MËRGATË, LIGJ QË T’I KONSIDEROJË MËSUESIT DHE FËMIJËT SI PJESË E PA NDARË E SHKOLLËS SHQIPE NË ATDHE…
/
*Firmosni peticionin, online në shange org dhe në formularë për të zgjuar Kuvendin e Shqipërisë nga gjumi letargjik i kujdesit për mërgimtarët shqiptarë, një e treta e popullsisë në regjistrin themeltar të tij./
*Kronika në vite për mësimin e gjuhës shqipe në Greqi…/
Nga Abdurahim Ashiku, Athine/
Po, po, mjaft më me “Të shtuna komuniste”!“Punë vullnetare”, “Punë pa pagesë” !
E dini se nga erdhën “Të shtunat komuniste”?Erdhën nga Lindja, i bekoi Lenini. Lindën kur Rusia e dalë nga Lufta e Parë Botërore, nga revolucioni bolshevik, jetonte ditët më të vështira në histori. 
E dini se si lindi “Puna vullnetare” në Shqipëri?
Lindi pas Luftës së Dytë Botërore. I bekoi Enveri. Lindi si nevojë e mbylljes së plagëve të luftës për të vazhduar në dekada e dekada, që nga ndërtimi i “Rrugës së Rinisë”, “Rrugës së Dritës”, hidrocentralit të Ulzës, hekurudhës Tiranë-Durrës, hekurudhës Rrogozhinë-Fier, Rrugës së Malësisë së Madhe, hekurudhës Milot-Rrëshen-Klos…Lindi për të mos u plakur…
Në Shqipëri është shuar, është harruar, oborrin e vet e lënë pa pastruar. Jeton, nuk ka vdekur, është transferuar në shkollimin shqip në emigracion
“Të shtunat komuniste” dhe “Punën vullnetare” i shoh, i jetoj, i shkruaj me germa të zeza për të treguar përveçmërinë e tyre sa herë ulem dhe shkruaj për shkollat apo më mirë me thënë për “Shkollimin shqip të fëmijëve të emigrantëve”. Madje për “Punën komuniste”, për “Punën vullnetare”, apo “Punën pa pagesë” kam shkruar aq shumë sa kam mbush jo vetëm faqe gazetash por edhe volume librash.
Nuk do të bëj autokritikë. Kam vepruar drejt dhe po qe se kthehem pas në vitin 1998 (kur u nisa kësaj rruge), dhe në vazhdim deri sot, përsëri me të njëjtën dëshirë dhe pasion do të shkruaja.
Sot kam vendos të distancohem nga vetvetja dhe tu kundërvihem të gjithë atyre që “Punën vullnetare”, “Punën pa pagesë” të mësuesve të MPGJSH-së (Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe) duan që ta mbajnë gjithnjë të re, të mos e plakin dhe ta vrasin e ta hedhin në “përroin e zi” të harresës. 
Është koha që mësuesit që u japin mësim fëmijëve të shqiptarëve anë e kënd Greqisë duhet të paguhen, një më një, për djersën dhe mundin që bëjnë .
Le të ndalemi në disa rrëfime, tregues të historisë së rritjes dhe përtëritjes shpirtërore të mësuesit…
Rrëfimi i parë: Letër e një grupi mësuesish emigrantë në Greqi drejtuar Presidentit dhe Kryeministrit të Shqipërisë.
Sot, më 7 mars 1998, këtu, në Athinë, në kuadrin e përvjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe, një grup arsimtarësh me përvojë të gjatë në arsim, njerëz të dashuruar pas profesionit të mësuesit, emigrantë me banim në Athinë, formuan GRUPIN NISMËTAR TË MËSUESVE për tu mësuar fëmijëve të shkruajnë e lexojnë në gjuhën e bukur shqipe, në gjuhën e nënës…
…Ne besojmë se Kryeministri dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, të cilët kanë qenë vetë pedagogë, do të ndihmojnë për këtë dhe do të përdorin autoritetin e tyre që fëmijët e emigrantëve të mësojnë gjuhën shqipe dhe të integrohen në jetën shqiptare si të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre.
Grupi nismëtar: Jovan Mëhilli, Evanthi Loli, Natasha Ashiku, Bukurie Kodra, Thanas Mica. 
Rrëfimi i dytë: Mimoza Dako, mësuese dhe organizatore e shkollimit shqip në emigracion:
“Ishte me të vërtetë një ditë e veçantë, një moment jo vetëm emocionues por edhe historik. Më 7 mars të vitit 2001, një ditë simbol, filloi mësimi i fëmijëve në gjuhën shqipe, falas. Përpjekja për të arritur deri atje ishte më e përparshme. Nëpërmjet njohjeve, ndihmës që na dhanë edhe sindikatat greke, nëpërmjet financimit që i bënin vatrës së emigrantëve në Selanik, menduam që do të ishte me vlerë që ky mjedis që na jepej, sikur na ra nga qielli kur i thonë fjalës, ta shfrytëzonim për tu dhënë mësim falas fëmijëve shqiptarë. Atëherë me të vërtetë ishte shumë e vështirë sepse ishte një gjë që një praktikë e tillë bëhej për herë të parë, jo vetëm nga ana e ambientit, d.m.th., të vetë vendasve, grekëve, por edhe tek shqiptarët. Nuk ishte dëgjuar deri atëherë një gjë e tillë megjithatë iu përgjigjen thirrjes që të përkrahet kjo iniciativë, të vinin mësues dhe dita e kurorëzimit ishte 7 marsi i vitit 2001…” (Durrës, korrik 2008)
Rrëfimi i tretë: Flutura Tafilaku, “Qendra Kulturore Porta”
“…Ishte rastësi ardhja e një çifti të vjetër amerikan, misioni i të cilëve është ndihma ndaj vendeve të treta, kanë qenë edhe në Shqipëri, madje kuptojnë dhe flasin mjaftueshëm edhe shqip. Më lidhi me ta gjuha angleze dhe të qenët shqiptare. Shprehën dëshirën për të bërë diçka për komunitetin shqiptar. E konkretizuam objektivin tek puna me fëmijët. U lirua shtëpia poshtë, shtëpi të cilën ata e morën me qira. Aty u hap Qendra Kulturore “Porta”. Filluam punën për mbledhjen e fëmijëve, për sigurimin e bazës materiale… dhe nisa mësimin.
…Puna është e papaguar. Shpresoj që një ditë shteti shqiptar do të reflektojë që të mos jemi emigrantë sot këtu e nesër në atdhe. Duhet bërë një farë pagese, qoftë edhe me pagesën që marrin mësuesit në Shqipëri…” (Athinë, 2008)
Rrëfimi i katërt: Marinela Duri, mësuese në Korith:
“Gjeta një libër për mësimin e gjuhës shqipe fëmijëve në familje. Ua shpërndava prindërve. Diçka bëra, diçka shumë pak sepse fatkeqësisht shqiptarët preferojnë, madje do ta them drejtpërsëdrejti siç ma thanë disa.
- Dakord jemi. Të dalim bashkë sot, tu qerasim, të paguajë 50 euro, të hamë mish e të pimë verë, por mos na përziej me këto gjëra.” ( Durrës, korrik 2008)
Rrëfimi i pestë: Shkolla Shqiptare Athinës…
E premte, 8 dhjetor 2006. Mbrëmje. Ora shtatëmbëdhjetë. Për ju, për ne, është një ditë e zakonshme, një mbrëmje dhe një orë e zakonshme. Për Ata është një ditë e shënuar, një orë e madhe e jetës. Që në këtë çast për ta, rreth asaj tavoline të harkuar do të hapet një botë tjetër, një dritare e madhe nga ku shihet me zë dhe me shpirt Atdheu, Shqipëria. Disa prej tyre ishin foshnja kur legalisht apo ilegalisht, me autobus, aeroplan apo maleve në dëborë e suferinë shkelën dhe bënë fole në një tokë tjetër, në një vend tjetër. Fjalët e para të gjuhës shqipe dikush prej tyre i dëgjoi ATJE, fjalë që më vonë do të përziheshin e zbeheshin përballë një gjuhe tjetër që flitej në rrugë e më vonë në shkollë. Disa lindën këtu. Më parë se të mësojnë gjuhën e nënës mësuan tjetër gjuhë. E mësuan ta flasin, ta shkruajnë, ta lexojnë…
…Këto, që sot, 8 dhjetor 2006, ora 17 e mbrëmjes do t’i takojnë të kaluarës. Ose më mirë të themi do të bashkëjetojnë me të kaluarën duke u vënë në garë për t’ia kaluar asaj.
Ky çast jete u shënua në katin e 8-të të një godine të rrugën Triti Semptemvriu ( 3 shtatori ) 18, në një sallë të vogël, mjedis i Shkollës Shqiptare të ATHINËS.
Për penelata në reportazhin për krijimin e kësaj tabloje të jetës në emigracion zgjodha bisedën me mësuesen, me gjyshërit, me prindërit e nxënësve të parë të kësaj shkolle. Po i përcjell ashtu siç i fiksova në diktofon, pa redaktuar, me ndonjë ndërhyrje të vogël prezantuese. Kam lënë jashtë reportazhit nismëtarin, drejtuesin e Shkollës Shqiptare të Athinës Lorenc Koka. Një ditë tjetër, kur të çlirohet nga emocionet, kur të marrë rrugë shkolla e lulet e para të çelin, do të kthehem e do të mbledh e bëj tufë “lulet” e kësaj shkolle…(Athinë, dhjetor 2008)
Rrëfim i gjashtë: 
Lidhet me një telefonatë e një bisedë me Lorenc Kokën, “nga një zonjë plot kulturë e edukatë dhe me arsim të lartë” e cila ka “dy fëmijë dhe dëshiron t’i regjistrojë për të mësuar shqip” tek Shkolla Shqiptare e Athinës. Zonja informohet se “mësimet e gjuhës shqipe zhvillohen vullnetarisht ditët e shtuna dhe të diela. Ndërsa ditët e tjera janë për mësimet e kompjuterit dhe të anglishtes” Zonja, “plot mirësjellje sqaron se është e interesuar vetëm për mësimin falas të gjuhës shqipe, ndërsa për mësimet e tjera i ka regjistruar fëmijët te një shkollë private greke” . (Athinë, mars 2012)
Rrëfimi i shtatë: Mësuesja Lori Ibrahimi thotë: 
“Unë jam një prej mësueseve vullnetare dhe kam klasën e dytë të gjuhës shqipe. Nxënësit e mi janë me te rriturit e kësaj shkolle dhe pak a shumë i kuptojnë me mirë situatat. Të dielën e shkuar shpërndava disa fletushka në të cilat shkruhej se si funksionon shkolla jonë. Unë jua lexova edhe fëmijëve që meqenëse janë të një moshe që deri diku i kuptojnë disa gjëra pyetja e parë që më bënë ishte në se unë merrja ose jo para për punën që bëj. Kur u thash JO u erdhi çudi që ne mësueset e gjuhës shqipe në shkollën shqiptare nuk paguhemi fare.
 Disa prej tyre më pyeten: Po çfarë fiton ti nga kjo që bën?
Edhe shumë të tjerë miq dhe të afërm ma kane bërë këtë pyetje. 
Që jam mësuese tek kjo shkollë është nder për mua. Çdo te diele kur shkoj në shkollë e ndjej veten që jam mësuese dhe jo shitëse në ëmbëltoren e Elenit. Çdo të diele kur shkoj në shkollë më duket sikur jam në një copëz të Shqipërisë. 
Por vetëm kjo nuk mjafton. Shkolla ka nevoje për shumë gjera të tjera. Në qoftë se të gjithë shqiptarët, prindërit dhe mësuesit do ta ndihmojnë shkollën shqipe do ti japim mundësi asaj të vazhdojë rrugën e bukur që ka nisur. (Athinë, mars 2012) 
Rrëfimi i tetë: Greta Aliaj, mësuese e Gjuhës Shqipe në Itali pasi më thotë që e zhvillon mësimin në mënyrë vullnetare, pa pagesë vazhdon:
Nuk mund të vazhdoj më gjatë. Së fundi kam një përvojë shumë të bukur me një vajzë që sapo kishte ardhur nga Shqipëria, nga një fshat i Shkodrës. Ishte një projekt i një organizate sindikaliste dhe më ftuan që të shkoja që të ndihmoja këtë vajzë për të mësuar gjuhën. Shkoj dhe e gjej këtë vajzë pa vështrim dhe pa të folur. Ishte futur në një botë që edhe ajo nuk e dinte se ku ishte. Punova me të me pagesë. Kam punuar shumë mirë. Dhe aty kuptova se ka ardhur momenti që unë duhet të paguhem për atë që bëj, sepse do të punoja më mirë. Punova shumë me atë fëmijë sepse për të bërë këtë punë nuk është e domosdoshme që të jesh mësues i mrekullueshëm i gjuhës por duhet të jesh shumë psikolog. Ky fëmijë është në duart e tua…” (Durrës 2007)
Rrëfimi i nëntë: I një mësuesi në fshat, Eqerem Elezit, shpallur “Mësues Model 2010-2011” nga revista “Mësuesi”… 
Gjithmonë e kam pas dëshirë të arrij këtë ditë. Gjithmonë e kam pas brenda vetes. Profesioni i mësuesit më ka pëlqyer shumë. Të them të drejtën kur u larguam ato vite, flasim për vitin 1997 u ndjeva ngushtë, ishte një punë që nuk e çuam në fund, një punë që e lamë përgjysmë. Që të jem i sinqertë, mbase kjo është ajo forca shtytëse më e madhe që më detyron, që më bren se kam lënë diçka pa bërë nga ajo që mundja të bëja.
Nuk flasim vetëm për ëndrra. Flasim këtu se kemi detyrime. Është ëndërr, por kemi edhe detyrime. Kemi detyrime ndaj Atdheut, në qoftë se do të themi këtë fjalë që sa vjen e nuk po dëgjohet më. Kemi detyrime ndaj atij mjedisi që na përgatiti ne për mësues, që të luanim një rol që duhet të luanim, por siç e thashë e lamë në gjysmë.
Shtoj edhe ndaj kërkesës që njeriu ka ndaj vetes. Ajo bile duhet të jetë kërkesa më e lartë: Çfarë kërkesash ke ti ndaj vetes? Këtë e bëj për të shlyer diçka që e kam lënë në gjysmë dhe në rast se do t’ia arrij qëllimit, siç duhet të them sinqerisht, do të ndjehem i lumtur. 
Është një ëndërr për mua sikur këta të arrijnë të lexojnë dhe të shkruajnë në atë shkallë që dua unë. Kuptohet me një cilësi të mirë… (Saranti, Thiva, maj 2009)
Rrëfimi i dhjetë: Stela Protonotarjo, drejtoreshë e shkollës së Gravës, Athinë, e akuzuar së bashku me mësuesen e gjuhës shqipe Denada Karkalla pse hapi një klasë në gjuhën shqipe në mjediset e shkollës së saj, shpallur e pafajshme nga gjykata e Athinës më 22 janar 2010 …
“Duam që nisma jonë të mos qëndrojë këtu por të shkojë edhe në shkollat e tjera në Athinë dhe në të gjithë Greqinë. Kështu do të rritet kultura dhe bashkëpunimi me vendet e tjera nga vijnë të rriturit dhe fëmijët. Fëmijët duhet të vazhdojnë mësimet, të shkruajnë e lexojnë në gjuhën e nënës së tyre. Mendoj se është shumë e rëndësishme që të mësohet gjuha e nënës dhe të ndihmojnë veten e tyre edhe në zhvillimin e dijes dhe të kulturës” Athinë, Grava, 8 prill 2003 
Rrëfimi i njëmbëdhjetë… Dashamir Zaçe, mësues në ditën e parë në Selanik në paraqitjen e librit “Shkolla shqipe e Selanikut”, 11 maj 2014…
…Në librin “Shkolla shqipe e Selanikut” jepet historiku dhe përpjekjet e një grupi mësuesish të Selanikut dhe rrethinave të tij për mësimin plotësues të gjuhës shqipe që hodhi hapin e parë më 7 mars 2001.
 Si lindi mendimi dhe si u realizua kjo dëshirë që në themel kishte dashurinë për gjuhën, dheun e mëmës, këtë e tregon Mimoza Dako e cila i ka përjetuar emocionet e dilemës “Do fillojë apo jo kjo punë?” në luftë me realitetin i cili nuk ishte shumë mikpritës, në luftë me veten “A do të jemi në gjendje të gjejmë mësues?”, “Po nxënësit a do të vijnë?”… 
 Këto dilema morën fund më 7 mars 2001 kur salla ku u mblodhëm ishte plot me mësues, fëmijë dhe me prindër. 
 Hapi i parë ishte i suksesshëm. Që këtej do të nisë rruga që filloi në Selanik, për të vazhduar në tërë Greqinë.
 Emocione, gëzime dhe pika loti…
 Një 7 mars në shekuj të ndryshëm e në vite të ndryshme, një ripërtëritje në kohë. 
 Një kohë kur Shqipëria po rilindte nga skllavëria otomane, në kohë kur diktatura e egër ra dhe shqiptarët e shpërndarë nëpër botë, kushtoi thirrja: 
 “Të ruajmë fëmijët nga asimilimi! Të ruajmë identitetin e fëmijëve tanë!”
 Abdurahimi na ka quajtur Rilindës çudi!
 Po ku qëndron çudia?
 Së pari: Në sakrificën që bënë mësuesit e Selanikut që morën përsipër një detyrë të vështirë në një mjedis jo shumë miqësor.
 Së dyti: Morën përsipër që mësimin ta bëjnë si vullnetarë nën shembullin e gruas së madhe Nënë Tereza.
 Së treti: Të realizojnë orët mësimore vetëm me tri libra duke fotokopjuar temat e mësimit
 Së katërti: U punua në gjysmë ilegalitet, gjithmonë me shqetësimin “A po më vjen policia?”
 Së pesti: Librat nuk i sillnin nga Alemania si Dhaskal Todri por nga Përmeti, Korça e Tirana të mbledhura nga mësuesit pasi mbaronin vitin shkollor në Shqipëri dhe i fusnin në Greqi si literaturë artistike.
 Së gjashti: Shteti, si sulltanati nuk na përkrahu fare, bile ministri i jashtëm kur vajtëm t’i qanim hallet na deklaroi: “Vetë keni vajtur në mërgim, vetë zgjidhini hallet tuaja”, a thua se hallet tona nuk ishin halle të një të tretës së Shqipërisë në mërgim…
 Së shtati: Kemi një ndryshim të vogël nga rilindësit. Asnjeri nga ne nuk u helmua dhe nuk u persekutuar…
Rrëfimi i dymbëdhjetë: Vera Shkurti në filmin dokumentar “Vera, mësuese në dy ishuj”…
…Ishte një gjë shumë e bukur për mua ta realizoja në kushtet e mërgimit pasi së bashku me realizimin e mësimit të gjuhës shqipe do lidhja edhe diçka tjetër, atë që atyre u mungonte, lidhjen me rrënjët e tyre, me vendin, prindërit gjyshërit, stërgjyshërit, pse jo edhe popullin, historinë e vendit të tij, sepse ashtu dalëngadalë duke njohur veten në kuptimin e plotë ai do të jetë edhe më krenar për atë që është shqiptar.
…Unë sot u mësoj fëmijëve shqiptarë në dy ishuj të Greqisë, në Tinos dhe Siros gjuhën shqipe. Ata gjuhën e dinë sepse vijnë nga brezi i parë i emigrantëve. Por në qoftë se mendojmë dhe shkojmë përpara me imagjinatën pas njëqind vjetëve çfarë do të ndodhë? Në qoftë se ky brez i dytë shkëputet nga brezi i parë, nuk e trashëgon gjuhën në atë nivel, në atë cilësi, brezi tjetër akoma më pak, tjetri akoma më pak. Atëherë do ndodhë ajo që dalëngadalë gjuha do të humbasë…



* * *
Mësuesit shqiptarë në hapësirën gjeografike greke, përbëjnë një pasuri të pallogaritshme kombëtare, ata janë me të vërtetë “RILINDËS TË KOHËS SONË” siç i ka vlerësuar Dritëro Agolli i madh i letrave shqipe në një bisedë me të, për Ta. Citimet e marra drejtpërdrejt nga ana ime në kohë e hapësirë, citime të botuara në librat “Rilindësit e kohës sonë”, “Shkolla shqipe e Selanikut” dhe “Shkolla shqiptare e Athinës- Rilindësit e kohës sonë 2” përbëjnë një shembull të mrekullueshëm të punës dhe i përkushtimit të tyre.
Kaq mjafton. Ata prej 14 vjetësh po e bëjnë punën e tyre, madje po e bëjnë me një durim dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Po japin mësim falas, po bëhen në një far mënyre qesharakë në kushtet e mendimit dhe jetesës në kornizën e rendit kapitalist. Askush në Greqi nuk punon falas. Askush në Greqi nuk i çon fëmijët në frontistirjo pa pagesë. Atëherë pse ajo Zonja, “Është e interesuar vetëm për mësimin falas të gjuhës shqipe, ndërsa për mësimet e tjera i ka regjistruar fëmijët te një shkollë private greke” ? (Rrëfimi i pestë). Ajo paska para për tu mësuar fëmijëve të saj anglisht, frëngjisht, informatikë…por për tu mësuar atyre gjuhën e vet dhe të nënës së vet e kërkon “falas gjuhën shqipe”?.
Nuk do të vazhdoj më gjatë, kush ka veshë- dëgjon, kush ka sy-shikon, kush ka mendje- mendon. 
Shteti shqiptar ka falimentuar, nuk jep asnjë qindarkë për mësuesit e gjuhës shqipe në Greqi e gjetkë. Është deklaruar kjo dhjetëra herë. E vetmja gjë që jep duke bërë bujë janë abetaret dhe ndonjë libër me përmbajtje të dyshimtë. Lanet qofshin edhe ato. 
Në qoftë se një prind nuk ka të paguaj 309 lekë (2,2 euro) për një abetare atëherë haram e pastë të qenët shqiptar .
Në qoftë e një prind nuk jep pesë euro në javë për shkollimin e fëmijës së tij në gjuhën e vet dhe të nënës së tij atëherë …
Në qoftë se shkollat shqipe në Greqi do të vazhdojnë të mbahen me “Të shtuna komuniste” me “ Me punë vullnetare”, “Me punë pa pagesë” atëherë ato meritojnë të mbyllen. 
Shoqëria shqiptare në Greqi, partitë politike, shoqatat e shoqëritë e emigrantëve do të jenë përgjegjëse për shuarjen e gjuhës shqipe në radhët e brezit të ri të emigrantëve në Greqi, në kthimin e tyre në një “diasporë klasike” siç deklaroi një diplomat i lartë.
MJAFT MË ME “TË SHTUNA KOMUNISTE” ! MJAFTË MË “PUNË VULNNETARE” !
KA ARDHUR KOHA PËR NJË LIGJ PËR MËSIMIN E GJUHËS SHQIPE NË MËRGATË, LIGJ QË T’I KONSIDEROJË MËSUESIT DHE FËMIJËT NË MËRGATË SI PJESË E PA NDARË E SHKOLLËS SHQIPE NË ATDHE…



Athinë, 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Abdurrahim Ashiku, Shkollat shqipe, Te shtunat komuniste

Kosovë, në pritje të riprocedimit të amendamentit për Specialen

July 8, 2015 by dgreca

-Sot mblidhet qeveria, nesër Kuvendi/
Nga Behlul Jashari/PRISHTINË, 8 Korrik 2015-Qeveria e Kosovës mblidhet sot pasdite, ndërsa nesër Kuvendi në seancë plenare. Shtypi i sotëm në Prishtinë shkruan se, Kuvendi i Kosovës është duke pritur nga qeveria t’ia riprocedojë për votim amendamentin kushtetues që ka të bëjë me Gjykatën Speciale, e i cili dy javë më parë nuk pati marrë mbështetjen e nevojshme nga deputetët. Procedura që do të ndiqet kërkon që amendamenti të marrë edhe një herë dritën jeshile nga Gjykata Kushtetuese.
Tentativa e sërishme për ta kaluar amendamentin do të bëhet pas presionit ndërkombëtar dhe kërcënimit se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do ta themelojë një tribunal ndërkombëtar për Kosovën, në rast se Prishtina zyrtare nuk e krijon Specialen, shkruan sot “Koha Ditore” me titullin “Nuk do t’i preket përmbajtja amendamentit për Specialen”.
Opozita e ka konsideruar të jashtëligjshëm çfarëdo riprocedimi të mundshëm të amendamentit. Por juristët kanë thënë të mos ketë pengesë për përcjelljen e sërishme të tij, në rast se ndiqen të gjitha procedurat kushtetuese.
Juristi Dren Doli ka thënë të martën se pas votës së Kuvendit procedimi i sërishëm i amendamenteve kushtetuese konsiderohet propozim i ri dhe i cili duhet të ndjekë të gjitha fazat procedurale, duke përfshirë ato në qeveri, në Kuvend dhe në Gjykatën Kushtetuese.
“Mos i vini interesat personale para të Kosovës”, është keyetitull sot në gazetën “Zëri” intervista me ambasadoren e SHBA-së në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, ku theksohet se “dështimi i miratimit të Speciales në Kuvendin e Kosovës, lejon që interesat e disa individëve që do të mundë të akuzoheshin, të vihen para interesave të vendit”.
“Kundërshtarët e Gjykatës Speciale kanë arsye të ndryshme; disa dyshojnë për vete, të tjerët kanë miq që ua merr mendja se mund të akuzohen, ka edhe prej atyre nga opozita të cilët, jo se kanë diçka kundër Speciales, por e bëjnë për të fituar poenë politikë kundër qeverisjes aktuale”, ka thënë ambasadorja e cituar nga gazeta.
Sipas saj, dështimi i miratimit të Speciales dhe lënia e mundësisë që kjo çështje të shkojë në OKB ku do të politizohej, e do të përdoret nga vendet që nuk e njohin Kosovën, për ta denigruar atë, bën që interesat e disa individëve që do të mundë të akuzoheshin, të vihen para interesave të vendit. “Kjo me të vërtetë është për të ardhur keq”, ka thënë Jacobson.
Në 26 qershor, Kuvendi i Kosovës me 75 vota pro, 7 kundër, 2 abstenime nuk e miratoi propozim-amendamentin nr. 24 në Kushtetutën e Republikës për krijimin e Gjykatës Speciale. Votat kundër dhe abstenim ishin nga pozita – PDK, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim. Për miratim mungonin 5 vota, duheshin së paku 80 vota të Kuvendit 120 anëtarësh, përfshirë këtu edhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve pakicë.
Në 27 qershor, në një mbledhje konsultative të qeverisë lidhur me hapat që do të ndërmerren për përmbushjen e obligimeve të institucioneve të Kosovës ndaj marrëveshjes ndërkombëtare që ka të bëjë me themelimin e Gjykatës Speciale, e ratifikuar me ligj të veçantë në Kuvendin e Kosovës vitin e kaluar, kryeministri kosovar Isa Mustafa paralajmëroi riprocedim dhe për këtë bashkërendësim e bisedime edhe me tre partitë opozitare që nuk i votuan në Kuvend ndryshimet kushtetuese.
“Ne mendojmë se në ditët në vijim qeveria e Republikës së Kosovës të bashkërendis aktivitetet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me grupet parlamentare, në mënyrë që të punojmë të gjithë së bashku, që në ditët në vijim të riprocedohet lënda e ndryshimeve kushtetuese, përkatësisht amendamenteve kushtetuese në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe poashtu të zhvillojmë edhe takime dhe biseda edhe me faktorin ndërkombëtar, i cili është këtu në Kosovë dhe të bashkërendisim me ta të gjitha këto punë”, theksonte në mbledhje kryeministri Mustafa.
Në mbledhje u theksua se, qeveria dhe insititucionet tjera të Republikës së Kosovës angazhohen që në asnjë rrethanë të mos krijohet hapësirë për oponentët e pavarësisë që çështja e Gjykatës Speciale të kalojë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Por, në 30 qershor tre partitë opozitare kosovare së bashku deklaruan se, “vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për refuzimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale, i datës, 26 qershor 2015 është përfundimtar dhe i pakthyeshëm”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës duhet t’i nënshtrohet këtij vendimi”, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.
Ndërsa, në lidhje me raportet e publikuara dje pasdite në mediat e Kosovës për themelimin e Dhomave të Specializuara, Misioni EULEX sqaronte atë që e ka thënë Shefi i Misionit në përgjigjen ndaj pyetjes së gazetarit nëse Misioni EULEX është i gatshëm që t’i mbështesë Dhomat e Specializuara.
“Shefi i Misionit Meucci ka rikujtuar se, nëse Kuvendi i Kosovës i miraton ndryshimet kushtetuese, Dhomat e Specializuara dhe Task Forca Hetimore Speciale (TFHS) do të bëhen pjesë e institucioneve të Kosovës. Nëse Kuvendi nuk i miraton ndryshimet kushtuese, atëherë struktura aktuale mbetet në kuadër të kornizës ligjore të EULEX-it, siç është tani. Pra çështja është nëse Kosova është e gatshme që t’i mbështesë Dhomat e Specializuara, e jo EULEX-i. Dihet mirëfilli se mandati aktual i EULEX-it përfundon në qershor 2016”, thuhej në deklaratën e EULEX-it lidhur me themelimin e Dhomave të Specializuara.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, GJYKATA SPECIALE, Kosove, Kuvendi, qeveria

Analiza e munguar e PD-së

July 8, 2015 by dgreca

Nga Gëzim Zilja/
Lidershipi e PD-së foli në mbledhjen e grupit parlamentar duke bër një analizë të shkurtër të rezultatit të zgjedhjeve lokale të 21 qershorit. Vështirë të kuptoje në thelb gjithçka që ai tha por u premtua se do të bëhej një analizë e hollësishme zë për zë aty nga vjeshta e parë, nga degët te gjethet, e le të shpresojmë deri te rrënjët. Në sallën e mbledhjeve ndërsa kryetari fliste, të pranishmit aspak entuziastë, shikonin sa në tavan, sa në celular e sa majtas-djathtas. Pyetja që shtrohet është: Si është e mundur që pas një humbje të tillë të bujshme gjithë ata deputetë nuk kishin asgjë për të thënë? Duket e pabesueshme por ja që ndodhi. Më tej po dihet. Skifterët e PD-së (pa sqep e kthetra) nga mbledhja do të shkojnë në bazë e do të kërkojnë llogari strukturave në qytet e fshat që pse humbët. Do të hiqet pa u pyetur ndonjë apo dy gjynafqarë që dergjen kutive të votimit qofshin dhe Kryetarë PD-je dhe do të zëvëndësohet me dy a tre të tjerë besnikë partie apo të njohur të deleguarit. Kështu u veprua pas zgjedhjeve të vitit 2013. Bëhen shpejt e shpejt ndonjë palë zgjedhje por gjithmonë ai që zgjidhet domosdo do të jetë i caktuar ose favorizuar nga i deleguari, pavarësisht se ai vet mund të jetë një dështak dhe humbës. Me kaq do të mbyllet historia sërish, kupola do të jetë e paprekur, ata që humbën në 2013 e 2015 do të kandidojnë sërish në 2017, për fitoren kundër ’’ klikës, bandave dhe oligarkëve në pushtet’’.
Nuk duan të kuptojnë se kemi 25 vjet demokraci, se njerëzit janë tejet të zhgënjyer me politikën në përgjithësi dhe demokratët me partinë e tyre. Mekanizmi që funksionon në PD, ashtu si dhe në partitë e tjera është shumë i thjeshtë. Sot komandoj unë me njerëzit e mi, nesër vjen rradha jote e do të komandosh ti me njerëzit e tu. Duket si një lojë e zakonshme ku partitë nuk ndeshen për shndërrime thelbësore për të cilat shoqëria shqiptare ka nevojë. Përndryshe çfarë të reje mund të sjellin një sërë ish ministrash e drejtuesish të lartë të PD? Është e qartë për ata që kanë mend më shumë se një peshk, se të paktën 50% e tyre, janë dështakë dhe servila. Nëse ata do të drejtojnë analizat në rrethe, teoria e tyre është ajo e gënjeshtrës dhe e mosmbajtjes së përgjegjësisë, sepse ata nuk dinë të bëjnë dot ndryshe. Nuk janë të besueshëm, nuk janë të qartë, nuk janë vizionarë dhe sigurisht nuk janë të sinqertë. Nuk bëhet analiza e humbjes duke sharë non stop 24 orë, për 24 orë maxhorancën me fjalët banda, armiq, kriminelë, hajdutë, oligarkë etj, etj. Opozita duhet të heq dorë nga fjalori banal i trashëguar deri tani, duke e konsideruar kundërshtarin politik armik e bandit e duke sharë me nënë e babë. Unë nuk besoj se gjithë drejtuesit e PS-së janë të tillë aq më shumë antarët e thjeshtë. Vend për kritika ka plot, por përdorimi vend e pa vend i sloganeve që përmenda më lart e që janë mbetje të ideologjisë komuniste vetëm shtojnë urrejtjen dhe hendekun e ndarjes midis shqiptarëve. Kjo kategori bashkë me përkrahësit e tyre presin të marrin pushtetin, duke sharë me gjithsej ata që janë në pushtet pa dhënë alternativë me njerëz e projekte për shndërrimin themelor që ka nevojë gjithë sistemi i organizimit të shoqërisë shqiptare. Ata thjesht presin rradhën të marrin pushtetin si rezultat i gabimeve të kundërshtarit. Për shembull: Sulmi i tyre ndaj LSI-së është i çuditshëm dhe jo i besueshëm. Është po ajo LSI, me po ata drejtues, me ato pikëpamje, me ato taktika e strategji të rekrutimit të njerëzve e drejtimit të ministrive, që qeverisi ‘’për bukuri’’ katër vje bashkë me demokratët. Po atëherë a nuk ishin banditë e kusarë ata? Këta lloj intelektualësh që gjenden me shumicë në të gjitha partitë mund të mbrojnë çdo parim, çdo teori, mjaft që të shërbejnë dhe të mbeten në politikë. Madje janë të gatshëm të ndryshojnë dhe rregullat e formulat matematike me lloj lloj sofizmash. Në se forca që ndryshon botën është DYSHIMI, kjo lloj specie (majtas dhe djathtas) vazhdon të gjej, e shpik argumente, duke humbur sensin kritik ndaj vetes, duke u bërë një b….lëpirës i lidershipit dhe i partisë, duke mos thënë asnjëherë të vërtetën. Tundimi për të mos thënë të vërtetën është përqafuar nga një aradhë analistësh e filozofësh partiakë që lëvrijnë penën në letër për para e favore. Tundimi për të mos thënë atë që mendojnë porse atë çka duket se drejtueve u pëlqen ( në të dy krahët) është buka e përditëshme e këtyre intelektualëve, megjithëse ka një hendek të madh midis asaj që ata thonë në publik e asaj që mendojnë realisht. Kjo është drama e të gjithë atyre intetektualëve politikanë e deputetë, që ndodheshin në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së.
Fjala analizë në PD është një term që i ka humbur kuptimi që kurse kjo parti u krijua. Në PD është bërë luftë klanesh, bërrylash, mashtrimesh me këdo që ka guxuar të konkurojë jo vetëm me lidershipin por edhe pa dijeninë e tij. Këtë e dinë mirë ata që kanë guxuar. Edhe në vitin 1997, kur ndodhi gjëma, PD-ja nuk bëri analizë e të mbante përgjegjësitë e veta, megjithëse u dogj e u shkretua Shqipëria. Edhe ca zëra që mendonin ndryshe për atë që ndodhi, u anatemuan e u quajtën karrigethyer, kollonë e pestë dhe spiunë. Fitorja e vitit 2005, erdhi më shumë si rezultat i zullumeve, hajdutërive e babëzive, të qeverisë së socialistëve sesa i besimit që kishte populli te PD-ja. Humbëm në 2013 dhe në demokraci pas tetë vitesh qeverisjeje, kjo është e zakonshme. Sigurisht u thanë shumë gjëra si po thuhen edhe sot po analizë nuk u bë. Me sa duket e njëjta taktikë do të përdoret edhe për 23 qershorin. Dhe këtu nuk është fjala për të kryqëzuar X-in apo Y-in. Analizat bëhen duke u mbështetut në statutin e partisë, me platforma të studiuara, me grupe pune, me njerëz të ditur e vizionarë, jo me delenxhinj e servila dhe jo ditë të premte për të shtunë. Lidershipit të ri që të bëje një analizë të vërtetë për ringritjen e PD-së ashtu si tha e premtoi në atë mbledhje i duhet të lëvizë malet, se eksperienca e këtyre 24 viteve është ajo e diktatit, dhe e mospranimit të gabimeve dhe fajeve. A do ta bëjë dot këtë kryetari i PD-së? Të presim e të shohim…

Filed Under: Analiza Tagged With: Analiza e munguar, e PD-së., Gezim Zilja

Mentor Çoku nderohet me Titullin “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut”

July 8, 2015 by dgreca

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani akordoi më datë 22.06.2015, dekretin nr.9142 që Mentor Çokut (1914-1996) (pas vdekjes) i ndahet Titulli “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për veprimtarinë e tij të shquar atdhetare, si dhe për ndihmesën e çmuar e të pamohueshme dhënë gjatë gjithë jetës për triumfin e demokracisë mbi diktaturën komuniste në Shqipëri.”
Ditë më përpara, në ambientet e Presidencës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dorëzoi dekoratën “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut” të bijës së tij Valbona Miraka-Çoku, në prani të zyrtarëve të Presidencës, dhe familjarëve të tjerë, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i komunës së Strugës, Dr. Ziadin Sela.
Titulli “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut” u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja për akte të veçanta heroike në mbrojtjen, forcimin dhe përparimin e Republikës së Shqipërisë.

Një biografi e shkurtër e Mentor Çokut

Një nga personalitetet më të shquara të Fushëgropës së Ohrit në veçanti dhe të gjithë Shqipërisë Etnike në përgjithësi gjatë shekullit XX, intelektual i madh, patriot i flaktë, veprimtar i palodhur, luftëtarë i paepur për çështjen kombëtare, armik i përbetuar i hordhive sllave dhe i gjakatarëve komunistë shqiptar, pra personalitet i cili tërë jetën e tij i’a kushtoi luftës për liri, të drejta kombëtare dhe bashkim kombëtar të popullit shqiptar.
Si familje me tradita kombëtare, besë e ndershmëri, familja Çoku, pasurinë e vë në dispozicion të çështjes shqiptare, duke fituar respektin dhe simpatinë e bashkëkohësve dhe duke u shquar për burrat trima, të mençur e të drejtë.
Nga dera e familjes Çoku ka dalë edhe Hamdi bej Ohri, babai i Mentorit, i cili një jetë të tërë e shkriju për pavarësinë e Shqipërisë dhe hapjen e shkollave shqipe, prandaj u ndoq, u burgos dhe tre herë u dënua me vdekje nga Porta e Lartë. Ai mori pjesë edhe në aktin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe mbylli sytë pa parë të bashkuar Ohrin (vendlindjen e tij) dhe trevat e tjera Lindore dhe verilindore me Shqipërinë londineze.
Mentor Çoku lindi në 03 prill të vitit 1914 në qytetin e Elbasanit. U rritë dhe u edukua në një familje me taban kombëtar, e cila njihej në trevat e Dibrës, Ohrit e Strugës, për burrat me nam që i fali kombit, pra familja Çoku.
Mësimet e para, Mentori i mori në qytetin e lindjes Elbasan e më pas në Ohër e Tiranë. Shkollën e mesme e filloi në Beograd e më pas e përfundon në qytetin e Shkodrës, pasi veprimtaria e tij atdhetare ra ndesh me politikën anti shqiptare që qarqet shoviniste serbe zbatonin mbi shqiptarët në Kosovë e Maqedoninë Perëndimore.
Qëndrimet e tij burrërore, Mentori i pasqyronte në shtypin e kohës. Ai punoi si gazetar në shumë gazeta shqiptare që dilnin jashtë Shqipërisë si në Danimarkë, Suedi, Norvegji etj.
Si shumë intelektual shqiptarë, ashtu edhe Mentori, pushtimin e Shqipërisë nga Italia në 7 prill 1939 e priti me indinjatë të thellë edhe pse pushteti italian studentëve shqiptarë që kishin studiuar në Itali u kishte ofruar benificione dhe ofiqe të shumta shtetërore.
Në vitet 1941-1942 merret me riorganizimin e tokave të çliruara nga Mbretëria e Jugosllavisë. Prefektura e Dibrës e zgjedh deputet në kuvendin shqiptar, ku vazhdoi veprimtarinë e tij politike dhe atdhetare. Gjatë vitit 1943 doli hapur kundër regjimit fashistë me deklaratat e tij në parlamentin shqiptar, prandaj edhe doli urdhri për arrestimin e tij. I ndodhur në këto kushte, Mentori u detyrua të kalojë në ilegalitet.
Mori pjesë aktive në Lidhjen e dytë të Prizrenit, duke u angazhuar në dy fronte. Së pari zgjidhet përfaqësues i Strugës dhe Ohrit në parlamentin shqiptar gjatë vitit 1943-44; dhe së dyti gjatë qeshor-tetorit 1944 Mentori së bashku me nacionalistë të tjerë nga Struga e Ohri organizon formacionet luftarake për t’iu kundërvënë çetave çetnike serbo-sllave, të cilët të mveshura me ideologjinë komuniste ishin vërsulur sërish tokave shqiptare për ti pushtuar.
Gjatë luftimeve Mentori plagoset dy herë. Më tej, kur aradhat partizane shqiptare, të drejtuara nga Hoxhët e Mugoshët, u lëshuan si lukuni ujqish në trevat e Maqedonisë shqiptare, Mentor Çoku mendoi se rezistenca do të ishte tejet e vështirë dhe mund të sillte rrjedhoja fatkeqe për shqiptarët. Parashikimi i tij u realizua, vite më pas. Është kjo arsyeja që Mentori shkon në Shqipëri dhe në nëntorin e vitit 1944, së bashku me Mit’hat Frashërin, Hasan Dostin, Bato Rexhibin, Faik Qukun, Vasil Andonin e dhjetëra nacionalistë të tjerë të shquar, merr rrugën e mërgimit.
Me vehte mori bashkëshorten, Zihnien, kurse vajzën e tyre Valbonën, e cila ishte vetëm disa muajshe e lanë në Shqipëri tek dajallarët e saj.
Me tu vendosur në Itali, vazhdon studimet dhe njëkohësisht punon për gazetën italiane “Corriere della Sera” dhe si korrespondent i jashtëm i shtypit turk në Itali. Gjatë vititi 1947, Mentor Çoku themelon “Unionin Islamik në Perëndim”, president i së cilës ishte deri sa vdiq.
Viti 1991 për Mentor Çokun ishte viti i realizimit të ëndrrës së madhe për tu rikthyer në Shqipëri, për të parë vajzën pas rrethë gjysmë shekulli, për të parë shqiptarët të lirë e të çliruar nga kthetrat e komunizmit.
Profesor Mentor Çoku duke shfrytëzuar lidhjet e tij të krijuara ndër vite, mundësoi anëtarësimin e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Shqipërisë në Internacionalen e Minatorëve të Evropës më 22 prill 1991; mundësoj vendosjen e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve fetare islame në Shqipëri dhe atyre në botën arabe, me të cilët kishte raporte të mira. Gjatë korrikut të vitit 1993 Mentori viziton edhe Strugën dhe Ohrin duke shkrirë mallin e akumuluar ndër vite.
Mentori në kohën e pluralizmit politik nuk u bë pjesë e asnjë subjekti politik, por i qëndroi besnik thënies së tij që vazhdimisht e ripërsëriste “Partia ime është Lidhja e Prizrenit”.
Bashkimi i Shoqatave Shqiptare në Itali organizoi në Romë në datë 23 mars 1996, një manifestim paqësor në mbështetje të kërkesave të drejta të popullit të shtypur të Kosovës për vetëvendosje. Në këtë manifestim paqësor, para të Mentor Çoku do tu drejtohej të pranishmëve me fjalët: ”Zonja dhe zotërinj. Është një gjë e rrallë për mua t’u drejtohem, pasi ju jeni djemtë dhe vajzat e mija. Ndoshta, në mes tjerëve, jam veterani emigracionit të viteve 1944-1945, por edhe i 1924 dhe 1925, pasi atëherë kam lanë vendin tim që sundohej dhe sundohet nga sllavët….. Ato vende do të bashkohen në një Shqipëri Etnike. Nuk do të jetë një Shqipëri e madhe, por një Shqipëri Etnike” ….. Më pas vazhdon “Për Kosovë, gjenerata jonë ka pas një qëllim dhe sot me kryenaltësi them se po i dorëzojmë stafetën një rinie plotë vullnet, plotë dhunti dhe plot identitet kombëtar.
Këto ishin fjalët e fundit të Mentorit të incizuara pasi disa ditë më vonë, në 18 prill 1996 i mbylli sytë përgjithmonë në Romë.
Vdekja e tij qe një humbje e rëndë jo vetëm për shqiptarët, por edhe për miqtë e të njohurit e tij në Itali, Evropë e kudo në botë. (Mehmet Latifi/INA)

Filed Under: Komente Tagged With: Kalores i Urdherit te Skenderbeut, Mentor Coku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3740
  • 3741
  • 3742
  • 3743
  • 3744
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT