• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SOT,Akademi Perkujtimore ne 20 Vjetorin e vdekjes se prof. Rexhe Gjonbalaj

May 28, 2015 by dgreca

Ne kujdesin e kryetarit te Komunes se Pejes ne nderim te vepres se prof. Rexhe Gjonbalaj, me Maj,28. 2015 do mbahet akademi perkujtimore ne teatrin e Qytetit:” Jusuf Gervalla”/
Nga Uke Gjonbalaj-New York/
Ne pamundesine per te Marre pjese ne akademin perkujtimore ne qytetin e Pejes,por ne krenarine, dashurin dhe respektin e shume ish nxenesve te Gjimnazit te Pejes qe veprojne dhe jetojne ne SHBA, dhe shume Vuthjanve, qe permes ketyre radheve te shkruara ne Gazeten DIELLI, deshiroj qe te gjithve t’ju perkujtoj edhe njehere kete kolos te arsimit te Gjimnazit te Pejes.
Rexha u lind ne Vuthaj ne vitin 1935, duke mbete ne rinine e hershme pa babane, per tu rritur me vuajtje dhe sakrifica nga Nena fisnike nga Familja Haklaj e Malesise se Gjakoves.
Plava dhe Gucia ne ato vite te Luftes II Botrore po kalonte ne nje perjudhe te pergjakshme te histories se saj te dhimbur e posacerisht pas 3 vitesh(1943) e bashkuar me shtetin ame.
Ne nje gjakderdhje vllazerore ne mes Brigadave shqiptare dhe luftetareve te lirise te Ballit Kombetar qe per here te fundit tentuan qe krahinen ta mbajne me shtetin ame.
Kjo periudhe do te linte mbresa te thella ne karakterin dhe atdhedashurine e tij.
Pas perfundimit te Normales se Pejes nga mesi iviteve te 50-ta do punesohet si pedagog i Gjimnazit te Pejes.
Portretin e tij fizik dhe moral do ta percaktoja keshtu:Rexha ishte djaloshi vuthjan,me karakteristika tipike e djalit Vuthjan, shtathedhur dhe zeshkan, ishte shume i guximshem dhe me karakter te forte, shume ish nxenes te tij do thone madje edhe paksa i ashper, por gjithsesi per ata qe nuk kishin sjellje etike dhe morale me standardet e shkolles, kishte perkujdesje aterore per nxensit.Ishte shume i preokupuar me gjendjen e shqiptarve te Kosoves dhe haptazi shprehej ne kolektiv ndaj padrejtesive qe politika i bente arsimit.
Ne vitin 1968 me te ndegjuar te lajmit te lejimit te Flamurit Kombetar se bashku me atdhetarin Binak Ulaj
dhe shoke te tjere do te siguronte Flamurin kuq e zi dhe do ta dergonte ne vendlindje, ne Vuthaj.Te nesermen , vllaznia Ulaj merrte nuse ne nje fshat ne afersi te Pejes, dhe ashtu pas shume peripecish me Bajraktarin e Vuthajve, dhe me ndihmen e kryetarit te athershem (te pare dhe te fundit shqiptar) te Komunes se Plaves, te ndjerit: Hasan M Vucetaj, cili do ti percillte dasmoret me flamurin kuq e zi, me policine e Plaves nepermes Vasojeviqit te Malit te Zi, te cilet hyjne ne mengjez ne qytetin e Pejes, dhe qytetaret e befasuar, kur pane Flamurin, u hodh i madhe e i vogel ne valle me dasmoret dhe dasmoreshat Vuthjane duke krijuar keshtu ne Qender te Pejes nje fest te vertete me flamujemkombetare, qe u mbajt mend per nje kohe te gjate.
Ne vitet e diferencimit politik ne Kosove ku dhuna serbe gelltiste edhe arsimin, ne Shkurt te 1989, ne viziten qe i beri ish politikani “kukull” i Beogradit Ali Shukrija, gjimnazit te Pejes si cerdhe kinse Nacionaliste, kush tjeter do ta ngrinte zerin i pari,pervecse Rexhes? Ai donte edhe ti mbroje shume pedagog te rinje qe ishin edh ish nxenes te tij.
Rexha ka folur ashper per shtypjen dhe torturat qe shteti serb po ushtronte ndaj shqiptarve duke perfshire ketu edhe nxenesit dhe femijet. Ai ka thene ate qe ndjente pa frige dhe ngurrim.
Thuhet se me te perfunduar te mbledhjes,” Ali Shukrija pyet drejtorin:Cfare lende ligjeron ky Rexha? Drejtori i pergjigjet:Matematike.
Aliu pergjigjet vaj hallit po cka do thonin ata te Historise nese ky flet keshtu”? Dhe nga kjo mbledhje Ali Shukrija se bashku me delegatet e komitetit te Pejes kerkone shkarkimin e Rexhes nga Gjimnazi i Pejes.
Do me mbetet ne kujtese ajo Vere e vitit 1989 kur u takuam ne vendlindje dhe shpesh shetisnim bregut te lumit duke biseduar per gjendjen e rende qe kaplonte Kosoven dita dites.Dukej shume pessimist per situaten dhe perseriste shpesh shprehjen :”vetem gryke holla/pushka do ta zgjidhe kete ceshtje.”
I lodhur nga ajo gjendje dhe i merzitur nga ndarja me nxensit dhe kolektivin me te cilin punoi afro 40
vite, zemra e tije do pushonte se rrahuri me 15 Maj 1995.
Rexha u vorros ne vendlindjen e tije Vuthaj ne pranine e shume qytetarve te Plave-Gucise dhe qindar
nxensve, kolegve e Qytetarve te Pejes qe kishin ardhur per t’i dhene lmtumiren e fundit profesorit te tyre te dashur.
Ne te afermve nuk na la ndonje trashigimi pasurore, por na la qindar e qindra ish nxenes te tij, qe edhe ketu ne Ameriken e larget, flasin me respekt si per askend tjeter, flasin me dashuri per profesorin e dashur dhe te pa harruar, Rexhe Gjonbalaj.
Se fundi me mbetet te them se Vuthajt ne cdo kohe kane pasur djem qe i kane dhane kombit
lavdi dhe nder dhe pa medyshje qe edhe Rexhe Gjonbalaj hyne ne radhen e tyre.
Dhimbje dhe Krenari per ty Profesor Rexha!

Uke Gjonbalaj
Staten Island , NY
May 27.2015

Filed Under: ESSE Tagged With: duke kujtuar, profesor Rexhen, Uke Gjonbalaj

Në Korçë starton festivali i monodramës “Albamono” 2015

May 28, 2015 by dgreca

“Unë jam Edit Piaf”, aktorja Irina Xhapakova tregon të fshehtat e jetës/
Nga Vepror Hasani/
KORÇË- Mjaftoi vetëm një grimë kohe, ai çasti i vetëm kur ajo hyri në skenë për të kuptuar se çfarë kishte për të ndodhur gjatë interpretimit të saj. Ishte shfaqur si një magji. Vetiu të gjithë hodhën vështrimin drejt saj. Në skenë kishte dalë aktorja ruse, Irina Xhapakova nga Vollogda, 600 kilometra në veri të Moskës. Do të luante monodramën “Unë jam Edit Piaf’, shkruar nga Nina Mazur, me regji të Jakov Rubin-it. Në skenën e teatrit “Andon Zako Cajupi” të Korçës do të shfaqej jeta e këngëtares së famshme franceze Edit Piaf. Aktorja do të luante në gjuhën ruse e do të interpretente në gjuhën frënge këngët e kënduara dikur nga Edit Piaf. Sigurisht, që kishte njerëz që dinin rusisht, ashtu siç kishte shumë të tjerë që dinin frëngjisht, por kishte mjaft të tjerë që nuk dinin asnjërën prej këtyre dy gjuhëve. Njëri prej tyre isha unë. Nuk isha i sigurtë nëse do të arrija të kuptoja ato që do të thoshte Xhapakova përmes fjalëve të huaja e të panjohura për mua. Çasti i parë i daljes së saj në skenë ishte drithërues. Ndriçimi i skenës nisi të zbehej dhe pak nga pak u krijua një gjysmë-errësirë misterioze, por skena mbeti e ngrohtë dhe e dashur. Në atë mjedis, sa real dhe të magjishëm do të shfaqej loja e Xhapakovës. Pati duartrokitje. Spektatori dhe ajo ishin kuptuar kur ende nuk ishte thënë asnjë fjalë… Dukej se çdo gjë do të shkonte mirë.
Loja e “harabeles”
Ndoshta gjithçka do të ishte e lehtë për të dy palët; edhe për aktoren Irina Xhapakova edhe për artdashësit e qytetit të Korçës. Aktorja kishte hyrë në skenë si një fluturim harabeleje, si një cicërimë e gëzuar e saj, ndoshta edhe si trishtimi i një shpendi të lënduar. Të gjitha bashkë ishin te ajo aktore atë çast. Kështu e kishin quajtur edhe këngëtaren e famshme franceze Edit Piaf – “Harabelja e Parisit”. Edhe pse Piaf kishte lindur larg
Shqipërisë, gjithkush dinte diçka për këngëtaren e madhe. Pra, edhe aq larg nuk paskësh qenë vendlindja e saj. Jeta e Piafit kishte qenë gjithnjë e trazuar. I kishte ndodhur të gjendej shumë pranë me vdekjen, (madje të tentonte edhe vetëvrasjen), por gjithnjë e dashuruar me jetën dhe sfidën. Ishte ndeshur shpesh me dëshpërimin, por edhe brenda tij kishte ditur të gjente pakës dritë. Kishte qenë herë gëzim dhe herë një pikë loti, por kurrë nuk kishte dashur të mposhtej e t’i fshihej jetës. Kishte preferuar të qëndronte gjithnjë përballë saj. Të gjitha këto erdhën përmes lojës së aktores Irina Xhapakova. Ishte një interpretim që të merrte me vete. Të çonte,- madje duke vrapuar- në çaste të gëzuara, nuk qëndronte shumë aty, sepse shumë shpejt të nxirrte prej andej, për të të njohur me një atmosferë tjetër, ndoshta të panjohur më pare për ty, pastaj të sillte pranë një ndjesi tjetër, të ngjashme herë me dështimin dhe herë me triumfin, ashtu siç është edhe vetë jeta e njeriut. Nuk ishte e nevojshme të njihje gjuhën ruse, as të flisje gjuhën frënge, mjaftonte të ndiqje lojën e saj dhe gjithçka, fjalë pas fjale, lëvizje pas lëvzjeje, gjest pas gjesti gjithçka niste e bëhej e kuptueshme për të gjithë. Kjo u kuptua nga duartrokitjet, ato dëgjoheshin në sallë herë pas here.

Ankth
Po , kishte ankth në sallë. Gjithkush i druhej përfundimit të monodramës, sepse të gjithë dëshironin të zgjaste edhe pak më shumë. Te loja e Xhapakovës, po shihnin Edit Piaf-in e vërtetë. Emri i këngëtares kishte qenë Edit Giovana Gassion (19 dhjetor 1915 – 11 tetor 1963), kishte jetuar vetëm 48 vjet, por gjithnjë si një harabele në fluturim. Që kur ishte e vogël kishte nisur të këndonte rrugëve të Parisit bashkë me babain e saj dhe e gjitha kjo vetëm për të fituar disa të holla. Edhe këtë atmosferë, aktorja ruse e solli me shumë vërtetësi. Sigurisht ju nuk ishit aty, por është e vërtetë që ju humbët një mrekulli. Ju nuk patët as rastin të dëgjonit këngët e famshme të Edit Piafit. Ato u kënduan lajf nga aktorja Irina Xhapakova. Ju nuk i shijuat as tonet e ngrohta të saj, as ëmbësinë, por as tonet e ashpra, ashtu siç dinte të këndonte vetëm Edit Piaf. Edhe Korça nuk do ta kishte patur këtë fat, nëse drejtori i festivalit të monodramës, Dhimitër Orgocka, nuk do të kishte patur një bashkëpunim me teatrin e qytetit Vollogda, aty Orgocka do të njihte edhe aktoren e mrekullueshme Irina Xhakopova, ku do ta ftonte që edhe ajo të merrte pjesë në festivalin e monodramës në Korçë. Ndaj ajo erdhi në Korçë këtë verë. Ardhja e saj në këtë qytet ishte fatmirësi. Pas çdo interpretimi të këngëve dëgjoheshin duartrokitje. Ato ishin të sinqerta, mirënjohje për aktoren që gjithë të pranishmëve po u dhuronte kënaqësi. Ndoshta dëshironte të na thoshte të gjithëve: Jeta është një fluturim, edhe nëse ulesh për të pushuar një çast, sërish do të duhet të hapësh krahët për të shkuar më larg ashtu siç ndodh me një meteor deri në çastin që shuhet. Deri në çastin e fundit të duhet të shkëlqesh. Interpretimi i monodramës kishte përfunduar. Xhapakova tregoi shumë nga të fshehtat e jetës… Përsëri u dëgjuan duartrokitje… përsëri falenderime… ndërsa unë kisha harruar që nuk dija rusisht.

Filed Under: Kulture Tagged With: Albaomo 2015, Festivali i Monodrames, Vepror Hasani

Kambanat e alarmit bien për UÇK-në

May 28, 2015 by dgreca

Pse proceset «Drenica 1» dhe «Drenica 2» janë procese politike?/
Shkruan:Bardhyl Mahmuti/
Duke e parë veten si pjesë të pandashme të njerëzimit shkrimtari i madh amerikan Ernest Heminguej e konsideronte si humbje për njerëzimin humbjen e secilit njeri, fatkeqësitë që mund t’i ndodhnin secilit njeri, padrejtësitë që mund t’i ndodhnin secilit njeri … Për këtë arsye, ai na drejtohet që të mos pyesim se për kë bie kambana në rast fatkeqësie, sepse ajo bien për ne.
Proceset «Drenica 1» dhe «Drenica 2» janë kambana të alarmit se në proceset e montuara gjyqësore qëllimi politik është i qartë: të dënohet lufta çlirimtare e popullit të Kosovës. Prandaj, Nëse parafrazohet Hemingueji atëherë mund të themi lirisht se kur dëgjoni kambanat e padrejtësisë kundër Sylejman Selimit, Sami Lushtakut dhe bashkëluftëtarëve të tyre mos pyetni se për kë bie kambana. Ato bien për ne si shqiptarë!

Pse proceset «Drenica 1» dhe «Drenica 2» janë procese politike?

Që nga ardhja e tij në Kosovë, fillimisht në kuadër të UNMIK-ut e më vonë në kuadër të EULEX-it, prokurori italian Maurizio Salustro nuk ngriti asnjë aktakuzë të vetme kundër kriminelëve serbë që kishin kryer krime në Kosovë. Të gjitha ndjekjet dhe paditë i orientoi kundër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nuk po i përmend të gjitha proceset që ngriti ky prokuror kundër udhëheqësve të disa zonave operative të UÇK-së. Po kufizohem vetëm në periudhën pas miratimit të Raportit të Dick Marty-t nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës më 25 janar 2011. Ky vendim e mobilizoi prokurorin Maurizio Salustro si asnjë prokuror tjetër më parë.
Një muaj pas miratimit të raportit të Dick Marty-t, në mars të vitit 2011, i ngarkuar nga EULEX-it si shef i Departamentit për Krime lufte në Kosovë, Maurizio Salustro urdhëroi arrestimin e Fatmir Limajt dhe nëntë luftëtarëve të Zonës Operative të Pashtrikut të UÇK-së.
Për ata që nuk e njohin Fatmir Limajn po sjell shkurtimisht disa të dhëna. Ai është njëri ndër komandantët më të njohur të UÇK-së dhe pas përfundimit të luftës ishte njëri ndër themeluesit e Partisë Demokratike të Kosovës, nënkryetar i saj dhe Shef i Grupit Parlamentar i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës.
Më 17 shkurt 2003 Kryeprokurorja e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Carla Del Ponte, ngriti aktakuzë kundër Fatmir Limajt. Në kohën kur u bë publike aktakuza kundër tij, Fatmir Limaj ndodhej në vizitë private në Slloveni. Ai u dorëzua te autoritetet sllovene dhe kërkoi ta shoqëronin për në Hagë, i gatshëm të ballafaqohej me drejtësinë ndërkombëtare.
Procesi gjyqësor kundër tij, i mbështetur në akuza të përpiluara në bazë të burimeve serbe, filloi më 15 nëntor 2004 dhe pas një viti shqyrtimi të kësaj lënde, më 30 nëntor 2005, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e shpalli Fatmir Limajn të pafajshëm. Më 27 shtator 2007 Dhoma e Apelit hodhi poshtë ankesën që bëri Carla Del Ponte ndaj këtij vendimi dhe konfirmoi pafajësinë e Fatmir Limajt.
Fatmir Limaj u kthye i lirë në Kosovë pak kohë para se Carla Del Ponte ta botonte librin e saj, nga i cili kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës shkoqitën përmendjen e pretendimeve për trafikim me organet njerëzore.
Edhe pse asnjëherë nuk kishte qenë i sistemuar në Zonën Operative të Drenicës, në librin e Carla Del Pontes dhe në Raportin e Dick Marty-t Fatmir Limaj figuron si njëri nga anëtarët e «Grupit të Drenicës»! Kjo e pavërtetë ishte publikuar në “librat e bardhë” të Shërbimit Sekret Serb shumë vite para se të botohej libri i Carla Del Pontes apo Raporti i Dick Marty-t.
Paraqitja e Fatmir Limajt nga Carla Del Ponte, Dick Marty dhe nga shumë kumbarë të tjerë të sajimeve të Shërbimit Sekret Serb si pjesëtar i «Grupit të Drenicës» dëshmon për “plagjiaturën” që këta autorë kanë bërë nga burimet “sekrete” serbe të shpërndara publikisht.
Duke u mbështetur ekskluzivisht në burimet serbe dhe “dëshmitarët” e ofruar nga Prokuroria serbe për krime lufte, më 25 gusht 2011 Maurizio Salustro ngriti aktakuzën kundër Fatmir Limajt, Nexhmi Krasniqit, Naser Krasniqit, Naser Shalës, Sabit Shalës, Refi Mazrekut, Arben Krasniqit, Shaban Shalës, Behlul Limajt dhe Besim Shurdhajt.
Procesi gjyqësor kundër këtyre dhjetë pjesëtarëve të UÇK-së filloi më 11 nëntor 2011 dhe pasi u shoshitën të gjitha provat e ofruara nga të dyja palët, më 2 maj 2012, Gjykata e Qarkut në Prishtinë e hodhi poshtë akuzën e Maurizio Salustros dhe të gjithë të akuzuarit u liruan si të pafajshëm.
Maurizio Salustro u ankua ndaj këtij vendimi dhe Gjykata Supreme e Kosovës, më 20 nëntor 2012, e ktheu këtë lëndë në rigjykim. Rigjykimi filloi më 13 prill 2013.
Ndërsa zhvillohej rigjykimi i dytë i Fatmir Limajt dhe i nëntë ushtarëve tjerë të UÇK-së, më 23 maj 2013 Gjykata Komunale e Mitrovicës lëshoi urdhër arrest kundër Sylejman Selimit, ish-Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së që ishte ambasador i Kosovës në Tiranë, Sami Lushtakut, ish-Komandant i Zonës Operative të Drenicës, që ishte zgjedhur Kryetar i Komunës së Skenderajt në zgjedhjet e lira të vitit 2009, dhe pesë ushtarëve të kësaj zone operative: Sahit Jasharit, Jahir Demakut, Zeqir Demakut, Hysni Thaçit dhe Avni Zabelit.
Jo vetëm akuzat ndaj këtyre personaliteteve të shquara të UÇK-së por edhe emërtimi «Grupi i Drenicës» ishte marrë nga «Libri i Bardhë» që e trajtova më lart.
Fatkeqësisht, prezantimi i këtyre komandantëve dhe pjesëtarëve të UÇK-së si të ishin pjesëtarë të një “grupi” dominoi në shkrimet dhe emisionet televizive që mbuluan këtë rast. Ky prezantim ka marrë përmasa aq të mëdha sa termi «Grupi i Drenicës» përdoret aq shpesh si të ishte një realitet e jo stigmatizim i sajuar nga Shërbimi Sekret Serb.
Gjykata e Apelit mori vendimin që shtatë pjesëtarët e lartpërmendur të UÇK-së të mbaheshin në arrest shtëpiak deri në fillimin e procesit gjyqësor. Edhe pse asnjë udhëheqës apo ushtar i UÇK-së nuk i iku ballafaqimit me drejtësinë, Maurizio Salustro u ankua kundër vendimit me arrest shtëpiak. Dëshironte t’i shihte të burgosur! Gjykata e Apelit anuloi vendimin e mëparshëm dhe e shndërroi masën e arrestit shtëpiak në paraburgim.
Më 31 maj 2013 u arrestuan shtatë ish-pjesëtarët e UÇK-së dhe u dërguan në burgje për të plotësuar kërkesën e Maurizio Salustro-s.
Paralelisht me veprimet kundër ish-pjesëtarëve të Zonës Operative të Drenicës, Maurizio Salustro vazhdoi procesin e dytë gjyqësor kundër Fatmir Limajt dhe nëntë ushtarëve të Zonës Operative të Pashtrikut. Mirëpo, pas pesë muajsh, më 17 shtator 2013, Gjykata e Qarkut në Prishtinë i hodhi përsëri poshtë akuzat e pabaza të Maurizio Salustro-s dhe i liroi si të pafajshëm Fatmir Limajn dhe nëntë ushtarët tjerë të UÇK-së.
Edhe ndaj këtij vendimi shefi i Departamentit për Krime lufte në Kosovë, Maurizio Salustro bëri ankesë dhe në momentet kur jam duke i shkruar këto rreshta, Gjykata e Apelit ende nuk ka vendosur lidhur me këtë ankesë.
Nga ana tjetër, më 6 dhjetor 2013 filloi gjykimi i Sylejman Selimit, Sami Lushtakut dhe pjesëtarëve të lartpërmendur të Zonës Operative të Drenicës.
Një muaj më vonë, më 9 janar 2014, Maurizio Salustro njoftoi se largohet nga funksioni i tij në Kosovë pa dhënë asnjë sqarim për angazhimet pas largimit nga Kosova. Tre muaj më vonë, të gjitha mediat njoftuan se ish-shef i Departamentit për krime lufte në Kosovë, Maurizio Salustro “ishte punësuar në Beograd, si këshilltar në Prokurorinë serbe për krime lufte.”
Nëse i hedhim një sy makinave kërkuese në internet rreth kësaj çështjeje do të shohim me qindra artikuj në të cilat shprehet revolta e Kosovës për këtë veprim të Salustro-s.
As Maurizio Salustro e as Prokuroria serbe për krime lufte nuk dhanë asnjë sqarim për muaj të tërë. Por, kur shpërtheu skandali i korrupsionit në kuadër të EULEX-it dhe kur shefja e diplomacisë evropiane ngarkoi juristin francez Jean-Paul Jacqué që të hetojë këtë skandal, Prokuroria serbe për krime lufte reagoi duke pohuar se “asnjë i dyshuar i EULEX-it nuk është punësuar në kuadër të kësaj prokurorie.”
Cila është e vërteta për skandalin e korrupsionit dhe “punësimin” e Maurizio Salustro-s në Prokurorinë serbe për krime lufte mbetet të shihet. Por, ajo që dihet tashmë qëndron në faktin se, as Prokuroria serbe për krime lufte e as prokurorët ndërkombëtarë që erdhën në Kosovë, nuk kanë bërë asnjë hap për të çuar drejtësinë në vend.
Pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, familjarët e 1392 fëmijëve, të 1739 grave dhe të rreth 10000 civilëve shqiptarë të të gjitha moshave që u vranë gjatë zbatimit të politikës së gjenocidit në Kosovë presin ngadhënjimin e drejtësisë! Familjarët e 1657 personave të cilët ende konsiderohen të zhdukur jetojnë në ankthin e përditshëm të zbulimit të rrethanave të zhdukjes së tyre.
Pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë 20.400 femra shqiptare, të përdhunuara në funksion të zbatimit të politikës së gjenocidit, presin dënimin e kriminelëve!
Nuk mund ta di se cili do të jetë rezultati i hetimit të Bashkimit Evropian dhe nëse do të zbulohen prokurorët që janë korruptuar për të lënë në heshtje paditë kundër kriminelëve të vërtetë që kryen krimet më të përbindshme në Kosovë. Por, atë që mund ta them nga ajo që kemi parë deri tani del qartë se mosndëshkimi i kriminelëve për krimet e kryera është shndërruar në njërën nga pengesat e mbylljes së kapitullit më tragjik të dekadës së fundit të shekullit XX. Plagët e hapura nga lufta gjenocidare e regjimit të Milošević-it nuk mund të shërohen pa ndriçimin e plotë të të gjitha krimeve. Mbeturinat e regjimit të vjetër dhe kumbarët e nocioneve që stigmatizonin UÇK-në si “organizatë terroriste” janë bërë pengesa kryesore që të dalë në shesh e vërteta e plotë. Ajo e vërtetë për “listën e krimeve të bëra nga Shërbimi Sekret Serb kundër serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë që do ta rrëzonte në gjunjë Serbinë.”
Gjunjëzimi i Serbisë së Milošević-it, logjika e të cilit ende mbizotëron në institucionet shtetërore, është kusht i domosdoshëm për ngadhënjimin e demokracisë në Serbi dhe do të hapte rrugën e pajtimit mes popujve.
Për këtë arsye, publikimi i listës së plotë të krimeve që Shërbimi Sekret i Serbisë i ka bërë kundër civilëve serbë, shqiptarë dhe pjesëtarëve të përkatësive tjera etnike, listës për të cilën fliste ish-Shefi i Shërbimit Sekret Serb, Radomir Marković-i, do të ndriçonte krimet që janë kryer në Kosovë. Sipas mendimit tim, hedhja dritë në këto krime të përbindshme do të përshpejtonte ngadhënjimin e drejtësisë sepse do të krijonte klimën e përgjithshme për domosdoshmërinë e ndëshkimit të kriminelëve të vërtetë. Publikimi i listave të vërteta të kryera me urdhër të Shtabit Strategjik të Milošević-it do të nxirrte në dritë gënjeshtrat e listave që ishin përpiluar në funksion të manipulimit me opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Jo vetëm kaq! Kjo do të kishte ndriçuar edhe punën e prokurorëve ndërkombëtarë që kanë ngritur aktakuza duke u mbështetur në burimet e këtij shtabi strategjik, pasojat e të cilit i mbajnë mbi kurrizin e tyre Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku dhe udhëheqës tjerë të UÇK-së.
Ndriçimi i plotë i këtyre ngjarjeve do të nxirrte në shesh motivet politike dhe ideologjike të krijimit të Gjykatës Speciale të Kosovës që do të merrej me pretendimet e propagandës serbe dhe të kumbarëve të tyre për krimet që gjoja kanë kryer udhëheqësit tjerë të UÇK-së.
Padrejtësia troket në dyert e Kosovës! Kjo u pa edhe nga Konferenca e Clint Williamson-it!
Pohimet e Kryeprokurorit Williamson se nuk kanë siguruar prova për trafikimin e organeve njerëzore, se gjatë hetimeve trevjeçare nuk siguruan as provat dhe as dëshmitarët që do të konfirmonin pretendimet për krimet e kryera nga ana e UÇK-së dhe imponimi i krijimit të një Gjykate Speciale për t’i gjykuar “krimet e UÇK-së” pa prova dhe pa dëshmitarë është dëshmi se padrejtësia troket fuqishëm në dyert e Kosovës!
«Mashtrimi i Madh» f. 551-557
Padrejtësia e madhe u pa edhe në dënimin e personaliteteve të shquara të UÇK-së në proceset politike «Drenica 1» dhe «Drenica 2». Dënimi i Sylejman Selimit, Sami Lushtakut, Jahir, Zeqir e Nexhat Demakut, Hysni Thaçit, Bashkim, Selman dhe Driton Demajt… pa prova dhe me dëshmitarë të rrejshëm është dëshmi se ndërhyrja politike ka marrë në duart institucionet e drejtësisë në Kosovë.
Dënimi i Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm, i Komandantit të Zonës Operative të Drenicës dhe bashkëluftëtarëve të tyre për “krime lufte” nxori në shesh propagandën boshe se gjoja proceset e tilla gjyqësore “nuk e paragjykojnë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Kosova dhe gjithë rajoni kanë nevojë për DREJTËSI! Por, drejtësia nuk ngadhënjen me dënimin e çlirimtarëve që kapën pushkët në mbrojtje të popullit. Dënimi i atyre që i dolën përballë makinerisë gjenocidare serbe është turp i ndërhyrjes politike në institucionet e drejtësisë. Sylejman Selimi, Sami Lushtaku dhe bashkëluftëtarët e tyre duhet të lirohen menjëherë dhe t’u thuhet publikisht:Ju lumtë pushka trima!

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmuti, bien për UÇK-në, Kambanat e alarmit

Vendim tipik komunist i Kryesisë së LDK-së

May 28, 2015 by dgreca

Të linçosh në këtë formë dhe në këtë përmbajtje, në rend të parë, bijën e kombit Donika Gërvallën, nuk i shkon për nder LDK-së, përkundrazi kjo është e turpshme për këtë subjekt politik/
Ne Foto:Donika Gervalla/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Nuk u befasova aspak me vendimin e Kryesisë së LDK-së për anulumin e zgjedhjeve në degët e Gjermanisë, Zvicrës dhe Kllokotit. Rasti i Kllokotit është vetëm një farsë e anëtarëve të kësaj Kryesie, sepse tehu i orientimit ishte goditja e degëve në Gjermani dhe Zvicër, degë këto që tashmë një kohë të gjatë kanë në shënjestër të kritikës punën dhe aktivitetin centralist të kreut të LDK-së. Sidomos kreut të kësaj partie politike nuk po i pëlqen dhe nuk po i shkon për shtati zgjedhja e delegatëve, të cilët, disa sish, kanë paralajmëruar se nuk do të përkrahin kandidaturën e Isa Mustafës për t’u rizgjedhur edhe për një mandat në krye të LDK-së.
Dega e LDK-së në Gjermani ishte përcaktuese në mbajtjen gjallë të sistemit paralel në kohën e okupimit
Të diferencosh, të përjashtosh dhe të anulosh një proces jashtëzakonisht demokratik të zhvilluar në degët e Gjermanisë dhe Zvicrës është e patolerushme dhe e turpshme për anëtarët e Kryesisë së LDK-së. Mërgimtarët tanë gjithandej Evropës e Amerikës e dinë fare mirë se sidomos dega e LDK-së në Gjemani, në kuadër të së cilës ishin tubuar veprimtarë me bagazh të madh patriotik e intelektual, ishte përcaktuese në mbajtjen gjallë të sistemit paralel në kohën e okupimit nga Serbia. Thënë konkretisht, ishte e para kjo degë që diti aq mirë të organizoj mërgatën shqiptare për të realizuar kauzën për çlirim kombëtar dhe të formimit të Fondit të Trepërqindshit që mbajti gjallë sistemin arsimor e shëndetësor të Kosovës, Presidencën dhe në përgjithësi të popullatës që nuk u gjunjëzua ekonomikisht nga të gjitha ato vështirësi që i shkaktonte okupatori serb. Në këtë punë të madhe për komb e atdhe, me përkushtim, entuziazëm e vullnet ishte e angazhuar edhe Donika Gërvalla, e cila tash e një kohë të gjatë po shikohet me sy të keq, sidomos nga kreu i LDK-së, i cili duke përgatitur këtë kurth me atë vendim tipik komunist, po mundohet ta linçoj këtë bijë të kombit shqiptar. Mirëpo, kjo veprimtare e devotshme nuk do të dorëzohet para këtyre ndërskamzave të njerëzve të lig, të njerëzve të pakurriz dhe të lajkatarëve të shumtë që për interesa personale, klientiste, grupore po mundohen që LDK-në ta fusin buzë greminës, ta ndajnë në dysh apo edhe të përsëritët edhe një herë skenari i karrigave. Është për të ardhur keq se si anëtarët prezent të Kryesisë së LDK-së ranë në këtë nivel kaq të ulët të anulimit të zgjedhjeve të këtyre dy degëve më të mëdha dhe më të organizuara në diasporë, pa kontributin e të cilave, dorën në zemër, Kosova nuk do të kishte arritur këtu ku është sot. Këto dy degë ishin ato që me lidhjet e tyre me njerëz të politikës, kulturës, artit e mediave arritën që të sensibilizojnë aq shumë opinionin ndërkombëtar me situatën e rëndë që ishte prezente gjatë okupimit klasik të Kosovës dhe, po ashtu, falë veprimtarëve të tyre është arritur që të organizohen shumë takime të ish- Presidentit Rugova me lider të shteteve të fuqishme. Të injorohet kjo veprimtari e pasur dhe me përmbajtje e këtyre dy degëve me anë të atij vendimi përjashtues të Kryesisë qendrore, tregon qartë se jo vetëm që nuk respektohet statusi i këtij subjekti politik, por është edhe jo demokratik dhe jashtëzakonisht i rrezikshëm për të ardhmen e tij.
Përvoja tregon se atij që i bën mirë ta kthen më të keq
Vendimi i Kryesisë së LDK-së për të anuluar zgjedhjet në këto dy degë të diasporës ta përkujton përvojën e hidhur të dëshmuar nga populli se atij që i bën mirë ta kthen më të keq. Edhe Isa Mustafa e bëri të njëjtën gjë. Derisa ishte minister i ekonomisë në qeverinë e Bukoshit dhe qëndronte në Gjermani, pati shumë të mira nga dega e LDK-së në këtë vend, ndërkaq tash vërtetë po ua kthen më të keq, duke ua mohuar vullnetin dhe përcaktimin e anëtarëve të saj për kandidatët që ata vetë i zgjodhën me votën e lirë. Sa ishte në Gjermani Isa Mustafa jetoj me para dhe djersën e mërgatës dhe tash të gjitha i ka hudhë pas shpine dhe nuk ndien për një përgjegjësi falënderimi. Kjo nuk i bën nder LDK-së, përkundrazi kjo përbuzje do të reflektohet shumë negativisht në zhvillimet brenda këtij subjekti politik, ndërsa e ardhmja dukët mjaft e zymtë dhe e papërspektivë.
Kjo nuk është frymë rugoviane
Të diferencosh, të anulosh dhe të përjashtosh vullnetin e elektoratit të këtyre dy degëve në Gjermani dhe Zvicër më së paku mund të quhet frymë rugoviane. Askush ama askush në LDK nuk mund të marrë me mend se ish- Presidenti Rugova do të lejonte këso vendimesh linçuese të merren në subjektin e tij politik. I tërë opinioni shqiptar e di fare mirë se sa tolerant ishte dhe kurrë nuk ka ndodhur që të reagoj e aq më pak që t’i shkoj mendja për të ndërmarrë masa “ ndëshkuese” për ata që mendojnë ndryshe, për ata që e kanë kritikuar. Mirëpo, kjo po ndodh nga ata që kanë trashëguar veprimet dhe sjelljen ndëshkuese ndaj kundërshtarëve të tyre, apo siç thotë një fjalë popullore” çka piqet nuk hiqet”.
I pari që nuk u pajtua me këtë vendim antidemokratik ishte ish- Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, mirëpo nuk dëgjuam se çfarë ishte reagimi dhe mendimi e kandidatëve tjerë për kryetar të LDK-së. Nuk e di se a ishte prezente në atë mbledhje urgjente edhe Vjosa Osmani dhe si ishte reagimi i saj për këtë veprim të ngutshëm. Nëse edhe ajo e ka ngritur dorën pro këtij vendimi, lirshëm mund të konstatoj se edhe ajo nuk ka të bëj me politikën rugoviane. Ndërkaq, Lutfi Haziri është në atë rrethin e ngusht të vendosjes dhe dihet si ka votuar.

Filed Under: Opinion Tagged With: i Kryesisë së LDK-së, Vendim tipik komunist, Xhavit Citaku

MBRAPSHTITE E VIZITES VUCICIT NE TIRANE

May 28, 2015 by dgreca

Opinion nga Asllan Bushati/
Shtatë muaj pas vizitës se Edi Ramës në Beograd ,erdhi vizita e Kryeministrit të Serbisë Aleksandër Vucic në Tiranë,vizita e parë e një kryeministri serb në Shqipëri. Kjo ndodhi në një kohë tensionesh të theksuara në rajon dhe të një aktiviteti ndër kryeministror për bashkëpunimin rajonal sponsorizuar nga Gjermania dhe Ausrtia. Por jo vetëm kaq, kjo vizitë përkon edhe me vizitën e pritëshmë të Vucicit në Uashington në javët e ardhëshme, ku ai do të takohet me Zevëndës Presidentin Bajden, senator, kongresmenë e shtetarë të lartë amerikan.
Media shqiptare në vija të trasha thotë se vizita ishte e pritëshme, normale dhe se do ti shërbejë të dy vendeve dhe rajonit në ecjen përpara drejt BE-së. Ashtu qoftë dhe ne mbetemi me shpresë se një gjë e tillë do të ndodh, megjithëse jemi tërësisht skeptic se nuk pamë të theksohet asnjë vecanti e dukëshme. E thënë shkurt ajo ishte një vizitë protokollare e dy kryeministrave në të cilën nuk u nënshkru asnjë document, por që u takuan se ju a kishin thënë të tjerët të takoheshin. Madje nuk u arrit të nënshkruhej edhe një mini marveshje për njohjen reciproke të diplomave, e cila në esencë ju shërbente shqiptarve të Luginës Preshevës të shkolluar në Shqipëri , për tu punësuar në Serbi si ata qe kanë diploma nga universitetet serbe.
Por larg akrobacive të politikës dhe fasadës së medias, unë dua të shpreh hapur mendimin tim se si e pashë, e degjova dhe e përceptova vizitën e Vucicit në Tiranë. E thënë pa doreza, pa diplomacy dhe pa pendesë, pohoj, se prapa syzeve të tij, unë pashë dyzimin e një njeriu në eksplorim, qe donte të shihte me sytë e vet se ato që i kishin thënë udhëheqësit e mëparëshëm jugosllav e serb për Shqipërinë ishin apo nuk ishin të verteta ? Prapa syzeve dhe hijerëndësisë së tij, unë pashë tërë poshtërsitë e shpirtit të një njeriu bashkëpunëtor të Milloshevicit e Sheshelit, që ka kryer gjenocid kundër shqiptarëve. Pashë mendjemadhin gjak ftohtë që shpërfill gjakun e derdhur shqiptar që në 1913-tën e deri në gjenocidin e më vonëshëm në Kosovë. Pashë njeriun që i paragjykon shqiptarët si para ardhësit e tij edhe për mirësjellje nuk denjon tu kërkojë minimalja të falur familjarëve që nuk u janë këthyer eshtrat e të dashurve të tyre nga varrezat massive që ai ka bërë në 1998-1999 me shokët e tij.Pashë njeriun lider të serbëve që s’ka asnjë lloj pendese për gjenocidin e kryer mbi shqiptarët. Madje guxon dhe të shes mend duke filozofuar se:” nga e shkuara nuk mund të ikim, por të shikojmë nga e ardhmëja”.
Në deklaratën që Vucic bëri para gazetarëve , u përpoq të vinte balancë me vizitën e Ramës në Beograd, por në të vërtetë, nuk tha asnjë gjë as të re dhe as të rëndësishme, por vetëm se përsëriti të njejtat gjëra si në takimin e Beogradit.Ai pati nevojë për këtë vizitë, megjithëse pa bereqet, para ardhjes tij në SHBA. Vizita ishte më shumë se gjithcka propagandë mediatike .Kurse, shtypi serb e përcolli vizitën e Vucicit në Shqipëri, me mentalitetin e shekullit 18-19-të, kur thotë se Vucici e këndoi me zë të lartë himnin serb përballë Edi Ramës, dhe i tha hapur e në sy se : “Kosova e Metohija janë Serbi”. Po ashtu ,Vucici kishte vënë gravatë blu për të treguar mencuri përballë kryeministrit shqiptar.Mirë që media serbe nuk foli edhe per ngjyrën e të mbathuave që kishte veshur Vucici.
Në Bruksel, në disa kancelari europiane dhe këtu në Uashington e shohin me shqetësim rrezikun e rreshqitjes graduale të Serbisë në prehrin e Rusisë. Kjo është dukuri e herëshme,por kohët e fundit ajo u duk në dekorimin e Putinit, marrjen pjesë në paradën e Moskës, lufta për gazsjellësin rus, paisja e ushtrisë serbe me teknikë luftarake ruse,koordinimi i veprimtarisë së shërbimeve të fshehta etj. Në këtë prirje pro ruse të Serbisë, perendimorët shohin si kartë të tyren vetëm Vucicin. Në këto kushte ata duke harruar dhe Srebrenicën dhe Kosovën, gjykoj se i kanë premtuar atij dhe vendit të tij ti ofrojnë postin e lidershipit në Ballkan në të ardhmen vetëm që ai të mbetet në sferat perendimore. Kjo ide në gatim e sipër, nuk përkon me interest shqiptare, prandaj hapur duket ta kundershtojme. Por kush ta beje këtë , Rama me qeverinë e vet?
Rama foli dy tri gjëra të sakta në Beograd dhe pastaj filloi të tërhiqet në pafundësi. Dha një deklaratë për bashkimin kombëtar shqiptar në Ulqin dhe nga shuplakat e ndërkombëtarëve tërhiqet sikur s’ka thënë asgjë. Leshon një tollumbace për Maqedoninë e pranimin e saj në Nato dhe përsëri tërhiqet. Kurse në konferencën për shtyp me Vucicin , sulmon Greqinë duke shkaktuar një skandal diplomatic gjë të cilën duhet ta bënte në një kohë tjetër të përshtatëshme. Duke parë veprime të tilla herë herë foshnjarake të Ramës dhe qeverisë së tij , ndërkombëtarët hezitojnë t’ja besojnë pozicionin e lidershipit në rajon Shipërisë por po mendojnë për Serbinë.Kjo ndodh sepse Rama me vepra tregon se s’ka fuqinë dhe kapacitetin e lidershipin në rajon. Ai po bëhet gjithnjë e më i pa besueshëm per Brukselin dhe Uashingtonin megjitheëse është në avantazh se është në Nato dhe se Shqipëria nuk ka sulmuar askënd në rajon sic ka bërë Serbia. Madje Rama shkoi aq larg sa duke folur për të ardhmen midis Shqipërisë dhe Serbisë solli si krahasim Francën dhe Gjermaninë e pas luftës Dyrë Botërore sikur Rama e Vucici të ishin Sharl Degoli dhe Adenauri.Marrzitë s’kanë të sosur, sepse edhe sikur në të ardhmen marrdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë të jenë të përsosura, Rama e Vucic nuk kanë peshë në politikën rajonale e aq më pak në atë europiane sa t’ju imponojnë të tjerve idetë e tyre politike. Se kush do të loz rol madhor në të ardhmen në rajon e përcakton SHBA-ja dhe Brukseli.
Si përfundim mendoj se vizita e Vucicit ne Tirane, nuk ishte as e rëndësishme ,as dobipruese për shqiptarët dhe aq më pak vendimtare për të ardhmen e rajonit, sic përpiqen ta paraqesin disa syresh. Në këndshikimin tim ajo ishte vizitë rutinë dhe e fryer mediatike që i shërben më shumë Serbisë për të shpëlarë të shkuarën e ndotur dhe Vucicit për forcimin e pozitave të tij politike brenda dhe jashtë Serbisë.

Filed Under: Featured Tagged With: asllan Bushati, MBRAPSHTITE E VIZITES, VUCICIT NE TIRANE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3851
  • 3852
  • 3853
  • 3854
  • 3855
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit
  • KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR
  • Kosovo Between Political Noise and the Need for Civic Clarity
  • TË FALËSH, TË MOS HARROJSH!
  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT