Shpresojmë që premiera e filmit dokumentar “Vera-mësuese e dy ishujve” do të jepet në një sallë të madhe në Tiranë, organizuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sporteve. Pse jo edhe nga Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe kryetari i opozitës…
Një realizim i bukur nga gazetarët Abdurahim Ashiku dhe Arian Melonashi
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë organizoi të premten 6 shkurt 2015 shfaqjen e premierës së filmit dokumentar “Vera-mësuesja e dy ishujve.
Në premierën e filmit merrnin pjesë mësues të gjuhës shqipe në Greqi, intelektualë, njerëz të artit e të kulturës në mërgim etj.
Ndodhej edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Greqisë z. Dashnor Dervishi, kryetari i Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi z. Artemis Duri si dhe drejtues të shoqatave shqiptare në Greqi.
Filmi dokumentar, me skenar të gazetarit Abdurahim Ashiku dhe me fotografi të punonjësit të vjetër të Televizionit Shqiptar Arian Melonashi, midis afro gjashtëdhjetë mësuesve që vullnetarisht prej shumë vitesh u mësojnë fëmijëve të mërgimtarëve të lexojnë, shkruajnë e lexojnë shqip, është ndalur tek mësuesja Vera Shkurti, mërgimtare në ishullin e Tinosit. Vera, tre vite më parë, mblodhi 72 fëmijë të mërgimtarëve shqiptarë në ishullin e Tinosit dhe të ndarë në dy grupe, çdo të shtunë dhe të diele, nisi tu mësojë gjuhën e bukur shqipe. Nismën e saj e përkrahën edhe autoritetet greke të ishullit të cilët i dhanë për këtë qëllim një klasë të shkollës së ciklit të ulët.
Por Vera nuk mjaftohet me kaq. Kalon detin për tu ndalur në ishullin një orë larg Tinosit, në ishullin e Sirosit, në qytetin Ermonopuli, kryeqendër e ishujve të Cikladheve. Ajo edhe atje gjen etjen e mërgimtarëve për tu mësuar fëmijëve të tyre gjuhën shqipe, përkrahjen e drejtuesve të bashkisë dhe të komunitetit shqiptar.
Çdo të enjte, prej atëherë e në vitet në vazhdim, mësuesja Vera Shkurti udhëton më se një orë me traget duke iu gjendur pranë fëmijëve të mërgimtarëve në dashurinë e tyre për të mësuar gjuhën shqipe dhe për ta mbajtur lart identitetin e të qenit shqiptar.
Filmi u ndoq me vëmendje të thellë dhe me lot në sy, shprehje e respektit për këtë Rilindëse të Kohës Sonë, siç i ka quajtur shkrimtari i madh Dritëro Agolli mësuesit mërgimtar në Greqi, të cilët janë të vetmit në hapësirën migratore të shqiptarëve në botë që punojnë pa shpërblim, pa asnjë vëmendje materiale e morale nga shteti mëmë, me dëshirë e me vullnet që në mjedisin bashkëkohor shqiptar përbën një ÇUDI.
Për shkak të kohës, dallgëzimit të madh detar, mësuesja Vera Shkurti nuk mundi t’i marrë nga afër urimet e të pranishmëve në filmin dokumentar për Të, njëkohësisht mesazh i gjallë i armatës së madhe të mësuesve vullnetarë të gjuhës shqipe në Greqi.
Shpresojmë që filmi dokumentar “VERA-MËSUESJA E DY ISHUJVE” të tërheqë vëmendjen e shtetit dhe shoqërisë shqiptare në Tiranë e më gjerë për të vlerësuar punën e jashtëzakonshme të mësuesve në Greqi me të njëjtat të drejta e detyrime si mësuesit shqiptarë në Shqipëri.
Shpresojmë që premiera e filmit dokumentar “Vera-mësuesja e dy ishujve” do të jepet në një sallë të madhe në Tiranë, organizuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sporteve. Pse jo edhe nga Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe kryetari i opozitës…
Autorët pas botimit monografik të librave “Rilindësit e kohës sonë”, “Shkolla shqiptare e Athinës” dhe “Shkolla shqipe Selanikut” me më se njëmijë faqe, dhe filmit dokumentar “Vera-mësuesja e dy ishujve” u zotuan se do ta vazhdojnë punën e tyre për pasqyrimin dhe nxjerrjes në pah të punës së mësuesve vullnetarë shqiptarë në Greqi.
Kujtesa e shkurtër e shqiptarëve
Ne Foto:Pamje nga ish kampi i internimeve ne Gradishte te Lushnjes- Fotografia-Edi Salla/
nga Shpend Sollaku Noé/
Shqiptarët janë popull apo turmë? Nëse një bashkësi njerëzish jeton në të njëjtin truall që prej antikitetit, flet që atëherë të njëjtën gjuhë; mbi atë gjuhë ka hedhur themelet e ngrehinës së kulturës së tij të dallueshme lehtësisht nga të tjerët dhe, veçanërisht, ka arritur të ketë një ndërgjegje kolektive; atëherë kjo bashkësi mund të quhet popull. Nëpër kohëra që vazhdojnë deri në ditët e sotme, kjo bashkësi ka pasur tendencën të mblidhet në një shtet etnik: vendi ku populli përmblidhet e mbrohet politikisht e ekonomikisht nga kufijtë e veta etnike.
Në themel të këtij shteti qëndron kujtesa historike e popullit të tij.
Si paraqiten shqiptarët të vrojtuar në këtë prizëm?
Në këto pak rreshta nuk mund të pretendohet një revizionim sado i vogël i historisë së psikologjisë popullore shqiptare. Këto janë opinione dhe, si të tilla, pre e çakejve llafazanë të social-networkëve apo edhe të mediave zyrtare.
Si janë sjellë shqiptarët gjatë historisë? Si popull? Si turmë? Çfarë kanë pranuar si të pakundërshtueshme dhe çfarë kanë vënë vazhdimisht në diskutim? Çfarë kanë harruar shpejt e çfarë mbajnë mend pjesërisht?
Këtu unë nuk do të ndaj sjelljen e njeriut të thjeshtë që e quan veten popull sipas sjelljes së liderëve të tij nëpër kohëra, sipas logjikës: liderë të mirë – popuj të mirë; liderë të këqinj – popuj të këqinj. Në fund të fundit ata tipa udhëheqësish ky popull i ka merituar të gjithë, pasi, edhe nëse nuk i ka zgjedhur, i ka pasë duruar, i ka pasë pranuar, u është nënshtruar. Të paktën për njëfarë periudhe. Të shumtën për dhjetëra vjet. Me gjithë të drejtën për t’u vetëshpallur si popull i mirë apo popull i keq.
Sipas këtij arsyetimi, populli ynë ka ekzaltuar dhe ka mohuar vazhdimisht vetveten. Duke ekzaltuar liderin e porsaardhur, duke mohuar liderët e përmbysur. Duke bërë mishmash edhe historinë e tij. Në drejtim të lashtësisë së vet – pak të dokumentuar, shumë të turmëzuar, pa kërkuar më shumë informacion, pa u thelluar në studime – ky popull mbetet akoma peng i opinioneve. Edhe kur mundësitë për t’u dokumentuar nuk mungojnë, për shembull në drejtim të Rilindjes së vet, në lëmin e Pavarësisë, dhe aq më tepër në periudhën famëkeqe komuniste, ky popull sillet akoma si turmë: i nënshtrohet me shumicë liderit të porsangjitur mbi shalë. Duke bërë instinktivisht si të parën gjë, uljen në gjunjë para tij. Kjo ndodh edhe kur tentohet nga dikush të mbahen gjallë në kujtesë sidomos tragjeditë, që nuk duhen shlyer në asnjë mënyrë nga kujtesa e tij.
Dhe nuk ka tragjedi më të madhe që nuk duhet harruar sesa ajo e represionit komunist, që krodhi në gjak, në punë të detyruar, në burgime të panumërta që zgjatnin një jetë të tërë, në internime që zgjatnin edhe pas vdekjes, njerëz e familje të numëruara të paktën me gjashtë shifra; që zhveshi nga mendimi dhe injektoi ADN-në e skllavit edhe në pjesën e mbetur të shqiptarëve.
Të paktë janë ata që kanë ngritur si duhet zërin për moszhdukjen e dëshmive ngjethëse të diktaturës. Të shumtë për dreq, gjenden ata që janë të interesuar për zhdukjen e këtyre dëshmive, duke filluar nga të gjithë ata, që kanë qenë në krye të shqiptarëve në vitet e pas 1990-ës. Nuk po e quaj këtë periudhë postkomuniste, pasi, në të vërtetë, nëse komunizmi ra si sistem ekonomik, ai vazhdon të mbretërojë në Shqipëri si mënyrë të menduari e të vepruari. Ndryshe nuk ka sesi shpjegohen zhvillimet e sotme politike dhe kostumi shoqëror shqiptar i sotëm. Ndryshe nuk ka sesi shpjegohet qëndrimi ndaj ruajtjes së dëshmive më të prekshme të represionit: atyre të pazëvendësueshmeve, kampeve të internimit.
Dhe nuk ka vend me përqendrim më të madh në botë për to, sesa Lushnja.
I shtyrë nga ideja e njohjes së gjendjes reale të tyre, pak javë më parë vizitova ato kampe që, sipas meje, janë më përfaqësueset në atë arkipelag të dhimbshëm myzeqar: Savrën, Gradishtën e Çermë-Kampin.
Savra, lëngimi i mbetur pezull
Kur hyn atje, menjëherë të mbushen veshët me muzikë nga Përmeti apo Skrapari. Radiot apo stereot e kanë zërin të ngritur deri në fund, sikur konkurrojnë njëra-tjetrën. Një dukje normale. Me njerëz normalë, të cilët ngatërrojnë makinën tonë me atë të ndonjë qeveritari, që kush e di sa ka pa u kthyer atje. Dalin jashtë e fillojnë të paraqesin ankesat. Kur i themi kush jemi e përse kemi ardhur, ulin sytë përdhe. Na shpjegojnë se ku ndodhet rruga që kërkojmë, por askush nuk ofrohet si “ciceron”, edhe pas premtimit të një shpërblimi të vogël, që këtu do të thotë ndoshta një gjysëm pensioni, për ata fatlumë që mund ta gëzojnë. Kthehen në shtëpitë e tyre, ngrenë akoma më shumë volumin muzikës. Sikur ta përdorin si një “tobe estagfurllah” ndaj nesh që na konsiderojnë gjahtarë fantazmash.
Dhe fantazmat këtu duhet të gjenden me shumicë. Sepse ka patur shumë të vdekur të paqetësuar, larguar nga kjo botë të dëshpëruar e pa shpagim. Si ata që po shkojmë të rizgjojmë si turistë të pazakonshëm të krimit.
Një djalë i ri, që na shpjegon se nuk ka qenë internuar këtu, por që e njeh mirë atë zonë, ofrohet spontanisht, kur ne kemi marrë drejtimin për nga blloku i barakave të të internuarve. Quhet Gëzim Halili. Qëndroi me ne përgjatë gjithë kohës së hetimit, duke pyetur shpesh të tjerë rreth informacioneve që kërkonim. Informacione të cunguara, të dhëna me zor, nga njerëz të frikësuar prej zgjimit të fantazmave. Apo prej zemërimit të liderit aktual, që, si paraardhësit e tij, nuk ka dashur asnjëherë ballafaqimin me to.
Rruga e barakave ka një emërtim të ri, “Thoma Papano”, një emër që ua prish më shumë qetësinë fantazmave, të mohuara si qenie njerëzore gjatë të gjallit, të dënuara edhe pas internimit për të mbetur fantazma. Përpiqem të vjel në ajër shqetësimin e atyre. Dhe u dëgjoj zërin. I lehtë, por i mprehtë e revoltues: Ky që shihni si emërtim në rrugën tonë është askushi për ne. Pak mbiemra të shquar lënguan në këtë rrugë? Dhe nisin të m’i numërojnë: Deda, Hoxha, Markagjoni, Dine, Dukagjini, Kupi, Spahiu, Bajraktari, Mulleti, Mirakaj, Radi, Kolgjini, Plaku, Kulla… Kanë qenë shumë, por ne jemi fantazma, e na mbahet fryma nga lista e gjatë. Ah, shto këtu edhe mbiemrin Laholli… shto edhe Kokali… shto edhe…
Zyrtarisht kanë qenë shtatë baraka, tri në njërin krah dhe katër në tjetrin. Por në secilën prej tyre banonin vazhdimisht deri në gjashtëmbëdhjetë familje. Më e famshmja? Ajo me numër shtatë, atje ku edhe u martua i shumëvuajturi Ahmet Kolgjini, atje edhe ku u shua një nga figurat më të shquara çame, Rexho Plaku; atje ku u tret edhe Anton Dukagjini, atje kanë banuar edhe Vehip Hoxha, Mirakajt e sa të tjerë, të ndërruar në vite, sipas etjes gjakëse të më të zellshmëve të diktaturës. Dikush vinte nga burgimet e gjata, dikush kthehej pas hekurave, sipas një riti të kobshëm. Në cep të saj është përkthyer edhe “Orlando i çmendun”, vepër e Ludovico Ariostos e vitit 1532, prej mjeshtrit Guljelm Deda – çmim postum i vitit 2014.
U hedhim një sy barakave, ose më mirë të asaj që ka mbetur prej tyre. Sepse për mbetje mund të bëhet fjalë. Shumica, sidomos ato të pabanuarat, janë në grahmën e fundit. Dhe është një mrekulli që mbahen akoma në këmbë, falë kryeneçësisë së tyre dhe etjes për të dëshmuar. Por do të mjaftonte më pak se një tërmet, ndoshta edhe një erë e fortë, për t’i rrafshuar. Edhe ato pak që banohen akoma, nuk paraqiten më të shëndetshme: janë zënë nga njerëz të ardhur aq të varfër, që as nuk mundin t’i riparojnë. Për të mos përmendur ndërtimet e dikujt në mes të tyre, që do të jetë vështirë t’i shkulësh në rast se… në rast se…
Kjo gjendje mbetet e tillë deri në skaj të ish bllokut të të internuarve, atje ku dikur ndodheshin WC-të e përbashkëta, të rrafshuara që nga themelet. Të kthyera edhe ato në fantazma, me etjen për të dëshmuar diçka.
Çermë – turpi i fshehur
Prej të gjithë kampeve të Internimit, për atë të Çermës ndoshta është shkruar më pak. Ndoshta për faktin se atje nuk kish shumë baraka të mirëfillta që prej kohësh (kanë qenë vetëm tri, ndërtuar dikur, pas tharjes së Tërbufit, në mes të baltërave, si një vathë për të strehuar… ushtarakë), por të ashtuquajturat shtëpi të mbuluara në përgjithësi me tjegulla. Ndoshta sepse, në dukje, duke qenë më afër rrugës për në Divjakë, ishte më i dukshmi para syrit të popullit. Ndoshta…
Edhe pse në perëndim të tij ka qenë një karakoll i frikshëm, i lartë, syrit të të cilit ishte e vështirë t’i shpëtonte edhe zvarritja e urithëve.
Me gjithë këtë shëmbëllesë, ai nuk ishte më pak i tmerrshmi, jo vetëm për ndrydhjen e lirisë të familjeve të internuara, jo vetëm për demaskimet e turpshme dhe rrahjet e panumërta nga sigurimsat…
Zyrtarisht ka pasë qenë emërtuar Çermë Sektor nr. 2, në të vërtetë edhe nga banorët përreth është quajtur gjithmonë “Kamp”. Aty kanë pasë banuar pranë e pranë familje intelektualësh të internuar, fqinjësuar nga injorantë analfabetë bashkëpunëtorë të Sigurimit; emigrantë kosovarë të trajtuar si jugosllavë, përballë komunistësh që, edhe pas burgimeve, vazhdonin të donin komunizmin; poliglotë të dëgjuar pranë prostitutash.
Shumë kanë qenë të internuarit si individë, më pak familjet e internuara, të dërguara aty për t’u survejuar më imtësisht, jo vetëm prej atyre që u bënin apelin, por edhe prej bashkëpunëtorëve të padeklaruar të Sigurimit.
Kam pasë punuar si arsimtar në shkollën e mesme të Çermë-Shkumbinit dhe shumë prej të internuarve i kam pasë njohur personalisht, sidomos bijtë e tyre, që studionin në shkollën tonë. Janë të shumtë dhe nuk do të mjaftonin libra të tërë për të përshkruar vuajtjen, pasigurinë, frikën e përhershme në sytë e tyre, edhe pse, shpesh, ishin më të zgjuar e përgatiteshin më shumë sesa moshatarët e tyre pa “njollë” në biografi.
Lista e atyre që pësuan internimin më të rëndë në këtë kamp është e stërgjatë: Familja e Sefer Mujos – me Bajamen, Fatmirin, Eqeremin, Novruzin, gratë dhe fëmijët e tyre; Familja e Daut Sokolit – me Xhemilen, Kujtimin, Ritvanin, gratë e fëmijët e tyre; Familja e Islam Dobrës – me Xhemilen, dy djemtë Muhamet e Shefqet, gratë dhe fëmijët e tyre. Të gjitha këto familje i kanë pasur kryefamiljarët të arratisur jashtë vendit dhe djemtë nëpër burgje.
Më tej kujtojmë familjen fatkeqe Islami me Hajdarin, Nadiren, Klementin, Isabelën dhe Zamirën, të cilat më pas u arratisën në Amerikë; Familjen e Rrok Pjetrit – Nënë Nusha, Pjetri, Frani, Lazri, Lina, bashkëshortet e tyre, fëmijët; Familjen e Odise Tsollos – grek minoritar, me bashkëshorten dhe dy djemtë; Familjen e Theodhori Files – gruan dhe tre fëmijët; Familjen Kau – me plakun e urtë Xhemalin, Dejen, Paqon, bashkëshortja e djalit të tyre Shefqet Kau, i burgosur politik dhe fëmijët, Sajmirin e Flamurin; Familjen Gjuta – me Zaimin, Humën, Agimen, Avniun, bashkëshorten dhe fëmijët; Familjen e Gani Kodrës – me Ikbalen, dy djemtë, vajzën me dy fëmijë; Familjen e poliglotit në nivel ndërkombëtar Mitat Aranitasi; Familjen e poetit dhe intelektualit të shquar Ahmet Kolgjini, familjen e…, familjen e… Të gjitha familjet e mësipërme kanë pasur të paktën një person të familjes të burgosur politik.
Lista mund të zgjatet me “kosovarët” Hashim Toplica – 36 vjet burg, Nazmi Berisha – 20 vjet burg, autor i një libri me kujtime rreth burgimeve të tij; mandej me familjet e tjera prej Kosove: Mehaj, Prekllukaj, Çelaj, Hasa apo edhe me ato të “vendasve”: Bratko, Hoxha, Alla, Bezati, Kurti, etj., që, edhe pse zyrtarisht nuk qenë të internuar e nuk u nënshtroheshin apeleve, demaskimeve apo rrahjeve, nuk është se jetonin më mirë se “bashkëkampistët” e tyre. Nga koha në kohë aty kanë incizuar vuajtjet e tyre edhe të tjerë, që kujtohen më pak, si një farë Stavri, të cilit nuk i kujtohet mbiemri, por i mbajtur mend sidomos si një ish partizan që ka pasë pësuar rrahje të panumërta nga një demaskim në tjetrin. Ky personazh më kujton një tjetër minoritar të lagjes “Teqe” në Lushnje, që e pësoi vetëm pasi, kur dikush e kish pyetur “Ç’thotë puna?” ish përgjigjur: “Puna shuma, leka muta!”.
Të gjitha këto më vijnë ndërmend ndërsa vizitoj atë çfarë ka mbetur prej ish Kampit, pasi për mbetje mund të bëhet fjalë edhe këtu, ashtu si në Savër. Ajo çka shohim nga ish-banesat e të internuarve, mund të skedohet në dy grupe: njëri përbën atë të më të rrënuarave, shpesh të kthyera në magazina silazhi apo stalla; tjetri atë të të mbajturave më mirë, sipas mundësive të banorëve të rinj. Ish-banesa e Kolgjinëve për shembull nuk kish pësuar rrënime, edhe për shkak të kujdesit apo të mundësive të pronarëve të saj të ardhur nga Mokra. Kishte edhe më keq: Shtëpia e Dobrajve, dhe jo vetëm, ish kthyer në stallë të dikujt dhe kish filluar të rrënohej. Ajo e Islamëve, përndryshe, kish pësuar pak ndryshime, por ish në gjendje të mjeruar. Ndërsa po fotografonim pikërisht këtë shtëpi, dikush na u afrua dhe, pa u prezantuar, na the se kish qenë prezent kur, pas arratisjes së Isabelës, Klementit dhe Zamirës, policia kish bastisur banesën e tyre. Ndër të tjera, kishin gjetur rreth 800 mijë lekë të vjetra si edhe fotot e tre brezave të ruajtura me kujdes. “Ne i lamë në vend, na tha ai. Nuk morëm asgjë me vete.” Dukej se thoshte të vërtetën. Në fakt, qoftë prej atyre parave, qoftë prej fotove, Islamët më vonë nuk mundën të rekuperojnë asgjë. E dhimbshme, para së gjithash, ajo e humbjes së afekteve familjare.
Sidoqoftë, ajo që më bëri përshtypje më tepër, sidomos pas rrënimit të dëshmive historike, ishte ruajtja ende, jo vetëm në ndërgjegjen popullore, të emrit të kësaj skëterre të dikurshme: Kamp. Qe shkruar edhe në një emërtim pothuaj zyrtar: Qendra shëndetësore Çermë-Kamp. I ka shpëtuar censurës ky emërtim? Rastësisht? Qëllimisht?
Gradishta: një geyser rënkimesh
Për nga shtrirja, por sidomos për nga numri i shumtë i personave të kaluar nëpër sitën e internimeve të këtushme, pas 1969-ës e këtej, Gradishta mund të mbajë edhe një rekord, sa të trishtuar aq edhe tragjik. Një gulag tipik, ndërtuar në mes të baltës, shpesh po prej vetë të internuarve, pa kanalizime për ujërat e zeza (ato ishin gropa në qiell të hapur, që prisnin një qerre për t’u pastruar, që shpesh përziheshin me ujërat e mbetura prej larjeve të të internuarve, edhe kalonin nëpër kanale të cekët, mes barakave, por edhe anash rrugicës së ngushtë që ndante dy blloqet kryesore të banesave), pa ujë të rrjedhshëm (ai vinte i racionuar, me autobot, vetëm vonë u soll një çezmë e përbashkët, në radhën para të cilës nuk mungonin bërrylat, sherret dhe provokimet për të përçarë të dënuarit). Lista e emrave të familjeve të shquara të sjella këtu, të ripostuara gjetkë, apo të kthyera sërish, është e stërgjatë. Me pak, përjashtime, janë pothuaj ata që gjenden edhe në kampet e tjerë, por sidomos në Savër. Ndërkaq emrat që mungojnë gjenden në sektorët Plug, Gjazë, Çermë-Kamp e Savër. Ky i fundit, Savra, ka pasë qenë lëmi i grumbullimit dhe i shpërndarjes së “prodhimit armiqësor”, dhe mund të konsiderohet kampi mëmë. Që andej niste popullimi me skllevër i kampeve “bij”. Kjo mëmë sadiste i shpërngulte apo i rikthente, sipas ekzigjencave të survejimit, por edhe sipas nevojës së partisë për krahë pune në bujqësi.
Sapo mbërritëm në atë zonë, kërkuam të dimë se ku ishte kampi. Unë nuk kisha qenë atje qëkur ishim gjendur në kuadrin e një mitingu për demokracinë, në fillimin e vitit 1991, dhe e pata të vështirë të orientohem, edhe për shkak të degradimit të gjithanshëm të gjithë zonës përreth.
Këtu jemi në Ferras, më tha dikush, emërtimi kamp nuk ekziston. Dhe u përpoq të më shpjegonte diçka që në fakt e dija që më parë.
Ferras ka qenë quajtur ky vend para se të merrte emrin Gradishtë-Sektor. Ashtu siç u krijua emri Savër – Sektor, Çermë – Sektor (i mbetur pa emër tjetër edhe sot e kësaj dite), Çermë – Sektor nr.2, i mbetur me emrin që të fut drithmën “Kamp”; ashtu si Sektori – Grabian, Sektori – Plug, Gjazë etj.: kamuflim i vendeve të internimit si sektorë të ndërmarjes bujqësore.
Në ish sheshin kryesor të “sektorit” të degraduar, kërkuam dikë që të na shoqëronte. Kemi kryeplakun këtu, u hodh njëri prej frekuentuesve të klubit të atjeshëm. Edhe ai ka qenë i internuar. Unë iu drejtova grupit ku mund ta gjeja. Dikush prej tyre tha me zë të ulët: Do jenë gazetarë, nuk del gjë nga këta. Unë u prezantova dhe kërkova të flas me kryeplakun. Edhe ai u prezantua, ftohtë. Quhej Bajram Koloshi. Ishte pikërisht ai person që kish shprehur mosbesim në drejtimin tonë. I thashë përse kisha ardhur deri aty. Eh, sa gazetarë e qeveritarë kanë ardhur këtu, bëjnë intervista, premtojnë, e pastaj zhduken. Unë u përpoqa t’i them që nuk bëja pjesë në ato kategori, por ai ndërkaq ish larguar, por pasi t’i thoshte njërit prej burrave të pranishëm që të na ndihmonte. “Ciceroni” kësaj here quhej Agron Zaçe. Me të përshkuam të gjithë zonën e barakave të të internuarve.
Dhe dua të them që në fillim se në Kampin e Gradishtës gjendja ishte shumë më e keqe sesa në Savër apo në Çermë-Kamp. Këtu ishte kaluar nga mjerimi i barakave të dikurshme, në shkatërrim total. Përjashtuar ndonjërën nga barakat në të cilën jetonte akoma familja e Zenel Tërnakut, apo ndonjë tjetër bujtës, të gjitha të tjerat ishin vetëm mirazhe banesash të dikurshme, më të dhimbshme në këtë formë të re, si dëshmi në agoni. Sa më thellë të futeshe në atë realitet, aq më dramatik bëhej ambienti. Më të shpërfytyruarat baraka kishin në kujtesën e plagosur emrat e Lekë e Mojs Mirakës, Xhevdet e Bujar Kaloshit, Thanas Budës, Abdurrahman Kaloshit, Lek Pervizit… Menajt, Kupët, Dostët, Demajt, Herrajt… Staraveckët, Zevot, Resulët, Bylykbashët…
Gjithandej zot i vendit ishte degradimi: Çati eterniti duke rënë, mure prej qerpiçi e kallamash, të cilëve u kishin mbetur vetëm hunjtë e shtrembër, diku mbuluar nga barërat e këqija, diku shndërruar në stalla bagëtish, në magazina rrangullishtesh apo jonxhe, në strehë qensh.
Monumenti i dhunshëm i Lushnjes
Që shqiptarët e kanë kujtesën të deformuar, një shembull tipik e japin edhe lushnjarët. Nuk ka sesi të jetë ndryshe, kur durojnë, në sheshin e tyre kryesor – sa herë që bëjnë festa, sa herë që dalin nga klubet, apo në xhirot e mbrëmjes – monumentin më të lartë të këtij qyteti, atë të marrjes së tokave të fshatarëve. Duhej të ndërronin rrugë, por i sillen vërdallë indiferentë; duhet t’u vinin të vjellat para saj, por ata kanë stomakë të fortë, siç duket; duhet të ishin revoltuar për një kohë “no limits”, por ata heshtin.
Këtu e njëzet e tre vjet më parë, në gazetat “Ora e fjalës” dhe “Republika”, hodha idenë e dërgimit të atij monumenti në fonderi dhe ngritjen e një tjetri në vend të tij, atë të genocidit komunist. E meqenëse që atëherë asgjë nuk ka ndryshuar, po i përsëris të gjitha arsyet dikur prej meje të përmendura:
Ai monument i turpshëm është politikisht i dëmshëm, pasi kërkon të përjetësojë reformat më të përgjakura e tragjike të Myzeqesë. Pacipësisht është edhe quajtur “Toka jonë”. Toka e kujt? Ajo e atyre që ua morën? Ajo që e kolektivizuan? Ajo e atyre që zhveshën fshatarin deri në palcë? Që nuk ia shuan urinë as me bukë misri?
Duke qenë i ngritur nga komunistët atëherë kur po e kuptonin falimentimin e rendit të tyre antinjerëzor, pra shumë vonë, (në vitin 1987), ai monument u kuptua si tendencë e tyre për t’u përjetësuar. Sot, në një shtet të vërtetë demokratik, ai është edhe i rrezikshëm; është dhe, sa të jetë në këmbë, do të jetë burim tensionesh politike. Edhe pse për momentin të përgjumura.
Për arsyet e mësipërme, ai është edhe një monument historikisht i falsifikuar. Provoni të pyesni ata pak të mbijetuar të kohës së kolektivizimeve se me sa “gëzim” i kanë dhuruar tokat dhe bagëtitë! Shfletoni vetëm dokumentet e lëna pas po prej arkivave të diktaturës, lexoni shtypin shqiptar të atyre viteve, pyesni familjet e Fuat Kurtit, Demir Guberës, Hysen Bahos, Mitro Vulos, Hamdi Sefës, Veiz Kurtit, Rrap Qerretit, Naum Dajës dhe Jorgji Dajës, të dënuar me vdekje e sekuestrim të pasurisë. Nëse nuk ju mjaftojnë këto jetë të sakrifikuara, mund t’ju ofrojmë edhe ato të atyre me burg të përjetshëm… Të gjithë sepse ishin shpallur kulakë, pasi nuk u kish pëlqyer kolektivizimi.
Monumenti i turpshëm i Lushnjes duhet dërguar në fonderi edhe pse ai nuk është skulpturë me taban kombëtar (ky term i pëlqente shumë komunistëve). Përjashto bazamentin, ai kompleks në bronx është i punuar i gjithi sipas modeleve sovjetike. (Dhe kjo nuk është e vetmja skulpturë në Lushnje që vuan prej sovjetikërisë apo kinezërisë, shpesh edhe e kopjuar 100% prej “veprash” të atyre vendeve). “Toka Jonë” është edhe një vepër tipike sipas mësimeve të partisë: në njërën dorë kazmën e në tjetrën pushkën, apo sipas idesë standard të aleancës së “kllasës” punëtore me fshatarësinë kooperativiste.
Nga pikëpamja e realizimit artistik, kjo masë tre-figurëshe prej bronxi, me gjithë respektin për autorin Perikli Çuli, është tejet mediokre, prandaj me shkrirjen e saj nuk shoh as edhe më të voglën humbje për artin kombëtar.
Prandaj ky monument kaq poshtërues në përmbajtje, artistikisht mediokër, politikisht i dëmshëm dhe historikisht i falsifikuar, duhet zhdukur prej andej.
Me se mund të zëvendësohet? Me diçka të natyrshme, për të cilin Lushnjes duhet t’i njihet rekordi zyrtarisht: Me një kompleks monumental për persekutimin komunist.
Dhe jo vetë kaq. Lushnja ka nevojë edhe për një muze të këtij persekutimi të pashoq.
Po ashtu duhen bërë muzeale edhe kampet e internimit kudo që kanë qenë.
Sa nuk është vonë, sa mundet akoma të rekuperohen. Përveçse dëshmi të patjetërsueshme historike, ato fshatra – muze mund të jenë edhe burim biznesesh për popullsitë e atjeshme pasi, sigurisht, kanë për të tërhequr shumë vizitorë shqiptarë e të huaj.
Kryeqeveritari i sotëm, në premtimet e tij paraelektorale, sidomos në Amerikë, ka pasë premtuar që do të zgjidhte shumë probleme të ish të dënuarve e të persekutuarve politikë, madje e ka pasë paraqitur veten si i vetmi që mund t’i zgjidhte ato probleme. Pa asnjë paragjykim parafabrikat nga të tjerët, ai ka rastin të japë konfirmim edhe të këtyre premtimeve.
Le të shpallë një konkurs kombëtar më temën e monumentit të ri të Lushnjes, lë të përpiqet ta ndihmojë me fonde. Nëse do t’u kërkohet ndihmë edhe ish të persekutuarve, të ndodhur në Shqipëri apo diasporë, jam i sigurt që angazhimi i tyre nuk ka për të munguar.
Duhet rekuperuar kujtesa kombëtare, sa nuk është shuar akoma e gjitha. Pavarësisht nga partitë që mendojmë se përfaqësojmë. Që të mos vazhdojmë të mbetemi një gjysmëpopull, duke çnderuar vazhdimisht pjesët tona nga më të rëndësishmet. Që të arrijmë të bëhemi një komb i vërtetë, i plotë, që njeh tek lideri të gjithë vetveten, jo vetëm ndonjë gjymtyrë të saj.
(fotot nga Edi Salla)
Flet sopranoja dhe këngëtarja e këngës popullore, Shqipe Zani
-Si kam kënduar me Gaqo Çakon, Avni Mulën, Ramiz Kovaçin/
-Kërkesë tek Ramizi të më kthenin nga Ansambli Ushtrisë në Opera/
– Daljet në skenë me koncerte dhe vepra janë mbi 2000/
– Veçoj punën me kompozitorët më me emër si Tish Daija, Feim Ibrahimi, Nikolla Zoraqi, Simon Gjoni. Çesk Zadeja/
– Rifat Teqja, dirigjenti i madh shqiptar më ofroi për pedagoge/
-Të qenit pedagoge nuk është luks por përgjegjësi/
Nga Albert Z. ZHOLI/
-Gramshi qyteti i saj i lindjes. Gramshi ka qenë një qytezë e vogël por të gjithë mësuesit dhe pedagogët ishin nga Elbasani dhe nga Korça Pikërisht në Pallatin e Pionierit të këtij qyteti, ka kënduar me repertor të huaj, një këngë spanjolle. Dëshira për muzikë u dallua dhe nga kryetari i komitetit. I kujtohet që në atë kohë që ka mbaruar klasën e shtatë, në qytet u hap fabrika e armëve dhe në shtëpinë e saj ishin një familje me 7 fëmijë. Shumë shoqe të saj menjëherë pas shkollës kërkuan të hynin në uzinë. Në një moment thotë, mbaj mend që mamaja ime tha: “Po sikur ta fusnim dhe Shqipen në uzinë!” “Unë, kurrë! Unë do iki në Tiranë dhe të bëhem këngëtare”, u përgjigja unë. Në këtë dëshirë e ka mbështetur shumë babai dhe kryetari i komitetit. Erdhi në Liceun artistik në vitin 1964 dhe që në etapën e parë fitoi. Në lice studioi për teorikë sepse akoma nuk ish hapur dega e kantos. Dega e kantos u hap kur ishte në vit të tretë. I kujtohet që me tu hapur kjo degë trokiti në derën e drejtorit dhe iu lut ta kalonte për kanto, po kjo ishte e pamundur. Gjithsesi rastisi të zgjidhej për të kënduar në Dekadat e Majit një material të Çesk Zadesë, dhe kur erdhi koha për tu futur në Akademi u pranua pa u futur fare në konkurs. Gjatë Akademisë ka qenë një studente që në të gjitha lëndët muzikore shkëlqente.
Skenat e madha kanë tjetër emocion, kur kënduat në skenën gjigande të Operës për herë të parë?
-Mbaj mend se ishte vitit 1970. Pikërisht në vit të tretë, në një koncert të organizuar kam kënduar 4 pjesë me një soliste të operës. Atë kohë u zgjodha dhe për të bërë një turne me këngëtarët më të zotë që ishin në atë kohë: Nina Mula, Burhan Spahiu, Lili Tafai. Në atë kohë shkolla zgjaste tre vjet dhe një vit bënim stazh. Për çudi dhe gëzimin tim të madh, stazhin më caktuan ta bënim në opera. Me atë turne u bë një lloj prezantimi shumë i mirë i emrit tim. Në vit të katërt, kur vajta unë në Opera, repertori klasik ishte hequr prej 8 vjetësh dhe viheshin në skenë vetëm vepra shqiptare. Mendoni pak që në botë çdo këngëtar profilizohet sipas zërit që ka. Askush nuk mund të këndojë një vepër që nuk është për trupin apo zërin e tij. Ne erdhëm në atë institucion dhe ishte opera “Mrika”, “Skënderbeu”, opereta “Brigada”. Ndërkohë që ne ishim përgatitur për vepra kontemporane që luheshin në skenat e gjithë botës. Por pavarësisht këtij fakti mendoj se kam pasur fat. Ngaqë unë shkova me emrat të mëdhenj, drejtuesit e operës krijuan besim dhe nisën të më çonin andej këndej, ndaj nisa të aktivizohesha shumë. Nisa të hyja në skenë dalëngadalë dhe të mos e kisha frikë përballjen me publikun. Për mua skena është dëshira më e madhe që mund të kem në jetë. Dëshirë që ka pasur dhe ajo frikën e vet, që me kohën kam arritur t’i zbus dhe t’i eliminoj.
Mbas stazhit shkova si soliste në Opera dhe si soliste mbeta.
Gjithmonë rolet e parë janë më të diskutuarit, madje ato të hapin rrugën e suksesit?
-Eh rolet e para. Po ashtu janë plot drithërima dhe ethe. Rolet e para kanë përkuar me operat “Mrika”, “Brigada e grave”. Pas tyre vjen një moment interesant. Kur Avni Mula muzikoi “Karnevalet e Korçës” më besoi mua rolin e Afrovitit. Afroviti ishte një bum, sepse ajo dhe këndon dhe luan. Më pas u vu “Boheme” ku Gaqo më zgjodhi mua për Mozetë dhe pse unë doja të interpretoja Miminë. Këndonte në atë pjesë Gaqoja, Ramiz Kovaçi, Tatjana Kora dhe unë. Ka qenë një “Bohemë” e paharrueshme. Pas kësaj u vu skena e “Toskë”-s, “Butterfly”. Arrita ta bëj Rozinën më vonë, sepse nga viti ‘77 në ‘79 mua më caktuan në Ansambël të Ushtrisë. Unë që ditën e parë bëra kërkesë tek Ramizi dhe më kthyen në opera. Kur më kthyen në opera në ‘83-in unë kam vënë në skenë “Berberin e Seviljes”. Atëherë ishte e rëndësishme të merrje role, sepse gjithë secili kishte publikun e vet. Organizoheshin shfaqje të shumta dhe një soliste këndonte natën e parë, njëra në të dytën, të tretën e kështu me radhë. Pastaj u vu opera “Pagliaçi”. Më pas erdhi viti ‘91 me problemet e njohura shqiptare. Më kujtohet që kanë qenë skena paksa të llahtarshme, ndërsa prisnin në skenë të na ndizej gjeneratori. Në atë kohë më besuan rolin e Leonorës nga opera “Trovatore” që nuk ishte shumë për vokalin tim, sepse ajo është një vepër dramatike. Punova shumë me atë rol. Unë në jetë kam punuar shumë për ta zbërthyer personazhin, për ta zbërthyer nëpërmjet tekstit dhe frazës. Asnjëherë nuk kam qenë rob i të kënduarit. Nuk kam menduar kurrë vetëm të kap notat. Gjithnjë brenda meje logjika është e lidhur me ndjenjën e transmetimit.
Opera diçka shumë elitare, po udhëheqësit e asaj kohe a vinin në opera dhe para kujt prej tyre ke kënduar?
-Mund të them se të gjithë udhëheqësit e asaj kohe vinin në Opera. Kam qenë nga ato këngëtare lirike që kam kënduar shumë para Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë. Ato përgjithësisht na jepnin dorën, ndërkohë që Ramizi ka qenë më ndryshe. Kur kam marrë nga lidhja e Shkrimtarëve dekoratën “Naim Frashëri” Klasi i Tretë, për interpretimin e muzikës shqiptare, Ramiz Alia ishte kryetar i Kuvendit Popullor dhe kur e kam marrë kemi qenë në Akademinë e Arteve. Çmimin ma dhuroi Nexhmije Hoxha.
Për më tej, veç muzikës operistike gjatë kësaj kohe u aktivizova dhe me muzikën popullore të përpunuar. Unë e kam pasur të pandarë në repertorin tim muzikën operistike shqiptare dhe atë popullore. Veprat shqiptare i kam kënduar shumë.
Mund të themi se rezultatet e një këngëtareje varen shumë nga recitalet, sa të tilla keni dhënë?
-Nuk mund ta them ekzakt. Mbase mund të jenë 15 të tilla, ndërkohë që daljet në skenë me koncerte dhe vepra janë 2000. Në kohën që ne bënin opera askush nuk i filmonte operat dhe as bënin fotografi. Unë kam qenë gjithnjë vetëm në Tiranë dhe të gjitha përkujdesjet dhe emocionet e skenës i kaloja vetë. Nuk kisha kohë për fotograf, nuk kisha të afërt, ndaj dhe nuk kam shumë fotografi. Mendoj se portreti im ka mbetur më shumë tek publiku sesa në polaroid.
Të kalojmë tashmë tek muzika popullore shqiptare?
-Këngë të tilla kam kënduar vazhdimisht në skenën e operës. Madje menjëherë sa kam ardhur. Për herë të parë kam kënduar “Ta dish”, “Dola n’penxhere”, “N’atë zaman të asaj shurije” dhe turneu im i parë jashtë shtetit ka qenë në vitin 1974. Unë kam qenë një ndër të parat këngëtare të operës që kam kënduar jashtë kufijve të Shqipërisë. Kam qenë në Maqedoni, Kosovë dhe Mal të Zi, me një ansambël që e drejtonte Limoz Dizdari me studentë të akademisë, instrumentistë. Kam kënduar gjithnjë popullore të përpunuar. Janë pritur shumë mirë. Duke qenë se unë këndoja muzikë popullore atëherë më ftonte shpeshherë Ansambli i Shtetit. Xhimi Zilmixhiu ishte profesori im i plastikës dhe estetikës kur kam qenë studente dhe kur ishte drejtor ai më këshillonte se ç’duhet të bëja. Një nga aktivitetet më të njohura të Teatrit të Operës dhe Baletit kanë qenë Dekadat e Majit, aktivitete për të cilin punonin kompozitorët më me emër si Tish Daija, Feim Ibrahimi, Nikolla Zoraqi, Simon Gjoni. Çesk Zadeja, duke vazhduar me të rinjtë: Kujtim Laro, Sandër Peçi, Shpëtim Kushta realizonin krijimet më të mira. Ndërkohë që Bebi Kristidhi, Nora Çashku, Anita Tartari deri tek më e reja Rudina Ciko e shumë të tjerë, kanë bërë emër nëpër Dekadat e Majit si interpretues. Kështu që drejtori mua më këshillonte të shkoja tek Instituti i Folklorit dhe të bashkëpunoja me kompozitorët për këngë popullore. Unë jam paraqitur gjithnjë me këngë popullore me “Trëndelinë”, ”Jare shkodrane”, të cilat i këndoja dhe me operën dhe me orkestrën e radios. Jam pjesëtare e gjithë edicioneve të romancës shqiptare ku jam vlerësuar dhe me çmim të parë e të dytë.
Kush ju ofroj si pedagoge në Universitetin e Arteve?
-Këtu dua të ndalem pak. Kam nisur si pedagoge e jashtme në vitin 1984, kur isha soliste në opera. Në atë kohë Rifat Teqja, dirigjenti i madh shqiptar, i palodhuri, njeriu që i dha kaq shumë skenës, ai na bëri propozim disa sopranove. Në 91-in zëvendësrektore ishte Suzana Shuteriqi dhe dy kolegët e mi Suzana Frashëri dhe Burhan Spahiu, të cilët donin të zgjeronin katedrën sepse ishin vetëm me dy pedagogë të brendshëm. Ato ranë dakord të isha unë, duke qenë se kishim bashkëpunim që në Opera dhe duke qenë natyrë dashamirëse dhe jokonfliktuale. Unë gjithnjë kam ndërtuar ura miqësie dhe dashamirësie në jetë. Të qenit pedagoge nuk është luks por përgjegjësi.
QINDVJETESHI I DYTE AMERIKAN
Shtetet e Bashkueme kane pothuejse cdo gja te nevojshme, per te zgjidhun pa vonese problemet qe mund te paraqiten./
Nga David Petraeus e Michael O’Hanlon/
Washington Post/
Perktheu per DIELLIN- GJON KADELI/
Ne Shtetet e Bashkueme, me afat te shkurte, zhvillimi ekonomik asht i mire. Papunesia asht paksue. Veprimtaria ekonomike asht ne rritje. Deficitet jane ma pake se gjysma e atyne qe ishin gjate krizes se
fundit ekonomike. Cmimi i naftes asht ma i ulet, qytetaret i kane pague borxhet ne nji menyre te dukeshme dhe konsumatoret kane nji ndjesi pozitive.
Megjithe kete ka ende njerez qe jane pesimiste, dhe mendojne se Amerika asht ne dobsim e siper. Ky pesimizem, nuk asht i kufizuem vetem brenda Shteteve te Bashkueme. Aleatet kryesore te Shteteve te
Bashkueme ne Europe dhe ne Azi, po pershkohen nga nji dobsim i vazhdueshem i gjendjes ekonomike, nga probleme shqetesuese popullsise (demografike) dhe dobsimi i fuqise se tyne, shkakton qe shume njerez te mendojne se Bota Perendimore, asht ne nji faze terheqjeje. Me gjithe kete, ne pergjithesi, kjo ndjesi nuk kan e baze, persa u perket Shteteve te Bashkueme dhe Amerikes Veriore.
Ne te vertete, Shtetet e Bashkueme , jane ne nji pozite ma te mire, se cdo vend tjeter, gjate 20-30 vjeteve te ardheshme, dhe ka shume gjase(sheje), qe edhe per nji kohe ma te gjate. Bashke me Kanadane dhe
Meksiken, kane gjithashtu mundesina te konkurrojne bashkarisht, tuej pase perparesine ne fushen toksoro-politike (gjeopolitike), popullsine, burimet e landeve djegese, burimet e tjera natyrore dhe
rrjetin prodhues industrial, teknologjine, dhe mbi te gjitha, aftesine shpikese (inovacionin). Prandaj, nese “Qindvjeteshi i 20-te asht cilsue, “Qindvjeteshi Amerikan, atehere, edhe qindvjeteshi ne te cilin
po jetojme do te quhet Qindvjeteshi Amerikan; sepse Amerika ne krye me Shtetet e Bashkueme, e ka vu vehten ne nji pozite te tille, per t’a sigurue kete titull.
Qe nga koha qe ja paraqitem kete mendim, para dy vjeteve gazete Uashington Post, disa sheje te vecanta te favorshme, e kane perforcue,
ne te vertete shpejtesue kete pritje.
Tashti, Shtetet e Bashkueme, jane prodhuesi numer nji i naftes dhe i gazit natyror ne bote, me Kanadane dhe Meksiken, si luejtese te nji roli me randesi ne fushe te energjise.
Prodhimi industrial tashti, megjithse, nuk ka mberrijte ne nivelin e dikurshem, ka ba te mundun qe te punesohen me qinda mija njerez, dhe Meksika asht tashti e afte te konkurroje plotesisht me Kinen dhe me qendra te tjera me randesi te Azise, ne fushen e prodhimit industrial.
Shtetet e Bashkueme jane vendi numer nji, ne fushen e teknologjise moderne, si per shembull, ne ate aeuronautikes dhe te farmaceutikes.Deficiti i buxhetit federal, megjithse, ende i nalte, asht nen 3 perqind e prodhimit te pergjithshem kombetar brut, dhe borxhi publik, ne krahasim me borxhet e maparshe, asht stabilizue.
Simbas Forumit Ekonomik Botnor, Shtetet e Bashkueme dhe Gjermania jane dy nga fuqite ma te medhja ekonomike te botes. Ato jane pothuejse te barabarta, persa u perket aftesive te tyne konkurruese. Aftesia e Shteteve te Bashkueme bazohet ne madhesine e tregut te saj, kultures inisiativmarrese, dhe rrjetit te gjane finaciar. kurse Gjermania ne fushen e prodhimit te pergjithshem industrial dhe me aftesine e theksueme organizuese dhe mbareshtruese, qe cdo gja te kryhet simbas planit dhe prodhimi te jete shume cilsor.
Rritja e prodhimit brut kombetar te Shteteve te Bashkueme asht tashti mbi 3 per qind. Ne te vertete tashti per tashti duket se ekonomia e Shteteve te Bashkueme, per here te pare ne 9 vjete, te rritet ne
pikpamje te pergjitheshme absolute, tuej marre parasyshe dollarin, te rritet me shume se ajo e Kines. Pika e fundit asht vendimtare. Kina ka ba perparim te jashtzakonshem, sa qe asht cilsue historik,por
mberritja e saj ne nji Super Fuqi nuk asht e sigurt. Te lame me nji ane, faktin, se sistemi ekonomik e politik i atij vendi, nuk asht terheqes, ajo gjindet perball domosdoshmenise te fazes kalimtare, domethane, nga nji force punetore te pagueme pak, ne nji force punetore qe duhet te paguhet ma shume. Kines, nder te tjera i duhet te baje, keto gjana:
1) Te shtoje shpenzimet per mbrojtjen e ambientit.
2) Te uli nivelin e korrupcionit.
3) Te perimresoj sistemin prodhues.
4) Te zgjidhe problemin qe kane ndermarrjet shtetenore, te cilat kane nji sistem prodhues shume te dobet.
5) I duhet te paksoj borxhin e vendit, i cili asht ma i madhi ne bote, qe te jete mbrenda caceve, domethane qe te bazohet ne prodhimin e pergjithshem kombetar brut, si edhe zgjidhjen e
shuime problemeve te tjera.
Ne te vertete, dietari i Institutit Brookings David Dollarka, ka argumentue, se edhe ne qofte se Kina jau tejkalon Shteteve te Bashkueme, ne prodhimin e pergjithshem kombetar brut, mbrenda 20 vjeteve te ardheshme, Shtetet e Bashkueme mund t”a marrin ate titull perseri, mund t’a marrin ate titull perseri ma vone gjate ketij qindvjeteshi, ne qofte se modeli politik kinez mbetet autorita.
Shtetet e Bashkueme, ma shume se cdo vend tjeter i botes ne histori,kane burimet e nevojshme .e i perballue problemet e tyne; prandej edhe ky qindvjetesh do te quhet “Qindvjeteshi Amerikan”
TENORI SHQIPTAR SAIMIR PIRGU NE CHIKAGO
Tenori lirik shqiptar Saimir Pirgu ne koncertin e Simfonise ne Chikago/
Ne koncertin e madh te orkestres se Simfonise ne Chikago qe do te organizohet per kater dite rresht (19-24 shkurt 2015),do te marre pjese edhe tenori lirik shqiptar nga Shqiperia Saimir Pirgu.Para dashmireve te skenes simfonike do te defilojne emrat e njohur me vokalin e tenorit dhe soprano Rosa Feola,Alisa Kolosova dhe Michele Petrusi.Koncerti i Simfonise ne Cikago do te drejtohet nga dirigjenti i njohur Riccardo Muti me veprat e klasikeve muzikor Mozart,Scriabin,Ligeti dhe Beethoven.Per te interesuarit per koncertin e Simfonise ne Cikago e kane ne dispozicion numrin e telefonit:312-294-3000
Skender Karacica