• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MAJOR ALEM MEHMETI, KOMANDANT I PARË I XHANDARMËRISË SHQIPTARE

January 8, 2015 by dgreca

“Alem Agaj ish komandant i parë i xhandarmërisë të krijuar rishtazi dhe me gradën major, por pa rrogë pasi nuk pranoi të shpërblehej”-Ago Agaj/
Nga Enver Lepenica /
Një nga më të pasurit, e sigurisht më i dukuri i parësisë së Vlorës, Alem Mehmet Tragjasi, u bë dhe një ndër më të parët e atdhetarisë së Shqipërisë, duke hyrë në lëvizjen kombëtare në çastet më dramatike të historisë sonë të dhimbshme.
Në maj të vitit 1907, çeta e Çerçiz Topullit me një anije zbriti në Gramë të Karaburunit dhe me kërkesë të tij u krijua “Komiteti Drejtonjës i Krahinës” në kryesinë e të cilit nga Tragjasi bënin pjesë Alem Mehmeti dhe Yzeir Muço. Ky Komitet kishte për qëllim që në bashkëpunim me klubin “Labëria”, të hapnin depot e armëve dhe të armatosnin popullin; për të çliruar vëndin nga pushtimi turk, për këtë arsye bënë edhe mbledhjen e parë në Fushë të Dukatit.
Në muajin shtator 1909, Sheme Sadiku (Kondi) nga Dukati është takuar në Ujë të Ftohtë të Vlorës me Çerçiz Topullin, dhe ranë dakort që të furnizojnë me armë krahinën e Dukatit. Nga fillimi i vitit 1910, Gaqo Kaporja e Alem Mehmeti u nisën për në Korfuz, blenë armë dhe i sollën në Himarë, Dhërmi dhe Bristan, Karaburun.
Më 26 korrik 1910, Ismail Qemali bëri në shtëpinë e Sharrajve në Vlorë një takim në të cilën kërkoi organizimin e fshatarëve në komitete. Tragjasi përfaqësohej nga Mustafa Selmani. Përfaqësuesit
e kësaj mbledhje bënë takime në çdo fshat dhe vendosën që shkëputjen nga Turqia ta kërkojnë me armë. Trimëria, zotësia, burrëria dhe besimi që populli kishte tek Alem Mehmeti i dhanë atij postin e Kryetarit të Krahinës së Dukatit. “Më 16 duke u gdhirë 17 korrik i vitit 1911, Kryetari i Malësisë së Dukatit Alem Mehmet Tragjasi, me rreth 4000 burra të armatosur, shkoi deri në periferi të qytetit të Vlorës ku ishte ngritur kampi i çadrave të redifëve nga Tepelena, të cilëve ju refuzua ndihma e shpresuar”.
Alem Mehmeti duhet të ketë marrë pjesë në Sinjë, në mbledhjen e protestës të Qishbardhës më 3 gusht 1912, ku është diskutuar memorandumi i Ismail Qemalit dhe Syrja Bej Vlorës, ku i kërkohej Sulltanit të pranoheshin 12 kërkesat e shqiptarve për pavarësi. Alem Mehmet Tragjasi, gjatë udhëheqjes së kryengritjeve antiturke, ishte bërë më i afruari tek Ismail Beu, i njohur me të gjatë emigrimit në Itali dhe kishte marrë pjesë në çdo lëvizje kombëtare kundër Turqisë. Në një nga këto përpjekje ushtria turke
u afrua shumë dhe Ismail Beu e pyeti:
-Po nashti Alem Aga nga do ja mbajmë?
-Ti peshk në det e unë si ujk në pyll – iu përgjigj qetësisht Alem Agai.
Dhe ashtu bënë. Ismail Beu u fut në gjemi, në det e shkoi në Europë dhe Alem Agaji shkoi në pyll e mbeti maleve, deri sa fituan lirinë dhe turqit mbenë me duar bosh. Përpjekjet shekullore të shqiptarëve dhe veçanërisht të heronjve legjendarë kosovarë, shpunë në Shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912 dhe krijimin e Shtetit të parë Shqiptar pas 500 vjet robërie.
* * *
Pasi kishte përshkruar udhën e një luftëtarit të vërtetë për liri, dhe përgatitjen shpirtërore të popullit për pavarësi e vetëqeverisje, arrijmë në fund të vitit 1912, kur mbi krye të Alem Mehmetit, qeveria e parë shqiptare vë kurorën e lavdisë, duke e bërë komandantin e parë të xhandarmërisë shqiptare, kurorë që ai e meritoi, e mbajti dhe e ngriti lart deri sa dha shpirt.
Kështu pra, në qeverinë e parë shqiptare të Ismail Qemalit, Alem Agai u emërua komandant i xhandarmërisë dhe iu dha grada major, por pa rrogë pasi nuk pranoi të shpërblehej.
Është rasti të ndalemi para këtij fakti kuptimplotë, para të cilit kanë se ç’mësojnë jo vetëm ushtarakët tanë por gjithë administrata shtetërore.
Është mësimi i parë për ne shqiptarët që të dimë se Shqipërinë e mbajtën dhe do ta shpëtojnë idealistët dhe nacionalistët, ata që “s’pranojnë të marrin rrogë nga shteti” edhe kur puna dhe detyra e tyre në çdo hap që hedhin është me rrezik për jetën e tyre dhe të Atdheut të tyre. Në detyrën e komandantit të xhandarmërisë, major Alem Mehmet Tragjasi, shpalosi edhe një herë virtytet si trim, besnik i vendit të tij dhe si polic me aftësi. Ai bashkë me major Ahmet Lepenicën dhe shumë burra të tjerë, treguan se trimat Shqipërisë s’i kanë munguar; ata së bashku me trimat kosovarë, ose 400 djemtë e mi, siç i quante Isa Boletini, mbrojtën qeverinë me forcën e armëve, vendosën qetësinë dhe rendin, dhe jo vetëm me armë po veçanërisht me fuqinë e shpirtit të tyre idealist.
Pa këtë mbrojtje kjo qeveri nuk mund të jetonte asnjë ditë, nën kërcënimin e çakejve të brendshëm dhe lakmisë grabitqare të grekëve nga jugu dhe të serbëve nga veriu. Është vendi të tërheqim vëmendjen e studiuesve dhe historianëve që akoma nuk u kanë dhënë vendin e merituar ushtarakëve tanë, që pa armët e tyre Shqipëria nuk mund të bëhej e nuk mund të mbetej Shqipëri, ishte koha kur vendoste pushka!
Janë të shumta përpjekjet që udhëhoqi dhe luftoi vetë Alem Agai. Luftime të rrepta janë bërë me forcat greke, nga fundi i muajit dhjetor 1912, veçanërisht në Kuç, në Bregdetin e Himarës dhe Delvinë. Në Bregdet forcat tona mund të thyheshin nga grekët dhe kështu rrezikohej edhe pavarësia, prandaj komandantët e çetave tona kërkuan ndihmë.
Krahina e Dukatit si gjithnjë e besës, nisi forca të reja nën komandën e trimit dhe atdhetarit Alem Mehmeti, që e kishte dërguar personalisht Ismail Qemali të cilin populli e përjetësoi në këngë:
Mua qeni më rrethoi (qeni = greku)
Dua ndihmë se më bloi
Në brigjet e Bregut të detit
Bën dyfek Alem Mehmeti
Katër ditë rrethuar mbeti
Kështu e thotë seneti.
Në këtë luftë ranë edhe dëshmorët Selim Gërneci nga Dukati dhe Mustafa Troqe nga Tragjasi etj. Pas katër ditë lufte Alem Mehmeti duke i mbajtur të rrethuar, si në darë, grekët, i shpartalloi duke lënë shumë të vrarë dhe plaçkë lufte. Kështu greku nuk mundi të kalonte asnjëherë Qafën e Llogorasë, sepse gjithmonë nga shpirti i popullit ka dalë thirrja: Të ngrihi burra e gra / Se greku sipër na ra.
Mid‘hat Frashëri shkruan për këtë betejë : “Edhe në Himarë janë 400 grekër, por shqiptarët kanë zënë Dukatin, Vranishtin dhe Kuçin dhe grekët nuk bëjnë dot asnjë çap.” 2)
Gjatë raprezaljeve të papara që bënë grekët gjatë viteve 1912- 1914, del në dukje fisnikëria e Alem Agait duke i strehuar e ndihmuar me ushqime e veshmbathje të shpërngulurit nga vatrat e tyre.
Në shtator 1913, Alem Mehmeti lirohet nga detyra e komandantit të xhandarmërisë të Shtetit të parë Shqiptar, por ai mbeti një ushtar besnik i Atdheut të tij, deri në frymën e fundit, një ushtar i mirë i lirisë dhe pavarësisë kombëtare. Jeta e tij është ngjeshur plot vepra atdhetare. Heroike është qëndresa e tij në Qafë të Llogorasë, më 1914 kundër grekëve, në këtë luftë të udhëhequr nga Alem Mehmeti, morën pjesë edhe gratë e krahinës së Dukatit. E paharruar do të mbetet Sado Koshena, ajo heroina e 1920-tës.
Po më 1914 Alem Mehmeti është në krye të fshatarësisë së Vlorës, bashkë me Osmën Haxhinë, në bisedimet që bënë në Frakull, Fier më 23, 24 gusht 1914 me rebelët, mundën të shmangnin gjakderdhjen dhe të ruanin flamurin me shkabën dy krenare që rebelët nuk e donin.
Në përfundim të Luftës së Parë Botërore, Vlora mbeti e pushtuar nga italianët, çka i bënte shqiptarët po veçanërisht vlonjatët të rënkonin.
Kështu filloi të gatitej Lufta e Vlorës. 28 nëntori 1919 u festua dhe u ngrit flamuri në Brataj, Dukat dhe veçanërisht në Vlorë, ku pati dhe përleshje me karabinerinë italiane. Ai që shquante në parinë e Vlorës në organizimin e një kryengritjeje kundër Italisë ishte Osmën Haxhiu, po ashtu Qazim Kokoshi, Ahmet Lepenica, Hazbi Canua, Ali Beqiri, Duro Shaska, Shero Emini, Ali Bej Këlcyra, Alem Mehmet Tragjasi, Hamit Selmani, Myqerem Hamzaraj, Halim Xhelo etj.
Kështu vijmë te “beja e Barçallasë” më 29 maj 1920. U quajt kështu se pjesëmarrësit nga gjithë Vlora u betuan për luftë kundër Italisë, për jetë ose vdekje.
Në organizimin e popullit për luftë shquan Alem Mehmeti. Ai bashkë me parinë e Vlorës, organizoi Barçallanë, dhe bashkë me pesë burra që përfaqësonin Vlorën, shkoi për bisedime me qeverinë e Tiranës. Me t’u kthyer nga Tirana ata lëshuan kushtrimin. Për organizimin dhe drejtimin e kryengritjes, u zgjodh Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” i përbërë prej 12 burrave nga më të shquarit e Vlorës, që gjatë jetës së tyre kishin dhënë jo një herë prova të trimërisë dhe atdhedashurisë me në krye Osmën Haxhinë ose Osmën Nurin siç i thosh populli. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” caktoi komandant të përgjithshëm të trupave kombëtare major Ahmet Lepenica.
Siç shihet, në elitën e atdhetarëve që do të ngrinin Vlorën në luftë për jetë a vdekje, bënte pjesë dhe Alem Mehmeti. Pas detyrës si komandant i parë i xhandarmërisë shqiptare, i Shtetit të pare Shqiptar, kurora e dytë e lavdisë e Alem Mehmetit, është zgjedhja e tij në drejtimin e kësaj lufte, që bashkë me Kongresin e Lushnjës kanë për historinë tonë të re, rëndësinë e 28 nëntorit 1912 dhe të Qeverisë së Ismail Qemalit. Për luftën e Vlorës ai nuk dha vetëm mendjen, zotësinë dhe atdhedashurinë por edhe pasurinë e shumtë
të tij, njësoj si dhe Osmën Haxhiu.
Kongresi i Lushnjës dhe Llufta e Vlorës, “shpallën” para botës pavarësinë e harruar të Shqipërisë, dhe vulosën me gjak sovranitetin e pakufizuar të vendit tonë. Në lindjen e shtetit tone më 1912, dhe në rilindjen e tij më 1920, është edhe dora, mendja dhe vepra e Alem Mehmet Tragjasit.
“Ai vishej me poture peshlli, ngjyrë të kaltër të errët, të qëndisur me gajtanë të zes prej mëndafshi, tirq të bardhë si bora, tizga të kuqe mëndafshi me xhufka, mbi supe hedhur një gunë të shkurtër të kaltër të errët, me astar të kuq përbrënda si guna dha kaçupi i saj. Gjithnjë hipur në pelë a kalë revan. Burrë më të bukur dhe pamje më piktoreske rrallë të shohin sytë” thotë bashkëluftëtari i tij Ago Agaj.
Me pelën doreshë të racës arabe të Alem Agait, që për bukuri e shpejtësi nuk kishte shoqe mbase në tërë Shqipërinë, i shpuri ultimatumin gjeneralit italian Piaçentinit, Mehmet Selim Mallkeqi. Alem Mehmet Tragjasi ka lindur në Tragjas të Vlorës, ku kaloi një jetë plot bukuri e gjallëri, me shokë dhe miq të shumtë që si munguan asnjëherë, plot lavdi e famë që rrallë t’i rezervon fati në histori, dhe e dorëzoi shpirtin e tij të bukur, po atje, në vitin 1926. Më poshtë Ago Agaj vazhdon: “Një nga më të pasurit e sigurisht më i dukuri i Parisë së Vlorës, Alem Mehmeti, kur nuk ishte i zënë me punë politike, bënte jetën më të rehatëshme e me më salltanet nga të gjithë shokët e tij…
Ishte më i afruari te Ismail Beu dhe kish marrë pjesë në çdo lëvizje kombëtare kundër Turqisë… Në kohën e krijimit të Qeverisë Provizore të Ismail beut, Alem agai ish komandant i gjindarmërisë të krijuar rishtas dhe me gradën major, por pa rrogë pasi nuk pranoi të shpërblehej… E dorëzoi shpirtin e tij të bukur në Tragjas… pas një jetë plot bukuri e gjallëri të përfunduar plotë famë.” 3)
* * *
Vdekja e Alem Mehmetit tronditi zëmrat e vlonjatëve dhe të gjithë shqiptarëve. Një djalë i ri që më vonë do të merrte famë për përkushtimin ndaj çështjes sonë kombëtare Tahir Hoxha nga Tragjasi, shkroi nekrologjinë në shtypin e kohë.

Filed Under: Histori Tagged With: ALEM MEHMETI, I XHANDARMËRISË SHQIPTARE, KOMANDANT I PARË, Major

NË PARIS VRITET LIRIA E SHTYPIT

January 8, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Të mërkurën në Paris të Francës, terroristë të maskuar sulmuan kryeqëndrën e revistës satirike Charlie Hebdo duke vrarë 12 veta të pafajshëm, 10 gazetarë dhe dy policë dhe kanë plagosur disa të tjerë. Ndër gazetarët e vrarë përfshishej redaktori Stephane Charbonnier dhe satiristët e njohur Georges Wolinski, jean Cabut dhe Bernard Verlhac.
Sido që ta shikosh, ky ishte një akt barbar që shkaktoi një tragjedi njerzore, por në thelb ishte një akt terrorist i shëmtuar kundër lirisë dhe demokracisë. Sulmi në Paris kundër gazetës satirike dhe gazetarve të saj ishte mbi të gjitha, sipas gazetës The Financial Times, “Një akt i bërë me qëllim për të frikësuar shtypin, ishte një sulm kundër lirisë së fjalës, që është shtylla e çdo shoqërie demokratike.”
Sulmi barbar kundër gazetës satirike Charlie Hebdo në Paris shokoi botën dhe reagimet ndërkombëtare ishin të shpejta dhe të vendosura nga presidentë e kryeministra, nga organizata private dhe ndërkombëtare, mbështetse të fjalës së lirë dhe të lirisë së shytpit. Presidenti Francez, Francois Hollande e cilësoi sulmin si një akt barbarizmi të veçant kundër medias dhe shtoi se, “Asnjë sulm barbar nuk do të vrasë kurrë lirinë e shtypit”. Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i organizatës franceze, “Reporters Sans Frontières” (Korrespondentët pa Kufij”), e cila merret me promovimin dhe mbështjetjen e lirisë së informacionit dhe të lirisë së shtypit kudo në botë, Z. Christophe Deloire, i shokuar nga sulmi në Paris, u shpreh se “Sulmet me armë kundër zyrave të gazetave ndodhin në Irak, në Somali dhe në Pakistan”. A mund ta kishim parashikuar një sulm të tillë kaq të tmershëm në Paris, bëri pyetje ai. Drejtori i Organizatës “Reporters Sans Frontières”, që me vite ka mbrojtur lirinë e medias anë e mbanë botës, u shpreh se sulmi ishte një “Ëndërrë e tmershme që u bë realitet. Ky sulm terrorist”, shtoi ai, “shënon një ditë të zezë në historinë e Francës.” Christophe Deloire deklaroi gjithashtu se, “Nuk mund të ketë një sulm më të tmershëm kundër lirisë së medias dhe lirive në përgjithësi, se sa sulmi me armë kundër një enti gazetaresk, duke vrarë gazetarët. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për liri dhe tolerance, përball këtij barbarizmi. Do ta bëjmë këtë në kujtim të gazetarëve që u vranë në Paris si dhe për të gjithë ata që kanë dhënë jetën në mbrojtje të vlerave themelore të lirisë së fjalës dhe të informacionit”, përfundoi deklaratën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i organizatës, “Reporters Sans Frontières”.
Reagimet ishin të shpejta edhe nga udhëheqsit më të lartë botërorë të cilët u shprehën të shokuar nga sulmi në Paris. Ata ofruan ngushëllimet e tyre familjeve të viktimave dhe mbarë popullit francez dhe njëkohësisht dënuan ashpër sulmin e të mërkurës, në zemër të Europës. Ndër të parët që reagoi ishte Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, i cili dënoi ashpër vrasjet barbare të gazetarve francezë dhe i ofroi qeverisë franceze të gjitha ndihmat e nevojshme të vendit të tij, në këtë moment të vështir për Francën, duke thënë se “Franca është ndër aleatët më të vjetër të Amerikës dhe se ajo ka qëndruar krah për krah me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër terrroristëve, të cilët kërcënojnë sigurimin tonë dhe botën.” Pas një takimi me Zëvëndës Presidentin Joe Biden dhe Sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry për të biseduar mbi situatën e krijuar në Francë, Presidenti amerikan e cilësoi gjithashtu aktin barbar në Paris si një sulm kundër lirisë së të shprehurit dhe lirisë së shtypit në përgjithësi. “Fakti se ky sulm u bë kundër gazetarve, kundër lirisë tonë të medias, nënvijon gjithashtu frikën që këta terroristë kanë nga liria e fjalës dhe nga liria e shtypit”. Në deklaratën e tij, Presidenti i Shteteve të Bashkuara shtoi se, “Por, gjëja për të cilën jam tepër i sigurt, është fakti se unë jam i bindur se vlerat të cilat ne i ndajmë me popullin francez, besimin – një besim universal në lirinë e fjalës – është diçka që nuk mund të shuhet nga dhuna e pakuptimtë që ushtrojnë disa.”
Reagimi ndaj barbarizmit kundër gazetarve francezë në Paris ishte i shpejt edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon, i cili duke shprehur indinjatën e tij të thellë, dënoi sulmin duke thënë se, “Ky akt i tmershëm barbar ka për qëllim të ndajë e të pëçajë dhe si rrejdhim ne nuk guxojmë të biem në atë kurthë. Ky është një moment për të treguar solidaritet në mbarë botën, duke qëndruar të fortë në mbështetje të lirisë së fjalës dhe tolerancës dhe kundër forcave përçarëse dhe atyre të urrejtjes”, u shpreh Ban ki Moon. Ndërsa Papa Françesku e dënoi ashpër atë atë që ndodhi në Francë duke e cilësuar si një “sulm i tmershëm”, i cili tmeroi jo vetëm Parisin dhe Francën por shqetësoi dhe habiti të gjithë njerzit vullnet mirë dhe të gjithë ata që dëshirojnë paqën. Udhëheqsi i Kishës Katolike u bëri thirrje të gjithëve, “Që të kundërshtojnë me çdo mjet që kanë në dispozicion përhapjen e urrejtjes si dhe të gjithë format e ushtrimit të dhunës fizike dhe morale, të cilat shkatërrojnë jetën njerëzore dhe shkelin dinjitetin e njerëzve, dhe që nga ana tjetër, minojnë në mënyrën më radikale të mirën themelore të bashkjetesës midis individëve dhe njerëzve pa marrë parasyshë dallimet kombëtare, fetare ose kulturore.” Cilado qoftë arsyeja për atë sulm, dhuna që përfundon në humbje jete njerzish duhet të dënohet dhe nuk mund të justifikohet kurrë, është shprehur Papa Françesku. Ndërsa Organizata për Sigurim dhe Bashkunim në Europë në një komunikatë që lëshoi me këtë rast thotë se, “Në një shoqëri demokratike është e nevojshme të pranojmë që të shokohemi, të zemërohemi, madje edhe të ofendohemi. Por përdorimi i dhunës, kundër atyre që kanë një mendim ndryshe, është i papranueshëm”, dhe u bën thirrje qeverive të ndryshme që të “marrin të gjitha masat që është e mundur për të luftuar presionet, frikësimet dhe dhunën, përdorimi i të cilave ka për qëllim ndalimin shfaqjes dhe të përhapjes së opinioneve dhe ideve të ndryshme.”

Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry në një deklaratë në lidhje me sulmin në Paris tha se Franca, si asnjë vend tjetër e di se liria ka një çmim, sepse ishte ajo vet që e lindi demokracinë. Franca, shtoi ai, ishte nxiti aq shumë revolucione të shpirtit njerëzor, të lindura nga liria dhe nga fjala e lirë dhe kjo është ekzaktërisht ajo nga e cila kanë frikë ekstremistët, nënvijoi kryediplomati amerikan. John Kerry u bëri thirrje francezëve që të mos demoralizohen nga këto kërcënime duke thënë se, “Liria e fjalës dhe liria e shtypit janë vlerat themelore. Ato janë vlera universale. Janë parime që mund të sulmohen por kurrë nuk mund të zhduken, sepse njerëz të ndershëm dhe të guximshëm anë e mbanë botës, nuk do të dorëzohen kurrë para frikësimeve dhe terrorit të atyre që përdorin mënyra të tilla me qëllim për të zhdukur ato vlera universale.”Mbarë bota po e konsideron sulmin në zyrat e gazetës satirike Charlie Hebdo Paris që mori jetën e 12 vetave të pafajshëm, pikëspari si një humbje dhe tragjedi njerëzore, por edhe si një sulm të përgjakshëm kundër lirisë së të shprehurit dhe lirisë së shtypit në përgjithësi dhe jo vetëm në Francë. Sulmi që shkaktoi vrasjen e 12 vetave të pafajshëm, po shikohet dhe komentohet njëkohsisht edhe si një përpjekje për t’i mbyllur gojën jo vetëm medias së lirë franceze dhe asaj europiane, por edhe më gjërë. Media të ndryshme dhe përfaqsues të medias së lirë dhe të pavarur në Francë dhe anë e mbanë botës, thonë se janë të vendosur që të mos frikësohen dhe të mos adaptojnë vet-censurimin, si rrjedhim i masakrës së gazetarve në Paris. Për ndryshe, siç thotë edhe gazeta e famshme Financial Times në një koment të saj në lidhje me masakrën e Parisit, shtypi i lirë nuk ka kurrfarë vlere, nëqoftse praktikuesit e shtypit, dmth gazetarët, nuk e ndjejnë veten të lirë të flasin dhe të shkruajnë lirisht.

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, Liria e shtypit, ne Paris, vritet

TERRORIZMI-Në Francë, 4 sulme në 24 orë, vritet 1 police, plagosen dy

January 8, 2015 by dgreca

Pas 24 orësh nga masakra në zyrat e gazetës satirike “Charlie Hebdo”, edhe mëngjesin e së Enjtes Franca është zgjuar e tronditur nga tre sulme të njëpasnjëshme, brenda një harku të shkurtër kohor, ku ka vdekur një police si dhe është plagosur një tjetër.
Bëhet fjalë për një sulm me armë zjarri në jug të Parisit si dhe dy shpërthime me eksploziv, e para në një restorant në Villefranche-sur-Saône në Lion, dhe një në xhaminë e Le Mansit, ku si pasojë e sulmeve ka humbur jetën një oficere policie, ndërsa një polic tjetër ka mbetur i plagosur.
Fillimisht, nga ana e autoriteteve franceze janë raportuar të shtëna me armë zjarri në jug të Parisit, në zonën e Porte de Chantillon rreth orës 08:05. Mësohet se një agresor, nën drejtimin e automjetit të tij tip Renault Clio, ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov ndaj dy oficerëve të policisë, në momentin që këta të fundit, po trajtonin një aksident rrugor.
Autori është larguar nga vendi i ngjarjes, madje edhe duke shkëmbyer të shtëna me policinë e vënë në ndjekje të tij, ndërsa nga ana e autoriteteve të rendit, është prangosur një i dyshuar.
Ndërkaq, pas kësaj një shpërthim eksploziv është shënuar në Lion, në një restorant pranë xhamisë, ku si pasojë e sulmit, fatmirësisht nuk raportohen viktima apo të lënduar.
Menjëherë pas kësaj, një tjetër shpërthim eksplozivi u shënua në Le Mans, në xhaminë e qytetit, ku nuk dihet ende për viktima apo të lënduar. Në vendin e ngjarjes, policia franceze zbuloi 3 granata të paprekura.
Deri më tani nuk dihet ende nëse këto sulme të ditës së sotme, të kenë lidhje me aktin terrorist të një dite më parë ndaj satirikes “Charlie Hebdo” ku mbetën të vrarë 12 persona, mes të cilëve 8 gazetarë, 2 policë, një recepsionist dhe një i ftuar.
Lidhur me masakrën e djeshme, policia ka identifikuar dy autorët e dyshuar si vëllezërit Said dhe Cherif Kouachi respektivisht 34 dhe 32 vjeç, me origjinë algjeriane.
Tjetër sulm me armë në Paris, plagosen 2 policë
Një tjetër sulm me armë zjarri ka tronditur Parisin mëngjesin e sotëm. Sipas mediave ndërkombëtare, ngjarja ka ndodhur në jug të kryeqytetit, në zonën e Porte de Chantillon rreth orës 08:05.

Si pasojë e sulmit, mësohet se ka humbur jetën një police, ndërsa një tjetër punonjës policie ka mbetur u plagosur, në gjendje shoku.

Sipas mediave franceze, autori i plagosjes, është larguar nga vendi i ngjarjes, në drejtim të metrosë me një automjet tip Renault Clio, ngjyrë të bardhë. Madje theksohet se gjatë arratisjes ka pasur edhe shkëmbim zjarri mes tij dhe policisë franceze. Autoritetet e rendit kanë arritur të prangosin një 53 vjeçar të dyshuar por sipas mediave franceze nuk është i përfshirë në ngjarje.
Mësohet se në ngjarjen e sotme, dy policët e plagosur kanë qenë duke trajtuar një aksident rrugor, kur pranë tyre është afruar automjeti Renault Clio me ngjyrë të bardhë dhe ku më pas agresori me armë zjarri kallashnikov ka shtënë ndaj uniformave blu.
Menjëherë pas kësaj ai është larguar me shpejtësi. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje personi që qëlloi mbi dy oficerët e policisë komunale në Chatillon nuk ka bërë asnjë thirrje dhe kjo vërtetohet nga shtatë të pranishëm në vendngjarje. Nga informacionet fillestare u raportua se një burrë i veshur me të zeza dhe me një jelek antiplumb ka dalë nga makina e tij dhe ka zbrazur një kallashnikov mbi policët të cilët po luftojnë për jetën.
Sipas mediave franceze nuk dihet nëse ngjarja e sotme të ketë lidhje me sulmin terrorist ndaj “Charlie Hebdo” të ditës së djeshme, ku mbetën të vrarë 12 persona, mes tyre 8 gazetarë dhe 2 oficerë policie, si dhe mbetën të plagosur disa të tjerë.

Filed Under: Kronike Tagged With: 4 sulme në 24 orë, ne France, plagosen dy, vritet 1 police

“Goodbye to Language” i Godard, filmi më i miri i 2014-ës

January 8, 2015 by dgreca

Shoqata amerikane e kritikëve të filmit ka shpallur “Goodbye to Language” (Adieu au langage) të regjisorit legjendar Jean-Luc Godard, filmin më të mirë të vitit 2014.
“Goodbye to Language”, me regjinë e Godard-it 84 vjeçar, gjithashtu kishte fituar çmimin e jurisë në Kanë. Filmi që rrëfen për një qen që bashkon dy njerëz në një aferë, u nominua edhe për regjinë më të mirë dhe kinematografinë më të mirë.
Gjatë festivalit të Kanës ishte përfolur se ky do të jetë dhe filmi i fundit nga Godard, i cili njihet si njëri nga liderët e rrymës French New Wave, me filmat e suksesshëm “A Bout de Souffle”, “Masculin, Feminin”, “Pierrot le Fou”, etj.
Regjisori më i mirë, ndërkaq, u shpall Richard Linklater me “Boyhood”, Timothy Spall ishte aktori më i mirë, ndërsa aktorja më e mirë ishte Marion Cotillard. Për skenarin më të mirë u vlerësua “Grand Budapest Hotel” nga Wes Anderson.

Filed Under: Kulture Tagged With: “Goodbye to Language” i Godard, filmi më i miri i 2014-ës

PARIS – Dy të dyshuarit për sulmin kundër ”Charlie Hebdo” lokalizohen në veri të Francës

January 8, 2015 by dgreca

Kush janë dy vëllezërit Kouachi autorët e sulmit ndaj “Charlie Hebdo”?/
PARIS, 8 janar AFP/ – Dy të dyshuarit për atentatin kundër të përjavshmes ”Charlie Hebdo” janë parë sot në mëngjes në veri të Francës ndërkohë që ishin në bordin e një autoveture ”Clio” ngjyrë gri dhe mbanin armë luftarake, bënë të ditur burime hetimore.
”Menaxheri i një pike karburanti në afërsi të Villers-Cotteret ka njohur zyrtarisht dy personat e dyshuar për pjesëmarrje në atentatin kundër Charlie Hebdo”, theksoi një burim i afërt me këtë çështje.
“Dy personat janë fshehur, me kallashnikov dhe raketahedhës të ekspozuar”, konfirmoi një tjetër burim.
***
Kush janë dy vëllezërit Kouachi autorët e sulmit ndaj “Charlie Hebdo”/
PARIS – Dy nga të dyshuarit e masakrës së djeshme ndaj redaksisë së gazetës “Charlie Hebdo”, vëllezërit Cherif dhe Said Kouachi, respektivisht 32 dhe 34 vjeç janë shtetas francezë të cilët kanë lindur nga prindër algjerianë në Paris.
Vëllezërit Kouachi kanë lindur në Paris nga prindër algjerianë, që vdiqën kur ata ishin ende të rinj. Ata ishin vendosur në strehim familjar në qytetin lindor të Rennes para se të vendoseshin përsëri në Paris.
Nga verifikimet e kryera nga autoritetet franceze, rezulton se dy vëllezërit kanë qenë pjesëmarrës të grupeve terroriste në Irak dhe Siri, ku janë kthyer në Francë vetëm gjatë verës së kaluar.
Në vitin 2005, Cherif ishte pjesë e një programi televiziv n mediat franceze, e cila ishte duke u fokusuar në terrorizëm.
Cherif është arrestuar në Paris në janar 2005, duke u përpjekur për të fluturuar në Damask të Sirisë, në rrugën e tij për t’u bashkuar me kryengritësit në Irak, sipas një raporti të Bloomberg 2008.
Operacioni ishte i lidhur me grupin e quajtur “Rrjeti 19 Arrondisement” e cila mban edhe emrin e zonës në Paris e cila u kthye në shtëpi për shumë familje myslimane, dhe të drejtuar nga kryetari Farid Benyettou.
Benyettou përshkruhej nga mediat ndërkombëtare në 2008 si një “predikues në rrugë”, i cili u thoshte të tjerëve në lagje se “xhihadi është i justifikuar”.
Pas arrestimit, Cherif Kouachi mësohet të ketë thënë para gjykatës se ai ishte frymëzuar nga fotografitë e abuzimit të ushtarëve amerikanë ndaj të paraburgosurve në burgun famëkeq të Bagdadit, Abu Ghraib.
Ai u dënua në 2008 për akuzën e terrorizmit si dhe dhënien e ndihmës për luftëtarët kryengritës në Irak, ndaj të cilit u caktua një dënim tre-vjeçar, gjysma e të cilit u pezullua.
Por krahas kësaj, sipas mediave ndërkombëtare, në dosjen e kësaj çështje janë përfshirë edhe manuale përdorimi të armës së zjarrit kallashnikov, e njëjta armë e përdorur në sulmin vdekjeprurës ndaj “Charlie Hebdo” ku mbetën të vrarë 12 persona. Kjo periudhë mendohet se i ka shërbyer Cherif për të mësuar përdorimin e armës kallashnikov.
Dy vjet më vonë në maj 2010, emri i tij u përmend në një raport të policisë në lidhje me tentativën e arratisjes nga burgu Smain AIT, së Ali Belkacem një ish-anëtar i grupit të armatosur islamik algjerian (GIA), që kreu një shpërthim bombash dhe një rrëmbim aeroplani në Francë në vitet 1990.
Belkacem u dënua me burgim të përjetshëm në 2002 për një bombë në stacionin hekurudhor Musee D’Orsay në Paris në tetor 1995, që shënoi 30 të plagosur.
Edhe vëllai i tij Said Kouachi gjithashtu u përmend në tentativën e arratisjes së Belkacem. Megjithatë pavarësisht akuzave, Cherif qëndroi vetëm 4 muaj në burg.
Gjatë kësaj kohe, Cherfi njihet me një tjetër xhihadist, Djamel Beghal i cili kaloi 10 vjet në burg për planifikimin e sulmeve terroriste. Cherif dhe Beghal mendohet që të kenë marrë pjesë në trajnimin militant së bashku.
Pas daljes nga burg, vëllezërit Said dhe Cherif Kouachi mendohet të kenë qenë në Siri kohët e fundit ku besohet se janë stërvitur. Një zyrtar francez tha se vëllezërit janë të lidhur në një rrjet terrorist jemenas dhe ata mendohet se janë kthyer në Francë nga Siria në 12 muajt e fundit.
Sipas mediave franceze dëshmitarë të masakrës së djeshme thanë se vëllezërit thërrisnin se ishin nga Al Kaeda në Gadishullin Arab, një grup që veprojnë jashtë Jemenit.
Sipas raporteve të medias bëhet fjalë për organizatën terroriste të Al Kaedës në Gadishullin Arabik (AQAP), i cili është krahu zyrtar i al Kaedës në Arabinë Saudite dhe Jemen. AQAP besohet të kryesohet aktualisht nga Nasser Abdul Karim al-Ëuhayshi, një ish-nxënës i Osama bin Laden.

Filed Under: Kronike Tagged With: ”Charlie Hebdo”, dy te dyshuarit, Paris

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4181
  • 4182
  • 4183
  • 4184
  • 4185
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT