• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përtej durimit

August 12, 2020 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI-Lumi i kohës ka ngecur. Nën të asgjë nuk shihet. Është nxirrë, kapur nga fosile; nga ata që për pak popullin e çkombtarizuan. E mbajtën në errësirë edhe ditën, e verbuan. E ndanë nga bota. Gjëra të tmerrshme bënë. Burgosën e vranë vetëm se njerëzit donin të mendonin të kishin ëndrra. Çfarëdo ëndrre. I mbyllën në vetvete. I ngurtësuan, i imunizian ndaj goditjeve që kur të zbuteshin të bëheshin thërrime. I mësuan të mos i besonin askujt. Jetën e bënë të pavlefshme. Njeriu mund të jetë i kujdesshëm, por pak besim duhet t’i japë tjetrit, pasi nuk mund ta dish nëse është i keq ose jo.Shumica e njerëzve janë të mirë. Ata kanë familje. Dhe duan të jetojnë më të mirën që munden. Gjithmonë do të ketë njerëz të këqinj dhe do t’i njihni kur t’i takoni. Ndonjëherë nuk është kështu. Por nuk mund të lejoni që kjo t’ju ndalojë të bëni jetën tuaj të plotë e të lirshme dhe miq të zini dhe të shihni të mirën në njerëz. Sepse, nëse nuk e bëni, nuk do të gjeni kurrë lumturi. Ju që keni jetuar në një vend burg dhe e mbani mend. Jeta e brendshme ka një botë jashtë, megjithatë është botë e rrezikshme që e lini t’iu prekë. Ndonjëherë nuk ka asgjë që mund të bësh. Njerëzit e duan dhunën. Ata ngadalësojnë shpejtësinë kur shohin në anë të rrugës një makinë të përmbysur për të parë viktimat. Të njëjtët njerëz pretendojnë se e duan boksin, pa e kuptuar se çfarë është. Boksi ka të bëjë me respektin; fitore për vete dhe marrjen e saj nga tjetri. Boksi është një veprim jo natyral. Gjithçka në boks varet nga të ecurit prapa. Ndonjëherë mënyra më e mirë për të dhënë një grusht është të bësh hap prapa. Hap prapa shumë larg dhe nuk ke asgjë të godasësh. Disa njerëz do të thoshin se gjëja më e rëndësishme që mund të ketë një luftëtar është zemra. Por më trego një luftëtar me asgjë tjetër përveç zemrës dhe unë do t’ju tregoj një njeri me shpresë që pret të humbasë. Magjia është të luftosh përtej durimit kur të tjerëve u është sosur. Është magjia e rrezikimit të gjithçkaje për një ëndërr që askush nuk e sheh përveç teje. Ndonjëherë njerëzit thjesht nuk duan të hapin sytë dhe në terr humbasin.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Përtej durimit

VATRA KA DY LLOJ KUNDERSHTARËSH…

August 12, 2020 by dgreca


Kundërshtarët e Vatrës ndahen në dy kategori:Në kundërshtarë të verbër, dhe në kundërshtarë me sy/

NGA FAIK KONICA*-

Vatra me veprimet e saj fitoi shumë miq po dhe armiq e kundërshtarë. Ajo mbajti udhën e drejtë dhe hoqi pas gjithë ata që e panë dhe e kuptuan, gjithë ata që muarën dritë prej saj; të tjerët, ata të drizave dhe të ferrave, e panë me sy shtrembur, e ndoqën dhe po e lëftojnë.
Kundërshtarët e Vatrës ndahen në dy kategori:Në kundërshtarë të verbër, dhe në kundërshtarë me sy. Të parët e kundërshtojnë Federatën tonë se drita e syrit të tyre është shumë e shkurtër dhe mendja aq e ngushtë dhe e pagdhendur sa nuk ndajnë dot të bardhën nga e zeza. Këta nuk janë të rrezikshëm dhe për këta ka shpresë shërimi. Koha dhe pak veprim i sjellin në udhë të drejtë.
“Ata me sy” janë të rrezikshëm dhe këtyre duhet t’u verë fre Kuvendi i pritëm, se këta janë të rrezikshëm, këta e kanë ndaluar dhe e pengojnë edhe sot e kësaj dite Federatën tonë. Përapara dhe pas cdo Kuvendi keni dëgjuar ankime, qortime, dhe grindje; përpara çdo Kuvendi ju ka rënë në dorë ndonjë gazetë a ndonjë qarkore. Që të gjitha, vit pas viti, drejtohen kundër zyrtarëve të Federatës, cilëtdo qofshin. Dhe çudia ka qenë që këto sharje e grindje kanë dalë gjithnjë prej një burimi….
Prej këtyre, mjerisht ka dhe disa që për arsyet e tyre, janë dhe anëtarë të VATRËS dhe e lëftojnë Federatën që përbrenda mureve të saj.Nga këta gjemba me helm duhet të qërohet Federata.Ne duam që të kemi një shoqëri të paqme, e cila të përparojë e të mund të arrijë qëllimet e saj të shenjta.
Cilët janë këta?- do të pyesni.
Më të shumtit i dini; të paktit, ata që lehin prapa gardhit dhe nuk guxojnë të tregojnë turirin veçse kur shtërngohen, do t’i mësoni posa të shkelni në Kuvend.
Me këta antivatranë, me ata me sy, me ata që dijnë që bëjnë keq- po bashkëpunon sot propaganda e Dudumëve kundër VATRËS!
Dhe ky fakt i bën ata ca më të rrezikshëm.
Zotërinj, Mjaft!
Mjaft hoqi Vatra nga grindavecët e përhershëm. Sot është koha që të shtihemi në gardh të fortë midis vatranëve të vërtetë dhe atyre prej ”balte”!
Me përzjerjen e Pseudopartisë në punët e brendshme të FEDERATËS, Pseudovatranët marrin një faqe tjetër që mund të rrezikojë jetën e Federatës.
Është pra në dorën tuaj që të qëroni VATRËN nga gjembat e rrezikshëm.

*Titulli origjinal: Duhen qëruar gjembat nga ara- Faik Konica, fjala para Kuvendit të Korrikut 1923, botuar si editorial në Diellin e 1 Korrikut 1923.

Filed Under: Featured Tagged With: dy kundershtare, Faik Konica, Vatra

Gezim Alpion- “Nëna Terezë: Shenjtorja dhe Kombi i Saj”

August 12, 2020 by dgreca

NJË VËSHTRIM I VEPRËS MË TË FUNDIT TË GËZIM ALPIONIT PËR SHQIPTAREN MË TË FAMSHME NË BOTË-

Shkruan:  Dr Ridvan Peshkopia-*

Miku dhe bashkatdhetari im studiues Gëzim Alpion, i cili ligjëron në Universitetin e Birmingham-it, i ka përkushtuar një copë të madhe të karrierës së tij akademike hetimit, ndriçimit dhe shkolitjes së personalitetit jashtëzakonisht kompleks të Gonxhe Agnes Bojaxhiut. Bota e njeh atë më mirë si Nëna Terezë.

Unë e konsideroj këtë përkushtim të Alpionit një sakrificë në vetvete (unë vetë nuk kam mundur t’i përkushtohem një teme të vetme hulumtuese), por kjo sakrificë është shpaguar. Ai konsiderohet sot si “autori më serioz në gjuhën angleze” për Nënën Terezë dhe “themeluesi i fushës studimore për Nënën Terezë.” Ai është mbase autori më i mirë në botë në lidhje me Bojaxhiun dhe studimi i mëtejshëm i saj nuk mund të kryhet pa iu referuar gjerësisht punës së Alpionit.

Libri i tij i ri, Nëna Terezë: Shenjtorja dhe Kombi i Saj, u hodh në qarkullim nga shtëpia botuese Bloomsbury Academic Publishing më 31 korrik. Në disa vende, libri do të dalë në qarkullim më 6 gusht dhe 15 shtator.

Përpara se t’i kthehem punës së tij, një shënim i shkurtër për vetë Nënën Terezë. Unë vetë e kam takuar Nënën Terezë dy herë, përzemërsisht, shpenguar dhe pa më lënë ndonjë përshtypje afatgjatë. Unë nuk jam mes atyre që e adhurojnë Nënën Terezë e as mes atyre që i ngrenë monumente asaj pasi i kanë mohuar për dekada bashkimin familjar me një nënë të sëmurë e cila jetonte e izoluar bashkë me të bijën, motrën e Nënës Terezë; dhe as jam unë ndonjë nga ata që e mallkojnë atë si të pafe dhe satanike.

Unë kam lexuar kritika të besueshme kundër saj nga mjekë indianë dhe intelektualë botërorë, por po ashtu prirem të pranoj se vullneti i saj i fuqishëm njerëzor ndihmoi në ndryshimin e të kuptuarit nga bota perëndimore të varfërisë në Botën e Tretë, transformoi konceptin e bamirësisë dhe ndihmoi formësimin një këndvështrimi të institucioneve fetare në shekullin e 20-të si organizata të punës sociale. 

Nëna Terezë çau rrugën drejt një transformimi të madh në marrëdhëniet ndërklasore dhe, duke humanizuar të skamurin, u ofroi një mundësi të kamurve të gjejnë humanizmin e tyre. Kjo ishte një arritje revolucionare në vetvete.

Në librin e tij më të fundit, argumenti kryesor teorik i Alpionit është se një personalitet i përmasave dhe ndikimit botëror si Nëna Terezë nuk vjen rastësisht.

Për të dhënë një portret të plotë të kësaj figure ndikimplotë, libri i qaset Nënës Terezë në rrethanat e saj familjare dhe mjedisin e saj etnik, kulturor dhe shpirtëror. Autori eksploron jetën dhe veprën e saj nën dritën e informacionit të zbuluar rishtas për familjen e saj, traditën shpirtërore shqiptare përpara dhe pas hyrjes së krishtërimit si dhe ndikimin e Vatikanit dhe fuqive të tjera mbi popullin e saj qysh nga mesjeta e hershme.

Duke u përqëndruar në traumat e saj, vuajtjet dhe arritjet si individ por edhe si misionare, si dhe në spiritualitetin e saj kompleks, Alpioni argumenton se jeta e Nënës Terezë dhe historia e kombit të saj, veçanërisht marrëdhënia e popullit të saj me katolicizmin, janë të ndërlidhura. Shkolitja e kësaj ndërlidhje është thelbësore në kuptimin e asaj se si kjo ikonë bashkëkohore shpirtërore dhe humanitare u bë mishërimi i ADN-së kulturore dhe shpirtërore të kombit të saj.

Në këtë vepër Alpioni përqëndrohet në traditën shpirtërore iliro-shqiptare përpara dhe pas futjes së feve monoteiste. Ai ofron informacion mbi rolin kyç dhe të pakrahasueshëm që luajtën ilirët në krijimin e një strehe për krishtërimin në Evropë më shumë se tre breza para se sa vetë romakët të konvertoheshin zyrtarisht në të. Alpioni thekson traditën apostolike ilire për të treguar se, në këtë drejtim, shqiptarët ishin përpara gjithkujt tjetër në Evropë. Për më tepër, libri argumenton se mikpritja që ilirët e lashtë i dhanë kësaj feje ishte një pasqyrim i homogjenitetit të kësaj “race të përbërë.”

Po ashtu, ky përqafim i hershëm i krishtërimit, asokohe feja e skllevërve, të varfërve dhe të shtypurve, ka domethënie të madhe si për statusin e ilirëve në Perandorinë Romake, ashtu edhe për ndjenjat e tyre ndaj Romës së asaj kohe. Kësisoj, Alpioni argumenton se marrja e fesë së krishtere nuk ndodhi as për të mbushur ndonjë zbrazëti shpirtërore dhe as si përpjekje për të fituar një identitet kombëtar të ri.

Për Alpionin, shqiptarët janë përbrendshmërisht pragmatistë. Pragmatizmi i tyre, i cili shfaqet veçanërisht në zgjedhjet e tyre shpirtërore dhe fetare, ilustron mbi të gjitha karakteristikën më të spikatur të këtij populli. Shqiptarët nuk e kanë vendosur kurrë fenë në qendër të identitetit të tyre; asnjë fe nuk ka qenë për ta raison d’être apo shenjuesja kryesore e identitetit të tyre kombëtar.

Përkundrazi, duke ndjekur analizën e Alpionit, duket e arsyeshme të argumentosh se krishtërimi i hershëm, më shumë se sa një burim identiteti kombëtar dhe/ose spiritualizëm individual, thjesht u dha shqiptarëve një ideologji çlirimtare.

Vëmendja që Alpioni i kushton në këtë libër trashëgimisë së lashtë krishtere të kombit shqiptar nuk ka aspak të bëjë me pikëpamjen e disave — si të huaj ashtu edhe shqiptarë — se kjo fe është feja “e vërtetë” e këtij populli.

Ndryshe nga krishtërimi, islami pati qenë sjellë në Shqipëri nga pushtuesit osmanë. Megjithatë, kjo fe nuk duhet parë si mbivendosje në identitetin dhe trashëgiminë shqiptare dhe mbi këtë bazë të hiqet qafe. Ashtu sikundër krishtërimi, edhe islami përbën një element të identitetit shqiptar.

Alpioni argumenton se shqiptarët kanë përfituar shpirtërisht nga të dyja këto fe. Ato ilustrojnë aftësinë mbresëlënëse të këtij populli për të marrë, përqafuar dhe praktikuar fe të reja me lirshmërinë inovative që karakterizon veçanërisht popujt e vjetër me filozofi kulturore të sofistikuara, duke mos lejuar asnjë fanatizëm të kontrollojë plotësisht jetët e tyre.

Kjo shpegon pse, për shqiptarët, identiteti kombëtar është një nocion që përfshin tejetej ekzistencën e tyre para- dhe pasmonoteiste. Unë mendoj se ky është një argument elegant, i cili ndihmon në të kuptuarit edhe qëndrimin unik të shqiptarëve ndaj fesë dhe tolerancën mbresëlënëse ndërfetare mes tyre.

Alpioni po ashtu tregon se lidhja e matur dhe skepticizmi i shqiptarëve ndaj feve janë rezultat i përvojave të tyre të dhimbshme me fetë dhe institucionet fetare.

Për arsye të parashtuara tejetej në libër, përfshirja e Vatikanit në zvogëlimin e arkdioqezave katolike të Dardanisë, Ohrit, Tivarit dhe Shkupit dhe në rrudhjen e komunitetit katolik të origjinës së Nënës Terezë në Shkup, tregon se kjo organizatë, së bashku me Kishën Ortodokse Serbe, ka luajtur një rol në sabotimin e krishtërimit mes shqiptarëve dhe, si rezultat, ka kontribuar në sllavizimin e tyre.

Shqiptarët ortodoksë, nga ana e tyre, po ashtu prej shekujsh kanë qenë nën presionin e Patriarkanës Ekumenike Ortodokse dhe Kishës Ortodokse Greke dhe përpjekjet e tyre për helenizimin e këtyre shqiptarëve vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.

Po aq e dhimbshme ka qenë dhe mbetet përvoja e shqiptarëve muslimanë. Kërcënimi osman ndaj identitetit dhe kohezionit kombëtar është rishtuar tani me përpjekje të pareshtura dhe fonde të pamata nga Turqia për të turqizuar muslimanët shqiptarë në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri.

Ngjashmërisht me punët e tij të mëherëshme, në këtë libër të ri Alpioni zbaton një perspektivë sociologjike për të sëndërtuar dhe testuar arguementet e tij teorike. Në monografinë e tij Nëna Terezë: Shenjtore apo e Famshme? botuar në 2007 nga shtëpia botuese Routledge dhe në një artikull të vitit 2019 për arsyet e mungesës së personaliteteve fetare në fushën e studimit të njerëzve të famshëm, Alpioni ka nënvizuar nevojën për një perspektivë sociologjike në trajtimin e çështjeve/temave dhe personaliteteve fetare, në vend që ato t’u lihen përjashtimisht teologjisë dhe hajografisë.

Në këtë libër të ri, Alpioni thekson domethënien e përdorimit të përfytyrimit sociologjik në studimin e ndërveprimit të individit dhe shoqërisë, ndërthurjen e biografisë dhe historisë, si edhe transformimin e “problemeve personale” në “çështje publike.”

Me argumentin e tij kompleks, ky studim e përballi Alpionin me disa sfida serioze epistemologjike dhe metodologjike. Teksa mbetet thelbësisht një studim sociologjik, ashtu sikundër edhe në ndërmarrjet e tij të tjera hulumtuese, përveçse si sociolog, në këtë monografi Alpioni vepron në mënyrë të ndërsjelltë edhe si teolog, historian, antropolog, psikolog, shkencëtar politik, ekspert i studimeve kulturore dhe analist i medias.

Për të kryer punën e tij në terren, Alpioni udhëtoi në një numër vendesh (Indi, Australi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Itali) për të takuar të afërm të Nënës Terezë, kolegë si edhe vullnetarë që kanë ndihmuar në organizatën e saj.

Ai po ashtu ka përdorur gjerësisht Arkivin Kombëtar Shqiptar në Tiranë, Arkivin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë dhe Arkivin e Arkdioqezës Katolike Tiranë-Durrës. Po ashtu, Alpioni ka pasur qasje në dokumentacionin dhe letrat private të Nënës Terezë të ruajtura në një numër arkivash personale dhe të papërdorura më parë në studimet për Nënën Terezë.

Unë kam qenë kurdoherë i magjepsur me punën e Alpionit rreth Nënës Terezë, sepse ai kurdoherë ka mbajtur distancë emocionale dhe shpirtërore nga subjekti i studimit të tij, duke e bërë atë domosdoshmërisht dhe arsyetueshmërisht objektiv në studimin e temës së vështirë të personalitetit dhe spiritualitetit të Nënës Terezë.

Në këtë libër të ri, Alpioni kombinon këndshëm ekspetizën e tij në sociologjinë e fesë, nacionalizmin, famën, racën, median, filmin dhe një stil letrar të pashoq.

Një nga temat më magjepsëse që Alpioni ka hulumtuar te Nëna Terezë është errësira e shpirtit. Nga bisedat e mija të gjata virtuale me të (dhe ndonjëherë në takime dhe diskutime shoqëruar me kafe), kam kuptuar se errësira e shpirtit e Nënës Terezë (të cilën ajo e pranon në disa nga letrat e saj), ka frymëzuar tek Alpioni një opus të ri kërkimor.

Në botimet e tij më të fundit, Alpioni merret me koncepte të tilla ekzotike dhe ezoterike si karizma e parë nga një perspektivë sociologjike dhe e perspektivës së teologjisë publike, retorika populiste e Enoch Powell-it dhe arsyeja e mungesës së ikonave bashkëkohore shpirtërore në studimet e njerëzve të famshëm.

Përgjatë vijave të tilla të mendimit, Alpioni po zhvillon tani idenë e “kapitalit të famës” si një ndryshore në kontekste si brenda vendeve, ashtu edhe ato ndërkombëtare, ku ai depërton brenda dukurisë së “Natës së Errët të Shpirtit” nga një perspektivë sociologjike dhe eksploron rolin e fesë në fabrikimin e identitetit kombëtar.

 Libri i tij më i fundit është një kulminim e këtyre përpjekjeve.

*PËR AUTORIN E SHKRIMIT

Professor Ridvan Peshkopia është lektor në Universitetin për Biznes dhe Teknologji, Kosovë. Ai e ka marë doktoraturën e tij në Shkenca Politike nga University of Kentucky dhe ka qenë për një vit akademik studiues postdoktoral në George Washington University. Fushat e tij të kërkimit mbulojnë modelimin matematikor dhe statistikor për shkenca politike, sjellje politike, teori politike, studime migracioni, studime të paqes dhe studime filmike. Ai ndan kohën mes Gjakovës dhe Tiranës.

Doni ta keni ne blilioteken Tuaj?-Shkoni tek ky Link: https://www.bloomsbury.com/uk/mother-teresa-9789389165050/

Filed Under: Featured Tagged With: and Her Nataion, dr. gezim Alpion, Dr. Ridvan Peshkepia, Mother Teresa

Rrënjët historike të shqiptarëve

August 12, 2020 by dgreca

Rrënjët historike të shqiptarëve, në vështrimin e studiuesit Kujtim Mateli –
-Pak fjalë rreth librit të tij: “Albanologjia dhe çështja e kufijve historikë”-C:\Users\CTS\Downloads\Albanologjia natyrale.jpg

Nga Gëzim Voda–

  Po e them që në krye se, çka shkruhet në vijim nuk janë të një specialisti, por vlerësime të një lexuesi të vëmendshëm i disa botimeve të këtij autori, për rrënjët tona nga lashtësia. Për brendinë e tij, mendoj se do të ishte me interes të flisnin institucione dhe studiues të kësaj fushe. Duke thënë këtë, gjykoj se historianët me ato që paraqesin, nuk shkruajnë thjesht për vete e as për njeri-tjetrin, po në radhë të parë për shtresat e gjera të shoqërisë, se në fund të fundit, ata kushdo qofshin nuk bëjnë histori, por shkruajnë historinë. Shkruajnë e dokumentojnë ato ngjarje e bëma të kategorive të ndryshme njerëzore në kohë të caktuara, që brezave pasardhës t’u jepet jo vetëm mundësia për njohje, respektim, dhe nxjerrje mësime prej saj, po dhe e drejta të thonë sa munden mendimet përkatëse për çka u sërviret.
Si një ndër ta, do të thosha se për ato çfarë Kujtim Mateli ka parqitur në botimin e lartpërmendur, apo dhe në botime të tjera në dekadën e fundit për rrënjët tona nga lashtësia, meriton të merret në konsideratë pa paragjykim. E them këtë, jo vetëm për produktin dobiprurës që ky libër bart për lexuesin, bazuar tek autorë të shquar të lashtësisë, po dhe për shërbimin e tij me sens kombëtar; kritikën konstruktive rreth disa qëndrimeve të mangëta të institucioneve tona akademike e studiues të caktuar të tyre ndër vite për këtë çështje. Ata, sipas analizës që bën autori, kanë lënë boshllëqe ose moskonsekuencë në disa përfundime jo aq të qarta për prejardhjen tonë të lashtë, të cilat i kanë kushtuar dhe po i kushtojnë çështjes shqiptare dhe kufijve tanë historikë.
Kujtim Mateli, i lindur në trevën e Përmetit dhe banues në Tiranë, ka kryer studimet e larta për gjuhë- letërsi 30 vite më parë dhe është zotëruesi i tri gjuhëve të huaja (anglisht, frëngjisht e greqisht), si dhe autor i disa botimeve poetike dhe historike. Ai nuk është ndër ata shkrues që shpesh preferojmë t’i quajmë “historian i mirëfilltë”, “specialist i fushës”, ose “emërmadh”, as pjesë e ndonjë institucioni shkencor shqiptar. Kujtimi është një intelektual punëmadh e i pavarur, i prirur në kërkimet historike siç mund të bëjë çdo qytetar me ndjeshmëri i këtij vendi, me bindjen se nuk është vetëm arsimimi specifik që i jep vlerë dikujt, por dhe puna me përkushtim për një çështje të caktuar. Këtij njeriu, pikërisht ky motiv nuk i mungon
Falë pasionit të tij për historinë e antikitetit dhe rrënjët e hershme të shqiptarizmit, ai në këtë dhjetëvjeçar ka realizuar studime të thelluara për prejardhjen tonë si komb duke botuar dy vëllime për Dodonën, tempullin e lashtë pellazg (2011 dhe 2016), përmes të cilëve  jep një paraqitje të plotë historike për të, duke e vënë në diskutim vendodhjen e sotme të saj afër Janinës dhe konsiderimin e saj padrejtësisht helene (siç bëjnë qarqe të caktuara greke), dhe e sjell atë brenda territorit shqiptar, sikurse është  dhe përkatësia e saj nga hershmëria. Një studimi tillë, siç del, i ka munguar institucionalisht historiografisë shqiptare dhe çuditërisht, për xhelozi apo mosdashje të qëllimshme, vazhdon të mos merret në konsideratë nga institucionet përkatëse të vendit tonë. A thua se, autori në fjalë nuk i shërben kombit të vet me këtë studim, por dikujt tjetër. Ndërkohë, ai është autor i mjaft artikujve në shtypin e shkruar dhe i disa intervistave në median vizive, kryesisht për këtë fushë. Në marsin e këtij viti, ai i dha publikut edhe botimin e sipërcituar: “Albanologjia dhe çështja e kufijve historikë”, një libër analitik i kompletuar me referenca nga autorë të antikitetit dhe të kohëve të reja, të huaj e vendas. Botimi në fjalë, me mënyrën si është shkruar dhe se si janë thënë gjërat prej tij, në gjykimin tim përbën interes për cilindo shqiptar që kërkon t’i thellojë njohuritë e tij në këtë aspekt. Sigurisht edhe për institucionet tona shkencore. Libri është tërheqës dhe i këndshëm në lexim, por edhe bindës për argumentet që gjenden aty, të cilat nuk janë të stisura subjektivisht nga egoizmi individual, etja për famë, interesi material, apo tendenca “shqiptaromadhe” (siç na akuzojnë disa), por të bazuara në të vërteta historike. Ai, përshkohet nga disa esè historike dhe analiza poetike në funksion të lashtësisë, duke e bërë librin sa historik aq edhe artistik, prej të cilit merr diçka që mund ta kesh të turbullt ose të ka munguar më parë. Si i tillë, ky punim ia shton vlerat historiografisë objektive të këtij vendi. Cilido që e shfleton atë, kam bindjen se bëhet sa krenar për prejardhjen e tij iliro- pellazge, aq dhe i trishtuar, kur mëson si i janë “kafshuar” trojet e veta padrejtësisht nga të tjerët dhe si kanë heshtur e heshtin, me ose pa dashje, mjaft historianë, arkeologë, etnografë, gjuhëtarë e  gjeografë shqiptarë, deri dhe institucione  të këtij vendi për t’u ballafaquar me disa të vërteta që gjenden në dokumente dhe përcaktime historianësh e studiuesish nga antikiteti, si dhe për t’i mbrojtur me dinjitet ato, që kufijtë historikë të shqiptarëve të kenë emrin e vërtetë, e që në gjuhën e thjeshtë,“haka të mbetej tek i zoti”.
Ajo çka e dominon përmbajtjen e këtij botimi dhe shqetësimin kryesor të autorit, është shtrëmbërimi dhe mohimi i prejardhjes reale të shqiptarëve në shekuj dhe tjetërsimi arbitrarisht i kufijve të tyre historikë prej fqinjëve veriorë e jugorë, si dhe inferioriteti dhe pazotësia e insititucioneve tona shkencore për t`i mbrojtur të vërtetat në favor të kombit të tyre.Sa më sipër, autori mes të tjerëve i referohet Strabonit (autor i viteve para dhe pas lindjes së Krishtit), sipas të cilit: “Në jug të Danubit janë vendosur Ilirët dhe Thrakët dhe përzier me ta janë dhe disa fise kelte, deri në kufijt e Greqisë”. Siç shihet, paraardhësit tanë arrinin deri në Danub dhe nuk flitet për fise sllave në atë periudhë. “Sllavët,- siç ka shkruar në një botim të tij të vitit 1990 studiuesi i mirënjohur kroat Aleksandër Stipçeviç ( i referuar në këtë libër),- kanë ardhur në viset perëndimore të Ballkanit në shekullin e 6-të e të 7-të dhe gjetën një popullsi mjaft të madhe të vjetër vendase të paromanizuar dhe gjysmë të romanizuar, e cila ishte tërhequr sëpari para romakëve, e madje edhe para popujve barbarë në viset të cilat vështirë se shkriheshin”.Më tej ai tregon se,“Sllavët gjatë shekujve u asimiluan me ta dhe në entitetin e tyre popullor ruajtën gjurmë të ilirëve të vjetër. Këto gjurmë-vazhdon ai,- janë të shumta veçanërisht në disa vise të largëta të Bosnjës, Hercegovinës,Zagorës Dalmatine,Malit të Zi dhe të tjera dhe na duket se nuk është larg së vërtetës se elementi i vjetër vendas ilir kishte rol shumë të rëdësishëm në formimin e veçorive kolturore, trupore dhe psikike, të popullatës sllave që joton sot në ato vise”.
Për rrënjët e hershme shqiptare në këtë pjesë të Ballkanit, autori sjell edhe një fakt tjetër interesant, ndonëse ka të bëjë me një bisedë mes dy burra shteti. Në një vizitë që Kardeli (numri dy i ish Jugosllavisë së Titos), po bënte në Moskë në prill të vitit 1947, pyetjes së Stalinit rreth origjinës së shqiptarëve, i është përgjigjur shprehimisht: “Ata janë pasardhës të Ilirëve”. Ndërsa ish ministri i jashtëm jugosllav S. Simiç, prezent në atë bisedë, shton:“Ka të dhëna se shqiptarët janë populli më i vjetër në Gadishullin Ballkanik. Disa fjalë prej tyre vërtetojnë se gjuha shqipe është më e vjetër se greqishtja. Fjala e tyre “Afrodita”është huazuar nga gjuha shqipe. Në gjuhën greke kjo nuk ka kuptim”. Madje në këtë bisedë është pranuar nga të dy bashkëfolësit (Stalini e Kardeli), “se ata (d.m.th shqiptarët, G.V.), janë si puna e baskëve”, që do të thoshte se pranohej prej tyre si dy popujt më të vjetër të Europës. Pohimi në fjalë, sikurse thotë autori, mbështetej në dëshmi të kohëve parahomerike që vërteton se shqiptarët janë pasardhës të pellazgëve. Dhe kur këtë e thonë dy autoritete jo dokudo të shtetit jugosllav të asaj kohe, nuk ka se si të mos besohet. Çdokush, në të njëjtat pozita si ata, nuk do të pranonte kurrë të ulte vlerat e kombit të vet para një kombi tjetër, aq më shumë në një pohim që nuk imponohej nga askush.

Ca më tepër shtrembërime të trashëgimisë sonë iliro-pellazge dokumentohen në trojet jugore, në atë që është quajtur “Shqipëria e Poshtme” ose “Epiri Antik”. Kujtim Mateli, siç del në këtë botim, nuk ka patur nevojë të hamendësojë rreth të vërtetave historike, kur ato i thonë qartazi mjaft prej historianëve dhe gjeografëve të antikitetit si: Efori, Eskili, Polibi, Straboni, Herodoti, Skylakis, Apiani, Stefan Bizatini, Zoto Mollosi, etj, të cilët pohojnë se teritori që quhej “Epir” (i cili mbas pushtimt romak u quajt “Iliri”), ishte i banuar nga fise të vjetra “të lindur nga dheu” duke i quajtur, “pellazgë”. Sipas tyre, kjo popullsi kish entitetin e vet, gjuhën e vet, territorin e vet, si dhe adhurimin e vet për Hyjnitë, ndryshe nga helenët. 

Autori na e bën të qartë se ata kishin qytetërim të lashtë me kryeqendër Dodonën, faltoren e shenjtëruar prej tyre, e cila edhe pse ishte pellazge dhe në teritore që u përkiste epirotëve, adhurohej si faltore edhe prej helenëve, sidomos kur ata ende nuk e kishin krijuar faltoren e tyre në Delf. Popullsia në fjalë ndryshe nga helenët, kish të shenjtëruar dheun, lisin dhe gurin, dukuri që janë trashëguar nga shekujt deri në ditët tona, ku ende në zona të ndryshme, shqiptarët edhe sot betohen “për këtë dhè” e “për atë gur”, ose kur thonë, “burrë dheu”, “i dalë nga dheu”, “ka dalë nga guri”,etj. Ndërkohë, që shumë lisa, sidomos në zonat jugore të Shqipërisë si: Përmeti, Skrapari, Berati, Tepelena, Gjirokastra etj, ashtu siç quheshin “të shenjtë” në kohën e Dodonës, janë konsideruar të tillë deri në ditët e sotme, duke i ruajtur dhe respektuar nga njerëzit, pa vënë dorë mbi ta. Ndër më të vjëtrit e më të mëdhejt prej tyre ka qënë e është “Lisi i Brahos” në Çorrogunj të Dëshnicës (Përmet), në krye të kodrës më domionuese mes 7 fshatrave që janë rrëzë malit të Trebeshinës, i cili po venitet pa u trazuar nga askush. Një trashëgimi e riteve pellazge që nuk gjendet gjetkë. Edhe shenjtërimi i Malit të Tomorit, me këto rite ka lidhje.
Në libër rrëfehet se epirotët pellazgë, ndryshe nga helenët që kishin si perëndi Zeusin dhe Herën, kishin perënditë e tyre, Di (Dia) dhe Dionën, emra që u shkojnë saktësisht fjalëve të sotme të gjuhës shqipe: “di, dije, dijetar, dituri, dijeni”. Janë po këta njerëz të shquar të lashtësisë që tregojnë se helenët (grekët e sotëm), në atë periudhë kohore shtriheshin në jug të Ambrakisë dhe teritoret më veriore të tyre në kufi me jugun e epirotëve, ishin ato që banoheshin nga akarnanët, etolët, lokridasit dhe ozolët. Deri aty jepet nga lashtësia edhe kufiri i sipërm helenik. Në libër citohet Eskili, icili në tragjedinë e shkruar prej tij, “Lutëset”, perifrazon thënien e Pellazgut, mbret i Argolindës (në Peloponezin e sotëm, G.V), kur ai i thotë Danaut dhe 50 vajzave të tij të ardhur nga Egjypti, të cilat kundërshtonin martesat me kushërinjtë e tyre të afërt: “Merak mos ki e fol pa  ndrojtje. Përpara teje ndodhet Pellazgu zot i vendit, i biri i Palektonit, të lindurit nga dheu. Prej meje, sundimtarit e mori atë emër dhe fisi i pellazgëve që rron në këtë truall. E tërë kjo krahinë, ku rrjedh Strimoni i shenjtë (lumë që derdhet në lindje të gjirit të Selanikut, G.V.), gjer tej ku perëndon (d.m.th në detin Jon, G.V.), veç mua më përket. Pushteti im arrin te trojet e perrebëve, tej viseve të Pindit gjer pranë Peonisë, mbi malet e Dodonës…Ja vendi ku sundoj”. Dhe kur përmënden perrebët dhe malet e Dodonës, mëndja të shkon pikërisht gjer në luginën e lumit Vjosa dhe malin e Trebeshinës, sepse gjer aty shtrihen kufijt veriorë të Epirit antik. Më qartë zor se e gjen kush ishin pellazgët dhe deri ku shtriheshin trojet e tyre. Dhe të mos harrojmë se Eskili ishte helen.
Tërësia e referimeve të Kujtim Matelit ndaj autorëve të lashtësisë apo dhe ndaj të tjerëve më pas, të cilët flasin për hershmërinë e paraardhësve tanë dhe njëherazi trashëguesit e kësaj historie që vjen deri në ditën tona, është jo vetëm e mjaftueshme në numër për t’u besuar, por edhe e pakundërshtueshme. Ata që i kanë kundërshtuar dhe shtrëmbëruar qëllimisht e me ligësi, janë akademitë respektive në Beograd e Athinë, të cilat jo se nuk e dinë realitetin, por të shtyrë nga megallomania për t’i atribuar vetes të qënurit “komb dominues” dhe nënçmuar banorët iliro-pellazgë që nuk kishin asnjë lidhje me ta në hershmëri, kanë braktisur të vërtetat, sigurisht të ndikuara edhe politikisht.

 Kësisoj, Akademia e Athinës në vitin 1977 i paraqiti opinionit vendas e të huaj botimin  me titull, ”Epiri 4000 vjet histori dhe qytetërim grek”, përmes të cilit, sikurse thotë autori,”…në kundërshtim me të gjitha burimet historike kërkon ta paraqesë Shqipërinë e Poshtme në emërtimin e saj antik si “Epir”, ku sipas saj ka patur një qytetërim helen 4 mijë vjeçar…”. Në vazhdim ai thotë se, “Epiri Antik (ose Shqipëria e Poshtme), nuk kanë qenë kurrë helene e që helenët nuk kanë patur kurrë të përbashkët me epirotet dhe ilirët, as etninë e as faltoren e Dodonës”. Autori na kujton se qëllimi i Akademisë greke ka qënë e është të shkurtojë kohën e prejardhjes së shqiptarëve, të zhbëjë identitetin e  tyre të lashtë, vetëm duke mos i përfillur e shtrëmbëruar burimet e shumta historike nga antikiteti që vërtetojnë të kundërtën e pohimit grek. Ky shtrëmbërim është i dukshëm edhe për identitetin e faltores së Dodonës, e cila edhe pse ishte në territorin e epirotëve dhe u përkiste atyre, ajo padrejtësisht konsidrerohet helene. Mirëpo autori të bind kur thotë: “Nëse heleneët e kanë adhuruar Dodonën, nuk do të thotë se helenët janë zotëruesit e saj”. Dhe bje si shëmbull Jeruzalemin, i cili ndonse respektohet dhe adhurohet nga gjithë bota Krishtere, ai nuk zotërohet prej tyre, por prej banorëve që e kanë në teritorin e vet. Me një fjalë, është tjetër gjë adhurimi dhe tjetër gjë zotërimi. Në rastin konkret, Dodona, nuk del të ketë qënë kurrë nën zotërimin helen. Dhe për këtë Mateli bje një fakt mjaft domethënës që daton vitin 333 para erës së re. Flitet për tentativën e athinasve për ta përvetësuar orakullin dhe tempullin e Dodonës, duke përfituar nga vrasja në luftë e Aleksandrit, mbretit të Epirit që ishte vëllai i Olimbisë nga mollosët epirotë (nëna e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë), e cila në mungesë të vëllait konsiderohej Mbretëreshë e Epirit, e që nëpërmjet delegatëve të saj u kujton athinasve se: “…nuk mund të bënin asnjë veprim, pasi tempulli i Dodonës ishte në zotërimin e saj dhe askush nuk mund të vinte dorë mbi të”. Siç shihet, as Olimbia, e as tempulli i Dodonës, nuk ishin me etni helene, por me etni pellazge. E ndërsa ka ndodhur kështu, autori ngre me të drejtë shqetësimin për institucionet tona shkencore (Akademinë e Shkencave dhe Akademia e Studimeve  Albanologjike), të cilët nuk kanë marrë guximin t’i kundërshtojnë me fakte dhe konsekuencë perfundimet djallëzore të Akademisë së Athinës, duke lënë hapësirë të lirë që shtrëmbërime të tilla të merren si të vërteta historike edhe ndërkombëtarisht. Autori, e konsideron “gabim fatal” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë faktin që i quan pellazgët si “popullsi parailire”, që u shkon përshtat edhe grekëve, të cilët i quajnë pellazgët “popullsi parahelene”, duke paragjykuar kështu autorët e antikitetit, të cilët i quanin pellazgët “të lindur prej vetë dheut”. Po ashtu, del se është pranuar prej këtyre institucioneve shqiptare se ardhja e shqiptarëve në këto troje, daton 1000 vjet më pas nga ajo helene, duke pranuar arbitrarisht tezën greke! Kujtim Mateli, mban qëndrim kritik ndaj akademikëve shqiptarë edhe për një fakt tjetër. Ata, ndonëse e pranojnë Epirin Antik si truall i mbajtur nga shqiptarët, për Dodonën nuk shkruajnë asnjë rresht, nuk merren fare me përkatësinë e saj shqiptare. Në një farë mënyre i mohojnë etninë. Dhe duke e lënë në heshtje këtë fakt, lënë shteg që Dodona të jetë e tjetërkujt, në rastin konkret e grekëve, ndërkohë që autori na kujton se përkatësia etnike e Dodonës përcakton edhe përkatësinë etnike të Epirit. Kësisoj, e vërteta e trashëgimisë sonë historike, mund të thuhet se mbetet peng i paaftësisë së tyre shkencore, në mos i një flirti të mundshëm të tyre me palën greke. “Bota shkencore,- thotë Kujtimi,-nuk mund të pranojë që Epiri Antik të ketë qënë shqiptar, kurse Dodona antike të ketë qenë helene. Ato shkojnë bashkë me njëra-tjetrën, sepse njeriu i antikitetit nderonte perënditë e veta dhe Dodona  që çmohej si kryeqendra e Hyjnive pellazge, ishte flamuri që bashkonte fiset  pellazgo-ilire”.Që këtej del se, përderisa bota shkencore e ndikuar nga studiuesit grekë e njeh Epirin si truall të zënë nga helenët, vetiu pretendohet helene si faltorja e Dodonës edhe etnia e saj. Mirëpo ky fakt, nuk i bën përshtypje Akademisë sonë të Shkencave, përderisa një nga njerëzit kryesorë të saj që mban titullin “Profesor”, pak vite më parë ka thënë tekstualisht: “ Dodona është atje, tek popullsia që ishte, s’ka rëndësi kujt i takon në pikpamje etnike.” (Gazeta Shqiptaria.com, datë 19 prill 2012). Sipas kësaj deklarate, akademiku në fjalë ua bën peshqesh me dëshirë Dodonën grekëve. Shërbim më të qartë për qarqet greke, zor se gjen, të cilët pikërisht duke përvetësuar etninë e Dodonës, atë çështje që nuk i qederos shumë “Profesorët” tanë, bëjnë të tyre edhe Epirin. Nga lajthitje të tilla allashqiptare, s’ka se si të mos u jepet krah qarqeve të caktuara greke të mbajnë ndezur “megalidenë” e tyre, e lindur më 1844, për t’u bërë “zotërues”të pa padrejtë jo vetëm të tempullit të Dodonës, por edhe të Shqipërisë së Poshtme, Epirit Antik. Madje të pretendojnë deri pjesë të Shqipërisë së sotme jugore. Masakrat greke në jugun e këtij vendi më 1913-1914, apo mos heqia e Ligjit të Luftës për shkak të përplasjes italo-greke më 1940-1941 në teritorin shqiptar dhe provokacionete gushtit 1949 etj, nga idetë megallomane të tyre janë nxitur, nga Hellada e pretenduar “E madhe”. Nga që nuk kemi mundur t’i bindim dot të tjerët me të vërtetën e prejardhjes sonë të lashtë, ndaj kemi edhe këta kufij të 1913-ës, ndaj shqiptarët në Ballkan ndodhen të ndarë në 6 shtete! A nuk duhet thënë kjo e vërtetë?!
Autori hedh dritë edhe rreth manshtrimit të madh grek për caktimin artificialisht të vendndodhjes së deritanishme të Dodonës,e cila nuk përmbush mjaft nga përcaktimet që i kanë bërë asaj autorë të antikitetit, të cilat ia vlen të shihen me vëmëndje në këtë botim. Aty gjenden jo vetëm shtrëmbërimet e qëllimshme të pseudoarkeologut grek Konstandin Karapanos, i cili me mënyrën e vet bëri “bekimin shkencor” të saj, përmes dy francezëve filogrekë në Akademinë e Francës në vitin 1878, por gjendet edhe “argumenti” i habitshëm (madje edhe qesharak), i po të njëjtit “Profesori” të cituar më lart. Ai, subjektivisht, madje pa pranuar ta lexojë botimin studimor të Kujtim Matelit në vitin 2011, “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit I”, kundërshton këtë autor që hedh poshtë pretendimet e Karapanos që e ka vendosur Dodonën në Carakovistë të Janinës, duke thënë fjalë për fjalë: “Dodona është atje ku thotë se e ka parë me sytë e tij Ismalil Qemali….”, çka shkruhet po në gazetën e asaj date që përmëndet më lart. Sa thuhet, është një spekullim foshnjarak, sepse Ismail Qemali, si ish shok klase me Karapanos në Zozime të Janinës vite të shkuara, vetëm sa i kish sygjeruar atij për gërmime atje, por jo se e dinte apo e kish parë vërtetë Dodonën në atë vend. Vetëm kaq. Edhe sikur të ishte e saktë vendndodhja e Dodonës atje, po etnia e vërtetë e saj kush është? Profesori i lartthënë, e di dhe nuk dëshiron ta thotë, apo nuk e di fare?! Pikërisht, kësaj çështje i shkohet anash, deri me heshtje të dyshimtë.  Gjykimet sipërfaqësore të këtij lloji, jo vetëm përgojojnë padrejtësisht një burrë shteti si Ismail Qemali, por u kanë dhënë shkas grekëve ta pretendojnë  helene si Epirin, edhe tempullin e Dodonës. Ndaj, do të qe më mirë heshtja, se sa një justifikim i stisur.
Ndërkohë, autori flet për një tjetër të vërtetë të hidhur, që asnjëherë akademikët shqiptarë nuk kanë organizuar një tryezë mbarëshqiptare me studiues të fushave më kompetente për përkatësinë etnike dhe kufijtë historikë të shqiptarëve nga lashtësia, nuk kanë organizuar asnjë simpozium apo konferencë shkencore të nivelit të lartë për këtë çështje ku duhej përfshirë edhe diskutimi për të vërtetën rreth Dodonës. Kujtim Mateli, përmes analizës që bën, sugjeron se një gjë e tillë duhet bërë sa nuk është vonë, që Europa të na vlerësojë jo me histori gjysmake, por ashtu sikurse e meritojmë, siç e dëshmon historia e lashtësisë. Autori e mbyll librin jo me mllef, por duke qënë i matur, luajal dhe i vërtetë. Ai, ndër të tjera shtron çështjen se shqiptarët duhet të marin atë që u takon nga historia, pa ua mohuar të tjerëve çfarë u takon prej saj.
Tiranë, korrik 2020

Filed Under: Histori Tagged With: Albanologjia, Ceshtja e Kufijeve, Gëzim Voda, Kujtim Mateli

Randësia për shqiptarët e zgjedhjeve të ardhme në Shtetet e Bashkueme

August 12, 2020 by dgreca

Shkruan: Prof. Sami Repishti, PhD.*-

Ridgefield, CT.- Kontaktet e shumëzueme, distancat e pakësueme, nevoja jetësore për shkembime, ndihma dhe bashkëpunim kanë ba sot botën tonë nji konglomerat të ndërlidhun ngushtë njeni me tjetrin. Para nji gjendje të këtill, çdo popull studjon të kaluemen historike, vlerëson të tashmen e dëshirueme ose jo, dhe planifikon për nji të ardhme që pershtatet interesave jetësore të tij. Nji nga elementët e kësaj perspektive ashtë edhe zgjedhja e “aleatëve”, popuj me të cilët komunikojmë ma mire, ndjehemi ma afër e dëshirojmë të mbetemi afër njeni-tjetrit edhe në të ardhmen, sidomos në situata të vështira.

   Kështu ngjet edhe me popullin shqiptar në të dy anët e kufinit arbitrar shtetnor që na ndanë sot në dy pjesë: Shqipëria Prendimore dhe Shqipëria Lindore, në kuptimin gjeografik gjinden sot në nji situatë të padëshirueshme dhe që shpresohet se në kondita ma të favorëshme kjo “situatë” mund të reparohet pa dhunë dhe përfundimisht. Kështu shoh unë të ardhmen e popullit shqiptar, dhe për këte vizion, ndoshta të largët, punoj çdo herë që më  paraqitet rasti.

   Zgjedhjet e ardhme në SHBA, 3 nandor 2020, janë nji rast i këtill Në krye të shtetit amerikan, shpresohet të vij nji figurë politike e nivelit të naltë, i nderuemi ish N/Presidenti i Amerikës, Joseph R. Biden, Jr., nji personalitet politik, karriera e të cilit fillon që në moshën 28 vjeçare si anëtar i Kongresit Amerikan dhe besohet të arrijë kulmin në moshen 74 vjeçare me zgjedhjen e tij President i Amerikës, në votimet e 3 nandorit 2020. 

   Për ne shqiptarët, nji ngjarje e këtill ashtë shumë e dëshirueshme sepse kemi të bajmë me nji personalitet të aftë e profesional që njeh mirë edhe problemin tonë në Ballkan. Dhe këte, ai e ka thanë ma shumë se nji herë.

   Në nji fjalim të mbajtun në Hotel Sheraton, N.Y.C., me 28 prill 2002, ish Senatori Joseph R.Biden, Jr., në prezencën bi-partiake Kongresmen Tom Lantos (D.,Ca.) dhe Kongresmen Benjamin Gilman (R.,N.Y.)  dhe të ftuemëve shqiptarë: i ndjeri Pjetër Årbnori (Shqipëri), Ramush Haradinaj (Kosovë) dhe i ndjeri Arben Xhaferi (Maqedonia e Veriut), ai deklaroi:

” ….Interesat e qarta të vetë Shteteve të Bashkueme të Amerikes gjatë shekullit 21 fillojnë me nji Europë të pandame, të plotë, dhe të bashkueme, sepse ‘ kurdoherë që Europa zbret ne kaos’ bijtë e bijat tona vdesin, ekonomia e jonë dobësohet, dhe na paguejmë çmimin që kerkohet. Të paisun me kulturë, histori, dhe prirje natyrore të përbashkët, na jemi të pa aftë me u largue prej saj, dhe prej asaj që ngjet në Europë. Fati i shtatë miljonë shqiptarëve në Gadishullin Ballkanik ashtë gjithashu kritik për interesat e vetë Amerikës. Në se legjitimiteti etnik i popullit shqiptar nuk do të njihet dhe nuk do të mbrohet, të gjitha njësitë që përbajnë atë regjon do të bijnë, dhe në se ne nuk jemi gati me stabilizue Ballkanin, jemi na, Amerikanët, që do e paguejmë shtrenjtë!” (Panorama,26.III.2020) 

    Pak ditë para këtij takimi, unë pata nderin me deshmue para Komitetit Senatorial që kryesonte i nderuemi Senator Biden. Në fund të dëshmisë, ai më ftoi të afrohem te tryeza. Në nji bisedë 2-3 minutash, Senatori Biden më pyeti: “Doktor, më thuej pse të gjitha këto probleme në Ballkan?” 

   Unë pergjegja me bindje: “Senator! Serbia ashtë nji shtet militarist që në esencë drejtohet nga klasa militariste e dehun nga sukseset e luftave të kalueme, dhe e vendosun me ripërtri lavdinë e perandorisë së shekullit 14, të carit Stefan Dushan.  Asnji nga shtetet që rrethojnë Serbinë nuk përban nji kërcenim për Serbinë; të gjitha këto shtete jetojnë me frikën se nji ditë mund të jenë viktima të nji sulmi të pa provokuem serb.” Senatori më falënderoj dhe u largue.

   Në votimet e përgjithëshme të nandorit 2006, unë urova fitoren e tij elektorale: 

’I nderuemi Senator Joseph R. Biden, Jr.  Urimet e mia ma të mira për nji fitore bindëse të Partise Demokratike në zgjedhjet e fundit. Koha kërkonte ndryshime, dhe populli amerikan u shpreh me za të naltë.

   Tue pasë parasyshë eksperiencën dhe profesionalizmin që ju keni tregue për dekada me rradhë në fushen e të drejtave të njeriut dhe sherbimin tuej në Senatin Amerikan ashtë e arsyeshme që na të presim ardhjen tuej në pozitën e kryetarit të Komitetit Senatorial për Punët e Jashtëme, në legjislaturën e re. (Ashtu ngjau!)

   Unë kam ndjekë veprimtarinë tuej në fushën për të drejtat e njeriut gjatë viteve të sherbimit tuej, dhe veçanërisht të drejtat e njeriut për popullsinë shqiptare në ish-Jugosllavi. Si nji ish i burgosun politik, unë jam i bindun se nën udhëheqjen tuej, ky aspekt i politikës amerikane do të forcohet për të mirën e të gjithë atyne që kanë kaq shumë nevojë.    Sinqerisht i jueji, …..”

    Me 17 shkurt 2008, Kuvendi i Republikës së Kosovës shpalli pavarësinë e Kosovës, shtet i lirë, sovran, dhe demokratik, në mes të nji entuziasmi të panjohun ma parë, Reagimi i botës së jashtëme ka njohë dy qendrimet e mundëshme: pozitive, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkueme, dhe negative nën influencën ruse e kineze, pa marrë parasyshë qendrimin obstruksionist të qeverive te ndryshme serbe, qendrim që vazhdon edhe sot me nji fushatë të egër diplomatike për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, ose tërheqjen e saj nga ata që fillimisht e njohën. Në këte periudhë jashtëzakonisht delikate për Kosovën, Shtetet e Bashkueme ndërmorren inisiativen me mbrojtë pavarësinë, dhe për këte qellim, Kongresi amerikan organizoi nji “Hearings” vetëm tri javë mbas shpalljes zyrtare në Prishtinë. Personaliteti që kryesoi këte séancë ka qenë i nderuemi Senator Joseph R. Biden, Jr. kryetar i Komitetit Senatorial për Punët e Jashtëme, i cili e cilësoi gjendjen me fjalinë monumentale: “Pavarësia e Kosovës ashtë nji piramidë udhë-rrëfyese në rrugën për nji të ardhme paqësore dhe prosperitet”. 

    Nji element inkurajues për nji ndërmarrje të këtill ka qenë edhe lobimi i bashkësisë shqiptare në Amerikë, sidomos i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (a.k.a. NAAC). Lobimi ashtë nji faktor me randësi në jetën politike dhe shoqënore amerikane, dhe sherben si element shoqënues i organeve të Administratës, ligjërisht i njohun dhe i përkrahun. Qellimi i lobizmit në Amerikë ashte mbajtja dhe përforcimi i vemendjes së organeve qeveritare mbi probleme të ndryshme që shpesh herë mbulohen në grumullin e problemeve të shumëta ditore të këtij vendi. Lobizmi ashtë kumbonë zgjimi i vemendjes qeveritare. Formalisht. “Lobizmi” ashtë kërkesa/lutja që bahet tek anëtarët e trupit legjislativ me qellim influencimi në legjislacion. Nga shpërdorimet, lobizmi shpesh keq-kuptohet, por në esencë ashte faktor pozitiv: sqarimi i problemeve pjesërisht të lanuna mbas dore.

    Fjala e hymjes së “Hearings”, (e riprodhueme tanësisht nga gazeta ILLYRIA e New York-ut, Nr.1728, datë 7-10.III.2008) e mbajtun nga Kryetari, Senator Biden, vijon ma poshtë (përkthye shqip nga origjinali anglisht):

    “ Statusi i Kosovës ka qenë sfida e madhe dhe e fundit që mbeti pa u zgjidhë mbas shpërbamjes së Jugosllavisë. Në balancë, gjendja ligjore e Kosovës tregonte se populli i saj nuk kishte perpsektivë me sigurue investime të hueja të nevojshme me rindertue ekonominë e tyne ose nji bazë politike mbi të cilën të ndërtohej shoqënia e tyne.

    Për dy vjet me rradhë, Kombet e Bashkueme u përpoqën me ndërmjetësue nji marrëveshje mbi pavarësinë e Kosovës. Për fat të keq, Serbia dhe padroni i saj, Rusia, hodhën poshtë nji plan që do të kishte garantue nji pavaresi të mbikëqyrun, dhe mbrojtje të fuqishme për pakicën serbe.

   As edhe nji herë të vetme gjatë këtyne dy viteve me negociata për të ardhmen e Kosovës, Serbia nuk paraqiti argumente mbi të ardhmen e Kosovës ose pse nji sundim i vazhdueshëm serb mbi Kosovën do të përmirësonte jetët e shqiptarëve etnikë, të cilët përbajnë ma shumë se 90 përqind të popullsisë së Kosovës.

    Në botën tonë moderne, sovraniteti nuk ashtë nji e drejtë stërgjyshore; sovraniteti ashtë mirëbesimi i shenjtë reciprok në mes të qeverisë dhe mbar popullsisë së nji vendi. Slobodan Milosheviqi shkelmoi këte mirëbesim kur ai u përpoq me spastrue etnicitetin e Kosovës, dhe qeveritë serbe që erdhën ma vonë nuk banë diçka me rivendosë atë mirëbesim. Beogradi dëshironte vetëm sundimin mbi Kosovën, jo të lejonte kosovarët me u vetëqeverisë.

    Na jetojmë në nji botë ku historia ka peshë, por edhe qeniet njerëzore peshojnë gjithashtu. Kosova nuk mund të mbetej ma gjatë nji kujtim tokësor i së kaluemes së lavdishme imperiale. Kështu, me zgjidhë problemin e statusit të Kosovës nepërmjet nji deklarate unilaterale të pavarësisë së Kosovës nuk ashtë nji zgjidhje ideale. Unë besoj se ishte nji zgjidhje e nevojshme, dhe jam kryenaltë që Shtetet e Bashkueme të Amerikës kanë qenë nga të parët vende që kanë njohë zyrtarisht shtetin e pavarun të Kosovës.

    Qeveria e  re e Kosovës duhet të ruej trashëgimin e madhnueshëm të së kaluemes serbe në Kosovë, por na duhet të mbrojmë të ardhmen e Kosovës. Qeveria e Kosovës, e zgjedhun demokratikisht, ka pranue nji mbrojtje të fortë të pakicave etnike në Kosovë, dhe ka fillue nji seri takimesh që synojnë pajtimin me serbët e Kosovës. Populli i Kosovës ka tregue se çfar vendi duen ata të krijojnë. Në se dalin me sukses, Kosova do të përparojë.

    Nuk ashtë nji ndermarrje e lehtë. Kosova përballet me vështirësi epike, si niveli i naltë i papunësisë, korrupsioni i tejpërhapun, dhe tensionet që akoma vazhdojnë. Por vendi zotënon rezerva dhe energji të mëdha, nji popullsi të re, dhe dëshirën me ndertue nji atdhe me shumicë myslimane demokratike në nji shtet pro-perëndimor. Në se populli i saj vazhdon me mbrojtë të drejtat e njeriut dhe me luftue korrupsionin, udhëheqsit kosovarë do të meritojnë përkrahjen tonë të plotë në përpjekjet e tyne me u antarësue në shoqëninë e kombeve dhe në institucionet euro-atlantike. Beogradi duhet të marre hapat e duhun me të cilët edhe vendet tjera ballkanike do të vlerësojnë përparimin e tyne për anëtarësim në BE dhe NATO.

    E kundërta ka ndodhë! Serbët kanë ra viktimë e udhëheqësve të tyne të cilët, me citue Abba Eban, “nuk kanë humbë rastin me prishë nji mundësi….” Në vend që të ecet përpara me guxim drejt Europës, udhëheqsit e Beogradit ngulin kambë mbi të kaluemen që përfaqson vetëm nji politikë që pruni  shkatërrim.

    Unë jam veçanërisht i shgënjyem me aktet e zyrtarëve të qeverisë serbe që erdhën në fuqi mbasi rrëzuen nga throni nji tiran, por kanë fillue tashti të ndjekin të njajtat taktika dhe bajnë po ato deklarata që ata vetë kundërshtuen pak kohë ma parë. Refuzimi i vazhdueshëm i kryeministrit Koshtunica me thirrë për arrestimin e kriminelëve të luftës të arratisun, si dhe refuzimi i tij me firmue Marrëveshjen e Stabilitetit dhe Shoqënimit me Bashkimin Europian kanë damtue randë standartin ndërkombëtar të Beogradit. Udhëheqës të tjerë serbë kanë qenë ma pak shkelës të rregullave me aksionet e tyne, por kanë dështue megjithate në marrjen e nji qendrimi që mund të lejojë ecjen përpara të vendit tyne.

    Dhuna që u përdorue mbas deklaratës së pavarësisë së Kosovës ishte e parapame, e evitueshme, dhe si rezultat i disa individëve që ndezin gjakërat e egërsisë publike, dhe mospranimin e përgjegjsisë për rrjedhimet që pasuen. Qeveria e Serbisë duhet të ndalojë përdorimin e pavarësisë së Kosovës si çfajsim për damtimet që i shkaktojnë kombit tyne. 

     Serbia duhet të filloj procesin  e eliminimit të politikës saj të dështueme në këto 15 vitet e fundit dhe me fillue rrugën e nji të ardhmje si pjesë e Europës.

   Na nuk mund të lejojmë ngerçin qeveritar që ka kapë Beogradin të përhapet edhe në Kosovë e Bosnje-Herzegovinë. Amerikanët, europianët dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë kanë investue shumë me qellim që të mos shohim ambiciet demokratike të këtyne vendeve të mbyten që në lindje.

    Çdo përpjekje nga ana e Beogradit me mbjellë kaos në Kosovën e Veriut, ose në Republika Srpska të Bosnjes duhet kundërshtue menjiherë dhe me vendosmëni nga BE, dhe NATO. Aktet serbe duhet të influencojnë vendimet e investuesve të huej, të cilët mund të kenë në program-projekte në atë vend.

    Për tetë vjet me rradhë, populli i Kosovës – dhe i gjithë rajoni- janë përpjekë me ndertue ekonomitë dhe shoqënitë e tyne mbi bazat e nji pasigurie. Sot, na kemi mundësi me heqë velin e dyshimit. Europianët dhe amerikanët duhet të ndërgjegjsohen për thirrjet që vijnë me kërkesa për nji mosangazhim të përkohëshëm nga rajoni, tashti që Kosova ashtë shtet në vete. Tensionet do të vazhdojnë me u ngritë gjatë këtyne muejve të ardhshëm. Qoftë edhe në kondita e rrethana ideale, ruejtja dhe stabiliteti ne Gadishullin Ballkanik do të kërkojë ndihmën ekonomike të konsiderueshme për zhvillim, ruejtjen e paqës dhe diplomaci të fortë.

   Unë pres që në të ardhmen të ndigjoj mendimet e deshmitarëve, me mësue se si janë planet e Shteteve të Bashkueme të Amerikës për përkrahjen e Kosovës në këto ditë e javë sfiduese nga të papritunat para nesh.

    Na duhet të pranojmë pavarësinë e Kosovës si nji gur piramide udhë-rrëfyes, ashtu siç ashtë në fakt. E mirëkuptueme si duhet, pavarësia e Kosovës do të heq edhe gurin e fundit pengues (në rrugën e mirëkuptimit) që mbetet në mes të Ballkanasve dhe nji të ardhmje paqësore me prosperitet”.

  Me nji mik të këtill në Washington,D.C. e ardhmja e Kosovës ashtë e sigurtë! 

  Fjala e Senatorit Biden nuk kaloi pa efekt. Ish Ministri i Jashtëm i Sllovenisë, D.Rupel, me njohjen e pavarësisë së Kosovës deklaroi para votuesve sllovenë :”Ky vendim (i njohjes së pavarësisë së Kosovës) nuk ashtë kundër Serbisë. Sllovenia nuk e mori këte vendim për interesat e saj; ne vendosim sot mbi bazën e politikës europiane e ndërkombëtare”, tha ai. 

   Kundërshtimi i fortë erdhi nga qendrimet e Rusisë dhe Kinës komuniste.

   Në këte atmosferë të tensionueme, zyrtarët amerikanë i banë thirrje Serbisë me ndjekë rrugën që shpie në integrimin europian dhe jo në izolim. N/Sekretari i Shtetit, diplomati Daniel Fried reagoj kundër veprimtarive serbe që synojshin largimin e Serbisë nga Europa, dhe pengimin e njohjes së Kosovës nga vendet europiane. “Pavarësia e Kosovës”, theksoi ai, “ashtë rezultat i thyemjes së Jugosllavisë në shumë shtete trashëgimtare. Situata e Kosovës përfshinë faktorë që nuk paraqiten në raste tjera…. Duhet të ndihmojmë Kosovën me forcue institucionet shtetnore moderne, dhe funksionale. Duhet të ndihmojmë me krijue nji atmosferë të favorëshme për investime dhe pak nga pak me zhdukë korrupsionin”….Ai bani thirrje Rusisë për qetësi, në mënyrë që të ndigjohen këto fjalë pa asnji dyshim nga Serbia dhe nga serbët në Kosovë”, raporton gazeta ILLYRIA (N.Y.)

*******

   Me qellim që të ndihmojmë zgjedhjen President i Shteteve të Bashkueme të Amerikes ish N/Presidentin Joseph R. Biden, Jr. me 3 nandor 2020, nji grup aktivistësh demokratë shqiptaro-amerikanë ka formue grupimin e bashkëmendimtarëve të bashkësisë sonë dhe ka lëshue këte “Deklaratë”:

“ Na, të neënshruemët, përkrahim Joseph R. Biden, Jr. në fushatën e tij për President të Shteteve të Bashkueme të Amerikës. N/Presidenti Joseph R. Biden, Jr. ka tregue vazhdimisht gjatë karrierës së tij, nji afinitet të fortë për popullin shqiptar, nji angazhim me ndihmue të gjithë Amerikanët në përpjekjet e tyne për sukses, dhe nji devocion për institucionet tona demokratike. Shtetet e Bashkueme të Amerikës kanë sot nevojë për nji President të ardhshëm që personifikon këto cilësi. Përkrahja gjatë gjithë jetës së tij politike e dhanun për Shqiptarët ka qenë veçanërisht impresionuese. Si udhëheqës në Kongres, ai perqafoi tranzicionin demokratik të Shqipërisë në demokraci, dhe bani thirrje për Shtetet e Bashkueme të përkrahë zhvillimin e Shqipërisë që në ato ditë.

    Kur populli i Kosovës luftonte për lirinë dhe pavarësinë e vet, Joseph R. Biden, Jr. mori anën e tyne. Kur qeveria serbe u përgjegj kërkesave shqiptare me nji spastrim të egër etnik, Joseph R. Biden, Jr. mbështeti ndërhymjen ushtarake amerikane, dhe Pavarësinë e Kosovës. Ai ka përkrahë gjithmonë demokracinë dhe të  drejtat e njeriut për Shqiptarët në të gjithë Ballkanin, gjatë ushtrimit të detyrës së tij si Senator ashtu edhe si N/President i Shhteteve të Bashkueme……..

   Për këto arsye dhe shumë të tjera, na përkrahim Joseph R. Biden, Jr. për President të Shteteve të Bashkueme të Amerikës në këto momente kritike për Kombin tonë, dhe për botën mbar”.

========

* Autori ashtë aktivist për të drejtat e njeriut. Åi voton demokratet.

Filed Under: Politike Tagged With: Sami repishti, SHBA, Zgjedhjet e 2 Nandorit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 431
  • 432
  • 433
  • 434
  • 435
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT