Nga Hazir Mehmeti,Bashkepunetor i Diellit- Vjenë/
Se Pallati Auersperg ka zënë rrënjë në historinë shqiptare jo vetëm nga mbajtja e bisedimeve shqiptaro-serbe për statusin e Kosovës, por tani nuk rresht së shprehuri me gjuhën e kulturës, elementi më shprehës i lirisë. Me organizimin e disa shoqatave të kyçura në Këshillin Koordinues, u bë hapja e Javës së Kulturës Shqiptare në Vjenë. Mori pjesë z.RolandBimo, Ambasador i Shqipërisë në Austri, Z.YmerLladrovc, Konsull në Ambasadën e Kosovës dhe zonja Lladrovci, Fitim Nuhi , Konsull në Ambasadën e Maqedonisë dhe personalitete tjera nga diplomacia, arti e kultura nga radhët e mërgimtarëve tanë.
Programin e hapi Mirala Shira, kryetare Këshillit, kurse përshëndeti z.RolandBimo, në emër të Ambasadës së Shqipërisë. Ishte mysafir rasti i ardhur veçane për mbrëmje z.PierreWeber, ambasador i Luxemburgut në Prishtinë. Ai luajti pjesë nga krijimtari e tij kompozuese në piano: Nocturne nr-1, The etherCanon etj. i cili u prit mirë nga publiku. Programi u hap me PolonaiseHeroicue ep. 53 nga Frederik Chopin e luajtur me mjeshtri nga pianisti MennanBerveniku. Zëri i tenorit Faik Hondozi ishte vërtetë i mrekullueshëm në këndimin e Ilmietesor nga W.A.Mozart. Ai i dha sallës së Auerspegut shkëlqim në jetën e saj katër shekullore, diçka që nuk harrohet lehtë. E serbate, a questeacciarenga I Capuletti, Agimet shqiptare nga A.Mula dhe disa këngë duet ishin kënaqësia apikale e mbrëmjes me zërin e tenorit z.Hondozi. Pastaj, Crudasorte ngaG.Rossin, Habanera Carmen nga G.Bizet, Margjelë- nga K Jakova, Luleborë nga Simon Gjoni u kënduan me mjeshtri nga mezzosopranoja Flaka Goranci. Ndërsa këngët: O miobabbinocaro- nga G.Schicchi. Adieunotre petite table-Manen- nga J. Massenet, Pranvera filloi me ardhë – këngë shkodrane, u kënduan me shije nga soprano Anjëza Islamaj. Mbresa lanë këngët e kënduara në duet Kur perëndon dielli – nga L.Deda- kënduar nga F.Hondozi e F. Goranci;; Ca pika shiu ranë mbi qelq- nga R.Cako kënduar nga F.Hondoz e A.Islamaj. Programi u mbyll me këngën simbolike Dua më shumë Shqipërinë kënduar nga F.Hondozi, F.Goranci e A.Islamaj. Publiku i duartrokiti artistët me ngrohtësi duke iu dhuruar edhebuçetë lulesh. Ajo që vërehej ishte mungesa e publikut jo shqipfolës, raste të rralla kur kemi të bëjmë me koncertet të muzikës klasike në Vjenë.Programet kulturore të radhës vazhdojnë me ekspozitën e skulptorit të mirënjohur DestanGashi, orën letrare të krijuesve nga radhët e Lidhjës së Krijuesve dhe Shkrimtarëve “Aleksandër Moisiu” në Austri dhe përfundon me aktivitet sportive në periferi të Vjenës. Për renditjen e programit u kujdes JanuzSaliuka, ideator i aktivitetit.
Aktivitet e shtuara kulturo-sportive të mërgimtarëve tanë janë një faktor me rëndësi në ruajtjen e gjuhës dhe traditave kombëtare tek gjenerata e re dhe afirmim i mëtejmë i krijimtarisë e kulturës para vendorëve. Pa dyshim krahas aktivistëve, artistëve brenda shoqatave duhet falënderuar sponsorët aktiv të aktiviteteve kulturore brenda mërgimtarëve shqiptarë në Austri.
“KUJDES, MOS MË BËHESH PRE E MARRËZISË NË SHQIPËRI!“
Nga Fadil LUSHI/Tetove/
Kjo ishte porosia, që i dha perandori Wilhelm II nipit të vet, princ Vidit, kur në vitin 1914 u nis drejt Shqipërisë. “Ndoshta në momentet e zbarkimit në portin e Durrësit, këto fjalë paralajmëruese të xhaxhait të tij të madh, i kishin mbetur vath në vesh të tij”.
Miqtë e mi të nderuar, ndonëse unë me profesion nuk jam historian, do të kërkoj falje nga njerëzit të cilët merren me studimin e së kaluarës njerëzore. Do të bëj përpjekje që në këtë shkrim gazete të radhës assesi të mos e zvetënoj hisen dhe kontributin që i kanë dhënë dhe që i japin ndriçimit të antropologjisë humane dhe emancipimit të çështjes së kauzës shqiptare. Fillimisht shkrimin do ta nis me një kalorës të vonuar shumë të “katandisur” (që më pastaj të vazhdoj artikulimin e kryefjalës), i cili realitetit tonë politik ia ka hedhur sytë së prapthi. Se është i marrë, i marrë është, dhe këtu nuk ka vend për të dyshuar dhe diskutuar, se “është syrtyk”, është “syrtyk” me tamam, edhe këtë e dimë dhe të tjerët e dinë, se është paksa i vonuar në zhvillimin mendor, është goxha i vonuar, se është bërë pronar i deleve të qehajait, edhe këtë e dimë, se i qeth delet dhe leshin e tyre e shet për lesh…, se ua rrjep lëkurat edhe këtë e dimë, se dikur e hiqnin zvarrë si ata zagarët e pashait…, se për nga fjalori duket si debil…, se për nga veshja duket si çun Stambolli, për nga këpucët si aga Anadolli…, se në “fiqir” duket si shpellar dhe trap…, edhe këtë e kemi si informacion, por ama se do ta “thante atë gotën e mbushur me ujin e Skraparit”, me një frymë dhe me një gëlltitje, lëre që hiç nuk ma kapi “fiqiri”, por edhe nuk doja të besoj. Jo se kishte “takat” (atë moti kohë e kishte lënë), por pse e bëri me inat dhe për inatin tim…, kishte marrë ca “habere” se unë kisha hequr dorë nga kjo e keqe. Më tha – nëse je burrë nuk do të thotë se je mur prej “qerpiçi”…, ia ktheva – nëse nuk jam burrë mund t’i “kthehem origjinës dhe identitetit!?”. Dhe, papritur ky kalorësi i vonuar, shpërtheu njësoj si ai “budallai” që padrejtësisht dhe i paftuar merr vend në ndejën e njerëzve të urtë. Mbase këtë shpërthim e ka të trashëguar. Historia e këtij “syrtyku” nuk është i veçantë…, me një të tillë shpërthim do të karakterizohen edhe ca shqiptarë të cilët dikur moti mëtuan të bëjnë politikë!?
Historia jonë shekullore shpjegon a lakon edhe këtë fakt: shqiptarët, sa herë që shpërthejnë dhe rebelohen, aq herë e përjashtojnë dhe e nëpërkëmbin qetësinë dhe urtësinë, aq herë e anashkalojnë tolerancën, aq herë i ngatërrojnë parimet dhe aq herë shtrembërojnë buzët, sa herë do të shpërthejnë, aq herë do të ngatërrojnë mendimet a atë filozofinë puro shqiptare.
Shpërthimi i parë i shqiptarëve do të hetohet “…, më datë 21.2.1914, kur në një banket të madh (diku në një cep të Evropës “hileqare”), shoqëruar me muzikë dhome me pjesë të Vagnerit e Çajkovskit, u bë celebrimi i pranimit të fronit shqiptar nga ana e Princ Vidit. Një orë më parë, një delegacion prej 18 shqiptarësh, të cilët përfaqësonin zona të ndryshme të Shqipërisë, kishin ardhur për t’i vënë Princ Vidit kurorën e vendit të tyre. Princ Vidi e pranoi kurorën dhe u bë praktikisht mbreti i Shqipërisë. Pas 180 ditësh çdo gjë do të mbaronte. Por periudha kur ai u ngarkua të bënte një detyrë të tillë, korrespondoi me zhvillimin e ngjarjeve të rëndësishme për kohën në Ballkan…”
Se kjo ishte një diletantizëm dhe një marrëzi politike e parë dhe e fundit nuk ishte. Sot, të thuash se në atë kohë Shqipëria nuk kishte një figurë politike që do të udhëhiqte vendin, do të ishte një marrëzi. Kjo marrëzi nuk ishte e fundit. Një e tillë me shumë gjasa do të përsëritet së shpejti në rastin e institucionit qendror, siç është rasti i bankës së Shqipërisë, ku kohë më parë ndodhi ajo “hajdutëria çerekshekullore”…, si dhe çështja e guvernatorit të Bankës në fjalë. Gjithandej diskutohet a lakohet emri i një trashëgimtari të Ardian Fullanit!? Për këtë dhe arsye të tjera, me të drejtë nga ana e Presidentit do të vijë një shpërthim zemërimi, me çka sipas tij duhet të shuhen përfundimisht shpresat për një guvernator të huaj për bankën e Shqipërisë. Tekefundit, Kushtetuta parashikon që në krye të bankës shqiptare duhet të qëndrojë një guvernator shqiptar dhe jo i huaj. Parashtrohet pyetja a mos vallë edhe pas 102 vjetësh, na duhet një Princ Vid, i cili do të ulet këmbëkryq në kryeminderin e thesarit shqiptar, a mos vallë ky guvernator “jabanxhi” do t’i shërbejë bankës apo do ta sundojë atë, a mos vallë Shqipëria, sot nuk ka “burra, gra dhe vajza a djem të aftë për të marrë në dorë fatet e vendit”, a mos vallë shqiptarët edhe sot e kësaj dite duhet të konsumojnë gjellët e kuzhinave politike të së shkuarës, të asaj të Konferencës rospi të Londrës, a mos vallë nuk ndërgjegjësohemi e të themi se ato vakte për ne shqiptarët ishin disfatiste, a mos vallë ato vakte nuk janë të tejkaluara e të harruara.
Të thuash se njerëzit që hedhin këto ide a propozime për institucionin e guvernatorit janë “axhami”- nuk janë, të thuash se vrapojnë pas pushtetit – vrapojnë…, por ama të mos thuash se e gjithë kjo është budallaki, atëherë vetë je budalla.
Shpërthimi i fundit u hetua para 9 muajsh, kur me një vendim të posaçëm të Ministrisë së Arsimit u ngrit Komisioni për rishkrimin e historisë së sistemit parauniversitar në Shqipëri. Kryetar i këtij Komisioni u emërua Paskal Milo, një ish-diplomat në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Kjo ide është vërtet humane dhe emancipuese, por ama që kaptinën e Luftës Nacional-Çlirimtare a periudhën e komunizmit në Shqipëri do ta shkruajë historiani gjerman, Fisheri (jo Princ Vidi), është jashtë çdo logjike. A mos vallë prapë të huajt do të na e shkruajnë historinë…, a mos vallë këndvështrimi i tyre do të jetë më “objektiv” se yni, a mos vallë ata nesër nuk do të akuzohen për “njëanshmëri” apo, në instancë të fundit, do t’u themi “faleminderit që edhe kësaj radhe ndërmjetësuat a futët hundët në punët tona dhe që na e shkarravitët të kaluarën tonë pavarësisht si ishte ajo!??”. Të gjithë ata që do t’i besojnë kësaj ideje a këtij propozimi, o janë të marrë, o janë “hyzmeqarë të pagdhendur”, o janë “topallë mendorë”. Kjo mesele i vjen njësoj sikur ujkut t’ia varësh në qafë mëlçitë e qengjit…, dhe ti, vëlla i dashur, mendon se ujku nuk do t’i hajë ato mëlçi.
Thonë se çdo “tenxhere” kërkon kapakun e vet, pavarësisht se çfarë çorbe zihet në të…, qoftë ajo të jetë e fukarasë a e pasanikut, qoftë evropiane a shqiptare.
ISIS bënë spastrim etnik sistematik
Bëhet e qartë se intervenimi me trupa tokësore nuk është aktual, por me bomba nga ajri do të jetë vështirë të arrihet një zgjidhje afatgjatë, për më tepër nuk mund të zgjidhet katastrofa humanitare që po ndodh atje/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Ajo e paimagjinueshmja po ndodh përsëri. Këtë e dëshmon Amnesti Internacional në raportin e saj të paraqitur javën e shkuar, duke konstatuar se ajo çka po ndodh në Irakun Verior është spastrim etnik sistematik i grupeve minoritare të vendit. Raporti për spastrim dhe ndjekja sistematike e shtetit islamik ndaj pakicave është përmbledhur në një verë të përgjakshme, ndërsa në anën tjetër tregon vështirësinë e Komunitetit Ndërkombëtar për të parandaluar këtë lloj të tragjedisë.
Të mbijetuarit dëshmojnë për vrasje masive e martesa me dhunë
Të mbijetuarit dëshmojnë për vrasje masive të qindra, ndoshta mijëra, burrave dhe djemve edhe të moshës 12 vjeçare, të cilët janë dërguar në drejtime të panjohura dhe të rreshtuar janë vrarë në mënyrën më brutale. Disa i kishin mbijetuar masakrat pasi që ishin mbuluar nga të vrarit dhe pasi ishin larguar vrasësit ata ishin larguar nga zona dhe më pastaj kishin ikur nëpër male, ku as atje nuk janë të sigurt.
Dëshmia tjetër mjaft trishtuese e përfshirë në raportin e Amnesti Internacional është së gra e fëmijë të shumtë kanë qenë të shtrënguar për të braktisur shtëpitë e tyre, por që janë kapur nga IS që i ka dërguar nëpër shkolla e objekte të mëdha. Të dhënat nga disa që kanë arritur për të siguruar telefona celular tregojnë se femrat janë martuar me xhihadistë, ndërsa ato që nuk kanë pranuar ta bëjnë këtë janë shitur si skllevër. Ka raporte edhe të abuzimit seksual dhe të përdhunimit të grave dhe fëmijëve.
Edhe në mesin e atyre që kanë arritur të shpëtojnë nga egërsia xhihadiste, situata është jashtëzakonisht e vështirë. Nga qershori i këtij viti mbi 830 mijë veta ishin të detyruar të largohen nga zonat që i ka okupuar ISIS, gjë që ka rezultuar me një katastrofë humanitare, vlerëson OKB. Ndihma që duhet ofruar këtyre njerëzve absolutisht është e domosdoshme, por në të njëjtën kohë politikisht e parealizueshme. OKB nuk do të jetë në gjendje të dakordohet për një veprim më të fuqishëm kundër terroristëve të pamëshirshëm.
Ushtria irakiane u shemb si një shtëpi kartoni
Meqë ushtria irakiane u shemb si një shtëpi kartoni, ISIS u duk shumë shpejt në rajon dhe mbrojtja e popullsisë e në veçanti e pakicave dhe grupeve civile ishte jo- ekzistente. Shi për këtë, të shpërngulurit ishin lehtë të kapen dhe po të mos ishin ushtarët Peshmerga të pjesës kurde atëherë terrori shkatërrues do të merrte më shumë viktima. Ndërkaq, në anën tjetër Amensti International vlerëson se marrja e vendimit të qeverisë irakiane për të armatosur milicinë shiite vetëm sa e ka përkeqësuar edhe më shumë situatën. Në një aksion të këtoditshëm të terroristëve të ISIS u pushtuan edhe 16 fshatra në Siri dhe shi për këtë ishin të detyruar që më së 70 mijë sirian të kapërcejnë kufirin dhe të kalojnë në Turqi.Hëpërhë, nevojat janë të qarta: ndihma humanitare, mbrojtja e civilëve nga terroristet e shtetit islamik.
Me bombardime vështirë se do të këtë zgjidhje afatgjatë
Presidenti amerikan, Barack Obama, ka qenë i qartë se intervenimi me trupa tokësore nuk është aktual. Megjithatë, sulmet ajrore amerikane, por edhe ato franceze dhe të aletatëve tjerë po vazhdojnë në përpjekje për të kufizuar ambicien e shtetit islamik për një Kalifat të zgjeruar. Por do të jetë vështirë që me bomba nga ajri të arrihet zgjidhje afatgjatë. Për më tepër nuk mund të zgjidhet katastrofa humanitare: furnizimi me ushqime thjesht nuk arrinë të refugjatët, i cili është aq i nevojshëm. Me një fjalë, me gjithë të vërtetën e frustruar është se edhe pse ka ekzekutime mizore dhe vrasje masive, që sigurisht se ngjall neveri, siç duket nuk pritet ndonjë veprim më i fort. Kjo është më të vërtetë tragjedi.
Në Dollestown, PA, dy gëzime në një ditë
Nënë e bir festuan ditëlindjet së bashku/
Nga Keze Kozeta Zylo/
Festat familjare gjithmonë janë të veçanta ngase sjellin pranë vatrës së të Zotit të shtëpisë këngë, muzikë dhe valle ku së bashku me familjarë, të aferm miq e shokë mblidhen së bashku. Në emigrim këto marrin dhe më shumë kuptim, më shumë vëmendje sepse mungesa dhe largësia e emigrantëve nga prindërit, vëllezërit dhe motrat është tepër e ndjeshme, është mall që djeg.
Është interesant se disa qytete të vogla për vëtë hapësirën gjeografike që kanë i mban dhe më të lidhur shqiptarët me njeri -tjetrin. Këtë kemi ndjerë gjithmonë sa herë që kemi marrë pjesë në qytetin Dollestown të Pensilvanisë ku jeton dhe punon një komunitet i konsiderueshëm shqiptarësh, një qytet që e ka origjinën e emrit më 1745, kur William Doyle ndërtoi tavernën me të njejtin emër. Ftesën e marrë nga Koço dhe Natasha Gaba për të festuar 60 vjetorin e Natashës dhe të të birit të tyre Ivit 35-vjetorin, e pritëm me shumë kënaqesi dhe emocion. Kur them me emocion ndjej se tek ajo familje plot kulturë ka diçka speciale, është një shkollë më vehte me dy prindër ndoshta dhe më mirë se psikologët e certifikuar… Ivi ka qenë një fëmijë në nevojë, me autizëm, por sa herë që e kemi takuar ne kemi parë rritjen, pjekurinë dhe xhentilencën që u dhuron të gjithë miqve dhe shokëve që e duan aq shumë. Ai i priste dhe i përqafonte të gjithë të ftuarit kërcente dhe këndonte krejt normal me ta, ndoshta dhe më mirë se shumë të tjerë që nuk e kanë pasion vallëzimin.
Duke punuar në programin e autizmit në shkollë të mesme në qytetin ku unë jetoj në Staten Island, dhe duke e krahasuar me përvojën time prej gati 8 vjetësh, shikoj dhe prek nga afër progresin e dukshëm të Ivit, sikur të ketë qenë në të gjitha shërbimet e posaçme që vihen këtu në dispozicion të studentëve në nevojë, si terapia e të folurit, lëvizjet fizike, ora e dëgjimit dhe sherbime të tjera që ju plotësohen me ligj nga Bordi i Edukimit. Por Ivi nuk e pati shansin të jetë në këto shkolla, pasi mungesa e dokumenteve që për ironi të fatit ka bërë që të jetë i përjashtuar nga këto programe të posaçme. Por kjo është një temë tjetër e dhimbshme… Përshëndetja e Ivit për të gjithë miqtë ishte një përshëndetje e ngrohtë dhe plot mirësi. Ja psh ai falënderoi në radhë të parë mamanë e tij Natashën që po festonte 60 vjetorin dhe që më ka rritur me shumë përkujdesje, dy gjyshërit e tij në Tiranë, nëna Bylen dhe gjyshi Gimin që nuk kishin mundësi të vinin, por ja më kanë blerë një byzylyk të argjendtë dhe ngriti dorën që i shkelqente bashkë me sytë blu, vazhdoi me tezen e tij Artën Deputeten e Parlamentit e cila na bëri surprizën më të bukur të vitit duke ardhur që nga Tirana posaçërisht për ne. Në këtë kohë Arta shkon dhe e takon dhe me lot në sy përqafohen nën duartrokitjet e të gjithë pjesëmarrësve.
Një falënderim të veçantë vazdhoi Ivi dua t’i bej Andreas dhe sopranos së shquar Lindita Mezini Loles e cila e përshëndeti me këngën e nënës, lule bore etj, TV Alba Life, dhe të gjithë ju që keni ardhur sot dhe na keni nderuar. E dëgjoja me vëmendje, dhe ndjeja se kjo ditëlindje solli veç sfidë, ngase këta fëmijë të dhurojnë një dashuri krejtësisht të veçantë, një dashuri që ju buron në gjithë qenien e tyre. Prindërit e tij dhe vëllai i vetëm Edgari, i cili punon si financier në një kompani amerikane i kanë dhënë gjënë më të shtrenjtë edukimin, durimin, dashurinë, këto nuk mund të blihen në pazar janë dhurata gati nga Perëndia…
Të gjithë e duam Ivin më thoshnin plot gra si Albana, Luljeta Jaho, Arta Bitri e shumë e shumë të tjerë që e kam të pamundur t’i përmend gjithë emrat, ai është shumë i dashur dhe zemërartë.
Por Ivi ka dhe nje aktivitet të dukshëm që nga Shqipëria, ecuria e tij nën përkujdesjen e jashtëzakonshme të prinderve intelektualë bëri që të ketë një zhvillim të shpejtë.
Ivi ka marrë pjesë në Olimpiadën Speciale në vitin 1995, ku fitoi medalje ari në garën 100 metra dhe medaljen e përfaqësimit që e meritojnë të gjithë atletët.
Pas këtij suksesi ai mori përsëri pjesë në vitin 1998 në Lojërat Botërore duke na përfaqësuar denjësisht.
Ivi u përshëndet veçanerisht nga aktori i Hollivudit dhe politikani Arnold Shvarceneger dhëndri i familjes Kennedy.
Motra e presidentit Kennedy, Eunice Kennedy Shriver ka krijuar Olimpiadën Speciale në vitin 1962 dhe sot në të aderojnë 150 shtete nga e gjithë bota.
Ndërsa burri i saj z.Shriver është një ndër themeluesit e Korpësit të Paqes.
Mbrëmja u zhvillua në restorantin “Garden of Eaten” me ushqime të shijshme shqiptare dhe pjesëmarresit u argëtuan nën tingujt e bukur të muzikës shqiptare me një harmoni dhe respekt të vecantë për Natashën dhe Ivin, ku si nënë e bir festuan ditëlindjet së bashku.
Ishte një e dielë e bukur në Dollestown me dy gëzime në një ditë.
21 shtator, 2014
Dollestown, Pennsylvania
Një shesh me emrin “Selaniku” në qytetin e Durrësit
Nga Shefqet Kërcelli*/
Paraditen e datës 22 shtator, në sheshin përbri stacionit të trenit, {Lagja nr.4 e qytetit Durrës} u zhvillua ceremonia për vendosjen e emrit “Selaniku”, këtij sheshi. Në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i bashkisë së qytetit Durrës zoti Vangjush Dako, Kryetari i Bashkisë së Selanikut, zoti Jannis Butaris, Konsulli shqiptar në Selanik Riza Poda, përfaqësues të pushtetit lokal Durrës, përfaqësues të ambasadës greke në Tiranë, qytetarë të Durrësit, emigrantë shqiptarë në Selanik, etj. Emërtimi i këtij sheshi me emrin “Selaniku” ishte një dëshirë dhe inisiativë e kahershme e emigrantëve tanë në Selanik, të cilët në bashkëpunim më Këshillin Bashkiak dhe Bashkinë Durrës bënë të mundur realizimin e kësaj nisme. Mbasi u ekzekutuan hymnet e dy shteteve nga banda e qytetit Durrës, zoti Vangjush Dako, i uroi mirëseardhjen kryebashkiakut të Selanikut në këtë ceremoni të thjeshtë, por me simbolikë të madhe. Në vijim zoti Dako theksoi miqësinë tradicionale midis dy popujve tanë dhe rëndësinë historike, ekonomike dhe kulturore të qytetit të Selanikut në Ballkan. Në të ardhmen ne do forcojmë lidhjet e bashkëpunimin midis dy qyteteve tona tha zoti Dako. Ndërkohë zoti Janis Butaris vuri në dukje se pamvarësisht diversitetit të kulturave, mendimeve apo vështirësive të jetës, asgjë si pengon dy popujt tanë që të jetojnë në paqe dhe fqinjësi të mirë. Do punoj gjithë jetës për të forcuar vëllazërinë midis dy popujve tanë, theksoi zoti Butaris. Më pas nga dy krybashkiakët u zbulua pllaka e mermerit me emërtimin e sheshit të Selanikut. Zoti Luan Zyka, aktivist i shoqatës së emigrantëve shqiptarë në Selanik, theksoi se zgjodhëm Durrësin, për të dhënë një shesh me këtë emër, se është një qytet që ka pranuar herët diversitetin kulturor, është qytet-port si Selaniku dhe ka mjaft emigrantë durrsakë në qytetin Helen. Jam shumë i gëzuar që në Durrës kemi një shesh me emrin Selaniku, thotë zoti Panajot Kurti, i cili kishte ardhur me familjen enkas për këtë ceremoni nga Selaniku. Emigrantët shqiptarë në sajë të dëshirës së mirë të zotit Butaris dhe kolegëve të tij kanë një shesh në Selanik me emrin “Durrësi”, i cili ndodhet pranë stacionit të trenit të këti qyteti. Por mbi të gjitha më gëzon fakti që sot ka ardhur në Durrës vetë zoti Butaris, një mik i shqiptarëve. Zoti Butaris është një politikan vizionar, human dhe bashkëkohor. Për bindjet dhe qëndrimet antiraciale shpesh debaton me politikanë ekstremistë në Greqi, thotë Panajoti. Por mbi të gjithë ai është një njeri fisnik, janë të panumurta rastet që Butaris ka ndihmuar shqiptarët në nevojë. Pikërisht nën shoqërinë e durrsakëve të shumtë emigrantë në Selanik, u përcoll dhe zoti Butaris, që shënoi dhe mbylljen e ceremonisë për emërtimin e këtij sheshi, “Selaniku”, një binjak më sheshin “Durrësi” në Selanik.
* Bashkepunetor i Diellit