• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ruajtja e gjuhes dhe identitetit kombetar – detyre paresore e diaspores shqiptare

June 19, 2014 by dgreca

Nga Sadik Elshani, Filadelfia/*
Dhjete Vjetori i themelimit te shkolles shqipe ne Filadelfia dhe vazhdim i suksesshem i punes se saj, vertet eshte nje rast i bukur per t’u festuar dhe per ta ndier veten krenar per misionin fisnik e atdhetar te kesaj shkolle, per ta mbajtur gjalle gjuhen, kulturen, historine dhe traditat shqiptare. Gjuha eshte elementi baze, themelor qe percakton nje komb, dhe po ashtu eshte elementi themelor per ruajtjen e identitetit kombetar.
Sot ne kete veprimtari, ne kete tubim, ne kumtesat qe u paraqiten u ceken sukseset qe jane arritur dhe u analizuan dhe u shoshiten edhe dias probleme me te cilat ballafaqohen shkollat shqipe ne Amerike. Kemi shume femije, kemi pak shkolla shqipe dhe ne ato shkolla kemi pak nxenes. Shkolla shqipe per femijet tane duhet te jete nje pervoje e vlefshme jetesore, ku pervec njohurive qe marrin per gjuhen, kulturen , artin dhe historine tone, te brumosen edhe me ndjenjat e atdhedashurise dhe krenarise sone kombetare. Te njihen me figurat e ndritura te kombit tone, me shqiptaret qe kane bere emer ne fushat e artit, shkences, sportit, te jetes publike, etj dhe te krenohen qe jane shqiptare.
Bashkesia shqiptaro – amerikane ka nje potencial te madh njerezor, intelektual e profesional, prandaj duhet te jemi me te organizuar dhe t’i bashkerendojme me mire veprimet, punet tona. Ta shfrytezojme kete potencial per te miren e bashkesise sone, per te miren e kombit tone. Ajo qe na mungon eshte perkushtimi, kembengulja, vendosmeria, vullneti i mire, ndjenja e sakrifices per te bere dicka me shume se vetja jone. Per funkcionimin sa me te mire te shkollave shqipe duhet angazhim maksimal i te gjitheve: drejtueseve te shkolles,mesueseve, prinderve, nxenesve. Pervoja jone ka treguar se, roli i prindit eshte kyc. Kur prinderit me vetedije te larte kombetare angazhohen dhe e marrinn seriozisht kete detyre te shenjte qe t’i sjellin femijet e tyre ne shkolle dhe te punojne me ta, atehere edhe femijet jane mjaft te angazhuar dhe e vazhdojne shkollen me rregull (rasti i familjes Shurdhiqi e te tjere). Te perpiqemi me mish e me shpirt qe shkollat qe jane hapur ta vazhdojne me sukses e pa nderprerje punen e tyre, por te bejme perpjekje edhe per hapjen e shkollave te reja.
Jemi larguar nga Dheu Meme. Deshem, apo s’deshem ta pranojme, me largimin tone Shqiperia eshte varferuar, ajo e ndien mungesen tone. Kete humbje le ta kthejme ne njefitore, nje ndihmese te cmueshme per vendin tone, duke mbajtur gjalle gjuhen, kulturen, zakonet, traditat tona, qenjen shqiptare. Sot ne keto kohera te nje revolucioni kibernetik, globalizimit, hapjes se kufinjve, Shqiperi mund te ndihmohet edhe nga larg, duke investuar, duke kembyer ekspertizen, pervojen perendimore, duke perparuar proceset demokratike. Keshtu ne e shohim rolin e zgjeruar te shkolles shqipe. Pra, jo vetem si nje mjedis ku mesohet gjuha ne menyre mekanike, por edhe si nje vater e ngrohte ku ngritet ndergjegja kombetare, ku mbillet fara e atdhedashurise dhe ku lulezon shqiptarizmi.
Te vazhdojme rrugen e Nolit, Konices, motrave Qiriazi dhe shume atdhetareve tjere shqiptare qe vepruan ketu ne Amerike. Te marrim shembull nga vellezerit tane arbereshe qe per 500 vite ruajten gjuhen, traditat dhe zakonetr shqiptare, identitetin shqiptar. Kur ne Shqiperi nuk kishte shkolla shqipe, sepse pushtuesit turq e kishin ndaluar gjuhen shqipe, arbereshet i kishin shkollat dhe kolegjet ne gjuhen shqipe, botonin libra e gazeta ne gjuhen shqipe. Kur nje pjese e Rilindesve tane ende nuk kishin lindur, apo ishin te rinj, n’ Itali vepronte De Rada i madh, 200 vjetorin e lindjes se te cilit e festojme kete vit. Tani eshte radha jone qe te marrim pergjegjesi dhe t’i kryejme detyrimet tona ndaj kombit e atdheut.
Te shpresojme qe kjo veprimtari qe zhvilluam sot, ky bashkebisedim do te na sherbeje, do te na ndihmoje qe t’i organizojme, t’i bashkerendojme perpjekjet dhe punet tona edhe me mire duke i identifikuar problemet dhe sfidat me te cilat ballafaqohemi dhe qasjet, masat qe duhen marre per t’i tejkaluar keto pengesa. Kerkohet bashkepunimi dhe ndihmesa e te gjitheve.
Ju falenderojme per pjesemarrjen tuaj ne kete dite te gezueshme per te gjithe neve. Dhe tani e ka radhen kokteji yne tradicional: “Buke ekripe e zemer”.

• Fjala e z. Sadik Elshani ne 10 vjetorin e Shkolles Shqipe ne Filadelfia, 7 qershor, 20014.(FOTO:Arkiv, Sadik Elshani, ish kryetar i Shoqates”Bijte e Shqipes” gjate nje veprimtarie

Filed Under: Komunitet Tagged With: e shkolles shqipe, filadelfia, Fjala, Gjuha Jone, ne 10 vjetorin, Sadik Elshani

Darka e Lirisë në Vjenë

June 19, 2014 by dgreca

Shënohet pesëmbëdhjetë vjetori i hyrjes së NATO-së në Kosovës./Në darken festive morën pjesë diplomat, veprimtarë, krijues arti, kulture e shkence. Manifestimin e hapi nikoqiri i mbrëmjes z.ImerLladrovci, konsull.Z. T.Eydelnant: konsull i përgjithshëm SHBA: ”Jam krenar të them se partneriteti në mes të SHBA-ve dhe Kosovës shkon më tej sesa vetëm participimi ynë në KFOR….Urime për zgjedhjet e lira dhe të suksesshme qe u zhvilluan në Kosovë.”/
Nga Hazir Mehmeti, Vjenë/ Ambasada e Republikës së Kosovës/
Hyrja e trupave të NATO- së pas bombardimeve 78 ditësh, më 12 qershorin e para pesëmbëdhjetë vjetëve shënoi në historinë e Kosovës ditën e lirisë së saj. Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe aeroplanët e Aleancës Veri atlantikekurorëzuan fitoren përfundimtare ndaj ushtrisë pushtuese serbe. Kjo datë e ka peshën e saj të pakontestueshëm, datë më e rëndësishme në lirinë e shtetbërjen e Kosovës.
Më këtë rast në shënimin e 12 Qershorit 1999, Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri organizoi pritje dhe darkë festive për diplomat nga disa vende, veprimtarë e njerëz nga shkenca, arti e kultura në Austri.Morën pjesë edhe ambasadorët e Shqipërisë z.RolandBimo dhe Spiro Koçi, ambasador pranë OSBE-së. Ishin prezentë edhe z. .TimothyEydelnant, konsull i Përgjithshëm në Ambasadën e SHBA-ve në Vjenë dhe konsull nga shtete tjera si: znj.KirstenAhlers e Gjermanisë,znj.ElizabethWebster e Australisë, z.BranimirLoncar i Kroacisë,z.FitimNuhi i Maqedonisë, përfaqësues nga ambasada e Turqisë, Bullgarisë etj.Moderatore në të tri gjuhët ishte FlorentinaDurmishi. Mysafirët i përshëndeti z. ImerLladrovci, konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri. Ai në fjalën e tij tha: ”Të nderuar përfaqësues të Trupit Diplomatik në Austri! Shumë të respektuara familje të dëshmorëve dhe ushtar të UÇK-së, të respektuar veprimtar, bashkatdhetarë, zonja e zotërinj! Është kënaqësi e veçantë për mua që të hap këtë Tubim më rastin e 15 vjetorit të çlirimit të Kosovës dhe hyrjes së forcave ushtarake të NATO-s në vendin tim të ju përshëndes përzemërsisht dhe të shpreh falënderimet e mia të sinqerta për praninë tuaj. Kjo datë është shpresa e Kosovës për liri dhe shpresë drejt Bashkimit Evropian. Lufta heroike e UÇK-së dhe intervenimi i NATO-së bënë që Kosova të jetë e lirë. 12 qershori i vitit 1999 është datë kthese, datë shprese, datë e fillimit të lirisë dhe rrugës drejtë Evropës. Ndërhyrja e NATO-së për të parandaluar shfarosjen e një populli, i cili luftoi për ta mbrojtur qenien e vet qytetare dhe kombëtare, territorin e vet historik, etnik ishte luftë për qytetërim evro-perëndimor.Kosovës e rikthen në kujtesë admirimin, mirënjohjen, respektin e përzemërt ndaj secilit ushtar të djeshëm e të sotëm të NATO-së, ndaj shpirtit human dhe demokratik të popujve dhe shteteve aleate me në krye SHBA-të, flamurtare e ideologjisë së paqes universale. Do të jemi, përherë mirënjohës kontributit të ushtarëve të NATO-së, që në këto 15 vjet lirie, së bashku me institucionet ndërkombëtare po ndërtojmë shoqërinë e lirë dhe demokratike për të gjithë. Në këtë përvjetor paqeje dhe lirie, shtet ndërtimi demokratik i Kosovës është mburrje, krenari dhe sukses i yni i përbashkët. Tani jemi më të guximshëm në rrugëtimin tonë drejt familjes evropiane, jemi edhe më pranë vlerave të demokracive perëndimore, ndërtimit të një jete të re në paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim etnie e religjioni” Ndërsa në fjalën e tij konsulli i Përgjithshëm amerikan z..TimothyEydelnant mes tjerash tha: ”I nderuari konsull, Lladrovci, të nderuar të pranishëm! Shumë faleminderit për ftesën! SHBA të janë krenare që kontribuojnë për paqe në Kosovë përmes trupave të KFOR-it, e cila udhëhiqet nga NATO.Qe 15 vjet prezenca e SHBA-ve në KFOR është konstante, dhe tani kemi 650 paqeruajtës të pranishëm në Kosovë. Mision i KFOR-it për të kontribuar për një ambient të qetë dhe në forcimin e lirisë së lëvizjes ishte kyç për ta rikthyer paqen dhe stabilitetin, jo vetëm ne Kosovë, por në tërë Ballkanin Perëndimor qe 15 vjet. Ky mision vazhdon edhe tani, KFOR -i është një faktor stabiliteti që respektohet nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
Kontributi i KFORit në sigurinë gjatë zgjedhje ne vitin 2013 dhe 2014 qe ishin në Kosovë e konfirmon rolin e saj të rëndësishëm. Prezenca e fuqishme e KFOR-it gjatë mbikëqyrjes sërrjedhave në Kosovë nga Bashkimi Europian, ishte një faktor i rëndësishëm i arritjes së marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit në vitin 2013.KFOR-it është shumë mërëndësi për të krijuar një ambient në të cilin këto marrëveshje mund të zbatohen. Shumë gjëra pozitive që janë arritur në Kosovë gjatë këtyre vjetëve të fundit nuk kishin mund të realizohen pa ndihmën dhe prezencën e KFOR-it. Jam krenar të them se partneriteti në mes të SHBA-ve dhe Kosovës shkon më tej sesa vetëm participimi ynë në KFOR. Që nga Marsi i vitit 2011 shteti ynë është pjesë e një partneriteti me Kosovën, i cili quhet „IowaKosovo Program“ i cili përfshin bashkëpunim ndërmjet qeverive, ekonomisë dhe shoqërisë të dy vendeve.
Edhe pse jemi në Vjenë, me lejoni të u shpreh urimet nga ambasada e Amerikës në Kosovë për zgjedhjet e lira dhe të suksesshme qe u zhvilluan në Kosovë. Ky është një hap i mirë drejt standardeve evropiane dhe perëndimore.” Darka kaloj në atmosferë feste, u ngritën dolli për Kosovën, heronjtë e kombit për miqtë e dashamirët tanë gjithandej globit.

Filed Under: Mergata Tagged With: Darka e Lirisë, Hazir Mehmeti, ne Vjene

Përtej

June 19, 2014 by dgreca

nga Gani MEHMETAJ*/
E pata vështirë ta kuptojë atëbotë, e kam vështirë ta pranojë edhe tash. Se si më rrëshqiste i tërë imazhi si drita e hënës në ujin e rrëmbyeshëm. Shpëtova pa dal fiqirit. Dola këndej pa u gremisur, megjithëse disa herë duke e ndjekur hijen e tij isha në teh të greminës. Me ndalte diçka në çastin kur me vrushkullonte dëliri, një guxim çmendurak nga bindja se mund të kapërceja honet dhe të vazhdoja pas tij, megjithëse ai me zhdukej nga pamja dhe shihja vetëm zbrazësi e humnera.
Nëse nuk arrini të më kuptoni, nuk do të me mbetet hatri. Me muaj e blova këtë ndodhi që do të përpiqem t’ua tregoj në kufijtë e ankthit, ëndrrës dhe anës së kundërt, nga ku askush nuk u kthye asnjëherë…
Me Shkëlqimin jetonim në harmoni e të lumtur. Nuk kishte shumë kohë që u martuam. E donim njëri-tjetrin. Ai ishte si prushi: digjej dhe të digjte. Unë e adhuroja dhe s’mund ta mendoja jetën pa te. Ishte i brishtë, i dashur, i kujdesshëm. Sa herë kthehej nga puna, apo sa herë kthehej nga qyteti, sepse shtëpinë e ndërtuam në periferi rrëzë kodrave, përtej lumit, më tregonte ngjarjet e ditës dhe bisedat me kolegë. Kështu kalonin javët dhe muajt. Por pa u hetuar ishim larguar nga njëri-tjetri. Ai me rrinte disi anash, pak i hutuar më shumë i përhumbur. Në fillim mendoja mbase u ngop më mua. Me therte diçka në gjoks si përdëllim a lektisje, por i jepja zemër vetës.
Tisi i hollë i melankolisë duket e kishte kapluar më herët, por unë e hetova një mbrëmje të vonë kur duhej të flinim. Ai rrinte ulur në karrige, duke shikuar i përhumbur tej dritares së errësuar. Nuk ishte i trallisur, por se si shihte, sikur ndjehej fajtor apo sikur të kishte bërë diçka, ndërsa e vuante e s’mund ta zhbënte më. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe net të tjera. Më frikësonte më këtë përhumbje si të ishte me një këmbë në botën tjetër. Nisi të dilte natën i vetëm nëpër kodra. E ndoqa disa net deri në kufijtë kur s’mund t’i shkoja më prapa, më humbte sysh, më dukej sikur përzihej më fantazmat…
Derisa e ktheja imazhin e përhumbjes së tij, ai u shtri në shtrat. Si të mos merrte frymë. Rrinte i shtangur. Nuk them dot se qe i ftohtë në trupë, as nuk i vinte erë e çuditshme sikur të qe nga bota përtej. Edhe sikur t’i vinte erë e tillë, nuk do të më befasonte. Një parandjenjë ma thoshte se ai komunikonte me botën e përtejme. Rrëqethesha kur e shkoja nëpër mend këtë ide të çmendur. Me kujtoheshin rrëfime për burrat që u hynin grave në shtrat të ftohtë akull. Nuk dridheshin dhe as nuk kërkonin nga to që t’i ngrohnin me trupin valë. Më bëhej disi i çuditshëm i tërë trupi i tij. Lëkura i shkëlqente, dhe herë- herë i rrezatonte ngjyrë argjendi.
Mu mbush mendja: në mes nesh rrinte pezull një grua tjetër. Trupin ma përshkoi zemërimi i vrullshëm, me vloi gjaku deri në tëmtha dhe mu mblodh diçka në grykë sa që isha në gjendje ta mbërtheja për gjoksi dhe t’i bërtisja: kush është ajo lavire që na ndërhyn në jetën tonë. Por e frenova zemërimin, e mora vetë më të mirë. Zemërimi më shkarkoi nga tensioni. Doja të qe kjo arsyeja. Sepse, më mbërthente ndonjëherë frika e lemerishme, që ma përshkonte zemrën me akullim, kur i mendoja rrëfimet për burrat e akulltë. Më mirë të ishte një grua në mes e jo një varr, e ngushëlloja veten.
Ftohtësia e qëndrimi i tij sikur vinin nga përtej, nga atje ku askush nuk kthehej më. Ai vazhdonte të mos lëvizte. Nuk më bëhej të kthehesha e ta shihja, ishte gjallë apo jo.
Pas mesit të natës ndjeva që as ai s’kishte gjumë në sy. U kollitë thatë.
– Kush është ajo grua, që të ka dërmuar kaq shumë, – e pyeta qetë dhe me zë indiferentë. Nuk doja ta besoja se ai ngrihej jerm dhe bridhte natën pas fantazmave deri sa fekste drita e mëngjesit.
– E di, e ke vështirë të ma thuash, por herët a vonë duhet ta thuash, – fillova të zbrazëm si valvula e biçikletës.
Ai u kthye nga unë gati pa u ndjerë. Me atë lehtësi e zgjati dorën, por nuk me preku:
-Është vështirë të ta shpjegojë. Pështjellim ka edhe në kokën time.
-Të lutëm bëhu më i qartë. Sigurisht nuk shkon pas fantazmave, -doja ta bindja vetën më shumë se sa ta nxisja atë të fliste.
Ofshau dhimbshëm. Rrëfimi i tij i njëtrajtshëm me rrëqeth edhe sot kur e kujtoj:
“ Isha duke u kthyer në shtëpi. Hëna e plotë në një cep të bjeshkës dukej e zbehtë, por se si lëvizte pas meje sikur me ndiqte. Papritmas në pasqyrën e lumit me doli figura e saj. U rrëqetha. Nuk u besoja syve. Figura lëvizte me shpejtësi tatëpjetë lumit. Derisa e ndiqja me tmerr gati duke vrapuar, ajo doli nga lumi si portreti kur del nga korniza e praruar, duke marr trajta të gjalla. Të tillë e njoha shumë vjet më parë. Mu shtang nofulla. Edhe po të doja nuk mund të nxirrja zë, shihja i shastisur e i magjepsur. Prisja çfarë do të ndodhte. Hëna ndriçonte më një dritë të argjend. Natën e bënte disi të veçantë. Ndriçimi e qetësia dukeshin të jashtëzakonshme, si në një planet tjetër. Si të donte të më shkëpuste nga magjia me thirri në emër, me një zë të thellë. “Pse habitesh, me tha duke më shikuar më dashuri. Me ke harruar?”
Doja ta bindja për të kundërtën, por nuk ia thash. Nuk me doli zëri. Shihja i çoroditur. Mbase e hetoi tmerrin në sytë e mi, sepse prapë buzëqeshi me dashamirësi, duke iu formuar dy gropëza në faqet që e bënin më të bukur. “Nuk do të ndahemi më, nuk të mbajë mëri!”, më pëshpëriti në vesh duke më shtrënguar lehtë më dorën e butë, por të ftohtë. Nuk e pyeta pse e kishte dorën e ftohte, kur qe natë vere. Një herë ecnim krah njëri-tjetrit, dikur vazhduam të ngjiteshim në qiell sikur të kishim flatra. Nuk mu dha të habitesha, apo të pyesja si është e mundur që fluturonim.
Ajo kishte vdekur para dhjetë vjetësh. Ndonjëherë e kujtoja me mall e pendim, por gjithnjë i shmangesha kujtimit për te: me rrëmbente një angështi që zor ta hiqja disa ditë. E kujtoja me tmerr fundin e saj. Me t’u martuar e kujtoja më rrallë.
Pas shastisjes së fillimit, u çmagjepsa dhe e pash me mall. Ngashërimi mu ngjit në grykë. Me doli e kaluara jonë, afria që kishim dhe dëshira që më mbërthente sa herë më afrohej. Epshi im me të ndjerë aromën e trupit të saj e frikësonte dhe e largonte. Por prapë më afrohej me mall e përdëllim.
“Pse s’erdhe atë ditë më mua?” Më pyeti, ndërsa unë atë pyetje e kisha bluar natë e ditë, duke mos u ngushëlluar kurrë. Nuk dija si t’i përgjigjem, mbeta prapë i shtangur si belbatikë. Doja t’i tregoja sa jam penduar, por fjalët më mbetën në grykë. Nuk me hapeshin buzët as nuk më lëvrinin nofullat.
Ajo si ta kishte hetuar shtangimin tim, një buzëqeshje enigmatike ia përshkoi fytyrën e zbehtë. Derisa përpiqesha t’ia jepja arsyetim për mungesën time ditën e kobshëm, ajo ma ktheu si të donte të më shfajësonte: “S’ka gjë, ta kam falur. Nuk të lëshoj më!”
Prapë më vërshuan imazhet e së kaluarës. Fatkeqësia ndodhi atë ditë të pranvere. Lumi ushtonte shtratit të vet, i mbushur buzë me buzë. Vraponim si të dehur rrugicave, kalonim si fluturat mbi urën e lumit të rrëmbyeshëm. Fluturën, vajzën që e dashuroja dhe më donte e pata fqinjën e parë. Ishte dy vjet më e re.
U zumë kot nga kaprici , apo sepse mosha ime kërkonte më shumë se sa përkëdhelje, ndërsa ajo frikësohej nga epshi im. I zemëruar pse më shkëputi më egërsi nga vetja, të nesërmen nuk i bëra shoqëri deri afër shkollës, megjithëse të dytë e bënim të njëjtën rrugë. Çdo ditë e kalonim të njëjtin lumë mbi urën e drurit që shpesh lëvizte apo i thyhej ndonjë teh i dërrasave të kalbura nga shiu e koha.
Tregojnë se kur rrëshqiti në lumë dhe u kap për një degë shelgje, derisa kalimtari i parë u përpoq ta arrinte, lumi i rrëmbyeshëm e mori me vete. Trupin e saj e gjetën pas disa ditësh. Sikur t’i kishte qëlluar dikush afër, tregojnë ata që e panë, ajo do të shpëtonte. Kur e dëgjova nga të tjerët rrëfimin e tyre, sikur thërriste në ndihmë një emër por nuk e shquanin nga oshtima e lumit, mu duk që do të më shpërthente kafka. Ditë të tëra dridhesh si të me kalonte acari i dimrit sipëri, më muaj rrija zgjuar deri në mëngjes. Kur me lodhte gjumi e ndjeja klithmën e saj për ndihmë. Me drejtohej mua në emër. Zgjohesha i trembur i mbytur në djersë.
Ajo më shkëputi nga kujtimet. Ndërhyrja mu duk si kur këputët shiriti i filmit, përderisa ty të qesin sytë xixa nga ndryshimi i përnjëhershëm i sasisë së dritës që depërton në bebëzat e syrit.
“Mos e kujto, tash jam këtu! – më pëshpëriste ëmbëlsisht në vesh, ndërsa një shkëlqim i bëftë e rrethoi trupin e hajthëm, por të zhvilluar harmonishëm, me format provokuese të vajzës në pubertet. Zëri sikur i vinte nga një humnerë, i largët dhe pak i çjerrë.
Prapë ndjeja nevojë të shfajësohesha, më behej apo mund ta kem menduar se u përpoqa t’i tregoj për pendimin deri në fund të jetës pse nuk i bëra shoqëri. Më bëhet se i thash si i kalova net të tera në ankth të tmerrshëm, ditë me radhë nuk dija a jam në tokë a në qiell. Ajo fluturonte me mua, sikur mos të kishte dëgjuar, apo sikur mos t’i bënin përshtypje fjalët e mia. Mu kthye me buzëqeshje përrallore që mua me çarmatoste atëherë kur e doja aq shumë.
Me pa me mall. Nuk e di sa ecëm, thua të kemi fluturuar, pata ndjenjën që kalonim kodra e male, duke iu shmangur greminave. Pushuam në një rogë mali, ku na priu një cjap me zile. Pas i vinin dhitë. Hëna ndriçonte më ngjyrë të argjendet verbuese. Bari mori shkëlqim lëbyrës. Cjapi i zi u zhduk sa qel e mbyll sytë, u zhduken edhe dhitë e kuqe që i shkonin prapa. U frikësova për tmerr, gjithë kohën me ngriheshin mornica nëpër trup, por kur e pash se asaj kjo gjë nuk i bëri përshtypje, atëherë edhe unë e mora veten. Përreth dëgjohej muzikë. Vinte si jehonë e largët, duke u afruar, derisa nuk u mbush hapësira e rogës me tingujt e muzikës nga disa lloje instrumentesh frymore, të përziera me instrumente e tinguj që nuk i kapja nga e kishin burimin. Muzikantët nuk shiheshin. Hëna vazhdonte të ndriçonte me dritë depërtuese duke ma përshkuar trupin tej për tej.
Cjapi që në përrallat e fëmijërisë shndërrohej në djall, çuditërisht në kohën kur unë e prisja një gjë të këtillë u bë njeri dhe prapë u zhduk. Ajo rrinte pranë meje dhe buzëqeshte aq këndshëm .
Në fund kur unë e shihja i magjepsur, ajo se si ndryshoi qëndrim: “Ka kaluar kohë e gjatë, mbase ti nuk me do më?”. Si mund të dyshonte në dashurinë time? U ngashërova sërish dhe prapë s’arrita t’i tregoja për mallin që më gërryente, për pendimin që s’e mbyta kurrë. Ajo prapë më pa më dashuri, ndërsa sytë i shkëlqenin.
“Do të shihemi prapë”, me depërtoi në vesh jehona e zërit të saj derisa hija tretej në hapësirë. Në horizont depërtoi një rrëzëllim i zbehtë i ditës së re. Hëna u shndërrua në një cukël reje. Mbeta i vetëm jo në rogë, por buzë lumit. Shihja i hutuar, ndërsa ecja i shushatur. Nuk fluturoja as nuk shihja nga lartësitë…
*
– Kush është gruaja që të del para përtej urës? Është ajo nga fëmijëria apo fantazma që të shtihet si e dashura jote e dikurshme? E pyeta më të kaluar lumin. E prisja, duke u dridhur nga fresku i mëngjesit dhe frika. Mbeti i shastisur. Provova t’u qepem prapa disa herë. Por dridhesha nga pjerrësitë e frikshme të bjeshkëve dhe nga nata e mistershme. Brenda meje sikur me thërriste një zë tjetër që më jepte guxim për ta shkëputur nga magjia, ta shkëpusja nga fantazma se cilës i shkonte prapa…
Pas përgjërimit dhe këmbënguljes sime përpiqej të më bindte sikur nuk shkonte pas fantazmës, por kujtimet e ndërgjegjja e mbysnin. Shihej tmerri në sytë e tij. “Lëri të vdekurit të prehen, jeto me të gjallët”, iu shkreha me britma në natën e qetë më zërin që më dridhej nga mllefi. Frikësohesha për kthjelltësinë e tij, sepse një herë kalonte nga varret, qëndronte i shtangur para një varri të vjetër, e pastaj vazhdonte tutje. E di që kam vazhduar gjatë me britma derisa ai ma mbylli gojën dhe me mori për dore.
Pas asaj nate që mos u harroftë burri im nuk doli më natën, as me foli për netët e përhënta. Ndonjëherë zgjohej i trembur nga zërat e natës. Pastaj flinte si qengji.
Unë rrija zgjuar. U bëra roje e tij e natës. Nuk flija derisa dëgjoheshin gjelat e parë të mëngjesit. Ndërkaq, me të rënë nata më bëhej sikur dëgjoja jehonën e zërit të një femre, ndërsa rrëqethesha nga frika që këtë zë do ta dëgjonte i dashuri im. Dhe atëherë e dija se do ta humbisja përgjithmonë…

(* Tregim)

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Gani mehmetaj, Përtej

Pas 5 ditësh operacion, Policia merr Lazaratin,por… kriminelët ikën

June 19, 2014 by dgreca

Kronika e dites se sotme nga gazetaret e Televizionit te pavarur ORA NEWS/
Lazarat -Pas pesë ditësh operacion policia arrin të marrë kontrollin mbi Lazarat. “Jemi prezentë në të gjithë komunën e Lazaratit duke mbajtur nën mbikqyrje dhe duke ofruar rend e siguri për banorët” thuhet në njoftimin për shtyp që policia e shtetit përcolli rreth orës 17:51 minuta.
Operacioni i Policisë së Shtetit në Lazarat është drejtuar në terren nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi.
“Ora News” përmes transmetimit satelitor ka ndjekur nga afër gjithë operacionin e ditës së sotme me ndihmën e dy grupeve të xhirimit me gazetarët Patrik Sadikaj dhe Gentian Bellaj.
Kryetari i komunës Dasho Aliko, deklaroi në një lidhje telefonike për “Ora News”, pas hyrjes së Policisë në qendër të fshatit, deklaroi se personat që kishin probleme me policinë dhe komunitetin janë larguar nga Lazarati.
Helikopterë e 1000 forca RENEA E FNSH
Dy helikopterë u vunë sot në ndihmë të forcave RENEA dhe FNSH për të kontrolluar sidomos zonën mbi xhaminë e Lazaratit ku mendohej se ishte vendosur grupi kriminal që qëllonte në drejtim të policisë.
Ndërsa policia avanconte me kujdes shtëpi më shtëpi për të shmangur pasojat e përplasjes në ajër dëgjoheshin të shtëna sporadike. Ndërkohë policia ishte e pajisur me mjete të forta dhe deklaronte se ishte gati të kundërpërgjigjej nëse bandat do të qëllonin.
Mbi 1000 forca speciale policore, të RENEA e FNSH ishin angazhuar në operacionin i cili do të vendoste kontrollin në çdo metër të fshatit famëkeq.
Forcat speciale zbuluan një bazë me sasi të madhe municionesh ndërsa rreth orës 15: 55 minuta morën nën kontroll objektin ku ishte vendosur mitrolozi që qëllonte policinë.
Detaje nga operacioni
Asgjësuar rreth 80 mijë rrënjë bimë narkotike dhe fidanë
Janë asgjësuar Mbi 12 ton e 800 kg kanabis sativa
Janë gjetur dhe 2 laboratorë përpunimi të bimëve narkotike
Sasi të konsiderueshme municioni dhe armë
Janë kontrolluar 80 banesa dhe një numri të konsiderueshëm ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat.
Si dhe janë arrestuar 13 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për kultivimin kanabisi, kundërshtim të punonëjsve të policisë apo për shkatërrim prone.
Vazhdon kontrolli i banesave
Policia vazhdon kontrollin në çdo banesë si dhe asgjësimin e parcelave me kanabis dhe hashashit. Duke falenderuar për mbështetjen dhe forcën policia i bëri apel banorëve të qëndrojnë në banesat e tyre dhe të asistojnë veprimet proceduriale të policisë, duke garantuar një veprim professional, ligjor dhe në përputhje me standardet dhe me respektin e plotë të lirive dhe të drejtave të njeriut.”
Orë pas ore cfarë ndodhi sot në Lazarat
Ora News përmes transmetimit satelitor ka ndjekur nga afër gjithë operacionin e ditës së sotme me ndihmën e dy grupeve të xhirimit me gazetarët Patrik Sadikaj dhe Gentian Bellaj.
Në orë 17: 51 minuta Policia e Shtetit mori dhe qendrën e Lazaratit dhe njofton se është prezent tashmë në të gjithë Komunën e Lazaratit, duke mbajtur nën mbikqyrje situatën dhe duke ofruar dhe rend e siguri për banorët e Lazaratit.
Ora 17: 40 “Forcat RENEA po avancojnë gjithnjë e më shumë. Janë kontrolluar rreth 80 shtëpi, ku asgjësohen bimët e kanabisit dhe sekuestrohen armët që janë lënë.
Ndërkohë, Prokuroria kryen veprimet hetimore. Policia dyshon se në fshat ndodhen 3 snajperë” informonte gazetari Gentian Bellaj i cili vëzhgoi nga afër operacionin e forcave speciale për marrjen nën kontroll të Lazaratit.
Ora 16:49 Policia e Shtetit ka deklaruar se po përparon në brendësi të fshatit Lazarat e mbështetur dhe ndihmuar nga vetë banorët e fshatit.
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Policia e Shtetit ka deklaruar:
“Policia e Shtetit falenderon banorët e Lazaratit për mbështetjen që po i japin policisë gjatë këtij operacioni. Vijon përparimi i strukturave të policisë në brendësi të fshatit Lazarat.”
Ora 16:30 minuta. Forcat speciale kanë hyrë tashmë në brendësi të Lazaratit duke marrë nën kontroll, njerën pas tjetrës, shtëpitë më afër qëndrës së fshatit dhe ku kanë zbuluar, sasi të konsiderueshme droge dhe bimë kanabisi.
Vetëm në dy prej shtëpive, njera e R. Gevenit, u zbuluan rreth 150 kg kanabis dhe 200 rrënjë kanabis, ndërsa tjetra e E.Mahmutajt, 18 thasë kanabis të tharë dhe shumë rrënjë të mbjella.

Në orën 15:55 minuta, gazetari ynë Patrik Sadikaj informoi se forcat speciale kanë përparuar më tej brenda fshatit duke marrë nën kontroll objektin ku ishte vendosur mitrolozi i rëndë që qëlonte policinë.
Ministri Saimir Tahiri përgëzon policinë për operacionin. Ai shkruan njeri pas tjetrit, dy mesazhe në Fb:
“Vazhdon progresi. Policia tani gjendet ne shtepine prej nga gjuante mitrolozi i rendë” shkruan Tahiri.

Filed Under: Kronike Tagged With: operacion, Pas 5 ditësh, Policia merr Lazaratin, por… kriminelët ikën

Në udhën e ndritur të shkronjave shqipe

June 19, 2014 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/
Në një mjedis pune intensive dhe njëkohësisht festive në mjediset e shkollës publike Ps 9 në Staten Island u zhvillua ceremonia e dorëzimit të çertifikatave dhjetëra nxënësve të shkollës shqipe “Alba Life” që operon në dy qytete kryesore të Nju Jorkut në Brooklinin historik dhe në ishullin e Staten Island. Ndonëse të dyja këto qytete amerikane i lidh ura e Verrazanos urë e vetme në botë e ndërtuar në bazë të forcës së tërheqjes, unë kam ndjesinë sikur ne shqiptarët midis këtyre dy qyteteve na lidhin shkronjat shqipe, gjuha jonë hyjnore.
Por le të spjegohem pak: Kemi kohë që po merremi me përgatitjen e festivalit të nxënësve të shkollave shqipe, festivali i parë që organizohet në historinë e Diasporës dhe çdo të shtunë nxënësit e Brooklinit vinë në Staten Island për të bërë së bashku provat për festival. Ata plus që bëjnë mësimin e rregullt çdo të premte në Brooklyn të nesërmen vinë në Staten Island çka të emocionon dhe të mahnit se si këta fëmijë shqiptarë të lindur dhe të rritur në Amerikë vinë me kaq deshirë për të mësuar gjuhën shqipe. Vlen të përmendet këtu dhe puna e bukur e dy prindërve që i sjellin shumë prej fëmijëve nga Brooklini në Staten Island së bashku në makinat e tyre si Mentor Gjona dhe Agron Jashari.
Ata janë ëngjëjt shqiptarë që ecin në udhën e ndritur të shkronjave shqipe. Por nga ana tjetër mendja më shkon dhe tek komunitete të ndryshme në Amerikë që e ruajnë gjuhën, traditën dhe zakonet e tyre, shumë prej tyre kanë ecur shumë më tepër se ne, pasi ata kanë shkollat dhe institucionet e tyre, sidomos shembull janë hebrenjtë, grekët etj, çka i bënë që të arrijnë të jenë deri në majat më të larta të politikës dhe në fusha të tjera të artit, kulturës, shkences.
Sidoqoftë bashkëpunimi me prindërit, mësuesit dhe nxënësit sjellë medoemos rezultate të kënaqshme, por dhe më shumë frymëzim për të punuar më shumë për të ruajtur traditat dhe gjuhën shqipe çka të kujton filozofin e shquar indian Jiddu Krishnamurti i cili thotë se: “Tradita bëhet siguria jonë, dhe kur “mendja” është e sigurtë se është në shkatërrim”.
Nxënësit të gëzuar dhe të lumtur që takoheshin me njeri tjetrin dukeshin sikur ishin më seriozë se çdo ditë tjetër pasi ata ndjenin së brendshmi se mbanin mbi supe përgatitjen e festivalit çka i ndante vetëm një ditë. Këngët e bukura shqiptare, mesazhet që ato përcjellin tek nxënësit duken qartë në sytë e ndritshëm të fëmijëve gjatë intepretimit të tyre. Vallet dhe këngët janë përgatitur seriozisht nga mësuesit Stefanllari, Kacubaj, Melo dhe Kostrista nën drejtimin e dy artistëve të mirënjohur Mezini Lole dhe Melo.
Pas përfundimit të provave Themeluesi i shkollës shqipe dhe Presidenti i TV Alba Life Qemal Zylo iu ndau të gjithë nxënësve çertifikatat për vëmendjen dhe dashurinë që kanë treguar ndaj mësimit të gjuhës shqipe gjatë vitit shkollor 2013-2014 në programin shkollor “Alba Life” në New York. Prindërit dhe gjyshërit që ndodheshin pranë fëmijëve me lot në sy shprehnin kënaqësinë dhe respektin për shkollën shqipe për mësuesit, dhe nxënësit dhe me shpirt bekonin që këto shkolla të ngelen hapur përgjithmonë, pasi në Diasporë fëmijët kanë shumë nevojë që gjuhën e tyre të nënës që mos ta harrojnë kurrë. Ndërkohë shkollat shqipe jua mësojnë fëmijëve alfabetin shqip si dhe të folurit dhe të shkruarit mbi bazën letrare që siç thotë intelektuali erudit Faik Konica se: “Kur shkruani një gjë, këndojeni dhe ndreqeni shumë herë që të bjerë në vesh çdo tok gërmash si një copë muzike”. [1898]
Në fund të ceremonisë z.Qemal Zylo pasi i ka falënderuar të gjithë në emër të bordit të “Alba Life” iu dha nga një buqetë të freskët me lule mësuesëve dhe dy artistëve për punën me përkushtim që kanë kryer gjatë vitit shkollor 2013-2014.
Pas ceremonisë nxënësit prindërit, mësuesit drekuan së bashku të sponsorizuar nga z.Dritan Gashi njëherazi anëtar i Bordit.
Nxënësit u larguan të gëzuar nëpër shtëpiat e tyre pas nje të shtune me punë intensive, por dhe festive për rezultatet e tyre të kënaqshme gjatë vitit shkollor 2013-2014, me siguri se ata do të vazhdojnë të ecin në udhën e ndritur të shkronjave shqipe.(Foto-Arkiv)

14 qershor, 2014
Staten Island, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: e ndritur të, Keze Zylo, Në udhën, shkronjave shqipe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4547
  • 4548
  • 4549
  • 4550
  • 4551
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT