• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

15 FAMILJE MYSLIMANE NDERTOJNE KISHEN

January 16, 2014 by dgreca

Diku -diku në trojet shqiptare toleranca fetare duket se vërtetë është një virtyt. Rasti më i fundit është ndërtimi i një kishe me kontributin e 15 familjeve myslimane.

Si rrallë herë, në fshatin Derven të rrethit të Krujës banorët e fesë myslimane kanë kontribuar financiarisht, apo me punë vullnetare ndërtimin e kishës së Shënkollit, e cila sipas tyre po ringrihet për herë të tretë, pas luftrave apo vendimeve për asgjësimin e objekteve fetare në periudhën komuniste.

Banorët që kanë ndihmuar në ngritjen e kësaj kishe shprehen se ky kontribut ka ardhur pasi në këtë fshat nuk ka ezkistuar asnjëherë dallimi fetar mes myslimanëve dhe katolikëve.

Edhe përfaqësues të kishës katolikë e kanë vlerësuar këtë gjest human në ceremoninë e përurimit të kishës.

“Pa dallim feje, Myslimanë dhe të Krishterë, janë bashkuar vullnetarisht me ne për të ndërtuar Kishën për të cilën u jemi shumë mirënjohës. Ky solidaritet vëllazëror, human e fetar është i veçantë për të gjithë ne dhe Shqipërinë, sepse në të gjithë botën, vetëm Shqipëria ka një fe të përbashkët, Myslimanë dhe të Krishterë”, tha meshtari i Kishës së fshatit Derven, Pashk Cypi.

“U habita kur pashë aq shumë njerëz. Unë mendoja se do jenë 20 veta. Gëzohem gjithashtu që shoh aq shumë fëmijë, sepse Shën Kolli është shenjtori i veçantë i fëmijëv”, u shpreh zv/Ipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit George Frendo.

Për ndërtimin e kishës së Shënkollit kanë kontribuar banorët e 5 fshtatrave, kryesisht të besimit musliman.( Marrë nga gazeta e Kosovës, Express)

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: 15 familje ndertojne, ksihen e fshatit

Skënderbeu në botën Anglofone

January 16, 2014 by dgreca

Esse nga Aristotel  Mici/ Boston/

Në kujtim të 17 Janarit/

Scanderbeg’s  sword must have Scanderbeg’s arms[1]/

Pas botimit të veprës  biografike të Skënderbeut të shkruar nga Marin Barleti dhe të botuar në Itali më 1508, emri i  kryeheroit shqiptar, Gjergj Kastriotit/Skënderbeut do të bëhej gjithnjë e më i njohur në  Europë  . Për gjatë shekullit të XVI, nga një dekadë në tjetrën, vepra e Marin Barletit do të përkthehej  në disa gjuhë të Europës, duke nisur me përkthimin në gjermanisht nga  Johan Pinicianus 1533 dhe pastaj në  italishts nga Pjetro Roka (P.Rocca) më 1554,   në Portugalisht nga Francisco d’ Andreade më 1567,  nga Ciprian Bazylic në polonisht, 1569;  pastaj, kjo vepër do të përkthehej në frëngjisht nga   J. de Lavardin në 1576 me titull “Histoire de Georges Castriot  Surnome Scanderbeg, Roy d’ Albanie. Më 1582 Juan Ochoa de la Salode do ta përkthente  në  spanjisht.

Nga fundi i shekullit të gjashtëmbëdhjetë, më 1596, vepra e Barletit për Skënderbeun  do të përkthehej  edhe në Anglisht , sipas vesionit frëngjisht të Lavardinit, nga Zachary Jones Gentlemen (Xhentlemen), me titull ”Historie of George Castriot surnamed Skanderbeg, king of Albanie”. Është për t’u shenuar  me këtë rast se edhe autori i variantit anglisht të “Historisë së Skënderbeut”, Zahari Jones Xhentelmen, ndjek modelin e Lavardinit  për prezantimin e veprës. Ashtu si Lavardini e hapte biografinë e Skënderbeut me nje sonet të poetit të famshëm të Pleiadës, Ronsardi[2]-t, me të cilin sonnet idealizonte Skënderbeun, duke e krahasuar me Akilin e Iliadës së Homerit, po ashtu dhe Z.J.Xhentlemen , do ta çelte librin  për Skënderbeun me një sonnet të një poeti të njohur anglez, Edmund Spenser. Ky poet, duke lexuar jetën dhe trimëritë e Skënderbeut në librin e   përkthyer në anglisht, shkroi një sonnet  tjetër për  heroin shqiptar , të cilin sonnet Zachary J. Xhentelmeni e vendosi si hyrje të librit të vet  biografik të Skënderbeut.  Me admirim ai do të shkruante për  heroin tonë:

………………………………………

………………………………………….

Lo one, whom later age has brought to light,

Match able to the greatest of the great:

Great both in name, and great in power and might,

And meriting a mere triumphant  feat..

 

The scourge of Turks, and plague of infidels,

Thy acts, o Scanderbeg, this volume tells.

Një përkthim  i mundshëm i këtyre vargjeve të sonetit të Spenserit do të ishte:

“Njeri, që bota të njohu më vonë se në rini,

I barabartë me më të mëdhenjt’ e trimave antikë:

Me famë si në emër, në forcë e fuqi.

Triumfant nëpër beteja si kreshnik

Goditje dërmuese të pabesëve turq u dhe,

Luftrat e tua ky libër rrëfen, o i madhi Skënderbe.”

Fjala “volum” në  këtë varg të sonetit  të  Spenserit shpreh  librin e Zahari J. Gentelmen-it për Skënderbeun.

Në të vërtetë  për gjatë shekullit të XVII figura e Skënderbeut qe  bërë familjare në vendet europiane. Edhe në zonat anglofone  emri i tij qe kthyer në mith . Që prej  kësaj kohe  kish dalë shprehja popullore angleze : Scanderbeg’s  sword  must have Scanderbeg’s  arm”.

Po krahas  veprës së Z.J. Gentelmen,  njerëzit intelektual në Perandorinë Angleze, si edhe në ish Kolonitë Britanike të Amerikës, informacionin e mundshëm  rreth Skënderbeut e merrnin  edhe nga burime historike siç gjendeshin në librin e Richard Knolles[3] e titulluar “The General  Histories of the Turks”- (Historia e Përgjithshme e Turqëve)   1603.

Për gjatë shekullit të XVII  për botën anglofone një tjetër autor  angles, Sir William Temple (1628- 1699) do ta përshkruante figurën e Skënderbeut me shumë adhurim në veprën e tij “Essay of the heroic Virtue”. Ky autor do ta vendoste figurën e  Skenderbeut në kapitullin e titulluar “Shtatë prinjësa të pakurorëzuar të historisë”.

Sipas shenimeve bibliografike të Beniamin Ashcom  marrim vesh se gjatë shekullit të   XVIII heroi ynë kombëtar, Skenderbeu, do të shfaqej  denjësisht edhe në skenat e theatrit londines. Më 15 Mars të vitit 1733,  do të vihej në skenë drama  “Skënderbue” e William Harvard , që u prezantua në  theatrin “Goodman’s Field;  në 13 janar të vitit 1735, një tjetër autor, George Lillo, vuri në skenën e  “Drury Lane” dramën e tij për Skenderbeun me titull “The Christian Hero”.   Kurse Thomas  Whincop, më 1747, shkroi një dramë, që e botoi në  Londër.

Të dhëna  të tjera me interes historik për Skënderbeun jepen gjithashtu në  veprën e rëndësishme  të dijetarit të shquar Edwd Gibbon[4]  (1737- 1794)  “Decline and Fall of the Roman Empire”, (Tatëpjeta dhe Rënia e Perandorisë Romake). Ndërmjet shumë e shumë ngjarjeve historike në këtë vepër voluminoze autori  përshkruan edhe episode rreth     shkëputjes së Skënderbeut prej radhëve të ushtrisë Ottomane dhe kthimit të tij të guximshëm e fitimtar në Krujë.

Kurse ne shekullin e XIX  talente më të famshëm nga ana artistike do të frymëzohen dhe do të përshkruajne në gjuhën anglofone  madhështine e figurës historike të heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, që mund të jepen në një shkrim tjetër në vazhdim.

 


[1] Thënie popullore angleze që do të thotë : Shpata e Skënderbeut duhet të ketë krahun e Skëndebeut.

[2] Pierre Ronsard, poet francez,1524- 1585.

1Richard  Knolle,autor angles, 1545-1610

[4] Edward Gibbon, historian angles ,1737-1794

Filed Under: ESSE Tagged With: Aristotel Mici, ne Boten Anglofone, Skenderbeu

VORRI I GJERGJ KASTRIOTIT, “MISTER”… APO..?!

January 16, 2014 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

Në fjalorin e Gjuhës së sotme Shqipe, në faqen 1148, fjala mister shpjegohet: “Mister, – i m…1. Diçka e panjohur ose shumë e fshehtë; diçka e errët dhe e pashpjegueshme; fshehtësi, e fshehtë. Mister i madh. Misteret e natyrës. Këtu ka një mister. Mbeti mister nuk u zbulua. Është rrethuar me një mister. Kyçi i misterit çelësi i së fshehtës. 2. Fet. Rit fetar i fshehtë, që bëhej në Greqinë e në Romen e vjeter dhe në vendet e lashta të Lindjes për nder të një perëndije, duke marrë pjesë vetëm priftërinjtë; ceremoni fetare e mbyllur…”

Vetë “Historia e Shqipnisë” sot asht kthye në një “mister”!

Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, ka vdekë në Lezhë me 17 Janar 1468, e u vorros aty.

Tue fillue nga Imz. Pal Engjulli, dhe me rradhë njihen figurat e mëdha që aso kohe e rrethonin Prijsin e Madh të Popullit Shqiptar, në luftë kunder turqëve. Sigurisht, me dashtë me folë per fitoret e Kastriotit në 25 vjet luftë të pergjakshme, nuk mundesh mos me zanë me gojë këshilltarët, oficerët dhe strategët legjendarë që ndihmuen Fitoret.

Mbas vdekjes së Gjergj Kastriotit, Tokat Shqiptare dhe kështjellat historike kanë vazhdue gati edhe dhjetë vjetë të tjera pa u pushtue nga turqit. Në kjoftë se do të donim me tregue se çka u ba nga pushtuesit turq nder këta kështjella mbas ramjes në doren e tyne, do të duhej me u shmangë nga tema, po një fakt dihet: Shqiptarët u qitën fare!

Këte e dishmon Drishti, Kruja, Lezha dhe Shkodra…E kjo shfarosje vazhdoi edhe në vitin 1967, kur edhe Kisha e Vaut të Dejës, u holl në erë nga osmanllinjtë e Enver Hoxhës, vetem pse n’ atë Kishë ishte kunorzue Gjergj Kastrioti me Doniken.

Atëherë, si mund të pranojmë né sot, që kemi të gjitha faktet historike të njohuna, se grupi rrethues i njerzëve të dijtun dhe të provuem që i qendronte pranë deri me daten 17 Janar 1468, Gjergj Kastriotit, se porsa Ai mbylli sytë, e vorrosen e mbas pak vitesh ikën nder dhena të hueja, e Prijsin e Tyne legjendar e lanë me u shkrrye nga turqit në Lezhë?

A mund të pranohet që Imz. Pal Engjulli nuk i njihte turqit? Po tjerët, aq naiv ishin sa mos me u shkue mendja se Eshtnat e Prijsit Tyne, do të shvorrosen, dhe do të treten e hullën në lumin Drin, ashtu si ka veprue pasuesi i tyne anadollak në 1967?

Nëse, dihej se turqit do ta pushtojnë Shqipninë, a thue asnjeni nuk mërrijti me marrë me mend e me parashikue se çfarë do të bajnë turqit, me Vorrin dhe Kishen e Shën Kollit në Lezhë, kur dihej se kudo që turqit vune kamben ata zhdukën të gjithë Shqiptarët, atëherë, si do të qendronte në kambë Kisha me Vorrin e Tij mbrendë?

Largimi i Tyne bashkë me Doniken dhe Gjonin e rij, të birin e Kastriotit, u ba me paramendimin se asnjeni nuk do të kthehej ma në Atdhe, atëherë, me kenë se një veprim i tillë asht i njohun nga të gjithë bashkëkohësit e historianët që rrëfejnë “se si u larguen nga Atdheu i Tyne i dashtun, tue puthë edhe gurtë e prakut të Kështjellës…”, cili asht ai që nuk mendon dhe nuk pranon se “Vorri i Gjergj Kastriotit asht një MISTER”?!

Unë kam mendue gjithmonë se: “Eshtnat e Gjergj Kastriotit sot dikund janë!”

Kur pata mësue sesi kanë mujtë me shpetue pa u tretë në lumin Drin Eshtnat e Bekueme të At Gjergj Fishtës, aq ma shumë më shtohej kurreshtja per MISTERIN e Eshtnave të Bekueme të Gjergj Kastriotit…

Per këte MISTER, një ditë, aty nga gjysa e Qershorit 1996 kemi bisedue gjatë me At Konrrad Gjolaj, në shtëpinë e Tij… Edhe Ai pajtohej me mendimin tim…

At Konrradi paraqiti këte mendim: “Koha e gjatë e pushtimit otoman ka prishë e shkatrrue gjithshka që né na bashkonte me kontinentin Europjan…Qeverisjet anadollake mbas vitit 1912, kanë vazhdue me ba çka nuk mujten as turqit per 400 e sa vjet robni.

Pushtimi sllavo komunist i anadollakëve Enver Hoxha me pasuesit e tij, jo vetem, shkatrroi edhe thëmelet e kulturës Europjane tek né, po zhduku me Gjenocid edhe të gjithë Ata Klerikë Katolik Shqiptarë dhe intelektual, që po ndertonin binanë e Shqipnisë.

Vorri i Gjergj Kastriotit vertetë asht një MISTER.

Ky MISTER, sa vjen e bahet ma i panjohun me kalimin e kohës. Ata Shqiptarë, që mund të dinin saktësisht per Vendin e ndodhjes së Eshtnave të Gjergj Kastriotit, sot mund të ishin vetem Provinçialët Shqiptarë të Françeskanëve tanë, të cilët, shumë nga sekretet e Kishës Katolike Shqiptare, ua transmetojnë njanitjetrit kur zevendsohën…

Per fatin e keq të Shqiptarëve, mbas vitit 1944 janë zhdukë shumë “MISTERE”, nga pushkatimi dhe zhdukja e të gjithë Provinçialëve mbrenda një kohe të shkurtë, tue fillue me At Anton Harapin në 1946, dhe po atë vit arrestohen dhe u pushkatuen deri në 1948, At Mati Prennushi e At Çiprian Nika. Vdes në burg Imz. Vinçenc Prennushi dhe At Palë Dodaj, që duhet të dinte ma shumë se kushdo për ketë MISTER, mbasi ishte një historian i mirfilltë dhe shumë i dijtun. Kështu, mbas vitit 1951, nuk ka ma dëshmitarë!

Dihet saktësisht se në Vorr asht kenë edhe një shishe me kopjon e dokumentit të vorrimit të Kastriotit nga Kisha e Lezhës. Edhe ky dokument ka mbetë MISTER… ”

***

Po, a ka mundsi që një “MISTER”… të transmetohet nder shekuj pa u tregue?

Them, se po, mbasi Historia e Popullit Shqiptar, sa vjen e mbulohet perditë e ma shumë nga të gjithë pseudohistorianë e fallsifikatorë me gënjeshtra…

Ndersa, e VERTETA, në Shqipni mbetë “MISTER”…

Melbourne, Janar 2014.

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Fritz radovani, mister apo, varri i Skenderbeut

“MASAKËR DHE KRIM KUNDËR NJERËZIMIT”

January 16, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Kështu e ka cilësuar ish-Ambasadori  amerikan Uilliam Uoker ngjarjen tragjike të 15 Janarit, 1999 në Reçak të komunës së Shtimës në  Kosovë, ku 15 vjetë më pare kur forcat serbe të kasapit të Ballkanit, Millosheviq masakruan në mënyrën më brutale 45 shqiptarë të pafajshëm të këtij fshati, përfshirë edhe 8 pjesëtarë të UÇK-ës.   Të mërkurën, Kosova shënoi 15-vjetorin e kësaj ngjarjeje tragjike, e cila konsiderohet si pikëkëthesa kryesore e ngjarjeve të më mëvonshme në Kosovë, përfshirë edhe sulmet ushtarake të NATO-s,  kundër objektivave ushtarake dhe industriale serbe, përfshirë  edhe kryeqytetin e Beogradit — ndërhyrhje kjo që më në fund detyroi largimin e forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova, duke i dhënë kështu fund luftës në Kosovë.
Ishte ambasadori amerikan Uilliam Uoker, në atë kohë Shef i Misjonit Verifikues i Organizatës për Bashkpunim dhe Siguri në Europë, ai i cili zgjoi nga gjumi letargjik ndërgjegjen e botës mbi barbarizmat që makineria ushtarako-policore dhe paramilitare e Serbisë po bënte në Kosovë, ashtu si të donte dhe kur të donte.  Ambasadori Uoker ka thënë se ato që ai ka parë me sytë e tij në Reçak, janë ato që ai i konsideron si prova dërmuese të së vërtetës, që ai i deklaroi botës në atë kohë, e që është se forcat ushtarake, policore dhe paramilitare të Serbisë kanë    kryer masakra dhe krime të rënda kundër njerëzimit, ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës.  Pasi kishte parë kufomat e shqiptarëve të vrarë në Reçak, ai e dënoi masakrën si një “barbarizëm të pabesueshëm” dhe i quajti vrasjet në fshatin Reçak si, “një krim kundër njerëzimit”, duke i thënë në atë kohë gazetës amerikane Nju Jork Tajms, se ”nuk dëshironte të hesitonte asnjë minutë që të akuzonte, drejtë për drejtë, forcat qeveritare serbe si përgjegjëse të kësaj masakre.”   Deklarata e Ambasadorit Uolker bëri jehonë anë e mbanë botës, por shkaktoi reagime të ashpëra sidomos në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë.  Ish-presidenti amerikan Bill Klinton reagoi atëherë ndaj deklaratës së ambasdorit Uolker duke thënë se masakra e Reçakut, “Ishte një akt vrasës i qëllimshëm dhe pa dallim, që synonte të frikësonte popullin e Kosovës.”

Ndërsa Ministri i jashtëm i Gjermanisë gjatë krizës në Kosovë, Joschka Fischer duke folur në emër të Bashkimit Europian ka thënë pas zbulimit të masakrës në Reçak nga ambasadori Uoker se, “Ata që janë përgjegjës për këtë akt, duhet ta dinë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të pranojë kurrë masakrimin brutal dhe vrasjen e popullësisë civile.”

Masakra e shqiptarëve civilë nga forcat serbe në Reçak ishte vetëm një nga sulmet e forcave serbe kundër popullësisë shqiptare të Kosovës gjatë atyre viteve, për të cilat bota nuk ishte e informuar.  Por, më në fund qe deklarata e Ambasadorit Uilliam Uoker, si dëshmitar i masakrës në Reçak, ajo që më në fund bëri jehonë në median botërore dhe si rrjedhim shkaktoi një ndryshim të dukshëm të politikës së vendeve përendimore karshi gjëndjes në Kosovë dhe  njëkohësisht shërbeu si një katalist për ndërhyrjen eventuale të NATO-s, për të dëbuar forcat serbe nga Kosova.  Gazeta e kryeqytetit amerikan, Uashington Post, sugjeronte në prill të vitit 1999 se pas një shqyrtimi të vendim-marrjeve në Shtëpinë e Bardhë dhe në  kryeqendrën e NATO-s në Bruksel, masakra e Reçakut transformoi politikën e Perëndimit ndaj Ballkanit si asnjë ngjarje tjetër më parë.  Masakra e Reçakut, sipas gazetës Uashington Post, bindi qeverinë amerikane dhe aleatët e saj në NATO se politika e tyre e ndjekur deri atëherë duhej të ndryshohej fund e maje.

Politika amerikane ndaj Kosovës deri atëherë bazohej në atë që njihet si  “Paralajmërimi i Krishtlindjeve”, një telegram prej një fjalie që administrata e Presidentit Bush të parë i kishte dërguar Millosheviqit më 24 Dhjetor, 1992 — vija e kuqe — e që ishte një telegram shumë i shkurtë  dhe pa stërhollime, por tekstualisht përmbajtja e tij u citua nga Uashington Post të ketë qenë fjalia që vijon: “Në rast të një konflikti në Kosovë, që shkaktohet nga ndërhyrja e Serbisë, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatëshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe brenda Serbisë.”  Ky kërcënim u përsërit disa herë edhe nga ish-Sekretari i Deaprtmentit të Shtetit Uorren Kristofer, në mandatin e parë të Presidentit Klinton, por deri në masakrën e Reçakut mbeti vetëm një kërcnim në letër.

Por ishte masakra e Reçakut dhe dëshmia e një ambasadori amerikan mbi këtë tragjedi, mbi tragjedinë që kishte pa në atë fshat ambasadori Uoker, që zgjoi ndërgjegjen e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në NATO, por edhe të botës mbarë,  e cila bëri që paralajmërimi kërcnues i administratës së Xhorxh Bushit të parë me rastin e  Krishtlindjeve të vitit 1992, më fund të zbatohej.  Si përfundim, më 13 tetor, 1999, për herë të parë në historinë e saj, organizata e Atlantikut Verior, NATO autorizon komisionin ushtarak të saj që të fillonte planifikimimin për ndërhyrje ushtarake në Kosovë.

Shpesh mendoj me vete, po të kishte qenë në atë kohë në Kosovë ndonjë përfaqsues tjetër nga ndonjë vend europian e jo Uilliam Uoker si Shef i Misjonit Verifikues i Organizatës për Bashkpunim dhe Siguri në Europë, çfarë do të kishte ndodhur me rrjedhat historike të Kosovës?  A do kishte pasur një përfaqsues tjetër, fuqinë dhe ndërgjegjen morale që të shkonte e të vërtetonte vet se çka kishte ndodhur në Reçak.   Ose çfarë do të kishte ndodhur nëqoftse Ambasadori Uoker mos të kishte shkuar për të parë vetë me sytë e tij tragjedinë në Reçak.   Unë besosj se do të kishte pasur masakra si të Reçakut anë e mbanë Kosovës dhe askush nuk do të dinte gjë për to.  Ambasadori Uoker kollaj mund të kishte shkruar raportin nga një zyrë e ngrohtë në Prishtinë e ta dërgonte në Vjenë, duke informuar OSBE-në se ‘sipas raporteve thuhet se ka ndodhur një tragjedi në Reçak, por rrethanat dhe hollësitë nuk dihen’.  Dhe me aq ai e kishte kryer detyrën e vet.   Por jo!  Ai si diplomat i regjur e me pëvojë, e ka ditur se një raport i tillë nuk do të kishte pasur kurrë efektin që do të kishte dëshmia e tij e gjallë, duke vajtur vet në vendin e ngjarjes tragjike në Reçak duke e bërë më të besueshme deklaratën mbi masakrën që kishte pare në atë fshat.

Andaj në këtë 15-vjetor të këtij krimi të shëmtuar nga forcat  kriminele serbe, të kujtojmë, natyrisht me respekt dëshmorët dhe martirët e rënë të Reçakut dhe familjet e tyre, por njëkohsisht të mos harrojmë as diplomatin amerikan, ambasadorin Uilliam Uoker, i cili me guximin dhe kurajon e tij zgjoi ndërgjegjen morale të botës, e cila falë dëshmisë së tij, u njoh për së afërmi me mizoritë që po bënte Serbia me dekada në Kosovë kundër shqiptarëve dhe më në fund bëri që  NATO të vendoste që të bënte diçka për t’i ndaluar masakrat serbe kundër shqiptarëve, duke ndërmarrë një sulm ajror kundër Serbisë dhe forcave të saja në Kosovë.  Të rënve Zoti u faltë paqën dhe mikut tonë, ambasadorit Uilliam Uoker Zoti i faltë jetë dhe shëndet!

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Kosove, masaker dhe krim kunder njerzimit

EDUARD NDREU VIZITOI SHTEPINE E VATRES

January 16, 2014 by dgreca

Të mërkurën në mbrëmje me 15 Janar 2014, Eduard Ndreu, njëri prej pinjollëve të familjes nacionaliste Ndreu, i lindur në kampet e internimit të diktaturës komuniste, me profesion inxhinier, për 8 vjet drejtor i portit të Durrësit, vizitoi Shtëpiën e Federatës Vatra në Bronx. Z. Ndreu, ishte i shoqëruar nga anëtari i këshillit të Vatrës, Cezar Ndreu.

Z. Eduard Ndreu, nip i vatranit të kahershëm, për rreth 30 vjet anëtar i Këshillit të Vatrës, z. Jonuz Ndreu,  u prit nga kryesia e Vatrës. Atij ia uroi mirëseradhjen zv/kryetari i Federatës panshqiptare të Amerikës ”Vatra” z. Agim Rexhaj. Ndërsa zv/Kryetari Asllan Bushati, i prezantoi mysafirit shkurtazi veprimtarinë dhe historinë e 101 vjecare të Vatrës si dhe qëndrimet e sja për cështjet Kombëtare dhe aktivitetin e tanishëm.Në takim ishin të pranishëm edhe : Marjan Cubi, Mithat Gashi, Zef Balaj dhe Zef Përndocaj dhe editori I Diellit, Dalip Greca.

Mysafiri, tha se ishte kënaqësi për të që ndodhej për herë të parë në Shtëpinë e Vatrës, Federatës, që ka bërë vepra të mëdha për Kombin. Kjo shtëpi , tha ai, është e mbushur me histori kombëtare e kontribute kombëtare. Më pas ai foli për zhvillimet politike dhe ekonomike në Shqipëri, për marrdhëniet pozitë-opozitë, për premtimet e bujshme dhe të pambajtura të qeverisë, për marshimin e krimit të organizuar, për mosmarrjen e statusit ët Kandidatit për në BE të Shqipërisë, për emergjencën e reformimit dhe organizimit të Partisë Demokratike, për organizimin e polit të së djathtës dhe përsosjen e demokracisë shqiptare etj.

Më pas, mysafiri Ndreu vizitoi ekspozitën e rrugës 101 vjecare të Vatrës, ku editori i Diellit e njohu atë me momentet kyce të historisë së Vatrës, nga mbledhjet themeluese, komisioni themelues, delegatët, aksionet e para kombëtare, fushata për shpëtimin e Shqipërisë e 3 qershorit 1917, ku u mblodhën 150 mijë dollarë nga Vatra, dërgimi i vullnetarëve të Vatrës dhe Bandës së saj muzikore në Shqipëri më 1920, fushata e Huasë Kombëtare e viteve 1921-23, Ku Vatra mblodhi 197 mijë dollar për të ndihmuar Qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës, dërgimi i më shumëse 200 mije librave për shkollat në Shqipëri, fushata për  të ndihmuar Komunitetin cam, të shpërnguliur dhunshëm nga trojet e vendlindjes pas gjenocidit të udhëhequr nga Zerva, fushata për Luftën në Kosovë qershor 1998, e deri tek fushata e viteve 2010-2011 për të ndihmuar të përmbyturit e Shkodrës.

Më pas për nder të mysafirit u shtrua një darkë në restorantin”Giovani’s” pronë  e bashkatdhetarit Gjergj Dedvukaj.

 

Filed Under: Komente Tagged With: dalip greca, Eduard Ndreu, Shtepine e Vatres, vizitoi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4940
  • 4941
  • 4942
  • 4943
  • 4944
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT