• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Monumentet e trashëgimisë tonë kulturore e historike në Mal të Zi në rrezik zhdukje

October 27, 2013 by dgreca

Nga Simon Shkreli/

“Thonë se gurët e mëdhenj atje poshtë në “Shën Mëri”, janë burrat që janë kthyer dhe kanë vdekur në vend. Po të jesh trim dhe zëmërbardhë e po të shkosh andej natën, i dëgjon të tregojnë historitë e tyre. “

-M’u kujtua Petro Marko me romanin e tij “ Retë dhe gurët” I botuar pas vdekjes së tij nga bashkëshortja dhe e bija për të nisur këtë shkrim me të cilin kërkoj të kthej vëmendjen ndaj vlerave dhe trashëgimisë tonë që e kemi në rrezik zhdukje.

Shpesh herë më rastis të flas me persona të ndryshëm rreth Malit të Zi, vlerave që ka ai vend dhe bukurive të rradha që posedon. Popullin e tij mikpritës, por edhe për jetën e qejfit që bëhet në Budva gjatë verës por edhe dimrit. E ndërsa në bisedë e sipër kthej vëmendjen në zonën rreth kufirit, për shumë arsye: njohja me këto zona është shumë e pakët, e njohin vetëm si zonë përgjatë gjithë vijes kufitare jetojnë shqiptarë. Kaq mjafton dhe çdo gjë është e kryer! Nga ata të cilët kanë qenë më kuriozët për këto zona, nga ata që janë të njohur me restorantet e peshkut në grykëderdhje të lumit Buna në zonën e Ulqinit, apo edhe për Virpazarin. Ndërsa ngatërresa më e madhe ndodh kur Kullen e Oso Kukës e ngatërrojnë me kështjellen “Lesendro” që ndodhët buzë rrugës Podgoricë-Tivar. Ndërsa atraksioni më I madh gjatë dimrit është Kollashini, një qëndër turistike dimërore mjaft atraktive dhe e mirë. Por më çudit fakti se sa shumë janë të interesuar shqiptarët për të parë Manastrin e Cetinjës, apo të Ostrogut epa lënë menjanë edhe Pallatin Mbretror të Knjazit, dhe sallonet e dinastisë së Petroviqëve. Ky nuk është faj I malazezëve, pasi  “shkëncëtarët” tanë të cilët kanë marrëdhënie shumë të mira me homologët e tyre malazezë janë kënaqur duke bërë seminare dhe trajnime për të “shpëtuar” liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna nga ndotja! Duke shkruar referate alla “copy-paste” me një shpërblim 100 euro për copë, kaq ka vlerë edhe grada shkencore që mbajnë. Ndërsa në zbulimin e hulumtimin e vlerave kulturore dhe historike shqiptare në këto zona as që janë lodhur ndonjë herë.

Nga grykëderdhja e lumit Buna e përgjatë gjithë kufirit dhe zonës ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi, ndodhesh përballë vlerave të trashëgimisë tonë historike dhe kulturore. Për ironi të fatit edhe pse në bazë të ligjit egzistues të shtetit malazez për vlerat historike dhe kulturore të gjitha këto I plotësojnë kushtet për të qenë në listen e monumenteve të mbrojtura, ato nuk janë!

Të kërkosh në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës në Mal të Zi rreth monumenteve kulturore dhe historike në territorin Shqiptar ose në rajonet ku jetojnë shqiptarët në këtë shtet, nuk gjen asgjë, madje as Kalanë e Ulqinit një kështjellë e cila ka rrezatuar ndër shekuj me historinë e saj sa të lavdishme aq edhe kundërthënese. Por ky është fati I shqiptarëve në Mal të Zi që ato të mira të veta që I kanë të mos kenë mundësi as ti mbrojnë.

Një vit më parë në qytetin e lashtë të Shasit, në këtë vend ku ndodhen 365 kisha aq ditë sa ka mot-moti, nisi një ekspeditë arkeologjike, një bashkëpunim mes Institutit arekologjik të Beogradit dhe të Malit të Zi. Pasi gërmuan për ditë të tëra dhe në asnjë moment nuk gjetën gjurmë qoftë edhe Bizantine, vendosën që të braktisin këtë ekspeditë nën pretekstin e mungesës së fondeve. Ndërkohë që këto Kisha, ose gërmadhat e këtyre Kishave janë totalisht të pa mbrojtura. Kur ato u dhunuan nga Shesheli dhe Peshkopi Amfillohije Radoviq u mbrojten nga një plak 80 vjeçar I cili edhe pse I fesë islame u tha agresorëve se këto Kisha janë Shqiptare. Ndërsa sot me ose pa pahir disa të vetëquajtur studjues nga këto zona Katedralen e Shën Gjonit e quajnë “Kalaja e Shasit”.

Mungesa e një ndërmarrje rajonale të evidentimit të monumenteve historike dhe kulturore në territorin shqiptar, çon në deformime të tilla të cilat rrezikojnë zhdukjen e tyre. Por një pyetje që duhet bërë për të gjithë ne: “Sa kemi bërë që këto vlera të promovohen?” Përgjigja do ishte: Aspak!

Kjo vjen se askush nuk gjen “leverdi” ekonomike! Takimet e pushtetarëve shqiptare me homologët e tyre malazezë kanë qenë më shumë takime biznesi, e asnjëherë deri më tani këto takime nuk kanë paraqitur një plan konkret në lidhje me evidentimin e këtyre vlerave që janë pjesë e identitetit tonë. Por nga ana tjetër as vetë pushteti lokal, apo edhe përfaqësuesit e shqiptarëve në Mal të Zi asnjëherë deri më tani nuk kanë ngritur zërin në evidentimin, futjen e tyre në listën e monumenteve të mbrojtura, por kanë rendur secili më shpejt se tjetri të fitojnë simpatinë e qeverisë malazeze. Nga ana tjetër qeveria në Tiranë këto 20 vite as që është merzitur për asnjë cështje të shqiptarëve në Mal të Zi!

Duke mos dashur të bezdis askënd po evidentoj vetëm pak nga ato momumente të cilat janë egzistuese, por fatkeqësisht të lëna në mëshirë të fatit.

Në Salç të Ulqinit, një fshat piktoresk rrëzë malit të Mozhurit i cili është i mbushur me ullinj dhe burime uji, ndodhen gërmadhat e një kishe katolike e cila në pllakën që ende egziston shkruan qartë se është e ndërtuar në vitin 1850 nga famullitari Dom Angelo Hotti, ndërsa është rikonstruktuar në vitin 1885 nga famullitari Dom Antonio Mjeda. Rruga që të shpie tek kjo kishë është e asfaltuar, dhe vetë lashtësia e saj tregon se është një vlerë e shtuar në mozaikun e vlerave tona historike, pasi këta gurë dhe mbishkrimet që kanë ardhur të ruajtura deri në ditët e sotme rrezikojnë zhdukjen. Kjo edhe për arsyen se shqiptarët në këto vise nga dita në ditë po tkurren në numër.

Në gjithë këtë hapsirë ecën nëpër gurë të cilët hiri I lashtësisë I ka mbuluar e së bashku me të edhe mungesa e një kujdesi të veçantë. Ka qenë vetëm vullneti I vetë banorëve të këtyre zonave të cilët më ato të ardhura që kanë, jane mnduar t’I mbajnë e t’I ruajnë këto relike të jashtëzakonshme, që kanë qëndruar si mburojë kundër stuhisë së madhe asimiluese me të cilën kjo pjesë e kombit është përballur dhe vazhdon të përballet.

Rrugës për në zonen e Krajës, një zonë mjaft fisnike e cila në mes mungesës së infrastrukturës dhe kujdesit më minimal në kushtet më të vogla për jetesë, është kujdesur që për 1000 vite t’a mbajë funksionale Ublen (pusin) e Krajes, I cili ndodhet në fshatin Ostrog.  Gërmadhat e Kishës së vjetër Shën Marisë ose (Sh’Mrisë) e Krajës paraqesin një monument historik të rëndësishëm për Krajën dhe banorët e saj. Ky tempull i lashtë ka një histori të bujshme, të gjatë dhe mjaft interesant. I ndërtuar në shekullin e X nga murgu Pjetër, kjo Kishë ka qenë vazhdimisht pre’ e debatit mes banorëve të Krajës që janë shqiptarë dhe Mitropolisë Ortodokse serbe të Malit të Zi. Kjo kishë e cila sot është gërmadhë, në vitin 1446 ka qenë një Ipeshkvi’ Katolike e rëndësishme, e si e tillë është shqiptare. Por gjëndja e saj është e mjerueshme, ajo qëndron e braktisur nën hijen e kohës mes shkurresh dhe ferrash.

Studjues të shumtë kanë ardhur në përfundim se “Meshari” I Gjon Buzukut është shkruar në territorin rreth liqenit të Shkodrës. Kjo për faktin se edhe e folura e Krajës dhe Shestanit është e ngjashme me atë që përdor Buzuku në  vepren e tij e cila pa’ driten e botimit në vitin 1555. Por ajo që ka mbetur përvec “Mesharit”, të cilin patëm fatin ta shohim me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, janë gurët dhe gërmadhat e shtëpive të këtyre zonave që kanë ruajtur vlerat e veta arkitekturore. Kisha e “Shën Mitrit” e cila ndodhet në fshatin Brisk Poshtë të Shestanit. Një tempull I vogël me një kapacitet që mban brenda rreth 30 persona. Sipas shumë studjuesve mes të cilëve edhe studiuesit At’ Vinçenc Malaj dhe Dom Nikë Ukgjini ky objekt ka qenë famullia e Gjon Buzukut, murgut katolik që për të parën herë shkroi në “G’luhen e s’dashtunes amë”, lutjen “”Gjithë popullsinë e krishtenë ndër Arbanit ata n’mortajet largo, ty të lusmë. O Zot. Te Arbëria, pra aty i rreh zemra Buzukut.”. Pyes vetën, a thua e meriton të mbrohet, të ruhet dhe të shpallet monument historik? Për fat të mirë kanë qenë vetë banorët e zonës të besimit musliman me ndihmen edhe të shestanasve të tjerë katolik që kanë bërë me të ardhurat e tyren rikonstruksionin e kësaj kishe.

12 Ublat ( puset) e Ljares të cilat askush nuk di saktë të tregojë se sa të vjetër janë pasi I kalojnë 700 vjetët, janë edhe sot e kësaj dite funksionale, të sistemuara në një diameter rreth 22 dynym tokë. Aty ku banorët e mençur të këtij fshati kanë gjetur damarët e burimeve nëntokësore  dhe kanë furnizuar me ujë gjithë atë zonë. Por vlera më e madhe është ruajtja e tyre. Ajo që të bie në sy teksa udhëton drejt këtij fshati, është mungesa e një tabele me mbishkrim shqip për toponimin, edhe ai ekzistues është I përkthyer në gjuhën sllave. Njëlloj si Kisha e “Shën Gjon Pagzuesit” në Kllezën ku për turpin e shqiptarëve  është e shkruar në tabele Kisha e “Shën Ivan Pagzorit” një shenjti malazez. E për më tepër kjo tabelë qëndron mbi urën shekullore të Klleznës e cila është kthyer më shumë në një vend grumbullimi mbeturinash, kur dihet se pas kongresit të Berlinit kjo urë shërbente si pikë doganore mes Portës së Lartë dhe Malit të Zi.

Edhe mua më duhet të pyes ku ndodhet fshati Vuksanlekaj në Malësi të Madhe, në pjesën e territorit të Malit të Zi, në afërsi të Tuzit. Sikurse në çdo vendbanim që ta kuptosh se sa I vjetër duhet të kërkosh varrezat. Në këtë zonë edhe sot egzistojnë varret më karakterstike të Ballkanit, me simbolikat ndër më të veçantat. Një përzierje e paganizmit dhe krishtërizmit, tipike për veriun tonë. E ndërkohë që këto varre dergjen në llumin e harresës së pa dëshiruar, së bashku me eshtrat e trupave të varrosur 300 vite më parë, sot ata kërkojnë që të mbahën si relike të çmuara. Vlera e këtyre varreve është shumë e lartë, simbolika e tyre e veçantë të çon shumë shekuj mbrapa. Të çon tek rrënjët, kur fiset u bashkuan dhe krijuan këtë komb.

Lënia në harresë e këtyre monumenteve, është krim ndaj identitetit tonë. Këto janë vetëm një pjesë e vogël e tyre, ndërsa sa më shumë ecën nëpër atë pjesë të vendit njihesh me historinë e një populli  të lashtë e fisnik. Ndërsa ne heshtim edhe kur mbi Malin Rumi’ dhe mbi kokat tona krekosët Kisha prej llamarine e Peshkopit Amfillohije e vendosur me ndihmën  e helikopterëve të ushtrisë 10 vite më parë. Paçka se ka një vendim gjykate për ta larguar atë objekt ai vazhdon të qëndrojë, e ndërkohë që Maja e Rumisë ka qenë vend pelegrinazhi për Krajanët dhe Shestanasit shumë shekuj më parë.

Harresa është vrasje e dytë. E ndërsa muret e këtyre objekteve çdo ditë po shkatërrohen, ne vetëm I sodisim ato. Një ditë do kërkojmë nëpër literaturat e kohës të mund të gjejmë qoftë edhe një gur të vogël I cili do jetë aty në pritje që dikush të kthejë sytë nga ai.

“ Mbaj mend këtu do jem sa kohë më mban në kujtesë”.

Por sa vlen kjo për këtë gur?!

Filed Under: Kulture Tagged With: Historike, monumentet kulturore, ne Mal te zi, rrezik zhdukjeje, Simon Shkreli

Krushqite e liga te Karl Topise

October 27, 2013 by dgreca

Nga Bardhyl Ukcamaj/

 Një nga palo teoritë e pakta filo-turke e tjerrur prej “intelektualëve” të mejhaneve ballkanike, shqiptarë nga rrënjët, turq në dukje e në shpirt, na paskësh qenë se ky pushtim, pushtimi osman, na paskësh shpëtuar nga asimilimi. Përsa i përket asimilimit të popullsisë shqiptare të kujtojmë Sanxhakun me qytetin e njohur të Novi Pazarit, një krahinë me popullsi rreth 1 million (te gjithë shqiptarë nga rrënjët) midis Malit të Zi dhe Serbisë e asimiluar plotësisht. Sot thonë se janë boshnjakë a turq. Të kujtojmë jo më pak se 5 milionë shqiptarë në Turqi të asimiluar plotësisht, pa asnjë të drejtë kombëtare. Te kujtojmë “boshnjakët” e Plaves e Gucisë , Ulqinit e rrethinave të Podgoricës, një pjesë të mirë të Gostivarit e qyteteve të tjera të Maqedonisë. Çamëria, mësë pari, u shkatërrua nga marrëveshja turko-greke e shkëmbimit të popullsisë, kur qindra mijëra banorë, shqiptarë me kombësi e myslimanë me fe, u detyruan të shpërngulen në Anadoll. Me pas ishte e thjeshtë, më pak se 30% e popullsisë kishte mbetur në ato zona, ku lindi dhe Konica. Kujtoni shpërnguljet fatzeza të shqiptarëve të mbetur nën Jugosllavi me marrë veshjen turko-serbe edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Kujtoni e kujtoni…!!! Fatkeqësia më e madhe e kombit shqiptar ishte pushtimi osman, mbetet një histori e gjatë, tragjike, që synoi zhdukjen nga harta (edhe nga ato harta që mban Edi në ambientet e Kryeministrisë) dhe të historisë së kombeve, të kombësisë shqiptare. Kurrë nuk i njohu kësaj kombësie as gjuhe e as ekzistencë. Kosova është Turqi, thotë kryeministri turk (kryetar i Partisë Islamike, AK), ne Prizren, as me shumë e as me pak se sulltani, që eshtrat la në tokën e Kosovës. Edi Rama duhet të jetë i kujdeshëm në politiken e jashtme. Paraqitja jo serioze për hirë të aleancës me Hashimin apo popullaritetit “jo të dëshirueshëm” në rrethet e thekura islame në Ballkan, mbetet jo e dobishme. Kryeministri shqiptar nuk mund t’i kalojë “krushqite e liga te Karl Topisë” në politikën e jashtme me një batutë arrogante ndaj dashamirësve, ish -bashkëpuntorëve apo kundërshtarëve politikë (më zë-mekur në këtë rast), pa paguar më pare një më një “lirat e pajës”. Hashimi dhe politikanët e tjerë të Kosovës duhet të jenë edhe më të kujdeshëm e të forcojnë lirinë në kushtet e paqes (paqe e atdhe të siguruar falë fuqisë ushtarake të botës së Perëndimit) për popullin e tyre dhe sigurinë rajonale.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Ukcamaj, krushqite e liga, te bardhyl Ukcamaj

Poezia e Kudret Kokoshit këndon duke qarë…

October 27, 2013 by dgreca

SHKRUAN: ZYBA HYSEN HYSA/

Poezia është shpirt, ndaj poeti kur shkruan provon një orgazëm shpirti, sikur vdes dhe rilind brenda një çasti që vjen si vetëtimë dhe ikën si erë me stuhi duke lënë mbi letër vargje poezie… Poezia është ajo pjesë e shpirtit që del nga poeti pak nga pak për të shpëtuar vdekjen e tij, për të ndriçuar sytë e pa dritë dhe për të ndezur shpirtrat e fikur të njerëzve.

Kur marr në dorë një libër (nuk di pse e kam këtë ndjesi, të cilën e kam dëgjuar edhe nga Novelisti turk Orhan Pamuk), që në prekjen e parë të krijohet përshtypja se çfarë karati do të ketë ai libër. Mbase kjo është mistike, mollëzat e gishtave “lexojnë” duke prekur librin, mbase aty janë grimca energjie të shpirtit të autorit, që shkenca i quan kuante, të cilat veprojnë pa vetëdijen tonë mbi ne, japin e marrin sinjale, ne vetëm provojmë ndjesi, ashtu siç ndodh në dashuritë e vërteta, ku mendja e logjika jonë kurrë nuk i japin të drejtë zemrës, ndjenjën e luftojnë pamëshirshëm, por nuk ka deri më sot asnjë tru njerëzor të shpikë shigjeta aq të holla që të ekzekutojë kuantet, të cilat janë grimca energjie, që as shihen dhe as preken, ato janë përherë në lëvizje, aq sa hyjnë në trupin e njeriut, po aq dalin e shpërndahen në Univers, ashtu si bletët në zgjoin e tyre, derisa, po si bleta, që vjen një ditë dhe e braktis zgjoin e strehohet diku tjetër, edhe këto grimca energjie që ne i quajmë shpirt, vjen një ditë dhe dalin përfundimisht nga trupi i njeriut drejt universit për të gjetur “zgjoin” tjetër për të bërë ripërtëritjen…

Siç e shohim, tek ne ndikojnë energji që flasin pa fjalë, na sjellin ndjesi nga më të ndryshmet dhe më të habitshmet, ndaj duke menduar kështu u bindem ndjesive të mia në shumë aspekte të jetës, unë veç i shijoj ato…

Dua të them, se kur mora në dorë vëllimin poetik “Drithmë Jete” të Kudret Kokoshit, poet që unë kurrë nuk kam mundur ta takoj dhe ta njoh fizikisht, pa e hapur librin, preka cilësinë e lartë të poezisë së tij, ndjeva aromën e poezisë së tij, ndjeva peshën e lotit dhe dridhmat e shpirtit të tij pushtuan edhe shpirtin tim.

Kur ndërroi jetë poeti Ali Podrimja, kur ende nuk ishte gjetur trupi i tij, shkrova poezinë: “Në lumin e Lumit shkoi”, ku vargjet rridhnin mes lotësh. Ç’na shtynë të kemi këto ndjesi? “Një dridhmë athëtime më pushtoi shpirtin/ Mornica – mornica, dhembja trupin pulsoi/ Zemra papandehur u mbyt… ndryshoi ritmin/ Poet – poeti në lumin e Lumit të tij shkoi…/ Si vallë më ndodhi kjo gjendje kaq tronditëse/ Asnjëherë se kisha parë nga afër, poetin kosovar/ Mos vallë poezia mes poetësh bëhet lidhëse/ Muza mike e përbashkët, të bashkuar na mban…/ S’di, çfarë u shkëput nga brenda qenies sime/ Ndjej një dhembje që dhemb thikë më thikë/ Lotët më vërshojnë… qaj…  gjer në klithje/ Lot rrjedhin nga  librat e tij poezitë…”

Mes njerëzve ka lidhje mistike, e pse e shpjegova më lart, por shpjegim nuk kanë, se cfarë më shtyn mua të dergjem mbi poezinë e Kudret Kokoshit dhe të rri gjatë në kompjuter të hedh refleksionet e shpirtit tim?? Atëherë them se më e veçantë, më e thellë, më hyjnore, kjo lidhje është midis poetëve, sa shpesh ata ndikohen dhe në krijimtarinë e tyre, pa kuptuar.

Unë kam qenë me fat që përveç Naim Frashërit që më ka ngjallur dëshirën për të shkruar poezi që fëmijë dhe kurrë nuk munda të shkruaja atëherë, saqë edhe sot e ndjej atë rëndesë mbi shpirt , e cila më bëri që unë ta urreja poezinë dhe poetët e kurrë nuk lexova poezi, nuk doja të njihja jetën e tyre, kurrë nuk u afrova një poeti për të biseduar. Mbase tek unë ishte krijuar “urrejtje” e kjo bëri që unë dashje pa dashje u dashurova me poezinë, këtu mbase ka vend thënia e popullit: “Atë që urren, të behet fat.” Ishte një fat që për fat unë nuk u ndikova nga asnjë poet në shkrimin e poezisë sime, ajo është imja, krejtësisht imja.

Vitet që pasuan më kanë bërë që të trokas në vepra brilante poetike botërore dhe po kaq të mrekullueshme do të veçoja poetët e shekullit XX, poetët e ndaluar, të cilët kohët e fundit më kanë thithur me poezinë e tyre sikur duan të më plotësojnë atë kohë që unë nuk kam lexuar poezi.

Ardhja ime për të jetuar në Vlorë, më ka bërë të njihem me poezinë vlonjate të Ali Asllanit, Fatos Arapit, Hyqmet Meços, të poetëve të ndaluar nga diktatura, babë e bir,  Isuf e Dalan Luzajt, Miliano Stefa… e shumë tjerë të rinj e të vjetër e më në fund kam në dorë poezinë e Kudret Kokoshit, autor që e kam ndeshur gjatë studimeve të ndryshme, kur shkrova librin “Sharrajt në Jetën e Kombit”, në dokumente që vërtetojnë fillimin e vëllavrasjes me ekzekutimin e të riut Hazis Sharra, ku njëri nga ekzekutorët e Sharrës, ndër të tjera deklaron: “Aty u bë një debat i gjatë nëse duhej vrarë Kudret Kokoshi, i cili ishte anëtar i Qarkorit të Ballit, apo Haziz Sharra që ishte përfaqësues i Rinisë së Ballit. Pas shumë diskutimeve fituan ata që mbështesnin vrasjen e Haziz Sharrës, duke arsyetuar se po të vritej Kudret Kokoshi, Hazizi si njeri i aksioneve, do të merrte hak duke vrarë krerët kryesorë të Qarkorit komunist, kurse po të vritej Kudreti, e shumta do të shkruante disa poezi si njeri i penës që ishte…”

Ashtu siç më rrinte në mendje Isuf Luzaj, që edhe atë e kam ndeshur po në këtë studim, ashtu më rrinte si hije mbi kokë imazhi i tij prej një patrioti, ndër më intelektualët e kohës, poeti zemërbeharë, që të paktën, poezia i shpëtoi jetën për ta dënuar atë me vite internim deri në Austri e më pas me vite burgim në diktaturë, e gjer kur vdiq me një xixëllim të mekët pas vitit ’90, ku nga shtëpia e tij dëgjonte thirrjet e popullit në shesh “Liri – Demokraci”.

Kudreti u bë pjesë e bisedave të mia me miq e shokë. Një ditë tek bisedoja me Fari Shaskën, ish i internuar, në lidhje me poetin kujtonte: “Në vitin 1970 erdhi në Kocul bashkë me dy tjerë të persekutuar, Dino Alemin dhe Guriun e në bisedat tona, veç tjerash ai recitonte poezitë e tij. Aty ai tha se shumë poezi i mbante mend përmendësh, ai dinte përmendësh “Komedinë Hyjnore” të Dantes, ku fillonte e recitonte me pathops të madh…”

Kështu Kudreti, një ndër poetët misionar të asaj kohe, edhe pse krijonte shumë poezi, në dorëshkrime janë gjetur pak, pra vetëm një vëllim poetik, të tjerat, ose ia kanë sekuestruar, ose nuk ka mundur t’i hedhë në letër. Bah! Sa fatkeq poeti, edhe me shpirtin e tyre nuk mund të bëjë çfarë të dojë, por Kudreti ishte nga ata poetë që dinte ta ndrydhte shpirtin e tij, por kurrë t’ia përdornin të tjerët, siç bënë disa “figura” që shkelën me dy këmbët mbi shpirt për t’u bërë vegël e komunizmit e për fat të keq, ato “figura” akoma bëjnë “figurë” në fushën e letërsisë shqiptare, ku mjaft poetë e shkrimtarë të dënuar e persekutuar, vetëm përmenden ngandonjëherë, për të maskuar komunizmin e ri që lindi pas viteve ’90, një komunizëm, që zhveshi petkun “hyjnor” dhe doli me gjithë dhëmbët e fshehur prej vampiri dhe që prej 23 vjetësh thithi e thithi gjakun dhe mundin e shqiptarëve pa mëshirë, pa pyetur nëse ekziston popull, veç kush mund të hajë më shumë, kush mund të vjedhë më shumë… o Zot i madh, se çfarë është bërë këtu!

Të flasësh për figura të ndritura që i rezistuan furtunës komuniste me dinjitet, siç është dhe Kudret Kokoshi, është në nderin e gjithsecilit, se në radhë të parë u lehtësojmë pllakën e mermerte të varrit, ua çelim sytë pasardhësve për tu ndjerë krenarë dhe në radhë të tretë, por që ka rëndësi parësore, është detyrë patriotike me rëndësi kombëtare që brezat ta dinë të vërtetën e hidhur të Kombit tonë e të hapin sytë për të çuar në vend aspiratat e tyre për pavarësi dhe bashkim kombëtar.

Vëllimi poetik “Drithmë jetë” të fut dridhma në shpirt, por edhe të bën të ndjehesh krenar për pena të tilla që shkruajnë jo vetëm për të kaluar kohën, siç bëjnë shumica e poetëve të facebuku – t, por pena që lënë shenja të vyera për brezat.

Të shkruash për Vlorën, do të thotë t’i thërrasësh historisë, të shkruash për Vlorën, do të thotë t’i këndosh himn Flamurit, të shkruash Vlorës, do të thotë se i ke ndritur ballin Kombit…

Në një intervistë, thënë gazetarit Murat Gecaj, ndër të tjera jam shprehur: “Në Vlorë, ndjehem si në ndonjë vend të shenjtë… “, se vetë Vlora ka veti që të pajis me një lloj energjie, që ne e quajmë muzë, pa e kuptuar se nga vjen; nga Kanina, apo nga deti, nga shekujt, apo nga e ardhmja… Unë për Vlorën kam shkruar më shumë se për vendlindjen time, më shumë se për dashurinë, se Vlora është tempulli i Kombit tonë… këtu ka nisur udha… këtu është prerë kjo udhë… këtu duhet të rinisë për të mbërritur në triumfin e kombit. “Pasqyrë e stërmadhe, ku historia e Kombit shihet/ Nga përplasja e dallgëve/ Stërkala gjaku ngrihen…”, kam shkruar këto vargje në vitin 2002.

Çdo shqiptar duhet të vijë, të paktën 3 herë në jetën e tij në Vlorë, ashtu siç shkojnë besimtarët myslimanë në Mekë, Vlora është Meka e shqiptarisë. Cili erdhi në Vlorë e nuk u ndje krenar, cili lindi në Vlorë e nuk luftoi me zjarr…? “O Vlorë, Vlorë! Flamur, krenari/ Zemër e gjak e kombit heroik/ Ti që thyen pranga e shuan robëri/ Përherë më shfaqesh në vegim magjik!” do shkruante poeti Kokoshi të fillim të librit poezinë “Vlorës”

T’i shkruash Vlorës, t’i kujtosh heronjtë, se më shumë se Vlora asnjë vend nuk i ndjeu thikat e dhembjes, ndaj me shkrimet, poezitë i mjekojmë plagët me krenari shqiptari. “Të pashë atje, në Vlorë!/ Një flakë ta digjte zemrën/ Një këngë kishe në gojë:/ Unë fli do ta bëj jetën/ Që Komnbi i lir’ të rrojë.”, shkruan tek poezia “Luftëtarët e Kombit”, apo tek poezia “Epos” Me djersë e gjak për shekuj je vaditur/ Me djersë e gjak të bijve tu, Atdhe!/ Mbi ty rrebeshet shpesh jan’ përsëritur/ Po kurrë ti përkulur nuk u je… Ti, qe gjithnjë me llavë e shkreptima/ Si vullkan pate shfryrë për liri.”Dhe vargjet himn, do të thosha të poetit “Fuqinë ia rrëmbeva unë stuhisë/ Dhe me të mbrujta vargje për Atdhenë/ Prej zjarrit kur u dogja të lirisë/ Dhe Vlorës i këndova epopenë.”

Kurrë kombin ynë nuk ka pasur mundësi të mjekojë plagët deri në shërim e pse plagë mbi plagë, kombi ynë nuk u shua, me plagë të hapura ai është ngritur në këmbë e ka mbijetuar. Ai është si një lis që shekujt e kanë qëlluar me sopat pa mëshirë, i kanë prerë nga trungu krahët, por duke i prerë krahët, nuk kanë mundur të presin degëzën e majës që sheh drejt lirisë dhe të shkulin rrënjët e lëshuara në tabanin shekullor.

“Dhe kur shpatën mishrave ta futën/ Në re, sërish u ngrite më krenar…/ U turrën bijtë e tu Shqipëri kreshnike/ Në krye, shpatën zhveshur, Skënderbeu!” shkruan tek poezia “Epos”. Në pak vargje një histori e gjatë, një histori e madhe, sa e lavdishme, aq e dhimbshme, ku betejat përfundonin me fitore, ku fitoret prisnin beteja pa fund gjer në atë vjeshtë të tretë, që si thotë autori në poezinë “Një ditë në vjeshtë” në disa vargje: “Unë pashë një ditë vjeshte një flamur bërë çika – çika/ Një flamur me shkabë të zezë, që qe prerë me njëmijë thika…/ Oh, than’ zemrat, oh, sa bukur mbi Vlorë shkaba valon!/ Unë pashë një ditë vjeshte epopenë e kombit tonë”.

Një pavarësi e brishtë “flamuri çika – çika” pra vetëm në një copë Shqipëri, por që vendosi atë pak fat për të mos u fshirë nga harta e botës e bëri Lufta e Vlorës së 1920 – ën, ku bijtë e Vlorës dhe të mbarë Shqipërisë luftuan duke kënduar, duke rënkuar, se lufta është një këngë e dhimbshme, por mort është robëria. “Kush lufton mbi ata brigje? Oh, kush vdes duke kënduar?/ Kush tha – Rroftë Shqipëria? Kush këndon duke rënkuar?/ Kan’ vendosur a të shuhen, a të hyjn’ doemos në Vlorë!” thuhet në poezinë “Epope”

Figurën e Neronit, perandorit romak, nga më mizorët, ashtu siç e ka përdorur edhe Isf Luzaj, për të cilën dhe u burgos, që simbolizon mbretin zog, edhe Kudreti Kokoshi, sigurisht me atë simbol e ka dhënë, por shumë mirë do t’i shkonte më për shtat Enver Hoxhës, se më mizor se ai nuk ka parë “Neron” tjetër ky vend, një Neron që fliste shqip, një Neron që vërtet e ktheu Shqipërinë në ferr, ku Dantes nuk do i duhej shumë rrugë për të bërë në botën e përtejme, se ajo botë kishte ardhur ndër ne. “Zjarri shpërthen e skuq natën e qetë…!/ Në frenezin’ e egër prej mizori/ Romaku perandor ndihet poet…”

Historikisht në shekujt e robërisë më të robëruarat kanë qenë gratë shqiptare. Ato e dinin që kur lindnin foshnjën se djemtë e tyre, kur të rriteshin do të ishin kurban të lirisë e ato me këtë i ushqenin qysh në djep parmes ninullave; “Fli… bir’ i nënës, fli… / Të më rritesh për Shqipëri…” Të rralla nëna i këndojnë fëmijëve ninulla të tilla, të rralla gra e përballojnë dhembjen e garave shqiptare. Sa nëna shqiptare kanë parë djemtë e vrarë, sa nëna janë përdhunuar në sy të fëmijëve, sa vajza janë masakruar e më pas janë vrarë, sa e sa ka duruar gruaja shqiptare e sa trimëri ka shpalosur duke luftuar përkrah burrave… Nuk llogaritet… sikur veç mallin të peshojnë nga rrëmbimi i bijve dhe syrgjynosja e tyre në kampe e burgje nëpër botë, vite e vite e së fundmi nga bijtë e zhdukur nga Serbi gjakatar, ku nuk kanë dhe një pllakë varri të shkojnë t’i qajnë bijtë e tyre… malli shtresohej dhe loti terte sytë, shpirti errësirë e frikshme për të jetuar, pa gëzime, pa këngë, veç vaj e lot, ku veç shpresa xixëllonte mekët, ajo shpresë që i mbante gjallë, ndaj poeti do shkruante në poezinë “Gruas shqiptare” vargje adhuruese: “E bukur je dhe trime, o e pandara/ Shoq’ e shqiptarit, nër gëzime e vdekje… Në syt’ e tu të thellë, si shpirti i Kombit/ Vrejtoj pavdekshmërinë e fisit tonë… /O perëndesh’ e Shqipërisë, o trime/ Grua shqiptare që s’pranon kurrë zgjedhë!”

Një shoqëri e zhvilluar njihet te respekti dhe dashuria për femrën, si pjesa më e brishtë e shoqërisë, si pjesa që shpalos bindshëm humanizëm dhe dashuri njerëzore të mbrujtura natyrshëm në zemrën e saj. Ajo shoqëri, ai komb që nuk e ruan këtë respekt, kurrë nuk ka zhvillim, kurrë nuk ka mirësi, se çdo gjë fillon nga respekti ndaj vetes dhe të respektosh veten, në radhë të parë duhet respektuar ajo që të lindi e që të rriti, më pas respekti dhe dashuria shpërndahet kudo, pa dashuri dhe respekt, nuk ka zhvillim shoqëror, duhet të duash, që të sakrifikosh mundin e djersën tënde për hir të dashurisë, se dashuria është përkushtim ndaj asaj që do, por në një shoqëri siç është shoqëria shqiptare, ku asnjëherë nuk ka mundur të jetë vetvetja e jo më të dojë vetveten. Kohërat herë na vishnin, herë na zhvishnin kostumet e tyre e gjatë kësaj veshje e zhveshje, u ftohëm, u mardhëm, na ngrinë tiparet tona shqiptare dhe kjo bëri që ne të mos njohin vetveten.

Vetëm të mençurit dinë të vlerësojnë femrën, të adhurojnë nënën, motrën, gruan, miken… vetëm të mençurit u këndojnë himn që të gjithë të çelin sytë e të ngrohin shtatin e mardhur nga veshjet e zhveshjet e kohëve antikohë për shqiptarët. E nuk mund të rrish pa lotuar nga vargjet e Kudret Kokoshit për nënën, për motrën, për gruan, për dashurinë… saqë them me ngazëllim “Sa mirë që jam grua, jam nënë, jam motër, jam mike…!”

“Një fat mizor prej vitesh na ka ndarë/ Dhe dergjemi në mall që s’ka të thënë/ Oh, ku të kam, oh, ku të kam, o nënë/ Të fshi’ me buzë lotët që ke qarë!… Nënë, sa ty tjetër krijesë s’dua!/ Të jem vetë plak e ti gjithmonë e re/ Sa dëshiroj të marr rrudhat e tua!”

 

Seç më kujtohet një këngë popullore e Librazhdit, që këndohej shpesh nëpër odat tona: “Qaje moj lule beharë/ Siç qanë motra të vëllanë…” teksa lexoj poezinë “Motra “ të këtij poeti dhe më vjen mirë që një vëlla e ka shprehur me dufin e shpirtit dashurinë dhe lidhjen e pazgjidhshme motër – vëlla, por e them me bindje që shpeshherë vëllai nuk e kupton marrëzinë e dashurisë së motrës, se për vetë faktin që ai jeton gjatë në gjirin e familjes e motra ndërron vatër e mallohet për kujtimet e saj, të cilat nuk mund ti zëvendësojë as me një jetë nga më të bukurat që mund të kalojë në familjen e burrit, por si duket largimi i autorit nga familja, larg, në internim e në burg, i dha shkas ta kuptonte më mirë motrën, ta vlerësonte me vlerën që ka dashuria e saj e veç kësaj, ai ka qenë një njeri intelektual dhe me një shpirt të ndjeshëm poetik.

Po kështu më vijnë në mend vargjet e poetit vlonjat, Dalan Luzaj, ku në katër vargje kushtuar motrës, ai jo vetëm që shpreh dashurinë, por dhe vlerësimin e saj: “Motra ka krahë e të vjen/ Motra, pas nënës na bëhet nënë/ Motra, ka zemër e të ndjen/ Motra brenda shpirtit të gjen.” Ndërsa poeti Kudret Kokoshi, jo vetëm i thur vargje kujtimeve të fëmijërisë, por bisedon me të parmes vargjeve duke kaluar ditët, netët e vitet e burgut të egër komunist në Burrel e kjo është provë e madhe e dashurisë së tyre njerëzore. “Motër! Sa lehtë/ Sa ëmbël udhëton në zemrën time/ Ky emër drithëronjës porsi fletë/ Që përkëdhel puhia/ Në të mermet agime/ Ky emër i dlirë/ Si rreze dielli që s’përlyhet kurrë!… Edhe të mitur ishim/ Në lodra gjithë gaz kohën kalonim/ Pa brenga e pa mendime/ Dhe vraponim e vraponim/ Në kaltërsinë e qiellit!… Me ngashërim në shpirt e lot’ në sy/ Të thirra në vetmin’ e dëshpëruar!…/ Ca pika loti, ( jo i dëshpërimit) është çlodhës/ I ëmbël, përkëdhelës për çdo zemër…” dhe më poshtë pasi kalon si një film lodrimet fëminore, edhe grindjet mes tyre i duken mjaltë e për t’i dhënë zemër motrës, për ta qetësuar atë dhe veten, ai përshkruan pranverën, shpresën e jetës, se një ditë do të ishte i lirë dhe vendi do çlirohej nga gaforrja komuniste. “E bukur është jeta, motra ime!/ Shiko si qesh natyra me pyjet që këndojnë/ Me lulet ngjyra – ngjyra/ Është pranvera, është pranvera motër!…/ Është jeta motër! Mua m’ep t’ëmbla ndjesi/ Edhe tash që jam me thinja dhe rrudha…/ Motër!/ Ky emër i dëlirë/ Si rreze dielli që s’përlyhet kurrë!”

Nëna, motra ishin për të ngushëllim, bisedë në vetmi, dy dashuri që kurrë nuk veniten, ato janë po aq të gjalla dhe te pastra edhe kur nuk i kemi pranë, edhe kur i harrojmë të përfshirë në vorbullën e kënaqësisë, apo të dhembjeve të jetës, pak të trokasësh në portën e mallit shpërthen dashuria e tyre, një dashur pa shpërblim, një dashuri që kurrë nuk konsumohet, nuk ndryshket, “s’përlyhet”, thotë autori. Kështu poeti me forcën e imagjinatës së tij shpërthen dyert e blinduara të burgut, sa më shumë e burgosin poetin, aq më e lirë bëhet zemra e tij, shpirti i tij prej dallëndysheje fluturon folezës së kujtimeve dhe në ato vende që asnjë nuk i di. Poeti qesh duke qarë e qanë duke qeshur, poeti është i lirë edhe në burg, poeti është më shumë i pasur në varfëri, poeti dallon dritë dhe në errësirë, shikon errësirë dhe në dritë, poeti është gjallë dhe i vdekur, poeti është i vdekur edhe në mes të gjallëve… poeti është poet dhe kështu ka qenë dhe Kudreti…

Burgosja, internimi, persekutimi i inteligjencës shqiptare prej armiqve të kombit e lanë kombin pa frymë, pa dritë, në errësirë, ku lakuriqët e natës fluturonin të lirë e dihet, lakuriqët nuk e durojnë dritën, ndaj dritën e burgosën e një dritë e burgosur shton dritë që kur të vijë koha e dritës, lakuriqët jo vetëm nuk dalin të fluturojnë më, por do të ngujohen nëpër shpellat e tyre.

Me gjithë këtë shkëlqim të dritës së shpirti të tyre, ata burra shqiptarë, për hir të së ardhmes së Kombit, humbën familjet, fëmijët, humbën dashuritë, ku njerëzit lakuriqë ngritën kurthe, bënë shantazhe duke gënjyet dhe mashtruar për nderin e grave në një anë dhe për “krimin”e të burgosurve nga ana tjetër dhe sa familje u shkatërruan, sa fëmijë mbetën jetimë, gjë që do i përjetonte dhe poeti intelektual i Vlorës martire. Dhembjet e ndarjes nga e shoqja, unë nuk ia shoh të plotë në poezi, ai nuk ka pas gjetur fjalë për t’i shprehur ato, apo ndarjes nga fëmijët. A ka fjalë fjalori? Jo, as unë nuk i gjej dot, se poshtërsia e njerëzve që ndërhyjnë për të shkatërruar një familje, gjuha shqipe nuk ka fjalë të përshtatshme për të dhënë vërtetësish ligësinë e tyre, e për pasojë nuk ka edhe për të përshkruar dhembjen e ndarjes, megjithatë, në momente “prehjeje”, poeti shkruan: “Në zemrën time akoma/ E dashur, më jehojnë/ Fjalët që ti më the:? ‘Unë agimin e parë/ e përshëndes e lumtur/ Me zemrën që më rreh për ty!’/ Kujtoj ata dy sy/ Ata dy sytë e tu/ Që s’janë as të bruztë, as blu/ Por kanë nga çdo ngjyrë diçka/ Dhe më kumbon në zemër/ Emri yt, Esma.”, do shkruante në poezinë “Kujtoj”, apo  vargjet e poezisë “Përgjigje një letrës” ku thotë me gaz e dëshpërim: “ Kaq thellë në zemrën time, kaq thellë më je futur/ O ti, që ke një emër me tingull të këputur.”

Në poezinë “Ishte një mbrëmje vere” jepet thellësisht i dashuruar edhe në ndarje… “U ndamë/ Si dy të huaj/ Ti bashkë me “atë” shkove krahë për krah/ Unë fill vetëm mbeta/ Dhe zemra ime t’thirri/ “Esma… Esma!…/ Ishte një mbrëmje vere në Tiranë.” Dhe në poezinë “Nuk të urrej” poeti shprehet i sinqertë: “Vetëm një kujtim të hidhur…/ Ja se ç’je ti sot për mua!/ Nuk të urrej/ Po… as të dua/ Në shpirt thellë ndoshta ndjej/ Pak keqardhje… Vetëm kaq.”

 

Për fëmijët është e vështirë të shkruhet, se fëmijët janë vetë poezi, sa herë mundohem të skalit fëmijët e mi nëpër vargje, zemra m’i përqesh ato, shpirti gajaset, e unë hedh lapsin tej dhe ndjej ritmin e zemrës e këngën e shpirtit për fëmijët e mi. Oh, çfarë fati është për femrën të bëhet nënë! Nuk ka ndjesi më të bukur se të qenit nënë! Një dashuri mes çiftit mund të mbarojë, por dashuria për fëmijën kurrë, ndaj vetëm ata që kuptojnë dashurinë njerëzore, edhe pas ndarjeve të çiftit, fëmijët mbeten të përbashkët. Nuk kish si të mos fliste parme vargjeve për fëmijët që ishin larg… “Oh, fjala s’mjafton për të thënë/ Atë që në shpirt unë ndjej…Oh vogëlush!/ Unë fjalë nuk gjej të them ngrohtësirën/ e zemrës që më rreh me furi…”

Shekulli i kaluar shkoi i mbytur nga dhembja e plagës së hapur prej djallit të veshur me vel engjëlli, prej një djalli që për shpirt kishte Luciferin. Të gjithë e ndjejnë këtë dhembje edhe sot, shumë më shumë poetët.

Poeti vuan edhe nga lumturia, por nga mizoria ai vdes e ngjallet për ditë dhe nga këto shndërrime kaq të shpeshta e të shpejta krijohen fërkime, ashtu si urori me strallin, ku shkëndijat e rrufeshme, ashtu si eshkë ia ndezin shpirtin flakë që ndriçon e përvëlon njëherësh, një flakë që e shkrin poetin si qiri për të ndriçuar pasardhësit ku të shohin qartas të kaluarën, të vlerësojnë të tashmen dhe ta mendojnë mirë të ardhmen.

Në poezinë e tij, autori prek realen për të dhënë universalen, se ndjenjat njerëzore një janë në gjithë globin, vetëm mënyra e të shprehurit me shkrim, na i shpalos qartazi bukuritë e tyre, vlerën dhe mrekullia e të qenit njeri. Në poezinë “Kthimi”, të cilën e shkruan kur kthehet pas 20 vjetësh nga burgu, vetëm një që ka vuajtur Burrelin me vite e vite mund ta kuptojë më mirë këtë poezi. “Tashti që thell’ shënuar ma kanë rrudhat ballin;/ Tashti që më në zemër s’më qesh vegim’ i parë/ Tek ti, shtëpi, që ndezur në shpirt ma ruajte mallin/ Po vij me hap të heshtur i mjerë prej vitesh ndarë./ Po vij ashtu siç isha, sado që dukem tjetër/ Me flokë që jan’ thinjur dhe sytë që s’kanë lot…/ Pas vitesh kthehem tek ti, shtëpizë e vjetër/ Me vrullin e dikurshëm që nuk e përmbaj dot…/ O ëmbëlsi kujtimesh në zemrën e trishtuar!? O mall prej vitesh ndrydhur në fund të shpirtit tim!”

Por krahas dramës së tij shpirtërore, ai kurrë nuk ra në pesimizëm, i mbushur me shpresë dhe me besim që do vijë koha që brezat do i japin të drejtë dhe do vijë koha e lirisë, koha e shqiptarisë… “Mendime e shpresa hapat me vrull i shoqërojnë/ Dhe buza që s’më qeshi tashti çelet në gaz.” Dhe në vuajtje, dhe kur shpresa nuk shihet as në horizont, ai përsëri jeton me shpresën të mbrujtur me plot dashuri njerëzore. “Jetova jetën pak e vuajta shumë/ Por dhe në vuajtje prapë dashurova/ Dhe kur të bie të fle të fundit gjumë/ Oh! Mos pandehni jo se unë pushova/ Ju mos pandehni jo, se do hesht fare/ Në varr të zi kur eshtrat të treten/ Sepse në vargun tim shkreptimtare/ Të rrahjes zemrës time do të mbeten.”

Vlorë, 26. 10. 2013.

Filed Under: Kulture Tagged With: kudret Kokoshi, poezia, Zyba Hysa

Mbetëm me kokën pas…

October 27, 2013 by dgreca

Shqipëria do mbetet përjetësisht e verbër në në ekonomi, në kulturë, në civilizim, në tregëti, në emnacipim kombëtar, në vëmendje e në prestigj, nëqoftëse merret me rrugë fshatrash e nuk respekton gjeopolitikën, domethënë qendrat gjeopolitike të rëndesës. Për shembull, nëqoftëse nuk arrin të ndërtojë një “Suez” që të lidhë Romën me Stambollin. Një amanet që na e ka lënë 100 vjet më parë edhe Ismail Qemal Vlora, Babai i Kombit Shqiptar./

Nga Zeno Jahaj/

Në Prizren, në kryeqendrën kombëtare ku u bë prova e parë gjenerale e një qeverie shqiptare në kohët moderne, miku i ftuar, Kryeministri turk, jo në një konferencë shkencore, as në një deklaratë zyrtare, përkundrazi, në një sofër tradicionale, tha se Kosovën e donte shumë, aq shumë sa ajo për të është Turqi. Kryeministri i Shqipërisë, i ftuar edhe ai, jo privatisht, jo si byrazer, por si Kryeministër, natyrisht që do të respektonte afeksionin e mikut turk. Nuk bëhet fjalë që i zoti i shtëpisë të mos ndjehej mirë. Kaq ishte gjithë historia.

“Tungjatjeta vëlla,” “Ç’kemi vëlla” i përshëndesim të gjithë, përveç vëllezërve. Vëllezërve s’kemi pse ua kujtojmë që i kemi vëllezër.

Otomanët nuk e kishin dhe as nuk mund ta kishin kurrë forcën t’i bënin vëllezër shqiptarët apo ballkanasit e tjerë, jo për 500, por as për një mijë vjet. Se kombet nuk bëhen vëllezër, edhe sikur t’i mbash me bukë 500 vjet, pa le më t’i shtypësh 500 vjet.

Turqia ka sot të tjera mundësi e nesër do të ketë akoma më shumë mundësi. Turqisë i ka ardhur koha të ribëhet, në mos kryeqendër, të paktën një nga dy-tre qendrat që do ekuilibrojnë kontinentin e ca më tej. Por me orë e balanca të tjera, jo me orë e balanca perandorake.

Shqipëria mjaft ka gabuar me balancat. Nuk na falet të gabojmë më tej.

Shqipëria do mbetet përjetësisht e verbër në në ekonomi, në kulturë, në civilizim, në tregëti, në emnacipim kombëtar, në vëmendje e në prestigj, nëqoftëse merret me rrugë fshatrash e nuk respekton gjeopolitikën, domethënë qendrat gjeopolitike të rëndesës. Për shembull, nëqoftëse nuk arrin të ndërtojë një “Suez” që të lidhë Romën me Stambollin. Një amanet që na e ka lënë 100 vjet më parë edhe Ismail Qemal Vlora, Babai i Kombit Shqiptar.

Për këtë, po, ia vlen të kthejmë kokën pas.

Filed Under: Komente Tagged With: mbetem me koken pas, Zeno jahaj

A mund të na vlerësojnë studentët?

October 27, 2013 by dgreca

Shkruan: Arjan Th. Kallço/Pedagog ne Universitetit “Fan S. Noli/ Korce/

Ndoshta do të ishte një nga pyetjet së cilës do t’i druheshin të gjithë pedagogët e universiteteve shqiptare, të brendshëm dhe të jashtëm, pasi do të shihnin dhe lexonin pas saj vetëm shenjëat e dallueshme të hakmarrjes apo ndëshkimit ndaj atyre që nuk zbatojnë porosinë e partisë. Më ka ndodhur shpesh të pi kafe me studentët dhe në bisedë e sipër ato nuk mund të mos preknin figurën e pedagogut dhe të institucionit ku ata mësojnë. Është e pashmangshme kur me to lidhet jeta e përditëshme dhe padyshim e ardhmja e tyre. Por një profesionist i mësimdhënies nuk mund t’ia lejojë vetes që të ulet dhe të diskutojë për këto probleme me çfarëdo studentë. Disa gjëra duhen ndarë, sepse në masivizimin primitiv të universiteteve shqiptare nuk mund të tërheqësh mendim prej atyre që duket se në shkolla i kanë çuar me zor, apo që vijnë të mësojnë se çfarë është universiteti. Problemi komplikohet më shumë kur në mes hyn politika, sepse sheh tek ata kontigjentin e votuesve faktikë apo të ardhshëm. Në gjithë këto vite asnjë grupim politik nuk mundi t’ia dalë dot që ta shkëpuste ndikimin e vet edhe në institucione që në bazë të tyre nuk kanë dhënien e një vendi të punës, por pajisjen me dije të brezit të ri. Fushatat elektorale kanë ende shijën e hidhur të përdorimit thjesht për interesa elektorale të shkollës shqiptare, kur me ligje është krejtësisht e ndaluar. Por ligji vepron për kundërshtarët dhe jo për pushtetarët. Nëse do të votonim në një sondazh në Shqipëri mes fjalëve të panumërta, shpesh të mara hua nga ndonjë gjuhë e huaj, do të kishte padyshim fituar status të veçantë REFORMA. Nuk ka ditë që të mos e dëgjosh në televizionet tona, nga të gjithë ata që nëpër ekrane, duhet apo s’duhet, dalin dhe e përdorin fjalën me vend e pavend. Bëhet më e dhimbshme kur reforma nënkupton heqjen nga puna të njerëzve për arsye politike dhe jo për mangësi të theksuara formimi. Përvojat e hidhura të rotazionit shqiptar nuk janë veç shëmbëlltyrat e një papjekurie të klasës poltike që luan gjithmonë me fatet e qytetarëve dhe të militantëve. Po rikthehem temës së artikullit, pasi edhe këtu qeveritë na kanë ofruar skandal pas skandali, ku pas tyre fshihej thjesht largimi “ i motivuar” nga puna. Këto oferta bëhen vërtet qesharake kur marrin seriozitet në gojën e zyrtarëve që vendosin mbi fatin e vartësve. Në një prej bisedave me kolegë mësova se u ishte kërkuar studentëve që të vlerësonin figurën e pedagogëve dhe me të drejtë nuk e pranova një vlerësim të tillë, sepse nuk duheshin përfshirë në këtë risi të gjithë studentët. Për më tepër kur dihet tashmë se cili është niveli i tyre dhe i universiteteve tona. A mundet që të na vlerësojë çdo student? Përgjigjia ime është kategorike edhe sot, në asnjë mënyrë.. Është e pamundur që të bëhet një vlerësim objektiv, kur dihet se çfarë qëndron pas atij vlerësimi. Një histori e tillë filloi edhe me mësuesit e shkollave të mesme për të hequr të gjithë ata që janë kundërshtarë dhe që nuk i kalojnë nxënësit sipas porosive të DAR-it. U ngritën grupe edhe me prindërit që do të parapëlqenin, pa i njohur fare si profesionalisht mësuesit, që të jepnin mendimin e tyre për këtë risi. Përsëri tregova skepticizmin e qëllimit, pasi arsyetimi është edhe më logjik me nxënësit e shkollave parauniversitare. Cila do të ishte përzgjedhja edhe nga prindërit? Do të përzgjidheshin ata që u ishte kërkuar nga DAR-i apo politika dhe do të futeshin në gijotinë kundërshtarët. Nuk do shumë mend që këto marifete e kishin zanafillën nga të tjera zyra. Këto ditë lexova një artikull që një risi e tillë do të shfaqet edhe në universitetet italiane dhe vlerësimet e studentëve do të kenë peshë për fatin e tyre. Nuk besoj se pas kësaj risi do të fshihet ndonjë hile alla shqiptarçe, pasi si në shkollat parauniversitare dhe të larta vendet e punës fitohen me konkurse dhe jo me tesera apo militantizëm. Por nuk besoj se do të merrte nuancat shqiptare për faktin se politika nuk mund të ndërhyjë brutalisht si tek ne. Por edhe për një fakt tjetër të rëndësishëm, sepse në to bëhet shkencë dhe konkurrenca me simotrat europiane do t’i nxirrte fare jashtë loje. Është çështje besueshmërie dhe largpamësie. Pra universitetet italiane mund ta futin këtë risi me synimin kryesor të përparimit. Në disa prej shembujve parashikimet dolën mëse të qarta, u vlerësuan disa pedagogë më një rrogë të plotë më shumë sepse përmbushën pesë parametra : qartësia e shpjegimit, aftësia e profesorëve të stimulojnë vëmendjen tek lënda dhe gadishmëria e tyre për ndihmë. Po tek ne a ka ndonjë vlerësim të tillë nga vetë drejtuesit e universiteteve tona? A u ka shkuar ndonjëherë në mendje që në reklutime të zbatohen disa kritere të domosdoshme? Nëse u hedh vetëm një sy universiteteve private dhe shtetërore do ta krijosh një mendim të drejtë tek faktori përvojë dhe rëndësia e tij në dyert e “qëndra të shkencës”.  Një fakt tjetër flet për vlerësimin e pedagogëve të universitetit të Padovës në lidhje me rinovim kontratash me motivacionet  : të vonuar, pak të gatshëm, të pagjetshëm. Por skepticizmi im përsëri ngre krye me të drejtë edhe aty ku ka një traditë të gjatë. Nga votimi në department stafi u nda në dy grupe pro dhe kundër. Njëri prej dy pedagogëve të cilëve nuk iu rinovua kontrata u shpreh : Epoka jonë është griline (emir i liderit të një parti politike italiane), minorancat bërtasin dhe fitojnë. Një tjetër shembull vlerësimi korrekt në një qendër shkencore e sjell universiteti i Xhenovës lidhur me rritjen e pagesës për prodhim shkencor, për aftësi organizative dhe didaktikë. E ndërsa më vijnë në mendje fjalët e hidhura të një kolegu që për universitetet tona mjafton përthithja e njohurive që krijon bota. Në universitetin e Milanos u zgjerua sfera e kërkimit të mendimit, edhe të regjistruarve që nuk e frekuentojnë universitetin. Pyetësori u vendos on line dhe është i detyrueshëm për të gjithë studentët, sepse nuk hyjnë në provim. Në universitetin e Bergamos u kërkua me të drejtë që të vlerësohet çdo leksion i dhënë nga pedagogët.
Kush e frekuenton universitetin publik paguan dhe është e drejtë që të pretendojë cilësi dhe pyetësorët janë mjet që të arrihet kjo gjë – thotë një prej rektorëve. Por sondazhi shkon edhe më tej, në universitetin e Pizës kërkohet mendimi edhe i pedagogëve të huaj dhe që të marrin përshtypjet e drejta futen edhe mes studentëve, duke pirë kafe me ta. Këto janë disa nga shembujt që universitetet italiane futën apo synojnë të futin në të ardhmen. Natyrisht ka edhe në to pedagogë që nuk janë dakord, sepse rrezikohet që të përfundojnë sondazhet si në shembullin famëkeq shqiptar, kur nuk ndahet shapi nga sheqeri, por kanë të tjera qëllime “reformat”. Këto ditë Ministria shqiptare e Arsimit iu rikthye konkurseve për emërimet e drejtuesve dhe bën shumë mirë, por duhet ta zbatojë me seriozitet fjalën KONKURS që të mos e futim në fund të këtij viti mes fjalëve që janë vetëm fjalë dhe nuk kanë asnjë peshë. Konkursi i drjetë dhe jofiktiv detyrimisht duhet t’i përfshijë të gjitha shkollat, mbi të gjitha universitetet, pasi vlerësimi për një element të CV nuk mund të jetë kurrë i drejtë, por duhen parë në kompleksitetin e saj.

Filed Under: Komente, Kulture Tagged With: a mund te vleresojne, Arian Kallco, studentet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5114
  • 5115
  • 5116
  • 5117
  • 5118
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT