• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dr. Vittorio Bruschi, mjeku italian që shëronte plagët e fashizmit në Shqipëri

May 4, 2020 by dgreca

KUR HISTORIA BËNË PRAPAKTHEHU/

Dr. Vittorio Bruschi, mjeku italian që shëronte plagët e fashizmit në Shqipëri/

NGA LEONORA LAÇI/

Në këtë zymtësi kohërash kur e tashmja pikëtakohet me të shkuarën dhe historia përsëritë vetëvetën, të ulesh të shkruash është ngushëllimi luksoz dhe i pashmangshëm që mund t’i bësh vetës. Ndoshta jam pak vonë por kuptomëni…

Të veçantën e këtij artikulli, që e kisha botuar në një moshë të hershme, e gjeta tek dërgimi i mjekëve dhe infermierëve për të ndihmuar Italinë në këtë kohë sëmundje pandemike që po ridimensionon botëkuptimin tonë për të tashmen dhe të ardhmen, që do sjelli ndryshime që as nuk i kishim menduar ndonjëherë e jo zbatuar. Shqipëria sot dërgon krah ndihme në Itali, por “pa dashje” Italia në vitet e Luftës së Dytë Botërore por dhe pas saj për disa vite të mira, na kishte lënë në Shqipëri kuadrot mjekësore për të rimëkëmbur Shqipërinë e pasluftës, këta mjekë të mbetur në Shqipëri shërbyen jo një muaj apo dy, por me vite deri që u riatdhesuan. Ngjashmëria e së djeshmës me të sotmen nuk janë në unitet sepse rrethanat ishin të ndryshme por le të jetë ky një artikull kujtese dhe mirënjohje të ndërsjelltë.

Pra disa vite më parë kisha botuar në shtypin shqiptar një artikull të shkurtër rreth librit “Dal Po all’Albania (1943-1949), Un medico mantovano tra guerra e prigionia” me autore Maria Rita Bruschin. E pashë të arsyeshme ta risjellja artikullin në një formë më të plotë dhe të zgjeruar. Pasi ndjej një detyrë morale të sjelli ndërmend që solidariteti ndaj Italisë sot ishte një detyrim për shumë e shumë arsye të tjera, dhe një ndër këto arsye është historia e doktor Bruschit dhe shumë doktorve të tjerë si ai…

Libri në pamje të parë ngjanë më tepër personal dhe familjar, por i kalon këto kufij pasi përfshihen ngjarje historike që i përkasin sa Shqipërisë dhe Italisë, në një kohë të vështirë siç ishin vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe ato të pas luftës.

Personazhi kryesor është doktori Vittorio Bruschi dhe jeta e tij në Shqipëri, në hyrje të librit është shkëputur fraza pikante nga letërkëmbimet e tij “Cosa mi riserva l’avvenire, non so e forse per questo l’uomo vive. Ora poi ho imparato piu che mai a non chiedere troppo alla vita (Vittorio Bruschi Peshkopi, 27 gennaio 1946). Doktor Vittorio ka lindur në Carbonara di Po ( Mantova) me 21 janar 1916.

Përmes letërkëmbimeve të tij ne arrijmë të njohim realitetin komunist, realitetin e një populli të tërë që të rraskapitur nga Lufta e Dytë Botërore, e tashmë përballeshin jo vetëm me pasojat e pasluftës por dhe fillimin e një  lufte të panjohur për ta, persekucionin komunist, luftën e klasave. Bëhet fjalë për 276 letra të dr.Vittorios dhe 125 letra të Rosita Casarit të periudhës 1943-1949. Libri ka dhe dokumente arkivore, fotografi ilustruese, raporte dhe kujtime të të tjerve, dhe artikuj gazetash.

 “Dal Po all’ Albania”. “Spero di vivere per pottere vedere come questa cosa si concludera”. (Shpresoj që të jetoj për të pasur mundësi të shoh se si do të përfundojë kjo gjë). Kështu titullohet libri  që u botua në 2013 dhe gjendet në librarit e Italisë, por që për lexuesin shqiptar është i panjohur. Autorja Maria Rita Bruschi me përkushtim ka hedhur në këtë libër, copëza nga historia e të atit, duke mbajtur gjallë kujtimin e tij por dhe për të sjell para nesh jetën e tij plotë peripeci në Shqipëri. Autorja është diplomuar për Letërsi në Universitetin e Padoves, dhe ka qenë mësuese për shumë vite në shkolla të mesme. Ka qenë bashkëpunëtore në libra të karakterit didaktik. Jeton në Ostiglia.

Si nëntitull librin do e quaja “Një mjek italian që shëronte plagët e fashizmit në Shqipëri”, një monografi sa tërheqëse aq dhe impresionuese ku ngjarjet, rrëfimet, përshkrimet i ngjajnë atyre të filmave aventuresk, një aventurë e rrezikshme mes luftës dhe burgut. Paradoksi që trajtohet në vepër është i tillë sepse një mjek italian shëron plagët e atyre shqiptarëve dhe Shqipërisë që fashizmi italian la pas pa ndrojtje, duke mos kërkuar as sot falje, por në një formë apo në një tjetër ishte një mjek italian që me veprat e tij po kërkonte falje për Kombin nga i cili vinte, shpëtimi i jetëve ishte primar, dhe këtë e bënte me pasion, me humanizmin më të madh duke përçuar mesazhin kumbues se; “Pavarësisht se çfarë shkaktojnë luftrat apo kush është shkaktari i tyre, humanizmi duhet të triumfojë mbi gjithçka”. Me parathënie të Prof. Maurizio Bartolottit, ndërsa në përmbajtje trajtohet hollësishëm nisja për në Shqipëri e Dr. Vittorios, më pas përshkruhen ngjarjet në të cilat po kalonte Shqipëria ku i vë titullin “L’8 settembre 1943 e la Guerra partigiana: il peso di una scelta (8 Shtatori i 1943 e luftës partizane: Pesha e një zgjidhje). Ndjekur nga pritja e gjatë për 6 vite e të fejuarës Rositës, që jepet me letërkëmbimin që mbajnë gjallë dashurinë e tyre, dhe më pas kthimi i shumëpritur në atdhe. Në këtë libër nuk njohim vetëm doktorin, por dhe njeriun, që pasion kishte dhe muziken klasike, ai luante violinen dhe fizarmoniken.

VEPRIMTARIA E DR. BRUSCHIT

Dr. Bruschi, me guximin, gjakftohtësinë, vetëpërmbajtjen, mjek i aftë dhe i përkushtuar në profesionin e tij, ku armë të vetme kishte heshtjen dhe kryerjen e detyrës me përgjegjshmëri duke shpëtuar jetë njerëzish. Dr. Bruschi e fillon aventurën e tij si mjek pranë divizionit Parma në vitin 1943, ku punoi në Spitalin Ushtarak të Vlorës e Sarandës. Me ankth priste që rënia e Musolinit të sillte kthimin në atdhe, por kjo nuk ndodhi për të. Pushtimi gjerman do të ishte i menjëhershëm dhe e vetmja mundësi për Dr. Vittorion ishte bashkimi me partizanët shqiptarë. Megjithëse pas fitores së kampit antifashist, Dr. Bruschi cilësohej si fashist nga komunistët e ardhur në pushtet, ai e vazhdoi detyrën si mjek duke qenë se Shqipëria kishte nevoja imediate për profesionistë në fusha të ndryshme. Doktori aventurën e tij e vazhdoi në Durrës, Tiranë, Peshkopi, Berat, Krujë dhe së fundmi në Pukë, ku qëndroi për një kohë të gjatë dy vjeçare.

Në këtë libër paraqitet këndvështrimi i ngjarjeve të para nga një italian që rrjedhat e luftës do përcaktojnë dhe fatin e tij, që për 6 vite do të jetë i detyruar të qendroi në Shqipëri. Ai ishte aty ku e thërriste nevoja, nga qyteti në qytet, nga fshati në fshat megjithë peripecitë sepse ndodhej në një vend të panjohur, ai u ambientua duke mësuar dhe gjuhën shqipe. Qëndrimi i tij në Pukë ishte më i gjati dhe ndoshta më i vështiri sepse ndodhej në një qytet ku atij i duhej të përballej me vështirësi të panumërta si mungesa e rrugëve, lëvizjet nëpër fshatra të thellë, duke qenë se ishte i vetmi mjek i përgjithshëm në Pukë. Në Pukë punoi nga mesi i vitit 1947 deri në Mars të 1949 së bashku me infermier Halit Laçin dhe dentistin Halil Burazeroviç, që ishin jo vetëm kolegë pune, por dhe miq të ngushtë. 

Pas më shumë se 60 vitesh, për t’i dhënë formën finale librit autorja Maria Rita sëbashku me të shoqin Corradon dhe të motrën Luçian ndërmarrin udhëtimin për në Shqipëri, që të rrëmojnë në të kaluarën e të atit, por dhe takohen me mikun e të atit infermierin që kishte punuar me të, z. Halit Laçin (gjyshin tim, dhe isha deshmitare e këtij takimi). Ky ishte një takim shumë emocionues mes tyre që i ktheu pas në kohë dhe shërbeu për ta plotësuar librin. Autorja i kushtoi një temë të veçantë këtij takimi që u realizua nga një çift shqiptarësh me banim në Itali, Endri dhe Teuta. 

Historia e dr. Vittorio Bruschit na mëson se si të mos ushqejmë urrejtjen, sesa e rëndësishme është dashuria, sesi ajo mund të mbijetoi pavarësisht distancës. 

Filed Under: Fejton Tagged With: Dr. Vittorio Bruschi

QOLET


May 4, 2020 by dgreca

THE TWITS BY ROALD DAHL- PERKTHEU NGA ANGLISHTJA NAUM PRIFTI DHE RAFAELA PRIFTI/

QOLET/

FYTYRAT LESHATORE/

Sot të zë syri shumë meshkuj me fytyra leshatore. Nuk është e mundur t’ia shohësh sifetin atij që e lë leshin t’i harliset nga çdo pore e fytyrës. Ndoshta kjo është edhe arsyeja e vërtetë e rritjes së leshit. Sido që të jetë është e vështirë të shikosh se kush është pas qimeve.    

Lëre pastaj se ç’mund të thuhet për larjen. Larja e një fytyre leshatore nuk është punë e rëndomtë njësoj si shkumosim flokët unë e ti. Prandaj unë dua ta di: Sa herë e lajnë fytyrën këta fytyrëleshatorët? Një herë në javë, atëherë kur bëjmëbanjë ne të tjerët, të dielën në mbrëmje? A përdorin shampo? Po tharëse flokësh? A e fërkojnë pastaj me tonik që të mos u bëhet fytyra qerose? A shkojnë te berberi që ta shkurtojnë a krasitin leshin apo qethen vetë me gërshërën e thonjve përpara pasqyrës së banjës?

Nuk di ç’të them. Por kur t’ju rastisi të shikoni një syresh (gjë që mund të ndodh sapo të dilni në rrugë) ndoshta do ta vëreni pak më së afërmi dhe do t’i bëni vetes të njëjtat pyetje.

ZOTI QOLE

Zoti Qole ishte një prej atyre burrave me fytyrë leshatore. Gjithë fytyra përveç ballit, syve dhe hundës gjëmbonte nga leshi i dendur. Madje ca tufa të egra leshi shpërthenin nga vrimat e hundës dhe të veshëve. Zoti Qole ishte i bindur se leshllëku i jepte pamjen e një njeriu me mend dhe me famë. Megjithëse ai nuk hynte në asnjë nga këto kategori. Zoti Qole ishte leshko. Ishte lindur leshko. Dhe tani në moshën gjashtëdhjetë vjeçare ishte edhe më leshko se ç’kish qenë më parë.

Leshi i fytyrës tek ai nuk rritej me rregullsi dhe i tërhollë si ndodh zakonisht te fytyrat e leshatorëve. Qimet e tij dilnin gjembore dhe të harlisura përpjetë si fijet e furçës së thonjve. 

Sa herë e lante fytyrën si furçë për thonjtë zoti Qole? As edhe një herë, madje as ditën e diel! Nuk mbahet mend qëkur e kishte larë surratin.

MJEKRA TE NDYRA

Dihet se një fytyrë paqime si e jotja ose e imja ndyroset pak kur mbetet pa larë, dhe nuk bëhet qameti.

Por është krejt ndryshe për një fytyrë leshatore. Aty stakohen gjëra dhe veçanërisht ushqimi. Salca depërton nëpër qime dhe mbetet aty. Ti dhe unë e fshijmë fytyrën e lëmuar me një pecetë dhe dukemi pak a shumë në rregull, por fytyrëleshatori nuk mundet të kthehet më në gjendjen e mëparshme.

Po të jemi të kujdesshëm, ne mund të hamë pa e shpërndarë ushqimin në fytyrë. Por fytyrë leshatori nuk mundet. Sapo t’ju rastisi të shikoni një leshator duke ngrënë darkë do ta vëreni se edhe po ta hap gojën sa një kamare është e pamundur ta fusë lugën me lëng mishi apo akulloren me shurup çokollate pa lënë diçka tek qimet.

Zoti Qole as që lodhej fare ta hapte gojën mirë kur hante. Si rrjedhojë, (edhe nga që nuk lahej) drudhërat nga vaktet e mëngjesese, drekave dhe darkave të ngrëna me parë vareshin nëpër qimet e fytyrës. Nuk ishin drudhe të mëdha sepse ato i fshinte duke kaluar kurrizin e dorës ose me mëngën e xhaketës ndërsa mbaçitej në tavolinë. Por nëse do t’i afrosheshe pak (jo nga qejfi) (ndonëse këtë nuk do ta dëshironte askush) do dalloje ngjitur te qimet thërrmija të thara nga vezë të skuqura, spinaq, salcë domate, peshk të thate, mëlçi pule të grirë dhe lloje të tjera ushqimesh të pështirshme të cilat i pëlqenin zotit Qole. Dhe nëse do t’i afroheshe edhe më shumë (duke i mbajtur mbyllur vrimat e hundës) nëse do vëzhgoje më në thellësi të qimeve të mustaqeve që gjëmbonin mbi buzën e sipërme, do shikoni copa më të mëdha që i kishin shpëtuar fshirjes me dorë, dhe ishin stakuar atje me muaj të tërë, si për shembul një fletëz djathi i krimbosur ose kornfleks i mykur apo edhe bishtëz i lyrosur i sardeleve të kanoçeve. 

Për këtë shkak zoti Qole nuk mbetej kurrë barkthatë. Nxirrte gjuhën dhe duke e lëvizur rretheqark cepave të buzës eksploronte xhunglën e leshit, ku arrinte të gjente një dromcë të shijshme aty këtu për tu mbllaçitur. Me këto dua të them se zoti Qole ishte i zgjyrosur dhe i kutërbosur. Ai ishte edhe njeri i pështirosur siç do ta shihni edhe vetë në vijim.

ZONJA QOLE

Zonja Qole nuk dallohej shumë nga zoti Qole. Vetëm se nuk kishte fytyrë leshatore. Dhe kjo ishte për të ardhur keq, se leshi i fytyrës të paktën do t’ia mbulonte disi shëmtinë e frikshme.             

Hidhi një sy vetë. Ke parë ndonjëherë grua me fytyrë më shëmtaraqe se kjo? Nuk ma merr mendja.

Por për habi, zonja Qole nuk ishte lindur e shëmtuar. Ajo kishte qenë shumë simpatike në vajzëri. Shëmtia rritej vit pas viti bashkë me kalimin e viteve. Pse ndodh kjo? Jua them unë.

Sepse njeriut i shihen mendimet e shëmtuara në fytyrë. Dhe kur njeriu ka mendime të ndyra për çdo ditë, çdo javë dhe çdo vit, fytyra i shëmtohet e shëmtërohet derisa nuk të bëhet ta shohësh me sy.

Njeriu me mendime të mira nuk është asnjëherë i shëmtuar. Mund ta kesh hundën e stërgjatë apo gojën e shtrembër, qafën me pala ose dhëmbët të stërdalë, por kur ke mendime pozitive ato tipare shpërndahen si rreze dielli dhe kurdoherë dukesh për mrekulli.

Asgjë e mirë nuk rrezatohej prej fytyrës së zonjës Qole. 

Në dorën e djathtë mbante një bastun. Njerëzve iu thoshte se kishte xhongla në tabanin e këmbës së majtë dhe të ecurit i shkaktote dhembje të mëdha.  Por arsyeja e vërtetë qe se bastunin e përdorte për tua vërvitur qenve dhe maceve si dhe fëmijve të mitur.

Pastaj ç’mund të thuash për syrin e xhamit. Zonja Qole kishte një sy xhami që ishte drejtuar në anën e kundërt.

SYRI PREJ XHAMI

Me një sy xhami bëhen rengje të llojllojshme sepse atë e nxjerr nga foleja dhe e fut prapë sa herë të teket. Mund të vësh bast ç’të duash se zonja Qole i dinte të gjitha hiletë.

Një mëngjes ajo e hoqi syrin e xhamit dhe e hodhi në krikllën e birrës së zotit Qole kur ai nuk e kishte mendjen. Zoti Qole rrinte ulur duke pirë birrën ngadalë. Shkuma formonte një unazë të bardhë të qimet rreth gojës. Ai e fshiu shkumën e bardhë me mëngë dhe pastaj mëngën e fshiu te pantallonat.  

“Seç po komploton,” i tha zonja Qole, me shpinën e kthyer nga i shoqi që të mos e shihte që e kishte hequr syrin. “Sa herëqë rri kështu si i bukosur, je duke sajuar ndonjë plan a komplot.”

Zonja Qole kishte të drejtë. Zoti Qole ishte zhytur në një skemë komploti. Po vriste mendjen për një ndonjë rreng tëpaparë për t’ia punuar bashkëshortes atë ditë.

“Hapi sytë mirë,” tha zonja Qole, “se kur e shoh se je duke stisur komplote, unë nuk t’i shqit sytë njëlloj si shqarrthi.”

“Oh qepe gojën, plakë e keqe,” tha zoti Qole. Ai vazhdoi të pinte birrën dhe mendja e tij djallëzore vazhdonte të thurrte plane për një reng të ri që do ta lemeriste plakën.

Teksa zoti Qole po gëlltiste pikën e fundit të birrës, befas i vajti shikimi te syri i xhamit që e po zhbirilonte nga fundi i krikëllës. U hodh përpjetë.

“Të thashë se ta kam ngulur syrin!” krakarriti zonja Qole. “Unë kam sy kudo, prandaj ruaju!”

BRETKOSA

Për ta shpaguar për rrengun me syrin e xhamit, zoti Qole vendosi të vinte një bretkosë në shtratin e zonjës Qole. Zuri njëgoxha zhabë tek gjoli dhe e solli fshehurazi në një kuti. 

Atë natë, kur zonja Qole shkoi në banjo, përpara se të futej në shtrat, zoti Qole e vuri brektosën midis faqeve të çarçafëve. Pastaj vajti dhe u fut në shtratin e tij dhe priti të niste gajasja. 

Zonja Qole hyri në dhomën e gjumit dhe u fut në shtrat e shuajti dritën. Ndenji shtrirë në errësirë duke kruajtur barkun. Asaj ashtu i hante barku. Të gjitha plakarruqeve si ajo ju bëhet barku si miza-miza.

Papritmas ndjeu diçka të ftohtë dhe jargavitëse t’i lëvizte nëpër këmbë. Dhe ulëriti.

“Ç‘dreqin ke?” pyeti zoti Qole.

“Ndihmë!” piskati zonja Qole, duke u hedhur përpjetë. “Më është futur një gjë në shtrat.”

“Me siguri do jetë ajo Vrundulla që ma zunë sytë në dysheme,” tha zoti Qole.

“Çfarë?” ulëriti zonja Qole.

‘E godita por nuk e zura dot,” tha zoti Qole. I ka dhëmbët si dara!”

“Ndihmë!” gërthiti zonja Qole.  “Më shpëto! Po më sillet nëpër këmbë!”

“Do të t’i haj gishtërinjtë!” tha zoti Qole.

Zonja Qole u mehit. 

Zoti Qole u ngrit nga shtrati dhe gjeti një bidon me ujë të ftohtë. Ia hodhi në fytyrë zonjës Qole që të vinte në vete. Bretkosa kërceu nga çarçafët që t’i afrohej ujit. Dhe hidhej lart e poshtë në jastëk. Bretkosat e duan shumë ujin. Dhe kjo po bënte goxha qejf.

Kur erdhi në vete zonja Qole, bretkosa i kërceu në fytyrë. Askush nuk do të donte ta përjetonte këtë veçanërisht kur je shtrirë në shtrat në orët e natës. Ajo ulëriu përsëri.

“Për një mend, qenka Vrundulla. Do të ta kafshoj hundën.”

Zonja Qole u ngrit vërtik dhe iu zbriti shkallëve fluturimthi dhe gjithë atë natë ndenji në minder. Ndërsa bretkosën e zuri gjumi në jastëkun e saj.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Naum Prifti, perkthim

FLET NGA FRANCA EKSKLUZIVISHT PËR GAZETËN DIELLI DR. VEDAT ELJEZI

May 4, 2020 by dgreca

SHQIPTARËT NË FRANCË DHE MASAT QË MORI SHTETI FRANCEZ NË BETEJËN NDAJ COVID-19/

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e Dr. Vedat Eljezi mjek anestezist-reanimator në Qëndra Klinike Universitare Clermont Ferrand, Francë, dhënë gazetarit Sokol Paja./

       Në betejën ndaj Covid-19 shteti francez renditet i katërti në botë me të infektuar dhe viktima si shkak i pandemisë botërore. Si Francën po ashtu edhe shumë shtete evropiane, vala e pandemisë i gjeti të përgjumur dhe reagimi me vonesë solli viktima dhe gati sa nuk solli kolaps shëndetësor total. Të dhënat e pasakta nga Kina dhe mosmarrja me seriozitet e valës së shpërthimit të Covid-19 bëri që pasojat në Europë të ishin katastrofike. Sistemi shëndetësor francez sot përballet me mungesa në bazë materiale, në personel shëndetësor, buxhet të pamjaftueshëm për shëndetësinë, mjete mbrojtëse,veshje, maska, pajisje respiratore etj. 

SITUATA NË FRANCË

Mjeku shqiptar, anestezist-reanimator, Doktor Vedat Eljezi tregon se si trajtohen pacientët e prekur me Covid-19 në shtetin francez dhe se nga Franca më në fund vjen një dritë jeshile. Edhe pse ka rritje të numrit të të vdekurve, mund të themi se Franca e ka kaluar tani më pikun e sëmundjes dhe spitalet po zbrazen nga pacientët me Covid-19, çka ka rezultuar me rënie të dukshme të numrit të pacientëve në reaminacion dhe numrit të pacientëve të hospitalizuar. Franca arriti kulmin e pandemisë dhe të krizës shëndetësore më 8 prill. Izolimi ishte dhe është arma më efikase në luftimin e pandemisë. Në valën e parë të madhe të epidemisë së virusit, izolimi ishte një masë e padiskutueshme. Në Francë izolimi si masë, u mor ndoshta pak me vonesë pasi aksush nuk i besoi valës dhe përmasave të jashtëzakonshme të pandemisë. Sipas statistikave, transmetimi i virusit falë izolimit është ulur me 80%. Izolimi në Francë mundësoi shpëtimin e mbi 60 mijë jetëve njerëzore. Me kalimin e ditëve ne po fitojme njohuri të reja mbi virusinCovid-19. Pavarësisht rrethanave te krijuaranga pandemia,  jeta duhet të vazhdojë, njerëzimi nuk mund të rrijë në izolim total për kohë të pacaktuar. Kjo nuk do të thotë që ne duhet ta ulim kujdesin, po përkundrazi, pas daljes nga karantina duhet shtuar vëmëndja dhe kujdesi në nivel akoma më të lartë.

Izolimi në formën e tij strikte nuk duhet të vazhdojë për kohë të gjatë të paktën për tre arsye :

  1. Pasojave ekonomike negative për çdo shtet dhe individ,  
  2. Gjëndjes së rënduar psikologjike te njerëzit, 
  3. Rritjes së dhunës dhe agresivitet në familje. 

Sistemi shëndetësor francez ishte në krizë përpara se të fillonte pandemia botërore. Reduktimi i buxhetit të shtetit për shëndetësinë, reduktimi i personelit shëndetësor, mbyllja e disa reparteve të reanimacionit, mbyllja e disa spitaleve te periferike sollën sistemin shëndetësorë francez në situatë aspak të favorshme. Goditja e fortë nga vala e pandemisë e nxorri këtë krizë akoma më mirë në shesh. Mirëpo sistemi shëndetësor francez nuk ra, falë punës së palodhëshme të personelit mjekësorë i cili diti të adaptohet në mënyrë të përkryer në këtë situatë të jashtëzakonshme. Megjithëse situata me furnizim me materiale dhe barna ka filluar të përmirësohet jemi akoma larg normalizimit të plotë të situatës. Dua të theksoj edhe problematikën e lënies pas dore të mjekimit të sëmundjeve tjera jo covid, sikurse pacientët që janë në listë të pritjes për tu operuar apo për të marrë mjekim tjetër. Kjo është një listë e gjatë e pacientëve që janë në pritje. Mungesa me materiale dhe barna na bëjnë të jetojmë me ankthin e përballimit të mundshëm të situatës nëse do kemi një valë të dytë të pandemisë nga Covid-19 në javët e ardhshme.

SI KANË REZULTUAR PROTOKOLLET E TRAJTIMIT 

Trajtimi i Covid-19 vazhdon të ngelet simptomatik, pra ne mjekojmë vetëm pasojat që jep infeksioni viral. Aktualisht ne nuk kemi një armë të fuqishme për të bërë trajtim etiologjik, pra të godasim virusin në mënyrë direkte. Aktualisht janë mbi 300 studime klinike kërkimi në botë që provojnë trajtime të ndryshme. 

Dua të theksoj se asnjë trajtim deri tani nuk ka dhënë efekte mjekimi të mjaftueshme për tu konsideruar si mjekim bazë dhe referent për Covid-19. 

PREKJA E SHQIPTARËVE QË JETOJNË NË FRANCË NGA COVID-19

Nuk kam informata të sakta mbi numrin e shqipëtarëve qe jetojnë në Francë që janë të prekur nga infeksioni viral Covid-19. Grumbullimi i këtyre të dhënave është i pamundur në një popullësi 65 miljonëshe sikurse është Franca. Në qendrën ku punoj unë nuk ka pasur asnjë rast me pacient shqiptarë që ka pasë nevojë për reanimacion. Kam patur vetëm disa konsultime nga larg, nga shqipëtarë që jetojnë ne vende të ndryshme të Francës dhe që janë të prekur me Covid-19. 

KONTRIBUTI I FEDERATËS SË MJEKËVE SHQIPTARË EUROPIAN

Federata e mjekëve shqiptar europian me qëllim të ardhjes në ndihmë dhe informimit të të gjithë shqiptarëve kudo ato ndodhen ka vendosur një platformë on-line në ueb faqen e saj. Mjekët shqiptarë të shpërndarë kudo në europë ju dalin në ndihmë dhe ju shërbejnë vëllëzërve e motrave tona kudo ata ndodhen. Personalisht si mjek kam zhvilluar deri në 5 kosulta në ditë me bashkëkombas për probleme që lidhen qoftë me pandeminë e Covid-19 qoftë edhe për probleme të natyrave të ndryshme mjekësore. 

MASAT E SHTETIT FRANCEZ DHE PËRDORIMI I MASKAVE

Edhe pse me masa të vonuara, prapë se prapë shteti francez e rimori veten dhe tani mund të themi se situata po shkon drejt normalizimit dhe kjo sidomos falë masava të izolimit. Ruajtja e masave barrierë, e ndër ta përdorimi i gjerë dhe i drejtë i maskës, janë një domosdoshmëri për të shmangur një valë të dytë të pandemisë. Mbajtja e maskave dhe kujdesi rigoroz duhet të na shoqërojë me çdo kusht deri në zhdukjen përfundimtare të pandemisë. Çdo gabim apo neglizhim i këtyre masave ka shumë shansë të rezultojë me ripërhapje të gjerë dhe të shpejtë të infeksionit në kushtet e daljes nga karantina ku edhe kontaktet janë të shtuara. Mbajtja e distancës ndër personale dhe përdorimi i maskës është mjet i pakontestueshëm i parandalimit të përhapjes së virusit. Shteti francez do sigurojë maska për ata që s’kanë mundësi ti blejnë dhe kjo maskë do jetë e detyrueshme për ata që frekuentojnë ambjentet e transportin publik, për nxënësit nga klasa e pestë e lart dhe profesionet që kanë kontakte direkte me fëmijët e vegjël. 

TESTET SEROLOGJIKE NË LIDHJE ME COVID-19 

Gjithçka që na mundëson të kuptojmë më shumë per këtë pandemi është e mirëseardhur. Testet serologjike jane diçka shumë interesante dhe për mendimin tim do kenë rëndesi shumë të madhe për të ndjekur ecurinë pandemisë dhe për të kuptuar gjëra që ne akoma nuk i dijmë. Me lejoni të shpjegoj me dy fjalë çfarë janë realisht dhe për çfarë do të shërbejnë. 

Pas kontaktit me virusin, organizmi jonë fillon të mbrohet duke prodhuar antikorpe që është çelësi i mbrojtes sonë imunitare, diçka e përkryer si sistem. Për tu mbrojtur nga agjentët patogjen, organizmi jonë prodhon antikorpe apo me emër tjetër njihen si imunoglobulina. Imunoglobulinat janë dy llojesh, IgM që zhvillohen të parat në fazën akute dhe IgG që zhvillohen më vonë. Këto antikorpe do të na mundësojnë të kuptojmë kush ka qenë në kontakt me virusin (i sëmurë apo asimptomatik); si do evoluojë imuniteti i një të prekuri në kohë; a do zhduken këto imunoglobulina pas disa muajsh gjëqë mund të mundësojë kthimin e infeksionit. Duhen afërsisht 15 ditë që titri i imunoglobulinave të jetë i mjaftueshëm që testi të jetë plotësisht i besueshëm. Testi serologjik nuk e zëvendëson aspak RT-PCR që ka për qëllim zbulimin e gjenomit të virusit, pra prezencen e virusit te nje person simptomatik apo asimptomatik. Ne këtë fazë prodhimi i imunglobulinave ndoshta akoma nuk ka filluar. Të dy këto analiza janë komplementare të njëra tjetrës. Testet stereologjike janë diçka fantastike për të vëzhguar ecurinë e pacientit 15 ditë pasi që është prekur me virusin Covid-19.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE BASHKATDHETARËT NË SHBA

Të dashur bashkatdhetarë, njeriu është në vazhdimësi në luftë me sëmundjet. Ne nuk duhet të jetojmë me frikën dhe panikun e sëmundjeve por duhet të kujdesemi dhe të jemi të vëmendshëm ti largojmë ato sa më shumë. Mesazhi im është:“mbrojeni vetëveten dhe të tjerët nga Covid-19 duke respektuar në mënyre strikte masat kundër përhapjes së virusit dhe kthehuni jetës normale. Kontribuoni sa më shumë në ngritjen tuaj intelektuale dhe profesionale, jepni shembullin më të mirë të një shqipëtari të vlefshëm dhe bëni çmos për të ndihmuar bërjen e vendit tonë një shtet te fuqishëm në çdo aspekt. 

Filed Under: Interviste Tagged With: Dr.Vedat Eljezi, France, Sokol Paja

RËNIA E MARKO BOÇARIT, NJË TRAGJEDI NDËRSHQIPTARE

May 4, 2020 by dgreca

Nga Kolec P. Traboini /

Piktori gjerman Peter Von Hess (1792-1871) është i njohur për punimet e tij ku pasqyrohen ngjarjet e luftës për pavarësinë e Greqisë. Vihen re se luftëtaret janë pothuaj të gjithë arvanitas, çfarë e përcakton veshja por edhe emrat e tyre si Marko Boçari, Andrea Miauli, Laskarina Bubulina e tjerë. Vërehet se, ndryshe nga  studiuesi tjetër gjerman Jakob Philipp Fallmerayer  qe vinte ne dukje kontributin shqiptar dhe vinte në dyshim lidhjet e grekëve të rij me ata të lashtë, ky piktor nuk shënon përkatësinë e luftëtarëve, por thjeshtë i konsideron grekë. Mesa duket pikturat e tij nuk kanë lidhje dhe aq shumë me realitetin e kësaj kryengritje. Në një pikturë ka venë shënimin “Palikarët grekë” kur në të nuk ka asnjë grek e asnjë palikar tjetër veç shqiptarëve veshur me fustanellat e tyre të bardha karakteristike. Pra tjetër ishte realiteti e tjetër interpretimi.  Dëshira për të lidhur grekët e rinj me të lashtit ishte një aventurë e iluministëve europianë dhe një grotesk i vërtetë,  siç e cilësonte Fallmerayer. Mjafton të përqendrohemi në një prej punimeve të tij për të kuptuar se ai nuk kishte njohje të thella për çfarë kishte ndodhur në luftën për pavarësinë e Greqisë dhe cilët ishin forca kryesore dominuese në ato luftëra. Dihet se rënia në betejën në Karpenisi të Marko Boçarit është bërë subjekt i shumë punimeve të piktorëve europianë. Edhe Peter Von Hess ka një të tillë. Kuptohet se figura e Marko Boçarit është trajtuar realisht me veshjen e tij karakteristike shqiptare. Por ai që qëllon mbi Marko Boçarin nuk është i përcaktuar saktë. Mesa duket piktori gjerman më shumë është mbështetur në tregimet e të tjerëve apo në shkrime të asaj kohe duke marre prej tyre njoftime që nuk përkonin dhe aq me realitetin apo ai i ka keqkuptuar ato. Në pikturën që e bashkë shoqërojmë me këtë shkrim vihet re se ai që qëllon mbi Marko Boçarin është një luftëtar zezak. Kjo nuk është e vërteta historike. Dihet, dhe shkruhet gjithashtu, që Marko Boçarin e ka vrarë në betejë shqiptari Lleshi i Zi, luftëtar nga Mirëdita. Duket se të dhënat që ka marrë piktori Peter Von Hess kishin të bënin me një luftëtar të zi dhe jo një luftëtar që kishte epitetin të tillë. Nga ky keqkuptim ai ka realizuar në pikturë një  luftëtar zezak që qëllon mbi shqiptarin suljot Marko Boçari, çfarë nuk kishte të bënte me realitetin, as në pamje e as në veshje. Duke mos e njohur historinë e vërtetë të kryengritjes është e natyrshme që ta pasqyronte atë jo krejt saktë, prandaj nuk gjendën të shënuar në asnjë vepër të tij arvanitët-shqiptarët, për të cilët historianët seriozë me të drejtë thonë se, 95 për qind të heronjve të luftës për pavarësinë e Greqisë ishin shqiptarë. Por mjerisht një pjesë e shqiptarëve ishin të rreshtuar në anën tjetër të frontit nën shërbimin e ushtrisë pushtuese turko-osmane. Ndaj në shumë luftëra vramë njeri-tjetrin, derdhëm gjakun tonë në beteja që shkonin në favor të shteteve të tjera ballkanike. Kjo ishte një tragjedi të cilën e kemi vuajtur thellë si popull, por edhe e kemi paguar shumë shtrenjtë në histori.

Filed Under: Histori Tagged With: KPLEC TRABOINI, Renia e Marko Boçarit

HISTERIA PËR KARANTINËN E TVSH!

May 4, 2020 by dgreca

NGA ELIDA BUÇPAPAJ/

Në rrjetin social u festua me histeri glorioze 60 vjetori i TVSH, institucionit më të zi të informimit të diktaturës, i cili konsiderohej nga regjimi  i rëndësisë të veçantë, sikur vetë KQPPSH. Edhe selia e RTSH gjendej në kuartierin gjeneral të udhëheqjes komuniste.

E qartë se në kohë karantine, njerëzit i kap nostalgjia për vitet që ikin tutje dhe nuk kthehen më bashkë me vitet e jetës së tyre, dakord!

Por bashkë me nostalgjinë a nuk kishte vend për një reflektim, për një ndjesë ose për të pohuar të paktën të vërtetën se nga ajo ndërtesë përhapej propaganda më trushplarëse, filmat më skematikë dhe idiotë, koncertet ku kompozitorët digjeshin kur notat në pentagram kërcenin pak me ritëm apo kur këngëtarët guxonin të vishin diçka apo të bënin një xhestikulacion pa marrë leje nga partia.

Shqiptarët duhet ta dinë se në TVSH e kohës të diktaturës, punonin njerëz që kishin besimin e plotë të partisë të punës, që kishin lidhje direkte ose indirekte, të tërthortë apo të përdrejtë.

Do të thoni se i gjithë populli ishte besnik i partisë, por partia nuk i besonte, sepse aty zbulonte armiqtë e saj dhe prandaj për të ruajtur kontrollin dhe terrorizuar deri edhe psikën e shqiptarëve, operonte me shpatën e egër të diktaturës të proletariatit e luftës të klasave, me ushtri, polici, sigurimin e shtetit dhe me superstrukturë.

Gazetarët që punonin në aty, si aparatçikë ishin në kontakt direkt me aparatin e KQPPSH, edhe redaksitë e tjera programin e kishin të aprovuar nga lart, bujqësia i bënte jehonë kooperativave, kultura skemës të njohur antikombëtare të politikave përçarëse. TVSH mbante të njëjtin qendrim të egër, kërcëllitës, vëllavrasës!

A ju kujtohet se programi i TVSH fillonte në orën 18:00 të mbrëmjes dhe përfundonte rreth orës 22:00!

A ju kujtohet se çfarë thatësire shpirtërore përcillte ajo kuti, nga ku censurohej historia, kultura prangosej, bujqësia kolektivizohej,  sikur i kolektivizohej edhe truri i shqiptarëve.

Kur thuhej TVSH nënkuptohej partia dhe vice versa! TVSH ishte arma e propagandës komuniste që vriste guximin njerëzor.

Ju lutem, kush ka punuar në atë institucion ato vite, le të thotë shqip se ishte i privilegjuar, ose se ishte me fat, ndryshe nga shqiptarët e tjerë që kishin probleme në biografi, të cilëve nuk u lejohej kurrë t’i ngjisnin ato shkallë apo të shfaqeshin në atë ekran!

Për çfarë mund të krenohen punonjësit e TVsh ? Që u bënë zëdhënës të një regjimi mizor ?

Natyrisht që nuk mund të vepronin ndryshe. Nuk kishin shans!  Ata bëheshin më fanatikë se edhe vetë udhëheqja!

Por të paktën të heqin dorë nga deliri i madhështisë si ishët e institucionit trushplarës të popullit shqiptar që mbrohej me polici dhe ushtri sepse prej asaj kutie përhapej propaganda indoktrinuese e regjmit stalinist.

Natyrisht ka nostalgji kolegësh, kjo është e justifikuar, por si nuk ka asnjë reflektim, si nuk ka asnjë ndjesë për audiencën, që i mohohej e drejta të shihte atë që dëshironte, të shprehte atë që mendonte, të tregonte të vërtetën sikur ishte!

Ndërsa diktatura vriste, burgoste, internonte, nga TVSH si krahu i djathtë i regjimit, shpërndahej helmi dhe vreri!

Të mos flasim pastaj se në sa e sa gjuhë të Radios shpërndaheshin rrenat e regjimit dhe si denoncohej kapitalizmi dhe Perëndimi!

Të kujtosh sot me brohërima kohën e trushplarjes, të burgosjes dhe izolimit të shqiptarëve është e frikëshme!

Tani që jetojmë prej më pak se dy muaj në lockdown – karantinë dhe ndihemi me të drejtë të izoluar, e kemi për detyrë të denoncojmë lockdown-in dhe karantinën 40 vjeçare të diktaturës, padyshim edhe me ndihmën e TVSH!

Po e përmbyll me një dialog midis Winston Smith dhe O’Brien tek viti 1984 i George Orwell që shpreh në mënyrë kuintesenciale thelbin e autokracie dhe levave të saj:

“Winston Smith: A ekziston vërtetë Vëllai i Madh?
O’Brien: Natyrisht që ai ekziston.
Winston Smith: A ekziston ai si ti dhe unë?
O’Brien: Ti nuk ekziston.”

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Histeria, Karantina, TVSH

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 605
  • 606
  • 607
  • 608
  • 609
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit
  • KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR
  • Kosovo Between Political Noise and the Need for Civic Clarity
  • TË FALËSH, TË MOS HARROJSH!
  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT