• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryeparlamentarja Osmani përgëzon Gjykatën Kushtetuse

May 1, 2020 by dgreca

Deklaratë e Kryetares së Kuvendit të Kosovës, Dr. Vjosa Osmani-Sadriu: E vlerësoj lart faktin që Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta trajtojë këtë çështje, megjithëse ditë feste, në mënyrë që të mbrohet integriteti institucional në rrethanat e krijuara.

Sot Gjykata Kushtetuese mori vendim për ta vendosur masën e përkohshme ndaj dekretit të Presidentit për mandatarin e ri të qeverisë së vendit, deri në një vendim meritor.

E vlerësoj lart faktin që Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta trajtojë këtë çështje, megjithëse ditë feste, në mënyrë që të mbrohet integriteti institucional në rrethanat e krijuara.

Në funksion të kësaj, unë i kam drejtuar sot Gjykatës Kushtetuese komente (në afatin që ishte caktuar nga ana e Gjykatës), me të cilat kam arsyetuar pse vendosja e masës së përkohshme është e nevojshme, pa paragjykuar vendimin final të Gjykatës për pjesën meritore të rastit. Në këto komente kam sqaruar se “vendosja e masës së përkohshme mbi ekzekutimin ose ndërmarrjen e veprimeve që rrjedhin nga dekreti është po ashtu e domosdoshme për shkak se vetëm në këtë mënyrë do të garantohet që Kuvendi i Kosovës, si institucioni më i lartë në sistemin tone politik, nuk do të marrë vendime që mund të rezultojnë kundërkushtetuese, e që për pasojë do të dëmtonin rëndë besimin e publikut dhe vetë integritetin e këtij institucioni. Në këtë mënyrë, përveç se është në përputhje të plotë me interesin publik, vendosja e masës do të parandalojë shkaktimin e një dëmi të pariparueshëm në kuptim të funksionimit kushtetues dhe ligjor të institucioneve më të larta kushtetuese në vend.”

Si kryetare e Kuvendit të Kosovës dhe njeri i që respekton gjithnjë vendimet e institucioneve të pavarura, do të kujdesem që Kuvendi t’i ndërmarrë të gjithë hapat në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe i ftoj të gjithë udhëheqësit politikë e institucionalë që t’i respektojnë vendimet e kësaj gjykate, pavarësisht nëse pajtohen me to ose jo. ​

Filed Under: Komente Tagged With: deklarate, Vjosa Osmani

CA SHËNIME TË SHKURTËRA DUKE U NISUR NGA HUMANIZMI I ILIA & AGATHIA LUKA NË NEW YORK DHE…

May 1, 2020 by dgreca

  • Shumë familje shqiptare kanë ndjerë humanizmin e bashkatdhetarit Tony Musaj, që ka furnizuar me ushqime me shpenzimet e tij dhjetra familje. Aleksander Nilaj me fondacionin e tij është bërë një shembull për njerzit në nevojë….
  • SHËN TEREZA:Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe!

NGA DALIP GRECA/

Shën Tereza, ndër mijëra këshilla e fjalë të urat që na ka lënë pas, thoshte: Çdo kush ndihmon me aq sa mundet. Unë vlerësoj njësoj si atë fëmijën që digjet në zheg në radhë për t’më dhuruar një lule, ashtu edhe atë që dhuron miliona. Të dy japin aq sa kanë. E rëndësishme është që i dhurojnë me zemër.

          Në këtë kohë të pandemisë, kam dëgjuar, parë, lexuar, me dhjetëra raste kur shqiptaro-amerikanët dhurojnë bujarisht: Dikush vë në dispozicion jetën e tij duke shërbyer në vijën e parë, dikush restorantin, Pizzerinë, dërgojnë ushqime tek spitalet, tek policia, tek njerëzit në nevojë, dikush dhuron maska për mbrojtje. Secili bën sa mundet. Një pjesë propagandohen nga media; për ta përcillen kronika nëpër TV,kronika radiofonike, disa të tjerë nuk ndjehen, nuk bëjnë asnjë shënim në facebook, ku nuk ka nevojë të porosisin gazetarë,apo të ftohen në studio televizive, as t’u telefonojnë mediave, të zëshme, sepse dhurimin e bëjnë me zemër dhe nuk duan që të duken në publik. 

      Humanistët udhëhiqen nga urtësia e Nënë Terezës: Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe!

Kam parë me sytë e mi, dhe kam marrë telefonata nga miqtë e mi që më tregojnë se si Tony Musaj në New York, dërgon ushqime dhe nuk u merr para familjeve shqiptare në nevojë këtu në New York. Por kur i thashë: Tony, a mund të bëjmë një shkrim për ju dhe familjen, që në këto ditë, jo vetëm po ju shërbeni familjeve shqiptare duke ju dërguar ushqime nëpër shtëpi, por ju keni ndihmuar shumë familje në nevojë, duke mos u marrë para. Tony ma ka ndaluar në mënyrë të prerë: nuk po i bëj këto për të dalë në gazetë. Ma thotë zemra, mua dhe Tinës e fëmijëve. E kam mundësinë, dhe ndihmoj. Ja tash sapo u ktheva nga Lydig Ave në Bronx, ku ndihmova sa munda Aleksander Nilaj, që po shpërndan ushqime për njerëzit në nevojë. Për Aleksandrin dhe fonadcionin e tij humanitar Albanian American Open Hand Association, shkruaj, ai po bën punë të mrekullushme humanitare, – më tha Tony.

        Gjatë një telefonate ditën e sotme mësova se çifti  shqiptaro – amerikan që jetojnë prej më shumë se dy dekadash në New York, Ilia dhe Agathia Luka,- këto ditë kanë ndihmuar familje në nevojë, të cilat janë të prekura nga Koronavirusi. Kanë ndihmuar me ushqime dhe ndihma financiare, por nuk janë ndjerë. Nuk kam leje prej tyre që të publikoj rastin në fjalë. Komuniteti shqiptar i New York-ut i njeh ata si aktivistë të tij, shumë aktiv në Shoqatën “Motrat Qiriazi” por shumë të pranishëm në organizatat e tjera në komunitet. Bujaria nuk ka çmim dhe nuk ka nevojë për publicitet, por unë thjesht po e bëj këtë shënim pa dijeninë e tyre, se e ndjej se duhet bërë. Personi që më telefonoi dhe më tregoi për aktin e tyre human, nuk më autorizojë që të përmend emra, por unë e bëj këtë sepse e ndjej si detyrë që buron nga misioni i gazetarit. Qofshit të bekuar dhe Zoti Ju ruajtë Ilia dhe Agathia Luka!  Mirësia dhe humanizmi juaj marrin vlerë në kohën që jetojmë.

        Kjo epidemi që po përjetojmë u ka dhënë shanse njerzëve që së paku të bëhen më të mirë në shpirt, të heqin dorë nga veset, nga shpifjet, prej kurtheve që u ngrenë të tjerëve, thashethemeve që endin përmes telefonatave, emaileve; është koha që të përsosin karakterin, të vetpastrohen, të heqin prej vetes virusin e keq, të vjellin vrerin që kanë akumuluar dhe t’u kërkojnë ndjesë atyre që u kanë rënë në qafë padrejtësisht. Thjesht kanë shansin të bëhen më të mirë.

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca

NEVOJA PER NDRYSHIM

May 1, 2020 by dgreca

Shkruan:Alma LIÇO/

“Është naivitet të bësh të njëjtat gjëra me të njëjtën mënyrë dhe të presësh rezultate të ndryshme.”- Ajnshtajn/

Nëpërmjet  mjeteve  që ofron teknologjia, prej  shumë vitesh mundemi të flasim, të bërtasim, të shkruajmë, të japim opinione për mënyrën banditeske si qeverisemi, si keqtrajtohemi, si plaçkitemi me ligj e pa ligj, si na vidhen pronat me fletushka që nuk kanë asnjë bazë ligjore, si tjetërsohen votat duke deformuar vullnetin e shqiptarëve. Madje, e dokumentuar kjo, me fakte rrënqethëse të bëra publike nga media prestigjioze europiane. 

Dhe këtë komunikim shumëformësh nuk e bëjnë vetëm gazetarët e opinionistët, por edhe qytetarët e thjeshtë. 

“Denoncojmë” si pengohet qëllimisht dhe rrënohet ndërtimi i institucioneve funksionale të shtetit, si dhunohen ligjet, si gjykatat (ato që ende janë në funksion) nuk japin aspak drejtësi. Shohim si pasurohen në mënyrë të paskrupullt  hienat e politikës e si varfërohet çdo ditë e më shumë populli i thjeshtë, madje deri në kufijtë e urisë. Konstatojmë se si në mënyrë të pandalshme po humbasim edhe ato pak të drejta të brishta që u mundësuan pas rënies së regjimit komunist. Dhe pandemia COVID 19, pasuar me masa të ekzagjeruara diktatoriale dhe aspak ligjore të ndërmarra nga qeveria për përballimin e saj, po e përkeqëson në mënyrë dramatike këtë proçes.

Shohim me neveri, si përfaqësues të pushtetit vendor, duke dhunuar dinjitetin e disa hallexhinjve të papunë e pa të ardhura për të jetuar, dhurojnë qese mjerane ushqimesh, që vlejnë sa për të thyer urinë e një apo dy ditëve, kur detyrimi i tyre ligjor i obligon t´i angazhojë ata, të ndërtojnë politika të qëndrueshme sociale për të mbrojtur shtresa të tilla. Dhe këto veprime të turpshme, me porosi të “bamirësve”, përdoren për SHOW mediatik. Këta të paskrupullt kërkojnë të nxjerrin përfitime politike dhe elektorale, duke publikuar fytyra të përlotura e të mjera fëmijësh që u mungon gjithçka, veprim ky në kundërshim me Konventën mbi të Drejtat e Fëmijës, të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, dhe legjislacionit vendas miratuar për këtë qëllim. Ndërkohë, taksat e xhepave të shqyer të shqipëtarëve shpërdorohen në mënyrat më të përbindshme, deri në pagesën abuzive me super paga për mbështetës mediatikë, që nuk janë aspak të punësuar në strukturat e tyre.

Marrëveshjet e ndyra politike, që bëhen për të mbrojtur establishmentin dhe interesat e oligarkëve, bëhen objekt bisedash nëpër kafene (sigurisht para vendosjes së karantinës). Qytetarë të dëshpëruar vrasin kohën, me orë të tëra, në diskutime të tilla, herë pasionante, e herë të mllefosura, që nuk sjellin asnjë produkt ndryshimi. Ndodhin çdo ditë skandale pa fund, që në një vend normal do të çonin pas hekurave qindra abuzues të veshur me pushtet,  përfitues e shpërdorues të pangopur të fondeve publike. Në mënyrë të natyrshme, ato duhej të inicionin çdo ditë përmbysje të mëdha, që lidhen me funksionimin kriminal të sistemit. 

Për hir të së vërtetës, janë organizuar shumë protesta nga opozita, madje të mëdha, por edhe ato nuk kanë sjellë produktin e dëshiruar, të shumëpritur, që është NDRYSHIMI. Dhe kjo nevojë imediate shkon përtej rotacionit politik. Për këtë qëllim, janë zhvilluar qindra analiza, me qëndrime nga më të ndryshmet, që në thelbin e tyre përcjellin pamjaftueshmërinë e shkallës së besimit ndaj aksioneve opozitare. Do të shtoja këtu dhe skepticizmin masiv që ka krijuar braktisja që ajo i ka bërë aspiratave të elektoratit të saj, e në veçanti ato të ish të përndjekurve politikë.

A nuk ka ardhur koha të vlerësojmë seriozisht se është e papranueshme dhe mjaft naive, të mendojmë se duke vepruar tashmë prej shumë vitesh, në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtat mjete, të presim rezultate të ndryshme?? 

Filed Under: Analiza Tagged With: Nevoja per Ndryshim

« Faleminderit miq shqiptarë » !

May 1, 2020 by dgreca

NGA FOTAQ ANDREA-STRASBURG/

Është ky titulli i një punimi vizatimor, realizuar këto ditë nga artisti i shquar italian Fabio Vettore, të cilin ai e konkretizoi me shumë dashuri e mirënjohje në përgjigje të vatjes së mjekëve shqiptarë në Itali (mars 2020) për të luftuar pandeminë në rajonet veriore të Italisë  më të prekura nga kovid19.

Ky grafist e ilustrator, që prej 40 vjetësh ka në qendër të veprave të tij në gjini të ndryshme artistike, “botën simbolike të thneglave”, të cilën e has kudo, në krejt apsektet e mjediseve njerëzore e natyrore, në mal, det, qytete, monumente, e ku nuk tjetër, për të përcjellë, shpesh me humor e stil të zhdërvjelltë krijues një mendim, një reflektim, një opinion, një përfytyrim. Shpaloset kësisoj bota e pasur e “Le formiche di Fabio Vettore-s”, të palodhshmet milingona të njëmimjë e një zanateve, si simbolikë e fuqishme e ndjenjës së punës, organizimit dhe solidaritetit. Bota njerëzore nëpërmjet botës së mizave të dheut, ja karakteristika stilistikore e Fabio Vettore-s që shumëfishon apo më mirë i mizëron personazhet e tij në një kuadër apo skenë të jetës njerëzore, duke përcjellë një mesazh konkret, duke shfaqur madje edhe një ndjenjë falë stilizimit të thneglave të veta me dy pika sy të gjallë, me dy duar e dy këmbka karthi fijekëputur, futur në allasoj “potinash” të rënda për t’u gjendur kudo, me ato njolla të zeza në noçkë të fytyrës, në bark e trup, tre elementët përbërës sferikë, harmonizuar e lidhur si me fije “çeliku” dhe po të brishtë, të mizave punëtore.   

Në veprën “Faleminderit miq shqiptarë” sheh gjallërisht gjithçka: entuziazmin e nisjes për ndihmë të “milingonave mjeke”nga qendra e njohur e kryeqytetit shqiptar, një buzëdet Adriatiku ku shtrihet Shqipëria bashkëngjitur me rajonin verior të gadishullit Apenin të Italisë, ku nuk mungon për së largu e për së afërmi njëkohësisht mikëpritja e fatkeqëve italianë mbërthyer rëndë nga pandemia, tre autombulanca si simbole të gjendjes së rëndë pandemike në shtetin fqinj, flamuj e simbole zemrash fluturake, sa solidarizuese aq edhe miqësore, po ku enden tepër rrezikshëm rreth-rreth vetë simbolet toptha të koronavirusit të hopshëm e të hovshëm në gjurmim të llahtarshëm e fatal për të mbërthyer ku të mundë viktima e therorë. Skenë e përplotë, dramatike e festive njëkohësisht, për të shënuar një çast të veçantë historik, atë solidaritet të fuqishëm falë ndihmës fisnike plot bujari nga ana e popullit shqiptar për popullin vëlla italian në ditët më të këqija të tij.

Faleminderit Z. Vettore që përjetësuar bukur e tepër simbolikisht këtë çast të rrallë e të veçantë historik. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Fabio Vettore, Fotaq Andrea

ITALIA NË BETEJËN NDAJ COVID-19 DHE SITUATA E SHQIPTARËVE NË BARI

May 1, 2020 by dgreca

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e Dritan Hila, mjek kardiokirurg në Spitalin Anthea të grupit Villa Maria (GVM) Bari (Itali), dhënë gazetarit Sokol Paja./

Sipas Dritan Hilës, mjek kardiokirurg në Spitalin Anthea të grupit Villa Maria (GVM) Bari (Itali), Italia po tregon hapa të rëndësishëm pozitiv në luftën ndaj covid-19. Ulja e numrit të infeksionit dhe e vdekshmërisë si dhe e ulja e numrit të pacientëve në Terapi Intensive ka bërë që shteti italian të fillojë në ditët në vazhdim rihapjen e ekonomisë dhe sektorëve jetik për zhvillimin e qendrueshmërinë e vendit. Sipas doktor Hilës, kjo pandemi dëmtoi edhe shumë shqiptarë të cilët nuk e fituan dot betejën ndaj covid-19. Rihapja ekonomike dhe leja për aktivitete të rëndësishme tregtie në fillim të muajit maj duket se do i japë një tjetër frymë Italisë. Sipas doktor Dritan Hilës, kujdesshmëria më e lartë në kontaktet inter-personale, mbajtja e mjeteve mbrojtëse (maskat) dhe ngrohja e motit do të bëjë që virusi të vijë drejt uljes së intensitetit të tij dhe bota do ta fitojë këtë betejë të tmerrshme.

SITUATA NË SHTETIN ITALIAN 

Sipas Dritan Hilës, mjek kardiokirurg në Spitalin Anthea të grupit Villa Maria (GVM) Bari (Itali), aktualisht situata në shtetin italian paraqitet nën kontroll, ku kemi ulje të numrit të infeksionit nga virusi Covid-19 dhe ulje të vdekshmërisë. Një lajm i rëndësishëm për sistemin shëndetësor në Itali ëshë dhe ulja e numrit të pacientëve në Terapi Intensive. Në kuadër të menaxhimit të situatës që ka krijuar pandemia botërore covid-19, masa më e rëndësishme sipas doktor Hilës ishte izolimi social. Nga data10 mars 2020 e deri më tani i gjithë vendi është i izoluar si e vetmja rrugë për mbajtjen nën kontroll të përhapjes së virusit. Njerëzit mund të shkojnë nga një vend në tjetrin për arësye shëndetësore ose për motive pune e shoqëruar nga një autocertifikatë.  Aktivitetet që janë lejuar në këtë kohë izolimi janë supermarketet, dyqanet e ushqimit, dhe farmacitë. 

SHQIPTARËT NË ITALI 

Sipas Dritan Hilës, mjek kardiokirurg në Spitalin Anthea të grupit Villa Maria (GVM) Bari (Itali), aktualisht situata në shtetin italian e bashkatdhetarëve shqiptarë ka qenë e rëndë. Si e gjithë popullata që jeton në Itali dhe shqiptarët janë infektuar nga virusi Covid-19 dhe për fat të keq një pjesë ka humbur dhe jetën. Aktualisht nuk kemi një numër të shqiptarëve të infektuar. Në raport me ditët e rënduara sipas doktor Hilës, fatmirësisht kurba e të infektuarve është në ulje. Në rajonin e Pulja-s (Puglia) ku unë jetoj ka një rënie të theksuar të rasteve të reja por duhet thënë që në përgjithësi jugu i Italisë ka qenë më pak i prekur nga virusi.

SI PARAQITET E ARDHMJA 

Sipas Dritan Hilës, mjek kardiokirurg në Spitalin Anthea të grupit Villa Maria (GVM) Bari (Itali), e ardhmja duket premtuese dhe se shkaqet e vdekshmërisë që lidhen me virusin covid-19 kanë qenë mbi të gjitha kryesisht pulmonare. Pacientët kanë humbur jetën kryesisht për insuficiencë respiratore dhe insuficiencë multi-organore. Pandemia është në rënie të vazhdueshme dhe ky përbën një lajm të mirë për popullatën. Parashikimet jane të vështira për tu bërë në kohë të gjatë, por mendoj që kujdesshmëria më e lartë në kontaktet inter-personale, mbajtja e mjeteve mbrojtëse (maskat) dhe mbase ngrohja e motit do të bëjë që virusi të vijë drejt uljes së intensitetit të tij. Siç dhe e thashë dhe më parë situata tashmë është nën kontroll dhe izolimi social ka dhënë rezultat të dukshëm në uljen e infeksionit nga virusi covid-19. Në Itali me datë 04/05/2020 do të rifillojë hapja graduale me përjashtim të disa kategorive si lokaleve, restoranteve, kinemave, palestrave etj që do të rihapen në një moment të dytë. Kjo fazë lirimi të masave shtrënguese do jetë e shoqëruar me vazhdim të masave personale  si psh mbajtja e maskës e cila është kthyer e detyrueshme për çdo qytetar në ambiente të përbashkëta.

KËSHILLA PËR LEXUESIT E DIELLIT 

Sipas Dritan Hilës, mjek kardiokirurg në Spitalin Anthea të grupit Villa Maria (GVM) Bari (Itali), në këtë moment të vështirë të përballjes me covid-19, këshilla kryesore është ajo e izolimit social, sidomos në moshat mbi 50 vjeç, dhe jo vetëm më të huajt por dhe me njerëzit e rrethit familjar pasi shpeshherë ky virus nuk tregon shenja të sëmundjes dhe kështu i heshtur mund të kalojë nëpër individë pa u kuptuar (rastet asimptomatike). Është e domosdoshme sipas doktor Hilës, në mënyrë që pandemia të kalojë pa pasoja, duhet të ruajmë largësinë nga njëri-tjetri (të pakten 1.5 m). Shumë me rëndësi është përdorimi i maskës në ambientet e përbashkëta pasi është vënë re që përdorimi i maskës e ulën ndjeshëm mundësinë e infeksionit nga ky virus vdekjeprurës. Po kaq rëndësi sipas doktor Hilës ka dhe larja e shpeshtë e duarve sidomos mbasi kemi prekur objekte që ndodhen në ambiente të përbashkëta me njerëz të cilët nuk janë rrethi ynë i ngushtë familjar. Duhet të evitohet prekja me duar e fytyrës e mbi të gjitha të pjeseve të mukozës (goje, sy) pa larë së pari duart. 

Dr. Dritan Hila gjate nje operacioni…

Filed Under: Interviste Tagged With: Dr.Dritan Hila, Interviste, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 610
  • 611
  • 612
  • 613
  • 614
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit
  • KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR
  • Kosovo Between Political Noise and the Need for Civic Clarity
  • TË FALËSH, TË MOS HARROJSH!
  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT