• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA U TAKUA ME DIPLOMATIN AMERIKAN GABRIEL ESCOBAR

July 19, 2023 by s p

Sokol Paja/

Uashington, 18 Korrik 2023 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA u takua me diplomatin e lartë amerikan z.Gabriel Escobar. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha i shoqëruar nga shefi i kabinetit Dr. Pashko Camaj dhe veprimtari i çështjes kombëtare z.Anton Raja zhvilloi një bisedë të shkurtër dhe informuese me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Gjatë bashkëbisedimit z.Berisha e ftoi për vizitë në Vatër z.Escobar dhe i garantoi se Federata Vatra do të luajë rolin e saj konstruktiv te institucionet e shtetit të Kosovës me qëllim normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, shtensionimin e situatës së tensionit, ndërtimin e një klime paqe, zhvillimi e bashkëpunimi reciprok. Nga ana tjetër diplomati i lartë amerikan z.Gabriel Escobar siguroi se në vjeshtë do të vizitojë Vatrën dhe falënderoi z.Berisha dhe Vatrën si institucion në angazhimin dhe rolin e tyre në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi me qëllim që të dy vendet dhe mbarë rajoni i Ballkanit të prosperojë drejtë paqes, zhvillimin dhe integrimit euroatlantik. Kryetari i Vatrës z. Berisha e falënderoi z.Escobar për punën e shkëlqyer dhe i theksoi se Vatra beson vetëm te zgjidhja amerikane për Kosovën.

Delegacioni i Vatrës mori pjesë në seancën dëgjimore të Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, ku z.Escobar raportoi mbi rolin e Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor.

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha, Pashko camaj, Sokol Paja

Intervistë me Dr. Vaxhid Sejdiun, mësues dhe koordinator i “Shkollës Shqipe” në Zvicër dhe kryetar i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD)

July 18, 2023 by s p

Intervistoi: Mustafë Krasniqi

(Këtu keni linkun  e videos së intervistës:    https://www.youtube.com/watch?v=5O1ptKkPzVU)

Dr. Vaxhid Sejdiu, është mësues i shkollës shqipe në Zvicër, i cili me punën e tij si mësues dhe koordinator në hapjen e pikave të reja shkollore në Zvicër ka qenë dhe është shembulli më i mirë se si punohet në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare. Me punën tij ka dëshmuar gjatë këtyre tri dekadave se është ndër mësuesit e veçantë të shkollës shqipe, i cili në vazhdimësi ka ngritur flamurin e gjuhës shqipe lart e më lart. Viteve të fundit është dalluar me angazhimin e tij në organizmin e pikave shkollore në mbarë Zvicrën. Janë hapur dhjetëra e dhjetëra pika shkollore, të cilat dëshmojnë një rritje të dukshme të fëmijëve shqiptarë në orët mësimore. Një imazh që përmban këmishë, veshje, person, mur

Përshkrim i gjeneruar automatikisht

Z. Sejdiu, A mund të na thoni se në ç ‘pozitë është shkolla shqipe në Zvicër dhe roli i prindërve shqiptarë?

Së pari ju falënderoj për ftesën dhe portalit “Ura e bashkuar”, i dëshiroj shumë suksese në komunikimin e tij të përditshëm,

Lirisht mund të themi se “Shkolla shqipe në Zvicër, është në rrugëtimin e saj më të mirë të mundshëm. Vetëm brenda 3-4 viteve kemi arritur të hapim dhjetëra e dhjetëra pika shkollore në mbarë Zvicrën duke bërë të mundshme hapjen e pikave shkollore në më se 20 kantone dhe, me synim që të jemi kudo ku interesi i mërgimtarëve shqiptarëve për gjuhën dhe kulturën shqiptare është i pranishëm. 

 Sa i përket prindërve shqiptarë, mund të themi se ky rrugëtim nuk mund të mendohet pa prindërit shqiptarë edhe pse ne nuk i ndajmë, ne i përfshijmë të gjithë mërgimtarët shqiptarë kudo ku janë sepse shkolla shqipe është e të gjithëve dhe si e tillë shumë e rëndësishme për vazhdimësinë tonë, ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare, identitetit kombëtar në vend të huaj. Thirrja jonë “ejani ta bëjmë shkollën shqipe” ju drejtohet të gjithëve pa dallim sepse vetëm në këtë mënyrë mund të shëmbëllejmë me arbëreshët tanë, të cilët mund të merren si shembulli më i mirë i përkushtimit për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare.

Si erdhi deri te kjo përpjekje, e cila u kurorëzua me “Shkollën Shqipe” duke na fol në pika të shkurtra për aktivitetin tuaj në lidhje me mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Zvicër, gjatë viteve të fundit  2019- 2023.

 Bazuar në statistikat zyrtare, në Zvicër ka një numër mbi 35 mijë fëmijë të moshës shkollore që i përkasin diasporës shqiptare.  E kemi thënë dhe e themi se ndër vite, masivizimi i mësimit të gjuhës shqipe ka qenë problematik. Mungesa e reformave brenda shoqatës ekzistuese Lapsh-it për Zvicër, ku në 15 vitet e fundit, numri i nxënësve që mësojnë gjuhën shqipe pësoi një rënie drastike, ku në 16 kantone të Zvicrës nga 26 të tilla nuk mbeti asnjë nxënës.

 Pra thjeshtë  “Shkolla shqipe” në Zvicër u krijua në gusht të vitit 2019 si një përpjekje për ta ndryshuar gjendjen në të cilën ndodhej mësimi në gjuhën amtare dhe sot ajo është një histori suksesi, është një vlerë e shtuar, e cila në gjirin e saj ka 39 mësues/e të cilët i mbajnë orët mësimore në më se njëqind shkolla, në mbarë Zvicrën. Të gjitha adresat e shkollave janë të publikuara në faqen zyrtare të Shkollës shqipe Zvicër.

Z. Sejdiu Ju jeni një ndër mësuesit që keni punuar më se dy dekada e më tepër në shkollat shqipe si dhe vazhdimisht keni qenë në mesin e mësuesve, që keni pasur dhe keni numrin më të madh të nxënësve, njëkohësisht jeni edhe koordinator i rrjetëzimit të shkollave shqipe në Zvicër, mund t’na thoni, nga i tërë ky vullnet dhe si ja arrini!

 Përhapja e diturisë në gjuhën amtare ka qenë dhe mbetet një nga dëshirat e mija kryesore në jetë. I lindur në një qytet, në Kumanovë, ku gjuha dhe mësimi shqip në vazhdimësi ka qenë i shënjuar nga aparatin shtetëror i atëhershëm dhe i tashëm. Dhe si shumë bashkë veprimtarë të mi jam munduar që gjuhës shqipe t`i bëj vend aty ku jam, apo thënë më mirë aty ku janë shqiptarët me qëllim që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën amtare. Asnjëherë nuk jam pajtuar me kryesinë e Lapshit për Zvicër, për shpirtngushtësinë për pasivitetin brenda shoqatës dhe mos hapjes rrugë të të gjithëve për të kontribuar në sensibilizimin e prindërve shqiptarë në mërgatën shqiptare, me qëllim që një ditë të kemi sa më shumë shkolla, sa më shumë nxënës dhe natyrisht gjuha shqipe në vendin e saj të duhur.

Këta fëmijë që lindin dhe rritën larg atdheut mund të themi se rritën në sistem të përsosur arsimor siç është Zvicra por pa gjuhën shqipe ata mbesin analfabetë në gjuhën amtare, për gjuhën e nënës, që lenë shumë për të dëshiruar.

Z. Sejdiu ju jeni edhe kryetar i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë, mund t’na flisni për misionin, vizionin dhe veprimtarin e saj, për gjatë tri viteve?

– Po, unë jam kryetar i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë, apo siç i themi shkurt KKAD-ja, një grupi mësuesish të dalluar në mërgatën shqiptare. Mësues/e si Anila Kadija në Londër, Teuta Tabaku në Turqi, Miradije Berisha në Austri, Mustafë Krasniqi dhe Isuf Bytyçi në Gjermani, Mira Shehu në Kanada, Aurela Konduri në Greqi, Melita Oreshkoviç në Kroaci, Dritan Mashi në Itali, Qemal Zylo në ShBA, Michelle Greco tek arbëreshët  e Italisë, Musa Pali etj., të cilët në vazhdimësi kanë qenë dhe janë të dalluar në përpjekjet e tyre në përhapjen e diturisë në gjuhën amtare jo vetëm në vendet ku punojnë dhe veprojnë, por edhe më gjerë.  Një grup mësuesish vullnetarë, të cilët mundohen me çdo kusht të përballen me sfidat e njëpasnjëshme në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare.   

Në rrugëtimin tonë trevjeçar dëshmuam vlerë profesionale, vlerë kombëtare duke fituar besimin dhe respektin e shumë institucioneve, e shumë veprimtarëve, e shumë e shumë kolegëve në mbarë botën shqiptare.

Në rrugëtimin tonë detektuam një mori problemesh të mësimit plotësues në Diasporë duke sensibilizuar pothuajse të gjithë faktorët në Atdhe dhe në Diasporë. Idetë tona për njehsimin e shkollave shqipe, për tekstet e përbashkëta, për një program të njëjtë mësimor u bënë pjesë e rendit të punës të institucioneve tona, e takimeve, e konsultave dhe programeve të ndryshme.

 Z. Sejdiu sa keni bashkëpunim me institucionet tona, të Shqipërisë dhe Kosovës dhe ku janë synimet e juaja si KKAD?

Puna për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë bazohet në Strategjinë e përbashkët të Mësimit të gjuhës shqipe në Diasporë të qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës si dhe akteve ligjore e nënligjore

Një bashkëpunim shumë i dobishëm shihet me Ministritë përkatëse dhe veçanërisht me Qendrën e Botimeve për Diasporën.

Padyshim qëllimi ynë është që me punën tonë, me këshillat tona në shërbim të njehsimit të shkollave shqipe të jemi aty ku ka nevojë siç është rasti në Tiranë dhe në Prishtinë, në takimet apo konsultat, të cilat trajtojnë tema rreth organizimit të mësimit në Diasporë.

Por, sa i përket bashkëpunimit me institucionet tona mund të shtojmë që ndihmesa, përkushtimi dhe bashkëpunimi me ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Zvicër, është ajo që duhet të jetë me të gjitha institucionet tona. Ambasada e Shqipërisë, jo vetëm që e ka vënë stafin e saj në dispozicion të “Shkollës Shqipe” në Zvicër, por mundohet në të gjitha pikëpamjet të na ndihmojë. Ajo po ashtu ka vënë edhe emrin e vet në shërbim të punës administrative me institucionet zvicerane dhe në sigurimin e klasave në bazë institucionale. Pra një shembull që duhet ndjekur edhe nga të tjerët.

Për fund z. Sejdiu, çka mund të shtoni, në lidhje me mësimin plotësues të gjuhës shqipe, dhe a e shihni ndonjë rrezik për asimilimin e fëmijëve shqiptarë të mërgatës?

Diçka të veçantë nuk kam, por ato që i kemi thënë deri më tani, të bëhemi bashkë dhe të veprojmë në shërbim të gjeneratës së re, me qëllim që mijëra fëmijë shqiptarë të mos mbeten nesër pa gjuhën e nënës.

Komunikimi me prindërit për të dërguar fëmijët e tyre në shkollat shqipe duhet të jetë i përhershëm dhe intensivë

Përballja me një mentalitet të gabuar sipas të cilit mendohet se fëmijët pengohen( mbinkargohen) në procesin e integrimit te tyre, në vendin pritës; Që ne mendojmë se është gabim dhe natyrisht kryefjalë duhet të jetë  ndërgjegjësimi i përgjithshëm mbi domosdoshmërinë e edukimit në gjuhën amtare…

z. Sejdiu, në përmbyllje të intervistës a mund të na flisni  a mund të na flisni për seminarin kombëtar, që do të mbahet më 31 korrik dhe 1 dhe 2 gusht në Vlorë?

Tani unë dëshiroj që përmes kësaj interviste, nëpër mjet portalit “Ura e Bashkuar”, që numri i lexuesve në kuadër të portalit po rritet gjithnjë e më tepër. Dëshiroj të përcjellë një porosi dhe natyrisht do t’i përgjigjemi pyetjes tuaj rreth organizimit të seminarit që mbahet sivjet në Vlorë. Mësimi i gjuhës amtare për fëmijët e diasporës shqiptare nuk është diçka e thjeshtë, për ta lënë pas dore apo për ta prolongua, apo për ta lënë për dikur më vonë. Por, përkundrazi është një detyrim moral dhe kombëtar. Ne duhet të jemi të gatshëm në çdo kohë të punojmë në shërbim të një organizimi sa më të mirë të këtij lloj mësimi, sepse është shumë i nevojshëm për fëmijët të cilët jetojnë në mërgatë. Është thënë dhe thuhet: “Një njeri që nuk i njeh rrënjët e veta është shumë i vështirë të integrohet dhe të hedhë rrënjë në një mjedise të huaj” dhe mbi të gjitha e kemi thënë dhe e themi se gjuha dhe kultura kombëtare është detyrim moral dhe kombëtar. Prandaj duhet të veprojmë bashkarishtë dhe në këtë drejtim KKAD-ë, por edhe ne mësuesit nga të gjitha shoqatat ekzistuese nga mbarë mërgata, ju jemi shumë mirënjohës institucioneve tona, që sivjet organizojnë seminarin e mësuesve në Vlorë. Ku natyrisht do të bashkëbisedojmë  dhe debatojmë në dobi të organizimit të mësimit sa më të mirë të mësimit plotësues në diasporë. Numri i mësuesve të cilit do të marrin pjesë, sipas njohurive që kemi është i konsiderueshëm dhe si i tillë duhet të jetë; Janë pjesëmarrës po thuajse nga të gjitha shtetet, aty ku zhvillohet mësimi në mbarë botën dhe do të jenë prezent në nënorganizimin e institucioneve tona, të dy Ministrive ton, të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës dhe si i tillë është i dobishëm për ne. Këtu, do të mundohemi t’i themi të gjitha gjërat të cilat i kemi përjetuar gjatë tërë këtij vitit shkollor dhe natyrisht të shtrojmë kërkesa reale, për realizimin e tyre për vitin e ardhshëm shkollor

Për ta përmbyllur këtë intervistë, do të shtoj edhe këtë pyetje: Çfarë është porosia e juaj për bashkëkombësit, institucionet tona dhe prindërit që i kanë fëmijët për shkollën shqipe dhe nuk i dërgojnë për ta vijuar mësimin plotësues në gjuhën shqipe?

Shumë e thjeshtë, askush nuk ka të drejtë t’ua kufizojë fëmijëve të drejtën për të mos i vijuar mësimet në gjuhën amtare, sepse vijimi në mësimin në gjuhën amtare e kanë obligim prindërit, që t’i këshillojnë fëmijët e tyre dhe të kujdesën për ta, që ata të vazhdojnë ta mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën e të parëve të tyre, gjuhën e atdheut të tyre. Në këtë drejtim të gjithë prindërit duhen të bëhen bashkë dhe të jenë ma të kujdesshëm në bashkëveprim me qëllim të regjistrimit e të gjithë nxënësve për vitin e ardhshëm shkollor. Në këtë rast, unë përveç që kam porosi që regjistrimin e fëmijëve është detyrim, kam edhe një porosi që të veprohet sa më shpejt sa nuk është bërë vonë. Sepse dikur mundësit dhe rrethanat rezultojnë që numri i madh i fëmijëve të mbeten pa gjuhën e nënës dhe ky do të ishte një dëme i madh kombëtar.

Shpresoj në këtë vit shkollor të kemi më shumë nxënës dhe të kemi një vetëdije më të lartë te prindërit shqiptarë, por dhe ne mësuesit të punojmë më tepër dhe të angazhohemi, me qëllim që të bashkëveprojmë dhe të bashkëpunojmë në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare.

Në fund faleminderit për ftesën, bashkëbisedimin dhe juve ju dëshiroj shumë suksese!

Filed Under: Mergata

Ministrja Balluku,  TEC-et lundruese dhe heshtja e opozitës

July 18, 2023 by s p

Gezim Zilja/

Dy termocentralet lundruese janë marrë me qira për një periudhë dy-vjeçare nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) kundrejt një vlere prej 336 milionë euro.Të dy TEC-et lundruese kushtojnë 20 milionë dollarë. Qeveria shqiptare do t’i paguajë kompanisë amerikane Exclerate Energy 45 milionë dollarë qira ( 63 mijë dollarë/ dita) dhe firmës Renco 22,5 milionë dollarë (31,5 mijë dollarë/dita)  për ofrimin e shërbimit për instalimin, funksionimin dhe mirëmbajtjen e TEC-ve. për dy vjet. Deri tani llogaritet që qeveria shqiptare t’i ketë paguar dy shoqërive rreth 20 milionë euro pa prodhuar asnjë ditë energji. Ndërsa për inceneratorët po hetohet nga SPAK-u për TEC-et lundruese ka një heshtje varri. Opozita (Foltore + Vulë) në qendër dhe në Vlorë për këtë problem nuk pipëtinë fare. Ka diçka që nuk shkon këtu. Ose TEC-et kanë filluar punë dhe këtë e di vetëm opozita ose vet opozita ka ndonjë lidhje me TEC-et që e kompromenton prandaj nuk ndihet. Në zgjedhjet locale opozita nuk e zuri fare në gojë këtë aferë korruptive dhe gjëmën mjedisore që i bëhet Vlorës turistike dhe banorëve të saj, me vënien të punë të TEC-ve.  Po botoj më poshtë disa deklarata të Ministres Balluku lidhur me dy TEC-et e ankoruara në Triport të Vlorës qysh më 9 shtator të vitit 2022. Në to shihet qartë papërgjegjshmëria dhe lehtësia me të cilën shpërdorohen paratë publike. 

Më 29 korrik, 2022 Balluku, deklaroi: “Të dy TEC-et lundruese janë të pajisura me certifikatën e Bankës Botërore për të sqaruar edhe publikun, sa i përket ndotjes ambientale, pra plotësojnë të gjitha kushtet sipas kritereve të BB-së.” Në përgjigjen që dha Emanuel Salinas, menaxheri i Bankës Botërore për Shqipërinë përgënjeshtroi (Tetor 2022) Ballukun duke pohuar se “ Banka Botërore nuk certifikon këto objekte në asnjë vend të botës.” Pra Ministrja gënjeu ditën për diell popullin shqiptar.

Më 16 shtator 2022, shtatë ditë pasi erdhën TEC-et, ajo deklaronte plot pompozitet dhe krenari: “Në 1 janar ( Viti 2023. Shën. im) ne fillojmë me shtimin e kapaciteteve me 114 megavatorë që janë dy anijet prodhuese të energjisë elektrike.” Po vjen sërish shtatori dhe energji ende nuk  është prodhuar.

 Në 13 dhjetor të viti 2022, duke parë e vizituar vjetërsirat gjithë ndryshk të prodhuara 26 vjet më parë, deklaroi:“Ne do të vazhdojmë gjatë muajit Janar dhe gjatë muajit Shkurt të fusim në prodhim dy anijet prodhuese të energjisë elektrike që tashmë ndodhen të stacionuara në Triport.” Një janari u shty në fund shkurti dhe nuk u kërkua ndjesë. Po problemi është shumë më i madh. Në bilancin e vitit 2022, në janar  Balluku do të deklaronte sërish “Ne tashmë kemi dy njësi gjeneruese të cilat janë gati për prodhim, por duke qenë se kaskada sot është në parametra optimalë, nuk është momenti për t’i ndezur. Por sigurisht do të fillojnë të përdoren në momentin më të parë që ne do të kemi nevojë.” Pra as në janar as në shkurt, as në korrik 2023 por kur të kemi nevojë dhe këtë e di vetëm Balluku.  Në këto deklarata,  kuptohet se ato mund të mos përdoren fare dhe paret publike të derdhen në xhepat e hajdutëve. Këtë vit shirat ishin më bollëk kështu që TEC-et nuk u ndezën fare ama dy shoqëritë paguhen plot 94.5 mijë dollarë në ditë në bazë të kontratës. Si mund të ndodhin veprime të tilla ku dhjetëra milionë dollarë paguhen pa marrë asnjë shërbim? Ngaqë Exclerate Energy është shoqëri amerikane dhe e TEC-et i vizitoi personalisht ish ambasadorje Kim? Po aty po vidhet ditën për diell paraja e shqiptarëve… 

PS.Shqiptarët presin nga drejtësia shqiptare të përfundojë hetimet për inceneratorët dhe të fillojë hetimet sa më shpejt me tenderat e rrugëve dhe koncesioneve në shëndetësi. Po me TEC-et e Vlorës kush do të merret? Kush ka firmosur kontratat dhe kush i lëvron faturat? Nëse do të hetohet do të zbulohet një gropë fekalesh që do kutërbojë Shqipërinë deri në Amerikë.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Gezim Zilja

Major League Soccer (MLS)në një natë magjike”Prezantohet Leo Messi”

July 18, 2023 by s p

David Beckham:” Leo, ne jemi shumë krenarë që ju keni zgjedhur klubin tonë për fazën tjetër në karrierën tuaj”.

Leo Messi:” Unë kam të njëjtën dëshirë, të fitoj”.

Kampioni i Botës pritet të jetë në fushë me datën 21 korrik,

Pergatiti Albano Kolonjari

Eshtë një ëndërr për këdo që të ketë lojtarin më të mirë në botë në ekipin e tyre. Tifozët e Inter Miami tashmë janë duke ëndërruar. Koha e keqe që pushtoi Miami nuk pengoi rreth 18 mijë tifoze të mbushin shkallët e stadiumit në këtë event të veçantë. Në një fjalim të shkurtër në spanjisht, Leo Messi, falënderoi mbështetësit dhe tha se, “Unë kam të njëjtën dëshirë që kam pasur gjithmonë të garoj, të fitoj, dhe të ndihmoj klubin të vazhdojë të rritet”. Sulmuesi argjentinas fitues i Kupës së Botës ju bashkua klubit të Inter Miami në Major League Soccer (MLS) me një marrëveshje 2 vjecare dhe do të luaje deri në fund të vitit 2025. Messi do të ketë shok skuadre edhe mesfushorin mbrojtës Sergio Busquets – me të cilin ka luajtur tek Barcelona . Mesohet se Sergio Busquets, ka nënshkruar për Miami deri në vitin 2025. Busquets, gjithashtu, u zbulua zyrtarisht gjatë ceremonies të dielës mbrëma. Messi hyri në fushë dhe u prezantua si “numri 10 i Amerikës, dhe numri 10 më i mirë në botë”. “Jam shumë i lumtur që kam zgjedhur të vij të luaj në këtë qytet me familjen time, të zgjedh këtë projekt dhe nuk kam dyshim se do ta shijojmë shumë.Do të kalojmë mirë dhe gjëra shumë të mira do të ndodhin”. Ngjarja me e madhe ne MLS, u komentua edhe nga Don Garber, komisioneri i Major League Soccer, i cili tha se “dikush me statusin e Messit që zgjidhte të luante në MLS eshte një “moment transformues” dhe kjo do t’i tregoje botës se Amerika është një komb qe e do futbollin”.

Garber shtoi: “Kanë kaluar kaq shumë vite për të zhvilluar këtë ligë dhe tashme kemi nje lojtar me fame në skenën globale, dhe kjo është një natë shumë e rëndësishme për ne.”

Stadiumi DRV PNK në Fort Lauderdale është stadiumi i përkohshëm i Inter Miami dhe ka një kapacitet prej 18,000, duke e bërë atë më të voglin në MLS së bashku me Parkun PayPal të San Jose Earthquakes në Kaliforni. Messi u largua nga kampioni francez Paris St-Germain në fund të sezonit 2022-23, pasi shënoi 32 gola në 75 ndeshje gjatë një periudhe dyvjeçare.Ai hodhi poshtë ofertat fitimprurëse nga vendet e tjera për të luajtur në SHBA – dhe kjo është hera e parë që ai do të luajë për një klub joevropian.

Bashkëpronari i Inter Miami, David Beckham përshëndeti nënshkrimin e Messit si një “ëndërr të realizuar”. “Leo, ne jemi shumë krenarë që ju keni zgjedhur klubin tonë për fazën tjetër në karrierën tuaj”, tha ai.Pronari kryesor i Inter Miamit, miliarderi amerikan Jorge Mas, e quajti Messin “lojtarin më të mirë që ka veshur këpucë”. Messi pritet të jetë i disponueshëm për të luajtur për Miami kundër skuadrës së LIGA MX, Cruz Azul më 21 korrik në ndeshjen e tyre hapëse të Kupës së Ligës. Ai ribashkohet me ish-trajnerin e tij të Barçës dhe Argjentinës, Gerardo Martino, pasi 60-vjeçari u emërua menaxher në qershor pas shkarkimit të Phil Neville Ardhja e Messit në SHBA është pritur me një pritje të ethshme nga tifozët e Inter Miamit, të cilët kanë filluar të luajnë në Konferencën Lindore të MLS-së vetëm në vitin 2020. Në qershor, raportet thanë se Messi iu ofrua një marrëveshje nga klubi i Arabisë Saudite Al-Hilal me vlerë 1.5 miliardë dollarë për tre vjet, por ai vendosi te luaje ne USA.
Photo: https://us.marca.com/soccer/mls/2023/07/17/64b49720ca4741e00e8b4572.html

Filed Under: Sport

GRUAJA FATALE…

July 18, 2023 by s p

Nga Mark SIMONI/

Qytetin e saj imagjinar, të ndërtuar me lirika, na ka sjellë këtë radhë Lulëzime Malaj nëpërmjet librit interesant “Gruaja me këpucë të kuqe”. Një urbanistikë e veçantë fantazishë, rrugë të pafund ndjenjash, godina mbushur me ngjarje dhe subjekte poetike, fasada që llamburisin nga figurat e bukura letrare, ka ndërtuar kjo poete. Sa herë që hap një fletë poezie duket sikur shtynë porta vendesh plot ngjarje dhe përsonazhe. Dikund letrat e verdha të pa dërguara prej vitesh rrijnë të heshtura në raftet e postës, pak më tutje një pallto brenda së cilës mungon i zoti i saj, atje tej një kitarist i vetmuar që këndon poshtë ballkonit të Anës, pak më tutje një baba që kthehet i dehur në shtëpi dhe nëna bërë sa një dorë, tek një kthesë xhaketa e njeriut i vishet një manekini, mbi kokë të qytetit hëna e sëmurë nga vetmia, në ballkonin e shtëpisë së vjetër u kthyen përsëri dallëndyshet, dikush që kupton se në regjistrat e zogjëve ka veç vaje, atje larg në stacionin e vetmuar mbërrijnë parreshtur urbanet por me asnjërin nuk mbërrinë ti, atje tek mëhallat e vjetra plot thashetheme, gratë me shtiza, një sarahosh që tund rrugëve shishen e pijes si të qe një marinar i vjetër, tek një shtëpi digjet shamia e beqarit, një letër e dashur për vëllain që sillet mbi qiellin e memorjes së poetes, nëna që thurë një xhaketë me kuadrate, një këmbë e drunjtë që kërcet mbi çatitë, pranvera që mbush një këpucë plot lule, dhe dikund në një sallë shfaqjesh ku asnjëherë nuk erdhi ai që kishte biletën në karrikën 20. Dhe kudo ndjehen tek kërcasin e vezullojnë këpucët e kuqe me taka të gruas fatale, mbi të cilën ra dora e ashpër e paragjykimeve dhe dhunës. Poezitë e Autores Lulëzime Malaj janë tepër delikate, fine, të hajthme, gati transparente, të bardha si fajancat, fragile, lirika ku dallohet pak dramë në periferi të tyre, ku në tërë atë botë të madhe ndjenjash diçka dhemb, në gjithë ato bukurina ka një lëngatë të lehtë të autores dhe përsonazhit poetik, ka ca trishtim dhe dhimbje, pak vuajtje dhe pritje dhe ikje të pafund. Ky libër i veçantë nuk ka lirika monokrone, me energji të njëtrajtshme, nuk ka peisazhe të romanticizmit bukolik, por ka vargje me energji, mbushur imazhe dhe përfytyrime, shkruar prej frymëzimesh dhe fantazishë, me figura letrare me masë, aq sa duhet për të mos e sheqerosur poezinë në tejngopje. Poetja është e vetdijshme për misionin e saj poetik, ka një maturi racionale, shkruan saktë dhe me kujdes, duke i artikuluar qartë mendimet e saj, dhe vënë në këto poezi mjete të zhdërvjellta komunikimi me lexuesin. Lulëzime Malaj ka një intuitë leksikore të mprehtë në përdorimin e një fjalori funksional që u shkon përshtat lirikave. Ajo ka marrë në gardarobën e raftit të artit të fjalës, pikërisht bash ato fjalë që ia zbukurojnë lirikat e saj, u japin atyre energji, imazhe, akustikë, muzikalitet, rima dhe ritme. Tërë kjo na sjellë në lexim lirikat e një poeteje që e njeh mirë estetikën, raportet dhe harmoninë e saj, figurshmërinë dhe zhdërvjelltësinë apo finesën e krijimit. Ndryshe nga mjaftë poetë që bien në grackën e idesë se rreshtimi i vargjeve të ngopur me figura është i mjaftueshëm për ta bërë poezi të bukur, poezitë e Lulëzime Malajt veç figurave kanë subjekt, secili bazohet në një fabul apo ngjarje të vogël, që e bën poezinë konkrete, të përfytyrueshme, filmike dhe me një narrativë me kuptim. Subjektet poetike janë vërtetë interesantë, mbahen mend. Ata janë shkruar me zhdërvjelltësi dhe finesë, me art dhe klas. Lulëzime Malaj ka aftësinë intuitive për të thirrur në arsenalin e saj poetik, dy regjistra leksikor atë të gegërishtes dhe gjuhën e kulturës dhe akademizmit. Ajo kalon përtej gardhit gjuhësor të saj, dhe për t’i dhënë përmasë e dimension mendimit poetik, tërheç në poezi gegnizma të till si Prajshme, Prore, Potere, apo dhe dije të saj kulturologjike si Etruske, Van Gog , Kafka, Davinçiane, Kanavacë, Ritushim, apo dhe kalke të figurshme Shporta e harresës, Vjeshtën cullake, Natë e ujshme, Gravurë, Krizantemë, Shëndrruar në arie, Akuarel pranveror etj. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta përshëndesim poeten Lulëzime Malaj për këtë libër interesant dhe të veçantë që na ka sjellë!

(Ese rreth vëllimit poetik “Gruaja me këpucët e kuqe” i Autores Lulëzime Malaj)

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1762
  • 1763
  • 1764
  • 1765
  • 1766
  • …
  • 2982
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT