• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Studiues austriakë e shqiptarë në Austri

January 24, 2023 by s p

Hazir Mehmeti/

Ndërsa shfleton këtë libër, përjeton  menjëherë një mini enciklopedi  mbushur me ngjarje, personazhe,  fotografi, dokumenta, art,   të cilat flasin për kontributin e studiuesve austriakë për\ dhe mbi \shqiptarë, të shpërndarë në kohë dhe hapsirë, por  në brendësi  të  kapitujve, na përcjellë disi më thellë  ndaj këtij vëzhgimi emirik e fotografik. Si rrathë danteske  përfshihen  nën kapituj, që përmbajnë një vastë të gjerë tematikash ; etnia  shqiptare autokton në territorin e saj, gjuha shqipe si një nga gjuhët më të vjetra të njerëzimit,  copëtimi i Shqipërisë dhe shakatarët e saj,  gjenocidi  serb mbi popullsinë shqiptare, rregjimi komunist dhe viktimat e tij,  diaspora, ekselenca e saj në Austri dhe kontributi i saj në   ruajtjen e identitetit  dhe të gjuhës shqipe.  

Struktura e librit; ka një renditje  asimetrike në kohë dhe hapësirë dhe e rradhitur në formën e një Antologjie. Gjuha  me të cilën janë  shkruar këto përmbledhje përmban  një stil jo pompoz,  informativ- narrativ-citues- kulturor,  i thjesht, depërtues dhe fotografik për lexuesin. 

Përmbajtja 

Libri hapet me  një citim të Fan Nolit –

     “I vetmi shtet që ka mbajtur një politikë të mënçur në Shqipëri ka qenë Austria merhume e               Hapsburgëve…. S’duhet  t’ia hammë hakun!” 

Shpesh thuhet se, për ne shqiptarët  nuk egziston koncepti i “ i huaj”, për faktin se ne shqiptarët të karakterizojmë  në “Mik”, dhe “Armik” dhe në fakt për ne shqiptarët nuk ekziston kombësi, për ne  je o mik ose je armik . Mikut nuk i hamë hakun, mikun  nuk e presim  në besë, dhe  mirënjohjen për të  e kemi gjithë jetën. 

Më tutje Fan  Noli në  analizën e tij vijon: 

…”Ja kush ishin Arsyet e suksesit që Austria arriti të na mbronte deri diku nga fuqitë e mëdha.

a)Austria bazonte politikën e saj mbi Shqiptarët nacionalist.

b) Austria ngarkonte me punët e Shqipërisë ata njerëz që e dinin shqipen më mirë se çdo arnaut! “

Është pikërisht binomi “shqipja” dhe miku”,  çelsi i leximit të përmbledhjes të këtyre faqeve .

Dritare të tjera hapen dhe pyetje të njëpasnjëshme lindin kur vazhdon e lexon gjithë ata studiues, hulmtues, filozof, albanolog gjermanë dhe austriakë që  dhanë kondributin e tyre të madh në fushë të alabanologjisë. 

Pse pikërisht kaq shumë studiues të Austrisë lëvruan në këtë degë? 

  1. Ndoshta, sepse  Austria e dinte shumë mirë që gjuha shqipe ishte gjuha më e lashtë në Europë, gjë  e cila konfermon atomatikisht se ky popull ishte autokton në trojet e tij!? 
  2. Ndoshta…përgjigjen autori na i përcjellë nën forcën e sinergjive të vargjeve Naim Frashëri. 

Gjuhë  që fletë ky popull  flisjin Perënditë 

Atë flisjin Pellazgjitë… 

Greqishten ajo e polli 

Llatinishtja andej dolli …

Shpesh nga studiues shqiptar dëgjojmë të thuhet se Rilindësit ekzagjeronin vërtetësinë e fakteve dhe çështjes mbi gjuhën shqipe për shkak romaticizmit që i karakterizonte, por  autori Hazir Mehmeti,  si një “comparat”,  vendos në paralelizmë me vargjeve e Naimit  deklaratën s  albanologut, studiuesit, diplomatit gjerman Johan Georg Von Han,  në  “Studime shqiptare, Jena 1954;  Shqipja rrejeth nga Ilirishtja e cila në vetvete ishte gjuhë pellasgjike.

Lind pyetja: Nëse rregulla e treshit në matematikë është e vlefshme, si ka mundësi që nuk është e tillë kur ndjekim  llogjikën  se; nëse gjuha  rrjeth nga ilirishtja, dhe  ilirishtja është me prejardhje pellazgjike, atëherë përse nuk pranohet që gjuha shqipe rrjedh nga pellazgjikja?.  

Dinastia e Hasburgëve ishte një dinati  iluministe, para se të sythonte humanizmi në Europë. Kjo dinasti kishte  një vizion shumë të përparuar përsa i përket kulturave të kombeve përfshirë edhe atë shqiptare dhe për këtë shumë studiues prekën territorin. 

I pari studjes rezulton  Arnold Von Harff(1471-1505)  i cili më 1491( një vit para se të zbulohej Amerika)   përshkoi  nga Ulqini deri në Sazan dhe  krijoji fjalorin me 26 fjalë.. 

Më vonë kemi  hisorianin gjerman Johannes Thunman  krijoi  Veprën e tij “Hulumtime mbi historinë e popujve  të Europës lindore më 1774.  Jemi në periudhën  kur në Itali  në pushtet  është   papa me origjinë shqiptare i cili nuk është indiferent ndaj mësimit në  gjuhën shqipe, dhe vendos të hapi në  1732  Kolegjin “Corsini”, i cili për shkak të numërit të madh të shqiptarëve në këtë kolegj  trasferohet  në 1794 në San Demetrio Corona\ Cosenza\Itali  dhe interesi për sudime albanoogjike shtohet. 

Do të jetë historiani  austriak Jakob Filipp Falmerajer (1790-1861) i specializuar në periudhën bizantine  që do ti interesoj tema e Moresë dhe  do të shkruaj mbi Morenë: Historia e Gadishullit të Moresë gjatë mesjetës dhe Elementi shqiptar në Greqi, Munshen 1857-1861. 

Një  tjetër mik;  udhëtar, kronist, ulumtues, do të përshkonte territorin e shqipes, dhe ai është  Pedersen, i cili  këto kujtimet  do ti shtronte në dy veprat e tij,“Udhëtimet në viset e Drinit dhe kulturës shqiptare”  si dhe  vepra “Udhëtime nga Beogradi deri në Selanik”,  ku shpreh  hapur autoktonia e popullit shqiptar. 

Autori informon me personalitete me origjinë shqiptare që kanë dhënë një ndihmesë konkrete në zhvillimin ekonomik, art dhe kulturë në Austri,  informacione që shpesh nuk i gjejmë në tekstet shkollore  . Figurat si  Giorgio Basta, governator i Vjenës  ( 1550- 1607) komandant i ushtrisë gjermane në Austri, Karl Gega inxhiniri i rrugës hekurudhore Simeringut i cili rradhitet ndër 100 austriakët më të mëdhenjë përfshirë këtu Moxart, Froidin,Kafka etje.  Alexander Moissi 1879-1935,  me tonalitetin e zërit  dhe përfshirja në rolet e tij të sukseshëm si ajo Hamletit, bëri këtë artist me origjinë shqiptare të famshëm  në skenat e teatrit  Gjerman.

Edhe sot  janë një mori figurash të shquara austriake sot për sot në hulumtime albanologjike;  Wilfred Fiedler, me vëllimin e tij “ Këngë Çame” , apo vepra e tij madhore “Sistemi foljor i shqipes në gjuhën e Gjon Buzukut,  Kurt  Gostenschnigg  studiues  në kërkimet albanologjike, Basil Schader Prof, Dr me aktivitetin e tij në Zyrih,  Peter Paul Wiplinger, publicist, kulturë, art dhe fotograf.  

Shqiptarët ishin miq të ebrejve. 

Historia ka rrëfyr se si shqiptarët mbrojtën dhe shpëtuan me qindra e qindra ebrej. I vetmi vend në Europë që nuk dorëzuan ebrejtë.   

Përmendim këtu dy personalitetet me origjinë ebrej të madhin Norbert Jokli, themeluesi i studimeve albanologjike dhe Robert Shwarz me origjinë edhe shqiptare prej nënës.  

Rradhitja e presonazhve  në këtë libër i ngjan një piramide sa sublime aq edhe  astronomike.  

Në bazë të kësaj piramide  qëndrojnë figurat austriake,të cilat mbështetën gjuhën kulturën,  ndërsa  si planete rreth tyre, janë kontributi i shqiptarëve e në të gjithë këtë kozmo, bie në sy mirnjohja e autorit  për  rolin pozitiv të Austrisë mbi çështjen shqiptare, por mbi të gjitha detajet dhe renditja e informacioneve  në këtë libër flasin një himn atyre bashkëatdhetarëve të autorit që dhanë një kontributë për atdheun e tij, për gjuhën  dhe kulturën shqipe, për të gjithëata që nuk u kursyen për të mbajtur gjallë emrin  shqiptar 

Shpesh dëgjojmë  shumë kritikë të cilët thonë që historinë tonë e shkruan të huajt.

Në fakt të njëjtën gjë mund të themi  edhe  edhe për gjuhën tonë shqipe, që e studjuan  e vlerësuan më tepër të huajt se sa ne vet shqiptarët. Ishte lbanologu austriak Gustav Meyer(1859-1900) që përpunoi i pari  Fjalorin  etimologjik, botuar në Strasburg më 1891,  fjalor i cili përmban 1540 fjalë, ndërsa  themeluesi i filologjisë shqipe  konsiderohet studiuesi tjetër Austriak, filologu  Franc Xaver Ritter Miklosich. 

Studiuesit Austriak e njihnin rëndësinë e gjuhës shqipe  

Nëpërmjet veprave të  veprave të studjuesve austriak  se ata e dinin shumë mirë rëndësinë e kësaj gjuhe, të lashtë sa vetë njerëzimi, dhe mbi madhështinë e tij lexojmë deklaratën e Maximilian Lambertz 1882-1963: 

  • Historia e plot e njerëzimit  do të shkruhet atherë kur shqiptarët  të marrin pjesë në shkruarjen e saj”

Mendoj se kjo deklaratë  nuk vetëm  një  shënjë fisnikërie dhe sublime   siç është gjuha jonë në vetvete, por  edhe një shuplak morale për ne shqiparët që akoma nuk kemi shkruar historinë tonë të lashtë të vjetër sa njerëzimi.

Ndihma e drejpërdrejt  e Austrisë në investimin mbi kapitalin human 

Të mbash një shtet, alfa e tij është të investosh mbi kapitalin human. Këtë linjë ruajti edhe Austria me shtetin tonë të ri, të drobitur, të vobekët për shak të rolit të ndyrë të politikës së  Rusisë në  akordet me shtetin otoman tashmë i  kapitulluar ku territoret shqiptare shiheshin nga fuqitë e mëdha si një copë gjigande, Austria u mundua që ti jepte asaj  frymë nga mushkria e saj gjigande. E ardhmja janë të rinjtë, prandaj shteti austriak  gjatë viteve  1917\ 1918  nis  kontigjentet e para shqiptare nga Elbasani  në drejtim të Austrisë. Kjo arritje edhe në saj të forcave të brendëshme intelektuale, si  falë angazhimit të Luigj Kurakuqit por edhe të  Sali Butka e Hajdar Kolonja. 

Në 23 mars 1917 austriakët duke parë nevojën e madhe për mësues hapën Shkollën Normale në Shkodër, ku drejtor emërohet Gaspër Baltoja. 

Deri në Kongresin e Lushnjes sistemi arsimor në Shqipëri u mbështet  tërësisht në sistemin arsimor austrohungarez. 

Kjo periudhë në libër është evidencuar nga autori Hazir Mehmeti , me data historikë, dhe shoqëruar nga shumë figura të shquara. Ai  përmend  Hilë Mosi, Dr Nush Bushati, Çatin Saraçi, Remiz Baçe, Sokrat Dodbiba, Karl Gurakuqi, Irakli Buda, Lec Çurçia, Kolë Rrota.

Në këtë fazë  autori na informon që drejt  Austrisë  u nisën shumë  të rinjë shqiptarë me bursa  për të studjuar në universitetet austriake; Vjenë , Klagenfurt, Graz, Linz, Villah. 

Shtypi dhe organet 

 Intelektualë e student me mbrritjen e tyre në Austri gjetën liri veprimi dhe mbështetje nga  vendi Mik austriak . Autori  e plotëson këtë  pazëll  dike na bërë të ditur me shtypin dhe organet  e asaj kohe.  Përmendim Gazeta “Albanisch Correspondenze”     1912-1918 si dhe Shoqëritë e asaj kohë. Veçojmë  Shoqëria “ Dija” 12 Janar 1916;  Gazeta Vllaznija 1917; Shoqëria studentore “ Albania”; Revista “Djalëria”; Gazeta Ora e Shqipnisë; Gazeta Bashkimi Kombëtar; Revista “Dardania” me dr Skender Gashi;  “Djelli Demokristjan”. 

Gjuha, është arsyetim dhe vetëtidije, por në të njëjtën kohë  është, histori dhe kulturë. 

 “Arsimi është shpirti i një kombi” deklaronte  Hasan Prishtina (1873-1933), cili me të ardhurat e tij  siguronte mbajtjen e 10 shkollave në Kosovë  dhe të 60 nxnësve në Normalen e Elbasanit.  

Është pikërisht detyrimi  moral që kemi ndaj të gjithë atyre që shpenzuan energji ndaj  gjuhës mëmë, kulturës, dhe çështjes shqiptare, ndaj dhe autori  pa kursyer përcjellë një mori  personalitesh të njohur  dhe më pak të njohur me origjinë shqiptare që kanë frekuentuar Vienën. Përmendim;  Hilë Mosi, Gergj Pekmezi, Eqerem Çabej, Pandeli Sotiri, Eqerm Bej Vlora, Aleks Buda, Xhevat Korça, Skënder Luarasi, Pandel Sotiri,   Gasper Pali, Gasper Beltoja, Ndue Paluca, Filip Llupi, Gasper Shoshi, Hilmi Doko, Hivzi Xeka, Halit Narzani, Ibrahim Babmusta, Ismail Nishani Kodra, Izet Bibeziqi, Karl Larja, Kel Kolë Vila e shumë e shumë të tjerë 

Austria hapi dyert edhe për gratë intelektuale  

Marie Paluca Kraja artiste e popullit,  e nderuar me urdhërin Naim Frashëri  e shumë çmime e nderime të tjera. Studjuese  në Graz\ Austri dhe është  një patriote e shquar. Në formë të detajuar flet për figurën e saj edhe si patriote. Nga rreshtat e këtij libri mësojmë që ajo  Arratiset  nga burgu ku ishte dënuar për 5 vjte  dhe nëpërmjet Dalmacisë shkon e vazhdon aktivitetin e saj në Vjen .

Agni Todhri (1894-1982) Mësuese e merituar. Ishte  gruaja e parë elbasanse që studjoi jashtë vendit.

Matilda Çarkaxhiu, studioi në kolegjin e Kremsit pranë Vjenës, pas vdekjes u nderua me titullin mësuese e merituar   

Rregjimi Komunist dhe studentët e Austrisë 

Për shumë intelektualë të cilët  u kthyen nga  vendi mik Austria në atdhe regjimi u tregua i pa mëshirshëm. 

Një pjesë e tyre  u burgosën, të tjerët u internuan dhe disa  u pushkatuan. Autori rradhit një numër viktimash të rregjimit. Përmendim disa prej tyre  si Fadil Gurmani, Ethem Haxhiademi, Venermin Dashi, Kolë Margjin, Sokrat Dodbibaj, Lasgush Poradeci e shumë të tjerë e midis tyre edhe një grua Marie Taci. 

Gjenocidi  serb ushtruar mbi etninë shqiptare.

Në kapitujt e këtij libri autori Hazir Mehmeti  nuk është aspak indiferent në shtimin  e informacionit mbi gjenocidin serb ushtruar mbi etninë shqiptare. Politikë kjo e theksuar akoma dhe më tepër pas rënjes së Perandorisë Osmane. Këtë argument autori na përcjellë nëpërmjet  kronistit të asaj kohe të  sheteti austriak, Leo Freundlich  i cili me veprën e tij “ Albanische Golgota”(Golgota Shqiptare),dhe  evidencon artikullin, Die Albaneses mussen ausgerottet werden! (Shqiptarët duhet të shfarosen!) të  datës 12 nëntor  1912. 

Leo Freundlich në kronikën e tij  shkruan: 

Se në afërsi të Shkupit u masakruan 2000 shqiptar muhamedan, e jo larg Prizërenti u mbytën 5000 mijë  e shumë shqiptar janë therur nga serbët. 

Një gjenocid i tmerrshëm! Lexojmë  qart jo vetëm indinjatën, revoltën, por edhe dhimbjen dhe  padrejtësinë  që i është bërë këtij populli mbi këtë hemoragji  të shumë dekadave,  kanë mbirë vetëm lulkuqet. 

Një nga njohësit e mirë i rrethanave shoqërore, politike në trevat shqiptare  e në veçanti atyre në Kosovë ishte edhe prof Dr. Hermann Olberg. 

Tematika e mohimit të të drejtave dhe  gjenocidit në këtë përmbledhje  merr përpasa të gjera  në kohë dhe hapsirë.  

Mësojmë  mbi  një letër të e Hasan Prishtinës  së vitit 1931 ku deklaronte se   ”Afër një miljon shqiptar që banojnë në Kosovë dhe Maqedoni  nuk kanë asnjë shkollë në gjuhë amtare. Ju është ndaluar të themelojnë shkolla me mjete private.  

Nga  hulumt e  historianit të njohur Sir Noel Malcolm, në veprën e tij “Kosova a short Hystori “, shumë fakte mbi represionin serbosllav  ndaj shkollave shqipe  në ish Jougosllavi  autori  merr nga një mësues  Dr Xhevat Hasani , kryetar i mësuesve shqiptar në Austri i cili i ka përjetuar nga afër këtë represion.Po nga autori Malcolm mësojmë  se në perandorinë Osmane ishte një numër i konsiderueshëm skllavrish të krishterë por edhe një numër mysliman  për rreth 100 000 mijë nëpër Europë.  

Diaspora sot në Vjen 

Elemente  bazë i “identitetet shqiptar” në diasporë, ngelet gjuha e mëmës dhe kultura  shqiptare.  Gjuha shqipe edhe pse e reduktuar  dhe e asimiluar në shumë treva,  nuk humbet, por ngel tek ajo pjesë e shuar, si  gjuhë e martirëve dhe e shenjtorëve, e ëndërrimtarëve apo kabalistëve,  një gjuhë e pasur me zgjuarsinë dhe me kujtimin  që njerëzimi nuk mund t’i harrojë kurrë.  Gjuha shqipe  edhe sot  mban idjomën e njerëzimit 

Autori  Mehmeti  duke qenë i profilit të mësuesisë është i ndërgjegjshëm  se në emigrim\diasporë, gjuha, si çdo përbërës tjetër i kulturës materiale dhe intelektuale të një populli, është një pasuri gjigande por edhe brishtë, ndaj shumë formave të “ndotjes” për hirë të mos pasjes kontakt drejpërdjet me tokën mëmë, shkak të hibrizimit e bilinguzimit  gjë e cila po nuk u kurua paraqet rrezik  asimilimi,  prandaj së bashku me disa miq të tij morën pjesë në ngritjen si të shkollave  po ashtu të shoqërisë së Lidhjes së shkrimtarëve dhe e krijuesve shqipatrë  “ Aleksandër  Moisiu” në Austri, shoqatë kjo e gjallë, me botime, me orë letrare, e binjakëzim shoqatash të tjera motra.

Autori Mehmeti  me disa dromza na rrëfen si u njoh me  poetin  e madh Ali Podrimen, që i bashkonte jo vetëm vena artistike por  ndoshta dhe fati ku,  Vlora ( bejëza e tij) me Lum Lumin  do  të ishin në një Valcer mes reve të bardha qiellor. Eshtë krenar autori  që është takuar me Ibrahim Rrugovën,  e kush nuk do ishte. 

Ky personalitet  i quajtur “ Gandhi i Kosovës” për anti violencën që atë e karakterizonte. Autori  Hazir nuk anashkalon, por si shqiptar që është nuk harron të nderoj  mikun e madh të shqipatarëve  Albeer Rohan i cili pak kohë më parë kishte humbur jetën.

Autori  Promovon,  personalitet miq, shokë;  Dr Eqerem Zenelaj, Nuhi Bytyqit” Libri i luftës”; rrëfen për  veprën e dr Nustret Pallana Terrori i Serbisë  pushtuese mbi shqiptarët e dhjetra të tjerë.

Të rinjtë intelektual në diasporë 

Në gjuhën e popullit shqiptar  qëndron zemra e identitetit të tij,  të atij populli që ka lindur shumë përpara  se të krijonin shtetin\ kombin dhe ku gjuha përfaqëson legjitimitetin më të lartë të tij”, dhe këtë autori na e përcjell nëpërmjet autorit austriak  Holgher Pedersen  i cili citon për  gjuhën shqipe: 

Gjuha shqipe është i vetmi mjet i ndriçimit dhe përparimit moral. 

Ajo është një gjuhë e fuqishme dhe e bukur që duhet të jetë krenaria  e folsëve të saj…

Është pikërisht ky mesazh, që duhet ti arrijë diasporës. Në fakt në Austri autori na informon me shoqatën e mësuesve shqiptare si edhe me kryetarin  Dr Xhevat Hasani  human që energjitë e tij ja dedikojë  rritjes së numrit të nxënësve për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë. Një numër të konsiderueshëm nxënës mesojnë gjuhën shqipe. 

Si një shuplakë morale, autori me një “stil –nirvane”rradhitë  fjalët e Fishtës për të gjithë ata shqipfolës në mërgim që nuk u mësojnë gjuhën e mëmës shqipe:

 “Pra, Mallkue njaj bir shqyptari..” të cilat goditin me forcë çdo shqiptar dhe cdo bir shqiptari të cilët  nuk i mësojnë fëmijës që në djep gjuhën shqipe.. “ dhe ju thaftë, po, goja, që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;

Në këto faqe, autori mbështjellë në gjirin e tij  figura të rinjë e të reja  shqiptare intelektuale në Vjen të cilat jo  vetëm nuk humbën lidhjet, nuk u asimiluan por kërkojnë me çdo kusht të mbajnë gjallë botën shqiptare në gjuhë, në artë, në krijmatari, mësimdhënie si Ina Arapi,  prof  e gjuhës dhe e letërsisë shqipe në  Vjenë; Elona Kamberi  gazetare, përkthese dhe politologe; Shpresa Musaj e cila vazhdon veprimtarinë në Austri dhe merret me studime rreth prejardhjes, vjetërsisë dhe lidhjes së shqipes me gjuhët e tjera; Ardita Statovici artiste , pianiste e talentuar; Astrit Alihajdari aktor dhe autor; Eno Peçi , balerin solist dhe korograf; Fater Velaj piktor, fotograf në arenën ndërkombëtare; Shkelzen Doli, violinist. Autori skalit  në ato rreshta emrin e skulptorit Destan Gashi skulptor,  ngjyros me nuanca bukolike piktorin  Gazmend  Freitag e  spërkat me stilistikë  grimca të  oreve  letrare që zhvillojnë në Vjenë   

Vlora Mehmeti –Tërshani. Një humbje e madhe për familjen, kombin dhe shkencën. 

Autori, na sjellë për lexuesin një artikull gazete ku flitet për një figurë ekselent në Austri, një vajzë 35 vjeçe,  Vlora Mehmeti- Tërshana. Vlora, me prindër z. Hazir dhe zonjën Nexhmie, lind në fashatin Beçiq të  Drenicë nga një familje arsimdashëse.  Studimet i mbaron në Vjen. Imagjinoni këtë vajzë shqiptare, lindur në ditën e ekuinoksit të pranverës, 20 Mars, dhe njëkohësisht  né vitin   i levizjes politike për çlirimin e Kosovës (1982). Vlora që në moshë adoleshenciale niset në mërgim në Vjen. Ajo ka ide të qarta. I futet rrugës së studimeve. Dipllomohet, ndjek studimet e doktoraturës, dhe me forcat e saj brilante arrin në ekselencën shkencore të sferës mikrobiologjike në Universitetin e Vjenës. Vlora është e shkëlqyer, por jeta e saj si një orkide e brishtë në ditë acari  ndërpritet në moshën 35 e vjeçe. 

Nëse nuk do të kishte patur mbiemrin e autorit askush nuk do ta merrte vesh se Vlora  ishte e bija e  mësuesit dhe publicistit Hazir Mehmeti.  Ndoshta të atin dhimbja nuk i lejonte  falangjet e” buta”  mbi tastjerë, të shkruante për të, por ai  arriti të skaliste  mbi “alabastrën e trishtimit” vetëm emrin e të bijës,  me dy rreshta,  si një epitaf  mbi një “copë-paradis”.  U mjaftua vetëm me një dedikim ky prind, ndërsa për të tjerë shkroi me  dhjetra e dhjetra rreshta, ndoshta  se për këtë Yll, ishin arritjet e saj që flasin. 

Si të gjithë yjet, edhe Vlora  tashmë i përket qiellit. Yjet na orjentojnë, dhe Vlora është një simbol orjentimi për të gjithë të rinjtë në përgjithësi,  por në veçanti për të gjithë ata  të tjerët që janë në diasporë.  Yjet kanë karakteristikën e pavdeksisë, dhe Vlora  do të jetë e tillë, ashtu siç është edhe gjuha e mëmës që ajo fliste, të përjetshëm.  

Falenderoj  Zotin Hazir Mehmetin, për këtë punë të palodhur, të madhe në dhënin e informacionit të gjerë, si dhe për këtë kopje në  Bibliotekën  tonë A. Blluasci.  

Ornela Radovicka, 

Qëndra albanologjike,  pranë Bibliotekës A. Bellusci

Frascineto\ Cosencë\ Itali       

Filed Under: LETERSI

Art, famë e karakter

January 24, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Sa shume gjëra humbet njeriu kur përpiqet të duket…fryhet, tërhiqet pas së bujëshmes, dhe kur e kapërcen, e kupton kotësinë. Sepse nëse fama është ajo që dikush vërtetë është, ose që fillon kur talenti shfaqet, atëherë përse venitet kur personi tregon atë që vërtete është i aftë të bëjë? Fama, popullariteti ështe aksident, siç është pasuria mjet ndihmës. Vetëm karakteri vazhdon, e mund të bëjë edhe pa sukses, në heshtje, i veçuar.
Në kohë përçarjesh a mosmarrëveshjesh, kur njerëzit e kanë të vështirë të ndajnë vetë-veten nga vetë-interesi, vulgariteti bëhet mënyrë e jetës. Tërheqja e vemendjes deri në skandalitet bëhet më e rëndësishme – shpesh më fitimprurëse sesa të qenit i sjellshëm, krijues a vërtetë origjinal.Kështu ndodh edhe me librat; lexon atë të një autori të servirur, me emër, dhe shumë vonë mëson se sa shumë njeriu ka humbur duke mos i dhënë kohë leximeve të tjera. Ngjan me motin e pa qëndrueshëm ku bie shi, e shumë prane bën nxehtë, dielli djeg dheu shkrumb e etje.
Ulem e lexoj….”mos bëni naivin” thotë shkrimtari Faruk Myrtaj në tregimin “Shenjt Ndëshkues”, bisedë me veten rreth kryeveprës së DaVinçit, “Darka e Fundit”, që nuk ndodh rastësisht. Eshtë e organizuar, artisti ka punuar me vite, ka zgjedhur e përzgjedhur, madje edhe veten e ka marrë në provim. Gjithë procesi është si zbrazëtira që shtyn a tërheq si forcë rëndese. Dhe Myrtaj nuk është fatalist. E di mirë se ç’kërkon të thotë. Por kush pyet, përderisa ndjenja mbizotëron? Dhe ndalet lexuesi për të provuar se është nën kontrollin e vetes. Por më kot sepse nga Myrtaj “mjedisi është zgjedhur i qetë” që të gënjehet se është mes shenjtorëve në “darkën e fundit”, ku Leonardo rendit mjeshtërisht, pranë një tryeze “12 anëtarët + Sekretarin”. Eshtë vetëm arti që i bën ata të duken njerëzorë a të ndjellin nostalgji.
Eshtë ngjashmëria me jurinë, që i bën ata duken në prag të marrjes së një vendimi. Por shqyrtimi shtyhet, si në darkën e famëshme ku i pari hedh dyshimin dhe paralajmëron se njëri prej tyre do t’a tradhëtojë. Ashtu ishte paracaktuar, prandaj nuk vrau njeri, por veç pranoi të vetëflijohej (zgjidhje artistike a biblike, ashtu si shpesh nuk ndodh në jetë.) Edhe piktura quhet
”darka e fundit” sepse ekzekutimi është gjykimi i fundit, vetëm nder shenjtorësh, të tjerët janë të padenjë, sado të bindur, të përulur, të afërt t’a kenë ndjerë veten me “shenjtin” e tyre. Kjo është mësymje që shkrimtari Faruk Myrtaj i bën Leonardo Da Vincit për pikturën “Darka e Fundit”. Por pastaj tërhiqet, duke e bërë tjetrin të nxjerrë perfundimin se nëse Da Vinçi ‘nuk do të kishte ekzistuar, duhej të ishte krijuar veç për këtë vepër, shprehje klishe siç merret e vërteta kur përsëritet – humbet, bëhet bezdi,ashtu si njeriu në shtrat mbështjell kokën, mbyll veshët, i kthen kurrizin orës për të shmangur alarmin e zgjimit, sikur kohën don të ndalë. Fama është moskokëçarje për gjë, si ato pak minuta më tepër gjumë që përfiton, humbja a dëmi kuptohet më vonë.

Filed Under: Komente Tagged With: Astrit Lulushi

U mbajt Kuvendi i Tretë i “Shkollës Shqipe” – Zvicër

January 24, 2023 by s p

Me datë 22 janar 2023 në Bernë të Zvicrës, u mbajt Kuvendi i Tretë i “Shkollës Shqipe” Zvicër. Ky Kuvend i cili ishte ndër më të rëndësishmit u shoqërua me raporte pune të detajuara nga koordinatori dhe anëtarët e Kryesisë, me raportin financiar si dhe zgjodhi organet drejtuese të saj.

Në datë 22 Janar 2023 u mbajt në Bernë, Kuvendi i Tretë i “Shkollës Shqipe” Zvicër. Në këtë takim të rëndësishëm u analizua puna e bërë gjatë vitit të kaluar, u evidentuan rezultatet e arritura dhe identifikuan sfidat me të cilat janë ndeshur mësimdhënësit e gjuhës shqipe që veprojnë në kuadër të “Shkollës Shqipe”, si dhe u përcaktuan objektivat për vitin 2023. Kuvendi zgjodhi edhe organet e reja drejtuese të “Shkollës Shqipe”. Në këtë Kuvend i pranishëm ishte dhe Ambasadori i R. së Shqipërisë në Zvicër z. Ilir Gjoni, i cili përshëndeti dhe përgëzoi mësuesit dhe prindërit për punën e lëvdueshme që kanë bërë në masivizimin e gjuhës shqipe dhe vlerësoi lartë përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre. Ai garantoi angazhimin maksimal të Ambasadës së R. së Shqipërisë në Bernë në mbështetje të masivizimit të mësimit të gjuhës shqipe në diasporën shqiptare në Zvicër. Një vlerësim të veçantë pati për prindërit e angazhuar në mbështetje të “Shkollës Shqipe” si dhe për gjithë veprimtarët që kontribuojnë në ndërgjegjësimin e komunitetit shqiptar për domosdoshmërinë e ruajtjes së gjuhës, kulturës e traditave të bukura shqiptare.

Kuvendi filloi me një raport të detajuar nga ana e koordinatorit të “Shkollës shqipe” Zvicër Vaxhid Sejdiut, i cili shfletoi faqe pune gjatë vitit 2022; hapjen e pikave shkollore, organizimin dhe masivizimin e shkollës shqipe, sensibilizimin e prindërve shqiptarë në mbarë Zvicrën, zgjerimin e pikave shkollore në 17 kantone të Zvicrës, takimet me prindërit dhe organizimin e këshillave prindëror, angazhimin dhe përfshirjen e sa më shumë mësuesve në orët mësimore, si dhe rreth organizimit të organeve drejtuese të “Shkollës Shqipe”. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe organizimit të aktiviteteve të lira: si konkursit të diturisë, turneut të futbollit, manifestimeve shkollore kushtuar festave kombëtare 28 Nëntorit, 17 shkurtit, 7 e 8 Marsit, pjesëmarrjes së nxënësve në aktivitetet kulturore në promovimin e veprave letrare etj.
Fjala e koordinatorit u përmbyll me kalendarin vjetor, apo me parashikimet për vitin 2023, ku qëllim kryesor është zgjerimi i “Shkollës shqipe” në mbarë Zvicrën si dhe përfshirjen e sa më shumë nxënësve në orët mësimore të gjuhës shqipe. Të nderuar pjesëmarrës, ëndrra vazhdon, që të kemi sa më shumë pika shkollore, sa më shumë nxënës të jenë pjesë e orëve mësimore në gjuhën amtare si dhe të kemi sa më shumë mësues në mesin tonë tha ndër të tjerash koordinatori Vaxhid Sejdiu.

Në pjesën e parë u dhanë edhe raportet e punës të përgjegjësve kantonalë, të mësuesve Lumnije Klinaku – Neziri, e cila bëri një raport të detajuar për Kantonin e Zug-ut, të mësuese Anita Duriçit nga kantoni Wadt dhe mësuese Boralda Kuçi nga Kantoni i Bernës, të cilat prezantuan pikat shkollore, takimet, manifestimet dhe aktivitetet shkollore në këto kantone.
Në mesin e raporteve dalluam edhe raportin e përgjegjëses së sektorit për informim mësuese Nazmije Murati – Kamberit, e cila foli për përpjekjet për një informim sa më të shpejtë dhe sa më të drejtë të prindërve, rreth rolit të gjuhës dhe kulturës kombëtare të fëmijët shqiptarë, shpërndarjes ë lajmeve rreth shkollës shqipe dhe prezantimit sa më të denjë të punës dhe përkushtimit të nxënësve, prindërve dhe mësuesve të shkollave shqipe. Një material i cili u ndoq me interesim.
Raportet u mbyllën me raportin financiar, edhe pse modest, raporti u prezantua në mënyrë të detajuar për pjesëmarrësit. Të gjitha raportet u prezantuan në mënyrë elektronike.

Anëtarët e Kryesisë së “Shkollës Shqipe” Zvicër, edhe njëherë dëshmuan gatishmërinë e tyre në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare.

Dhe në fund u zgjodhën organet drejtuese në krye me koordinatorin dr. Vaxhid Sejdiun, dhe nënkryetaret Anita Duriçin, Lumnije Klinaku – Nezirin dhe Dr. Leonora Zoton, Iba Bulica arkëtare, kurse Minire Azemi, Boralda Kuçi, Nazmije Murati – Kamberi, Albulena Jusufi, Isuf Ismaili, Sejdi Rexhepi Teuta Myrtaj, Nora Macula, Alma Mico, Murtez Elezaj, Albana Kaba, Anila Muçaj, Besim Laci dhe Lazim Bakia, u zgjodhën anëtarë të Kryesisë.
Edhe njëherë mësuesit e “Shkollës Shqipe” në Zvicër dëshmuan gatishmërinë e tyre për t`i shërbyer sa më mirë organizimit të shkollave shqipe si dhe për të qenë sa më afër fëmijëve të mërgimtarëve shqiptarë, të cilët kanë aq shumë nevojë për gjuhën amtare.

“Shkolla shqipe” Zvicër
Sektori për informim

Filed Under: Emigracion

Kryeministri Kurti u prit në takim nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Dodë Gjergji

January 24, 2023 by s p

Prishtinë, 24 janar 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur sot në takim nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Dodë Gjergji.

Në takim u theksua përkushtimi i Qeverisë për garantimin dhe respektimin e plotë të lirisë fetare, në mënyrë të barabartë, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për përkrahjen dhe kontributin e dhënë nga Ipeshkvia e Kosovës. Ai e falënderoi Ipeshkvin për bashkëpunimin për Projektligjin për Liritë Fetare.

Duke biseduar për rëndësinë e rregullimit të statusit juridik të Kishës Katolike, u konfirmua përkushtimi i Qeverisë për ta rregulluar përmes ligjit.

Në takimin e përbashkët me këshilltaren ligjore të Kryeministrit, Tea Blakaj Hoxha, u bisedua për liritë fetare dhe trashëgiminë kulturore. U ritheksua mbrojtja e tyre përmes Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve të veçanta.

Filed Under: Rajon

Roland Tasho – Fotografi i Katër Dekadave – Paraqet Ekspozitë që Përfshin më Shumë se Gjysmën e Karrierës së Tij – Dielli hedh një vështrim më të thellë tek lentja e tij

January 24, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

Biseda mori shkas nga hapja e një ekspozite të veçantë të tij e quajtur “Një Karrige për Shkrimtarët” paraqitur në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit në Tiranë muajin e kaluar. Fotografi, i nxitur nga ideja për të paraqitur portretet e një plejade të shkrimtarëve shqiptarë, e nisi punën në 1998 por me kalimin e kohës projekti mori trajtat e një gjetje tjetër që u mirëprit nga artdashësit dhe publiku shqiptar në vitin 2022.

I njohur si fotoreporter shqiptar për fotografitë e tij në protestat e dhjetorit të viteve ‘90 në Tiranë, Roland Tasho fotografonte përpara se të ishte fotograf. Kjo është e vërtetë për çdo profesionist por në rastin e tij përjetimet dhe emocionet personale si dhe zanati janë të ndërthurura në formë të pandashme tek uni i tij. I lindur dhe rritur në Tiranë në vitet 60, tek Roland Tasho bashkëjetojnë dy elemente që e formësojnë jetën dhe karrierën e tij: dashuria për fshatin e mamasë Vodicën dhe pasioni për fotografinë. Me qashtërsi thuajse fëminore, ai flet për fshatin juglindor të Kolonjës, ku shkonte në verë te gjyshja, dhe prej nga pa kuptuar përftoi mbresat e stampuara përjetësisht tek ai si artist dhe si njeri. Fotografia erdhi tek Rolandi si mundësi punësimi por duke “pasur një aparat në dorë” thotë ai, shpejt ndjeu sesi përjetimet emocionale u ndërlidhën me vetëdijësimin për profesionin. Pas një dekade pune, në vitet 2000, në sajë të dy bursave, një nga Bashkia e Parisit, Roland Tasho fiton shprehitë e fotografimit në vendlindjen e fotografisë, njohur në kontekstin e kulturës perëndimore. Aty ku Luis Daguerre (1787-1851) kishte shpikur procesin e fotografisë i njohur si tipi dagerrian, aty ku Eugene Atget (1857-1927) kishte krijuar fotografinë dokumentuese për të përjetësuar çdo rrugicë e portal të Parisit përpara se ta përfshinte modernizimi i kohës, aty ku, midis dy luftërave botërore, një brez i tërë i talenteve nga Amerika dhe nga gjithë globi shkonin të bëheshin artistë dhe prej nga u formuan trajtat e arteve figurative në shekullin e 20, aty fotografi shqiptar instinktivisht fotografonte një kishë, një park a stol, Katedralen e Noter Damit. Roland Tasho pohon se aty “nisi të mendoj si fotograf”. Portretet, më pas, erdhën natyrshëm si “rritja e njeriut” thotë Tasho. Meqë për nga vetë natyra, fotografia është dokumentuese, prej aty buruan ciklet që formojnë copëza të portretit të madh të diasporës shqiptare në botë, duke nisur nga Italia me emigrantët më të vonshëm të postkomunizmit në Evropë A’Altra Albania (Shqipëria Tjetër) 1992-2002, (foto e kopertinës) tek të emigruarit në vendin tjetër fqinj Shqiptarë në Greqi (foto e kopertinës), albumi me foto Shqiptarë në Çeki, botimi Shqiptarë në Hungari, Bridge Builders Urë Ndërtuesit Emigracioni Shqiptar në Zvicër (foto e kopertinës), deri te koleksioni me foto të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Unë flas Shqip – I speak Albanian (2010) (foto e kopertinës). Disa nga fotot e tij janë pjesë e arkivave të Kalifornisë dhe arkiva e punëve të tij është e barabartë me atë të një institucioni. Roland Tasho ka kaluar në shumë etapa të historisë së Shqipërisë dhe të fotografisë shqiptare. Ekspozitat dhe projektet e tij sjellin gjithmonë një lidhje midis dy kohëve, dy gjendjeve, midis vendlindjes dhe shqiptarëve, midis asaj që ishte dhe asaj që është. Ai ka punuar me aparatet Praktika të viteve ‘80 dhe sot fotografon me kamera dixhitale por thotë se fokusi i tij gjithmonë ka qenë “gjetja e idesë dhe jo numri i pikseleve”. Për Tashon mund të jetë e lehtë të hap një ekspozitë retrospektive në Tiranë por është i vetëdijshëm për mungesën e vlerësimit të artit të tij.

Fotografija është një art figurativ ku për shkak të teknikave që zëvendësojnë njëra tjetrën dhe avancimeve teknologjike ka shumë “të para” si: peizazhi i parë, portreti i parë, fotoja e parë me negativ, autoportreti i parë, fotoja e parë në hapësirë, e para foto me ngjyra, e para foto dixhitale e shumë të tjera. Por ajo që është konstante është syri i fotografit që shikon gjithçka rreth vetes si nga lentja e aparatit. Për të arritur te prezantimi vizual i subjektit të fotografuar parapërgatitja nis kohë përpara se të fillojë të hapet lentja. Këtu qëndron ‘magjia’ e fotografisë e cila thotë aq shumë pa thënë asnjë fjalë, e përmbledhur në shprehjen e përsëritur shpesh “një foto është e barabartë me një mijë fjalë.”

Nga ky këndvështrim, biseda jonë mund të duket si ‘dekonstruktimi’ i fotografisë së Tashos meqënëse është prezantim verbal i shprehjeve të tij vizuale. Ky do ishte disfavor i madh për fotografinë e krijuar nga Roland Tasho i cili është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare dhe gjashtë konkurseve kombëtare të fotografisë, është paraqitur në rreth 80 galeri arti brenda dhe jashtë vendit, ka hapur ekzpozita në Shqipëri (nga viti 1992, 1993, 2008 e këtej), Itali, (1993, 1994, 2003, 2006) Greqi (2001), Belgjikë, Gjermani (1993), Argjentinë (2000), Austri (2007), Kosovë, Francë (2005), Zvicër (2002), (listë e pjesshme), dhe është autor i 14 librave e albumeve. Për të gjitha këto Dielli tentoi ta shikoj karrierën e tij si koleksion artistik duke e drejtuar lenten në formë figurative drejt fotografit, i cili ka krijuar imazhe për katër dekada me radhë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Rafaela Prifti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1868
  • 1869
  • 1870
  • 1871
  • 1872
  • …
  • 2785
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT