• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sukses diplomatik në OKB? Quhet kur mbron kombin

January 24, 2023 by s p

Nga Shaban Murati/

Shënim nga blloku diplomatik

Zgjedhja e Shqipërisë anëtare jo e përherëshme e Këshillit të Sigurimit të OKB është padyshim një zhvillim pozitiv dhe sidomos një rast i artë për të mbrojtur interesin shtetëror dhe kombëtar në institucionin më të lartë vendimmarrës të OKB.

Shqipëria u bë anëtare jo e përherëshme e KS të OKB në vitin 2022, pas 67 viteve nga data kur u anëtarësua në OKB në vitin 1955. Kroacia, që u anëtarësua në OKB në vitin 1992, u bë anëtare jo e përherëshme e KS të OKB në vitet 2008-2009, pra 16 vjet pas anëtarësimit në OKB. Bosnje-Hercegovina, që u anëtarësua në OKB në vitin 1992, u bë anëtare jo e përherëshme e KS të OKB në vitet 2010-2011, pra 18 vjet pas anëtarësimit në OKB.

Në këtë krahasim realist ballkanik suksesi i Shqipërisë në OKB nuk është aq i madh sa duket nga zyrat e MPJ.

Zgjedhja anëtar jo i përhershëm i KS të OKB me mandat dyvjeçar konsiderohet nga diplomacitë përkatëse si mundësi optimale, jo për të rregulluar botën se këtë e bëjnë fuqitë e mëdha, por për të mbrojtur dhe për të promovuar interesat e veta shtetërore dhe kombëtare.

Sidomos marrja me rotacion çdo muaj e presidencës së KS të OKB nga secili shtet anëtar i përhershëm ose jo i përhershëm jep shansin e futjes në rendin e ditës së KS të OKB të diskutimit të çeshtjeve akute, që i interesojnë shtetit president i rradhës.

Kur Shqipëria mori presidencën e KS të OKB në 1 qershor 2022 deklaroi se “Asgjë nuk i pengon anëtarët e KS të OKB që të kërkojnë mbledhje shtesë për çdo pikë në rendin e ditës nëse ata e gjykojnë të nevojshme”.

Gjatë vitit 2022 Serbia katër herë brenda vitit e çoi Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor në prag të luftës, duke dërguar ushtri, tanke dhe bombardues në kufijtë e Kosovës dhe duke kërcënuar zyrtarisht për agresion ushtarak. Asnjëherë gjatë vitit 2022, kur ishte anëtare e KS të OKB, dhe as kur kishte presidencën e KS të OKB, Shqipëria nuk kërkoi mbledhje urgjente të KS të OKB për situatat e shpërthimit të luftës së Serbisë kundër Kosovës dhe për rrezikun e luftës në Ballkanin Perëndimor.

Nëse në KS të OKB Shqipëria nuk ngren alarmin ndërkombëtar për provokacionet dhe për politikat lufënxitëse të Serbisë kundër Kosovës, pra kundër kombit shqiptar, me ç’kriter shënohet zgjedhja e saj anëtare jo e përherëshme në KS të OKB si sukses në kronikën zyrtare diplomatike?

Cicërimat diplomatike internacionaliste të Shqipërisë për Ukrainën apo për Kongon nuk kanë vlerë për historinë tonë kombëtare. Shqipëria në organizatat ndërkombëtare dhe në forumet ndërkombëtare ende nuk ka mësuar të mbrojë veten.

Filed Under: Politike Tagged With: Shaban Murati

Fetari Filozof

January 24, 2023 by s p

Viliem Kurtulaj/

Feja dhe filozofia shpeshherë takohen me njëra-tjetrën te metafizika. Përveç kësaj, ato nuk kanë pothuajse asgjë tjetër të përbashkët. Të vërtetat universale feja i ka të zbuluara në një libër të caktuar (p.sh. Dhjata e Vjetër, Bibla, Kurani, etj.), të cilin nuk ka as lejen e as guximin ta vërë në dyshim. Për sa kohë që je besimtar i një feje, të vërtetat që zotëron ajo fe janë absolute, përfundimtare, universale dhe nuk mund të vihen në dyshim e aq më pak të hidhen poshtë. Pra, pak a shumë, feja e ka arritur fundin e historisë pasi i di të gjitha të vërtetat në mënyrë absolute. Në fakt, përdorimi i termit “fundi i historisë” na kujton librin e Francis Fukuyama me të njëjtin titull. Fukuyama në këtë libër hidhte idenë se tashmë njerëzimi në botën e zhvilluar perëndimore e kishte zbuluar dhe arritur tashmë fundin e historisë së vet në aspektin politik dhe ekonomik. Vetëm këtë të vërtetë përfundimtare pretendonte se kishte zbuluar Fukuyama dhe rrezikoi të bëhej aq qesharak sa u detyrua më vonë të shkruante librin “Second Thoughts”. Pra, filozofia dhe feja nuk pajtohen me njëra-tjetrën, pasi e para është gjithmonë në kërkim të së vërtetës, ndërsa e dyta i di të vërtetat të cilat për të janë të pandryshueshme. Filozofia dyshon mbi gjithçka, feja nuk dyshon mbi asgjë që ndodhet në librin e saj të shenjtë.

Filozofia nëpërmjet dyshimit dhe kërkimit të pafund të së vërtetës është kontribuues në zhvillimin e botës. Feja nga ana tjetër, me pasjen e të vërtetave absolute përfundimtare universale, ka ndaluar në zhvillimin e botës. Po t’i referohemi filozofit të madh gjerman, Immanuel Kant, në esenë e tij “Ç’është Iluminizmi”, botuar në revistën “Berlinische Nonatshrift” në vitin 1784, në lidhje me fenë, ai shkruan: “Të bashkohesh me një institucion fetar të pandryshueshëm, askush të mos e vërë në dyshim, qoftë edhe për një periudhë kohe të gjatë sa jeta e njeriut, e thënë ndryshe, të anulosh një periudhë kohe në progresin e njerëzimit drejt përmirësimit, ta shterpëzosh, madje ta bësh dëmprurëse edhe për pasardhësit, është absolutisht e paligjshme”. Pra, sipas Kantit, feja e cila pretendon që zotëron pa asnjë dyshim të vërtetat e universit dhe si pasojë është e pandryshueshme, madje e padyshueshme, është një pengesë në përparimin e botës dhe si pasojë duhet të shpallet e paligjshme. (Theksojmë këtu se Kanti në asnjë vepër të tij nuk e ka mohuar ekzistencën e Zotit.) Për sa kohë që filozofia dhe feja kanë këtë përplasje themelore, është e pamundur që një person të jetë edhe besimtar i një feje (islam, krishtërim, judaizëm) dhe filozof në të njëjtën kohë. Mund të jetë fetar dhe studiues i filozofisë, por kurrsesi nuk mund të jetë fetar dhe filozof për sa kohë që nuk vë në dyshim asgjë nga Kurani, Bibla, Dhjata e Vjetër apo ndonjë libër tjetër i konsideruar i shenjtë. Dikush që i di të vërtetat e botës, madje dhe të universit, dhe nuk guxon t’i vërë në dyshim ato, e ka të pamundur të jetë filozof, detyra e të cilit është të vërë në dyshim çdo gjë dhe të rendë pa fund pas të vërtetave.

Në fakt, në histori njohim disa fetarë të cilët kanë shkruar libra me pretendime filozofike. Të tillë mund të përmendim Shën Agustinin, Thoma D’Akuinin, Al-Ghazalin, Al-Farabin, etj. Pikërisht këtu na del në shteg teologjia, e cila merret me studimin e feve. Shpeshherë teologët, kryesisht besimtarë të një feje, përdorin mjetet, konceptet, qasjen filozofike për të shpjeguar apo mbështetur një fe të caktuar. Pra, ata nuk kërkojnë të zbulojnë të vërtetat pasi të vërtetat për ta janë të shfaqura prej kohësh në librat fetarë. Ata thjesht mundohen që nëpërmjet qasjeve filozofike, t’i arsyetojnë ato. Kjo në fakt më kujton kohën e regjimit komunist në Shqipëri, ku në shumë fusha, të vërtetat i caktonte partia dhe shkencëtarëve iu mbetej vetëm t’i vërtetonin ato. Teologu mund të jetë ose jo fetar. Ai mund të studiojë fetë, duke besuar ose jo në ndonjërën prej tyre apo edhe në Zot. Madje mund të jetë teolog dhe klerik në të njëjtën kohë. Pavarësisht kësaj, si klerik ai ka një detyrë të caktuar, ndërsa si studiues, ka detyrë tjetër. Po t’i referohemi sërish Kantit në të njëjtin shkrim, ai shprehet: “Përdorimi që i bën një famullitar arsyes së tij përballë bashkësisë është vetëm një përdorim privat, meqenëse kjo është gjithmonë një mbledhje familjare, sado e madhe; përballë saj ai, si prift, nuk është i lirë, madje s’duhet të jetë, sepse zbaton një detyrë të ngarkuar nga të tjerë. Nëse ai gjen në fe diçka kundërshtuese, nuk mund ta administrojë pozicionin e tij me ndërgjegje, kështu që duhet ta braktisë. E kundërta, si studiues, kur i drejtohet publikut me mendimet e veta, domethënë gjithë botës, pra si klerik por në përdorimin publik të arsyes vetjake, gëzon liri të pakufizuar për ta shfrytëzuar arsyen e tij dhe për t’iu folur të tjerëve në vetën e parë”. Ky është dallimi që kleriku dhe teologu duhet të kenë, edhe pse mund të jenë i njëjti person.

Pra, fetari, kur e vendos arsyen në përdorim privat, mbetet thjesht një zbatues i doktrinës fetare. Kur e vendos arsyen në përdorim publik, ai mund të bëhet teolog, mund të dalë nga besimi i tij fetar, madje mund të bëhet edhe filozof. Ai ka mundësi të bëhet filozof atëherë kur vë në dyshim çdo gjë dhe është gjithmonë në kërkim të të vërtetave, duke lënë sërish hapësirë për dyshim në çdo të vërtetë që mund të zbulojë. Fetari nuk mund ta vërë në dyshim fenë e tij për sa kohë është i tillë. Mirëpo, pa vënë në dyshim fenë dhe ato çka thotë feja, ai mund të jetë teolog, por nuk mund të jetë filozof. Kështu që atij i duhet të zgjedhë ndërmjet fetarit dhe filozofit.

Filed Under: ESSE Tagged With: Viliem Kurtulaj

VATRA JU FTON NË PROMOVIM LIBRI

January 24, 2023 by s p

Filed Under: Opinion

Presidentja Osmani u prit në Selinë e Shenjtë nga Papa Françesku

January 23, 2023 by s p

Sot, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u prit në audiencë nga Ati i Shenjtë, Papë Françesku. Në këtë takim të ngrohtë, Presidentja Osmani e falënderoi Papë Françeskun për kujdesin e vazhdueshëm të cilin Selia e Shenjtë dhe vetë Ati i Shenjtë kanë treguar ndaj Kosovës.
“Kam ardhur këtu për t’jua shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për kujdesin që keni treguar ndaj vendit tim, duke i ndenjur afër vazhdimisht”, tha Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani e njoftoi Papë Françeskun mbi orientimin e Kosovës si pjesë e qytetërimit të hershëm evropian dhe vizionin e vendit për integrim në strukturat euroatlantike.
“Njohja e sakrificës qëndron në themel të besimit për të ardhmen”, tha Presidentja. “Populli i Kosovës është ringritur mbi hirin e kësaj sakrifice të shumë brezave dhe përpjekjeve të tyre për liri. Tani Kosova po e ndërton sigurt të ardhmen e saj, brenda familjes së gjerë të popujve të lirë. Njohja e Kosovës nga Selia e Shenjtë ndikon në fuqizimin e mëtejmë të shtetësisë sonë dhe për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike. Synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në thellimin dhe avancimin e mëtejmë të raporteve tona shekullore si dhe në rrugën evropiane të vendit tonë”, tha Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani e falënderoi Papë Françeskun për vendimin e tij të vitit 2018 për ta ngritur Administratën Apostolike të Kosovës në nivel të Dioqezës.
“Në pesë vjetorin e vendimit tuaj për avancimin e statusit të Administratës Apostolike në Kosovë, duke e ngritur atë në nivel të dioqezës, jam shumë e lumtur që mund t’ju falënderoj personalisht për kujdesin dhe t’ju siguroj se vlerat tona të përbashkëta, mbi të cilat janë krijuar historikisht raportet tona do të vazhdojnë të mbeten themel i fuqishëm i lidhjes sonë, të cilën ne synojmë ta thellojmë më tej”, tha Presidentja Osmani.
Më tej, Presidentja Osmani dhe Papë Françesku biseduan për raportet ndërmjet dy vendeve dhe kujdesin të cilin Vatikani e ka treguar ndaj popullit tonë, duke njohur vlerat qytetëruese të tij, të cilat bota i ka parë të mishëruara në personalitetin e Nënë Terezës.
“Raportet tona janë shumë të hershme dhe tepër të fuqishme, ngase burojnë nga përkushtimi për paqen, tolerancën dhe harmoninë mes njerëzve. Ato na kanë bashkuar tradicionalisht”, tha Presidentja Osmani. Ajo kujtoi që në vitet ’90, kur popullit po i kanosej ekzistenca, Kosova e udhëhequr nga Presidenti Rugova frymëzimin e gjente edhe në qëndrimin e Papës Gjon Palit të Dytë, dhe në përpjekjet e Vatikanit për t’i ruajtur e promovuar vlerat qytetëruese dhe lirinë e popujve”.
Më tej, Presidentja foli për progresin në Kosovë, me theks të veçantë për mënyrën e funksionimit të bashkësive fetare në Kosovë dhe vendosmërinë e shtetit të Kosovës që t’i njohë e promovojë më tej liritë fetare.
Po sot, Presidentja Osmani do të pritet edhe nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin.

Filed Under: Politike

KONTRIBUT  PËR GJEOGRAFINË HISTORIKE TË  POPULLIT  SHQIPTAR

January 23, 2023 by s p

Peter Bartl-Injac Zamputi, Vincenzo Zmajevich- Relacion i gjendjes së Shqipërisë  e Serbisë(1702-1703), Botoi:  Albanisches Institut –Faik Konica, St.Gallen-Prishtinë, 2022

Në jetën e një populli  nuk janë të rrallë rastet ku disa personalitete kanë luajtur rol të rëndësishëm në ngjarje të ndryshme, të cilat janë bërë pjesë e historisë kombëtare. Ne këtë gamë të çështjeve  te shqiptarët  në të kaluarën  vend nderi  zënë klerikët e nderuar si Buzuku, Bogdani, Bardhi, Budi etj., ndërsa  këtyre iu shtohet edhe teologu Vinçenc Zmajeviqi i cili veçohet me dy kontribute me peshë të veçantë. E para është roli i tij në organizimin e Kuvendit të Arbrit(14 janar 1703) dhe e dyta, ka të bëjë  në emigrimin dhe vendosjën e shqiptarëve nga krahina e Krajës dhe e Shestanit në Zarë  të Dalmacisë në vitin 1726. 

Dr.Nail  Draga

Por, ky personalitet  i nderuar në sajë të angazhimit jo vetëm teologjik ka mbledhur të dhëna me interes për shqiptarët që i ka shkruar në veprën Relacion i gjendjes së Shqipërisë  e Serbisë(1702-1703) e cila për një kohë të gjatë ka qenë e panjohur për opinionin e gjerë, por në sajë të angazhimit të përbashkët në mes Institutit Shqiptar në St.Gallën në Zvicër dhe SHB”Faik Konica”në Prishtinë, na vjen e botuar në shqip në vitin 2022.

Në sajë të informacionit që disponojmë, Relacioni i ipeshkvit Vincenc Zmajeviqit i vitit 1702/1703 është vepër e tre autorëve: Vincenc Zmajeviq, Peter Bartl dhe Injac Zamputti. Zmajeviqi e ka shkruar këtë relacion nga vizita apostolike në ipeshkvitë e Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë më 1702/1703. Këtë relacion e ka botuar italisht (versioni i arkivit të Vatikanit) Peter Bartl më 1979 në librin “Quellen und Materialien zur albanischen Geschichte Im 17. Und 18. Jahrhundert“ fq. 1-186, përcjellë me shpjegime e shënime nga vet Bartl-i. Ndërsa në shqip është përkthyer nga Injac Zamputti më 1988, që ishte përkthim i pabotuar deri tani.

Autoritet i kohës së tij 

Vincenc Zmajeviqi ka lindur në Perast (Mali i Zi i sotëm) më 23. 12. 1670 në një familje kroate e njohur në historinë e rajonit dhe më gjerë.  Me ndihmen e xhaxhai i tij, Andrija Zmajeviqi,i cili  ishte ipeshkëv i Tivarit (1671- 1694),  dërgohet në “Collegium Urbanum” në Romë, ku përfundon studimet në filozofi e teologji, ku edhe   doktoroi më 30. 03. 1695. Pas shugurimit meshtarak, më 1696 kthehet në vendlindje dhe emërohet famullitar në Perast. Më 1701 papa Klementi XI e emëroi ipeshkëv të Tivarit me dekretin: “Vicentius Zmajevich, archiep. Antibarensis 8 Iulii 1702 deput. visit. apost. ecclesiarum et missionum prov. Epiri seu Albaniae iuxta decr. S. Congr. Prop. 13 Iun. 1702 emanatum et a S.S. 19 Iun. 1702 approbatum”. Vincenc Zmajeviqi ishte ipeshkëv i Tivarit deri sa u emërua ipeshkëv i Zarës në Kroaci, më 1713, ku edhe vdiq më 11.09.1745. 

Pas emërimit të tij ipeshkëv i Tivarit më 1701, Papa Klementi XI (Giovanni Francesco Albani) emëroi Zmajeviqin Vizitator Apostolik në Shqipëri, Serbi, Maqedoni e Bullgari, dhe këtë vizitë e filloi në shtator të vitit 1702 e që zgjati deri në shkurt 1703. 

Pasi Zmajeviqi kishte vizituar si i dërguar i Vatikanit ipeshkvitë në Shqipëri, Maqedoni, Serbi e Bullgari, kishte parë gjendjen e mjerueshme të katolikëve shqiptarë, jo vetëm materiale por edhe organizative, strukturore nën Perandorinë Osmane. Një situate e tillë aspak e favorshme  ndikoj  që  ai të ndërmarrë diçka konkrete për Kishën Katolike në trojet shqiptare. Kështu falë Zmajeviqit u thirr dhe u organizua  Kuvendi i Arbrit i cili u mbajt më 14 dhe 15 janar 1703 në Mërçi në afërsi të Lezhës, ku u tubuan ipeshkvijtë e klerikët katolikë, apo më mirë të themi, përfaqësuesit kishtarë shqiptarë për të diskutuar dhe vendosur rregulla për jetën kishtare në trojet shqiptare.

Gjatë historisë kishtare, organizime ipeshkvore apo ndëripeshkvore ka pasur edhe më parë  por “Kuvendi i Arbrit” ishte me përmasa të mëdha, pasi për këtë ishte informuar mirë Papa Klementi XI dhe dokumentet e botuar pas Kuvendit ishin të shumta, latinisht e pastaj edhe shqip, me interes shumëplanesh studimi,  si kishtare, historike, gjuhësore, gjeografike e  etnografike, duke qenë i rëndësishëm për historinë e popullit shqiptar.

Relacioni i vitit 1702/03 i Zmajeviqit nuk është me interes vetëm për historianët e shekullit XVII. Përmbajtja e tij do të mund të përshkruhet në pika të shkurtra kështu. Faqet e para ia kushton gjendjes jo vetëm historike shqiptare, por edhe asaj ekonomike, pozicionit gjeografik, dioqezave në trojet shqiptare, gjendjes së mjerueshme të të krishterëve nën sundimin e Perandorisë Osmane, por edhe kritikat ndaj klerit katolik nuk mungojnë. Në këtë pjesë, Zmajeviqi shkruan se duhet thirrur një koncil provincial shqiptar, çka edhe bëri më 1703 (Kuvendi i Arbrit). 

Përshkrimet e Zmajeviqit në këtë relacion janë detaje për kohën, jo vetëm për jetën e besimtarëve apo të klerikëve, për hapësirën gjeografike që ai vizitonte, për shkatërrimin e kishave, tjetërsimet nëpër kisha, por jep edhe numra të saktë të besimtarëve katolikë nëpër famulli. Në këtë kohë, siç dihet, islamizimi kishte shtrirë rrënjët jo pak në popullin shqiptar dhe jeta ishte tejet e vështirë jo vetëm për të krishterët, por edhe për ata që ishin islamizuar. Kishte edhe të tillë që, në brendi mbaheshin të krishterë, kurse jashtë si myslimanë. 

Relacioni trajton, me nga një kapitull të veçantë, dioçezat që ai vizitonte e ku jetonin katolikët, si ato të: Tivarit, Shkodrës, Pultit, Sapës, Lezhës, Administratën e Durrësit, Budues, gjendjen e kishave të Serbisë dhe Administratën e Shkupit, gjendjen e të krishterëve në Bullgari. Jep po ashtu edhe ide për dalje nga kjo gjendje e mjerueshme, nevojat e misionarëve françeskanë etj. Kemi të bëjmë me një relacion të detajuar nga një indvidë I përgatitur jo vetëm në aspektin teologjik, që ishte model për kohën kur është shkruar,por e them pa hezitim se  mund të shërbejë model edhe për kohën tonë, duke ofruar të dhëna me interes  shumëdimensional.

Vendbanime të shpopulluara

Duke  analizuar  këtë botim ku ofrohën të dhëna për një numër të konsideruar të vendbanimeve, unë me këtë rast jam përcaktuar për disa vendbanime të cilat sot janë në kuadër të Malit të Zi. Pikërisht duke marrë parasysh   të dhënat  për vendbanimet e prezantuara në kuadër të famullive të tyre, del qartë se në ditët tona pas me shumë se tre shekujve disa vendbanime nuk ekzistojnë me. Ata janë shpopulluar  për shkaqe të ndryshme të kohës qoftë  në sajë të emigrimit, sëmundjeve të ndryshme apo çështje të tjera sociale  dhe si të tilla i takojnë gjeografisë historike. Në këtë aspekt na ndihmojnë edhe hartat e publikuara për kohën përkatëse për të deshifruar më saktë vendndodhjen e tyre.

Shasi-famullia kryesore në Anë të Malit 

Me këtë rast dua të ceki disa të dhëna qe kanë të bëjnë me famullitë në  Anë të Malit,  sepse kemi të bëjmë me disa  të dhëna me interes gjeografik, historik e etnografik. 

Kështu për famullia krysore e Anës së Malit është ajo  e Shasit  e cila përbëhëj nga  9 vendbanime (Brija, Shasi, Milla, Krytha, Kllezna, Brajsha,Selita, Suma dhe Bukmira)  të cilët gjithsejt kanë 114 shtëpi me 923 banorë, ndërsa në aspektin fetarë ishin: 69 shtëpi katolike dhe 602 banorë, 41 shtëpi myslimane me 290 banorë si dhe 4 shtëpi ortodokse me 31 banorë. 

Nga këto vendbanime më së shumti shtëpi katolike  kishte Milla 18 shtëpi me 171 banorë, duke pasuar nga Brija e Kllezna. Ndonëse ishte seli e famullisë Shasi kishte 1 shtëpi katolike me 3 banorë,ndërsa kishte 12 shtëpi myslimane me 90 banorë, dëshmi e  procesit të islamizimit të popullsisë shqiptare, duke filluar nga viti 1571, nga koha kur Shasi  është okupuar e shkatërrur nga Perandoria Osmane. Ndonëse para okupimit Shasi ishte ipeshkvi, nga ajo traditë kishtare tash kishte statusin e famullisë, me numër minimal të banorëve. 

Në relacion V.Zmajeviqi  për Shasin  ofron të dhëna për të kaluarën e tij duke cekur disa kisha me emër, të cilat në kohën tonë tash dihet me emër vetëm për dy prej tyre(katedrala e Shën Gjonit brenda qytetet dhe ajo e Shën Mrisë, jashtë mureve të qytetit).

Bria dhe Bukmira i takojnë gjeografisë historike

Nga  numri I përgjithshëm të vendbanimeve  të cilat prezantohen në këtë botim dy vendbanime janë të diskutueshme. Fjala është për dy  vendbanime në Anë të Malit, e ata janë  BRIJA, e cila gjindej në pjesën veriore  të liqenit të Shasit, ku sot gjindet vendbanimi me emrin Kllezna  Poshtë. Në vitin 1703 kishte  11 shtëpi katolike  me  115  banorë, ndërsa  të fesë islame ishin 3 shtëpi me 25 banorë. Por, nga të dhënat e mëvonshme ky vendbanim nuk figuron, sepse sipas një informacioni që disponoj në vitin 1756 popullsia e  42 shtëpive e tëra ka emigruar në Itali. Nuk ka të dhëna se kush ishte motivi i emigrimit kolektiv, ku supozohet sëmundja e kohës apo ndonjë motiv tjetër social.  Por, nga ajo kohë e më pas këtu është vendosur një popullsi e ardhur nga Mirdita, dhe Shkreli që është e pranishme edhe në ditët tona. Nga ajo kohë humbi emri I mparshëm BRIJA, ku si dëshmi janë gërmadhat e shtëpive të asaj kohe, ndërsa me banorët e rinjë vendbanimi quhet Kllezna Poshtë, në analogji me vendbanimin e njëjtë i cili quhet Kllezën, e më pas Kllezna e Sipërme(Naltë).

Nga këtë aspekt kemi edhe  vendbnimin BUKMIRA, në afërsi të Shasit të sotëm, e cila kishte  4 shtëpi katolike me  41  banorë dhe 2 shtëpi të fesë islame me 13  banorë. Kemi të bëjmë me një vendbanim me pozitë të përshtashme gjeografike me resurse natyrore që sipas të dhënave është vendbanim i vjetër dhe i banuar. Në atë kohë  këtu bëhët fjalë për kishën Shën Pelegrinit, për të cilën sot nuk dihet. Por, nga ajo kohë e me pas nuk ekzistojnë të dhëna se popullsia është rritur, por e kundërta duke mbetur pas Shasit.  Mbetet të hulumtohet për ish popullsinë e Bukmirës dhe numrin e tyre me pas, sepse ka mbetur pa banorë.

I cekëm këto dy vendbanime sepse me pas ata nuk figurojnë, sepse popullsia  për shkaqe të ndryshme ka emigruar, që mbetën çështje për hulumtim, ku si të tilla këto vendbanime i takojnë gjeografisë historike. 

Nuk ka dilemë se një çështje e tillë ekziston edhe në dioçezat tjera shqiptare  ku iu takon studiuesve të japin kontributin në hulumtimin e tyre në terren, por edhe të emërtimi, sepse disa kanë evoluar për nga forma që paraqet   vështirësi në  identifikimin  e tyre.

Nga ana tjetër duhet cekur se V.Zmajeviqi përveç përkatësisë fetare katolike e islame të popullsisë ofron të dhëna edhe për përkatësinë fetare ortodokse të vendbanimeve shqiptare. Këtu mendoj për  disa vendbanime në famullitë në Anë të Malit e në   Krajë e cila  më pas  është eliminuar  duke kaluar në ate islame, që  dëshmohet me pas në sajë të dhënave  në terren në këto mjedise. Ndërsa të dhënat në këtë relacion për shpërnguljen e shqiptarëve nga Kelmendi në vitin 1700 të  rreth 250 familje për në Peshter, Novi Pazar, Rozhajë etj., të cilët si të përkatësisë  fetare katolike ne mungesë të meshtarëve rrezikonin të asimiloheshin në mysliman apo ortodoks sllavë, dukuri e cila më vonë ndodhi në realitet, duke humbur identitetin kombëtar.

Përfundimisht analiza e vendbanimeve në kuadër të dioçezave, përkatësisht të famullive përkatëse nga ajo kohë e deri në ditët tona ofron mundësi për analiza të ndryshme. Pikërisht në këtë aspekt ky relacion do të    nxitë kureshtjen  e lexuesve, sepse kemi të bëjmë me një botim i cili i ka munguar literatures shqipe. Ndërsa i botuar në prag të vitit jubilar të  Kuvendit të Arbrit është një dhuratë  jo vetëm për  studiuesit e profileve  shkencore por edhe  për opinion e gjerë.                                                                                                                  

(Lexuar me rastin e shënimit të 320-vjetorit të Kuvendit të Arbrit, në Merçi-Lezhë, më 14 janar 2023)

C:\Users\123456\Desktop\325554900_1534316590328980_1659092181621443488_n.jpg

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1869
  • 1870
  • 1871
  • 1872
  • 1873
  • …
  • 2785
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT