• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Cilët janë shqiptarët që kërkuan një sovran perëndimor?

January 21, 2022 by s p

Luan Rama/

Beteja e Lepantos e vitit 1571, nga e cila njohim tablotë e mrekullueshme të Tintoretos, Veronezes, etj, ishte një nga betejat detare më të mëdha në historinë e Europës, betejë që zhvilloi Liga e Shenjtë e Europës perëndimore kundër perandorisë osmane, e cila në këtë kohë kishte pushtuar gjithë Ballkanin dhe kërcënonte në dyert e Europës. Papa i Romës i kishte dorëzuar flamurin e kryqëzatës princit Juan që të niste luftën kundër flotës së tmerrshme turke që zotëronte në Mesdhe dhe që atë kohë kishte bërë kërdinë në Qipro, Kretë dhe ishujt e Egjeut, të cilat më parë kishin qenë zotërime veneciane. Sulmi i eskadrës kristiane në 7 tetor 1571, e përbërë me anije spanjolle, veneciane dhe gjenoveze e shkatërroi flotën osmane në Lepanto të Greqisë përmes një betejë të shpejtë dhe shumë të përgjakëshme. Me detyrën e admiralit, don Juani, gjysmë-vëllai i mbretit spanjoll Filip II, donte të vazhdonte më tej luftën kundër perandorisë osmane dhe nuk donte të kthehej në Mesinë me eskadrën e tij, nga dhe ku ishte nisur më parë. Por leitnantët e tij e bindën të kthehej drejt Italisë së jugut. Në fillim të nëntorit të atij viti, ai shkoi në Gaeta për ti dorëzuar Papës flamurin e kryqëzatës në një ceremoni madhështore. Fitorja do të festohej dhe në Venedik ku ai u prit plot nderime nga dozhi i Republikës Serenissime dhe senati venecian. Një meshë e madhe u mbajt në katedralen e Shën Markut. Më pas një “Te Deum” në Romë, ku Papa i dha një dhuratë të çmuar: pazmoren me fjalët e shenjta të gdhendura në të “Christus vinit, Christus regnat, Christus imperat”. Më pas rruga e çoi në Madrid, në pallatin mbretëror të Eskurialit ku u prit nga spanjollët si heroi më i madh i kohës. Por mbreti spanjoll nuk e do shumë këtë famë të tij dhe e nisi menjëherë në Mesinë. I kthyer në jugun e Italisë, disa herë don Juani i kërkoi leje mbretit të rifillojë luftën, por Filipi II nuk iu përgjigj kërkesës së tij. Pas vdekjes së papritur të papës, ai iu drejtua papës së ri, Gregoire XIII që ti jepte flamurin e kryqëzatës dhe të nisej përsëri në luftë. Por sërish mbreti Filip nuk i ktheu përgjigje letrës së tij. Pikërisht në këtë kohë, në hapësirën midis vitit 1571-1572, ndoshta në fillim të vitit 1572, emri i Shqipërisë filloi të dëgjohej në kancelaritë europiane. Në fakt, një delegacion fisnikësh shqiptarë nga Shqipëria dhe përfaqësues të Moresë, shkuan në Mesinë dhe i kërkuan don Juanit, birit ilegjitim të perandorit të famshëm Charles Quint, që të vihej në krye të dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë, dhe të bëhej sovrani i tyre dhe për të nisur pastaj luftën kundur osmanllinjve. Historianët shkruajnë se don Juani e priti me kënaqësi këtë ofertë, me dëshirën që të ishte në rangun e një mbreti por dhe të një kalorësi, i lirë që të fillonte lufta. Pas këtij takimi, ai i shkroi menjëherë mbretit Filip ku i tregoi për këtë ofertë dhe i kërkoi leje ta pranojë. Me javë të tëra don Juani priste përgjigjen e mbretit Filip, por kjo përgjigje nuk erdhi kurrë. Historiani francez Ivan Cloulas, në një libër të tij mbi Juan d’Autriche, si pinjoll i dinastisë së Habsburgëve, duke iu referuar ndërkohë historianit të hershëm Van der Hammen shkruan se “don Juani iu përgjigj pozitivisht ofertës së Shqipërisë dhe Moresë”, vend ky i fundit ku jetonin prej kohësh shumë shqiptarë.Kjo histori është padyshim mjaft interesante dhe pasionante për historianët shqiptarë. Nuk di se sa dhe si është trajtuar nga ne ky fakt historik. A është studjuar fondi i mbretit Filip ku mund të gjendet dhe letra e don Juanit. Cilët ishin ata fisnikë shqiptarë që shkuan në Mesinë për ta bërë atë sovran? Cfarë u diskutua mes tyre? Epopeja e madhe e Skënderbeut ishte ende e gjallë edhe pse Shqipëria ishte tërësisht e pushtuar nga ushtria osmane e cila ndërkohë kishte filluar me konvertimet e para me forcë të popullsisë shqiptare tërësisht kristiane. Vallë ishin stradiotë shqiptarë të jugut të Italisë, veçanërisht të lidhur me mbretin e Napolit apo nga familja e Kastriotëve të vendosur në Spanjë dhe Itali ? Hamendësitë janë të shumta. Deri në betejën e Lepantos, shqiptarët kishin nxjerrë figura të shquara të nivelit europian, nga Mërkur Bua Shpata tek Konstantin Araniti, të cilët priteshin plot lavde në oborret mbretërore dhe imperiale, duke kërkuar gjithnjë çlirimin e tokave shqiptare. Cilët ishin vallë këta shqiptarë?…

Filed Under: Kulture

Qenia dhe vdekja në vetëdijen e një poeti: Vështrim hermeneutik rreth poezisë së Vilson Blloshmit

January 21, 2022 by s p

Nga Neim Zhuri

Në atë pështjellim të ferrtë ku jetonte poeti, e vetmja mundësi për të komunikuar me botën do të ishte komunikimi përmes poezisë. Por edhe kjo ishte një mundësi përtej së pamundurës. Ai nuk tentoi asnjëherë të botojë, duke e dënuar poezinë e tij, duke ja vetmohuar asaj funksionin komunikativ, i bindur se “vigjilenca publike”, do ishte e gatshme në pritje për ta denoncuar, se lexuesit e partishëm nuk do të gjenin në të poezinë militante dhe se pas denoncimit kritika e zyrave do nxitonte të gjente gabimet ideologjike dhe shkarjet e autorit apo ndikimet nga poezia “dekadente” kishte një mundësi tjetër, të shkonte drejt një qasjeje me poezinë militante, në kërkim të një zëri që i shtohej isos së madhe të poetëve të partishëm, një përpjekje për t’i dhënë vetes shanse afirmative. Edhe mund ta tentonte. Dhe ndoshta llogaritë me regjimin do i dilnin ndryshe, por llogaritë me veten dhe me poezinë, jo!Refleksi drejt vetëdijes për një realitet të ëndërruar poetik, i formësuar pak nga pak nën influencat e baballarëve të poezisë evropiane, Bodler, Rembo, Xhan Morea, Mallarme, Verlen, Teofil, Gotje, Suly Prudhom, Apolinier, Pol Elyar etj. Ishte e pamundur ta çonte drejt asaj poezie të “tepërlumtur” të realiteteve komuniste. Ai e ndjente se jetonte brenda tragjizmit të një burgu të pashpallur kufijsh. Blloshmi shkroi mjaftueshëm sa për të krijuar një profil të vetin poetik.Të bie në sy një numër jo i vogël poezish pa titull që nuk janë veçse copëza kohe dhe copëza nga bota e trazuar e poetit në një realitet të pakuptimtë. Poeti është në kërkim të një vargu dramatik, një dramacitet përmes një “makthi të llahtarshëm”. “Medet sikur njeriu të jetonte përjetësisht”. Kjo është dilema dramatike e Blloshmit, truri i zemëruar i të cilit mund të pranonte vetëm versionin: “Medet sikur njeriu të jetonte përjetësisht” C’tmerr! Indi poetik i ngjizur spontanisht me këto copëza poezish të hedhura shpejt e shpejt nëpër copëza letrash nuk njeh rreptësinë e një rendi logjik të një diskursi lirik të organizuar por një reagim refleksiv për kohën dhe botën. Dhe koha shkon Dhe bota ikën Dhe ne ecim Dhe qeshim kur qan jeta Dhe kur qesh varri…. Vdesim!Më shumë se një kërkim dramatik është një refleks dramatik ndaj asaj që quhet botë por edhe ndaj asaj që quhet jetë.Letërsia diktatoriale në Shqipëri pati njohur raste të burgosurish për shkak të poezisë, poezi të ndaluara dhe poetë të ndaluar, të internuar, të larguar larg syve të lexuesve sikurse pati edhe një të ashtuquajtur “letërsi sirtaresh”, e destinuar për një tjetër kohë për t’u shfaqur paralexuesit, për shkak të censurimit dhe pamundësisë për t’u botuar. Ndërsa poezia e Blloshmit është ndryshe, është poezia e njeriut të ndodhur në zgrip të jetës, është një nevojë ekzistenciale për t’u shprehur, për të komunikuar me veten, për t’ju rrëfyer vetes pa nënkuptuar publik receptues të mundshëm.E shkruar ashtu siç e lexojmë sot poezia e Blloshmit s’kishte gjasë të pritej bujarisht për t’ju bashkangjitur fondit të poezisë së kohës edhe sikur autori të ish pinjoll i një ati të devotshëm në shërbim të regjimit, jo më një pasardhës nga fisi i Blloshmëve, që ishin të etiketuar si “armiq” të betuar të shtetit. Po a mund të shndërrohej poezia në mbrojtësen e tij, në mbrojtësen e njeriut të pambrojtur. Nga kjo posturë e skajshme a mund të jetë poezia shpëtim ekzistencial në atë pik limit ku vdekja është më pranë se kurrë?Poezia në jetë, e sidomos në çaste të caktuara, vjen si një variant çlirimi apo iluzioni për çlirim shpirtëror dhe moral. Ajo në çaste të caktuara vjen si një koncentrim i brendshëm, si një përqendrim superior për të mposhtur kontraditat në mes të thënës dhe të pa thënës, të mundshmes dhe të pamundshmërisë, realitetit dhe ëndërrimit në mes të bërës dhe të pabërës. Pra nëse poezia e Blloshmit nuk mund të ishtë mbrojtësja e tij, e shprehur si ekspresion poetik, më së paku duhej të kishte funksionin e çlirimit shpirtëror, një lloj funksioni katarstik.Sikurse thamë poezia e Blloshmit ishte një krijesë e ndaluar, mikluese por edhe kanosëse, një përpjekje mbinatyrale për të artikuluar të pathëna por edhe një lojë ekzistenciale. Vetmia dhe vdekja rrinë nderur për gjatë gjithë poezisë së Blloshmit. Madje që në poezinë e parë, shkruar më 1968, e ndikuar dukshëm nga poezia franceze, një poezi dedikuese, një lloj meditacioni për ç’ka ndodh me njeriun kur mbush njëzet vjeç. Në të vërtetë çfarë duhet të përjetojë një njeri që sapo ka mbushur 20 vjec? Përpos gezimit të moshës dhe entuziasmit që të ofron ajo edhe një barrë endrrash të hareshme, një realitet të ëndërruar që medoemos duhet ta prekë. Nuk ka kurrfarë entuziasmi që në poezinë e parë të Blloshmit, as ëndrra, as ekzaltimin që mbart me vete mosha.Ai druan “Se koha një ditë karvanin do shkarkojë/Anash gjëra që do lejë dhe ne do na harrojë/Në vendin…s’di se ku/ Po për një kohë aty një sop dheu do qëndroje/ Kur të kalojë udhëtari fytyrën do shtrëmbërojë/ C’ka qënë ky këtu ?Që në të parën poezi të Blloshmit projektohet “Sopi i dheut” që u gjend në një vend të paditur. Një pandehmë rrënqethëse që jeton në zonat imagjinative të trurit të poetit, përkim i çuditshëm me atë ç’ka do ndodhte më pas më 17 korrik 1977, një sop dheu në në një vend të paditur, 9 vjet pasi e shkroi poezinë e parë do të mbulonte trupin e masakruar të poetit. Poetit që të 29 vitet e jetës i jetoi në “një makth të llahtarshëm” siç do të shkruante ai. Sikur t’i ktheja pas vitet e mia Por jo për të rënë sërishmi në djep Por në arkivol.Arkivoli dhe vdekja, hipostazat e një makthi të vazhdueshëm që nuk mungojnë gjatë gjithë tjerrjes poetike.Një vizion ekzistencial i dhënë përmes gjetjesh shokante, kur thanatosi përsëri ritet tragjikisht, pa ndërprerë. Ngjyrat e vdekjes ruhen të paprekura, i paprekur ruhet “dhe shpirti i të vdekurve në dorë më një pish(tar), që vrapon, del i dalldisur nga humbja e ndjen v…(arr) (Pa titull)”Blloshmi e prek skëterrën që në gjallje, e ndjen trysninë shkatërruese të saj. Drama e vërtetë e tij nuk është vdekja, por të qenurit anonim, të qenurit askush, humbja në humbëtirën pa shenja identiteti. Imazhi poetik i autorit arrin ta kapë fillin e absurdit, shkatërrimi dhe dehumanizimi i shoqërisë njerëzore. … edhe pse thithim të njëjtin ajër Dhe pimë të njëjtin ujë Njerëzit nuk mund të hanë me të njëjtën lugë Në pjatën e arsyes.Dhe doemos absurdi shkon drejt trajtash paradoksale Të mbjellim arën me lesh e të bëjmë çorape, Ose të qethim iriqin Sa keq që të gjithë dykëmbëshat Mbajnë emrin njeri. (Pa titull, shkruar më 1972)Ai është në kërkim të “njeriut me shpirt të vërtetë”, në vorbullën e një atmosfere njerëzore shkatërruese ku “Njeriun/ Sa pak e gjen tek njeriu”- do të shprehej në një varg të vetin, i ngjashmi për nga vuajtjet, poeti Visar Zhiti.Blloshmi ishte pjesë e një realiteti tragjik që shkroi një letërsi në errësirën ku komunizmi rrekej t’i mbyllte intelektualët; duke luajtur një lojë të rrezikshme por njëherazi dhe ekzistenciale. “Si të jesh duke qënë zjarr, me fqinj barutin”-do të shkruante në ditarin e tij. Qenia është hipostaza e parë në poezinë e Blloshmit, privacioni i lirisë që përthyhet në dy vargëshin sentencial: Më mirë një jet e zezë Me faqe të bardhë Sesa një jet e bardhë Me faqe të zezë… Të shkruash e të mos botosh. Komunikimi letrar nënkupton, shkrimin, botimin e receptimin. Të shkruash e të mos guxosh të botosh që nën kthetrat e një censure totale. Të mos botosh për t’u mbyllur si shpëtim nga censura “është diç më shumë se fascinuese, është një shenjtëri”. Le ta konsiderojmë si një Monolog në Unë, e shkruar në vetmi dhe që afrohet nga vetja, dhe sa më shumë afrohet nga vetja, aq më shumë shtyhet drejt lexuesit. Në studimin që përcjell poezinë e Blloshmit është shumë bindës konstatimi i Sadik Bejkos se Blloshmi është poet i personales…vjershat e tij përherë kanë një shkak, një ndodhi të jashtme a të brendshme, si shtysë për të dalë jashtë tij… ato janë ditari poetik i çasteve më tragjike, i rrënqethjeve dhe i torturës shpirtërore më të skajshme të njeriut në qorrsokak. Sikur të mbështeteshin e shiheshin Rrugët nga vjen kujtimi, mendimi Brenga, shpresa, vegimet Të dukej krejt i jetës zig-zaku i gjatë Që nga ardhja në këtë botë e gjer Te varri, pikëz e llahtartëNë këto vargje të një tjetër poezie pa titull, sërish rishfaqet trishtim, brenga, regjime, sërish “varri”- pikëz e llahtartë, vdekja por këtë radhë pa eufemizëm si në rastin “sop dheu”. Kjo është pjesa e dukshme e leksikut frekuentativ të poezisë së Blloshmit .Edhe pse në ditët e sotme synohet që letërsia të studjohet duke u vetmjaftuar në tekstin, në letërsitë e lindura, në totalitarizëm është e pamjaftueshme nësë nuk mer parasysh raportin e shkrimtarit me pushtetin, me politikën. Poezia e Blloshmit bën pjesë në poezitë e padeklamaruara për shkak të heshtjes së sajuar me dhunë nga diktatura, kjo është pjesa më e dhimbshme dhe më e turpshme e shoqërisë. Tash që kjo poezi ka dalë në dritë me gjithë dimensionin e saj, përmes një radiografie që shoqeria shqiptare i bën vetes, fillon të rikuperojë dhe ndërgjegjen e vrarë kombëtare.

Filed Under: LETERSI

16 VJET PA PRESIDENTIN HISTORIK DOKTOR IBRAHIM RUGOVA

January 21, 2022 by s p

Sot mbushen 16 vite që Presidenti i parë historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, u largua prej nesh duke na lënë një boshllëk të pa zëvëndësueshëm si mendimtar dhe filozof, vizionar dhe lider perëndimor, shtetndërtues dhe diplomat i shkelqyer. Kombi shqiptar e kujton Doktor Rugovën si udhëheqësin dhe udhërrëfyesin e Kombit që me mençuri përgatiti rrugën drejtë pavarësisë së Kosovës dhe realizimit të objektivave kombëtare në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Doktor Rugova zë vend të veçantë në politike elitën shqiptare të shekullit qe jetuam. Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova do të mbetet përjetë shembulli ideal i dijetarit, intelektualit dhe humanistit, Atit themeltar të shtetit të Kosovës. Presidenti Rugova ishte vizionari dhe udhërrëfyesi i epokës moderne të kombit tonë. Sot e kujtojmë në 16 vjetorin e ndarjes nga jeta si udhëheqësin, shtetarin, filozofin dhe themeluesin e Kosovës së pavarur e moderne. Krenar gjithmonë që jetuam dhe punuam me Doktor Rugovën dhe vazhdojmë të palëkundur në këtë rrugë dhe filozofi. Angazhimi i Presidentit Rugova ishte i pa ndalur për zgjimin kombëtar, vizioni shtetformues për Kosovën Republikë.

Përjetë mirënjohës.

Elmi Berisha

Filed Under: Featured

BAHRI SHYTI SHNDËRROHET, ME TË DREJTË, NË CILËSI ME NDJENJA HYJNORE SI POET

January 21, 2022 by s p

Nga Hysen Ibrahimi

Forslov, Suedi, 03.11.2021

Doli nga shtypi libri i poetit Bahri Shyti, i titulluar “KUSH TROKET”. Botues: Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi.

Duke e ditur se poezia, me anë të shprehjes, zbulon shumë  për opinionin dhe qartëson kuptimin dhe idenë e secilit poet për lëvizjet e kohës, ngjarjet e jetës dhe interesat kombëtare, duke qëndruar fuqishëm mbi artet e tjera në fushën e krijimtarisë. Kështu, siç duket, poeti Bahri Shtyi e ka kuptuar mjaftueshëm këtë ide dhe me përsosmëri të lartë ka arritur të krijojë vargje nga më të ndryshmet, madje me një përsosmëri të natyrshme.  Kjo arritje e tij plotëson autorin Bahri Shyti, brengën e tij të kahershme për të publikuar nëpërmjet vargut atë që e ka pasur si brengë në jetë, pra, për t’i publikuar vargjet e tij për lexuesit, pse jo për t’i lënë dëshmi historigrafisë shqiptare idenë preokupuese të shprehur nëpërmjet poezisë.

Autori me librin e tij të gjashtë të radhës të titulluar “KUSH TROKET” (2022), ka goditur shenjën e synuar të jetës, që ngre lart shpirtin e poetit. Poezia e tij në këtë libër me përmbledhje, e bën aq gjenial poetin Bahri Shyti, sa që edhe poetët më të mëdhenj të gjinive letrare ia kanë lakmi, për formën e mjeshtrisë së të krijuarit varg poetik, për mënyrën se sa përshtatshëm  paraqet të vërteta të reja të kohës kur ne po flasim, për intuitën e tij të lartë se si i qartëson ngjarjet nëpërmjet poezisë e nëpërmjet vargjeve të veçanta, duke shprehur brengën e çdo të keqeje që i vjen popullit shqiptar, por edhe lumturinë e të arriturave shoqërore e familjare. Kjo është vërejtur qysh herët, se autori është rritur në frymën e inspirimit patriotik aq të madh dhe të denjë dhe, në këtë formë, autori shndërrohet me të drejtë në cilësi me ndjenja hyjnore si poet. 

Gjatë kritikës sime letrare për poezinë e autorit, kam kuptuar se talenti i tij për ndërtimin e poezisë asnjëherë nuk ka munguar, kuptimi i brendshëm ka motive të forta dhe asgjë nuk lëshon pa e përfshirë me një realizëm njerëzor e që më pas e jep formën e bukurisë artistike e ideale, që pastron zemrat e lënduara. Pra, me fjalë të tjera, poeti Shyti arrin që secilit lexues t’ia mbushë shpirtin me mendime të pakufishme nëpërmjet vargut.

Shumë herë, duke e lexuar poezinë, krijohet përshtypja se nuk jemi në gjendje të themi se deri ku mund të arrijë poezia e këtij poeti të madh në të ardhmen. Në anën tjetër, mund të konstatojmë se autori në kokën e tij ka aq shumë brumë poetik të larmishëm të jetës së tij, saqë shumë herë ai arrin ta gjallërojë dhe poezia e tij të interpretohet edhe nëpërmjet 

këngës, gjë që dëgjohet me ëndje në brendinë e botës shqiptare. Kam krijuar bindjen se poeti Bahri Shyti është një burim i pashtershëm në fushën e krijimtarisë.

E them këtë me bindje, duke e dëshmuar me fakte përcjellëse, sepse si poezia, ashtu edhe kënga e tij, në shumë raste, sidomos kur përkushtohet në sakrifcën personale njerëzore, janë shndërruar në përmbajtje të rëndësishme historike të jetës së autorit, e që ka të bëjë me historinë e jetës së tij të përvuajtshme, duke mbrojtur interest kombëtare qysh nga mosha e tij e rinisë. Pastaj, në anën tjetër, ai arrin fuqishëm e duke krijuar me përkushtim historinë që flet për lavdinë e popullit shqiptar, lartëson trimëritë e trimave të rënë në beteja, duke mos përjashtuar veset e atyre njerëzve që u kanë shkaktuar dëme interesave kombëtare, pa potencuar emra të përveçëm. Këtu autori tregon nivelin e tij të lartë kombëtar,  me pretendimin se me çdo kusht duhet ruajtur ardhmëria e shëndoshë e kombit tonë.

Ndjenjat e poetit Shyti për poezinë e rilindasve tanë e në veçanti për Naimin e Migjenin, i kujton me nostalgji dhe shih për këtë sa bukur krijon vargje në poezinë e titulluar “S’JAM”, 

S’jam Naimi as Migjeni

Ndjenjat e tyre mund t’i kemi

Ata ishin dhe do të mbesin

Në letërsi kurrë s’do t’vdesin

Si Naimi s’mund të shkruaj

Edhe pse kemi diç ngjashmëri

Shumë shkrime ai botoi

Jashtë atdheut nënës Shqipëri

Kjo na është pikë e përbashkët

Veç frymëzimi është në mërgim

Kur po shkruante ”Bagëti e bujqësi”

Thuajse të njëjtën për vendin tim…

Mund të konstatojmë se poeti – nëpërmjet vargut – korrenspondon me rilindasit tanë, si me Naimin, ashtu edhe Migjenin, duke u kushtuar vargje nga shpirti i tij. Në jetë, kur rilindasit tanë na kanë rrëmbyer zemrën me krijimtarinë e tyre të çiltër e me mesazhe të qarta, janë inspirim për ne shqiptarët kudo që ndodhemi, që ta vazhdojmë rrugën e tyre. Kurse poetët tanë të kësaj kohe, siç është tani z. Bahri Shyti, me shumë të drejtë shpalosin vargje nga më të mirat, që tregojnë se shpirti i tij nuk ngopet  kurrë duke i kujtuar. Emrat e tyre te poeti Shyti janë të gdhendur  në thellësinë e shpirtit të tij. Kjo shihet në secilin libër të tij, ku autori ka një përkushtim të veçantë për poetët që i takonin fazës së Rilindjes sonë kombëtare.

Autori në këtë libër, nëpërmjet vargut të tij, nuk merret vetëm me një drejtim, por përfshin çështje të natyrës kombëtare, humanitare e shpirtërore. Megjithëkëtë, vendin më të madh e zë kujdesi ndaj vendit, ndaj padrejtësive që i bëhen shqiptarisë, duke i vënë në thumb, me satirë, tërthorazi.

Në brendinë e librit do ta gjeni poezinë e titulluar ”Dardanisë”, ku autori i shkruan  këto vargje:

Dardani pashë atë Zot

Ku ma ke lënë flamurin sot

Ku m’i ke krushqit e vjetër

Ata s’duan flamur tjetër

Kuqezi gjithmonë e pata

I burgosën shumë gjenerata

Na i vranë shumë patriotë

Shumë na i zhdukën e s’i pamë dot

Na përcjell deri tek varri

Është i skuqur me gjak shqiptari

Edhe atje ne na shoqëron

Dheun e varrit na e lehtëson

Dardani më nxore lot

Kam qarë dje e po qaj sot

Po kam frikë prapë do t’qaj

Padrejtësitë nuk mund t’i duroj…

E tërë poezia e poetit Bahri Shyti sillet rreth një boshti të çelikosur, e ky bosht është BOSHTI POETIK E PATRIOTIK i tij, që është i pathyeshëm. Mbi të gjitha është poet që mbështetet në idenë, vizionin e porosinë e tij, në përpjekje kulturore, artistike e patriotike. 

Sigurisht është edhe një porosi e madhe e poetit për pushtuesin serbo-sllav (pushtues barbar, me forcën brutale e kriminale, duke vrarë, burgosur dhe detyruar shqiptarë për t’u shpërngulur nga trojet e veta stërgjyshore, donte t’i shtypte të gjithë ata intelektualë që kishte vërejtur se janë atdhetarë dhe të palëkundur për idealet e tyre, e në mesin e tyre ishte edhe vetë poeti Bahri Shyti), se jeni  pushtues i pafuqishëm kundër vrullit të një populli, e po ashtu edhe kundër poetit Shyti, i cili do t’i këndojë dhe do t’i shkruajë të këqijat e pushtuesit dhe, sigurisht, në anën tjetër t’i madhërojë fitoret dhe gëzimet e tij për Shqipërinë, Dardaninë, Çamërinë, Iliridën dhe mbarë trojet etnike shqiptare, si në vendlindje, ashtu edhe në mërgatë.

Filed Under: LETERSI

KONGRESI I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) – THEMELI I INSTITUCIONEVE SOVRANE DHE PAVARËSISË SË PLOTË TË SHTETIT SHQIPTARË

January 21, 2022 by s p

Nga Kevin Haxhiu*

Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 një vitë më vonë në vitin 1913 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër Fuqitë e Mëdha vendosën copëtimin e territorit të Shqipërisë në favor të vëndeve fqinje.Në vitin 1915 Traktati i fshehtë i Londrës vendosi që territori i Shqipërisë të copëtohej edhe më shumë se në vitin 1913.Në vitin 1918 në Konferencën e Paqes në Paris nga Fuqitë e Mëdha (Blloku i Antantës-fitues të luftës) dhe vëndet fqinje kërkuan që Traktati i Fshehtë i Londrës i vitit 1915 të zbatohej.Delegacioni i dërguar nga qeveria e Durrësit nuk po e përfaqësonte aspak si duhej Shqipërinë duke mos i dhënë asnjë zgjidhje këtij problemi të madh.Gjatë gjithë kësaj kohe Shqipëria ishte në kaos dhe rreziku për copëtimin e saj ende vazhdonte.Ndaj patriotët shqiptarë të gjendur në këto rrethana vendosën që në Shqipëri të mbahej një tjetër Mbledhje Kombëtare që të mbronte Pavarësinë e Shqipërisë dhe territorin e saj.Në muajin nëntor të vitit 1919 u mblodh organizata nacionaliste “Krahu Kombëtarë” në shtëpinë e ish Prefektit të Durrësit Abdyl Ypi.Në këtë takim merrnin pjesë patriotë shqiptarë të cilët diskutuan për mbledhjen e një kongresi kombëtarë pasi rreziku për copëtimin e Shqipërisë ishte i madh.Në këtë takim u vendos që t’i bëhej një thirrje Parisë së Lushnjes pasi në qytete të tjera ishin bërë përpjekje por nuk arritën dot të organizonin mbajtjen e një kongresi.Ata iu drejtuan patriotit Sheh Ibrahim Karbunara dhe në 31 dhjetor 1919 patriotë lushnjarë që i përkisnin parisë së qytetit të Lushnjes u mblodhën në Teqenë e Karbunarës.Atje u ngrit edhe Komisioni Nismëtarë me 28 anëtarë për Thirrjen dhe Organizimin e Kongresit.Anëtarët e Komisionit Nismëtarë për Thirrjen dhe Organizimin e Kongresit të Lushnjes ishin:Besim Nuri,Ferit Vokopola,Nebi Sefa,Qemal Mullaji,Eshref Frashëri,Sheh Ibrahim Karbunara,Abedin Nepravishta,Bajram Haxhiu,Taullah Sinani,Llazar Bozo,Emin Vokopola,Zija Mullaji,Mustafa Vokopola,Jonuz Sefa,Skender Pojani,Kadri Jenisheri,Teki Libohova,Filip Papajani,Jakov Bozo,Andrea Papaj,Qerim Arapi,Rasim Hoxha,Arif Kurti,Abdyl Aziz,Muntar Luarasi,Hamit Xheka,Reshat (Hysni) Shazivari,Hasan Islami Like.Komisioni Nismëtarë nisi ftesa me objekt që çdo krahinë e Shqipërisë të zgjidhte delegatët e saj që do ti përfaqësonin në Kongres.Komisioni gjithashtu përgatiti organizimin e mbledhjes,krijimin e kushteve për delegatët gjatë kohës që do të qëndronin në Lushnje,organizmin e forcave vullnetare për të mbrojtur dhe siguruar qetësinë gjatë kohës që do të mbahej mbledhja.Kongresi u mblodh në Lushnje në shtëpinë e Kaso Fugës në 21-31 Janar 1920.Në Kongres morën pjesë 56 delegatë ku gjithësecili përfaqësonte krahinën prej nga ishte zgjedhur.Delegatët në Kongresin Kombëtarë të Lushnjes janë:-Prefektura Durrës:Abdi Toptani,Irfan Ohri,Mytesim Këlliçi,Rexhep Jella,Shezivar Alltuni,Xhaferr Ypi.-Malësia e Gjakovës:Hasan Batusha,Xhemal Beg Bushati.-Prefektura Dibër:Ahmet Zogu,Dine Dema,Dine Nasuh Maqellara,Ramiz Daçi.-Prefektura Shkodër:Ejup Sabri Bushati,Hoxha Kadri,Mati Logoreci,Ndoc Çoba,Rexhep Shala,Xhemal Naibi.-Prefektura Elbasan:Aqif Pashë Elbasani,Adem Gjinishi,Asllan Shahini,Filip Papajani,Kasem Sejdini,Qazim Dyrmishi,Sali Ceka.-Prefektura Korçë:Beqir Rusi,Eshref Frashëri,Ferid Frashëri,Gjokë Ndini Gusho,Idhomen Kosturi,Koço Kota,Sali Butka,Selaudin Blloshmi.-Prefektura Berat:Bektash Cakrani,Hysen Nikolica,Iliaz Vrioni,Kamber Belishova,Llambi Goxhomani,Llazar Bozo,Spiro Papa,Sheh Ibrahim Karbunara.-Prefektura Vlorë:Dhimitër Qypi,Myqerem Hamzaraj,Qazim Kokoshi,Ymer Ali Radhima.-Prefektura Gjirokastër:Ali Këlcyra,Ali Kumbaro,Arshi Shehu,Dervish Seit Grosha,Kasem Radovicka,Kiço Koçi,Rasim Babameto,Shezai Çomo,Spiro Kosova,Veli Harshova.-Diaspora:Sotir Peçi.Kongresi i Lushnjes vendosi që nuk do të pranonte asnjë vendim për copëtimin e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha në favor të vëndeve fqinje dhe u shpreh për pavarësinë e plotë të Shqipërisë.Kongresi rrëzoi qeverinë ‘italiane’ të Turhan Pashë Përmetit dhe delegacionin e dërguar prej saj në Konferencën e Paqes në Paris pasi nuk po e kryenin funksionin për të cilin ishin zgjedhur në dhjetor  1918 në Kongresin e Durrësit.Në kongres u zgjodh një qeveri e re me Kryeministër Sulejman Delvinën,zëvëndëskryeministër dhe Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Botërore Eshref Frasheri,ministër i punëve të brëndshme Ahmet Zogu,ministër i punëve të jashtëm Mehmet Konica,ministër i financave Ndoc Çoba,ministër i drejtësisë Hoxha Kadri,ministër i luftës Ali Riza Kolonja,ministër i Arsimit Sotir Peçi,Drejtor i Përgjithshëm i Post-Telegrafit Idhomen Kosturi.Kongresi zgjodhi dhe delegacionin e ri shqiptarë pranë Konferencës së Paqes në Parisë me anëtarë:Imzot Luigj Bumci,Mehmet Konica,Mihal Turtulli.Kongresi zgjodhi në krye të shtetit një organ kolegjial Këshillin e Lartë (Regjenca) në të cilin bënin pjesë Aqif Pashë Elbasani,Mihal Turtulli,Imzot Luigj Bumçi dhe Abdi Toptani.Në Kongresin e Lushnjes u zgjodh edhe Senati me 37 senatorë që do të kryente funksionin legjislativ.Kongresi i Lushnjes miratoi aktin kushtetues “Bazat e Kanunores së Këshillit të Lartë” (Statuti i Lushnjes) me 6 nene dhe në të  cilën sanksionohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptarë dhe kjo bazohej edhe në të gjitha vendimet që u miratuan në kongres.Forma qeverisëse që sanksionohej në Statutin e Lushnjes ishte Monarkia por që vëndin e saj e zuri Këshilli  i Lartë deri në ardhjen e mbretit në fron.Senati dhe “Bazat e Kanunores së Këshillës së Lartë” përfaqësojnë  i pari Parlamentin dhe e dyta Kushtetutën e Parë Shqiptare sepse u zgjodhën e u miratuan nga një kuvend kombëtarë (Kongresi i Lushnjes) që përfaqësonte vullnetin e popullit shqiptarë.Pas përfundimit të punimeve të Kongresit në 31 janar 1920 Ministri i Punëve të Brëndshme Ahmet Zogu u dërgoi çdo prefekture një qarkore me anë të së cilës populli njihej me vendimet që ishin marrë në Kongresin Kombëtarë të Lushnjes.Qeveria e Durrësit e cila kishte përkrah saj italianët bëri përpjekje për të mos e njohur Kongresin e Lushnjes dhe vendimet e tij.Gjithashtu u përgatit për të sulmuar organet e reja të zgjedhura në Kongresin e Lushnjes.Nisur nga kjo gjëndje disa prej delgatëve mendonin të qëndronin edhe për disa ditë në Lushnje deri sa të qetësohej gjëndja por në këto rrethana  tepër  i  gatshëm dhe i guximshëm për të vendosur organet e reja në Durrës ishte Ministri i Punëve të Brëndshme Ahmet Zogu i cili edhe kur erdhi si delegatë në Lushnje garantoi sigurinë për mbledhjen kombëtare me forcat e tij.Ahmet Zogu kryesoi udhëtimin për në kryeqytetin e Shqipërisë Durrës por kur u njoh me rezistencën e italianëve që ishin atje,Zogu për të shmangur përplasjen vendosi me zgjuarsi dhe maturi që përkohësisht organet e reja qeverisëse ti vendoste në Tiranë sepse kryesore në atë kohë ishte të fillonin punën institucionet.Më 11 shkurt 1920 institucionet e zgjedhura në Kongresin e Lushnjes hynë në Tiranë ku patën një pritje madhështore nga populli dhe Tirana “de facto” u bë kryeqytet i përkohëshëm i Shqipërisë.Shqipëria që prej kohësh ishte e pushtuar dhe në rrezik nga planet grabitqare të fuqive të mëdha për ta coptuar edhe më shumë territorin e saj,tashmë nga vendimet që u morën në Kongresin e Lushnjes do të ishte e lirë dhe me institucionet e saj sovrane,të ligjshme dhe demokratike.

* KEVIN HAXHIU – Stërnip i Nismëtarit të Kongresit të Lushnjes, Patriotit Bajram Haxhiu.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2627
  • 2628
  • 2629
  • 2630
  • 2631
  • …
  • 2953
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Eliot Engel, in memoriam…
  • «Dritë-shkronja» e Eugène Pittard
  • Propozimi i Presidentit amerikan Donald J. Trump për emërimin e Gjeneral Lejtnant (Ret.) Eric P. Wendt si Ambasador i SHBA-ve në Shqipëri
  • Manifestimi i AAWO “Motrat Qiriazi”, nderohet sakrifica dhe suksesi i gruas shqiptare
  • Leonardo da Vinci, gjeniu që e shndërroi artin në instrument për të depërtuar në sekretet e krijimit
  • Kënaqësi të takohem me Presidentin Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij, ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton
  • Zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare…
  • “Ora e maleve”
  • Në ditën e lindjes së shkrimtarit të madh Jakov Xoxa
  • Njeriu-Mozaik
  • Samiti i Diasporës, njё skenë pa aktorë
  • Kosova përballë një prove historike shtetërore
  • YLLI MEÇAJ I VLORËS – ARTIST KOMBËTAR SHUMËPLANËSH
  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT