• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS

March 16, 2026 by s p

Screenshot

Nga Eugjen Merlika/

“Këtë vëllim me analiza, shkrime si edhe konsiderata, të gërshetuara edhe me kujtime në person të parë, ia kushtoj t’im Eti të ndjerë. Endjej detyrim moral ndaj Tij këtë përkushtim sepse, ndonëse Ai ia përkushtoi të gjithë jetën Atdheut të Tij, të cilin e deshi më shumë se edhe familjen e tij, përgjatë diktaturës u cilësua tradhëtar i vendit e vetëm tradhëtar.

Kur festoheshin përvjetorë të Gjimnazit të Shkodrës, televizioni shqiptar jepte fotografinë e trupit mësimor të këtij gjimnazi e cila kishte në qendër të saj një njollë me laps kopjativ me të cilën vërtet maskohej fytyra e themeluesit si dhe drejtorit të parë të këtij gjimnazi, Xhevat Korçës, por edhe kureshtja e shikuesit. Përjashtim bënte fotografia e çetës së Themistokli Gërmenjit, ku 17 vjeçarit Xhevat Korça nuk ia maskonin fytyrën sepse ,,,, nuk e dinin se qe Ai, e kështu çdo 28 Nëndor, ne familjarët e tij, e kishim një kënaqësi tek e shikomim në ekranin televiziv luftëtarin për pavarësi të cilin diktatura e mohonte duke e deformuar historinë siç vazhdohet edhe sot e kësaj dite!

Nga ana tjetër e ndjej detyrim ndaj Tij këtë përkushtim edhe për faktin se shumë ngjarje e rrethana të cilat i kujtoj përgjatë teksteve të shkrimeve, unë i di se janë pasojë e të qënit bir i Tij e kësisoj i kam përjetuar e Ai, që nga Amëshimi, do të më dënonte rëndë në qoftë se unë do t’i deformoja. Orientimi i Tij, busulla e Tij , ishte drejtësia, qoftë edhe në dëmin e Tij!

Prandaj edhe unë i kam hedhur në letër pikëpamjet e mia, kujtimet e mia si edhe konsideratat e mia, i prirur vazhdimisht nga orientimi se si do të më gjykonte im atë!

DËSHMIA E SINQERTË E MËRGIM KORҪËS

Nëse do të ketë ndonjëherë një bilanc të asaj çfarë duhet të ishte shkruar dhe asaj çfarë duhej të ishte fshirë nga letrat shqipe, në raport me Shqipërinë e pesëdhjetë viteve të komunizmit, ky libër do të mbetej. Kam dyshimin e madh se në asnjë vend të bllokut lindor, regjimi nuk ka patur fatin komod që ka patur në Shqipëri. Për komunizmin shqiptar u prodhuan mijra dhe miljona faqe të  shkruara për të mbajtur atë në këmbë dhe thuajse asgjë për t’a ndriçuar errësirën e tij, pas rënies. Shqipëria është thuajse i vetmi vend që nuk ka dokumentuar aksidentin e saj më të madh historik.

Mërgim Korça, i ka skruar këto faqe, me shqetësimin e një qytetari të dorës së parë, për të lënë më bibliotekat tona, dëshmitë e tij. Duke patur fatin të jetë djali i Xhevat Korçës, ai ka mundësinë të sjellë nga afër kujtimin e tij dhe për figurat e anatemuara nga komunizmi dhe sidomos për gjenitë e letrave shqipe, klerikët e mëdhenj shqiptarë, katolikë, bektashianë apo myslimanë si edhe figura të tjera të politikës dhe shtetit shqiptar të viteve 40 – të. Libri i tij  ndryshon nga një libër i zakonshëm kujtimesh edhe pse mbështetet kryesisht mbi kujtesën e tij kulturore, familjare dhe politike, Ai nuk merr përsipër gjithçka. Ai merr përsipër vetëm diçka, që e ka njohur dhe e ka përjetuarpersonalisht dhe familjarisht, Për kërë arsye në këtë libër gjen shkrime që thyejnë tabu për rolin pozitiv të qeverive shqiptare gjatë luftës së Dytë botërore, ashtu si gjen fakte tronditëse për fatin e dia emrave të mëdhenj të historisë shqiptare. Me të njëjtën qetësi për ta vizatuar me ngjyra dëshminë e tij, gjen zhgënjime për miq të indoktrinuar nga komunizmi, ashtu siç gjen vlerësime reale për ish komunistë që e patën mundur që gjatë komunizmit dogmën në raport me shoqërinë. Në këtë aspekt shkrimet e Mërgim Korçës, nuk janë një përpjekje e sforcuar për të paraqitur komunizmin ashtu siç duhet paraqitur, por një përpjekje për të paraqitur atë ashtu siç ishte, me të gjitha nuancat e tij. Dhe këto faqe të bindin për antivlerat e regjimit, më shumë se filmat bardhë e zi apo kujtimet e ngjyrosura, që po e trajtojnë komunizmin si një telenovelë nostalgjikësh.

Mero Baze 

Mërgim Korça

Mërgim Xhevat Korça është inxhiinier mekanik. Ka projektuar dhe zbatuar sisteme origjinale makinerish bujqësore disa dhe unikale në llojin e tyre, Ka mbrojtur studime edhe në fushën e motorëve. Si rezultat  është i laureuar me titullin më të lartë në fushën shkencore;”Punonjës i shquar i Shkencës dhe Teknikës”. Krahas shkencës Mërgimi, i ndikuar nga i ati, ka patur gjithë jetën pasion gjuhën dhe letërsinë. Për pesëdhjetë vite nuk shkroi asnjë rrjesht në kushtet e diktaturës që sundonte në Shqipëri. Mbas rënies së regjimit komunist, emigroi në Sh.B. A,, ku banon edhe sot. Ai u është përkushtuar analizave me karakter historik, duke patur si synim të hedhë dritë mbi të vërteta historike që u shtrembëruan nga ideologjia komuniste, e cila ndërhynte në çdo qelizë të shkencave shoqërore.

Ndër studimet e tij më të rëndësishme janë analizat që u bën personaliteteve madhore intelektuale, fetare si edhe patriote të nëpërkëmbura dhe të përbaltura nga ideologët si edhe kalemxhinjtë e diktaturës komuniste. Vlen të veçohen shkrimet rreth Patër Gjergj Fishtës, hirësisë së tij Baba Rexhepit, Patër Anton Harapit, Peshkopit Iriné Banushit, Hirësisë së tij Imam Vehbi Ismailit, etj. Ka bërë edhe analiza për ngjarje historike si p.sh. Kryengritja  e Malësisë së Madhe e dimrit 1945. Cjithashtu ka edhe shumë shkrime edhe intervista për martirë të Kombit, pa lënë më një anë edhe gjykime të drejt peshuara dhe objektive edhe për kriminelë që dëndur e më dëndur po vazhdojnë e paraqiten si “heronj”.

Shkrimet e tij karakterizohen nga dy veçori:  së pari nga themelet e shëndosha dhe vërtetësitë e fakteve të qëmtuara që ai paraqit. Nga ana tjetër  e shquan paanësia e studjuesit i cili mundohet hap mbas hapi shtegun, përgjatë të cilit e udhëheq lexuesin, t’a shmangë nga mllefet si edhe paragjykimet të cilat, si trashëgimi e diktaturës, e kanë shpërfytyruar historinë e shkruar deri më sot. Në ShBA ka arritur të bëjë pjesë në trupin pedagogjik të Wayne State University.

Filed Under: Sofra Poetike

Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës

March 16, 2026 by s p

Nga dr. Sadik Elshani/

Dita e Verës është një festë e lashtë pagane që në vazhdimësi është festuar nga shqiptarët. Është një festë e gëzueshme që shënon mbarimin e dimrit dhe ardhjen e ditëve të ngrohta në Shqipëri. Nuk është vetëm një ditë që shënon ndërrimin e stinëve, por është edhe në ditë që sjell shpresë, energi të reja, ngrohtësi, përtrirje, bashkon njerëzit në një atmosferë të gëzueshme e festive. E tillë ishtë dita e shtune, 14 mars, në Philadelphia ku u organizua festimi i Ditëss ë Verës. Këtë vit ndoshta festimii i kësaj ditë ishte edhe më i hareshëm, sepse po vinte pas një dimri të gjatë me ditë shumë të ftohta e plot borë. Shumë bashkatdhetarë të gëzuar ishin tubuar në mjediset e brendshme dhe të jashtme të “Kafe Dajti”. Tryezat ishin të mbushura plot me ushqime tradicionale shqiptare: byrekë, petulla, bakllava, ëmbëlsira të ndryshme.

Kuptohet, Dita e Verës nuk mund të festohet pa ballokumet e famshme të Elbasanit. Ishin të ekspozuara edhe produkte ushqimore:  ullinj e vaj ulliri, reçele pemësh të ndryshme, si dhe produkte artizanale, instrumente popullore. Organizatorët kishin siguruar edhe këndin e lojërave për fëmijë. Zoti Haki Çollaku, dibrani krenar, në një kënd kishte sjellur “Odën dibrane”, ku ishin ekspozuar pamje nga krahina e Dibrës, instrumente popullore të zonës dhe produkte artizanale të asaj ane. Në raste të tilla nuk mungon as kënga e vallja shqiptare. Bashkatdhetarët e gëzuar kaluan së bashku ca çaste të hareshme, të lumtur që tani po na vijnë ditë më të ngrohta me gjithë atë forcën shpërthyese të stinës së pranverës. Festa të tilla e bashkojnë dhe e forcojnë më tepër komunitetin tonë, sjellin energji pozitive – kur festohet së bashku kënaqësia është më e madhe, çastet janë më të lumtura. Në kuadër të këtij manifestimi u organizua edhe një mbrëmje festive me muzikë e ushqime shqiptare.

Kjo veprimtari e bukur e plot hijeshi u organizua fal angazhimit të gazetares e veprimtares së palodhur të komunitetit tonë, zonjës Eva Dori në bashkëpunim me pronarët e “Kafe Dajt”, amviset duararta shqiptare, sipërmarrësit shqiptarë, numri i të cilëve cdo ditë është duke ushtuar. “Kafe Dajti” është një kafe – restorant ku shërbehen kryesisht ushqime tradicionale shqiptare dhe që nga hapja në nëntorin e vitit të 2024 është bërë një pikë mjaft e frekuentuar nga bashkatdhetarët. Është bërë edhe një qendër ku herëpashere organizohen edhe mbrëmje muzikore festa të ndryshme: festimi i Ditës së Shën Valentinit, Festës së Pavarësisë së Kosovës Ditës së Verës, etj. Shumë bashkatdhetarë e shfrytëzojnë këtë lokal për festat e tyre familjhare. Duhen përgëzuar pronarët e këtij lokali për gatishmërinë e tyre për t’i shërbyer komunitetit në forma të ndryshme.

Filed Under: Reportazh

RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN

March 16, 2026 by s p


Prof. Dr. Muhamet Racaj
Gjeneral Major në pension


HYRJE


Siguria në Ballkanin Perëndimor mbetet një nga çështjet më të ndjeshme të arkitekturës së sigurisë në Evropë. Rajoni vazhdon të jetë i ndikuar nga zhvillimet gjeopolitike, rivalitetet strategjike dhe proceset e modernizimit ushtarak të shteteve përkatëse. Në këtë kontekst, deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, se Serbia ka siguruar raketa supersonike CM-400 nga Kina, ka shkaktuar reagime të menjëhershme në rajon dhe në qarqet euroatlantike të sigurisë.
Reagimi i kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenković, i cili paralajmëroi konsultime me aleatët e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian lidhur me këtë zhvillim, dëshmon se kjo lëvizje shihet si një çështje me implikime të drejtpërdrejta për stabilitetin rajonal.
Rritja e kapaciteteve raketore të ushtrisë serbe nuk është një fenomen i izoluar, por pjesë e një strategjie më të gjerë të modernizimit ushtarak dhe të forcimit të fuqisë goditëse në rajon. Në këtë kuadër, analiza e këtyre sistemeve dhe e ndikimit të tyre në sigurinë e Ballkanit, veçanërisht në raport me Kosovën dhe shtetet e tjera të rajonit, paraqet një domosdoshmëri strategjike.
PËRPUNIMI I PËRMBAJTJES
Modernizimi i ushtrisë serbe në vitet e fundit është përqendruar në zhvillimin e kapaciteteve raketore me karakter ofensiv, të cilat mundësojnë goditje në thellësi të territorit të kundërshtarit. Një nga projektet më të rëndësishme në këtë drejtim është sistemi raketor Shumadija/Vila, një platformë moderne vetëlëvizëse e bazuar në kamionë të rëndë me mobilitet të lartë operacional.
Ky sistem përdor raketat balistike Jerina-1, me rreze veprimi deri në rreth 300 kilometra dhe me kokë shpërthyese prej rreth 200–250 kilogramësh. Përmes teknologjisë së navigimit satelitor dhe sistemit inertial të drejtimit, këto raketa janë të afta të godasin me saktësi objektiva strategjikë si bazat ushtarake, aeroportet, depot logjistike dhe infrastrukturën kritike. Në të njëjtën kohë, sistemi përfshin edhe municionin loitering Vila-1, i cili mund të qëndrojë mbi zonën e objektivit për një periudhë të caktuar dhe të kryejë sulme të përsëritura me ngarkesë të konsiderueshme shpërthyese.
Një tjetër element i rëndësishëm i arsenalit raketor serb është sistemi PULS, i prodhuar nga kompania izraelite Elbit Systems. Ky është një sistem modern i shumëfishtë i lëshimit të raketave (MLRS), i aftë të përdorë një gamë të gjerë raketash – nga kalibri 122 mm me rreze rreth 40 kilometra deri te raketat taktike balistike me rreze deri në 300 kilometra, si modeli Predator Hawk. Sistemi karakterizohet nga modulariteti, shpejtësia e reagimit dhe integrimi me sistemet moderne të komandimit dhe kontrollit (C4I).

Një dimension tjetër i rëndësishëm është bashkëpunimi ushtarak i Serbisë me Kinën. Blerja e raketave supersonike CM-400 përfaqëson një rritje të konsiderueshme të kapaciteteve goditëse të ushtrisë serbe. Këto raketa janë projektuar për të goditur objektiva strategjikë me shpejtësi shumë të lartë, gjë që e bën interceptimin e tyre nga sistemet tradicionale të mbrojtjes ajrore shumë më të vështirë.

Karakteristikat taktike dhe teknike të raketës CM-400

Raketa CM-400AKG është një raketë moderne supersonike e zhvilluar nga industria ushtarake kineze. Ajo është projektuar për goditje precize ndaj objektivave tokësorë dhe detarë me rëndësi strategjike.
Nga aspekti teknik, raketa arrin një shpejtësi supersonike prej rreth Mach 4 deri Mach 5, ndërsa rrezja e veprimit varion nga 100 deri në 240 kilometra, në varësi të profilit të fluturimit. Koka luftarake ka peshë rreth 150 deri në 200 kilogramë, me mundësi përdorimi të ngarkesave shpërthyese ose penetrante kundër objektivave të fortifikuara.
Sistemi i drejtimit kombinon navigimin inertial (INS), navigimin satelitor dhe sensorë radarikë ose infra të kuq në fazën finale të goditjes, duke rritur ndjeshëm saktësinë e saj. Për shkak të shpejtësisë së lartë dhe profilit manovrues të fluturimit, kjo raketë konsiderohet një armë shumë e vështirë për t’u neutralizuar nga mbrojtja ajrore tradicionale.

Për pasojë, në analizat bashkëkohore të sigurisë, raketa CM-400 konsiderohet një armë me potencial të lartë ofensiv, e cila mund të përdoret për neutralizimin e bazave ushtarake, sistemeve radarike, infrastrukturës kritike dhe objektivave të rëndësishëm strategjikë.
Kur këto zhvillime analizohen në kontekstin rajonal, bëhet e qartë se Serbia ka krijuar një avantazh të konsiderueshëm në kapacitetet raketore krahasuar me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina apo Maqedonia e Veriut. Kjo diferencë krijon një asimetrí strategjike, e cila mund të ndikojë në perceptimin e sigurisë dhe në balancën e fuqisë në rajon.

Në këtë situatë, reagimi i aktorëve ndërkombëtarë është i rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit rajonal. NATO dhe Bashkimi Evropian kanë një rol të veçantë në monitorimin e këtyre zhvillimeve dhe në ruajtjen e balancës strategjike në Ballkan. Për Kosovën, kjo situatë nënkupton nevojën për të vazhduar modernizimin e forcave të saj të sigurisë, për të forcuar bashkëpunimin me NATO-n dhe partnerët strategjikë, si dhe për të zhvilluar kapacitete të avancuara të mbrojtjes ajrore dhe të inteligjencës strategjike.

PËRFUNDIM
Rritja e kapaciteteve raketore të ushtrisë serbe dhe bashkëpunimi i saj ushtarak me Kinën përbëjnë një zhvillim me rëndësi strategjike për sigurinë në Ballkan. Sistemet raketore si Shumadija/Vila, PULS dhe raketat supersonike CM-400 përfaqësojnë armë me karakter të qartë ofensiv, të cilat potencialisht mund të ndikojnë në ekuilibrin ushtarak në rajon.
Megjithatë, stabiliteti i Ballkanit nuk mund të garantohet përmes garës së armatimit. Ai mund të ruhet vetëm përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal, transparencës ushtarake dhe rolit të strukturave euroatlantike të sigurisë.
Në këtë drejtim, për Kosovën dhe shtetet e tjera të rajonit mbetet thelbësore forcimi i kapaciteteve mbrojtëse, thellimi i bashkëpunimit me NATO-n dhe zhvillimi i politikave të qëndrueshme të sigurisë. Vetëm përmes një kombinimi të mbrojtjes së fortë, diplomacisë strategjike dhe partneritetit ndërkombëtar mund të garantohet paqja dhe stabiliteti afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

Filed Under: Analiza

MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË

March 16, 2026 by s p

Prof. dr. Jusuf Osmani/

Monografia “Shqipëria dhe emigrantët nga Kosova 1920-1939” e prof. dr. Lush Culajt është një arritje shkencore shumë e rëndësishme, rezultat i një pune këmbëngulëse hulumtuese shkencore disavjeçare e autorit. Ajo pasqyron përpjekjet dhe luftën e shtetit shqiptar për trajtimin dhe sistemimin e emigrantëve nga Kosova në Shqipëri në periudhën në mes dy luftërave botërore. Që në fillim të dorëshkrimit, studiuesi Culaj, duke analizuar rrethanat shoqëroro-politike në Shqipëri në prag të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, konkludon me të drejtë se shteti shqiptar pas Luftës së Parë Botërore ka qenë një vend në pritje, një vend që pritej të bëhej, të përcaktohej, dhe të ripranohej nga Evropa si etnitet më vete dhe pjesë e kontinentit.

Mbretëria e Jugosllavisë shpërnguljen e popullatës “josllave” nga e ashtuquajtura “Serbi e Jugut” e trajtonte si interes nacional i tyre. Profesor Culaj analizon pse një pjesë e shqiptarëve të shpërngulur e zgjidhnin pikërisht Shqipërinë? Nga analiza studimore e tij del se qëllimi ishte i qartë. Ata shpirtërisht e shihnin të domosdoshëm mbetjen brenda trojeve amtare. Te popullësia e trevës së Rrafshit të Dukagjinit dhe e Drenicës ndikoi edhe afërsia gjeografike me shtetin shqiptar. Për luftëtarët e rezistencës (lëvizjes kaçake) dhe familjet e tyre zhvendosja drejt Shqipërisë kishte edhe motivin e sigurisë për shkak të ilegalitetit të imponuar. Gjithsesi për elementët më të ndërgjegjësuar, për vendosjen në Shqipëri, ndikonte edhe përpjekja për të mos u shkombëtarizuar. Edhe emigrantë të tjerë të ardhur nga Maqedonia u vendosën me banim pranë kosovarëve.

Duke trajtuar vëndët ku ishin vëndosur emigrantët kushtet dhe rrethanat e vëndosjës Culaj thekson psh. se në fushën e Myzeqesë kishte të vendosur edhe emigrantë çamë, të cilët i ruanin traditat e veçanta të tyre. Profesori konstaton më të drejtë se jo pa qëllim Tafil Boletini ishte caktuar nga Qeveria si njëri ndër njerëzit kryesorë që duhej të merrej me vendosjen dhe trajtimin e emigrantëve. Ai si kosovar duhëj të ishte më afër kosovarëve edhe nga fakti se ua dinte më mirë hallet dhe problemet e tyre. Studiuesi Culaj, analizon edhe pasojat e shpërnguljes së shqiptarëve për shkak të dhunës të cilat i trajton si shumë të rënda dhe me ndikim në periudhat e mëvonshme. Këtë gjë profesori e sheh edhe në aspektin ekonomik ku pakësimi i ndjeshëm i popullsisë shqiptare në Jugosllavi u shoqërua më shkatërrimin e shumë ekonomive bujqësore dhe shumë fshatrave. U goditën rëndë edhe degë tradicionale të rëndësishme të ekonomisë së qyteteve të Kosovës. Megjithatë, thellimi i metejshëm i hendekut të marrëdhënieve ndërnacionale në ato krahina përbënte pasojat më të rënda.

Culaj, konstaton më të drejtë se edhe dokumentet diplomatike jugosllave dëshmojnë për përpjekjen e Ahmet Zogut dhe të Qeverisë Mbretërore edhe për riatdhesimin e emigrantëve nga Turqia në Shqipëri. Përkundër gjendjes të rëndë në Shqipëri emigrantët shqiptarë në Turqi, vazhduan të shtronin kërkesa për vendosjen në Shqipëri. Asokohe një faktor i rëndësishëm që ndikonte në forcimin e bindjes ndër shqiptarët për t’u shpërngulur në Turqi, ishte edhe ndjenja e fanatizmit fetar mysliman dhe ndikimi i fuqishëm i kulturës turke mbi një pjesë të popullit shqiptar. Se si ishte e rregulluar çështja e emigrantëve në Shqipëri më së miri e dëshmon dekretligji mbi vendosjen e emigrantëve, i propozuar nga Kryeministria dhe i aprovuar nga mbreti Zogu, më 2 shtator 1931.

Culaj konstaton gjithashtu që edhe dokumentet arkivore të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë në Romë dëshmojnë se diplomacia italiane nuk i qasej pa argumente çështjes së shpërnguljes së shqiptarëve. Ata, në baza mujore e me interes të veçantë, e përcillnin rrjedhën e shpërnguljes të shqiptarëve nga Jugosllavia. Sipas dokumenteve arkivore italiane Qeveria Shqiptare të shpërngulurit i vendoste në viset më pak pjellore e moçalike, ku jeta ishte relativisht e vështirë. Krahas trajtimit qeveritar profesor Culaj parshtron pyetjën se si u trajtuan emigrantët nga vendasit në Shqipëri? Kosovari, siç shkruante gazeta “Besa”, “ishte më i zoti se ç’do bujk”. Myzeqeja nuk i njihte barishtat, zarzavatet dhe disa lloje të perimeve. Madje, vendësit shumë pak mbillnin edhe pemë. Të ardhurit me punën e tyre siguronin ushqim më shumë se vendësit që kishin sipërfaqe më të mëdha toke. Emigrantët vazhduan t’i kultivojnë dhe t’i ruajnë traditat e veta të ushqimit, veshjes, mbathjes, punës shtëpiake dhe atyre të fushë edhe në vendin e ri të vendosjes.

Të ardhurit nga Mbretëria Jugosllave, sado që ishin vendosur larg njëri prej tjetrit, duke pasur ndjenjën e solidaritetit, bamirësisë dhe fqinjësisë së mirë, i dilnin në krah njëri tjetri në çdo nevojë. Me kalimin e kohës afërsia, ndjenja e ndihmës dhe të solidaritetit u përcollën edhe te popullata vendëse. Krahas mbështetjës të shtetit shqiptar professor e vlerëson shumë lartë më të drejtë edhe veprimtarinë e përfaqësive diplomatike shqiptare, veçanërisht në Shkup, kryekonsullata, në Manastir, konsullata, në Beograd, ambasada, në Selanik, konsullata, në Stamboll konsullata etj. Një detyrë e rëndësishme ishte frenimi dhe pengimi i emigrimit të shqiptarëve në Turqi, nëpërmjet vendosjes së kontakteve me shqiptarët e shpërngulur nga territoret shqiptare në Jugosllavi. Ky objektiv iu ngarkua në veçanti Legatës Shqiptare në Ankara dhe asaj në Beograd.

Natyrisht që studiuesi Culaj krahas dokumentacionit arkivor shfrytëzoi dhe analizoi edhe të dhënat e studiuesve të tjerë sa i përket numrit të emigrantëve nga Kosova në Shqipëri. Studiuesi Noel Malcolm thekson se në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore ekzistonte një valë e madhe e shpërnguljes nga Kosova. Ndonëse shifrat e sakta janë çështje diskutabile është e qartë se në Shqipëri u shpërngulën disa mijëra shqiptarë. Sipas studimit të Hamit Kokalarit, me titullin “Kufijt e Shqipnis Ethnike”, në tokën e Shqipërisë së Lirë (në vitin 1939) ndodheshin rreth 25.000 shqiptarë të ardhur nga pjesët e ndryshme të Shqipërisë së robëruar nën Jugosllavi. Sipas studiuesit Marenglen Verli, në Shqipëri ishin të vendosur mbi 20 mijë të shpërngulur nga Kosova dhe vise të tjera shqiptare në Mbretërinë Jugosllave. Në fakt numri nga 20 mijë në 25 mijë mund të konsiderohet si numri më i përafërt.

Edhe përkundër trajtimit në suaza të mundësive, sipas profesor Culajt, Mbretëria Shqiptare nuk rrinte duarkryq, edhe pse nuk ishte në gjendje të kundërshtonte nga pozita e forcës programin jugosllav mbi shpërnguljen masive të shqiptarëve nga Jugosllavia. Sa herë që shpërngulja e shqiptarëve po merrte dimensione intensive dhe masive, Qeveria Shqiptare reagonte jo vetëm pranë Qeverisë Jugosllave dhe asaj turke, por edhe pranë qeverive të Fuqive të Mëdha, veçanërisht asaj britanike, duke kërkuar ndërhyrjen e tyre në favor të ndalimit të keqtrajtimit të shqiptarëve në Jugosllavi dhe kundër fushatës së shpërnguljes së tyre. Më 27 qershor të vitit 1934, ambasadori shqiptar në Beograd, Rauf Fico, e vizitoi të ngarkuarin me punë të Britanisë dhe në emrin personal të mbretit Zogu I e falënderoi për angazhimet e tij në të mirë të shqiptarëve.

Studiuesi, Culaj konstaton mbështetur në të dhëna të nduarnduarshme se angazhimet e Qeverisë Shqiptare në parandalimin e shpërnguljes së shqiptarëve vazhduan edhe në vitin 1939. Në mars të vitit 1939, Qeverisë Shqiptare u përpoq të përfitonte nga dobësimi i qeverisë së Cvetkoviqit për t’i dhënë fund me anë të një ligji marrjes së tokave dhe shpërnguljes së shqiptarëve nga Jugosllavia në Turqi duke anuluar Konventën e Stambollit. Mbretit Zogu I udhëzonte që të krijohej një komitet shqiptar, në krye me Ferhat Dragën, veprimtaria e të cilit do të drejtohet nga Legata Shqiptare në Beograd.

Profesor Culaj vjen në konkludim që përkundër vullnetit të qeverisë shqiptare, realiteti dhe mundësitë financiare të Shqipërisë për një sistemim dhe trajtim më të mirë të emigrantëve, ishin më se dëshpëruese. Këtë e pasqyron shumë mirë dokumentacioni i organeve për emigracion dhe lutjet e nëpunësve lokalë lidhur më nevojat themelore të këtij emigracioni. Madje Tafil Boletini, në cilësinë e nënprefektit të Prefekturës të Lushnjës dhe të kryetarit të Komisionit për emigracion në ketë prefekturë, kishte frikë se në mesin e emigrantëve mund të kishte edhe të vdekur nga zija e bukës.

Me qëllim që lënda të dalë sa më e sistematizuar, profesor Culaj punimin e ka ndarë në gjashtë kapituj. Punimi përmban disa pikëvështrime të krizës, që e shoqëron problemin e emigrantëve në Shqipëri në vitët 1920-1939 dhe përpjekjet qeveritare për trajtimin sa më të mirë të mundshëm të tyre. Dorëshkrimi është i mbështetur kryesisht në burime arkivore, dokumente vendase e të huaja të botuara e të pabotuara. Përparësi u është dhënë dokumenteve shqiptare, sepse edhe tema në shqyrtim trajton çështjen shqiptare në raport me viset shqiptare në Jugosllavi. Për temën në fjalë në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe në Arkivin Qendror të Shtetëror Culaj ka shfrytëzuar një mori fondesh, të cilat janë të pasura me dokumente. Ato kanë qenë material bazë për t’i ndriçuar aspektet kryesore të qëndrimeve të shtetit shqiptar ndaj emigrantëve kosovar. Këtu përfshihen dokumentet e institucioneve të larta zyrtare, ato diplomatike, si dhe letrat, raportet, telegramet e njoftimet e rastit të personave të ndryshëm.

Gjithsesi se studiuesi Culaj, nuk ka anashkaluar as materiale në përmbledhje dokumentesh arkivore të botuara. Si dhe revista të shumta historike si dhe një literaturë të gjerë në gjuhë të ndryshme. Profesor Culaj ka shfrytëzuar edhe kujtimet e ndryshme të personaliteteve politike dhe të atdhetarëve, të cilët kanë qenë protagonistë ngjarjesh, ose dëshmitarë të tyre si dhe të vet familjarëve të shpërngulur. Edhe shtypi e periodiku i kohës, si shtypi shqiptar ashtu edhe ai i huaj, më ka shërbyer si burim i rëndësishëm informacioni.

Kësaj i shtohet fakti që Culaj ka gati mbi tri dekada përvojë të pasur në fushën e studimeve dhe hyn në mesin e historianëve më të mirë, jo vetëm në Kosovë, por në mbarë arealin shqiptar. Në rrjedhën e studimit duket çartë se autori ka jo vetëm një përgatitje të mirë teorike, por edhe një mjeshtëri të spikatur shkencore. Libri është mjaft voluminoz, ka 580 faqe dhe është shkruar me një stil të qartë dhe të rrjedhshëm. Monografia shoqërohet me përfundimet e nxjerra nga autori në gjuhën shqipe dhe angleze, burimet arkivore shterruese të botuara dhe të pa botuara, si dhe literaturën e pasur historiografike. Nga analiza e hollësishme e përmbajtjes dhe pasqyrimi i aparaturës shkencore mund të përfundohet se monografia “Shqipëria dhe emigrantët nga Kosova 1920-1939” shënon një arritje të rëndësishme në historiografinë shqiptare.

Filed Under: Histori

BALLKANI PERËNDIMOR NDËRMJET ARKITEKTURËS SË PAQES DHE RREZIKUT TË RIFORMATIMIT GJEOPOLITIK

March 16, 2026 by s p

Faza e re e riformatimit gjeopolitik në Ballkanin Perëndimor përkon me një moment kritik që kërkon nga faktori shqiptar një ripozicionim më të artikuluar strategjik, të mbështetur mbi qartësi vizioni, koordinim institucional dhe një qasje të përbashkët politike në të gjithë hapësirën shqiptare të rajonit. Nëse proceset e stabilizimit të rajonit po hyjnë në fazën e tyre përfundimtare, atëherë edhe faktori shqiptar duhet të hyjë në këtë fazë me një veprim të harmonizuar, ku roli i Shqipërisë të shndërrohet në një katalizator diplomatik dhe institucional për koordinimin e politikës shqiptare në rajon.

Nga Skënder Asani

Ballkani Perëndimor, më shumë se tri dekada pas shpërbërjes së Republikës Socialiste Federative e Jugosllavisë, vazhdon të mbetet një hapësirë gjeopolitike e karakterizuar nga ndërthurja komplekse e historisë, interesave strategjike dhe projeksioneve të fuqive rajonale dhe ndërkombëtare. Proceset e shtetformimit, konsolidimit institucional dhe integrimit në strukturat euro-atlantike nuk mund të kuptohen pa analizuar arkitekturën e marrëveshjeve ndërkombëtare që i dhanë fund konflikteve të përgjakshme të viteve ’90 dhe që në të njëjtën kohë projektuan një rend të ri politik në rajon.

Në këtë kuadër, tri marrëveshje përbëjnë shtyllat themelore të arkitekturës së pasluftës në Ballkanin Perëndimor: Marrëveshja e Dejtonit, Marrëveshja e Kumanovës dhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit. Këto dokumente nuk përfaqësojnë vetëm instrumente të ndërprerjes së konflikteve të armatosura, por mekanizma të një inxhinierie të thellë kushtetuese dhe institucionale përmes së cilës bashkësia ndërkombëtare synoi të ndërtojë një arkitekturë të re stabiliteti dhe bashkëjetese politike në rajon.

Në thelb, këto marrëveshje artikuluan një paradigmë të re të ndërhyrjes ndërkombëtare në konfliktet rajonale: paqja nuk u konceptua vetëm si ndërprerje e dhunës, por si një proces afatgjatë transformimi institucional dhe kulturor. Përmes Marrëveshjes së Dejtonit u institucionalizua një model kompleks i organizimit shtetëror në Bosnja dhe Hercegovina, duke krijuar një arkitekturë federative të balancuar mbi baza etnike dhe territoriale. Ndërkohë, Marrëveshja e Kumanovës, e arritur pas ndërhyrjes së NATO kundër regjimit të Republikës Federale të Jugosllavisë, hapi rrugën për administrimin ndërkombëtar të Kosova dhe krijimin e një realiteti të ri politik në këtë hapësirë. Në të njëjtën linjë, Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001 përfaqësoi një model të veçantë të zgjidhjes së konfliktit të brendshëm në Maqedonia e Veriut përmes reformave kushtetuese dhe institucionalizimit të barazisë ndëretnike.

Paralelisht me këtë proces institucional të stabilizimit rajonal, në hapësirën politike të Serbisë po artikulohet gjithnjë e më qartë një koncept gjeopolitik me implikime të gjera rajonale, i njohur në diskursin publik si “Bota Serbe”. Ky koncept synon konsolidimin e një hapësire të përbashkët politike, kulturore dhe identitare për komunitetet serbe në rajon dhe krijimin e një rrjeti ndikimi që mund të aktivizohet në momentet kyçe të rikonfigurimit gjeopolitik të Ballkanit Perëndimor.

Manifestimet e këtij projekti janë tashmë të dukshme në disa zhvillime politike dhe institucionale në rajon. Në Bosnje dhe Hercegovinë, diskursi për autonomi të zgjeruar apo edhe për shkëputje nga struktura shtetërore artikulohet vazhdimisht nga lidershipi politik i entitetit të njohur si Republika Srpska. Në Mali i Zi ndikimi i këtij projekti reflektohet përmes rolit të strukturave kishtare dhe përmes polarizimit të thellë politik rreth çështjeve të identitetit kombëtar dhe orientimit gjeopolitik të shtetit.

Në vitet e fundit, sinjale të depërtimit të këtij diskursi janë vërejtur edhe në hapësirën politike dhe shoqërore të Maqedonisë së Veriut. Veçanërisht pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024, në diskursin analitik është vërejtur një intensifikim i ndikimit të kësaj narrative në orientimin politik të qeverisë, e cila në disa raste perceptohet se po vepron si një paravan politik për interesat strategjike të Serbisë në raport me proceset rajonale dhe me ritmin e integrimit evropian të shtetit.

Ky ndikim nuk kufizohet vetëm në sferën politike. Ai shtrihet edhe në dimensione të tjera strukturore, si depërtimi i kapitalit financiar dhe investimeve bankare të lidhura me qarqe ekonomike serbe, fuqizimi gradual i oligarkive me lidhje rajonale në sektorë strategjikë ekonomikë dhe një prani në rritje në hapësirën kulturore dhe mediatike. Paralelisht, raportime të ndryshme ndërkombëtare kanë ngritur shqetësime lidhur me rrjetet e krimit të organizuar ndërkufitar që operojnë në korridoret që lidhin Serbinë me Maqedoninë e Veriut.

Në këtë kontekst më të gjerë politik, një element që ka ngritur debate të forta në hapësirën publike dhe akademike lidhet me qasjen e qeverisë ndaj Marrëveshjes së Ohrit. Tendencat për relativizimin, suprimimin gradual ose reinterpretimin e disa prej parimeve të saj themelore perceptohen nga shumë analistë si procese që mund të çojnë drejt degradimit të pozitës politike dhe institucionale të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe dobësimit të arkitekturës së bashkëjetesës ndëretnike të ndërtuar pas vitit 2001.

Në kontrast me këtë dinamizëm strategjik të projektit serb, faktori shqiptar në rajon duket se po hyn në një fazë historike vendimtare pa një platformë të konsoliduar strategjike dhe pa një mekanizëm efektiv koordinimi politik. Shqiptarët, megjithëse përbëjnë një nga komunitetet më të mëdha etnike në Ballkanin Perëndimor dhe janë të shpërndarë në disa shtete të rajonit, vazhdojnë të përballen me një fragmentim të theksuar politik dhe institucional që dobëson kapacitetin e tyre për të vepruar si faktor stabiliteti dhe balancimi në arkitekturën e re rajonale.

Në optikën e analizës strategjike bashkëkohore, fragmentarizimi i elitave politike shqiptare në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Luginën e Preshevës dhe në Malin e Zi po interpretohet gjithnjë e më shumë nga qendrat perëndimore të vendimmarrjes si një dobësi strukturore që mund të shfrytëzohet nga agjenda të kundërta me orientimin euro-atlantik të rajonit.

Në diskursin analitik të institucioneve në Bashkimi Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ky fragmentim politik shihet jo vetëm si mungesë e një artikulimi të unifikuar strategjik të faktorit shqiptar, por edhe si një hapësirë potenciale ku mund të investojnë qarqe me prirje antiperëndimore për të prodhuar tensione dhe për të relativizuar orientimin euro-atlantik të rajonit.

Në këtë sfond kompleks, faktori ndërkombëtar e sheh rolin e Shqipëria si një element stabilizues dhe koheziv. Pozicioni i saj si anëtare e NATO-s dhe avancimi i saj në procesin integrues drejt Bashkimit Evropian i japin asaj legjitimitet diplomatik për të nxitur një koordinim më të qëndrueshëm të politikës shqiptare në rajon.

Në këtë kontekst, angazhimi i Tiranës në këto momente historike duhet të artikulohet më qartë dhe të orientohet drejt disa prioriteteve strategjike: konsolidimit të shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare, informimit sistematik të institucioneve ndërkombëtare mbi tendencat për dobësimin e Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoninë e Veriut dhe ekspozimit të depërtimit të projektit ideologjik të “Botës Serbe” në hapësirën institucionale dhe diskursive të rajonit.

Në Kosovë, tensionet politike dhe ndasitë institucionale shpesh prodhojnë një atmosferë polarizimi që ndikon drejtpërdrejt në procesin e konsolidimit të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të vendit. Në Maqedoninë e Veriut, ndërkaq, vërehet një proces gradual i relativizimit të pozitës kushtetuese të shqiptarëve si faktor shtetformues, i shoqëruar me fragmentimin e spektrit politik shqiptar dhe dobësimin e ndikimit të tij në vendimmarrjen strategjike të shtetit. Në të njëjtën kohë, shqiptarët e Lugina e Preshevës vazhdojnë të përballen me kufizime serioze në fushën e të drejtave politike, arsimore dhe kulturore, ndërsa shpesh janë subjekt i politikave administrative që perceptohen si forma të heshtura të presionit institucional dhe demografik. Edhe në Malin e Zi komuniteti shqiptar përballet me sfida që lidhen me përfaqësimin politik, zhvillimin ekonomik dhe ruajtjen e identitetit kulturor në një kontekst gjithnjë e më të polarizuar.

Kjo panoramë e ndërlikuar sugjeron se dekada që po hapet për Ballkanin Perëndimor mund të jetë vendimtare për përmbylljen e proceseve historike të nisura pas viteve ’90. Në këtë kontekst, roli i Tiranës merr një rëndësi të veçantë strategjike. Si kryeqendra politike e shtetit shqiptar dhe si anëtare e NATO-s, Shqipëria zotëron potencialin diplomatik, institucional dhe akademik për të shndërruar koordinimin e faktorëve shqiptarë në një platformë të qëndrueshme strategjike.

Ky rol nuk duhet të interpretohet si një projekt ndërhyrës në punët e brendshme të shteteve të rajonit, por si një mekanizëm legjitim koordinimi dhe harmonizimi të interesave të komuniteteve shqiptare në përputhje me parimet e stabilitetit rajonal dhe integrimit evropian. Në këtë kuadër, edhe Republika e Shqipërisë, në përputhje me frymën dhe dispozitat e Kushtetutës së saj që parashikojnë përkujdesjen institucionale për shqiptarët jashtë kufijve shtetërorë, ka një rol të ligjshëm në mbështetjen dhe promovimin e të drejtave të tyre politike, kulturore dhe kombëtare në rajon dhe në botë.

Nëse proceset e stabilizimit të Ballkanit Perëndimor po hyjnë në fazën e tyre përfundimtare, atëherë edhe faktori shqiptar duhet të hyjë në këtë fazë me qartësi strategjike, koordinim institucional dhe një vizion të përbashkët politik. Në përmbyllje të kësaj analize, bëhet e qartë se faza e re e riformatimit gjeopolitik në Ballkanin Perëndimor përkon me një moment kritik që kërkon nga faktori shqiptar një ripozicionim më të artikuluar strategjik, të mbështetur mbi qartësi vizioni, koordinim institucional dhe një qasje të përbashkët politike në të gjithë hapësirën shqiptare të rajonit. Nëse proceset e stabilizimit të rajonit po hyjnë në fazën e tyre përfundimtare, atëherë edhe faktori shqiptar duhet të hyjë në këtë fazë me një veprim të harmonizuar, ku roli i Shqipërisë të shndërrohet në një katalizator diplomatik dhe institucional për koordinimin e politikës shqiptare në rajon.

Në këtë kuadër, bëhet i domosdoshëm intensifikimi i përpjekjeve për konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës, artikulimi në forumet euro-atlantike i shqetësimeve që lidhen me tendencat për relativizimin e parimeve të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në Maqedoninë e Veriut, si dhe adresimi diplomatik i projeksioneve rajonale të konceptit të ashtuquajtur të “botës serbe”. Paralelisht, imponon nevoja për ndërtimin e një mekanizmi të qëndrueshëm koordinimi strategjik ndërmjet Tiranës, Prishtinës dhe përfaqësuesve politikë të shqiptarëve në rajon në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi dhe në hapësirat shqiptare të Luginës së Preshevës me qëllim artikulimin e një qasjeje të harmonizuar politike, diplomatike dhe akademike përballë transformimeve të reja gjeopolitike.

Vetëm përmes një koordinimi të tillë strategjik dhe një veprimi të përbashkët institucional, faktori shqiptar mund të shndërrojë fragmentimin aktual në kapital politik dhe diplomatik, duke afirmuar rolin e tij si faktor stabiliteti në rajon dhe duke siguruar që prania historike dhe politike e shqiptarëve të mos margjinalizohet në konfiguracionin e ri gjeopolitik të Ballkanit Perëndimor, por të konsolidohet si një komponent i rëndësishëm i arkitekturës së re të sigurisë dhe të integrimit euro-atlantik.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 2916
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Reconciliation Requires a Partner. Serbia is Not Offering One
  • Qëllimi dhe arsyeja (funksioni) e kërkimeve kosovare mbi tema jo-shqiptare
  • VATRA URON BESIMTARËT BEKTASHIANË: GËZUAR SULLTAN NOVRUZIN
  • Shtëpitë e mëdha, vatra të traditave, atdhedashurisë e vlerave tona kombëtare
  • Racionaliteti erotik i pushtetit shqiptar
  • Hapet dega e 7-të e kursit të gjuhës shqipe në Lesvos të Greqisë
  • Besimi ndaj së mirës…
  • VATRA, NDERIM E RESPEKT PËR XHIM XHEMËN NË 84 VJETORIN E LINDJES
  • “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”
  • Rasim Juniku, një jetë mes filatelisë dhe dashurisë për Kosovën
  • Shpirti arvanitas në Rilindjen Europiane për atdheun e humbur
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT