• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHKUPI, SHPREHJE E REVITALIZIMIT SHPIRTËROR E KULTUROR TË HAPËSIRËS SONË KOMBËTARE

August 13, 2024 by s p

Në Shkup sërish po bashkohemi për të kujtuar 112 vjetorin e çlirimit nga kryengritësit shqiptarë. Nga këndvështrimi i sotëm kjo ngjarje sa e lavdishme po aq edhe domethënëse, i bën bashkë aspiratat e së ardhmes dhe mësimet e së kaluarës. Shkupi jo rastësisht e pati peshën e vet në hartat gjeopolitike të të gjitha kohërave, kurse sa i përket interesave tona kombëtare, ky qytet, që nga Dardania e lashtë e deri në ditët e sotme, nuk do ta kishte rëndësinë e vet sikur të mos lidhej ngusht me idetë dhe planet e ideologëve tanë që pikërisht Shkupi të bëhej piemont i shqiptarizmit. Por, rrjedha e ngjarjeve nganjëherë është më kokëfortë se aspiratat e popujve, andaj edhe Shkupi e humbi pa dëshirën e shqiptarëve, shkëlqimin e dikurshëm.

Por, kemi vërejtur se ky shkëlqim viteve të fundit ka filluar të kthehet sërish në horizontin e pritjeve, duke i vendosur disa nga copëzat e lavdisë së dikurshme në algoritmin e kërkesave aktuale për një Shkup ku fryma shqiptare po depërton sërish nëpër kapilarët e këtij qyteti me shumë lavdi…

U ndryshuan shumë emra rrugësh, sheshesh, e bulevardesh dhe kjo nuk ndodhi krejt rastësisht.

U desht një angazhim vetmohues i Fondacionit “Hasan Prishtina” i mbështetur edhe nga strukturat institucionale, komunale e qëndrore që mbi planimetrinë e vjetër të Shkupit të vendoset një hartë e re me emra patriotësh, veprimtarësh e intelektualësh shqiptarë, sepse vetëm kështu mund t’i kthehet një pjesë e borxhit që brezi ynë ka ndaj Shkupit historik dhe gjithë atyre që e bënë atë epiqendër të zhvillimeve kombëtare.

Me këtë rast nuk mund të mos e fshehi edhe entuziazmin tim sa i përket emërtimit të një bulevardi me emrin e ideologut dhe patriotit tonë Hasan Prishtina i cili akoma e pret inagurimin instiucional, një arterie kjo kryesore që lidhë dy shtetet tona – Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Dhe të gjithë ata që do të qarkullojnë nëpër këtë bulevard do të kujtojnë lavdinë dhe krenarinë e një kohe e cila matej jo me akrepat e orës, por me tik-takun e zemrës së patriotëve tanë, të cilët flijuan gjithçka për të mirën tonë të përgjithshme. Një nga ata ishte pa dyshim edhe Hasan Prishtina, lidhja e të cilit me Shkupin kalonte përtej angazhimeve rutinore që ai kryente në këtë qytet. Ai jo rastësisht e kishte targetuar Shkupin si pikë referuese prej nga do të shpëndahej gjithë energjia dhe kreativiteti i shtetndërtimit shqiptar.

Lidhja e Hasan Prishtinës me Shkupin ta kujton lidhjen e Anteut antik me tokën dhe kuptimi i kësaj lidhje mund të shpjegohet me faktin se Shkupi në gjeopolitikën e atëhershme shqiptare paraqiste jo vetëm epiqendrën e zhvillimeve kombëtare, por edhe një gurë peshoreje prej ku varej graviteti i politikave ballkanike e europiane.

Prandaj, jo rastësisht të gjitha ushtritë që kanë pushtuar Shkupin, e kanë quajtur si akt të rëndësishëm gjeostrategjik futjen e këtij qyteti në guidat e tyre ekspanonsioniste e hegjemoniste.

Nëse Shkupi në të kaluarën mund të llogaritet si një shansë e parealizuar e shtetndërtimit kombëtar, kjo nuk do të thotë se ky qytet nuk mund ta sendërtojë një kauzë të re e cila do të ishte shprehje e revitalizimit shpirtëror e kulturor të kësaj hapësire kombëtare shqiptare.

Puna që aktualisht po bën Fondacioni “Hasan Prishtina” është treguesi më i mirë i këtij revitalizimi, kurse mësimet që do të nxjerrim nga kthinat e së kaluarës mund të na shërbejnë si rrugëtregues i hapërimit tonë drejt një konsolidimi kulturor e shpirtëror, përmes ideve e projekteve që janë për nga karakteri europiane, kurse për nga qëllimi kombëtare.

Duke kujtuar 112 vjetorin e çlirimit të Shkupit dhe gjithë kolosët e atdhetarisë shqiptare, siç ishin Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Idriz Seferi, Bajram Daklani, Zefi i Vogël, Shaban Polluzha, Azem e Shotë Galica e deri te Komandanti i përgjithshëm i UÇK-së Adem Jashari.

Ne sot ndjejmë edhe pulsin e kohës që na fton të jemi më mirëkuptues në mes veti dhe më bashkëpunues me miqtë tanë të afërt, të largët, pa harruar bajraktarin e miqëve – Amerikën, e cila na u ndodhë afër si komb atëherë kur e kishim më së vështiri, që vazhdon deri në ditët e sotme.

Rroftë Shkupi dhe kujtimi për të gjithë ata që sakrifikuan për të!

Lavdi heronjëve dhe miqëve tanë!

Shkup, 12 gusht 2024

Mehmet Prishtina

Filed Under: Komente

Shuhet studiuesi i shquar arbëresh Mario Brunetti

August 13, 2024 by s p

QSPA/

Shuhet në moshën 91-vjeçare Mario Brunetti, një nga personalitetet arbëreshe më të rëndësishme të fushës së politikës, të gazetarisë dhe të fushës studimore. Protagonist i historisë politike dhe sociale të Italisë së Jugut që nga vitet 1950.

Mario Bruneti lindi në fshatin arbëresh Plataci, por jetoi dhe e zhvilloi veprimtarinë e vet në Kozencë. Ishte gazetar profesionist dhe themelues i disa organeve të shtypit, ku spikat kontributi i tij si drejtues i periodikëve “Prospettiva socialista”, si dhe i revistës “Sinistra Meridionale”.

Ai ishte president i Qendrës për Studime Politike dhe Ekonomike të Kalabrisë (Cespe.Ca), si dhe drejtues i Institutit Mesdhetar Jugor (MeMe). Bruneti është autor i botimeve dhe eseve të ndryshme mbi “çështjen e jugut”, mbi politikat ndërkombëtare dhe për problemin e pakicave gjuhësore në Evropë. Si deputet i Parlamentit italian për tre mandate, ai ka qenë një nga zërat më të fuqishëm për mbrojtjen e kauzës arbëreshe në Parlament. Ishte prezantues i ligjit 482 për ruajtjen e gjuhëve të minorancave, veçanërisht asaj arbëreshe, ku ai loboi fuqishëm për mbrojtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe traditave arbëreshe, por edhe të vlerave të pamohueshme të Luftës Antifashiste, për lartësimin e të cilave ai dha një ndihmesë të jashtëzakonshme si një nga studiuesit e veprës së filozofit arbëresh, Antonio Gramshi. Ai drejtoi me përkushtim për shumë vite edhe Fondacionin “Antonio Gramshi”, ku pati një veprimtari të gjerë kulturore e shkencore, që spikati me botimin e fakteve dokumetare mbi jetën dhe veprën e këtij personaliteti, si dhe të origjinës së familjes Gramshi.

Është autor i shumë veprave studimore dhe eseistike, ku vlen të përmendim: “La piazza della rivolta – Microstoria di un paese arbëresh in età giolittiana”, “Il coraggio della coerenza”, “Le cose del Mondo”, “Il rovello permanente”. Gjithashtu, ka shkruar tekstet me natyre didaktike dhe studimore:“ Imparare l’Albanese – Të mësojmë shqip”, “Minoritetet e vjetra dhe të reja kulturore – Përcaktimi i një harte të pranisë dhe pasurive që duhen ruajtur”, “Chi Dona trandanda”, “Fjalor italisht-shqip”, në bashkautorësi me studiuesin Damiano Guagliardi.

Homazhet për nderimin e Mario Brunettit zhvillohen sot në Kalabri. I shprehim ngushëllime të sinqerta familjes, miqve të tij dhe të gjithë arbëreshëve për këtë humbje të madhe.

https://sibarinet.it/…/rifondazione-ci-ha-lasciato…/…

Filed Under: Opinion

ËSHTË NEVOJË, JO VETËM DËSHIRË: Partneriteti i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës

August 13, 2024 by s p

Faton Bislimi/

Ky është vit zgjedhor në SHBA dhe për shumëkë anekënd globit ka shkaktuar një drithërimë politike. Palët presin me padurim rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit për të kuptuar nëse demokratët e Biden – tanimë me Kamala Harris si prijetare – do dalin ngadhnjimtarë, apo amerikanët do e rikthejnë në Shtëpinë e Bardhë Donald Trump. Fitorja e njërit apo taborrit tjetër drejtë Shtëpisë së Bardhë është përcaktuese për dinamikën e zhvillimeve globale në secilën fushë. Kjo drithërimë na prek edhe neve në Kosovë – bile, do thoja më shumë e më thellë se shumëkë tjetër, për shkak të marrëdhënjeve tona me SHBA-të, të cilat duhet ruajtur sikur sytë e ballit.

Rruga e Kosovës nga konflikti te pavarësia është një dëshmi e qëndresës dhe fuqisë së bashkëpunimit ndërkombëtar. Që kur shpalli pavarësinë në vitin 2008, Kosova e ka pasur për obligim që të ndjekë një rrugë drejt qeverisjes demokratike, zhvillimit ekonomik dhe stabilitetit rajonal. Kyç për këtë përparim ka qenë mbështetja dhe partneriteti i palëkundur i Shteteve të Bashkuara. Ndërsa Kosova vazhdon të përballet me sfidat dhe mundësitë e saj, ruajtja dhe forcimi i marrëdhënies së saj unike me Shtetet e Bashkuara është thelbësore për disa arsye.

Bazë Mbështetjeje dhe Stabiliteti

Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol kyç në historinë e Kosovës, nga ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës, tek ndërhyrja humanitare që i dha fund luftës në vitin 1999, e deri tek përpjekjet diplomatike që çuan në pavarësinë e Kosovës. Ky partneritet është i rrënjosur në vlerat e përbashkëta të demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut. SHBA-ja ka mbështetur vazhdimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke ofruar një forcë stabilizuese në një rajon shpesh të mbushur me tensione. Për Kosovën, vazhdimi i kësaj marrëdhënje me SHBA-të siguron një aleat të qëndrueshëm në kohë pasigurie globale me sfida të mëdha gjeopolitike.

Rritja Ekonomike dhe Zhvillimi

Ekonomia e Kosovës ka bërë përparime të rëndësishme, por sfidat mbeten. SHBA ka luajtur një rol thelbësor në nxitjen e zhvillimit ekonomik përmes investimeve, tregtisë dhe mbështetjes për sektorin privat. Përjashto koston e intervenimit ushtarak (rreth $1.8 miliard sipas përllogaritjeve nga Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-ve), nga viti 1999 deri më 2008, në kuadër të përkrahjes humanitare dhe rindërtimit, SHBA-të kanë ndihmuar Kosovën me mbi $1.1 miliard. Vetëm pas vitit 2008, përmes programeve të shumta të USAID-it, Kosova ka përfituar rreth $900 milionë nga SHBA-të në sektorin e ekonomisë në ndihmë direkte shtetërore. Shto këtu edhe rreth $300 milionë nga MCC (Korporata e Sfidave të Mijëvjecarit) që nga viti 2022, kryesisht për sektorin e energjisë. Pra, mbi $2.1 miliardë të taksapaguesëve amerikanë janë harxhuar në Kosovë dhe për Kosovën që nga paslufta. Andaj, duke thelluar lidhjet ekonomike, Kosova mund të shfrytëzojë ekspertizën dhe burimet amerikane për të krijuar vende pune, për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të rritur cilësinë e jetës për qytetarët e saj. Forcimi i këtij partneriteti ekonomik do të ndihmojë Kosovën të integrohet më plotësisht në ekonominë globale dhe të ndërtojë një të ardhme të begatë.

Paqja dhe Siguria Rajonale

Ballkani ka qenë historikisht një pikë e nxehtë për tensionet etnike dhe politike. Stabiliteti i Kosovës është thelbësor për paqen rajonale, dhe angazhimi i Shteteve të Bashkuara është një faktor kyç në zbutjen e konflikteve. Vetëm në sektorin e sigurisë dhe sundimit të ligjit, Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar Kosovën me mbi $400 milionë (duke mos përfshirë këtu koston e misioneve këshilldhënëse strategjike, trajnimeve në SHBA, dhe përkrahjes teknike), kryesisht në ndihmë të drejtpërdrejtë për mjete ushtarake për FSK-në, teknologji e pajisje tjera për Policinë e Doganën e Kosovës. Andaj, përmes bashkëpunimit me institucionet amerikane, Kosova mund të vazhdojë të ndërtojë një sektor sigurie profesional dhe të aftë që kontribuon në stabilitetin rajonal dhe përpjekjet kundër terrorizmit. Ky partneritet gjithashtu shtrihet në adresimin e sfidave globale, si siguria kibernetike dhe ndryshimet klimatike, ku Kosova mund të përfitojë nga përvoja dhe inovacioni i SHBA-së.

Forcimi i Institucioneve Demokratike

Si një demokraci e re, Kosova përballet me detyrën e vazhdueshme të forcimit të institucioneve të saj dhe sigurimin e sundimit të ligjit. SHBA ka mbështetur Kosovën në ndërtimin e strukturave qeverisëse transparente, të përgjegjshme dhe efektive. Se sa ia kemi arritur këtij qëllimi, është më shumë përgjegjësi e jonja kolektive si kosovarë! Sidoqoftë, le të mos harrojmë se vetëm në këtë përpjekje, SHBA-të kanë ndihmuar Kosovën me mbi $500 milionë. Andaj, bashkëpunimi i vazhdueshëm mund të ndihmojë Kosovën të avancojë reformat gjyqësore, të luftojë korrupsionin dhe të mbrojë të drejtat e njeriut. Këto përpjekje janë thelbësore jo vetëm për stabilitetin e brendshëm, por edhe për aspiratat e Kosovës për t’u bashkuar me strukturat euroatlantike, duke përfshirë Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

Një Vizion i Përbashkët për të Ardhmen

Kosova dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë një vizion për një Ballkan paqësor, demokratik dhe të begatë. Ky vizion është i bazuar në respekt të ndërsjellë, bashkëpunim dhe një angazhim për të kapërcyer sfidat së bashku. Duke kultivuar këtë marrëdhënie, Kosova mund të vazhdojë të marrë forcë nga partneriteti i saj unik me Shtetet e Bashkuara, duke siguruar që zëri i saj të dëgjohet në skenën ndërkombëtare dhe që interesat e saj të mbrohen.

E ardhmja e Kosovës është e lidhur pazgjidhshmërisht me marrëdhënien e saj me Shtetet e Bashkuara. Sfidat e kohëpaskohëshme që paraqiten në këtë marrëdhënje duhet tejkaluar me maturi, respekt e besim. Askush nuk duhet të dyshojë që investimi kaq i madh i SHBA-ve (përtej atij financiar me miliarada dollarë), sidomos në sferën diplomatike në përkrahje të Kosovës (duke sfiduar edhe superfuqitë tjera si Rusia e Kina, e duke anashkaluar nganjëherë edhe aleatë të vet që jo domosdoshmërisht përkrahnin Kosovën e bile as pavarësinë e saj), është bërë kot së koti apo për të dëmtuar Kosovën në fund.

Ky partneritet ka qenë thelbësor në përparimin e Kosovës dhe do të mbetet thelbësor ndërsa vendi ndjek rrugën e tij përpara. Duke ruajtur dhe forcuar lidhjet e saj me SHBA-në, Kosova mund të vazhdojë të ndërtojë një të ardhme më të ndritur për qytetarët e saj dhe të kontribuojë në një rajon të Ballkanit të qëndrueshëm, në paqe, dhe të begatë – brenda një Evrope të lirë e të bashkuar.

Filed Under: Ekonomi

Nëpunës apo Nënpunës? Cila është trajta e saktë e kësaj fjale dhe pse?

August 13, 2024 by s p

Sevi (Lami) Agolli/

Duke qenë se merrem çdo ditë me gjuhën shqipe dhe duke qenë se kjo fushë është pasioni im, shumë miq, ish-kolegë, bashkëpunëtorë, të njohur etj., më shkruajnë dhe kontaktojnë për çështje ose dilema gjuhësore që hasin gjatë punës ose ditës së tyre. Madje një ditë, në një zyrë që merret me çështje financiare, debati konstruktiv gjuhësor kishte arritur deri aty, sa kolegët e asaj zyre ishin ndarë në dy grupe rreth përdorimit të fjalës “Nëpunës” apo “Nënpunës”. Debati kishin arritur deri aty, sa i kishin shpallur sfidë njëri-tjetrit për trajtën që kishin zgjedhur. Njëri grup këmbëngulte për trajtën jonormative “nënpunës”, me arsyetimin se ashtu e kishin dëgjuar dhe përdorur gjithmonë, dhe grupi tjetër, që kishte bërë pak kërkime në fjalorë, këmbëngulte në trajtën normative, pra të saktë, “nëpunës”, por që në jetën e përditshme e kishin dëgjuar dhe hasur shumë rrallë në këtë trajtë. Duke e hasur rrallë ose aspak trajtën e saktë, kjo sjell dilema rreth përdorimit të saktë të saj.

Si përfundim, dilemat në këtë rast i shuan vetëm një profesionist gjuhe, i cili mund të të shpjegojë pse shkruhet apo është kështu. Mikja ime, që ishte pjesë e kësaj zyre, për të shuar kureshtjen dhe për të zgjidhur dilemën më merr në telefon dhe më pyet për trajtën e saktë të kësaj fjale. Pa e ditur situatën që kishte krijuar mes tyre kjo dilemë gjuhësore, shqiptoj variantin e saktë. Nuk arrita as ta nis shpjegimin pse kjo trajtë është e saktë, sepse nga ana tjetër e telefonit dëgjova brohorimat e grupit fitues. Mikesha ime që më telefonoi, më shpjegoi se kishin debatuar shumë për këtë fjalë, sa e kishin kthyer në sfidë nëpërmjet tyre. Ajo që më gëzoi ishte fakti, se sot ka më shumë shqipfolës të ndërgjegjësuar për ta shkruar bukur dhe saktë gjuhën shqipe dhe ajo që më trishtoi, ishte fakti se shumë trajta të gabuara nga përdorimi i madh dhe i gjatë i tyre, thuajse kanë zëvendësuar trajtat e sakta normative të gjuhës shqipe.

Po pse nëpunës dhe jo nënpunës, – më pyeste një mikja ime, që siç duket ishte në grupin e humbjes së sfidës, – kur kemi “nënkalim”, “nëntokë”, “nënkryetar”, “nëndrejtor”, “nënpresident”,“nënprodukt”, “nënprefekt” etj., kurse këtë fjalë e shkruajmë “nëpunës”?

Pyetja e saj ishte e drejtë, ndaj gjykova si të dobishëm shpjegimin e saj edhe për shumë shqipfolës të tjerë, që mund të kenë këtë hamendësim.

Edhe mua gjatë punës sime më ka ndodhur shpesh, që këtë fjalë ta has në të dyja trajtat: “nënpunës” dhe “nëpunës”. Me të drejtë, shumë prej nesh mund të ngrenë pyetjen pse trajta normative e kësaj fjale është “nëpunës” dhe jo “nënpunës”, kur kjo fjalë, ashtu si fjalët e tjera më lart formohet me parashtesën prodhimtare të gjuhës shqipe “nën” dhe emrin “punë”. Këtu qëndron edhe gabimi ynë me këtë fjalë, sepse duhet parë si është formuar kjo fjalë. Kjo fjalë shkruhet kështu, për shkak të prejardhjes së saj. Ajo formohet me përngjitje dhe prapashtesim njëkohësisht: “në+punë+ës”, dhe jo me anë të parashtesës “nën” plus emrin “punë”, siç formohen fjalët: nënprodukt, nënpresident, nënkalim, nëntokë, nënkryetar, nëndrejtor etj. Ne përdorim trajtën e gabuar “nënpunës” për analogji me këto fjalë, që formohen me parashtesën “nën”. Në rastin e emrit “nëpunës”, kjo fjalë është formuar nga përngjitja prej përdorimit të dendur të fjalëve “në” + “punë”, si shkoj në punë, ku parafjala “në” është përngjitur me emrin “punë” nga përdorimi i dendur prej shumë kohësh, duke marrë edhe prapashtesën “s” e duke formuar kështu emrin e prejardhur: nëpunës.

Filed Under: Sociale

“TY MALCIA T’KA NË ZEMËR”

August 13, 2024 by s p

Ramazan Çeka/

Nata përkujtimore e artistit malësor Lindon Camaj.

Mbrëmja e 8 gushtit mblodhi bashkë në Vitojë të Hotit, qindra malësor, artëdashës e kolegë të artistit virtuoz, kantautorit Lindon Camaj. Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë miq buke e nderi të familjes Camaj, të cilët me prezencen e tyre dëshmuan edhe njëherë respektin dhe mirënjohjen ndaj këngëtarit dhe familjes së tij. Ashtu sikurse vetë Lindoni kishte ëndrra largpamëse për t’i përjetsuar në art e në këngë sa ishte gjallë, po ashtu edhe familja e Lindonit u kujdes që jeta dhe vepra e tij të përjetsohen në një film dokumentar, si e vetmja mundësi që kujtimi i tij të mbetet përjetsisht i gjallë, mes të gjallëve. Artistët nuk vdesin kurrë, ata përjetsohen në artin e tyre! Ishte ky motivi i respektit të ndërsjelltë që i bashkoi malësorët në këtë natë përkujtimore kushtuar këngëtarit dhe krijuesit Lindon Camaj. Për të nderuar kujtimin e tij, morën pjesë personalitete të larta të artit e të kulturës, përfaqsues të institucioneve vendore, aktivisë e artistë, kolegë e bashkëpuntorë të Lindonit, ku nuk munguan as mediat kombëtare e lokale.

Respekti ndaj kësaj nate përkujtimore kulmoi me ardhjen e Drejtorit të përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar, z. Alfred Peza, në shoqërinë e z. Engjëll Ndocaj, Anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH-së, njëkohsisht regjisor i dokumentarit “Ty Malcia t’ka në zemër” kushtuar këngëtarit dhe krijuesit Lindon Camaj dhe nga ana tjetër, për të nderuar këtë aktivitet, mori pjesë edhe z. Nikollë Camaj, Deputet dhe Nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi. Në nder të këngëtarit dhe kujtimit të tij, mbrëmja u hap me një fjalë përshëndetëse nga z. Idriz Gjokaj, Drejtues i Qëndrës Kulturore pranë Komunës Tuz, shok e mik i ngushtë i të paharruarit Lindon Camaj, por njëkohësisht organizator i aktivitetit. Në nder dhe përkujtim të këngëtarit Lindon Camaj, ashti siç ishte parashikuar në program, përshëndetën disa nga personalitetet dhe përfaqsuesit e institucioneve vendore të Komunës Tuz (në rolin organizativ,) si dhe të Bashkisë Malësi e Madhe, e cila i kishte akorduar titullin “Qytetar Nderi”, pas vdekjes, këngëtarit dhe krijuesit të paharruar, Lindon Camaj dhe që iu dorëzua familjes nga Nënkryetari i kësaj Bashkie z. Sytki Ndrecaj.

Më pas për të pranishmit u prezantuan disa mirënjohje (pas vdekjes) nga përfaqsues të organizatave më të njohura në Malësi e më gjërë, si “Qendra e Artit dhe Kulturës Shqiptare”, Shoqata Atdhetare “Malësia” dhe, Shoqata “Jehona e Malesisë” në Detroit, si dhe Shoqata Kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”, të cilat iu dorzuan familjes.

Të gjitha këto mirënjohje e vlerësime iu dorëzuan vëllait të madh, Dedë Camaj, i cili mes mallit dhe emocioneve falenderoi të pranishmit për nderimin dhe vlersimet që iu bënë Lindonit në këtë takim përkujtimor.

Kënga kushtuar këngëtarit Lindon Camaj e kënduar nga kolegu i tij Lekë Dedvukaj, prezantuar për herë të parë në këtë mbrëmje përkujtimore, bëri që të përulen edhe malet e bjeshkët përrreth me emocionet e fjalëve e të tingujve të saj.

Sa ndjenjë! Sa dhimbje!

Minutë pas minute i gjithë sheshi i këtij amfiteatri natyror u mbush me spektator të ardhur nga ana e anës, familjarë e bashkfshatarë, miq e shokë, por veçanërisht të rinjë, fansa të Lindonit dhe të këgës së tij, ndoqën dokumentarin përkujtimor, në të cilin Lindoni do mbetet përjetsisht i gjallë mes tyre.

Sa emocion e lot, mall e dhimbje, të cilat gjetën ngushëllim në krenarinë e të qënit fëmijë, grua, vëlla, kunatë, dajë, shok, mik, koleg e bashkëpuntor të këtij artisti të pavdekshëm malësor.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 980
  • 981
  • 982
  • 983
  • 984
  • …
  • 2953
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Eliot Engel, in memoriam…
  • «Dritë-shkronja» e Eugène Pittard
  • Propozimi i Presidentit amerikan Donald J. Trump për emërimin e Gjeneral Lejtnant (Ret.) Eric P. Wendt si Ambasador i SHBA-ve në Shqipëri
  • Manifestimi i AAWO “Motrat Qiriazi”, nderohet sakrifica dhe suksesi i gruas shqiptare
  • Leonardo da Vinci, gjeniu që e shndërroi artin në instrument për të depërtuar në sekretet e krijimit
  • Kënaqësi të takohem me Presidentin Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij, ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton
  • Zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare…
  • “Ora e maleve”
  • Në ditën e lindjes së shkrimtarit të madh Jakov Xoxa
  • Njeriu-Mozaik
  • Samiti i Diasporës, njё skenë pa aktorë
  • Kosova përballë një prove historike shtetërore
  • YLLI MEÇAJ I VLORËS – ARTIST KOMBËTAR SHUMËPLANËSH
  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT