Himarë – Plazhi i Palasës, aty ku natyra dhe historia bëhen bashkë
Nga Harilla Koçi/.
Himarë, korrik 2014- Plazhi i Palasës është një nga mrekullitë natyrore më të spikatura në bregdetin e Jugut.
Ky plazh ndodhet shumë pranë deltës së lumit që mban emrin e fshatit, por që në pjesën më të madhe të vitit është krejt i thatë. Mjedisi bregdetar masiv prej mijra kilometrash katrorë, shtrihet në të dy krahët e deltës së derdhjes në det të lumit të Palasës, që zbret nga kreshtat e maleve, shumë pranë Çikës. Zhavorri i imët, bregu shkëmbor dhe i thyer, krijojnë një peizazh të rrallë, që pothuajse nuk e ndesh askund në të gjithë bregdetin shqiptar.
Uji i kthjellët i detit që të ngacmon shqisat, i bashkohet kësaj tabloje natyrore, ku gjithçka duket perfekte. Njeriu këtu ndihet ndryshe. Përjeton kthjelltësinë e qiellit, të detit, gjelbërimin e thellë. Një fjalë e urtë e banorëve të kësaj zone thotë se, nuk ke shijuar asgjë nga bregdeti i Himarës, nëse nuk përjeton qoftë edhe për pak çaste kënaqësinë që të sjell plazhi i Palasës, ose i Dhralesë, siç edhe emërtohet ndryshe në terminologjinë vendore. Shkëmbinjtë e prerë si me thikë që zbresin deri në ujë, alternohen me sipërfaqe pa fund të mbuluara nga zhavorri i imët. Plazhi, dikur i privuar edhe për banorët e këtyre anëve, tashmë është një realitet tjetër. Ai spikat qartësisht, qysh kur nis të zbresësh në kthesat e larta të Llogorasë. Shikimi prek një zonë të bardhë që vazhdon deri në brezin e ujit, ku nis e transformohet gradualisht në një ngjyrë të kaltër të thellë. Ky është ngacmimi i parë që merr kushdo që vjen këtu.
Për të shkuar në këtë plazh, duhet të kthesh rrugën djathtas, pa arritur në Urën e Palasës. Disa koshere bletësh, që prodhojnë një mjaltë si askund tjetër, të ftojnë të shijosh prodhimin e tyre përpara se të drejtohesh për në parajsën natyrore, që ndodhet disa qindra metra më poshtë. Duket se bletërritësit nuk e kanë zgjedhur rastësisht këtë vend për të tregtuar prodhimin e tyre. Janë të shumtë ata pushues, qytetarë nga gjithë vendi dhe turistë të huaj, që kanë nisur t’i bashkohen këtij peizazhi shumëngjyrësh në pjesën më të madhe të muajve të vitit, por, veçanërisht në verë. Veçantitë e natyrës ofrojnë këtu edhe një mundësi tjetër, vendosjen e çadrave. Numri i atyre që zgjedhin këtë mënyrë për të shijuar plazhin e Palasës, ka ardhur në rritje. Ata janë nga Vlora, Tirana, Fieri, Berati, Shkodra, madje edhe nga Kosova e Maqedonia. Është një mrekulli ky vend. Ke detin dhe përkundruall tij edhe malin, që duket sikur të qëndron mbi kokë. Në këtë vend shijon si askund tjetër edhe peshku, apo mishi i pjekur në zgarë, të shoqëruara me pak verë, apo birrë të ftohtë. Janë dhjetra pushues që këtu përjetojnë veç të tjerash edhe dimensione të tjera njerëzore. Kalojnë ditë dhe netë të paharruara në shoqërinë e detit, ajrit të pastër, muzikës. Ata shtohen çdo javë, muaj e vit. Janë mijra metra katrorë bregdet, që nuk preken nga njeriu dhe që përbëjnë një potencial të jashtëzakonshëm turistik për zonën. Por, këtu shtohet edhe një resurs tjetër, historia e këtij vendi.
-Plazhi i Palasës, me një histori të pasur në funksion të turizmit-
Në veprën e vet “Lufta Civile”, Jul Çezari përshkon mes të tjerash zbarkimin e trupave të tij “ndanë brigjeve Palaeste” në ndjekje të rivalit të tij, Pompeut. Konflikti mes dy personazheve të njohura në historinë e Romës së lashtë, u zhvendos në brigjet shqiptare. Në vitin ’48 para erës së re, Çezari arriti të triumfonte ndaj Pompeut, duke marrë qytetin e Jerikos. Palaesta, sipas historianit vlonjat, prof.dr. Bardhosh Gaçe, vendi i zbarkimit të trupave të Qezarit, është bregu i Palasës së sotme, në afërsi të Dhërmiut, rreth 50 km larg qytetit të Vlorës, ndërkohë që, Jeriko, përkon me Orikumin.
Bregdeti i Palasës është përmendur shpesh nga të moshuarit e kësaj zone për historinë, që ka si kulm konfliktin mes Çezarit dhe Pompeut. Ky plazh është një nga surprizat e bregdetit të Himarës, ashtu siç është e tillë edhe historia e lashtë e tij. Çezarit në librin e tij përmend edhe fisin kaon ilir të germineve (Dhërmiut), që popullonte këtë bregdet, duke sjellë një dëshmi tjetër të rëndësishme të paraardhësve të popullsisë së kësaj zone. Por, pikërisht kjo histori e shkruar, e bën edhe më tërheqëse këtë pjesë të bregdetit shqiptar të Himarës.
Parashikohet që ky element i historisë së kësaj pjese të Rivierës, do të shfrytëzohet përmes një projekti që synon promovimin e vlerave historike në funksion të turizmit. “Është menduar të ndërtohet një memorial që evokon ngjarjen e zbarkimit të Çezarit, si një mënyrë për të zgjuar interesimin e turistëve të huaj”, thonë në Bashkinë e Himarës.
Nga ana tjetër, specialistët vlonjatë shprehen se toponimia historike shton mundësitë për zgjerimin e potencialeve turistike të zonës.
Virgjëria e egër e Palasës
Në verën e vitit të kaluar, Pietro, një inxhinier 40 vjeçar nga Bari (Itali), teksa qëndronte me 3 bashkatdhetarë të tij në një nga gjiret e vegjël dhe të shumtë në bregdetin mes Dhërmiut dhe Plazhit të Palasës, më thoshte se, “Është një bregdet i rrallë që nuk e kam ndeshur askund tjetër me këto karakteristika”.
Në një bashkëbisedim të shkurtër me të, ai e vlerësonte maksimalisht këtë bregdet shkëmbor. Për Pietron, këto zona të pasura përbëjnë një resurs të vërtetë zhvillimi, nëse do të shfrytëzohen si duhet duke planifikuar ndërtimin e kapaciteteve turistike në përputhje me karakteristikat natyrore. “Këtu, ndërtimi i një vile mund ketë një kosto mesatare prej 30-40 mijë eurosh, një pjesë e infrastrukturës rrugore është ndërtuar, ndërkohë që struktura turistike mund të plotësohet mjaft shpejt”, shprehej turisti italian.
Në fakt, gjatë vitit të kaluar kjo pjesë e bregdetit të Himarës, e mbushur me plazhe të vegjël gurishtorë, të futur mes shkëmbinjsh, “u sulmua” nga turistë të huaj, kryesisht italianë. Të etur për të zbuluar vende të reja, ata mësynë në këto plazhe të vogla dhe të pashfrytëzuara, duke udhëtuar me gjithfarë lloj mjetesh, furgonë, taksi, apo duke bërë “autostop”. Tërësisht të befasuar nga bukuritë natyrore, ata tërhiqnin njeri tjetrin drejt këtij vendi.
Por edhe mjaft pushues të tjerë, frekuentues të rregullt të plazhit të Dhromadhes, ecnin përgjatë bregut të detit në drejtim të veriperëndimit dhe duke ndjekur shtigjet e ngushta përgjatë masiveve shkëmborë që zbresin deri në det, shijonin gjiret e vogla e të shumta natyrore, me fare pak plazhistë, me kthjelltësinë e pafund të ujit të detit në ngjyrë të kaltër dhe hijen natyrale që ofrojnë shkëmbinjtë e lartë, që shërbenin si çadra.
Të njëjtën ndjesi përjetuam edhe ne, një grup i vogël miqsh, teksa u organizuam në një ekskursion në një nga ditët me diell të javës së fundit të majit. Megjithëse i heshtur, ky bregdet ofron një pamje të magjishme, aq sa nuk mund t’i rezistosh tundimit për të provuar ujin ende të ftohtë të detit. Tabloja e këtij bregdeti këtu, është në kufijtë e fantazisë. Shkëmbinjtë me forma nga më të çuditshmet, zbresin egërsisht deri në ujë, duke e ndarë bregdetin në gjire të vegjël me bukuri të rrallë. Natyra është treguar e pakursyer këtu. Duket se vargonjtë e shkëmbinjve, krijojnë një urë lidhëse mes malit dhe detit.
Vetëm pak pushues, nga të cilët një pjesë turistë të huaj, i frekuentuan këto gjire gjatë vitit të kaluar. Kjo, për shkak se bregu i thyer të pengon për të marrë shumë gjëra të nevojshme për të kaluar një ditë të plotë pushimi. Duhet të ecësh në shtigje të ngushta mes shkëmbinjve, për të arritur në një plazh të vogël dhe, më pas, duhet të vazhdosh të bësh të njëjtën gjë. Por, dy orë plazh në këtë bregdet, është i barabartë me dy ditë në të gjithë pjesën tjetër.
Një pjesë e atyre që frekuentonin këtë zonë, ishin prej pushuesve kureshtarë që, pasi vendoseshin në plazhin e Dhromadhes, pranë kompleksit turistik “Loli Pop”, eksploronin pjesët e pashkelura të bregdetit. Por, kishte edhe nga ata që transportonin me vështirësi sendet e nevojshme për të qëndruar një ditë të plotë në njerin prej këtyre gjireve.
Gjithsesi, bukuria e kësaj zone po preket nga afër gjithnjë e më shumë. Rruga që po ndërtohet për të lidhur aksin kombëtar të bregdetit me Plazhin e Palasës, përbën një hap të rëndësishëm që ky bregdet të nisë të shfrytëzohet. Ndoshta nuk do të jetë e largët dita që zona e bregdetit mes Dhromadhes dhe plazhit të Palasës, të bëhet një pjesë efektive e resurseve turistike të bregdetit të Himarës.