• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“GLOBALIZIMI I INDIFERENCËS”

July 11, 2013 by dgreca

Shkruan: Eugjen Merlika/Itali/ 

Data 8 korrik 2013 do të mbetet në historinë e kohës sonë si një datë e shënuar, tronditëse, nga ato që shkëputen nga kronika e zakonshme e jetës politike ndërkombëtare e hyjnë në arkivin e kujtesës historike të njerëzimit.Ajo datë nuk lidhet me fillime apo mbarime luftërash, përmbysje sistemesh, revolucione, marrëveshje për krijime bashkësish të mëdha shtetesh, traktate paqeje, apo ngjarje të tjera të rëndësishme të historisë. Ajo është dita e vizitës së një Kreu të Kishës katolike botërore në një vend të vogël, në ishullin më jugor t’Evropës, që është një nga portat e kontinentit, në të cilin dhjetra e qindra mijra njerëz përpiqen të hyjnë, për të gjetur një tjetër jetë, për t’i shpëtuar skamjes, luftërave, dhunës së pushtetit, përndjekjes etnike apo fetare, për të përmendur vetëm disa nga motivet kryesorë që nxisin mërgimin e afrikanëve, aziatikëve, latino-amerikanëve drejt “tokës së premtuar” të kontinentit të vjetër.

          Nuk do të quhej një ngjarje historike, edhe se ishte vizita e parë e Papës së ri jashtë kufirit të Vatikanit, sikur të ishte mjaftuar me një pohim të thjeshtë të rolit të Kishës në çështjen e mërgimit. Ka gati gjysëm shekulli që Papët e Romës përçojnë, në vetë të parë, mesazhet e Ungjillit në gjithë botën. Çdo vizitë ka patur rëndësinë e të veçantën e saj e ka dëshmuar shqetësimin dhe pjesëmarrjen e Selisë së Shenjtë në problemet e vështirësitë e popujve të ndryshëm. Vizita e Papës Francesco në Lampedusa-n siqiliane është në vazhdën e tyre, por mesazhi që dha ajo, nëpërmjet predkut të tij, më duket së është e një rëndësie tepër të veçantë. Predikimi i Papës argjentinas, bir i një familjeje të mërguarish nga Italia, nuk është thjesht fjala e një misionari, që i ka vënë detyrë vetes shpalosjen e mësimeve të Ungjillit në të gjitha trevat e botës, ku besimtarët duan të dëgjojnë e të përvehtësojnë fjalën e Jezu Krishtit, edhe mbas dymijë vjetësh.

          Mesazhi i Lampedusa-s është një thirrje prekëse që i bëhet vetëdijes së njerëzimit, për të kryer një operacion të thellë e të dhimshëm, por edhe shëlbues, të një riprovimi të vetvetes. Kjo thirrje kryhet nga Papa Bergoglio në një vend të vogël të bregdetit evropian të Mesdheut, një qytet me gjashtëmijë banorë, që është kthyer në një simbol të takimeve njerëzore mes dy botëve, aq larg, por edhe aq afër njëra tjetrës. Lampedusa është porta e Italisë evropiane, duhet të jetë shprehje e mirëqënies, e zhvillimit ekonomik, e shoqërisë së hapur, e mikpritjes, e moralit të krishterë e solidaritetit njerëzor. Në të trokasin pa ndërprerë njerëz të dëshpëruar që vijnë nga jugu i Mesdheut, apo nga thellësitë e Afrikës, që ëndërrojnë një jetë normale për veten dhe familjet e tyre, që i besojnë ëndrrës së tyre e venë në rrezik jetën për t’a sendërtuar atë. Në këtë travajë të vazhdueshme, në ujrat që ndajnë dy bregdetet kontinentale, vetëm në këtë pjesë viktimat e gëlltitura nga deti arrijnë në rreth 20.000 në 25 vjetët e fundit.

          Kujtimit të tyre Vikari i Krishtit i lëshon në ujët e detit një kurorë krizantemash, në shenjë nderimi për të gjithë ata që u nisën e nuk arritën dot të kenë asnjë varr. Ky gjest simbolik është vetëm fillimi i një proçesi që nuk ndalet në konstatimin e thjeshtë të problemit, por synon të hyjë në thellësinë e tij, në shkaqet e motivet përcaktuese të këtyre tragjedive njerëzore. Analiza, nëpërmjet ligjirimit, merr përmasa universale, thyen kufijtë e kohëve dhe hapësirave e përpiqet të depërtojë në rrënjët e dukurive. Mendimi kthehet tek Testamenti i Vjetër, akti i krijimit, njeriu i parë, mëkati origjinal i trashëgueshëm e i përjetshëm, raporti i tij me Hyjin, me zgjedhjen e lirë, me ndërgjegjen e tij.

          “Adam ku je?” Është pyetja e parë që Zoti i drejton njeriut mbas mëkatit. “Ku je ?” Është një njeri i çorientuar që ka humbur vëndin e tij në krijimin, sepse beson se është bërë i fuqishëm, se mund të zotërojë gjithshka, se mund të jetë Zot. Dhe harmonia thyhet, njeriu gabon e kjo përsëritet edhe në marredhëniet me tjetrin, që nuk është më vëllai për t’u dashur, por thjesht tjetri që trazon jetën time, mirëqënien time. Dhe Zoti bën pyetjen e dytë : Kain ku është vëllai yt ?”

          Analiza anatomike e Papës, në universalitetin e saj, merr shkas nga problemet e emigracionit, por zgjeron shumë rrezen e veprimit, duke trajtuar në të gjithë shtrirjen e tij, aspektin e marredhënieve njerëzore në shoqëritë e zhvilluara. Mendësia individualiste, gjithënjë e më zotëruese në jetën e shoqërive të mirëqënies,  shprehet në braktisjen e familjes patriarkale dhe në prirjen e të rinjve për të shkëputur shpejt lidhjen me familjen e origjinës e për të ndërtuar jetën e tyre vetiake. Kjo çon në një konceptim qendër vetiak të marredhënieve shoqërore, që pasqyrohet në dobësimin e lidhjeve familjare e, më gjërë, edhe të atyre shoqërore e që shprehet në mungesën e ndihmës së ndërsjelltë mes antarëve të këtyre shoqërive, shfaqjet e ndryshme të pasojave të të cilave, në jetën e përditëshme të metropoleve të botës së sotme, janë me të vërtetë shkandulluese.

          Një vajzë përdhunohet në një autobuz dhe asnjë ndër dhjetra udhëtarë të pranishëm nuk ndërhyn. Një i marrë me një sëpatë, në mëngjez herët, kërcënon e vret tre vetë dhe ai që para tyre arrin t’i shpëtojë këtij fati tragjik, nuk merr mundimin as të lajmërojë policinë, për të ndërhyrë e shmangur viktimat e tjera. Të moshuar, që jetojnë vetëm në pallatet, vdesin në shtëpinë e tyre dhe, deri sa të mos kutërbojë kufoma e të ndihet era e keqe nëpër shkallë, askush nuk troket në derë, për të pyetur si është fqinji apo fqinja. Me fqinjin, edhe se mund të jetohet ngjitur në të njëjtin pallat, shkëmbehet ndonjë përshëndetje apo urim në shkallë për festa e, në rastin më të keq, nuk i mësohet as emri. Në mjetet e transportit publik, shpesh rrijnë ulur adoleshentë me Ipad apo kufjet në vesh, ndërsa qëndrojnë në këmbë të moshuar apo gra shtatzëna. Në Milano një taksist, pa dashje dëmtoi një qen që e kishin nxjerrë në shëtitje dy vetë. Taksisti u ndalua, kërkoi falje dhe ofroi ndihmën e tij, por u sulmua egërsisht nga pronarët e qenit e vdiq në spital mbas një muaji. Njerëz që vrasin prindërit, gratë, fëmijët, kthehen në “heronj” që marrin dhjetra letra dashurie nga femra të ndryshme, mbasi kanë marrë dënimin!!!

          Një ish kryeministër mbi 70-vjeçar që, kur ishte në detyrë, ktheu në hareme vajzash të reja të paguara shtëpitë e ndryshme të tij, votohet nga 10 milion italianë e mbrohet nga një vendim i rremë parlamenti, i votuar nga 320 përfaqësues të popullit.

          Papa Bergoglio vazhdon t’a zhysë thikën e tij anatomike në kalbësirën e shoqërisë së mirëqënies. “Kultura e mirëqënies, që na çon të mendojmë vetëm për veten, na bën të pandjeshëm ndaj thirrjeve të të tjerëve e na bën të jetojmë në flluska sapuni, që janë të bukura por nuk janë asgjë, janë iluzion i së kotes, i së përkohëshmes që çon në indiferencën ndaj të tjerëve, madje çon në globalizimin e indiferencës. Jemi mësuar me vuajtjen e tjetrit, nuk ka të bëjë me ne, nuk na intereson, nuk është punë e jona!”

          Këtu mesazhi i Francesco-s arrin tonin më të lartë të protestës, të dëshpërimit, të padisë së një mendësie, e cila pjell një rend gjërash, të bazuar mbi parime diametralisht të kundërta, jo vetëm me ata të doktrinës së krishterë, por edhe me ata të vetë natyrës njerëzore e ligjeve të saj. Nga altari, i improvizuar mbi një varkë, simbol i mjetit të shpresës për ditë më të mira e, ndonjëherë, i prurësit të vdekjes për bartësit e tyre, pasardhësi i Shën Pjetrit, i “ardhur nga ana e botës”, i kërkon falje Zotit katër herë e kërkon pendesë. Kërkon pendesën e një shoqërie që “ka harruar të qajë” e që ka përfunduar në një “anestezi të zemrës”….

          Madhështia dhe universaliteti i predikimit të Lampedusa-s vë para ndërgjegjes të secilit një pasqyrë, mbasi secili ka diçka për t’i qortuar vetes e për të ndrequr në sjelljen e qëndrimin e tij. Sa më lart ngjitet në shkallën shoqërore e shtetërore, aq më shumë shtohet doza e përgjegjësive t’atyre që “n’anonimat marrin vendimet ekonomike e shoqërore” , për të ndryshuar rrugën, për të mos përsëritur mëkatet, për të mos dëgjuar më pyetjen e Zotit : “Ku është vëllai yt?”.

          Në dritën e madhështisë gjithëpërfshirëse të mesazhit të Papës Francesco, besoj se edhe ne, shqiptarët, kemi mjaft për të paditur, për të qortuar e vetëqortuar, për të ndrequr. Pyetja e Zotit “Ku është gjaku i vëllait tënd që thërret deri tek un?” besoj se në shumë pak Vënde ka qenë aq e qëlluar  sa në Shqipërinë komuniste, që nuk derdhi asnjëherë pikë loti për viktimat e panumurta që shkaktoi. E përgjegjësia mbeti si tek drama “Fuenteovehuna”, të sjellë si shembull nga Papa në ligjirimin e tij :”Të gjithë dhe asnjëri”. Klasa e vjetër kriminale politike, besnike edhe sot e sistemit të saj, që i ka shpëtuar drejtësisë së kësaj bote, duhet t’a dijë se do të vijë dita gjykimit për secilin. Klasa e re politike, që trashëgoi pa u munduar t’i ndreqë mëkatet dhe krimet e parardhësvet është ende në kohë për të thënë fjalën e saj. Uroj t’a studiojë në thellësi këtë monument të mendimit bashkëkohor, që është, ligjirata e Lampedusa-s e të mbajë parasysh fjalët lapidare të autorit të saj : “Zoti do të na gjykojë në bazë të asaj se si kemi trajtuar më nevojtarët”. Nevojtarët më të mëdhenj vazhdojnë të mbeten ata që komunizmi u rrëmbeu, jetën, lirinë, pasurinë, ëndrrat për jetën.

          Korrik 2013                                                         Eugjen Merlika           

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, globalizmi i indiferences

GJENERALI PA USHTRI

July 10, 2013 by dgreca

Nga Leonora Aliu / Express/

U zotuan disa herë se në vitin 2013 FSK do të bëhet ushtri. Por Forca e Sigurisë së Kosovës, pavarësisht përmbushje së kapaciteteve operacionale, do ta ketë statusin e njëjtë edhe për një kohë të padefinuar. Duket se kërkesat e zyrtarëve janë bërë vetëm për konsum të brendshëm, përderisa ato nuk u janë drejtuar fare NATO’s.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s, Anders Fogh Rassmusen tha se as që ka dëgjuar ndonjëherë se zyrtarët e Prishtinës kanë kërkuar shndërrimin e FSK’së në ushtri.

I heshtur ndaj kësaj deklarate është shfaqur Ministri i FSK’së, Agim Çeku, i cili e ka gradën e Gjeneralit, e dikur edhe thoshte se “një shtet pa ushtri nuk është shtet” dhe zotohej se Kosova do të bëhej shtet i plotë.

Një shpjegim rreth dështimit të avancimit të FSK’së në ushtri e dhanë për Express zyrtarë të Ministrisë së tij.

Zëdhënësii MFSK’së, Ibrahim Shala tha se deri më tani zyrtarisht nuk është kërkuarnjë avancim i tillë për shkak të mospërfundimit të procesit të rishikimit të sigurisë që po bëhet nga grupi punues i Këshillit Kombëtar për Siguri e që vepron në kuadër të ekzekutivit.

“Ende është në proces rishikimi. Varet prej dinamikës qysh punon ai grup punues i Komisionit, që nuk është Komision i FSK’së por i shtetit është grup punues i shtetit që udhëhiqet prej Këshillit Kombëtar të Sigurisë”, tha Shala për Express të mërkurën.

Kritikat më të mëdha për ngecjen në këtë proces Kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e FSK’së, Ahmet Isufi ia adresoi Qeverisë së Hashim Thaçit.

“Qeveria e Kosovës e ka neglizhuar procesin e avancimit te Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës madje edhe deklarata e zotit Rassmusen është shpjeguesi më i mirë se kjo Qeveri është duke stagnuar në të gjitha segmentet”, tha ai.

“Ka pasur rastin që me rastin e rishikimit të strukturës së FSK’së dhe sigurisë në vend të pozicionohet duke pasur parasysh edhe kalimin e mandatit të FSK’së të paraparë me dokumentin e Presidentit Ahtisari e që është pesë vite, që ta shndërrojë në ushtri dhe pjesë të NATO’s”, shtoi Isufi.

Ai bëri të ditur për Express se Komisioni i tij i ka rekomanduar Ministrisë së Çekut që pas vlerësimit të NATO’s, FSK’ja të vihet në pozicionin e ri, atë të avancimit.

Por sipas tij, Qeveria nuk i ka kryer veprimet e duhura. “Arsyetimet e Qeverisë për ngecjen e këtij procesi si pasojë e rishikimit të sigurisë kombëtare dhe dialogut me Serbinë në një farë mënyre janë pengesë për vetveten nga ana e Qeverisë, nuk është dashtë të bëhen ato arsyetime”, tha ai.

Rrishikimi i sigurisë në vend sipas tij pritet të përfundojë në fund të këtij viti. Derisa Çeku ka paralajmëruar se deri në janar të vitit të ardhshëm do të merret vendimi se si do të funksionojë sektori i sigurisë më tutje.

Në anën tjetër, gazeta amerikane “Washington Post” kishte shkruar ditë më parë se Kosova në fund të dialogut me Serbinë synon të bashkohet me NATO’n.

Për këtë arsye, sipas gazetës amerikane, Kryeministri Thaçi ishte së fundi në Washington

“Ai ishte duke shpresuar se administrata e Obamas do të bënte presion që Aleanca të marrë hapa paraprak për të pranuar vendin e tij”, kishte shkruar Washington Post.

Forca e Sigurisë së Kosovës ka 2,500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Agim Ceku, Gjenerali pa ushtri

NGA GJERMANIA- NJI QYTETNIM QË NDERON!

July 10, 2013 by dgreca

Nga Prof. SAMI REPISHTI/

Sot ata nuk ndigjojnë fjalën ma fisnike: “Kërkojmë falje!”. Dhe as që do ta ndigjojnë nga ata që përsërisin: “Nuk e ndiej veten fajtor! Nuk kam ba asnji faj!”. Dhe mbas pak vitesh, nuk do të mbetet viktimë e gjallë që ta ndigjojë shprehjen “Kërkojmë falje!”. Por kjo mund të arrihet vetëm kur të ndërgjegjsohemi ashtu si populli i qytetnuem gjerman!

Lexova në faqen “Balkanweb” nji lajm me titull: “Masakra e Borovës pas 70 vje-tëve…”, dhanë nga autorja Enkelajda Skënderasi, të cilën e falënderoj përzemërsisht. “Masakra e Borovës”, nji fshat afër Ersekës, ashtë nji nga “haraçet” e shumëta të luftës kundër okupatorit nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore, që nji popull krenar shqiptar do të paguente për arsye të qëndrimit të tij rezistues kundër së “Keqes së madhe”, nazizmit, që mundonte të gjithë Europën e okupueme. Sot kujtojmë me dhimbje e mirënjohje viktimët e pafajshme – 107 burra, gra e fëmijë – që u masakruen barbarisht nga xhelatët nazistë gjermanë, të cilët në atë ditë fatale të 6 korrikut 1943 dogjën edhe fshatin e Borovës martire. Por në këtë përkujtim të përvitëshëm, kësaj radhe mori pjesë edhe nji i huej, gjerman i paftuem dhe i panjohun, por me ndjenja fisnike e njerëzore të pastërta. Ky i “huej” ishte qytetari gjerman z. Marcus Burger, i biri i xhelatit nazist Anton Burger, reparti ushtarak i të cilit ekzekutoi urdhnin e Komandës Gjermane për masakrën e Borovës më 6 korrik 1943. “70 vite ma parë, deklaroi z. Burger, babaj im ka qenë në këtë vend dhe ajo çka ka ndodhur në 6 korrik 1943 në Borovë, mua më sjellë pamjen e babajt vërdallë. Ai nuk tregoi kurr për Borovën, nuk fliste zakonisht për luftën shkatërruese, e cila kishte sjellë shumë dhimbje, dëshprim dhe urrejtje për shumë njerëz në Europë. Vetëm dy vjet ma parë dhe nji vit mbasi babaj im kishte vdekur, munda të gjej ditarin e babajt tim, i cili fliste për Borovën. Ishte nji keqardhje shumë e thellë, dhe nuk mund të përshkruej ndjenjat e mia nga ajo ditë, dhe veçanërisht sot. Nuk jam këtu të zvogloj dhimbjen dhe keqardhjen. E vetmja gjë që unë jam i aftë të bëj është që të ndaj këto përkujtime me ju dhe t’ju kërkoj falje për atë që ka bërë babaj im këtu. Kurr nuk do të harroj të kaluemen, por sot së bashku, si qytetarë europianë, së bashku të ndërtojme urat e miqësisë që janë të domosdoshme për të ardhmen tonë dhe të fëmijve”, deklaroi Marcus Burger. Tue lexue komentet e bame për këtë njoftim, kuptohet lehtë efekti bamirës i aktit çlirues të qytetarit gjerman Marcus Burger. “Masakra ishte e tmerrshme, falja që kërkoi djali i gjermanit mendoj se është qytetari”. “Qytetar i vërtetë gjerman. Bravo!”. “…Nji gjerman që gjen përgjegjsinë e babajt vjen e kërkon falje. Na mungon civilizim në këto toka!” etj. Revista amerikane “TIME” (26 nandor 2012, f.64) përmbante nji pyetsor me 10 pika për zonjën Katrin Himmler, mbesë e kryekriminelit nazist Himmler, shef i shërbimeve sekrete të kryekriminelit A. Hitler, e martueme me nji djal izraelit. “(Me jetue me këtë trashëgim)… ka qenë gjithherë nji peshë e randë për familjen tonë, – deklaroi ajo, – “por babaj im fliste gjithherë haptas (për krimet naziste të xhelatit Himmler). Filmi ‘Holokaust’ më tronditi dhe kuptova se xhaxhai ka qenë përgjegjës kryesor”. E pyetun se çfarë mendon ajo për zonjën Betty Goering, mbesë e ish mareshalit nazist Herman Goering, që ka vendosë mos me lindë fëmijë, kështu që të shuhet kjo farë e keqe, zonja K. Himmler përgjegji: “Ka shumë të tjerë fajtorë të krimeve të tyne në Gjermani që kanë vendosë mos me lindë fëmijë…. Por unë mendoj se nji mentalitet i këtill influencohet nga ‘teoria e gjakut të pastër’ nazist. Për mue, tha ajo, ka randësi natyra e edukimit dhe kalimi i përvojës sime te të tjerët”. E pyetun për djalin e saj 13-vjeçar, ajo përgjigjet se ai din gjithçka (nga shkolla), por nuk ashtë problem i mprehtë për mue. Unë vuej ende!”. E pyetun si ndjehet që ka martue me nji izraelit, baba i të cilit ka mbijetue Holokaustin, ajo u përgjegj: “…Na bisedojmë haptazi për këtë… Prindët tonë, nga të dy palët, janë mendjehapun dhe tolerantë. Prindët tonë janë miq të mirë. Të dy familjet tona janë të bindun se nuk ndihmon nji ndamje e botës në ‘të mirë’ dhe në ‘të këqij’ mbas kaq breznishë, por ashtë e nevojshme me komunikue njeni me tjetrin”. Gjatë qëndrimit tim si student në Universitetin Sorbonne të Parisit (1970-1971) kam pasë rastin të shoqënohem me nji studenteshë gjermane që punonte, ashtu si unë, në tezen e doktoratit. Le ta quejmë Marlenë. Gjatë nji bisede miqësore, i tregova se ishe refugjat politik, ish-i dënuem nga regjimi komunist në Shqipëri. Gjendja e ime rriti kuriozitetin e Marlenës dhe nevojen për bisedë politike. Marlene me tregoi se ishte largue definitivisht nga familja e prindëve për arsye të natyrës morale. “Babaj im, më tregoi ajo, ka qenë zyrtar i naltë civil gjatë regjimit nazist në Gjermani. Ai nuk ka qenë as anëtar i Partisë Nacional-Socialiste, as në shërbim të policisë së mshehtë naziste. Po unë, vazhdoi ajo, e informueme për diktaturën naziste dhe krimet e saj të pafalëshme, nuk mund të pranojshe spjegimet e shfajësimit të babës. Nji ditë diskutimi u acarue. Unë humba durimin dhe i thashë babajt haptazi: ’Nuk mund të banoj bashkë me ty nën të njëjtën çati!’. Mora valixhen dhe që nga ajo ditë nuk kam komunikue me prindët e mi. Edhe sot unë e dënoj randë babajn tim…”. Atë ditë kuptova si duhet shkallën e naltë të procesit të de-nazifikimit në Gjermani. Masakra e Borovës e 6 korrikut 1943 dhe regjimi diktatorial i PPSH/PPSH për 45 vjet të gjata në Shqipëri janë dy pamje që përjashtojnë njena-tjetrën: bota e viktimës së pafajshme nga njena anë, dhe bota e krimit të pajustifikueshëm nga ana tjetër. Për fat të keq, kjo botë e krimit zgjati shumë; dy brezëni lindën dhe u rritën nën hijen e katër kalorësve të Apokalipsit komunist: gënjeshtër, urrejtje, terror dhe vorfëni. Viktimët e këtij absurditeti monstruoz e megjithatë të dëshiruem, janë akoma gjallë. Dhe akoma ma keq: fajtorët e krimeve makabre të kryeme nga komunistët në Shqipëri – nëse nuk kanë vdekë – kanë lanë mbrapa nji brezëni të papjekun dhe të pandërgjegjshme për përgjegjësinë e krimeve të prindëve të tyne. “Shteti” shqiptar ka dështue plotësisht në përpjekjen e tij me demaskue nji të kalueme sa të turpshme, aq edhe kriminale. As krimi, as krimineli nuk janë vue përball ligjit. Asnji masë edukative nuk ashtë ndërmarrë me nxjerrë në dritë të vërtetën tronditëse, dhe me riedukue rininë shqiptare me frymën e përgjegjsisë ndaj shoqënisë, dhe domosdoshmëninë e shtetit ligjor. Shkollat dhe tekstet shkollore, muzeumet, institucionet kulturore dhe artistike, klubet, shoqënitë e ndryshme nuk kanë marrë përsipër demaskimin e murtajës komuniste dhe rindërtimin moral të shoqënisë shqiptare, sot akoma e smurë, ndërsa në Gjermani dënohet me burgim shpërndamja dhe botimi i materialeve naziste, në Shqiperi kemi pesë parti politike që përpiqen me ringjallë “të kaluarën komuniste” dhe lejohen nga ligji. Funerale madhështore mbahen për kryekriminelë. Prandej, shqiptarët janë sot dëshmitarë të fenomeneve negative të “respektit” për diktatorin dhe diktaturën, tue vra kështu përfundimisht ndërgjegjen e shqiptarit me dinjitet. Lënia mbas dore e ish-të persekutuemëve – e sidomos poshtërimi zyrtar i grevistëve që sakrifikuen jetën për të drejtat e tyne, – janë sjellje skandaloze dhe të pafalshme. Sot Gjermania ndihmon procesin e pajtimit dhe të faljes së fajit sepse ka ndërgjegjen e pastër që ka de-nazifikue vendin. Shqipëria vuen akoma nën peshën e ndjesive të urrejtjes dhe mospërfilljes… pa shpresë përmirësimi. Pavarësisht nga orientimi politik i seicilit nga ne, mendoj se herojt, dëshmorët dhe të persekutuemit gjatë 45 vjetëve të terrorit të murtajës komuniste në Shqipëri janë sot heroj të rezistencës antidiktatoriale dhe duhen shikue si “kapitali moral i shoqënisë demokratike shqiptare”. Ashtu si kanë qenë herojt e rezistencës kundër okupatorit gjatë pushtimit fashisto-nazist. Ata që mbijetuen janë bërthama e shëndoshë e nji shoqënie civile shqiptare, elementi ma i përshtatshëm për ndërtimin e Shqipërisë së re demokratike. Ashtu si janë… “leckamanë”! Shtypje e mjerime të pabesueshme kanë pësue “leckamanët” e sotshëm për 45 vite të gjata: burra, gra, fëmijë, familje të tana që nuk thyen asnji ligj, që nuk shkaktuen asnji dam, dhe që kontribuen fuqimisht e në çdo mënyrë në ndertimin e vendit të tyne, vendit tonë të përbashkët, në mirëqenjen e popullit të tyne, me pranga në duer, me kamxhik në kurriz dhe me vendosmëninë e patundun me mbrojtë këtë tokë Nane – që i përbuzi gjatë gjithë jetës së tyne….! Kjo ashtë edhe tragjedia e tyne! Sot ata nuk ndigjojnë fjalën ma fisnike: “Kërkojmë falje!”. Dhe as që do ta ndigjojnë nga ata që përsërisin: “Nuk e ndiej veten fajtor! Nuk kam ba asnji faj!”. Dhe mbas pak vitesh, nuk do të mbetet viktimë e gjallë që ta ndigjojë shprehjen “Kërkojmë falje!”. Por kjo mund të arrihet vetëm kur të ndërgjegjsohemi ashtu si populli i qytetnuem gjerman!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: nga Gjermania, nji qytetnim qe nderon, Sami repishti

“New York Times”: Një aks i ri anti-amerikan po projektohet

July 10, 2013 by dgreca

Fluturimi i ish-kontraktorit të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, Edward Snowden, që për media ka zbuluar informacione sekrete të inteligjencës amerikane, nga Hong-Kongu në Moskë, muajin e kaluar, nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunimin e Rusisë dhe Kinës. Sjellja e të dy vendeve në çështjen Snowden demonstron këmbëngulësinë dhe gatishmërinë e tyre për të ndërmarrë aksion në kurriz të Amerikës, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja New York Times. Përtej mbrojtjes së tyre për zotin Snowden, politikat kinezo-ruse për Sirinë e kanë paralizuar Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për dy vjet, duke parandaluar aksionin e përbashkët ndërkombëtar. Pirateria kineze e kompanive amerikane dhe sulmet kibernetike ruse kundër fqinjëve të vet, poashtu, kanë shkaktuar shqetësim në Uashington, shkruan gazeta, dhe shton se derisa Moska dhe Pekini në përgjithësi i kanë mbështetur përpjekjet ndërkombëtare për ndaljen e programit atomik të Iranit, ato qartas nuk ishin të përgatitura të shkojnë aq larg sa ishte i përgatitur Uashingtoni, dhe çfarëdo ndërrimi i koordinuar në qasjen e tyre mundet menjëherë ta dëmtoj politikën amerikane për këtë çështje dhe t’i rrezikoj interesat e saj të sigurisë dhe energjisë.

Për ta ndërprerë potencialin e ri për bashkëpunim, Kina tash po i zhvillon ushtrimet të veta më të mëdha detare deri tash – me Rusinë, shkruan New York Times. Duket se Rusia dhe Kina kanë vendosur që, për t’i avancuar më tepër interesat e tyre, ato duhet ta godasin Uashingtonin, për të treguar se ai është arrogant, shkruan gazeta dhe konstaton se me gjasë, asnjëri nuk dëshiron ta filloj një luftë të re të ftohtë, e të mos flasim për një konflikt të nxehtë, dhe këtë e tregojnë aksionet e tyre në rastin Snowden. Kina lejoi që ai të hyjë në Hong-Kong, por me zemërgjerësi e ka nxitur largimin e tij, derisa Rusia, pas një retorike provokuese, duket se tash e ka zbutur tonin e saj. Të dy shtetet, ende, po synojnë ndikim më të madh diplomatik, të cilin ata konsiderojnë se mund ta realizojnë vetëm duke i kufizuar Shtetet e Bashkuara. Në punët botërore, nuk ekziston mënyrë më e mirë për t’i treguar muskujt e vet, se sa duke e dobësuar dukshëm forcën më të madhe. Sjellja e Rusisë dhe e Kinës sugjeron se ata shohin më pak shpenzime duke i sfiduar Shtetet e Bashkuara dhe më pak shpërblime për të vepruar si partnerë, shkruan New York Times dhe thekson se këto kalkulime burojnë nga dy perceptime të rrezikshme. Së pari, ata e shohin rënien dhe dekadentizmin amerikan. Në pikëpamjen e tyre, Shtetet e Bashkuara janë në anën e gabuar të historisë, duke i mbajtur lidhjet me Evropën dhe pjesët e Azisë, ndërsa e humbin levën ekonomike dhe autoritetin moral në pjesën tjetër të botës. Deangazhimi amerikan nga Iraku dhe Afganistani pa fitore, kontribuon për një përshtypje të ndërlidhur se superioriteti i padiskutueshëm ushtarak i Amerikës, nuk është shumë i vlefshëm në kuptimin e arritjes së objektivave politikë në terren. Perceptimi i dytë i rrezikshëm është se shumë elita ruse dhe kineze konsiderojnë se objektivat e politikës së jashtme amerikane fundamentalisht janë armiqësore për interesat e tyre vitale.Asnjëri grup nuk e sheh promovimin demokratik amerikan si reflektim i çfarëdo përkushtimi të sinqert për liri; por, përkundrazi, të dyjat e perceptojnë atë si luftë selektive për shkatërrimin e qeverive, që janë armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara, ose që janë shumë të fuqishme për komoditetin e vet. Prandaj, politkëbërësit në Uashington, duhet me kujdes ta vlerësojnë afrimin në rritje ndërmjet Kinës dhe Rusisë, dhe çka do të thotë kjo për Amerikën, shkruan New York Times, dhe konkludon se për ta injoruar këtë do të ishte pamençuri. New York Times shkruan se presidenti Obama nuk duhet ta shohë Kinën dhe Rusinë as si armiq e as si miq, por si forca të rëndësishme me interesa të tyre, siç ka treguar rasti Snowden. Zoti Obama publikisht dhe pa rezultat u është drejtuar të dy vendeve, duke kërkuar ekstradimin e zotit Snowden. Vetëm kur ai e zbuti qëndrimin e tij publik dhe e forcoi linjën e tij private, atëherë Pekini dhe Moska filluan t’i shohin avantazhet e shmangies së konfrontimit të mëtejshëm. Për ta fituar respektin e Rusisë dhe Kinës, Shtëpia e Bardhë duhet së pari të demonstroj se udhëheqja amerikane është esenciale për zgjidhjen e problemeve kryesore në botë, përfshirë edhe ato që janë vitale për Kinën dhe Rusinë. Amerika nuk mund të shihet si pasive. Marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën meritojnë të kenë prioritet, por Shtetet e Bashkuara nuk duhet të frikësohen që të qëndrojnë fuqishëm në disa raste ose në të tjera, për partneritet me këto dy fuqi autoritare por përfundimisht pragmatike. Po të veprohet ndryshme do të ishte marrëzi në përmasa historike, shkruan në fund të artikullit të gjatë e përditshmja New York Times.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: antiamerikan, me rastin e Snowden, New York Times, nje aks i ri

Për një Parti Demokratike post tranzicion !

July 9, 2013 by dgreca

Shkruan:  Bardhyl Ukcamaj/ New York/

Tashmë kemi kandidaturat e përzgjedhura nga Kryetari i dorëhequr i PD-së dhe një datë për të votuar, 22 Korrik. Procesi nuk mbështetet mbi statutin e PD-së, as formalisht; kjo nuk përbën ndonjë risi pasi Këshilli Kombëtar i PD-së, thuhet se nuk është mbledhur prej vitesh. Thjesht e saktë, deri tani ky është një proces jashtë statuor. Është njëfarë riorganizimi i partisë nga kryetari, kur statuti u përdor vetëm si argument për të penguar disa kandidatura të garojnë. Mund të thuhet se ideja e votimit “një anëtar, një votë” është e dobishme si ide (e praktikuar më parë nga kundërshtarët politikë), por e zhvlerësuar (ndonëse jo tërësisht) nga mënyra e realizimit praktik të ketij procesi deri tani.

Sot, kemi dy figura serioze, të përzgjedhura nga kryetari, që mund të diskutohen, por një proces jotransparent. Kryetari i tërhequr i PD-së, drejton fushatën e zgjedhjes së kryetarit te ri. Është ndaluar perkrahja publike e çdo kandidati nga drejtuestë PD-së, para dhe gjatë votimit. Ky udhëzim e bën fushatën unike jo vetëm ne historinë e politikës shqiptare por edhe ndërkombëtare. Fushate në heshtje! Me këtë kryetari synon të shmangë debatin i frikësuar nga përçarja brenda partisë. Mendoj se nuk do të funksionojë pozitivisht! Në heshtje dhe pazar në seli pas dyerve të mbyllura mund të zgjidhen drejtuesit e një fraksioni por jo udhëheqja e një partie politike. Zakonisht punët e kryera pa transparencë e rregulla të pranuera nga antarësia (stauti i miratuar) hapin telashe edhe më të medha. Arroganca ndaj bazës idealiste (jo asaj “pragmatiste” ish pjesë e administratës) të PD-së, është prezente edhe në këtë proces. Në garë kemi dy drejtues të lartë të PD-së, dy anëtarë të kryesisë, që kanë humbur shumë në zonat e tyre, pavarësisht se me një përgjegjësi relative në këtë rast. Megjithëse besoj se nuk ishte arroganca në vetvete shkak i braktisjes elektorale, por mungesa e një morali politik, korrupsioni, mungesa e demokracisë në funksionimin e partisë, shkëputja e lidhjeve të qeveritarëve me bazën, mosorientimi pro apo kundër LSI-se, konsumimi i lidershipit në dy mandate, statura mjerane intelektuale e disa ministrave apo administratoreve partizane, etj,etj.

Së paku, gjatë këtij procesi pritej dhe pritet, që këto gabime të korrigjohen dhe demokracia e brendshme në PD të funksionojë ne limitet e së mundshmes. PD-ja, parti e dytë ne vend, mund të rritet por mund të rrezikojë edhe këtë renditje pas jo më larg se dy vjetësh, nese nuk reagon si duhet, sot. Me fort se histori, ajo duhet të reflektojë vizionin e ri të së ardhmes, më shumë se kurdoherë tjetër. Dhe pikërisht në këto kushte është koha të reagohet.

Tani është koha për një angazhim historik të aktivistëve jashtë kryesisë së PD-së, për të parqitur kandidatura ose një kandidaturë dhe për t’i kërkuar antarësisë (jo kryesisë) t’i votojë duke i shtuar në fletën e votimit. Aktivistët e njohur dhe antarësia e PD-së, nëse dëshirojnë mund t’i imponohen kryesisë qendrore përmes këtij aksioni politik. Thjesht , shkohet ne votim, merret fleta dhe shënohet emri i një personaliteti edhe pse nuk është në listë. Nëse ky emër merr një numër të konsiderueshëm votash atëhere zyrtarët e tashëm të PD-së detyrohen të reflektojnë. Në këtë mënyrë i hapet rrugë për t’u rritur një formacioni politik, që para 21 vitesh fitoi dy te tretat e elektoratit, e sot është tkurrur në 1/3, për shkaqe krejt të tjera, e jo se populli nuk arriti të kuptojë gjenialitetin e udhëheqjes dhe reformat.

Para disa ditësh publikova një shënim në faqen time në Facebook, që u bë shkas i reagimeve pozitive: “Unë mendoj se në krye të PD-së duhet të vijë një personalitet politik, që përfaqëson në mënyrë të kthjellët vokacionin politik mbi të cilën u themelua kjo parti, vokacionin perëndimor. Duhet të zgjidhet një figurë politike i cili/ e cila nuk është përzierë në punët e pista të korrupsionit dhe abuzimit shtetëror. Duhet të zgjidhet një figurë motivuese, intelektual energjik me një personalitet jo të dyzuar, që reflekton qytetari dhe i shërben ushqimimit të dashurisë kombëtare. Një personalitet, që të reflektojë vizionin e një Shqipërie të zhvilluar, jo vetëm me kostum, por edhe brendi të modës e botës se oksidentit”.

Unë mendoj se, Partia Demokratike edhe për arsye të humbjes së madhe elektorale, por jo vetëm asaj, duhet të demokratizohet dhe modernizohet në kuptimin e plotë të fjalës. Të riorganizohet mbi bazën e një modeli të ri të një bashkësie demokratike. Anëtari të votojë për kryetarin por edhe për vendimet e rëndësishme të partisë, pa diskutim për statutin dhe programin e saj. Rregulloret të zbatohene korrigjohen sipas rendit e nevojës. Në këto kushte duhet të realizohet mundësia për një votim partiak më të shpeshtë, elektronik dhe të pamanipuluar (teknikisht i realizueshëm). Partia Demokrtaike duhet te bëhet transparente për anëtarësinë dhe publikun. Kryetari i ri te vendosë një mënyrë të re komunikimi me forumet e bazës së Partisë. Kryetari i ri duhet të komunikojë rregullisht me strukturat lokale. Psh. të ketë konferenca të rregullta javore (conference call) me kryesitë e vogla te rretheve njëherësh. Por edhe disa mbledhjet (psh. dy herë në vit) te kryesisë të jenë të hapura për antarësinë. Antarësia duhet të kuptojë pozicionet politike të antarëve të kryesisë për çështje të rëndësishme.

Në parti duhet të funksionojnë në mënyrë të rregullt sondazhet për të gjitha çështjet e rëndësishme, sociale dhe politike të vendit, që prekin në mënyrë të drejtperdrejtë votuesin. Pra të ketë një analizë shkencore të aksionit politik. Para së gjithash në parti duhet rivendosur jo vetëm besimi, por respekti dhe dashuria per njëri-tjetrin. Anëtarët e një force politike nuk i mban së bashku vetëm programi, statuti dhe shpresa e një fitoreje të nesërme, por edhe respekti, mirënjohja.

Duhet një kod etike i shkruar dhe i miratuar nga forumet e partisë, që të rregullojë komunikimin publik brenda partisë. Psh. nuk la shije të mirë shprehja e Patozit (kryeartikull i RD-së)” Sharlatanë larg duart nga PD-ja”. Për kë e kishte fjalën kryetari i grupit palamentar të PD-së? Për Aleksandër Biberajn?! Z. Biberaj është ish anëtar kryesie i PD-së, deputet, etj, etj. Unë nuk do të kisha votuar pro kësaj kandidature, mund edhe të mos e pranoja si kandidaturë pa rimarrë teserën e partisë, por do ta falenderoja publikisht atë dhe gjithë të tjerët, që në kushtet e kalimit në opozitë janë të gatshëm t’i rikthehen PD-së. Sulmi ndaj Biberajt nuk ishte vetëm kundër Biberajt por sidomos paralajmërim për të tjerë më të “rrezikshëm” që mund të futeshin në garë.

Partia Demokratike në mënyrë të qartë duhet të ndahet nga trashëgimia komuniste në përfaqesim, jo duke bërë diferencim për ish anëtarët e thjeshtë të PPSH-së, porduke u ndarë nga ish drejtuesit e lartë të PPSH-së. Në mënyrë të thjeshtë kryetari i ri i PD-së, duhet t’i kërkojë ish ministrit të Ramiz Alisë, z. Kastriot Islami (jo një të majti që erdhi në PD) të lërë mandatin e PD-së, në PD. Nëse Islami nuk e bën këtë (sigurisht që nuk do ta bëjë), atëhere duhet lënë jashtë grupit parlamentar. Edhe në mënyrë pragmatiste, pazari midis Kryetarit të PD-së dhe Islamit rezultoi se u refuzua nga elektorati. Kur unë e disa të tjerë e kundërshtuam kete pazar dhe media botoi edhe një shënim timin në rrjetet sociale, Genc Pollo u shpreh se bashkëpunimi midis ish kundërshtarëve do të kishte rezultat elektoral (megjithëse marrëveshje makiaveliste). Po, pati rezultat elektoral, por kundër interesave të PD-së! Me këtë nuk dua t’i ngjis përgjëgjësi që nuk i ka Pollos, se nuk e ka pyetur kush, por ai dhe gjithë kryesia e PD-së mban përgjegjësi për heshtjen. PD-ja nuk mund të kishte kandidat te saj Kaç Islamin e të linte jashtë Fatos Bejën, Mark Markun, Visar Zhitin, Selami Xhepën, Ilir Rusmajlin, e shumë intelektuale të njohur e të pakorruptuar! Partia Demokratike duhet të lirohet nga barra e rëndë e kompromiseve të pamoralshme politike. Morali politik mbetet i rëndësishëm. Ky është një nga leksionet e këtyre zgjedhjeve, që duhet lexuar me kujdes. Në këtë pikë teorikisht jam dakort me Olldashin.

Partia Demokratike duhet t’i afrohet një zgjerimi te ri dhe duhet të ketë kujdes me ish burokratët e korruptuar (qe i emërtuan arrogantë). Të gjithë ish aktivistët e shquar të levizjes demokratike të përfshirë apo të papërfshirë në vite në strukturat dhe forumet e partise duhet të ftohen për të kontribuar dhe të kenë hapësirë përfaqesimi. Madje edhe ata të angazhuar në parti të tjera për njëmijë e një arsye. Ndryshe do të shkojnë tek Bamir Topi, pragmatistët (emërtim i përdorur nga analistët pranë PD-së) tek Ilir Meta e formacione të tjera politike, madje edhe më shumë se në këto zgjedhje. Po ju kujtoj sot, se rreziku i rritjes së Ilir Metës duhet ta shqetësojë më shumë lidershpin e së djathtës. LSI do t’i marrë edhe më shumë elektorat PD-së, e pse jo edhe të pozicionohet pas zgjedhjeve të tjera parlamentare si një parti e qendrës e sigurisht të bashkëqeverisë me PS-në.

Partia Demokratike mund e duhet të përfshijë kontributin e mijëra aktivistëve të saj jashtë vendit, duke i përfshirë në vendim marrjen politike, sidomos të shkolluarit në perëndim. Keshtu PD-ja mund të rimarrë jo vetëm energji të re por edhe një forcë të konsiderueshme elektorale. PD-ja duhet të kthehet në një shtëpi derëhapur për inteligjencën shqiptare, pa paragjykime. Partia Demokratike duhet të kthehet në një forcë atraktive për intelektualet, te rinjtë, politikanët dhe të gjitha shtresat e shoqërisë përmes organizimit të klubeve të ndryshme, jo vetëm politike. Të organizojë aktivitete të shumta të të gjitha natyrave. Pjesëmarrja në një forum partiak duhet të të krijojë kënaqesi. Partia nuk ka pse konceptohet vetëm si një formacion luftarak elektoral.

Partia Demokratike duhet ta konsolidojë plotësisht dhe ta ketë parim numer një aleancën e saj perëndimore. Bashkëpunimi me partitë e qendrës dhe të së djathtës europiane duhet të rritet. Praktikat më të mira të organizimit dhe funksionimit të këtyre partive duhet të implementohen edhe tek ne. Duhet të krijohen mundësi për bashkëpunim të drejtueseve të të gjitha niveleve të PD-së, pranë këtyre partive simotra.

Partia Demokratike është krijuar si parti e unitetit dhe jo e ndasisë kombëtare. Lulzim Basha (i shkolluar në Perëndim) e kushdo tjetër duhet të jenë të kujdeshëm në përdorimin e retorikes dhe elementeve ndarjes fetare e krahinore. Ed Ramës ia kujtuan e stërkujtuan në mënyrë të ligë, emrin e babait Kristaq e prejardhjen ortodokse të familjes si të ishte një faj, po ashtu Pandeli Majkos. Nuk patën asnjë efekt, perkundrazi! Ky është një leksion tjetër shumë i rëndësishëm dhe pozitiv i shoqërisë shqiptare. Ibrahim Rugova thuhet se u pagëzua katolik dhe mbante në krye të zyrës e shtëpisë fotografine me Papën, e megjithëse në një elektorat musliman, ai mbeti jo vetëm politikani më vizionar por edhe më i votuar i Kosovës në të gjitha kohërat. Fan Noli ishte prift ortodoks nga Jugu kur u be Kryeministër e miku i tij Hasan Prishtina ishte nga Kosova kur u zgjodh deputët e madje për disa ditë edhe kryeministër i Shqipërisë.

PD-ja duhet të votojë një nen statuor, që e pamundëson secilin kryetar partie të zgjidhet më shumë se dy mandate dhe sigurisht të japë dorëheqje që në mandatin e parë nëse humb zgjedhjet. Konventa Kombëtare e partisë duhet të miratojë kandidaturat për deputetë dhe sistemi elektoral duhet të ndryshohet për t’i rikthyer komunitetit të drejtën për të zgjedhur.

Së fundi, PD-ja duhet të jetë krenare për historinë e saj te viteve 90 dhe rrëzimit të diktaturës komuniste, hapjen e vendit ndaj organizatave politike perëndimore, antarësimin e vendit në NATO, orientimin e zhvillimit ekonomik ne drejtim të përmirësimit infrastrukturor etj, etj, por edhe shumë e vëmendshme ndaj gabimeve e fajeve historike gjithashtu. Pra te ndërtohet e nesërmja mbi një trashëgimi selektive, pozitivetë PD-së, me vizionin e një Shqipërië të shekullit XXI, anëtare e familjes europiane.

Kryetari i tanishëm i PD-së, ka merita e dështime historike me të cilat do të merren studiuesit. Ai e ka bërë vetë historinë e Tij. Ai mund të shërbejë si frymëzim për një pjesë të shoqërisë shqiptare por nuk do të jetë i dobishëm si tutor i kryetarit të ri të Partisë Demokratike.

PD-ja mund të ketë një të ardhme të mirë politike nëse lexon si duhet humbjen dhe nis një epokë të re duke e kuptuar se ka përfunduar tranzicioni, përndryshe do të kthehet në një formacion politik edhe më periferik në zgjedhjet lokale pas dy vitesh.

New York, Korrik 2013

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Ukcamaj, nje PD post tranzicion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1019
  • 1020
  • 1021
  • 1022
  • 1023
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKËS — VATRA: DEKLARATË PËR PAQEN, PËRGJEGJËSINË KUSHTETUESE DHE DIALOGUN NË SHQIPËRI
  • JU MUNDI…
  • PROTESTA DHE STUDENTËT!
  • Kur studentët lidhen në kangjellat e një instucioni, demokracia ngrihet në gjyq
  • SHQIPËRIA NUK MUND TË MBETET PENG I PUSHTETIT: MERITOKRACI, LLOGARIDHËNIE DHE E ARDHME PËR RININË!
  • MR. RAMA, ALBANIA DOES NOT BELONG TO YOU
  • Britmat e një vajze…
  • Mos u habisni nga dhuna. Habituni që nuk ka plasur tenxherja më herët!
  • 𝐉𝐄𝐌𝐈 𝐍𝐄̀ 𝐊𝐑𝐀𝐇 𝐓𝐄 𝐒𝐓𝐔𝐃𝐄𝐍𝐓𝐄𝐕𝐄 𝐒𝐇𝐐𝐈𝐏𝐓𝐀𝐑𝐄
  • Quo Vadis, Shqipëri?
  • Ministria e gestapos
  • MOTRAT “QIRIAZI” ORGANIZUAN NJË MBRËMJE NË NEW YORK KUNDËR KANCERIT TË GJIRIT – NJË FESTË E JETËS DHE E GUXIMIT
  • Veprat letrare “Mençuria Shqiptare” dhe “Dinastia Domi e Cerenit të Kalasë së Dodës ” u promovuan në Philadelphia
  • Kriminelë me uniformën e shtetit…
  • Mjerimin nuk e njohin shqiptarët kur hipin n’shalën e kalit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT