• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përparësitë dhe dobësitë e qeverisë së re shqiptare

September 8, 2013 by dgreca

Nga Menada Zaimi/

Analistët në Shqipëri komentojnë pikat e forta dhe të dobëta të qeverisë së re, e cila do të drejtohet nga Edi Rama. Dukshëm qeverisja do të jetë komode nga pikëpamja e mandateve në Kuvend, fakt që analisti Armand Shkullaku e rendit si një pikë të fortë.
“Pika më e fortë që ka kjo qeveri është mazhoranca tepër e madhe. Pra, ka një shumicë prej 83 votash, me të cilën, si të thuash, i ka duart e lira për të kryer reformat apo premtimet elektorale, që ajo ka paraqitur para votuesve shqiptarë”, thotë Shkullaku.
Iris Luarasi fokusohet te prurjet dhe elementet origjinale për të sjellë një program fitues më 23 qershor:
“Bëhet fjalë për një energji të re të pashpenzuar gjatë 8 viteve në opozitë. Bëhet fjalë për një sërë tryezash të rrumbullakëta të zhvilluara gjatë dy viteve të fundit, ku është thirrur një grup i rëndësishëm specialistësh dhe është marrë mendimi i njerëzve që kanë një zë në fusha të ndryshme, për të cilat janë realizuar tryezat e organizuara nga Partia Socialiste. Po prapë një gjë pozitive shohim edhe përfshirjen e shumë njerëzve të rinj në pozicionet e ministrave”.
Por, jo të gjithë e kanë përqafuar optikën e kryeministrit të ardhshëm për të formuar kabinetin e ri, çka për Luarasin mund të jetë arsye për konflikte të brendshme.
“Pikë të dobët unë shoh edhe vetë opozitën që do të krijohet brenda Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, që mund të ndihet e anashkaluar nga vendimmarrja, në të cilën janë zgjedhur ministrat e rinj, kabinetet e tyre, drejtorët e drejtorive në pozicione të caktuara, që do të jetë ndoshta një nga handikap nëse nuk do të merren masa nga lidershipi i Partisë Socialiste për ta kaluar këtë si proces”, vlerëson Luarasi.
Për të mirëqeverisur, analistët jo drejtpërdrejtë i sugjerojnë qeverisë së re të Shqipërisë të mos gjejë justifikime bazuar te realiteti që po trashëgon mazhoranca në largim.
Armand Shkullaku thotë për Radion Evropa e Lirë se situata ekonomike nuk mund të përdoret si alibi për mospërmbushjen e detyrimeve programore.
“Zoti Rama të paktën gjatë 4 vjetëve të fundit ka akuzuar vazhdimisht me shifra me fakte, me të dhëna, realitetin ekonomik që paraqiste mazhoranca e djeshme. Kështu që e ka të qartë gjendjen reale, në të cilën ndodhet vendi. Kjo nuk përbën justifikim për mosplotësimin e programit të Partisë Socialiste që të qeverisë vendin”.
“Sigurisht, Shqipëria ka pasur një ngecje, nuk ka pasur një rritje ekonomike domethënëse, ka pasur rënie, madje. Por, sigurisht, është një nga vendet e rajonit që ka shpëtuar deri tani nga kriza ekonomike dhe tashmë ajo që do të menaxhohet nga sot e tutje, i mbetet mazhorancës së re”, konsideron Shkullaku.
Nën shënjestër, siç thotë Luarasi, do të jetë sjellja e qeverisë së re në raport me korrupsionin. Çdo hap i munguar në këtë drejtim, sipas saj, do ta penalizonte mazhorancën e re.
“Dhe, nëse ne nuk do të shohim njerëz që do të shkojnë prapa hekurave, dhe do të dënohen për aktet korruptive që ata kanë kryer deri më sot, sigurisht që pastaj do të lërë shumë për të dëshiruar dhe do t’i ulë shumë pikë mazhorancës së re”, thekson Luarasi për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkohë, qytetarët e anketuar presin, as më shumë, as më pak se sa mbajtja e premtimeve të bëra në zgjedhje:
“Të gjitha gjërat, sidomos për të rinjtë dhe të reja, se është bërë shumë keq, punësimi, të gjitha”.
“Punësim, rend, ato që duan të gjithë njerëzit”, shprehet qytetari i dytë.
“Thjesht, të mbajë premtimet dhe kaq. Punësim”.
“Presim ndryshime ndaj dhe shumica votoi për ta. Besoj se do të mendojnë për këtë popull tani. Në radhë të parë duhet luftuar korrupsioni. Mbi gjithçka duhet të ketë qetësi. Rendi duhet të vendoset”.
“Vetëm atë që kanë premtuar. Jo vetëm kjo qeveri, por të gjitha që do të vijnë e do të ikin, gjithë ato që kanë premtuar kaq”.
“Nga qeveria e re presim ndryshime të mëdha në lidhje me zgjidhjen e halleve dhe problemeve të rinisë, të pensionistëve, invalidëve.
“Mbi të gjitha rendi”.
E vetëdijshme për fuqinë e shtuar që i dhanë votat në 23 qershor, mazhoranca e re u ka paraprirë dyshimeve publike e mediatike, duke deklaruar se nuk do të keqpërdorë votat në Kuvend.
Por, rezultati i zgjedhjeve prodhoi gjithaq dhe një LSI më të fortë, e për rrjedhojë dyshimet se kjo forcë politike mund të jetë sa fuqia, po aq dhe dobësia e Qeverisë Rama. Ndonëse shpreson që qeverisja të funksionojë, analistja Luarasi nuk e shmang skepticizmin se marrëdhënia mes dy liderëve s’do të jetë dhe aq e lehtë.
“Sigurisht, me kalimin e kohës do të kemi edhe ngjarje, edhe në këtë pikëpamje. Në fakt, zoti Meta ka treguar se arriti të bëjë një bashkëqeverisje shumë të mirë me zotin Berisha që ishte kundërshtari më i madh i tij politik. Kështu që nga kjo pikëpamje mendoj që nëse ai do të jetë i interesuar për të vazhduar këtë lloj qeverisjeje, aq më shumë me numrat e katërfishuar të deputetëve që ai ka sot në Parlament, atëherë do të ketë një dëshirë të mirë për ta vazhduar këtë bashkëpunim”.
“Nga ana tjetër, ne e dimë që të dy liderët, qoftë zoti Rama, qoftë zoti Meta në një moment të caktuar kthehen në njerëz të paparashikueshëm. Kështu që e vetmja shpresë është që të mos ndodhin gjëra të paparashikueshme gjatë këtyre katër vjtëve në vazhdim, të paktën”, shprehet Luarasi.
Ndërkaq, Shkullaku kujton se Ilir Meta e Edi Rama kanë ditur të bashkëpunojnë, çfarë ka shumë arsye të ndodhë edhe tani.
“Është e vërtetë se për sa kohë është edhe pikë e fortë si të thuash kjo mazhorancë e konsoliduar, por nga ana tjetër edhe qeverisja me dy koka, ose me dy pole, përbën një vështirësi. Por, mendoj që Meta dhe Rama kanë kaluar periudha bashkëqeverisjeje me njëri-tjetrin, e kanë një eksperiencë nga e kaluara, kur zoti Meta ka qenë kryeministër dhe zoti Rama kryetar i Bashkisë. Kështu që, mendoj që e njohin aq mirë njëri-tjetrin, sa gjërat që i ndajnë t’i evitojnë dhe të mbështeten te gjërat që i bashkojnë”, potencon Shkullaku.
Qeveria e re pritet të nisë punën javën që vjen. Një lexim më i qartë i pikave të forta apo të dobëta të Kabinetit Rama, ndoshta do të bëhet pas përmbylljes së angazhimeve programore të 300 ditëve të para të qeverisjes.

Filed Under: Analiza Tagged With: Menada, qeveria socialsite

Vila e Enver Hoxhës, “Muze për Krimet e Komunizmit”!

September 7, 2013 by dgreca

NGA GËZIM PESHKËPIA &  AGRON TUFA*/

Shqipëria është vendi i vetëm në Europën Qendrore e Lindore ish-komuniste, që nuk e ka ende një Muze për Krimet e Komunizmit. Ndonëse shkalla e egërsisë së regjimit komunist të Enver Hoxhës ka qenë, siç dihet tashmë, e pakrahasueshme me asnjë prej pushteteve të “demokracive popullore” të vendeve ish-komuniste, ende nuk e kemi një Muze të Diktaturës, madje as në Kryeqytet, edhe pse kanë kaluar 23 vjet nga rënia formale e sistemit totalitar. Diktatori vetë nuk hezitoi fare të ngrinte në vitin 1967, në mes të Pjacës së Shkodrës, Muzeumin monstruoz të Ateizmit. Edhe pse nuk mungojnë objektet dhe gjurmët kriminale të dhunës dhe torturave komuniste, kjo mungesë bëhet më e mprehtë me rritjen e gjeneratave të reja, të cilat nuk arrijnë dot të kenë një përfytyrim të thjeshtë, të prekshëm e didaktik mbi terrorin e ushtruar për gjysmë shekulli mbi qytetarët shqiptarë. Kësisoj, Shqipëria ka vendosur një rekord të ri gines për kultivimin e shpërfilljes së traumës historike dhe amnezisë.
Kemi pasur rastin të ftohemi e të marrim pjesë në konferenca të ndryshme të vendeve ish-komuniste me tema të mprehta mbi muzealizimin e provave dhe dëshmitë të krimeve të komunizmit. Gjithkund në këto vende të Europës Qendrore e Lindore kemi parë disa dhjetëra lloje muzesh mbi krimet e komunizmit, të përqendruara në disa qytete kryesore, me një vizitueshmëri të pandërprerë. I tillë, për shembull, është “Muzeumi i Komunizmit” në mes të Pragës, në sheshin “Vacesllav”, në pallatin elegant “Savarin”. I rrethuar nga të dyja anët prej restorantesh McDonald’s dhe nga ana tjetër prej një kazinoje, të gjitha jo rastësisht, muzeumi krijon kontrast me gjithçka të shoqërisë së re, që ka ardhur pas përmbysjes së komunizmit, për të cilin “Newsweek” shkruan se “brezit të ri nuk i është treguar e plotë nga prindërit” dhe se “të rinjtë kanë nevojë t’u kujtosh se si ka qenë jeta e mëparshme”.
Si rregull, kriteret e përzgjedhjes së godinave për këto muze parapëlqehen ish-godinat e komiteteve të partive, burgjet komuniste, godinat qeveritare ose godinat e shërbimeve sekrete.
Por shembullin e padiskutueshëm të një reflektimi mbi modelet e muzeve të krimeve të komunizmit, e paraqet Gjermania, e cila ka gërshetuar muzetë e dy diktaturave (naziste dhe komuniste), duke ruajtur simbolikat dhe dëshmitë autentike mbi traumat kolektive të dy diktaturave. Edhe Gjermania, në një shkallë akoma më të goditur simbolike, ka përzgjedhur godinat që përcjellin një domethënie të freskët e mbresëlënëse te vizitorët e këtyre muzeve.
Gjatë një trajnimi dyjavor me specialistët e Institutit tonë, me ndërmjetësinë e drejtorit “Konrad Adenauer Stiftung”, Dr. Thomas Schrapel, ne ishim të ftuar në muajin mars të këtij viti nga Instituti homolog gjerman, për të përfituar sa më shumë nga përvoja dhe strategjia gjermane në dëshmitë konkrete të krimeve të dy diktaturave. Edhe në Gjermani muzetë e panumërt të krimeve të komunizmit ishin ndërtesat e ish-Komiteteve të Partisë, godinat qeveritare të ministrive, ish-burgjet dhe Kampet e Përqendrimit, të tejmbushura, kryesisht me nxënës shkollash e gjimnazesh. Ndërsa gjatë vitit 1989 aktivistët e “Lëvizjes qytetare” në të gjitha qytetet e Gjermanisë Lindore, ende pa rënë Muri i Berlinit, me të marrë vesh se STAS-i kishte nisur asgjësimin e dosjeve, i rrethuan të gjitha ndërtesat e Sigurimit komunist gjerman, duke pasur një përkrahje të gjerë popullore. Të gjitha godinat e STAS-it u rrethuan, derisa u morën nën kontroll, duke mos i lëshuar më, gjer në kapitullimin përfundimtar të regjimit komunist të Erich Honeckerit. Tashmë dihet gjerësisht, se këto godina janë shndërruar me kohë të gjitha në muze të krimeve të komunizmit. Rastin më demonstrativ e përbën “Muzeu i STAS-it” në Berlin, godina e të cilit ishte kuartieri kryesor i Sigurimit të Shtetit në RDGJ. Territori i kësaj Qendre në Berlin-Lichtenberg shtrihej me një sipërfaqe prej 22 hektarësh, e cila u kthye në Muzeum me vendim të posaçëm.
Po gjatë marsit të këtij viti, me rastin e inaugurimit të Memorialit “Postbllok” (me autorë F. Lubonja dhe A. Isufi), autorët e këtij shkrimi shoqëruan në një shëtitje në zonën e Bllokut drejtoreshën e “Fondacionit Federal Gjerman për Rishikimin e të Kaluarës Komuniste”, Dr. Anna Kaminsy-n. Ajo u interesua veçanërisht për vilën e diktatorit Enver Hoxha, për destinacionin e saj dhe, pas një kundrimi të hollësishëm të godinës nga të gjitha rakurset, na shprehu mendimin e saj, se “vila ku ka banuar diktatori juaj, do të ishte simbolika më e goditur për kthimin e saj në ‘Muze të Krimeve të Komunizmit’”.
– Përfytyrojeni – tha ajo,- se si nga atje brenda, por edhe nga ballkonet, dritaret dhe shëtitjet e tij në kopshtin e bukur e të qetë të kësaj vile, diktatori juaj projektonte, meditonte dhe shpërndante urdhra për eliminimin e elitave intelektuale deri te bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.
Ne na dhembën këto fjalë dhe s’ditëm çfarë t’i përgjigjeshim, ndonëse një ide të tillë, jo vetëm e kishim çuar ndërmend, jo vetëm e kishim diskutuar, por edhe e kishim ndeshur të artikuluar edhe në shtypin tonë. Dhe këtë skepsis të thellë mbi pamundësinë e një gjesti, që duket tepër i bukur për ta besuar, na e ka provuar realiteti ynë politik postkomunist, në të cilin, siç po e shohim, jo vetëm nuk ka pikë ndjeshmërie për krimet e komunizmit, por zor të gjesh ndonjë dozë arsyeje e mirëkuptimi.
Por, kur sheh se çfarë idesh po hidhen këto ditë mbi destinacionin e vilës së diktatorit, ne na dhemb dyfish situata që përshkruam më lart me Dr. Anna Kaminsky-n. Sepse nga qasjet e qeverisë së re, që ende nuk ka nisur ushtrimin e pushtetit, po u jepen udhë ideve banale mbi kthimin e kësaj vile në një “Qendër” ku “inovatorët legjislatorë mund të bënin aty seminare, apo studime” dhe ku “…filozofët e ardhshëm mund të vijnë të bëjnë studime tremujore, të banojnë brenda vilës me idenë e dhënies së propozimeve specifike për ligje të caktuara” (“Standard” 27 gusht, 2013). Në Konferencën e 26 shtatorit mbi zhvillimin urban, Partia Socialiste ftoi edhe disa arkitektë të huaj, të cilët shprehen disa mendime mbi funksionin e disa prej godinave, përfshirë dhe Piramidën, por në asnjë rast, asnjëri prej arkitektëve “të partishëm” nuk u kujtua, se pikërisht këto godina bartin një energji simbolike me të shkuarën tonë diktatoriale. Pikërisht për vlerën potenciale të muzeve që paraqesin këto godina, u hesht me një ton të tillë…
Është e habitshme që disa figura politike të kryesisë së kësaj partie, të cilët prej gati një viti na befasuan me dofarë platformash të tyre mbi ndjeshmërinë ndaj të përndjekurve politikë, jo vetëm që nuk guxuan të hidhnin propozimin e tyre për kthimin e vilës së diktatorit në një “Muze për Krimet e Komunizmit” (meqë dhe pretendojnë se janë bij të përndjekurish politikë), por as nuk u ndjenë fare kur këto ide janë bërë tashmë publike në median tonë.
Pra, qëllimi i metamorfozës është më se i qartë. Shkurt, kjo do të thotë: edhe një fondacion tjetër politik “Qemal Stafa”…!
Mirëpo qytetarët shqiptarë kanë nevojë për kujtesën e plagëve të tyre, për identitetin e tyre kolektiv; ata kanë nevojë për rikuptimësimin, filtrimin dhe përcjelljen e kësaj kujtesë te brezat e ardhshëm, për edukimin me faktet dhe ndjenjën realiste të historisë së tyre. Gjëja që më së paku kanë nevojë qytetarët shqiptarë, janë këto qendra të shpëlarjes së trurit nëpërmjet eksperimenteve me fondacione politike e ideologjike.

* Autorët e shkrimit : Gezim Peshkepia, ish-i burgosur politik, anëtar i Bordit të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit-Agron Tufa, Drejtori Ekzekutiv i këtij Instituti.

Filed Under: Analiza Tagged With: Agron Tufa, Gezim Peshkepia, Muze per krimet e komunizmit, vila e Enver Hoxhes

Siri: Pikëpyetjet e intervenimit ushtarak amerikan

September 7, 2013 by dgreca

Nga Heather Maher/

Derisa Kongresi amerikan dhe Shtëpia e Bardhë e debatojnë nëse dhe si duhet t’i përgjigjen qeverisë siriane për dyshimin se ka përdorur armë kimike, një gjë është e qartë: një sulm ushtarak në vendin e kapluar nga lufta ka potencial të prodhojë pasoja të paqëllimta.
Skenari më i mirë për Shtëpinë e Bardhë do të ishte të ndihmojë opozitën që të arrijë fitoren vendimtare kundër Bashar al Assadit, duke i hapur kështu rrugë forcave demokratike që ta marrin pushtetin.
Në rastin më të keq, intervenimi mund t’i ndihmonte opozitës siriane që ta arrijë fitoren vendimtare kundër Assadit dhe grupet islamiste si Fronti Al Nusra e lidhur me Al Kaedën ta marrin pushtetin.
Mark Jacobson është ish zyrtar në Departamentin amerikan të mbrojtjes i cili tani e ka specializuar çështjet e sigurisë dhe politikat e kërcënimit të sigurisë në kuadër të Fondit gjerman të Marshallit.
“Një nga sfidat më të mëdha për Shtetet e Bashkuara dhe sinqerisht të them aleatët e NATO-s, komuniteti ndërkombëtar në masë të madhe, ka qenë deri në çfarë niveli duhet ne të përkrahim opozitën dhe të ndryshojmë balansin e fuqisë në Siri? Ne nuk e dimë saktë kush është opozitë apo ta them më qartë, ne nuk e dimë saktë se çfarë veprimesh do të ndërmarrin ata nëse do të arrijnë që ta përmbysin pushtetin”, thotë Jacobson.
Pavarësisht se cili grup arrin ta marrë pushtetin pas Assadit, Jacobson thotë se rruga para nuk do të jetë e lehtë.
“Mos gaboheni: nëse Assadi bie, atëherë do të del një set tërësisht i ri i problemeve që kanë të bëjnë me rindërtimin e një shteti të dështuar. Dhe kjo do të thotë një lloj vëmendje që komuniteti ndërkombëtar, ta them sinqerisht jo pak shtete duan të evitojnë në këtë pikë”, vlerëson më tej Jacobson.
Për t’ia arritur objektivit të presidentit Barack Obama për të parandaluar përdorimin në të ardhmen të armëve kimike, Jacobson parashikon se planifikuesit e Pentagonit do të zgjidhnin caqe që shihen shumë qartë siç është Ministria e Mbrojtjes së Sirisë dhe forcat ajrore:
“Pas të gjithave, arsyeja që ne po i mendojmë veprimet ushtarake është se Assadi e ka vënë popullatën e vet në rrezik. Është vështirë e mendueshme që do të shohim sulme kundër armëve kimike. Regjimi i Assadit ka qenë duke i lëvizur ato armë që një kohë dhe kështu ne do të rrisnim rrezikun për më shumë viktima në civil, përmes shkatërrimit të pa duhur të këtyre armëve apo sepse Assadi i ka vendosur forcat e armatosura në zona me shumë popullatë”, thotë Jacobson.
Sekretari i shtetit, John Kerry ju ka thënë pjesëtarëve të Kongresit gjatë kësaj jave se ai është “100 % i sigurt” që Assadi do të përdorë armë kimike prapë nëse Shtetet e Bashkuara nuk do të veprojnë.
Por çfarë nëse Uashingtoni reagon dhe Assadi nuk e pranon mesazhin? Në rastin që Assadi përdor armë kimike në të ardhmen, Jacobson thotë se ushtria amerikane duhet të riangazhohet me “forcë dërrmuese”.
Ky skenar e shqetëson Dov Zakheim, i cili ka qenë sekretar për siguri në administratën e presidentit George W Bush.
“Nëse Assadi mbijeton, Hezbollahu do të jetë ende aktiv, Irani do të jetë ende aktiv dhe Assadi do të jetë ende aktiv. Nëse bie Assadi, atëherë ne prapë do të akuzohemi për ndryshim qeverish, dhe iranianët lirisht mund të vendosin që e vetmja mënyrë për të evituar ndryshimin e regjimit të tyre është të ndiqet rruga e Koresë së Veriut dhe të kërkojnë hapur fuqi bërthamore, më shpejtë dhe më bindshëm. Atëherë çfarë do të bëjnë Shtetet e Bashkuara?”, pyet Zakheim.
Kjo ishte një nga pyetjet e mëdha në seancën dëgjimore të 3 shtatorit në Senat: A do të trimërohet Irani në ndjekjen e rrugës së armatimit bërthamor nëse Uashingtoni nuk e bën përgjegjës Assadin? Askush nuk tha “jo”.
Por, Mehrzad Boroujerdi, drejtor i programit të veçantë të studimit të Lindjes së Mesme, në Universitetin Syracuse, është skeptik.
“Unë nuk pajtohem me atë retorikë. Mua më duket më shumë një justifikim për të nisur luftë kundër Sirisë se sa bazë reale e realitetit me Iranin”, ka thënë ai.
Sa i përket Rusisë, një nga aleatët kryesor të Sirisë, analistët ushtarak dhe diplomatik e parashohin një rritje të mundshme në ofrimin e armëve për Assadin në rast të një sulmi, por jo diçka më shumë.
Sulmet hakmarrëse kundër Izraelit në rast të një intervenimi Amerika janë gjithashtu jo shumë të mundshme, thotë Jacobson nga Fondi gjerman i Marshallit.
“Nuk mendoj që në mes të tjerave, që as Irani apo Sirianët janë aq vetëvrasës në atë aspekt. të tërheqësh Izraelin në këtë e ndryshon tërë masën e konfliktit dhe padyshim që do të rezultojnë në shkatërrimin e plotë të regjimit sirian”, thotë Jacobson.

Filed Under: Analiza Tagged With: e intervenimit amerikan, pikpyetjet, Siri

Krizat e ”pafundme” ballkanike

September 6, 2013 by dgreca

A do të vijojë Ballkani të mbetet njolla e zezë e Europës?/

Shkruan: ZAIM KUÇI/*

Riformulimi i mundshëm i gjeopolitikës në rajonin e Ballkanit. Në analizë të situatës për vendet ballkanike, sjell si informacion se, zhvillimet e fundit në rajon të japin idene se ky rajon po përballet me vështirësi të mëdha ekonomike që pjellin jo vetëm nacionalizma në ekstrem, por dhe rikthim dhe hapje oreksi për zënie territori të forcave të tjera larg kufijve të tij,  që afrojnë ndoshta dhe alternativen për ndryshim kufijsh. E përforcoj këtë “hallakatjen time për ballkanin e lodhur” edhe nga Instituti gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (SWP) me qender në Berlin i cili ka hedhur ide se, së shpejti do të kemi një rivlerësim të ri të ndryshimit të kufijve në Ballkan. Fillimisht ata e shohin si më të mundshëm një rregullim kufijsh mbi baza etnike në trekëndëshin Kosovë-Shqipëri-Maqedoni thuhet në këtë analizë, por nuk eshte kjo subjekt i këtij shkrimi, i cili del në hapesira të tjera integrimi.

Ballkani dhe kriza e re politike.  Rajoni i Ballkanit na paraqitet në dy profile, ai botës së dukshme, me kriza në rritje dhe i botës së fshehtë me intriga, si mbeturina të së kaluarës. Le të ndalemi kalimthi në këto dy anë  të rajonit tonë.

Ballkani ku ne jetojmë duket se është futur në një spirale humbjeje, qoftë kjo ekonomike dhe ajo në fushën e gjeopolitikës. Ajo që ka mbetur përherë e pandryshueshme është etja për nacionalizëm, jo në një shtet, por pothuajse tek të gjithë ku fshihen ambicje të të vjetra të shteteve mëmë, pasojë e të cilës është projektimi i një gjeopolitike të re krizore dhe se në horizont shikohet një perspektive disi jo e qartë, madje dyshuese, me skenarë të hapur ndarje dhe të tjerë, që presin momentin dhe kohën e duhur, për të dalë në skenën e hapur të kontradiktave.

Janë këta skenarë që mbajnë peng këtë territor shtrirje, që shansi e dha të jetë në pjesën më të privilegjuar gjeografike të Europës. Në Ballkan vazhdon pengu i një të kaluare historike, ku përplaseshin fetë, qytetërimet dhe ideologjitë në dimensione që kalonin rajonin tonë dhe më tej në përmasat botërore. Për këtë arsye, territori i tij ka tërhequr gjithnjë fuqi globale e rajonale për të realizuar interesat dhe prej këndej, nga ku kërkojnë bazë nisje, për t’u zgjeruar në vende e rajone të tjera të botës.

Në këtë situatë vorbulle ballkanike, nuk është tepër të shprehemi se rajoni ka vetëm një gjuhë, ai flet me gjuhën e ”forcës së armatosur” edhe pse me një ekonomi të dobët….e cila lehtësisht zhvlerëson gjuhën e dialogut, të konsesualitetit politik dhe diplomatik,aq më pak atë të bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët të popujve të vet.

Rritja e nivelit të Nacionalizmit Ballkanik

Në se vlerësojmë në terma të përgjithshme, për të gjithë popujt nacionalizmi dhe patriotizmi jane ndjenja që burojnë nga devotshmëria e të qenurit besnik ndaj kombit që kupton lidhjen e ngushtë të individit me kombin.

Pa bërë teorizma në lidhje me këto nocione është vërtetuar se në ato vende ku ka zhvillim të pamjaftueshëm ekonomik, papunësi, demokraci të brishtë, korrupsion, institucione jo në standard evropian, drejtuesit dhe politikanët sjellin për shpëtim kartën e nacionalizmit, ndjenjë që fillimisht përvehtësohet lehtësisht nga populli. Pra nacionalizmi ballkanik është sipas meje i stimuluar, vjen nga errësira dhe besnikëria që individë apo grupe të caktuara manifestojnë ndaj “interesave të kombit” ndaj “slloganeve politike ose nacionaliste” apo elita politike të papërgjegjëshme, të cilët për interesa individuale abuzojnë me turmat, manipulojnë me opinionin publik, duke i drejtuar ato në rrugë pa krye dhe në aventura të rrezikshme për paqen, stabilitetin dhe mirëqenien e tyre, pra e thënë ndryshe është arkaik.

Per sa më lart,vendet e rajonit tonë tashmë e kanë krijuara “infrastrukturën” e duhur dhe lozin fuqishëm me kartën e nacionalizmit. Etja për nacionalizëm, jo në një shtet, por pothuajse tek të gjithë, pasojë e të cilës është projektimi i një gjeopolitike të re krizore dhe se në horizont shikohet një perspektive disi jo e qartë. Më tepër se kaq, ajo që përbën rrezik sot është fakti se strukturat e sigurisë, veças në shtetet e rajonit, nuk janë aktive për të ndarë shtetin dhe ritet fetare, por në një farë mënyrë shtetet gjejnë interesat në këtë përpjekje destabilizimi në propagandën fetare. Duket sikur po shfaqen lakmitë  e vjetra të Ballkanit të shekujve më parë.

Etja e dukshme për një nacionalizëm shovinist vlerësohet si një teori e rrezikshme dhe e gjithëpranuar nga vendet me vështirësi ekonomike dhe demokratike të ballkanit.

Ballkanikët, (drejtuesit) ose i shmangen nivelit të ulët ekonomik dhe flasin me gjuhën e nacionalizmit ose akoma nuk kanë kuptuar mirë dallimin mes patriotizmit dhe nacionalizmit. Në janar 1995 udhëheqësi francez Mitterrand gjatë fjalimit të tij para Parlamentit Europian nacionalizmin e ka perkufizuar, “nacionalizëm do të thotë luftë”, që kupton një ballkan që ndjell luftë.

Sipas meje, ndaljen e kësaj rrokullisje ballkanike e shikoj në atë që, Rajoni ynë duhet të ndjekë Shembujt  “shengenian” të cilët nuk i kanë munguar Europës, madje vlerësohet si kontinent i lindjes së termave që bashkojnë vendet për të punuar së bashku. Rritjes të stimuluar të tensionit ballkanik do t’i shkonte mirë për qetësim dhe rivlerësim, rikthimi i diplomacisë ballkanike në shembullin e diplomacisë franko-gjermane të pasluftës së dytë botërore, e cila jo vetëm që vendosi paqen midis dy vendeve që vinin me një histori konfliktuale, por dhe një shans për zhvillim në paqe të Europës.

Papunësia dhe Nacionalizmi sipas meje janë faktorë bazë, nxitës për zhvillimin e forcave politike ekstreme te tipit fashist (Greqi, Maqedoni, Serbi etj). Zyra e statistikave të Bashkimit Evropian informon se niveli i papunësisë është i larte, më shumë se 19 milionë njerëz (12 % te popullates) janë të papunë në eurozonë, e cila ka bërë daljen e partive me programe ekstreme si psh ne Spanje, Gjermani etj.

Kërcënimet dhe Sfidat në Rajonin tonë. Rasti i RSH

Papunësia një fenomen global i shoqërisë sonë, vlerësohet si një kërcënim real. Për vendin tim, papunësia është produkt dhe pasojë i ndërrimit të sistemeve. Gjithashtu RSH po kalon një tranzicion të vështirë, i tejzgjatur, që është rrjedhojë jo vetëm e një demokracie në krijim por dhe i stimuluar kohët e fundit nga kriza ekonomike që po kalojnë vendet rrotull nesh dhe në pjesën tjetër të Evropës.

Mbas viteve 90, një popull i dalë nga një regjim totalitar, kërkoi mirëqënien e tij duke emigruar në vendet fqinjë dhe më larg. Ishte një zgjidhje afatshkurtër për RSH. Aktualisht emigracioni shqiptar (1.3miljon shqiptare) kalon vështirësinë ekonomike që kalojnë shtetet bartës (fqinje) të këtij emigracioni. Greqia ku më shumë se 25 për qind te forcës punëtore të papunë dhe Italia është në prag recesioni, vende ku emigracioni shqiptar është në shifra të larta.

Lëvizja e pakontrolluar e popullsisë, nga nje zonë në tjetër, nga fshati në qytet solli jo vetëm renien ekonomike por krijoi dhe një papunësi të dukshme sidomos tek të rinjtë. Ajo që është shqetësuese edhe për gjithë vendet e tjera ish komuniste është dyndja drejt kryeqytetit, ku kemi një mbipopullim të tij. Kjo lëvizje demografike ka bërë që të lihen terrene të pashfrytëzuara, rritje fiktive të papunësisë, rënie të prodhimeve bujqësore dhe padyshim është burim zhvillimi për një sërë fenomene negative të shoqërisë.

Etja për pasurim të menjëhershëm, sidomos tek të rinjtë, afroi interesat vetjake duke stimuluar korrupsionin dhe largoi shoqërinë tonë nga vlerat si gjeneratorë për zhvillim dhe mirëqënie.

Ekonomia u zhvillua e paplanifikuar duke krijuar bisneze fiktive të cilat nuk i rezistuan kohës dhe shumë shpejt u shkatërruan duke rritur fiktivisht papunësinë. U zhvillua një kapitalizëm i pakontrulluar, rezultat i të cilit rriti hendekun e të pasurve me të varfërit, kontradikta e të cilëve solli anët më negative të zhvillimit të shoqërisë.

Nga ana tjetër, fenomenit “Papunësi” i shtohet dhe zhvillimet e vrullshme të teknologjisë, zhvillim që padyshim ka ulur rolin e punës “artizanale” duke hedhur në rrugë shumë punëtorë.

Diferenca te dukshme te zhvillimit te ekonomise midis rajonit tone dhe pjesen tjeter te evropes perendimore ka sjellë lëvizje masive të emigrantëve ekonomike drejt këtyre vendeve që padyshim mbartin dhe problematikën e tyre per vendet pritëse. Emigracioni i planifikuar evropian do të ishte një zgjidhje normale për të kontrolluar fenomenet negative mbartëse të këtij fenomeni.

Niveli i varfërisë në rajon vlerësohet si burim për rritjen e autoritetit të “pushtetit të individit” të konsideruar si element ( i ri) destablizues i sigurisë që duhet vlerësuar si burim i terrorizmit kombetar, rajonal e global

Këta janë tregues të hapur prapambetje të rajonit tonë me pjesën tjetër evropiane, diferencat e të cilave duhen të vlerësohen seriozisht, si prag lëvizje për zgjidhje të tjera të parashikuar edhe me forcë. E vetmja mundësi për dalje nga kjo krizë është përmbysja e këtyre raporteve prapambetje duke u afruar treguesve me vendet fqinjë të pjesës tjetër: Europë. Koha ka ardhur për hapje të vendeve të reja pune për të shmangur fenomenin autoritetin të “pushtetit të individit”se sa zhvillim të forcave të armatosura.

Harta e re e Krizës Ballkanike dhe veçantitë: politike, ekonomike dhe ideologjike

Kalimthi, do ta vlerësoja rajonin tonë në këtë format sjelljeje:

Vijon një Maqedoni pa identitet dhe me trazira të brendshme, me dyshime se kur do të njihet plotësisht si shtet (1/3 e përbërë nga shqiptarë). Në rastin e mosnjohjes, çfarë pritet të ndodhë, a do të vazhdojë stato quaja, apo do të këmi lëvizje për zgjidhje ndryshe.

Një Kosovë akoma e dobët, me një qeverisje në krijim dhe e përfolur nga BE, e panjohur zyrtarisht sipas rregullave ndërkombëtare. (Më shumë se 90% e përbërë nga shqiptarë.)

Për Malin e Zi: i konsideruar “i lënë pasdore”, terren i pavlerësuar, që shumë analistë e kanë quajtur, nën pronësi ruse…

Vijon presioni rus duke mbrojtur zyrtarisht ruajtjen e teritorit serb mbi Kosovën duke e quajtur atë një shtet të vetshpallur edhe pse u krijua nga një forcë ushtarake ndërkombëtare.

Së fundmi, Serbia, provinca ruse ku pushteti akoma nuk po gjen të zotin e vet…  madje shkohet më larg, në se nuk orjentohet drejt BE …zërat janë deri dhe në humbjen e indetitetit të saj- shpërbërje.

E veçanta e çështjes greke

”Si për traditë luftërash”, po sot do të jetë prapë Ballkani si bazë nisje për një krizë të re globale, këtë radhë do të përfaqësohet me shtetin grek, me krizën më të rëndë financiare të të gjitha kohërave, duke vënë në vështirësi rajonin dhe mbijetesën e vet Bashkimit Europian. Për fat të keq Ballkani mbetet i ”përgojuari i historisë”, toka e luftërave, përplasjeve dhe konflikteve.

Greqia është e hallakatur në problemin më të zjarrtë, pasi ajo ndodhet në udhëkryqin e zgjidhjes, drejt Europës që është hedhur në ndihmë të konsiderueshme, apo drejt Rusisë që kërkon strehë në rajonin tonë, apo rikthim në perandorinë e vjetër turke (për 4 shekuj deri në vitin 1832, Greqia ishte nën sundimin turk), apo diku larg në Kinë etj. Dyshimet rriten sidomos me ndryshimet politike të të majtëve dhe të djathtëve radikalë, anti-europian, për më tepër edhe pse është anëtar i Nato-s, herë-herë shprehet kundër saj, (ndërhyrja e Nato-s në Kosovë). Greqia ndodhet në konfuzion. Gjithsesi kjo mbetet për t’u parë.

E quajtura ”Situata greke e Greqisë”, analistët e vlerësojnë si kohë pritje për trazira sociale. Pasuria private, e vlerësuar miliardëshe, të transferuar në bankat zviceriane, analizohet si një gjendje me prapavendim në përdorimin e tyre, nuk dihet se si dhe ku do të përdoren.

Ndjehet një lëvizje e politikës dhe të Kishës greke ndaj RSH. Është një ofensivë që duhet vlerësuar si një lëvizje destabilizuese për Jugun e Shqipërisë.

Aktualisht sot për rajonin e ballkanit është hedhur në tavolinë çështja e kufijve. Të gjitha shtetet  kanë në diskutim, sipas interpretimeve të tyre, legjitimitetin për rishikim kufijsh: Serbia-Bosnjë-Hercegovina, Shqipëri-Greqi po afrohet një debat për ujërat detare, Kosova-Maqedonia me Serbinë. Po kështu vijon debati konfliktual politik midis Maqedonisë dhe Greqisë. Nga parlamenti i Republikës Serbe të Bosnjë-Hercegovinës, gjatë vitit 2010 u miratua ligji për referendumin e shkëputjes etj.

Po përse kjo situatë pasigurie rajonale? Për një thjeshtëzim në analizë, le të vlerësojmë  disa nga treguesit ekonomik të rajonit tonë, premisa për pështjellime për ndryshim.

Papunësia është në nivele nga më të lartat, 15 – 40 %. Ndërkohë, 30 % e popullsisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor, jeton nën nivel varfërie.

Të ardhurat  për frymë të popullsive të vendeve të rajonit janë rreth 6000-10.000 dollarë në vit, tashmë të pranuara nga këto vende. Këto të ardhura, statistikisht të deklaruara, sipas ekonomistëve merren si nivel kritik jetese, që padyshim sjellin kriza në shoqëri, janë një rrezik real që duhen vlerësuar me seriozitet.

Në vendet e rajonit, niveli i ekonomisë informale zyrtarisht është pranuar rreth 15 – 30 %, ku korrupsioni është ulur këmbëkryq dhe rrënon këtë ekonomi. (Te dhena nga “Transparency International Ëorld Corruption Index”)

Pasojat

Pasiguri dhe krizë ekonomike, nivel të lartë varfërie, krim të organizuar dhe korrupsion, si elementë bazë destabilizues të sigurisë rajonale. Vendet e Ballkanit të përfshirë në krizën ekonomike vazhdojnë të shërbejnë si vende transit të trafikut të lëndëve narkotike dhe se vlerësohet se “kanë krijuar dhe zgjerojnë në Europë organizata aktive të trafikut të drogës” .

Lindjen e partive nacionaliste, parti te cilat pervec të tjerash nxisin edhe dhunën kundër emigrantëve, duke i konsideruar ata si shkaktarë të krizës ekonomike në vendet e tyre etë tjera probleme të stimuluara nga ky kontigjent.

E përgjithshmja ballkanike: Vleresohet, herë pas here një boshllëk sigurie në rajon, një boshllëk që lejon premisa për destabilizim.

Ballkani edhe pse  është një rajon me vende të konsideruara të vogla, me një sipërfaqe të përgjithshme rreth 550.000 km2 dhe një popullsi pak më të madhe se 50 milionë banorë, për Evropën konsiderohet problematik.

Lëvizjet e shumta që kanë kaluar dhe kalojnë këto vende ballkanike: Serbia, Greqia, Kosova, Maqedonia, dhe Bosnjë-Hercegovina, të çojnë në analizën se rajoni ndodhet në gjendje kërcënuese për sigurinë. Nga ana tjetër edhe institucionet, organizmat evropiane që monitorojnë apo vëzhgojnë këtë rajon janë të bindura se në këto vende ka zhvillime kaotike që udhëhiqen nga një shoqëri jo stabël, e brishtë dhe, si rrjedhoje, në situatën e krijuar, në heshtje apo disi të kamufluar thuhet se, zor se mund të shmangen kërcënimet për konfliktet e mbartura si ato etnike dhe ato të rishfaqura me qëllime politike. Qartazi, mbajtja e ligjit të luftës nga një vend antar i Nato-s (Greqia ndaj RSH) tregon, sipas meje, nivelin e ulët të sigurisë në rajon.

Mosintegrimi i Serbisë me vendet njohëse të Kosovës, kërkesat e vazhdueshme të tyre për ndarjen e Kosovës, të mbështetura në hije nga rusët, tregojnë se rajoni po shkon në kontraditë. Zhvillimet konfliktuale në rajon historikisht kanë përfunduar me ndryshimin e kufijve, ecet dhe më tej nga analistët, të cilët thonë se ka vështirësi për shmangien e rishikimit të kufijve, madje jepet dhe një fare “tolerance sjellje” që do të ishte në interes të këtij rajoni, fakti që ky ndryshim të mos i nënshtrohet fatit të ndryshimit me dhunë.

Mbështetja e fuqishme në Kosovë e lëvizjes “Vetëvendosje” ka në bazë, reagimet e ashpra të serbëve dhe të maqedonasve ndaj tyre, si dhe rritjen e rolit dinamik të shqiptarëve në terrenin ballkanik, duke shtuar dhe atë të komunitetit Çamëria.

Faktorë të tjetër të rëndësishëm janë shqiptarët e Ballkanit: shtrirja e shqiptarëve në 6 shtete të Ballkanit, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Greqi, Mal të Zi, Serbi-Lugina e Preshevës (dhe shumë shqiptarë të hershëm dhe të sotëm që banojnë në Beograd) që në raportin për vlerësimin e situatës “zgjidhje detyre”, janë forca strategjike (në operacionalitet) në prapavijat e kundërshtarit.

Elementë të tjerë të konsiderueshëm për studim sigurie janë dhe rritja e lartë e popullsisë shqiptare krahasuar me rënien e numrit të popullsive të tjera ballkanike; shkalla e lartë e emigracionit shqiptar në vendet më të zhvilluara të Europës, si vendi i parë në botë për numër popullsie. Treguesi i lartë demografik në gjeopolitikën ballkanike, numri në rritje i popullsisë shqiptare (rreth 7.5 milionë banorë), që afron me grekët, bullgarët dhe serbët; janë faktorë të rëndësishëm që duhen të vlerësohen me shumë kujdes nga Europa perëndimore. Autoriteti europian, i cili vlerësohet si kujdestar i besimit në rajonin ballkanik, duhet të përgatisë dhe të jap “vendimin luftarak” të perspektivës.

Të gjitha këto janë probleme që kërkojnë një kujdes të veçantë për zgjidhje: serbët në veriun e Kosovës kanë refuzuar të jenë pakica në shtetin e ri të saj; shqiptarët e Maqedonisë ndjehen inferior ndaj pjesës tjetër në shtetin maqedonas, ku rritja e hendekut midis shqiptarëve dhe maqedonasve u thellua edhe nga qëndrimet zyrtare, nacionaliste dhe konservatore të shtetit.

Feja në Ballkan, më shumë se sa ideologji

Historikisht është thënë se në rajonin tonë përplasen tre nga katër fetë e botës mbarë fetare.Përveç faktit që fetë janë më të vjetra dhe si rrjedhojë më konservatore sesa shtetet ku ato zhvillojnë aktivitetin e tyre. Ajo që përbën rrezik sot është fakti se strukturat e sigurisë, veças në shtetet e rajonit, nuk janë aktive për të ndarë shtetin dhe ritet fetare, por në një farë mënyrë shtetet gjejnë interesat në këtë përpjekje destabilizimi në propagandën fetare. Duket sikur po shfaqen lakmitë  e vjetra të Ballkanit të shekujve më parë.

Ne ushtarakët e vlerësojnë situatën fetare, këtë ndjeshmëri shpirtërore të “popullit”, gjithmonë kur ajo del nga korniza “besim shpirtëror”, si element negativ i sigurisë dhe se ka gjasa që ky element të skalionohet në vijën e parë për veprime të mëpastajshme për të realizuar qëllimet gjeopolitike të shtetit mbartës.

Tipike në këtë drejtim janë kërkesat, agresiviteti dhe metodat e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë e Bosnjë (dhe ato të Kishës Ortodokse në Shqipëri) një kor i vjetër Rus i Mbrojtësit të të Krishterëve, “kërkesat fetare të të cilit, në fakt ishin pretekst për qëllime politike e strategjike”[1].

Për të përmbyllur opinionin tim për këtë çështje, rikthehem kohës kur, gjatë misionit në Paris, jam pyetur e ripyetur apo provokuar, nga jo/dashamirës, për këtë çështje të deformuar dhe shumë të përfolur rreth besimit fetar në Shqipëri, dhe po shkruaj të njëjtën përgjigje edhe sot në këtë shkrim të hapur, si dikur me petkun diplomatik: Popullsia shqiptare ka predikuar në harmoni të plotë për shekuj me radhë tre fe : mysylmane, ortodokse dhe katolike…vijuar, Shqipëria do të ishte një model për Europën dhe më gjërë përsa i përket bashkëjetesës dhe tolerancës ndërmejt feve, pasi ky fenomen ka marrë përmasa globale dhe po çon në konflkte të mundshme midis shteteve dhe popujve.

Në këtë vorbull situate konfliktuale, analistët ushtarakë ngrejnë doktrinën “lufta midis dy qytetërimeve”, ndërsa shqiptarët (në kufijtë pas 1913)  të sigurt ofrojnë harmoni, kjo është për t’u bërë objekt në gjuhën e diplomacisë përtej dhe asaj ballkanike, evropiane.

A nuk janë, ky diversitet dhe tolerance idesh, një dëshmi, frymë dhe kulturë evropiane?

A janë aktualisht të qarta profilet e shpresës në Ballkan….?

Vendet e Ballkanit Perëndimor, të armiqësuara me njëra-tjetrën historikisht për shkaqe etnike, sot, e gjejnë veten të konfliktuar edhe për shkaqe të brendshme politike, gjë që ka sjellë deri edhe paralizë të funksionimit normal e të domosdoshëm të jetës politike në këto vende të Europës. Fatkeqësisht vërehet që bipolarizimi politik në vendet: Maqedoni, Serbi e Bosnjë-Hercegovina, po dhe fatkeqësisht herë-herë dhe në Shqipëri dhe Kosovë, është më i thellë se në të kaluarën.

Harta e konflikteve në rajonin tonë mbetet konstante: Bosnjë-Herzegovina është e mbërthyer në vijimësi nga tensioni etnik; marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës vijojnë me  vështirësi negociimi; Maqedonia vuan sindromën e emrit për shkak të kundërshtimit të Greqisë dhe se nuk kalon klasën për t’u bashkuar me aleancën dhe BE.

Prapambetja ballkanike vjen dhe si shtete me ekonomi dhe institucione te dobeta demokracie dhe se dyti, krijimi i shteteve qe mbijetesen e mbeshtesin ne interesin e gjeopolitik (më tepër gjeoekonomik) të komunitetit nderkombetar.

Diplomacia si faktor paqesjellës në Ballkan

Kur flasim për diplomacinë si faktor paqësjellës në Ballkan, për nga problematika që mbart ky rajon, me të drejtë themi se, ky element i rëndësishmë për zhvillimin normal të një shoqërie komplekse, shumë kombesh, etnike dhe fetare, ka qenë pak aktiv, ose  do ta përkufizonim si më pranë reales, si diplomaci e munguar.

Në një analizë të thjeshtë ballkanike, në kohë historike apo moderne, qartazi duket se kur “diplomacia e madhe”, qoftë ajo europiane, por më shumë ajo amerikane, kanë qenë serioze në dhënie kontributesh, atëherë rezultatet për rajonin kanë qënë të dukshme, situatat e sigurisë janë mbajtur nën kontroll.

Në aktualitetin e sotëm, po kjo “diplomaci e madhe” pranon faktin e një boshllëku sigurie në rajon, ka lëvizje drejt tij, por jo me efekte të  dukshme për përmirësim.

Diplomati Henry Kssinger, në librin “Diplomacia” për rajonin tonë i referohet ndihmës europiane dhe asaj të SHBA për të frenuar vendet e këtij rajoni që të mos rizhyten në një krizë tjetër e jo … “të bëhen pengje të klientëve të tyre kokëkrisur Ballkanikë me pasione të shfrenuara e me ndjenjë të kufizuar të përgjegjësisë së përgjithshme”[2].

Në qoftë se këtë boshllëk sigurie nuk e plotësojnë Europa dhe SHBA, atëherë situata mbetet e hapur për “manipulime klienteliste”.

Mënyra më e mirë për BE, për të dëbuar lodhjen e gjatë ballkanike dhe për të gjeneruar stabilitet afatgjatë në të është që të punojë së bashku me forcat reformiste të rajonit për të eliminuar ndasitë  tipike ballkanike, ekonominë informale, korrupsionin dhe krimin e organizuar. Atëherë, kombet e Ballkanit mund të marrin vendin që u takon si anëtare të familjes së BE-së.

Programet e përbashkëta rajonale në fushën e mbrojtjes

Diplomacia ushtarake dhe roli parësor i saj për vendosjen e paqes në rajonin e Ballkanit.

A  do t’i bëjë forcat e armatosura të afta të krijojnë kapacitete të përbashkëta në përfitime reciproke për të na sjellë mini-shengenin e munguar ballkanik, bashkëpunimi i pritshëm, apo i shpresuar, në fushën e mbrojtjes për vendet ballkanike? Shengeni ballkanik është fushë veprimi i hapur, i betejës diplomatike ushtarake, ku diplomatët me/pa uniformë duhet të planizojnë skenarët e mundshëm strategjikë për ta fituar atë në interes të sigurisë dhe mbrojtjes rajonale.

Diplomacia Rajonale, për të përballuar periudhën e shtrëngesave financiare të kohës, duhet të nxitojë veprimtarinë e saj diplomatike ushtarake për të integruar forcat e tyre të armatosura në  konceptin e ri Strategjik të NATO-s “mbrojtja inteligjente”, si e vetmja alternativë për daljen nga situata e krijuar.

Rajonit tonë do t’i shkonte si strategji bashkëpunimi për zgjidhje shumëkombëshe, sipas formatit “të bashkojmë dhe shkëmbejmë”, “pooling and sharing” duke identifikuar të përbashkëtën e mundshme të kapaciteteve, në format dypalësh, shumëkombësh dhe rajonal.

Diplomacia ushtarake, me projektet e saj të bashkëpunimit, të zgjedhë dinamizmin për zhvillim dhe pragmatizmin, larg konformizmit dhe tradicionalizmit ballkanik, tashmë të vjetruar, të hedhë në treg një vizion ndryshe në përshtatje dhe të avancuar në kohën, të jetë një gjenerator prodhues i një mentaliteti të ri bashkëjetese, duke hapur mundësi të reja bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes.

Diplomacia ushtarake, si kontribut sjellëse në zhvillimin e strategjisë së sigurisë, duhet të identifikojë rreziqet dhe kërcënimet e përbashkëta rajonale duke argumentuar se asnjë vend në rajon nuk ka mundësi të zhvillojë apo të mbajë të gjitha kapacitetet e nevojshme për t’i bërë ballë i vetëm të gjithë spektrit të kërcënimeve të sotme apo të nesërme.

Së dyti, diplomacia ushtarake duhet të identifikojë interesat më vete të secilit shtet që përftohen nga krijimi i kapaciteteve të përbashkëta dhe t’i sjellë si “propagandë “ në tavolinën e punës për zhvillimin e politikave të mbrojtjes së vendeve ballkanike.

Së treti, të identifikojë dhe të paraqesë zhvillimin e  kapaciteteve ushtarake në fushat e ndjeshme të shoqërisë, aty ku ajo ka nevojë, si kusht, zhvillimi dhe përfitimi për të gjithë vendet në:

fushën e zhvillimit të kapaciteteve të përbashkëta apo multilaterale të emergjencave civile që vijnë nga fatkeqësitë natyrore, industriale apo të shkaktuara nga njeriu, të cilat nuk njohin kufij kombëtarë.

fushën e kapaciteteve të Arsimimit dhe Stërvitjes, të Infrastrukturës dhe Mirëmbajtjes. Përdorimi i kapaciteteve të infrastrukturës dhe të logjistikës nga vendet në nivel rajonal, ose në baza shumëkombëshe. Zhvillimi dhe shfrytëzimi i kapaciteteve dhe infrastrukturave detare të RSH nga vendet fqinje të interesuara që nuk e kanë këtë mundësi, si Kosova e Maqedonia.fushën e modernizmit, kërkimit- zhvillimit, prokurimeve të përbashkëta në fushën e …..etj.

Po kështu, në rajonalizimin e disa kapaciteteve mbrojtëse, bazuar në standardet e NATO-s, si në kapacitetet e përbashkëta rajonale dhe kombëtare për të mënjanuar sa të jetë e mundshme në dublimet ndërmjet forcave të armatosura, policisë, shërbimeve inteligjente, njësive të kontrollit kufitar, shërbimeve doganore etj.

Diplomacia e përgjithshme rajonale t’i referohet shembullit të bashkëpunimit, si ai midis vendeve të zhvilluara, Pakti Bilateral Angli-Francë, ku përfshihen shumë fusha kooperimi, nga menaxhimi i Rezervave Bërthamore deri tek krijimi i kapaciteteve kundër terrorizmit, si dhe shembullit të  pakteve  të bashkëpunimit midis vendeve më pak të zhvilluara, si vendet Baltike.

Koha ka ardhur që Ballkani të vijë me një diplomaci të re, të përbashkët ushtarake, e cila  do të jetë baza e krijimit të mini-shengenit të tij në Forcat e Armatosura.

Kontributi i deritanishëm ballkanik i diplomacisë shqiptare në fushën e mbrojtjes

Pas viteve 90-të, RSH e ardhur nga një regjim i mbyllur, u vendos në skalion të parë për bashkëpunim ballkanik, rajonal dhe më gjerë. Ajo kërkoi aderimin e saj në të gjitha organizmat e sigurisë së globit, duke afruar përveç aseteve të saj strategjike (hapësirën ajrore, detare, tokësore) dhe kontribute me trupa në operacionet e udhëhequra nga këto organizma. Rezultatet e kësaj diplomacie kanë qenë të dukshme dhe dominuese në rajonin tonë edhe pse diplomacia shqiptare vinte nga një diplomaci ushtarake inaktive.

Do ta konkretizoja vizionin shqiptar për një rajon të bashkuar me një shkrim të botuar në shtypin ushtarak për zërat kritike se “Grekët po ruajnë hapësirën shqiptare”.

“….as 4 dhe 44  avionë luftarake, as 6 dhe 66 anije luftarake, as 1 dhe 11 Brigada të Reagimit të Shpejtë, nuk mund të mbrojnë hapësirën ajrore, detare dhe tokësore të RSH. RSH tashmë e siguron dhe do ta sigurojë mbrojtjen e saj duke punuar dhe integruar gjithçka me familjen e madhe europiane dhe organizmin më të fortë dhe të sigurt në botë, NATO”.

Shpresoj dhe uroj, nëse një ditë serbët do të bëhen anëtare të Nato-s, të BE; në hapësirën ajrore respektivisht të dy vendeve të dëgjohen zhurmat e mjeteve ajrore shqiptare dhe serbe, sepse shqiptarët e pranuan në mënyrën më të mirë integrimin në Nato dhe dëshirojnë të integrohen shumë shpejt në BE.

Nëse, diplomacia ushtarake serbe, kosovare, maqedonase, malazeze, greke… do të ofronte për politikanët e vet të njëjtën formulë bashkëpunimi, rajoni shumë shpejt do të zërë vendin e munguar prej kohësh në familjen e madhe evropiane, si e vetmja shpresë për zhvillimin e tij.

Gjeopolitika rajonale do të ketë rol, në një formë të re sjellje në interes të paqes, nëse diplomacitë veças do të integrohen në një vektor zhvillimi dhe veprimi për të krijuar fusha të përbashkëta bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, institucione dhe struktura të integruara ndërshtetërore dhe kjo atëherë kur diplomacia ushtarake të ketë krijuar identitetin ballkanik, si element i rëndësishëm i sigurisë së tij.

Gjeopolitika rajonale do të formëzohet vetëm atëherë kur vendet e tij do të heqin dorë nga besimi ekzaltues dhe ekzagjerues në lavdine dhe hyjninë e kombit, i teorizuar nga filozofët, “Nacionalizmi Shovinist” dhe ta zëvendësojnë atë me “Nacionalizmin Liberal”. Them se shqiptarët e kanë kuptuar mirë leksionin e famshëm të Ersnest Renan « Qu’est – ce qu’ une nation », të cilët kanë zgjedhur si popull “Nacionalizmin Liberal”, kjo dhe për të kaluarën e hidhur të tyre.

Dalja nga kriza: kërkon vullnet gjithpërfshirës ballkanik, zhvillim politikash të hapura rajonale nën drejtimin e autoritetit evropian dhe te SHBA, atëherë do të luhet karta e vërtetë e integrimit dhe përparimit drejt saj.

***

*Kush eshte bashkepunetori i Diellit, Kolonel Zaim Kuci

Kolonel (R) Zaim Kuçi

Shkolla e Lartë e Aviacionit, Vlore

Akademia e Mbrojtjes, Tiranë.

Kolegji i Lartë i Mbrojtjes, Paris (1998-99).

Instituti Aeronautik, Paris (2001).

Akademia e Diplomacisë,Tiranë.

Disa kurse afatshkurtra për sigurinë dhe mbrojtjen në: Hollandë, Gjermani, Hungari, Kroaci dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Eksperienca  në pune:

Pilot në avionët:  helikë, reaktivë, supersonikë  [Tip 61 (Jak), Mig 15/ 17/19].

Atashe i Mbrojtjes në Francë/Portugali

Këshilltar i Shefit  të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave te Armatosura.

Ne vitin 2011 ka dale ne pension te parakohshem nga forcat e armatosura.

Vijon si kordinator i Qendres Kombetare te Sigurise dhe Mbrojtjes Tirane (civil)

Ka botuar disa shkrime ne Shqiperi dhe ne Paris.

 


 

[1] Henry Kissinger, “Diplomacia”, fq.93.

[2] Henry Kssinger, “Diplomacia”, 1999, fq.194)

Filed Under: Analiza Tagged With: ballkanike, kriza e pafundme, Zaim Kuci

PËRBALTJA E NJË LUFTËTARI TRIM TË LIRISË DHE DHËNIA E PAFAJËSISË NGA GJYKATA NDËRKOMBËTARE E HAGËS

September 5, 2013 by dgreca

SHKRUAN: DR. AGIM LEKA/ NEW YORK/

Ky shkrim është i ndarë në katër kapituj. Kapitulli i parë është ribotim i një artikulli me të njëjtën temë, të nxjerrë në Illyria në 2005; kapitulli i dytë është një plotësim i artikullit të vitit 2005, që synon përditësimin me zhvillimet e reja. Kapitulli i tretë është Vendimi i Hagës, pas gjyqit të 2-të; ndërsa i katërti është përfundimi, që merret me sagën e Ramush Haradinajt dhe zhvillimet pasuese.

KAPITULLI I PARË

ARTIKULLI I MËPOSHTËM U BOTUA NË ILLYRIA SI PJESË E NJË SERIE PREJ 13 PJESËSH, ME TITULLIN “KOSOVA: VEND I HISTORISË SË DHIMBSHME (dhe mundime të tjera të kombit të gjymtuar shqiptar). Studimi më pas u zgjerua dhe u rinda në 22 pjesë.

PJESA E PARË U BOTUA NË NUMRIN 1451 TË GAZETËS, DT. 7-9 QERSHOR 2005, PËR T’U NDJEKUR NGA PJESËT E TJERA, NË NUMRAT VIJUES.

PJESË NGA ILLYRIA (PJESA III) (BOTIMI I VITIT 2005)

Intervista vijuese, me Mihajlo Mihajlovin, nxjerr qartazi në dukje synimet dhe politikat e errëta të udhëheqjes serbe të tanishme, për të minuar çdo shpresë për stabilitet në shtetin e ri të pavarur të Kosovës

{Shënim nga autori, më 1, gusht 2013}: “Disidenti sovjetik Andrei Sakharov e kish propozuar zotin Mihajlov për Çmimin Nobel për Paqe. Puna e tij u citua nga Aleksander Solzhenjicin, në Arkipelagun Gulag.

PJESA III

INTERVISTË ME MIHAJLO MIHAJLOVIN: Kostunica përballë Haradinajt

Gazetarja Marijana Milosavjeliç e së përjavshmes NIN, i bëri pyetjen e mëposhtme Mihajlo Mihajlovit (NIN, nr. 2816, 16 dhjetor 2004, f. 14): “Pse e konsideron Perëndimi zotin Kostunica, Kryeministrin e Serbisë, si problem më të madh se zotin Haradinaj, Kryeministrin e Kosovës?

Mihajlo Mihajlov: Arsyeja kryesore nuk është ndonjë komplot antiserb, apo ndonjë standard i ndryshëm gjykimi në verifikimin e krimit. Duhet të kemi parasysh edhe se z. Haradinaj ende nuk është paditur nga Gjykata e Hagës. Ai ka deklaruar tashmë se, në qoftë se do ta paditin, ai do të shkojë atje menjëherë.

Nga ana tjetër, persona tashmë të paditur nga Gjykata e Hagës që prej shumë vjetësh, vazhdojnë të bredhin poshtë e lart në Serbi. Kryeministri Kostunica nuk ka ndërmend t’ia dorëzojë këta Gjykatës së Hagës. Kjo i vë një damkë serioze Kostunicës.

Së dyti, urdhër-arrestet e shumta që janë lëshuar nga autoritetet në Beograd për Haradinajn mund, por mund edhe të mos përligjen. Unë nuk i gjykoj dot.

Unë e di mirë se çfarë ndodhi, ca vjet më parë, kur paraardhësi i z. Haradinaj, Dr. Bajram Rexhepi, u zgjodh Kryeministër i Kosovës. Shtypi në Beograd menjëherë e akuzoi atë si kriminel lufte, në bazë të faktit se ai kish qenë anëtar i UÇK-së në konflikt {kundër Serbisë së Milosheviçit}.

Argumenti kryesor në akuzën kundër Dr. Rexhepit si kriminel lufte ishte zbulimi i kokës së prerë të një personi të kombësisë serbe në zonën ku vepronte njësia e Dr. Rexhepit. Autoritetet mjekësore serbe në Prishtinë arritën në përfundimin se koka ishte prerë me një teknikë kirurgjikale jashtëzakonisht precize. Kjo u mbajt pastaj si provë se prerja e kokës ishte bërë nga Dr. Rexhepi, i cili është, në fakt, kirurg.

Më kujtohet sarkazma me të cilën shtypi botëror i përcolli “dëshmi” të tilla.

Pas gjithë kësaj, është logjike të supozohet që Kostunica do të konsiderohet si person më i urrejtshëm se Haradinaj, në sytë e opinionit publik botëror.”

{Shënim i autorit: Ia lejova vetes të përmirësoj përkthimin anglisht të intervistës më sipër dhe ta korrigjoj emrin e Kryeministrit të parë të Kosovës. Thelbi i përkthimit origjinal, nga Tanja B. Loncar, nuk është prekur.}

Më 8 mars, menjëherë pasi gjykata e krimeve të luftës e Kombeve të Bashkuara konfirmoi padinë kundër Haradinajt, ai dha dorëheqjen nga posti i tij si Kryeministër i Kosovës. Sikurse kish premtuar, u nis për në Hagë, që të përballej me akuzat, të cilat ai i mohon.

I ndjeri Robin Cook, ministër i Jashtëm i Britanisë së Madhe gjatë luftës në Kosovë, shkroi më 13 mars 2005 (Dawn, versioni Internet), nën titullin “Një akt guximi të mirëfilltë”: “Pata një numër kontaktesh me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, para dhe gjatë ndërhyrjes së NATO-s për të ndalur spastrimin etnik të kosovarëve. Luftëtarët e saj treguan guxim të mirëfilltë kur u ngritën kundër makinës së fuqishme ushtarake serbe, pa artileri, mbrojtje ose mbulim nga ajri, për t’u bërë ballë kundërshtarëve. Por ata ishin aq të pamëshirshëm sa çdo forcë tjetër guerrilase në histori, dhe do të kish qenë naive të përfytyrohej se, në mes të spastrimit të mbrapshtë etnik të ndërmarrë nga Slobodan Milosheviçi, ata mund të bënin dallim të qartë midis luftëtarëve serbë dhe civilëve serbë. Prandaj është në favor të mëtejshëm të Haradinajt fakti që ai është shndërruar, nga komandant operativ i UÇK-së, në përkrahës të tolerancës.”

Wesley K. Clark, Komandant suprem i NATO-s gjatë fushatës në Kosovë, 1999, shkroi në The New York Times të dt. 14 mars 2005 për “daljen me dinjitet nga skena” të Haradinajt, duke përfunduar pastaj se: “Pavarësia mund të jetë mënyra më e mirë për të përftuar një shtet funksionues, që prodhon përfitime reale për njerëzit, përfshi këtu edhe serbët e Kosovës. Kur njerëzve u jep përgjegjësi, ata priren të sillen më me përgjegjësi.”

Dorëheqja e Kryeministrit të Kosovës dhe paditja e tij nga Gjykata e Hagës ngjallën shqetësim të madh mes shqiptarëve në Kosovë, të cilët e shohin z. Haradinaj si një nga heronjtë e tyre në historinë e Luftës Çlirimtare kundër makinës luftarake mizore të Slobodan Milosheviçit.

Pavarësisht nga akuzat kundër tij ose njësive të tij guerrilase, z. Haradinaj tregoi edhe një herë tjetër guxim dhe menjëherë iu përgjigj thirrjes për ta nxjerrë veten të pafajshëm. Duket sikur skenari i akuzave kundër Haradinajt mund të vijë drejtpërdrejt nga shërbimet e fshehta serbe, njëlloj sikurse rezultuan të ishin akuzat kundër paraardhësit të tij Dr. Bajram Rexhepi.

Në çdo rast, do të jetë e vështirë, për akuzën, që të mbrojë në gjyq, madje edhe para një “këshilli të urtësh”, tezën se aktet e organizuara të gjenocidit nga ushtria e rregullt e një shteti të njohur nga OKB-ja mund të barazohen me dhunën e tepruar sporadike, ose aktet kriminale të individëve të një force guerrilase vullnetare. Southeast European Times, e cituar nga “Koha Jonë” e datës 3 prill 2005, shkruan: “Ka ligje ndërkombëtare që vlejnë për agresorin dhe ligje që vlejnë për mbrojtësin e popullit; ligje për pushtuesin dhe ligje për luftëtarin e lirisë; ligje për vrasësin dhe ligje për viktimën.”

The Christian Science Monitor e dt. 11 mars 2005 citon Burim Kastratin, i cili i mbijetoi një masakre serbe në maj të vitit 1999, që la 21 të vrarë në fshatin e tij Zahaq, të ketë thënë se ai është i bindur që z. Haradinaj do të jetë në gjendje të dalë i larë nga akuzat: “Një person që vetëmbrohet nuk mund të jetë kriminel. Nuk mund të krahasojmë mizoritë e kryera nga një ushtri që vrau 10 000 vetë, me çfarë bën një ushtar në fushën e betejës, me një armë të vetme.”

Megjithatë, nëse ka raste kur janë kryer akte kriminale ndaj civilëve të pafajshëm, autorët e këtyre akteve duhet të dalin para gjyqit. Gjykata vetë mund të marrë parasysh rrethanat lehtësuese, në atë masë që njësitë guerrilase, të cilat veprojnë në klandestinitet, nuk i kanë mjetet, lehtësitë, shërbimet dhe sofistikimin e një ushtrie të rregullt, të një shteti të stabilizuar. Në këto rrethana, është e vështirë “të bësh dallim të qartë midis luftëtarëve serbë dhe civilëve serbë,” për ta thënë me ish-ministrin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, të ndjerin Robin Cook.

Përkundrazi, për sa u përket autorëve të gjenocidit në ish-Jugosllavi dhe veçanërisht në Bosnjë, kryeprokurorja e Gjykatës Kriminale Ndërkombëtare të Hagës, Carla del Ponte, duke folur për gjeneralin Ratko Mladiç, komandant i ushtrisë serbe në Bosnjë dhe Radovan Karaxhiçin, udhëheqësin e serbëve të Bosnjës gjatë luftës, ka vërejtur se qeveritë serbe dhe boshnjake e dinë se ku gjenden këta njerëz dhe se kur ato qeveri thonë se po bashkëpunojnë me gjykatën, “gënjejnë.”

Agjencia e lajmeve B92 raporton më dt. 5 prill 2005 se ministri i Jashtëm i Serbisë dhe i Malit të Zi Vuko Drashkoviç ka thënë se “I pandehuri i Hagës Ratko Mladiç po fshihet prej qeverisë serbe me ndihmën e Agjencisë Informative të Sigurisë (SIA). Është logjike të supozohet se shërbimi e di se ku është Mladiçi, ose të paktën nëse ai është në Serbi apo jo. Pa këtë mbrojtje dhe këtë rrjet bashkëpunimi, Mladiçi nuk do të mund të mbetej i padukshëm. Po të isha unë kryeministër, do të kisha marrë në telefon shefin e SIA-s dhe do ta pyesja se ku është Mladiçi. Dhe po të më thoshte se nuk e dinte, do ta shkarkoja në vend.” Kështu i tha Drashkoviçi gazetës Financial Times.

Kjo deklaratë e zotit Drashkoviç tani është konfirmuar nga një njoftim për shtyp i Departamentit të Shtetit të ShBA, nga Nën-Sekretari për Çështjet Politike Nicholas Burns. Më 10 nëntor 2005, gjatë një raportimi për Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit në lidhje me Kosovën, ambasadori Nicholas R. Burns tha: “Ne vazhdojmë përpjekjet tona diplomatike për të bindur qeverinë serbe në Beograd dhe qeverinë e Republikës Serbe në Banja Luka të Bosnjë-Hercegovinës që t’i dorëzojnë dy të paditurit për krime lufte Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mladiç, që mbajnë përgjegjësi për masakrat e dhjetë vjetëve më parë. Unë i shpjegova Senatit, sot në mëngjes, se ne ende nuk do të vendosim marrëdhënie normale me Serbinë dhe Malin e Zi, sa kohë që Mladiçi nuk i është dorëzuar Hagës.

Atyre u duhet të marrin një vendim. Në qoftë se qeveria serbe dëshiron të jetë pjesë – të jetë plotësisht pjesë e NATO-s dhe BE-së, atëherë ata duhet ta meritojnë këtë. Nuk ka asnjë vend, në NATO ose në BE, që do të lejonte një të akuzuar për kriminel lufte të bridhte poshtë e lart në territorin e atij shteti. Dhe, në fakt, Mladiçi ka ndenjur i fshehur për dhjetë vjet, dhe për tetë nga këto dhjetë vjet ka gëzuar mbrojtjen e plotë të shtetit serb dhe të ushtarakëve serbë, siç e kanë pohuar këta vetë

Prandaj, nëse ata duan të trajtohen nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja si një vend që meriton anëtarësinë e ardhshme, ose edhe thjesht partneritetin, atëherë duhet të sillen siç duhet dhe ta arrestojnë Mladiçin, ose ta bindin që të dorëzohet vullnetarisht. Por ky është një kusht paraprak absolut, për pranimin e Serbisë në Partneritetin për Paqe. Ia dhashë këtë mesazh drejtpërdrejt Kryeministrit Kostunica, si dhe Presidentit Tadiç, kur isha në Beograd para tre javësh.”

Megjithatë, Kryeministri Vojislav Kostunica mbetet sfidues. Ja çfarë deklaroi ai në 2004: “Ky vend nuk është një furnitor me mall njerëzor i Gjykatës së Hagës.” (B92, 21 shkurt 2004). ME SA DIHET PUBLIKISHT, AI NUK DUKET TË KETË NDËRRUAR QËNDRIM.

The New York Times e datës 1 prill 2005, në një artikull të Nicholas Wood, shkruan se “Autoritetet serbe të Bosnjës thanë se janë duke hetuar rreth 900 zyrtarë të qeverisë së tyre, për të zbuluar nëse ata kanë pasur gisht në vrasjen e më shumë se 7 000 burrave dhe të rinjve myslimanë nga qyteti i Srebrenicës në 1995, gjatë luftës në Bosnjë. Grupet e të drejtave të njeriut thanë se numri i madh i zyrtarëve të akuzuar për përfshirje në vrasjet tregoi se shumë zyrtarë, politikanë dhe oficerë të sigurimit me poste drejtuese në luftë ishin ende në pushtet.”

Që prej 16 dhjetorit 2004, datë e intervistës së lartcituar me Mihajlo Mihajlovin, qeveria serbe dhe autoritetet në Republikën Serbe të Bosnjës janë përpjekur, me gjysmë zemre, të plotësojnë pjesërisht disa nga kërkesat e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës.

Shkruan e përditshmja britanike The Guardian: “Përballë presionit të madh nga Bashkimi Europian dhe ShBA, Kostunica ka hequr dorë nga kundërshtimi i ekstradimit të të akuzuarve dhe, që prej vitit të shkuar, ka ekstraduar gjithsej 13 të dyshuar. Si shpërblim për këto veprime, atij do t’i jepet drita e gjelbër për të filluar diskutimet, në rrugën e gjatë drejt pranimit në BE.” Mes të akuzuarve, është edhe gjenerali Nebojsa Pavkoviç, komandanti i Ushtrisë Jugosllave gjatë konfliktit në Kosovë. Megjithatë, protagonistët më të rëndësishëm të krimit në Ballkan, gjenerali serbo-boshnjak Ratko Mladiç dhe udhëheqësi i serbëve të Bosnjës dr. Radovan Karaxhiç, që të dy përgjegjës për masakrën në Srebrenicë, ende nuk janë arrestuar.

Duke dëshmuar para Kongresit të ShBA, në 18 maj 2005, Nën-Sekretari i Shtetit Nicholas Burns tha se “Serbia duhet ta mbyllë kapitullin e errët të viteve nëntëdhjetë, duke arrestuar dhe ekstraduar ish-gjeneralin Ratko Mladiç, dhe shtoi se Washington-i po e rrit presionin ndaj qeverisë serbo-boshnjake, që të veprojë po ashtu me Radovan Karaxhiçin.”

Më parë, Carla del Ponte, prokurorja e Gjykatës së Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, kishte deklaruar se “Për mendimin tim, komuniteti ndërkombëtar nuk do të mund të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore me rastin e dhjetëvjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, në qoftë se Karaxhiçi dhe Mladiçi nuk arrestohen dhe nuk i dorëzohen Gjykatës së Hagës. Unë vetë nuk do të marr pjesë.” Dhe, në fakt, ajo nuk mori pjesë në ceremonitë përkujtimore.

Kur bëri një vizitë në Beograd, me qëllim që ta nxiste qeverinë serbe për të arrestuar kriminelët e supozuar të luftës, të përmendur më lart, Carla del Ponte bëri publike një video, më 2 qershor 2005, që tregonte masakrën e 6 boshnjakëve të sfilitur dhe të torturuar nga milicia serbe afër Srebrenicës, në korrik të vitit 1995; katër nga viktimat ishin fëmijë nën 18 vjeç. Kësaj masakre i kish paraprirë një ceremoni, gjatë së cilës një prift serb ortodoks i kish dhënë bekimin milicisë serbe, për të pasur sukses në këtë mision. Kjo video dokumentare e tronditi opinionin publik serb dhe vetë qeverinë, “duke i detyruar udhëheqësit serbë që më në fund të pranonin rolin e vendit të tyre në masakrën më të rëndë të kryer në Europë, që prej Luftës së Dytë Botërore.” Në fakt, z. Tadiç, President i Serbisë, doli në televizion në Beograd së bashku me Carla del Ponte-n dhe deklaroi: “Serbia është tronditur thellë. Krimet janë kryer në emër të popullit tonë. Ato imazhe janë provë e një krimi të përbindshëm kundër personave të një feje tjetër, dhe fajtorët kanë qenë të lirë deri më tash.”

Suplementi Weekend Australian i The Times, i datës 4 qershor 2005, komentonte jo pa ironi: “Autoritetet serbe nuk vonuan t’i arrestonin fajtorët, pasi u transmetua videoja, por pyetjet mbeten se pse u deshën 10 vjet për t’i kapur këta njerëz, nëse identitetet e tyre njiheshin. Përgjigjja mund të ketë të bëjë me karremin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Europian po aq sa edhe me dëshirën për të vendosur drejtësi.”

Courtney Angela Brkiç, autore e “Stillness And Other Stories” dhe “The Stone Fields” (një rrëfim i punës së saj me gërmimet në varret masive jashtë Srebrenicës), shkruan në një OP-ED te gazeta The New York Times e datës 11 korrik 2005 të titulluar “The Wages of Denial” :

“Serbia duhet të heqë dorë nga përralla se vuajtjet e saj gjatë luftës ishin të barasvlershme me shkatërrimin që ua bëri të tjerëve. Dalja me një deklaratë të ndershme për Srebrenicën do të kish qenë një hap i parë në drejtimin e duhur, çka parlamenti serb duhej ta kish bërë. Sa kohë që njerëzit në Serbi e mohojnë bashkëfajësinë në krimet e luftës, ata largojnë çdo shpresë për drejtësi dhe ia rrezikojnë seriozisht të ardhmen dinjitoze vendit të tyre. Ndihmat Perëndimore në para që i janë derdhur Serbisë mund të ndihmojnë për të rindërtuar infrastrukturën e atjeshme, por nuk do të bëjnë asgjë kundër kancerit që ia gërryen zemrën atij vendi.

KAPITULLI I DYTË SHTESË

PËRDITËSIM I ARTIKULLIT TË VITIT 2005

1 gusht 2013

Z. Haradinaj u nxor, prej Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, dy herë i pafajshëm ndaj të gjitha akuzave. Fragmenti i mëposhtëm nga Wikipedia jep një tablo të qartë të peripecive që iu desh zotit Haradinaj të kalonte, duke pritur që të merrte fund ai kalvar që shpesh u bie në hise udhëheqësve të ushtrive çlirimtare të popujve të shtypur.

Edhe pas shpërbërjes së Federatës Jugosllave, të drejtat dhe dinjiteti i tyre shpesh u ekspozohen një përbaltjeje globale, të sajuar nga makina e fuqishme e propagandës së vendit shtypës, në këtë rast, e shtetit serb.

Ish-Drejtori i Ndjekjeve Ligjore Publike, Lordi MaDonald of River Glaven QC (Queen’s Counsel) ka thënë: “Kjo ndjekje ligjore ishte një orvatje e trashë për të barazuar rezistencën me agresionin. Ishte turp për komunitetin ndërkombëtar.” [41] (Citat nga Wikipedia).

Kësisoj, fitorja e zotit Haradinaj të cilit iu njoh pafajësia e plotë nga Gjykata më e Lartë Botërore e Drejtësisë, është dyfish e rëndësishme – jo veç për atë personalisht, por edhe për popullin e Kosovës. Ndërkohë, trupat e mijëra qytetarëve të vrarë të Kosovës ende mbeten në varre makabre të panjohura ose janë shkrumbuar në furrat e përbindshme të një shteti të mirënjohur terrorist.

Sipas burimit shqiptar “24 Orë” të dt. 31 korrik 2013, rreth 12 500 shqiptarë janë vrarë dhe 2 750 janë zhdukur. Deri më sot, vetëm 3 serbë janë dënuar për këto masakra.

Ky standard i dyfishtë në vlerësimin e jetës, sipas kriteresh të ngjashme me ato të Aparteid-it, përfaqëson një sfidë për brezin tonë, si njerëz vullnetmirë, në të dy anët e ndarjes etnike.

Shkrimtari jugosllav dhe i burgosuri i mendimit, i ndjeri Mihajlo Mihajlov, që për shumë vjet jetoi në të njëjtën qeli burgu jugosllav me kolegun e vet kosovar Adem Demaçi – fitues i çmimit Sakharov dhe njëzet e shtatë vjet i burgosur – u citua më lart, tek shprehte përshtypjet e veta aq parashikuese, për pafajësinë e zotit Ramush Haradinaj. Ai ishte, pa dyshim, i vetëdijshëm për të gjitha intrigat që regjimi serb ishte në gjendje të thurte, kur ishte fjala për të denigruar, ose së paku për të vendosur në të njëjtin plan, luftën për çlirimin kombëtar të shqiptarëve të Kosovës me aktet mizore të ushtrisë dhe të policisë serbe, kundër popullsisë civile në Kosovë. Në fakt, gati një milion qytetarë të Kosovës u dëbuan nga trojet e tyre stërgjyshore, gjatë një përpjekjeje të frikshme për të arritur zgjidhjen finale të planit historik serb për spastrimin etnik të popullsisë shqiptare.

Në korrik 1995, më shumë se 7 000 burra dhe djem të rinj u ekzekutuan nga ushtria serbe, edhe pse ishin nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara, në Srebrenicë të Bosnjës.

Bota e qytetëruar nuk mund të toleronte më përsëritjen e atyre skenave të tmerrshme, që të kujtonin krimet më të shëmtuara kundër njerëzimit, gjatë Luftës II Botërore.

Ishte meritë e ndërhyrjes së NATO-s, nën udhëheqjen e gjeneralit Wesley K. Clark, Komandat Suprem i Aleatëve, dhe e sakrificave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që më në fund forcat e së keqes pësuan disfatë dhe u krijua një shtet i pavarur i Kosovës.

Është meritë e presidentit William Clinton, monumenti i të cilit në qendër të Prishtinës garanton simbolikisht mbijetesën e Kosovës; dhe e presidentit George W. Bush, që e përshpejtoi shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe monumenti i të cilit ngrihet kryelartë në një qytezë shqiptare afër Tiranës që ai vizitoi, që shteti i lirë dhe i pavarur i Kosovës është sot realitet. Sot që po shkruhen këto radhë, shteti i pavarur i Kosovës është njohur nga njëqind e një shtete të botës.

Presidenti William Clinton dhe Presidenti George W. Bush, njëlloj si Presidenti tjetër George H. W. Bush që ia vuri kufirin te thana Presidentit Milosheviç të Serbisë, ecën në gjurmët e Presidentit Woodrow Wilson, për të thelluar një traditë të Presidentëve amerikanë në mbrojtje të shteteve të vogla dhe të ekspozuara ndaj rrezikut, duke theksuar, njëkohësisht, fisnikërinë e Kombit Amerikan.

 

 

KAPITULLI I TRETË

VERDIKTI I FJALËPËRFJALSHËM I GJYKATËS ME DOKUMENTIMIN PËRKATËS (shih WIKIPEDIA)

Gjyqi i dytë

Gjyqi i dytë filloi në 2011, përballë një trupi gjykues të dytë, të përbërë nga tre gjykatës të tjerë. Z. Haradinaj sërish mbrohej nga Ben Emmerson Q.C, z. Rodney Dixon. Akuza thirri 56 dëshmitarë kundër zotit Haradinaj, ndërsa zoti Haradinaj edhe një herë nuk thirri asnjë dëshmitar të mbrojtjes.

Më 29 nëntor 2012 Ramush Haradinaj u nxor i pafajshëm për herë të dytë.[39] Këtë herë, për shkak të impenjimit të skajshëm të gjykatës dhe të palëve, nuk pati akuza për frikësim të dëshmitarëve. Përkundrazi, gjykatësit përfunduan se jo vetëm nuk kish prova për të dënuar zotin Haradinaj, por edhe se, provat e siguruara tregonin se ai ishte përpjekur të ndalonte sjelljen kriminale, sa herë që kish mundur.[40]

Akuza kryesore ndaj zotit Haradinaj ishte se ai kish marrë pjesë në një plan kriminal për të përndjekur civilë. Gjykata e adresoi drejtpërdrejt këtë akuzë dhe deklaroi, në përmbledhjen e vendimit, se:

“Edhe sikur të konfirmohej ekzistenca e një plani të tillë, çka nuk është bërë nga ky trup gjykues, nuk ka asgjë në provat që të tregojë se Ramush Haradinaj ose Idriz Balaj mund të jenë përzier në ndonjë plan të tillë të përbashkët. Përkundrazi, provat tregojnë se, kur Ramush Haradinaj mori vesh për arrestimin dhe keqtrajtimin e Skënder Kuçit, ai shkoi në Jabllanicë për të folur me Nazmi Brahimajn në lidhje me lirimin e Skënder Kuçit, duke i thënë këtij se “gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin më, sepse e dëmtojnë çështjen tonë.” Kur Dëshmitari 3 shkoi te Ramush Haradinaj pasi ish arratisur nga Jabllanica dhe ishte kapur pastaj nga Lahi Brahimaj, Ramush Haradinaj i ofroi ushqim dhe strehë Dëshmitarit 3, dhe pastaj e la të lirë që t’i bashkohej familjes. Akuza nuk ka paraqitur asnjë dëshmi të besueshme për të konfirmuar se Ramush Haradinaj kish qoftë edhe vetëm dijeni për krimet që po kryheshin në bazën e UÇK-së në Jabllanicë.”

Pas këtij vendimi, u ngritën dyshime serioze në lidhje me arsyet pse ishte dashur që z. Haradinaj të paditej. Në fakt, një ish-Drejtor i Ndjekjeve Ligjore Publike, Lordi MaDonald of River Glaven QC (Queen’s Counsel) deklaroi dje: “Kjo ndjekje ligjore ishte një orvatje e trashë për të barazuar rezistencën me agresionin. Ishte turp për komunitetin ndërkombëtar.”[41] Qeveritë edhe të Shqipërisë edhe të Kosovës kanë kërkuar një hetim publik të sjelljes së Kryeprokurores Carla Del Ponte, në lidhje me vendosmërinë e saj për ta çuar përpara këtë akuzë.[42]

Geoffrey Nice, një prokuror i ICTY për çështjen e Milosheviçit, shkroi në një artikull në Koha Ditore se të paktën tre juristë prokurorë me eksperiencë e këshilluan Del Ponte-n që të mos e akuzonte formalisht Haradinajn, meqë fajësia e tij nuk do të mund të provohej.[43]Një prej këtyre juristëve ishte Andrew T Cayley Q.C., jurist nga më të respektuarit në Gjykatë dhe aktualisht Kryeprokuror i Gjykatës Kamboxhiane. Ai deklaroi se po ndiente presion në rritje për ta paraqitur akuzën, megjithë një mungesë flagrante provash.[41]Sir Geoffrey Nice Q.C. komentoi se presioni për ta paraqitur akuzën kundër Ramush Haradinajt vinte prej Kryeprokurores atë kohë, Carla Del Ponte-s, dhe përsiati se ajo dëshironte ta përdorte akuzën kundër Haradinajt si monedhë shkëmbimi me Beogradin, për ta bindur qeverinë serbe që të dorëzonte kriminelët e arratisur të luftës, Ratko Mladiçin dhe Radovan Karaxhiçin.[41][44][45]

Pasi analizoi në tërësi provat fillestare, Andrew T. Cayley Q.C. i shkroi Kryeprokurores së atëhershme për t’i thënë se akuza nuk mund të shkonte përpara, në bazë të provave që disponoheshin.[41] Ai raport u hodh poshtë menjëherë dhe Cayley u qortua për opinionet e veta.[41] Në protestë ndaj mënyrës si kryeprokurorja e shpërfilli këshillën e Cayley-t dhe e vazhdoi akuzën kundër zotit Haradinaj, tre prokurorët kryesorë Geoffrey Nice Q.C., Andrew T Cayley Q.C. dhe Mark Harmon u larguan nga detyra e Prokurorit.[41]

KAPITULLI I KATËRT

Përfundim

Luftëtari i lirisë z. Ramush Haradinaj doli dy herë i pafajshëm përballë të gjitha akuzave. Ai është tani qytetar i lirë sërish, me reputacionin të rikthyer, falë vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Megjithatë, jeta e tij politike u këput në mes dhe jeta e tij familjare u dëmtua rëndë, për shkak të viteve që qëndroi në arrest dhe shqetësimit për ecurinë e gjykimit në Hagë.

Saga e tij, megjithatë, nuk ka shenja se do të përfundojë së shpejti. Proverbi i mëposhtëm, pas gjase i vitit 1650 përafërsisht, por i popullarizuar nga Volteri në shekullin e 18-të: “Në qoftë se hedh mjaft baltë, ca do të ngjitë,” duket se nuk do ta lërë të qetë, pavarësisht nga vendimi i Gjykatës për pafajësi.

Si rezultat, errësimi i së vërtetës nga një makinë propagandistike e pamëshirshme, që synon të parandalojë dhënien e pafajësisë, mund t’i bëjë edhe vëzhguesit qëllim-mirë të pranojnë mundësinë e fajësisë, për palën e akuzuar. Kjo mund të ndodhë madje edhe në prani të vendimit për pafajësi të dhënë nga Gjykata Botërore e Drejtësisë, edhe pse me hidhërim të madh që një udhëheqës guerrilas në një pozicion të tillë me përgjegjësi historike, pas gjase e tradhtoi besimin e popullit të vet dhe idealet e larta të njerëzimit, d.m.th. shqetësimin për mirëqenien dhe dinjitetin e tjetrit.

Carla del Ponte, Kryeprokurorja në Hagë, tani është bërë objekt kritikash të hapura nga kolegët e vet, për zellin e tepruar që tregoi në akuzimin e zotit Haradinaj, dhe ajo mund të akuzohet vetë për abuzim me detyrën, për shkak të disa padive që janë ngritur. Në fakt, “Prokurori Sir Geoffrey Nice QC spekuloi se ajo dëshironte ta përdorte akuzën kundër Haradinajt si “monedhë shkëmbimi” me Beogradin, për ta bindur qeverinë serbe që t’i dorëzonte kriminelët e arratisur të luftës, të mirënjohurit Ratko Mladiç dhe Radovan Karaxhiç.[41][44][45]”

Kjo akuzë që është ngritur nga kolegët e saj do të vazhdojë të rëndojë në karrierën e saj dhe të ekspozojë egërsinë e saj të pashpjegueshme, duke implikuar që fati i Ramush Haradinajt po konsiderohej prej saj si “monedhë shkëmbimi” për të arritur një synim që do t’i lejonte të arrinte suksesin kryesor të karrierës, ose kapjen e kriminelëve të vërtetë të luftës, që gëzonin mbrojtjen e qeverisë serbe.

Edhe sikur akuzat e bëra ndaj saj të mos çoheshin më tutje, asaj do t’i duhet të jetojë, tash e tutje, me dyshimet që ngjalli sjellja e saj, meqë, në fakt, Ramush Haradinaj u trajtua si një person me të cilin mund të bëheshin eksperimente të paligjshme.

Në lashtësi, kjo shembëllzohej në shprehjen latine: “Fiat experimentum in corpore vili” (le të bëhen eksperimente në trupin pa vlerë), çka të kujton gjithë ato ngjarje të llahtarshme, që lidhen me trajtimin që u është bërë “racave inferiore” në histori. Kjo frazë u përdor, tani së voni, në një dramë nga Jane Taylor “Ubu and the Truth Commission,” që trajton shtetin e Aparteid-it dhe aktet e tij kriminale.

Ndërkohë, populli dhe shteti i pavarur i Kosovës vazhdojnë të përballen me vështirësitë e një shteti të ri, në kërkim të qetësisë që iu duhet për të jetuar në paqe me fqinjët, në kontekstin e një Europe demokratike, të mbrothët dhe të bashkuar. Pafajësia e një komandanti dhe udhëheqësi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e shpallur nga Gjykata e Hagës, do të përmbushë dëshirën e tyre që bota të njohë se lufta e tyre kundër gjenocidit ishte e drejtë dhe e ndershme, dhe se sakrificat e tyre nuk shkuan dëm.

Pa çka se plagët e kosovarëve vazhdojnë të rrjedhin gjak. Shpresa e tyre që qeveria serbe do të kërkojë pendesë dhe falje mbetet ende synim i paarritshëm, sidoqë bota mbarë pret me padurim që konflikti i fundit etnik në Europë të gjejë zgjidhje.

Megjithatë, plagët që iu shkaktuan shqiptarëve të Kosovës ndihmuan për të forcuar vendosmërinë e tyre që të marrin vendin që meritojnë, në gjirin e shteteve të Europës. Shqiptarët e Kosovës tani munden vërtet të shohin me besim drejt së ardhmes. Shteti i tyre është njohur nga njëqind e një shtete dhe anëtarësimi i tij në Bashkimin Europian është bërë i dëshirueshëm jo vetëm për popullin në Kosovë, por edhe për vetë Bashkimin Europian.

Në fakt, shumë anëtarë të këtij Bashkimi morën pjesë, si anëtarë të NATO-s të udhëhequr nga ShBA, në luftën kundër Jugosllavisë, për të mbrojtur kosovarët nga shfarosja.

Teksa Europa u shtrin dorën e integrimit shteteve të Ballkanit, edhe anëtarësia e shtetit të Kosovës në OKB do të bëhet realitet.

Edhe një herë, Shtetet e Bashkuara do të sigurojnë që Kosova, si anëtar me të drejta të plota i Kombeve të Bashkuara, do të ketë shansin të japë kontributin e vet në këtë institucion të nderuar botëror.

Më në fund, kosovarët mund të gëzohen se fëmijët e tyre do të mund të rriten si qytetarë të një Europe të Bashkuar dhe të gëzojnë të gjitha privilegjet që do të sillte me vete ky status. Sakrificat e prindërve dhe të të parëve të tyre më në fund e dhanë efektin e dëshiruar. Shqiptarët e Kosovës janë tashmë zotër të fateve të veta!

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. agim leka, E Hages, pavajesia nga Gjykata, Ramush Haradinaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 949
  • 950
  • 951
  • 952
  • 953
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919
  • Letërsia si dëshmi e së vërtetës…
  • Mirënjohje për atin tim…
  • Isa Boletini, 15 janar 1864 – 23 janar 1916
  • “Yll’ i Mëngjezit”
  • “Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • “Personalitet Historik” – Bajram Curri: Një jetë në shërbim të çështjes kombëtare
  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT