• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Brengat e Ismail beut

November 15, 2023 by s p

Ilir Ikonomi/

Kur studioja rrugëtimin e Ismail Qemalit për shpalljen e pavarësisë në Vlorë, hasa në një intervistë thuajse të panjohur të tij, e cila më ndihmoi të kuptoja se në çfarë rrethanash të paimagjinueshme lindi ajo pavarësi dhe sa e brishtë ishte.

Viset shqiptare ndodheshin në mëshirë të fatit. Vlora e bllokuar nga deti kërcënohej nga uria. Qeveria e përkohshme kishte një hapësirë të kufizuar veprimi dhe nuk dihej sa mund të zgjaste.

Ismail bej Vlora e dha intervistën në Romë më 1 prill 1913, katër muaj pas shpalljes së pavarësisë. Më në fund, ai kishte arritur të dilte nga Vlora e bllokuar prej anijeve greke dhe të vizitonte kryeqytetet e Evropës.

Siç e thotë edhe vetë, atij i ishte dukur sikur kishte dalë nga një burg i vërtetë, i tillë ishte ankthi që kishte shkaktuar bllokada. Kishte mundur të largohej me jahtin e një francezi, i cili donte të bëhej princ i Shqipërisë.

Periudha për të cilën flasim ka qenë ndër më të vështirat në historinë e Shqipërisë: Kosova ishte pushtuar, serbët kishin ardhur deri në Durrës, Shkodra ishte e rrethuar nga Mali i Zi, ndërsa grekët, përveçse kishin bllokuar bregdetin jugor, kishin përparuar deri në Tepelenë. Në këtë situatë tragjike, ambasadorët e Fuqive të Mëdha debatonin në Londër për të përcaktuar kufijtë e Shqipërisë së re.

Gazetari që bisedoi me Ismail beun quhej Achille De Benedétti dhe intervista u botua në gazetën Il Giornale d’Italia të datës 2 prill 1913. Sot, pas 110 vjetësh, ajo na kujton se me çfarë vështirësish ekzistenciale përballej qeveria e parë kombëtare e shqiptarëve.

Ja teksti i plotë:

Ismail Qemali arriti të largohej pardje nga Vlora me jahtin e Dukës Montpensier. E takova sot në mëngjes në stacionin e trenit tek arrinte nga Bari, ku kishte lënë Isa Boletinin, që ishte pak i sëmurë, bashkë me djaloshin Luigj Gurakuqi, ministër i arsimit. Qemal beu kishte ardhur me dy nga djemtë, që e kanë shoqëruar në të gjitha këto peripeci. Plaku i shquar dukej mjaft mirë. Ishte i gëzuar që kishte mbërritur në Romë pas ikjes nga Vlora.

E pyes se si kaloi udhëtimi.

-Shkëlqyeshëm nga çdo pikëpamje, – më përgjigjet. Pak ditë më parë arriti në Vlorë ‘Mekongu’, jahti i Dukës së Montpensierit, me një flamur tregtar anglez. Duka menjëherë më ftoi në anijen e tij të mrekullueshme dhe më pyeti nëse dëshiroja të vija në Itali. Ishte fat i vërtetë. Do të kisha qenë i marrë po të mos e kisha shfrytëzuar këtë rast të rrallë. Për mua kjo do të thoshte të çlirohesha nga një burgim i çuditshëm. Ishte edhe një mundësi për ta ndihmuar pak më nga afër çështjen e vendit tim.

-Po grekët, nuk ju kapën?

-Jo. Ata na panë shumë mirë. Pastaj, mos harroni se ‘Mekongu’ kishte ardhur nga Korfuzi. Po të kishin dashur të më kapnin do ta kishin patur të lehtë. Unë nuk e fsheha aspak faktin që po nisesha. Një torpedinier grek, i ngarkuar për bllokimin e bregdetit, na vuri re dhe na lejoi të kalonim pa ndonjë problem. Udhëtimi shkoi mjaft mirë. Jahti i Dukës është vërtet i mrekullueshëm dhe jam i gëzuar që arrita të dal nga ky burgim pa asnjë shpenzim dhe në kushte kaq të mira.

-Po miqtë tuaj të Vlorës, Shkëlqesi, nuk patën kundërshtim që ju të niseshit?

-Ishin ata vetë që më këshilluan të përfitoja nga ky rast i papritur. Ata janë të bindur se çështja shqiptare nuk është në Vlorë, në këtë qytet ku liria u shpall në një lloj burgu, por gjetkë, e sidomos në Londër, ku diskutohet për fatet tona të së ardhmes. U kam lënë udhëzime të qarta miqve të mi të qeverisë, duke i bërë të reflektojnë për pasojat e rënda që do të kishte vendi, në qoftëse do të ndërmerrnin ndonjë akt të nxituar apo nëse do të fillonin ndonjë revoltë. Ata mu betuan dhe jam fare i qetë se bashkatdhetarët e mi do të mbajnë një qëndrim paqësor, ashtu siç i kam këshilluar dhe siç është dëshira ime.

-A kanë përparuar më tej grekët?

-Jo. Nuk kanë përparuar përtej Tepelenës. Në Tepelenë ndodhi diçka me rëndësi, sepse turqit prenë urën për të penguar pushtimin. Pra, grekët nuk kanë shkuar më tutje se Tepelena. Ata e dinë se Vlora është e paprekshme, sidomos për shkak të vullnetit të Italisë, por edhe të Austrisë.

-Po Beratin nuk e kanë pushtuar?

-Jo. Në të gjithë sanxhakun e Beratit, nuk kanë shkuar përtej Tepelenës.

-Si ishte gjendja në Vlorë kur u larguat?

-Shumë e qetë. Nuk ka patur vështirësi të tjera të brendshme, përveç ankthit të bllokadës detare që na ka izoluar dhe na ka bërë të na mungojnë disa elementë bazë të jetesës. Ka ndodhur vetëm diçka që është vërtet për t’u shënuar: ardhja e një oficeri austriak me veshje civile, i shoqëruar nga një prift dhe një marinar.

-Si arriti të vijë?

-Ai zbarkoi në grykën e Semanit me një anije të kompanisë Lloyd dhe, prej andej, erdhi në Vlorë me një barkë me rrema. Ju e dini se në Vlorë ekziston një element që nuk e dëshiron pavarësinë e pastër të Shqipërisë. Ky element gjithnjë më ka luftuar dhe është përpjekur të më krijojë vështirësi. Oficeri që erdhi tha se ishte në gjendje të armatoste popullatën dhe të na dhuronte armë. Mirëpo unë nuk e pata të vështirë t’i shpjegoja popullit se ne nuk kishim nevojë për makinacione të tilla dhe se mund ta realizonim sigurinë e vendit tonë me besimin tek mbrojtja që na jep Evropa.

-Në Itali shtypi ka patur një lajm për këto qëllime të austriakëve në Vlorë…

-Atëherë ky lajm, – tha duke buzëqeshur Qemal beu, – nuk qenka i ri për ju. Megjithatë, unë e njoh politikën e Vjenës dhe gjithsesi i jam mirënjohës edhe Austrisë për interesimin ndaj Shqipërisë. Nga ana tjetër kuptoj edhe ndryshimin mes dy politikave, të Vjenës dhe të Romës…

Në këtë pikë, Qemal beu u zhyt në një heshtje diplomatike.

-Po vështirësitë që ju krijon bllokada për t’u ushqyer?

-Oh, më mirë të mos flasim për këtë. Është diçka që të shkakton ankth. Jam i gëzuar që ndodhem në Itali edhe sepse do t’i kërkoj si qeverisë suaj ashtu edhe ambasadorëve të Fuqive të Mëdha apo ministrit të Greqisë që t’i japin fund kësaj mase kaq të shëmtuar dhe të kotë. Pas 20 ditësh, Vlora do të jetë në uri të plotë. Kemi bërë mrekulli që kemi arritur ta mbajmë popullin gjallë deri tani. Por nuk është e mundur të vazhdojmë më tej në këtë gjendje. Ekzistojnë tashmë arsye humanitare, për të cilat bllokadës duhet t’i jepet fund. Duke e vazhduar bllokimin e Vlorës, grekët po tregohen të padrejtë, në kundërshtim të plotë me qytetërimin e tyre. Përse duan të trullosin me katastrofën e urisë një popullsi që nuk i bën keq ndokujt me asnjanësinë e saj? Asnjë arsye nuk mund ta përligjë bllokimin e Vlorës.

-A nuk është e vërtetë që aty vërtiten trupa të Xhavit pashës?

-Janë thjesht ushtarë të çrregullt në gjendje të mjerë, që nuk përbëjnë asnjë shqetësim ushtarak. Xhavit pasha ndodhet në Lushnje afër Shkumbinit në kushte vërtet tragjike dhe nuk mund të ndërmarrë asnjë lloj veprimi kundër grekëve, as t’i dëbojë nga pozicionet që kanë kapur. Të paktën tani, grekët zotërojnë Sarandën dhe të gjitha pikat e bregdetit të bllokuar. Ata kanë deklaruar se nuk do ta prekin Vlorën, sepse ky është vullneti i dy fuqive të Adriatikut, prandaj nuk duhet t’i bien në qafë asaj me pretekstin e bllokadës. Shpresoj të bëj të ditur arsyet humanitare që kërkojnë heqjen e bllokadës.

Pastaj, Qemal beu më kërkoi t’i tregoja të rejat e fundit nga Konferenca e Londrës për Shqipërinë. Përsa u përket kufijve jugorë të Shqipërisë, i shpjegova se cila ishte teza e grekëve, të cilët kërkonin Korçën, Këlcyrën, Tepelenën si dhe Gjirokastrën e Sarandën.

-Kjo është si t’i presësh krahët e këmbët Shqipërisë, – thirri Qemal beu. Të shpresojmë se vullneti i Evropës, i cili një ditë do të triumfojë, do të çojë në integritetin e popullatave që janë shqiptare të pastra. Është vërtet e çuditshme që grekët mendokan të marrin edhe Korçën!

-Cilat janë marrëdhëniet e tanishme mes Turqisë dhe Shqipërisë?

-Janë krejtësisht paqësore. Kemi marrë në Vlorë komunikatën zyrtare të Vezirit të Madh, me të cilën njihet pavarësia shqiptare dhe e drejta e flamurit tonë. Me këtë mori përgjigje fyerja e madhe, që trupat e Xhavit pashës i bënë flamurit tonë në Tepelenë. Qeveria turke nisi një hetim dhe i bëri me dije mytesarifit të Beratit se ajo e njihte tashmë autonominë tonë dhe u kërkoi autoriteteve të fundit turke të mbetura në territorin shqiptar të respektonin emblemën tonë.

-A u zgjidh çështja e princit të shtetit tuaj?

-Oh! Çështja e pretendentëve të fronit, apo e principatës së Shqipërisë ka rrezik të fryhet tej mase. Pata rastin të takohem me Dukën e Montpensierit, i cili me ndihmën e tij humanitare më nxori nga gjendja e çuditshme në të cilën ndodhesha. Natyrisht, i shpreha atij gjithë mirënjohjen time për këtë akt fisnik dhe i thashë se Shqipëria do ta kishte për nder nëse do të kishte në krye të saj pasardhësin e një familjeje të shquar dhe historike. Por i thashë gjithashtu, për hir të sinqeritetit, se ende nuk ishte koha për të menduar mbi çështjen e princit, e cila do të duhej të zgjidhej më vonë.

-Ç’mendoni, Shkëlqesi, mbi çështjen e Shkodrës?

-Mund ta merrni vetë me mend. Mendoj se çështja e Shkodrës është tani në rrugën e zgjidhjes. Qëndrimi i Malit të Zi nuk më duket se ka shanse për sukses. Janë mjaft të njohura arsyet se përse Shkodra duhet t’i mbetet Shqipërisë. Fuqitë e Mëdha, të cilat e kuptojnë plotësisht nevojën e një vendimi të tillë, kanë rënë tashmë dakord ta bëjnë Malin e Zi të tërhiqet.

-A e keni lexuar telegramin e mbretit Nikollë, i cili flet për kështjellën e krishterimit që duhet t’i kundërvihet islamizmit?

-Pikërisht këtu qëndron edhe dobësia e tezës malazeze. Si mund të mendojë mbreti Nikollë të imponojë me armë dhe me dhunë konvertimin fetar të myslimanëve shqiptarë? A e ka menduar ai se duhet të përgatitet për shumë e shumë luftra të përgjakshme? Megjithatë, unë besoj se më në fund Mali i Zi do të tërhiqet përpara vullnetit të Evropës. Jam i gëzuar, – përfundoi Qemal beu, – që munda të dal nga Vlora për të mbrojtur më tej të drejtat e Shqipërisë në kryeqytetet evropiane, në qytetin tuaj e sidomos në Londër. Me sa duket Peja, Prizreni dhe Gjakova janë të humbura, por ka disa territore që ende mund të shpëtohen. Dhe këtë do të përpiqem të bëj me besimin tek të drejtat e shenjta të popullit tim.

Pas disa ditësh, Ismail Qemal beu do të niset për në Londër. Atje ai do të përpiqet të mbrojë çështjen e paqes jo vetëm në interes të vendit të tij, por sadopak edhe të Evropës, e cila, në çështjen shqiptare, mund të shohë dështimin e përpjekjeve të saj për ruajtjen e paqes. Ai po fillon kështu një pelegrinazh politik nëpër kryeqytetet e Evropës, ku Roma është etapa e parë e rëndësishme.

Photo: wikidata.org

Filed Under: Emigracion

Promovohet libri i ri “Aleanca e duhur Shqipëri-Kroaci” i Shaban Muratit

November 15, 2023 by s p

Në hotel Tirana u promovua libri i ri i diplomatit dhe studjuesit Shaban Murati “Aleanca e duhur Shqiperi -Kroaci”, organizuar nga Fondacioni Cameria “Hasan Tahsini”, qe është edhe botuesi i librit. I ftuar i posacem i nderit ishte ish-presidenti i Kroacise Stjepan Mesic, qe erdhi posacerisht nga Kroacia.

Fjalen e hapjes e mbajti kryetari i Fondacionit Cameria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu. Pastaj mbajten fjalet e rastit ish-presidenti Stjepan Mesic, i cili u shpreh se “libri po del në momentin e duhur dhe tregon marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe kroatëve”. Per librin dhe krijimtarine e autorit folen ish-presidenti Bamir Topi, ish-ministrja e jashteme Arta Dade, kryetarja e komisionit te politikes se jashteme ne Kuvendin e Shqiperise Mimi Kodheli dhe prof.dr. Ksenofon Krisafi.

Kryetari i Fondacionit Cameria “Hasan Tahsini” Alket Veliu i akordoi ish-presidentit te Kroacise Stjepan Mesic medaljen e argjente “Miku i madh i kombit shqiptar”.

Ne fund autori falenderoi per vleresimet e librit dhe te krijimtarise se tij.

Filed Under: Emigracion

BESA TAFILAJ-PINCHOTTI, E “TAKIMIT TË MADH TË TIRANËS”, NË SHTËPINË E BARDHË, NË DITËN E VETERANËVE

November 13, 2023 by s p

Shqiptaro-amerikania e mirënjohur, nga Deçani i Kosovës dardane, BESA TAFILAJ – PINCHOTTI në Washington D.C., Drejtore Ekzekutive e Organizatës së Familjeve të Ushatarakëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (NMFA), një ndër organizatat elitare më të mëdha në SHBA, ishte në mëngjezin e sotëm të 11 Nëntorit 2023, në Ditën e Veteranëve të Amerikës, e ftuar e veçantë në ceremoninë e lartë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë.

Në këtë ditë solemne përkujtimore të Veteranëve të Amerikës, sipas traditës protokollare, përshendeti Presidenti Amerikan, Joe Biden- mik i shquar i Shqiptarëve, i cili njiherit është dhe Familje e Veteranëve të Luftës, pasi djali i tij Joseph “Beau” Biden III, që shërbeu për pak kohë edhe në Kosovë, ishte një Veteran i Luftës në Irak, çka kjo e lidhën edhe me Organizaten e Familjeve të Ushtarakëve të Amerikës.

Në mëngjezin e sotëm të Ditës së Veteranëve të Amerikës, përgjatë ceremonisë zyrtare solemne në Shtëpinë e Bardhë, Besa Tafilaj-Pinchotti, u takua miqësisht edhe me një grua 102 vjeçare, veterane e Luftës së Dytë Botërore, me një kapiten sikh i Trupave Detare Amerikane-mbrojtës i të drejtave fetare, me një veteran që nga i pastrehë u kthye në kampion kombëtar, me veterane simbol për femrat amerikane, e me të tjerë të pranishëm.

Kjo personalitete e mirënjohur shqiptaro-amerikane, Besa Tafilaj-Pinchotti, thotë në rrjetin social FaceBook Meta, se Dita e Veteranëve është Festa e Heronjëve që e bënë madhështor këtë vend, Amerikën.

Shqiptarja e Deçanit, Kosovës e Kombit, Besa Tafilaj-Pinchotti, Drejtore ekzekutive amerikane e NMFA, ish gazetarja e ekranit dhe e terrenit në rrjetet e mëdha televizive amerikane TV ABC dhe TV NBC, që ka spikeruar dhe përgaditë emisione televizive edhe për luftën dhe periudhën e pasluftës së Kosovës, pergjatë dy viteve të fundit është takuar disa herë me Presidentin e sotëm të Amerikës, Joe Biden, me të cilin familja e madhe Tafilaj ka lidhje të mira shoqërore e zyrtare prej nga koha kur ishte Senator i shtetit Delaware të SHBA.

Besa Tafilaj-Pinchotti është e martuar me ushtarakun e qytetarin amerikan David J. Jr. Pinchotti– oficer i Marine Corps të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kanë tre fëmijë të mrekullueshëm me emra të bukur shqiptarë: Lira, Zana e Loriku; e ka babain e saj, Ramiz Tafilaj. një qytetar, biznesmen, humanist, botues e veprimtar të shquar në Amerikë, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut e Malin e Zi, që mban dekorata- medalje presidenciale të Amerikës e Shqipërisë, tituj “Qytetar Nderi” në Kosovë e Shqipëri, çmime të ndryshme të larta në Kosovë, Shqipëri, Malin e Zi; është botues i “Jalifat Publishing” në Huoston-Teksas dhe Drejtor i Përgjithshëm i “Gazeta e Alpeve” (media Rajonale-PanShqiptare-NdërBallkanike) në Tiranë-Prishtinë, si dhe, tashti, Kryetar i Këshillit Kombëtar Organizativ të “Takimit të Madh të Tiranës”, Takim PanShqiptar-NdërBallkanik-EuroAtlantik; ka nënën e saj, prof. Diana Tafilaj, një misionare amerikane përkrah të shoqit të saj të jetës, që ka kontribuar shumë edhe për Kombin Shqiptar.

Shqiptaro-amerikania Besa Tafilaj-Pinchotti, për kontributet e meritat e saj, është vlerësuar nga ACABS në një ceremoni elitare në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë me Çmimin “Madelene Albright” dhe në “Kuvendin Kombëtar të Alpeve” në Vermosh-Kelmend të Malësisë së Madhe (Shqipëri) me Çmimin e Lartë “Elena Gjika”. Andaj Besa Tafilaj-Pinchotti, nga mediat shqiptare, është krahasimuar me misionaren amerikane Rose Wilder Lane- shkrimtare, reportere lufte, aktiviste e të Të Drejtave të Njeriut, etj; dhe me tjetren misionare, britaniken Mary Edith Durham, shkrimtare, artististe, etnografe etj., dy mike të mëdha e të përjetshme të shqiptarëve.

2.

11 Nëntori, është shpallur 105 vjet ma herët, si Dita Kombëtare e Veteranëve në Shtetet e Bashkuara, është një festë e madhe federale, ditë pushimi zyrtar, është një ditë solemne e festive, ku nderohet personeli ushtarak që ka shërbyer në të gjitha Luftërat Amerikane, prej nga Revolucioni Amerikan i vitit 1776, nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, deri në ditët e sotme, përfshirë edhe Luftën e Kosovës, ku Amerika është vendimtare për Lirinë, Pavarësinë e Shtetësinë e Kosovës, për Kombin Shqiptar.

Amerika ka mbi 20 milionë Veteranë të Luftës, ku qindra prej tyre janë shqiptarë me origjinë nga Shqipëria e Kosova, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi, nga Lugina e Preshevës e Çamëria, nga Arbëreshët e Italisë, veçanarisht në Luftën e Parë e të Dytë Botërore, në luftërat amerikane në Azi e Lindjen e Mesme, edhe në Luftën e Kosovës.

3.

Shqiptaro-amerikania Besa Tafilaj-Pinchotti, Drejtore Ekzekutive e Organizatës së Familjeve të Ushatarakëve të Amerikës (NMFA) në Uashington D.C. – kryeqytetin e Amerikës, me një karrierë të suksesshme edhe si gazetare (redaktore, spikere/prezantuese) në rrjetet televizive të mëdha amerikane Tv ABC dhe Tv NBC, e Ftuar Nderi edhe në “Kuvendi Kombëtar i Alpeve” në Vermosh dhe në “Takimin e Tretë Kombëtar të Plavë-Gucisë”, ka përshendet me video-mesazh edhe “Kuvendin Kombëtar të Alpeve” në Pejë dhe “Kuvendin e Madh të Ulqinit”, kësaj here, me 12 dhjetor 2023, do të hapin solemnisht, me një fjalë të shkurtër, “Takimin e Madh të Tiranës”, në gjuhën Shqipe dhe në gjuhën Angleze.

Me kontributet e meritat, me veprimtarinë e Besa Tafilaj-Pinchotit, ndihen krenarë shqiptarët e Deçanit e të Kosovës, të Shqipërisë, krejt Shqiptaria, edhe komuniteti shqiptaro-amerikan në Teksas e në Washington DC, në të gjithë Amerikën.

RAMIZ LUSHAJ

Tiranë, 11 nëntor 2023

Filed Under: Emigracion

Si sot 5 vite më parë, më 10 Nentor 2018 në New York u përcollën me nderim eshtrat e Mid’hat Frasherit për në atdhe

November 10, 2023 by s p

Mërgata e Amerikës nderoi një ndër personalitetet më të shquara të kombit.

Photo Video By Dritan Haxhia

Filed Under: Emigracion

Shoqata “Bijtë e shqipes” mundësoi promovimin e romanit të fundit të këtij autori “Këpuca e aktorit”

November 7, 2023 by s p

Rudina Bani

N/kryetare e “Shoqatës Bijtë e Shqipe” Filadelfia /

Një poezi është më e fortë se prangat, se telat me gjemba, se karakollet e përbindshme të rojave të burgut, se komanda, se dënimet dhe tmerri, Në fund të fundit edhe diktaturat bien dhe mbetet poezia e njeriut. (Visar Zhiti) 

Nuk ka adhurues të librit apo letërsisë shqipe që të mos e dëshirojë dhe ëndërrojë takimin me poetin dhe krijuesin Visar Zhiti, i cili ndryshoi krejtësisht konceptin e poezisë sociale dhe lirike pas viteve ’90 të shek XX. Shoqata “ Bijtë e shqipes” mundësoi promovimin e romanit të fundit të këtij autori “Këpuca e aktorit”. Në data 4 nëntor, ora 6 pm, salla e shoqatës sonë ishte tejmbushur. Por jam e bindur se shumë e shumë të tjerë do të kishin dashur të ishin aty. Një atmosferë mikpritëse, shoqëruar me ndjenjën e adhurimit, respektit dhe mirënjohjes për autorin Kryetari i shoqatës, zoti Dritan Matraku i uroi mirëseadhjen shkrimtarit dhe bashkëshortes së tij Znj. Eda Zhiti dhe e falenderoi për pranimin e ftesës së Kryesisë së Shoqatës. Ai vlerësoi kontributin e Visar Zhitit jo vetëm në fushën e letrave, por edhe si gazetar, përkthyes dhe diplomat, duke theksuar edhe rëndësinë e këtij takimi për komunitetin shqiptar të Filadelfias. Më pas krjuesi dhe një nga themeluesit e shoqatës sonë, z. Vlashi Fili, prezantoi një biografi të shkurtër të jetës dhe krijimtarisë së autorit, duke theksuar se si Visar Zhiti erdhi në letërsinë shqipe, dënimin në kohën e diktaturës dhe rolin e tij në krijimin e një poezie të guximshme e shkruar që në kohën e burgimit e deri më sot. 

Dr. Sadik Elshani njohu të pranishmit me një përmbledhje të veprës së fundit të shkrimtarit, romanit “Këpuca e aktorit.” Ai përcaktoi karakterin e romanit si një rrëfim me elemente jetëshkrimore, një sagë e një familje në tri periudha historike të rëndësishme në jetën e Shqipërisë, duke u ndalur në simbolikën e personazheve, numrave, titullit. Dr. Sadik Elshani theksoi se është një roman me tematikë interesante e qasje moderne të të rrëfyerit me një gjuhë dhe nënkuptime filozofike. Shumë të pranishëm sollën kujtimet që kishin lidhje me shkrimtarin si mësues, si poet, si gazetar. Kujtime që lidheshin jo vetëm me ata drejtëpërdrejtë, por edhe me miqtë, shokët, të dashurit që disa prej nuk janë larguar nga ne. Kujtime të bukura, domethënëse, shpresëdhenëse edhe në momentet më të vështira dhe jonormale. 

Shumë emocione do të sillnin edhe recitimi nga të pranishmit të poezive më të bukura të këtij poeti të cilat përcollën mesazhin e dashurisë, faljes, mirëkuptimit, të vazhdimësisë dhe të ecjes përpara. I prekur nga fjalët, mikëpritja dhe respekti i treguar,i ftuari i nderit, krijuesi Visar Zhiti përshëndeti të gjithë të pranishmit. Ai theksoi se Shqipëria nuk është gjeografi, por shpirt, ndjenjë punë dhe përkushtim dhe vlerësoi Shoqatën “ Bijtë e shqipes”, bijtë e vërtetë të shqiponjës, si një faktor i rëndësishëm për bashkimin e shqiptarëve,duke vlerësuar rëndësinë e punës që bëhet për ruajtjen e gjuhës shqipe te të rinjtë. Sipas tij gjuha duhet të mbrohet se është atdhe, histori, kulturë. Z. Visar Zhiti përshkroi emocionet që i sollën rrëfimet e të pranishmëve. Midis të tjerash z.V.Zhiti përmendi se si krijuesit e guximshëm krijuan desidencën në Shqipëri edhe kur nuk u lejohej. Duke u ndalur te roli i Diasporës Shqiptare në USA, ai vlerësoi si më të fuqishmen diasporë që ndjek shembullin e A. Pipës, F. Konicës, F. Nolit,etj. Kemi përgjegjësinë që ta jemi qytetarë të Amerikës, por si shqiptarë të kthejmë sytë nga vendi ynë,ta kritikojmë por jo ta shajmë, -theksoi ai -duke marrë si modelin më të mirë, Nënë Terezën që kurrë nuk mohoi origjinën e saj. Vepra “Këpuca e aktorit” e cilësoi si një bashkëpunim i shqiptarëve në Chicago dhe prona e të gjithëve. Urimi i Visar Zhitit në fund të fjalës ishtë domethënës: Këtu në USA, qofshim gjithmonë bashkë shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë nën këta dy flamuj të mëdhenj ( shqiptarë dhe amerikan)!  Kryesia e Shoqatës i kishte akorduar z.Visar Zhitit titullin Anëtar Nderi për kontributin si shkrimtar, poet, gazetar, përkthyes, diplomat, intelektual dhe qytetar i palodhur në shpalosjen e vlerave historike-kulturore- artistike si dhe për forcimin e marrëdhënieve Diasporë -Atdhe. Shumë emocion do të mbarte dhënia e autografëve nga autori për të pranishmit, kujtimi fotografik me këtë krijues kaq të rëndësishëm dhe tepër të vlerësuar në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare. Si miq të mirë dhe sipas traditës sonë do të vazhdonim të bisedonim deri vonë duke darkuar së bashku.  Burgjet edhe harrohen, shkatërrohen, edhe teatrot shemben, por jeta mbetet dhe katedralja e letësisë është më e parrëzueshmja se të gjitha. Të bekuar ata që ndërtojnë denjësisht këtë katedrale si Visar Zhiti.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • …
  • 187
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT