• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Zeri i Aleksander Moisiut – Nje deshmi origjinale

March 13, 2015 by dgreca

Disa tema shqiptare ne nje kurs veror te gjuhes frenge.
Nga Sadik ELSHANI*/
Me 22 mars mbushen plot 80 vite qekur Aleksander Moisiu (1879 – 1935) i ka mbyllur syte pergjithmone, por ky yll nuk shuhet kurre – do te shkelqeje per jete te jeteve. Per Aleksander Moisiun, yllin e teatrit dhe te filmit te gjysmes se pare te shekullit XX eshte shkruar mjaft. Prandaj, ne kete shkrim nuk do te bej fjale per jeten dhe vepren e tij, por do te sjell dicka origjinale, nje deshmi nga nje artdashese qe e kishte pare disa here Aleksander Moisiun ne skene. Kete rrefim ka kohe qe e mbaj ne kujtesen time dhe ja tani me rastin e 80 vjetorit te vdekjes se Moisiut po e sjell per lexuesit e Diellit. Qe ky rrefim te jete sa me i plote dhe me i kuptueshem per lexuesin, duhet nisur nga fillimi.
Kur isha duke vazhduar studimet ne Universitetin e Zagrebit, kisha vendosur qe gjate pushimeve te veres te shkoja ne nje vend perendimor per te mesuar nje gjuhe boterore, anglisht, ose frengjisht. Meqenese kurset verore ishin me te lira ne France, atehere u percaktova per frengjishten. Shkova ne Institutin Francez ne Zagreb dhe mora nje broshure per kurset verore qe zhvilloheshin ne France. Ata me rekomanduan nje kurs qe organizohej ne qytetin Menton ne Bregdetin Azur, sepse drejtues i atij kursi ishte profesori Raymond Warnier, lektori i pare i gjuhes frenge ne Universitetin e Zagrebit (1921) dhe themeluesi i Instituti Francez ne Zagreb (1922). Po ashtu, me thane se ai kujdesej dhe i ndihmonte shume studentet qe vinin nga ish Jugosllavia. Regjistrimet per keto kurse beheshin me heret, por meqenese kisha vendosur ne momentin e fundit, nuk kishte me kohe per regjistrime. Vendosa te shkoja, nese kishte vend do te rrija , nese jo, do te kaloja ca dite pushimi dhe do te kthehesha prape. Duhet theksuar se une nuk dija fare frengjisht, ne shkolle kisha mesuar rusisht. Pas nje udhetimi te gjate me tren, mberrita ne Menton dhe shkova ne bashki, se ajo ishte adresa qe e kisha ne broshure dhe vetem e thoja emrin e profesorit. Ata me cuan ne nje lice ku do te mbahej kursi dhe aty takova profesorin Warnier, nje burre i gjate me floke te thinjura dhe me moshe diku rreth te tetedhjetave. U pershendetem – ai fliste nje kroatishte shume te paster, kishte nje kujtese te jashtezakonshme. Kembyem fjalet qe kembehen ne raste te tilla dhe me tha se nuk kishte problem per vendosjen time. Une shkova nja dy – tri dite perpara se te fillonte kursi dhe isha studenti i vetem. Profesoret ishin aty dhe po pergatiteshin per fillimin e kursit. Nje profesoreshe me tha se zonja e profesorit ishte polake. Mire thashe, permes rusishtes dhe kroatishtes mund te komunikoja me te gjtha gjuhet sllave. Nipi i profesorit kishte ardhur nga Parisi per t’i kaluar pushimet dhe shoqerohej me mua. Nje dite me tha se gjyshja e tij donte te me takone (une ende nuk e kisha takuar ate). Ajo me te birin dhe nusen e tij ishin ne plazh dhe ne shkuam t’i vizitonim. Edhe zonja e profesorit ishte ne moshe ralativisht te shtyre dhe po me fliste kroatisht. Une u habita, sepse e dija qe ishte polake. E pyeta se prej nga ishte dhe ajo me tha se ishte nga Zagrebi dhe quhej Vera. I tregova se c’me kishte thene profesoresha franceze, ndersa ajo me tha se, francezet i ngaterrojne vendet e Lindjes. Per mua kjo ishte nje befasi e kendshme. Meqenese une studioja ne Zagreb, atehere biseduam per Zagrebin, gjendjen ne Jugosllavi, Kosove, etj. Me kalimin e diteve une isha bere shume i afert me ta, gati si anetar i familjes se tyre. Gjate bisedave me ta mesova shume per jeten e tyre dinamike, mjaft te angazhuar e interesante. Ata kishin qendruar ne Zagreb gjer ne vitin 1935, pastaj Profesori kishte shkuar ne Portugali si atashe kulturor prane ambasades franceze atje e me vone kishin shkuar ne Brazil me te njejten detyre. Ne Zagreb ishin shoqeruar e miqesuar me eliten kulturore e intelektuale te Kroacise se atehershme, sidomos kishin patur shume miqesi me skulptorin kroat me fame boterore, Ivan Meshtroviq (1883 – 1962), piktoret e bashkuar rreth grupit “Zemlja” (shqip, Toka) te udhehequr nga piktori i njohur kroat, Kersto Hegedushiq (1901 – 1975). Shume piktoreve kroate, profesori Warnier u kishte siguruar bursa per te studiuar ne France. Ata kishin qene ne shume vende te botes, por Zagrebin e mbanin ne zemren e tyre. Gjithashtu, profesori Warnier ishte nje njohes shume i mire i Ballkanit.
Dreken dhe darken e hanin me ne ne kuzhinen shume te mire te liceut. Kete kohe e shfrytezonim per te biseduar, per t’u njohur me mire me njeri – tjetrin. Nje profesoreshe nga Sarajeva qe njihej me ta me heret e sillte nje grup te madhe studentesh. Une isha shqiptari i vetem. Nje dite ne nje nga keto biseda po bisedonim per udhetimet e tyre ne vende te ndryshme. Zonja Warnier u kthye nga une dhe me tha se kishin qene edhe ne Shqiperi. Po si, e pyeta une, kur udhetimi per ne Shqiperi ne ate kohe ishte shume i veshtire, edhepse Shqiperia kishte marredhenje relativisht te mira me Francen, krahasuar me vendet tjera perendimore. Ajo me tha se kishin qene para Luftes se Dyte Boterore, sepse nje miku i tyre ne ate kohe po benta germime arkeologjike ne Shqiperi. Leon Rei (1877 – 1956), i thashe une. Ajo me pyeti me habi se ku ia kisha degjuar emrin atij. I tregova se emri i tij permendej ne librin “Historia e popullit shqiptar” dhe se ai ishte arkeologu i pare qe kishte bere germime arkeologjike ilire ne Shqiperi. Pastaj ajo tregoi sesi kishin udhetuar me makine neper rruge te paasfaltuara, kishin pare gra te mbuluara me ferexhe, etj. Per shkak te moshes, profesori Warnier fliste shume pak, por pasi perfundoi zonja e tij, ai shtoi se gjate qendrimit te tyre ne Shqiperi ishin takuar edhe me Lumo Skendon. Une nga habia u shtanga kur degjove emrin e Lumo Skendos, sepse e dija qe ai ishte siemri (pseudonimi) i Mit’hat Frasherit (1880 – 1949), intelektualit, shkrimtarit, diplomatit, publicistit, atdhetarit te pashoq, kryetarit te Kongresit te Manastirit, birit te Abdyl Frasherit. Ne ne shkolle, ne oret e gjuhes shqipe e kishim permendur per ato qe shkrova me lart dhe per prozat e tij te bukura poetike. I tregova profesorit per figuren e Lumo Skendos dhe vendin qe ai zinte ne letersine dhe kulturen tone kombetare, edhepse ne ate kohe kur ne po bisedonim, emri i tij nuk permendej fare ne Shqiperi. U habita edhe per faktin sesi profesori ende e mbante ne mend emrin e tij, edhepse nga takimi i tyre kishin kaluar gati 55 vite. Me siguri, biseda e tyre do te kete qene ne nje nivel te larte intelektual. Dhe ja une tani po bisedoja me njeriun qe i kishte shtrenguar doren Mit’hat Frasherit. Pastaj profesori tregoi se ne librarine e Lumo Skendos kishin blere ca libra te vjeter. Dihet mire se ne ate kohe Mit’hat Frasheri kishte patur nje librari – biblioteke shume te pasur.
Meqenese po bisedonim per Shqiperine, une nga kurreshtja i pyeta nese kishin degjuar per Aleksander Moisiun. Me teper u nxita edhe nga fakti se ata kishin qene ne moshe te pjekur kur Moisiu kishte qene ne kulmin e karrieres se tij, dhe se ata ishin intelektuale te nje kalibri te tille. Profesori beri nje levizje te ngadalshme me koke ne drejtim te zonjes se tij, sikur donte te thoshte se ajo ka per te thene dicka. Ajo kishte marre nje shikim, nje pamje te fytyres sikur ishte tretur diku ne kujtime dhe shume e habitur me pyeti: “Po ti ku ke degjuar per te?!” Sigurisht i eshte dukur e cuditshme qe nje djalosh nga Kosova kishte degjuar per nje aktor qe kishte gati 45 vite qe ishte ndare nga kjo bote. Une i thashe se kisha degjuar e kisha lexuar shume per te, pasi ai ishte aktor i lindur nga prinder shqiptare dhe ai ishte i vetedijshem per prejardhjen e tij shqiptare. Ajo u shpreh me shume habi: “Shqiptar?!” Une pastaj nder te tjera i tregova per kerkesen e Moisiut qe i kishte bere Zyres se Gjendjes Civile ne Durres per te marre shtetesine shqiptare dhe deklaraten e tij se ai nuk donte te vdiste si aktor gjerman. Pasi u bind, ajo ma ktheu: “Ja, jam para vdekjes dhe nuk e paskam ditur kombesine e Moisiut!”. Ajo pastaj tha se per per shkak te mbiemrit te tij Moissi, atehere ishte perhapur fjala se ai ishte hebre, prandaj edhe ishte perndjekur nga nazistet. Me tutje ajo vazhdoi: “Kur kemi qene te rinj, me babain shpesh shkonim nga Zagrebi ne Vjene per te pare ne teater shfaqjet ku luante Moisiu. Dhe kur kthehesha ne Zagreb, per nje jave, apo djhete dite nuk doja ta hapja gojen e te flisja me njeri, vetem qe zeri i Moisiut te mos me dilte nga koka”. Kjo shprehje e Zonjes Warnier ngerthen ne vete jo vetem karakteristikat fizike te zerit te Moisiut, por edhe emocionet qe ai ngjallte dhe mbresat qe vuloste te adhuruesit e teatrit, mbresa qe ishin bere pjese e jetes se tyre. Duhet te kesh nje imagjinate shume te zhvilluar per te parafytyruar sesi e ka ndier veten ne ato caste ajo vajze e re dhe shume artdashes te tjere. Vertet mbetesh pa fjale kur degjon nje rrefim te tille, nje vleresim te tille, por edhe ndihesh shume krenar, se personi per te cilin flitet eshte bashkekombasi yt. Ky ishte ai Moisiu i famshem qe me lojen dhe zerin e tij i bente per vete artdashesit, ngjallte ndjenjat e tyre dhe linte mbresa te pashlyeshme ne zemrat dhe mendjet e tyre. Ky ishte arti magjik, i perjetshem e i paperseritshem i Aleksander Moisiut. Une atehere ende nuk kisha patur rastin ta degjoja zerin e Moisiut, por kisha lexuar per zerin e tij te bukur. Madje eshte edhe nje thenje e Franc Kafkes: “Zeri dhe gjestet e Moisiut na shfaqen si dicka e papare gjer me tani ne skenen europiane”.
Ne vitin 1980 kur ende isha student ne Universitetin e Zagrebit, klubi i studenteve shqiptare, “Shkendia”, festoi ne menyre madheshtore 100 Vjetorin e Lindjes se Moisiut. U organizua nje ekspozite dinjitoze me fotografi te Moisiut, u shfaq edhe nje recital per jeten dhe vepren e tij, ndersa te pranishem ishin shume personalitete te njohura te jetes kulturore e publike te Zagrebit. Nje bashkatdhetar nga Maqedonia kishte degjuar per kete manifestim dhe kishte sjellur disa incizime me zerin origjinal te Moisiut. (Duhet cekur se autoritetet shoviniste maqedonase nuk e kishin lejuar ate qe te zhvillonte nje veprimtari te tille ne Shkup). Zeri i Moisiut ishte nje ze i paster, kumbues, melodik, i artikuluar mire, i rrjedhshem – kishte nje shqiptim (diksion ) te perkryer. E kam te veshtire ta pershkruaj ate ze, prandaj po e cuaj “ze moisian”, qe eshte karakteristik vetem per te. Ne ate cast m’u kujtua Zonja Warnier dhe vleresimi i saj per zerin e Moisiut. Vleresim me te mire nuk mund t’i bej asnje kritik teatri dhe askush tjeter – vleresimin me te mire e ben publiku. Kush mund te bej pershkrim, karakterizim me te mire se “ze qe te mos dale nga koka”?!

Permbyllje (epilog)

Nga viti 1978 kur kam qene per here te pare e gjer ne vitin 1988 kur kam ardhur ne Amerike, pese here kam qene pjesemarres i atij kursi. Profesoreve dhe miqve te mi si dhurate u sillja prodhime artizanale shqiptare dhe ne librarite e Nices u bleja veprat e Kadarese, per te cilin disa kishin degjuar, por nuk i kishin lexuar veprat e tij. Me vone Kadareja u be i adhuruari i tyre. Mesova me vone se profesori Warnier kishte lindur me 1899 dhe ishte studiues shume autoritativ i jetes dhe vepres se Apollinerit (Guillaume Apollinaire) dhe kishte bere shume studime per Ballkanin. Ne vitin 1981, bashkeshortet Warnier kane qene per vizite ne Dubrovnik dhe une i kam vizituar. Profesori Warnier ka nderruar jete me 1987, ndersa korrespondencen e fundit me Zonjen Warnier e kam patur me 1990. Nga djali i saj, disa vite me vone, kam marre nje leter dhe me njoftonte se mamaja e tij ishte ne nje azil pleqesh. Ka vite qe nuk kam kontakte me djalin e profesorit, por e marre me mend se Zonja Warnier nuk eshte me ne kete bote. Ata ishin njerezit me te mire qe une kam takuar ndonjehere ne jeten time, ishin misherim i intelektualit, qenjes njerezore – ishin engjellore. E ndiej veten shume te lumtur, shpirterisht shume te pasur qe kam njohur dhe kam patur miqesi me njerez te kalibrit te tille. Per nje djale nga Suhareka/Theranda, nga Kosova, kjo do te thote shume. Sidomos per keto tema shqiptare qe pershkrova me lart. Atehere as qe me ka shkuar nder mend se do te degjoja rrefime te tilla ne ate kurs veror te gjuhes frenge. Nganjehere jeta ruan shume te papriturat te kendshme!
Philadelphia, 12 mars, 2015
Shenim: Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: ESSE Tagged With: Aleksander Moisiu, deshmi origjinale, Sadik Elshani

”Betoveni dhe Revolucioni Frëng”*

March 12, 2015 by dgreca

Në 50-vjetorin e ikjes së Nolit nga jeta/*

“Fidelio” opera e vetme që kompozoi Betoveni, së pari ishte një Himn i Lirisë dhe vetëm rastësisht lirikë triumfi për dashurinë bashkëshortore. Florestani është martir i ideve të reja, i së Vërtetës të re:
Wahrheit wagt` ich kühn zu sagen
Und die Ketten sind mein Lohn!
(Unë guxova të them të Vërtetën
Dhe zinxhirët janë shpërblimi im!)
Të burgosurit, të lejuar për herë të parë për të marrë pak ajër të pastër, i këndojnë Himn Lirisë:
O Himmel! Rettung! Welch` ein Glück!
O Freheit! O Freiheit! Kehrst du zurück!

(O Qiell! Shpëtim! Çfarë Lumturi!
O liri! O liri! Kthehesh prapë!)
Kur Florestani shikon Leonorën, mendon se ajo është Engjëll i Lirisë:
Ein Engel, Lenoren, der Gattin so gleich,
Der führt mich zur Freiheit, ins himmlische Reich!

(O engjëll, Leonorë bashkëshorte menjëherë,
Ajo më shpie mua në gëzimin e mbretërisë qiellore!)

Fernandoja, i lajmëruar nga trumbetat, është Çlirimtari. Ai nuk i lejon të burgosurit që të gjunjëzohen para tij, ai është miku i tyre, vëllai i tyre:

Nicht knien länger sklavish!
Tyrannenstrenge sei mir fern.
Es sucht der Brüder seine Brüder
Und kann er helfen, hilft er gern.

(Të mos jemi më skllevër!
Tutje rreptësia e tiranëve.
Vëllai kërkon vëllezërit
Dhe në qoftë se mund të ndihmojë e bën me qejf.)

Në Simfoninë e Nëntë gjejmë një Himn të Vëllazërimit Botëror. Në origjinal Kënga e Gëzimit ka qenë Kënga e Lirisë1 dhe Betoveni pat filluar të punonte për këtë këngë që në vitin 1793. Kur Shileri e ndryshoi në Himn Gëzimit, vëllazërimit të Racës Njerëzore, u bë tema kryesore e vargjeve të famshme:
Alle Menschen werden Brüder…
Seid umschlungen Millionen
Diesem Kuss der ganzen Welt!

Të gjithë njerëzit bëhen vëllezër…
Të jesh i përqafuar prej milionave
Me një puthje përqafim!

Betoveni merakosej që mesazhin e tij ta bënte përsosurisht të qartë kësaj here dhe, porsi pasardhësi i tij i madh Vagneri, u vuri tituj temave muzikore. Kjo ishte absolutisht e domosdoshme. Ai donte të afrohej me masat dhe t`u shpaloste atyre idetë e reja të Revolucionit Frëng me një gjuhë që ato ta kuptonin dhe ta admironin, me gjuhën e Shilerit, poetit të Kontratës së Re të Rusoit. Revolucionar në pikëpamjet e tij politike, Betoveni ishte revolucionar edhe në artin e vet: Ai futi muzikë korale dhe solo vokale në pjesën e fundit të Simfonisë të Nëntë. Po, e bëri këtë për masat e budallallepsura, të cilat nuk do të mundnin ta kuptonin fjalimin e tij muzikor. Ai u foli masave me zhargonin e tyre!
Mirë, po a ishte e mundur që t`i ngrinte këto masa vjeneze, të mefshta, të përgjumura, të painteresuara? Oh, këto turma të mjera të Vjenës! “Verflucht, verdammt, vermaledeites, elendes, Wienerpack!”1Ato nuk dinin të bënin gjë tjetër veçse të hanin salçiçe dhe të pinin birrë të zezë. Dhe kur dikush e pyeti Betovenin nëse revolucioni mund të shpërthejë në Vjenë, ai përgjigjet me tallje:”Gjersa austriaku të ketë birrë të zezë për të pirë dhe salçiçe për të ngrënë as që ia fillon revolucionit.”2
Është e vërtetë se masat austriake ishin të qullëta, por mjeshtri me to kaq mund të bënte. U mundua shumë me njerëzit e mëdhenj, por ata i dolën më keq se mizëria. Medet! “Nuk ka gjë më të vogël sesa të mëdhenjtë!”3 Apo, siç e thotë Betoveni në frëngjisht: “Parceque les grands sont le plus faibles.” (Sepse të mëdhenjtë janë më të dobëtit),4 kështu nuk mbetej gjë tjetër veçse të ngriheshin masat. Pikërisht kjo i duhej kohës së tij. Ai e shprehu fare mirë këtë teksa i shkroi atij vagabondit të vogël Karlit:
“Koha jonë kërkon shpirtra të fuqishëm për të futur në veprim këto masa njerëzore, burracake, tradhtare të fundërrinave.”5
Karli i tij e kuptoi më së miri. Ai dinte greqisht.
Po, Betoveni e ndiente se ai ishte një nga ata shpirtra të fuqishëm, të cilët Fati ka paracaktuar për detyra herkuliane. Tani Fati i troket tek dera dhe e urdhëron që të përmbushë misionin e vet të shenjtë. Është gati për të marrë detyrën më të madhe të jetës së tij. Ai do t`i bëjë sopranot të bërtasin, të klithin, të çirren me triumf deri në kupë të qiellit, sikurse prostitutat e pazareve të Parisit kur panë se gijotina këputi kokën e Marie Antonetës dhe Luigjit XVI:
Sic semper tyrannis! (Ashtu si gjithmonë tiranëve!)
Po, vritini të gjithë, varini të gjithë mbretërit, princat dhe aristokratët.

Ah! Ça ira, ça ira, ça ira!
Les aristocrat` à la lanterne:
Ah! Ça ira, ça ira, ça ira!
Les aristocrat` on les pendra.

Ah! Do kalojë, do kalojë, do kalojë!
Aristokratët te shtyll` e fenerit;
Ah! Do kalojë, do kalojë, do kalojë!
Aristokratët do t`i varin.

Më kot sopranot e shkreta i luteshin mjeshtrit që të ndryshonte ato nota të larta të pamundura për t`i arritur. Betoveni ngulmoi në të tijën. Ato thanë se do të tingëllonte e egër. Por ai pikërisht këtë donte, sepse vetëm atëhere masat do të mund ta kuptonin idenë e saj. Dhe ai pati të drejtë. Më 7 maj 1824 u dha shfaqja e parë e Meshës Solemne në Re dhe Simfonia e Nëntë. Baron Zmeskalli vajti të dëgjonte Simfoninë, e cila kishte si nëntekst zhdukjen e klasës së tij, por çdo gjë që bënte mjeshtri ishte e mirë për të. Baroni urdhëroi shërbëtorët që ta shpinin në Teatrin Karntnertor të ulur në një karrocë-vig, sepse u ngrit i sëmurë nga dysheku.1
Suksesi ishte i mahnitshëm: përshëndetja e publikut ndaj shfaqjes pati një karakter kryengritës, kur doli Betoveni në skenë brohoritjet shoqëruar me duartrokitje u përsëritën pesë herë, ndërsa sipas etiketës së rreptë të qytetit, ishte zakon të jepeshin tri përshëndetje vetëm kur hynte Familja Perandorake. Policia u detyrua të ndërhynte për t`u dhënë fund manifestimeve. Simfonia shkaktoi një entuziazëm të papërmbajtur. Shumë vetë qanin. Betovenit pas koncertit i ra të fikët nga emocionet; e shpunë në shtëpinë e Shindlerit ku humbi në gjumë dhe mezi u përmend pas njëzet e katër orësh, me rroba në trup, pa ngrënë dhe pa pirë asgjë.2
Po, kësaj here Betoveni u afrua me masat jo vetëm me ato të Vjenës, por me masat popullore të të gjithë botës edhe për të gjitha kohërat me Simfoninë Jakobine të Lirisë, Barazisë dhe Vëllazërimit. Disa kritikë thonë se muzika e Simfonisë së Nëntë nuk është aq e mirë sa ajo e Simfonisë së Tretë dhe të Pestë. Ndoshta. De gustibus non disputandum. (Shijet nuk diskutohen). Por, gjëja më e rëndësishme për Betovenin në këtë rast ishte kumti dhe ai diti tua shpërndante këtë kumt revolucionar masave në një gjuhë aq të qartë sa ishte e mundur në rrethanat e epokës së Meternikut. Teksti nuk do të mundte të fliste kurrë më shkoqur. Censura e Meternikut nuk do ta kishte lejuar.
Betoveni ia përshkruan situatën shumë mirë poetit Kufner:
”Fjalët janë të lidhura me zinxhira, por lumturisht tingujt janë ende të lirë.”3
Dhe ai përdori tingujt muzikorë që të plotësonte tekstin poetik. Masat e pëlqyen dhe ende e pëlqejnë bashkimin e tij mjeshtëror dhe dramatik të poezisë me muzikën.
*Fragment- Përktheu nga anglishtja: Meri Lalaj
* Romen Rolan, Betoven, f. 46-47
* Romen Rolan, Betoven, f. 49

Filed Under: ESSE Tagged With: ”Betoveni dhe Revolucioni Frëng”*, Fan S Noli, MERI LALAJ

ATDHEU YNË-TOKA JONË

March 11, 2015 by dgreca

Brez pas Brezi Amanet e kemi!/
Shkruan:Eugen SHEHU/
Kënga e lashtë ka ngelë e pashuar,buzët e hapura e lanë kalimin e saj,as pragu i frigës s’mundi me e përkufizua zërin e zemravet,ate zë të Historisë.
Historia,që ecën s’bashku me Ilirët,që përjetoi fluturimin e shigjetave nga të dy anët e Adriatikut,ajo,ul kokën para pronarëve të parë të Gadishullit,përshëndet të parin Zotri,të parin Luftëtar,të parët ILIRËT,valët e Adriatikut janë valët e jetës,“Është Atdheu Ynë“ është thirrja e burrave të racës Arbënore.Aty ku guximi pagëzohet me gjak,është tokë e përgjakur,që thith në gjirin e vet rojtarët e Lirisë,aty ku varet bëhen themel i mermertë,që mbi te ngritet monumenti i Flijimit,dhe rreth saj endet një këngë e pakënduar,ajo këngë që ushton e këndohet vetëm nën Dhe.Ajo që hyn në thellsitë e dheut,nuk harohet,nuk humbet,përkundrazi ajo ruhet,zbërthehet dhe përcillet në breza radhazi,Nëna Ilire s’i lejon pinjollët rob në tokë të vet,por ajo i shtron të lirë në var të vet.
Trimat e Trimërreshat dalin nga mjegullat e kohës dhe bëhen titanët e tokës së vet,asaj toke gjithmonë të lashtë e të njomë.Të njomë me gjak të kuq si flaka e lirisë së kërkuar nëpër shekujt e rrëmbyeshëm me një vrrull të pamëshirshëm të Historisë ku shpatat e thikat presin koka,por kurrë si rrëxojnë burrat,dhe kurr burrëria ilire flente nën dhe,u bë zjarr që i djekte ata të cilët marrshonin mbi te,e kur jetonte mbi Dhe dëshmoi vehten.Vargjet e maleve,zotërues mbi fushat e përgjakura,janë foletë e vjetra dhe të rejat.Ata ruajn me kujdes Amanetin e të flijuarve,meqë janë shkëmbijt fortesa që mbrojnë një flamur,janë burrat shkëmbinj që herrë thiren Pirro e herë Lekë,janë burrat që me vepra të lavdishme thurrën epopenë e Gadishullit Ilirik.
Varri e Mali janë në Tokën tonë dy fole,andaj sa më shumë varre nën dhe aq më shum fole mbi tokë.
Barbarët e etshëm zaptuan dikur vëndin e Perandorisë,janë ardhacakët e rinj që marshojnë këmbë zbathur e të reckosur,thiren sllavë,bullgarë,normanë,hunë,avarë,gotë etj.Por krahët e lodhur të luftë tarëve të lirisë që kanë ngelur,presin grabitçarët tek Kufiri i Ilirisë.Vrulli i pushtuesve të furishëm zapton fushat e luginat.Rojtarët e maleve vështrojnë prej s’ë largu,nuk i frigojnë as Simeonat e as Dushanat,ata përundin djepat e ardhmërisë dhe risin trimat e Lirisë ,dhe një ditë papritmas ngritet një SHQIPËRI e ringjallur,nga kthetrat e pushtuesve.dhe përsëritet kënga e ringjalljes „Është Toka e Jonë“.Perandori lindin por dhe shemben,bien nën shpatat e ardhacakëve,mbretëritë e mëdhaja dhe të vogla,të vjetra e të reja,trishtimi lëngon zemrat,qanë dhe djepi nga friga,se i nxihet fati.
Si në legjendat e vjetra,ku shpresohet në ardhjen e heroit që të vëje këmbën mbi frikë,guximin në zemër,shpatën në dorë,shpresën në sy,që del nga shtrati i rrobërisë;Amblema.Mijëra luftëtarë lirije nga toka e përgjakur,tubohen rreth një Flamuri të shekujve, shpëtim i racës së robëruar, Shpresa e Racës sonë të pastërt,luftëtari i tmershëm që qëndron trimërisht në Ballë të Kombit,veshur me fuqinë e padkukshme që ta dhuron Zoti I Madhërueshëm simbolizoi përsëri ngritjen e Ilirisë,Rrufeja e shekullit emrohet NACIONALIZMI.
Nxjer kryet një ditë e zezë dhe toka ILIRËVE përsëri bëhet një varr i gjallë,thirret në emrin e luftëtarit të madh për Kombin e vet për Atdhuen e vet.Në kte varr mbyllet historia e sa shekujve,aty ku pushon luftëtari,aty pushon Liria dhe Qëndresa e pathyeshme.Dhe sa herë plumbat e armikut të përbetuar kërkojnë coptimin e trojeve të shqiptarisë,hapet një varr,që thith një periudhë të historisë,duke mbyllur në mbrendësinë e vet me zili një Flamur të përgjakur me një shqipe të plagosur.Pushtuesi i pamëshirshëm me tërbim i vërsulet kështjellave dhe foleve,por varrin z’guxon ta prekë.Mrekullija e burrërisë Shqiptare,fuqija e mbinatyrshme e mbrojtësve për lirinë e atdheut të vet të përgjakur,mbyllet në ate varr të errët,por që ngel një vullkan një kështjellë e pakalueshme.
Dhe e kështjella e fundit e Gadishulli bie në duart të Barbarëve Sllavo-Grek të forcuar dhe nga tullavët e borgjezisë Europiane ata pastaj thirën “ Kush do t’na pengojë që ta fusim në dorë Shqipërinë?,kur,ne ia premë gjymtyrët ,Flemnderit o Perëndi“,thane,duke qenë dhe kundra Perëndisë.Harruan pushtuesit që të pushtojsh një vend duhen thyer dhe krahët e luftëtarëve të lirisë,duhet shuajtur foletë e tyre,meqë prangat nuk mjaftojnë të lidhësh urtësinë dhe bujarinë port ë provosh trimërinë e burrave,Malet e Varret ngelin kujtimet e pashuar që flasin çdo ditë dhe nxjerin flakë të vjetra e të reja.Shqiptarët mund të ndërrojnë emër,por s’ndrojnë zemër,dhe sikur çdo pjesë e të rrobëruarit të bie në duart e pushtuesit,është një shkëndi e vogël që qëndron e pashuar aty ku s’mbërinë dot forca e armikut.
Prej Carëve e Kralëve e të tjerë bollshevik të mëdhenj e të vegjël,menduan se Shqiptari tashmë u shit,u lidh në pranga,u verbërua,por pushtuesit haruan se në mbrendinë e tyre fle Shqiptari.Mjaftuan tre AMBLEMA,që zgjoi luftëtarin e heshtur të lirisë,ku përsëri ndizet kënga e Luftës,ajo kënga e Lirisë.Meqë ajo shkëndia e vogël e ruajtur me kujdes në thellësin e zemrës shpërtheu jashtë,prej Kosove,Luginë Preshevës e Iliridë europë e përtej atllantikut që ushtoi zëri i kushtrimit,ku postet,pasuria,feja,nuk mjaftojnë që ta bëjnë shqiptarin të huaj në tokë të vet,dhe gjaku zbëhet ujë.
Rreth tryezave mblidhen tregëtarët-gjygjtarë duke luajtur hazardin politik e diplomatic .Pas dyerve,me zemër të thyer,Shqiptari pret vendimin.Toka që u qëndroi më së shumti invadimeve të pushtuesve,ajo tokë që errësinë e robërisë e lau dhe stërkuqi me gjak të kulluar,fati nxirej në ankand,Shqipëria e shekujve të trimërisë u bë sofër për „këlyshët e rusisë“.Shqiptari hedh sytë krahëve të vet të lodhur nga epopejat e shekujve,rrok pushkën e gjyshërve me u vënë në mbrojtje të „amanetit“ të të parëvet . Luftëtari shkon tek Lidhja e Prizrenit ndjen zërin e Tokës që vajton e kërkon ndihmë,dhe ajo mbledh në gjirin e vet, zgjimin,vëllezërimin,vullnetin e Lirisë,dhe të drejtën e trashigimit,aty emri Shqipëri dhe fjala Liri,hap sytë,zgjith zemrat,dhe Shqiptari,si bartës i trimërisë me plagët e robërisë mbi supe lëshon kushtrimin „Pa gjak Toka Jonë nuk lëshohet“.
Fryhen arrdhacakët sllavë me ndihmë e tokë të huaj,marshojnë ushtritë pushtuese pas një „fitoreje“ të turpshme mbi kufomat e të pamundësive,,zjarr e rafshime të kështjellave të pamposhtuna,por kurrë pushtuesi s’mundi të depërtoi në kështjellat e pa njohura për te,tek zemra dhe shpirti liri dhe atdhedashës i shqiptarit.Dhe nga këto zemra të pamposhtura e të pastra,do të mbijë një ditë zëri i Lirisë.,Malet kreshnike,kunorat lavdie,,një ditë prap do të lëshojnë kushtrimin,dhe pas sa shekujsh rrobërie,trimëria e mbuluar pas sa kohësh me qefin,do të mishërohet nëpër shkëmbijt e përgjakur,do të dali nga vari i Tokës ajo flaka e trimërisë së Shqiptarit.Andaj në gojën e luftëtarit gëdhenden shkëmbijt mijëvejeqar parimet morale të shqiptarit,në ato shkëmbij ku rendohen të gurëzuar besnikët e tokës s’onë.
Sikur s’mjaftonte zija e shekujve,andaj një ditë pushtuesit e trojeve shqiptare do ti shperblejë dhe diplomacia sharllatane e evropës së hutuar nga kolonitë e humbura,meqë në politikë shpërblimi dhe coptimi janë vëllezër për gjyqtarët që përbuzin popujt e vegjël dhe shesin drejtësinë me nënshkrim letra dhe cakërim gotash.Kështu shqiptarit në Besë me ta harroi që krahët i shkurtohen dhe një herë.Mbi arrenën e gadishullit,Evropa dhe një herë duartrokit ngadhnjimin dhe të një mashtrimi,nga tre marrveshje për të cilat tashmë sqan mëndjen, fati mbrapshtë i shqiptarit pret epilogun e një robërie të re,Kosova,Ilirida,Lugina e Preshevës,Camëria,Plava e Gusia,definohen si tokë e të pa zot,andaj dhe pyet tregëtari i kombeve“Kush janë Shqiptarët ne jemi ?“ dhe Shqiptari i prerë në Besë dhe i „tepruar“në fatkeqësitë e saja me ardhmërinë e djepeve që përkunden,do ti përgjigjet nga foleja e tij me krismën e pushkes së varur,për hir të paqës.Është gjuha e amaneteve do tut hemi na thiri Liria që se duron dot rrobërinë.
Epopeja e Atdheut tonë përfshin faqet e historisë së shekujve,e ka folenë në shkëmbijt-kështjella,që gjatë shekujve një grusht dheu të tokës s’onë, kushtoi një grusht gjak,andaj dhe gjeografia e shqiptarit i ka kufijtë e tërhequr me gjak.Përderisa Nacionalizmi Shqiptar frymon Lirija dhe Bashkimi janë vëlla e motër që do të ecin së bashku për sa kohë do të egzistojë raca e Shqiptarit.
Bern-Zvicër

Filed Under: ESSE Tagged With: Amanet e kemi!, Brez pas Brezi, Eugen Shehu

Ndërgjegja e zemrës

March 10, 2015 by dgreca

Nga Rrustem GECI-Dortmund/
Kush është Irma Kurti? Irma Kurti është emër i madh në poezinë bashkëkohore shqipe. Ka botuar 6 libra me poezi, një me tregime, një roman, dhe një libër me publicistikë. Në gjuhën italiane ka gjashtë libra, ndër të cilët, dy botohen për herë të parë. Përmbledhjet e saj poetike janë botuar dhe në Shtetet e Bashkuara. Ka në proçes botimi një roman dhe në sirtar dy vëllime të tjera me poezi.
Irma ka nisur të hedhë vargjet e para që në moshën 10 vjeçare. Në 1980 nderohet me çmimin e parë në Konkursin Kombëtar me rastin e 35- vjetorit të Revistës “Pionieri”. Vargjet e saj botohen në gazetën Drita”, “Zëri i Rinisë”, “Nëntori” Shqiptarja e re”. Kurse sot poezitë e tregimet ia gjen në shumë Antologji: “Il Federiciano” publikim i Shtëpisë Botuese Aletti Editore 2010, “Diffusione Autori” 2011 të “GDS Edizioni”, “Lingua Madre – Racconti di done straniere in Italia 2012/2013”, “Enciklopedia Universale e Autorëve Italianë” etj. Apo në disa Antologji të Librarisë Ndërkombëtare të Poezisë në Maryland, USA si: “Forever spoken” (Të thëna përgjithmonë), Antologjinë poetike: “The best poems and poets of 2007” (Poezitë dhe poetët më të mirë të 2007) etj.

E lindur dhe e diplomuar në Tiranë, në degën anglisht, nis karrierën e saj si mësuese e më pas gazetare në disa organe shtypi për të vijuar me specializime në Gjermani, Norvegji, Danimarkë, SHBA, Francë, Itali, Greqi etj. Është ndër të pakta autore femra që ka dhënë një kontribut të çmuar si krijuese e talentuar e teksteve të këngëve nëpër festivale në RTSH a koncerte pranvere, para viteve 90-të e më pas. Në biografinë letrare ka shumë çmime të fituara me kompozimet e teksteve të saj si dhe dhjetra tekste mbajnë emrin e saj në fonotekën e Radio-Tiranës.

Irma Kurti jeton prej vitesh në Itali. Aktualisht është poetesha më e vlerësuar jashtë atdheut me çmime dhe mirënjohje nga ente e botues të njohur të librit në Itali e Zvicër. Por, në Shqipëri dhe Kosovë, Lidhjet e Shkrimtarëve bëjnë sikur nuk i dëgjojnë arritjet e saj dhe heshtin.

Prej vitit 2010 deri në 2014, poetja shqiptare “ka rrëmbyer” 16 çmime letrare për poezi dhe prozë: të para, të dyta, të treta, speciale e çmime të kritikës. Ia vlen të përmendim këtu çmimin “Universum Donna” për letërsinë, ekuivalente me “Gruaja e Vitit” si dhe “Ambasadore e Paqes” që në 2013 i është akorduar nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Zvicër.

Poezia e Irma Kurtit është e ëmbël, e rrjedhshme dhe emocionale, sublime dhe shkundulluese. Në vargjet që mbajnë titullin: “I dashur, ti s´mund ta dish” poetja shkruan: Ti s’e kupton ç’do të thotë të jesh i huaj/ në një vend të bukur e magjepsës si ky/të të mungojë gjithçka, tek e fundit asgjë/një copë kartë me emrin “leje qëndrimi”. Ti s’e ke provuar të ecësh si hije në rrugë/ sepse emri yt s’ekziston në asnjë zyrë/shikon ëndrrat të shkelen nën hapat e tu/asnjëri emrin nuk ta shqipton, je anonim.

Poezia e Irmës e ka rrënjën thellë në shpirt, në vuajtjen dhe në dhimbjen e të jetuarit, në ato eksperienca unike që dikush provon larg tokës së tij e larg kujtimeve. E pikërisht nga ato krijimi lind si një gonxhe e bukur.

“Poezia ka lindur dhe është rritur me mua. Nga brishtësia e vargjeve të para si fëmijë e adoleshente, në rini e deri tek vargjet që tashmë mbajnë stuhitë e jetës, dhimbjet e zhgënjimet e përhershme që pjell kjo botë e çmendur” thotë Irma. “Por, një gjë është e sigurt: çdo varg i imi mban firmën e shpirtit”.

Në të njejtën poezi vazhdon: I dashur, ti s’mund ta kuptosh edhe sikur/pranë zjarrit të flas pareshtur natë e ditë/se vuajtja nuk ka zë, as dhimbja gjithashtu/ç’do të thotë të jesh i huaj, ti s mund ta dish.
Poezia e Irma Kurtit është lirikë e përkryer, është dramë, protestë dhe trishtim njerëzor, është thirrje për një botë më të mirë, pa luftra, pa maska e hipokrizi.

Në poezinë: “Perla”, Kurti shkruan: “Kjo është kohë e vyshkjes së vlerave/e humbjes së miqve një e nga një/ashtu si pemët i humbasin gjethet/ndërsa stin’ e vjeshtës troket në ditë. Është kohë e njerëzve të nervozuar/të zemëruar, as ata s’dinë me kë/e njerëzve që nuk dinë të heshtin/e atyre që flasin, por s’thonë asgjë.

Drita e mendimit në poezinë e Irma Kurtit, është e qartë, e pandotur dhe buron rrjedhshëm. Poetesha zëmadhe, duke jetuar të përditshmen e saj në Bergamo nuk mund të mos të shkruajë për mallin, nostalgjinë për folezën e fëmijërisë që është veshur me pluhurin e harresës.

Në poezinë “Nuk shitet kjo shtëpi” ajo shprehet kështu: Nuk shitet, as nuk blihet kjo shtëpi/aty flenë e zgjohen miliona kujtime/si thërrmija të bardha enden në ajër/bisedat që lamë atje dhe ëndërrimet.

Peisazhi në poezinë e Irma Kurtit është kolorit me ngjyra të theksuara të natyrës njerëzore. Shkëpus një strofë nga “Sonte muret s’më përkasin”: Shpirti im kthehet në pupël të lehtë/me flokët e borës ai fluturon në ajër/s’më mbetet gjë tjetër, vetëm ta pres…/ E pastaj, bashkë të hyjmë në shtëpi.

Falë deteve të Mesdheut që e ndajnë nga vendlindja, vargjet e Irma Kurtit kanë butësinë e ujit, purpurin e diellit dhe të ajrit, fortësinë kontinentale të tokës.Por në to ka dhe shumë shpërthime, shumë mllef që e bëjnë vargun e saj të freskët dhe përtëritës. Në poezinë: “Vargje të zemëruara” ajo shkruan: Mendoja se e lashë në vendin tim mllefin për politikën/ – lumin e pistë që veç vërshon/me sa duket në çdo vend të botës të shkelësh/ka fjalë e veprime që të zemërojnë po njëlloj. Ka politikanë që s’ndryshojnë nga njëri-tjetri/pavarësisht nga gjuha, janë këtu apo atje/ngjajnë si dy pika uji, nuk ka zot t’i dallojë/ ndoshta për këtë emrat ua ngatërroj shpesh.

E pyes Irma Kurtin për të na treguar diçka më tepër rreth romanit që së shpejti do të dalë në qarkullim dhe ajo përgjigjet: “Çdo rresht i këtij libri është i ndërtuar mbi motivin e një dhimbjeje dhe i kushtohet një njeriu shumë të dashur për mua, tim eti, që më dha dorën që kur isha fëmijë dhe më drejtoi në udhën e gjatë, të vështirë e magjike të letërsisë. Librin e kam shkruar me lotë në sy, brënda një kohe relativisht të shkurtër, kam jetuar si brënda një ëndrre dhe krejtësisht në pushtetin e të shkruarit. Shpresoj që ai të trasmetojë tek lexuesi dhimbjen po dhe forcën për ta kthyer lotin në shpresë dhe buzëqeshje”.

Poetesha e ndan jetën e saj krijuese me lexues shqiptarë apo italianë, duke qënë shpesh e ftuar në qytete të ndryshme të Italisë për të prezantuar librat dhe krijimtarinë e saj.

Libra të Irma Kurtit në shqip:

– Këtë natë me ty, poezi 1999;
– Shihemi në një tjetër botë, poezi 2002;
– Qirinjtë janë fikur, poezi 2003;
– Bëj sikur fle, poezi 2005;
– Puthja e fundit, poezi 2007;
– Midis dy brigjeve, roman autobiografik 2010;
– Një vjeshtë pa kthim, tregime 2013;
– Nën bluzën time, poezi 2013;
– Copëza shënimesh nëpër rrugët e shkreta, publicistikë 2013.

Në gjuhën italiane

– Tra le due rive (Midis dy brigjeve), autobiografi, 2011;
– Risvegliare un amore spento (Të rizgjosh një dashuri të shuar), poezi, 2011;
– Un autunno senza ritorno (Një vjeshtë pa kthim), tregime, 2012;
– Sotto la mia maglia (Nën bluzën time), poezi, 2013;
– Le notizie arrivano anche qui (Lajmet vijnë edhe këtu), tregime, 2014;
– Non è questo il mare (Nuk është ky deti) poezi, 2014.

Në anglisht:

– I knew the gray sky (Njoha qiellin gri), poezi, 2014;
– Under my blouse (Nën bluzën time), poezi 2015.

Çmimet:
Çmim i tretë në Konkursin Ndërkombëtar të Poezisë dhe Prozës 2010 “Napoli Cultural Classic”, Itali, në kategorinë e autorëve te huaj.
Çmim special në Konkursin Ndërkombëtar “Coluccio Salutati”, Borgo a Buggiano, Pistoia.
Çmim i parë në Konkursin Ndërkombëtar të Poezisë dhe Prozës 2011 “Napoli Cultural Classic”, në kategorinë e autorëve te huaj.
Çmim i parë ne seksionin e prozës në Konkursin Ndërkombëtar “Lago Gerundo- Europa e Cultura” edicioni i 9-të, në Paullo, Milano për librin “Midis dy brigjeve”.
Çmim nderi në Konkursin Ndërkombëtar “Terre di Liguria 2011”(Tokat e Ligurias) në La Spezia për librin “Midis dy brigjeve”.
Çmim i kritikës në Konkursin Ndërkombëtar të Poezisë e Prozës 2011 “Integrimi kulturor për një botë më të mirë” në Milano me përmbledhjen poetike: “Të rizgjosh një dashuri të shuar”.
Çmim Special, Targa e Universitetit të Paqes, në Edicionin XIII, 2012 të Konkursit Ndërkombëtar “Europa” në Lugano, Zvicër me librin “Midis dy brigjeve” .
Çmim i tretë në Konkursin Ndërkombëtar të Poezisë dhe Prozës 2012, Qyteti Recco, Genova me librin : “Të zgjosh një dashuri të shuar”.
Çmim i dytë ne Konkursin e 26° Ndërkombëtar “Giovani Gronchi” në Pontedera, Pisa, me librin: “Një vjeshtë pa kthim”.
Çmim i tretë në Konkursin Ndërkombëtar: “Europa” 2013, në Lugano, Zvicër me librin: “Një vjeshtë pa kthim”.
Çmim Ndërkombëtar “Universum Donna” Edicioni IX Edizione 2013 dhe Emërtimi “Ambasadore e Paqes” të vlefshme për jetë, nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes i Zvicrës Italiane.
Çmim i tretë në Konkursin Ndërkombëtar Valle Vigezzo “Andrea Testore” në seksionin e emigracionit me tregimin: “Sekreti i një ditë pranvere”.
Çmim i tretë në Konkursin Ndërkombëtar Letrar “Giovanni Gronchi” 2013 me librin: “Midis dy brigjeve”. Çmim Special në Konkursin Ndërkombëtar Letrar “Città di Pontremoli” 2014 për librin: “Një vjeshtë pa kthim”.
Çmim i parë në Konkursin Letrar “Città di Treviglio” për tregime.
Çmim i tretë në Konkursin Ndërkombëtar Letrar “Antico Borgo” 2014, La Spezia për librin: “Nën bluzën time”.
Arritjet e shkrimtares Irma Kurti në poezi, prozë dhe publicistikë më bëjnë krenar edhe mua si autor i këtij shkrimi, për këtë motër të gjakut dhe të kombit tim. Suksese Irma në krijimtari!

Filed Under: ESSE Tagged With: Irma Kurti, poezia e jetes, Rustem Geci

Ca fjalë Milaimit

March 10, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/ Florida/
Në një kabinet kimie po zhvillohej një orë mësimi. Mësuesi një burr në prag të pensionit, thirri dy emra djemsh. I pari nuk pranoi të ngrihej duke e lënë të habitur mësuesin. Ndërsa i dyti, shkoi menjëherë tek dërrasa e zezë. Shkurt, i pari u justifikua me mos përgatitjen. Dhe pranonte vlerësimin negativ. Mirëpo mësuesi këmbënguli. Atëhere ky shkoi dhe iu bashkua shokut. Veç burri, mësuesi, e diti se përse dha dy ushtrime të thjeshta përbërësish kimik. Ndërsa i dyti shkruante, i pari nuk e nisi fare. I qëndronte me kokëfortësi deklaratës. Mirëpo paralelisht ndihmonte shokun. Minutë pas minute, u angazhua dhe i pari. Derisa në fund erdhën tek mësimi i ditës. Dhe ashtu përciptas u kuptua se që të dy thanë çfarë mbanin mend nga shpjegimi, pasi si njëri dhe tjetri nuk kishin mësuar. Mësuesi i vlerësoi me nota pozitive. Dhe u tha, se, një ditë do ta kuptonin se përse ai veproi ashtu.
Ky i pari isha unë dhe i dyti një mik i mirë që edhe sot e kësaj dite kur e kujtojmë, ndihemi të ngrohtë nga kjo formë pedagogjie. Që sigurisht nuk i përkiste aspak mentalitetit të kohës. Mësuesi quhej Milaim Peza.
1. Mu kujtua e gjitha kjo pas shumë e shumë postimesh, emisionesh, shkrimesh për ditën e mësuesit. Po e sjell si postfest për disa arsye. Mësuesia apo pedagogjia, shtrihet në kohësi. Për pasojë është art. Në cilën do kohë që ndodh, pavarsisht disiplinës, kushdo mësimdhënës që ka të formuar kapacitetin dhe fleksibitetin, e ndihmon disiplinën. Madje përsos edhe komunikimin midis pjesmarrësve. Në fakt praktika e përdorur nga mësuesi im nuk ishte asgjë tjetër, por forma e re që pedagogjia shqiptare do haste pas viteve 90, me nivelet e komunikimit të Blumit (Benjamin Bloom), profesorit nga Filadelfia e Shteteve të Bashkuara . Që domethënë, auditori nuk ishte vetëm dëgjues, pasi logjika e kohës e shikonte mësuesin si transmetues. Dhe auditori duhet të merrte sa më shumë të mundej. Por bashkëbisedues, në mënyrë që të rritej efektiviti i mësidhënies, ku prioritet është lënda.
2. Vite më vonë unë do punoja vet si mësues. Një ditë ndërsa ndëshkova një nxënës me notë negative u kujtova për rastin në fjalë. Tek dera e klasës qëndronte ish mësuesi im. Qortues sigurisht. Veç kësaj here si vegim. Ai edhe më përpara kishte ardhur tek unë. Ndaj që të nesërmen ndryshova stilin, iu përshtata kmunikimit dhe patëm të tjera rezultate.
3. Në Shqipëri ne jemi të parët për, unë do ta quaja imitim, e bum’ideve. Jo përvetësimin dhe praktikimin e Blumit të vërtetë, në konteks me kohën. Dhe kjo bëhet më bajate kur i përvetësojmë teorikisht, i shpallim si trofe, ndërsa e lëmë mënjanë infrastrukturën. Që domethnë Blumi na duhet vetëm teorikisht dhe jo me terrenin e aktualitetit të tij. Më konkretisht që të flasim për një arsim bashkëkohor, siç pretendojnë qeveritarët. Duhet një platformë e tillë. Ndaj i jap të drejtë Blushit, i cili sentimentalizmin e ministres, që evokon një film amerikan, me revoltën e një grupi nxënësish për të mbrojtur mësuesin e liruar nga detyra etj…, e quan një mungesë idesh. Unë do të shtoja, jo mungesë idesh, apo njohurish. Por mungesë vullneti për reformën e vërtetë. Dhe këto metoda kallpe bëhen më të pështira kur krahasohen me Amerikën. Unë nuk mund të flas për gjithë Amerikën. Të paktën në shtetin e Floridës, ku edhe jetoj. Mësuesit merren në punë nga drejtori, apo principali siç edhe i thonë këtu. Përmes një panairi prurjesh, intervistash etj…, me një komision. Kështu që, nxënësit kanë një arsye më shumë për të qënë të bashkuar. Për t’i dhënë kuptim revoltës së tyre. Dhe puna e këtij mësuesi rezulton e dobishme në fund të vitit, kur nxënësit ballafaqohem me komisionin shtetëror. Jo komision nga mësuesit e shkollës. Por komisioni i padukshëm që përfaqësohet nga kompjuteri. Ne akoma zonja ministre kemi komision njerëzish, mundësisht me cigare në gojë që hedhin edhe ndonjë batutë, karshi auditorit. Në lidhje me anëtarësimin në parti. Blumi nuk i krijoi nivelet e mësimdhënies në këto kushte arsimore. Por të një tradite të depolitizuar nga entuziazmi i shtetit të njëashmën. Atij socialist, apo atij demokrat.
4. I dashur mësuesi im, atje në qiell. Këto partitë e sotshme nuk e duan pedagogjinë tënde. As të Amerikës. Të shkruaj me keqardhje. Ose e duan sa për entuziazëm. Për të qënë romantikë, në një skuadër që i lavdëron. Që i ndjek me revansh në fushata. Dhe një tjetër që nuk lë gur e kusur pa u sharë deri të vdekurit. Zor se gjen të rinj, të qetë, më vështrim të qetë. Por plot urrejtje, plot dëshira që ta shohin përtokë njëri-tjetrin. Më shumë të politizuar se sa të rinuar. Më shumë të dashuruar me partitë se me vajzat që kanë në krahë. Më shumë me qejfin se si të mundin njëri-tjetrin…, se sa të përsosin. Veten edhe vendin. Ndaj këta duhet të ngrihen të mbrojnë një mësues, të ngrihen në revoltë. Edhe pse ky është një mësues i huaj.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ca fjalë Milaimit, Ilir Levonja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 500
  • 501
  • 502
  • 503
  • 504
  • …
  • 621
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një shoqëri që ndalon së menduari, fati i intelektualëve në një epokë të pushtetit dhe fitimit
  • Green Coast, projekti që po ndryshon “lojën” e investimeve në Rivierën Shqiptare
  • “HALIMI” I PETRO MARKOS, NJË ROMAN ME PESHË HISTORIKE
  • Kujtesa antifashiste në një shkëmbim korespondence
  • SHUHET VATRANI KUJTIM FUNICI, VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI
  • Ditëlindja e Skënderbeut, kujtesë, frymëzim dhe thirrje për bashkim
  • Lavdi luftës çlirimtare dhe respekt për çlirimtarët e kombit!
  • Kujtojmë në ditën e lindjes shkrimtarin Vath Koreshi, një zë origjinal i letërsisë dhe kinemasë shqiptare
  • PROF. DR. JUSUF ZEJNELI – REKTOR ME VIZION NDËRKOMBËTAR DHE ARKITEKT I MODERNIZIMIT TË AKADEMISË SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT
  • Përtej së mirës dhe së keqes: Morali si strategji e vetëmbrojtjes
  • “Kosova në NATO, kështjellë e interesave të ShBA në rajon”!
  • PA AMERIKË NUK KA KOSOVË
  • MEMORIALI I “VATRES” DREJTUAR PRESIDENTIT, WILSON DHE ‘ÇËSHTJA E ADRIATIKUT”
  • Ndarja në vilajete e territoreve shqiptare si përpjekje e osmanëve për të penguar vetëdijen e përbashkët kombëtare të shqiptarëve
  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT