• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Prof. LUAN GASHI-NJË JETË NË SHËRBIM TË KOSOVËS

February 27, 2014 by dgreca

Shkruan: Eugen SHEHU/

  Atdheut i shërbehet me jetë.I shërbehet me pushkë e me pendë.I shërbehet me dëshira të ndezura në gji dhe me shpresa që nuk fiken asnjëherë.I shërbehet ndoshta me të gjitha këto,pa gjetur askurrë prehje.I tillë është prof.Luan Gashi,biri i Kosovës martire,që e shpëtoi emrin e shenjtë të vendlindjes,ç’prej fëmijërie e deri më sot,kur deceniet  janë veç dëshmi e një trimërie pa skaj.

Lindi në qytetin e Elbasanit,në vitin 1922.Baba i tij ,Ahmeti ka qenë ndër figurat e rralla të intelegjencës shqiptare,në fillim të shekullit të 20-të.Ai pat lindur në Prishtinë,ngase familja e tij kish zbritur prej Leskocit,për t’iu shpëtuar barbarizmave sllave.Pasi pat mbaruar shkollën e mesme në Prishtinë,Ahmeti ka shkuar në Stamboll duke përfunduar kualifikimet e larta.Ka qenë një prej studentëve më të shkëlqyer shqiptar.Ka nisur punën si mësues në Prishtinë,për të shkuar në Vlorë në vitin 1912. Ahmet Gashi,pak punon në strukturat e shtetit të parë të shqiptarëve.Me porosi të Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit,shkon në Elbasan,në detyrën e drejtorit të shkollës,shkollë të cilën e pat udhëhequr pak më parë vetë Luigj Gurakuqi.Ai ka mbetur në mendjet e normalistëve shqiptarë,si pedagogu që fliste shtruar,i rreptë në orën e mësimit,por edukator shembullor në çdo pikpamje.Këtë edukatë,natyrisht do ta merrte edhe Luani.

Shkollën fillore dhe ate të mesme Luan Gashi i vazhdon në qytetin e lindjes në Elbasan.Rezulltatet i ka tejet të larta.Në mbrëmje,Ahmeti,anipse dukej i lodhur nga ngarkesat mësimore dhe administrative,gjente kohë t’u fliste djemve Fatonit dhe Luanit,për Kosovën martire,për betejat madhore të saj kundra hordhive serbo-malazeze dhe Portës së Lartë.Por gjente gjithashtu kohë,t’u fliste edhe për bukuritë e mëdha natyrore të krejt viseve shqiptare.Në fillim të viteve 30-të,Ahmet Gashi transferohet në Tiranë në detyrën e drejtorit të Institutit Femëror „Nëna Mbretëreshë“,me ç’rast merr me vete edhe familjen,Tani djemtë e tij,Fatoni dhe Luani janë më të rritur dhe profesori-baba,përpiqet të bisedojë se si  me miqtë vet,ai ka ditur gjithmonë të repsektojë të tjerët dhe nxënësit i ka parë kurdoherë me syrin se sa do të mund t’i shërbenin nesër atdheut të tyre.Me po këtë këndvështrim shihte kurdoherë edhe e bija e vet.Në vitin 1937, Luan Gashi nis mësimet në Gjimnazin e Tiranës.Duhet thënë se gjimnazi i asaj kohe në Tiranë,ishte jo vetëm vatër e dijeve por edhe e shqiptarizmës.Drejtori i këtij gjimnazi,atdhetari i shquar Safet Butka,kurdoherë ka qenë përpjekur që nxënësit e tij,përpara se të ishin të dalluar në dije,vlente të ishin të parët,që të sakrifikonin kur thërriste zëri i atdheut.Luan Gashi,që në vitin e parë të gjimnazit,dëftehet si djalë më vullnet të çeliktë dhe intelegjencë të spikatur.Ngase i jati,Ahmeti,kishte miqësi të veçantë me profesorin e gjimnazit Eqrem Cabej,Luani merr aty mësimin e gjuhës Gjermane.Por së toku me gjermanishten,shkencëtari Eqrem Cabej transmeton tek nxënësit e tij etnogjenezën e ilirëve, paraardhësve tanë.Me dokumenta e fakte historike,mësuesi i gjermanishtes i spjegon sidomos marëdhëniet e lashta me sllavët,të mbushura me mllefe ballkanike.Ndërsa në vitin 1940, Luan Gashi ndonëse gjimnazistë,përqafon idetë nacionaliste të cilat parashihnin pos të tjerave,bashkimin e trojeve shqiptare të coptuara padrejtësisht në Londrën e vitit 1913.Tashmë ai është bërë mik i madh i librarisë „Lumo Skendo“ madje është në grupin mësimor të të rinjëve nacionalist të Tiranës.Për më tej,këta të rinj kishin filluar të debatonin edhe me „profesorët“ komunist.Kështu,vite më vonë,për këto debate,Luan Gashi do të kujtonte :

„Më 13 mars 1940, në kafe „Kursal“ kishim shkuar nga 10-15 studentë të pinin nga një gotë birrë,ashtu fshehtaz,sepse ishin tepër të rinj.Aty erdhi Enver Hoxha i cili ate kohë kishte mbetur pa punë dhe shiste duhan në një qoshe,tek Pusi i Zlizit.Talat Karagjozi që e kishte të afërt i tha Enverit ;More profesor,sikur të merreni vesh me anglezët,t’u biem italianëve nga të dy anët dhe të çlirohet njëherësh Shqipëria dhe Greqia,të bëjmë një Vlorë të dytë ? Enver Hoxha iu përgjigj :Lere more,mos u merrni ju me ato punë.S’i kuptoni juve ato gjëra.Nuk e shihni ju se kjo që bën Italia është një luftë e  drejt,sepse lufton kapitalizmin ndërkombëtar ?“.(Luan Gashi , Dëshmi , autentike e Historisë Shqiptare,“Zëri“6 mars 1993 ).

Anipse gjimnazist,Luan Gashi tashmë i pjekur dhe nacionalsit me vizion të gjërë,vazhdon të punojë për shtimin e radhëve të rinisë të cilët nuk mund të duronin as zgjedhën e huaj por as komunizmin që disa mjeranë shqiptarë po e importonin  prej Moske.Ndonëse mjaft gjëra ata nuk i kuptonin si duhet,ndofta nuk mund të parashihnin ngjarjet e trazuara në Evropë e Ballkan ,studentët tiranas të asaj kohe,së paku e kan patur kuptuar një gjë : se ata duhej të ecnin nga hidhte këmbët idhulli i tyre Mid’hat Frashëri.Po në revistën „Zëri“ më 6 mars 1993,Luan Gashi kumton ; „Unë bëja pjesë në rininë e Ballit Kombëtar.Ne ishim një grup studentësh që i shërbenim direkt Mid’hat Frashërit.E siguronim, e fshihnim dhe e shpinim nga një vend në tjetrin.Sa e sa herë kam kaluar lumenjtë duke e bartur në shpinë Mid’hat Frashërin“.Këtij apostulli të shqiptarizmës , Luan Gashi do t’i detyrohej deri në fund,ngase mori prej pjekurisë dhe gjakftohëtissë së tij,aftësinë për t’i përceptuar realisht ngjarjet,pa emocionet e çastit.

Luan Gashi,në krye të rinisë nacionaliste merr pjesë edhe në kuvendin e Mukjes.Ai,do të njihej me përpjekjet e Frashërit,Orollogait,Dostit,Andonit e të tjerëve për të futur në proklamatë idenë e luftës së çlirimit të Kosovës nga pushtuesit.Dhe natyrisht që do të ligështohej kur përfaqsuesit e Partisë Komuniste kundërshtonin.Por e vërteta është se proklamata u firmos,me ç’rast forcat politike shqiptare e shihnin Kosovën si problem parësor kombëtar.Gëzimi i Luan Gashit nuk kish të sosur.Ai bir i denjë i Kosovës martire,parashihte të realizuar ëndrrën e mijëra kosovarëve për t’iu bashkuar shtetit amë përfundimisht,si edhe ëndrrën madhore të babës së vet Ahmetit.Por krejt ndryshe i patën bërë planet,komunistët e Tiranës.Dihet se këta i mblodhi,organizoi,madje i vendosi në poste komunizmi ortodoks sllav,nëpërmjet të dërguarve të tij Dushan Mugosha e Milladin Popoviq.Ata kurrsesi nuk mund të pajtoheshin me çka u arrit në Mukje ngase i trembeshin fatit të Kosovës,me ç’rast mund t’iu shpëtonte nga duart e tyre të përgjakura.Lidhur me Mukjen,komunsitët mëndej pas tradhëtisë dhe vëllavrasjes e patën kuptuar se kishin rënë prlotësisht në kthetrat e Serbosllavëve. Kështu vetë diktatori komunist,Enver Hoxha,në plenumin e Beratit në vitin 1944 ka pohuar me gojën e tij ; „Ne zgjodhëm rrugën më të gabuar.Nga oportunizmi i parë u hodhëm në një sektarizëm të egzagjeruar,nga një qëndrim luajal,u hodhëm në një qëndrim të ashpër,ne u hodhëm në luftë me Ballin… Labinoti ishte mbledhaj karakteristike që tregonte panikun tonë përpara situatës së krijuar dhe njëkohësisht mospërfilljen as të Ballit,as të popullit,i cili ishte vënë në korent të vendimeve që ishin marrë në Mukje dhe priste me padurim rezulltatet“.(A.Q.Sh. –Tiranë,Fondi 14,dos.2/9,fl 7).

Nga tetori 1943 e më pas Luan Gashi,nisi të jetojë në kushte ilegale.Më pas në marsin e vitit 1944,kur mjaftë mësues nga shteti amë kishin ardhur të përhapin arësimin shqip në viset e Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare,ai shkon në Prishtinë.Në ate kohë,drejtor i gjimanzit të Prishtinës „Sami Frashëri“ ishte profesor Ahmet Gashi i cili me dashuri e priti birin e vet.Por në detyrën e kujdestarit të këtij gjimanzi,Luani do të forconte lidhjet sidomos me profesor Vasil Andonin,Adem Gallavicën, Ymer Brishën dhe Haki Tahën.Ndërkaq ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore po ridhnin me shpejtësi të madhe dhe komunizmi sllavo ortodoks po vendoste shtylla të hekurtë në Ballkan.Një re e zezë, si murtajë po pllakoste trevat shqiptare të cilat ishin futur paradoksalisht në rrjedhat më të rrezikshme ç’ka përgaditej sërish coptimi i Shqipërisë.Disa muaj të qëndrimit të Luan Gashit në gjimnazin „Sami Frashëri“,se si ai mundi të grumbollojë rreth vehtes dhjetra nxënës me bindje nacionalsite,të cilët më pas udhëhoqën çetat e nacionaliste shqiptare.Por edhe vetë Luan Gashi,nuk mundi të rrinte duarkryq,përballë halleve që kalonte Shqipëria.Në krye të disa qindra bijëve të Kosovës,ai për disa ditë me radhë luftoi në pikat më nevrallgjike të konflikteve etnike shqiptaro-bullgare,vetë Luani, kujton ; „Në shtatorin e vitit 1944,ne kemi luftuar ushtrinë bullgare në Gjilan,në Preshevë dhe në Prapashticë,ku edhe i rrënuam dhe i mundëm,duke iu dalë befas.Kam dalë me 800 vetë në Prapashticë ku kishte një divizion bullgar.Ata nuk dinin se po dilnim ne.Me mua ka qenë Abdyl Henci,Adem Selimi,Ibrahim Kelmendi,Ymer Berisha.Me një të rënë,i dualëm,dhe ata ikën“. (Luan Gashi,Dëshmi autentike  e historisë shqiptare „ Zëri“ 20 mars 1993 ).

Më pas,Luan Gashin,Ymer Berishën,Abdyl Hencin dhe Adem Selimin,do t’i shohim në Drenicë,me ç’rast i vijnë në ndihmë Shaban Polluzhës.Në drejtim të Drenicës,Shabani pat zbuluar se ishte kryer një plan i fshehtë i cili donte të rrënonte krejt këtë kështjellë të antikomunizmit të Kosovës.Ata ndërrmarin aty veprime të përbashkëta luftarake dhe pas dy javësh luftime të rrepta,në tetorin e vitit 1944,nacionalçlirimtarët shqiptarë e serb,tërhiqen duke rikthyer në masakrën e madhe 3-4 muaj më pas.Në verën e vitit 1944,ngase komunistët e paktë të Kosovës po shihnin reputacionin e madh tek Luan Gashi,i përgaditin atij një kurth,duke e denoncuar në GESTAPO-n gjermane si komunist.Ata e  dinin se me të dëgjuar emrin komunist,gjermanët vërsuleshin menjëherë pa pritur gjykime e fakte.Në qeli,ate e mori në pyetje njëri prej kolonelëve gjerman,me anë të një përkthyesi shqiptar. Pyetjeve të para,Luani ju përgjigj qetësisht por kur pa se përkthyesi shqiptar po shtrembëronte qëllimisht përgjigjet,atëherë iu kthye kolonelit gjerman në gjuhën gjermane,se mund të bisedonin vetëm.Koloneli esesit,u çudit nga gjermanishtja e bukur e Luanit dhe e pyeti se ku e kishte mësuar ate.Ky i foli për gjimnazin në Tiranë dhë mësuesin Eqrem Cabejn.Koloneli gjerman, me ç’rast pat dëgjuar për Cabejn i shprehet „veç një nxënës i Cabejt s’mundet me kenë komunist !“.Pas edhe disa verifikimeve të tjera gjermanët e lirojnë Luanin nga burgu.Firmën dhe trimërinë e Luan Gashit,mban edhe çelja e burgut të Prishtinës ku gjermanët patën mbyllur bijtë e Kosovës martire si nacionalistë ashtu edhe komunistë.Shumicën e këtyre të burgosurve gjermanët i patën çuar në kampin famkeq të Dahaut e tashmë,këta që patën mbetur donin t’i pushkatonin.Pikërisht mëngjezin që u hapën gropat kolektive brenda burgut,një xhandarm shqiptar njoftoi guerilët të cilët vrapuan tek Luan Gashi.Ky së bashku me Shefqet Shkupin dhe Adem Selimin (Gllavica) në krye të 300 burrave kryen aksionin kundër garnizonit gjerman,efektivi i të cilit nuk bëri ndonjë rezistencë të madhe.Të burgosurit,shumë syresh miq të Luan Gashit përqafuan plot mall vllaun e tyre.E vërteta është se Luani kish bërë gati për këta të burgosur të drobitur edhe konviktin e shkollës Normale të Prishtinës ku kishte rezervuar veshje dhe ushqime për disa ditë.Po në vjeshtën e vitit 1944,guerillët nacionalsitë të udhëhequra prej Luan Gashit dhe Abdyl Hencit,kryejnë aksionin e marrjes së armatimit dhe municionit gjerman që ndodhej në Fushë-Kosovë.Rreth 200 vagone me materiale luftarake,ishin të destinuar të hidheshin në erë prej gjermanëve,meqë rrezikonin të binin në duar të ushtrisë së kuqe bollshevike.Luan Gashi me ndihmën e disa miqve bënë një takim me komandën ushtarake gjermane të vendit duke iu spjeguar atyre se krejt ky municion do t’u duhej nacionalistëve shqiptarë që nuk kishin asgjë të përbashkët me komunizmin,përkundër,ishin në luftë të papajtueshme me ta.Gjermanët pas disa bisedave,dërguan oficerët e tyre i hoqën minat prej vagonëve duke i dorëzuar nacionalistëve një material luftarak shumë të madh.E vërteta është se në këto armatime luftoi plot 4 muaj Shaban Polluzha në krye të 200 burrave.Për më tej,këtu u furnizuan me armatime,municione dhe veshmbathje edhe çetat e Xhem Gostivarit,Mefailit të Madh dhe Mulla Idriz Gjilani,Sylë Hotlla etj,me ç’rast shkruan epopenë e lavdishme antikomuniste të Maqedonisë shqiptare.I bindur se krahas luftës me armë në dorë kundër çetnikëve serbosllav,bullgarëve e sllavomaqedonas,duhej gërshetuar me një propagnadë konkrete,gjatë kësaj kohe Luan Gashi dhe Ibrahim Kelmendi organizojnë marrjen e Radio – Shkupit dhe fillojnë aty emitimin e emisioneve në gjuhën shqipe.Për rreth 3 muaj,deri në ndërhyrjen e nacionalçlirimtarëvë komunist sllavo-shqiptar,Radio-Shkupi i drejtuar prej këtyre dy burrave nacionalsit,jo vetëm që foli në gjuhën shqipe,por u kumtoi krejt banorëve të Maqedonisë shqiptare,të ngriheshin në këmbë për të fituar të drejtat elementare njerzore të tyre drejt bashkimit me shtetin amë. Përkitazi me tërë këto veprimtari,Luan Gashi në bashkëpunim të ngushtë me atdhetarët e tjerë të Kosovës formojnë Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare,me urdhër të Mid’hat Farshërit. Për këtë flasin shumë dokumenta burimore.Po citojmë vetëm njërin :„Themelues i kësaj organizate ishin :Profesor Ymer Berisha,ideolog i lëvizjes për ruajtjen e tërësisë etnike shqiptare dhe inicues për formimin e organizatës ilegale në Kosovë e Maqedoni,pastaj profesorët e gjimanzit „Sami Frashëri“ në Prishtinë,Luan Gashi,Hajdar Maloku – Pllana,Gjon Sereqi,agronomi Adem Selimi,gjykatësi Limon Staneci,që të dy kryeshefa të rretheve…“( S.Basha „Lëvizja Ilegale Patriotike Shqiptare në Kosovë 1945-1947“ faqe 38 ).

Organizata në fjalë,lindi si die e një kundërvënie që i duhej bërë komunizmit i cili po zaptonte krejt trevat shqiptare.Programi i saj ishte tejet i qartë dhe vlen të thuhet se në këtë program ishte edhe mendja e guximi i Luan Gashit.Për më tej,ai ka qenë ndër hartuesit e thirrjes së Komunitetit të Rinisë së shkollave në Kosovë e cila kërkonte prej krejt shqiptarëve,të shtërgonin radhët e ONDSH-ës,ngase vetëm kjo do të mund t’i mbronte të drejtat e popullit shqiptar që në mënyrë të pashmangshme po shkonte drejt kthetrave serbosllavomaqedonase.Organizator i talentuar,por edhe konspirator i mrrekullueshëm,Luan Gashi do të dinte të vepronte më së miri në radhët e udhëheqjes së ONDSH-ës si për shtimin e radhëve të saj,ashtu edhe për organizimin e aksioneve të ndryshëm.Gjatë vitit 1945-1946,vepron ilegalisht ngase OZNA ka rënë në gjurmë të veprimtarisë së tij dhe ndjek ate këmba – këmbës. Për dy – tri muaj,Luan Gashi shkon në Itali ku mban lidhje të vazhdueshme me nacionalsitët që patën shkuar aty si Mid’hat Farshëri,Vasil Andoni,Hasan Dosti etj

Energjitë djaloshare,vizioni largpamës i një nacionalisti veprues,i shfrytëzon për të mbajtur lidhje të vazhdueshme e për të vepruar aktivisht në radhët e ONDSH-ësë.Në pranverën e vitit 1946 e shohim sërish në Kosovë.Është ndër organizatorët e guerilës shqiptare në viset e Kukësit dhe Gjakovës, mandej duke shfrytëzuar artin e konspiratorit vazhdon të mbledhë rreth vehtes,të tjerë gueril duke i armatosur në shërbim të ideve nacionaliste.Ngase OZNA pat rënë në gjurmë të ONDSH-ës,ngase udhëheqësit e saj po gjendeshin çdo ditë përballë pritave vdekjeprurëse,në pranverën e vitit 1946,mbahet në Maqedoninë shqiptare kongresi i IV-të i ONDSH-ës ( ngase dy të parat u quajtën ata të Ballit Kombëtar). „Nga ky kongres doli një udhëheqje e re e ONDSH-ës. Kryetar u zgjodh Halim Orana,Qemajl Skenderi u zgjodh zëvendës kryetar dhe Azem Morana,sekretar organizativ… Kongresin e përshëndeti edhe Luan Gashi që enkas kishte ardhur nga Perugja e Italisë dhe njëherit ishte sekretar i komitetit të Ballit Kombëtar“. ( Dr.S.Basha , „Lëvizja ilegale shqiptare në Kosovë 1945 – 1947 „, faqe 74 ).

Me udhëheqësit e rinj të ONDSH,Luan Gashi do të ndante jo vetëm detyrat por edhe hallet e brengat.Treva e Maqedonisë shqiptare,çdo ditë e më shumë do t’i nënshtrohej dhunës,organizimit serbosllavomaqedonas të pushtetit,me ç’rast do të humbiste të drejtat më elementare të një kombi të qytetëruar.Luan Gashi,në Shkup,Tetovë,Gostivar e Strugë,u përpoq së bashku me Halim Oranën dhe Azem Moranën,të ngrinte lart moralin e popullit.Për më tej,ky bir i Kosovës u përpoq sa mundi edhe për organizimin e guerilëve nacionalistë në këto treva të cilat ishin tulatur pas vrasjes së Xhem Gostivarit.Veprimtaria e thellë e tij nacionale,bëri që ndjekjet prej OZNËS të shtohen nga dita në ditë.Në arretsimet e Azem Moranës dhe të Halim Oranës,veçmas vazhdojnë pyetjet për Luan Gashin.Ndonëse të dy këta burra nuk flasin asgjë,tashmë OZNA ka në duar shumë dokumente që vërteteojnë se Luan Gashi është ndër udhëheqësit kryesor të ONDSH-ës e për më tej ai mban lidhje të vazhdueshme me liderët dhe ideologët e Ballit Kombëtar.Për të gjitha këto,dënohet me vdekje në mungesë si prej gjyqit të Prishtinës ashtu edhe atij ushtarak të Shkupit.Në fund të vitit 1946,së bashku me dhjetra nacionalsitë të tjerë,Luan Gashi u drejtohet kufijve grek.Ata patën marrë porosi nga Mid’hat Frashëri e Muharrem Bajraktari,të hidhen në Greqi për t’u riorganizuar e për t’i shpëtuar vdekjes së sigurtë në male,ku për të kapur rreth 200 nacionalistë ishin vënë në ndjekje mijëra ushtarë e oficerë të formacioneve të rregullta serbo-sllavo-maqedonase natyrisht të ndihmuar edhe nga shërbetorët e tyre shqipfolës.Nga 200 vetë që u nisën për të kaluar kufirin grek,vetëm 30-40 mundën të realizonin qëllimin.Të tjerët metën në pritat e„nacionalçlirimtarëve“serboallave dhe atyre  shqiptare,duke vaditur tokën arbërore me gjakun e tyre të pafajshëm.

Pothuaj dy vjet,Luan Gashi i kalon nëpër kampet e punës në Greqi.Shpresa e tij tashmë është thyer.Në Shqipëri ka lënë prindërit të cilët përndiqen,ngase djemtë e tyre Fatoni e Luani janë „ballistë“.Bashkëvuajtësi dhe burri tjetër i nacionalizmit të Kosovës,ndër miqtë e çmaur të Luanit,Adem Gllavica kujton ; „Në vitin 1948, IRO (Internacional Refuges Organization) i rregjistroi të gjithë shqiptarët dhe i transportoi për në Itali.Neve si intelektual,si oficerë dhe nënpunës të lartë në Shqipëri,na mbajti qeveria greke… Por ne s’donim të jetonim si parazitë,ndaj gjetëm punë.Unë e Luan Gashi,gjetëm punë në një lavazh amerikan“.(A.Gllavica, kujtime nga Kosova , „Rilindja“ 12 dhjetor 1995 ).

  Mbas shumë peripecis,Luan Gashi emigron në Evropë e prej andej shkon në Amerikë.Gjatë qëndrimit në Greqi dhe në Evropë,ky burrë i shquar  jo vetëm mësoi disa gjuhë të huaja por mbaroi disa kualifikime duke jetuar me moton se librat nuk duhen harruar askurrë.Në fillim,detyrohet të bëjë punë të rënda edhe në Amerikë e mandej i kushtohet tërësisht veprimtarisë intelektuale.Në fillim të viteve 60-ta,Luan Gashi së toku me Jusuf Azemin,Ajet Rushitin  etj,formojnë organizatën „Lidhja Kosovare“ me ç’rast Luani zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj.Për vite e vite më radhë,kjo organizatë është përpjekur të bëjë sa më shumë të njohur problemin kosovar në opinjonin publik amerikan.Janë me qindra takimet që Luan Gashi ka bërë me personalitetet e larta të administratës amerikane për të sensibilizuar ata lidhur me tragjedinë kosovare.Në shtypin e shqiptarëve të Amerikës,diku në festimin që i ishte bërë datës simbol të 28 Nëndorit , lexojmë ; „Kryetari i mbledhjes,paraqiti pastaj zotin Luan Gashin,folësin e ditës.Zoti Gashi është Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes Kosovare dhe një nga të rinjtë intelektual të mërgimit.Zoti Gashi i mallëngjeu të gjithë në fjalimin e tij të goditur që u  mbajti në gjuhën anglishte.Fjala e tij u pre nga duartrokitjet e gjata“.( Gazeta „Flamuri „ më 28 Nëndor 1962 ).

Intelektual me horizont,Luan Gashi do të jetonte kurdoherë me shpëtimin e vazhdueshëm të kombit të vet.Por ndërsa në shtetin amë,sundonte egrësira komuniste,këtej kufirit hermetik shqiptarët jetonin terrorin e vazhdueshëm serbosllav.Në nëndorin e vitit 1968,në Tetovë e Gostivar me rrethina u shkëndijua një revoltë tejet e madhe për liritë themelore,por ajo u shtyp me masa dragoniane,si aty edhe në Shkup e Prishtinë.Luan Gashi,ka mbajtur lidhje të vazhdueshme me këtë revoltë dhe në verën e vitit 1969,kur me dhjetra organizatorë të saj u dënuan me burgime të rënda,ai bëhet inicues i një mitingu të madh në Cikago ku marin pjesë mijëra vetë. Zëri i fuqishëm i Luan Gashit,në këtë miting proteste,pos të tjerave do të kumtonte ; „Mbas largimit të Rankoviqit dhe të veglave të tija,terrori policuer kundrejt shqiptarvet u qetsua disi,por nuk u qetsuan provokimet e Serbo-Malazezëve dhe Sllavoqedonasvet.Sepse ishin këta vetë simbas dëshmisë së shumë gazetarëve të huej që i provokuen manifestimet e rinisë shqiptare në Prishtinë e në Tetovë,më 27 nanduer dhe 23 Dhjetuer 1968,për me nxitë ndjekjet policore kundrejt kësaj popullsie.Tue marrë si shkak disa manifetsime të thjeshta,gjyqet e Prishtinës dhe të Shkupit kanë denue me burgim të randë qi shkon deri me shtatë vjet 36 shqiptarë,të zgjedhun midis qindrave t’arrestuem.Kjo masë dragoniane kunder menifestimesh të thjeshta,në nji shtet t’shtuquajtun socialist e demokratik,asht edhe më pak e justifiukueshme kur dijmë se asnji masë e tillë nuk muer kundrejt studentëve serb qi kishin ba demostrata në Belgrad e gjetiu disa muaj ma parë.Kjo provon në mënyrë të pakundërshtueshme dallimin anmiqsues që iu bahet vazhdimisht shqiptarvet nën Jugosllavi „. ( Gazeta „Flamuri“ nr.169-172, 28 gusht 1969 ).

  Edhe vitet që rodhën më pas,ai do të mbetet një luftëtar i palodhur i kauzës së popullit të rrobëruar.Krejt veprimtaria e Lidhjes Kosovare dhe ajo e Ballit Kombëtar,do të shihet e kuptohet kurdoherë realisht,përmes punës vetmohuese të Luan Gashit.Ai ndikoi vrullshëm në proceset demokratike në Shqipëri dhe në Rimëkëmbjen e forcimin dhe vetë organizatës më të vjetër nacionalsite Ballit Kombëtar,duke mbledhur rreth vehtes nacionalistë të gjenereatve të reja,duke iu ndarë detyra dhe duke i mbështetur ata në kryerjen  e detyrave gjatë viteve 1989 – 1994.I lodhur nga lutërat,brengat,mallëngjimi,krenaria dhe dëshprimi,vitet e fundit do ti kalonte në një skaj dhome në spital atje larg atdheut,për të mbyllur jetën më 10 qershor të vitit 2005,dhe ende sot brenda varrit të atij burri gjallon shpresa për rilindjen e Shqipërisë Etnike.

Bern-Zvicër

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Luan Gashi, ne sherbim te Kosoves, nje jete

Shqipja e filloi fluturimin e saj me dhimbje…

February 27, 2014 by dgreca

Pavarësia e Shqipërisë dhe trojeve shqiptare/

/Prof. Gjon Frani Ivezaj/

 … Shqipja e filloi fluturimin e saj me dhimbje, por e vendosur të valvitet krenare në të gjithë trojet etnike shqiptare nga Veriu ne Jug, nga Kosova deri në Camëri, në Mal te Zi dhe Maqedoni. Ne sot, përkujtuam me një meshe solemne të udhehequr nga fort I Perndershmi Dom Pjetër Popaj, të gjithë deshmorët e flijuar ndër shekuj, të cilët, luftuan dhe derdhen shumë gjak, që Flamuri, të valëvit i lirë në të gjithë trojet arberore, që shteti shqiptar të vazhdonte me dinjitetin iliro-arberor, duke qenë në themelet e historisë së tij.

Historia e Flamurit është e lashtë, sa vetë historia e kombit tonë. Simboli i Shqiponjës, në fushën e kuqe të Flamurit, fillon me kohën e vjetër para Krishtit, vijon me Mesjetë dhe vjen deri në kohët e reja moderne…Lëvizjet apo kryengritjet e vijueshme heroike të shqiptarve, që i paraprinë Pavarsisë, kundër sundimtarëve 5 shekullor të Perandorisë Osmane, kishin vullnetin e pamohueshëm të popullit, në periudha historike kombtare. Të tilla ishin: Epoka e lavdishme e Gjergj Kastriotit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Lidhja e Pejës, Kongresi i Manastirit, e sidomos kryengritjet e vazhdushme kundërosmane të viteve 1910 dhe 1911, Kryengritja e Malësisë së Madhe më 6 Prill 1911, të cilat, pasuan me kryengritjen e përgjishme të vitit 1912, e cila përfshiu mbarë hapsirën popullore, për liri dhe pavarsi kombëtare.

Fiset e Malësisë, iu bashkuan menjëherë lëvizjeve përparimtare liridashëse të trojeve shqiptare nga pushtimi i gjatë otoman. Ata kërkonin Autonomi të plotë dhe për më shumë ishin të avancuar në ide dhe kërkesa për pavarësinë e plotë të Shqipërisë, vecanërisht të vilajeteve ku jetonin shqiptarët.

Trimi legjendar Heroi Kombëtar Gjergj Gjon Kastrioti, kishte për qëllim unifikimin e të gjitha forcave, për të cliruar krahinat e tjera të Shqipërisë.
Për këtë arsye Kryetrimi, ftoi trimat dhe bujarët shqiptarë, në një kuvend të përgjithshëm, që u mbajt më 2 Mars 1444 në Lezhë, ku, morën pjesë: Gjergj Kastrioti, Gjergj Arianiti, Andrea Topia, Nikollë Dukagjini, Teodor Muzaka etj.

Rrjedha e ngjarjeve, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, solli mjerisht pushtimin e trojeve nga otomanët, ku, pësoi tragjedi të mëdha në trojet e Arbërit.

Në vitin 1877-1878, sërisht themelohet Lidhja e Prizrenit. Ajo zyrtarisht filloi me tubimin e 300 përfaqsuesve të krahinave, në kuvendin shqiptarë të mbajtur në Prizren më 10 qershor 1878. Qëllimi i tubimit, ishte formimi i një shteti autonom shqiptar në ombrellën turke, që do të mbulonte vilajetet osmane të Prizren, Manastirit, Shkodrës e Janinës.

Lidhja, ishte lëvizja e parë e madhe e organizuar politikisht, adminstrativisht dhe ushtarakisht, për të krijuar një rajon të bashkuar shqiptar. Megjithatë, shqiptarët, nuk ndaleshin për të gjetë rrugë e forma të tjera, për t’u çliruar nga anmiqtë otomanë, që shkatërronin çdo gjë kudo në trojet tona.

Lidhjes së Prizrenit, i duheshin organizim konkret dhe veprime të shpejta, pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, për dorëzimin e tokave shqiptare, vendeve fqinje, forcat turke largoheshin nga pozicionet të cilat duhej t’i zinin forcat e Lidhjes të degës së Shkodrës, para se t’i pushtonte ushtria malaziase, duke u përballë shpesh me ushtritë pushtuese.

Në fund të shek. XIX, patriotët shqiptarë, filluan përgatitjet për krijimin e një organizate të re, për t’u bërë ballë rreziqeve në vjeshtën e vitit 1896. Takimi i parë, u mbajt më 1897 në Gjakovë, kur u krijua Besëlidhja Shqiptare. Në nëntor u mbajt takimi tjetër në Pejë, ku, morën pjesë 500 vetë, ku, Perandoria Otomane ndërhyri dhe shpërndau Besëlidhjen.

Më 23 janar 1899, nën kërcënime të reja për tokat shqiptare në Pejë, u mblodh kuvendi me 500 pjesëmarrës nga vilajetet e Kosovës, Manastirit dhe Janinës. Lidhja e Pejës, u quajt ndryshe Besa-Besë. Kuvendi u organizua, drejtua dhe zgjodhi kryetar Haxhi Zekën. Ai doli me një program 11 pikësh, i cili, kundërshtonte përpjekjet për të copëtuar tokat shqiptare, por që nuk kërkonte autonomi. U shpall edhe Besa për një vit.
Pas suksesit, në përhapjen e programit në Kosovë e Shqipërinë Veriore e të Mesme, në përgatitje të një kuvendi mbarëkombëtar, që do t’a aprovonte programin e Lidhjes, Sulltani i Perandorisë Otomane reagoi, duke përdorur edhe trathtarët shqiptarë.

Më 1899, përpjekjet për mbajtjen e Kuvendit të Prizrenit u penguan. Kjo solli kryengritjen e armatosur të vitit 1900, kur u erdhën forca të tjera otomane, që shkatërruan Lidhjen e Pejës.

Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911 dhe Kuvendi i Memorandumit të Greces, më 10-13 qershor të vitit 1911, janë të formuar nga Komiteti Qendror i Podoricës, prej patriotëve dhe trimave malësorë. Kryetari i Komitetit në fjalë ishte Sokol Baci (Ivezaj), kurse Sekretari i Komitetit ishte djali i tij Kolë Sokoli Ivezaj, doctor i shkencave juridike dhe albamologjisë. Pjesëtarë të tjerë të Komitetit ishin: heroi kombëtar Dedë Gjon Luli, Nikë Gjelosh Luli, Tomë Zoli me vëllain Lekën, Gjon Nikë Plluci, Gjekë Marash Gjeloshi, Kolë Marash Vata, Luc Muc Elezi, Mehmet Shpendi etj.

Kryengritja e Malsisë së Madhe e vitit 1911, është padyshim kurorëzimi i lavdisë shembullore të luftërave heroikë malësorë, duke qenë kësisoj beteja më e vendosur kundërosmane, për Pavarësinë e mëvonshme të Shqipërisë.

Më 23 mars 1911, u hartua dhe publiku një thirrje drejtuar popullit të Shkodrës, e nëshkruar nga patriotët e flaktë, si: Isa Boletini, Mehmet Shpendi dhe Ndue Gjoni, ku, thuhej, se: “Ka ardh koha të lirohemi nga pushtimi osman.”

Më 24 mars, Malësia dhe malësorët e dëgjuan thirrjen për kryengritje, për liri e pavarësi, pse ishin përfaqësuar në mbledhjen historike të ‘Lidhjes së Prizrenit’ (1878), përmes patriotëve të kombit: Dedë Gjon Luli, Smajl Martini, Çun Muça, Baca Kurti etj.

Malësorët sypatremur si fatosa të lirisë, të Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit, Shkrelit, Trieshit e Kojës, me në krye trimat: Dedë Gjon Lulin, Sokol Bacin, Nikë Zekën, Prek Calin, Tomë Nikën, Nikë Lekën, Gjelosh Gjokën, Pretash Zekën, Palok Traboini etj., ishin pushkë e gatshme e mbushur me barut, për trojet etnike shqiptare.

Ushtria turke, përballë situatës së padishirueshme, i plotëfuqishmi Valiu i Shkodrës Bedri Pasha, duke parë humbjet, urdhëoi Kajmekamin e Tuzit, nen/Kolonelin Ahmet Beun, që të riorganizoj forcat, për të mbrojtur kështjellën me rëndësi strategjike të Shipshanikut.

Sukseset e kryengritsve malësor, e detyruan dinakun Bedri Pasha, të përdor propagandën e përçarjes fetare. Në qytetin e Shkodrës, ai e shpalli kryengritjen e malësorëve si luftë fetare: “katolikët kundër myslimanve“, e u bëri thirrje popullsisë myslimane, të bashkohet dhe nisej në luftë për të mbrojtur Perandorinë Islame në rrezik.

6 Prilli 1911, është kryengritja më e përgjakshme e malësorëve trima, që ngritën Flamurin Kuq e Zi, në Istikamin e Deciqit, mbas 500 vjet gjak dhe robërie me malësorët trima.

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë Etnike, më 28 Nëntor 1912, përbën një akt madhshtor, në mbarë historinë e popullit, që përbën një fryt të mbarë luftërave shekullore, për të mbrojt tërësinë territoriale dhe formuar shtetin e madh etnik shqiptar.

Populli shqiptar në Ditën e Pavarësisë, arriti të krijoj të drejtën e tij të pamohueshme, për të pasur liri të plotë dhe sovranitet politik në të gjitha trojet e veta etnike, si të gjithë kombet e civilizuar në mbarë hapsirën e botës.

Krijimi i shtetit shqiptar, zhvillon një ardhmëni të përgjithshme, duke ngrit forcën e zhvillimit ekonomik, shoqëror, kulturor e politik, duke marrë pjesë në mënyrë aktive në proceset përparimtare të civilizimit botëror.

Vendimi historik i Pavarësisë kombtare, që buroi nga Kuvendi i Vlonës, nën udhëheqjen diplomatit Ismail Bej Qemal Vlora, Imzot Nikollë Kacorri, Luigj Gurakuqi etj., arriti të parandaloj programet kundërshqiptare, të cilët, ishin përpiluar nga fqinjët shovinist dhe nga diplomacia franko-ruse. Ata, kishin një mentalitet të vjetër bizantin, për t’a asimiluar popullin shqiptar nga hapsina e Gadishullit Ballkanik.

Turqia, u gjend e papërgatitur për luftë. Ajo, vendosi të formonte ushtrinë e armatosur me vullnetarë shqiptarë. Asokohe doli një urdhër i Ministrisë Turke të Luftës, për t’u dërguar trathtarëve shqiptarë 50.000 pushkë.

Ndërsa ushtria turke, një ditë para betejës braktisi frontin në disa pika. Luftimet në Merdar ishin të ashpra. Serbët e morën atë pas humbjeve të mëdha. Edhe mbrojtja e kufirit nga Rashka në Podujevë, u mbeti vullnetarëve shqiptarë, të udhëhequr nga Isa Boletini. Me organizimin e mbrojtjes në veri të Prishtinës, u caktua Hasan Prishtina, ndërsa në Gjakovë, Plavë e Guci Bajram Curri.

Vullnetarët shqiptarë luftuan me vendosmëri, por për mungesë të municionit u tërhoqën nga qyteti, që ra po atë ditë në duart e serbëve, ku më vonë u pushtua Vuçiterna dhe Mitrovica. Me organizimin e forcave vullnetare shqiptare në zonën e Gjilanit, të Moravës e të Karadakut ishte Idriz Seferi, që arriti të grumbullojë 6000 luftëtarë, të cilët luftuan në kufirin me Serbinë, ku sëbashku me forcat e vendit u bënë ballë njësive të Armatës serbe…

Shqipëria, u vetëshpallë e pavarur në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, ku, morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Menjëherë Asambleja e Vlorës, formoi Qeverinë e Parë të Shqipërisë së Pavarur, të drejtuar nga Ismail Qemali, zv/Kryeministër Imzot Nikollë Kacorri etj.

Njohja ndërkombëtare e Pavarësisë dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë, u ba mbas Konferencës së Ambasadorëve(Londër), vendim i së cilës ishte shpallja e Principatës Shqiptare Sovrane nga Perandoria Osmane, nën mbikqyrjen e Komisionit Ndërkombtar të Kontrollit dhe lënia e gjysmës së territoreve të shtetit të ri jashtë kufijve të tij administrativ.

Shpallja e Pavarësisë, nuk ishte një akt i veçum, por u përgatit hap mbas hapi, me kujdes, durim, guxim, me ndjenjën e përgjegjësisë ndër shekuj. Ata që nënshkruan dokumentin e Pavarësisë, që u mblodhën në Kuvendin e Vlorës, e kishin filluar veprimtarinë patriotike shumë kohë përpara dhe ishin dalluar si luftëtarë të pushkës e penës.

Kur patriotizmi i rilindësve u përfshi me idetë e mëdha të iluminizmit dhe nacionalizimit evropian, mendimi prparimtar dhe cilësor politik e shoqëror i Rilindjes, u ngrit në një shkallë më të lartë ndërgjegjesimi dhe mori një përmbajtje dhe kuptim të ri.

E thanë shkurt dhe saktë, Rilindasit tanë të shquar, gjithnjë pandërprerje, luftuan për t’a kthyer vetëdijën popullore në ndërgjegje kombtare.

Në terësi sot, mund të them me bindje, se  kultura e re e publikimeve në gjuhën shqipe, e ndihmoi popullin të zbulonte identitetin e vet historik dhe kombëtar, pavarsisht nga ndarjet krahinore, fetare, t’a ndiente veten një bashkësi kompakte e vijuese me të njëjtën histori, kulturë, tradit, shqetësime, shpresa, dhe me të njëjtat kërkesa.

Duke e mbyll ketë festim të përbashkët, në Kishën “Zoja e Shkodrës”, në New York, që mbeti gjithnjë për shqiptarët si qënder e madhe atdhetare dhe fetare, përfitoi nga rasti tu uroj të gjithëve Gezuar Festën e Flamurit, 101-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Ne sot, jemi të gëzuar, sepse në trojet e Dardanisë së lashtë, erdhi liria dhe pavarësia nga nata e gjatë e pushtuesve serbë dhe një ditë shpresoi e besoi, që të gjithë trojet shqiptare etnike të bashkohen në një shtet të vetëm rreth nënës Shqipëri, një ëndërr dhe dëshirë, që e kanë pasur gjithnjë Rilindasit tanë. Zoti i bekoftë shqiptarët, kudo ku jetojnë dhe punojnë!  Shënim: Kjo kumtesë, është mbajtur më 28 Nëntor 2013, në përkujtim të 101-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, gjatë ceremonisë solemne të ngritjes së Flamurit Kombëtar Shqiptar në Kompanjelin e Kishës katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Harsdale NY. Marrë nga revista kulturore “Jeta Katolike”, New York, Shkurt 2014.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Gjon Fran Ivezaj, me dhimbje, Pavaresia e Shqiperise, shipja e filloi fluturimin, trojet shqiptare

Të kërkosh njerëzoren në çmendurinë e orgjive

February 25, 2014 by dgreca

Esse-analizë rreth romanit “Orgji në famullinë e at Ludovikut”, të shkrimtarit Leonard VEIZI/

nga Raimonda MOISIU /

“Orgji në famullinë e at Ludovikut” titullohet romani më i fundit i shkrimtarit e publicistit Leonard Veizi, dalë nga shtëpia botuese OMSCA-1, Tiranë. Është një libër i ri, bashkëkohor dhe modern, i mirëkonceptuar, frymëzues e letrar, krejtësisht intelektual, që përfshin shumë mistere të thella, metafora e ide të fshehura, të shprehura mes thrillerit e ndjeshmërisë psikologjike të realitetit e surrealitetit në jetën e përditshme. Autori Veizi me finesë dhe magjepsje intensive depërton në thellësi të Famullisë së qytetit dhe historisë së saj, hedh vështrimin te ndodhitë e të shkuarës, mite e legjenda, që vazhdojnë ende të trazojnë të tashmen. Rrëfenjat për Famullinë dhe raportet e krijuara mes personazheve, konfliktet dhe tensionet e tyre brenda e jashtë saj dhe që lidhen me to, e autorizojnë autorin të kërkojë risitë dhe hapësira të reja në kufijtë e së zakonshmes e të pazakonshmes, me të cilat autori Veizi ka krijuar boshtin themelor simbolik letrar-artistik të romanit. Kjo është mëse karakteristike, e thjeshtë dhe strukturë narrative e detajuar, me një stil për t’u admiruar në nivel artistik, psikik dhe filozofik, në kufijtë e hyjnores e njerëzores. Autori ndan personazhet e rrëfenjës dhe imazhet në dy botë kontradiktore; ajo e dritës dhe errësirës, engjëjt e djajtë. Pothuajse çdo detaj në roman pasqyron historinë, një botë apo tjetër të përshkruara me kalvarin e vuajtjeve dhe sakrificave, dëshmi mes vdekjes e jetës, mes dobësisë e forcës, mes dhimbjes e ndjeshmërisë, dashurisë e tragjikes, ide të shkëlqyera këto, që simbolizojnë dualitetin rrëfyes të mëkateve, orgjive dhe krimeve, së bashku me botën e engjëjve, histori magjepsëse konspiracioni, bindëse, inteligjente dhe prekëse në dukje më të mëdha dhe më të fuqishme, që kërkojnë njerëzoren në çmendurinë e tyre dhe japin një goditje jashtëzakonisht të fuqishme emocionale në zemrën e lexuesit. Rrëfimin e mëkateve dhe orgjive nën optikën e dritës së qiririt që ndriçon dhomëzën e at Ludovikut, nga errësira e jashtme, por që afron distancat e tyre dhe i bën mëkatarët, njerëzit e thjeshtë, të çlirojnë shpirtin prej tyre dhe të besojnë se e nesërmja do të jetë më ndryshe. Në jetë ka vështirësi, lumturi, diskriminim, lindje e vdekje. Përvojat e saj janë të zeza e të bardha, ngushëlluese e të tmerrshme, të egra e të mëshirshme, kurajoze e të frikësuara, me të metat dhe defektet e psikologjikes, njerëzores. Adhurojnë e urrejnë nga naiviteti dhe pafajësia e ekzaltimit moral të shoqërisë. Këto janë të gjitha gjërat që ne fatkeqësisht nuk mund t’i shmangim, sepse janë thjesht pjesë të jetës. Rrëfimi na tregon situata realiste, që përfshijnë ndodhi të ndryshme të jetës dhe dualitetin e imazhit modern dhe degradimin e vlerave morale. Personazhe, që mund ta kalojnë tërë jetën pa e kuptuar se çfarë ata kërkojnë në jetë. Ata janë vetë-tolerues e të vetë-mashtruar nga të dyja anët e natyrës me shpresat dhe fatet njerëzore individuale. Policët dhe kriminelët, të pasurit e të varfrit, të fuqishëm e të pafuqishëm, të gjitha, të përcaktuara në një mënyrë apo tjetër nga roli i tyre në shoqëri dhe krizave të ndryshme, që ndeshen brenda e jashtë komunitetit ku jetojnë. Me ashpërsinë e butësinë e të vërtetës, e grotesken e kohës së pakohë, që të gjithë janë viktima dhe që të gjithë janë fajtorë për këtë realitet të hirtë. Ndonjëherë, po ata ngrihen mbi të, edhe pse asnjëherë nuk është kaq e thjeshtë. Impulset e tyre negative mund të jenë të pavetëdijshme, ndërsa impulset e tyre pozitive mund të jenë të rrezikshme, dhe kush e di se çfarë tjetër mund të jenë duke menduar, personazhe të zakonshëm e të thjeshtë, jetët e të cilëve bëhen të ngatërruara, në një mënyrë apo tjetër me botën e tyre grishëse, që autori Veizi është ndalur, për të na i rrëfyer me mjeshtëri artistike e intuitë filozofike, mes modernes e postmodernes, në kohë e hapësirë. Romani “Orgji në famullinë e at Ludovikut” presupozon që shumica e njerëzve, mendojnë e paragjykojnë stereotipet, për të kuptuar strukturën sociale të shoqërisë, kush janë personazhet dhe se si ata veprojnë, prej nga ku rrjedhin edhe pasojat e ndjenjave të tyre të lënduara apo të paragjykuara. Sipas mendimit tim, komponenti më i fuqishëm i këtij romani është forca narrative dhe mënyra në të cilën autori Veizi jep dualitetin simbolik të ndërthurjes së personalitetit dhe mentalitetit, injorancës e inteligjencës së personazheve dhe manifestime të të njëjtit personalitet. Mes 47 fragmenteve që përfshihen në këtë libër, famullia dhe at Ludoviku janë përfaqësues të hyjnores e njerëzores, janë protagonistët që falin qetësi e ngushëllim shpirtëror pa dallim moshe dhe shtresave të ndryshme sociale. Temat dhe idetë e lakmisë, laicitetit, kapitalizmi, urrejtja dhe hakmarrja, dashuria dhe dhimbja janë sigurisht të pranishme në këtë roman. Ato theksojnë paaftësinë e arsyes për të luftuar pushtetin e mërzisë, vështirësive, fatkeqësisë dhe dëshpërimit, ngjarjet me plot të papritura dhe personazhet që i shkaktojnë ato, por që nënkuptojnë eksplorimin e gjerë, që në titullin e veprës së Veizit. Janë në antitezë me madhështinë e orgjive e dashurisë së vërtetë, të moralit shpirtëror e vlerave njerëzore. Ngjarjet zhvillohen në një qytet të vogël të largët dhe romani fillon me një skenë krimi: “Famullia, i vetmi objekt kulti në qytet, ishte shkrumbuar nga flakët e një zjarri masiv. Aty-këtu kishte vatra që ende nuk ishin shuar. Policia kishte arritur ta rrethonte vendin me shirita të verdhë, ndërsa dy ekspertë me kostume të zeza u silleshin rrotull mureve të nxira nga tymi, për të mbledhur ato pak fakte, që kishin mundur të shpëtonin…”(fr.nga f.7.) Autori Veizi, që në hyrje me mjeshtëri artistike e filozofike demonstron fuqinë e dy botëve të kundërta – të dritës ende të pashuar të vatrave të zjarrit dhe ato gradualisht fitojnë rezonanca të tjera simbolike ndaj (errësirës) – kostumeve të zeza dhe mureve të nxira nga tymi, të cilat gjithashtu paraqesin jetën e vdekjen dhe nënkuptojnë shpresat e kota të një jete, sugjerojnë homologët e jashtëzakonshëm – qiellin dhe ferrin e tyre: “Duket sikur është bërë luftë”-iu drejtua ai (Edi) policit Eno, fjalë që tingëlluan më shumë se një psherëtimë”(fr.f.9) – në kontrast me vizionin e tmerrshëm të tragjedisë: “Aksident tragjik, të cilin ia kishin përcjellë me gjysma fjalish, ishte më tepër se aq, ndoshta,…nuk ishte aksident…”(fr.f.6), -mbledhjes së fakteve dhe sublimen e asgjëje të përjetshme, që e bindin autorin për një shpjegim më racional. Këto nuk do të mjaftojnë për të shtjelluar ngjarjen, por autori Veizi mjeshtërisht do të përshtatë faktet e jashtme në vazhdim dhe përforcon natyrën në thelb simbolik të rrëfenjës, do të pajisë ngjarjen me rëndësi të mbinatyrshme. Situata narrative e romanit karakterizon në mënyrë të përsëritur dhe të qartë, kontrastin mes hyjnores e njerëzores, qiellor e engjëllor me terma demonike të pranueshme dhe në mënyrë rigoroze. Duke lexuar romanin, rezultati është një magjepsje intensive për të njohur personazhet, cilët janë dhe cila është jeta e tyre, nuk kemi idenë se si do të sillen ata, për shkak se kjo varet nga ngjarjet që do të precipitojnë në vepër. Shumica e ngjarjeve nxjerrin ritualet, autori njeh formën e përmbajtjen e tyre dhe hedh sytë nga variacionet, nga vullneti i lirë i personazheve dhe çdo gjë mund të ndodhë. Autori Veizi është përpjekur ta paraqesë rrëfimin e tij në disa etapa dhe në të njëjtën kohë ai operon në disa linja, duke krijuar kështu lidhjen e fortë mes personazheve kryesorë dhe anësorë. Në këtë esse-në time do të mundohem të paraqes këndvështrimin tim rreth personazheve kryesorë dhe nëpërmjet tyre mesazhin themelor që ka dashur të përcjellë autori Veizi.

 

-Dyzim personazhesh për zbardhje karakteresh….

 

Shkrimtari Leonard Veizi përfshin disa breza personazhesh duke na dhënë qasjet dualiste imagjinare dhe reale. Kemi personazhe që kanë rolin kyç dhe kemi personazhe që kanë role mënjanës, me përshkrimin e gjallë të bukurisë dhe brutalitetit, ironisë e sarkazmës, harmonisë dhe horrorit, tjetërsimit e zhgënjimit, frikës e paqartësisë, dashurisë dhe dhimbjes, mëkateve dhe orgjive, pesimizmit e fajit, dëshpërimit e paranojës, krimit e ndëshkimit – qasje të kundërta këto, por që sintetizojnë efektin dhe ekspresivitetin e fuqishëm të reagimeve emocionale në jetën individuale dhe karakterin e gjithsecilit. Personazhe të pavarura, por që autori Veizi mjeshtër i përdorimit të elementit artistik, narrativ dhe elementit filozofik, u jep idenë e plotësimit me njëri-tjetrin, duke e bërë kauzë të përbashkët dyzimin e personazheve, dyzimin e momenteve fillestare, me momentet që pasojnë në rrëfim, dyzimin e masakrës së masonëve të mbetur legjendë, me masakrën e tragjedisë aktuale në Famullinë e qytetit, pleksje moderne kjo e të kaluarës me të tashmen – me qëllimin e vetëm diskret të autorit – për zbardhjen e karaktereve të tyre.

Personazhet, Edi, Inspektori i policisë dhe Oficeri i krimeve të fshehta janë karaktere komplekse dhe për arsye jo tërësisht të qarta, njërin e emërton me emrin EDI, ndërsa tjetri nuk ka emër, gjetje artistike e filozofike kjo e autorit, që simbolizon jo vetëm rivalitetin mes dy kolegëve, absurditetin e pikës eksiztenciale e njerëzore, por edhe jobesueshmërinë ndaj njëri-tjetrit. “Inspektor Edi po e shihte me dyshim. Megjithatë e mori revistën në duar. -E ke fare të thjeshtë, – foli – mënjanës. – Nëse nuk ke fakte, propozo të arkivohet çështja. Kjo ishte fare e papritur për inspektor Edin. Ai mund të priste çdo sugjerim nga oficeri i shërbimit të fshehtë, por jo propozimin për mbylljen e dosjes. Ky do të ishte dështim i plotë. Dhe ai (Edi) nuk e kishte njohur dështimin deri atëherë. -Je në vete?! – u hodh përpjetë si ta kishin pickuar. – Janë shtatë viktima, kam trysni të llahtarshme për ta zgjidhur çështjen, dhe ti më thua ta arkivoj!” Për të dy, si për inspektorin Edi dhe për oficerin e krimeve të fshehta, është një prani e padëshirueshme, por secili prej tyre kanë shumë nevojë për njëri-tjetrin, për të kuptuar se çfarë shkon mirë apo keq, si palë përgjegjëse për të investiguar më shumë rreth zbulimit të shkaqeve të asaj tragjedie me shumë mistere, – ishte aksidentale apo krim dhe ndëshkim?! Inspektori Edi përpiqet për të parë më thellë në njerëzoren e dosjes e të krimit. Krenaria në aftësitë e tij zbuluese e çon atë të urrejë hipokrizinë e nënvetëdijes të oficerit të shërbimit të fshehtë dhe paaftësisë të atmosferës kolektive (personazhe anësorë si Nora policja dhe kapiteni) që janë përfshirë në mbledhjen e fakteve dhe zgjidhjen e shkaqeve të vërteta të krimit, të cilët inspektor Edi, (polici Eno) nuk mundin t’i ndalojnë në gjetjen e shkaqeve, aq më tepër kur oficeri i shërbimit të fshehtë e shikon dosjen si asgjë me vlerë! Ndjenjë kjo e besimit tmerrësisht të vetmuar. Para së gjithash, gjurmët e krimit i kanë çuar të dy ata në Famullinë e At Ludovikut, krim e ndëshkim bazuar në marrëveshje misterioze e të fuqishme njerëzore, dhe si detektivë bëjnë më të mirën, për të qëndruar në anën e djathtë të ligjit, që nuk e ndryshon dot faktin, se ata duhet të merren me njëri -tjetrin dhe me taktikat e tyre hetimore, për të arritur objektivin bazë – zgjidhjen e misterit. Në fund të fundit, të dy janë detektivë dhe kjo është ajo që bëjnë detektivët. Dy personazhe të mirëvendosur e të parashikueshëm në lëvizjet dhe veprimet e tyre, pavarësisht nga preferencat e partnerëve përkatës, por që autori Veizi ka ditur të krijojë partneritetin e shëndoshë dhe emocional të inspektorit Edit dhe Oficerit të krimeve dhe të zbardhë mjeshtërisht karakteret e personalitetin e tyre.

Eva është një personazh i rëndësishëm në roman. Relativisht e re në moshë dhe tërheqëse, e divorcuar nga një martesë e pakënaqur, dhe pas divorcit, Eva e sjellshme në dukje dhe e komunikueshme në heshtje, jetonte ferrin në një skllavëri shumëfishe me vështrimet e përvjedhura mashkullore dhe marrëdhënieve seksuale disa vjeçare me “hije” dhe anonimë në jetën e saj, perspektiva të pashpresa këto, të cilat jo vetëm kurrë nuk u morën vesh, por edhe për ironi të fatit, Eva do të lindte një fëmijë të jashtëligjshëm, djalin e “vëllanë” e saj – Vikin, i cili fillimisht e dinte që e kishte “motër”. Vonë në shtratin e agonisë, ajo i tregoi sekretin e atij misteri. Një nga komponentët më të fuqishëm të këtij romani, është dualiteti simbolik i këtyre dy personazheve të ndërthurura mjeshtërisht në kohë e hapësirë. Eva vdiq me ndjenjën e dilemës se kush ishte ati i vërtetë i fëmijës së saj, por edhe me ndjenjën se At Ludoviku ishte babai i Vikit, si rezultat i një orgjie në agoninë e dyzuar njerëzore dhe epshndjellëse, që flakëronin nga sytë e saj e të at Ludovikut, në dhomëzën e rrëfimit nën dritën e qirinjve. “Ajo i ishte afruar më shumë nga sa duhej. Gjithçka e saj ishte fare pranë. Mjaftonte që të zgjaste pak dorën dhe… – Më kurorëzo atëherë, – i kishte thënë ajo dhe frymën e saj të ngrohtë e kishte ndier në fytyrë. – Pse të mos vij në shtrat me ty më parë? Eva po e shihte me ca sy joshës. Gjoksi i ngrihej dhe ulej thekshëm nga frymëmarrja. Kurse at Ludoviku ishte turbulluar i tëri.(fr.f.225).” Në atë çast ai nuk ishte më prift, por një mashkull që po tërbohej pas erës së femrës. Ajo po i afrohej atë çast, ishte një mrekulli e pakrahasueshme. Frat Ludoviku nuk e kishte kuptuar se si ishte gjendur midis shalëve të saj. Nuk e kishte kuptuar, se çfarë kishte ngjarë mes tyre në ato çaste të ethshme, nuk e kishte kuptuar, se kush e shtynte të bënte atë veprim krejt të papërgjegjshëm, veçse kishte ndier orgazmën të rrëshqiste ethshëm dhe ai në vend që të ç’tensionohej, ishte tensionuar më tepër.”(f.226)

Padyshim ky monolog provon vlerën e tij në kontekstin seksual, ankthit pëshpëritës dhe mëkatit mbi shpinë të mashkullit, që dominohet nga besimi te perëndia; “-Oh Zot, kjo ishte…..Pse Eva-t janë mëkataret e pandreqshme të kësaj bote?!(f.226),- por edhe nga zgjedhjet dhe vendimet morale të dashurisë njerëzore. Shumica e qenieve njerëzore duket se kanë aftësinë për të gjetur gëzim e kënaqësi jo vetëm nga gjërat e thjeshta, por edhe nga zgjedhjet dhe forca shpirtërore e tyre. Qasje të ndryshme këto, për jetën dhe zgjedhjet që bën gjatë saj, në bazë të pikëpamjeve të tyre morale dhe etike.

Ka një ndryshim thelbësor, se si këta dy personazhe, e shohin botën dhe njerëzit që i rrethojnë. Bota për ta është e ashpër, zbrazëti dhe krizë vlerash, e pamëshirshme.

Autori Veizi mjeshtërisht hyn në thellësi të marrëdhënieve të tensionuara në heshtje të Evës, Vikit dhe at Ludovikut me ambientin familjar dhe njerëzit përreth. Autori menaxhon mrekullisht forcën rrëfyese dhe krijon lidhjen e fortë mes këtyre personazheve. Viki beson thellësisht në fuqinë e misterit se kush është babai i tij, mënyra se si autori e prezanton atë, ato që Viki thotë, premton e bën. Ai nuk e sheh veten, ashtu sikundër të tjerët e shohin atë. Atij i duket sikur ata nuk e shohin drejt, qoftë edhe në situata delikate të jetës së tij, por edhe në ato të gabuarat. Përfundimisht, ai është verbuar nga misteri dhe mënyra si të bëjë para për të jetuar. Ai zgjedh fitimin personal mbi vlerat personale dhe të afërmeve të tij. Nuk është e rastit që Viki ka mentalitetin sundues të korruptimit shpirtëror dhe përfitimit material, nëpërmjet grabitjes, drogës, skllavërisë seksuale, precedentëve penalë e plot vese të tjera, për realitetet e jetës së përditshme. Shpesh, në pamje të parë, ato i duken deklarative, mes hipokrizisë e trysnisë së jetës e mbijetesës, metaforë kjo se krimet e shkeljet janë për njerëzit. Nga ana tjetër, ai kërkon atin e tij, dashurinë e nënës së tij, për të korrigjuar gabimet që “këta prindër të hershëm” kanë shkaktuar ndaj tij. Kështu që dashuria e tij për ta, përmban në vetvete një kontradiktë; përpjekja për t’u kthyer në të kaluarën dhe në përpjekje për ta ndrequr të kaluarën. Jeta e tij tashmë është shkatërruar dhe ai tashmë është aty në Famulli, dëshmitar i asaj orgjie, ngjizjes së deklaruar tashmë triumfalisht.

“Njëzet vjet më parë mamaja ime më ngjizi këtu, në këtë shtëpi të zotit. Dhe me kë do të thoni ju? Jeni kureshtarë ta dini….? Me priftin e kësaj famullie? -Domethënë na qenke djalë prifti!-kishte thënë njëra nga vajzat… -Po, – kishte thënë Viki, – jam djali i priftit dhe për njëzet vjet me radhë nuk e kam ditur. Nëna ma mbante të fshehtë. Jo më larg se dje e mori vesh edhe ai vetë; sot e morët vesh ju, por nesër do ta marrë vesh i gjithë qyteti.”(f.238). Viki beson thellësisht në fuqinë e fjalëve të tij, se at Ludoviku është edhe prift edhe baba. Arroganca e tij në të folur me humor indikativ nënkupton jo vetëm rrugën e mundimshme të tij, por pothuajse “nxjerr në dritë” dëshirat e tij mbi të tjerët. Deklaratat e Vikit janë ironike, dëshmi monumentale të arrogancës së jetës dhe Viki përfundimisht pajtohet me tezën e tij radikale, se nuk ka kthim mbrapa, por ajo mbart në vetvete të pavdekshmen e njerëzoren. Sepse, me kalimin e kohës, ai ndjente më pak keqardhje, për atë që kishte bërë dhe atë çfarë po bënte aty në famulli, si hakmarrje kjo ndaj së kaluarës. Tek emri i at Ludovikut merr kuptim edhe titulli i romanit. Ai jeton në atë mënyrë që tregon respekt dhe dinjitet për të gjitha shtresat e shoqërisë dhe banorët e qytezës. Ai di shumë gjëra e sekrete për shumicën e tyre dhe muret e dhomëzës së rrëfimit mbartin mëkatet e gjithsecilit dhe të at Ludovikut.

“Veçse ishte i lodhur. Mbante mbi vete gjithçka të atij qyteti. Brengën e tij. Ai dukej vërtet i qetë dhe u buzëqeshte qytetarëve, kur rastiste të dilte ndonjë shëtitje të shkurtër nëpër qytet. Ishin po ata që kishin rrëfyer te ai mëkatet e tyre. Të pabesueshmet… ‘Mjaft më! Njerëz të pacipë! Ky vend qelbet erë. Ju të gjithë jeni kurvat e qytetit’. Por nuk mund ta bënte këtë. Ndaj, veç buzëqeshte dhe lutej nën zë”.(f.198-199).

At Ludoviku i ndjek në luftën e jetës dhe lutet për të mbijetuar. I mëshiron, i fal dhe i qetëson në mënyra të ndryshme, pa i treguar askujt. Titulli i plotë “Orgji në Famullinë e at Ludovikut” në kuptimin fjalë për fjalë, nënkupton mëkatin njerëzor të orgjive, që do të thotë, se do të ketë dashuri dhe dhimbje. Kuptimi i dytë është se këto ndodhin në shtëpinë e Zotit mes hyjnores e njerëzores dhe kuptimi i tretë më i rëndësishëm është analogjia e legjendës që flitet e tregohet -orgjia madhështore e masonëve, ku burra të fortë e hamshorë pinin, deheshin e shkonin me gra të bukura, me absurditetin e orgjisë të Vikit, shokëve dhe mikeshave të tyre, nën hundën dhe vëzhgimin e at Ludovikut. Ndërgjegjja e at Ludovikut nis me dilemën filozofike, për shkak të statusit të tij religjioz dhe social-politik, ekonomik, të dramave njerëzore e të realitetit të jetës, në të cilën ai duhet të pyesë besimin dhe moralin e tij. Ai ka besim tek Zoti. Pasi kupton se si do të vazhdojë ta jetojë jetën e paskëtaj nate orgjish, gjendja e tij bëhet një shembull i relativizmit moral, nëse nuk ka të vërteta universale morale. Kthimi mbrapa paraqet dy të kundërtat filozofike e morale, përmasat tragjike që at Ludoviku detyrohet të marrë përgjegjësitë vetë: Djegien e Famullisë! Por më e rëndësishmja është se sa më shumë rrëshqisni nëpër faqet e romanit, ju bën me të vërtetë të mendoni dhe ngrini disa pyetje hipotetike. Ju do të kuptoni se si personazhet përpiqen për të gjetur përgjigjet dhe të pajtohen me to. Çfarë do të bëjnë at Ludoviku, Eva, Viki, Inspektor Edi, Oficeri i krimeve të fshehta, masakra e masonëve me masakrën aktuale, at Engjëlli, gjyshi dhe gjyshja, Nora, polici Eno, Venera, piktori, historiani, arkeologu, e disa personazhe në hije? Sa larg do të shkojnë për të mbrojtur të vërtetën, dashurinë, enigmën, dhimbjen, misterin e reputacionit të tyre në kërkim të njerëzores dhe në çmendurinë e orgjive? Sa egoistë do të jenë? Mendimi i Inspektor Edit që i ofron gazetares Venera për të shkruar një roman, a është ky ngushëllimi i tyre me vlerë më shumë se jeta e njerëzve? Fundi i romanit është e fshehta shumë më e mprehtë, duhet ta lexoni dhe të mësoni “enigmën” që posaçërisht shkaktoi këtë tragjedi, këtë masakër. A është kjo e mjaftueshme për t’i dhënë kuptim njerëzores në çmendurinë e orgjive? Secili nga personazhet dhe ne lexuesit jemi të lindur nga dashuria. Po ashtu, gjithkush ka nevojë për marrëveshjen e madhe të dashurisë njerëzore, për të na bindur se ia vlen të jetosh dhe jeta është e bukur. Pasi kemi marrë e dhënë dashuri, kjo zakonisht zgjat jetën. Por universi, bota reale dhe shoqëria është një vend mjaft i ftohtë me mure socialë, politikë dhe historikë të hirtë. Ajo ç’ka ne duhet të investojmë, janë ndjenjat tona për ta ngrohur e qartësuar atë. Shkrimtari dhe publicisti Leonard Veizi i ka kushtuar një vëmendje jashtëzakonisht të admirueshme strukturës narrative. Dialogu i personazheve është i mrekullueshëm e i mprehtë. Struktura gramatikore, zhargoni gjuhësor, koha e foljeve dhe drejtshkrimi i fjalëve, tregojnë se autori ka njohuri të shkëlqyera e profesionale të gjuhës shqipe, që e bëjnë romanin shumë interesant, me ide dhe mendime të thella e të detajuara, rreth konfliktit shpirtëror, artistik e filozofik, dhe jo vetëm kaq – mesazhi i tyre është mjaft prekës.

Hartford CT USA,Shkurt 2014

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Leonard Veizi, Orgji ne famulline e at Ludovikut, Raimonda Moisiu

HARKU I TRIUMFIT I POETIT GJON NEÇAJ

February 24, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/

1. E njoh një shenjt të gjallë. Gjon Neçaj i thonë. Njeri i letrave shqipe: poet, prozator, publicist, studiues. Autor i mbi dhjetë librave e qindra shkrimeve. Fitues i disa çmimeve lokale e kombëtare. Nënkryetar i Forumit Shqiptar të Kulturës, Edukimit e Shkencës. Dy vëllimet e fundit poetike të tij janë botime në disa gjuhë të huaja: “Haiku i bjeshkëve” në shqip-anglisht (Elbasan, 2009), “Sinus” në shqip-anglisht-italisht-greqisht  (Tiranë, 2011). Disa poezi i kanë zanë vend në antologji poetike në Shqipëri, Kosovë, etj.

Gjon Neçaj në mbi katër dekada krijimtari ka emrin e tij, profilin e tij, veprat e tij, udhën e lartësitë e tij letrare.

Në hapa e vargje ndihet “i qasur kah mjeshtrat e mëdhenj të lirikës poetike”, pas lisave poetik bregdrinas e kombëtar: Martin Camaj që e ka njoft nga larg dhe Ndoc (Anton) Papleka, që e pati gjithmonë afër, kryehere, përkrah, i të njëjtit fis, në të njëjten  udhë.

Në koft se fjalaflet me poetin Gjon Neçaj ka me i hap dritaret e shpirtit e i pëllumb përmallshëm e lartnueshëm dy miqtë e tij të sofrës së bukës e të poezisë, Ali Podrimja e Din Mehmeti, dy bregdrinas të Gjakovës, dy lisa poetik kombëtar.

Gjon Neçaj ndan mirënjohje me zemër e letër për miqtë e tij, si për poetin elbasanas, Milianov Kallupi: “mjeshtër i haikut shqiptar” i cili e nxiti në “lëvrimin e kësaj gjinie magjike” (vëllimi poetik “Ju që më shihni çdo ditë”, Tiranë, 2007, fq. 59). Diku, para një viti, poeti e studiuesi Haki Zllami tue hulumtue e hulmue vlera të haikut tropojan Gjon Neçaj e ka cilësue si “Haiku i Alpeve”.

2.

Poetin Gjon Neçaj duhet me e thirr me emën e mbiemër plotor, pasi vllaznia e tij ka edhe poetin Pal Neçaj, prej vitesh shtetas shqiptaro-amerikan, autor i disa vëllimeve poetike dinjitare. Djali i tij, Sokol P. Neçaj, ishte një prej diplomatëve të parë shqiptar postkomunist në Uashington. Qytetarin e pushtetarin Pal Neçaj e ka njoft për mirë Malësia e Gjakovës, Dukagjini me rrethina, Puka e Përtejdrinit. Duket se pushtetari Pal Neçaj e ka ruejt shpirtin e bardhë për me ujvarue  në moshën e tretë poezi me dritë.

Gjon Neçaj shkon në tre breza me Pal Kokrrin, “axhën” e tij, që kishte humor plot filozofi e urti deri në “institucion” e shpesh i lëshonte si “kokrra rrufeje” në kohë e mjedise të jehonshme, aqsa e ka shtyrë edhe shkrimtarin Pjetër Meta me i tufalakue ato në monografinë 390 faqëshe “Ka thënë Pal Kokrri (Neçaj)!…” (Tiranë, 2011). Kjo monografi më ka lanë pa fjalë, se shfletimi i faqeve të saj më përngjan sikur hedh hapa në auditor dijeje, sikur  marr leksione universitare.

Në  vitet ’70 e kam pasë mësues kujdestar në tetëvjeçare Pjetër Neçajn, mësuesin e matematikës që na mësonte aritmetikën e jetës, na e bante me u rrit me shkollën, na e brumoi nderimin për mbiemrin Neçaj.

Perajt e kanë një tjetër poet si të ardhun prej Perëndie: Jak Perpalin, të cilit vargjet e vëllimet poetike ia kanë thur emrin mbi heshtjen e thjeshtësinë e tij, mbi moshën e epokën e tij, me jehonë magjike e magnetike drejt të nesërmes. Ai nuk ka vargje çimçakiz, po hoje mjaltimi poetik me realitete përjetuese, ndëshkuese, triumfuese. Jak Përpali e Gjon Neçaj janë miq ndërveti, të cilët i lidh edhe vendlindja e poezia, sikurse edhe me poetin tjetër, Gjin Gjonpali i Perajve, autor i disa librave të jehonshëm e dhjetra poezive të mirëpritura në shtypin elektronik e me letër.

Një triptik për vendlindjen ka Pjetër Meta i vllaznisë Përpali të Perajve: romanin historik “Fundi i Kalvarit” (2010) i nisur në rininë e moshës e i botuem në rininë e tij letrare; monografinë “Ka thënë Pal Kokrri (Neçaj)!…” (2011) e monografinë “Gruaja që sfidoi fatin”, një trajtesë teme që do ta nderonte edhe penën e Kadaresë dhe ekranin botëror të Hollivudit në Amerikë.  Në maje të penës i ka disa vepra, që me sa duket po krijon një korpus letrar, si emblemë, si gjerdan të tij me dekorata të përjetshme.

Nga Perajt alpin me 730 metra lartësi mbidetare, pak ma i ulët se qyteti i Korçës, vjen në skenën e kohës politikani Lush Perpali, studenti me medalje të artë, profesor doktor me disa libra për ekonominë e financat, i cili ia ka mbrri të ngjitet në pushtetin legjislativ deri nënkryetar i Parlamentit të Shqipërisë e në pushtetin ekzekutiv deri në ministër i Pushtetit Lokal.

Nga Perajt perlë natyrore, nuk janë botue vetëm libra të bukur, po ka dalë edhe “Mis Shqipëria – 2000”, Elisabeta Gjonpali, e cila mori pjesë edhe tek “Mis Europa”.

Jeta ka shenjat e veta. Pal Kokërr Neçaj ishte mësues letërsie në shkollën 7 vjeçare në Gjonpepaj të fisit Nikaj kur nipi i tij, Gjon Neçaj, publikoi me bukurshkrim tek “Letrari i ri” ma të paren poezi e, asokohe, i patë thanë fjalën e së mbares: “Ti do të bëhesh poet, shkrimtar”. Ajo poezi mbante titullin e thjesht “Fshati im” e kishte një madhështi të papërseritshme, një fuqi magjike, titanike, një lartësi alpine, pasi i kushtoj Perajve, tokës ku Gjon Neçaj pa diellin qiellor e i lëshoi rrezatimet e tij poetike, letrare, veprimtare.

Gjon Neçaj në poezinë “Erdha” flet për ëndrren e kahershme për me trokit, për me u ulë këmbëkryq në Lidhjen e Shkrimtarëve, pasi kishte pengesa e vështirësi të kahershme në udhën e fjalës poetike e letrare, ndaj i ka parasysh porositë profetike të babës të tij: Kujdes biro, rruga është e gjatë / lakadredha, e shtrembër / në këtë botë…/ Monopateve kur ngjitesh / rrugëve rrenacake / ulu pusho pak…/

3.

Poeti, prozatori e publicisti Gjon Neçaj i përket fisit Nikaj (degëzim i Krasniqes), një fis me emra të mëdhenj në letërsinë e gazetarinë kombëtare shqipe si Dom Ndoc Nikaj (1864-1945), Padër Pjetër Mëshkalla (1901-1988), Ndoc (Anton) Papleka,  e të tjerë.

Shpesh më kanë fjalathanë për Dom Ndoc Nikaj: “mos i jep hapët”, “mos e fut në Enciklopedinë e Tropojës se nuk është nga Nikajt”, “jo gjithmonë mbiemni përcakton origjinën”, etj. Sot, n’mujsha, po e mbylli disi kit’ debat të hapur. Historiani, koleksionisti, veprimtari i njohur, miku im, Shpëtim Sala, e përktheu nga gjermanishtja një libërth të albanologut të shquar, akademikut austriak, Maksimilian Lamberc me titull: “Raport mbi studimet e mia linguistike në Shqipëri nga mesi i majit deri në fund të gushtit 1916”, që u shtyp në Shkodër më 2011 nga “Botime Françeskane”, ent prestigjioz i veprave të Fishtës e “Hyllit të Dritës”, të cilët më nderuan me besimin që të jem redaktor i këtij botimi me interes shkencor. Në faqen 29 të tij Lamberci i madh shprehet tekstualisht: “Dom Ndoc Nikaj më thotë se të parët e tij kanë dalë nga fisi i Nikajve të Malësisë”. Albanologu austriak, Lamberc, që mbështeti idetë e projektet e “Komisies Letrare” për dialektin e Elbasanit për “me u bam gjuhë zyrtare dhe gjuhë arsimore”, i njihte mirë fiset Nikaj e Krasniqe, Mërtur, etj., pasi  kah vera 1916 ishte  edhe në Malësinë e Gjakovës, aty ku bigohet dy herë Valbona, me Drinin, me Bushtricën.

Një emën tjetër i madh i Nikajve është edhe Pjetër Mëshkalla që i kreu studimet e larta për teologji-filozofi në Vjenë e shërbeu fillimisht në Poloni, Itali, etj. e mbasandejna edhe në Shkodër e Tiranë, i cili u dënue me 25 vjet në burgun famëkeq të Burrelit nga E.Hoxha e M.Shehu. Padër Mëshkalla ka botue e dorëshkrimue dhjetra poezi e artikuj, iu dha nga Presidenti i Republikës titulli “Martir i Demokracisë”, monumenti i tij hijeshon e lavdimon para Katedrales së Shkodrës, etj.

Nga fisi i Nikajt, përveç personaliteteve të fshatit Peraj, ka me dhjetra emra të tjerë të njohur në letërsinë, gazetarinë e shkencën shqiptare si prof. asoc. dr. Murat Gecaj–historian-shkrimtar, gazetar; dr. Afrim Krasniqi–pedagog, analist, poet, publicist;  prof. asoc. dr. Lush Susaj–pedagog, poet, publicist, studiues; poetët Nikoll Ulndreaj, Ndue Vatnikaj, Ndoc Qokaj; prof. asoc. dr. Gjin J. Ndrepepaj–mjek kardiolog e dr. Filip Mëshi–mjek zooveterinar; studiuesit Mark Palnikaj, Frrok Vukaj, Ylli Prebibaj; publicistët Agron Prebibaj, Mejdan Zhivani, Blerta Mrishaj, Besnik Palnikaj e të tjerë.

Një nga emrat e njohur të fisit Nikaj, poeti i letrave shqipe Gjon Neçaj, në vëllimet e tij poetike ujëvaron dimensionet e tij njerëzore me poezi kushtimore për  njerëzit e letrave shqipe: Ibrahim Rugovën e Kosovës, Din Mehmetin e Ali Podrimjen e Gjakovës, Bilal Xhaferin e Çamërisë, Dhimitër Shuteriqin e Milianov Kallupin e Elbasanit, Sotir Andonin në Amerikë, për Martin Camaj e Anton Paplekën, e të tjerë.  Në poezinë “Përkthyesi” për ikjen e Robert Shvarc elegjon: Prilli lule çeli / Zogjtë ndërprenë këngën / Ah, iku Roberti / E mira e marrtë! / Luhatet Harku i Triumfit / i shkrimtarit Remark/.

4.

Koha, poetin, prozatorin e publicistin Gjon Neçaj në 63 vite jetë në udhë e gjurmë të hapave të tij, në dritën e zemrës, në të qeshuren e syve, në shpirtin e fjalës poetike, e njohu qëndrestar të themeltë. Si shtiza e flamurit të bajrakut të tij të Nikajve të pushkës e të penës. Si palca e gurit të kullës trekatëshe në trollin e tij.

Gjon Neçaj, në ma të parin vëllim poetik të tij “Mrizi i Zanave”(1994) një poezi me pak vargje e shumë domethanie, ia kulmon vendlindjes së tij, amfiteatrit natyror, historik e kulturor Nikaj-Mërturit:

Në lartësinë e bjeshkëve të tua,

Kam matë dashurinë për Ty…

Tek unë nuk ke fund as skaj,

Zemra ime këngë,

Shpirti im mall.

Në këtë “Hark Triumfi” midis dy qafave të Kolçit e të Morinës, midis tre lumenjve të historisë e bukurisë  Drinit, Valbonës e Nikajt, qëndron forca e madhështia e Gjon Neçajt, jeton shenjtëria e tij poetike, njerëzore, burrërore.Poeti Gjon Neçaj nga ky Hark Triumfi i vendlindjes dritëron me vargjet e tij në horizonte të kohës, lartësi të qiellit, vargni të brezave: “Njerëz të mirë të dheut tim”, “Shumë ëndrra do të kryej nesër”, “Pres Diellin të lind në agim…”

 

Filed Under: ESSE Tagged With: HARKU I TRIUMFIT, I POETIT GJON NEÇAJ, Ramiz Lushaj

LOT MBI RRUDHA ARVANITE…

February 22, 2014 by dgreca

Nga cikli “Takim me arvanitët”/

Nga Abdurahim Ashiku/

Kisha ardhur në Saranti, edhe pse për pushime, dhe nuk mund të rrija pa e takuar Lam Qefalarin, shkëmbin arvanitas që ecën serbes drejt shekullit. Ecën më këmbë me kërrabën e çobanit  herë në njërën e herë në tjetrën dorë. Kështu të paktën e kisha fiksuar në kujtesë dhe në fotografi pranverën e vitit të shkuar kur u ndamë, ai me delet përpara dhe unë në kabinën e kamjoçinës së të birit. Maqi shkonte në Dobrenjë për të marrë misër për blegtorinë kurse unë e Shpëtimi për të kapur autobusin e linjës drejt Thivës e më tej drejt Athinës.Më thanë se fshati ku banonte Lami është lart në male, diku tek të tetëqind metrat mbi nivelin e detit. Ngrija kokën lart dhe mbaja kapelën me dorë që të mos më binte. Kaq e thepisur është ngjitja nga Saranti në ato male të larta.

Unë i dua malet. I dua se me ta dhe mbi ta jam rritur. Nuk e di në se ka majë të “Nëntë Maleve të Dibrës” që nuk jam ngjitur. Korabit, me thënë të drejtën i kam shkuar deri në prehër, në atë prehër që vendasit e quajnë “Bjeshka e Panairit” e që është perlë në guaskën e moluskut për nga bukuria dhe begatia, shumë pranë majës, por në majë nuk jam ngjitur, thjeshtë sepse ngjitja do shokë e unë nuk i kisha.

Kur po bënim planin e udhëtimit me Eqremin i thashë edhe djalit të vinte. Me thënë të drejtën me rezervë sepse i trembesha pak atij mali të panjohur, i trembesha, jo për vete por për djalin, rrugës në këmbë. Ai u tregua i gatshëm, madje shumë kërshëri për tu ngjitur.

Eqremi kishte një makinë të mirë. E kishte marrë me kilometrazh zero dhe e mbante si kukull. Është punëtor Eqremi, nuk e ka shokun. Herët, shumë herët në mëngjes ai niset për peshkim, për tu kthyer në mesditë. Më pas kap kosoren motorike dhe korr barë e ferra duke pastruar kopshtet. Mbrëmjeve, veçanërisht verës, e gjen duke punuar në ndonjë tavernë. Edhe e shoqja, Linda është punëtore që nuk ia gjen shoqen. Por edhe fëmijëve, ndonëse ende të vegjël e shoh se u punon dora dhe mendja. Dhe, në një familje të tillë të punës, një makinë e re është pjesë e jetës, “anëtarë i familjes”.

Kur u ngjitëm në pikën më të lartë ku Saranti dukej sikur ishte futur në një fole zogjsh të natyrës po kërkoja rrugën majtas, andej nga ma kishin bërë me gisht për katundin e Lamit. Morëm djathtas. Kaluam Hortjen dhe para se të binim në Dovrenjë morëm majtas. Rruga ishte e mirë, me dy kalime, e asfaltuar dhe e vizuar si të gjitha rrugët e tjera. Ngjiteshim e ngjiteshim mbi gjarprin e rrugës. Eqremi herë pas here luante rolin e ciceronit.

– Këtu, tha në një moment, disa vite më parë, dhjetë vjet më duket, ra një zjarr i madh që dogji tërë pyllin e pishave. I shihni ato tri pishat poshtë rrugës ? Kështu, me pisha shekullore ka qenë tërë mali. U dogjën të gjitha por dora e njeriut i ripërtëriu. E shihni si është rrethuar i tërë mali me tela me gjemba ? E shihni si po rriten filizat e rinj ? E shihni si i prenë skeletet e pishave të djegura dhe formuan brezare që filizat e mbjellë të rriten ?  Ndryshe ndodhi me malin përkarshi, atë malin e lartë të zhveshur lakuriq nga gjelbërimi. Atë thonë se u dogj fill mbas Luftës së Dytë Botërore. Njeriu nuk vuri dorë. Edhe natyra nuk qe në gjendja ta gjelbërojë përsëri…

Kështu ngjiteshim e ngjiteshim, herë duke parë malet me bashkën e gjelbër mbi shpinë e herë duke ndjekur gjarprin e kaltër të kanalit të Monrosë që duke përshkuar afro dyqind kilometra rrugë sjell ujë të bollshëm të pijshëm në çezmat e athinasve.

Kur gjarpri i rrugës e uli kokën një tjetër pamje na i mori jo vetëm sytë por edhe mendjen. Mbi kreshtat majëmaleve elika treshe si krahë ciklopikë, rrotulloheshin nga flladi i pragut të mbrëmjes. Tri ishin fare pranë, pesë të tjera larg e larg, tri (kaq më kap syri), shumë e shumë më larg. Grekët ia kanë marrë dorën vjeljes së frutave të natyrës. Erën majëmaleve e kthen në dritë. Edhe diellin, siç kam dëgjuar, në Kretë e shndërrojnë në dritë. Ne (nuk po i përmend sepse më lodhet shpirti) natyra na ka dhënë fruta si në asnjë vend tjetër. Na ka dhënë ujë me bollëk, erë të fortë në male por edhe në ultësira (Miloti, Tepelena…), diell treqind ditë në vit…Dhe kërkojmë…centrale atomike ( ?! )

Zbritja ishte e shkurtër. Kukurit, katundit që kërkonim, i kalonte rruga mes për mes, rrugë e cila më tej të çonte, majtas për në Livadhja, Arakova. Dhelfus (po të doni edhe në Janinë…) dhe djathtas për në Athinë…

…Nuk na u desh të pyesnim e të thërrisnim për të gjetur Lamin. Na priste në një kafene në qendër të fshatit. I veshur krrëk (Lami është qibar), me një buzëqeshje që i kishte rrënjët në shpirt, duke u mbajtur në kërlikun e çobanit, u ngrit dhe na përqafoi. Nuk ishte vetëm. Ishte me një bashkëmoshatar që edhe ai krrëk ishte veshur e buzëqeshja i këndonte në buzë.

– Jem soj me Lamin- na tha ai në një shqipe që më befasoi. – soj i largët, Jem rritur bashkë.

Me të do të zhvillonim më pas një bisedë të veçantë, bisedë për një tjetër radhë në udhëtimin maleve arvanitase.

…Lamit ia kisha një “borxh”, e kisha futur fjalën e tij arvanitase në librin “Rilindësit e kohës sonë” dhe doja t’ia dhuroja.

E nxora librin nga zarfi ku e kisha futur dhe ia dhashë në dorë duke e hapur tek faqja ku ishte fotografia dhe biseda me të. E mori duke iu dridhur duart nga emocioni, E pa me vëmendje (ai nuk mban syza për afër ndonëse është “njëqind pa tre vjet” siç thotë) dhe na tha.

– Po unë nuk di të lexoj…

…Dhe një pikë loti shpërtheu liqenin dhe bëri rrjedhë mbi brazdat e jetës…

Unë harrova se ai nuk di të lexojë. Harrova se arvanitasit gjuhën e të parëve të ardhur në këto male pesë-gjashtë shekuj më parë e kanë mësuar dhe trashëguar gojë më gojë, vesh më vesh e shpirt pas shpirti. Atyre nuk iu dha kurrë e drejta që të mësonin gjuhën e nënës me të shkruar e me të lexuar…

…E kaluam momentin duke pirë kafe e duke kërkuar fjalën arvanitase, që është një me një me fjalën shqipe, në objektet rreth e rrotull, nga kumbulla frutakuqe përballë e deri tek bredhi në mal.

Më pas u ngritëm. Lami donte të na tregonte shtëpitë e tij, të vetën, të pleqërisë atje lart në shkëmb por edhe të bijve të tij.

– Këtu, tha sapo morëm kthesën, kanë lindur, janë rritur e janë martuar e trashëguar të gjithë fëmijët. Këtu tani banon djali i madh Luka…

– Kjo, tha, pasi bëmë një copë rrugë në ngjitje, është shtëpia e Maqit. E ka bërë të re. Ka çarë shkëmbin për ta bërë. E shihni këtë shkëmbin këtu. Ia hëngri zemrën për të bërë gropën e ujërave të zeza…

Ngjitemi lart në ballkonin e shtëpisë së re të Maqit, shtëpi që siç na tha një ditë më parë do të ishte foleja e pleqërimit. Bëjmë fotografi me Lamin të gjithë me radhë: Eqremi, Indriti, unë…

Lami e kishte strehën e pleqërisë së tij “dhjetë shkallë” më lart. Nuk na la të ngjitemi. Na tha se do të merrte diçka dhe do të zbrisnim poshtë.

…Shkallëve iu ngjit si djalë i ri, pa u mbajtur në parmakë, filiz drejt përpjetë. Të gjithëve na bëri përshtypje shkathtësia dhe forca lëvizëse e tij. Unë dhe Eqremi nuk e shprehëm vetëm kënaqëm sytë dhe shpirtin. Indriti, me habinë e të riut, e shprehu: “Si djalë i ri ecën !” – tha duke e shikuar me dashuri.

…Mbrëmja po binte mbi katund. Lami na zuri rrugën dhe tha se nuk mund të iknim pa e pirë një gotë me verë.

E ndjemë thellë këmbënguljen e tij. Ishte këmbëngulje tipike shqiptare, tipike malësore. Nuk kishte asgjë të përbashkët me atë ftesën e thatë greke kur ndodhesh në shtëpinë e tyre.

Zumë një cep të një lokali në qendër të katundit, një lokal i bukur dhe i pastër por mbi të gjitha me një shërbim që të sillte ngrohtësi shpirtërore.

Nuk vonoi dhe shoqërisë sonë iu shtua edhe djali i madh i Lamit, Luka…

Bëmë muhabet siç bëhet në odën shqiptare, shqip. Nuk ngopeshim së biseduari me ata njerëz që kur e nxirrnin fjalën shqipe nga goja dukeshin sikur rilindnin, sikur nxirrnin shpirtin e tyre e ta venin në tavolinë…

…Ra muzgu e ne duhet të ngriheshim. Qemë të detyruar sepse kush vinte, sa e merrte vesh që jemi shqiptarë, pasi na thoshin “Ç’ë bënë?” nuk vononte që kamerieri të na vinte përpara kanën prej alumini të mbushur me verë të kuqe…

Duhej që të ngriheshim  e të ecnim mbi këmbët tona e jo të na ngrinin.

… Ajo mbrëmje, në një katund arvanitas, Kukuri, do të më mbetet në kujtesë për tërë jetën.

…Do ti mbetet edhe djalit, Indritit, i cili, kur po largoheshim, nuk ndej pa e shprehur përjetimin e asaj dite: “ Sa pleq të mirë ! “ –tha duke i përmbledhë të gjitha emocionit në tri fjalë. Bëra mirë që e mora djalin me vete, bëra shumë mirë!(Kukuri, korrik 2009)

 

 

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Abdurahim Ashiku, cikli-Takim me arvanitet, Lot mbi rrudha arvanite

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 624
  • 625
  • 626
  • 627
  • 628
  • …
  • 637
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Koha për debat serioz, reflektim dhe zgjidhje
  • MJEKU KURON, NATYRA SHËRON…
  • Vitet parisiane të Hasan Tahsinit…
  • KONSULLATA SHQIPTARE NË MICHIGAN – NJË KËRKESË E VJETËR E DIASPORËS QË TANI PRET TË BËHET REALITET
  • Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore të Tiranës në skenën e Teatrit “Marcello Mascherini” në Azzano Decimo
  • Ky vend është sakat sepse humbi shtyllën morale!
  • AARC 2026 Gala – “An organized and engaged community means our voice carries over,” Martin Vulaj
  • Shqiptarët në Philadelphia e ngritën zërin për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së
  • “The Journalist’s Mission”, filmi i mirënjohjes ndaj SHBA-së dhe NATO-s, premierë në Manhattan
  • Ah, ky telefoni! Dashuri apo tradhti?
  • Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
  • Guximi për të qenë vetvetja
  • Gjuha shqipe në pasqyrën e poliglotisë evropiane: Dëshmia e “Lutjes së Zotit” te Lorenzo Hervás y Panduro
  • “Mes shkencës dhe dritës” – një roman për njeriun modern
  • KOSOVA NË SESIONIN E 81-TË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT