• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LELA PRODANI, NDER 30 GRATE E SUKSESSHME NE AMERIKE

September 16, 2016 by dgreca

Zonja Lela Prodani, ndër 30 gratë më të suksesshme në industrinë e financave në Amerikë/

1-gruaja

Një durrsake me profesion analiste investimesh, është shpallur në listën e 30 grave më të suksesshme në fushën e investimeve institucionale në Amerikë. Bëhet fjalë për Lela Prodanin, analiste investimesh në Mercy Health në St. Louis, karriera e së cilës është ngritur në majat e saj më të larta në një hark kohor shumë të shkurtër. “Trusted Insight”, rrjeti më i madh në botë i investitorëve institucionalë, e ka renditur durrsaken Prodani, në top 30-shen e grave në ngritjen e shkallëve të karrierës në industrinë gjigante të financave. Por sa e vështirë është të fitosh një titull të tillë prestigjioz në Amerikë, dhe mbi të gjitha kur je femër? Me sa duket akoma më e vështirë është kur flitet për gjininë femërore, pasi kjo industri, tradicionalisht është dominuar nga meshkujt. Një pozicion që kërkon fuqi, autoritet, përkushtim, përballje me sfidat, dhe sigurisht shumë profesionalizëm. Por pasioni për këtë profesion nuk e ka penguar Lelën që t’ia dalë mbanë, dhe madje të arrijë aty ku çdo analisti tjetër do t’i dukej ëndërr në një periudhë kaq të shkurtër.

Rrjeti prestigjioz “Trusted Insight”, ka realizuar një intervistë të gjatë me Lela Prodanin, të cilën e ka përzgjedhur në kopertinën e revistës së saj, mes 30 femrave të tjera më të suksesshme.

Më herët, në tetor të 2015-s, Lela Prodanit i është atribuar çmimi prestigjioz i “Investitorëve Institucionalë” dhënë nga “Investor Intelligence Awards” .

Shkrimi i plotë i publikuar në “Trusted Insight”:

*Intervistë nga revista Trusted Insight me Analisten e investimeve në Mercy Health.

Lela Prodani është analiste investimesh në Mercy Health. Prodani filloi si analiste investimesh në nëntor 2013 dhe u rrit në detyrë po në nëntor të 2013-s. Më përpara ajo punonte si analiste e produkteve teknike dhe e performances në Mercer, si dhe analiste kapitalesh dhe specialiste e fondeve të përbashkëta tek Smith, Moore & Co. Prodani është e diplomuar në Biznes Ndërkombëtar dhe ka një Master Nga Universiteti Webster. Gjithashtu është e certifikuar në matjen e performancës së investimeve.

Trusted Insight: Financa është një industri që në mënyrë tradicionale është zotëruar nga meshkujt. Sa vazhdon të jetë i vërtetë ky mendim?

Lela Prodani: Puna ime e parë pas mbarimit të kolegjit ishte në një zyrë tregtare në një firmë të vogël broker. Kur fillova, shumica e këshilltarëve financiarë ishin meshkuj, dhe shumica në zyrat mbështetëse ishin femra. Të gjitha aktivitetet e tregut, ku unë kam marrë pjesë, ishin kryesisht të mbizotëruara nga meshkuj. Edhe sot, në fushën e investimeve institucionale, femrat mbeten një minoritet.

Megjithatë, pavarësisht kësaj që thashë më parë, unë nuk mendoj që gjinia është penguese për të pasur sukses. Pasi unë u largova nga firma broker, disa femra ishin rritur në detyrë në pozicione me autoritet dhe fuqi. Ti mund t’ia dalësh në këtë industri, pavarësisht nëse je një femër apo një mashkull. Diskriminimi mund të ketë qenë mbizotërues shumë kohë më parë, por nuk mendoj se kjo përbën më një problem. Unë besoj se çdo grua që hyn në industrinë e investimeve mund t’ia dalë të ketë sukses, për aq kohë sa ka pasion për këtë profesion.

Në rastin e ekipit në Mercy, katër profesionistët e investimeve janë të ndarë në mënyrë të barabartë : 2 meshkuj dhe 2 femra. Kjo më duket shumë inkurajuese dhe pres që të shoh edhe ekipe të tjera që mundohen të rrisin diversitetin.

Trusted Insight: A ka ndonjë gjë që industria mund të bëj për t’u përkujdesur që më shumë femra të angazhohen në të?

Lela Prodani: Po. Unë në fakt po diskutoja për këtë me Elizabeth Jourdan, përfaqësuesja jonë CIO në Mercy rreth mënyrave për të rritur angazhimin e femrave në këtë industri. Ajo është pjesë e një nisme në “Shoqatën CFA” në Saint Louis që po punon për të inkurajuar sa më shumë femra t’i bashkohen profesionit të investimeve dhe të ndjekin Charter CFA. Ky grup përbëhet nga meshkuj dhe femra. Ato po mendojnë të bëjnë shumë aktivitete që nga mbledhja e një grupi investitoresh femra për të biseduar rreth temave si aftësitë negociuese dhe mundësitë për karrierë, deri tek organizimi i takimeve sociale, ku anëtarët ndajnë përvojat e tyre rreth punës në një firmë investimesh.

Më duket sikur sa herë që ne bisedojmë me femrat, nuk ka shumë femra që luajnë golf. Sa herë që ka një event biznesi që përfshin golfin, shumë pak femra duan të shkojnë. Grupi po mendon të organizojë një aktivitet golfi, ku dikush të mund t’i mësojë bazat e golfit përpara se ato të mund të luajnë. Kjo mund të ndihmojë që më shumë femra të marrin pjesë nëpër aktivitete biznesi ku ato nuk do të shkonin, thjesht sepse nuk dinë si të luajnë golf. (Batutë e përdorur nga Lela për të treguar me humor se femrat janë të afta për gjithçka, madje dhe për ato “punë” që konsiderohen vetëm si pjesë e meshkujve).

Gjithashtu unë mendoj se në këto aktivitete duhet të tërheqim edhe studentët e kolegjeve, t’i edukojmë ata dhe t’i nxisim drejt ndjekjes së një karriere në investime. Të rrisësh ndërgjegjësimin është çelësi për të përfshirë sa më shumë njerëz, veçanërisht femra në këtë industri.

Trusted Insight:  Ekipi i investimeve në Mercy ka një përqasje përgjithësuese. A mund të na tregosh për dinamikën e ekipit dhe ndarjen e detyrave?

Lela Prodani: Për momentin ne jemi katër persona në ekipin tonë të investimeve. Tony Waskiewicz, si Kryeoficeri i Investimeve, Elizabeth Jourdan  përfaqësuese e CIO-s, unë si analiste e investimeve dhe Mike Werner si Menaxher i Operacioneve dhe Manaxhimit të Riskut. Gjithashtu ne kemi dhe asistenten Beth Gray, e cila është ajo që na mban të gjithëve të organizuar. Tani ne jemi duke kërkuar t’i shtojmë një tjetër anëtar ekipit tonë, i cili do të fokusohet në manaxhimin e riskut.

Siç e përmendet edhe ju, ne kemi një përqasje përgjithësuese. Megjithatë, rolet tona janë paksa të ndara. Unë dhe Elizabeth fokusohemi tek investimet me vëmendje. Ne jemi përgjegjëse për formulimin e ideve fillestare, për mbajtjen e kontakteve të ngushta me menaxherët tanë aktualë, dhe me monitorimin e ekspozimit dhe pozicionimit të portofolave (aksione, investime).Mike merret me anët operacionale të fondeve. Tony mbikëqyr si investimet ashtu edhe anët operacionale të portofolave; ndërkohë që na nxit çdo ditë që të mendojmë përtej zyrës sonë për të gjetur mënyra të reja për të përmirësuar portofolat dhe për të zgjidhur çështjet në mënyrë proaktive. Ndonëse detyrat na mbajnë pak të ndarë, ne komunikojmë në mënyrë të vazhdueshme me njëri-tjetrin: ne mblidhemi dy herë në javë ose më shumë sipas nevojës për takime zyrtare, ku rishikohen dhe diskutohen portofolat, e më pas merren vendimet.

Trusted Insight: Mercy Health praktikon investimet me përgjegjësi sociale. Na trego rreth këtij misioni.

Lela Prodani: Kjo është një pyetje shumë e mirë. Në këtë moment investimi me përgjegjësi sociale ka vetëm një kufizim për duhanpirjen, por ne po marrim një iniciativë për të zgjeruar mandatin tonë për përgjegjësitë sociale. Tani po punojmë me Misionin këtu te Mercy për të na ndihmuar të formulojmë ide dhe struktura të mira.

Ne kemi një takim të komitetit tani shpejt, dhe ne po përgatitemi të drejtojmë investime me përgjegjësi sociale,iniciativa dhe përqasje në procesin e ESG-së.(mjedis,shoqëri,qeverisje-tre shtyllat e qëndrueshmërisë). Këto përqasje mund të variojnë nga pasqyrimet përjashtuese (të ngjashme me kufizimin kundër duhanit që po zhvillojmë momentalisht), në investimet me menaxherë që përfshijnë pasqyrimet e ESG-së në proceset e tyre, deri tek qasjet më direkte, si investimet me impakt. Tani në po planifikojmë t’i tregojmë komitetit rreth kësaj teme dhe aplikimeve të saja. Pasi ta kemi diskutuar me komunitetin rreth mënyrës që Mercy dëshiron t’i qaset përgjegjësisë sociale, atëherë do ta zbatojmë. Ne kemi filluar bisedimet me menaxherët tanë rreth SRI-së dhe ESG- së. Shumë nga menaxherët tanë përfshijnë ESG-në në procesin e tyre të investimit. Gjithashtu momentalisht ne sigurojmë një listë sigurimesh të kufizuara për menaxherët tanë aktualë me mandate llogarie të ndara (planifikojmë të zgjerojmë edhe më tej këtë listë, përtej kufizimit kundër duhanit në të ardhmen). Por sërish nuk kemi bërë shumë për sa i përket investimit me impakt. Ne mendojmë se investimet me përgjegjësi sociale janë shumë të rëndësishme dhe ne po punojmë për të zgjeruar qëllimin e tyre.

Trusted Insight: A do të thoshit që investimet me përgjegjësi sociale janë ndryshim themelor në industri, apo është thjesht një modë që disa institucione po ndjekin?

Lela Prodani: Shumë investitorë europianë janë përfshirë në mandatet e SRI-së dhe ESG-së për shumë kohë. Mendoj se ne jemi pak mbrapa këtu në SHBA, por nga bashkëbisedimet e kohëve të fundit me kolegët, shumë e më shumë njerëz po marrin iniciativa në investimet me përgjegjësi sociale, veçanërisht firmat jo përfituese ose ato me përkatësi fetare. Mua më duket se investitorët dëshirojnë të bëjnë më shumë se thjesht të investojnë, ato duan të ndikojnë gjithashtu edhe në komunitet. Një nga pengesat në investimet në SRI/ESG është që ndikon në performancën e saj. Shumë njerëz mendojnë se nëse ata investojnë në SRI/ESG, ata do të kenë kthime. Ne kemi bërë disa kërkime në këtë fushë dhe nuk mendojmë se kjo është domosdoshmërisht  e vërtetë. Ne mendojmë se investimet e qëndrueshme mund të japin kthime që janë në të njëjtën linjë me etapat përkatëse. Megjithatë, ashtu si me çdo menaxher, ne mendojmë se përzgjedhja e menaxherëve është kyç në këtë fushë.

Trusted Insight: Zyrat e investimeve në spitale, përgjithësisht janë diçka e re në industrinë e kujdesit për shëndetin. Çfarë roli luajnë këto zyra në këtë industri?

Lela Prodani: Zyrat e investimeve në shëndetin publik përbëhen nga njerëz inteligjentë dhe inovatorë që përpiqen gjithmonë t’i dalin punëve përpara. Ka një ndjenjë të fortë bashkëpunimi midis ekipeve të investimeve në institucione të ndryshme. Sa herë që takohemi në konferenca ose në biseda me kolegët tanë, ne kemi bashkëbisedime të ngjashme : “Në rregull. Çfarë mund të bëjmë më mirë? Si mund t’i arrijmë objektivat dhe qëllimet tona në këtë mjedis me kthime të ulëta? Si mund të gjejmë mënyra krijuese për të përfituar nga dislokimet e tregut dhe mundësitë e reja? A mund të jemi krijues dhe të shtojmë vlera nëpërmjet zgjidhjeve më të rregulluara, si makinat me kredi, apo gjëra të tjera si këto?” Nuk është çështje konkurrence, është më tepër për të ndarë ide dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin.

Trusted Insight: Ky lloj bashkëpunimi duket i rrallë në fushën e investimeve.

Lela Prodani: Më duket se ka më shumë konkurrencë në universitete se sa në fushën e kujdesit për shëndetin. Ne komunikojmë me kolegë të tjerë dhe ndajmë ide; unë mund t’u telefonoj kolegëve të spitaleve të tjera për ndihmë ose për pyetje në lidhje me menaxherët. “ A ke folur me këtë menaxher?” Ata janë shumë mbështetës për të ndarë ide. Ne jemi njësoj dhe mua më pëlqen shumë ky fakt.

Trusted Insight: Me çfarë sfidash të veçanta përballen zyrat e investimeve të kujdesit për shëndetin?

Lela Prodani: Kthimet e ulëta janë një sfidë e madhe. Dhe kjo jo vetëm në fushën tonë. Ndoshta është e njëjta sfidë edhe për industritë e tjera. Është shumë e vështirë të arrish objektivat dhe qëllimet tona në këtë mjedis. Ose të duhet të marrësh më shumë risqe, ose duhet të heqësh dorë nga disa likuiditete me qëllim që të mund të kesh kthime me të larta. Ndonjëherë as kompensimi (kthimi për sasinë e rrezikut) nuk është i mjaftueshëm për rrezikun e marrë në projekte. Është me të vërtetë një sfidë. Në këtë mjedis të duhet të punosh për të ulur pagesat, ose të hysh në investime private për të pasur kthime më të larta. Kjo nuk është një sfidë vetëm në fushën e kujdesit për shëndetin,është një sfidë e përgjithshme, por kthimet përfundimisht po ndikojnë në objektivat dhe qëllimet e fondeve.

Trusted Insight: Kë konsideroni bashkëpunëtorë të Mercy Health? Ku ndryshoni ju nga ata?

Lela Prodani: Unë do krahasoja Mercy-n me institucionet e tjera të kujdesit për shëndetin në rangun e 2-2.5 miliardë $ me zyra të vogla investimesh prej katër – pesë vetash. Ekipet që pëlqejnë të marrin vendime të pavarura rreth planeve të tyre, por duke qenë se ato janë kaq të vogla, përsëri ato duhet të mbështeten goxha në konsulencën e tyre. Me këta kolegë do ta krahasoja Mercy-n. Nëse do të doja ta dalloja zyrën tonë nga të tjerat, do të thosha që ne kemi një shpërndarje të lartë alternativash, rreth 50% është në alternativë dhe 50% në investime tradicionale.  Gjithashtu ndërkohë që ne investojmë me menaxherë të mirënjohur dhe të mirëvendosur, ne nuk jemi të ndrojtur të investojmë me firma boutique-sh apo me mundësi të veçanta. Ne angazhohemi në partneritete që mund të jenë përfituese për ne. Një shembull është investimi ynë bazë në një fond dislokimesh me të ardhura të larta. Ne donim të përfitonim nga likuiditeti ne tregun me të ardhura të larta. Ne kemi pasur disa biseda proaktive me menaxherë aktualë dhe ata të mundshmit, dhe thamë: “Në rregull, ka likuiditet në tregun e krediteve, çfarë mund të bëjmë për të përfituar nga kjo?” Kjo na çoi të bëheshim një nga investitorët fillestar në këtë fond. Ose një shembull tjetër, ne kemi punuar me një menaxher tjetër për të përfituar nga mundësia e BB CLO Mezz. Mendoj që kjo është ajo që na dallon nga të tjerët, gjithmonë në kërkim për mënyra që të rrisim kthimet për planet tona.

Trusted Insight: Cilat janë këshillat që do t’u jepni grave të reja që duan të hyjnë në fushën e investimeve.

Lela Prodani: Ju duhet ta keni me pasion fushën e investimeve. Ju duhet të keni dëshirën të shkëlqeni kur jeni minoritet në industri. Të gjeni një ekip pune të mrekullueshëm që ushqen njohuri dhe mendjemprehtësi financiare. Mos ndalni kurrë së mësuari.

Duhet të shohim më shumë gra në industri. Ne duhet të punojmë shumë fort për të inkurajuar gratë e reja që kanë pasion financën, të zgjedhin fushën e investimeve si një zgjedhje për karrierën e tyre. Është një karrierë shumë emocionuese, dhe për njerëz që pëlqejnë të mësojë vazhdimisht është një vend i mrekullueshëm.

*“Trusted Insight” është rrjeti më i madh në botë i investitorëve institucionalë. Ai lidhet me vendimmarrësit e investimeve në dhurimet, fondacionet, pensionet, kompanitë e sigurimeve, fondet sovrane të pasurisë, zyrat familjare, korporatat dhe sistemet e kujdesit shëndetësor.

***
Sqarojme lexuesit se jeten dhe emigrimin e Leles nga Durresi ne SHBA, Gazeta “Dielli” e ka percjelle ne nje shkrim te vecante vitin e kaluar. Ky eshte nje sukses tjeter i kesaj zonje qe perfaqson nje familje te nderuar ne Durres. Me kete rast redaksia e gazetes “Dielli”, i uron arritje te tjera zonjes se nderuar Lela Prodani!

Filed Under: Featured, Interviste Tagged With: 30 grate, Lela Prodani, SHBA

SHTAMPA E FAIK KONICES DO TE RIATDHESOHET NE TIRANE

September 16, 2016 by dgreca

Nga Dalip Greca/

Gazeta “Dielli” është njoftuar nga Bostoni se të Dielën, 18 Shtator 2016, në Kryekishën Orthodokse Shqiptare të Bostonit, Katedralen”Shen Gjergji”, që njihet ndryshe edhe si Kisha e Nolit, do të organizohet një ceremoni me praninë e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë z. Ditmir Bushati dhe ambasadores shqiptare në Washington Znj. Floreta Faber, ku do të dorëzohet origjinali i Shtampës së njohur të Faik Konicës. Kjo shtampë është ruajtur në arkivin e Kishës së Nolit prej vitesh. Shtampa ka shoqëruar të gjitha publikimet e Konicës, përfshi revistën”Albania”. Nuk dihen ende arsyet përse kjo Shtampë po dorëzohet tani në Tiranë, ku shteti shqiptar nuk ka ndërmend që të organizojë ndonjë aktivitet për Faik Konicën. Kureshtja të con tek pyetja:Përse nuk u riatdhesua së bashku me Faik Konicën kjo Shtampë në prill 1995, ku Vatra se bashku me Komunitetin shqiptar ne SHBA ne bashkepunim me Qeverine Shqiptare ne drejtimin e Aleksander Meksi kthyen eshtrat e Konices ? Natyrisht qe shtampa aty ka qene, jo e fshehur!

Le të shpresojmë se Shtampa do të ruhet dhe nuk do të pësojë fatin e varrit, ku prehen eshtrat e Faik Konicës, që është dëmtuar nga keqdashës dhe shteti është treguar i pazoti për ta ruajtë.

Përse tani?

Ka mundësi që “ndërmjetësi” i dorëzimit të Shtampës të Faik Konicës këto diët në Tiranë të jetë ndikuar nga fakti se Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, vitin 2016 e ka shpallë vitin e Faik Konicës. Veprimtaritë një vjecare të Vatrës do të mbyllen me një simpozium shkencor kushtuar Faik Konicës, një ekspozitë me rreth 50 fotografi si dhe promovimin e dy romaneve misterioze të Faik Konicës” “Martesa e Lejlës” dhe dhe “Sotiri e Mitka” që mbajnë pseudonimin Jean de Kroïa (Gjoni i Krujës) dhe që sillen në gjuhën shqipe nga studiuesi Fotaq Andrea dhe janë të sponsorizuara nga Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA”.

Por le të kthehemi tek Shtampa me inicialet e Faik Konicës që do të riatdhesohet të Dielën: Cfarë përfaqëson ajo, në c’rrethana u krijua, prej cfarë materiali është bërë, kur u shfaq për here të parë, cili ishte artisti që e realizoi atë, si dhe ku e kur u përdor?

Për të marrë përgjigje për këto pyetje unë iu drejtova studiuesit të njohur të Faik Konicës, z. Fotaq Andrea.

Ja përgjigja e tij:

***

I dashur Dalip,

Ishte një surprize tepër e këndshme që më emocionoi thellë lajmi që shtampa e Faik Konicës do të vijë këto ditë në Tiranë që nga Katedralja e Bostonit. Është një ngjarje madhore sepse kemi të bëjmë simbolikisht me një “riatdhesim të ri të Rilindasit erudit Faik Konica” që e donte Shqipërinë moderne, me mentalitet të përparuar perëndimor, në gjirin e familjes së bashkuar evropiane.

Shtampa Faik Konica, e njohur ndryshe si “EX LIBRIS F. K.”, është pjesë e pandashme e personalitetit të tij të lartë,të cilën ai nuk e ndau në asnjë çast të jetës, ashtu sikurse nuk ndau kurrë nga dora librin, apo gramafonin. Krejt biblioteka e tij e pasur përmbante këtë vulë të tij, një shtampë e realizuar bukur artistikisht me germat e veta speciale prej platini, që përbënin artin e tipografisë koniciane të Albania-s dhe të librave të tjerë që ai shtypi me ato germa.

EX LIBRIS ka qenë vazhdimisht në modë tek personalitete të larta të Letrave dhe zakonisht shprehin grafikisht një simbolikë apo moto ideali të personit që e përdor, ose pastaj një formulë filozofike, etj.

Tek Albania, në tetor 1899, viti III, shfaqen për herë të parë germat e veçanta të platinit apo letrinat me zbukurime florale e ravijëzime, krahas një morie vinjetash nga fauna dhe flora e sidomos simboli i shqiponjës. Po ashtu në fund të Albania-s nga tetori 1899 Konica jep emrin e shtypshkruesit të tij kryesor me adresën: F. Donnay Imprimeur 398, Chaussée de Ëaterloo.

Mendoj se shtampa EX LIBRIS F.K. është realizuar nga skulptori belg Paul Nocquet, mik i ngushtë i Konicës, me të cilin ai u ushtrua në sportin e skermës gjatë kohës së qëndrimit në Bruksel. “Kam thyer kushedi sa shpata me të”, i shkruan Konica Apolinerit.

Shtampa, përbëhet pra nga dy germa platini F.K. (Konica bleu shumë shtrenjtë disa familje germash platini që përbëjnë bukurinë e artit tipografik të Albania-s) dhe nga dhjetë gjarpërinj që rrethojnë inicialet e emrit të tij, si dhe këtë logo poshtë tyre në greqisht:

“Flasin keq e do vazhdojnë të më përgojojnë, por mua aq më bën”.

Është kjo një moto koniciane me theks tepër aktual, kur edhe sot e kësaj dite po shfaqen në shtyp  antikonicianë të tërbuar që e deformojnë mendimin e tij, duke luajtur me citate të shkëputura nga konteksti dhe nga vetë fryma e kohës kur janë shkruar.

Që shtampa konciane vjen më në fund në Tiranë, që një pjesë identitare e gjeniut Faik Konica vjen në Atdhe, në këtë vit jubilar shpallur nga VATRA VITI FAIK KONICA – ja një gjest fisnik dhe një dhuratë e bukur e shqiptarëve të Amerikës dhe e Kishës shqiptare të Bostonit për gjithë shqiptarët e vërtetë që e duan me zemër Shqipërinë, Kosovën dhe kombin shqiptar, që e duan të përparuar e të ndriçuar, ashtu siç e donte me shpirt edhe vetë Konica kur shkruante : “PARANDJEJ NJË SHQIPËR TË LULËZUAR DHE INTELEKTUALE”.

Pershendetje të ngrohta

Fotaq Andrea

Shenim: Bashkengjitur EX Libris F.K.  realizuar nga une artistikisht, si dhe nje pjese e vogel e artit tipografik te Albanias, ku shfaqet germa “K”  (rrshti i parafundit) me ravijëzime që Konicës i dhanë idenë e gjarpërinjve, te gjithe ata qe e sulmonin eger,sidomos ne jeten personale.

fk1-tek-albania

Filed Under: Featured, Vatra Tagged With: dalip greca, Faik Konica, Fotaq Andrea, Shtampa

Lufta e qenve

September 15, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/Florida/

1 Ilir-levonja (2)

Prej datës 19 gusht në kinematë e Amerikës, po shfaqet një film me titullin War Dogs. Ose lufta e qenëve. Nuk është se ka kapur majat. Por as pa të fare nuk ka kaluar. Mua përshembull, më ndali një kolege. Dhe midis të tjerave më pyeti se a ishte e vërtetë ajo që kishte ndodhur në vëndin tim. Filmi kështu, thotë, ndërtuar mbi një ngjarje reale. Bëhej fjalë për Gërdecin. E si mund të harrohet për ne shqiptarët ajo e shtunë marsi, e 2008-tës. Gjithsesi, filmi është i përqëndruar në mashtrimin e madh, që dy të rinj i bëjnë Pentagonit. Duke i përlarë një kontratë të majme, treqind milonë dollarë për të blerë dhe pajisur me armë, aleatët amerikanë në lindjen e mesme. Po aty bën pjesë edhe Shqipëria ime. Kjo është një e vërtetë e pamohueshme. Ndërtimi i socializmit…, forcimi i vendit, bërja e tij një kështjellë të pamposhtur në brigjet e adriatikut, na ktheu edhe në hambar të barotit dhe predhave. Nga ana tjetër, krejt të papërgatitur. Si dhe për shkak të tensioneve politike të vazhdueshme. Divizionet, brigadat, repartet, pavarsisht se çfarë mbartnin depot e tyre ishin kthyer në një pranverë të punëve të errta. Kjo falë edhe 1997-tës, luftrave të shpërbërjes së Jugosllavise. Dhe dërrmës për tu pasuruar brenda natës.

Janë disa paralele që hiqen me vendet e rajonit, duke filluar që nga prishja e Bashkimit Sovjetik.

Megjithatë, demokracitë e rajonit tonë mbeten akoma në kushtet e brishta. Krahasuar me demokracitë e tjera. Dhe për më tepër, akoma të paçliruara nga doktrina e të ashtuqujtuarve baballarë të vendit. Filmi është i gjithi një sarkazëm e stilit amerikan, karshi sigurise, mbarëvatjes. Apo edhe seriozitetit të Pentagonit. Megjithëse ka edhe pëshpëritje se është një nga ato lojra t e trukura që nuk u mësohet kurrë e vërteta. Dhe që ashtu vdesin.

Pjesë e pragmatizmit amerikan.

Por prapë, neve na ka cëmbitur. Dhe si për dreq, na ka afruar me ato vende ku sa më shumë përpiqet inteligjenca ta largojë shqiptarinë. Dyfish e tërheq injoranca, dyfish e shtynë andej, nga gëlon rëra dhe bestytnitë e shoqërisë patriarkale.

Me Afganistanin, Irakun, Sirinë etj.

Sot vendi ynë është konkurent në tregjet e drogës. Kur një qeveri shpalli dëshmorë e trofe me shpërbërjen e një vatre si Lazarati. Dhe kjo e gjitha një çudi që nuk e di se çfarë emri t’i japësh.

Sot një shtetar i yni, në darkë mohon që në Shqipëri kultivohen kanabasi etj. Në mëngjes çon policinë diku, në prezencën e një gazetari të huaj. Dhe pret, shkatërron djeg, masive bimësh në fjalë.

Sot kryeministri i vendit i kënaqej filmit Lufta e qenëve. I kënaqej pamasë, Luftës së qenve. Ndërkohë që aty përflitet Shqipëria, jo kundërshtari i tij. I kënaqej si qen, kur i lehnin qentë.

Në një provincë të vendit, palët habiten me rezultatin e zgjedhjeve.

Se si blejnë me pak para një familje votash. Një fis të tërë. Një katund. Dhe i kënaqen çudisë së tyre.

Sot një qeveri e tërë. Dhe një turmë e tërë rektorësh, bëjnë makinacione llotarish të drejtash studimore. Si e si të shpien kontigjente me shumicë tek universitetet private. Duke nëmur, pjerdhur, rrënuar, maskaruar etj…, univeristetet shtetërore.

Ndërkohë që ua kanë kyçur pagesën fëmijëve të tyre nëpër universitetet më të mira të botës.

Duke i dhënë më shumë pushtet absurdit të çudisë së tyre.

Që është as më shumë e as më pak një luftë qenësh.

Sot një nënë shqiptare i lutet Zotit që fëmijës së saj, vajzës apo djalit, t’i dali llotoja e Amerikës. Ndërsa një baba e bën me vrap socialist a demokrat. Ose e shtyn të hapi një parti. I këshillon për së pari politikën. Se ndryshe nuk rregullohet në punë. Nuk ka të ardhme.

Sot në vendin tonë shpallet menjëherë në kërkim një pedagoge që mori 100 euro. Si pjesë e çudisë, mendësisë, shitblerjes së gjithçkaje të mundshme. Ndërsa dekorohet, lartohet e i jepen poste në qeveri, atij që vjedh miliona në tendera. Atij që shfrytëzon për prostitucion gruan apo vajzën e kushuririt. Atij që vret, pret. Dhe që publikisht kërcënon si njërin apo tjetrin krah.

Filmi Lufta e qenve?

A nuk është kjo e gjitha një luftë qensh.?!

Do ja shohën fundin vitin që vjen. Me njerëzit e lidhur staneve ku kultivohet kanabisi. Me aeroplanët mushkonja që bien sa në Divjakë. Dhe sa në Lezhë.

 

Filed Under: Featured, Politike Tagged With: Ilir Levonja, Lufta e qeneve, War dogs

Avioni italian në Ishëm ngre dyshime për narkotrafik

September 15, 2016 by dgreca

*“La Repubblica”: Guidi dyshime për lidhje të klaneve të drogës dhe armëve/

Prokuroria Për Krime të Rënda nis hetimet për trafik droge ndaj pilotit Italian Guido Andra Guidi 69 vjeç, i cili uli avionin në fushën e fshatit Gotull të njësisë administrative të Ishmit në Durrës. Abc News ka mësuar se drejt vendit të ngjarjes ka shkuar prokurori Përparim Kulluri i shoqëruar nga dy oficerë të policisë gjyqësore, për të kryer veprimet e para hetimore në vendin e uljes së avionit.

Mësohet se vendi ku është ulur avioni është kjo fushë në foto, që rezulton rreth 1500 metra e gjatë ku janë hedhur dyshime se është tokë e shkelur me rul, e bërë enkas për ulje avionësh. Nga ana tjetër, ekspertët në vendin e ngjarjes mësohet se kanë konstatuar gjurmë të freskëta makinë dhe zetori, çka kanë hedh dyshime se avioni mund të jetë ulur për tu ngarkuar me lëndë narkotike.

Kjo për faktin se zona ku është ulur avioni, rezulton një zonë e dyshimtë për ulje avionesh, informacion ky i dhënë edhe nga agjentët e Shërbimit Informativ  Shtetëror. Sipas këtyre burimeve, dyshohet se piloti i avionit është kontraktuar nga rrjeti i fuqishëm i trafikut të drogës në zonën e Malësisë së Krujës. Për këto dyshime, dosja i ka kaluar për hetim Prokurorisë për Krime të Rënda.

Burimet thonë se piloti Italian ka dorëzuar vetëm një aparat celular, por që po kërkohet në vendin e uljes për ndonjë aparat tjetër telefonik, pasi dyshohet se ai mund ta ketë hedhur. Nga ana tjetër, zyrtarisht nga drejtoria e Aviacionit Civil, mësohet se piloti italian gjatë fluturimit nuk është pikasur nga radarët sekondarë të aeroportit të Rinasit.

Kjo pasi dyshohet se ai mund të ketë fikur transponderin, pajisjen që diktohet nga radatrët në fluturim. Gjithashtu, këto burime thonë se nuk ka asnjë leje për fluturim brenda territorit shqiptar, çka shton dyshimet se avioni ka ardhur për t’u ngarkuar me lëndë narkotike.

Dyshohet se edhe komunikim në momentin e rrëzimit piloti i avionit nuk ka pasur me kullën e vrojtimit në aeroportin e Rinasit. I pyetur për këtë fakt, piloti Italian është justifikuar me faktin se nuk ka pas mundësi komunikimi pasi problemet e motorrit i kanë shkaktuar edhe ndërprerje të elektronikës së avionit./Abc News

“La Repubblica”: Guidi dyshime për lidhje të klaneve të drogës dhe armëve

guido-guidi-655x356

Sipas së përditshmes italaine “La Repubblica” piloti italian Guido Andrea Guidi dyshohet se ka lidhje me klanet kriminale të trafikut të drogës dhe armëve, me trafikimin e tyre me avionë përmes pistave sekrete në provincat e Barit e Brindizit.

“La Repubblica” shkruan se një avion i vogël me një pilot në bord u rrëzua në Shqipëri, pas uljes së detyruar një fushë shumë larg zonave të banuara, në një vendpushim në Ishëm që ndodhet pak më shumë se 30 km nga Tirana. Gazeta përshkruan se avioni është dëmtuar në krah, ndërsa piloti Guidi ka deklaruar se ka qenë i detyruar të bëjë ulje emergjente për shkak të një defekte. Autoritetet shqiptare, shkruan gazeta dyshonin se avioni ishte i përfshirë në trafikun e drogës edhe pse policia tha se nuk ka gjurmë të ngarkesave me drogë.Gazeta vijon më tej duke shkruar se për pilotin nuk ka asnjë masë mbrojtëse, por i është nënshtruar marrjes në pyetje nga hetuesit.Piloti italian shkuran “La Repubblica” është arrestuar në Itali në vitin 2006 për një aksident të ndodhur në 2003.Autoritetet shqiptare të aviacionit thanë se avioni nuk kishte leje për të fluturuar në hapësirën ajrore të Shqipërisë.

Filed Under: Featured, Kronike Tagged With: Avian italian, italian, let en Ishem, narkotrafik

Zonë e tregtisë së lirë në Ballkan?

September 15, 2016 by dgreca

Të paktën këtë aspiron kryeministri serb, Aleksander Vuçiç për rajonin ballkanik. Për AFP-në Vuçiç thotë se, ëndrra e tij do të ishte një “union doganor i të gjithë vendeve ballkanike.

Serbien Premierminister Aleksandar Vucic

Megjithë rritjen e tensioneve mes fqinjëve ballkanikë, kryeministri serb, Aleksander Vuçiç është shprehur për krijimin e një zone të përbashkët të tregtisë së lirë për rajonin e Ballkanit. “Nuk kam frikë nga e ardhmja nga pikëpamja ekonomike, ajo që kemi nevojë është stabiliteti politik në rajon”, është shprehur kryeministri serb, të mërkurën(15.09) në bisedë me agjencinë e lajmeve, AFP. Për këtë arsye ai thotë se angazhohet për stabilitetin në rajon, por thekson se bashkëpunimi me fqinjët është i vështirë, pas “jo vetëm dekadash, por shekujve të urrejtjeve dhe luftës”. Megjithatë ai ka shpresën për krijimin e zonës së tregtisë së lirë. “Ëndrra ime është është që të kemi një union doganor me të gjitha shtetet e Ballkanit, të gjitha zonat, me të gjithë. Po ashtu ëndrra ime është një tregti e përbashkët.” Sipas tij kjo nuk të ishte një ringjallje e Jugosllavisë, por një treg që do të favorizonte zhvillimin dhe mirëqenien në rajon.

Tension mes myslimanëve dhe të ortodoskëve në Bosnje

Po ashtu kryeministri serb ka pranuar se shumica e serbëve është e mendimit se “BE dëmton interesat kombëtare serbe”. Sipas një sondazhi, vetëm 48% e serbëve do të ishin për anëtarësimin në BE, përkundër aspiëratës së Vuçiçit. Megjithatë kryeministri serb ka siguruar se Serbia do të qëndrojë në rrugën e BE-së. Serbia nuk synon të ketë një pozicion të ndërmjetëm në Europë, megjithatë dëshiron të ruajë “marrëdhëniet e mira me rusët”.

Po ashtu kryeministri serb ka theksuar se përbën ende problem marrëdhënia mes myslimanëve dhe serbëve të krishterë ortodoksë në rajon. Marrëdhënia mes dy komuniteteve fetare brenda Bosnje-Hercegovinës, si edhe marrëdhëniet mes Sarajavës dhe Beogradit janë që nga koha e luftës së përgjakshme ende të tensionuara, ndërkohë që Beogradi vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.

Filed Under: Ekonomi, Featured Tagged With: Ballkan, Rama, Vucic, Zone e Lire Tregetie

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 564
  • 565
  • 566
  • 567
  • 568
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT