Presidenti Nishani në Forumin i Ekonomik të Diasporës
Presidenti Nishani përshëndeti Forumin I Ekonomik Mbarëkombëtar të Diasporës Shqiptare/
25 shtator 2016-Nju-Jork, SHBA/
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani përshëndeti Forumin I Ekonomik Mbarëkombëtar të Diasporës Shqiptare në tubimin që u zhvillua në Manhatan të “Rrjetit të bizneseve të Diasporës Shqiptare”.
Në fjalën e Tij drejtuar të pranishmëve të shumtë mes të cilëve ishin së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës Isa Mustafa, Asambleisti i Shtetit të Nju-Jorkut, Mark Gjonaj, Kongresmenët Eliot Engel, John Ratcliffe dhe David Jolly, ish-Presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli, Ministrja e Ekonomisë Milva Ikonomi, Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, Presidenti i RRGBDSH Nazir Mehmeti, Lazim Destani, etj., Presidenti Nishani u shpreh se ndihej i lumtur që ky Forum po organizohej në këtë vend të madh dhe shpirtin e lirisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Jam shumë i nderuar dhe i lumtur që, në cilësinë e Presidentit të Republikës se Shqipërisë, të jem në këtë takim me ju, në vendin që promovon më tepër se kushdo tjetër lirinë, të drejtat e njeriut, demokracinë dhe i shpreh mirënjohjen këtij vendi dhe kombi të madh. Historia jonë është e gjatë, por ajo nuk ka qenë edhe aq bujare me ne. Ne nuk e harrojmë të shkuarën, por sytë i kemi hedhur drejt së ardhmes. Komuniteti i biznesit përfaqëson komunitetin më të fuqishëm në një vend të lirë dhe demokratik. Ai përfaqëson lidershipin e vërtetë në një vend të pjekur. E kaluara në Shqipëri qe vërtet e vështirë për të zhilluar biznesin, por edhe në Kosovë e tillë qe për shkak të pushtimit. Por njerëz si ju, me dinjitet dhe kurajë, me punë të vështirë i kapërcyen sfidat dhe vështirësitë dhe e rritën veprimtarinë sipërmarrëse dita ditës duke punuar shumë ditë e natë, shtatë ditë në javë, duke punuar për vendin tuaj me vetëmohim. Ata ia dolën mbanë dhe arritën sukeses duke punuar shumë për vetën e tyre gjithashtu. Ndaj edhe për gjithë arritjet e deri më tanishme të shënuara në Kosovë dhe Shqipëri, ju jemi mirënjohës dhe shoqëritë tona ju janë mirënjohëse!” – vuri në dukje Presidenti Nishani.
Kreu i Shtetit shqiptar theksoi se biznesi është lidershipi i vërtetë dhe se ju besojmë vërtetë, sepse të arrish besimin është diçka e vështirë, duke shtuar se kemi shqetësime, hasim vështirësi, por nga ana tjetër kemi edhe detyrime dhe përgjegjësi ndaj komunitetit të biznesit. “Na duhet të luftojmë korrupsionin, dhe kjo kërkon dhe arrihet me vullnet të fortë. Por duhet të mësojmë shumë edhe nga përvoja juaj e vyer. Idetë tuaja, sukseset që keni arritur frymëzojnë dhe promovojnë histori suksesi.” – u shpreh Presidenti Nishani duke shtuar, se si Shqipëria, ashtu edhe Kosova kanë dhe ofrojnë shumë mundësi për zhvillim, duke përbërë edhe një shans për gjithë rajonin tonë. “Kemi luftuar dhe jemi përpjekur në të shkuarën për të rezistuar duke ruajtur identitetin tonë kombëtar. Dhe duhet të jemi të bindur që biznesi gjithmonë i ka udhëhequr vendet drejt zhvillimit dhe begatisë”
Duke ofruar përshtypjet e veta lidhur me takimet që ka zhvilluar me shumë homologë të Tij gjatë mandatit presidencial, Presidenti Nishani nënvizoi faktin që kemi shumë më tepër burime natyrore se sa çdo vend tjetër në rajon, zotërojmë mundësi dhe burime të pashfrytëzuara për të arritur prodhime bujqësore e për të qenë të pranishëm në tregje të mëdha.
Presidenti Nishani vuri në dukje se sfida më e madhe është ekonomia, dhe nëse kemi vullnet të fortë, burime njerëzore, duke investuar në kapacitetet dhe burimet cilësore njerëzore e duke i kombinuar me përvojat dhe praktikat më të mira, mund t’ia dalim mbanë. “Ne besojmë tek idetë tuaja si biznesmenë, dhe mund të arrijmë sukses duke i vënë në përdorim ato ide, duke rritur aftësitë manaxhuese, duke arsimuar brezat e rinj si dhe duke kombinuar praktikat dhe përvojat më të mira me idetë e frytshme”.
“Ju inkurajoj të gjithëve të bashkërendoni bizneset dhe të ndërmerrni veprime konkrete! Unë besoj në vullnetin e qeverive për zhvillimin e ekonomisë, por gjithsesi duhet të ushtrohet trysni pozitive mbi qeveritë dhe institucionet. Tani është koha e duhur! Duhen ndërthurur investimet me idetë e mira. Ju përgëzoj për arritjet tuaja duke ju nxitur të vazhdoni në këtë rrugë!” – përfundoi përshëndetjen e Tij Presidenti i Republikës.
“Albanian Excellence”- Mbrëmje gala në Nju Jork
Presidentit Nishani i dorëzohet Çmimi i Anëtarit të Nderit nga Albanian Excellence/
25 shtator 2016-Nju-Jork, SHBA/
Në Symphony’ Space Theater të Manhatanit u zhvillua veprimtaria kulturore-shoqërore e organizuar nga Albanian Excellence nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani, i cili së bashku me Zonjën e Parë, Odeta Nishani nënshkruan Memorandumin “Imazhi i Gruas Shqiptare në Shekullin XXI”.
Pas ekzekutimit të Himnit të Flamurit dhe atij amerikan nga Lindita Mezini Lole, për të pranishmit u transmetua një etyd homazh kushtuar Nënë Terezës, u luajtën mjeshtërisht disa pjesë muzikore dhe këngë shqiptare, dhe më pas u vlerësuan zonjat me karriera të suksesshme profesionale me Trofeun e Ekselencës.
Gjatë kësaj veprimtarie, Presidentit Nishani iu dorëzua Çmimi i Anëtarit të Nderit nga Albanian Excellence me motivacionin: “Si simbol i unitetit kombëtar dhe për rolin e Tij të pdiskutueshëm në vlerësimin dhe evidentimin e vlerave të suksesit njerëzor të shqiptarëve kudo ku ata jetojnë. Zoti Nishani, si President i Republikës së Shqipërisë, me personalitetin dhe largpamësinë e Tij, ka ndikuar në forcimin e diasporës shqiptare si një potencial i madh njerëzor, kulturor, shkencor dhe si një mbështetje e fuqishme për zhvillimin demokratik të Shqipërisë.”
Kreu i Shtetit shqiptar, në përshëndetjen e Tij, u shpreh mes të tjerash: “Ju faleminderit për suprizën e këndshme dhe shumë të veçantë që m’u dha në një eveniment të tillë civilizues dhe emancipues për shoqërinë, dhe pse jo edhe këtë vend të madh si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndihem shumë i gëzuar, madje sinqerisht dhe i prekur kur shoh se ideja e prezantuar më tepër se një vit më parë nga zonja Flora Nikolla në Zyrën time, është bërë realitet, ide e cila në thelb ka figurën e gruas, të zonjës shqiptare.
Qysh në çastin e parë, e mirëprita menjëherë me entuziazëm idenë, sepse në mendjen time u ravijëzua rëndësia, por dhe bukuria e të bërit bashkë në një format civilizimi, qytetarie, kulture të nënës, gruas, motrës, forcës së traditës dhe reflektimit të saj tek vlerat më të shtrenjta të identitetit tonë kombëtar, të familjes, kulturës dhe fisnikërisë që përcjell komuniteti ynë i nderuar në qytetin që “nuk fle kurrë”, në Nju-Jorkun përherë të ndriçuar, në shtetin-simbol të lirisë, në destinacionin e përbashkët me të cilin kemi fatin që të jemi partnerë strategjikë në shekuj, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Unë dhe Odeta, bashkëshortja ime, së bashku me të gjithë delegacionin që më shoqëron, jemi jashtëzakonisht të nderuar sonte duke qenë së bashku me ju në këtë sallë, në këtë veprimtari që përbën njërën prej etapave më mbresëlënëse të agjendës kur vjen për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Dëshiroj të falënderoj organizatorët e Albanian Excellence pa përjashtim dhe me mirënjohje të thellë, mbi të gjitha për mundin e derdhur, përkushtimin e treguar si dhe për nderimin që po më bëni si dhe atë të mjaft zonjave, të cilat në rrugëtimet e tyre kanë kapërcyer shumë sfida për të arritur drejt suksesit të tyre.
Ju jam mirënjohës, sepse energjia pozitive që kjo sallë përcjell është fryt padiskutim i pasionit dhe dashurisë që njerëz të nderuar si zonja Flora Nikolla, zoti Andis Gjoni, zonjave dhe zonjushave artiste dhe shumë e shumë kolegë dhe bashkëpunëtorë të tyre kanë dhënë përgjatë gjithë kësaj kohe për realizimin e një botimi të vyer, siç është “Zonjat Shqiptare në Nju-Jork” dhe takimit tonë.
Ju keni ditur të bashkoni me mençuri dhe t’i shkrini në një vlerat që mbart emri nënë, grua dhe motër me traditën, familjen dhe sakrificën, dinjitetin njerëzor dhe atdhedashurinë – tipike shqiptare, duke ngritur në piedestalin që i takon në mënyrë të stërmerituar figurën e gruas shqiptare.
Askush më shumë se ju nuk mund të flasë për vështirësitë me të cilat jeta të ballafaqon, por njëkohësisht dhe me kënaqësinë që një familje e shëndoshë, një individ me dinjitet dhe integritet dhe me vlera, të dhuron. Aq më tepër kur jeta, siç është dhe rasti juaj, përjetohet me mijëra kilometra larg familjarëve të afërt, njerëzve dhe miqve të dashur, me të cilët keni ndarë çdo gjë në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Luginën e Preshevës, vlera të cilat i kemi pasur për vite me radhë duke i lënë trashëgim nga brezi në brez.
Unë nuk kam dëshirë të flas për vështirësitë e jetës, sepse e gjej të pavend dhe aq më tepër që sonte jemi mbledhur për t’u gëzuar. Madje për të shkëlqyer ju dhe vënë në pah xhevahiret rrëzëllitëse të gruas shqiptare si forca, optimizmi, dinjiteti, forca shpirtërore, që shërbejnë si frymëzim për të arritur të bukurën, të mirën, arritjen e suksesshme.
Nuk kam ndërmend ta bëj, sepse edhe duke shfletuar librin “Zonjat shqiptare në Nju-Jork” kuptova se për çdo grua të intervistuar në të nuk kishte fort rëndësi sakrifica apo vështirësia, me të cilat jeni hasur duke i kapërcyer, por forca, rezultat, frytet e suksesit.
Madje as mungesa e barazisë burrë-grua nuk ju ka zmbrapsur, përkundrazi ju keni ditur me sukses që të gjitha këto t’i tejkaloni me mençuri dhe fisnikëri.
Me zemërt e me shpirt çdo ditë e më shumë shkëlqeni si margaritarë me arritjet tuaja profesionale, njerëzore dhe shoqërore, për më tepër prindërore!
Të nderuara zonja,
Të nderuar të pranishëm!
Ne kemi nevojë të marrim shembull nga ju e të frymëzohemi, por gjithashtu kemi çfarë t’i tregojmë mbarë botës dhe komunitetit ku jeta na ka rezervuar fatin të jetojmë.
Me gjak shqiptari në vena, e jona, shtatvogla dhe shpirtmadhja, Nëna Terezë ishte dhe vijon të jetë akoma më shumë shembull frymëzimi për mbarë njerëzimin. Siç dhe ajo ka thënë në një nga shprehjet e saj që personalisht e kam shumë për zemër, jo çdokush prej nesh mund të bëjë gjëra të mëdha, por të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.
Sot, duke përfituar nga kjo mundësi, përtej të qenit President, Kreu i Shtetit, zyrtar i lartë, dëshiroj që si qytetar dhe si prind njëkohësisht, t’i bashkohem zërit tuaj për të folur për kontributin që përcjell gruaja dhe nëna shqiptare në ruajtjen me devotshmëri të vlerave më të mira të familjes shqiptare, që me sakrificë dhe personalitet ka ditur të rrisë fëmijë të devotshëm, t’i përgatisë ata për sukses, në një familje të shëndoshë.
Kam dëshirë të flas për ju shumë gjatë dhe bashkë me ju pafundësisht e t’ju them se si President i Republikës ndihem me gjithë mend krenar për të gjitha arritjet tuaja personale dhe profesionale, për faktin që keni ndërtuar me sukses një karrierë të suksesshme në kontinentin e lirisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si profesioniste të vërteta dhe të barabarta në të gjitha drejtimet me bashkëkombaset tuaja amerikane.
Kam dëshirë, por njëkohësisht edhe detyrimin institucional dhe qytetar të vlerësoj gjithçka bëni për lartësimin e imazhit të kombit shqiptar, të cilit i përkasim me nder dhe krenari dhe siç është trashëgimia jonë shekullore. Jeta juaj, shembulli juaj, është dëshmi e padiskutueshme dhe frymëzim i pashtershëm i vlerave të traditës, atdhedashurisë, dëshirës për punë dhe për të ecur përpara me të cilat ne mund dhe duhet të krenohemi anekënd botës.
Ndaj dhe nga kjo foltore, nga kjo sallë, në cilësinë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, dëshiroj t’ju falënderoj secilën prej jush, zonjat dhe gratë shqiptare kudo ndodheni në Diasporën shqiptare për dashurinë dhe përkushtimin që falni çdo ditë për familjen tuaj, për korrektesën, profesionalizmin dhe integritetin në mjedisin ku punoni, për shembullin e mirë dhe për lartësimin e imazhit të gruas shqiptare në vendin dhe shoqërinë ku jetoni.
Të nderuara zonja,
Ju, si pjesë e Diasporës Shqiptare në tërësi, jeni një potencial i jashtëzakonshëm, një mbështetje mjaft e çmuar në interes të përparimit të vendit dhe të kombit tonë, jo thjesht në nocionin numerik, por për kapacitetet tuaja intelektuale, cilësore, për sfidat që keni kapërcyer, prandaj po jua paraqes një kërkesë, si lutje, si mik: Vazhdoni kështu! Vlerat tuaja, cilësitë tuaja përbëjnë pasuri edhe për vendet ku punoni dhe jetoni gjithashtu.
Në përfundim të fjalës sime, dëshiroj që t’i bëjmë një homazh, një nderim, një respekt të veçantë për nënat tuaja, të cilat janë të pashkëputura nga suksesi i rrugëtimit tuaj, që ju sollën në jetë dhe ju mëkuan me vlera, që ju ndihmuan për të kapërcyer sfidat, me bindjen se edhe ju të tillë do t’i rrisni edhe fëmijët tuaj! Urime dhe ju faleminderit!”
KRYESIA E VATRES U TAKUA ME PRESIDENTININ NISHANI
Të Shtunën me 24 Shtator 2016, Kryesia e Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” zhvilloi një takim pune me Shkëlqesinë e Tij, Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Përveç këshilltarëve të presidentit në takim mori pjesë edhe Shefja e Misionit Shqiptar në Kombet e Bashkuara, ambasadorja Besiana Kadare.
Takimi zgjati për dy orë. Kryetari i Vatrës, fillimisht e falenderoi presidentin Nishani, për vlerësimet maksimale që i ka bërë në vazhdimësi Vatrës dhe për këtë takim pune. Njehemi të vlerësuar, tha dr. Buçaj, jo vetëm pse Federata e Shqiptarëve të Amerikës është nderuar me dekoratën më të lartë, Urdhërin e Flamurit, por edhe për vlerësimin e lartë, që u është bërë martirëve të saj themelues, që lanë Amerikën për t’i shërbyer Shqipërisë, dhe si shpërblim u anatemuan nga diktatura komuniste, u pushkatuan, u burgosën, u internuan, nuk u dhanë as dy pëllëmbë tokë për varre, edhe pse mbrojtën me jetët e tyre kufijtë e Shqipërisë.
Presidenti i Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij z. Bujar Nishani, shprehu kënaqësinë personale dhe institucione për takimin me Kryesinë e Vatrës. Ai tha se Vatra, ashtu si e tërë diaspora shqiptare, ka qenë në qendër të vëmendjes të institucionit, që ai drejton. Vatra mbetet kontributorja kryesore në diasporë dhe përbën një vlerë historike Kombëtare. Ju vatranët, tha presidenti, mbeteni pjesa kryesore në Kolonën e cështjes Kombëtare. Vatranët meritojnë vlerësim maksimal për qëndrimet në trajtimin e çështjes kombëtare. Qëndrimet tuaja në mbrojtje të drejtave të Shqiptarëve në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët, përgjatë të gjithë historisë, kanë qenë dhe mbeten, shtylla e punës tuaj.
Kontributi i Vatrës ka qenë historik, jo vetëm në mbrojtjen e kufijëve të Shqipërisë, por edhe në mbajtjen gjallë të identitetit kombëtar; po ashtu meritë ka Vatra edhe në rrëzimin e diktaturës komuniste në Shqipëri, theksoi presidenti. Vatra ka inspirua miqtë tanë amerikanë për të qenë miqtë dhe aleatët tanë më të mirë.
Zëri i Vatrës do të dëgjohet me respekt nga institucioni i Presidencës, premtoi presidenti Nishani.
Duke iu përgjigjur vlerësimeve të presidentit Nishani për Vatrën, kryetari Buçaj tha: Faleminderit z. President! Ka qenë dikur mendimi se Vatra e ka kryer misionin e saj dhe duhet të pushojë. Koha po e tregon se misioni i Vatrës nuk është i kufizuar në kohë. Ajo është trashëgimia më e vlefshme e historisë sonë kombëtare, jo vetëm në SHBA. Çështja Kombëtare-Kolona e Vatrës, ka nevojë për kontributin e vatranëve, për sot dhe në të ardhmen. Vatra do të jetë e dobishme për Kombin shqiptar, derisa të kemi fqinj sllavë e grekë. Po ashtu ne besojmë se fryma e Vatrës do të ketë ndikim në rritjen e frymës demokratike në Shqipëri dhe në të gjitha trojet kombëtare.
Më pas kryetari Buçaj shprehu brengën e Vatrës dhe të vatranëve për gjendjen e rënduar ekonomike në Shqipëri, për mbulimin e vendit me parcela droge, shtimin e kriminalitetit, mosdënimin e “të korruptuarëve të mëdhenj”, dhe kthimin e korrupsionit në epidemi për vendin, për ngecjen e Reformës në Drejtësi dhe për pengesat që po hasen për nisjen reale të vetingut etj. Largimi masiv apo tendenca për të ikur me çdo kusht nga Shqipëria, është treguesi real i qeverisjes së vendit dhe i klasës politike shqiptare, që po e mbanë vendin në një tranzicion të frikshëm. Në optikën e Vatrës opozita dhe pozita duhet të bashkëpunojnë për të mirën e vendit dhe qytetarëve. Bashkëpunimi është i domosdoshëm dhe normë demokracie, por edhe domosdoshmëri për të zgjidhur problemet tona kombëtare të mbetura pezull. Koha shkon, nesër do të jetë vonë.
Më pas u diskutua për probleme konkrete, shqetësime të Vatrës: Si çështja Çame përmes retorikës dhe reapolitikës, problem i të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe dekorimi i Kryeministrit Gjukanoviq, të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Samiti i qeverisë dhe pozicioni i Presidencës, tendenca për të polarizuar e për të futur konfliktualitetin në diapsorë, mosshërbimi i duhur konsullor për shqiptarët e Amerikës, mungesa e një Ministrie të Diasporës, kur gjysma e popullsisë jeton në ëmrgim, sfidat dhe përballja e Shqipërisë me terrorizmin etj. Po ashtu Kryesia e Vatrës paraqiti një protestë për keqtrajtimin e Bustit të Faik Konicës dhe mosruajtjen nga keqbërsit të varrit të tij në Tiranë, ku siç dihet Vatra është kontributore në kthimin e eshtrave në Prtill 1995. (Hollësi nga takimi mund t’i lexoni në Diellin e printuar)
PRESIDENTI NISHANI DEKORON INDIVIDE NE DIASPORE
Presidenti Nishani vlerëson figura dhe personalitete me kontribute të spikatura të Bashkësisë Shqiptaro-Amerikane: Krenarë që jemi shqiptarë!/
24 shtator 2016-Nju-Jork, SHBA/
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani vlerësoi dhe çmoi në një ceremoni mbresëlënëse dekorimi në prani të shumë bashkatdhetarëve, kontributin mjaft të rëndësishëm të disa personaliteteve shqiptaro-amerikane me veprimtari të shquar atdhetare e shoqërore.
Kryetari i Shtetit shqiptar, i mikpritur ngrohtësisht së bashku me Zonjën e Parë Odeta Nishani në një atmosferë festive në Manhatan, shprehu kënaqësinë dhe emocionin e madh të shkaktuar nga takimi me bashkatdhetarët, duke vlerësuar në të njëjtën kohë atdhedashurinë dhe vullnetin e tyre për të ruajtur ndër breza identitetin dhe frymën kombëtare në shtetin më të fuqishëm e më demokratik në botë, në zemër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Me këtë rast, Presidenti Nishani nënvizoi mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të partnerit strategjik dhe aleatit të pazëvendësueshëm të dhënë ndaj demokracisë dhe institucioneve shqiptare, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të qeverive të saj në kohët më vendimtare të historisë së kombit shqiptar, ndaj shqiptarëve kudo ku janë: në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Luginën e Preshevës, Çamëri.
“Kjo traditë do ta vazhdojë në ditët, muajt, vitet, dekadat dhe shekujt në vijim miqësinë mes Shqipërisë dhe Shteteteve të Bashkuara të Amerikës” – theksoi Presidenti.
Presidenti Nishani çmoi rolin thelbësor e të pamohueshëm të Diasporës shqiptare për evidentimin dhe ruajtjen e vlerave të vërteta njerëzore e traditave të mrekullueshme të shqiptarëve.
“Ky vlerësim është për ju që jeni sonte në këtë sallë, për qindra mijëra shqiptarët kudo në Shtetet e Bashkuara, për familjet tuaja, të cilat ju mësuan jo vetëm respektin për të parët tuaj, por ju lanë trashëgim edhe respektin dhe krenarinë e të qenit shqiptarë”. – vuri në pah Presidenti Nishani.






Në veçanti, Kreu i Shtetit vuri në pah kontributin e jashtëzakonshëm dhe atdhetar, nëpërmjet ceremonisë zyrtare të dekorimeve, ku, u vlerësuan me Dekoratën “Nderi i Kombit” zotin Stan Dragoti me motivacionin: “Në vlerësim të krijimtarisë së tij të pasur kinematografike, rolit e kontributit të çmuar dhënë për dekada me radhë ndaj forcimit të lidhjeve të gjithanshme amerikano-shqiptare, si dhe përfaqësimit dinjitoz si artist i rrallë, duke lartësuar emrin e kombit shqiptar kudo në botë”; me Titullin “Mjeshtër i Madh” zotin Gëzim Nika: “Në shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë e tij të shquar artistike dhe kontributin e rëndësishëm shumëvjeçar në lartësimin dhe përçimin e vlerave të rralla e të vyera të muzikës popullore shqiptare” si dhe me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” zotin Musli Mulosmanaj: “Në vlerësim të qëndresës fisnike e të paepur ndaj përndjekjes së diktaturës, si dhe me mirënjohje për veprimtarinë e tij të shquar atdhetare, kontributin e qenësishëm dhënë për mbrojtjen e përparimin e çështjes shqiptare”;zotin Vehbi Bajrami: “Në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për veprimtarinë e tij të spikatur atdhetare si dhe për kontributin e rëndësishëm mediatik në mbajtjen gjallë, përhapjen dhe lartësimin e vlerave më të çmuara të kombit tonë në bashkësinë shqiptaro-amerikane”; zotin Sami Repishti me motivacionin: “Me mirënjohje për vuajtjet e sakrificat e parrëfyeshme, përpjekjet mbinjerëzore dhe qëndresën stoike ndaj diktaturës komuniste. Në nderim të veprimtarisë së palodhur atdhetare për çështjes kombëtare, si dhe në respekt të rolit e kontributit të çmuar dhënë për dekada me radhë si veprimtar i shquar i të drejtave të njeriut; farkëtues i lidhjeve të gjithanshme shqiptaro-amerikane, duke u shndërruar në një simbol të rrallë e të vyer të shqiptarizmit”; zotin Frank Shkreli me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë së shquar atdhetare dhe kontributit të vyer shumëvjeçar si gazetar, publicist e redaktor i Seksionit Shqip dhe drejtues i palodhur i Divizionit Euro-Aziatik të “Zërit të Amerikës”, duke përhapur, mbrojtur me paanshmëri dhe lartësuar vlerat e parimet e shenjta të lirisë dhe demokracisë”.
Presidenti Nishani dekoroi gjithashtu zonjën Lisa Milicaj me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Në shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë e saj të shquar sipërmarrëse dhe politike, si dhe në vlerësim të arritjes së saj historike, duke qenë gruaja e parë shqiptaro-amerikane e zgjedhur në Shtetin e Nju-Jorkut; kontribuese e devotshme publike në mbrojtje, përhapje dhe lartësim të vlerave e parimeve të shenjta të lirisë dhe demokracisë” dhe zotin Lui Fundo me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”: “Në shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë e tij të shquar atdhetare dhe sipërmarrëse, si dhe në vlerësim të kontributit të vyer dhënë në forcimin e lidhjeve historike shqiptaro-amerikane, si dhe për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike e tregtare mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë”.
Në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni, Presidenti Nishani u shpreh se: “është kënaqësi e veçantë të jem në mesin e bashkëkombësve të mi, të cilët kanë ardhur këtu për të ndërtuar një jetë më të mirë për veten e tyre, por nuk kanë harruar asnjëherë nga kanë ardhur dhe kush janë. Çdo ditë të jetës dhe punës tuaj në Amerikë, ju e keni dëshmuar se çfarë do të thotë të jesh shqiptar dhe ta duash vendin tënd. Ju keni bërë që miqësia shqiptaro-amerikane të thellohet dhe keni qenë faktor i rëndësishëm që çështja shqiptarë të jetë në agjendën amerikane. Ju keni mbajtur gjallë ëndrrën e shqiptarëve për liri edhe atëherë kur ajo dhunohej nga vetë ne shqiptarët. Ju keni mbajtur të gjallë ëndrrën për liri edhe atëherë kur ajo na mohohej nga të tjerët.
Shqiptarët e Amerikës, të gjithë brezat kush më shumë e kush më pak, dikush më miqësitë në nivele të larta politike, dikush më miqësinë me median, dikush më kontribut financiar e fizik, e dikush tjetër duke mbajtur familjet e tyre në trojet shqiptare, keni dhënë për Shqipërinë dhe shqiptarët një kontribut të jashtëzakonshëm. Kur askush në këtë anë të botës nuk e njihte Shqipërinë, diaspora e hershme këtu, ka bërë që Amerika të ishte në anën e shqiptarëve. Kur shteti zyrtar shqiptar vetëshpallej armik i Amerikës, ju shqiptarët e Amerikës keni bërë gjithçka që keni pasur mundësi që Amerika mos t’i braktistë shqiptarët mos ta harronte çështjen shqiptare. Kur ne po rigjenim lirinë pas errësirës së komunizmit, ju shqiptarët e Amerikës ishit të parët që ndihmuat, të parët që rivendosët lidhjet mes dy vendeve tona, dhe të parët që erdhët për ta rindërtuar dhe ringritur Shqipërinë, tashmë ashtu siç e kemi ëndërruar gjatë. Kur Kosova ishte në rrezik shfarosjeje, ju ishit të parët për të ngritur zërin, për të ndërgjegjësuar administratën amerikane për rrezikun që po iu kanosej shqiptarëve. Nuk u ndalët me kaq, po ndihmuat më qindra e mijëra familje kur ato kishin më së shumti nevojë, djemtë tuaj ishin vullnetarë dhe të patrembur në luftë për të mbrojtur popullin e Kosovës dhe ishit të parët që investuat për të ringritur Kosovën e shkatërruar nga lufta dhe gjenocidi. Ju çdoherë dhe në çdo kohë keni punuar dhe vepruar që sot të gjithë ne të themi me mburrje: JAM SHQIPTAR!
Kontributi i shqiptarëve të Amerikës është i veçantë i pazëvendësueshëm dhe që meriton mirënjohjen e shtetit shqiptar. Sonte, në cilësinë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, kam vendosur që të dekorohen disa figura të shquara të diasporës shqiptare të Amerikës, por, secili shqiptar i Amerikës meriton mirënjohje të veçantë për kontributin e dhënë për çështjen shqiptare. Çështja kombëtare nuk është retorikë, por një kolonë thelbësore e identiteti tonë, dhe për ju në këtë vend të madh e të lirë ka qenë e mundur të punohet e të merren rezultate për çështjen kombëtare. Prandaj ne duhet të frymëzohemi, të ruajmë identitetin tonë dhe para të gjithash me krenari origjinën tonë: JAM SHQIPTAR!
Zoti e bekoftë popullin amerikan! Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë në botë!” – përfundoi fjalën e Tij Presidenti Nishani.
Në përfundim të kësaj pritjeje me bashkatdhetarët Shoqata e Policëve Shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shprehu Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani mirënjohjen dhe vlerësimin për mbështetjen e Tij besnike e të përkushtuar që ka treguar ndaj anëtarëve të Komunitetit Ligjzbatues Shqiptaro-Amerikan në të gjithë Amerikën.
- « Previous Page
- 1
- …
- 563
- 564
- 565
- 566
- 567
- …
- 903
- Next Page »


