• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DITA E SOTME SHENON KATËRDHJETË VJETORIN E VIZITËS SË NËNË TEREZËS BËRË KISHËS SË ZLLAKUQANIT

October 22, 2022 by s p

Shkruan: Lekë Mrijaj/

Shqipëria (dhe Trojet e saja) është një trevë e banuar që në lashtësi. Gjurmë dhe emra personalitetesh jetësore, shpirtërore, kombëtare e kulturore shqiptarësh janë deshmuar dhe janë gjetur gjithmonë gjatë gjithë kohëve dhe epokave të ndryshme.

Siq thonë edhe shumë studiues vendorë dhe të huaj, në këtë pjesë të Ilirikut shqiptarët e sotëm janë pasardhës të drejtëpërdrejtë të Ilirëve, të cilët ishin shtrirë me fise të ndryshme në mbarë pjesën perëndimore të Ballkanit, ku në këtë pjesë siq e potencuam sipër përfshihen edhe shumë emra shqiptarësh duke vequar kësaj radhe edhe misionaren e shkupjanen shqiptare, shënjtereshën e vlerave universale, Nënë Terezën, e cila në historinë shqiptare dhe të botës njerëzore mbetet një figurë e misionare e denjë dhe një shënjtereshë e dykohësive, e cila shënjtereshë kishte vepruar një jetë të tërë nën thirrjen hyjnore në misionin e saj në Kalkutë të Indisë e botën mbarë pra në sherbim të Zotit dhe vëllaut njeri.

Nënë Tereza, duke i sherbyer njerëzimit ka predikuar fjalën e Zotit në misionin e saj, njëkohësisht ka deshmuar edhe dashurinë hyjnore të Tij , si dhe mëshirën, pendesën, faljen, ndihmen ndaj njerëzve me nevoja të veçanta e të sëmurë, taman si një bijë me rrënjë shqiptare e cila edhe u bë Nëna me e dashur në botë për njerëzimin mbarë.

Andaj sot, me 22 tetor 2022, është katërdhjetëvjetori i ardhjes së shkupjanes e nobelistës shqiptare, Nënë Terezës, e cila me 22 tetor 1982 në orët e pasditës, vizitoi Kishën e Zllakuqanit, i cili është një fshat shqiptarë ku banorët e saj edhe përkundër sfidave nga ana e pushtuesve mesjetar, otoman e serbofil, me fanatizem i kanë qendruar besnik jo vetëm kombit të tyre por edhe besimit të tyre katolik e njerëzor, pra qysh nga koha e ardhjës së Shën Palit në Ilirik ( deshmi nga Bibla ) e deri në ditët e sotme për asnjëherë nuk u gjunjëzua.

Pikërisht ishin nikoqirët e arthershëm të famullisë, tashmë i përndritshmi, dom Mark Sopit (ish ipeshkëv i Kosovës tashmë i ndjerë), ish kapelanit të tij, dom Fran Sopit e motrat vinçenciane të cilët e mirëpritën ku me atë rast morën pjesë edhe shumë adhurues të frymës tereziane ( një fat i mirë i imi historik se edhe unë isha pjesmarrës i asaj ngjarje madhore, ku në kalim, Nënë Tereza edhe ma vuri dorë mbi sup…) nga famullia e Zllakuqanit dhe me gjërë në pritjën e Shënjtëreshës- Nënë Terezës e cila erdhi në Zllakuqan, në shoqërim te dom Lush Gjergjin dhe disa motra të rregullit të saj-tereziane.

Bazuar në librin e Don Lush Sopit, “Famullia e Zllakuqanit” (faqe 121, 122, 123) gjejmë fjalët e nikoqirit të famullisë, dom Mark Sopit i cili gjatë pretkut të meshës së asaj dite, në emër të famullisë i ka deshirue një mirëseardhje Nënë Terezës me këto fjalë: “Jeni keni ardhur në mesin tonë për të qenë dora e Zotit, e cila do të na tregojë, do të na prijë kah rruga e tij, në Dashuri. Mbasi jeni plotë dashuri me Zotin, këtë me së miri do ta ta bëni ju. Ne dhe bota mbarë ka nevojë për njerëz të tillë, për deshmitarë të vertetë të Zotit”.

Ndërsa Nënë Tereza e cila dukej e entuziazmuar, e gëzuar e lumtur të pranishmeve ju drejtua me disa fjalë: “Jam shumë e lumtur qe sot gjendem në mesin tuaj, qe të flasë me ju. I faliminers Zotit për gjithë këtë dashuri qe me keni treguar dhe ju lus të gjithëve që ti luteni Zotit për mua, për motrat e mia, për të varfërit e mi qe Zoti na i ka dhënë në kujdesin tonë. Ne lutemi qe Hyj të vijë në zemrat tona, qe Jezu Krishti të hyjë në shpirtin e popullit tonë. Ne lutemi qe Zoti të jetë fuqia jonë, jeta jonë, dashuria jonë. Lutemi qe të kthehet në familjet tona urata, pjesa e rruzarës qe Zoja të jetë Nëna jonë. Nëna e konaqeve tona. Ajo të na mësoj se si kërkohet për ta dashur njëri tjetrin. T’i falenderojm Zotit qe na ka bashkuar sot këtu qe të kërkojm prej Tij dhantinë e paqes, për të cilin kanë aq shumë nevojë familjet tona dhe gjithë njerëzim.

Ju falemenders Zotit qe nuk po përjetoni tragjedinë e shumë të gerbulurve të Kalkutës, ju keni mjaftë ushqime pije dhe veshmbathje, por në radhë të parë lypset të falenderuar të Madhin Zot. Mendoni edhe pak për ata qe s’kanë asgjë, qe vdesin urie rrugëve. Zoti ju bekoftë!” – tha në fund Nënë Tereza.

Vlen të potencohët se (me 29 tetor 2022 në Qëndrën Kulturore të Kishës në Zllakuqan) në kuadër të katërdhjetë vjetorit të ardhjes së Nënë Terezës në Zllakuqan, famullia e Zllakuqanit në krye me dom Alfred Sokolin, (në bashkpunim me Forumin e Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” Klinë dhe Komunën e Klinës), do të shënoi një Takim Jubilarë në shenjë nderimi për figurën e Nënë Terezës, ku do të flasin shumë personalitete e ligjerues të shkencës, njëkohësisht do të ngritet një pllakë përkujtimore në shënjë kujtimi në katërdhjetë vjetorin e vizitës së Nënë Terezës bërë Zllakuqanit.

Ps: Fotoja në fjalë e shënjtereshës, Nënë Terezës s’bashku me dom Mark Sopin është shkrepur në balkonin e zyrës famullitare me 22 tetor 1982, e cila foto është shkoqitur nga libri, Don Lush Sopit, “Famullia e Zllakuqanit”.

Filed Under: Histori

Dokumenti, si u fut gjuha shqipe në shkolla gjatë pushtimit turk, shteti osman 75 mijë guru për ndërtimin e Kishës në Shkodër

October 19, 2022 by s p

Përgatiti: Eneida Jaçaj/

Arkivat turke përmbajnë shumë dokumente të vjetra historike, sa i takon marrëdhënieve mes dy shteteve tona, gjatë pushtimit osman. Dokumentet i përkasin harkut kohor nga viti 1664 deri më 1914, gjatë periudhës kur Shqipëria qeverisej nga Porta e Lartë, dokumente të cilat do të shërbenin si objekte studimi për historianët shqiptarë. Madje, për këtë, profesionistë shqiptarë të Turqisë që kanë punuar në arkivat turke, kanë shpallur projektin për të përkthyer dokumentet për Shqipërinë nga osmanishtja, projekt i cili ka nevojë për financim. Për të përkthyer dokumentet voluminoze kërkohet staf pune me profesionistë që dinë të lexojnë dhe përkthejnë këto dosje, nga gjuha osmane e vjetër. Iniciatorët e projektit i bëjnë thirrje Diasporës, biznesmenëve, etj, e më gjerë, të financojnë me aq sa munden projektin, pasi dokumentet e vjetra janë pasuri historike, të cilat shëbejnë për të hedhur dritë mbi marrëdhëniet Shqipëri-Turqi, gjatë pushtimit osman në trojet tona. Dokumenti që po paraqes është një prej shumë dokumenteve të arkivave të Turqisë, i cili përfshin 116 dokumente të ndara në 9 tematika me një shtrirje kohore mes viteve 1664-1914. Me paraqitjen e këtij dokumenti nuk kam për qëllim të jem në anë të Turqisë, as sot dhe as kur Shqipëria u pushtua nga Perandoria Turke, por le të shërbejë si indicie për të hedhur dritë mbi të vërtetat historike të asaj periudhe dhe marrëdhënieve mes dy vendeve. Çdokush ka të drejtë të reagojë për të ballafaquar faktet historike me këtë dokument, duke e ccuar në vend historinë dhe identitetin e kombit shqiptar.

Gjuha shqipe

Gjuha shqipe është pjesë e gjuhëve indoeuropiane, vazhdim i ilirishtes, dhe ky dokument fakton edhe një herë se sa e vjetër është gjuha jonë. Sipas dokumentit, qeveria e Portës së Lartë propozoi ligjin për futjen e gjuhës shqipe në licetë që ndodheshin në Shqipëri. Shkolla e parë shqipe zyrtare u hap më 7 mars 1887, kur Naim Frashëri mori leje nga Porta e Lartë. Pra, momenti i futjes së gjuhës shqipe në shkolla, gjatë pushtimit osman, vjen pikërisht nga përpjekjet e vazhdueshme të patriotëve shqiptarë për t’i kthyer ccdo ditë lavdinë dhe vendin e munguar, kombit shqiptar.“Propozimi për ligjin në lidhje me shtesën në fondin e zyrave administrative në lidhje me buxhetin e Ministrisë së Arsimit për vendosjen e gjuhës shqipe, që është gjuha vendore, si lëndë mësimore në licetë e Shqipërisë”, thuhet në dokument. Gjithashtu iu kushtua rëndësi të madhe hapjes së shkollave për të përçuar dije. Sipas dokumentit, u hapën shkolla në mbarë vendin dhe u punësuan shumë mësues. Shkollat u hapën dhe në fshatra të thella, ku merrnin dije të gjitha moshat. “Megjithëse në Durrës gjendet një lice (idadije) dhe nga një shkollë ruzhdije në të katër qendrat e kazave, si dhe shkolla fillore në 232 fshatra, të gjitha këto nën varësinë e vilajetit të Shkodrës, të gjitha këto insitucione nuk mjaftojnë që të përballojnë nevojat e vilajetit; prandaj merret vendimi që të hapet një Darulmuallimin dhe një lice në qendrën e Shkodrës”, thuhet në dokument. Pas inaugurimit të liceve u hapën gjithashtu 500 shkolla fillore në fshatrat e vilajeteve të Shkodrës, Manastirit dhe Janinës. “Çelja e një liceu (idadije) në Elbasan, Prizren dhe Durrës, shtyrja e afatit të inagurimit të shkollave idadije që mendohej të kryhej në Prevezë dhe Shkodër, vlerësimi si më i rëndësishëm i çeljes së shkollave fillore (ibtidaije) të fshatit me sasinë monetare që do të mbeten prej tyre; ndihma nga ana e bashkive për fondin e darulmuallimin-eve, ngarkimi me detyrën e mësimdhënies në shkollat fillore të nxënësve të ngarkuar me këtë detyrë në vilajete; nga ana e shtetit duhet të ndërtohen rreth 500 shkolla fillore (ibtidaije) nëpër fshatrat që nuk kanë mundësi ti ndërtojnë vetë ato, shpenzimet monetare të të cilave mendohet të përballohen pjesërisht nëpërmjet taksës që grumbullohet për bagëtitë e prera në qytete”, thotë dokumenti.

Respektimi i fesë së krishtere

Përpos lejimit të futjes së gjuhës shqipe në shkolla, ajo që vihet re në këtë dokument është se Porta e Lartë lejonte respektimin dhe lëvrimin e fesë së krishtere. Perandoria Turke nuk lejonte vetëm martesat mes muslimanëve dhe të krishterëve, ku, sipas Tanzimatit, ato familje që i martonin vajzat muslimane me djem të krishterë, do të duhej të paguanin gjobë. Megjithatë, sipas dokumentit, respektohej prakticizmi i riteve fetare dhe, madje u hapën shkolla katolike dhe u ndërtuan kisha gjatë pushtimit osman. Shteti perandorak ndihmoi me 75.000 guru për përfundimin e punimeve të kishës në Shkodër. “Me kërkesën për ndihmë humanitare drejtuar shtetit perandorak për përfundimin e punimeve të kishës që ka nisur të ndërtohet në Shkodër, kërkesë që ka si qëllimi që të krishterët e Shkodrës “të krenohen kur të thonë se kishën e kemi përfunduar me ndihmën zemërgjerë të shtetit perandorak otoman”, sulltani ka lëshuar urdhëresën që nga zyra e Thesarit të dhurohen 75.000 gurush”, thuhet në dokument. Gjithashtu, siç e thashë më sipër, u ndërtuan shkolla për vajzat e krishtera si në Gjirokastër, Durrës, Fier, Berat etj. “Lejimi i fillimit të ndërtimeve të ndërtesës që parashikohet të funksionojë si shkollë për vajzat e popullsisë së krishterë në sanxhakun e Gjirokastrës. Në nahijen e Fierit që varet nga sanxhaku i Beratit gjenden 400 njësi banimi (hane) jomuslimane dhe me këtë rast lejohet që shkolla e vajzave ortodokse të nahijesë të rindërtohet duke u zgjeruar në përmasa 16,30 metra e gjatë dhe 5 metra e gjerë, ndërtim që kap vlerën e 4.700 gurushëve”, thuhet në dokument. Ky dokument përmban edhe shumë pika të tjera që tregojnë mënyrën se si qeveriste Porta e Lartë në Shqipëri. Reagimet, kundërreagimet, argumentet janë të mirëpritura, pasi këtu ceket historia jonë shqiptare.

Filed Under: Histori

LE COURRIER EUROPÉEN (1907) / KY ËSHTË MEMORANDUMI QË SHQIPTARËT U DËRGUAN DELEGATËVE TË FUQIVE TË MËDHA NË KONFERENCËN E PAQES NË HAGË

October 16, 2022 by s p


Konferenca e Dytë e Paqes në Hagë, 1907. — Konferenca e Dytë e Paqes në Hagë (Salla e Konteve), 1907
Konferenca e Dytë e Paqes në Hagë, 1907. — Konferenca e Dytë e Paqes në Hagë (Salla e Konteve), 1907

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 16 Tetor 2022

“Le Courrier européen” ka botuar, të premten e 9 gushtit 1907, në faqen n°12, një shkrim në lidhje me memorandumin e shqiptarëve drejtuar asokohe delegatëve të Fuqive të Mëdha në Konferencën e Paqes në Hagë, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Memorandumi shqiptar.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Një memorandum nga shqiptarët e tri feve u është dërguar delegatëve të Fuqive në Konferencën e Hagës. Ata formulojnë kërkesa në favor të krijimit të shkollave shqipe, të administrimit më të mirë të drejtësisë në trevat shqiptare dhe dhënies së lirive të përputhshme me progresin modern :

“Ne duam shkolla shqipe, ku fëmijët tanë të mësojnë; ne duam shkolla kombëtare, ku të mësohet gjuha jonë, e shtypur dhe e ndaluar deri tani.

Ne duam reforma të thella administrative. Të lodhur nga presioni dhe shtypja e zyrtarëve të paskrupullt dhe të papërgjegjshëm, ne kërkojmë një administratë autonome, të ndershme; një administratë e denjë për një komb të qytetëruar.

Këtu përqendrohen kërkesat tona. Prej vitesh ushtarët e uritur të Sulltanit të Kostandinopojës dhe hordhitë e vrasësve grekë kanë kryer një gjueti të tmerrshme në Shqipëri. Pa dallim race apo feje, vrasin, masakrojnë, burgosin, internojnë…

Kërkesat tona nuk janë të tepruara. Ne nuk jemi, thënë në mënyrë të qartë, revolucionarë, thjesht jemi të lodhur duke jetuar në anarki dhe na vjen turp të shohim se vendi ynë i bukur përbën një plagë dhe një të keqe të turpshme në krah të Evropës.

Ne duam që Shqipëria të jetë e shqiptarëve. Ne pretendojmë të drejtën e qytetërimit. Ne duam të çlirohemi nga barbaria; ne duam të thyejmë matricën që na rrethon, me një fjalë, duam të jetojmë.”

Filed Under: Histori

Fondacioni “Skanderbeg”, Instituti i Studimeve Shqiptare/Instituti Shqiptar per Studime dhe Arte

October 10, 2022 by s p

Prof. Dr. Romeo Gurakuqi/

Me dekretet 140 dhe 141 te Mëkëmbësisë së Përgjithshme me, 8 prill 1940 u themeluan dy institucione:

1- Fondacioni “Skanderbeg”

2- Instituti i Studimeve Shqiptare.

Disa emerime ne kete Institut jane realizuar me dekret te Ministrit Ernest Koliqi: Aleksandër S. Drenova, poet, Bukuresht; Xhevat Korça, historian, Tiranë; Padër Justin Rota, linguist, letrar, Shkodër, Et’hem Haxhiademi, dramaturg, Tiranë.

Perndryshe me Dekret të Mekëmbësisë së Përgjithshme në Tiranë, anëtarë të Institutit të Studimeve Shqiptare u emëruan:

Italianë: Profesor Antonio Baldacci- gjeograf, etnograf, botanist (Bolonjë); Profesor Matteo Bartoli, linguist, (Torino); Profesor Sergio Bettini, historian arti (Padova); Padre Nilo Borgia historian dhe letrar (Grottaferrata); Padre Fulvio Cordignano, historian dhe gjuhetar (Shkodër); Profesor Francesco Ercole, historian (Romë); Profesor Angelo Leotti ekspert i gjuhes shqipe (Bolonjë); Dr. Nicola Lorusso Atoma, eksperti i studimeve historike (Tiranë); Profesor Genaro Maria Monti, historian (Napoli); Profesor Domenico Mustilli, arkeolog (Napoli); Paolo Emilio Pavolini, filolog (Romë); Profesor Papas Gaetano Petrotta, filolog, letrar (Palermo); Dr. Giuseppe Schiro, filolog (Romë); Profesor Carlo Tagliavini linguist (Padova); Padre Giuseppe Valentini historian dhe letrar (Shkodër).

Personalitetet shqiptare të emëruar ishin:

Dhimiter Berati ekspert i studimeve historike (Korçë); Profesor Eqerem Çabej, gjuhëtar (Tiranë); Padër Gjergj Fishta, poet (Shkodër); Profesor Karl Gurakuqi gjuhëtar dhe letrar (Tiranë); Padër Anton Harapi letrar (Shkodër); Profesor Kolë Kamsi gjuhëtar dhe historian (Tiranë); Dr. Vangjel Koço (Tiranë); Ernest Koliqi, poet dhe letrar (Tiranë); Senator Mustafa Kruja linguist dhe letrar (Tiranë); Profesor Mati Logoreci letrar (Tiranë);Padër Benardin Palaj folklorist; Profesor Ndue Paluca; Dr. Ilo Mitko Qafëzezi, historian (Korçë); Profesor Namik Resuli linguist (Tiranë); Dom Lazër Shantoja poet dhe letrar (Tiranë); Profesor Aleksander Xhuvani linguist dhe letrar (Tiranë); Dr. Eqerem bej Vlora historian dhe gjeograf (Vlorë).

Me të njejtin dekret President i Institutit u emërua Profesor Senator Mustafa Kruja, zevëndës President Profesor Taglaivini.

Këshilli Shkencor i Institutit të Studimeve Shqiptare i “Fondatës Skandërbeg” do të përbëhej nga kryetar Senator Mustafa Kruja, Nënkryetar Prof. Carlo Tagliavini, Këshilltarë: Prof. Eqerem Çabej, Padre Zef Valentini, Dom Lazër Shantoja, Prof. Aleksander Xhuvani.

Pasi Mustafa Kruja u be kryeminister, Kryetari i dytë i Institutit ka qene Prof. Ernest Koliqi.

Si Kryetari ashtu edhe anëtarët e Institutit te Studimeve Shqiptare gëzonin nderimet, titujt, privilegjet dhe dinjitetin e përcaktuem për Ministrat e Shtetit dhe për parlamentarët.

Mbas pushtimit gjerman të Shqipërisë, krijimit të institucioneve

të reja indipendente të shtetit, fillimit të stabilizimit të kuadrit

të ri ligjor,

INSTITUTI I STUDIMEVE SHQIPTARE

TRANSFORMOHET NË

INSTITUTI SHQIPTAR PËR STUDIME DHE ARTE

Instituti i Studimeve Shqiptare i paraqiti Këshillit të Ministrave, veç projektit të modifikimeve në statutin e këtij institucioni, një raport mbi veprimtarinë e plotë të tij deri në fund të vitit 1943, buxhetin vjetor prej 250000 fr. shq. dhe skicë-idenë e kanalizimit të veprimtarisë drejt themelimit në të ardhmen të Akademisë Shqiptare të Shkencave, sikurse ngjashëm kishte dodhur edhe në vendet e tjera ballkanike.

Me kërkesën e Kryeministrit Rexhep Mitrovica, drejtimin dhe

riorganizimin e Institutit të Studimeve Shqiptare me 25 shkurt të vitit 1944 e mori Patër Anton Harapi, në një mbledhje solemne të zhvilluar në Institut, ku morën pjesë e gjithë trupa e Këshillit të Shtetit, Misat e qeverisë, anëtarët e institutit, Aleksander Xhuvani, Ekrem Vlora, Anton Paluca, Xhevat Korça, Dhimiter Beratti, Don Lazer Shantoja, Karl Gurakuqi, Odise Paskali, Lasgush Poradeci dhe gjithë punonjësit e institucionit.

Të nesërmen me 26 shkurt 1944, në Zyrën e Këshillit të Naltë, At Anton Harapi, në cilësinë e tij si patron dhe drejtues i institutit, mblodhi anëtarët e caktuar për modifikimin juridik dhe përshtatjen me rrethanat e reja politike, të Misionit dhe Statutit të Institutit

të Studimeve Shqiptare, që u caktuan në mbledhjen e një ditë ma parë. Ky grup punues përbëhej nga Profesor Aleksandër Xhuvani, Profesor Karl Gurakuqi, Dr. Xhevat Korça dhe Prof. Odise Paskali. Në këtë mbledhje para së gjithash u vendos të transformohej emri i institucionit që nga kjo ditë e mbrapa do të thirrej, Instituti Shqiptar për Studime dhe Arte. Po ashtu u vendos që privilegjet që deri në atë kohë gëzonin të huajt, nënkuptoheshin studiuesit

italianë të lidhur me qeverinë e Romës e kohës së Musolinit zot i plotfuqishëm i vendit dikur, të abrogoheshin. Të huejt e çdo kombësije mund të merreshin si anëtarë të jashtëzakonshëm të institutit, por ata duhej të ishin përsonalitete të shquara për merita të posaçme në fushën e studimeve albanologjike. Anëtarët

e deriatëhershëm shqiptarë të Institutit rikonfirmoheshin. Anëtarët e rinj propozoheshin prej Institutit, ndërsa emërimi i tyre dekretohej vetëm prej Këshillit të Naltë të Shtetit (Regjenca). Anëtarët e brendëshëm nuk do të ishin ma shumë se 40 vjeç. Në statutin e ri, fjalët “Këshilli i Ministrave”, “Mëkambësija”,

“Ministrija” zëvëndësoheshin me fjalët “Këshilli Naltë”, mbasi Instituti me statutin e ri varej tanimë drejtpërdrejtë prej Kreut Kolektiv të Shtetit.

Me 23 prill 1944, ditën e Shën Gjergjit, u zhvillua ceremonia e riorganizimit të Institutit në Mbledhjen e Përgjithshme të Misave të tij, nën drejtimin e Kryetarit Padër Anton Harapi dhe me praninë e Kryetarit të Regjencës Mehdi Frashëri. Me ketë rast u komunikua ligja e re, që urdhnonte organizimin dhe aprovimin e Institutit në format të ri, emnimi i kryetarit dhe u pranuan Misat e rinj. Sipas strukturës së re Kryetar Nderi u caktua Shkelqesa At Anton Harapi, zv, Kryetar Dr. Odhise Paskali. N/Kryetarë: Prof. Aleksander Xhuvani për Degën e Letërsisë, Dr. Odhise Paskali për Degën e Arteve dhe Dr. Hasan Dosti për Degën e Shkencave. Misat e rinj ishin: Fan. S. Noli, Mit’hat Frashëri, Ali Asllani, Kristo Floqi, Ekrem Çabej, Krist Maloki, Dom Ndoc Nikaj, At Pashk Bardhi, Spiro Konda dhe Vasfi Samini. Misat e vjetër u riemëruan. Kryetari i Institutit, në fund të mbledhjes analizuese dhe riprogramuese të institucionit, emnoi edhe Misat Korrespondentë: Rexhep Krasniqi, Koço Tasi, Hamdi Sulçebe, Vangjel Meksi, At Marin Sirdani, Kostaq Cipo, Hamdi Karazi, Jakov Milaj, Dom Ndre Zadeja, Osman Myderrizi, Dhimiter Pasko, Hamdi Kokalari, Ilia Mitrush Panariti, Don Nikoll Gazulli dhe Bashkëpunëtorët e Jashtëm sipas drejtimeve.

Rreth Institutit të Studimeve Shqiptare/Institutit Shqiptar per Studime dhe Arte në Tiranë, qe eshte Akademia e Dyte Shqiptare e Shkencave, mbas Komisise Letrare ne Shkoder, u mblodh e gjithë elita intelektuale e letrave shqipe. Në qoftë se vihet re me kujdes, pjesa më e madhe e kësaj elite, ose do të eliminohet nga skena pas 4 vjetësh, ose do të detyrohet të largohet nga vendi dhe veç shumë pak nga ata, mundën të mbijetonin në vetminë e tyre intelektuale brenda territorit të shtetit shqiptar pas ardhjes së komunistëve në pushtet.

Zhvillimet e pas vitit 1944 në Shqipëri do t’i vendosin punët e vyera në fondin e dorëshkrimeve të shkruara nga autorë të ndaluar për 50 vite me radhë. Me kalimin e kohës, një pjesë e rëndësishme e

tyre humbën. Shumë vepra nuk gjenden as në fondet e Akademisë dhe as në ato të AQSH.

Ndërkohë që Shqipëria e pas vitit 1990 ende nuk ka ndërmarrë një nismë për t’i rinxjerrë në dritë përmes një investigimi zyrtar te programuar shteterisht, ose për t’i inventarizuar ata që ende ruhen ndër arkivat e lartpëmendur, ose për t’i përfshirë vëllimet e gjetura tanimë, në fondin e edukimit të brezit të ri të Shqipërisë.

Filed Under: Histori

110 VJETORI I PAVARËSISË KOMBËTARE, MONUMENTI I MUNGUAR I ISMAIL QEMALIT NË TIRANË

October 7, 2022 by s p

Nga Vilson Haxhiraj/

Ismail Qemali është  i vetmi personalitet shtetformues në botën e qytetëruar, që pas më shumë se një shekulli, ende, nuk ka një monument në kryeqytetin e shtetit të tij. Monumentet  kushtuar Ismail Qemalit janë fare fare të pakta. Pas varrit monumental, shtatorja e tij  është  figure  qendrore e Monumentit të  Pavarësisë. Në v.1974  Odise  Paskali  krijoi  për ambientet e Muzeut Kombëtar  shtatoren e Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe të Enver Hoxhës. Dështimi i konkursit për një statujë të Ismail Qemalit, në 100 vjetorin e Pavarësisë  detyroi organizatorët të  nxirrnin nga Muzeu Historik  shtatoren e tij dhe ta vendosnin aty ku është sot. Pritshmëritë  që qeveria Rama të ngrinte një monument të ri, në 110 vjetorin e Pavarësisë, ishin të mëdha. Vendosja e portretit të Ismail Qemalit në ambientet e administratës publike, ndër vendimet e para të z.Rama, mori  mbështetjen e mbarë opinionit publik dhe krijoi iluzionin, që hapi i radhës do të ishte ngritja e monumentit  të tij në Tiranë. Por zelli atdhetar i k/ministrit tonë nuk e kapërceu  këtë cak. Dhe jo për mungesë fondesh. 35 milion euro është vlera e investimit shtetëror për rikulifikimin e Sheshit Kombëtar të Flamurit  dhe Muzeut Kombëtar Pavarësia,  projektuar sipas shijeve ekstravagante të z.Rama. 10 % e kësaj vlere do të mjaftonte për të ngritur monumentin e Ismail Qemalit në Tiranë, me konkurs ndërkombëtar, kthimin në identitet të Sheshit Kombëtar të Flamurit, duke rindërtuar  shtëpinë e Xhemil Bej Vlorës  ku u mbajt Kuvendi Kombëtar i Vlorës dhe u ngrit flamuri ,si dhe shtëpinë e Sharrajve, objekte historike, të lidhur pazgjidhmërisht me Aktin  e Shpaljles së Pavarësisë Kombëtare. Injorimi  zyrtar  i  figurës së Ismail Qemalit  në këtë vit jubilar të Pavarësisë  është  thjesht dështimi  radhës i k/ministrit Rama, vazhdim  llogjik i performancës  negative të qeverisjes së tij 9 vjeçare. Nuk mund të ndodhte ndryshe.Në politikë  kushti i parë për të patur sukses është  motivimi atdhetar për mbrojtjen e interesit publik, që bje ndesh me strategjinë e k/ministrit Rama, që po e shet  Shqipërinë në ankandin e PPP-ve dhe konçensioneve. Papërgjegjshmërinë  e  shtetit në këtë fushë është përpjekur ta korrektojë shoqëria civile. Prej v.2016  monumenti i Ismail Qemalit lartësohet në një nga sheshet kryesor të Prishtinës, vepër e skulporit Agim Mulliqi dhe invesitorë një grup biznesmenësh vlonjatë. Deputeti Bujar Leskaj ka përfunduar proçedurat ligjore për vendosjen e një tjetër monumenti të Ismail Qemalit në  Shkup, të  RMV. Por detyrimet ligjore për monumentet e etërve të kombit janë të shtetit shqiptar, si përfaqsues i shoqërisë dhe subjekt me mundësitë e duhura financiare  për të  përballuar shpenzimet për ngritjen e monumenteve cilësorë, që të pasqyrojnë  me nivelin të lartë  artistik madhështinë e veprës së tyre. Vlerësimi me monumente i figurave të shquara të kombit është tregues qytetarie dhe atdhetarie  i shoqërive dhe elitave intelektuale, veçanërisht  atyre politike. Është absurde të  argumentosh nevojën  për të patur monument të Ismail Qemalit në Tiranë, sepse asnjëherë monumentet për Ismail Qemalin nuk kanë për të qenë të mjaftueshme.  1000 statuja dhe monumente ka kancelari Bismark, heroi i bashkimit të Gjermanisë. Po kaq vlerësohet numri i statujave dhe monumenteve edhe për Mustafa Qemalin e Turqisë. Amerikanët, veç të tjerash, i kanë gdhendur në shpate mali në përmasa vigane, monumentet e etërve të kombit. Heronjtë e kombeve nuk kanë nevojë për monumente. Jemi ne të gjallët,që duhet të shohim si vlerësohen dhe çmohen  ata që punojnë për atdhe. Edukimi atdhetar i brezave, në çdo shoqëri , ka në themel  referencat më pozitive të historisë kombëtare, ngjarjet e mëdha, fitoret  dhe arritjet e mëdha dhe protagonistët e tyre. Ismail Qemali është guri më i madh dhe më i  rëndë në themelet e godinës së shtetit shqiptar. Pas Skënderbeut është personaliteti, që ka ndikuar më shumë në formimin e identitetit dhe ndërgjegjes tonë  kombëtare. “Në  memorien  e shqiptarëve  emri dhe figura  e Ismail  Bej Vlorës  është gati një gjysmë perëndi.” ( 1). Ky  vlerësimi vjen jo vetëm nga perceptimi publik, por nga bota  akademike, që në vazhdimësi  dhe koherencë ka vlerësuar me nota të larta veprën e Ismail Qemalit. Ismail Qemali ishte personalitet i Rilindjes Kombëtare. Thënia e famshme e Engelsit për Rilindjen Europiane,  “Kjo epokë kishte nevojë për titanë dhe nxori titanë….” u shkon për shtat edhe Rilindasve tanë të shquar. Ismail Qemali  ishte  burrë shteti, legjislator dhe personalitet shtetformues. Edhe pas 110 vjetësh ai vazhdon të ketë diferenca tepër të mëdha me shtetarët  pasardhës, si lider me personalitet të spikatur ,por  veçanërisht për përkushtimin e pakufishëm dhe pa kushte ndaj Shqipërisë. “Me përvojë dhe talent në fushën e drejtimit shtetëror dhe të diplomacisë, sidomos  në sajë të artikujve të botuar në  gazetat  më të mëdha të Europës, Ismail Qemali u bë  figurë e shquar  e perandorisë  osmane dhe shumë i njohur ndërkombëtarisht.” ( 2 ) Në v.1876  ishte pjesë e  stafit  të  k/ministrit e Mitat Pasha  për hartimin e Kushtetutës së parë të perandorisë osmane. Në v.1897 i paraqiti sulltanit një promemorje dhe një  projekt kushtetutë, që i hapte rrugë reformave decentralizuese dhe kthimit të perandorisë  në monarki  kushtetuese. ”Promemorja zgjoj  interes në opinionin zyrtar dhe publik të disa shteteve të Europës, pati jehonë në shtypin e tyre, që e cilësoi autorin  reformator ,burrë shteti  të  shquar dhe largpamës.”( 3 ) Arratisja e Ismail Qemalit në v.1900 u bë lajm për shtypin europian dhe  amerikan. Ai do të  kthehej në v.1909  si deputet  dhe do të zgjidhej  drejtues i opozitës  liberale në parlament. Pas traktatit politik të Sami Frashërit, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, Ismail Qemali ishte i dyti nga personalitetet  shqiptare të kohës, që hartoi një program  për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Programi u paraqit në  gazetën italiane “Tribuna më 21 maj te v.1909. Më 15 tetor  botoi në revistën ”Albania” të Faik Konicës thirrjen “Vëllezërve Shqiptarë”. Ismail Qemali është pjesë e atdhetarëve dhe intelektualëve elitarë, që koha i nxjerr në skenë për të bërë histori dhe për të mbetur përjetësisht pjesë e saj, duke identifikuar me emrin e tyre pjesën më të rëndësishme të historisë së kombit, atë të kalimit nga robëria në liri.  

Referenca:

  (1) R.Qafoku-33 k/ministrat e Shqipërisë.                                                                                                      (2) Akademia e Shkencave: Historia e Popullit Shqiptar.pj.2.                                                                     (3) Poaty.                                                                                                                                                                                                                                                              

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 206
  • 207
  • 208
  • 209
  • 210
  • …
  • 738
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit
  • Mirëqenia mendore dhe shëndeti i sistemit tretës
  • SKËNDERBEU DHE ALFONSI I ARAGONËS: KËNDVËSHRIME TË TJERA
  • Ismail Qemali mes hafijeve dhe gjeopolitikës: Botohet për herë të parë letra e panjohur e vitit 1902
  • 8 nëntor 1462 – Dita e shkrimit të “Formulës së Pagëzimit” nga imzot Pal Engjëlli
  • GJON MILI – IMAZHET PA FORMË DHE ONEIRIZMI POETIK
  • Nëntori i historisë dhe i kujtesës kombëtare
  • FILATELIA PËRBALLË HISTORISË – 118 VJET NGA KONGRESI I MANASTIRIT
  • Portreti i një intelektuali …

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT